-Kryesia e Kuvendit përgatitje për seancë plenare, opozita paralajmëron vazhdim bllokade, në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të fundit në Bruksel, ku edhe sonte pritet takim kryeministror Kosovë-Serbi-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Tetor 2015/ Në Kuvendin e Kosovës është ftuar për nesër mbledhja e Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, me vetëm një pikë në axhendë: Përgatitjet për seancën plenare.
Kuvendi i Kosovës, i bllokuar nga opozita e me të gjitha seancat plenare të ndërprera në sesionin vjeshtor rimblidhet këtë javë, ndërkohë që kërkohet zhbllokimi. Por, opozita edhe sot ka paralajmëruar vazhdim të bllokimit të Kuvendit, si dhe protesta, të cilat u zhvilluan edhe gjatë natës së kaluar në Prishtinë pas arrestimit në mbrëmje e deri në lirimin e liderit të parë të LVV-së, Albin Kurti.
Javën e kaluar, pas zhvillimeve gjatë ditës së 8 tetorit me gaz lotësjellës të hedhur nga opozita në mbledhjen plenare të Kuvendit, është mbajtur mbledhja e Kryesisë, së bashku me shefat e grupeve parlamentare. Në mbledhje, ndonëse nuk morën pjesë nënkryetarja e Kuvendit dhe shefat e të tre grupeve parlamentare të opozitës, LVV, AAK e Nisma, Kryesia vendosi për mbajten e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës në 15 tetor, e cila do hapej me deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.
Ndërsa, jo seanca të reja të Kuvendit të Kosovës, pa garantuar mbarëvajtjen e tyre, është opinioni i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili ka dënuar ashpër përdorimin e gazit lotsjellës në sallën e seancave dhe kërkon nga subjektet politike opozitare të ndalojnë praktikën e bllokimit të punimeve në Kuvend.
Në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë të 25 gushtit – të raundit të 28-të të takimeve të kryeministrave dhe të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, opozita kosovare ka organizuar edhe peticion dhe ka mbledhur mëse 200 mijë nënshkrime të qytetarëve, ka bojkotuar tre mbledhjet e kaluara të Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, bojkoton edhe komisionet parlamentare.
“Kryeministri Mustafa ka për obligim kushtetues, qytetar dhe kombëtar të tërhiqet nga ato marrëveshje të dëmshme dhe të pazbatueshme”, thuhej në letrën e opozitës drejtuar qytetarëve javën e kalur.
“E vetmja mundësi reale në këtë situatë është që qeveria të tërhiqet nga këto marrëveshje ose të bie bashkë më to”, ka deklaruar sot në konferencë të jashtëzakonshme për shtyp Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk mund dhe nuk do bëhet tërheqja e nënshkrimeve nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd në Bruksel, që janë ndërkombëtare dhe që bazohen në ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së 19 prillit 2013”, ka theksuar qeveria kosovare.
Pas kthimit nga Brukseli, raundi i 28-të i dialogut me Serbinë në nivel kryeministror, Mustafa ka njoftuar në mbledhje të qeverisë dhe në konferencë shtypi se, “paketa e katërmarrëveshjeve të 25 gushtit 2015 përfshinë: marrëveshjen për kodin telefonik, marrëveshjen lidhur me heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë, parimet themelore për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe poashtu marrëveshjen lidhur me heqjen e barrikadave nga ura e Mitrovicës”.
“Këto marrëveshje janë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet e Kosovës, ndërsa kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve tona që ne i kemi krijuar me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013”, është shprehur kryeministri Mustafa.
Kryeministrat e Kosovës e Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt nomalizimit të marrëdhënieve pritet të takohen sot në darkë në Bruksel në raundin e 29-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror, të nisur në tetorin e para tre viteve me raundin e parë, që pasonte nisjen bisedimeve teknike. Për takimin më të ri, media serbe njofton se kryeministri Vuçiç udhëton sot drejt Brukselit dhe paralajmëron se tema e bisedimeve do të jëtë përparimi i deritashëm në dialogun në normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës dhe hapat e ardhshëm në zbatimin e marrëveshjeve.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, do zhvillonjë takimin e gjashtë të tyre, ndërsa nga 28 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.
Kush ta bëjë demokratizimin e dytë?!
Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Lexova me mjaft interes analizën e publicistit të mirënjohur, zotërisë Ajet Nuro, me titull, “Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi”, të botuar në 10 tetor 2015 në faqen e internetit “Tribuna Shqiptare”.
Si njëri nga përfaqësuesit e mirënjohur të Diasporës Shqiptare, zotëria Ajet Nuro shpreh me shumë të drejtë shqetësimin e vet intelektual për gjendjen e demokracisë në Shqipëri gjatë këtyre 25 vjetëve. Është e vërtetë se në Shqipëri janë bërë shumë ndryshime, por megjithatë ne jemi ende larg standardeve demokratike në ndërtimin dhe në funksionimin e shtetit ligjor. Populli shqiptar, për fat të keq, ka përfunduar në“skllav” të partive politike, të cilat përpiqen me thonj e me dhëmbë për të kapur majat e pushtetit. Ky i shkretë pushtet në Shqipëri është shndërruar në një lopë mjelëse për politikanët shqiptarë, të cilët vijnë e bëhen milionerë si me forcën e magjisë.
Pjesën më të madhe të kohës gjatë shtatë vjetëve të fundit e kam kaluar te fëmijët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Heraherës atje më ka qëlluar të bisedoj me qytetarë amerikanë për problemet e politikës dhe më ka bërë përshtypje njëfakt interesant: që t’i hysh politikës në Amerikë, duhet të harxhosh para, madje para të madhe, qoftë nga paratë e veta, qoftë nga mbështetja financiare e biznesit privat. Sepse shteti amerikan nuk shpenzon as edhe një dollar të vetëm për partitë politike. Pra, kapitalin atje nuk e vë dot, duke shfrytëzuar postin politik. Figura të tilla politike, si ish-kongresmeni Xhejms Trafikan dhe ish-guvernatori i Ilinoisit Rod Bllagojeviç, të cilët patën shfrytëzuar postin politik për përfitime financiare, patën përfunduar në burg për korrupsion. Ky i fundit, i dënuar në vitin 2011 nga drejtësia amerikane me 14 vjet heqje lirie, po dergjet në një koloni të Kolorados.
Në Shqipëri, përkundrazi, posti politik shfrytëzohet për të vënë miliona dhe askujt nuk i hyn gjemb në këmbë. Të ashtuquajturit krah i majtë dhe krah i djathtë në politikën shqiptare, në të vërtetë, nuk përfaqësojnë as të majtën dhe as të djathtën, në kuptimin euroamerikan të kësaj fjale. Pra, në vendin tonë ekzistojnë dy klane të etura për pushtet që janë pasuruar në një mënyrë marramendëse dhe që, përmes tribunës së parlamentit, po luajnë një komedi të hollë në sytë e opinionit publik, me të vetmin qëllim që të krijojnë përshtypjen sikur janë kundërshtarë të rreptë me njëri-tjetrin.
Ky realitet tragjik ka bërë që populli të mbetet rob i partive, të cilat janë vetë zot e vetë shkop në zgjedhjen e deputetëve që gjoja e përfaqësojnë atë në parlament. Kësisoj të dyja klanet ia kanë mohuar popullit të drejtën për të votuar drejtpërsëdrejti për kandidatët që ai dëshiron, duke e detyruar të votojë vetëm për partitë. Dhe kryetari i partisë, duke qenë fuqiplotë në krye të saj, kandidatët për deputetë i përfshin në listë sipas dëshirës. Kjo mënyrë zgjedhjeje e deputetëve, nuk ka as ndryshimin më të vogël nga praktika e zgjedhjes së deputetëve në periudhën e diktaturës komuniste: listën e tyre e hartonte formalisht Kryesia e Frontit Demokratik të Shqipërisë, por faktikisht vendimin e merrte personalisht Enver Hoxha.
Me këto praktika, karakteristike për një sistem të dështuar politik, nuk mund të ndërtohet demokracia. Nuk mund t’u besohet ndërtimi i demokracisë kryetarëve të partive, të cilët, pavarësisht nga fitoret ose nga dështimet gjatë ndërrimit të pushteteve, nuk dëshirojnë kurrsesi të largohen nga kreu i tyre. Prandaj kryetarët e përjetshëm të partive politike janë një fatkeqësi e rëndë për fatet e demokracisë në Shqipëri. Një fakt i tillë dëshmon fare shkoqur se në vendin tonë nuk u bë përmbysja e sistemit komunist, si në vendet e tjera të Evropës Lindore, me përjashtim të Rusisë. Në vendin tonë u bë thjesht një ndërrim sistemi. Ishët e diktaturës komuniste dhe bijtë apo nipat e tyre, iu përshtatën situatës së re në kushtet e pluralizmit politik. Prandaj ata nuk mund t’i flakin dot nga vetja e tyre mendësitë komuniste. Kjo solli si pasojë që Shqipëria të vazhdojë ende të përjetojë një periudhë të stërgjatur tranzicioni që nuk i dihet fundi ende.
Në këto kushte, zotëria Ajet Nuro, me shumë të drejtë, hedh një ide interesante, sipas së cilës “Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi”.
Mirë do të ishte vërtet që të kishim një valë të dytë demokratizimi. Por problemi është se kush duhet ta ngrejë një valë të tillë. Normalisht, në rastet e nxjerrjes së çdo vendi nga amullia politike, rolin kryesor e merr dhe duhet ta marrë përsipër inteligjencia, sidomos inteligjencia dhe rinia universitare. Në vendin tonë inteligjencia vazhdon të bëjë një gjumë të rëndë letargjik, duke i lejuar klanet politike të tallen me fatet e popullit si t’ua dojë mideja. Dhe tallja e popullit prej klaneve në fjalë ka arritur në përmasa katastrofike, sidomos në proceset zgjedhore. Në këto fushata,klanet politike janë munduar me të gjitha mënyrat dhe ia kanë arritur qëllimit që një masë jo të paktëzgjedhësish t’i kthejnë në mercenarë të vet përmes shitblerjes së votës. Praktika e shitblerjes së votës në Shqipëri përbën një dukuri sa të turpshme, aq edhe skandaloze që vihet re gjatë fushatave zgjedhore.
Shumë e drejtë është ideja e zotërisë Ajet Nuro për rolin që duhet të marrë përsipër Diaspora Shqiptare për ngritjen e valës së dytë të demokratizimit. Jam plotësisht në një mendje me zotërinë Ajet Nuro se në radhët e Diasporës Shqiptare, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka figura të nderuara që kanë bërë emër me punën e ndershme, me djersën e derdhur për lartësimin e figurës së vet dhe që mund të japin kontributin e tyre të drejtpërdrejtë për ngritjen e një vale të dytë demokratizimi në atdheun amë. Por që të vihet në jetë kjo ide interesante, duhet që Diaspora Shqiptare, pikë së pari, të gëzojë të drejtën e votës dhe të drejtën për t’u zgjedhur në atdheun amë përmes votimit elektronik. Veçse për ta siguruar pjesëmarrjen e saj në votime, duhet që e drejta e votës së saj të sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ashtu siç e ka të sanksionuar shteti zviceran. Prandaj edhe 700 mijë zviceranë që jetojnë në diasporë, marrin pjesë rregullisht në zgjedhjet e vendit nëpërmjet votimit elektronik. Për vendin tonë përbën problem fakti që klanet politike nuk e dëshirojnë pjesëmarrjen në votime të Diasporës Shqiptare. Madje klani politik qëështë në pushtet jo vetëm që nuk e dëshiron një pjesëmarrje të tillë, por po krijon kushte të rënda ekonomike edhe për shtresën e varfër, shumë anëtarë të së cilës kanë marrë arratinë nëpër shtete të ndryshme të Evropës, në kërkim të azilit ekonomik.
Një tjetër arsye e vështirësisë së ngritjes së një vale të dytë demokratizimi, qëndron në faktin se klanet politike në vendin tonë, sapo ulen në karrigen e pushtetit, për shkak të frymës së mercenarizmit që i karakterizon në marrëdhëniet me të huajt, vuajnë nga kompleksi i inferioritetit para tyre.
A nuk dëshmon për kompleksin e inferioritetit të klaneve politike shqiptare lejimi i Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse ish-Fanolianepër një periudhë më shumë se 23-vjeçare? A nuk dëshmojnë për një kompleks të tillë të gjitha dukuritë që u vunë re para dhe pas ndeshjes së futbollit me përfaqësuesen e Serbisë? Kompleksi i inferioritetit të palës shqiptare, të përfaqësuar nga Thaçi e Mustafa, është shfaqur pastër fare para Beogradit gjatë gjithë procesit të bisedimeve në Bruksel me krerët më të lartë të qeverisë serbe, tërësisht në dëm të interesave të Kosovës. Dhe inteligjencia kosovare vazhdon të heshtë.
Këto fakte dëshmojnë ditën për diell se klanet politike shqiptare janë të zhveshura krejtësisht nga dinjiteti kombëtar, se dinjitetin në fjalë kanë një çerek shekulli që ia kanë falur Athinës dhe Beogradit. Dhe Athina me Beogradin, në shkëmbim të dinjitetit kombëtar, klanet politike të Tiranës i kanë pajisur me “çertifikatën” e kompleksit të inferioritetit.
Pikërisht ky kompleks i mallkuar inferioriteti ka bërë që të huajt, dhe konkretisht Brukseli zyrtar, ta kenë shumë për zemër ndjenjën e inferioritetit të klaneve politike shqiptare, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë. Sepse me këto klane politike në pushtet, pa vetëdije kombëtare, në të dyja shtetet shqiptare, ata mund të sillen siç u do qejfi, ashtu siç edhe janë sjellë konkretisht në Shqipëri për një çerek shekulli gjatë vëzhgimit të fushatave zgjedhore dhe siç po vazhdojnë të sillen edhe në Kosovë për më shumë se 16 vjet. Se nuk u bëhet shumë vonë për fatet e popullit shqiptar. Sepse kombin shqiptar, në mungesë të një klase politike me vetëdije të lartë kombëtare, në mungesë të një Kryeshtetari dinjitoz, ata e kanë trajtuar dhe vazhdojnë ta trajtojnë thjesht si një parcelë eksperimentale. Dhe inteligjencia shqiptare vazhdon të heshtë, si pa gjë të keqe.
Tiranë, 12 tetor 2015
ROLI I DIASPORËS NË POLITIKËN E JASHTËME AMERIKANE
Nga Frank Shkreli/
Të premtën që kaloi, në Departmentin Amerikan të Shtetit (DASH) në Washington u mbajt konferenca një-ditore mbi rolin e diasporës në politikën e jashtëme dhe në diplomaci, tubim që shënoi njëkohësisht edhe fillimin e aktiviteteve kushtuar Javës së Diasporës Botërore dhe ndikimit të diapsorës në zhvillimet botërore. Në konferencën e javës së kaluar morën pjesë një numër zyrtarësh të lartë amerikanë si dhe udhëheqës nga sektorët publikë e privatë, si dhe përfaqsues të shoqërive civile, me qëllim për të dëgjuar mendimet e udhëheqsve të diasporës, për të përforcuar kapacitetet organizuese të pjesëmarrësve dhe për të krahasuar përvojën e tyre midis organizatave të ndryshme. Java e Diasporës Botërore, me një numër aktivitesh në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të botës, u kushtohet komuniteteve të diasporës si dhe kontributit të tyre ndaj zhvillimit global.
Ndër folësit kryesorë që iu drejtuan pjesëmarrësve të konferencës mbi diasporën, ishte edhe kryediplomati amerikan, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, i cili tha se ishte tepër krenarë për këto përpjekje dhe për rolin që luan diaspora në këtë vend, duke venë në dukje partneritetin publik dhe privat, në rritje e sipër, në fushën e diplomacisë dhe të politikës së jashtëme amerikane. Zoti Kerry tha se, si ish përfaqsues i shtetit Masaçusets për dekada, që është shteti më një shumicë dërmuese irlandeze, vlerësoi lartë kontributin që irlandezo-amerikanët kanë dhënë për të dy vendet tona. Ai vlerësoi ish-Senatorin Ted Kennedy për kontributet e tija në këtë fushë dhe si njërin prej përkrahësve më të vendosur, në mbështetje të drejtësisë shoqërore dhe të gjithë atyre të cilët erdhën në këtë vend për të kërkuar mundësitë për një jetë më të mirë, për një jetë në liri dhe në shpresë, tha John Kerry.
Duke kritikuar tërthorazi ata që mund të thonë se e ardhmja e Amerikës është disi në rrezik, sepse sipas tyre, Amerika është një pasqyrë e aq shumë grupeve të ndryshme etnike dhe fetare dhe se një shoqëri me aq grupe të ndryshme kulturore dhe etnike nuk mund të jetë aq prodhuese dhe efikase, pretendojnë ata, sa do të ishte një shoqëri ku shumica e njerëzve i përkasin një feje të vetme ose një race të njëjtë. Ata janë gabim, shtoi Kerry! “Amerika funksionon më së miri — jo kur grupe të ndryshme veprojnë vetëm për interesa të veta – por atëherë kur individët e lirë bëjnë ç’mosin për të përmirësuar vetveten dhe jetën e tyre, ndërsa gjatë këtij procesi të gjithë së bashku e bëjnë Amerikën, atë që është.” Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi se, “Grupet e ndryshme etnike, kulturore dhe fetare, që përbëjnë diversitetin e njohur të këtij vendi, përbëjnë një forcë dhe jo dobësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” Për më tepër, shtoi kryediplomati amerikan, në botën e sotëme të ndërlidhur në të cilën jetojmë, diversiteti është gjithashtu një doemosdoshmëri strategjike. “Periudha në të cilën jetojmë”, nënvijoi ai, “nevojitë institucione elastike dhe një politikë të jashtëme që reagon shpejt dhe në mënyrë të shkathët. Pjesë e kësaj politike të jashtëme është edhe angazhimi i komuniteteve të diasporës dhe roli i tyre në përpilimin e kësaj politike”, theksoi ai.
John Kerry u shpreh gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë numërin më të madh se çdo vend tjetër të grupeve etnike në diasporë, duke thënë se mbi 60-milionë amerikanë i përkasin brezit të parë ose brezit të dytë imigrantësh. Në fjalën e tij, ai i tha konferencës në Washington se, “Komunitetet e diasporës janë shpeshëherë ndër aktorët e parë që u përgjigjen ngjarjeve me rëndësi, qoftë në rast fatkeqsishë natyrore ose sulmesh terroriste, krizash financiare dhe politike, ose madje edhe në rast mundësishë të reja biznesi.” Ai u dha kredinë grupeve të diasporës duke thënë se ato janë të parat që mësojnë për krizat politike në ish-vendet e tyre dhe nënvijoi rolin e tyre duke thënë se “Shekulli 21 kërkon një politikë të jashtëme më përfshirse dhe komunitetet e diasporës janë të parat që mësojnë për një çështje me rëndësi dhe përfaqsues të diasporës janë të parët që njoftojnë zyrtarët e lartë të shtetit dhe të qeverisë amerikane”, mbi krizat në ish-vendet e tyre. Grupe të diasporës, vazhdoi ai, janë shpesh të parat që debatojnë mbi një çështje që interesojnë ato dhe të parat që paraqesin opcione të ndryshme për zgjidhjen e tyre. Përveç kontakteve me zyrtarët më të lartë amerikanë, grupe të ndryshme të diasporës në Amerikë, kanë gjithashtu lidhje të ngushta dhe direkte me vendet e origjinës, ka thënë kryediplomati amerikan. Në lidhje me rolin e diasporës në në këtë fushë, ai theksoi rëndësinë e parneriteteve në botën e sotëme, duke thënë se, “Asnjë vend, madje as Shtetet e Bashkuara nuk mund të veprojnë vetëm. Kështuqë, ne varemi në bashkpunimin me aleatët tanë ndërkombëtarë, ndërkohë që komunitetet tona të diasporës mund të ndihmojnë në funksionimin më të mirë të këtyre partneriteteve me aleatët tanë ndërkombëtarë.” Si përfundim, tha John Kerry, “Udhëheqsit e këtyre komuniteteve janë ndër ambasadorët më të mirë kulturorë që mund të kemi.” Ai vuri në dukje një numër sfidash të politikës së jashtëme me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara në marrëdhënjet e tyre me vendet e tjera dhe tha se, “Një gjë është abslutisht e qartë: Komunitetet e ndryshme të diasporës në Amerikë po ndihmojnë në përballimin e të gjitha këtyre sfidave.”
Në përmbyllje, Sekretari Amerikan i Shtetit i tha konferencës mbi rolin e diasporës në Amerikë në diplomacinë e këtij vendi, se “Imigrantët kanë ndërtuar Amerikën. Dhe imigrantët vazhdojnë të japin kontributin e tyre duke e bërë Amerikën atë që është sot”. Kjo është historia jonë, tha ai. E drejta, pra, për të qenë ndryshe në bazë të kulturës, racës dhe gjuhës – këto janë gjërat që bashkojnë popullin amerikan dhe që na bëjnë një. Kryediplomati amerikan përfundoi fjalimin e tij duke thënë se “Është e drejta për të qenë ndryshe, ajo që përcakton se çfarë vendi është Amerika dhe kjo konferencë, ky celebrim i rolit që luajnë komunitetet tona të diasporës si edhe diversiteti etnik dhe kulturor i këtij vendi”, theksoi ai, “janë një pasqyrim shumë i bukur dhe domethënës i kësaj së vërtete.”
Megjithëse kryediplomati amerikan nuk përmendi komunitete të ndryshme me emër, dihet mirë se historikisht, komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë dhe është pjesë e denjë e kësaj diaspore amerikane. Dihet mirë roli që ky komunitet ka luajtur në përpilimin e politikës së jashtëme të Shteteve të Bashkuara, sidomos të diplomacisë amerikane karshi Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe ndaj të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi. Është ky një rol i shqiptzaro-amerikanëve që në të vërtetë pasqyron më së miri ato që përmendi Jon Kerry në fjalimin e tij. Duke filluar nga fillimi i shekullit të kaluar, kur komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me Vatrën dhe udhëheqsit e saj, Fan Noli e Faik Konica shpëtuan Shqipërinë duke bindur Presidentin e atëhershëm amerikan Woodrow Wilson për të mbështetur pavarësinë e Shqipërisë, cili sipas Nolit, pat deklaruar se “Një zë do të kemë në Konferencën e Paqës dhe atë zë do e përdor në favor të Shqipërisë.” E deri tek kohët moderne, në mbarim të shekullit të kaluar, kur Kosova u përball me gjenocidin serb për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e veta shekullore. Prap, ishte komuniteti shqiptaro-amerikan ai i cili loboi dhe më në fund siguroi përkrahjen e zyrtarëve më të lartë të qeverisë dhe të shtetit amerikan për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, që çoi në jo vetëm këthimin e shqiptarëve të çvendosur në shtëpitë e tyre, por edhe në një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Komuniteti shqiptaro-amerikan, në të dy këto raste dhe të tjera, ishte pjesë përbërse e përpilimit të politikës së jashtëme, të diplomacisë dhe politikës ushtarake të Shteteve të Bashkuara kur e kërkonte interesi i shpëtimit të kombit shqiptar. Në të vërtetë, angazhimi i këtij komuniteti mund të jetë shembulli më i mirë i kontributit të një diaspore në Amerikë, për të cilën foli Sekretari Amerikan i Shtetit. Ky rol i komunitetit shqiptaro-amerikan, fatbardhësisht është njohur dhe njihet nga udhëheqsit më të lartë amerikanë. E njëjta gjë nuk besoj se mund të thuhet për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare. Përkundrazi, gjatë 25 viteve të fundit, është venë re një hesitim nga ana e dy shteteve shqiptare për të përfituar, nga jo vetëm diaspora shqiptaro-amerikane, por edhe nga diasporat shiptare në vende të ndryshme të botës, — sidomos kur është fjala për forcimin e marrëdhënjeve me diasporën si urë me vende të rëndësishme për fatin e shqiptarëve, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vend të angazhimit të kësaj diaspore në favor të marrëdhënjeve më të mira me vendet ku jeton, shpeshëherë janë venë re përpjekje për ta përdorur diasporën shqiptare për qëllime të ngushta individuale dhe partiake nga udhëheqës e parti të vendlindjes, aq sa fatkeqsisht tani vihen re përçarje edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, përçarje që shpesh pasqyrojnë — për fat të keq — ndasitë dhe përçarjet politike dhe mosmarveshjet partiake në atdhe, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Kryeminsitri shqiptar, Edi Rama ka njoftuar kohët e fundit mbajtjen e një konference për diasporën në Tiranë, fillim vitin e ardhëshëm. Nismë e mirë kjo, por mbetet për tu parë nëse kjo konferencë, nëqoftse mbahet, do të shërbejë si një mjet fatkeq për të përçarë edhe mëtej diasporën, a por do të jetë një përpjekje me të vërtetë gjithpërfshirëse për bashkimin e komuniteteve të diasporës shqiptare, pa dallime, sidomos pa dallime politike midis brezave të ndryshëm. Qëllimi i kësaj konference duhej të ishte angazhimi i diasporës në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënjeve me vendet mike të shqiptarëve, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të mirën e Shqipërisë e të Kosovës dhe për mirëvajtjen afatgjatë të mbarë kombit shqiptar. Mesazhi i Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry të premtën që kaloi, ishte se diaspora është një pasuri e madhe për Amerikën dhe si e tillë të mos injorohen komunitetet e diasporës, sepse siç tha edhe ai, përfaqsuesit e këtyre komuniteteve në këtë vend, “Janë ndër ambasadorët më të mirë që mund të kemi.”
Sindroma ballkanike e të qenit krenar më simbolikën e humbjes
Shkruan: Enver Bytyçi /Prej mbrëmë e sot gjithë ditën nuk kanë pushuar boritë e thirrjeve për të qenë krenarë me humbjen e mbrëmshme në stadiumin e futbollit Elbasan Arena. Të qenit krenar për atë humbje po imponohet nga kreu i qeverisë dhe gjithë makina propagandistike e tij, saqë ende vijon me zë e figurë të propagandohen intervistat për fitore që janë bërë ditën e djeshme para dite. E gjithë kjo skenë bëhet me qëllim që shqiptarët të harrojnë se humbën tri pikët e arta në ndeshjen e mbrëmshme me Serbinë dhe “të ndjehen krenarë” për sjelljen korrekte në kushtet e masave të shtetrrethmit policor. Të qenit krenar është një ndjesi njerëzore individuale, familjare ose kolektive. Por në botën e qytetëruar të qenit krenar nuk ka lidhje me simbolikat, aq më pak ka me humbjet. Vetëm te ne shqiptarët dhe popujt e tjerë ballkanas krenaria imponohet kryesisht për shkaqe politike e madje për simbolikën e humbjes. Të qenit krenar në botën reale lidhet me një rezultat konkret, me një shpikje shkencore që i shërben njerëzimit, me një vperimtari të caktuar politike, intelektuale, humanitare që gjithashtu i shërben njerëzimit, lidhet gjithashtu me realizimin e fitores të së mirës ndaj të keqes, e ngritjes së virtytit mbi vesin, e vlerës kundër antivlerës. Shkurt gjithçka që arrihet në të mirë e në dobi të njerëzve e bën njeriun krenar. Njeriu ndjehet krenar dhe i qetë në shpirt edhe kur bën një vepër të vogël bamirësie, ndërkohë që ndjehet I frustruar dhe i stresuar kur bën fjalë me dikë. Të qenit krenar është një ndjesi e cila vjen tek njeriu si indicator i një ngjarje ose bëmave të tij. Normalisht janë krenarë njerëzit që arrijnë diçka në jetë, që dallohen për shpikje, për shkencë, për vepra madhore në shërbim të njerëzimit ose të kombit. Krenar ndjehesh edhe kur mbyll një proces me sukses, kur njeriu arrin një rezultat të dukshëm, të prekshëm, të kapshëm. Në shoqëritë tradicionale krenaria lidhet gjithashtu me karakterin që shfaq njeriu përmes kategorive të tilla, si ndershmëria, mbajtja e fjalës së dhënë, mikpritja, humanizmi në trajtimin e të dobtëve. Ne shqiptarët ndjehemi krenarë me Nënë Terezën, me Ibrahim Rugovën, me rilindasit, me patriotë të shumtë që kanë dhënë pasurinë dhe jetën e tyre për interesat e Shqipërisë. Ndjehemi krenarë me heroin tonë kombëtar, Skënderbeun, për shkak të disa fitoreve të tij kundër pushtuesve osmanë dhe mbrojtjes që ai i bëri qytetërimit perendimor, të cilit pretendojmë t’i përkasim dhe ne. Krenaria është virtyt, ndërsa mendjemadhësia dhe euforia janë vese. Krenarinë dhe mendjemadhësinë e euforinë i ndan vetëm një qime, një vijë shumë e hollë, e cila nuk është vështirë të kapërcehet aq më tepër kur kësaj i ndihmon shteti, politika, qeveria, kryeministri, ministrat, strukturat e lidhura me to, e për më tepër përçuesja e krenarisë virtuale, media e korruptuar dhe e manipuluar. Gjithë kjo sallatë krenarie ndodhi në këto tri ditët e fundit, megjithëse njerëzit janë të zhgënjyer e të dëshpruar. Propaganda krenariste vazhdon të pompojë ushqimin e të qenit krenar me humbjen e ndeshjes së mbrëmshme. Po pse ndodh kështu? Sepse ne ende jemi një shoqëri në formim e sipër. Në vend të humanizmit dhe kërkesës për të qenë konkretë dhe për të parë thelbësoren, jemi mësuar, madje sikur nuk ndjehemi rehat nëse dikush nuk na miklon të ndryshojmë statusin e kërkesës për sukses, si çelësin e ndjesisë së të qenit krenar. Në vend të suksesit individual dhe kolektiv, në vend të golave që duhej të shënonim, ne kërkojmë standardin e të qenit krenar ideologjik, virtual, me atë që nuk e shohim, nuk e prekim, nuk e shijojmë, por vetëm e dëgjojmë. Shkurt në vend të përceptimit real, ne na mjafton ndijimi që na përcjell përmes të vetmes shqisë, veshëve, dikush nga jashtë, qoftë ky kryeministri apo e gjithë politika bashkë, kjo ska rëndësi më. Ndodh kjo, sepse ne jemi mësuar që krenarinë të na e imponojnë, jo ta ndjejmë, të na e japin aq sa duan të tjerët, jo ta shohim me sytë tanë, ta prekim me duart tona, ta shijojmë me shpirtin tonë. A nuk na e servirën Haxhi Qamilin për 50 vite si symbol të krenarisë, ndërkohë që na çuan drejt urrejtjes për emblemat shqiptare të dijes dhe dritës për shqiptarët, si Gjergj Fishta, Faik Konica, Mit’hat Frashëri e të tjerë?! A nuk na e servirën dhe vazhdojnë të na e servirin ende sot si simbol të krenarisë një luftë të ashtuquajtur antifashiste, me qëllim që të mos shihnim e të mos shohim produktin e asaj lufte, diktaturën?! Krenar je, nuk bëhesh. Ata që bëhen krenarë pa arësye, pa rezultate konkrete, pa një sukses të dukshëm, ata quhen krenaristë. Por në këtë rajonin tonë dhe sidomos te “miqtë tanë” të vjetër e të rinj, te serbët, ekziston dhe një lloj krenarie kolektive e përjetuar me shekuj për humbjet e pësuara. Prej 28 qershorit 1389, sidomos në dy – tre shekujt e fundit kur në skenën e etnologjisë ideologjike serbe u shfaq studiuesi Vuk Karaxhiç, Serbia dhe serbët përjetojnë sindromin e krenarisë për humbjen e Betejës së Fushë-Kosovës. Them e përjetojnë, por në fakt ata e vuajnë këtë sindromë, sepse krenaria e humbjes së asaj beteje ka krijuar tri kategori virtuale, të cilat I është imponuar në emër të kombit të gjithë popullsisë serbe, brenda e jashtë kufijve shtetërorë të Serbisë. Këto kategori lidhen me viktimizimin serb nga të tjerët, symbol i të cilit është Car Llazari, ish-komandanti serb i aleancës ballkanike në Betejën e Fushë-Kosovës. Kjo shërben si paralajmërim për unitet midis serbëve, ndryshe në çdo kohë ata mund të bëhen viktimë e një apo disa armiqve virtualë, pamjet e të cilëve lëvizin si në ekranet e televizionee të sotme shqiptare, të cilët me intervista bajate të parandeshjes duan të ushqejnë një krenari virtuale te shqiptarët. Kategoria tjetër lidhet me heroizmin e Millosh Kopiliçit, (Obiliçit, sipas serbëve), i cili për hakmarrje vrau Sulltanin, mbasi ky I fundit arriti ta fitojë betejën. Me këtë simbol Serbia realizoi për së paku deri më sot mitin e heroit dhe deomozdonë për hakmarrje. Dhe kategotia e tretë lidhej me tradhëtinë e Brankoviçit, i cili në legjendë thuhet se u largua nga lufta dhe më pas u bë vassal i osmanëve. Me mitin e “tradhëtisë” së Brankoviçit politika dhe institucionet e tjera shoqërore, shkencore e shpirtërore të Serbisë krijuan unitetin e kombit serb. Duke i përdorur të tri këto kategori të rreme në harmoni me njëra tjetrën Serbia arriti që të sundojë së paku për gati 150 vite në rajon. Ndërsa krenaristët tanë shqiptarë të gjitha shpikjet virtuale për krenarinë i përdorin në shërbim të politikës ditore. Qytetaria u gjet si shpikja e radhës për të shuar dhimbjen dhe larguar zhgënjimin e dëshprimin e humbjes së ndeshjes me Serbinë. Ndërkaq e vërteta është krejt tjetër. Futbolli luhet për një qëllim të caktuar. Objektivi kryesor është fitorja dhe përfaqësimi sa më i lartë në hierarkinë futbollistike europiane e botërore. Fitorja do e përligjte çdo ndjenjë krenarie. Nuk e përligj krenarinë një shpikje bajate, e padukshme virtual, që as hahet e as preket nga dora e nga shpirti I njerëzve. Prandaj nuk do të doja të bëja pjesë në kategorinë e krenaristëve për shkak të qytetarisë, por për shkak të fitores. Qytetari serioz dhe me dinjitet fyhet nëse dikush përpiqet ta bëjë qytetar Brenda natës, pasi kjo do të nënkuptonte se deri dje, pra para se të vinte Rindja në pushtet paskemi qenë një shpellarë, siç artikulojnë krenaristët kundër jokrenaristëve.
Kisha e Milosheviqit dhe xhamia e Sulltan Mehmetit
Xhamia e Sulltan Mehmetit në Prishtinë, u ngrit mbi themelet e katedrales katolike të Arbërisë, aty ku u varros Pjetër Bogdani, personaliteti ynë më i madh pas Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, kurse faltorja e Milosheviqit u ngritë afër rrënojave të kishës katolike shqiptare./
SHKRUAN: Gani MEHMETAJ/
Në përpjekjen për të arsyetuar veprimin e turpshëm të vënies së pllakës osmane në Kështjellën e Lezhës, një mercenar shqipfolës shkruan: merruni me diktaturën e Enver Hoxhës e mos u merrni me pushtuesit osman. Ai i amniston pushtuesit osman, por nuk i fal krimet e Enver Hoxhës! Shet dushk për gogla. Megjithatë, njëqind diktatorë të tipit të Enver Hoxhës, nuk kanë vrarë shqiptarë sa ka vra një Sulltan i vetëm me hordhitë e tij mizore. S’ka gjë që mund ta arsyetoj pllakën e turpit që e vunë në Kështjellën e Lezhës, në simbolin kombëtar të shqiptarëve. Shembull i tillë i shëmtisë, dhunimit të simbolit të bashkimit, përdhosjes së historisë, nuk është parë e dëgjuar në asnjë shtet a komb të Evropës së qytetëruar. Në shekullin XXI ndonjë gazetë e gazetar rreket të na bind se dhunuesit kombëtar duhet t’i kujtojmë me pllaka përkujtimore, sepse kjo është historia. Cila histori? Historia e dhunës e terrorit. E gjenocidit dhe e plojës. Kjo është historia e tyre, e mercenarëve që identifikohen me pushtuesin, por nuk është historia e shqiptarëve.Përgjërimi i një grupi shqiptarësh ndaj turqve, apo kohës së sundimit të osmanëve me ngjason me shembullin e gruas së përdhunuar që përgjërohet për përdhunuesin e vet. Ky fenomen psikologjik, është shëmti, deformimet i mendjes njerëzore. Gra të përdhunuara që përgjërohen ndaj përdhunuesve të tyre nuk kam pa, as nuk kam dëgjuar që ka, por burra që përgjërohen ndaj përdhunuesve të tyre osmanë, kam pa, dëgjuar e lexuar. Pështirosem kur i lexoj apo kur i dëgjoj, më duken monstra, mendje të sëmura, mercenarë të pacipë. Janë kategoria më e ulët e qenieve njerëzore.
Dallojmë disa tipa të këtyre shëmtirave: kategoria e parë janë mercenarë, që i kanë paguar të flasin e të shkruajnë për sundimin “e mirë” osmanë. Kategoria e dytë, janë të budallëllepsurit nga feja islame e të kapluar nga sëmundja e pashërueshme e inferioritetit , ua kanë shpërlarë trurit, prandaj si dështak e pranojnë secilin, që u ofron ngushëllim. Kategoria e tretë të ngjasojnë me raportet që kanë krijuar viktima e xhelati, personazhe tipike të regjisores Liliana Kavani. Kategoria e katërt janë ata që nuk e ndjejnë vetën shqiptarë, por tallen më shqiptarë e më simbolet kombëtare shqiptare, megjithëse i pranuam në mesin tonë, i ngritëm e edukuam. Janë kategoria më mosmirënjohëse. Me fjalë të tjera e mbajtëm gjarprin në gji.
Prandaj, jo me kot është thënë se një pjesë e shqiptarëve e kanë trurin e peshkut, harrojnë para se t’u kalojë rreziku. E harruan pushtuesin e egër turk dhe e shpallën vëlla, apo aleat strategjik (!), e harruan pushtuesin serb, në kapelën e Jugosllavisë dhe kaluan vjet në euforinë e vëllazërim-bashkimit, i harruan krimet e Greqisë dhe flirtojnë me te me servilizëm të skajshëm. Në përpjekjet për të harruar mizoritë pesëqind vjeçare (pa mësuar asnjë gjë nga pësimi) arsyetohen se mizor nuk ishin turqit, por osmanët, ndërsa turqit mburren me lavdinë e osmanëve mizor. Shqiptarët më trurin e peshkut, minimizojnë mizoritë jugosllave, duke ia veshur krimet një ministri serb- Rankoviqit, megjithëse të gjithë e dinin se masakra e Tivarit, vrasjet e pesëdhjetë mijë shqiptarëve të Kosovës e të territoreve etnike, u bënë atëherë kur Rankoviqi nuk qe kurrfarë faktori, përkundrazi sundimtar i Jugosllavisë ishte Josip Broz Tito.
Krimineli tjetër, Milosheviqi të cilin të gjithë e djallëzojnë, nuk ishte asgjë më i keq se sa Josip Brozi, të cilin grupe shqiptarësh me mendje të sëmurë e lavdërojnë. Ku është dallimi në mes të Miloshevqit dhe Josip Brozit? Në kohën e sundimit të Titos, në Kosovë dhe në territoret etnike, ushtria jugosllave (serbo-malazeze) vrau pesëdhjetë mijë shqiptarë për tre vjet. Në kohën e sundimit të Milosheviqit, ushtria serbe vrau njëzetë mijë shqiptarë të Kosovës. Pra, dallojnë numrat. Titos i ndërtuan përmendore, pagëzuan rrugë e qytete me emrin e tij. Millosheviqit nuk i ngritën përmendore, por ai e ngriti një kishë në Qendrën Universitare të Prishtinës, duke u përpjekur të përjetësojë sundimin e vet.
Sundimtarët osman i ngritën Sulltan Mehmetit II –Fatihut, xhaminë në Prishtinë për ta përjetësuar fitoren e tij mbi arbërorët. Xhamia e Sulltan Mehmetit II, sikurse shumica e xhamive në Arbëri u ngrit mbi themelet e katedrales katolike, aty ku u varros Pjetër Bogdani, personaliteti ynë më i madh pas Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, kurse faltorja e Milosheviqit u ngritë afër rrënojave të kishës katolike shqiptare.
Në xhaminë e Sulltan Fatihut falen një pjesë e shqiptarëve myslimanë edhe sot e kësaj dite! Ceremonitë zyrtare të Bashkësisë Myslimane të Kosovës bëhen në përkujtimoren e sulltanit, shqiptarë-vrasës. Në këtë mënyrë u bëhet lavde krimeve osmane me përmendore myslimane.
Milosheviqi, kur e ndërtoi kishën “pravosllave” në Prishtinë, e kopjoi Sulltan Mehmetin e Dytë, me shpresën se një ditë edhe shqiptarët do të faleshin në këtë kishë, ashtu sikurse u falën në xhaminë e pushtuesit të mëparshëm. Fatbardhësisht pushtimi i Jugosllavisë së Milosheviqit nuk zgjati sa pushtimi i pasardhësve të Sulltan Mehmetit të Dytë, apo të Sulltan Sulejmanit, kështu që shpëtuam nga turpi që pasardhësit tonë të faleshin edhe në kishën e Milosheviqit, ashtu sikurse po falën në xhaminë e Sulltan Mehmetit. Sikur të mos e bombardonte NATO Serbinë, do të dilte ndonjë krye imam shqipfolës, që do të dërgonte porosi për “paqe e tolerancë” nga Kisha e Milosehvqit. Ndërkaq, mercenarët shqipfolës nëpër gazeta, televizione, etj. do të përgjëroheshin duke dhënë deklarata perverse në frymën: serbët na shpëtuan nga Perëndimi e nga asimilimi, serbët i kemi vëllezër e broçkulla të ngjashme, ashtu sikurse thonë për sulltanët e Turqisë. Palaço të tillë kishim dhe kemi. “Jo, po Sulltan Mehmeti apo Sulltan Sulejmani janë më të mirë”, thonë palaçot e gazetarisë shqiptare të shitur me lira turke. Fyti i tyre s’pushon se lavdëruari ish pushtuesin në shkallë të perversionit sadomazokist.
Ku është dallimi në mes të Miloshevqit, Mehmetit, Sulejmanit…? Nuk ka dallime, pos në numra. Krimineli serb vrau njëzetë mijë shqiptarë të Kosovës, por prapë vrau njëzetë herë më pak se krimineli osman Sulltan Mehmeti, të cilin një pjesë e shqiptarëve me mendje të sëmurë e pranojnë për mbret, sepse xhamisë në Prishtinë i thonë Xhamia e Mbretit, madje i falën xhamisë, të ndërtuar në kujtim të krimeve të tij. Mbase diktatori osman e ai serb dallojnë edhe në kohëzgjatjen e sundimit. Serbi sundoi kohë më të shkurtër, nuk iu dha mundësia të vazhdonte mizoritë, sepse Perëndimi e bombardoi dhe e arrestoi, kështu që na shpëtoi nga gjenocidi. Mizoritë osmane nuk i ndaloi askush, prandaj kemi këtë trashëgimi të shëmtuar. Milosheviqi nuk arriti t’i përmbyllte mizoritë e veta, ashtu si i planifikoi, nuk arriti as të ndërtonte kishën e vet, sepse trupat e NATO-s ia prishen planet. Ndërkaq, emnaku i tij në krime, Sulltan Mehmeti, sundoi gjatë, bëri shumë krime, arrit të shpërngulte shqiptarë më shumë se askush tjetër në histori. Sundimi i osmanëve i shndërroi arbërorët kryengritës në shqiptarë servil, i konvertoi me dhunë në myslimanë. Një grup shqiptarësh me gjen të shprishur e morën ideologjinë e pushtuesi dhe u bënë islamikët më të tërbuar në Evropë. Grupi tjetër apo shtresat e njëjta puthadore, morën ideologjinë komuniste dhe u shndërruan në pushtetarët më mizor. Të dy këto ideologji antishqiptare jetojnë pranë e pranë, duke e ushqyer njëra-tjetrën.
Edhe faltoret kushtuar këtyre dy kriminelëve kanë dallime: Kisha e Miloshevqit është shndërruar në rrënojë që kundërmon, xhamia e Sulltanit është rinovuar, përtërirë dhe shkëlqen më shumë se sa në kohën kur u ndërtua, është transformuar fare. Xhamin e Sulltanit e rindërtoi organizatat turke TIKA, e lidhur me organizatat terroriste islamike. Lidhjet e tyre u publikuan në gazetat tona, por TIKA vazhdon të rindërtoj e ndërtoj qindra xhami, pa e penguar askush. Kjo organizatë është shtet në shtet, nuk e pyet dhe nuk e përfill asnjë institucion të Republikës së Kosovës, ndërton e shëmton si ti teket. Është bërë makthi i traditës shqiptare.
Po shteti ynë ku është? Sepse, po të kishte shtet, nuk do të lejonte shëmtira të tilla: në Lezhë nuk do ta përdhosnin Kështjellën shqiptare me pllakën e shëmtuar, në Prishtinë nuk do t’i faleshim sulltanëve kriminelë, dhe as nuk do të guxonin të mbronin pushtuesin, nëpër Kosovë nuk do të ndërtonin xhami në mënyrë të egër, duke ua zënë vendin shkollave, teatrove e kopshteve të fëmijëve. Pesëqind vjet pushtuesi osman nuk ndërtoi xhami në Arbëri sa ndërtoi për dhjetë vjet të ripushtimit. Elita politike në Prishtinë dhe në Tiranë janë të korruptuar, ua ka mbyllur gojën ish-pushtuesi, prandaj institucionet shtetërore të ne, herë i tolerojnë përdhoseshit e historisë e të simboleve kombëtare, duke ua shkelur syrin, që të bëjnë veprime të dënueshme, herë i ndërsejnë. Kështu, me elitën e papërgjegjshme e të shitur, dy shtetet shqiptare rrezikohen të dalin nga boshti evropian dhe të përplasin në kaosin islamik.Deri kur? Derisa t’i tolerojmë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 759
- 760
- 761
- 762
- 763
- …
- 986
- Next Page »