• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PLAGA E KAHMOTSHME E TROJEVE SHQIPTARE

October 9, 2015 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA*/

 Më vjen në mendje një kullë e lartë atje në veri të Shqipërisë, që ata të cilët e kanë ndërtuar dhe e kanë kthyer në Muze e quajnë ndryshe “Kulla e Ngujimit”. Gurët e heshtur të saj dëgjojnë përtej atyre fushave dhe maleve për frikën se cili anëtarë do të ketë radhën të viktimizohet, aq edhe shpresën për shërim të kësaj plage. Në këtë prag kulle nga më të rrallët në Evropë e Botë, poetët, shkrimtarët, regjisorët, sociologët, kompozitorët, filozofët e kombit tonë e më tej mund të frymëzohen në artet e tyre dhe në atë që mund të bëjnë më mirë. Jo thjesht si e kaluar, por edhe si ardhmëri. Për ironi shumë filma me këtë temë në botë kanë fituar çmime nga më të mira e më të pagueshmet. Por le të  sjellim ndërmend fakte të cilat janë të njohura, por ne vetëm mund të  parafytyrojmë, apo bashkë ndjemë, por sa dimë se si i përjetojnë ato qindra e qindra familje, ato Burrnesha stoike me pamjen e tyre e dhëmbjen pa kufi, që e lidhin jetën me të burrit të mos bëhen pre e plagës së gjakmarrjes, e shpesh duke mos i trembur as nga rreziqe. E pra aty dhe brenda nesh jeton kjo plagë e madhe sociale, që do jo një, por disa kirurgë mendjesh, ligj dhe shtet ta luftojë, shumë kohë e kujdes shoqëror për ta shëruar e për të mos mbjellë kurrë më varre të pafajshme.

  Gjakmarrja, kjo hije e zezë, secilin nga ne pavarësisht formimit intelektual, na përcjell në vazhdimësi, përgjegjësinë dhe mundësinë që të bëjmë më shumë në mbylljen e këtij fenomeni. Shpesh, ajo përkufizohet edhe nën hijen e varfërisë shpirtërore, të mbajtjes në kuadratin e paditurisë dhe ushqimit të vazhdushëm me mediokritete njerzore. Por edhe ligjet kanunore janë shpërfillur dhe po vriten për hakmarrje gra dhe fëmijë. Ndaj, ky koncept keqpërdoret, duke e humbur kuptimin e mirfilltë të tij në mendime e labirinte keqardhjesh. Me rrënjët e saj sa të hershme, për fat të keq, aq shumë po përsëritet dhe si rezultat  secilin  prej nesh e vë para dilemës:

  • Ku jemi ne si shoqëri e qytetëruar?!

  Natyrisht pas saj vijnë shumë pyetje retorike e një mozaik përgjigjesh të cilat këtë paradoks e rrëfejnë në mënyrën sa kanunor, logjik, tradicional e shkencor, por çështja mbetet me përmasat sa në rritje, po aq edhe e pazgjidhur. E mora guximin dhe urtësinë për të shkruar për gjakmarrjen, duke e trajtuar edhe në retrospektivë, e që gjithnjë e më shumë po merr përmasa shqetësuese.

   Kultura jonë e lashtë në rrjedhën e shekujve ka mbartur në shpinën e saj shumë anë pozitive, që kanë legjitimuar fytyrën e vërtetë të kombit, krahas anëve negative. Në pamundësi për ta pasur legjislacionin e tyre, të parët tanë, kanë qenë të detyruar t’i zbatojnë kodet dhe normat kanunore të hekurta, rrjedhimisht të krijuara për t’i rregulluar çështjet e tyre të brendshme brenda një fisi, vendbanimi, krahine apo edhe një territori të caktuar. Traditat zakonore dhe kanunet si ai i Lekë Dukagjinit, i Bendës, i Skënderbeut, i Labërisë futën në kulturën tonë të përgjithshme edhe elementë që morën karakterin e ligjeve morale dhe të shkruara. Influencë veçanërisht pati sidomos në zonën e Veriut, Kanuni i Lekë Dukagjinit, ku sanksionoi në mënyrë barbare zakonin e gjakmarrjes edhe nga fanatizmi i shekujve. Kanuni i Lekë Dukagjinit, ky monument i lashtë i kulturës shqiptare, për kohën kur është krijuar, luajti rol pozitiv në rregullimin dhe vlerën e normave shoqërore në zonat malore shqiptare me një të kaluar historike tepër shtypëse. Nuk duhen harruar kalvarët e dhembjeve, historitë tragjike deri në shuarje familjesh edhe pse dikur përkujdesej fisi, grupi fisnor,në rrethanat e sotme të zhvillimit global të shoqërisë, kjo plagë e kamotshme dhe rëndë e trojeve shqiptare, mjerisht është aktuale e dëmshme dhe e tejkaluar. Gjatë historisë, në kohët e vështira, ishte i madh edhe rreziku i asimilimit si komb nga pushtuesit me përpjekjen anarkiste të tyre për zbehjen e ndjenjës kombëtare, por edhe me zhvatjen, zaptimin e trojeve, pasurive. Ata e shfrytëzuan gjakmarrjen për qëllime përçarëse dhe sunduese. Mungonte shteti i mirëfilltë dhe autoriteti i tij në çështjet e pazgjidhura kishte krijuar shkaqe të precetenta me ngjarje të rënda e pastaj me gjakmarrje, shkurt larje hesapesh, shkatërrime prone, dënime të rënda. Por edhe kur u krijua shteti shqiptar, legjislacioni në vite, qoftë në pjesën e Shqipërisë, por edhe në trojet e tjera: Kosovë, Maqedoni, Malit të Zi ku jetojnë shqiptarë, nuk ishte në përputhje me interesat kombëtare, deri edhe një lufte të brendshme arkaike, pro osmane të individëve karrieristë, ndaj edhe besimi në popull në të ishte shumë i vogël. Edhe në këtë kontekst historik, sado që në Shqipërinë e 50 viteve të diktaturës komuniste, gjakmarrja pësoi zbehje e thuajse u zhduk, për shkak edhe të pasojave ligjore e dënimeve të rënda, burgimit, internimit, persekutimeve, ky fenomen u rizgjua e vazhdon të jetë me dhembje pas viteve ’90, kur erdhi demokracia dhe të marrë përsëri jetë shqiptarësh. Nga frika e thellë e gjakmarrjes, familje të tëra sidomos në zonat malore, janë detyruar të ngujohen brenda burgut shtëpiak, larg realiteteve të jetës dhe botës njerëzore, duke i viktimizuar edhe fëmijët me arsimimin, shkëputje nga bota e lojërave me shokë, ndrydhje e ëndrrave të tyre si një plagë e pashtershme dhe kosto e pariparueshme për shoqërinë tonë, por edhe të krijoj largime të atyre që munden nga trojet e tyre, drejt rrugëve emigruese në kërkim të një vendi të qetë, pa preokupimin se një ditë do i shfarosin burrat, fëmijët, vazhdimësinë e brezave.

  Mjerisht, pothuajse përherë në media të shkruara dhe elektronike, publikohen vrasje me motive të gjakmarrjes, kronika të dhimbshme televizive apo shkrime për ngujime të familjeve në krahina të ndryshme, kryesisht në Veriun e Shqipërisë, duke treguar edhe për pasojat që ka lënë ky fenomen ogurzi. Ai vazhdon të mbetet akoma si një sanksion i “ligjëruar” nga vetë njerëzit me gjithë lëvizjen demografike të tyre. Ndaj, akoma nuk është bërë e mundur çrrënjosja definitive e ketij fenomeni,përkundrazi,ai po mbartet rigorozisht. Ne një vend ku nuk funksionon ligji inkurajohet hakmarrja, ka humbur besimi,është vrarë ëndrra dhe shpresa. Edhe politika për të kryer përfitimet dhe privilegjet e saj e ndonjëherë edhe të kontestuara ka shfrytëzuar kanunin për interesa, duke acaruar marrëdhëniet në përgjithësi të komunitetit. Duhet theksuar se do të ishte e udhës dhe një alarm jo vetëm për institucionet shtetërore, nëpërmjet organeve të tyre ligjvënëse e zbatuese, por edhe për shoqërinë civile që të veprojë shpejt me përgjegjësi morale dhe kombëtare në çrrënjosjen e kësaj plagë të hershme shekullore. Janë krijuar shoqata kundër gjakmarrjes me motivin: Stop gjakmarrjes, të cilat me format e tyre sensibilizuese në periudha të caktuara kohe a ndoshta pas ndonjë vrasje makabre, deri në peticione e grumbullim firmash jo vëllavrasjes, synojnë në një ndërgjegjësim të këtij fenomeni të frikshëm e shqetësues për kohën, por janë kthyer në disa raste si biznese kriminale e fitimprurëse në rrënime ekonomike të dëmshme për xhepin e fajtorëve e ndonjëherë edhe pa shkak të dënimit. Fatbardhësisht për këtë, kemi edhe shembuj kuptimplotë humanizmi e përgjegjësie atdhetare sidomos në kohë okupimesh, periudha tranzicioni të shoqërisë. Në kohën e represionit të thellë fizik e verbal në Kosovë nga lukunia e ideologjisë sllave, rinia atje u mobilizua në pajtimin e gjaqeve. Pati shumë raste të gjakmarrjeve dhe me peshën e fjalës në kuvende burrash si shërim për shpirtrat e trazuar, misionarët i pajtonin duke falur gjakun njeri – tjetrit. Mjafton të kujtojmë këtu disa personalitete fisnike si Anton Çeta në Kosovë, Pal Kuka, Palok Lumi, Pashko Toma të njohur në zonën e Veriut të Shqipërisë, duke hyrë në histori për shpirtin njerëzor e urtësinë proverbiale.

    Jeta vlen të jetohet. Gjakmarrja kjo fjalë e rëndë dhe e frikëshme le si një shkretëtirë vetëm dhimbje. Andaj në përputhje me vlerat e civilizimit evropian, për të mirën e Kombit, duhet të veprojmë dhe punojmë më shumë për zhdukjen e kësaj plage shekullore, që kullon përditë gjak, mjerim shpirtëror e ekonomik. Le t’i shtojmë jetës angazhim të madh të shoqërisë sonë me forcimin edhe të shtetit ligjor, por edhe duke e luftuar në mënyrë të ndershme këtë fenomen, pa u bërë ndikues të së keqes së pamoralshme, për të dëshmuar se jemi vërtet popull fisnik dhe i qytetëruar i sofrës së madhe evropiane me besimin dhe shpresën për brezat e ardhshëm, se gjakmarrja do të jetë thjesht një fjalë e mbetur në arkivin e kohës.

*Ne Foto:“Kulla e Ngujimit”.

Filed Under: Analiza Tagged With: E TROJEVE SHQIPTARE, Pellumb Gorica, PLAGA E KAHMOTSHME

MARRËDHËNJET AMERIKANO-GJERMANE DHE MURI I BERLINIT

October 9, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Në fillim të gushtit, Departmenti Amerikan i Shtetit kishte njoftuar se me mbështetjen e Qëndrës Atlantic Council të Studimeve Ndërkombëtare dhe nepërmjet një marrveshjeje me firmën gjermane Verbundnetz Gas Aktiengesellschaft, një pjesë e veçantë e Murit të Berlinit do të  vendosej  në Qëndrën e Diplomacisë së re të Shteteve të Bashkuara, në Kryeqëndrën e Departmentit Amerikan të Shtetit (DASH) në Washington.Në fakt, të mërkurën u zhvillua një ceremoni në DASH, në praninë e Presidentit të Gjermanisë, Z. Joachim Gauck, Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry dhe të një numëri zyrtarësh dhe diplomatësh të lartë gjermanë dhe amerikanë, për inuagurimin zyrtar të një segmenti unik të Murit të Berlinit në Qëndrën e Diplomacisë  Amerikane në Washington.  Zyrtarët e lartë amerikanë dhe gjermanë e kanë cilësuar Murin e  Berlinit, jo vetëm si një kujtesë të përhershme të historisë së përbashkët dhe të marrëdhënjeve midis dy vendeve, por kanë vlerësuar njëkohsisht edhe rolin që ky mur ka luajtur historikisht dhe që luan edhe tani në forcimin e pazevëndsueshëm të mëtejshëm të lidhjeve transatlantike midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës, tani dhe në të ardhmen.

 Në fjalën e tij përshëndetse gjatë ceremonisë së inaugurimit , Sekretari Amerikan i Shtetit, Kerry tha se, në emër të Departmentit që ai kryeson dhe në emër të popllit ameirkan, “E pranojmë këtë simbol unik të Murit të Berlinit, ndërkohë që kujtojmë me respektin më të madh partneritetin e pazëvendsueshëm midis dy vendeve tona të mëdha”. Kryediploamti amerikan u shpreh se, “Tani jemi më të vetdijshëm se ç’ ishim në vitin 1961, se ndërtimi i Murit të Berlinit  ishte jo vetëm një vepër armiqësore, por edhe një pranim i një humbjeje ose dështimi të turpshëm.”  Ai shtoi, se historia na mëson se duke filluar nga Roma e vjetër dhe nga Kina mesjetare, qytetërime të ndryshme kanë ndërtuar mure dhe pengesa të tjera për të mbajtur larg armiqët, por asnjë herë më parë nuk kishte ndodhur që një qeveri ta shihte të nevojshme që të ndërtonte një mur për të rrethuar shtetasit e vet që të mos largoheshin nga vendi.  John Kerry u tha të pranishëmve se shumë veta humbën jetën në përpjekje për tu arratisur nga parasja komuniste  dhe se shumë familje gjermano-lindore, përfshirë edhe familjen e Presidentit të tanishëm të Gjermanisë së bashkuar, Joachim Gauck nuk jetonin në liri.  Kryediplomati amerikan u kujtoi të pranishëmve se në fakt, babai i presidentit të ardhëshëm (Joachim Gauck) ka qenë i burgosur në një gulag sovjetik. “Kjo përvojë”, shtoi Zoti Kerry, “ndihmoi që djali i tij  të bëhej një kampion i vërtetë i demokracisë, një aktivist i guximshëm dhe një udhëheqës të cilit policia sekrete e Gjermanisë Lindore i referohej si ‘një antikomunist i pa-korrigjueshëm’. Në të vërtetë, ky ishte lavdërimi më i madh që mund t’i bëhej presidentit të ardhëshëm të Gjermanisë së bashkuar, Z. Gauck, theksoi John Kerry.

Në fjalimin e tij, John Kerry falënderoi Presidentin e Gjermanisë për praninë e tij në këtë ceremoni, duke shtuar se pjesëmarrja e tij në inaugurimin e një pjese të Murit të Berlinit në Departmentin Amerikan të Shtetit tregon se ndërtimi i atij muri në vitin 1961 nuk ishte vetëm një lojë gjeopolitike, por ishte, theksoi ai, “një tragjedi e tmershme në një kohë kur shumë veta që donin lirinë dhe paqën u detyruan të jetonin në heshtje, ndërkohë që miliona liridashës u persekutuan dhe u burgosën për një pjesë të madhe të jetës së tyre.    Kurrë nuk do të dihet se sa njerëz të vullnetit të mirë e të guximshëm humbën jetën në përpjekje për të kapërcyer Murin e Berlinit”, nënvijoi  kryediplomati amerikan. Duke paraqitur Presidentin e  “Aleatës tonë të madhe”, Gjermanisë, John Kerry tha se pas pothuaj një çerek shekulli ç’prej ribashkimit të Gjermanisë ne jemi tepër krenarë për marrëdhënjet e zhvilluara gjatë dekadave midis dy vendeve tona, duke e cilësuar Gjermaninë si një aleate, partnere dhe mike të besueshëme të Shteteve të Bashkuara.

 Ndërkaq, Presidenti gjerman Joachim Gauck iu drejtuar të pranishëmve se ishte i nderuar që emëri i tij ishte në atë pjesë unike të Murit të Berlinit së bashku me emëra të shumët të personaliteteve të larta politike të kohës, duke thënë se ndonëse kur u shemb Muri i Berlinit ai nuk kishte ndonjë detyrë të lartë, por ishte vetëm “njëri prej aktivistëve i cili ndihmoi njerëzit që të luftonin për lirinë e tyre.”  Në fjalën e tij, udhëheqsi gjerman  tha se gjatë kësaj vizite, “zemëra ime është plot falënderime dhe mirënjohje ndaj popullit amerikan, i cili për një kohë aq të gjatë ka mbështetur dhe ka luftuar për bashkimin e Gjermanisë.”

 Presidenti gjerman iu referua edhe lëvizjeve për demokraci anë e mbanë Europës Lindore gjatë sundimit komunist, duke thënë se ata që donin të mbanin nën thundrën e tyre popullsi të tëra, më në fund nuk dolën fitues, pasi ata u mundën nga demonstratat dhe masat paqësore  të popujve që donin mbi të gjitha paqë dhe liri.  Ai theksoi në radhë të parë vendet e Europës Lindore që tani janë të lira dhe të cilat kanë përvetësuar vlerat e vendeve të lira siç janë Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës së lirë. “Aty ku mbretëron liria”, tha presidenti gjerman, “muret do të shëmben.”   Ai shprehi dëshirën e tij se njerzit, që do vizitojnë pjesën unike të Murit të Berlinit në Departmentin Amerikan të Shtetit, “Do të kujtojnë kufizimet e atyre sukseseve që mund të realizojmë, të dështimeve që nganjëherë duhet të pësojmë dhe t’i pranojmë, por edhe të fitoreve të lirisë dhe të njerëzve të cilët luftojnë për liri dhe të mos harrojnë përfitimet që ka sjellur liria.”   Në fund të fundit, shtoi udhëheqsi gjerman, “Njerëzit nuk mund të jenë të kënaqur nëqoftse nuk  zbatojmë  vlerat dhe nëqoftse nuk jetojmë bazuar në vlerat që të gjithë ne i konsiderojmë universale — siç janë respekti për ligjin dhe për dinjitetin njerëzor.”  Presidenti Gauck tha në fund të fjalës së tij  në Departmentin Amerikan të Shtetit të mërkurën, se shpreson që  kur diplomatët e ri të shikojnë këtë segment të Murit të Berlinit, këtij relikti të Luftës ës Ftohtë, “Të besojnë në atë që mund të realizohet kur njerëzit marrin guximin dhe kurajon për të  konsideruar veten qytetarë të përgjegjshëm dhe është në këtë frymë që unë shprehi mirënjohjen time ndaj Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan”, përfundoi presidenti gjerman, Joachim Gauck fjalën e tij në ceremoninë e inaugurimit të një segmenti unik të Murit të Berlinit në Departmentin Amerikan të Shtetit.

   Muri i Berlinit ishte  për pothuaj 30-vjetë simboli më i dukshëm i Luftës së Ftohtë dhe një i betejës mes totalitarizmit të komunizmit ndërkombëtar dhe demokracisë, gjatë 50-vjetëve të fundit të shekullit të njëzetë.  Shëmbja e Murit të Berlinit, siç tha edhe presidenti gjerman të mërkurën në Washington, ishte një ndër ato ngjarje kur njerëzit e lodhur nga shtypjet dhe diktatura morën guximin dhe vendosën që më në fund të realizonin dëshirën e tyre për liri dhe demokraci, ashtu siç bënë gjermano-lindorët një çerek shekulli më parë.  Guximi i gjermano-lindorëve u bë shëmbull për të gjithë ka thënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama i cili në deklaratën e tij me rastin e 20-vjetorit të shëmbjes së Murit të Berlinit ka theksuar se, “Gjatë gjithë kësaj historie, fati i këtij qyteti u reduktua në pyetjen e thjeshtë: A do të jetojmë të lirë apo në pranga?  Nën qeveritë që mbështesin të drejtat tona universale, apo nën regjime që i shtypin ato? Në shoqëritë e hapura që respektojnë shenjtërinë e individit dhe vullnetin tonë të lirë, apo në shoqëritë e mbyllura që e mbysin shpirtin?”

 Muri i Berlinit, ose “Muri i Turpit”, siç e ka cilësuar edhe ish-Kancelari gjerman Willy Brandt ishte me të vërtetë simbol i shtypjes së komunizmit, i ndarjes së Berlinit, të Gjermanisë dhe Europës — një simbol që “mbyste shpirtin” e njeriut, pjesë e të cilit tani është instaluar në në Qëndrën e re të Diplomacisë Amerikane në kryeqëndrën e Departmentit Amerikan të Shtetit në Washington, si një simbol i kujtesës së përjetësuar i shtypjeve  të lirive dhe të drejtave universale të njeriut nga regjimet komuniste të shekullit të kaluar në Europë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Amerikano-Gjermane, Frank shkreli, Marrdheniet

Pa gurë është më e bukur fitorja

October 8, 2015 by dgreca

* Shqiptaret duhet t’i luten Zotit t’i ruaje nga vetevetja/

*Shoh një marri gati kolektive, televizionesh, studiosh, webesh… Shoh disa webe në Kosovë që e trajtojnë problemin e deklaratave të një djali nga Gora me emrin Miralem Sulejmani, si shkak paralajmërim të një rrebeshi vërshëllimash dhe sharjeve. E thonë me kënaqësi se, çfarë ka për të hequr i ziu në Elbasan…/

* Paska deklaruar që ndihet serb. Në fund të fundit, çfarë ka këtu për t’u befasuar. Një goran i lindur në Beograd, i rritur aty. Brenda një familje futbollistësh. Nga shkolla serbe. I suksesshëm në Europë. Mjaft t’i shikosh skedën. Çfarë duhet të presim./

Nga Ilir Levonja/

Nëse nuk fitojmë sot me Serbinë, nuk është faji i ekipit. Biles përgatituni të mos u shkumosni duke i sharë. Eshtë faji i juaji. I këtij publiku apo populli që mbeti me brohorima entuziazmi. Aq sa duket sikur është forcë vullnetare e përjetshme. Më vjen keq që shprehem kështu. Unë jam pjesë e juaja. Por me keqardhje zbuloj se jemi më shumë se sa duhet. Më shumë se sa duhet për zhurmë, për fjalë patriotike, për dukshmëri, për të bërtitur etj. Dhe me sa duket, as që kemi për të vënë mend. Më shumë se sa duhet të dehur. Më shumë …

Nuk e di nga i gjejmë këto energji çoroditëse. Këto shfryma që një njeri i urtë i përmbledh me thelbin e mbrojtjes brenda psikologjisë tonë. Zot na ruaj? Por nëse të tjerët, ata jashtë sojit shqiptar.

I luten Zotit t’i ruaj nga gjithçka. Shqiptarët duhet t’i luten t’i ruaj nga vetvetja. Pra jemi më shumë se normalja. Jemi sa për t’u dukur. Sa për t’u treguar esnaf me fjalë, jo si burrat që pretendojmë se i kemi dhe se i respektojmë. Nuk jemi të tillë… Dhe për më tepër tani, në liri.

Shoh një marri gati kolektive, televizionesh, studiosh, webesh… Shoh disa webe në Kosovë që e trajtojnë problemin e deklaratave të një djali nga Gora me emrin Miralem Sulejmani, si shkak paralajmërim të një rrebeshi vërshëllimash dhe sharjeve. E thonë me kënaqësi se, çfarë ka për të hequr i ziu në Elbasan. Përse? Paska deklaruar që ndihet serb. Në fund të fundit, çfarë ka këtu për t’u befasuar. Një goran i lindur në Beograd, i rritur aty. Brenda një familje futbollistësh. Nga shkolla serbe. I suksesshëm në Europë. Mjaft t’i shikosh skedën. Çfarë duhet të presim.

Patriotizëm? Për Gorën, apo goranët…? Të cilët edhe aty ku janë sot, flasin akoma sllavisht. Dhe ndihen serbë, bullgarë apo maqedonas? Pra në mes të Shqipërisë. Kurse një i rritur në mes të Beogradit, vetëm pse ka emër mysliam, duhet të ndihet shqiptar. Ndryshe është tradhtar dhe Elbasani do e fërshëllejë?! Ndërkohë që kemi shqiptarë që çfarë nuk po bëjnë të ndihen deri kinezë. Mjaft që të ikin prej asaj Shqipërie.

Dhe nuk e di pse duhet të kënaqesh kaq me ekzaltim, deri frenetisht sikur do ringjallim gjithë çfarë kemi humbur nga politikat shfarosëse të Serbisë. Madje ngelëm duke kujtuar genocidet, barbaritë, luftrat nga mesjeta e këtëj. Se kush ka të drejtë, serbët apo shqiptarët? Dhe sepse atyre u pëlqen të mashtrojnë historinë në sytë e njerëzimit, ne duhet ta zhbëjmë atë. Njerëzimi e di më mirë nga ne historinë. Por si nga tradita, nga vitet që palosen, e keqja e vetvetes i ka mbajtur në barazpeshë anët e kandarit. Nuk ka qënë vetëm i huaji, por edhe me ne njëri­tjetrin. Ndaj sot na ka kapur marrëzia.

Ndaj jemi edhe kaq të shfrenuar. Na ngjan se na ka ardhur shanci në derë që ata njëmbëdhjetë njerëz në fushë t’i dërrmojnë deri sa të na kënaqet shpirti ynë prej vullnetari të përjetshëm. Pa e kuptuar aspak se po i përgjigjemi, vulgaritetit historik me të njëjtën monellë. Jo për liri, jo për lavdi, jo për patriotizëm por thjesht se kemi rënë në grackën e vulgarizmit. Sidomos, së pari studiot e Kosovës. Një vrull i shfrenuar, të gjorët viktima, lufta, liria, vatani. Autobuzi i ekipit serb me flamur shqiptar. Si u ka shpëtuar serbëve? Si u a hodhëm?! Gorani Miralem Sulejmani etj. Ai ambasadori atje, që refuzoi notën e protestës etj. Bravo, bravo i qoftë. Këto janë përralla.

Ideollogji. Pasi sa kohë që nuk respektoni njëri­tjetrin dhe mbetët duke u zënë me domate e tranguj në Kuvend. Nuk ka komb kështu. Por ka njerëz që për komb kanë dëshirën e shfrenuar. Së dyti, mjaft i ratë më qafë gjoksit dhe dëshmorëve të luftës. Kosovën e çliroi NATO dhe Amerika. Po, kështu është. Ata e çliruan. E çliruan por jo për të themeluar 57 parti, jo për të rrahur gjoksin, jo për t’u vulgarizuar si armiku i juaj, jo për tu ekzaltuar dhe bërë qiellin e Ballkanit të barbarizuar nga një lloj reshje benzine sikur kemi kapur dhe çliruar botën.

Së treti këta tipa që përgjërohen me drone e që politikanët tanë dritëshkurtër i publikojnë pamjet e tij me mjekërr talebani, për heroin e stërrët të fushës së zezë. Ja morën shpirtin së kuqes.

Shqiponjës, etj. Që nuk ngopen dhe i shtojnë dozat deri në histeri. Ballistin po e përmend edhe bota. Po, po…, por nuk ka përse të jetë e habitshme, që pas disa ditëve të na thuhet se e kanë pompuar qëllimisht me sponsorizim të serbëve. Ata qytetarë që mallkojnë një qeveri kur ndalon.

Dhe që janë gati të shkelin me mijra ligje vetëm e vetëm që ”patrioti” ballist, të dali e të ndezi qiellin e benzinë.

Së katërti, shqiptarët brenda shtetit të kafshuar amë. Që edhe pse kanë një grup të mrekullueshëm profesionistësh, duan si e si t’i bëjnë talebanë xhihadistë.

Webe, statute me patriotizëm. Poza pa fund politikanësh. Dhe e keni vënë re, që këta shtetarët tanë mbushen plot statute e foto, me lojtarë me emër, me këngëtarë e aktorë. Dhe policë apo ushtarakë të vrarë. Vetëm në adete e mysybete. Jo në të përditshmen. Statute të tilla…, Mbytini, vritini etj.

Një komb një atdhe. Edhe pse ia mbajmë njëri­tjetrit traun tek hunda. Jemi vëllezër, jemi shqiptarë.Kthjellohuni se, qytetarisë së një vendi të lashtë i ka ardhur koha të dëshmojë. Për prapësitë e historisë që mundet edhe jo, të të duan ndëshkimin prej Zotit. Por jo prej shqiptarëve.

E sotshmja është një ndeshje futbolli që duhet të justifikojë edhe drejtësinë europiane karshi burokracisë dhe marrëdhënieve mes tarafeve dhe miqve të interesit. Që çuditërisht mëshirohen deri në intelektualë të tipit Mishel Platini. Shqiptarët e kanë brohoritur, adhuruar, dashurar.

Por puna është se ai u bë pjesë e pikërisht, kësaj vulgarizme globale që vuan prej shekujsh edhe qytetaria në Ballkanin perëndimor. Jepuni serbëve ujë bujarisht dhe lërini të qetë djemtë tanë.

Jepuni serbëve mesazhe paqeje. Po ashtu dhe njerëzimit nëpër botë. Jo tipat e ballistave që vdesin të duken talebane. Jepuni lule, jepuni brohoritje dhe tregojuni se klasit të respektit i erdhi shanci në historinë ballkanase të tregohet prej lashtësisë shqiptare. Ajo ka kohë që ka triumfuar.

I druhem kësaj shfryme, kolektive. Qoftë e afërt dita kur edhe të ndërrojmë.

Filed Under: Analiza Tagged With: është më e bukur, Fitorja, Ilir Levonja, Pa gurë

SHPIRTI HUMAN I NJË FRATI GJERMAN NË SHQIPËRI DHE DËSHTIMI I SHTETIT

October 5, 2015 by dgreca

   Nga Frank Shkreli/

Media të ndryshme vizive dhe e shkruara në Shqipëri raportuan gjatë fund javës që kaloi një lajm, që për nga natyra dhe besueshmëria, ishte vështirë për të mos thënë e pamundur që të mos tërhiqte vëmendjen e lexuesit.  Ishte një lajm disi i jashtzakonshëm, sepse njoftohej për një prift gjerman, në të vërtetë për një frat të urdhërit të Shën Françeskut, i cili i shërben grigjës së tij në rrethin e Pukës duke u kujdesur për nevojat  shpirtërore të popullësisë së atyre anëve të varfëra e të izoluara të veriut, një zone kjo e shtypur për pothuaj 50-vjetë nga regjimi komunist dhe një krahinë e lënë pas dore dhe e harruar nga qeveritë e njëpasnjëshme post komuniste të 25 viteve të kaluara.

Fjala është për Fratin gjerman Andreas Walterman i cili siç duket, për të qenë sa më afër popullit që i shërben, ka mësuar dhe e flet shqipen rrjedhëshëm. Nuk besoj se frati gjerman kur erdhi në Shqipëri të kishte pasur në plan ndërtim rrugësh dhe urash. Por i dëshpëruar nga varfëria e skajshme dhe nga mos kokëçarja e shtetit për nevojat bazë dhe për sigurinë e qytetarëve të vet, sipas lajmeve, At Andreas bëri atë që nuk e kishte bërë shteti: ndërton rrugën dhe ngre urën në fshtatin Kavlina të Bashkisë së Pukës.

Banorët e zonës shprehën zemërimin e tyre mbi gjëndjen e përgjithshme në të cilën gjënden duke u shprehur për News 24 dhe duke u ankuar se “jetojnë si në mesjetë”, të izoluar dhe të harruar.   Siç duket, ura e vjetër e fshatit mbi lumin Fan ishte aq e rrezikshme për fshatarët, sa që detyroi At Andrean të bënte diçka në lidhje me atë situatë.  At Andreas veproi, sipas News 24, pasi kërkesat dhe lutjet e vendasve ndaj organeve të shtetit shqiptar për ndërtimin e një ure të re kishin rënë vazhdimisht në veshë të shurdhët.  Megjithëse të mospërfillur dhe të zhgënjyer nga shteti, News 24 raportoi se — falë ndërhyrjes së at Andreas — ata tani kanë urën e re dhe nuk do të detyrohen më të kalojnë lumin mbi urën e vjetër në këmbë me të sëmurët apo të vdekurit mbi shpinë.  News 24 raporton se tashti banorët  e zones nuk do të detyrohen të rrezikojnë më jetën, pasi “falë kontributeve të At Andreas Walterman   fshati ka tashti rrugën automobilistike dhe urën e re.” Media shqiptare ka përmendur edhe në të kaluarën kontributet dhe ndihmat e këtij frati gjerman për zonat më të izoluara të Shqipërisë së veriut të cilat në atë anë, janë të njohura tanimë.  “Ura e Kavlinës është gati”, u shpreh shqip ditën e inaugurimit të saj, frati gjerman. “Gjithashtu rruga në fshat është e hapur.  Qoftë rruga, qoftë ura të jenë si një damar i jetës për ju dhe për zhvilimin e fshatit Kavlinës dhe për dobinë e të gjithëve”, u tha të pranishëmve të zones, At Andrea.  Fshatarët nuk mund të përmbanin kënaqësinë dhe entuziazmin e tyre duke falenderuar At Andrean për këtë vepër të madhe për ta, ndërsa u shprehën se “më në fund edhe për ne tashti po shëndritë dielli”.  Ky në të vërtetë ndërtimi i rrugës dhe i urës duhej të ishte një projekt i shtetit dhe jo i një frati nga Gjermania!

News 24 raportoi se falë përkujdesjes dhe kontributit të At Andreas, fshati Kavlinas nuk do të jetë më i braktisur siç ishte deri tashti, megjithë realitetin e hidhur historik të kësaj zone të shtypur dhe nepërkëmbur.  Banorët e këtij fshati nuk do tu u trembën më ujrave të rrëmbyeshëm të lumit Fan.  Kjo, jo, falë përkujdesjes dhe investimeve të shtetit, por siç raporton edhe  korrespondenti i News 24,  Armir Mehaj,  falë “kontributit dhe shpirtit human të atij (At Andreas) që të varfërit e këtyre anëve i do më shumë se ata për të cilët fatkeqët e Veriut votojnë prej 20 vitesh.”

Ata për të cilët “Fatkeqët e Veriut votojnë prej 20-vtesh, janë bërë pjesë e një politike që nuk shikon as nuk e intereson gjë tjetër veç karriga, mbajta e karrigës me çdo kusht.  Politika, si industri kryesore në vend, është në dorë të një grupi, që Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, para nja dy viteve në Munich të Gjermanisë,  i ka cilësuar si oligarkë, interesat e të cilëve i kanë zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj ekonomik dhe demokratik dhe të cilët kanë helmuar dhe kanë korruptuar klasën politike dhe njëkohsisht edhe median për interes të tyre ekonomik dhe politik. Fatkeqsisht, siç ka thënë At Zef Pllumi, “Shqiptari ende se ka kuptue se politika ashtë shërbim dhe jo fitim”.

 Dishepujt e urdhërit të Shën Françeskut, ose siç u referohen në Malësi si “Fretnit e maleve tona” — shqiptarë dhe të huaj — ata kanë një histori të gjatë në ato anë, në të vërtetë prej shekujsh — përkujdesjeje shpirtërore, materiale dhe kulturore ndaj zonave të Malësisë së Veriut, të cilat janë më të varfërat në Shqipëri.  Akti human i fratit gjerman që flet shqip, është një pasqyrim i mirë i veprimtarisë  fetare dhe i traditës atdhetare i françeskanëve shqiptarë — por edhe të huaj siç është At Andreas — në ato vise të harruara.   Për të mira dhe për të këqia, françeskanët nuk u ndanë kurrë nga ai popull, madje as në periudhat më të vështira të historisë shqiptare. Ata vuajtën me ta, festuan me ta, vajtuan me ta, madje edhe luftuan krah për krah në mbrojtje të trojeve të veta me malësorët e varfër por krenarë — që duket se janë përgjithmonë të lënë pas dore, pa marrë parasyshë regjimet dhe autoritetet qëndrore dhe vendore, përfshirë edhe periudhën post komuniste të 25 viteve fundit.

 Ndërtimi i rrugës dhe i urës në Kavlinë të Pukës është me të vërtetë një akt human,për faktin se është realizuar me kontributin e një prifti gjerman të urdhërit françeskan, të cilin fati e ka sjellur në ato krahina të varfëra.    Por ama njëkohësisht, ndërtimi i urës në Kavlinë të Pukës me ndihmën e një frati gjerman, duhet të shikohet edhe si një dështim i shtetit, i autoriteteve politike të vendit, i përfaqsuesve të atyre krahinave — detyra parimore e të cilëve është kujdesi, siguria dhe mirëqenja e shtetasve që ata përfaqësojnë.  As mos të flasim për vlerat  bazë universale dhe të drejtat e njeriut për popullin e këtyre krahinave të harruara — për dinjitetin njerëzor, për lirinë dhe demokracinë — të cilat të pakën në sipërfaqe duhet të sjellin njëfarë barazie në  zbatimin e ligjit. Të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe të kenë të njëjtat të drejta para ligjit!  Por fhstarët e Kavlinës së Pukës,  janë të kënaqur me pak:  me një urë të re që as ëndërr nuk e kishin parë, siç u shpreh njëri prej tyre, pasi tashti nuk do të detyrohen të mbartin në shpinë të sëmurët dhe të vdekurit mbi urën e vjetër që rrezikonte jetën e tyre. Më në fund edhe për ta “po shëndrit dielli”, falë kontributit dhe punës së një dishepulli të Shën Françeskut!

Filed Under: Analiza Tagged With: deshtimi i shtetit shqiptar, Frank shkreli, Frati Gjerma

HESHTJA E PAPËRLIGJUR

October 5, 2015 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/

Duke lexuar gazetën “Corriere della Sera” të datës 29 shtator, në faqen 44, në rubrikën “Lettere al Corriere”, të mbarështuar nga ish diplomati, studjuesi i historisë dhe politologu i njohur italian Sergio Romano, hasa një argument interesant të trajtuar, më së fundi, thjesht e qartë. Nuk kishte në të atë mjegullnajë që, shpesh, ngatërron fillin e arsyetimeve, duke i ardhur vërdallë një problemi, pa hyrë në thelbin e tij, që me shumë fjalë nuk thohet asgjë. Është kjo një karakteristikë e shumë politikanëve, kudo në botë, por jo rrallë edhe e gazetarëve apo analistëve vështirë të kuptueshëm.

Zakonisht Sergio Romano nuk parapëlqen t’u përgjigjet letrave “të vështira” të lexuesve por, kur e merr përsipër, ka meritën të jetë i sinqertë, duke mos e fshehur mendimin e tij, edhe se mund të jetë i pakicës n’opinion. Argumenti i letrave të dy lexuesve ishte vizita e fundit e Kreut të Vatikanit në Kubë dhe SHBA-ës.

“Kam kuptuar tërthorazi se në Kubë kanë shpënë në shesh ata të një mëndjeje, ndërsa të kundërtit janë lutur njerëzisht të qëndrojnë në shtëpi. Duket gati si ana tjetër e një medaljeje të çuditëshme. Komunistët që hymnizojnë Papën! Dhe pyes veten se përse pasardhësi i Shën Pjetrit nuk ka thënë : më sillni këtu kundërshtarët, mbasi ndoshta zëri i tyre është më i fortë se i imi! Çudí! Ndoshta globalizimi dhe mashtrimi mbretërojnë pa kufizim edhe në Vatikan.”   Firma e shkruesit

Kjo ishte letra e parë që ka një kah të prerë këndvështrimi e paraqet një lloj shqetësimi që shkon duke u shtuar. Është kjo arsyeja që edhe Romano e zgjedh për t’i u përgjigjur. Ja edhe letra tjetër, me një ndryshim të madh nga e para, qoftë si interpretim ngjarjesh, qoftë si mendësi e prirje arsyetimi politik.

“Nuk mund të mos jesh i kënaqur për heqjen e embargos Kubës, të zgjatur bukur shumë 52 vjet e për shkëmbimin e të burgosurvet të ndërsjelltë. Edhe vizita e Papës Françesku dhe takimi i tij me Fidel Kastron i anëshkrohen një kthese paqtuese. Kam vënë re se shumë mjete informacioni nuk kanë mbetur të kënaqur dhe do të kishin mëtuar më shumë nga kubanët. Do të donja që ju të flisnit për marrëveshjet e përfunduara dhe çfarë do të kishin dëshiruar më shumë kundërshtarët e kastristëve.”

              Firma e shkruesit

Ja edhe përgjigja e Sergio Romano-s

OBAMA, KASTRO, FRANCESCO  NJË PAKT TRIPALËSH

Të dashur lexues,

Kur  një gazetar e pyeti Papën se pse nuk priti disidentët në seline e Ambasadës papnore, Françesku u përgjigj se, në atë rrethanë nuk ishte qëllimi i tij të bënte pritje, madje as edhe të një Kryetari Shteti. Do t’i shihte disidentët, ndërmjet besimtarëve të tjerë, n’atë katedrale. Të përkthyera më qartë ato fjalë donin të thonin se Papa, gjatë udhëtimit të tij në Kubë, nuk do t’i jepte hapësirë opozitavet. Hipokrizí ? Oportunizëm ? Apo më thjesht realizëm ? Mbrapa rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet SHBA-s dhe Kubës, ka një shkëmbim. Amerikanët, më së fundi, dalin nga një rrugë pa krye dhe mund të kthehen në Kubë me të gjitha levat politike dhe ekonomike që zotërojnë. Kisha, me gjasë, do të mundet të zgjerojë hapësirat e kufizuara dhe të kontrolluara që ka gëzuar në dhjetëvjetorët e shkuar. Regjimi zyrtarisht njihet si titullar i ligjshëm i pushtetit pra, i vetmi bashkëbisedues i besueshëm për këdo që kërkon të përballojë probleme që lidhen me t’ardhmen e ishullit. Shtetet e Bashkuara kanë një interes të dukshëm të nxisin ndonjë ndryshim thelbësor të regjimit kuban, por me vendosjen e marredhënieve, kanë treguar se nuk mëtojnë t’i detyrojnë vëllezërit Kastro për kohët dhe mënyrat e veprimit.

Nuk është një shkëmbim i keq. Askush në Perëndim dëshëron që kalesa të dalë nga duart e të marrë një prirje revolucionare. Është më mirë që regjimi i Kastros të shuhet për arsye regjistri të gjendjes civile. Disidentëve në këta çaste i leverdis të kenë durim. Të paduruarit nuk do të priteshin as në Uashington, as në Romë.”

Kjo është përgjigja sintetike e mbarështuesit të rubrikës së letrave të gazetës më të madhe italiane. Përgjigja është mjaft e qartë, madje tepër e saktë përsa i përket filozofive politike të dy fuqive të botës së sotme, njëra fetare e morale e tjetra, mbetur e vetme në majë të piramidës së fuqive ekonomike e ushtarake. Nëse Presidenti amerikan nuk paraqet ndonjë të papritur në këtë drejtim, Kryetari i Kishës katolike, me shfaqjen e një pragmatizmi të skajshëm, kryesisht në një drejtim, habit e lë për të dëshiruar.

Që Kuba të dalë nga izolimi ku e ka futur veten mbas dhjetëvjeçarësh eksportimi të teorive e praktikave komuniste në Amerikën Latine e n’Afrikë, është në dobi të saj, por edhe të botës me sa më pak përplasje. Që diktatura kubane të fitojë të drejtën e qytetarisë me nderime në Uashington e Vatikan, është një dukurì që, së paku, le në mëdyshje të gjithë ata që, në këta vite të gjata, nuk kanë miratuar metodat e praktikat e saj. Që ata që vuajnë ende përndjekjet politike në Kubën e vëllezërve Kastro  dhe posterave të Çè Guevarës, të bëjnë durim deri sa të vdesin të gjithë drejtuesit komunistë, pa asnjë shpresë, mbasi askush, as personalitetet më të larta e karizmatike të botës së lirisë, nuk duan të dijnë për ta, është një gjë shumë e hidhur. “Kjo është politika” më tha im bir, kur i dhashë të lexonte përgjigjen e Romanos. Do të shtonja se kjo lloj politike, që nuk mban parasysh dhunën policore mbi kundërshtarët në botkuptim, që nuk ka në ADN e saj kahun e së drejtës, që nuk ze në gojë viktimat e komunizmit të cilat, çuditërisht, mbeten jashtë çdo liste viktimash, për të thënë pak, është një krijesë e cunguar.

Është ajo politikë që ka shoqëruar lodrat tona fëminore, të reduktuara në një top lecke, që ka thyer ëndërrat tona për të studjuar, që na bëri të rriteshim jetimë, mbasi prindërit dergjeshin burgjeve dhe internimeve, që na kishte dënuar të ishim qytetarë të kategorisë së fundit në tokën në të cilën lindëm. Pakicat e flijuara në altarët e shumicave janë një dukuri e zakonëshme, sidomos në shekullin që shkoi. Me rënien e komunizmit,  trajtimi i atyre pjesëve të shoqërisë, të luftuara për vdekje prej tij, me indiferentizmin dhe heshtjen apo, së shumti, me një pasaportë të një të mërguari të thjeshtë, mbetet e vërteta e periudhës së kalesës në ish vëndet komuniste. Dyshimet e kohëve të para mbi vërtetësinë e ndryshimit sa i përket ish të përndjekurvet, u pasuan nga shfaqja e dukurive të hapura që dëshmonin se ata mbeteshin gjithmonë qytetarë të fundit. Përgjigja e Romanos ndihmon në shpjegimin e arsyeve të kësaj të vërtete sepse, siç thotë ai “askush në Perëndim don një prirje revolucionare”. Çuditërisht “prirjet revolucionare” u vishen atyre që kanë vuajtur gjithë jetën si “kundërevolucionarë”! Ndërsa revolucionarët e hershëm janë bërë paqësorë, afaristë, politikanë ithtarë të SHBA-s dhe Evropës, miq të thekur të imperialistëve të dikurshëm edhe se në raftet e tyre fshihen male kufomash. “Duket gati si ana tjetër e një medalje të çuditëshme” shkruan lexuesi.

Parimet bazë të shoqërive të lira, qoftë ata të liberalizmit iluminist, qoftë ata të doktrinës sociale të Kishës katolike, vihen në ngrirje, sepse “marrëveshjet” historike dhe “epokale” kërkojnë pjesën e tyre të flive. E provuam ne, shqiptarët, këtë lloj kompromisi katovician ramizist një çerek shekulli më parë. Po e provojnë sot kubanët të cilëve Obama i u blaton si një fitore historike, jo domosdoshmërinë e të persekutuarvet për t’u kthyer në një jetë normale me të gjitha të drejtat e tyre të shpërblimit moral e material, por një farë “shprese” që lidhet me gjendjen civile të “heronjve” të diktaturës….

Por nëse politika, në tërësi, nuk na befason më me veprimet e saj “të papërceptueshme” për mëndjet e zakonëshme, ngrirja e shpresave të të përndjekurve politikë në Kubë, nëpërmjet një “marrëveshjeje” që mban edhe vulën e Zëdhënësit të Krishtit në tokë, le një hidhësirë në gojë. I akuzuar nga ndonjë gazetar si “komunist” Papa Françesku hedh poshtë  etiketimin, duke vënë në dukje se ai zbaton gjithmonë vetëm doktrinën sociale të Kishës. Para klerit amerikan ai u shpreh : “ Zemra e Papës, e Zëvendësit të atij që mbi kryq  ka përqafuar gjithë njerëzimin, zgjerohet për t’i futur të gjithë.”

Ne nuk dijmë se çfarë ka biseduar kokë më kokë Papa me vëllezërit Kastro, por zyrtarisht ka heshtje për disidentët dhe të përndjekurit e diktaturës. Nga burime zyrtare, jo të shtypit mësohet se ndërhyrja e Papës ka sjellë lirimin e rreth tremijë te dënuarvet politikë. Urojmë që proçesi i filluar të shkojë përpara. Real politika kërkon që të kryhet në heshtje, sepse regjimi nuk dëshëron të pranojë hapur natyrën e tij. Shumë vite më parë kur Nënë Tereza shkoi në Kubë e i kërkoi qeveritarëve të saj lejen për të hapur shtëpi për të varfërit, ata i u përgjigjën se atje nuk kishte të vobekët. Ishte e njëjta përgjigje që mori misionarja shqiptare në atdheun e saj nga zonja Nexhmije.

Tani heshtja ndihmon regjimin të vazhdojë mashtrimet e tij të zakonshme e hedh një pluhur harrese mbi viktimat, të cilat meritojnë një rikthim, me të gjitha të drejtat në shoqërinë kubane. Prandaj është e rëndësishme të flitet, prandaj  ajo heshtje më duket e papërligjur, për më tepër kur e krahasoj me nderimin e dëshmuar haptas, një vit më parë, ndaj martirëve të kishës katolike shqiptare.  Nuk dua të pranoj në vetvete se pakti tripalësh, që shërben si titull i pergjigjes së Romanos, është një e vërtetë e dukëshme, sepse e kam të vështirë si besimtar katolik e si ish viktimë e diktaturës, të pranoj se ai pakt interesash hyn në doktrinën sociale të kishës.

Tetor 2015                                     

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, HESHTJA E PAPËRLIGJUR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 760
  • 761
  • 762
  • 763
  • 764
  • …
  • 986
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pashk Përvathi, poeti i peizazhit, virtuozi i ngjyrave të thella dhe dritës së vezullimtë të natyrës
  • Hormuzi – “Çil e mbyll”
  • Repertori i Mjeshtrit të Këngës Hajro Ceka bashkon Kombin
  • Vetëdija jonë kombëtare…
  • Kontributi për kulturën arbëreshe – thesar edhe për brezat që vijnë
  • “SHQIPËRIA IME”
  • Biodiversiteti në programin filatelik të Kosovës 2026
  • Pedagoge Paola Rrapaj Kraja: “European Piano Academy” një mundësi për fëmijët shqiptarë që duan të zhvillojnë talentin e tyre në muzikë
  • “Historia e shtypit arbëresh nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • Paradoksi i Samitit të Diasporës së Shqipërisë
  • ZËRI QË NUK SHUHET: NË KUJTIM TË LAHUTARIT TË MADH TË MALËSISË SË MADHE, JONUZ DELAJ
  • Po Itaka ime sa larg është?
  • Samiti dhe koha e diasporës si aktor e faktor jo vetëm si dekor…
  • Nga “city upon a hill” tek “America First”: reflektime mbi një kthesë që po trondit botën
  • KOL TROMARA – DREJTUES I FEDERATËS “VATRA”, VEPRIMTAR I DIASPORËS SHQIPTARE DHE FIGURË E RËNDËSISHME E LËVIZJES KOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT