• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Burrat e vdekur nuk duhet të zgjohen

September 7, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA/*

”Mbaje zemrën tënde të ngrohtë, por kokën të ftohtë”, – më thoshte gjyshi im.

Evropa (edhe Shqipëria pra) është në rrugën për të përjetuar një ndryshim demografik të përmasave biblike përmes migrimit historik. Kjo çka ndodhën është një pushtim i Evropës e cila i bën harakiri vetvetes. Çdo shtet ka të drejtë dhe obligim për të mbrojtur kufijtë, integritetin dhe sovranitetin e vet. Refugjatët e vërtetë janë të ulur dhe vuajnë tmerrësisht në gërmadhat e vendit të tyre në Siri e gjetiu; atyre duhet ndihmuar atje në vendin e origjinës apo në vendin e sigurt më të afërt. Kjo edhe për shkakun se çmimi për 1 “refugjat” që strehohet (ndihmohet) në Evropë është barazi me çmimin e 40 refugjatëve që do të ndihmoheshin në afërsi të vendit të origjinës Afrikë/Azi. Pse të ndihmojmë vetëm 1 njeri në vend që të ndihmojmë 4o?

***

BE duhet të dëbojë menjëherë këta 98% “refugjatësh” fals (shumë prej tyre vrasës mizor dhe kriminel të rrezikshëm) cilët nuk janë aspak të interesuar të strehon te fqinjët dhe vëllezërit pasanik të një gjaku, gjuhe, feje, kulture, kontinenti: në Liban, Jordani, Egjipt, Arabi Saudite, Oman, UAE, Katar, Kuvajt, apo në Turqi, Iran etj, shtete të sigurta ku nuk bëhet aspak luftë. Jo, këta manipulues që janë lindur të jetojnë në vendet e nxehta me diell, nuk ndalen në shtetin e parë të sigurt ku u garantohet një jetesë normale por udhëtojnë nëpërmes 99 shteteve tjera të sigurta me dëshirën fanatike të arrijnë në shtetet më të largëta (dhe më të pasura) të Evropës Perëndimore: Gjermani, Suedi, Norvegji etj ku mbizotëron koha e keqe me mjegull, shi, borë dhe të ftoftë. Pa koment.

Agjencia Kufitare e BE-së Frontex raporton se ka lindur një treg për pasaportë false sirian në Turqi dhe se shumë “refugjatë” që flasin arabisht por janë me origjinë nga ato 100 shtetet tjera arabe, i blejnë ato. Shkaku pse i blejnë: Gjermania dhe Suedia kanë njoftuar se të gjithë sirianët në praktikë do të fitojnë azil. Prandaj fluksi i refugjatëve të rremë është i pafund.

Gjermania ka pushtet të tepërt brenda BE-së, vendet e vogla absolutisht nuk kanë asnjë ndikim në atë që ajo vendos. Kur Angela Merkel urdhëron vendet e tjera të kërcejnë, ata përgjigjen: “Sa lartë?”. Ajo tani po e udhëheqë Evropën drejtë në gropë, pa aftësinë për të dalë përsëri.

Duke deklaruar se të gjithë “refugjatët” janë të mirëpritur në Gjermani, rrjedha e azilkërkuesve të paligjshëm do të jetë në rritje. Brenda pak vitesh do të pushtohet e gjithë Evropa dhe do të harxhohen të gjitha përfitimet e mirëqenies sociale për të cilat paraardhësit tanë (evropian) kanë punuar dhe luftuar, në mënyrë që brezat e ardhshëm të lulëzojnë. Vendet e Evropës do të falimentojnë. Do të thahet dhe zbrazet i gjithë sistemi i mirëqenies, por kjo është ndoshta ajo që Merkel dëshiron dhe ne vetëm mund të spekulojmë në: PSE?!

***

Mbetet vetëm për t’u përgatitur.

Migrimi kolosal nga Afrika/Azia në Evropë do të vazhdojë për dekada të tëra. Hulumtimet  tregojnë se nuk është lufta, por paratë, e cila motivon njerëzit për të migruar. Politikanët me vite kanë besuar se do të ketë më pak emigracion pasi vendet e varfra u bënë më të pasura. Në realitet ndodhë e kundërta.

Kur ekuipazhi i marinës HMS Bulwarsk për herë të parë i peshkuan (i shpëtuan) “refugjatët”nga Deti i Mesdheut, ata pritshin që të gjejnë më të uriturit, më të ligshtit, më të sëmurët, më të leckosurit, më të rraskapiturit e rruzullit tokësor. Në vend të kësaj ata gjetën njerëz me shëndet relativisht të mirë, të mirë-veshur, të pajisur me telefona celularë prej më modernëve dhe kartat e kreditit të cilat ata kanë për qëllim t`i përdorin kur ata të shkelin në brigjet e Italisë. Ushtria zbuloi diçka që politikanët dhe pseudo-intelektualët akoma nuk e kanë kuptuar – se kjo nuk është vetëm një krizë e refugjatëve. “Varfanjakët” e botës janë duke lëvizur për shkak se ata nuk janë të varfër si më parë dhe kanë ekonomi solide (disa dhjetëra mijë euro në dispozicion) për të udhëtuar.

Shumë njerëz ikin nga lufta, por shumica ikin për të kërkuar një jetë më të lezetshme. Nevojtarët, varfanjakët e vërtetë nuk kanë asnjë shans të ikin.

Gjendja kurrë nuk ka qenë më mirë. Që nga koha e Bill Klintonit, përqindja që jetojnë në varfëri të skajshme është përgjysmuar. Kurrë nuk ka qenë më pak dhunë se tani. Konflikti në Siri është një përjashtim në një periudhë historike, ku lufta ka qenë në tërheqje.

Ndoshta kjo nuk ndjehet siç them unë, por bota është më e begatë dhe më e qetë se në çdo kohë në historinë njerëzore, megjithatë numri i emigrantëve rekord i lartë. Por nuk ka asnjë paradoks këtu. Sa më shumë njerëz kanë lek për të lëvizur, aq më shumë prej tyre e bëjnë atë – me një rrezik jashtëzakonisht të lartë personal.

Kur një vend i varfër bëhet më i pasur, e rritën emigrimin derisa të bëhet aq i pasur sa vendet më të pasura. Ky proces merr disa dekada dhe vetëm kur ajo është e përfunduar pasuria do të tejkalojë emigrimin.

Lufta është një katalizator. Nëse ka ndodh një konflikt dhe vendi nuk është aq i varfër sa ishte dikur, ka më shumë njerëz nga ata që janë të prekur të cilët i përballojnë shpenzimet e ikjes për në vendet më të pasura botërore.

Epoka digjitale gjithashtu do të thotë se ata kanë informacionin e nevojshëm.

Emigrimi nga Gambia, Senegali dhe Nigeria e ilustrojnë këtë. Të gjitha janë vende të qeta – pavarësisht nga grupet islamike terroriste në Nigeri – me stabilitetin politik dhe rritjen ekonomike. Megjithatë e përjetojnë, sidomos dy të parat, një eksod masiv i të rinjve që përdorin kontrabandistët për të ardhur në Evropë.

Përveç kësaj, diaspora jashtë vendit është një forcë lëvizëse për më shumë emigracion. Është vërtetuar se në qoftë se ka një grup të madh të ish bashkatdhetarëve në një vend evropian, kjo do të tërheqë më shumë emigrantë nga i njëjti vend në një lloj “Efekti-kryeurë”

Njerëzit në diasporë i ndihmojnë të afërmit dhe miqtë në vendin e tyre të origjinës me informacione, lek dhe ndonjëherë kalim të paligjshëm të kufirit.

“Shpeshherë janë të afërmit kontrabandistët e anëtarëve të familjes që hyjnë në vendin tim”, – më thotë mua një avokat policor nga një vend i madh i BE-s me të cilin kontaktoj shpesh.

Të gjithë azilkërkuesit marrën ndihmë për udhëtimin, nga kontrabandistët gjatë udhëtimit, apo nga të afërmit që tashmë gjenden në Evropë.

Globalizimi e ka transformuar lëvizjen globale të njerëzve, si dhe të mallrave dhe të hollave.

Nëse ti e gjykon gabimisht një krizë refugjatësh, do të krijosh një krizë politike.

Angazhimi që ka për qëllim të ndihmojë mund të përfundojë duke shkaktuar dëme me koston e shumë jetëve. Prej ditës që marina italiane vendosi të ndërmarrë operacionet e shpëtimit në Mesdhe, numri i atyre që kaluan detin por edhe i të zhdukurve që u mbytën në përpjekjet për ta kaluar atë, është trefishuar.

Një fotografi e një fëmije të mbytur është shpirt-copëtuese, por nuk duhet të ndryshojë politikën: një përgjigje e gabuar mund të çojë në vdekjen edhe të më shumë fëmijëve. Ka shumë gjasa që qindra fëmijë në Jemen të vdesin nga uria në dimër, viktima të luftës civile në vend – ne nuk do t`i shohim fotot e vdekjes së tyre, sepse nuk ka gjasa që dikush do të drejtojë një fushatë për ta. Por kjo nuk është një tragjedi më e vogël.

Por le të mos pretendojmë se duke u dhëne azil disa qindra mijë apo dhjetë milion njerëzve do të ndihmojmë 60 milion refugjatë të regjistruar nga OKB; 3-4 miliardë të varfër nga i gjithë rruzulli tokësor do të fillonin rrugën për në Evropë, nën maskotën e termit “Refugjatë”.

Ky imigrim kolosal është problemi i shekullit të 21, shumë më i madh se Siria dhe më i madh se autoritetet në Bruksel të cilët akoma nuk zgjohen. Burrat e vdekur nuk duhet të zgjohen.

Evropa nuk duhet të përqendrohet vetëm në atë se si refugjatët dhe emigrantët duhet të vendosen pa e luftuar gjithashtu edhe arsyen pse ata vijnë.

Zgjidhja e krizës së refugjatëve nuk është ftesa e tyre në Evropë.

*, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, Burrat e vdekur

SHOQATA NENE TEREZA DHE LIRIA

September 4, 2015 by dgreca

Nga Prof. dr. Nusret Pllana/
Universiteti ‘‘Hasan Prishtina’’/
Fakulteti i edukimit/
Shoqata humanitare – bëmirëse ‘Nëna Terezë’ dhe Lufta e UÇK-së/
Në jetën e popujve historikë, vetëm lufta për liri është veprim historik. Në rrjedhën e këtij veprimi historik, të gjithë qytetarët e vendit që luftojnë për liri, kanë obligim atdhetar të bëhen pjesë e atij veprimi historik, në mënyrë që të fitohet liria. Në vendet ku ka qeveri, dihet si bëhet dhe dihet cila është rrjedha e organizimit të luftës. Presidenti i vendit është Komandant i Përgjithshëm. Shpallet gjendje e luftës. Caktohen detyrat për secilin qytetar. Bëhet mobilizimi i moshave të caktuara të popullatës. Vendoset logjistika e luftës, e veprime të tjera.
Në vendet që janë të pushtuara, siç ishte rasti i Kosovës, andaj edhe i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga viti 1997 deri në qershor të vitit 1999, që mund të thuhet lirshëm dhe me argumente, se ishte luftë për jetë a vdekje, luftën e kanë organizuar veprimtarët atdhetarë që ishin të gatshëm të japin edhe jetën për lirinë e vendit. Në këto raste, vjen në shprehje vullneti i popullit, i cili nuk do të jetojë më në robëri. Prandaj, lufta e tillë quhet luftë për liri dhe për çlirimin e tokave të pushtuara. Prandaj, edhe pse Lufta e UÇK-së nuk ishte organizuar nga ndonjë qeveri e vendit, në Prishtinë, a në Tiranë, ishte veprim historik, sepse është cilësuar si e tillë, në radhë të parë nga populli shqiptar, pastaj nga bota.

Shoqata ‘‘Nëna Terezë’’ ishte pjesë e luftës për liri

U tha se lufta për liri në Kosovë, në vitet që u përmenden, ishte luftë për jetë a vdekje. Pushtuesi ynë shekullor kishte vendosur të zbatonte të gjitha programet shfarosëse kundër kësaj pjese të popullit shqiptar, sa dukej, për t’i dhënë fund njëherë e mirë, edhe në përmasa evropiane, çështjes së pazgjidhur shqiptare, e cila nuk mund të zgjidhej, as nuk mund të zgjidhet nesër a pasnesër, pa çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Rrethanat në të cilat ishte populli shqiptar i Kosovës, vuri në lëvizje të gjithë ata që kishin një mundësi, sa do të vogël, që t’i bëhen krahë ardhjes së lirisë. Pjesë e këtij krahu, ishte edhe pjesëmarrja e Shoqatës humanitare ‘‘ Nëna Terezë’’, me të gjitha mjetet që kishte mundësi t’i shfrytëzonte. Kurse mundësitë e saj, ishin mjaftë të mëdha, qoftë për shkak të mundësive që i krijonte mërgatës shqiptare që ta ndihmonte këtë pjesë të atdheut, me të gjitha mjetet, qoftë për shkak të bashkëpunimit me shoqatat simotra ndërkombëtare, që merreshin me të drejtat e njeriut, si dhe me veprimtari të ngjashme.
Prandaj, nuk është gjë e rastit, se Shoqata ‘‘Nëna Terezë’’, pa pasur nevojë prë dekrete ligjore të shtetit, pa pasur nevojë për mobilizim popullor, me vendim të kryetarit të shtetit, pa pasur nevojë të merrte leje nga jashtë apo nga brenda, kudo që zhvillohej luftë në gjeografinë e Kosovës, ajo ishte atje, herë duke ndihmuar nënat shtatzëna, herë tjetër duke ndihmuar të plagosurit, ushtarë e pjesëtarë të popullit, e duke shpërndarë ndihma në veshmbathje dhe në ushqime, dhe së fundit duke lënë në dispozicion të luftës të gjithë personelin e saj mjekësor, kudo që ishin, në akëcilën zonë të luftës në Kosovë, apo në cilin do vend që duhej të ndihmohej zhvillimi i operacioneve luftarake.
Ata që nuk kanë marrë pjesë në luftime, ata që nuk kanë parë frontet e përballjeve me sy, ata që nuk kanë parë plagët e luftëtarëve të lirisë, mund të flasin çka të duan, sepse nga larg, të gjitha gjërat duken më të lehta. Por, ata veprimtarë që i kanë parë të gjitha këto, mund ta dëshmojnë praninë e Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’, në të gjitha këto rrjedha që ka lufta për liri. Ka shumë veprimtarë, që në një mënyrë, a në një tjetër, kanë pasur rastin të punojnë bashkë me aq shumë veprimtarë të Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’. Këtu nuk ka nevojë të flitet për dobinë e angazhimit të tyre, sepse ishte obligim qytetar e atdhetar i secilit, por këtu mund të flitet, sa e nevojshme dhe, në fund të fundit, sa e domosdoshme ishte ajo mënyrë e përfshirjes në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për çka nuk kishte nevojë Kosova e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Kishte nevojë për çdo gjë. Por, plagët e luftëtarëve të lirisë ishin më shumë se nevojë për veshmbathje, apo për ushqime. Andaj, sidomos personeli mjekësor i Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’, ishte pjesë e luftës për lirinë tonë, ndërkaq sektori i maternitetit ishte aq i suksesshëm, sa që asnjë foshnje e lindur dhe asnjë nënë nuk ka vdekur derisa është trajtuar në këtë Shoqatë. Ngase i tërë organizimi i Shoqatës, të gjitha nivelet e saj të udhëheqjes, kishin më shumë mundësi të vepronin, sidomos kishin mundësi të siguronin furnizimin me barëra të domosdoshme për popullatën tonë të pambrojtur, para, gjatë dhe pas luftës gjenocidale në Kosovë.
Andaj, Shoqata ‘‘Nëna Terezë’’ ishte pjesë e luftës për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shoqata ‘‘Nëna Terezë’’ dhe liria

Shoqata ‘‘Nëna Terezë’’ është pjesë e lirisë sonë. Nuk dua të flasë për veprimtarinë e saj para luftës, nuk dua t’ia mohoj askujt të drejtën që të rrahë gjoks se kush ishte prijës e kush ndihmës, siç nuk dua të përzihem në punët që ka bërë akëcili subjekt politik, që tashti ta shfrytëzojë si kartëmonedhë për lavde boshe, sepse ata që kanë punuar në këtë Shoqatë i dinë më mirë të gjitha këto. Unë, në mënyrë modeste, mund të sjellë shumë dëshmi për veprimtarinë e Shoqatës ‘Nëna Terezë’’‘, të cilat e kanë bërë hise të lirisë sonë. Prandaj, liria është edhe pjesë e përpjekjeve, sakrificave, plagëve dhe gjakut që kanë derdhur veprimtarët e Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’. Sepse, kur një popull lufton për liri, askujt nuk i ka hije të rrijë anash. Këtë filozofi të jetës së popujve të robëruar që luftojnë të çlirohen, të gjithë veprimtarët e Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’, e kishin jo vetëm pjesë të jetës së tyre, por edhe pjesë të vetëdijes së tyre atdhetare, se pa dhënë çdo gjë për atdheun, nuk fitohet liria.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte forca që u dha motiv të gjithë shqiptarëve, kudo që jetonin të vihen në shërbim të ardhjes së lirisë. Mendoj, nuk ka akt më njerëzor se ky. Prandaj, kur flasim për Shoqatën ‘‘Nëna Terezë’’, duhet të kihet parasysh ky fakt, shqiptarët i kishin besuar ushtrisë së tij, e cila kishte lindur nga gjiri i popullit, siç ka ndodhur zakonisht në historinë tonë që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e këndej. Kjo mënyrë e mbështetjes së luftës, me të gjitha mjetet e mundshme, por mbi të gjitha me gatishmërinë e vetëdijshme se po i shërbenin çlirimit të vendit dhe ardhjes së lirisë, të gjithë veprimtarët e kësaj Shoqate, në një mënyrë, ose në një tjetër, janë pjesë e luftës për liri, duk e bërë në këtë mënyrë, Shoqatën në të cilën vepronin hise të lirisë së Kosovës.
Nga të dhënat që kanë botuar veprimtarë të ndryshëm, monografitë që janë botuar, si për personalitetin botëror të Nënë Terezës, por edhe për veprimtarinë humanitare të Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’ janë shpaluar disa veçori karakteristike të angazhimit të veprimtarëve të saj në luftën çlirimtare të Kosovës. E para, në zonat ku luftimet zhvilloheshin në mënyrë intensive, Shoqata kishte vënë në dispozicion të luftës gjithçka që kishte, veprimtarët, personelin mjekësor, motra dhe teknikët e saj, laboratorët dhe personelin që kryenin këto punë, barërat si dhe forma të tjera të ndihmës. Tashti ata ishin në shërbim të ushtrisë dhe të popullatës, që kryesisht ishte e zhvendosur nga shtëpitë e tyre. E dyta, veprimtarët e Shoqatës ‘’Nëna Terezë’’(duke rrezikuar gjithnjë jetën e tyre nga barbarët serbë) kishin organizuar bartjen e ndihmave, si dhe furnizimin me gjëra të nevojshme, edhe me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ruajtur në këtë mënyrë mundësinë për të siguruar mjete të mjaftueshme për luftën. E treta, sidomos shërbimi mjekësor i Shoqatës, kishte ruajtur kontaktet me shoqata dhe organizata të ndryshme humanitare që atë kohë ishin në Kosovë, pa pasur nevojë t’u jepej llogari atyre se ku shkonin ato ndihma. Së katërti, vet akti i rënies në krye të detyrës humanitare të më shumë se 150 dëshmorëve të humanitetit në altarin e lirisë, dhe zhdukja e më shumë se 40 shqiptarëve( veprimtarë humanitarë të kësaj Shoqate), nënkupton mjaftueshëm për rolin historik dhe të pazëvendësueshëm të kësaj Shoqate, sidomos në kohën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që këtë e bën pjesë aktive të lirisë sonë.
Qofshin vetëm këto fakte të vogla, në krahasim me organizimin e madh të Shoqatës ‘Nëna Terezë’’, dëshmojnë mjaftueshëm për ndihmesën e madhe dhënë ardhjes së lirisë, të cilën shqiptarët e kishin pritur më shumë se një shekull.

Përfundim

Kurdo që të jetë e thënë që të shkruhet historia e Shoqatës humanitare ‘‘Nëna Terezë’’, doemos do të rikujtohen, do të analizohen dhe do të argumentohen edhe mbështetja e madhe që veprimtarë të kësaj shoqate i kanë dhënë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në të vërtetë, do të ishte jashtë logjikës së ekzistencës së njeriut, që një shoqatë, qoftë edhe humanitare, kur atdheu është në rrezik, kur jeta e njeriut vlen më pak se e çdo gjallese tjetër, të mbetej anash, të shihte vetëm punën e vetë, si do të thoshin ata që matin me peshoren e barnatores, secilën sjellje njerëzore, andaj edhe veprimtarinë në ndihmë lirisë nga veprimtarët e Shoqatës humanitare ‘‘Nëna Terezë’’.
Kosova e pas luftës për liri, ka shumë pjesëmarrës që kanë në trup plagët e luftës, por në të njëjtën kohë ata mbajnë mend edhe ndihmën e pakursyer të mjekëve të Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’, te motra që ju kanë lidhur plagët, të infermiereve që u kanë qëndruar te koka, të atyre mjekëve që kanë operuar edhe pa anestezion. Të gjitha këto janë pjesë të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por janë edhe pjesë e hises së madhe të veprimtarëve të Shoqatës humanitare ‘‘Nëna Terezë’’.
Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, mund të thuhet, prandaj, se Shoqata humanitare ‘‘Nëna Terezë’’ është pjesë e jetës së Kosovës, rrjedhimisht është pjesë e luftës sonë për liri, andaj edhe është pjesë e jetës sonë.

*(Kumtesë)
Prishtinë, më 3. 9. 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof. Nusret Pllana, Shoqata Nene Tereza

MAFIA QE SHFRYTEZON FATKEQESINE E BANOREVEV TE LUFTES

September 4, 2015 by dgreca

PERSE EMIGRIMI DREJT EVROPES FILLOI TANI-KUR LUFTA NE SIRI KA TRE VJET QE KA FILLUAR?/
Nga Gëzim Llojdia/
1.Emigrimi drejt Evropës ka nxitur Gjermaninë të përgatisë kampet e pritjes.Ndërsa emigrantë mërijnë nga dy drejtime:Nga vendet e Mesdheut,kryesisht vendet e luftës dhe nga vendet e Ballkanit. Për të parët janë bërë gati dhe kanë hyrë në veprim kazanët e supës. Për të dytët shikohet mundësia e rikthimit nga vendet e origjinës.Madje ditët e fundit u panë foto tmerruese që tregojnë fëmijë emigrantë të vdekur në brigjet e Mesdheut. Mirëpo edhe pas këtyre pamje tmerruese shqyrtohet se dora e mafies së Mesdheut ,fshihet prapa këtij emigrimi.Pyteja ethjeshtë që bëhet nga milona njerzë është përse emigrimi i sirianëve filloi pasivisht këto ditët e fundit kur lufta në Siri ka tre vjet që ka filluar?
Por emigrimi drejt Evropës ka një shtysë. Assad në kërkim të mbajtjes së pushtetit pas tre vjetëve luftë dhe 300 mijë viktimave siriane, ka gjetur një zgjidhje për të vijuar qëndrimin e tij në pushtet. Emigrimin e sirianëve .Kështu sirianët tashëm për ti shpëtuar konfliktit nisen drejt Evropës,kryesisht Gjermanisë ndërsa Assad qëndron dhe kontrollon një shtet që ka degjeneruar totalisht të rrënuar nga luftya e gjatë civile,copëtuar prej ISS,me emigracion masiv me pasoja të tjera e cfardo gjëje tjetër. Nëse sirianet nisen drejt Gjermanisë,për ti shpëtuar luftës kanë një arsye të thellë. Pritën tre vje, që të ndërhynte ndokush nga bota. Pritën dhe shpresuan tre vjet,plot 1000 ditë ,por askush nuk shkoi në ndihmë të popullatës së pafajshme. Në kushtet kur shpresa, që vdes e fundit kishte muaj që ka humbur zgjodhën emigrimin për ti shpëtuar luftës. Mirëpo drejtimi i emigrimit të sirenave mbetet pak i çuditshëm.
a-Përse sirianët dhe të tjerë emigrantë të këtij rajoni ,emigrimin e shikojnë tej detit Mesdhe diku në Evropë dhe jo pranë fqinjëve të tyre të pasur e të dehur nga bollëku i parasë që buron nga nafta?
b-Kush i orienton emigrantët e Lindjes së mesme të këtij rajoni të pasur drejt Evropës,Flitet se ka organizata kriminale mafioze që përfitojnë mbi 800 mijë euro?
c-Përse vendet e këtij rajoni nuk organizojnë pritjen dhe mbajtjen e emigrantëve të luftës deri në përfundim të saj pranë kufinjëve t,ë tyre por i depërtojnë emigrantët në zemër të Evropës?
Mjafton të pyesësh në shumë shtete dhe fjala është se pranohet azil si u theksua edhe në samitin fundit të Vjenës , vetëm për emigrantët, që vijnë nga vendet e luftës,midis të cilave është edhe Siria.
d-Mirëpo lufta nuk është në Evropë,lufta nuk është fare në rajonin tonë .
Pa mohuar vlerat humanizmit dhe të tjera si këto ndihma që u duhen dhënë emigrantëve të pafajshëm me strehim e akomodim të shpejt, dua të shtrojë ca pyetje:
1-Përse Evropa nuk e bëri këtë me shqiptarët në vitin e mbrapsht ‘97,kujtoni vetëm Otranton. Sa vite u rropatën shqiptarët ndër ambasada që pasuruan këta të fundit dhe i kujtojnë shqiptarëve :rrini rehat se rivëmë sërish vizat.
Përse Evropa nuk mbanë banorët e saj të ardhshëm, që vuajnë për bukën e gojës,ndërsa vendet e pasura arabe kanë mbyllur dyert për emigrantët?
2-Sa kohë do të vazhdojë kjo gjendje. Po qe për Assad, ai kështu mund ta mbajë pushtetin jo më për 30 vjet dhe për 300 vjet po ti jepej kjo mundësi.Assad kështu është mësuar tirënët po nuk i rrëzove ,vet nuk ikin nga pushteti.
3-Përse Evropa dhe vendet tjera nuk ndërhyjnë me zgjidhje të problemit qoftë edhe me luftë për të larguar tiranët mes të cilëve Assad shkaktarë të kësaj gjendje,por ka gjetur rrugën e fundit,atë të strehimit të emigrantëve ?Dihet se në të gjithë këtë mori emigrantësh që mbrijnë në Evropë shumica janë sirianë dhe po vazhdoi kjo gjendje kështu i mbetet që 15 milion milion sirian të mërijnë në Evropë dhe një pakicë ta udhëheq Assad atje në Siri,i bie që 10 milion mysliman ti drejtohen për ndihmë Evropës së krishterë,ndërsa vëllezërit e tyre syni kanë mbyllur dyert e vijojnë ngritjen e gratacelave duke shpikur edhe ashensor 20 km. I bie që edhe vendet tjera të këtij rajoni të bëhen gati për emigrimin mos vallë pushkët,që u ngrehën edhe te fqinjët e afërm të Sirisë ka këtë arsye sepse Evropa ka bukë,strehim ,asistencë. Pritja dhe akomodimi i emigrantëve është fjala e fundit që duhet të kryej Evropa. Personazhet e këtij rebusi janë-një diktator që qeverisë veten,mafia që pasurohet dhe Evropa që bënë gati kazanët e supës. A shikoni ndonjë zgjidhje në këtë mes,përveç në vendnumëro.
4-C’kuptim ka që Evropa lë shtetasit e saj rrugëve dhe merr masa për emigrantët e huaj,përse rajoni i tyre një vend i pasur i mbytur nga luksi ,gratacelat,miliardat,makinat nuk afron mbështetje për emigrantët, që kanë tre vjet në luftë me regjimin e Assadit?
5-Çdo të ndodh me shtetasit e saj të ardhshëm apo më mirë me banorët e hershëm të kësaj toke e të këtij kontinenti do ti ngop vallë Merkel me dekorata,zyrtarët e BE me buzëqeshje,të tjerët me burokracira do ti lënë si i kanë lënë në pikë të hallit,20 vjet ua nxinë jetën sporteleve të ambasadave,tash me mashtrime projektesh në letër dhe me gurë në trastë. Ju do të thoni fajtore është qeveria. Qeveria ka fajin e saj ,po Evropa rri e vështron Ballkanin përtej hirit të saj ,ndërsa shtetarëve ballkanas u ngrënë murre, gardhe me tela karriq ,brenda Evropës,duke formuar kështu:”Mure berlinësh “në miniaturë.

Filed Under: Analiza Tagged With: fatkeqesia e luftes, Gezim Llojdia, Mafia

KUSH UA RREMBEU MANASTIRIN HISTORIK SHQIPTAREVE?

September 3, 2015 by dgreca

Kryepeshkop Anastasi u rrëmbeu shqiptarëve një manastir historik dhe e ktheu atë në varrezë ideologjike ushtarake greke/
Shkruan: Arben LLALLA
Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama ishte në Vlorë, mori pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes mbi çështjen e pronave nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Prokuroria e Përgjithshme, nga Avokatia e Shtetit dhe nga Policia e Shtetit.
Ndër të tjera z.Rama deklaroj: “nga njëra anë është vënia në kontroll e situatës së trashëguar tërësisht kaotike dhe korruptive dhe nga ana tjetër përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit për këtë proces përmes krijimit të një Task–Force, e cila për një periudhë të konsiderueshme kohore ka marrë në shqyrtim gjendjen në qarkun e Vlorës si më problematiku në Shqipëri sa i përket situatës me pronën, jemi këtu për të çelur një fazë të re të kësaj marrëveshjeje ndërinstitucionale. Një fazë që garanton hedhjen në kundërsulm ndaj grabitësve dhe falsifikatorëve të pronës. Është vjedhur duke përdorur një lidhje të shkurtër mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, është çelja e kësaj faze të dytë përmes një operacioni shumë të thellë dhe të suksesshëm të goditjes së çdo akti të falsifikuar që ka prodhuar përmes veprës penale një interes të paligjshëm pasuror dhe një të drejtë tërësisht të falsifikuar mbi pronën. Dhënia fund e të gjithë kësaj historie skandaloze tejzgjatjeje dhe zvarritjeje përmes procedurave ligjore ka si parakusht goditjen e produkteve të veprës kriminale të tjetërsimit të pronës përmes falsifikimit”.
Duke besuar se vërtetë do dënohen falsifikatorët e tjetërsimit të pronave ne sot do të ngremë hije dyshimi për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grek rënë më 1940 në Shqipërisë, çështje që e ngrenë çdo diplomat dhe politikan grek në takimet me përfaqësuesit shqiptar për përfundimin sa më shpejtë të tre varrezave të ushtarëve grekë, që bashkojnë në një vijë imagjinare të rënësh, Gjirokastrën, Përmetin dhe Korçën. Në takimet dypalëshe grekët ripërsërisin se ekziston një marrëveshje ndërshtetërore për këtë çështje, ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2009. Madje ka edhe një Vendim të Këshillit të Ministrave-VKM më 2011, ku thuhet se do të marrë të gjitha masat për shpronësimin e trojeve, ku do të ndërtohen këto vendprehje të ushtarëve grekë të rënë më 1940. Do të krijojë lehtësirat doganore për materialet e përdorura në përgatitjen e këtyre mauzoleumeve, si dhe caktimin që më çdo 28 Tetor, sa herë që Greqia ka festën e saj kombëtare, të organizohen ceremoni përkujtimore, të udhëhequra madje edhe nga priftërinj ortodoksë të Shqipërisë, por që dinë t’u këndojnë kokallave në greqisht. Aq shumë tregojnë entuziazëm për këtë pikë, sa duket sikur ndarja e ujërave dhe çëshja e pronave çame, kalojnë në hije, sikur nuk kanë diskutuar asnjëherë diplomatët dhe politikanët e dy vendeve.
Po t’i kthehemi angazhimeve të plota të palës shqiptare për të mos ua prishur dëshirat, miqve ngjittonë-fqinjë, nuk mund të mos bënim përballjen e dokumenteve me realitetin. Ndaj detyrohemi ta ngremë fuqishëm zërin, për një padrejtësi tjetër, që është bërë në kurriz të pronave që i përkasin popullit shqiptar. Dhe nuk do flasim aspak për mënyrën si u bënë zhvarrimet, apo për priftin Thomollari, që shpërtheu vite më parë, një bombë të atillë skandali që në KOASH edhe sot ia dëgjojnë gjëmën. Jo, do të flasim për një problematikë të re, që ndoshta nuk është kapur si duhet deri tani, fjala është për kishën e Shën Kollin të Grykës.
Kur në VKM, flitet për shpronësim të trojeve ku do ndërtohen varrezat dhe një nga këto vendprehje është ndërtuar pikërisht në kishën e Shën Kollit të Grykës, atëherë sipas marrëveshjes, kjo pronë është shpronësuar. Pra, i është marrë Kishës Autoqefale të Shqipërisë dhe nuk dihet kujt i është dhënë. Sipas kësaj marrëveshje kisha e Shën Kolli të Grykës, nuk i përket më shqiptarëve, por ka ndërruar pronar dhe destinacion.
Siç tregojnë të moshuarit që banojnë në ato anë, kjo kishë është ndërtuar me paratë e çobenëve të zonës, të cilët po me të hollat e tyre kanë blerë dhe truallin ku është ndërtuar faltorja, dhe me shumë mundësi, sot, as ndërtuesit e kësaj kishe, blerës të truallit dhe ndërtues të kishës, por edhe pasardhësit e tyre dhe banorët e Këlcyrës, me shumë pak gjasa e dinë që ai vend, jo vetëm ka ndërruar qëllim, por me shumë mundësi edhe pronarin. Nëse kjo është e vërtetë dhe nëse kisha e Shën Kollit nuk është më pronë e Bashkësisë Ortodokse të Shqipërisë, kemi të bëjmë me një skandal dhe vjedhje prone të padëgjuar më parë në Shqipëri. (Marrëveshjet nuk citojnë se cili subjekt është pronar dhe kujdestar i këtyre mauzoleumeve pas shpronësimit).
Të moshuarit në Këlcyrë thonë se kur kalonin automjetet aty pranë e përshëndesnin me bori vendin e shenjtë, këmbësorët ndaleshin për tu lutur. Dikur aty fëmijët e zonës kalonin pushimet në kampe verore në Manastir, por sot, gjithë ato gropa të hapura e varre të zbrazura dhe kutitë metalike me eshtra që mbushin kishën, ua shtrëngojnë zemrat e i mbushin me një ndjenjë trishtimi, pasi themeluesit dhe ndërtuesit e kësaj kishe, janë nëpërkëmbur, sepse kur e ngritën kishën e tyre, në asnjë rast nuk kishin si qëllim ta kthenin atë vend në varrezë, madje po të ishin ende gjallë do protestonin fort e do kërkonin llogari nga autoritetet e KOASH-it, sepse ua kanë rrëmbyer atë kishë qe e ndërtuan me gjakun dhe kursimet e tyre.
Ndaj pyesim: A mund të na sqarojë dikush opinionin publik, se kush është pronari i varrezave greke të Këlcyrës, sot? A është akoma KOASH-i që i administron pronat e Bashkësisë Ortodokse në Shqipërisë, në rastin në fjalë është bërë shpronësimi? Nëse është shpronësuar e ka shitur apo e ka dhuruar pronën Greqisë? Në të dyja rastet me ç‘të drejtë e ka bërë këtë dhe me vendim të cilit organ apo autoriteti kishtar? Por edhe nëse e ka akoma si pronë, kush ua jep këtë të drejtë të tjetërsimit arbitrar të pronave kishtare, Sinodit, apo Kryepeshkopit që janë kujdestarë të përkohshëm të KOASH-it dhe do të zëvendësohen nga të tjerë, siç na mëson historia kishtare? Kjo do të jetë sërish paradoksale, nëse është akoma KOASH-i pronar. Ç’punë ka dhe mbi cilën traditë, një Kishë Ortodokse Autoqefale mund të administrojë apo mirëmbajë një varrezë ushtarake të një vendi tjetër? Prandaj askush nuk mund të bëjë ç‘të dojë më Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë që është pronë kombëtare dhe trashëgimi e gjithë shqiptarëve, as priftërinjtë, as peshkopët e as Kryepeshkopi. Pronarë dhe kujdestarë të kishave është populli që i ndërtoi dhe askush nuk mund t’ia rrëmbejë atij, për t’i bërë dhurata për qoka, e për të përfituar favore.
Nëse ortodoksët e asaj zone, kanë blerë një truall dhe kanë ndërtuar një kishë për t’u falur, cili ka të drejtë pas kaq vjetësh t’ua rrëmbejë atë pronë dhe ta kthejë në varrezë? Nuk mundet që një grusht njerëzish apo më keq, një i vetëm që ka ardhur si misionar me qëllimin që ta krishtërizojë këtë popull, t’i rrëmbejë atij pronat e t’i dhurojë sa majtas djathtas. Shpresojmë që të paktën KOASH-i të mos ta ketë shitur kishën e Grykës së Këlcyrës, apo më keq të mos ta ketë falur atë, por nën ndonjë presion ekonomik a politik, të jetë detyruar t’i japë në përdorim këto prona, me gjithë peshën e përgjegjësisë historike që mbart, duke i kthyer nga faltore gjigande shpirtërore ku njerëzit luteshin e gjenin shërim, në varreza gjigande ushtarësh. Në çdo rast, ky veprim arbitrar i një Kryepeshkopit Anastasios që për më tepër është dhe i huaj, përbën një skandal gjigant e kërkon sqarim dhe hetim. Ortodoksët në Shqipëri duhet të dinë se kush ua trajton pronat si t’i ketë të trashëguara nga babai, e jo sikur t’ia kenë besuar për t’i ruajtur e për t’ia kaluar ato të pacënuara, brezave që do e pasojnë.
Nga burime brenda KOASH mësuam se Kryepeshkopi Anastasios është i detyruar t’i bëjë këto favore shtetit grek për të marrë fonde prej tij, që të rindërtojë kishat, të cilat po neve do na i lërë, nuk do i marrë me vete, ne duhet ta kuptojmë diplomacinë e tij dhe mendjen e tij të mprehtë. Nëse të jetë i vërtet ky veprim, atëherë kemi të bëjmë me tregti me përfitime nga ana e Kryepeshkop Anastasit, dhe ardhja e tij nuk është mision fetar human.
Nëse KOASH-i do ishte i detyruar për ndonjë përfitim a mbështetje për mbijetesë, le t’ia kalonte ndonjë pronë, me qera a koncension, por kurrsesi kishën pa asnjë kriter për përdorim ideologjik, tek një shtet tjetër. Lusim Zotin që të mos jetë bërë e njëjta gjë në Gjirokastër dhe Korçë, pra që të jenë falur e tjetërsuar kisha të tjera të shqiptarëve, pasi skandali do t’a kalonte çdo masë të përfytyrueshme. Kryepeshkop Anastasi me kopenë e tij nuk ka të drejtë t’u rrëmbejë pronat shqiptarëve dhe t’ua japë grekëve për varre.
E keqja më e vogël do të ishte që të ishte ndërtuar vetëm një mauzoleum përkujtimor, në pronë të blerë ligjërisht dhe jo në truall kishtarë, nëse është falur trualli kishtar, ato tashmë konsiderohen të humbura dhe të pushtuara, pa të drejtë rikthimi. Kjo ngjarje kërkon hetim dhe sqarim, si nga organet tona kompetente, pasi ne nuk mund të lëmë askënd që trashëgiminë tonë kombëtare kulturore të na e kalojnë tek një komb tjetër, si dhe nga brenda Bashkësisë Ortodoksët Shqiptarë duhet të kërkojnë llogari për rrëmbimin e pronave të blera me gjakun e të parëve tanë.
Prandaj, Kryepeshkop Anastasi nëse nuk i lenë trajtimet intensive me fizioterapi që po merr në atdheun e tij, për të rigjetur ekuilibrin dhe forcat e humbura për të vazhduar detyrën, detyrë që duket se ka dritëhijet e veta, ndoshta ai duhet ta sqarojë edhe njëherë pozicionin e tij, mirë kësaj here, sepse historia e thotë mendimin e saj bazuar në dokumente dhe fakte, kur pashmangshmërisht figura e tij është për t’u marrë në studim, qëllimi dhe roli në Shqipëri.

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, Janullatos, manastiri historik

POPUJT “PA HISTORI” JANË PLOT ME “HISTORIANË”…

September 3, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/*
■Ndër Popujt e Europës, Shqiptarët janë prej kombësive ma të vjetra të kontinentit!
“Historianë” kemi me tretë, po “Histori” të shkrueme… “ata” thonë se, “nuk kemi”!
■Pak e aspak shtete kanë figura të mëdha e të njohuna sa Gjergj Kastrioti, Nana Tereze e Ibrahim Rrugova… E ndoshta, lakmia e atyne që dishrojnë me i pasë për vete na ka ba me u perçudnue deri në këte shkallë, sa “historinë” me e shkrue injorantët, tradhëtarët, fallsifikatorët, antishqiptarët ose ma keq se këta: Filo… Vazhdoni ju, se nuk dij ku kemi fillue e ku asht fundi i tyne, që as në Kinë, nuk besoj se ka kaq sa tek ne “antiatdhetarë”!
Hapim sytë me lexue çka kanë shkrue të huejtë per historinë tonë të lavdishme…
■Monumenti i Heroit Kombtar Gjergj Kastrioti sot asht në shumë shtete e vende të tjera, në Londer, Gjenevë, Bruksel, New York, Romë, Budapest, Vienë, Spanjë… Munxhufuni (Montecilfone) Itali, që as nuk e dij ku asht ky vend i banuem me Arbëreshë!!
■Vetem të huejtë shkruejn sakt per Nanen Tereze, kur u nderue me çmimin “Nobël”, dokumenti kishte të shkrueme gabim kombësinë “jugosllave”. Ajo e pau dhe, Ua këthej atyperaty per me e korrigjue tue U thanë: “Unë jam kombësi Shqiptare, se kam le në Shtetin Shqiptar!” Dhe, menjëherë Dokumenti u korrigjue ashtu si u tha Nana Tereze.
■Familja, Qyteti dhe Shteti, janë Familja e Madhe per të cilen na mësoi Nana Tereze, asht tue thanë në këte moment Papa Françesku…(30 Gusht 2015, ora 18.20 Melbourne)…
■Kosova asht e lirë! Liria e Dardanisë Shqiptare asht meritë vetem e Nanës Tereza dhe e Ibrahim Rrugovës, e këte nuk e kam thanë unë po, Ua ka shpjegue Presidenti Klinton!
“Nanë Tereza, ishte e para Ajo që më bani ta due kombin Shqiptar. Dhe tashti ndihem shumë krenar që e plotësova një detyrë morale ndaj Saj dhe ndaj vlerave të lirisë”, ka deklarue Bill Klinton mbas ndërhymjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës.
■Ka shumë antishqiptarë që shkruejnë “Historinë e Shqipnisë” pa zanë me gojë fare një nga Figurat ma të Mëdha të Popullit Shqiptar, Heroin e Pavdekshem të Hotit dhe të Flamurit të Gjergj Kastriotit të 6 Prillit 1911, Dedë Gjo’ Lulin…Kujtojnë se “lavdia e tyne” filloi me 28 Nandor 1912 në Vlonë, tue u kremtue në Shqipni, Kosovë e Maqedoni…
Harrohet Hoti e Gruda, e aq ma keq Çamëria e Trojet tona… që po i sundon greku!
Kur u ngrit Flamuri në Vlonë, “…Ishte menduar nga Ismail Qemali, që Shqipëria të vazhdonte për të qenë dhe pas vitit 1912 autonome në suazen e Perandorisë Osmane.” Edhe mbledhja e përfaqësuesve të kolonive Shqiptare të ShBA-së, që u ba në Boston më 6 tetor 1912, duke “… marrë në sy atë që po mundet Turqia, e që shtetet e Ballkanit do ta ndajnë Shqipërinë në mes tyre”, deklaronte: “Është detyrë e atdhetarëve shqiptarë të jenë plotësisht të bashkuar me guvernën (qeverinë – shën. i aut.) otomane kundër armiqve të Mbretërisë”. Ndonëse frymëzohej nga qëllime patriotike, qëndrimi i kolonive shqiptare të ShBA-së përmbante në vetvete një rrezik të madh për vendin. Përkrahja pa kushte që shqiptarët do t’i jepnin Turqisë në luftën kundër Aleancës Ballkanike do të sillte si pasojë që Shqipëria të pësonte të njëjtin fat që do të pësonte Turqia në Ballkan dhe do t’u jepte një argument të fortë qeverive të Aleancës Ballkanike për të mbrojtur përpara opinionit publik ndërkombëtar planin e copëtimit të Shqipërisë si një provincë e thjeshtë turke…” Po këte a e dijnë “historianët” tanë?!
■Luigj Gurakuqi pa ju tutë fare syni, nuk priti po, nxori patllaken dhe u tha delegatëve: “Pa u ngritë sot Flamuri, asnji nuk dalim të gjallë nga kjo shtëpi!..”
(Shikoni me kujdes foton në balkon ku, Luigji vazhdon me kenë me dorë në xhep…) Guximi i Gurakuqit lidhet edhe me besnikrinë e Trimit të Kosovës Isa Boletini, i cili me 300 Burra të armatosun kishte rrethue Sheshin ku menjëherë u ngrit Flamuri…
■Kjo asht arsyeja që edhe Luigj Gurakuqi duhet “harrue”, se Ky asht Ai që “na prishi me vëllezërit e gjakut turqë të vjeter e të rinjë, se me sllavë as nuk bëhët fjalë…”
■Presidenti i Shqipnisë e ka gjetë zgjidhjen: “Bustit të Skenderbeut i ka vue rrota…”
■Tradhëtarët pranojnë injorancen e idjotsinë per hirin e titujve “dr, prof, e akademikë”!
Ka shkue puna e “historisë” sonë per turp, sa per Figuren e Gjergj Kastriotit me diskutue në TVSh… njëfarë turkeshet Djana Kastrati, nga brezi i “turqëve të rijë” per të cilët, ka shkrue i Madhi Prof. Arshi Pipa… “Turqit e rij të Shqipnisë së Re” “Adriatiku” 1992:
■I.Pushtimi i gjatë i Shqipnisë nga Turqit la mbresa të pashlyeshme në mendësinë dhe kulturën e kombit shqiptar…Mbasi systemi politik i perandorisë shumëkombëshe otomane bazohej në fenë islame dhe tue qenë se shqiptarët ishin nji grup ethnik i privilegjuem në perandorinë otomane për arsye t’islamizimit të tyne në masë, Turqit e Rij shqiptarë e panë të volitshme me kufizue kërkesat e tyne te ideja e krijimit të nji Shqipnie autonome në suazën e perandorisë otomane. Kjo Shqipni do të përmblidhte katër vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Janinës dhe Manastirit, që përbajshin pjesën ma të madhe të trojevet otomane n’ Europë. Po shënojmë këtu, në kalim e sipër, se ideja e autonomisë nuk ishte aspak popullore në Kosovë, mbasi kosovarët n’atë kohë vazhdojshin me qenë besnikë të Sulltanit, që ata e quejshin “baba mbret”…
■Tue raportue mbi kto ndeshje në revistën Albania Faik Konica shkroi çka vijon: “Na duhet të luftojmë Turqit e Rij që janë personifikim i kulshedrës në përrallat popullore. Por nëse nesër marrin prap pushtetin turqit e vjetër, atëherë le të sillemi kundër tyne. Vërtet se ka disa burra të mirë mes tyre. Por të rij ose të vjetër, turqit janë turq, dmth janë, si thotë fjala latine, “bukë e nji mielli (ejusdem farinae)”.
■…Tjetër faktor i përbashkët asht oportunizmi i të dy palëve: stalinistat shqiptarë renegatë mohuen hoxhanizmin n’emën të demokracisë pa qenë ata vetë demokratë po ashtu si Turqit, që çuen krye kundër Sulltanit n’emën të liberalizmit dhe nuk ishin ata vetë liberalë… Nji tjetër gjasim asht se të dyja kto lëvizje disidente nuk ishin fillime por vazhdime. Turqit e rij ecën në vazhdën e liberalëve turq të mërguem, ndërsa revolta e shqiptarëvet stalinista qe shprehja finale e disidencës partiake që ka nji histori të gjatë.
■Turqit e Rij shqiptarë nuk rrezikuen asgja tue kalorue valën revolucionare të nisun nga studentat dhe të çueme përpara nga grevat e punëtorëvet.
■Sa do të zgjasë sundimi i tyne?
Turqit e Rij humbën vrullin e tyne revolucionar mbas katër vjetësh. Sundimi i PD-së ka gjasë mos me qenë aq i gjatë. Udhëheqsit e saj kanë ba shumë poterë me akuzat e tyne kundër komunistëvet të Hoxhë-Alisë, tue ba popullin me besue se, t’ardhmen ata në fuqi, do të hapnin gjyqet. Por këte ata nuk do t’a bajnë tashnjiherë, mbasi hapja e dosjevet të Sigurimit mund të jetë kompromentuese për së paku disa prej tyne.”(Ne vijim te rubrikes;Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…)
■Historia nuk mund të shkruhet nga “ata” që e kanë fallsifikue dhe shtremnue…
Melbourne, Shtator 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, plot me historiane, Popujt pa histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 757
  • 758
  • 759
  • 760
  • 761
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT