• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rikthim në diplomacinë e karficave

September 2, 2015 by dgreca

Shkruan:Dr. Enver Bytyçi/
Një paraqitje në një televizion serb i kryeministrit tonë dhe kryeministrit të Serbisë më nxiti që të thellohem në analizat e mia rreth politikës së jashtme të Shqipërisë nën sundimin (qeverisjen e dhunshme) të rilindjes. Me herët, para disa muajsh, kam shkruar se diplomacia shqiptare është në kolaps. Duke mos i hequr asnjë presje asaj që kam shkruar atëherë, ngjarjet dhe zhvillimet e mëvonshme, deri më sot, më çojnë në përfundimin se diplomacia shqiptare mund të quhet pa frikë diplomacia e lidhjeve miqësore midis Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç. Për pasojë mund të konsiderohet si poltikë e diplomaci e paternalizmit me institucionet e shtetit të Kosovës. Më tej akoma si diplomaci e mënjanimit të autoritetit, sovranitetit dhe përgjegjësive të politikës shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës e Mal të Zi. Më tej akoma, si diplomaci e shërbimeve të panevojshme ndaj politikave dhe pozicionit të Serbisë në rajon. Dhe në përfundim: Diplomacia shqiptare e sotme i ngjan diplomacisë se viteve të mjaltit në marrëdhëniet midis Shqipërisë së Enver Hoxhës dhe Jugosllavisë së Josiph Broz Titos e Aleksandër Rankoviçit. Madje dhe simbolika është shpallur si e tillë, kur thuhet se pas 70 vitesh kryeministri Rama dhe kryeministri Vuçiç shënuan historinë. Shkurt dhe qartë, diplomacia e sotme e zotit Rama është thjesht rikthimi në diplomacië e karficave të diktatorit komunist në periudhën 1944-1848.
Në parantezë dua të them se nuk ka asgjë të keqe që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë të shkojnë drejt normalitetiti. Por është asimetrike që diplomacia jonë të shndërrohet në një diplomacy ndihmëse e diplomacisë serbe, aq më keq akoma, të vihet në shërbimin e saj. Kjo është e papranueshme në çdo rrethanë. Do të duhej të kishe një eksperiencë familjare ose një dëshmi të këtyre marrëdhënieve në fshatin, krahinën ose rajonin tënd, do të duhej pra të mbartësh një sentiment bazuar në eksperiencën tënde e të brezave, që të merrje vesh për atë çfarë përfaqëson Serbia për ne shqiptarët. Fatkeqësisht ky kryeministër nuk ka patur shansin që të kishte një eksperiencë të tillë. Ai emrin e Serbisë e madje edhe të Kosovës e ka mësuar thjesht nga librat shkollorë. Prandaj ai e zhvillon diplomacinë e shtetit shqiptar me shtetin serb në të njëjtën hulli si edhe diktatori Enver Hoxha . Ai na ka rikthyer te sllogani i “Vëllazërim-Bashkimit”, sllogan që u shërbeu komunistëve serbo-jugosllavë dhe atyre shqiptarë të fundit të Luftës së Dytë Botërore të imponohej me forcë bashkëjetesa e shqiptarëve me serbët në ish-Jugosllavi. Pasojat e këtij imponimi janë tashmë të njohura: Rreth 40 mijë viktima shqiptare u asgjësuan asokohe nga makineria ushtarake serbo-jugosllave në ballafaqimin midis teorisë së “Vllazërim-Bashkimit” komunist dhe përpjekjeve të shqiptarëve nacionalistë e patriotë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Sot kohët kanë ndryshuar. Edi Rama po kërkon që “Vëllazërim – Bashkimin” e shqiptarëve me serbët ta imponojë përmes një paternalizmi, madje përmes injorimit absolut të institucioneve të qeverisjes së Kosovës. Taktikisht zoti Rama veproi me shumë dinakëri. Ngjarjet ne stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes së kombëtareve të Shqipërisë dhe Serbisë më 14 tetor të 2014-ës, si dhe sjellja prej “nacionalisti” e kryeministrit tonë gjatë vizitës së tij “historike” në Beograd disa javë më pas, duket se kanë qenë një inskenim në marrëveshje midis dy shefave të qeverive të të dy vendeve. Në këtë rast kam shkruar se të dy kryeministrat kishin nevojë për mbështetje dhe kredibilitet te bashkkombasit e tyre. Prandaj plasën “bombën” me dronë e ultimatum reciproke të mirëkurdisur dhe mirëplanifikuar nga ekspertë të llojit Baton Haxhiu, me qëllim që Ramës t’i shtohej kredibiliteti në Kosovë e në Luginën e Preshevës, ndërsa Vuçiçit t’i rriteshin kreditet nacionaliste në Serbi.
Sot të krijohet bindja se kjo mënyrë e shfaqjes politike të të dy kryeministrave i ka shërbyer disa qëllimeve bazë:
Së pari. Vuçiç synon që të rritë mbështetjen e BE dhe SHBA-së në ambicjet e vendit të tij për ta penguar ose dëmtuar sa më shumë procesin e stabilizimit të shtetformimit në Kosovë e njëkohësisht të mos pengohet në rrugën e integrimeve europiane. Ai, mbasi udhëhoqi së bashku me Milosheviçin fushatën e shfarosjes së shqiptarëve, është thirrur në diplomacinë e tipit “Mishit ë piqet e helli të mos digjet”, pra Kosovën ta mbajmë të lidhur në çengelat e Beogradit dhe integrimin ta realizojmë sipas programit. Miqësia me Ramën i shërben atij për ta shitur pa pengesa formulën se “Ne nuk kemi asgjë me shqiptarët. Po të kishim diçka të tillë, atëherë nuk do të kishim këto marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë”. Prej këtej për ta bindur Europën se “Serbët janë engjuj, ndërsa shqiptarët në Kosovë janë të pabindur, dmth djajtë, ata që kërkojnë sherr dhe destabilizimin e rajonit”.
Së dyti, parfumi që i jëp Rama kësaj strategjie serbe është më i miri parfum në tregun diplomatik të Beogradit. Zoti Rama duket se këtë parfum e jep me shumë vullnet e dëshirë, madje me shumë përkushtim. Ai është i pari politikan shqiptar që thotë diçka të pavërtetë se Serbia është “më humane se Europa”, nëse kemi parasysh deklaratën e tij lavdëruese për sjelljen e Serbisë ndaj refugjatëve. Kjo është e pavërtetë se një shtet e një vend human, minimumi duhet të ballafaqohet me krimet kundër njerëzimit që ka bërë në të shkuarën e afërt dhe të kërkojë ndjesë për këto krime. Zoti Rama është i pari politikan shqiptar që ushqen iluzionin e humanitetit serb. Për pasojë i jep mundësi liderëve politikë në Beograd që ta shesin pa vështirësi në aspektin ndërkombëtar e të brendshëm tezën mbi “inhumanitetin” e padëshmuar asnjëherë të shqiptarëve.
Një përpjekje e tillë për rehabilitimin e krimeve serbe në ish-Jugosllavi e posaçërisht në Kosovë është e paprecedent për diplomacinë shqiptare. Esat Pashë Topotani kishte kërkuar në kohën e tij ndihmën e Serbisë e të Malit të Zi për uzurpimin e pushtetit në Shqipëri, por nuk kishte shkuar deri te deklarimin e pafajësisë së Serbisë për masakrat e saj të tmerrshme kundër popullsisë shqiptare gjatë viteve 1912-1913. Edi Rama po bën atë që nuk e kishte bërë etaloni i tradhëtisë kombetare shqiptare, sipas përcaktimit të partisë së tij, Esat Pashë Toptani.
Zoti Rama duhet ta dijë se gjatë luftës në Kosovë janë asgjësuar fizikisht rreth 15 mijë shqiptarë dhe janë varrosur thuajse të gjithë në varreza masive, pas masakrave mbi popullatën civile të pambrojtur. Duhet ta dije së rreth 2000 burra, gra e fëmijë shqiptarë të masakruar janë ende pa varr, të pagjetur. Duhet ta dije se rreth 20 mijë gra e vajza të Kosovës janë përdhunuar gjatë kësaj lufte nga paraushtarëjët e Vuçiç. Duhet ta mësojë, nëse nuk e di, se nga 120 mijë banesa dhe objekte publike, 40 mijë janë shkatërruar e djegur plotësisht, ndërkohë që 40 mijë të tjera pjesërisht. Duhet ta dijë se në çdo prag shtëpie ka një ose më shumë varre të hapura. E të gjitha këto i kanë bërë serbët nën komandën e Milosheviçit, krimet e të cilit, si ministër informacioni, i justifikonte kryeministri i sotëm serb, Aleksandër Vuçiç.
Por nga sjellja miqësore e zotit Rama me zotin Vuçiç nuk dallon asnjë rezervë , asnjë ndjenjë reflektimi, aq më pak ndjese sa i përket këtyre krimeve dhe shumë e shumë të tjerave të mëparshme. Krimet serbe e çojnë numrin e viktimave shqiptare në 120 mijë, ndërsa të të dëbuarve nga trojet e veta në 1.200.000, pa përfshirë këtu rreth një milion shqiptarë të dëbuar në pranverën e vitit 1999 e të rikthyer në vendbanimet e tyre. A mundet që një shqiptar, i çfarëdo lloj bindjeje, ideje, përkatësie fetare a krahine, si pushtetar ose jo, si kryepushtetar ose jo, të falë pa asnjë lloj ndjese të kryeministrit serb të gjitha këto krime të tij, të qeverisë e partisë së tij radikale, pra të vendit të tij, ndaj shqiptarëve?! Do të doja që kryeministri i vendit tim të mbronte, në mos bashkkombasit e tij, të vërtetën e pakontestueshme për zhvillimet e në marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve. Nuk justifikohet kjo sjellje politike e diplomatike e kryeministrit tonë as me nevojën për integrime, apo ndonjë zhvillim tjetër. Ndërkohë kurtha në të cilën është mbërthyer kryeministri ynë është me efekte shumëdimensionale. Ja pse ndodh kjo:
Së pari, pas shembjes së komunizmit Shqipëria për herë të parë doli nga qerthulli i politikës dhe diplomacisë izolacioniste dhe rajonale. Dmth, për herë të parë ajo i kërkoi aleatët e saj jashtë Ballkanit, në kontinentin amerikan dhe europian, aty ku ajo e ka vendin e saj të merituar. Ky investim mbi 20 vjeçar duket se po shkon drejt tkurrjes në asimetri totale, ndonëse zotit Rama i pëlqen kur zoti Vuçiç e thërret me tallje si “lider botëror”. Kurse lideri ynë “botëror” po na kthen në kornizën e një diplomacie provinciale të pakuptimtë dhe të palogjikshme. Në mungesë të performancës së lartë në marrëdhëniet me SHBA-të dhe vendet e fuqishme të BE-së, kryeministri shqiptar, i cili nuk jeton dot pa patur vëmendjen e publikut, bën shou dhe biznes diplomatik me Beogradin. Kjo është arsyeja pse Vuçiç shfaqet aq entiziast me “lidershipin” e zotit Rama.
Së dyti, janë bërë dy vite që kur zoti Rama vendosi foton e Ismail Qemalit në zyrën e tij kryeministrore, por ai asnjë vizitë zyrtare nuk ka mundur të realizojë në Uashington. Njëherë që shkoi në Nju Jork për të marrë pjesë ne mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e katranosi në takimin me Lavrov, duke i komunikuar atij projektin e asgjësimit të armëve kimike. Ishte i pari kryeministër shqiptar i cerekshekullit të fundit që takohej kokë më kokë me shefin e diplomacisë ruse. Dhe nuk kishte veçse një muaj që kishte ardhur në pushtet. A ishte ky një sinjal i ndryshimit të linjave të zhvillimit të diplomacisë shqiptare? Ngjarjet dhe zhvillimet e mëpastajme na dëshmojnë se po. Dhe më tej a mund të konsiderohet ky zhvillim si një “rilindje” e diplomacisë shqiptare?! Pa më të voglin dyshim: Po në kahjen negative të tij, çka do të thotë se në diplomacinë tonë zoti Rama riktheu periudhën më të errët të saj në historinë e shtetit shqiptar.
Së treti, para një viti u duk se trajektorja e diplomacisë shqiptare do të zhvendosej nga Uashingtoni në Berlin. Edhe ky ishte një shans më i vogël se aleanca me amerikanët, por gjithësesi mbetej një shans. Tani pas një viti kryeministri ynë i ka shpallur luftë Europës dhe kjo do të thotë se i ka shpallur luftë Merkelit dhe vetë Berlinit, më shumë sesa Brukselit. Para dy vitesh zoti kryeministër tha se “Shqipëria do të kishte zero probleme me fqinjët”. Por përveç Serbisë, asnjë fqinj tjetër nuk ndjehet komod në marrëdhëniet e tij me Edi Ramën. Greqia jo e jo. Por as Maqedonia dhe Turqia e madje drejt pikës zero po shkojnë edhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë.
Së katërti, zhurma e madhe e mbledhjeve të qeverive shqiptare të Tiranës e Prishtinës në kryeqytetin e shqiptarëve, pra në Prizren, mbeti vetëm zhurmë. Dhe kjo gjithashtu në funksion të strategjisë së zbutjes pa kushte të marrëdhënieve me Beogradin. Edi Ramës I duhej në fillim roli i “nacionalistit”, që të përligjte pak më vonë rolin e vërtetë që I kishte përcaktuar vetes ende pa mbërritur në zyrën e kryeministrit. Këtë alibi e kanë kuptuar tashmë politikanët dhe analistët e Prishtinës, por ata ende nuk kanë mundur të shkojnë deri te roli I Baton Haxhiut në këtë histori. Për këtë shkak aleati më i ngushtë i Ramës në Prishtinë, Hashim Thaçi, shprehu hapur pakënaqësinë e tij për raportet diplomatike të kryeministrit shqiptar me kryeministrin e Serbisë, duke denoncuar përpjekjet e tij për paternalizëm ndaj qeverisë dhe institucioneve të Kosovës.
Tani Rama ka ardhur në pikën e fundit, kur nuk e ndjen të arsyeshme as të konsultohet me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën. Madje deri te një ftohje dhe ngrirje e të gjitha marrëdhënieve të bashkëpunimit midis tyre. Para disa vitesh vetë Thaçi, si edhe presidentja Jahjaga e sidomos zonja Edita Tahiri vinin vazhdimisht në Tiranë për t’u konsultuar për projekte të ndryshme, veçmas sa i përket marrëveshjeve me Serbinë. Tani drejtuesit dhe ekspertët e institucioneve të Kosovës janë të detyruar të përballojnë të vetëm peshëm e madhe të nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë flet me Vuçiç edhe në emër të tyre e më së shumti sipas inmteresave të Serbisë. Retorika që bëjnë Rama dhe Vuçiç për njohjen e shtetit të Kosovës është përsëri në funksion të fshehjes së skenarit për rehabilitimin e Serbisë. Eshtë e ditur se Serbia do ta njohë Kosovën, pasi ajo nuk mund ta hapë rrugën e saj për në BE pa njohjen e saj. Por Serbia kërkon rritjen e çmimit për këtë njohje, ndërsa zoti Rama luan rolin e menaxherit të këtij tregu diplomatik të Beogradit.
Nëse diplomacia shqiptare e kontrolluar dhe e manipuluar në të gjitha qelizat e saj nga kryeministri i vendit do të vijojë të zhvillohet në këto konture e sipas kësaj linje, atëherë Shqipëria do të rikthehet në rilindjen e izolimit ose më së shumti të veprimit të saj në rrezen Beograd-Tiranë. Kjo do të ketë vetëm një efekt, rikthimin në kohën kur zonjat e bllokut të ish-diktaturës plotësonin kënaqësitë e tyre estetike me parfumin, karficat, pickatoret dhe kremrat e ardhur nga Beogradi, kohë e cila kujtohet e tregohet me nostalgji ende sot nga pasardhësit e tyre.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Enver Bytyci, e karficave, Rikthim në diplomacinë

Shakaxhinjtë e klasës së ballkanit

September 1, 2015 by dgreca

… *Kanë krijuar shtete të fortë, por që i mbron Nato. Kanë makineri shërbimi për emergjenca civile aq sa i fikin zjarret masive me forca vullnetare. Kanë krijuar një klasë nxënësish hokatarë, ku Orban, Rama apo Aleksandri i Serbisë, ngrenë zërin. Tallen, qeshin. Po qeshin ama. Aq sa i shkulën zorrët e barkut shokëve popull.Tallen me mësuesen Merkel. Po, ia thanë në sy ama. Turp të kesh që nuk na pranon në klasë. Turp!/

*Të ashtuqujtur reformatorë të përjetshëm, Bashkimi Europian nuk është paraqitja gjeografike e Europës. Por thjesht një marrëveshje shtetesh me një listë kriteresh. Askush nuk u ka lënë përjashta./
Nga Ilir Levonja/

Të rejat nga Europa? Në kufirin austriak, nga ana e Hungarisë, Westebanhof rail. Stacion i vjetër treni. Refugjatët me qindra. Ndërrojnë trenat. Vendet më të lakmuara?! Së pari Gjermania. Edhe Austria. Asesi Greqia, Italia apo Spanja. Janë vende të zhytura në krizë ekonomike. Preferohet edhe ishulli britanik. Por Franca ka dyfishuar kontrollet që lidhin Anglinë me pjesën tjetër të kontinentit. Hungaria akuzon Gjermaninë. Populli gjerman ka hapur dyert. Kjo e tundon Hungarinë që hodhi miliona rrota telash me gjëmba. Gjermanët kanë hapur dyert në fakt, më shumë të ngacmuar nga mirësia për popujt që kanë seriozisht probleme të azilantit politik. Dhe
luftës civile në Siri. Të kërcënuarve nga Isis. Nga ana tjetër edhe Austria akuzon , Hungarinë.
Trafikantë rumunë, bullgarë…, gjithfarësoj. Të çojnë ku të duash me ca mijë euro. Mëngjes gushti data 28. Gjëndet në Burgenland një kamion që tashmë quhet i vdekjes. Ose makina e turpit. Jo pak por 71 njerëz. Njëzet e katër orë më pas. Në periferi të Vjenës. Fund gushti, fund fare. Kapet një kamion që e drejtonte një 29 vjeçar nga Rumania. 26 persona gati të mbaruar. Shto edhe tre të vdekur, fëmijë, dy binjake vajza nga pesë vjeç. Dhe një djalë 6 vjeçar. Akoma turp.
Kështu ndihen gjermanët dhe austriakët. Vendet që po përpiqen të përballojnë peshën e fluksit, Të tjera nga Europa. Hungaria. Stacionet, policët u bërtasin turmave. Ata nuk janë qytetarë vendas.
Por refugjatë. Rrugët nga Turqia, Maqedoni apo Greqia janë kthyer në lumenjë. Kalendari i ditës së fundit, i kufirit të Austrisë shënon shifrën 107 000. Angela Merkel, e ashtuqujtura gruaja e hekurt. Ose liderja e Europës, kërkon një tjetër samit më 14 shtator. Duke se marrëveshjes së Shengenit po i vjen fundi. Fluksi vazhdon dhe i gjalli nuk e ka problem të udhëtojë me të vdekurin. Madje të gëzohet se do shtrijë pak më tutje këmbët.
Sa të reja të tjera? Hungaria vazhdon të akuzojë Gjermaninë. Rikthimin e pyetsorit të Shengenit për emigrantët. Për të ndarë njëfarësoj ata hallexhinjë nga lindja e mesme. Me hallexhinjtë e lindjes së afërt. Pasi për vendet e komunitetit, lindja e Europës gjithmonë pohon se i ka plotësuar kushtet. Ka rritur mirëqënien. Ka siguruar që lëvizja e lirë të mbetet e tillë dhe jo të transformohet në fluks refugjatësh. Dhe Merkel i përgjigjet qetë. Thjesht se është krenare për ata qytetarë gjermanë që kanë hapur dyert. Dhe shton se, sa kohë që nuk respektohen marrëveshjet, sigurisht që do u kujtojmë Shengenin.
Duket sikur gjithçka është jashtë kontrollit. Çuditërisht shenja është Gjermania. Vendi që edhe sot e kësaj dite akuzohet dhe i kërkohen reparacionet e luftës së dytë botërore. Nga ana tjetër blloku i lindjes që e mbajti të ndarë këtë vend deri në vjeshtën e vitit 1989. Vazhdon përjetësisht me akuza.
Ose me ankesa. Pa e kuptuar akoma se përse sot, vendi i Hitlerit, i luftës apo i kampeve të shfarosjes. Eshtë aty ku ata duan të jenë. Ku duan dhe mbetën historikisht duke i premtuar popujve të tyre, se do i bëjnë pjesë të komunitetit prej 27 vendesh, atij europian. Akoma nuk duan ta kuptojnë se si një gjerman punon deri në 67 vjeç dhe bejlerët e lindjes flasin për repacione etj.
Akoma nuk duan të kuptojnë se midis asaj që thuhet dhe që bëhet është në mes një det i tërë.Kohët mund të kapen shumë shpejt. Pavarsisht nga memoria që mbush rafte bibliotekash.
Nganjëherë mjafton pak vështrim. Mbi atë që di, mbi atë që ka ikur. Mbi çfarë është thënë. Dhe çfarë po ndodh. E gjitha është një ironi. Megjithatë djemtë e bllokut të lindjes e akuzojnë Gjermaninë se i po i lë jashtë ata. Po ndan Europën. Kjo është padrejtësi. Dhe informalitet.
Djemtë e lindjes, vrapojnë të vendosin intervista nëpër muret e fb dhe twitter. Me gishtin kërcënues. Madje e akuzojnë për turp. E akuzojnë për padrejtësi. Dhe kënaqen me brohorimat e ndjekësve duke numëruar numrin e shikuesve. Madje duke paguar edhe ndoca dhjetra vetë që të shkruajnë për bravon që u tha në sy europianëve. Ndërsa po kështu edhe analistë politikë pranë tyre, tjerrin ditën me parashikime dhe mëkatin e Gjermanisë me refuzimin e vazhdueshëm për mos bërjen e detyrave të shtëpisë. Për një ndarje të qëllimtë të Europës, derisa lindja është pjesë e saj.
Nga ana tjetër…, Gjermania e nazizmit i kërkoi ndjesë njerëzimit, i pagoi reparacionet. Dhe sot po përpiqet deri në pamundësi. Të mbulojë turpe si ai i kamionëve të vdekjes që vinë nga Hungaria dhe Rumania. Njohu krimet brenda vetes dhe demonstroi vullnet civil në dënimin e tyre. Në mbajtjen larg të personave të inkriminuar me reformat. Ndërtimin e një ekonomie formale dhe jo informale. Dhe lufton pa kompromis korrupsionin etj.
Nga ana tjetër janë vendet e lindjes, akuzatorët, ata që kanë për arritje këto. Nuk kanë kërkuar akoma falje për luftën e klasave. Që ishte më e ashpër dhe brutale se ajo e Hitlerit. Nuk kanë paguar asnjë dëm reparacioni. Madje i kanë shtatëherë pronësuar, ripronësuar. Dhe kanë bërë reforma agrare të diktaturës, në emër të reformave të demokracisë. Ka shpikur dhe shpikin përditë investitorë partish, nga fondet borxhe. Dhe kanë aktualisht persona fiktivë të liçensuar gati mbi 60% të popujve nga vinë. Janë kthyer në kantiere të hashashit, marihuanës dhe trafikut të qënieve njerëzore. Kanë temperaturën politike antinjerëzore, prej 80 gradësh, sa nuk e kanë për gjë të vriten në emër kryetarit të partisë. Kanë nxjerrë diplomantë më shumicë malesh zhavori, me vrullin e reformave të denigrimit. Gjen kaq shumë juristë, sa kur i pyet se për çfarë kanë mbaruar të thonë, korrespodencë në vend të jurispudencës. Mburren për treg të përbashkët energjitik, kur disa prodhojnë energji akoma me praktikën e diktaturës. Që vazhdon të mundësojë ngrohjen globale. Përshembull Serbia, apo Greqia me qymyr dhe gaz. Apo Shqipëria jonë që pretendon se mundëson plotësisht vendin e saj përmes digave të hidroncetraleve. Në fakt prodhon dhe mbulon 70% nëse do i shfrytëzojë plotësisht. Kur faktikisht operon një treg deri në 40% të vlerës reale. Për shkak të vjedhjes, korrupsionit dhe çmimit të lartë. Ndërsa në kohë fatkeqësish natyrore, si përmbytjet, i shkaktojnë vendit dëme të atilla që e shumzon me zore atë 40% kryeneç. Pra ato që të jep për tre vjet, kjo energjia e ujit, t’i merr për tre orë shi. Çfarë reformash të tjera? Kanë krijuar shtete të fortë, por që i mbron Nato. Kanë makineri shërbimi për emergjenca civile aq sa i fikin zjarret masive me forca vullnetare. Kanë krijuar një klasë nxënësish hokatarë, ku Orban, Rama apo Aleksandri i Serbisë, ngrenë zërin. Tallen, qeshin. Po qeshin ama. Aq sa i shkulën zorrët e barkut shokëve popull.Tallen me mësuesen Merkel. Po, ia thanë në sy ama. Turp të kesh që nuk na pranon në klasë. Turp!
Të ashtuqujtur reformatorë të përjetshëm, Bashkimi Europian nuk është paraqitja gjeografike e Europës. Por thjesht një marrëveshje shtetesh me një listë kriteresh. Askush nuk u ka lënë përjashta.

Filed Under: Analiza Tagged With: e klasës, Ilir Levonja, së ballkanit, Shakaxhinjtë

Marrëveshja për Asociacionin dhe Planifikimi Hapësinor i Kosovës

August 31, 2015 by dgreca

Shkruan: arch. Ylber Vokshi -Ylli/
Me vite të tëra,me të drejtë është kërkuar nga vendimmarrësit kosovar të trajtohet seriozisht problematika e Planifikimit Hapësinorë në tërë territorin e Kosovës. Ajo është nënçmuar,neglizhuar,është shpërfillur në ekstrem,edhe se ishte formuar një Ministri (MMPH) e cila si veprimtari parësore,pos mjedisit,duhej të merrej me planifikimin e territorit të Kosovës,si një nga objektivat ma të rëndësishme në funksionimin normal të një shteti. Zhvillimi hapësinor i territorit duhej të vazhdonte me krijimin e Politikave hapësinore të cilat duhej materializuar me Planifikimin Hapësinor, dhe me instrumentet e tija të definuar me përpilimin e Dokumenteve Hapësinore.
Niveli lokal (Komunat) e kanë vendin e vetë të definuar,përgjegjësitë dhe obligimet shumë mirë të precizuara në ligjet aktuale që e mbulojnë këtë fushë (Ligji nr. 04/l-174 për Planifikimin Hapësinor).E si u veprua në këto gjashtëmbëdhjetë (16) vite tregon realiteti i zymtë i Kosovës. Nga ana jonë,me fajin tonë u sabotu-neglizhua funksionimi i tërë territorit të Kosovës në aspektin hapësinor dhe urban,përfshirë edhe veriun ku MMPH e kishte zyrën regjionale me përfaqësimin e minoritetit serb. E sot bëjmë marrëveshje për fushën e “planifikimit urban dhe rural” edhe se është evidente, me pasoja afatgjate për një jetë të dinjitetshme urbane dhe rurale,që kjo popullatë e ka merituar pos shumë shekujve trusni.
Kështu nuk u veprua në vitet e pas luftës,u bënë keqpërdorime të mëdha me hapësirën e saj në zonat urbane dhe rurale,posaçërisht sot janë evidente veprimet e pa kontrolluara në zonat urbane të vendbanimeve kryesore, me Prishtinën si prijësëtare të degradimeve të mëdha. Sot po merremi me sanimin-korrigjimin e një pjese të pasojave të mëdha të ndërlidhura me legalizimin e ndërtimeve pa leje,proces të cilin disa po dëshirojnë ta tregojnë si “sukses” të tyre. Ku ishte zhvillimi urban dhe rural i vendbanimeve tona,të cilat askush nga vendimmarrësit kosovar nuk e përfillën me vite të tëra,gjatë tërë këtyre viteve u punua me inercion,duke plotësuar vetëm interesat regjionale,partiake,klanore apo individuale. Pasojat e veprimeve të tilla me hapësirën tonë janë shumë ma komplekse dhe do ta përcjellin ketë shoqëri në dekadat e ardhshme. Veprimeve tona të pa kontrolluara do ta paguajnë gjeneratat e ardhshme, si është edhe rasti i fundit me Marrëveshjen për Asociacionin/ Bashkësinë e komunave me shumicë serbe të Kosovës,që është fryt-rezultat i mos punës tonë kronike,në fushën e planifikimit urban dhe rural.
Ka shumë çështje kontestuese dhe të rrezikshme në ketë dokument kompleks. Por unë do të parashtroi disa pyetje-dilema që lindin vetvetiu nga formulimet nga kjo marrëveshje,vetëm për fushën e Planifikimit Hapësinor të cekura në pikën e). Çka do të thotë formulimi i çuditshëm dhe i pa qartë në Marrëveshjen … i apostrofuar në pikën rendore 4 të objektivave nën e) “ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rurale”,apo në versionin anglisht “e) “Exercise full overview to coordinate urban and rural planning”. Cilin qëllim e ka kjo terminologji që ka mundësi të interpretohet sipas dëshirës së palëve në marrëveshje. Përse nuk është përdorur terminologjia e cila është e përfshirë në ligjet dhe dokumentet hapësinore aktuale të Kosovës,ku këto komuna janë pjesë e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës. Përse në fushën e planifikimit urban dhe rural,mbikëqyrja i delegohet Asociacionit kur ato përgjegjësi i kanë Komunat me Ministrin e Planifikimit Hapësinor,çka po fshihet pas kësaj,se shpejti do të vërehet kur do të fillon implementimi i kësaj marrëveshje në teren,pas hartimit të Statutit të saj.
Ç’kuptim ka pika l) ku theksohet së” bën monitorimin kur kërkohet për zbatimin e objektivave të tij”. Kjo është kompetencë ekskluzive e nivelit qendror (MMPH) e cila një-herit garanton dhe siguron funksionimin e tërë tërësisë territoriale të shtetit të Kosovës.
Apo në fazat e ardhshme të zhvillimeve politike,gjegjësisht të hartimit të Statutit të Asociacionit/Bashkësisë si dhe zbatimit të tij,do të definohen këto “pa qartësi” të qëllimshme. Do të jetë kjo një sfidë e madhe për Qeverinë dhe Gjykatën Kushtetuese të shtetit të Kosovës. Tek atëherë do të shpalosën të gjitha prapaskenat e një marrëveshje të tillë,e cila në këtë fushë as që ka pasur nevojë të potencohet në ketë dokument. Ligjeslacioni aktual i përfshin të gjitha elementet qenësore,të bazuara në normat dhe standardet ndërkombëtare,ku pushteti lokal ka autorizime të mëdha në fushën e Planifikimit Hapësinor dhe Urban në tërë territorin e komunës përkatëse.
Për profesionistët e vërtetë pika e) e objektivave qartë shihet si një çështje me prapavijë tërësisht politike,me mundësi interpretimesh të ndryshme e të dyshimta, pa marr në konsideratë konsekuencat e pritura,të mundshme dhe reale! Do të kenë pasoja të pa riparueshme në ruajtjen dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Kosovës.
E para herë në jetën time profesionale,do të kisha dëshirë të gaboi në qëndrimet e mija lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin/ Bashkësinë e komunave me shumicë serbe të Kosovës,por… Koha së shpejti do ta vërtetoi këtë.
Prishtinë
arch. Ylber Vokshi -Ylli
31.08.2015 arkitekt i pavarur
ylberv@gmail.com

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Planifikimi, Hapësinor i Kosovës, Marreveshja per asociacionin, Ylber Ylli

ZGEDHJET E HUMBURA TE 21 QERSHORIT 2015 DHE JUSTIFIKIMI I PAJUSTIFIKUSHEM PER HUMBJEN E QERSHORIT 2013

August 31, 2015 by dgreca

Ne rast se te perndjekurit politike dhe pronaret e vertete nuk do te shohin nje rivlersim te tyre si mbeshtetsit kryesore te PD si lider e se djathtes atehere diskutimet per krijimin e nje fronti te Djathte me te perndjekurit .pronaret, partite e djatha tradicionale dhe me te gjithe ata qe do te gjejne veten ne kete front te djathte, do te behet realitet./
NGA SIMON MIRAKAJ/
Une nuk marr persiper rolin e analistit por do jap mendimin tim si nje kontribues prej cerek shekulli I se djathtes kryesuar nga PD. Ky eshte kendeveshtrimi im per keto zgjedhje.
1.Humbja e zgjedhjeve te 21 Qershorit sipas mendimit tim i ka rrenjet te humbja e zgjedhjeve te Qershorit te 2013. Kesaje humbje te thelle pavarsisht difekteve apo blerjes se votes, qe u justifikua humbja, nuk u be nje analize per te gjetur shkaqet U mjaftua duke thene se fajtore ishin drejtoret me arrogancen e tyre .Mendoj se ishte nje justifikim i pa justifikushem.
2.Deshtimi i zgjedhjeve te 21 Qershorit sipas mendimit tim eshte firmose ne menyre indirekte me bojkotin qe ju be pjesemarrjes ne parlament kur maxhoranca paraqiti para parlamentit variantin e saj per ndarjen territoriale. Ketu ka dy qendrime te PD qe bien ne kundershim me njera tjetren.Ne njeren ane bojkoton e nuk paraqet alternative si opozite e ne anen tjeter merr pjese ne zgjedhje . Pjesemarria ne zgjedhje ligjeroi alternativen e maxhorances.Nje politikan i mire thote CHURCHILL parashikon ate qe do te ndodhe sot,neser,pase nje muaj,e pase nje viti e ka kurajon te thote pse nuk ndodhi. As nje maxhorance nuk harton ligje per opoziten por harton ligje kryesisht per te realizuar programin e saj .Shkak tjeter mendoj eshte dhe perzgjedhja e individeve per kryebashkiak,le te ndalemi te rasti i Durresit. U diskutua se i vetemi qe mund te fitoje ne Durres ishte z.Duka,nje biznesmen i sukseseshem,nje njeri me reputacion I cili merrte vota majtas e djathtas mbasi ka qene dhe nje sportist i mire. Ky nuk u perzgjodh megjithese i kishte te gjitha mundesite per te fituar Bashkine e Durrsit .U perzgjodh zj Duma,nje zonje nga Tirana perzgjidhet per Kryebashkiake ne Durres a thua se e djathta Durrsake spaska intelektual per te hyre ne gare per bashkine e Durresit . Po keshtu u humben bastionet e djathta si Kavaja ,Kurbini, Shijaku, Kruja, Dibra, Kelcyra.etj . Nuk mundet te justifikohet humbja duke na thene se na i vodhen votat .Gabime u be dhe ne perzgjedhjen e anetarve per keshillin bashkiak. Sipase mendimit tim u perzgjodhen jo sipase kontributeve por sipase miqesive. E them kete se nuk munde te vendoset ne liste i 53 Bislim Ahmeti, I cili eshte kryetari i levizjes studentore nendori 90 dhe nje nder themelusit e PD, apo Murat Basha .Asnje I perndjekur nuk ishte ne liste si fitues vetem si plotesues .Ne raste se do i qendrojme ketij arsyetimi atehere ne po pregatisim dhe humbjen ne 2017 se ata pra perseri do na i vjedhin votat. Mendoj se zgjedhjet u humben edhe per nje shkak tjeter te mos funksionimit te aleances se djathte, duke u larguar si PL, PBK, PDK etj. Po kujtoj me kete raste dhe nje thenje te Konices ne mos gabohem, se te bashkuar e pamundura behet e mundur, ndersa te ndare e mundura behet e pa mundur.Dhe ashtu sic tha dhe Lideri historik i kesaj partie z.Berisha,duhet nje analize e thelle e sinqerte. Une kam thene dhe po e perseris se PD duhet te beje nje riformatim te ri te drejtuseve qendror. Ne drejtime te PD duhet te jene njerez me experience politike ,per ta ngritur ne pjedestalin qe meriton. Mendoje se edhe me rindertimin e strukturave u gabua. Jane ato struktura qe e cuan PD te qeverise vendin per 14 vjet. Pra,Kryetare ,dy nen kryetare e sekretare i pergjithshem.Ne kryesi te ishte nje perfaqesues i pronarve i propozuar nga pronaret po keshtu dhe nje perfaqesuesi te perndjekurve i propozuar nga ata e nje nga dhjetoristet i propozuar prej tyre.,nje prej pensionisteve i propozuar po prej tyre.
3.E Djathta ka te gjithe potencialin e nevojshem politik ,per te dale fituse ne zgjedhjet e 2017 .Duhet te kemi parasysh se zgjedhjet nuk fitohen pse duam ne. Ato fitohen nese gjejme njerzit e duhur, nxirren gabimet e humbjes mbase nje analize te thelle dhe tjetra mendoj une motivimi I njerzve. Ne mendoj deri tani nuk kemi nje ekip qe te con drejt fitores.Ka nje koncept te gabuar per mendimin tim zevendesimi i ekipit me te rinj. Apsolutisht nuk jam kundra te rinjeve se kjo do ishte nje marrezi. Ne nje skuader futbolli trajneri alternon te vjetrit me te rijte. Ndersa kur ben nje zevendesim total me te rij, ai ekip behet fitues mbas nje apo dy dekadash. Per mendimin tim numeri dy i partise eshte pa pervojen e nevojshme politike per te qene numeri dy i nje partie sic eshte PD .Ai mund te behet i afte si drejtues partie mbasi te kete fituar eksperiencen e nevojshme. z.Selami mund te ishte njeriu i duhur ne ate post, Alibej, Patozi. .z.Basha mendoj duhet te therrase te gjithe, te degjoje dhe zerin kundra brenda PD .Nuk mund te lihen jashte vlera te tilla si ,Mark Marku,Selami Xhepa, Enkeled Alibeja,Rusmaili ,Pernaska ,Hoti, Hoxha, Xhaferri, Maliqi, Beja,Juka ,Paluca,Karapici ,Meksi,Brojka.Kroqi,Musaraj, Ibra ,.etj.Mendoje se z.Basha duhet te marre nje takim me intelektuale te PD e te se djathtes. Te marre mendimet e tyre per hartimin e nje strategjie qe te con drejt fitores ne zgjedhjet e ardheshme. Vetem te bashkuar e pamundura behet e mundur. E te gjithe duhet te mbeshtesim z.Basha per te shkuar drejt fitores ne 2017. z.Basha senatoret apo te vjetrit ne thojza jane pasuri te pa zevendesushme.
Per mendimin tim Kryetaret kane dhene maksimumin. Por u gabua me indvidet, pra me perzgjedhjen e kandidateve.Duhet te heqim dore nga zgjedhja e kandidateve nga mardhenjet miqesore.Kandidati duhe te perzgjidhet nga baza.,nga antaresia…
4. Nga partite e vogela mendoje jane dy ato qe qene te sukseseshme.LSI,PDIU. Kur je ne qeveri sigurisht qe fillojne rrjedhjet. Mua me teper me shqeteson humbja e qendres se djathte. Mendoje se PD e lideri i saj duhet te jene me afer te perndjekurve politik,e pronarve. Si dy shtresat kryesore te mbeshtetjes se saj. Ajo nuk duhet ti shikoje vetem si prodhues votash por edhe perfitues prej ketyre votave,kete nuk e them per aspektin ekonomik .Nuk mund te mohohen perpjekjet e vazhdushme per integrimin e tyre,vemendje me shume ne prezencen e ketyre shtresave ne vendim marrjet politike.
5.Per arritjet e nje qeverie barometri eshte populli. Them duke marre parasysh eksodin qe po ndodh mbas nje cerek shekulli, se qeveria nuk eshte ne drejtimin e duhur. Nuk besoj se ka njerez qe largohen nga vendi tyre me deshiren per tu larguar, jo atyre ju eshte vrare shpresa.Mendoj se pergjegjesia me e madhe i bie qeverise. Ka digastere qe nuk kane funksionuar ne lartesin e duhur.Mbase freskimit duhet nje rifreskim i disa digastereve qe vete kryeministri e din rezultatin e tyre.
6.Qeveria ka bere nje hap perpara me demshperblimin.Duke e njohur ligjin e demshperblimit e duke e vazhduar ate . Qeveria i ka dhene prioritet te burgosurve qe jane gjalle,mire po ne njeren ane vazhdon demshperblimin e ne anen tjeter ka bere shume largime nga puna te kesaje shtrese,me e zelleshme ne kete drejtim eshte treguar LSI. Qeveria duhet te nxjerre nje vendim sa me pare per dosjet e prapambetura jashte afatit qe situata te mos agravoje. Duhet te pershpejtoje dhe dhenjen e kesteve per trashigimtaret.
7.Per sa i perket reformes ne drejtesi une jam pesimist. Drejtesia mendoj se ka nevoje per te gjetur njerzit e duhur se ligjet jane. Sigurisht qe ka nevoje per reforme,e kjo arrihet duke marre pjese te gjitha palet,edhe shoqeria civile.Por reforme nuk mund ta bejne ata qe hartuan ligjet e diktatures, qe moren mijra jete njerzish,qe shkatrruan Kisha , Xhamia,Teqe e i kethyen ne stalla. Nuk munde te jene pjese e reformes ata qe hartuan kushtetuten e 76.qe ashpersoi luften e klasave qe shkaterroi ekonomine e vendit, qe mbushi burgjet e qe ekzekutoi qindra te pa fajshem .Mendoj se reforma per drejtesi nuk ka nevoje per shkaktaret e padrejtesise.
Ne rast se te perndjekurit politike dhe pronaret e vertete nuk do te shohin nje rivlersim te tyre si mbeshtetsit kryesore te PD si lider e se djathtes atehere diskutimet per krijimin e nje fronti te Djathte me te perndjekurit .pronaret, partite e djatha tradicionale dhe me te gjithe ata qe do te gjejne veten ne kete front te djathte, do te behet realitet.

Filed Under: Analiza Tagged With: 21 qershor, humbja e qershorit 2013, Simon Mirakaj, zgjedhjet e humbura

Pa varr edhe themeluesi i qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori; monument jo e jo!

August 31, 2015 by dgreca

Nga Vepror HASANI & Raimonda MOISIU
Pas lajmit të dy ditëve më parë për prishje të varreve të gjyshërve të vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, ia vlen të veçohet dhe fakti se pa varr është dhe themeluesi i Korçës, Iljaz bej Mirahori. Pra, as varr as ndonjë monument, siç e ka fjala vjen Themistokliu i pushkës dhe i penës.
SAHATI
Shumë vite më parë, eshtrat e tij preheshin në një varr me shtrat në tyrben pranë Xhamisë së Madhe të Korçës, në pjesën e pasme të saj. Aty ndodheshin edhe varret e dy djemve të tij, Mehmet beut dhe djalit të vogël Sefer shah beut. Pranë të shoqit (Iljaz bej Mirahorit) qëndronte edhe gruaja e tij, e cila ishte bijë e sulltan Mehmetit II. Në hajatin e tyrbes ishte varrosur gruaja e dytë e Mirahorit dhe shërbyesja. Tashmë, që prej një shekulli nuk gjendet më asnjë gjurmë e gjashtë varreve të përmendura më sipër.
Varret u shkatërruan nga ushtria greke, e cila hyri në Korçë më 7 dhjetor 1912 dhe qëndroi aty deri më 22 tetor 1916, kur u përzunë nga francezët. Gjatë kësaj kohe grekët plaçkitën pronat dhe pasuritë e myslimaneve, pazarin që ishte pronë e tyre dhe grabitën gjithë floririn e qytetit. Plaçkitja përshkruhet me detaje nga Petro Harrizi te libri i tij “Historia kronografike e Korçës”.
Iljaz bej Mirahori njihej si njeri me pasuri të përmasave të mëdha. Pronat e tij gjendeshin gjithandej: në Korçë, në Kolonjë, në Përmet, në Janinë ku kishte punuar si sanxhakbej e gjetkë. Në Kostandinopojë pronat e tij nuk kishin të numëruar: dyqanet, shtëpitë, ujësjellësat, hamamet ishin të shumta, veçanërisht në lagjen “Ivlanka”. Në trashëgimin e tij pasurore bënin pjesë edhe një sërë shkollash të ndërtuara për djem dhe vajza. Kjo ishte edhe një nga arsyet që nxiti grekët për të kërkuar flori edhe në eshtrat e të vdekurve, por jo e vetmja arsye, ata synonin zhdukjen e çdo shenje që tregonte se qyteti i Korçës u ndërtua nga myslimanët dhe banohej prej tyre.

PAMJE

Iljaz bej Mirahori pati tre djem: Mehmet beun, Sefer shah beun dhe Muhamet beun, i cili u vra në një nga betejat në afërsi Bagdatit. Vajzat e tij ishin: Fatimeja, Shoh-Hatun, Aishja, Hondi dhe Hatixheja. Dy vajzat e fundit i kishte me gruan e dytë. Kishte gjithashtu një shërbëtore turkeshë, një skllave të quajtur Hurshide Abdullah dhe disa skllevër, të cilëve më pas u dha lirinë as qëndrimit për një kohë të gjatë në Turqi, u kthye sërish në atdhe me ëndrrën për të ngritur një qytet të madh dhe të bukur, por që të braktiste Turqinë iu desh të linte peng te sulltan Bajaziti II djalin e madh, Muhametin, i cili do të vritej në Bagdat. Më 1486 nisi ndërtimin e xhamisë së Madhe dhe të qytetit. U ndërtuan dyqane, lokale, hane, hamame, etj. Gjithashtu u ndërtua edhe një shkollë (e para në Shqipëri) për vajza dhe djem. Nisi të konturohej edhe pazari, i cili do ta bënte Korçën qytet të famshëm. U ngritën menca për të varfërit. Mirahori dha urdhër: “Të gatuhet dy herë në ditë, në drekë e në darkë. Do të gatuhet çorbë gruri dhe orizi, por edhe gjellë të tjera, dhe do të hajë kushdo që do të jetë i pranishëm në kohën e bukës, i vobektë, pasanik, i varfër, i huaj, udhëtar apo banues, fëmijët e studentëve e të tjerë. Kushdo qoftë, ç’kado që të hanë, e kanë hallall e t’u bëjë mirë”.

XHAMIANë Xhaminë e Madhe të Korçës për shumë kohë u ruajt një këmishë prej teli hekuri të rrahur, e cila mund të rëndonte gjer në 10 okë, që mesa duket Mirahori e kishte përdorur gjatë luftimeve në Turqi, shkruan Nuçi Naçi, te libri i tij, “Korça dhe katundet perqark”, gjithashtu një shkop i gjatë e me dobec në fund, sepse siç thonë ia kish ënda shumë bujqësinë, një anteri e bardhë e linjtë e me gajtanë të mëndafshtë, shumë e gjerë dhe e gjatë, gjë që na tregon se ka qenë shtatmadh, dy riza, me të cilat fshihej, të qëndisura me mëndafsh dhe një krehër i brinjtë, me të cilin krihej. Krehri, meqë i ka dhëmbët të rrallë e të trashë, na tregon se do ta ketë patur perçen të gjatë, shkruan Naçi, ndërsa shton se ka patur edhe një palë tespie të zeza, të shkuara në një gjalmë të mëndafshtë, tri lugë, që një nga këto është e brinjtë, ndërsa dy të tjerat të drunjta e të qëndisura me tel shumë të gjerë. Ka qenë njeri me shtat të madh sikundër na tregojnë rrobat e tij, por edhe shkopi, i cili ishte i gjatë afro tre kute të sotme”, përfundon Naçi. Sot nuk gjendet asnjë shenjë e tyre e relikteve te tij, Për datëlindjen e Mirahorit jepen data të ndryshme, ashtu sikurse edhe për vdekjen. Sipas Rustem Myteveliut, Mirahori lindi në vitin 1408 në fshatin Panarit të Kolonjës. Kur ishte rreth 14 vjeç. Babai i tij, siç shkruan vetë Mirahori në testament, quhej Abdullah. Iljazi u mor peng nga sultan Murat II. Fal aftësive të tij fitoi një sërë titujsh: Iljaz bej, Iliaz bej Mirahor, Mirahor Evel që do të thotë Mirahor i parë, ose gjeneral i parë i kalorësisë, dhe Khoxha Mirahor, titull që iu dha nga vetë sulltani dhe që ka kuptimin “i madh” dhe “i nderuar”. Siç shpjegon Sami Frashëri te “Kamus-ul alam”, (fq 1028), “Mirahori, kishte qenë pedagogu i preferuar i Sulltan Bajazitit II”. Sipas Nuçi Naçit, Mirahori vdiq në vitin 1500, sipas Sami Frashërit në vitin 1501, ndërsa sipas studiuesit Nedai Thëllimi në vitin 1512. Për Mytevelinjtë, Mirahori jetoi një shekull.Mirahori është themeluesi i qytetit të Korçës, por pa varr në qytetin që e themeloi vetë.

Korçë: prishen varret e gjyshërve të vëllezërve Frashëri

IMG_20150824_152827 (1)
Varret e gjyshërve të vëllezërve Frashëri, (Abdylit, Naimit dhe Samiut) nuk ekzistojnë më. Deri në fillim të gushtit këto varre gjendeshin në oborrin e xhamisë së themeluesit të qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori, pasi ata që preheshin aty ishin në të njëjtën kohë ishin edhe pasardhës së Mirahorëve. Por ja që një fadromë që punonte për rikonstruksionin e territorit para xhamis, bëri që eshtrat të dalin mbi sipërfaqe. Sigurisht të dëmtuara. Megjithatë puna nuk u ndal.

Që eshtrat e gjyshërve të vëllezërve Frashëri preheshin pikërisht aty, na u konfirmua prej Besnik Myteveliut, pinjoll i familjeve që krijuan qytetin. Madje këta të fundit, përveç se kanë filluar të ndihen të alarmuar nga gjithë ajo që ndodhi, nuk arrijnë të kuptojnë dot përse nuk u ndal puna që nga çasti kur eshtrat nisën të dilnin mbi sipërfaqen e tokës.

VARRET 2

Njerëz që u ndodhën aty, pohuan se numri i varreve të prishura mund të ishte 20 apo 30. Gjithë sheshi u mbush me skelete të vdekurish. Megjithatë askush nuk mund të thotë me siguri sa ishte numri i varreve të prishura. Për të zbardhur sadopak këtë ngjarje tejet dëshpëruese, familja Myteveli kërkoi ndihmën e portalit “tesheshi.com” me qëllim zbardhjen sadop pak të kësaj ngjarjeje, por që realisht nuk ishte e lehtë.

Organet kompetente nuk flasin

Mëngjesin e ditës së hënës, u interesuam posaçërisht për këtë ngjarje në Komisariatin e Policisë së Korçës për të mësuar sa ishte numri i varreve të prishura, çfarë po bëhej konkretisht me eshtrat e dëmtuara, si do të evidentoheshin eshtrat që u përkasin gjyshërve të vëllezërve Frashëri, deri ku kishin shkuar hetimet etj., por drejtuesit e Komisariatit na thanë se duhet të interesoheshim pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë, por edhe atje, për të njëjtat pyetje, nuk morëm asnjë përgjigje, duke u justifikuar me faktin se çështja i kishte kaluar Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Korçë.

Për këtë arsye, Besnik Myteveliu, si palë e dëmtuar, u paraqit në Prokurori për të mësuar mbi hetimet që po kryheshin, por edhe Prokuroria nuk u tregua e gatshme të jepte ndonjë shpjegim. Deri më tani gjithçka po mbahet në heshtje të plotë. Ajo që dihet ka të bëjë me faktin se eshtrat e gjyshërve të vëllezërve Frashëri u nxorën nga varret.

Familja Frashëri

Dri më sot shumëkush njeh vetëm tre vëllezërit Frashëri, por në të vërtetë Emineja me Halitin patën një sërë fëmijësh çupa dhe djem. Haliti u martua me Emine Mirahorin, stermbesen e Iljaz bej Mirahorit nga Korça. Patën 6 djem dhe 2 vajza:

1- Abdylin (1839-1892), u martua me Ballkëzin, vajzën e Ibrahim Laçit

2- Nafisenë (1841-1894), u martua me Halim Bej Permetin, nuk lanë fëmijë ????

3- Sherifin (1843-1874), u martua me Hatixhenë (Hatçenë)

4- Naimin (1846-1900), u martua me Hatixhenë (Hatçenë), pas vdekjes së Sherifit

5- Shanishanë (1848-1871), u martua në Elbasan, lanë djale Vasfi Pashën në Stamboll (1870-1931) Ai la vajzën Lejla (1910) dhe djalin Ohran (1911). Ohrani la një vajzë, Samira

6- Saminë (1850-1904), u martua me Ballkëzen, pas vdekjes së Abdylit

7- Tahsimin (1853-1876), vdiq i ri, student

8- Mehmetin (1856-1918)

Vepror HASANI/Raimonda MOISIU

Filed Under: Analiza Tagged With: i qytetit te Korces, Iljaz bej Mirahori, Pa varr themeluesi, Raimonda Moisiu, Vepror Hasani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 758
  • 759
  • 760
  • 761
  • 762
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT