• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lodhje nga llumi politik Shqiptar

October 4, 2015 by dgreca

Klasa politike shqiptare, me « metodat » e saja menaxhuese, apo më saktë me mungesën e tyre e ka lodhur popullin shqiptar, në planin ekonomik dhe moral. Me një « sy qorr » dhe një « vesh të shurdhër », kundrejt kritikave, fatkeqesisht sporadike ajo vazhdon të bëjë një gjë të tillë e pa tronditur. Gjithnje e me i madh eshte numri i njerezve që ndihen të neveritur nga llumi politik shqiptar./

Shkruan: Aurenc BEBJA/
Francë, 3 tetor/Një seri konstatimesh, edhe pse mund të mungojnë shumë të tjera, mjaftojnë për të bërë tabllonë e « keqtrajtimit » të popullit shqiptar dhe origjinën e lodhjes së tij…me premtimet politike të pambajtura [1] :- 300 000 vende të reja pune brenda mandatit të parë qeverisës 2013 – 2017

– 95 % e popullsisë do të përfitojë ulje taksash

– 5 fish rritje të financimit për bujqësinë

– Shëndetësia, falas për të gjithë

me gjuhë e degraduar në Parlament [2] :

– akuza nga më të rëndat për njëri-tjetrin, por çuditërisht nuk ka asnjë arrestim…asnjë dënim

– një gjuhë shkëmbimi tepër e degraduar : e ke fajin ti, e kam fajin unë (si fëmijë kopshti), ti je horr, ndërsa ti je sorrë [3], ti je legen, ti merresh më këtë, ti shkon me atë

me lojën politike të dyfishtë [4] :

– kaloj djathtas, pastaj majtas, dhe anasjelltas

– krijoj parti të re dhe pastaj e shkrij partinë pasi ribashkohem me një tjetër parti

– braktis filan parti edhe pse më kanë zgjedhur me votë (d.m.th kam premtuar shumër gjëra elektoratit) për një parti tjetër

me një pozitë që sillet sikur është gjithmonë në opozitë, dhe me një opozitë që s’po ndërgjegjësohet e të ribashkohet për të bërë opozitë :

me mbijetesën në fshat :

– punimin e tokës si në mesjetë

– prodhimet bujqësorë që nuk u gjejnë dot treg

– rrugët që nuk mund të quhen rrugë

– faturat e çmimit të lartë të energjisë elektrike që nuk mund të paguajnë

– mungesa e ujit te pishëm që nuk e kanë në shtëpi

– mungesën e shërbimit shëndetësor

me jetesën në qytet :

– trafikun e dendur

– ndotja dhe smogu [5]

– mbeturinat

– mungesën e hapsirave të gjelbërta dhe e kendeve te lojrave per femije

– taksat, faturat

me aksidentet rrugore [6], mua krimin [7] dhe dhunën [8] në familje

me pritjen nëpër kampet gjermane pa shpresa [9] :

– sigurisht nuk u larguan me dhunë nga Shqipëria por u larguan nga varfëria

– u larguan pa e ditur mirë se çfarë i priste

– u larguan se u lodhën duke pritur

me ëndërrën europiane [10] :

– sa herë që kemi një shans për tu afruar në BE e djegim

– sillemi me arrogancë ndaj autoriteteve të BE-së, dhe dihet që duke vëzhguar sjelljet tona, na e mbyllin derën çdo herë, apo më mirë na e plasin në surrat

me imazhin e keq që kemi në Botë për arsye të veprimeve apo lidhjeve politiko – kriminale. Populli perëndimor, kur janë në dijeni se nga bie Shqipëria, na quajnë popull mafioz (drogë, prostitucion, vjedhje).

Si përfundim, sa do të mund të durojë populli shqiptar lodhjen e shkaktuar nga klasa politike ? A ka limite durimi i tij ? A do te ndryshojë klasa politike përpara se populli të humbë durimin? Kjo eshte tanime nje domosdoshmeri.(Kortezi: K L A R A  B U D A  P O S T)

REFERENCAT :

 [1] Gazeta Shekulli, 23 shkurt 2013 : « Programi i plotë elektoral, premtimet e PS-së ».

http://www.shekulli.com.al/p.php?id=17270

[2] Syri.net, 17 shtator 2015 : « Debatet sot në Kuvend ».

http://syri.net/index.php/2015/09/17/perplasje-te-forta-ne-kuvend-per-dekriminalizimin-berisha-dhe-rama-kembejne-njeri-tjetrin/

[3] Mapo, 2 tetor 2015 : « PS tkurret akoma, Balla fyen Topallin: Sorrë ».

http://www.mapo.al/2015/10/ps-tkurret-akoma-balla-fyen-topallin-sorre

[4] Mapo, 26 shtator 2015 : « Merkato politike, kush janë deputetët që kanë ndryshuar parti ».

http://www.mapo.al/2015/09/merkato-politike-kush-jane-deputetet-qe-kane-ndryshuar-parti

[5] Telegrafi.com, 17 janar 2015 : « Tirana mbulohet nga mjegulla dhe smogu (Foto) ».

http://www.telegrafi.com/lajme/tirana-mbulohet-nga-mjegulla-dhe-smogu-foto-78-13366.html

[6] Syri.net, 5 shtator 2015 : « Shifrat e frikshme të aksidenteve. BB: Shkalla e vdekshmërisë 10 herë më shumë se në BE ».

http://syri.net/index.php/2015/09/05/shifrat-e-frikshme-te-aksidenteve-bb-shkalla-e-vdekshmerise-10-here-me-shume-se-ne-be/

[7] Respublica.al, 20 Mund 2014 : « Krimi në familje, burri vrau gruan se i ktheu dorë, më pas vetëvritet ».

http://www.respublica.al/arkiv-lajme-t%C3%AB-p%C3%ABrdit%C3%ABsuara/krimi-n%C3%AB-familje-burri-vrau-gruan-se-i-ktheu-dor%C3%AB-m%C3%AB-pas-vet%C3%ABvritet

[8] Koha Jonë, 14 shtator 2015 : « Dhuna në familje, në 48 orë 7 urdhërmbrojtje ».

http://www.kohajone.com/index.php/aktualitet/dhuna-ne-familje-ne-48-ore-7-urdhermbrojtje

[9] Java News, 8 shtator 2015 : « Shuhen shpresat për azil në Gjermani, Shqipëria vend i sigurt origjine ».

http://www.javanews.al/shuhen-shpresat-per-azil-ne-gjermani-shqiperia-vend-i-sigurt-origjine/

[10] Tema, 14 Shtator 2015 : « Rama : Kur do antarsohemi në BE ? Pyesni Merkelin. Ka shumë paragjykime për Shqipërinë ».

http://www.gazetatema.net/web/2015/09/14/rama-kur-do-te-anetaresohemi-ne-be-pyesni-merkelin-ka-shume-paragjykime-per-shqiperine/

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurenc Bebja, Lodhje, nga llumi, politik Shqiptar

Çështje grupimesh

October 3, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Florida/

Në emër të egos, të më shkojë e imja. Ne sot nuk e besojmë me njëri­tjetrin. Nuk njohim dialogun dhe ndaj kudo ka dhunë. Lajme të natyrës bujë. Për rrjedhojë grupime. Gjysma e socialistëve janë tërësisht të heshtur. Të pa punë. Të qartë tashmë se sa të kapur janë nga LSI. Gjysma tjetër kujdeset për shëndetin e LSI­s, për dietën e Metës. Dhe luten në heshtje të mos u iki Ilir Meta.

Pasi milioni i votave, nuk është, nuk paska qënë aset i tyre tërësisht. Pavarsisht idealit, gangrena e interesit bluan si mola. Kështu ata ndihen të përdoruar. Të pushtuar. Kështu në qëndër të vëmendjes kanë përkujdesjen të mos i prishin qejfin Ilir Metës, se sa të ndreqin popullin. Pra sfidën që u ka caktuar koha. Ose një pjesë e tyre e kalojnë ditën të zbulojnë nëse ua ka futur apo jo LSI e qytetit ku jetojnë, emrin në të kuq? Dhe tregohen delikatisht të kujdesshëm. Nuk duan t’u prishin qejfin. Nëse ua prishin qejfin, ata nuk e kanë të vështirë të bëjnë aleancë me pëdëistët. Sapo e bën një të tillë në një provincë me emrin Përrenjas.

Nga ana tjetër edhe demokratët ndodhen të dyzuar dhe të pashpresë. Madje të ndarë. Njëri grup rend pas statuve të Berishës si opozitar i fortë. Dhe jetojnë me emocionet e së kaluarës. Duke u shprehur vazhdimisht me atë mendësinë, që, ai që më bëri mirë mua, është njësh. Ndërkohë mallkojnë veten pse Berisha i besoi partinë Bashës.

Ndërsa tjetri grup pas Bashës që po përpiqet të luaj me versionin që i irriton shqiptarët demokratë, apo dhe shqiptarët socialistë, një aleancë të mundshme PS dhe PD. Si fundi i botës. Kaktaklizëm e egos të më shkojë e imja. Me atë që çuditërisht po riciklon në postet drejtuese, humbësit. Dhe aludon me aleanca. Por as kjo nuk ka për të ndodhur.

Dhe grupimet vazhdojnë me LSI­n. Ata që më mire se kushdo tjetër, e dine që i bëjnë kot shantazhet me video seksi. Destabilizim kombëtar etj. Janë shashka. Por është strategji e tyre.

Kështu i forcojnë imazhin e dobësuar liderit të tyre. LSI i ka kapur në vend të keq të dya partitë. Sistemi zgjedhor shqiptar. Dhe ata prapë bëjnë shantazhe, me aleanca të Berishës apo çamët etj. Edhe pse e dine mire që në 2017, Meta do të jetë kryeministër i Shqipërisë.

Por thjesht, vesi i njerëzve që duan t’u shkojë e tyrja. Qoftë kjo edhe me dhunë. Madje nuk kursejnë as moçalorin e tyre. Atë që u hapi rrugën aleancave të pa konceptueshme në realitetin politik shqiptar, Dritan Priftin. Atë që u mësoi se si të votoheshin në masë me metodat e shpërblimit. Ndaj sot ata numërojnë jo pak por njëqind e shtadhjetëmijë vota. Vetëm strategjia e moçalorit. Strategjia që quhet zotësi shqiptare.

Dhe me që ra fjala tek moçali. Frymëzimin LSI e merr andej. Nga begatia e hapësirës së moçalit. Simulon me të madhe zhurme fermerët, fasonët. Madje shkojnë e bëjnë foto mes specave dhe shalqinjëve, domateve në sera, trangujve me shumicë. Buzë lagunës asaj breroreje të artë që deri dje e kishim gulagun e krenarisë të shfrytëzimit të njëriut prej njeriut. Dhe hambarin e Shqipërisë njekohësisht.

Dhe me që ra fjala tek moçali, moçalorët e mire. U kanë bërë vend malorëve të fasonistit. Jetojnë atje akoma dhe prej maleve mbajnë vetëm atë kënaqësinë e traditës. Punojnë me moçalorët, kanë krushqi, nipër e mbesa. Dhe i çmojnë. Mirëpo fasonistit i pëlqen akoma vesi i kohës se denigrimit krahinor.

Megjithatë Meta ka akoma video. Kanë 90% e lësëistave për njëri­tjetrin. Por e tillë është koha shqiptare. Koha e grupime që nuk kanë asgjë mangut nga ato të Sirisë së Bashar al Assad­it.

Ndaj dhe shqiptarët e tjerë vetëm ikin.Po i referohen së fundi edhe fatit në Llotarinë Amerikane. Eshtë muaji tetor, ditët për të fituar. Grupimi tjetër është shtypi, që mezi pret ndonjë statut fb. Të ndonjë personi publik. A ku di unë se çfarë tjetër… Të kënaqi lexuesit duke masakruar qoftë dhe një të pakët zë. Nga ato që përpiqet paksa…, butësisht, me delikatesë. Shumë femërore, prej diçkaje intelektuale, duke pranuar realitetin, atë që edhe të dështosh është po aq njerëzore sa të fitosh. Si është rasti konkret i një mjeke në Tiranë me emrin Anika Dokle. Shtypi kënaqet kur grupimet nxjerrin nga gjirizet e salcës së barkut, shfrymën me hudhra e raki, xaxiq, apo turshi…, të thesareve nga miniera e sharjeve. Nga ndjekësit e sojit një grupim më vete. Thjesht për inat. Pse të shkojë e saja dhe jo e imja, e jona e tyrja etj.

Dhe grupimi tjetër…,ai që i ka mbaruar të gjitha hallet…, ai më patrioti…, ai që po pret të shqyej Serbinë e shqyer më 8 tetor 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Çështje grupimesh, Ilir Levonja, Ilir Meta, LSI, socialistet

KOSOVA: NJË SHTET NË TRANZICION

October 2, 2015 by dgreca

FJALA E PRESIDENTES NË FORUMIN BOTËROR TË LIDERVE NË UNIVERSITETIN COLUMBIA/

I nderuari Z. Dean/

Të nderuar mysafirë,/

Zonja dhe Zotërinj,/

Jam e nderuar që kam mundësinë të rikthehem këtu në Universitetin Columbia, në serinë e Forumeve të Liderëve Botërorë, dhe të flas mbi angazhimet për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme si dhe t’ju përkujtoj entuziazmin, forcën dhe shpresën e cila na mbanë përgjatë kësaj periudhe të tranzicionit.

Edhe unë, si shumë bashkëqytetarë të mi, kam përjetuar periudhën e represionit dhe të luftës. Dhe poashtu kam humbur miq dhe të dashur të mi gjatë këtij konflikti të tmerrshëm.

Dhe shpesh kam menduar se çfarë është ajo që inspiron shoqëri të tëra që të lëvizin përpara. Si e gjejnë ato atë forcë dhe vullnet për rimëkëmbje ?

Për shumë pjesëmarrës në audiencë sot lufta e Kosovës e vitit 1998 dhe intervenimi humanitar i NATO-s I cili ndaloi gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999 është një e kaluar e largët.

Por, kjo e kaluar nuk është edhe aq e largët për ju. Ajo çfarë populli i Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar ka bërë dhe po e bën akoma, është relevante edhe sot e këtu për të ardhmen e intervenimeve dhe shtet ndërtimit.

Ajo ofron mësime të rëndësishme për atë se si duhet të lëvizet përpara pas konflikteve, gjë për të cilën dua t’ju flas sot.

Njëzet vjet më parë ne nuk mund të punonim, nuk mund të shkonim në shkollë e as nuk mund të ecnim rrugës pa u keqtrajtuar nga policia serbe.Ne ishim shumë të varfër, nuk mund të votonim dhe ishim më të prekur nga përdhunimet dhe vrasjet. Thjeshtë, ne nuk mund të jetonim.Sot, jemi akoma një vend i varfër por jemi gjallë dhe të lirë.Ne kemi shndërruar vetveten nga një komb i cili nuk guxonte të ëndërronte në një komb me shumë e shumë ëndrra.E kuptuam shumë shpejt pas përfundimit të luftës në Kosovë, kur konflikti morri fund, se mbijetesa nuk është e vetmja brengë.Ka aq shumë humbje për të mbajtur zi për ta, Ka shumë, – tepër shumë- varre për tu hapur. Dhe më  e keqja, ka aq shumë nga ta të cilët janë të humbur, njerëz të zhdukur, për të cilët nuk mund as të hapim varre.Ka edhe shtëpi për tu rindërtuar, si dhe sfida të rikyqjes së rrymës elektrike dhe ujit.Një sistem të tërë të edukimit për ta vendosur sërish në binarë. Një ekonomi të kolabuar për ta rigjallëruar. Lidhje dhe marrëdhënie për ti rivendosur, tensione për të menaxhuar si dhe fuqi për të negociuar.Ka shumë prioritete garuese ndërmjet veti. Në fakt, ka aq shumë për të bërë dhe secila çështje shndërrohet në prioritet.

Ne kemi lëvizur shumë nga faza e emergjencës.Kosova nuk është më një vend i shkatërruar nga lufta. Nga viti 2008, është një shtet I pavarur, shteti më I ri në Evropë.Gjatë shtatë viteve të kaluara, ne kemi forcuar suverenitetin tonë. Institucionet tona demokratike janë shëmbëlltyrë e demokracisë sonë parlamentare të cilën e kemi ndërtuar.Ne kemi mësuar së demokracia është çështje komplekse. Se ndërtimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse është një ambicie, një punë gjithmonë në vazhdim.Ne mundemi dhe gjithmonë duhet të punojmë më mirë. Ne jemi duke mësuar se si të jetojmë së bashku dhe se si të gjejmë forcë në dallimet tona etnike dhe fetare.Ne jemi akoma duke u munduar të krijojmë një ekonomi të hapur, me konkurrencë të barabartë dhe pa korrupsion.Disa kanë filluar të ndihen të lodhur nga mosarritja e premtimeve për prosperitet si dhe përparim social dhe ekonomik.Ne dëshirojmë që gjenerata e re e Kosovarëve të qëndrojë në Kosovë dhe ta ndërtojë vendin e tyre, dhe të mos e lëshojë vendin në kërkim të mundësive jashtë kufijve.Këto janë disa nga pasojat e menjëhershme dhe të dukshme të luftës dhe rindërtimit. Por, ka edhe të tjera pos atyre që vërehen në shikim të parë.Jo shumë kohë më parë, në fillim të mandatit tim si Presidente e Kosovës, unë isha ftuar që të flas në një konferencë rreth fuqizimit të gruas.Me një president femër, e para ndonjëherë në historinë e Ballkanit, Kosova tërhiqte shumë vëmendje. Brenda dhe jashtë Kosovës kjo shihej si mundësi për më shumë përfshirje në vendim marrje të grave.Në konferencë, ne diskutuam për situatës së përgjithshme. Ne shpenzuam shumë kohë duke diskutuar për barazinë në vende pune, mundësi të barabarta edhe drejtën e grave në pronë dhe pronësi.Ne brengoseshim se a ishte e drejtë kuota prej 30 për qind pjesëmarrje të grave në institucionet e Kosovës.

Se a thua këto masa do të bëheshin ndonjëherë të qëndrueshme.

Se a kishte arsye për të besuar dhe a ka përvoja të tilla për të na siguruar, se kuotat do të jenë efektive, dhe atë jo vetëm për gratë.Në u ndjemë të përfshira- pjesë e debatit të rëndësishëm në nivel global mbi mosbarazinë gjinore.Ne e ndjemë se debati ynë ishte duke ndodhur në kohë të duhur, ishte përparimtar dhe në nivel me trendet globale.E ndjemë së përkundër faktit se sapo kishim dalur nga lufta, çështjet tona nuk kishin dallim nga ato të vendeve tjera.Por ajo se çfarë më treguan disa gra të cilat qëndronin në një skaj të sallës së konferencës, më ndryshuan mua rrënjësisht, dhe mënyrën se si mendoja për këto çështje.Ato ishin të mbijetuara të dhunës seksuale, disa nga mijëra gra të cilat ende mbajnë vrragët në vete, plagë fizike dhe psiqike të këtij lloji të torturës- përdhunimit si mjet lufte.Njëra nga ato më tha se ajo ishte përdhunuar para familjes së saj kur forcat serbe erdhën ti largonin sipas planit të kampanjës së tyre për pastrim etnik.Tjetra foli për grupe te grave të mbajtura të mbyllura dhe të përdhunuara për javë me radhë. Kjo ishte hera e parë që ato ndanë tregimet e tyre me dikë jashtë rrethit të ngushtë të të mbijetuarve.

Si shqiptare kosovare dhe më vonë si zyrtare policore, e cila ndihmoi në ndërtimin e Forcës së Policisë së Kosovës, unë isha në dijeni për këto krime të tmerrshme të kryera ndaj grave të Kosovës.

Kisha lexuar për një nënë e cila nuk mund ti thoshte askujt se vajza e saj ishte e përdhunuar edhe shumë kohë pasi ajo ishte e gjetur e vdekur në bunarin e shtëpisë.

Me një kampanjë sistematike të përdhunimit, të ndërmarrë gjatë luftës në Kosovë, forcat Serbe të sigurisë kishin për qëllim që lufta të vazhdonte edhe shumë kohë pasi që kishte përfunduar.

Të linin prapa tyre një shoqëri të frikësuar, të vrragosur, të turpëruar dhe tërësisht të thyer. Një shoqëri të paaftë për të treguar atë së çfarë i ka ndodhur grave të tyre.

Poashtu, isha në dijeni për punën e palodhur të grave aktiviste të cilat i kishin dedikuar jetërat e tyre në ndihmë të të mbijetuarave të përdhunimit, sido që ato kishin vendosur të trajtonin traumat e tyre.

Këto aktiviste ishin shtyllat mbi të cilat të mbijetuarat e dhunës  seksuale u mbështetën për më gjatë se një dekadë.Pjesa tjetër e shoqërisë ishte e shumë e preokupuar me rindërtimin e shtëpive dhe ndërtimin e narativeve heroike të cilat normalisht ndodhin pas luftërave çlirimtare, për të treguar kujdes ndaj të mbijetuarave të përdhunimit.

Në periudhën kaotike të pasluftës, dhe në mungesë të drejtësisë për të mbijetuarat, shumica e tyre zgjodhën heshtjen e plotë.Disa prej tyre të cilat vendosën që tu flasin për këtë familjeve të tyre mbetën të vetmuara për shkak të stigmës të cilën përdhunimi e mban mbi vete në Kosovë, e Kosova nuk është i vetmi vend ku kjo ndodhë.Prokurorët ndërkombëtarë kanë dokumentuar krimet e luftës dhe krimet ndaj njerëzimit të kryera nga forcat serbe në Kosovë. Ata edhe I kanë gjykuar kryesit e veprave.Por nuk ka pasur gjykime për kryesit e përdhunimeve, as në Hagë, as në Kosovë, edhe pse Kosova administrohej nga Kombet e Bashkuara.Të mbijetuarat rrallë herë dolën të flasin për tmerrin e ushtruar mbi to. E as shoqëria kosovare nuk fliste për këtë çështje, pjesërisht për shkak të faktit se ne nuk dinin se si ta trajtonim këtë çështje.Kur gjykatat, ato ndërkombëtare dhe ato lokale, dështuan të sigurojnë drejtësi edhe pas pesëmbëdhjetë vitesh, unë u zotova se shteti të cilin  e krijuam, për të cilin ato kishin vuajtur aq shumë, nuk do ti dëshpëronte ato përsëri.E tmerruar nga vështirësitë ekonomike, përjashtimi shoqëror si dhe me viktimizimin e vazhdueshëm të mbijetuarave të përdhunimit, në vitin 2012, vendosa ti bashkohem kauzës së tyre. Fillova të ndërmarr kampanja në të mirë të tyre, dhe mbështesja vendosjen e statusit ligjor për to si viktima civile të luftës.Paqja e jonë nuk do të ishte  e plotë derisa ato nuk do të gjenin paqe. Ndërtoja mbi dijen dhe ekspertizën e rrjeteve te ndryshme të grave të cilat ndihmuan të mbijetuarat e përdhunimit gjatë luftës.

Vitin e kaluar unë themelova Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, për ta vendosur këtë çështje në zyrën më të lartë në vend dhe në maje të agjendës sime.

Ky Këshill përmban në vete entitete të ndryshme, nga ministritë , komisione parlamentare, deri te OJQ-të  e grave, me qëllim që në mënyrë gjithëpërmbledhëse të merret me çështje legjislative dhe politikëbërëse.

Deri tani, kemi arritur të aprovojmë një ligj i cili u ofron atyre repracione, një nga pak ligje të këtij lloji në botë.Kemi krijuar dispozita dytësore ligjore për përmirësimin e statusit të të mbijetuarve.Kemi udhëhequr kampanja për ngritje të vetëdijes. Kemi mbledhur fonde për mundësi të ndryshme punësimi.Mbi të gjitha, u kemi dhënë zë të mbijetuarve dhe kemi rikthyer dinjitetin e tyre.Dhe këtë vit, në ditën e çlirimit të Kosovës, më 12 qershor, instalacioni Mendoj në ty u bë thirrja e shoqërisë sonë për mbështetje të të mbijetuarave.Me iniciativën e artistes kosovare Alketa Xhafa dhe producentes nga Nju Jorku, Anna DI Lellio, dhe me mbështetjen e zyrës ime, pesë mijë fustane u vendosën në stadiumin futbollistik të Prishtinës për nder të mijëra të mbijetuarave të përdhunimit gjatë luftës.

Ato fustane ishin të njerëzve të Kosovës. Për një muaj, gra dhe burra nga mbarë vendi dhuruan fustane në emër të solidarizimit me të mbijetuarit.Shumë njerëz, dukë përfshirë edhe të mbijetuarit, i kanë dhuruar fustanet të cilat i kanë bartur për ngjarje të posaçme.

Një fustan të veshur në dasmën e vëllaut.Një deputete e parlamentit dhuroi fustanin e bartur ditën kur nënshkroi deklaratën e pavarësisë.Kishte poashtu edhe fustane të bartura në raste pikëllimi: një fustan martese e cila dështoi për shkak të përdhunimit.Ato u ekspozuan në stadiumin futbollistik të kryeqytetit në mënyrë që të shfaqin peshën e kësaj forme të torturës dhe njohjes së faktit se turpi nuk qëndron mbi viktimat por mbi kryesit e këtij krimi të tmerrshëm.Ato poashtu e zbehën vijën ndarëse. Përdhunimi mund ti ndodhte secilës nga ne gjatë luftës.Luftëtarët e dikurshëm, këngëtarë, anëtarë të parlamentit, ministra dhe mijëra qytetarë të zakonshëm u bashkuan që në mënyrë simbolike tu tregojnë atyre se ato nuk janë vetëm.

Se ato do të përfshihen dhe nuk do te jenë më të vetmuara.

Zonja dhe Zotërinj:

Ka aq shumë shpresë për shoqëritë të cilat përfshijnë të gjithë. Dhe pa përfshirje të grave, posaçërisht atyre grave të harruara asnjë shoqëri nuk ka përfshirë secilin.

Ne akoma duhet që të ndërtojmë atë lloj shteti të cilin ia premtuam para ardhësve tanë, kur si refugjatë me shpejtësi u kthyem nëpër shtëpitë tona.

Dhe si në çdo fillim, ka edhe ngecje. Tranzicionet janë të gjata.

Por ka edhe shume shpresë- shpresë për ndryshim, shpresë për angazhim dhe ndikim, si dhe shpresë për tu bërë më të mirë.

Është po kjo shpresë e cila i ka ndihmuar Kosovës që të lëvizë përpara.

Ju faleminderit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ahtifete Jahjaga, fjala ne Kolumbia, KOSOVA: NJË SHTET, NË TRANZICION

LIRIA E SHTYPIT NË EUROPË ËSHTË NË RREZIK!

October 1, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ky është konstatimi i njërës prej organizatave më të mëdha botërore, misioni i së cilës është mbrojtja e fjalës së lirë dhe mbështetja për gazetarët anë e mbanë botës.   Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG) (Committee to Protect Journalists) është një organizatë me qëndër në New York, e pavarur, dhe jo fitimprurëse që punon dhe vepron në mbrojtje të lirisë së shtypit kudo në botë.  Gjatë viteve jemi mësuar të lexojmë nga kjo organizatë raporte dhe kritika ndaj vendeve kun ë mënyrë konsekuente është shkelur liria e shtypit dhe ku dhunohen sistematikisht të drejtat e gazetarëve, vende siç janë Rusia, Kina, Turqia, Irani e shumë vende të tjera autoritare.  Andaj, raporti i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, mbi rrezikun përball të cilit gjëndet liria e shtypit në Europë në këtë moment, ishte disi si i papritur dhe i pari i këtij lloji.

Këtë shqetësim mbi pengesat ndaj lirisë së medias në Europë, KMG-ja e bëri të ditur në një konferencë për gazetarët në Bruksel më 29 shtator 2015, me rastin e shpërndarjes së raportit të parë mbi lirinë e shtypit në vendet e Bashkimit Europian (BE).   Liria e shtypit në Europë është në rrezik, thuhet në raportin e KMG-së dhe shton se Bashkimi Europian e ka për detyrë morale të mbrojë këtë të drejtë dhe të kërkojë njëkohësisht llogari nga shtetet anëtare që shkelin këto të drejta, nënvijohet në raportin me titull: “Një Akt Balancues: Liria e shtypit në rrezik, ndërkohë që BE-ja përpiqet të harmonizojë masat me vlerat” europiane.  Në raport analizohen përpjekjet e BE-së për të balancuar idealet e saja si një udhëheqëse globale në mbështetje të lirisë së shtypit,  me ligjet e disa vendeve anëtare të saj që nuk përputhen me parimet e lirisë së shtypit.  Raporti i KMG-së shqyrton gjithashtu se çka ka ndodhur kur vendet anëtare të BE-së nuk kanë zbatuar angazhimet e tyre në mbrojtje të lirisë së shtypit dhe si rjedhim rekomandon masa specifike që duhet të marrë BE-ja si organizatë në terësi dhe për vendet individuale në veçanti. Në raport theksohet se BE-ja tani për tani nuk ka një mekanizëm të fuqishëm për të kërkuar përgjegjësi nga vendet anëtare të cilat nuk zbatojnë angazhimet e marra në fushën e mbrojtjes së lirisë së medias.

 “Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve është i shqetësuar në lidhje me numrin në rritje e sipër të shkeljeve të lirisë së shtypit nga disa vende europiane, të cilat tradicionalisht janë konsideruar si shembuj të mirë të praktikave demokratike”, është shprehur, Jean-Paul Marthoz, korrespondenti i KMG-së në Europë dhe autori i raportit mbi rrezikun që i kanoset lirisë së shtypit në kontinentin europian.  Ai ka shtuar se është gjithashtu i shqetësuar nga “Dështimi i Bashkimit Europian për të ndërmarrë masa konkrete dhe të vendosura, në mbrojtje të të drejtave të gazetarëve.”  Ai theksoi se, “Nëqoftse BE-ja do të mbetet një autoritet global në mbrojtje të lirisë së shtypit, atëherë Bashkimi Europian duhet të përdor të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të ndaluar sulmet kundër gazetarëve dhe për të siguruar që të mos lejohen kërcënimet ndaj gazetarëve dhe ndaj lirisë së shtypit” në territorin e saj, ka thënë autori i raportit të parë të KMG-së në lidhje me kërcënimet ndaj lirisë së veprimit të gazetarëve dhe fjalës së lirë, në 22 vendet e BE-së.

Kjo për më tepër, thuhet në raport, pasi liria e shtypit është një prej faktorëve kryesorë që BE-ja kërkon edhe nga vendet kandidate për antarësim në Bashkimin Europian, vende siç është Shqipëria, por edhe Republika e Kosovës që pritet të bëjë lutje për antarësim – vende këto në të cilat gazetarët janë përballur me sfida të ndryshme gjatë pesë viteve të fundit, sipas KMG-së.

Në raport thuhet  gjithashtu se gazetarët, në vendet që tanimë janë anëtare të Bashkimit Europian si dhe në vendet që shpresojnë  eventualisht të bëhen anëtare  të BE-së, përballen me kërcënime të ndryshme nga qeveritë dhe grupe të ndryshme  ekstremiste.  Raporti thekson se ndërsa politikat e BE-së, në sipërfaqe, duket se mbrojnë lirinë e shtypit, në shumë raste  atyre u mungojnë mekanizmat e nevosjhme  për të mbajtur përgjegjëse vendet anëtare, kur ato shkelin Kartën e Bashkimit Europian për të Drejtat Themelore të Njeriut. Si shembull, raporti i KMG-së pasqyron keqësimin e lirisë së shtypit në Hungari dhe rekomandon që Bashkimi Europian të jetë më i vendosur edhe në mbrojtje të lirisë së shtypit në vendet që shpresojnë të bëhen anëtare të BE-së, vende siç është Turqia, theksohet në raport.

Në lidhje me përkeqësimin e atmosferës së lirisë së shtypit në Hungari, Kati Morton, anëtare e bordit të KMG-së dhe ish-drejtoreshë e kësaj organizate dhe e cila vetë është me origjinë hungareze,  është shprehur me rastin e botimit të këtij raporti se pengesat ndaj lirisë së shtypit dhe ndaj lirisë së gazetarëve në Hungari, “janë në kundërshtim të plotë me vlerat e Bashkimit Europian.”   Kati Morton, gjithashtu ish-bashkshorte e Peter Jennings, njërit prej gazetarëve më të njohur të Amerikës, i cili ka ndërruar jetë vite më parë u shpreh se, “Asnjë shtet anëtar nuk duhet të lejohet të sillet në këtë mënyrë dhe pa ndëshkim”,  ndaj gazetarëve dhe lirisë së shtypit.   Nëqoftse këto vlera janë gjithnjë të rëndësishme për Bashkimin Europian, atëherë Brukseli duhet të provojë se masa të tilla kundër lirisë së shtypit kanë pasoja të drejtë për drejta”, ka shtuar ajo.

Siç duket si një parandjenjë e përkeqsimit të lirisë së shtypit në Europë, në Maj të vitit 2009, një grup prej 48-kryeredaktorësh dhe gazetarësh të njohur nga vendet e Bashkimit Europian, kanë përpiluar dhe nënshkruan në Hamburg të Gjermanisë, “Kartën Europiane mbi Lirinë  e Shtypit”.  Në Kartën prej 10-paragrafësh nënvijohen parimet bazë të lirisë së shtypit dhe të mos ndërhyrjes qeveritare në punën e gazetarëve.  Qëllimi, sipas përpiluesve të Kartës, ishte që parimet e saja mbi lirinë e shtypit të ishin të njëjtat për të gjitha vendet e Europës dhe që njëkohësisht zbatimi i këtyre parimeve të ishte një kusht edhe për vendet që aspirojnë antarësimin në BE.  Është interesant por edhe shqetsues fakti se liria e shtypit, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve është në rrezik në vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore — që tani janë anëtare të BE-së ose në ato shtete që aspirojnë të bëhen anëtare — e ku 25 vjetë më parë as nuk ekzistonte liria e shtypit. Sa shpejt kanë harruar!

Botimi i Raporti të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve mbi rreziqet me të cilat përballen gazetarët dhe liria e shtypit në përgjithësi anë e mbanë Europës, nuk është një shënjë e mirë për zhvillimin e demokracisë së vërtetë në atë kontinent  –25 vjetë pas rënjes së komunizmit në Europë.  Duket se elitat politike dhe shoqëritë në përgjithësi ende nuk e kanë kuptuar si duhet se shtypi i lirë që kontribon drejtë informimit objektiv dhe të paanshëm të publikut, është themeli i demokracisë së vërtetë, siç ka thënë edhe Thomas Xhefersoni, njëri prej themeluesve të kombit amerikan, krye-autori i Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara  dhe Presidenti i tretë i Amerikës.  Ai ishte një mbështetës i fortë i demokracisë dhe i të drejtave dhe lirive të individit, përfshirë sidomos lirinë e shtypit  — fjalët e të cilit edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të kumbojnë dhe të influencojnë botën.   Njihet mirë thënja e Xhefersonit në lidhje me lirinë e shtypit dhe me rolin e gazetarit.  Ndonëse ai kritikohej ashpër nga gazetat e kohës së tij, megjithkëtë besimi i tij në lirinë e shtypit dhe të gazetarit ishte aq i fortë, ndërkohë që ka shprehur bindjen se shtypi i lirë luan një rol më të rëndësishëm se vet qeveria.  “Po të detyrohesha të zgjedhë ose të vendosi midis një qeverie pa gazeta, apo në favor të ekzistencës së gazetave pa qeveri, unë nuk do të hesitoja aspak të vendos për këtë të fundit”,  ka thënë Xhefersoni.  

Në përfundim, në raportin e Komitetit për Mbrojtjen e gazetarëve thuhet se “Dështimi i Bashkimit Europian për t’u përballur me këto sfida që prekin jo vetëm gazetarët që veprojnë mbrenda vendeve anëtare, por njëkohësisht minon edhe mundësitë e BE-së për të mbrojtur lirinë e shtypit jashtë kufijve të saj, duke krijuar   kështu një alibi për politikat shtypëse të shteteve autoritare ndaj lirisë së medias në vendet e tyre.  Çfarë të drejte ka BE-ja të kritikojë vendet e tjera të cilat shkelin lirinë e shtypit dhe të drejtat e gazetarit kur vet BE-ja ka mungesa në këtë fushë?  Komiteti për Mbrojten e Gazetarëve nenvijon përfundimin e arritur se bazuar në deklaratat e gazetarëve dhe të mbështetësve të ndryshëm të lirisë së shtypit anë e mbanë Europës, shqetsimet e të cilëve pasqyrohen në raport,  BE-ja “duke mos kërkuar përgjegjësi ndaj vendeve anëtare (që shkelin të drejtat e gazetarit dhe lirinë e shtypit),  ka dështuar që me vendosmëri dhe në mënyrë konsekuente të mbrojë lirinë e shtypit”mbrenda territorit të saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: ËSHTË NË RREZIK!, Frank shkreli, LIRIA E SHTYPIT NË EUROPË

Paralizim i veprimeve të dobishme

September 29, 2015 by dgreca

Isa Mustafa nuk mund të thotë se asosacionin e gjeti të gatuar nga qeveria e mëparshme, sepse nëse ka pas paqartësi e mjegulli, ai si kryeminister është dashur të reagoj konform Kushtetutës, sepse nënshkrimi në atë marrëveshje është i tij dhe të gjitha pasojat i bartë ai/

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/

Pavarësisht fjalëve që përsëritën papushim sa herë që këtë e kërkon nevoja e ragimit, kritikës, sugjerimit, këshillës, që nganjëherë, mund të jenë edhe të mërzitshme , apo edhe një shembull i padobishëm, megjithatë, gjithsecili po mundohet, po përpiqet që sado pak të ndikoj që me shkrime, opinione, analiza dhe forma tjera t’i kthej në rrugë të drejt liderët tanë politik, sepse kjo mënyrë e të vepruarit nuk i shkon për shtati mendësisë popullore e aq më pak rregullave e normave juridike. Nuk po bëjnë punë as “parimet” dhe veprimet e këtyre lakmitarëve për pushtet, ngaqë ata nuk po vërejnë se shteti për ta sikur tërësisht është i “ huaj” . Mirëpo, siç dukët dëshira për të vënë në dyshim faktin, që çdo politikan arrinë ta kuptoj e miratoj vetëm ato ndjenja e veprime që qëndrojnë afër idealeve të tyre, që në të vërtetë në momentin aktual është diçka e “ marrë” dhe alogjike. Tek njerëzit e zakonshëm mund të ndryshosh shumë gjëra, por vetëm nëse u flet me gjuhën që ata e kuptojnë, mirëpo siç dukët nga veprimet e politikanëve tanë mund të ndodh që ata kanë trashëguar një traditë “ mijëvjeçare” “ kapadaillëku”, në vend që do të duhet të ndodhte e kundërta. Njerëzit e këtij niveli të shkollimit, jo të gjithë, do të duhej të ishin besimtarë, bujar, bashkëpunues, por edhe patriot për t’i shërbyer sa më mirë popullit, i cili për këtë arsye ka dhënë votën. Pra, sjellja e tyre nuk duhet të jetë “ luftarake”, por duhet të jenë mbrojtës i të “ dobëtëve” dhe “ kalorës” të së drejtës, me një fjalë “Don Kishoti”. Nuk ka gjë më mirë sikur këta lakmitarë për pushtet të kishin dhënë shembulin si njeridashës, shpirtmirë dhe miqësor e jo të ndodh e kundërta, të urrehen, të xhelozojnë të hakmerren ndaj njeri- tjetrit. Ky polarizim kaq i thellë ndërmjet dy blloqeve ka çoroditur, ka prishur baraspeshën politike, ka paralizuar veprimet e dobishme në favor të gjetjes së rrugëve adekuate në drejtim të zgjidhjes së problemeve e mosmarrëveshjeve aktuale, sepse po vjen në shprehje kryenëçsia që po i bën të pabindur dhe të paarsyeshëm këta politikan. Ata në shpirtin e tyre janë shumë të trazuar e në anën tjetër shpërfillës ndaj kërkesave të shumta për të hapur rrugën e funksionizimit të institucioneve të shtetit e sidomos të Parlamentit, organin më të lartë ligjdhënës të vendit tonë. Do të duhej ta kishin një shqetësim shpirtëror dhe një parandjenjë të asaj që do të duhej t’i pllakoste më vonë. Ka të ngjarë. Por më i besueshëm me dukët hamendësimi se tek këta politikan pasqyrohet një ndrydhje se çfarë do të përjetojnë nëse ata nuk zgjidhen në postet që i ëndërrojnë. Dhek jo trysni shpirtërore po i bën që ata të vuajnë dhe hera- herës, të humbin vetëbesimin dhe fuqinë e veprimit, kuptohet konform normave juridike dhe aktit më të lartë Kushtetutës.

Orgnai më i lartë legjislativ nuk bën të bllokohet

Në të parë, liderëve tanë ju duket një ngjarje e vogël bllokimi dhe mbarëvajtja e Parlamentit të Republikës së Kosovës, por që po bën buj në opinionin e brendshëm e për shumë në atë të jashtëm. Në të vërtetë, Parlamenti do të duhej të ishte një pikëkthesë e rëndësishme në jetën politike, por edhe shoqërore sepse për herë të parë në historinë më të re të Kosovës ky organ e ka mundësinë që vetë të vendos e të sjell e miratoj ligje që po vlerësohen me standarde ndërkombëtare. Mirëpo, siç dukët lidrëve tanë po iu mungon parapërgatitja shpirtërore apo aftësia e nevojshme gjykuese, të cilët për shkak se nuk po i japin rëndësi se çfarë mund të ndodh me këtë ngërç institucional, vendin e kanë futur në një fazë të “ re” apo më mirë më thënë në një pikë më të dobët të funksionimit të sistemit institucional në përgjithësi. Veprimet e tyre shpesh po janë të çoroditura, që po prishin baraspeshën e të qenit politik si dhe po paralizojnë veprimet e nevojshme karshi situatës së krijuar.

Liderët duhet të zgjohen nga ëndrrat edhe pse pak si vonë

Xhelozia nga humbja e zgjedhjeve por edhe mungesa e një bashkëpunimi të mirëfilltë pozitë- opozitë, vetëm sa po e ndryshojnë trajtën e të vepruarit kryeneç dhe asgjë më shumë. Kjo përplasje me realitetin sigurisht se po i kushton shumë shtrenjtë qytetarit, ngaqë politikanët tanë po ua vështirësojnë jetën, sidomos, gjeneratave të tashme, por jo edhe familjeve të tyre. Liderët tanë duhet të zgjohen nga ëndrrat, edhe pse pak si vonë, dhe të zbresin në tokë, të çlirohen nga lakmia e tepruar për pushtet, nga urrejtja, nga hakmarrja, kundrejt gjithëçkaje që është deshtake. Pra, gjërat duhet të kuptohen seriozisht dhe të gjykohen mirë e drejtë. Fërkimet e të gjitha llojeve, mungesa bashkëpunuese, keqkuptimet edhe për gjëra më të thjeshta, janë dukuri bashkëshoqëruese jo normale në këtë kohë për çdo këmbim mendimesh, idesh dhe për çdo veprim aq të ndieshëm në gjithë hapësirën kosovare. Është zor të themi se mos vallë janë këto “ pasojë” e papjekurisë shpirtërore, politike e shoqërore, apo në radhë të parë i “ zvetënimit” moral të tyre, që me kërkesat e tyre të “ pathemelta” po ia rëndojnë aq shumë jetën e qytetarëve dhe shtetit që ai të rritët e zhvillohet shëndetshëm. Në këto rrethana të krijuara askujt nuk po i shkon ndërmend të lëshoj pe, të bëhet bujar, të “ sakrifikoj” , të ndihmoj në ndërtimin e institucioneve të vendit dhe të gjitha lëshimet eventuale dhe dobësitë të tejkalohen aq sa është e mundur së bashku.

Kryeministri i vendit nuk mund të thotë se unë nuk ua solla asosacionin

Është më shumë se hipokrizi të dëgjosh nga një kryeminister duke u arsyetuar se sa i përket asosacionit serb, ai nuk paska kurrfarë faji sepse ashtu të “ gatuar” e gjeti nga qeveria e mëparshme. Ky “ sqarim” është një naivitet politik që jo vetëm se nuk e ha “ pazari”, por në anën tjetër tregon qartë se në çfarë shkalle të ulët mund të jetë qeverisja e tij tash e në të ardhmen. Me këtë sqarim të tij vetëm sa edhe më shumë po e komplikon gjuhën e drejt të komunikimit edhe me opozitën edhe më qytetarin. Apo thënë më mirë. Nëse ka diçka që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës sa i përket asosacionit serb, atëherë Isa Mustafa si Kryeminister është dashur të reagoj dhe të ndërhyj në gjithë procesin e kësaj marrëveshjeje dhe të heq çdo dilemë lidhur me funksionimin e e kësaj forme të veprimit serb, sepse për këtë e obligon edhe akti më i lartë juridik i vendit, Kushtetuta. Nuk mundet dhe nuk ka të drejt Isa Mustafa të thotë e të deklaron që nuk ka përgjegjësi sepse ky është nënshkrues i asaj marrëveshjeje dhe të gjitha pasojat e saj do t’i bartë ai dhe askush tjetër. Ndaj do të kishte me qenë e udhës që t’i lejohet nga opozita që kryeministri të bind atë dhe qytetarin se nuk ka asgjë nga që po flitet se asosacioni serb nuk do të këtë kompetenca ekzekutive.

Liderët sidomos të opozitës duhet të kenë maturi- situata mund të dalë nga kontrolli

Se si dhe në çfarë mënyre dë të reagoj e veproj opozita, ajo vendos vetë. Se sa ishte e qëlluar gjuajtja e kyeminstrit me vezë, tashmë opinioni dhe faktorët tjerë të brendshëm e të jashtëm e kanë dhënë mendimin e vetë. Mirëpo, ajo që me brengos mua është fakti se duke patur parasysh protestat e deritashme dhe përfundimin e tyre të dhunshëm, druaj, druaj shumë se situata mund të përkeqësohet shumë dhe të shkaktohen trazira të paparashikueshme. Në asnjë mënyrë nuk mendoj që të kundërshtoj këtë formë më demokratike të të shprehurit të pakënaqësive mirëpo përvoja e deritashme ka dëshmuar se ende nuk jemi të “ pjekur” që protestat të përfundojnë qetë ashtu siç i ka hije një populli të civilizuar. Në këtë frymë duhet të angazhohen edhe liderët opozitar, të cilët duhet që mospajtimet dhe kundërshtimet e tyre të shpalosin në Parlament, por edhe të kërkojnë mënyra të qarta për tejkalimin e tyre. Çdo eskalim i situatës do të jetë një barrë e rëndë për secilin lider politik, ndaj edhe kahet e aktivitetit të tyre duhet të orientohen që paqja të mbretëroj në gjithë hapësirën kosovare e të mos bëhemi horë para opinionit sidomos atij ndërkombëtar, të cilët mund të na fajësojnë se ne nuk dimë të mbajmë e të krijojmë shtet. Maturia tash për tash është gjëja më e mirë që mund të ndodh.

Dhe krejt në fund. Një qytetar u shpreh kësisoj: me keqardhje me duhet të them se jemi i detyruar të shohim me tmerr e neveri se si njerëzit që dëshirojnë të bëhen dikushi po mundohen të shqyejnë dhe të shkelin me këmbë shoqi- shoqin vetëm e vetëm se për të gjithë nuk ka vende udhëheqëse.

Filed Under: Analiza Tagged With: Asosacioni serb, Isa Mustafa, Xhavit Citaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 761
  • 762
  • 763
  • 764
  • 765
  • …
  • 986
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pedagoge Paola Rrapaj Kraja: “European Piano Academy” një mundësi për fëmijët shqiptarë që duan të zhvillojnë talentin e tyre në muzikë
  • “Historia e shtypit arbëresh nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • Paradoksi i Samitit të Diasporës së Shqipërisë
  • ZËRI QË NUK SHUHET: NË KUJTIM TË LAHUTARIT TË MADH TË MALËSISË SË MADHE, JONUZ DELAJ
  • Po Itaka ime sa larg është?
  • Samiti dhe koha e diasporës si aktor e faktor jo vetëm si dekor…
  • Nga “city upon a hill” tek “America First”: reflektime mbi një kthesë që po trondit botën
  • KOL TROMARA – DREJTUES I FEDERATËS “VATRA”, VEPRIMTAR I DIASPORËS SHQIPTARE DHE FIGURË E RËNDËSISHME E LËVIZJES KOMBËTARE
  • Letërsia si dëshmitare e kohës dhe pafuqisë për ta ndryshuar atë…
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT