• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DËSHPËRIM DHE VETËM DËSHËPRIM!

October 15, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Për shqiptarët në mërgim, por dhe për të gjithë shqiptarët kudo, gjëndja e mjerueshme e shqiptarëve gjatë historisë fatkeqe, sidomos të gjysëm shekullit të kaluar nën komunizmin ndërkombëtar- për të mos shkuar më larg në histori- na i kishte zhdukur shpresat se fati i pamëshirshëm i kombit shqiptar do të shihte ditë më të mira dhe më të gëzueshme.Gjatë shekullit të kaluar,mijëra shqiptarë humbën jetën duke u flijuar nepër kampe e burgje të Enver Hoxhës dhe të Serbisë, anë e mbanë trojeve shqiptare. Dukej sikurë mjerimi për shqiptarët e ngratë nuk do të kishte fund. Me të drejtë, ata ndiheshin të nepërkëmbur dhe të keqpërdorur nga “udhëheqsit” e vetë dhe të harruar nga bota e jashtëme. Kishte humbur shpresa për ndonjë ndryshim për më mirë, ndërsa mjerimet kishin arritur kulmin, kudo që jetonte shqiptari në trojet e veta në Ballkan. Ishte koha kur një pakicë, që “vet fliste e vet vulonte”, sundonte në bazë të një ideologjie të huaj dhe e mbronte atë ideologji duke përdhunuar, gjatë atij sundimi, historinë e kombit, në emër të shqiptarëve.
Ndërkaq, ndryshimet që pasuan shëmbjen e Murit të Berlinit anë e mbanë Europës ish-komuniste, më në fund, patën efektin e vet edhe në Shqipëri dhe në Kosovë. Kanë kaluar 25 vjetë nga shëmbja e komunizmit në Shqipëri, ndërsa në këtë ndërkohë Kosova u çlirua nga fashizmi serb dhe më në fund siguroi pavarësinë, falë luftës dhe sakrificave të mijëra shqiptarëve që flijuan veten për një Kosovë të lirë, me një mbështetje të paparë të aleatëve perëndimorë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dukej sikurë në këtë periudhë, mjerimi, vuajtjet, vrasjet, shkelja e të drejtave të njeriut dhe viktimizimi i shqiptarëve po merrnin fund dhe se fati dhe historia, ndonëse e vonuar, do ti trajtonte shqiptarët më mirë se kurdoherë tjetër gjatë historisë së tyre. Thuhej se, më në fund, edhe Perëndia e këtheu fëtyren e Tij ndaj nesh. Shpresohej se — me përmbysjen e ideologjive të huaja sllavo-komuniste –kjo ishte periudha e artë e shqiptarëve — kur pa ndërhyrje nga jashtë, gjaku ilir më në fund do të qarkullonte përsëri në trupin arbënuer si një ushqim dhe si oksigjen i jetës, duke shënuar fillimin e ditëve më të bardha për mbarë kombin shqiptar.
Fatkeqsisht, po ti hidhet një sy gjëndjes së sotëme politike dhe ekonomike, sidomos në Shqipëri dhe në Kosovë – por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, çdo vërejtës i pa-anshëm do të vinte në përfundimin se këto shpresa janë venitur dhe se mjerimi dhe dëshpërimet, ndonëse të ngjyre tjetër dhe i shkaktuar nga një brez i ri, vazhdon për shqiptarët dhe se kjo klasë politike shqiptare, e katandisur kombin shqiptar në një rrugë të pa qëllim, humbje shpresash dhe lodhjesh fizike dhe shpirtërore. Mjafton të ndjekësh punimet e dy kuvendeve, të përfaqsuesve të popullit në Tiranë dhe në Prishtinë, për të kuptuar dëshpërimin që ndjejnë sot shqiptarët dhe që po i detyron ata të largohen nga trojet e tyre. Në vend që të debatojnë për përmirsimin e jetës së qytetarëve dhe të paraqesin alternativa të ndryshme zhvillimi e investimi, punimet e dy kuvendeve shqiptare mbizotërohen me sharje e sulme ndaj njëri tjetrit — me sjelljet e tyre, përfaqsuesit e popullit shqiptar — me shpifjet dhe akuzat ndaj njëri tjetrit — duhet të jenë të ndërgjegjëshëm se po dhunojnë kultin e vërtetë të shqiptarit, nderin, burrëninë dhe vlerat stërgjyshore, që historikisht kanë nderuar kombin shqiptar. Nëqoftse këto vlera kanë ndonjë rëndësi për ta!? Fatkeqsisht, siç më tha kohët e fundit një mik imi i posa këthyer nga trojet tona, duke iu referuar zhvillimeve politike të fundit ndër shqiptarët, njerzisë në ato anë, shtoi ai, nuk i ndihet as era.
Pas 25 vitesh ç’prej shëmbjes së komunizmit dhe ç’prej çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, që me të drejtë u pritë me euforinë më të madhe nga shqiptarët mbrenda dhe jashtë atdheut — dhe kur mendohej se mjerimi dhe dëshpërimi po merrnin fund — shqiptarët sot ndihen të ligështuar materialisht dhe të lodhur shpirtërisht, duke zgjedhur rrugën e mërgimit, si asnjëherë më parë, si të vetmen alternativë për të dalur nga kjo situatë. Të shtyrë nga dëshpërimi dhe nga mungesa e përspektivës për një jetë më të mirë në vendin e tyre, shqiptarët janë në vendin e dytë — pas sirianëve ku mbretëron një luftë e ashpër civile që ka detyruar largimin e qindra mijërave nga vendi i tyre — ndër ata që kërkojnë strehim në vendet e Europës Përendimore.
Dëshpërim nën komunizëm, dëshpërim nën sundimin sllav, e dëshpërim edhe sot në të ashtuquajturën demokraci Kur do marrë frymë lirisht shqiptari? Kjo kritikë, ndonëse pak e ashpër, ka qëllim ndërtues. Shkruesi i këtyre rreshtave, normalisht optimist nga natyra, ka filluar të lëkundet në optimizmin e tij ndaj mungesës së zhvillimeve një qytetërie më njerëzore ndër shqiptarët, sidomos në radhët e partive politike shqiptare dhe të klasës politike shqiptare në përgjithësi, anë e mbanë trojeve. Thonë se shpresa vdes e fundit. Shpresa ime është se demokracia, megjithë vështirsitë e deritanishme, do të mbretërojë edhe ndër shqiptarët. Një demokraci e cila do të bashkrendojë mendimet dhe qëllimet e përbashkëta për krijimin e një jetese të përditshme më të mirë për të gjithë shqiptarët dhe në mbështetje të interesave afatgjata të kombit shqiptar. Por, kjo nuk mund të arrihet pa një respekt për njëri tjetrin dhe ndaj mendimeve dhe të qëndrimeve të kundërshtarit politik. Duhet që të ketë kaluar koha kur shqiptari e konsideronte shqiptarin armik, i cili në minimum duhej asgjësuar politikisht, për të mos thënë edhe eliminim fizik. Pak atdhedashuri, ju lutem, për nder të Atdheut, por edhe për nder ndaj njëri tjetrit, pasi Atdheu pa shqiptar nuk duhet gjë. T’i tregohet botës se shqiptarët e duan Atdheun e tyre dhe njëri tjetrin, ashtuqë në këtë mënyrë duke dashur Atdheun dhe njëri tjetrin, t’i qesin nam e nder kombit të vet.
Ndoshta, atë që nuk arrijtën dot partitë politike dhe klasa politike në përgjithësi gjatë këtyre 25 të post-komunizmit, e realizoi kohët e fundit skuadra kombëtare e futbollit me kualifikimin e saj, me arritjen historike të Europianit, si njëra prej skuadrave më të mira të Euro 2016. Ata u dhanë arsye shqiptarëve kudo, për të qenë rishtas krenarë para botës. Kjo është një ndër arsyet se megjith dëshpërimet dhe antagonizmat politike të momentit, unë jam optimist se vlerat e njëmendta të shqiptarit, heret ose vonë, do të mbizotërojnë në radhët e brezave të ardhëshëm të shqiptarëve por edhe në sytë e të gjithë botës për t’i parë dhe për t’i dalluar ata nga kombet e tjera. Më në fund, shpresa do të mund dëshpërimin!

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE VETËM DËSHËPRIM!, ËSHPËRIM, Frank shkreli

Gazi lotësjellës i opozitës përsëri ndërpet seancën e Kuvendit të bllokuar të Kosovës

October 15, 2015 by dgreca

-Opozita e bashkuar: Protesta jonë në Kuvend nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojmë normalizimin e ‘Zajednicës’ dhe faljen e tokave të Kosovës Malit të Zi/
-Kontrollit në hyrje të Kuvendit i është nënshtruar edhe Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga/
-Policia e Kosovës: Bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore, janë kryer të gjitha veprimet ligjore të kontrollit ndaj të gjitha personaliteteve dhe nuk është hasur në asnjë element apo mjet të dyshuar/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Kuvendi i Kosovës pa asnjë seancë të përfunduar në sesionin vjeshtor, i bllokuar nga opozita, është mbledhur në një seancë tjetër sot të ftuar nga Kryesia me shefat e grupeve parlamentare, përballur edhe me bojkot, me vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike të koalicionit qeverisës.
Por, që në fillim deputetët e opozitës bllokuan me “rrethim” të foltorës dhe kryesuesit, e pastaj, për të dytën herë, si edhe në seancën e kaluar, hodhën gaz lotësjellës dhe seanca u ndërpre. “Mbledhja e Kryesisë edhe shefave të grupeve parlamentare në zyrë. Dilni jashtë ju lutem. Dilni jashtë…Kujdes, kujdes se po lëndohet dikush…”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Salla e Kuvendit vazhdonte të jetë plot tym lotësjellësi e boshatitur nga deputetët. Gazi lotësjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës ndodhi përsëri përkundër kontrollit të shtuar, që iu nënshktruan të gjithë në hyrje.
Kishte tre pika kontrolli brenda Kuvendit të Kosovës me masa të rrepta sigurie. Kontrollit i është nënshtruar edhe Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga. Presidenca e Kosovës ndodhet në ndërtesën e Kuvendit kosovar.
“Sot Kuvendi u rrethua nga Policia. Pushteti mendoi që përmes rrethimit policor do ta shtypë opozitën. Opozita është e vendosur. Nuk ka kompromis me shtetin dhe territorin e Kosovës”, deklaroi LVV pas ndërprerjes së seancës.
Derisa seanca e Kuvendit të Kosovës vazhdonte të jetë e ndërprerë, shefi i grupit parlamentar të LVV, Glauk Konjufca, tha se për futjen e gazit lotsjellësit brenda ka ndihmuar Policia dhe se gazi është futur brenda më herët.
“Pjesëtarë të Policisë së Kosovës na kanë furnizuar me gaz lotësjellës, ne e kemi futur në Kuvend”, tha Konjufca.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se në hyrjet e Kuvendit, “duke filluar nga Presidentja e Republikës dhe personaliteteve tjera, të gjithë, i janë nënshtruar kontrollit, refereuar edhe vendimit të Kryesisë së Kuvendit”.
“Mirëpo, si është futur lotësjellësi në Kuvendin e Kosovës është herët të flasim”, tha zëdhënësi i Policisë i pyetur lidhur me pretendimet e opozitës se nga pjesëtarë të Policisë janë furnizuar.
Ndërkohë, në Kuvendin e Kosovës kanë mbërritur hetuesit nga Policia dhe një prokurore nga Prokuroria e Shtetit.
Derisa ndodhnin zhvillimet në seancë dhe pas ndërprerjes së saj, në shesh para Kuvendit të Kosovës kishte grumbullime të qytetarëve dhe mes aktivitëve të opozitës-protestuesëve ishte edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i LVV-së.
Opozita ka bojkotuar takimin e thirrur nga kryeparlamentari Veseli në zyrën e tij pas hedhjes së gazit lotësjellës dhe është rishprehur se, “nuk mund të ketë seancë pa tërheqjen e nënshkrimeve nga 4 marrëveshjet e fundit me Serbinë dhe marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi”.
Lideri i AAK-së, deputeti Ramush Haradinaj, tha se, “është i pakuptimtë ky insistim që me çdo kusht të mbahet mbledhja e Kuvendit, kur në mungesë të reflektimit ndaj kërkesave tona është krijuar një klimë e papërshtatshme. Vetë ky inistim, është provokim, papjekuri politike dhe mungesë lidershipi shtetëror. Udhëheqësit politikë të këtij vendi nuk mund të sillen sikur çdo gjë është normale”.
Ky vend, vijoi Haradinaj, ka ardhur në një situatë kur duhet t’u japë zgjidhje dy marrëveshjeve që e kanë sjellë vendin këtu ku është, e mëpastaj t’i rikthehemi normalitetit dhe jetës institucionale pozitë-opozitë.
“Klima e krijuar kërkon reflektim dhe përgjegjësi politike. Organet e rendit e drejtësisë duhet që urgjentisht t’i lirojnë aktivistët politikë të AAK-së dhe të opozitës në përgjithësi. Situata është tepër serioze dhe nuk mund të zgjidhet me mjete policore e as me këmbëngulësinë e pakuptueshme të pushtetarëve për t’i ikur përgjegjësisë për dëmin e shkaktuar me këto marrëveshje”, theksoi Haradinaj.
Deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda, para gazetarëve tha se zgjidhja e situatës tashmë të rënduar politike, duhet të bëhet me një takim të përbashkët të kryetarëve të partive politike në vend.
“Përmes seancave nuk po shihet zgjidhje, duhet të ulen kryetarët e pesë partive politike që me dialog të zgjidhet problemi. Ai tha se është e pakuptimë që të bllokohet Kuvendi, e për këtë duhet që Qeveria të thërras opozitën në një tryezë për dialog”, tha Deda.

Sipas tij, për “Zajednicën” duhet të bëhet referendum.

Gjatë seancave të kaluara Kuvendi është përballur edhe me bojkot, me vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike të koalicionit qeverisës, ndërsa është paralajmëruar kontrollim i detajuar si masë e sigurisë.
“Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë dhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tani, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Ndërkohë, ka pasur kërkesa për marrjen e masave të nevojshme për zhbllokimin e seancave plenare të Kuvendit, Kryesia e tij në mbledhjen e djeshme për përgatitjet për sot “vlerësoi se veprimet që do të marrë kryesuesi i seancës do të jenë në harmoni të plotë me Rregulloren e Punës së Kuvendit, ndërsa, qëndrimi do të merret duke u bazuar në sjelljen e grupeve parlamentare të opozitës”.
Në mbledhjen e Kryesisë, pa përfaqësuesit e opozitës, po ashtu është marrë vendim “për kontrollim të detajuar të të gjithë pjesëmarrësve në aktivitetet e Kuvendit, përfshirë edhe kryeparlamentarin Veseli”.
Ndërsa, subjektet parlamentare opozitare shprehin qëndrimin e përbashkët se, “vendimet e djeshme të Kryesisë së Kuvendit (në mbledhjen e së cilës morën pjesë LDK, PDK dhe Lista Srpska) janë absolutisht të papranueshme”.
“Konsiderojmë se këto janë metoda të shtetit policor që dhunon deputetë, arreston kundërshtarët politikë dhe ndalon deputetët të futen në Kuvend. Kryetari i Kuvendit po e blindon këtë institucion duke e vënë nën mbikëqyrje policore. Policia po i mbivendoset demokracisë. Kjo është e papranueshme”, janë shprehur LVV, AAK e Nisma.
Sipas tyre, trajtimi i tillë ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, është në funksion të bosnjëzimit të Kosovës, duke mbrojtur ‘Zajednicën’ dhe në funksion të humbjes së integritetit territorial të Kosovës, duke i dhënë Malit të Zi rreth 10 mijë hektarë”.
Më tej në deklaratë shtohet se, “veprimi politik opozitar është tërësisht legjitim, në mbrojtje të shtetit, të integritetit territorial të tij, si edhe në mbrojtje të karakterit qytetar e jo etnik të organizimit tonë shoqëror e shtetëror”.
“Etnizimi i territorit të shtetit, i cili po na serviret përmes këtyre marrëveshjeve, ‘de facto’ është logjikë apartheidi dhe segregacioni në baza etnike, që nuk është as në interesin e shumicës e as të pakicës. Prandaj ne jemi të vendosur që të mos e lejojmë një gjë të tillë!”, thekson opozita kosovare
“Protesta jonë në Kuvend do të vazhdojë dhe nuk do të ketë kompromis pa u tërhequr marrëveshjet. Çdo tensionim i situatës, pas këtyre masave policore, është përgjegjësi e kryetarit të Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës”, përfundon opozita e bashkuar.
“Policia do të futet në Kuvend nëse rrezikohen deputetët”, paralajmëron sot shtypi i Kosovës në një kryetitull.
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës vlerësohet me rrezikshmëri të lartë. Për këtë arsye Kryesia e Kuvendit ka ndërmarrë masa që shmangin përplasjen fizike mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, shkruan gazeta Koha Ditore.
Në hyrje-daljet e Kuvendit do të ketë kontroll të plotë për secilin deputet dhe të tjerët që hyjnë në Kuvend. Nëse brenda sallës arrijnë të futen armë të mprehta dhe nëse ka konfrontim fizik, do të autorizohet intervenimi i policisë. Këto masa opozita i ka vlerësuar të papranueshme, duke paralajmëruar se për çdo përshkallëzim të situatës përgjegjësia bie mbi kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë e Kosovës.
Një ditë para mbajtjes së seancës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka mbledhur sërish anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare. Ai ka kërkuar t’i tregojnë se cilin skenar ta vërë në veprim përballë bllokadës së opozitës. E mungesa e një propozimi konkret, i cili nuk del jashtë Rregullores, herë pas here ka krijuar tension mes Veselit dhe përfaqësuesve të LDK-së.
“Seancë me policë”, është kryetitulli në ballinë i gazetës Zëri, ku theksohet se, “Policia e Kosovës ka gjasa të ndërhyjë sot brenda sallës së Kuvendit të Kosovës për t’i larguar deputetët opozitarë në rast se ata tentojnë ta bllokojnë foltoren. Por, pavarësisht këtij kërcënimi, opozita thotë se sërish do ta bllokojë punën e legjislativit”.
“S’do të tërhiqemi”, është kryetitulli i gazetës Epoka e Re, sipas së cilës “nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka thënë se opozita duhet ta zhbllokojë Kuvendin e Kosovës”.
Ndërsa, me një këndvështrim tjetër, gazeta Kosova Sot, mes tjerash shkruan se, “rivaliteti brenda koalicionit përgatit terrenin për rrëzimin e kryeministrit Mustafa” , e gazeta Bota Sot ka kryetitullin “Opozita nuk heq dorë: Skenari i tronditjes vazhdon nën përkëdheljen e SHIK-ut!”. Thekson se Kryesia e Kuvendit urdhëron kontroll të rreptë në Kuvend për të gjithë.

KOSOVË-OPOZITA: JEMI TË VENDOSUR NË PROTESTË KUNDËR MARRËVESHJEVE ME SERBINË DHE ASAJ PËR DEMARKACIONIN ME MALIN E ZI

-Deklaratë e opozitës së bashkuar-

PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Opozita e bashkuar deklaroi pak më parë se, ne jemi të vendosur në protestën tonë kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi.
“Qeveria e Republikës me marrëveshjet në fjalë ka krijuar situate të jashtëzakonshme. Kuvendi nuk mund të vazhdojë sikur zakonisht”, thekson deklarata e tre subjekteve opozitare të Kosovës, e LVV, AAK e Nisma.
Shtohet se, protesta jonë në Kuvend nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojmë normalizimin e ‘Zajednicës’ dhe faljen e tokave të Kosovës Malit të Zi.
“1. Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që të mos thërras më seancë plenare. Çfarëdo insistimi në këtë drejtim është provokim dhe përshkallëzim i situates në Republikën e Kosovës.
2. Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të merr vendim për tërheqje nga Marrëveshjet me Serbinë dhe atë për demarkacion me Malin e Zi. Vetëm tërheqja nga këto marrëveshje do ta kthejë normalitetin institucional dhe shoqëror në Kosovë”, përfundon deklarata e opozitës.
Opozita shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që do të thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë/Asociacionin e komunave me shumicë sebe në Kosovë.

ZHVILLIMET NË KUVENDIN E KOSOVËS, POLICIA: NDËRMORËM MASAT E NEVOJSHME LIGJORE

PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Policia e Kosovës, në një deklaratë të dërguar pak më parë thekson se, si institucion i zbatimit të ligjit, lidhur me mbajtjen e seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe bazuar në vendimin e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka bërë planifikimet e nevojshme policore, duke ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë dhe ushtrimin e kontrollit, bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës njofton të gjithë opinionin e gjerë se shkrimet e publikuara sot në disa portale, që i referohen deklarimeve të shefit të grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje se kinse Policia e Kosovës i ka ndihmuar në futjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të RKS-së, nuk qëndrojnë dhe nuk janë të vërteta.
Deklarata e z. Konjufca është tendencioze për të diskredituar profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe në asnjë rrethanë mjeti i dyshuar nuk është futur në seancë me ndihmën e Policisë së Kosovës, ashtu siç është deklaruar.
Deklarimi i tillë, po ashtu ka për qëllim të krijojë konfuzion te qytetarët dhe opinioni i gjerë dhe kjo mund të konsiderohet një luftë speciale kundër Policisë së Kosovës.
Bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore që ka Policia e Kosovës, janë kryer të gjitha veprimet ligjore të kontrollit ndaj të gjitha personaliteteve dhe nuk është hasur në asnjë element apo mjet të dyshuar.
Ekziston mundësia e posedimit dhe përdorimit të këtij gazi lotsjellës, nga mbledhja e mbeturinave plastike të mbetura nga gazi lotsjellës i përdorur më parë nga Policia e Kosovës, por që mbeten të verifikohen të gjitha nga njësitet relevante policore, sepse mjeti plastik mund të mos jetë detektuar.
Ndërsa, sa i përket rrethanave dhe situatës së krijuar në sallën e Kuvendit të RKS-së, ku është hedhur mjeti i dyshuar, Policia e Kosovës pas përfundimit të seancës në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjetit të dyshuar.
Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e saja hetimore drejt zbulimit se si është futur mjeti i dyshuar në sallën e Kuvendit të Kosovës, përfundon deklarata e dërguar nga Policia.

DONIKA KADA BUJUPI: UNË PO, KAM HEDHUR GAZ LOTSJELLES

PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Donika Kada-Bujupi, Shefe i Grupit Parlamentar të AAK-së, deklaroi:E di qe kjo qe keni parë sot nuk është shfaqja më e mirë.
Unë po, kam hedhur gaz lotsjelles.
Kam hedhur sepse nuk na kanë lënë rrugë tjetër.
Qeveria është përgjegjëse për të gjetur zgjidhje. Ne ju kemi tregu se si bëhët zgjidhja
S’ka kuptim te vazhdohet me seanca, pa ju dhënë zgjidhje marrëveshjeve!

Filed Under: Analiza

“Policia do të futet në Kuvend nëse rrezikohen deputetët”, paralajmëron sot shtypi i Kosovës

October 15, 2015 by dgreca

Kosovë, Kuvendi i bllokuar në seancë me kontrollim të detajuar/

-Në mbledhjen e Kryesisë, pa përfaqësuesit e opozitës, po ashtu është marrë vendim “për kontrollim të detajuar të të gjithë pjesëmarrësve në aktivitetet e Kuvendit, përfshirë edhe kryeparlamentarin Veseli”/
-“Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë e edhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tash, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi/
-“Policia do të futet në Kuvend nëse rrezikohen deputetët”, paralajmëron sot shtypi i Kosovës në një kryetitull në ballinë/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Kuvendi i Kosovës pa asnjë seancë të përfunduar në sesionin vjeshtor, i bllokuar nga opozita, mblidhet në një seancë tjetër sot të ftuar nga Kryesia me shefat e grupeve parlamentare, përballur edhe me bojkot, me vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike të koalicionit qeverisës, ndërsa është paralajmëruar kontrollim i detajuar si masë e sigurisë e preventivës.
“Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë e edhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tash, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Ndërkohë, ka pasur kërkesa për marrjen e masave të nevojshme për zhbllokimin e seancave plenare të Kuvendit, Kryesia e tij në mbledhjen e djeshme për përgatitjet për sot “vlerësoi se veprimet që do të marrë kryesuesi i seancës do të jenë në harmoni të plotë me Rregulloren e Punës së Kuvendit, ndërsa, qëndrimi do të merret duke u bazuar në sjelljen e grupeve parlamentare të opozitës”.

Në mbledhjen e Kryesisë, pa përfaqësuesit e opozitës, po ashtu është marrë vendim “për kontrollim të detajuar të të gjithë pjesëmarrësve në aktivitetet e Kuvendit, përfshirë edhe kryeparlamentarin Veseli”.

Ndërsa, subjektet parlamentare opozitare shprehin qëndrimin e përbashkët se, “vendimet e djeshme të Kryesisë së Kuvendit (në mbledhjen e së cilës morën pjesë LDK, PDK dhe Lista Srpska) janë absolutisht të papranueshme”.

“Konsiderojmë se këto janë metoda të shtetit policor që dhunon deputetë, arreston kundërshtarët politikë dhe ndalon deputetët të futen në Kuvend. Kryetari i Kuvendit po e blindon këtë institucion duke e vënë nën mbikëqyrje policore. Policia po i mbivendoset demokracisë. Kjo është e papranueshme”, janë shprehur LVV, AAK e Nisma.

Sipas tyre, trajtimi i tillë ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, është në funksion të bosnjëzimit të Kosovës, duke mbrojtur ‘Zajednicën’ dhe në funksion të humbjes së integritetit territorial të Kosovës, duke i dhënë Malit të Zi rreth 10 mijë hektarë”.

Më tej në deklaratë shtohet se, “veprimi politik opozitar është tërësisht legjitim, në mbrojtje të shtetit, të integritetit territorial të tij, si edhe në mbrojtje të karakterit qytetar e jo etnik të organizimit tonë shoqëror e shtetëror”.

“Etnizimi i territorit të shtetit, i cili po na servohet përmes këtyre marrëveshjeve, ‘de facto’ është logjikë apartheidi dhe segregacioni në baza etnike, që nuk është as në interesin e shumicës e as të pakicës. Prandaj ne jemi të vendosur që të mos e lejojmë një gjë të tillë!”, thekson opozita kosovare

“Protesta jonë në Kuvend do të vazhdojë dhe nuk do të ketë kompromis pa u tërhequr marrëveshjet. Çdo tensionim i situatës, pas këtyre masave policore, është përgjegjësi e kryetarit të Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës”, përfundon opozita e bashkuar.
“Policia do të futet në Kuvend nëse rrezikohen deputetët”, paralajmëron sot shtypi i Kosovës në një kryetitull në ballinë.
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës vlerësohet me rrezikshmëri të lartë. Për këtë arsye Kryesia e Kuvendit ka ndërmarrë masa që shmangin përplasjen fizike mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, shkruan gazeta Koha Ditore.
Në hyrje-daljet e Kuvendit do të ketë kontroll të plotë për secilin deputet dhe të tjerët që hyjnë në Kuvend. Nëse brenda sallës arrijnë të futen armë të mprehta dhe nëse ka konfrontim fizik, do të autorizohet intervenimi i policisë. Këto masa opozita i ka vlerësuar të papranueshme, duke paralajmëruar se për çdo përshkallëzim të situatës përgjegjësia bie mbi kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë e Kosovës.
Një ditë para mbajtjes së seancës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka mbledhur sërish anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare. Ai ka kërkuar t’i tregojnë se cilin skenar ta vërë në veprim përballë bllokadës së opozitës. E mungesa e një propozimi konkret, i cili nuk del jashtë Rregullores, herë pas here ka krijuar tension mes Veselit dhe përfaqësuesve të LDK-së.
“Seancë me policë”, është kryetitulli në ballinë i gazetës Zëri, ku theksohet se, “Policia e Kosovës ka gjasa të ndërhyjë sot brenda sallës së Kuvendit të Kosovës për t’i larguar deputetët opozitarë në rast se ata tentojnë ta bllokojnë foltoren. Por, pavarësisht këtij kërcënimi, opozita thotë se sërish do ta bllokojë punën e legjislativit”.
“S’do të tërhiqemi”, është kryetitulli i gazetës Epoka e Re, sipas së cilës “nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka thënë se opozita duhet ta zhbllokojë Kuvendin e Kosovës”.
Ndërsa, me një këndvështrim tjetër, gazeta Kosova Sot, mes tjerash shkruan se, “rivaliteti brenda koalicionit përgatit terrenin për rrëzimin e kryeministrit Mustafa” , e gazeta Bota Sot ka kryetitullin “Opozita nuk heq dorë: Skenari i tronditjes vazhdon nën përkëdheljen e SHIK-ut!”. Thekson se Kryesia e Kuvendit urdhëron kontroll të rreptë në Kuvend për të gjithë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, Policia do te futet

100 TIRANËT PA ENVER HOXHEN, A QUHEN TIRANË ?!

October 15, 2015 by dgreca

Foto:”TIRANET- Autor: NIGEL CAWTHORNE/
Në librin “TIRANËT”, Historitë e 100 Despotëve dhe Diktatorëve, me titull: “TYRANTS”, botue në vitin 2004, for Lifetime Distributors Pty Ltd Building G, 2 Hudson Avenue Castle Hill, 2154 Australia, kam gjetë të vërtetën historike t’ pashkrueme deri tashti për né Shqiptarët:
BOTA MODERNE
ENVER HOXHA-1908 – 1985- Udhëheqës i Shqipnisë- Jeta dhe Krimet/
1908 – Lindi me 16 Tetor 1908 në Gjinokastër, nga një familje me fé myslimane në jug të
Shqipnisë…
1930 – Shkoi në Francë për studime.
1934 – Ka shërbye si sekretar i konsullatës shqiptare në Bruksel.
1936 – Ktheu në Shqipni, ku u ba mësues.
1939 – U largue nga arësimi për refuzimin e bamë për pjesmarrje në Partinë Fashiste
Shqiptare; hapi dyqan cigareshitës.
1941 – U formue Partia Komuniste Shqiptare; U zgjodh Sekretar i Përgjithshëm.
1944 – U formue Qeveria Provizore; Filluan gjyqet e ekzekutimet.
1948 – Zhduku grupin pro-Tito; mbylli Kishat dhe konfiskoi pronat private.
1961 – Ndërpreu marrëdhanjet me Bashkimin Sovjetik.
1978 – Ndërpreu marrëdhanjet me Kinën.
1981 – Seleksionoi partinë dhe drejtuesit e shtetit.
1985 – Vdiq me 11 prill 1985 në Tiranë.

Shenimi F.R.: Libri fillon nga viti 1353 para Krishtit, e vazhdon deri në vitin 2004.
■Nder 100 DIKTATORËT ma të njohun në histori Botnore, asht edhe Enver Hoxha…
***
■Enver Hoxha vazhdon me kenë udhërrëfyesi i Partive fantazma, që polli Partia e Punës!
Ai asht mendja, mishi dhe zemra e kalbun e Presidentëve tanë, që nga viti 1944…
Ai asht edhe sot udhëheqës i PPSh, Kuvendit Popullor, Qeverrisë dhe Gjykatave…po dhe të gjitha Bankave mbrenda e jashta “Shqipërisë”, sepse, “ay e bëri Shqipërinë…”, dyke mbajtur të varura në portofolet e tij “tituj dhe dekorata” per 70 vjetë robëri e terror:
■Urdhri “Hero Kombëtar”, Titulli “Hero i Popullit”, Titulli “Hero i Punës Socialiste”, Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë, Urdhri i Flamurit, Medalja e kujtimit, Urdhri “Ylli Partizan” i klasit të parë, Urdhri i “Skënderbeut” i Klasit të Parë, Urdhri i Trimërisë, Urdhri “Ylli i kuq”, Medalja e Trimërisë, Medalja e Çlirimit, Dekoratë nga Partia Komuniste Italiane me Urdhrin “Ylli Garibaldit”, Dekoratë me Urdhrin “Suvorov” të Klasit të I nga Presidiumi i Sovjetit Suprem të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike… HAPNI VARRIN E SHIKONI … Aty do ta gjeni dyke shkruar:
■“APROVOHET NDESHKIMI ME VDEKJE…
NA LAJMËRONI DATËN E EKZEKUTIMIT TË TYRE DHE VULLNETIN E FUNDIT. Komandanti i Përgjithshëm Xheneral Kolonel Enver Hoxha d.v.”
■I mbytun në mendime me krye në grushta, me t’u dukë sikur po fliste me vete, ishte një oficer i ministrisë së mbrendshme që kishte punue në arkiv para se të arrestohej… vazhdonte të fliste…: “Jo, asnjëri, nuk dinte se çka kisha të dyllosur tek kasaforta ime…! Kurrë, asnjëri, nuk e ka çelur ate përveç atij që ka punuar para meje në atë zyrë…Edhe ay është zhdukur…e, ndoshta, fatin e tij do kem dhe unë…ti, je i rinj dhe, një ditë do dalësh…si shkodranë, do të besoj…deri ditën që jam arrestuar, në shkurt të këtij viti (1974, shenimi FR}, numuri i të pushkatuarve, të vramve me gjyq e pa gjyq, të mbeturve në hetuesi në tortura, të vdekurve në kampe pune dhe çfarosje, të vdekur në kampe internimi dhe ferma pune, në spitale psiqiatrike dhe çmendira, të vrarë në kufinj dhe reparte pune e ushtarake ose, gjoja të “vetvrarë”…pa shifrën e atyre që Sigurimi ka zhdukur në botën e jashtme, mbasi ata nuk ishin në kasafortën time, shifra ka arritur:
■ 45.000 Shqiptarë pa varr…në tokën e tyre Shqiptare..!
■Dhe, mbi 450.000 Shqiptarë të tjerë, të burgosur, (të riburgosur dy ose tre herë), të internuar, të dëbuar, të zhdukur…që të gjithë vazhdojnë të vuajnë “luftën e kllasave” të diktaturës së Enver Hoxhës, dhe partisë së tij të punës, po kurrë, të Shqipërisë dhe Popullit Shqiptarë..! Mallkuar qoftë ay që i shërben këtij shteti terrorist..!”
■Dijetari i Madh të shkencës së matematikës, i ndjeri Profesor Petro Fundo ka thanë:
“Diktatorë si Enver Hoxha, vazhdojnë për të sunduar edhe pas vdekjes së tyre!..”
Melbourne, Tetor 2015.

Filed Under: Analiza, Histori Tagged With: 100 Tiranet, Fritz radovani, pa Enver Hoxhen

Populli shqiptar mes nacionalizmit politik dhe patriotizmit popullor

October 14, 2015 by dgreca

Nga Aurenc Bebja-France/*
Të përkufizosh « territorialisht » popullin shqiptar nuk është diçka e lehtë. Për shembull kur përdorim fjalën « Shtet », i bie të flasim në përgjithësi për shqiptarët e Shqipërisë. Ndërsa kur përdorim fjalën « Komb » nuk flasim më vetëm për shqiptarët brenda territorit të Republikes së Shqipërisë, por edhe për ata/ato që banojnë në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi apo në Greqi.
Në kohën e sotme është e zakonshme që të përdoren këto terma « Shtet dhe Komb ». Përdorimi i tyre bëhet për arsye të përjashtimit [1] të 2/3 të tokave shqiptare në 1913 nga Fuqitë e Mëdha [2] në favor të shteteve fqinje [3]. Kjo « ndarje » e nxituar territoriale mund te cilësohet si gabimi më i madh gjeopolitik apo « marrëzi e njerëzore » që është bërë në Ballkan. Ky vendim ka dëshmuar, si në të kaluarën po ashtu edhe në të tashmen, se Ballkani mbetet një zonë gjeografike e paqendrueshme, ku ka gjenerim konfliktesh etnike.
Pavarësisht tensioneve të ndryshme apo luftërave, shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, kanë arritur të ruajnë identitetin e tyre (gjuhën dhe traditat), dhe njihen gjithmonë si të tillë, pra Shqiptarë ! Kjo vërtetohet edhe në gjuhën e përdorur në mediat ndërkombëtare, të cilat shpesh përdorin termat « shqiptarët e Kosovës », « shqiptarët e Maqedonisë », apo « shqiptarët e Malit të Zi ».
Ky identitet i popullit shqiptar vë në pah dy koncepte : nacionalizmin dhe patriotizmin. Një dallim i madh ekziston mes të dyve, dhe këtë e ka thënë dikur një lider politik francez, Charles de Gaulle [4], mjaft i njohur në arenën ndërkombëtare. Ai citon : « Patriotizmi është të duash vendin tënd. Nacionalizmi është të urresh vendin e të tjerëve ».
Populli shqiptar është shumë i lidhur me origjinën apo me territoret (tokat) e tij, me rrënjët dhe me prejardhjen e tij. Duke qenë shqiptar dhe duke u mbështetur në përkufizimin e patriotizmit të Gjeneralit De Gaulle, në qoftë se rikthehemi në të kaluarën, do të konstatojmë, pavarësisht imazhit të keq që lexojmë ndonjëherë në mediat ndërkombëtare, se shqiptarët janë popull krenar por edhe paqësor. Shqiptarët janë popull që nuk kanë hapur kurrë luftë ndaj vendeve fqinje për të pushtuar tokat e tyre.
Në të kundërt, populli shqiptar nuk ka reshtur së pushtuari prej të tjerëve, i detyruar shpeshherë të lëshojë territore. Ka pasur gjenocide ndaj shqiptarëve të Kosovës apo shqiptarëve të Greqisë (të Camërisë), dhe deri tani këto palë dhunuese nuk i kanë pranuar këto akte barbare dhe nuk ka i kërkuar falje publike popullit shqiptar.
Faktorët e përmendur më lart mund të ndikojnë te patriotizmi dhe ta kthejnë atë në nacionalizëm. Nga ky moment, politikanët shqiptarë hyjnë në skenë si « komedianë të talentuar » dhe i shpallin « dashurinë » Atdheut. Kjo « dashuri » nuk është gjë tjetër veçse një instrument politik që transformon patriotizmin në nacionalizëm dhe u mundëson atyre të egzaltojnë e manipulojnë ndjenjat kombëtare e të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet.
Nacionalizmi është një lloj « virusi », eskluzivisht politik, që infekton patriotizmin tonë popullor. Populli shqiptar nuk ka dalë asnjëherë i fituar nga fryma nacionaliste apo nga patriotizmi i rremë. Përkundrazi, shqiptarët kanë rënë shpeshherë viktimë e këtij nacionalizmi. Një citim i Albert Einstein-it mbi nacionalizmin është shumë domethënës : « E urrej tmerrësisht heroizmin nën urdhra, dhunën e pajustifikuar dhe nacionalizmin budalla. Lufta është gjëja më e neveritshme ».
Politikanët shqiptarë, brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë, vazhdojnë të mbajnë gjallë nacionalizmin dhe luajnë me ndjenjat e shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Serbisë dhe të Greqisë duke u dhënë atyre shpresa të rreme mbi bashkimin e trojeve shqiptare dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe. Sa herë që diplomacia ndërkombëtare reagon kundra nacionalizmit politik në Ballkan, liderët politikë shqiptarë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë tërhiqen dhe ndryshojnë fjalim mbi Shqipërinë e Madhe.
Si përfundim, cila rrugë mund të bashkojë popullin shqiptar :
ajo e patriotizmit popullor, e cila mund të ndërtohet rreth një shteti ligjor brenda një Europe të bashkuar për të evituar që të përjetojmë vuajtjet e të kaluarës ?
apo ajo e nacionalizmit politik (patriotizmit të rremë), e cila është e mbushur me urrejtje, racizëm, padrejtësi, korrupsion, papunësi dhe varfëri ?

Më duket se përgjigja është evidente !
*Burimi : Klara Buda Post (New York)
http://klarabudapost.com/populli-shqiptar-mes-nacionalizmit-politik-dhe-patriotizmit-popullor/#.Vh6deXrtmko
_______________________________________
[1] Me njohjen e pavarësisë së Shtetit Shqiptar në vitin 1913, Fuqitë e Mëdha dhanë 2/3 e tokave shqiptare për të kënaqur aleatët tyre, domethënë fqinjët tanë.
[2] Britania e Madhe, Franca, Rusia
[3] Greqi, Serbi, Maqedoni, Mal i Zi
[4] Ish-presidenti i Republikës së Francës (1959 – 1969)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurenc Bebia, mes nacionalizmit, politik dhe patriotizmit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 757
  • 758
  • 759
  • 760
  • 761
  • …
  • 986
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT