• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PUTIN PO BIE NE KURTHIN QE I NGRITI VETES

August 22, 2015 by dgreca

Shkruan:Brian Whitmore/
Perktheu Gjon Kadeli/
Javen qe kaloi Rusia kerkoi te drejte te vecante ekonomike, per afro 660 mije kilometra katrore te Detit Arktik. Per kete qellim ajo perdori nji metode(menyre) shume krijuese, ne interpretimin e ligjit nderkombetar.Ky ishte nji veprim, qe e bane njeriun te kruje kryet, apo te cuditet.
Asht e vertete, se ajo zone asht e randsishme, sepse ka rezerva te pa shfrytzueme, te landeve djegese, si edhe te vijave te lundrimit, qe do te hapen, kur te shkrihet akulli ne zonen e Arktikut. Por, Kjo kerkese, sigurisht, ma ne fund, do te hidhet poshte nga Kombet e Bashkueme.
Me gjithe kete, kjo gja shkakton nji krize nderkombetare te trillueme, ne zonen e Arktikut; gja qe natyrisht, do te kundershtohet nga Shtetet e Bashkueme dhe nga Kanadaja. Por ky mund te jete qellimi i Putinit.
Lind pyetja, pse? Arsyeja asht se Putinit i duhet te krijoje dicka te re, per te lergue vemendjen e popullit rus, nga problemet e shumta qe Putini ka krijue.Si rrjedhim atij i duhet te ndryshoje temen{subjektin].
Putini nuk ka ndonji zgjidhje per problemin ne Ukraine. Fantazite e vjetra, per te marre te ashtu quejtunen “Risine e Re”, rryp toke nga qyteti Kharkiv e deri ne Odese, per te krijue nji rruge tokesore per ne Krime, ka deshtue.Dhe qellimi ma i kufizue, per te zmadhue territorin rus, dhe ate qe kontrollojne, kryengritesit pro rus, ndoshta me nji sulm, kunder qytetit Mariupol, asht nji gja qe
gjithashtu nuk ka gjase qe te bahet.
Si njeni veprim, po ashtu edhe tjetri, do te ishin te kushtueshem, si ne njerez, po ashtu ne te holla, dhe sigurisht do te nxiste, nji seri te re sanksionesh, si edhe pushtimin e territoreve te reja, ku do te kishte qendrese anti ruse.Shtimi i luftime kohet e fundit, ne zonen lindore te Urkaines, asht vetem nji veprim qe bahet nga deshprimi; se sa nji veprim per te pushtue territor te ri.
Natyrisht, Rusia ka aftesine te aneksoi zonat e kontrollueme nga kryengritesit pro ruse, ose ajo mund t’a mbaje pezull konfliktin, dhe te krijoje atje nji protektorat rus. Por ne kete rast, Moskes i duhet te perballoje finacimin e nji ekonomie, te nji zone, jo prodhuese, ifrastruktura e se ciles asht shkatrrue. Dhe kjo gja do te kete ndikim edhe ne ekonomine ruse, e cila, po dobsohet vazhdimisht e ma teper.
Rusia do te humbte cdo lloj ndikimi, ndaj pjese tjeter te Ukraines, e cila do te nanonte me shpejtesi nda perendimit.Sanksionet do te vazhdonin, e mindesisht do ,te shtoheshin.
Tuej marre parasyshe keto kufizime, e vetmja rruge qe preferon Kremlini, asht me i detyrue zonat e kontrollueme nga kryengritesit, ti bashkohen Ukraines, simbas kushteve te Moskes, me nji autonomi te gjane, dhe me aftesine te perdorin veton kunder vendimeve te qeverise se Ukraines ne Kiev.Por sic duket, Ukraina as perendimi nuk, nuk do te lejojne nji gja te tille.
Putini e ka mberthye veten nji nji gjendje tejet te veshtire, dhe se si”i gjori Putin” mund te dali nga kjo gjendje, qe ai vete krijoj, nuk dihet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli, PUTIN PO BIE NE KURTHIN, QE I NGRITI VETES

SHQETESIM PER VENDLINDJEN- A ËSHTË RASTËSI NDOTJA E FSHATRAVE SHQIPTARE NË PLAVË GUCI?

August 21, 2015 by dgreca

* Vallë, si është e mundur, që në dy vendbanimet emblematike të Plave Gucisë, në fshatin Martinaj dhe Vuthaj, bëhet një degradim i ambientit dhe në të dy rastet ky degradim ka marrë bekimin e shqiptarëve,… se kinse përfaqësojnë interesat e popullatës?/
* Në Martinaj ndërtohet një deponi e egër nga shteti malazias… Në fshatin Vuthaj vendoset dhe i jepet leja e punës një fabrike të industrisë së drurit mu në qendër të fshatit dhe pranë lumit Gerla duke shëmtuar pamjen piktoreske të Vuthajve…./
NGA ESAD GJONBALAJ/
Viteve të fundit jemi dëshmitarë të një fushate sistematike të dekurajimit të shqiptarëve të Plavë Gucisë për të qëndruar në trojet e tyre stërgjyshore.
Kjo fushatë e orkestruar nga qarqe antishqiptare për fat të keq nganjëherë në valle ka përfshirë edhe bashkëkombësit tonë të cilët me vetëdije apo pa të , dëmtojnë interesat e përgjithshme të shqiptarëve autoktonë të Plavë Gucisë.
Fushata e orkestruar si pasojë ka synuar dekurajimini e vendorëve për të qëndruar në vendlindje por edhe dekurajimin e diasporës që me kapitalin e tyre të japin një impuls të ri ringjalljes dhe faktorizimit të shqiptarëve në aspektin ekonomik.
Kjo fushat siç e cekëm ma lart merr përmasa të mosmarrëveshjeve dhe zënkave në mes të vetë shqiptarëve dhe si rrjedhojë ka sjellë demoralizimin e investitorëve potencialë, duke krijuar një klimë jo të këndshme për investime, klimë e cila rëndon perspektivën e mbijetesës dhe qëndrimin e shqiptarëve në vendlindjet e tyre. Ambiciet dhe apetitet e individëve të ndryshëm të mbështjella me petkun partiak dhe me mbështetjen e pseudomilitantëve naivë, sjellin një degradim të parimeve elementare të fisnikërisë së malësorëve të kësaj treve.
Vallë, si është e mundur, që në dy vendbanimet emblematike të Plave Gucisë, në fshatin Martinaj dhe Vuthaj, bëhet një degradim i ambientit dhe në të dy rastet ky degradim ka marrë bekimin e shqiptarëve,… se kinse përfaqësojnë interesat e popullatës?
Në Martinaj ndërtohet një deponi e egër nga shteti malazias duke mos respektuar asnjë kriter minimal për deponit , ku mbeturina të llojllojshëme hidhen ne natyrën e pa prekur nga dora shkatërrimtare e faktorit njeri.
Kjo deponi rëndon dhe e banë të pa mundur mbijetesën e banorëve të fshatit edhe pse kundër ndërtimit dhe funksionimit të saj u rezistua ashpër nga martinasit, mirëpo implementimi i këtij projekti të egër u bë me dhunë policore nga shteti malazias.
Në fshatin Vuthaj vendoset dhe i jepet leja e punës një fabrike të industrisë së drurit mu në qendër të fshatit dhe pranë lumit Gerla duke shëmtuar pamjen piktoreske të Vuthajve, rrezikuar ekzistencën e gjallesave në lumin Gerla, uji i të cilit përdoret edhe për si uj i pishëm, por edhe ndot rëndë ambientin e shtëpive të banorëve, që jetojnë rreth këtij ndotësi të ambientit mu në qendër të fshatit.
Nuk është reagimi ynë qëllim i pengimit të veprimtarisë së këtij biznesi por duhet të ketë kritere të ushtrimit te veprimtarisë e jo në mënyrë të egër të vendoset zona industriale mu në mes të fshatit pa përfillur fare vullnetin e banorëve .
E që ironia të jetë ma e madhe e tërë kjo bëhet në një shtet të ashtuquajtur ekologjik me emrin Mali i Zi, i zi në fakt nga mbeturinat që ky pseudoshtet ka prirje të veçantë për të sajuar si në aspektin politik dhe shoqëror me strategji të qarta antishqiptare.

Filed Under: Analiza Tagged With: a eshte, E RASTËSISHME, Esad Gjonbalaj, NDOTJA E FSHATRAVE SHQIPTARE, ne Plave-Guci

Në Ballkan po fryjnë erërat e ndryshimeve politike

August 21, 2015 by dgreca

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/
Turqia njoftoi zgjedhje të reja parlamentare për muajin nëntor. Rexhep Taip Erdogan për herë të parë në qeverisjen e tij të mbi një dekade humbi të drejtën e formimit i vetëm të qeverisë turke. Autoritarizmi I tij si dhe përfshirja e disa anëtarëve të kabinetit në korrupsion çuan jo vetëm në uljen e numrit të deputetëve, por edhe në refuzimin e partive të tjera për të bërë koalicion qeverisës. E vetmja zgjidhje mbetën të jenë zgjedhjet e reja. Erdogan beson se me këto zgjedhje do të mund të marrë mandatin e qeverisjes. Por kjo gjë me shumë gjasë nuk do të ndodhë. Kohët e arta të Erdogan dhe partisë së tij tashmë kanë perenduar dhe Turqia po shkon drejt adaptimit të një modeli të ri qeverisës, model që nuk do t’i ngjasojë autoritarizmit të Rexhep Erdoganit.
Në Greqi para shtatë-tetë muajsh erdhi në pushtet SYRIZA e problematikut, Tcipras. Alexis Tcipras pas një fushate disavjeçare antieuropiane, veçmas antigjermane e antiMerkel, i “bindi: zgjedhësit grekë që të marrë prej tyre mandatin e krijimit të qeverisë. Por vetëm disa muaj pas promovimit të tij në qeverisje ai dështoi në përpjekjet e tij për ta injoruar Europën e për t’u lidhur me Vladimir Putin. Në stilin manipulues Tcipras organizoi një referendum, me të cilin tentoi të marrë mandatin e grekëve për të kundërshtuar masat e kursimit të impunuara nga BE dhe donatorët e tjerë ndërkombëtarë për rimëkëmbjen e ekonomisë greke.
Por europianët i imponuan atij pas referendumit masa po aq të rrepta sa edhe para tij. I dhanë mesazhin se Tcipras, i vetëm nuk mund të luajë në fushën e tatrit europian të politikës. Kështu kryeministri grek duhej të përballej me pakënaqësinë e partisë së tij, përkrahjen e së cilës e humbi. Prandaj grekët në shtator do të drejtohen sërishmi drejt kutive të votimit. Rezultati duket së është i parashkruar. SYRIZA nuk do të ketë më shumicën absolute, pra, as mandatin e krijimit të qeverisë si forcë e vetme politike. Edhe nëse do të jetë forcë e parë, ajo domozdoshmërisht do të drejtojë vendin në koalicion me të majtën e moderuar greke. Ndryshe do të rikthehet koalicioni i qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë. Shkurt, Greqia, ashtu si edhe Turqia, me zgjedhjet e reja është nisur drejt normalitetit.
Po Maqedonia? Në Shkup është nënshkruar një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme, pa Nikolla Gruevskin kryeministër. Protestat e opozitës, me të cilat për herë të parë u bashkuan edhe shqiptarët, bënë që Gruevskit t’i imponohen kushtet e kryeopozitarit Zajev dhe vendi t’u drejtohet pranverën e ardhshme kutive të votimit. Të gjitha gjasat janë që të ketë një rrotacion pushteti. Nëse në Turqi dhe në Greqi pritet një rrotacion i modelit të qeverisjes, në Maqedoni pritet gjithashtu ndryshimi i kaptenëve të anijes maqedone. Kjo për shkak të aferave korruptive dhe politikave përçarëse të kryeministrit aktual.
Kohët e fundit ka filluar të flitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Serbi. Edhe këtë radhë duket që Kosova të jetë shpikja si “molla e sherrit”. Presidenti Tomisllav Nikoliç vijon të jetë i pozicionuar pro vijës ruse të aleancave e të zhvillimit dhe kundër integrimit në BE e NATO. Kryeministri Aleksandër Vuçiç, pas disa kryeneçësive gjatë zhvillimit të bisedimeve midis Prishtinës e Beogradit kur ishte në postin e numrit dy të qeverisë, ka dhënë fjalën se do të jetë i përkushtuar në rrugën europiane të zhvillimit dhe integrimit të vendit. Por zevendësi i tij, Ivica Daçiç është bërë xheloz për protagonizmin europian të Vuçiç dhe kësisoj ka nisur konflikti midis dy aleatëve kryesorë në qeverisje. Daçiç po shfrytëzon në këtë rast sërishmi Kosovën, duke kundërshtuar ashpër anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, gjë për të cilën Vuçiç ka një ujdi me Angela Merkel. Ky konflikt duket se ka marrë përmasa dhe po e çon koalicionin drejt krisjes. Krisje do të thotë zgjedhje të parakohshme. Edhe në këtë rast zgjedhjet do të jenë test në funksion të përforcimit të orientimi europian të Serbisë. Sa më shumë zgjedhje, aq më shumë do të ndryshojë kursi serb I zhvillimit, fillimisht në favor të integrimit europian e më vonë edhe të integrimit në NATO.
Mbeten Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina. Në Shqipëri dyshja Rama-Meta kanë krijuar një hendek më të madh sesa Tciprasi në Greqi dhe Gruevski në Maqedoni, sa i përket rezultateteve të qeverisjes dhe mbajtjes së premtimeve elektorale. Në historinë e pluralizmit shqiptar nuk ka ndodh që të krijohet kaq shpejt një humnerë kaq e thellë midis aspiratës dhe shpresës së shqiptarëve dhe modelit të qeverisjes sa në këto dy vitet e fundit. Po t’i shtojmë kësaj krize të thellë ekonomike, sociale e të mosbesimit edhe hendekun e krijuar midis lidershipit në qeverisje dhe partnerëve ndërkombëtarë, atëherë do të kuptojmë se zgjedhjet e parakohshme në ventin tonë jo vetëm janë të domozdoshme, por madje imperative. Këto zgjedhje ka shumë gjasa të vijnë si argument institucional nga një çarje e koalicionit midis partnerëve të majtë PS-LSI.
Por gjithësesi Shqipëria gjendet përpara një ndryshimi epokal në modelin e qeverisjes dhe në rikthimin e vlerave të demokracisë. Autoritarizmi dhe arbirtratiteti, njësoj si në Maqedoni e Turqi, është shkaku kryesor i ndryshimeve që duhet e pritet të ndodhin. Ndërsa këtij modeli autoritar mund t’i shtojmë dhe modelin e premtimeve të pambajtura dhe orientimit të gabuar, si Tciprasi në Greqi, drejt Lindjes. Pra, në Shqipëri janë kryqëzuar të gjitha dilemat ballkanike, sa i përket kërkesës për ndryshim. Vendi ka humbur shpresën e zhvillimit të mëtejshëm dhe për këtë arsye opozita duhet të nxitojë të japë alternativën e saj të besueshme. Opozita me Lulzim Bashën ka dhënë të gjitha shenjat se modelon një formë tjetër qeverisjeje, qeverisjen efektive dhe të moralit demokratik, qeverisjen e moderuar e larg konfliktit politik. Shqiptarët tashmë e përceptojnë faktin se kreu i opozitës i përket një epoke të re të zhvillimit politik dhe demokratik të Shqipërisë.
Por kjo nuk mjafton. Në radhë të parë duhet të largohet fryma e krahasimit të të dy palëve, “këta si ata e ata si këta”. Kjo do të ndodh vetëm nëse opozita do të kombinojë protestën e rëagimin qytetar me dhënien e alternativës së qarte, të lexueshme, të kuptueshme e të prekshme nga çdo qytetar i këtij vendi. Që do të thotë, një kombinim i përvojës së Berishës me modalitetet e politikës moderne të Bashës.
Qevesija Rama – Meta tashmë ka dështuar. Ajo është e dështuar edhe në mjeshtërinë e zbukurimit të gjërave, edhe në alibinë e slloganit “Fajin e ka Berisha”. Modeli ramizist i nxitjes së shqiptarëve “opozitarë” për të emigruar në botën e Perendimit vetëm se e thellon krizën politike e sociale të vendit. U bënë dy vjet qeverisje dhe rrukullisja e vendit drejt humnerës ekonomike e sociale si dhe drejt konfliktit politik të mpleksur me kriminalitet e mercenarizem banditesk ka shkuar në fundin e vet.
Në këto kushte opozita nuk duhet të presë, aq më pak të duartrokasë krisjen e koalicionit qeverisës. Ka mundësi që këtë krisje Rama ta shfrytëzojë për të hedh të gjitha përgjegjësitë e qeverisjes së dështuar te aleatët e sotëm të LSI-së dhe kjo do të ndikonte në ruajtjen e pozicioneve të PS-së, sidomos në rastin e joshjeve të opozitës për koalicione me pjesët e së majtës. Lojërat polliste të koalicioneve nuk i shërbejnë zgjidhjes, pra nuk sjellin ndryshimin e duhur, sepse qeverisja në të dy anët e koalicioni është implikuar keq në korrupsion, trafiqe dhe bashkepunim me krimin e organizuar, madje me bandat kriminale.
Nëse tek ne do të ndodhin zgjedhjet e parakohshme, ato duhet përfundimisht t’i japin fund politikës së vjetër të konfliktit e për më tepër politikës së sotme të bashkëpunimit me krimin e të keqen. Për këtë opozita duhet të punojë. Se ndryshimi politik në Shqipëri do ta sjellë vendin në normalitet të zhvillimit dhe integrimit të tij. Vetëm në këtë rast Shqipëria do të jetë në kohezion me frymën e re poltike të krijuar në Ballkan.
Ndërsa Kosova tash për tash duket stabile, por fillimi i punës së Gjykatës Speciale në janarin e vitit të ardhshëm dhe zgjedhja e presidentit, post i cili i është premtuar Hashim Thaçit, do të sjellin ndryshime dhe me shumë gjasë edhe zgjedhje të parakohshme.
Nga e gjithë kjo analizë, vijmë në përfundimin se një erë e re po fryn në Ballkan. A do të jenë ndryshimet politike të afërta çelësi i suksesit të vendeve të rajonit veç e veç e në tërësi, apo do vijojë modeli i sotëm i qeverisjes? Le të shohim në praktikë se çfarë do të ndodhë. Megjithatë ndryshimet politike duket se janë ndikuar nga kërkesa e brendshme dhe e ndërkombëtarëve për më shumë demokraci e më pak autoritarizëm, për më shumë drejtësi e më pak manipulime, për bashkëjetëse e kundër konfliktit etnik apo politik, për zhvillim e integrim dhe aspak izolim. Kjo do të thotë gjithashtu për stabilitet politik të orientuar qartë drejt integrimit euro-atlantik dhe kundër çdo përpjekje për aleanca fluide me Lindjen autoritare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, ne Ballkan, po fryjnë erërat e ndryshimeve politike

Armiqtë shkelin krenarinë tonë

August 20, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti/USA */
Hulumtimi konfirmon se morali i shqiptarëve është në zbritje dhe materializmi në rritje. Më nuk luan aq shumë rol si personi i ka fituar të mirat materiale. Ashtu siç nevojiten ligjet për të mbajtur një moral të lartë, nevojitet një moral i lartë për të mbajtur ligjet.
***
Lexues të ndryshëm më pyesin shpesh në lidhje me profesionin e psikologëve ushtarak. Po përgjigjem shkurtër:
Psikologji ushtarake, aplikimi i parimeve psikologjike, njohuritë dhe metodat për çështjet ushtarake. Psikologjia moderne ushtarake ka filluar gjatë Luftës së Parë Botërore, kur testet e inteligjencës dhe teste të tjera janë përdorur në punën e një shfrytëzimi racional të trupave ushtarake.
Edhe sot psikologët ushtarak zënë një hapësirë të gjerë në degët e ndryshme të forcave të armatosura.
Problemet Arsimore Psikologjike në lidhje me lloje të ndryshme të trajnimit ushtarak përbëjnë një fushë tjetër brenda psikologjisë ushtarake. Për më tepër, psikologët ushtarak punojnë me të ashtuquajturën luftës psikologjike, e cila përfshin akumulimin dhe ngritjen e moralit ushtarak të forcave në fushëbetejë, atje ku menaxhimi i problemeve merr vëmendje më të madhe, dhe përpjekjet në luftën për t’iu kundërvënë propagandës së armikut dhe shpërbërjen e moralit të tij. Në luftë dhe pasluftës psikologët klinik marrin pjesë në trajtimin me diagnozën, trajtimin dhe rehabilitimin e personave me çrregullime mendore dhe vështirësive.
Fatkeqësisht, asnjë psikolog nuk mundet të ndihmoj në rehabilitimin e të vetë-emëruarve “Komandant”: Ali Ahmeti-t, Hashim Thaçi-t etj sepse ata kanë lind me çrregullime mendore dhe në asnjë luftë nuk kanë shkrep asnjë fishek…
***
Pronari i BDI-së, Ali Ahmeti për shkak të një vargu rrethanash, ka arritur në një pozitë të pushtetit të pakufishëm mbi shqiptarët e FYROM-it, bëhet përherë e më tepër skllav i etjes së tij për pushtet. I gënjen, i mashtron ose i detyron ta adhurojnë atë, të zvarriten para tij. Herë pas herë vret disa prej tyre që i kundërshtojnë. Ndërkaq, të mbijetuarit duhet me përdhunë të buzëqeshin dhe të durojnë shakatë e tij 15 vjeçare gjoja për suksesin e “Marrëveshjes së Ohrit” etj. Është mjaftë e lehtë të arrihet në përfundimin se Alia është i çmendur. Iluzionet e tij se është një mbinjeri (i paprekshëm) janë tipike për ata të sëmurë psikik që çojnë një jetë familjare të shkretë dhe të pavlefshme
***
Sa më pak besoj në kohën që jetojmë dhe sa më shumë që shoh shqiptarizmin e degjeneruar e të shterur, aq më pak besoj se do mbijetojmë si Komb e Shqipëri.
Personalisht, unë kurrë nuk kam pëlqyer që individët t`i lavdërojmë si shpëtimtarë të famshëm, dhe unë nuk besoj në zgjidhje magjike. Përkundrazi, unë mendoj se ndryshimi i vërtetë kërkon ndryshime në politikën dhe metodat, dhe jo vetëm zëvendësimi i udhëheqësve dhe individëve. Populli shqiptar duhet të shpëtojë veten e tij. Një udhëheqës duhet të jetë profesional, i arsimuar mirë, atdhetar, ai që kupton aspiratat e të rinjve shqiptarë.
Ne duhet të jemi në gjendje për të kontrolluar mendjen tonë. Ajo do të na forcojë në luftën kundër padrejtësisë dhe do të na ndihmojë të zgjidhim problemet me masa pozitive. Tani ne të gjithë duhet të qëndrojmë së bashku dhe të harrojmë të gjitha mosmarrëveshjet. Ne duhet të luftojmë kundër keqbërësve që terrorizojnë njerëzit, pa marrë parasysh se kush janë ata dhe në cilën anë është ai (ata). Të luftojmë kundër keqbërësve shqipfolës që në bashkëpunim me Shërbimet Sekrete të Huaja punojnë për tkurrjen e mëtejshme të Vendit, largimin e rinisë nga Vendi, keqpërdorimin e feve, shkombëtarizimin e Kombit Shqiptar dhe tjetërsimin e tij në “kosovar”, grek, sllavo-ortodoks, turk, arab etj. Të gjitha shpërthimet e trazirave mes shqiptarëve, nga tani e tutje, do të jenë të njëjta sikur me përgëzuar kriminelët. Ne kemi nevojë për të kanalizuar mendjen për të menduarit racional, kështu që të mund të arrijmë në masa praktike për të arritur ndryshime të vërteta që mund të çrrënjosin këtë problem me gjithë rrënjë.
***
“Vritini, vritini shqiptarët, shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur, digjni shqiptarët në kamerat e gazit”!
Janë këto kërcënimet e përhershme të sllavo-ortodoksëve të ish Jugosllavisë kundër qenies tonë pellazge/ilire/shqiptare. Urrejtja e tyre naziste, kriminele shpërthen nga dukuria e incestit. Çka tjetër mund të presim nga djemtë e incestit të cilët qysh në fëmijërinë e hershme e urrejnë edhe të atin e tyre me deklarime të tipit: “Kur të vdesë babi, do të martohem me mamin”!
Regjimi i FYROM-it (VMRO-DPMNE ) i ndihmuar nga partitë kolaboracioniste shqipfolëse, sidomos BDI-së dhe PDSH-së, është i varur që kjo katrahurë false në sytë e botës Perëndimore të perceptohet si një shoqëri progresive dhe e hapur.
Ky regjim vazhdimisht është duke u përpjekur që sa më rëndë të fyen, terrorizon dhe në shumë raste gjithashtu të vras qytetarët shqiptarë. Ne nuk duhet për të humbur mundësinë që kjo ditë ofron, le ta dinë se ne nuk kemi për të harruar, dhe që ne nuk do të tolerojmë më terrorin dhe poshtërime të egra. Populli shqiptar duhet të dërgojë sinjale të forta për regjimin e FYROM-it. Bashkëkombësit e mi të të gjitha trojeve dhe diasporës, së bashku, mund të krijojnë ndryshime në FYROM…
Nuk ka asnjë pushtues, president, qeveri apo forcë policore-ushtarake që është më e fortë se njerëzit e shtypur. Popullata shqiptare duhet të thith mesazhin dhe ta thyejnë barrierën psikologjike të frikës.
Tani le të mblidhen qytetarët pa dallim partie, feje, krahine, moshe, gjinie. Ne do të kemi sukses të realizojmë synimet tona. Fetë tona (SHQIPTARIA) thonë se ne mund ta bëjmë atë, dhe historia na tregon se ne mund të bëjmë atë. Le të jemi të sinqertë; nuk ekziston asnjë fe që është “Fe e paqes”, dhe përfundimi i të gjitha politikave mbetet lufta. Ne jetojmë në kohë interesante, për sa kohë që kjo të zgjatë. Mos hiqni dorë. Shqiptarët nuk janë frikacakë. Por secili prej nesh ka frikë për të qenë vetëm kur ne udhëtojmë deri në zemërim. Ne jemi shumë milionë. Nëse të gjithë bashkohemi, askush nuk mund të na ndalë. Dhe nëse ne do të përdorim strategjinë e përshtatshme, gjithashtu edhe bota e civilizuar do të jetë në anën tonë.

***
Edhe unë përpiqem t`i jap shkëndijë rritjes dhe mbijetesës së shoqërisë shqiptare.
Për të kuptuar artikujt e mirëfilltë lipset arsyeja, dhe arsyeja është më tepër se inteligjencë e thjeshtë, ajo zhvillohet vetëm kur truri dhe zemra punojnë në njëzëshmëri, kur ndjenja dhe mendimi janë të shkrira dhe të dyja të arsyeshme. Humbja e aftësisë për të menduar sipas vizionesh konstruktive është në vetvete një kërcimin i rëndë për mbijetesën.
Shoqëria shqiptare duhet të gjejë një bazë të përbashkët, një koncept efikas që të na bëjë të aftë për të përballuar orvatjet e diktaturave naziste të armiqve. Pa disa bindje të përbashkëta e pa marrëdhënie të qëndrueshme gjithëkombëtare, qytetërimi ynë ka marrë rrugën drejtë shkëmbinjsh, për t`u përplasur me to.
Të gjithë shqiptarët duhet të marrin pjesë në luftën politike për ndryshim. Ne duhet të investojmë shumë në mënyrë që të fitojmë madhërishëm. Betejat e mëdha nuk mund të luftohen dhe fitohen pa sakrifica. Të gjitha përleshjet shkaktojnë dhimbje. Por ne nuk mund të humbasim. Askujt nuk i nënshtrohemi pa e kundërshtuar. Kushdo që dëshiron t`i shmanget çdo lufte, asnjëherë nuk do ta shijojë ndonjë fitore.
* ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au

Filed Under: Analiza Tagged With: Armiqtë shkelin, Aurel Dasareti, krenarinë tonë

Kosovë-Serbi, në Bruksel për katër çështje edhe raundi i 28-të kryeministror

August 20, 2015 by dgreca

-Kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë kanë kërkuar që gjatë takimit të ardhshëm të arrihet marrëveshja për formimin e bashkësisë së komunave serbe. Tahiri: Formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk lidhet me afate/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 20 Gusht 2015/ Kosova dhe Serbia, javën e ardhshme në 25 gusht në Bruksel, në raundin e 28-të të nivelit të lartë kryeministror përsëri do kenë në tavolinë bisedimesh katër çështje të diskutuara edhe në dy raundet e kaluara: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodin telefonik, energjinë dhe urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Sipas deklaratave në qeverinë e Kosovës, për Asociacionin e komunave janë përafruar qëndrimet, jo të Statutit, por vetëm të parimeve themelore, për kodin telefonik marrëveshja është e përfunduar praktikisht, ndërsa çështjet e marrëveshjes për energjinë dhe lidhur me urën mbi Ibër nuk janë përfunduar dhe kanë mbetur që të diskutohen në vijim.
“Ne kemi prezantuar qëndrimin tonë, që jemi për atë që të bëjmë përpjekje që këto katër marrëveshje t’i përfundojmë, dhe që si pako t’i realizojmë, natyrisht duke e nënshkruar secilën veç e veç”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e qeverisë, pas kthimit nga raundi i 27-të në Bruksel.
Kreu i qeverisë së Kosovës këtë e ka ritheksuar edhe në konferencën për shtyp javën e kaluar, duke u përgjigjur në interesimet e gazetarëve, ku ka bërë të ditur se një ditë para takimit me kryeministrin e Serbisë do zhvillohet në Bruksel edhe një takim në nivel teknik në 24 gusht.
“Është vazhduar të punohet edhe gjatë kësaj periudhe me Brukselin, po më tepër në nivel teknik, sa i përket përafrimit të disa zgjidhjeve lidhur me Asociacionin e komunave, ka akoma çështje të hapura, dhe ne do të mundohemi që të gjitha këto çështje t’i përafrojmë”, është shprehur Mustafa të enjten e para një jave në konferencë shtypi.
“Kur flitet për përafrimin, ne insitojmë në ate dhe do të qëndrojmë në mënyrë konsekuente që Asociacioni të mos ketë asnjë përgjegjësi ekzekutive dhe të mos jetë pushtet i tretë në Kosovë. Po, të gjendet mënyra se si Asociacioni do të përkrahë, do të ndihmojë zhvillimin ekonomik, kulturor, arsimor edhe zhvillimin tjetër të komunave me shumicë serbe”, ka theksuar kryeministri kosovar, Mustafa.
Në 30 qershor njoftohej se, nuk është arritur asnjë marrëveshje finale në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel të raundit të 27-të në nivel të lartë kryeministror, të nisura një ditë më parë në mëngjes, e të përfunduara pas mesnate.
“Pas 16 orësh të punës ne i finalizuam dy tekste të dy marrëveshjeve – në parimet e krijimit të Asociacionit/Komunitetit me shumicë serbe në komunat e Kosovës, dhe për zbatimin e marrëveshjeve në fushën e telekomit. Marrëveshja finale politike muk ka mundur të arrihet. Tash ne do të reflektojmë në hapat e ardhshëm”, theksohej në deklaratën e ndërmjetësueses, përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini.
Edhe në këtë raund, të 27-tin, Kosova dhe Serbia, me delegacionet e udhëhequra nga kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç kanë zhvilluar dialogun për të njëjtat tema si në 23 qershor në raundin e 26-të.
Në 8 korrik, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri i Mustafa ka thënë se në dialogun me Serbinë në Bruksel“temat të cilat tani i kemi në rend të ditës nuk janë shumë të lehta, janë tema që kërkojnë vëmendje të veçantë, sepse janë zgjidhje specifike të cilat ne nuk i kemi pasur deri më tani në Kosovë”.
Bashkësia e komunave serbe në Kosovë, renditej e para nga katër temat. Media në Serbi ka renditur të dytën energjetikën, të tretën telekomunikacionin dhe të katërtën “Parkun e paqes” siç e quajnë barrikadën në urën kryesore mbi lumin Ibër të qytetit të Mitrovicës, që ndanë veriun me shumicë serbe nga jugu me shumicë shqiptare.
Çështja e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk lidhet me afate kohore, deklaron ministrja për Dialogun në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri.
“Tani jemi duke diskutuar për parimet themelore mbi të cilat duhet të themelohet asociacioni. Për këtë ka pasur një përparim, por bisedimet do të vazhdojnë në takimet e radhës që janë më 24 gusht në nivelin teknik dhe më 25 gusht në nivelin e kryeministrave të ndërmjetësuar nga Mogherini”, thotë ajo.
Kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë në një komunikatë të përbashkët drejtuar qeverive në Prishtinë dhe Beograd kanë kërkuar që gjatë takimit të ardhshëm, në kuadër të dialogut politik në Bruksel, të arrijnë marrëveshjen për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.
Ministrja kosovare Tahiri ka thënë se, si do të shkojnë proceset kjo nuk mund të kufizohet me data e me afate.
“Prandaj, kërkesat e komunave serbe që kanë dalë nuk mund të kenë ndonjë ndikim sepse negociatat kanë një rrjedh të vetën dhe ne si qeveri e Republikës së Kosovës do të jemi të angazhuar për të arritur marrëveshje”, ka thënë ministrja e Dialogut, e cituar sot nga shtypi kosovar.
Ajo është shprehur e bindur se asociacioni komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë një nivel i tretë i pushtetit në Kosovë. “Ne kemi thënë që nga fillimi, qëndrimi i qeverisë së Kosovës është i qartë se asociacioni do të jetë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e Kosovës, ashtu siç e thotë edhe marrëveshja e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve. Pra, jemi të prerë, ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”, është shprehur Tahiri.
Por, sipas subjektit politik më të madh opozitar kosovar, Lëvizjes Vetëvendosje, me Asociacionin komunave me shumicë serbe “Kosova po shkon drejt Bosnjes”. “Ne u bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që të përgatiten për kundërshtim të fuqishëm të kompromiseve që po bëhen në Bruksel, pasiqë nuk ka më dyshim që vetëm përmes organizimit qytetar do të arrijmë ta mbrojmë shtetin tonë nga defunksonalizimi dhe ndarja etnike”, shprehej VV në një deklaratë.
Në Bruksel, kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, do zhvillonjë takimin e pestë të tyre, ndërsa nga 27 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Takimi i parë kryeministror në Bruksel është zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik Kosovë-Serbi, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.
Marrëveshja 15 pikëshe për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar para mëse dy vitesh, në 19 prill 2013, nga Thaçi e Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, Baronesha Catherine Ashton, në 6 pikat e para ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë:
“1. Do të ketë një Asociacion/Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen.
2. Bashkësia/Asociacioni do të krijohet me statut. Zhbërja e tij/saj mund të ndodhë vetëm me një vendim të komunave pjesëmarrëse. Garancitë ligjore do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).
3. Strukturat e Asociacionit/Bashkësisë do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues iAsociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.
4. Në pajtim me kompetencat e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi në gjendje të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Bashkësinë/Asociacionin. Asociacioni/Bashkësia do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.
5. Asociacion/Bashkësia do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.
6. Bashkësia/Asociacioni do të ketë një rol përfaqësimi te autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsultativ për komunitete. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion vëzhgues”.
Në Kosovë, Mitrovica e Veriut është komuna më e re, e 38-ta, e 10-ta me shumicë serbe, e 5-ta pas Graçanicës, Kllokotit, Ranillugut e Parteshit, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosove-Serbi, kryeministror, në Bruksel për katër çështje edhe raundi i 28-të

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 761
  • 762
  • 763
  • 764
  • 765
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT