• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Analiza- Dritëhijet e marrëdhënieve Shqiptaro – Serbe

August 20, 2015 by dgreca

Shkruan: MSc. Eraldo MEÇALLA
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Teoritë mbi kombin dhe identitetin kombëtar, janë bazat kardinale për të kuptuar dhe hulumtuar marrëdhëniet ndërmjet kombit Shqiptar dhe kombit Serb. Njëkohësisht, bazë për të kuptuar diferencat dhe konfliktet ndërmjet shqiptaro-serbëve janë gjuha, etnia, historia dhe kultura.
Kombet moderne shqiptaro-serbe janë shfaqur në shekullin 19, por rrënjët dhe origjina e tyre është e lashtë dhe aty është edhe origjina e problemit. Është fakt historik i pranuar që shqiptarët janë një nga popujt më të lashtë dhe autokton në Ballkan, të njohur si paraardhësit e Shqiptarëve janë Ilirët, por flitet dhe diskutohet për lidhje ndërmjet Iliro-Pellazgëve, ndërsa Serbët në këtë pikë dihet që janë një popull i ardhur nga lindja. Ato emigruan dhe u vendosën në rajonin e Ballkanit në shekullin 6-7, ndërsa principata e parë Serbe u themelua në shekullin 9.
Në shekullin e 14, nën sundimin e Stefan Dushanit, Serbia mesjetare arriti kulmin e saj me pushtimet territoriale. Megjithatë, pas vdekjes së Dushanit, Serbia pësoi humbje të mëdha në luftë kundër Osmanëve sidomos në “Betejën e Kosovës” në vitin 1389. Nga mesi i shekullit të 15, Serbia ishte nën sundimin Osman për më shumë së 5 shekuj deri në shekullin e 19, ku fitoi autonominë dhe pavarësinë.
Që në vitet 1912 – 1913, me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe njohjen ndërkombëtare të saj, Serbia e kuptoi qartë që do ti duhej të bashkëpunonte me Shqipërinë, por problem themelor ishte Kosova dhe Shqiptarët e Kosovës të cilët ajo i cilësonte të rrezikshëm për integritetin territorial të Serbisë dhe i quante si pronë të saj pa të drejtë. Lufta Ballkanike në vitin 1912, mori një karakter të luftës së shenjtë për Serbët, si hakmarrje për humbjet e së shkuarës. Këtu Serbët bazojnë edhe konceptin që Kosova është e destinuar të jetë pjesë e “Serbisë së Madhe”.
Arsyet Serbe për këtë mënyrë konceptimi janë:
1.) Eksodi Serb i vitit 1690.
2.) Feja e ndryshme me Shqiptarët e Kosovës.
3.) Serbët me përkatësi fetare ortodokse, e quanin veten si mbrojtës të krishtërimit.
5.) Shumë i rëndësishëm është fakti që nacionalistët Serbë besojnë, se Shqiptarët u konvertuan në islam dhe gëzuan priviligje dhe status të veçantë nën Perandorinë Otomane, ç’ka në konceptin e tyre i kthente automatikisht Shqiptarët në Turq. Kjo logjikë nënkuptonte që në bazë të identitetit fetar, Shqiptarët duhet të kishin ndjekur Osmanët dhe të largoheshin nga Kosova kur otomanët u larguan nga Ballkani, pra një koncept dhe logjikë tërësisht e pabazuar në fakte dhe e gabuar.
6.) Shqiptarët flasin gjuhë jo-sllave, që i ndan dhe dallon radikalisht nga Serbët.
Vizioni i “Serbisë së Madhe”, mbështetet në përfshirjen e të gjithë Serbëve në një shtet të fuqishëm, në krijimin e një Federate të Sllavëve të Jugut me Serbinë si bazë dhe në ëndërrat e nacionalistëve radikalë Serbë pëfshihej edhe aneksimi i Kosovës dhe Shqipërisë. Shembuj të kësaj dëshire Serbe kanë qënë këto:
1.) Mbretëria Serbe, Kroate, Sllovene ( 1919 – 1929 ).
2.) Mbretëria e Jugosllavisë ( 1929 – 1941 ).
3.) Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë ( 1945 – 1991 ).
Që nga Lufta Ballkanike, Lufta e I-rë Botërore, Lufta e II-të Botërore dhe përgjatë Luftës së Ftohtë marrëdhëniet shqiptaro – serbe kanë qënë të tensionuara vazhdimisht. Në Luftën e II-të Botërore, shqiptarët e Kosovës janë cilësuar nga Serbët si bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit me idenë e krijimit të një “Shqipërie të Madhe”. Ndërsa për të ardhur tek epoka më gjakatare e kohëve moderne, ku Sllobodan Millosheviçi me anë të luftës, gjenocidit, spastrimeve etnike ndaj Shqiptarëve të Kosovës në periudhen 1998 – 1999, kërkoi të aneksonte Kosovën. Por kjo nuk u realizua kurrë sepse e drejta dhe fati ishin në anën e Shqiptarëve, që me mbështetjen e jashtëzakonshme të faktorit ndërkombëtarë duke filluar me Presidentin e SHBA-së Bill Clinton, NATO, OKB, BE, OSBE etj, gjithçka përfundoi me sukse me bombardimet e Natos në vitin 1999 në Serbi.
Deklarata e pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, njohja ndërkombëtare nga shtetet europiane dhe nga shtetet e tjera të botës, kanë çuar përpara idenë e bashkëpunimit në Ballkan. Vetë Serbia dëshiron të antarësohet në BE, dhe realisht pjesa më e madhe e shteteve anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet, kjo ka ndikuar që edhe dialogu dhe marrëveshjet Kosovë – Serbi të drejtuara nga BE të jenë një rrugë e pakthyeshme tashmë. Vetëm bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë, Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Europian, do ta bëjë të mundur finalizimin me sukses të proçesit të integrimit të rajonit të Ballkanit në BE. Me vizion dhe diplomaci konstruktive, shtetet e Ballkanit mund të lënë pas konfliktet e së shkuarës dhe të shkojnë drejt bashkëpunimit për qëndrueshmëri dhe zhvillim ekonomik, politik, kulturor dhe sigurisht antarësim në BE. Ngjarjet historike në marrëdhëniet shqiptato – serbe, pavarësisht rëndësisë dhe peshës së fajtorit, duhet të tejkalohen për të mirën e përgjithëshme. Shqipëria duhet të shërbejë si ndërmjetëse për zhvillimin e mëtejshëm të dialogut dhe marrëveshjeve Kosovë – Serbi, duke lënë pas ngjarjet historike dhe mosbesimin dypalësh. Pavarësisht qëndrimeve radikalisht të kundërta në lidhje me Kosovën, si vizita e Kryeministrit Shqiptarë në Beograd dhe ajo e Kryeministrit Serbë në Tiranë, kanë bërë histori në marrëdhëniet Shqiptaro – Serbe. Ndërsa në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare kjo do të thotë paqe, siguri, stabilitet në Rajonin e Ballkanit.
Diplomacia dypalëshe është baza themelore për kapërcimin e krizave, paragjykimeve, nacionalizmave. Vetëm me dialog politik dhe ekonomik, mund të zhduken hijet e së shkuarës, ato sjellin një komunikim më të lartë dhe shkëmbime ekonomike e kulturore më të mëdha. Projekti i Ballkanit Perëndimor i ideuar nga kancelarja Gjermane Angela Merkel, ka qënë një pikë e fortë në afrimin Shqiptaro – Serb, kjo lidhje u forcua edhe nga vizitat e fundit të kancelares Merkel në Shqipëri dhe Serbi. Tashmë liderat në Shqipëri dhe Serbi e kanë kuptuar qartë dimensionin që ka realsiht marrëdhënia Shqiptaro – Serbe, për antarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo është edhe arsyeja se përse të dy vendet duhet të kenë kujdes në mënyrën e të bërit diplomaci dhe realizimit të politikës së jashtme.
Aspiratat e antarësimit në BE, kërkon që si Shqipëria dhe Serbia të ndjekin rrugën perëndimore në konsolidimin e demokracisë. Shqipëria sot e tregon më shumë se kurrë këtë dëshirë dhe përkushtim drejt perëndimit me antarësimin në NATO, lidhjen e veçantë me SHBA-në, OKB-në dhe sigurisht aspiratën shumëvjeçare për antarësimin në BE. Ndërsa Serbia nuk është kaq e prirur ndaj perëndimit, duke mos qënë anëtare e NATO-s, duke afruar Rusinë në Ballkan, por sidoqoftë me veprimet e fundit ajo ka shprehur rrugën europiane duke synuar integrimin në BE.
Komunikimi është baza për forcimin e lidhjes ndërmjet dy shteteve, ndërsa projektet finaciare, energjitike, infastrukturore janë të rëndësisë gjeopolitike. Çështja e marrëdhënieve Shqiptaro-Serbe është më delikatja për historiografinë e të dy shteteve, prandaj përmirësimi i marrëdhënieve dëshmon vizionin largpamës të qeverive për të ardhmen, për një bashkëpunim më të fortë politik dhe ekonomik. Në Europë dhe sigurisht në Ballkan historia ka qënë e mbushur me ngjarje problematike ndërmjet shteteve, ka pasur edhe luftë por nga lufta nuk fiton askush.
Marrëdhëniet Shqiptaro – Serbe për shumë kohë kanë qënë të dobëta për shkak të shumë çështjeve por spikaste problemi me Kosovën, që mbetet ende çështje delikate. Por perspektiva e antarësimit në BE, ka ndryshuar kapitullin e marrëdhënieve Shqiptaro –Serbe dhe Kosovaro – Serbe, të cilat tregojnë se interesi i përbashkët europian ka arritur të ulë paragjykimet e së shkuarës. Teoritë nacionaliste të “Shqipërisë së Madhe” dhe “Serbisë së Madhe”, duhet të anashkalohen dhe të harrohen nga elitat politike Shqiptaro – Serbe, kjo do të tregonte distancim nga e kaluara drejt një vizioni gjeopolitik, gjeoekonomik, gjeostrategjik, për një Ballkan Perëndimor të integruar në BE.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dritëhijet e marrëdhënieve Shqiptaro – Serbe, MSc. Eraldo Mecalla

ATDHEU I BASHKUAR : ËNDËRR SHEKULLORE APO MUNDËSI E SENDËRTUESHME?

August 20, 2015 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/*
Të nderuar antarë të Shoqatës “Trojet e Arbërit”, shumë të nderuar miq e të ftuar, qytetarë të Krujës të pranishëm, ……… !
Më takoi mua sot të ju përshëndes e t’u uroj mirseardhjen në këtë sesion të shoqatës sonë mbarëkombëtare. Falënderoj nga zemra Kryesinë e Shoqatës që më bëri këtë nderim të posaçëm, më të lartin që kam patur në jetën time, të kaluar nëpër kampet e internimit të komunizmit deri në moshën 47 vjeçe e në mërgim, në Vendin e lindjes së nënës sime italo – shqiptare prej afër një çerek shekulli.
Kruja, ky qytet i lashtë, zemra e Trojeve të Arbërit, sot na pret me bujarinë e saj karakteristike, madje proverbiale, nëse mbajmë parasysh faktin se njëqind vjet të shkuara, këtu nuk kishte një hotel, sepse çdo i ardhur, cilido t’ishte, strehohej në shtëpitë e familjeve bujare të saj. Sot ajo na uron, me gjithë zemër, punë të mbarë në veprimtarinë tonë rreth 11 – vjeçare, të Shoqatës mbarë kombëtare.
Dëshmia më e dukëshme e kësaj veprimtarie janë 12 vëllimet e botuara deri tani, të titulluara “E djathta shqiptare në shërbim të Shqipërisë etnike”,me kumtesat e pregatitura për të gjithë sesionet. Në to janë trajtuar gjërësisht e thellësisht problemet tona kombëtare të së shkuarës e të së sotmes, të qëndresës së shqiptarëve të lënë jashtë kufijve të shtetit e të përndjekjeve të pësuara prej tyre nga qeveritë fqinje, të përpjekjeve të tyre të gjithanëshme për të jetuar, si me ajrin, me ëndrrën Shqipëri. Besojma njerëzore e politike e Shoqatës, në këta vite të veprimtarisë së saj, ka qenë fjala “Atdhe”, pa të cilin “njeriu është një pikë e humbur në ngjarjet rastësore të kohës e të hapësirës”, siç shprehej dikur Lacordaire (1802 – 1860), një prift i njohur dominikan francez.
Në këtë qytet të lavdisë shqiptare u lindën të parët e mij, madje më i njohuri i tyre, Mustafa Merlika – Kruja, qe i deleguar nga populli dhe paria e këtij qyteti, kryeqendrës së epopesë madhështore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të firmoste n’emër të tyre, dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare, Shpalljen e Pavarësisë së saj kombëtare, më 28 nëndor 1912, në Vlorë. Ky tubim i Shoqatës “Trojet e Arbërit”, që është i trembëdhjeti, e që mbahet me temën “Populli shqiptar në rrjedhat e historisë dhe roli i personaliteteve nga Epoka e madhe e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e deri në fund të shekullit XX”, do të sjellë jehonën e bëmave të shekullit të madh, por dhe të atyre pasardhës, me të gjithë ngarkesën e tyre të fitoreve e të humbjeve, të dhimbjeve të shumta e të gazit të pakët, të gjakut e të lotëve, të asaj që qe historia jonë e vërtetë.
Kjo Shoqatë ësht’ e lindur jashtë politikës, si nevojë për të zëvendësuar mungesat e saj në skenën shqiptare, nga njerëz që jetonin në krahina të ndryshme të trojeve arbërore e në Vende të ndryshme të botës. Pikëpamja e Atdheut, sipas tyre, është binjakëzuar me ato të lirisë e të demokracisë, duke i u afruar atij të Giuseppe Mazzinit, një nga etërit e Italisë së bashkuar : “Për derisa, vendase apo të huaj, ju keni një tirani, si mund të keni një Atdhe ? Atdheu është shtëpia e njeriut, jo e skllavit.”
Në tubimet e Shoqatës, ajka e studjuesve dhe intelektualëve shqipfolës, ka shkruajtur historinë e vërtetë të Shqipërisë, jo atë të shtrembëruar, deri në tjetërsim, nga historianët e regjimeve komuniste brënda e jashtë kufijve zyrtarë të saj. Në qindra kumtesat cilësore është folur për personazhet e historisë sonë, që janë errësuar qëllimisht nga ajo zyrtare, për përfaqësuesit e nacionalizmit shqiptar, të vrarë, të gjymtuar, të nxirë, të zhdukur nga kujtesa historike.
Në sajë të atyre studimeve i janë kthyer kujtesës historike të shqiptarëve figura të ndritura atdhetarësh, shtetarësh e martirësh të çështjes shqiptare, që ranë fli në luftën për idealin kombëtar, për Shqipërinë e bashkuar, për përparimin e demokratizimin e saj. Atyre u janë shtuar ndihmesat e atyre që u detyruan të lenë atdheun e zgjedhës komuniste e të kërkojnë një jetë tjetër në vënde të ndyshme të botës, por që nuk reshtën kurrë së punuari për të. Gjithësia kundërkomuniste shqiptare, e vënë në Vendin e Nderit të kujtesës historike, mendoj se është vepra më e lëvdueshme e më e dobishme e këtyre tubimeve, që filluan në Hamburg të Gjermanisë më 12 e 13 qershor 2004, e që vazhduan në qytete të ndryshme të Shqipërisë etnike deri sot, në Krujën e Gjergj Kastriotit.
Ka qenë një punë e madhe e të gjithëve, kryesisht e drejtuesve të saj, Prof. Muhamet Shatrit e sekretarit Nue Oroshi, të cilët kanë organizuar mbledhjet e janë marrë me botimet e vëllimeve të kumtesave, pothuajse gjithmonë edhe me sakrificat e tyre vetiake si edhe financiare.
Ky tubim duhet të çelë një shteg të ri në punën tonë. Krahas rikujtimit të së shkuarës, ne sot duhet të bisedojmë shtruar, me qetësi, me urti, si dikur në Kuvendet e Arbërit, rreth s’ardhmes sonë si shoqëri e, mbi të gjitha, si komb. Ka më se njëqind vjet që populli shqiptar është i ndarë në pesë shtete, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Problemet, me të cilët përballohemi, janë të shumtë e të larmishëm, por besoj se mund të njësohen në dy rrjedha kryesore : n’atë të zhvillimit, që përfshin ekonominë, pushtetet, jetën politike e administrative, marredhëniet me hapësirën kufizuese gjeografike shtetore e botën, dhe n’atë kombëtar që njësohet me pritmërinë e bashkimit të trojeve shqiptare në bashkësi administrative të mirëfillta.
Po t’i shtojmë këtyre faktorëve krizën morale të klasës politike, me korrupsione në nivele shumë të larta në shumicën dërmuese të administratës shtetërore, kemi një tabllo tepër të zymtë dhe aspak premtuese për t’ardhmen. Pjesëmarrja në NATO, apo marrëveshjet e shoqërizimit me BE, megjithë ndryshimin në ligjet, në përputhje me ata t’Evropës që, për ne shqiptarët, fatkeqësisht, mbeten kurdoherë në zbatim, vartësi e ndryshueshme interesash të grupeve të pushtetit, nuk kanë arritur të bëjnë tek ne hopin cilësor të domosdoshëm, për të hyrë seriozisht në rrugën e zhvillimit të vërtetë, si Vendet e tjera të Lindjes ish komuniste.
Punët nuk shkojnë më mirë as edhe në Kosovë, e cila ka pasur përfitimin e pranisë ndërkombëtare në të, që nga periudha e shkëputjes nga Serbia. Pa hyrë në analizë të hollësive të jetës ekonomike, fakti i dhjetra mijëra vetëve që kanë kërkuar strehim në Evropë nga Shqipëria dhe Kosova brënda këtij viti, dëshmojnë se politikat ekonomike të tyre nuk kanë qenë në nivelin e kërkuar, duke sjellë përfundime gjysmë të dështuara.
Nuk po zgjatem më shumë në shkoqitjen e këtyre argumentave, që janë lëndë për tubime ekonomistësh e njerëzish të politikës, të cilët duhet të hartojnë strategjitë përkatëse e të marrin vendimet e duhura. Mendimi se hyrja e pritëshme në Evropë do të jetë fundi i të gjitha problemeve tona është një formë hashashi për të qetësuar shpirtërat e trazuar dhe një alibi e politikës për të ligjëruar mungesat e saj. Në Evropë, kurdo që të na pranojnë, duhet të jemi në rregull me të gjitha parametrat socio – ekonomikë. Me të gjithë problemet që përballon sot Evropa, që nga masat ndëshkimore kundrejt Rusisë tek borxhet e Greqisë, nga dyndjet e miliona njerëzve prej luftërave në Lindjen e Mesme apo Afrikës drejt kufijve të saj, tek referendumi britanik për qëndrimin në BE dhe lindja e forcimi i forcave të reja antisistem e kundër traktateve në brendësi të saj, përfshirja e Ballkanit Perëndimor nuk është një përparësi, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të saj, apo takimeve të organizuara nga diplomacia gjermane ndërmjet qeveritarëvet të gadishullit.
“Fillin e Arianës” për të dalë nga rruga pakrye dhe e ndërlikuar, në të cilin jemi futur për mungesat tona, duhet t’a gjejmë vetë, së pari duke shëndoshur sëmundjen morale të shthurjes, që ka pllakosur politikën tonë e, së dyti, duke kryer ato reforma rrënjësore, të cilat duhej t’ishin sendërtuar së paku njëzet vjet më parë. Këto çështje janë drejt për drejt të lidhura edhe me problemin tonë kombëtar, i cili na rëndon mbi shpinë prej më se një shekulli. “Atdheu ndoshta është si familja, i njihet plotësisht vlera kur nuk e kemi më.” shprehej shkrimtari i shquar francez Gustav Flaubert. Për ne, shqiptarët, fatkeqësisht, ai mbeti si një joshje mashtruese e paarritëshme, sepse që në lindje të Atdheut të pavarur, kufijtë e tij e gjymtuan krijesën e cila, edhe mbas më shumë se një shekulli, vazhdon të përpëlitet nga dhimbjet.
Pa hyrë në thelb të padrejtësisë historike që na detyruan të pranojmë diplomacitë e Evropës, tek të cilat sot janë varur shpresat tona, mendoj se nuk është rasti të rigjallërojmë prirjen për t’u hequr si viktimë, jo sepse nuk kemi arsye për t’a shpallur, por se duhet të dëshmojmë se jemi në gjëndje t’a kapërxejmë e të gjejmë forcat për t’i parashtruar kërkesat tona, duke u mbështetur në të drejtën tonë si popull e në të drejtën ndërkombëtare.
Në këtë drejtim duhet të jemi të vetëdijshëm se probleme të ngjashme me tonat, edhe se jo në këto përmasa, janë të pranishëm edhe në popuj të tjerë të rajonit e të kontinentit. Versaja qé një faqe e errët në historinë e Evropës me vendimet e saj dhe lufta e dytë botërore qé një dëshmi edhe e ndikimit të keq të tyre. Por Jalta i arkivoi, pa të drejtë ankimi, të njëjtat probleme, ndërsa periudha e re pas komuniste, edhe se më elastike në njohjen e shpërbërjes së shteteve të mëdha shumë kombëshe, ende nuk përballon nga kënd-vështrimi etnik ato parregullsi, madje përjashton nën termin “nacionalizëm” çdo prirje apo përpjekje për t’i vënë në diskutim.
Para se të arrijmë në kërkesat zyrtare për referendumet eventuale, që mund t’i hapin rrugën sendërtimit të dëshirës së madhe shekullore të bashkëkombasve tanë, duhet të shqyrtojmë e të mbajmë parasysh prirjet e vërteta kombëtariste të shoqërive tona. Mbas njëqind vitesh nga vendimet e Konferencës së Londrës dhe 70 vjetësh të parantezës së shkurtër të Shtetit të Bashkuar shqiptar të kohës së luftës së dytë botërore, e gjysmë shekulli komunist, krejtësisht i pandjeshëm ndaj konceptit bashkim kombëtar, të pasuar nga një mërgim biblik i një shumice të shqiptarëve, shumë gjëra kanë ndryshuar edhe në mendësinë e tyre. Mendoj se është një kusht i domosdoshëm të njohim prirjen e përgjithëshme të tyre për t’u bashkuar, në caqet e saj të vërteta. Simbas ndonjë sondazhi opinioni, nuk e di sa të besueshëm, raporti ndërmjet përkrahësve të bashkimit e kundërshtarëve të tij është 62 me 38. 3/5 në mbështetje e 2/5 kundër nuk është një statistikë shumë shpresëndjellëse, nëse është e vërtetë. Duke mbajtur parasysh shumë faktorë kundërshtarë, duke filluar nga institucionet ndërkombëtare e një pjesë e politikës shqipfolëse që i bashkangjitet atyre, nga propaganda e huaj dhe e komunistëve shqiptarë kundër shprehjes “Shqipëri e madhe”, nga psikoza e frikës e diplomacisë ndërkombëtare për pasoja zinxhir të proçesit në zona të tjera, duhet të kemi një vullnet të fortë të mbi 80% të shqiptarëve për t’a nisur betejën.
Një tjetër vështirësi në rrugën e bashkimit është fakti se një shekull administrimi sllav mbi trojet shqiptare ka bërë që ato të mos mbeten etnikisht të pastra. Si pasojë e politikave asimiluese të Jugosllavisë mbretërore e më pas edhe komuniste, shpërnguljes së forcuar të popullsive në trevat shqiptare i ka pasuar mbushja e tyre me pakica sllave, gjë që ul ndjeshëm një miratim masiv në një referendum të mundshëm. Ideja e Shqipërisë së bashkuar qé, deri në mbarimin e luftës së dytë botërore, flamuri i nacionalizmit shqiptar i cili, për t’a sendërtuar atë, nuk nguroi të bashkëpunojë edhe me pushtuesit italianë e gjermanë, gjë të cilën historiografia komuniste nuk i a fali kurrë edhe sot e kësaj dite. Por kundërshtarët e nacionalizmit, komunistët shqiptarë, që kishin si parim udhëheqës “internacionalizmin proletar”, nën drejtimin e Moskës apo të Beogradit, nuk nguruan asnjë çast që të shkatërronin krijesën nacionaliste, duke i rikthyer Jugosllavisë së Titos të gjitha krahinat të bashkuara me Shqipërinë në prill 1941 e në muajt e mëpastajmë. Dëshmi e pakundërshtueshme e asaj strategjie të udhëheqjes komuniste shqiptare është fjala e Kryetarit të saj, Enver Hoxha, në mbledhjen e Byrosë politike të Komitetit qëndror më 15 dhjetor 1947 :
“Duhet të fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de facto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë…”
Nëse mbeti pa u realizuar ky synim i komunistëvet shqiptarë, duhet t’i jemi mirënjohës Titos i cili, mbas pak muajsh, u shkëput nga vartësia e Stalinit, në të cilën mbetën kryekëput, deri në fund të jetës së tyre, mendërisht drejtuesit shqiptarë.
Kjo është historia e mbajtur në sirtare për gati gjysmë shekulli, në të cilin shumica e qytetarëve të Shqipërisë as nuk e dinin se kishte qënë një periudhë gati katërvjeçare, prill 1941 – janar 1945, në të cilën administrata shqiptare kishte patur përfaqësuesit e saj në të gjitha trevat shqipfolëse me përjashtim të Çamërisë, të cilën italianët nuk deshën t’i a bashkojnë Vendit tonë. Ishte i vjeshtës së dytë 1943 i vetmi kuvend i zgjedhur me përfaqësues të të gjitha trojeve shqiptare, atëherë të bashkuara, në gjithë historinë tonë, së cilës komunistët i u përgjigjën me gjuajtjet e topave, veprim për të cilin mburren edhe sot.
Sot para nesh shtrohet pyetja : a jemi në gjendje t’a ringjallim, nëpërmjet një projekti largpamës e në ujdí me rrethanat bashkëkohore, strategjinë kombëtare për të hyrë në institucionet e kontinentit, jo si pakica kombëtare të shteteve të ndryshme, por si një shtet i vetëm ? Përtej termave “Shqipëri e madhe” apo “Shqipëri etnike”, që janë bërë gogoli që tundin para botës fqinjët tanë, sa herë flitet për kombin tonë, ne duhet të dëshmojmë, me vullnetin tonë mbarëpopullor, se nuk paraqesim rrezik për askënd, se asnjëherë nuk kemi patur synime grabitqare kundrejt fqinjëve, se duam të jetojmë së bashku në atë hapësirë toke në të cilën kemi qënë prej mijëvjeçarësh, sepse na bashkon gjuha, traditat, trashëgimia zakonore, historia e përbashkët, etj.
Këtë duhet t’a bëjmë nëpërmjet dokumentavet, që duhet t’i dërgohen organizmave ndërkombëtare, por edhe qeverive të Vendeve fqinjë me të cilët ndajmë problemet, ashtu sikurse atyre të Vendeve mike, të cilët shpresojmë të tregojnë një farë mirëkuptimi. Mendoj se filozofia ndriçuese e kësaj përpjekjeje për të pohuar aspiratën tonë kombëtare, duhet të jetë ajo e ish Kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Rruga e tij paqësore, krijimi i institucioneve paralele, bojkotimi i votimeve, pohimi kudo e para kujtdo të së drejtës sonë si komb, mendoj se përbëjnë një pasuri të çmuar, të vlefshme edhe për sot edhe për t’ardhmen. Koncepti i binjakëzimit të lirisë me luftën, i drejtë në pjesën më të madhe të historisë sonë, në kontekstin gjeopolitik të sotëm, nuk më duket frutdhënës. Po sjell këtu një shprehje të një shkrimtari gjerman të shekullit të shkuar, Peter Rosseger (1843 – 1918), me të cilën pajtohem plotësisht : “ Un dua jo aq atë atdhetarí që nxjerr bijtë tanë në fushat e betejave e i thërret të vdesin, por atë që u mëson atyre të jetojnë për Atdheun.” E thënë me fjalë të tjera, kemi nevojë kryesisht për qytetarë të vetëdijshëm e të pregatitur për problemet kombëtare, më shumë se sa për luftëtarë me armë në dorë.
Duhet mobilizuar populli, sidomos rinia, që duhet të dalë në manifestime, jo me flamuj partish, por me atë të Skënderbeut, e me pankarta, ku të shkruhet me gërma të mëdha : “DUAM BASHKIMIN PAQËSOR TË TROJEVE SHQIPTARE.” Këta manifestime duhet të jenë krejtësisht paqësorë e të zhvillohen të ujdisur njëherësh në qytetet e Shqipërisë, të Kosovës e ata shqiptarë të Maqedonisë. Në ta nuk duhen lejuar elementë skajorë që do të duan të përfitojnë nga rasti, nën shkakun e rremë të “zellit atdhetar”, për t’i dhënë tjetër drejtim apo të tjera qëllime. Vija paqësore e kërkesave duhet të jetë ngulmuese e na duhet të armatosemi me durim, sepse do të duhen vite për të arritur synimet tona. Nëse do të shfaqim vullnetin dhe dashurinë për çështjen tonë, pa u epur e pa dëgjuar sirenat gënjeshtare të ndryshme, do të mundemi t’i a arrijmë qëllimit, sepse “Në të gjitha sipërmarrjet njerëzore, nëse jemi në një mëndje për qëllimin, sendërtimi është një çështje e dorës së dytë.”, nëse më lejohet të parafrazoj një burrë shteti e historian gjerman të shekullit 19, Friedrich Cristoph Dahlmann (1785 – 1860), një nga hartuesit e Kushtetutës gjermane.
Në këtë projekt e strategji madhore të rilindjes së kombit të bashkuar në Evropën e shekullit XXI, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, në një të ardhme të afërt, mund të jetë një synim i arritshëm, nëpërmjet një referendumi në të dy shtetet. Një rezultat i lartë, me një pjesëmarrje shumë të gjërë të votuesve, do të ishte baza më e fuqishme për të kërkuar bashkimin. Madje do të ishte një gjë shumë e rëndësishme që në këtë shprehje të mendimit mbarëpopullor të merrnin pjesë on line të gjithë shqiptarët që jetojnë nëpër botë. Të gjithë argumentat e rendit etnik, kulturor, gjuhësor e historik janë në anën tonë, nuk ka asnjë motiv të shëndoshë që dikush, në diplomacinë ndërkombëtare, t’i kundërshtonte një vullneti të shprehur hapur e pa mëdyshje. Duhet të jemi të gjithë të një mëndjeje, që nga populli, sidomos mosha e re, deri tek institucionet e dy Vendeve. Do të ishte një ripërtëritje, në formë tjetër, në kah bashkëkohor, e përvojave më të arrira të shprehjes së synimit përbashkues të shqiptarëve në shekuj, e kohëve të Gjergj Kastriotit e të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.
Duhet të jemi të bindur gjithashtu, se ikjet përpara, nxitimet, ultimatumet apo iluzionet e forcës nuk i shërbejnë strategjisë sonë. Shumë kush sot në botën shqiptare i vesh luftës së U.Ç.K.-së meritën kryesore të pavarësisë së Kosovës. Pa e përjashtuar atë meritë dhe as sakrificat që lidhen me të, jam i mendimit se një përsëritje e asaj përvoje në proçesin e bashkimit, do t’a dëmtonte shumë synimin tonë e, ndoshta, do t’a varroste për jetë atë. Rrethanat e vitit 1999, që përcaktuan kahun e ngjarjeve në dobinë tonë, nuk përsëriten më, prandaj çdo iluzion i këtij tipi do të ishte shumë i dëmshëm për çështjen tonë kombëtare.
U mundova të skicoj shkurt një kuadër të problemeve tona madhore si komb. Mendoj se për të duhet hapur një diskutim i gjërë, nga i cili duhet të dalë një strategji e menduar mirë e, si e tillë, edhe fituese. Kritikat, mallkimet e sharjet e atyre që nuk e duan bashkimin e shqiptarëve, nuk duhet të na e fashitin vullnetin. Ne, si Shoqatë, duhet të punojmë për strategjinë e tij, duhet të ballafaqohemi me pjesë të tjera të shoqërisë sonë, por edhe me klasën politike e cila nuk duhet të mendojë se zotëron të vërtetën absolute.
Edhe se është shumë e vështirë, edhe se i kemi paguar shtrenjtë në të shkuarën pasojat e mosmarrëveshjeve me njëri tjetrin, edhe se sot nuk jemi ende të shëruar nga ajo sëmundje e rëndë, duhet të bëjmë një mundim të madh për të gjetur gjuhën e përbashkët. Është një detyrë e jona kundrejt së shkuarës e brezave të saj, që i vunë themelet shtetit tonë, por është më tepër një detyrë kundrejt s’ardhmes e brezave që do të vijnë, sepse jeta e tyre do të jetë më e bukur në një atdhe të bashkuar e të mirëqeverisur.
Urojmë që kjo ditë të mbetet një ditë historike për Shoqatën tonë, për veprimtarinë e Saj e për rezultatet që presim të sjellë në dobi të idealeve, të dëshirave madhore, të ëndërrave tona, si shoqëri e si komb.
Rroftë e përparoftë gjithmonë Atdheu i ynë i përbashkët, Shqipëria e Gjergj Kastriotit e Nënës Terezë dhe e vëllezërvet Frashëri.
* (Fjala e hapjes së tubimit të XIII të Shoqatës “Trojet e Arbërit”, më 14 gusht 2015 në Krujë)

Filed Under: Analiza Tagged With: : ËNDËRR SHEKULLORE, APO MUNDËSI, ATDHEU I BASHKUAR, E SENDËRTUESHME?, Eugjen Merlika

KOLABORACIONIZMI, NË KUSHTET E QËNJES SË VËNDIT TË PUSHTUAR NGA KËMB’E HUAJ, SI EDHE NË VAZHDIM, KUR SHQIPËRIA U QUAJT E ÇLIRUAR!

August 20, 2015 by dgreca

Nga Mërgim Korça/
Shtysa që na bën t’a kundrojmë periudhën historike përfshirë mes viteve 1939-1945 me një pamje të gjerë, të themeltë, përgjithësuese edhe tërësisht shkencore, kërkon që të ndriçohen e pastaj edhe të mbështetemi edhe në fakte historike jo vetëm lënë në harresë por edhe shtrembëruar qëllimisht nga historianët e periudhës së diktaturës. Prandaj detyrohemi t’a fillojmë analizën duke përcaktuar fillimisht kriteret bazë të mirëfillta shkencore lidhur me përdorim caqesh gjuhësore pa u a shfytyruar kuptimin atyre, pa lé në vazhdim edhe të lejojmë interpretime të gabuara, (prirur nga shtysa karakteri ideologjije politike), të cilat nga ana e tyre në vazhdim çojnë pashmangshëm në përfundime krejtësisht të gabuara. Po radhisim disa shëmbuj përcaktimi të cakut gjuhësor KOLABORACION :
KOLABORACION – Në parim, bashkëpunim, pra kooperim, lidhur me arritjen e një kontributi përgjatë një veprimtaríe kolektive.
KOLABORACION – I kundruar nga këndvështrimi përgjithësues filozofik, përcakton se si ndaj kolaboracionizmit janë të prirë kryesisht të pafuqishmit,(në çdo fushë, qoftë ekonomike, politike, ushtarake, etj.), nga që kërkojnë mbështetje dhe ndihmë.
KOLABORACION NË INTERES TË ATDHEUT – Kur bashkëpunimi kryhet me pikësynim mbrojtje interesash kombëtare, pa i përfillur ato personalet, bile përgjithësisht jo vetëm duke i nëpërkëmbur ato por duke vënë në lojë edhe të kaluarën skajshëm pozitive të vetë personit.
KOLABORACION TRADHËTAR – Kur bashkëpunohet me një shtet të huaj për hir interesash thjeshtë vetjake ose grupi, prirur për t’a mbështetur të huajt këtë regjim të pamerituar dhe udhëheqësit e këtij regjimi i shquan ndjenja e vetqëndërzimit të pashëmbulltë, (egoizëm i kësaj natyre), i cili shtyhet deri në kufij skajorë duke shkelur qoftë edhe mbi kufomat e mbështetësve besnikë të dikurshëm !
OPORTUNIZËM POLITIK – Në vijim, sa i takon kolaboracionizmit politik, (qoftë ai në interes ose jo të atdheut), pikërisht të paaftët për t’a nxjerrë “qimen nga qulli ”, duke i u referuar kolaboracionit, post facta, (mbasi ngjarjet të jenë zhvilluar), duan t’i a japin të drejtën vetes, duke pasë qëndruar krejtësisht INDIFERENTË dhe OPORTUNISTË përgjatë zhvillimit të ngjarjeve, të japin gjykime me gishtin e madh lart ose poshtë, (thumb up ose thumb down simbas dy herë fituesit të çmimit Nobel, profesor Linus Pauling – ndonëse i konsideruar si pro-sovjetik, e pra aspak në mbështetje të kësaj analize – shënim M.K.) !
Nisur nga këto konsiderata, hyjmë në temë duke filluar me pak histori, që të përshëndriten e doemos edhe të sqarohen, disa çaste të rëndësishme ku gjykimi në vazhdim të shikohet se si udhëhiqet nga logjik’e shëndosh’edhe e themeltë.
Është në nderin tonë që né, shqiptarët si komb, kemi trashëguar një emër të vlerësuar shumë lart përgjatë rrjedhave të historisë. Kjo një e vërtet’e pamohueshme. Mirëpo numuri aq i madh i qindravjeçarëve përgjatë të cilëve rrebeshet si edhe tufanet politiko-shoqërorë u munduan t’a zhbinin nga faqja e dheut kombin tonë, ndonëse nuk i a arritën atij qëllimi, e vunë para provash tejet të vështira për t’u përballuar. Vetë pozicioni ynë gjeografik, i kushtëzuar në mënyrë të pazgjidhëshme në vazhdim nga zhvillimet politike si pasoj’e dyndjeve përgjatë shekullit të VII-të nëpër Europën lindore të popujve sllavë, si pasoj’e një trysníe të egër të tyre për mbijetesë, krijuan rrethana si edhe situata që veç një banor i atyre viseve, i vdekur asokohe dhe i rilindur sot, në shekullin e XXI-të, mund të na i skjarojë. Vetëm ai, duke e gërmuar e zhbiruar sadopak sipërfaqen tashmë të ngrir’e të ngurtësuar të asaj llave dyndjesh nomade që tashmë konsiderohet e autoktonizuar, do të mundej të na hidhte dritë të saktë rreth të vërtetave të zhvillimeve historike. Mirëpo edhe po të arrihej hipotetikisht të hidhej dritë mbi ato sekuenca historike tashmë të fosilizuara, asnjë përfitim konkret nuk do të na vinte. Kjo sepse përgjatë zhvillimeve shumë më të afërt në kohë, konkretisht që nga mesi i shekullit të XIX-të e këtej, drejtuesit e popullit tonë janë ballafaquar me nevojën të merrnin vendime si edhe të mbanin qëndrime, në rrethana të caktuara në interes të kombit tonë, të cilët historianët bashkëkohës të periudhës së diktaturës komuniste, i kanë dënuar nga pozita krejtësisht jo-shkencore dhe kryekëput konformiste partiake. Fatkeqësia pastaj që ajo diktaturë e egër dhe gjakësore e pati jetën e saj thuajse gjysëmshekullore, bëri të mundur që çpifjet, gënjeshtrat si edhe shtrembërimet e atyre historianëve konformistë ndaj pohimeve dhe fantazive të diktatorit paranojak komunist, u rrënjosën duke zënë vënd në tekstet mësimore edhe të sot e kësaj dite ! E pikërisht rreth ndonjerës prej këtyre konsideratave të prekëshme dhe tejet të pranishme edhe në ditët tona, dua të përqëndrohem përgjatë kësaj analize edhe të hedh dritë rreth dëmeve që kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të shkaktojnë ato vetë.
Do t’a filloj, vetëm sa për t’a cekur, duke kujtuar një temë q’é kam trajtuar relativisht gjerë në Simpoziumin e V-të të zhvilluar në Orosh të Mirditës nga E DJATHTA SHQIPTARE NË MBROJTJE TË SHQIPËRISË ETNIKE, përqëndruar në kreun e XXII-të të Kanunit të Maleve me titullin VRASA. Me këtë rast dua të shtroj para lexuesit një pohim të studjuesit japonez Profesorit Kazuhiko Yamamoto i cili, duke qenë specialist i fushës ligjëshmërisë kanunore botërore, pohon se Kanuni i Maleve Shqiptare është, simbas tij, më i lashti kod ligjor ! E përsëris më i lashti kod ligjor ! Kurse, për nga rigoroziteti i trajtimit ligjor, e quan pararendësi i Kodit të Justinianit që vuri themelet e së Drejtës Romake ! Pse e fillova me këtë hedhje drite rreth Kanunit të Maleve tona ? Sepse përgjatë 47 viteve të diktaturës komuniste jo vetëm juristët si dhe historianët tanë, por edhe letrarët tanë nga më të shquarit e Realizmit Socialist, Kanunin tonë të Maleve e përbaltën, e zvetënuan, e përdhosën dhe e dogjën mbi turrën e druve ! Natyrshëm lind pyetja, pse u veprua kështu ? Për t’u konformuar me egoizmin e diktatorit dhe të partisë së tij që donin të ngulitej mendimi se çdo e mir’e Shqipërisë u themelua mbas marrjes së pusht-shtetit nga komunistët ! E ky qëndrim fillimisht ndaj Kanunit Maleve, që s’është gjë tjetër veçse një xhevahir si edhe me plot kuptimin e fjalës, NDERI I KOMBIT TONË. Po, ndér të cilin aman sa do të ëndërronin t’a kishin kombet kufitare me ne, historianët si edhe letrarët e Realizmit Socialist, e katandisën në atë livel që kur sot vriten dy a tre qofshin trafikantë droge apo keqbërës të tjerë me njeri tjetrin, gazetat shkruajnë fare pa përgjegjësí duke ndjekur mendësínë e instaluar me dhunë nga P.K.Sh., me germa kapitale : VEPROI EDHE NJË HERË KANUNI ! Kurse përgjigja ndaj kësaj mosnjohjeje të skajëshme të së vërtetës historike, si rrjedhim edhe të vetë Kanunit Maleve, është : Duhet t’a mësojnë ata që nuk e dijnë e gjithashtu edhe t’a pranojnë historianët shtrembërues të të vërtetave historike se, heret a vonë faktet historike si edhe të vërtetat e shtrembëruara apo të mohuara, DALIN NË SHESH ! Kanuni i Maleve ka qenë veprues kur nuk egzistonte shteti ligjor. Kurse sot ai është vetëm një relike muzeale por e cila relike e vyer dëshmon se si kombi ynë, pikërisht në mungesë të shtetit ligjor, administrohej nga rregulla e ligje të së drejtës civile si edhe asaj penale që kombeve të tjerë ose u mungonin fare ose ishin akoma kode në shpërgënj krahasuar me tonin !
Vazhdojmë me një çështje tjetër skajshëm të mprehtë, problemi hebré në Shqipëri dhe mënjanimi i genocidit ndaj tyre. Sa për ilustrim, në Izrael kanë institucionalizuar një titull nderi të lartë të emërtuar TË DREJTË NDËRMJET KOMBEVE ! Ky titull nderi u është dhënë jo-hebrénjëve që kanë fshehur dhe shpëtuar hebrénj të persekutuar nga gjermanët përgjatë Luftës së II-të Botërore dhe emri i tyre ësht’i shkruar në murin e Yad Vashem-it, shoqëruar ky nderim edhe me nje medaljon të personalizuar.
Lejomëni tashti të bëjmë fluturimthi një analizë krahasuese. Në Shqipëri nga ana e shtetit Izraelit janë shpërndarë 69 të tillë tituj nderi.* Në qoftë se këtë shifër, në raport me popullatën, do t’a konsiderojmë 100.00 njësi për Shqipërinë, po ju radhisim me radhë shtetet e tjerë me gjithë shifrat relative të tyret krahasuar me Shqipërinë :
1-Shqipëria ……………. 100.00
2- Danimarka …………… 16.63
3- Maqedonia …………… 9.80
4- Sllovenia ……………… 6.53
5- Rumania ……………… 6.52
6- Bullgaria ……………… 5.90
7- Mali i Zi ……………….. 3.53
Shumatorja e treguesve, të konvertuar të gjashtë shteteve së bashku, arrin vlerën totale 48.91 % krahasuar me Shqipërinë ! Duke e mënjanuar për një çast për saktësi llogaritjeje Danimarkën nga kjo listë, faktori Shqipëri në shpëtimin e jetëve të hebrénjëve strehuar në territorin e saj merr një pamje akoma më shprehëse në favorin e Shqipërisë ku kjo e fundit ka treguesin 100 % ndërsa pesë shtetet e tjera Ballkanike së bashku arrijnë vetëm kuotën e 32.28 % ! Duke e larguar tashti nga rrethi i abstragimit Danimarkën e duke e shikuar pasqyrën krahasuese edhe një herë të plotë, bije në sy se si Shqipëria në krye, e pasuar pastaj nga Danimarka, kanë njësit’e shpëtimit të hebrénjëve shumë më të larta nga popujt e tjerë. Natyrshëm çdo vëzhguesi, sadopak i vëmëndshëm qoftë, i bije në sy se si në gadishullin Ballkanik jo vetëm që Shqipëria shquhet katërcipërisht dukshëm ndaj popujve të tjerë në drejtimin e shpëtimit të hebrénjëve, por edhe danezët si popull shquhen shumë mbi mesataren ballkanase në këtë drejtim ! ** Normalisht dy janë pyetjet që kërkojnë përgjigje:
1- Ç’patën të përbashkët në qëndrimet e tyre Danimarka me Shqipërinë ?
Në Danimarkë pushtuesi gjerman si edhe në Shqipëri ai italian, strukturën shtetërore e lanë të pacënuar, me pak fjalë të dy vëndet patën parlamentet dhe qeveritë e tyre. Nga ana tjetër, në mes Danimarkës si edhe Gjermanisë u nënëshkrua një memorandum sipas të cilit njihej qeveria daneze me kompetenca të plota dhe gjermanët pranonin që të mos ndërhynin në punët e brëndëshme të vëndit. Të mos harrojmë se i njejtë qé edhe pozicionimi i qeverisë Gjermanisë ndaj vëndit tonë, fillë mbas kapitullimit të Italisë, me të gjitha rrjedhojat e saja objektive relativisht pozitive për vetë Shqipërinë.
2- Si ka mundësi që Danimarka mezi arrin 16.68 %, e krahasuar me Shqipërinë, sa i takon livelit të shpëtimit hebrénjëve përgjatë pushtimit gjerman ?
Kjo pyetja e dytë, kërkon shpjegime të gjata e të dokumentuara historikisht në mënyrë të themeltë. Në kuadrin e kësaj analize do të përgjigjemi doemosdo brënda caqeve të tilla që, së paku të painformuarit si edhe të ushqyerit nga propaganda komuniste, por në esencë njerëz të ndershëm, t’i mësojnë të vërtetat e në vazhdim, po deshën të qëmtojnë, të thellohen e të paisen në këtë drejtim me fakte si edhe të vërteta historike të tjera, pastaj në vazhdim të gjykojnë vetë, pa asnjë ndikim të jashtëm.
Danimarka ishte nën trysnín’e pranísë ushtrisë gjermane në territorin e saj në një kohë që në Shqipëri nuk kishte këmbë ushtari gjerman deri më 8 shtator 1943, ditë kur kapitulloi Italia. Si u zhvilluan ngjarjet lidhur me hebréjtë ? Qeveria daneze i mbrojti dhe u a maskoi identitetet hebrénjëve por hebrénjëve danezë ! Kurse hebrénjt’e dyndur në Danimarkë nga Gjermania, Norvegjia, Suedija si edhe shtete të tjerë, të ndodhur pa mbrojtjen e qeverisë daneze, në shumicën e tyre dërmuese u zbuluan sipas listave emërore nga gjermanët dhe përfunduan kampeve të çfarosjes. Ndërsa në Shqipëri ndodhi krejtë ndryshe. Lidhur me këtë fakt do të sjell një dëshmi timen personale.
E mbaj mënd mirë sikur të ishte dje. Im Atë sapo ishte kthyer nga një inspektim i shkollave në Kosovë. Sapo erdhi i telefonoi mikut të families dhe kryeministrit të Shqipërisë, Mustafa Merlika Krujës duke e informuar se sapo qe kthyer nga Kosova. Nuk u mbush një orë dhe veç kur bije zilja dhe në derë u çfaq kryeministri i cili, porsa hyri, i tha t’im Eti ç’dinte t’i thosh për hebrénjtë në Kosovë si edhe rrezikimin e deportimit të tyre nga ana e gjermanëve. (Dua të saktësoj se duhet të ketë qenë para mbarimit të vitit shkollor dhe nga veshja e t’im Eti si edhe e Mustafa Krujës, muaji prill ose maksimumi maj i vitit 1942). Nga që im Atë nuk kish ndonjë informacion shkalle të gjerë veç rastit të një profesori hebré mik i albanologut Norbert Jockl-it, atëbotë Mustafa Kruja i shpjegoi shkurtimisht se si një ditë më parë i kishte kërkuar audiencë Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë i cili i kishte paraqitur një listë prej mbi 320 familjesh hebréje, banuese në Kosovë, me të gjitha adresat e tyre të banimit duke i kërkuar kryeministrit sqarime rreth tyre. Mustafa Kruja e kishte marrë listën dhe i kishte thënë se do të merrte masa të menjëherëshme t’a sqaronte këtë informacion. Në fakt në Kosovë nuk kishte asokohe këmbë ushtari gjerman dhe kjo rrethanë i a lehtësonte punën kryeministrit për t’i shpëtuar ata hebrénj nga masakra eventuale e mundëshme. I telefonoi pa vonesë ministrit të Punëve të Brëndëshme Mark Gjomarkajt duke e porositur t’a lajmëronte menjëherë edhe Engjëll Çobën, aso kohe Sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë, e të vinin menjëherë në zyrën e Kryeministrit, për ku u nis edhe vetë ai me gjithë t’im Atë. Mbas disa ditëve mësova se Engjëll Çoba, në krye të një grupi prefektësh si edhe zv/prefektësh, ishte drejtuar për në Kosovë i ndjekur nga shumë autobuse të kompanisë S.A.T.A. dhe atje, në bazë listave emërore me gjithë adresat e sakta, i kishin paisur hebrénjtë me pasaporta shqiptare ku të quajturin David e kishin emërtuar në dokument Daut, kurse Mojsiun me emrin Mahmut e kështu me radhë duke i hipur në autobusa dhe nisur urgjent për në Shqipëri. Ndërkohë Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë ishte njoftuar se informatat e tija kishin qenë të pasakta e si duket të papërditësuara nga informatorët e tij. Përgjatë këtij konteksti e kam të drejtën të ngul këmbë që studjuesit e historisë t’i a gjejnë fillin urdhërit të Kryeministrit Mustafa Kruja lidhur me ato veprime pro-hebréje, sepse në arkiva do të ketë, pa as më të voglën mëdyshje, edhe urdhëra në vazhdim lidhur me problemin në fjalë. Pse e kam këtë bindje ? Sepse lidhur me atë ngjarje, ish Mëkëmbësi i Mbretit në Shqipëri zoti Francesco Jacomoni, në faqet 288-289 të librit të tij titulluar : La Politica dell’Italia in Albania, (Politika e Italisë në Shqipëri), me botues Cappelli Editore botuar më 31 Maj 1965, pohon tekstualisht : “Një demonstrim nga ana e Mustafa Krujës i asaj që ishte burrnia e tij,d.m.th. aftësia për t’i përballuar situatat me guxim si edhe zemërgjerësí, e pata pak kohë mbasi ai kishte marrë përsipër Kryesinë e Këshillit Ministror. Ishte paraqitur tek ai Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë dhe i kishte paraqitur një notë verbale me të cilën qeveria naziste kërkonte dorëzimin e mbi treqind familjeve hebréje që, refugjatë nga Jugosllavia, kishin gjetur strehim në Shqipëri … Në Shqipëri në fakt nuk kishte asnjë këmbë ushtari gjerman që të mund t’i identifikonin … ramë në ujdí … Ata do të paiseshin me pasaporta shqiptare me emër fallso … Roma nuk u njoftua zyrtarisht lidhur me këto zhvillime, por privatisht u informua drejtori i përgjithshëm i çeshtjeve rezervate, ministri fuqiplotë Vidau. Ai ishte njeri me zemër të gjerë dhe në saje të tij mundësuam nëpërmjet përfaqësive tona jashtë shtetit, t’i paisnim hebrénjtë gjermanë, bohemë, polakë, ungerezë dhe rumunë me pasaporta shqiptare. Atyre u krijohej mundësía t’u shmangeshin persekutimeve raciale duke i u drejtuar Shqipërisë.”
Me kapitullimin e Italisë edhe Shqipëria u shkel nga këmba e ushtrisë gjermane. Si formë kushtetuese drejtimi, vëndin tonë e drejtonte Këshilli i Lartë i Regjencës i përbërë nga katër Këshilltarë, (në ndryshim nga Danimarka ku në krye të shtetit ishte mbreti), e pastaj si aparat ekzekutiv qeverit’e ndërsjella. Në vazhdim, edhe Këshilli i Lartë i Regjencës i qëndroi vendosmërisht besnik pozicionimit të Qeverisë Mustafa Kruja ndaj hebrénjëve dhe kësisoji deri ditën që nga territori shqiptar u largua edhe këmba e ushtarit të fundit gjerman, hebrénjtë e strehuar në Shqipëri nuk i ngacmoi askush duke shpëtuar të gjithë ! Edhe me kaq sa u paraqit deri këtu, besoj se asnjë njeri i drejtpeshuar dhe i ndershëm nuk e ve më në dyshim faktin se qé qëndrimi tejet njerëzor, i prerë dhe i guximshëm i qeverisë së kryesuar nga Mustafa Kruja, i ndjekur pastaj edhe nga qeveritë pasuese, përgjatë periudhës Regjencës, që dijtën të manovrojnë mes dallgëve të atyre rrethanave të caktuara historike dhe arritën të krijonin kushtet që mbas lufte të konsolidohej thënja : Vetëm në Shqipëri hebréjtë e strehuar atje, dolën nga Lufta e II-të Botërore, në numur më të madh nga ç’hynë ! Nuk e lemë dot pa e përmëndur edhe një qëndrim kuptimplotë të pjesëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, (përgjatë kohës gjermanëve), bashkë-nënëshkruesit të Dokumentit të Mëvehtësisë si edhe atdhetarit të shquar Lef Nosit. Ndonëse ai mbulonte atë post aq të lartë, e mori në shtëpinë e tij në Elbasan, e strehoi dhe e mbajti atje duke i a shpëtuar jetën hebréut prof.Mark Menahemit,(i cili në Maqedoní, tek e transportonin me tren drejt kampeve të vdekjes naziste, ishte hedhur nga treni dhe kishte hyrë në Shqipëri) ! Kushdo mund t’a gjurmojë këtë fakt sepse prof. Mark Menahemi e ka bërë publike këtë ngjarje mbas vitit 1991. E sa për informacion, duke pas qenë Lef Nosi atdhetar i shquar si edhe intelektual i mirëfilltë, nuk kish se ku përfundonte tjetër veçse para skuadrës pushkatimit, bashkë me anëtarin tjetër të Këshillit të Naltë të Regjencës, Patër Anton Harapin si edhe ish kryeministrin Maliq Bushatin !
Dhe unë marr lejen të shtroj një pyetje thjeshtë retorike : A mund të shpëtoheshin hebrénjtë në Shqipëri aq në mënyrë masive mos të kishte populli mbështetjen e qeverive respektive, fillo nga ajo e kryesuar nga Mustafa Merlika Kruja e pastaj edhe në vazhdim nga të gjitha qeverit’e tjera nën juridiksjonin e Regjencës ? Është fillimisht pozicionimi njerëzor e pastaj edhe i guximshëm i të gjith’atyre qeverive, që e kushtëzuan radhitjen e Popullit Shqiptar, aq të nderuar mes emrave të murit Yad Vashemit !
Deri këtu u identifikuan dy nga shtrembërimet madhore që historianët e indoktrinuar si edhe letrarët konformistë u kanë bërë të vërtetave historike : Përbaltja si edhe çpifjet ndaj Kanunit të Maleve që, nga ana e tyre në rastin më dashamirës, është konsideruar vetëm turpi i kombit tonë, si edhe nga ana tjetër problemi i shpëtimit hebrénjëve, fakt i cili nuk mohohet dot sepse bashkëkohor, por faktori vendimtar i asaj shmangie genocidi nazist ndaj hebrénjëve ishin padyshim qeverit’e asaj periudhe të kohës së Luftës së II-të Botërore veprimi i të cilave jo që u la në harresë por vazhduan dhe u përbaltën si qeverí kolaboracioniste derisa e drejta vezulluese e atyre fakteve historike u mbulua nga çpifjet e përsëritura dhe të ripërsëritura deri edhe sot e kësaj dite ! Mirëpo faktet janë kokëforta dhe e drejta vërtet vonon por vjen një kohë dhe del në shesh ! Një ditë krejt papritur, bilé kur Kosova akoma nuk e kishte shpallur dot énde pavarësin’e saj, merret një vendim, (i cili për kohën që u muar, nga që faktet kanë qenë fshehur në Shqipërinë ëmë për dhjetravjeçarë me radhë, dukej në syt’e shqiptarëve shumë komprometues për Kosovën dhe kosovarët), ku njera prej rrugëve kryesore të Prishtinës, e pikërisht ajo para ndërtesës Parlamentit, u pagëzua me emrin e nderuar nga kosovarët dhe u quajt Rruga Mustafa Kruja ! (Po kështu janë emërtuar me të njejtin emër rrugë edhe në Pejë e Gjakovë). Pra Kosova, me përgjegjësí edhe guxim, mbështetur në fakte publikisht të njohur por të mbajtur fshehur, të shfytyruar bilé edhe të përbaltur nga historianët e diktaturës brënda kufinjëve të Shqipërisë “mëmë”, e vlerëson lart figurën e ish Kryeministrit Shqiptar ! Ndonjë studjuesi të painformuar mirë mund t’i shkojë mëndja se ky ndér i është bërë Mustafa Krujës për meritën e tij lidhur me shpëtimin e hebrénjëve që ishin dyndur në Kosovë. Jo zotërinj, ndéri i atribuar Mustafa Krujës nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me atë ngjarje por me qëndrimin skajshëm patriotik të mbajtur nga Mustafa Kruja lidhur kjo edhe me veprimet e tija në këtë drejtim ndaj Kosovës që i pati përmbledhur me plot gojën, (besoj se për një të ardhme të afërt e provizore), dhe zyrtarisht e botërisht qé shprehur … Mâ mirë nji Shqypni gjysë e pamvarun por me Kosovën, se sa e pamvarun por pa Kosovën ! S’bashkut me Kosovën, pamvarsia nuk vonon e s’fundit vjen !
Rrebesh i vërtetë epitetesh nga më djallëzorët si edhe çpifjesh keqdashëse u lëshuan për dyzet’e shtatë vite me radhë mbi figurën e Mustafa Krujës duke filluar nga Enver Hoxha e ndjekur pastaj edhe nga e gjithë plejada e historianëve si edhe letrarëve, pasues konformistë të tij.Mirëpo, ndërkohësisht Kosova, dashurinë si edhe veprimtarin’e Mustafa Krujës në të mirë dhe interesin e saj kurrë nuk i harroi.
I erdhi çasti tashti një paralelizmi për të njëjtin problem por … me diktatorin, farkëtuesin e anatemimit të patriotëve të kulluar si tradhëtarë e kolaboracionistë.
Enver Hoxha në një thirrje të tijën në vitin 1942 shprehet “Tradhëtari Mustafa Kruja po përpiqet t’ju ushqejë me gënjeshtra dhe me demagogjinë e tij, t’ju flasë për një -Shqipëri të Madhe-, për një -Kosovë të Çliruar-“.
Kurse në vazhdim, në Plenumin e V-të të K.Q.të P.K.Sh.-së më 21 shkurt 1946, E.Hoxha tha : “Nuk e kemi drejtuar popullin tonë sa duhet drejt vëllazërimit të shëndoshë me Jugosllavinë, që është një konditë e domosdoshme për ekzistencën e vëndit tonë”.
Vazhdojmë me një fakt skajshëm të trishtë: Në muajin Korrik, po të vitit 1946, u mbajt mbledhja e Kuvëndit të Jugosllavisë e cila miratoi aneksimin nga ana e Jugosllavisë Federale të Kosovës !
Në muajin gusht të vitit 1946, vetëm një muaj mbas aneksimit të Kosovës, u zhvillua në Paris Konferenca e Paqës. Atje delegacionit të Shqipërisë i u drejtuan disa pyetje sa i takonte qëndrimit të Shqipërisë ndaj atij aneksimi. Lidhur me këtë ju ftoj t’a gjeni e t’a lexoni fjalimin e Enver Hoxhës mbajtur në Konferencën e Paqës në Paris, ku ai thotë shprehimisht : “Ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tone Jugosllavi”.
E nuk mbaroi me kaq, por më 15 dhjetor 1946 u zhvillua mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qëndror. Sipas proces-verbalit të mbledhjes që gjëndet në dokumentat e ish Arkivit të KQ te P.P.Sh., gjatë fjalës së tij Enver Hoxha në atë mbledhje ka thënë “Disa anëtarë partie duan të filozofojnë se mos thotë populli ç’bëtë me Kosovën … Ne do të ua spjegojmë, kush nuk na kupton, ne do ti luftojmë “. Në këtë atmosferë, me urdhërin e vetë E.Hoxhës, i u dorëzuan vëllezërve si edhe drejtësisë jugosllave një varg patriotësh shqiptarë si patrioti dhe gjuhëtari i shquar prof.Selman Riza, nipat e Bajram Currit, Hajro e Shaqir Curri e të tjerë që në vazhdim u gjykuan dhe u dënuan prej jugosllavëve.
Në vazhdim doemos do t’a zgjerojmë hedhjen dritë, bazuar në fakte dhe dokumenta arkivale egzistuese, lidhur me kolaboracionizmin me kushte krejtësisht nënështruese të zbatuar nga P.K.Sh. si edhe qeveria shqiptare fillimisht ndaj Jugosllavisë Federale, (jo vetëm duke i a lënë Kosovën kësaj të fundit por edhe duke qen’e gatëshme që Shqipëria të bashkohej me Jugosllavinë në kuadrin e Federatës Jugosllavisë), në vazhdim kundrejt Bashkimit Sovjetik e së fundi ndaj Kinës. Lé studjuesve si edhe analistëve, por edhe secilit lexues të vëmëndshëm të fakteve të vërteta historike, nuk ka se si të mos u bjerë në sy se si në të tre rastet, në themel të këtyre bashkëpunimeve në plan të parë ishin vetëqendërzimi dhe egoizmi paranojak i Enver Hoxhës, i vënë ky peng i interesave të partnerëve tanë pa i përfillur aspak interesat e Shqipërisë ! Ç’e bën akoma më të prekëshme këtë dukurí ? Duke e kundruar hullín’e mbetur nga pas përgjatë 40 viteve diktature personale të E.Hoxhës, (1945-1985), ndeshemi me një listë të pambarim tradhëtarësh, agjentësh si edhe kriminelësh bashkëpunëtorë fillimisht të Jugosllavisë, pastaj të B.S., në vijim të Kinës e së fundi edhe të imperializmit anglo-amerikan, të gjithë ekzekutuar ose kalbur burgjeve të diktaturës ! E pra e gjithë kjo kategori të dënuarish ishin bashkëpunëtorët dhe mbështetësit më të afërt të Enver Hoxhës i cili e paska drejtuar për katër dhjetvjeçarë vëndin … i rrethuar veç nga armiq edhe tradhëtarë të Shqipërisë Socialiste duke qenë ai vetë patriot edhe internacionalist i kulluar !(?)
Mendoj se tashti i erdhi çasti një përshkëndijimi përgjithësues vetë konceptit kolaboracionizëm, cak gjuhësor ky shum’i përgjithshëm dhe dëndur i përdorur gabimisht. Prandaj si hap i parë duhet veçohen llojet e kolaboracionizmit, (term i përdorur për të parën herë nga Mareshalli Philippe Petain i Francës). Petaini, heroi i Verdunit i Luftës së I-rë Botërore, e “rrezikoi” emrin e tij mbas pushtimit të Francës nga Gjermania, (gjatëLuftës II-të Botërore), por me pikësynimin e tij, që edhe e realizoi, duke shpëtuar 3/4 e Francës nga shkatërrimi eventual prej ushtrisë gjermane. Pra, kolaboracionizmi i Mareshallit Petain, qé i prirur pozitivisht ndaj interesave franceze. Me këtë rast nuk po hyj e t’a analizoj, se nuk është rasti, opinionin publik të drejtuar shtrembër nga Mareshalli De Gaulle e gjithësot i përgjithësuar, i prirë nga faktori vetëqendërzim i De Gaulle-it që e shkroi … historin’e asaj periudhe për Francën dhe ndikoi në shtrembërimin e së vërtetës që kolaboracionizmi i Mareshallit Petain nuk qé NË TË MIRËN E FRANCËS !(?) E cekëm faktorin De Gaulle dhe qëndrimin e tij, vetëm me vetëm të vinim në dukje se si pozicionimi i tij ka qenë tipik OPORTUNIZËM POLITIK, sepse ai iku nga Franca, u strehua në Anglí dhe … në fund të fundit u radhit me fituesit të cilët e shkruajnë gjithmonë historinë ! E kështu vetëqendërzimi si edhe prirja të hidhte poshtë bëmat e gjithsecilit prej kolegëve të tij, (ai kishte qenë nxënës dhe nën komandën e Mareshallit Petain përparandej), gjetën terrenin e përshtatshëm që ai, pa asnjë lavd të shkuar patriotik e duke qëndruar në hije e në pritje të zhvillimeve politike, të dilte në krye të Francës, së cilës Mareshalli Philppe Petain i blatoi të kaluarën e tij tamam legjendare duke e dijtur dhe i ndërgjegjshëm se për të mirën e Francës i a vlente sakrifica e tij madhore !
Nga ana tjetër, diametralisht i kundërt me kolaboracionizmin e Mareshallit Philippe Petain qé ai i norvegjezit Vidcun Quisling, sa për një shëmbull ! Po, vërtet, kolaboracionizmi i Quisling-ut ishte i prirë nga kundërkomunizmi i tij por ky i mbështetur, nga ana tjetër, thjeshtë nga egoizmi i tij për të qenë i pari i vëndit të tij, ndonëse vetëm një javë mundi të ishte K/Ministër dhe i gjithë pushteti i tij u kufizua nga gjermanët tek e drejta që i dhanë të nënëshkruante me dorën e tij të gjithë dokumentat e deportimit të hebrénjëve nga Norvegjia ! Ja ku e çoi egoja për pushtet Vidcun Quislingun : në një zbatues dënimesh me vdekje, dhe asgjë më shumë!
Po në Danimarkë, në të njajtat kushte me Shqipërinë, ç’ngjau ? Populli danez e kuptonte shquar se në bilancin total të asaj lufte mes gjigantësh, ndikimi i tyre në favorin e aleatëve do të ishte mikroskopik, i krahasuar me humbjet potenciale që do të pësonin, prandaj edhe u mbyllën në guaskën e tyre, bënë kompromise si edhe kolaboracionizëm me ushtrinë pushtuese gjermane, në favorin danez, dhe … pritën të përfundonte lufta. Mbas lufte, falë pjekurisë të drejtuesve edhe vetë popullit danez, kolaboracionizmin me gjermanët si edhe kompromiset që u arritën u konsideruan veprime me rezultat konkret në favor të vëndit. E majta daneze, duke qenë se P.Komuniste ishte nxjerrë jashtë ligjit, nuk pati asnjë iluzion t’ia ndryshonte drejtimin pro-perëndimor vëndit ku si pasojë ekonomia e tregut shënoi vazhdimisht suksese sa i takon rritjes së begatísë, dhe gjithashtu Danimarka u integrua që më 4 prill 1949 në aleancën perëndimore Atllantike NATO dhe që më 1 janar 1973 pranoi të bëjë pjesë në Tregun e Përbashkët Europian ! (Të tepërta krahasimet me Shqipërinë).
Simbas kësaj optike, e shqyrtojmë në vijim përdorimin e termit kolaboracionizëm nga ana e P.K.Sh. Përgjatë luftës, me këtë cilësor përçmues, anatemoheshin drejtuesit e shtetit shqiptar që morën poste drejtuese. Kurse në vazhdim, mbas lufte ata u pushkatuan ose u kalbën burgjeve, pavarësisht nga e kaluara e tyre skajshëm atdhetare por vetëm se të akuzuar si bashkëpunëtorë të pushtuesit ! Kjo e përgjithëshmja.
E analizojmë tashti në rastin konkret të qeverisë drejtuar nga Mustafa Merlika Kruja. Vetë kryeministri, në vazhdim të veprimtarísë së tij atdhetare, ishte bashk-nënëshkrues i dokumentit të pavarësisë, gjë e mbajtur fshehur nga historianët e kohës diktaturës. Mbas shpërndarjes së qeverisë kryesuar nga Imzot Fan Noli, edhe Mustafa Kruja mori rrugën e emigracionit politik. Nga që emri i tij nga historianët e diktaturës u njësua si shërbyes i fashizmit italian, për hir të së vërtetës, në vazhdim paraqesim disa përditësime dokumentash arkivore :
Shkresa e ministrisë Jashtme të Italisë drejtuar Drejtorisë Përgjithëshme të Policisë me 25 gusht 1933, firma e palexueshme, thotë : … Mustafa Kruja ankohet së rishmi për kontrollin që ushtrohet nga ana e autoriteteve lokale të policisë ndaj letërkëmbimit të tij … E shikojmë të arësyeshme që ky kontroll të zbatohet me përkujdesje më të madhe … dhe Krujës mos t’i jepet përshtypja se konsiderohet si i dyshuar nga ana e jonë.
Shkresa e ministrisë Punëve të Brëndëshme drejtuar ministrisë Jashtme të Italisë më 2 prill 1939, firma e palexueshme, thotë: … Sa i takon të lartpërmendurit, (Mustafa Kruja), që ka ardhur për arësye shëndetësore … i nënështrohet një mbikqyrjeje të kujdesëshme dhe shumë të fshehtë.
Po ato ditë i kishte kërkuar Mustafa Krujës takim Giuseppe Giro-ja në emër të Mussolinit. Gjatë takimit ai i thotë se ishte i ngarkuar t’a vinte në dijeni se lidhur me marrëveshjen e ndërsjellë, Duce-ja i kishte bërë nja dy ndryshime të vogla kësaj të fundit. Mustafa Kruja flakë për flakë i u përgjigj se marrëveshjet e nënëshkruara zbatohen pikë për pikë siç janë formuluar. Në qoftë se Mussolini donte të bënte ndryshime … atëbotë Zogu le të qëndronte edhe 100 vite në fronin shqiptar! Kaq sa për një hedhje drite fluturimthi pozicionimeve të ndërsjella, pala italiane – Mustafa Kruja.
Po ana tjetër e medaljes Mustafa Kruja ? Në dhjetor 1941 e mori detyrën si kryeministër Mustafa Kruja dhe më 23 prill 1942 Flamuri Shqiptar mori formën zyrtare pa sëpatat e Liktorit dhe pa nyjen e Savoias, pra flamuri siç ishte para pushtimit italian ! Këtë fakt e përshkruan Galeazzo Ciano-ja në kujtimet e tija. Mustafa Kruja qeverisë italiane i a kishte paraqitur piksynimin e tij që … E dua Shqipërinë në kufijt’e saj natyrorë ! Në gjëndjen e asaj kohe lufte, Ciano-ja i a pati konfirmuar Mustafa Krujës edhe bashkimin, veç Kosovës, të Plavës edhe Gucisë ! Pra në këtë kuadër mbetej të realizohej edhe dëshira tjetër e kryeministrit, bashkimi i Çamërisë me Shqipërinë Mëmë. Tejet emblematike qé edhe fjala e Mustafa Krujës e 22 nëntorit 1942, kur ai u shpreh botërisht në Teatro Savoia, se vetëm duke e respektuar pavarësín’e plotë të Shqipërisë ajo (Italia-M.K.) do të gjente tek shqiptarët miq dhe vëllezër për jet’edhe vdekje. Përgjatë kësaj hullíje nuk mundem të mos e vlerësoj lart edhe mendësínë në bazë të së cilës Mustafa Kruja i përzgjodhi edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, anëtarët e qeverisë Kruja. Ministër i Punëve të Brëndëshme u emërua Mark Gjomarkaj, jurist dhe bir i Derës së shquar atdhetare të Gjomarkajve, i njohur edhe si kundra-italian. Ministër i Financave u ngarkua Shuk Gurakuqi. Ekonomist me emër, i shquar si burr’i ndershëm e me karakter dhe i njohur si edhe kundra-italian. Ministër i Punëve Botore u caktua Iljaz Agushi, kosovar. Atdhetar me emër dhe kundra-italian, me përvojë jete politike në Kosovë. Ministër i Partisë Fashiste u emërua Jup Kazazi, kundra-italian i njohur. Ministër i Drejtësisë u caktua Hasan Dosti, jurist i shquar dhe i njohur si kundra-italian, për të cilin Naxhije Dume, njera nga zyrtaret e larta të P.K.Sh. në një intervistë të sajën lidhur me Hasan Dostin pas luftës, pati deklaruar…”Ministri i Drejtësisë Hasan Dosti i dinte mendimet si edhe veprimet tona antifashiste,mendime këto që, me sa vija unë ré atëhere, ministri i kishte edhe mendime të veta”. Ministër i Arësimit qé Xhevat Korça. Kundra-italian i njohur e prandaj emërimi i tij u miratua më së fundi nga Luogotenenza jo pak por tre muaj mbasi qeveria Kruja e kishte filluar veprimtarín’e saj, edhe kjo falë këmbënguljes së kryeministrit Mustafa Kruja që nuk pranonte ministër tjetër veç tij. Luftëtar i çetave të Themistokli Gërmenjit si edhe të Spiro Bellkamenjit. Themelues dhe drejtor i parë i Gjimnazit të Shkodrës. Kur i propozuan t’a udhëhiqte dikasterin e Arësimit vuri dy kushte : 1- Të hiqej gjuha italishte nga programet e shkollave fillore të Shqipërisë, dhe 2- Të liroheshin menjëherë nga burgjet ose internimi të gjithë arsimtarët e akuzuar si anti-italianë. Në Arkivin Qëndror të Shtetit egziston edhe një dokument i nënëshkruar nga gjenerali Dalmazzo, K/Komandant i forcave italiane në Shqipëri, ku urdhëroheshin të gjitha prefekturat sa herë që në to të shkonte ministri i Arësimit Xhevat Korça të survejohej nga afër se me prirje komuniste ! Pa e zgjatur shumë listën, ndalemi tek figura e shquar e atdhetarizmës shqiptare, Qazim Koculit i cili u caktua ministër pa Portofol. Koculi ishte një kundra-italian i njohur e që u shqua veçanërisht gjatë Luftës së Vlorës të vitit 1920. Mbas dorëzimit të ultimatumit tërheqjes forcave italiane gjeneralit Piacentini, me ç’rast ai nuk pranoi të largoheshin trupat e tija nga baza detare e Vlorës, Koculi i udhëhoqi forcat vullnetare në sulmin kundra trupave italiane, e cila luftë përfundoi me fitoren e vullnetarëve shqiptarë duke i hedhur në det italianët !
Dy fjalë tashti rreth vrasjes së Qazim Koculit, (me pak informacion që mbase nuk dihet, sepse përgjatë diktaturës komuniste, historianët konformistë, edhe udhëheqjen e forcave vullnetare i a atribuan Selam Musait i cili vërtet qé njeri nga dëshmorët e asaj lufte, po kurrsesi drejtuesi ushtarak i saj). U vra Qazim Koculi e bashkë me të, edhe fatkeqi prefekti i Vlorës, (udhëtar i rastësishëm), Lele Koçi. Kush i vrau ? Nuk ka rëndësi dorasi, por i shtyrë nga një dibran, njeri prej shërbëtorëve ordinerë të italianëve. Motivi cili qé ? Për këtë duhet shkuar thellë në vite, e pra më 6 korrik të 1920-ës kur forcat italiane u hodhën përfundimisht në det dhe krahina e Vlorës u çlirua duke i u bashkuar Shqipërisë së 1912-ës. Atë ditë, e theksoj, pikërisht atë ditë, Benito Mussolini u shpreh si vijon : … Kam qarë më shumë sot për këtë humbje tonën nga ana e shqiptarëve, se sa kur e pësuam humbjen e Caporettos (25 tetor 1917) nga forcat Austro-Ungare dhe Gjermane (gjatë Luftës së I-rë Botërore të 12 betejat përgjatë lumit Isonzo – shënim M.K.) ! Kurse me 28 tetor po Mussolini shkruan një artikull me titullin “AMARISSIMO” (“Skajshëm i hidhur”- shënim M.K.), ku shpjegon se si humbja e Caporettos Shqiptare është shumë, shumë m’e rëndë, se sa ajo mes lumenjëve Isonzo si edhe Piave-s ! Pikërisht duke e mësuar këtë pozicionim të Mussolinit, udhëheqësit fashist të Italisë, kuptohet qartë pse qeveria e Mustafa Krujës u pengua deri në atë masë nga ana e Luogotenenzës në kapjen, gjykimin si edhe dënimin e organizuesve si edhe autorëve të vrasjes së Qazim Koculit, (ndaj të cilit u shkarkua mbas dy dhjetvjeçarësh hakmarria e Duce-s), sa që kryeministri Mustafa Merlika Kruja, duke e ndjerë veten të pafuqishëm të dënoheshin vrasësit e Qazim Koculit, ministrit pa portofol të qeverisë së tij, i paraqiti Francesco Jacomonit dorëheqjen e pakontestueshme të qeverisë Kruja !
Përgjatë kësaj hullíje nuk mund të lihet pa u vënë në dukje një moment tejet kuptimplotë nga jeta e kundra-italianit Qazim Koculit të cilit, historianët komunistë, mbështetës të ideologjisë partiake komuniste, nuk i a kursyen cilësorët kolaboracionist, fashist, tradhëtar e shto të shtojmë. Kur Qazim Koculi e pranoi postin e ministrit pa portofol në qeverinë Kruja, miku i tij Sadik Shaska i u drejtua jo pa mllef duke i a vënë në dukje pakënaqësin’e tij lidhur me atë vendim. Është tamam simbolike përgjigja që ai mori nga Koculi, kolaboracionisti edhe tradhëtari, sipas komunistëve : “Si t’a merr mënja tinë, more Sadik miku, se unë mund të bashkëpunonj me kulishët e atire q’i huadhtim në det në 20-ën? Unë jam ai që qesh’edhe atëherë. Për t’i lëftuar sot armiqtë t’anë na duhen arm’edhe xhephané. Mos t’isha Komisar i Lart’i Qeverrisë nuk i mbushja dot di vënde të mbëshehta, njërin në Trubull të Karbunarit e tjatrin në Shpellat e Beunit ! Me këto do t’i luftojëm italanët, mbëlidhe mënjen o Sadik ” !
Mbas Qazim Koculit do të trajtojmë shumë sipërfaqësisht edhe dy anëtarë të tjerë të Qeverisë Kruja, pikërisht ata dy ministra respektivisht njeri i dikasterit të Partisë Fashiste e tjetri i atij të Drejtësisë. E fillojmë me Jup Kazazin, ministrin e Partisë Fashiste. E zgjodhi kryeministri Mustafa Kruja për atë post pikërisht nisur nga ndjenjat e tija atdhetare dhe kundra-italiane që ai dikaster të mbahej larg ndikimit italian në të. E njejta gjë edhe me dikasterin e Drejtësisë ku ministër u përzgjodh atdhetari dhe ndër juristët më me emër të Shqipërisë, Hasan Dosti. Kur u arrestuan në Tiranë Hamit Mëzezi, Nikolla Tupe si edhe Ferid Xhajko, (pa u degëzuar fare në akuzat që i bëhen Enver Hoxhës si denoncues i tyre), dy ministrat e sipërpërmëndur, kur ata tre komunistë u dënuan nga gjykata me vdekje, në shënjë proteste dhanë dorëheqjen e tyre nga dikasteret që drejtonin.
Në vazhdim Jup Kazazi u hodh në ilegalitet me forcat e Ballit Kombëtar dhe në fundin e muajit Gusht 1943 udhëhoqi forcat e Ballit si edhe të Legalitetit që përbënin mbi 900 luftëtarë nacionalistë me të cilët u bashkuan edhe 25 partizanë të Bataljonit Perlat Rexhepi, (inventarin e trupave e ka pas dokumentuar major Zenel Kazazi), dhe u shkaktuan një humbje të bujëshme forcave italiane në luftën e Reçit. Historianët komunistë luftën si dhe fitoren e asaj lufte i a kushtojnë forcave partizane e këta të vetëm, u paskan shkaktuar humbjen e bujëshme forcave italiane prej 2400 ushtarësh italianë !(?) Pra, sipas këtyre shkencëtarëve, lé që nuk i zihet fare emri në gojë udhëheqësit të asaj lufte, Jup Kazazit, por as fare forcave nacionaliste !(?)
Vijmë tashti mbas 29 Nëntorit të vitit 1944. Hasan Dosti largohet nga Shqipëria dhe në mungesë dënohet me vdekje si kolaboracionist dhe tradhëtar.
Jup Kazazi në vazhdim organizoi qëndresën kundrakomuniste e cila kulmohet me datën 9 Shtator të vitit 1946 me kryengritjen e armatosur të Postribës, i së cilës ai ishte edhe pjes’e trurit organizativ të saj. Mbas thyerjes së saj, Jup Kazazi u strehua në shtëpin’e dajave të tij Rifat e Shyqyri Kopliku që i kishin burgosur. I rrethuar nga forcat e ndjekjes e duke mos dashur të digjej shtëpija, i nxori gratë jashtë dhe vrau veten. Daja i madh Rifati e mori mbi vete strehimin e Jup Kazazit, gjë për të cilën e pushkatuan ! Dhe historianët konformistë me ideologjin’e P.K.Sh., si e trajtuan figurën e tij ? Edhe Jup Kazazi na paska qenë, sipas tyre, kolaboracionist edhe tradhëtar!(?)
Gjithë këtyre fakteve historike të grumbulluar doemos do t’u rikthehemi në vijim. Në vazhdim të analizës nuk mundim mos t’i hedhim dritë edhe një momenti themelor i cili flet shumë lidhur me masa karakteri kombëtar, nga njera anë, si edhe fshehje realiteti si edhe shtrembërime, nga ana tjetër. Si atdhetar i shquar e gjithashtu si gjuhëtar i sprovuar, para se t’a merrte përsipër detyrën e kryeministrit e pikërisht me 20 Prill të vitit 1940, Mustafa Kruja qé me kolegët e tij Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi e të tjerë, nismëtar dhe bashkë-themelues i Institutit të Studimeve Shqiptare duke e kryesuar gjithashtu fillimisht edhe Këshillin Shkencor të atij institucioni, (funksjon të cilin ai i a dorëzoi prof.Ernest Koliqit kur u emërua kryetar i Këshillit të Ministrave). Seksjoni i Gjuhësísë i atij Instituti, duke patur parasysh përpjekjet pararendëse të Komisisë Letrare të Shkodrës që më 1916 e gjithashtu edhe mbështetjen që i u bë një Gjuhe Normative Shqipe edhe përgjatë periudhës Zogut, në vazhdim përgjatë hullísë pararendësve e duke i ngritur edhe më lart arritjet e deriatëherëshme, mbas diskutimesh dhe drejtpeshimesh, pati arritur në përfundimin se si Gjuhë Shqipe Normative duhej të ligjërohej e folmja e qytetit të Elbasanit. E ritheksoj, e folmja e qytetit të Elbasanit, e cila i përmblidhte më së miri të përbashkëtat e të folmeve të ndryshëme si të Jugut, Shqipërisë së Mesme e gjithashtu edhe të Veriut të vëndit tonë ! Pra, u përzgjodh si e folmja më e përshtatëshme për të qenë gjuhë normative e Shtetit Shqiptar. Shtoj me këtë rast se si Xhevat Korça, i cili ishte anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Studimeve Shqiptare, me t’u bërë titullar i dikasterit të Arësimit, me shkresën nr.61, datë 20 shkurt 1942, urdhëroi të githa shkollat e Shqipërisë që Gjuhë Normative Shqipe, që nga ajo dit’edhe mbrapa e cila do të studjohej në shkollat tona, do të ishte gjuha e folur e qytetit të Elbasanit dhe tekstet zyrtare bazë të mësimit të Gjuhës Shqipe do të ishin tekstet e Sintaksës si edhe Gjuhës Shqipe të At Justin Rrotës. Me këtë fakt shikohet qart’edhe shquar pikësynimi i politikës skajshëm kombëtare të qeverisë Kruja e cila, në rrethanat e pushtimit fashist, vuri kusht dhe e hoqi gjuhën italiane si gjuh’e detyruar në shkollat fillore të Shqipërisë dhe nga ana tjetër e thelloi pikësynimin e saj duke e ligjëruar edhe Gjuhën Normative Shqipe.
E theksuam këtë moment vetëm t’ua vemë në dukje studjuesve të pa anshëm e të ndershëm se, kur u bë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (20 – 25 Nëntor 1972), se si nga gjuhëtarët konformistë të regjimit, e në vazhdim edhe nga historianët e diktaturës, u duartrokit si themeli që e njësoi për herë të parë Gjuhën Shqipe zyrtare, duke e lënë krejtësisht në harresë faktin se jo pak, por pikërisht tridhjetë vite më parë, në kushtet e pushtimit të huaj, qé kryer akti i njësimit të Gjuhës Shqipe në një gjuhë normative gjithëkombëtare !
Dhe sot, në vitin e njëmbëdhjetë të shekullit tonë të XXI-të, dhe në vitin e XXI-të që nga shkërmoqja e diktaturës komuniste, shtrohet pyetja e sinqertë dhe aspak retorike : Vallë do të vijë ndonjë herë dita që të vërtetat historike të thuhen ashtu si kanë qenë, që të gjitha dhe as pa zbukurime por edhe as pa përçudnime ?
Pikërisht, nisur nga ky synim që i kemi vënë vetes të analizojmë, vazhdojmë me paraqitje faktesh, kurrë të zëna në gojë nga studjuesit e periudhës së diktaturës komuniste.
Kur Francesco Jacomoni u propozon drejtuesve të shtetit italian që qeveria Vërlaci, si e pambështetur nga shumica e popullit shqiptar, duhej zëvëndësuar nga një qeveri e drejtuar nga Mustafa Kruja, ministri i Punëve të Jashtëme të Italisë Galeazzo Ciano, me datën 10 nëntor 1941 shkruante në Ditarin e tij Politik, (botim i Rizzoli-t, tetor 1990 në faqen 556), “… Ky një lëshim i mëtejshëm ndaj ekstremistëve të nacionalizmës shqiptare.” Sikur vetëm nisur nga ky vlerësim i ministrit të Punëve të Jashtëme të Qeverisë Italisë Fashiste të niseshim ku ai, në nënvetëdijen e tij jo që nuk e quante sukses të pushtetit fashist marrjen e fuqisë ekzekutive në Shqipëri nga ana e Mustafa Merlika Krujës me shokë, por përkundrazi e quan lëshim ndaj ekstremistëve të nacionalizmës shqiptare, do të ishte një argument si edhe provë e pakundërshtueshme dhe skajshmërisht e fuqishme për t’iu kundërvënë propagandës komuniste e cila atë kategori që Galeazzo Ciano-ja i quante ekstremistë të nacionalizmës shqiptare, ajo i quante kolaboracionistë të fashizmit italian !(?) E të mbetej me kaq, vetëm një çpifje sporadike e komunistëve shqiptarë, do të ishte vërtet një e keqe, por në fund të fundit jo edhe shum’e rëndësishme. Por, dhe gjithënjë ka një “por”, nga që përgjatë 47 viteve të diktaturës i u mëshua ditë mbas dite, muaj mbas muaji, vit mbas viti si edhe dhjetëvjeçar mbas dhjetëvjeçari cilësorëve kolaboracion si edhe kolaboracionist nga kënd-vështrimi skajshëm përkeqësues dhe vetëm përkeqësues, ai koncept u rrënjos aq thellë sa që sot e kësaj dite as nuk diskutohet më dhe ky cak gjuhësor nënkuptohet vetëm me vetëm sipas kuptimit të keq !
Vijmë tashti duke e ngushtuar rrethin e arsyetimeve si edhe nxjerrjes së përfundimeve logjike, prirur nga të arriturit në një sintezë të tyre, qëmtuar këta hap mbas hapi. Mbasi u trajtua më lart qëndrimi i P.K.Sh. të udhëhequr nga Enver Hoxha, lidhur me qëndrimin e mbajtur sa i takon aneksimit të Kosovës dhe futjes së saj në kuadrin e Federatës Jugosllave, vazhdojmë edhe me një fakt të dokumentuar dhe që hedh dritë në aspekt më të gjerë rreth qëndrimit të Shtetit Shqiptar në marrëdhënjet e tija me Jugosllavinë e Titos. Me 15 Dhjetor të vitit1947 në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q.P.K.Sh., në pranín’e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiç-it, Enver Hoxha deklaron, (proçes-verbali i asaj mbledhje ruhet në Arkivin e Shtetit – shënim M.K.) :” … Tani që e likuiduam këtë pengesë, (Nako Spirun – shënim M.K.), duhet t’a fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË …” ! Me këtë rast nuk mundemi t’u shmangemi dy pohimeve madhore lidhur me si e kanë përkufizuar KOMUNIZMIN dy personalitete të njohur në fushë ndërkombëtare dhe lexuesit e këtyre radhëve të nxjerrin vetë përfundimet e ndërsjella lidhur me si e shikonte Mareshalli Tito komunizmin dhe si e shikonte Enver Hoxha, nga këndvështimi i tij, po këtë ideologji :
Mao Tse Tung-u : “ KOMUNIZMI NUK ËSHTË DASHURI.KOMUNIZMI ËSHTË NJË PRESË PËR TË SHTYPUR ARMIKUN !”
(Titoja dërgoi emisarët e tij q’e formuan P.K.Sh., mbollën ideologjin’e zhdukjes së klasës intelektuale atdhedashëse e skajëshme, e me gjithë të edhe të klerikëve drejtues për t’a ç’armatosur Shqipërinë nga ata që VDEKJA PËR ATDHÉ u dukej BASH SIKUR ME LÉ !)
John Kennedy: “ MENDIMI QË PRIN KOMUNISTËT ËSHTË IDEJA SE E IMJA ËSHT’E IMJA, E JOTJA ËSHT’E JONA” !
(Enver Hoxha, shëmbulli tipik i egoistit të skajshëm, e donte Shqipërinë, por e donte siç e bëri … pronë krejtësisht të tijën, pronë personale. Si u tha fshatarëve librazhdaz në shtëpin’e tij : “… shkeleni me këmbë këtë sixhade … e dini e kujt ka qenë ? E Shefqet Vërlacit !).
E lemë më një anë tashti çështjen e marrëdhënjeve Shqipëri – Jugosllavi, trajtuar më lart me referenca dokumentash arkivale lidhur me qëndrimet e Enver Hoxhës si ndaj problemit të Kosovës, por edhe më gjerë, lidhur me vetë Shqipërinë, dhe vazhdojmë me një dokument, por dokument i cili t’a shtrydhësh kullon gjak intelektualësh shqiptarë ! E ky dokument është letra e diktatorit të kuq shqiptar, drejtuar Atit të tij ideologjik Josif Visarionoviç Stalinit më 21 Shkurt të vitit 1951, (mbasi ishin arrestuar pa urdhër prokurorie dhe pushkatuar, pa pretencë prokurori e as vendim trupi gjykues, 22 intelektualë shqiptarë, për një ngarkesë dinamiti hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike në Tiranë, si pasoj’e së cilës veç disa xhama të ndërtesës qenë thyer), në emër të Pleniumit të K.Q. të P.P.Shqipërisë : “… Atentati i poshtër që armiku i egër i popullit tonë dhe i B.Sovjetik na bëri kundër Legatës Sovjetike në Tiranë në datën 19-02-1951 në orën 19:47, duke hedhur dinamit në oborrin e Legatës, na ka goditur mu në zemër të Partisë dhe të popullit tonë. Ky akt politik terrorist u drejtua ndaj çka është më i dashur, më i shtrënjtë dhe më i shënjtë i popullit tonë , Bashimit Sovjetik, që është gjithçka për ne e që pa atë nuk kishte dhe nuk mund të ketë jetë për popullin dhe për Partinë tonë. Shoku Stalin, ne nuk kemi qenë vigjilentë sa duhet. Ne shoku Stalin, ju betohemi juve dhe Partisë Bolshevike të lavdishme se do t’ia lajmë Partisë dhe popullit tonë këtë gjë kaq të rëndë që u shkaktua nga mungesa e vigjilencës sonë. Ky akt i poshtër i armikut na ka egërsuar pa masë ndaj tradhëtarëve fashistë të Beogradit, të Athinës, të Romës dhe reaksjonit të brëndshëm, vegël e tyre. Shoku Stalin, Partia jonë do të jetë e pamëshirëshme kundër armiqve të Bashkimit Sovjetik ! Dhe ç’e bën akoma më të trishtë deklaratën e Enver Hoxhës drejtuar Stalinit, është pohimi i tij Molotovit, ministrit të Jashtëm Sovjetik : “… ne me këtë rast i arrestuam 150 vetë, duke i pushkatuar 22 prej tyre por në fakt akoma nuk e dijmë se kush ishin autorët e hedhjes bombës.
Në vazhdim të kësaj letre, natyrshëm lindin dy pyetje ndaj historianëve tanë të periudhës së diktaturës, pavarësisht e kanë ditur apo jo faktin e së ashtuquajturës “bombë në Ambasadën Sovjetike në Tiranë” dhe si e kanë ditur, e rëndësishme është të sqarohet :
1- Mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, e kanë qëmtuar edhe lexuar këtë dokument drejtuar Mareshallit Stalin nga Enver Hoxha në emër të Pleniumit K.Q.të P.P.Sh. ?
2- Po dosjen e hetuesisë me Nr.1687-A të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit si edhe atë me Nr.64 – datë 27-02-1951 të Vendimit Gjyqësor në bazë të cilit dënohen me pushkatim ato 22 viktima, NJË JAVË MBASI NË FAKT ISHTE KRYER EKZEKUTIMI I TYRE, e kanë parë vallë zotërinjtë historianë e megjithatë vazhdojn’edhe heshtin në këtë drejtim ? Pse heshtin para një KURBANI prej 22 viktimash njerëzore në altarin e kuq të Kremlinit ?
Përgjatë kësaj hullíje nuk mundem të mos shtoj se si, në bisede e sipër me një prej historianëve, (personel shkencor i tanishëm i Institutit të Studimeve Historike të Akademisë Shkencave), për t’a justifikuar para meje faktin që Instituti në fjalë nuk e ndjek dot larmín’e problemeve që ngrihen dhe kërkohet të studjohen prej tyre duke mbajtur edhe qëndrim sa më objektiv ndaj kolaboracionizmit gjatë periudhës së pushtimit të vëndit tonë, më vuri në dukje se në Institutin në fjalë vetëm një historian merret me studimin e periudhës së Luftës së II-të Botërore ! Qoft’edhe vetëm ky fakt, (në qoft’i themeltë), mjafton të më bindë se vonë, shumë vonë në qoftë se ndonjëherë, Instituti në fjalë do të vihet në krye të problemeve të historisë Kombit tonë, (së paku sa i takon rishkruarjes së historisë viteve nga 1939-ta e deri në fundin e 1945-sës). Kështu me shumë keqardhje jam i detyruar t’a pranoj se trajtimi, drejtpeshimi, si edhe gjykimi i problemit KOLABORACIONZËM në përgjithësí, (përfshirë kolaboracionin në interes të atdheut, atë tradhëtar si edhe oportunizmin politik), si afat kohor praktikisht u çvendoskan në KALENDAT GREKE ! Po, ky është realiteti i trishtë i cili e kushtëzon trajtimin e problemit kolaboracionizëm në gjith’anësin’e tij me vonesë, duke lejuar kësisoji që mendësija edhe e sotme vazhdon dhe kanalizohet përgjatë asaj vrage të caktuar nga historianët komunistë ! Megjithatë, pavarësisht mundësive që kanë institucionet shkencore të vëndit tonë, detyra e secilit është, për aq sa ka mundësi, mos t’a lerë pa dhënë ndihmesën e tij, sado modeste ajo qoftë, në këtë drejtim. Prandaj edhe … vazhdojmë.
Përgjatë periudhës së lulëzimit të nënështrimit të pakushtëzuar ndaj Bashkimit Sovjetik, një nga njollat e trishta të asaj kohe ka qenë edhe e gjithë historia e krijimit, administrimit si edhe mbetja si rudiment i dikurshëm i flotës nëndetëseve, Pasha Limani. Vetëm qëmtimi i dëshmive të ish komandantit të asaj baze detare, Dashamir Ohrit, me pohimet e tija se si Shqipëria përballonte shpenzime liveli jo të papërfillëshme si edhe mbante të gjitha përgjegjësitë që pasonin si rrjedhojë operacionesh sekrete nënujore të nëndetëseve që zyrtarisht ishin shqiptare, por efektivisht ndiqnin plane si edhe zbatonin direktiva të Komandës Flotës Detare Sovjetike, konform interesave politike sovjetike në Mesdhé, nuk lejon asnjë kundërthënje në këtë drejtim ! E cituam këtë bazë sovjetike në Mesdhé, pikërisht sepse ishte një bazë aktive dhe vepruese e B.S. e një rëndësije themelore por njëkohësisht edhe hallkë jo e papërfillëshme e kolaboracionit politik, me nënështrim interesazh tona kombëtare ndaj interesave sovjetike, diametralisht në kundërshtim, këto të vërteta me maskimin propagandistik që i u bë asaj baze nga letërsia si edhe kinematografia artistike e kohës diktaturës … mbasi u prishëm me B.S. dhe u lidhëm me Kinën ! Sa më sipër, në vazhdën e sakrifikimit total të interesave tona kombëtare dhe nënështrimit verbtas interesave të huaja !
Pikërisht tashti u erdhi radha të ndriçojmë dy momente shumë kuptimplote se si janë nëpërkëmbur dhe bërë kurban dy personalitete dore të parë të hierarkisë komuniste shqiptare, (së bashku me grupazhe imagjinare të tyre). Po i sjellim këta dy shëmbuj se njeri për interesa të menjëherëshme pikësynimi kolaboracioni politik vetëm për ruajtje interesash egoiste personale, kurse tjetri me objektiv qitje disi më të largët por gjithmonë … prirur nga po ai pikësynim nga Enver Hoxha !
Në dokumenta arkivale ësht’e dokumentuar se si Koçi Xoxe në pohimet e tij ka thënë, pa as më të voglën mëdyshje, se si për të gjitha ekzekutimet që kryheshin me urdhërin e tij por pa u dënuar nga trupa gjykuese, ishte marrë nga ai, (K.Xoxe – shënim M.K.), miratimi i Enver Hoxhës. Gjatë viteve 1945 e në vazhdim jo vetëm që ndikimi jugosllav ishte maksimal, por edhe zbatimi i direktivave të tyre kishte marrë trajta absolute, (duke filluar fillimisht me krime makabre e pastaj edhe me gjyqe krejtësisht të inskenuara e tejet të pathemeltë), kundra atdhetarëve si edhe intelektualëve nga më të shquarët, laikë si edhe klerikë paçin qenë, me objektivin e tyre t’i zhduknin pikërisht ata si kategorí shoqërore !
Viti 1947 e kishte filluar konturimin e tij si një vit shumë problematik për Shqipërinë. Pala jugosllave nuk po u përgjigjej marrëveshjeve kontraktuale duke ngadalësuar lëvrimet e objekteve si edhe furnizimeve Shqipërisë. Kjo dukurí sa vinte edhe e bënte pakënaqësin’e Nako Spiros, si përgjegjës kryesor i ekonomisë së vëndit, të rritej dukshëm. Nga ana tjetër jugosllavët po e shtonin trysnín’e tyre lidhur me njësimin e vlerës monedhës sonë lekut me dinarin e tyre, heqjen e barrierave doganore si edhe njësimin e çmimeve ! Enver Hoxha jo se nuk i ndjente këto shqetësime të prekëshme, por duke qenë se marrëdhënjet si partiake e gjithashtu shtetërore shqiptare me B.Sovjetik kalonin nëpër forumet jugosllave, (dhe B.S. e kishte pranuar gjëndjen si të mirëqenë), ai i a bënte hyzmetin mbajtjes së miqësisë me Mareshallin Tito me piksynimin që në Shqipëri, si republik’e ardhëshme e Federatës Jugosllavisë, ai së pakut t’a ruante pozitën e tij prej udhëheqësi. Më 29 Maj të vitit 1947, në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q.,u vendos që duke filluar që nga Qershori i vitit në vazhdim të zbatoheshin si njësimi i monedhës shqiptare me atë jugosllave e gjithashtu edhe njësimi i çmimeve me gjithë heqjen e barrierës doganore mes të dy shteteve, (me gjithë pasojat negative për Shqipërinë). Këtu nuk e le dot pa përmëndur faktin se kur u kthye nga Jugosllavia Nako Spiru ku, nën trysnín’e vazhdueshme të radiogrameve nga Enver Hoxha, ai vërtet i nënëshkroi të gjitha marrëveshjet me Jugosllavinë por duke qenë i pandërgjegjshëm për sa po bënte, e kishte çfaqur publikisht në biseda mes udhëheqësish partie këtë fakt, të cilin Enver Hoxha kurrë nuk i a harroi ! Edhe fakt është se më 22 Nëntor të vitit 1947 gabimisht, duke luajtur me armën e tij, vetëvritet Nako Spiru ! (Kjo deklarata zyrtare e lëshuar nga udhëheqja komuniste e shtetit shqiptar). Pra, deri në atë datë, Enver Hoxha ishte plotësisht dhe 100 % nën ndikimin jugosllav të cilën gjë, nisur nga interesat e tija personale, ai e pranonte si të mirëqenë. Mirëpo erdhi 28 Marsi i vitit 1948 kur u shpërndahet dhe u bëhet e njohur udhëheqjeve të partive anëtare të Kominformbyrosë letra e K.Q.P.K.(b) të Bashkimit Sovjetik lidhur me prishjen e B.Sovjetik me Jugosllavinë ! E për t’ia komplikuar problemin Enver Hoxhës, gjatë takimit të tij me Vjaçesllav Molotovin më 24 Qershor të vitit1948, ministri i Punëve të Jashtëme të Bashkimit Sovjetik, i thotë shprehimisht udhëheqësit shqiptar “… Ju, shokët shqiptarë, duhet t’a shqyrtoni dhe analizoni vetëvrasjen e Nako Spirut ! ” Përzgjedhjet e mundëshme për E.Hoxhën ishin vetëm dy :
1-Vazhdim i kolaboracionit tradhëtar me Jugosllavinë.
2-Pozicionim kundra Jugosllavisë duke e mbështetur Bashkimin Sovjetik.
Mirëpo të dy këta qëndrime kishin edhe rrjedhojat e tyre si vijon :
1/a- Enver Hoxha do të vazhdonte të ishte udhëheqësi i P.K.Shqiptare si edhe i shtetit shqiptar sa kohë t’a linte Jugosllavia pa e aneksuar Shqipërinë por edhe me livel ndihme ekonomike në kufijt’ e përcaktuar nga vetë Jugosllavija. Kurse B.S. si fuqí e madhe mbështetëse e Shqipërisë potencialisht, dilte nga kjo orbitë.
1/b- Me t’u thithur Shqipëria në kuadrin e Jugosllavisë Federative, si republik’e shtatë e saj, (nga që Titua i u shkëput diktatit nga P.K.(b) e B.S.), jo vetëm që E.Hoxha do t’a kishte përnjëhershëm mareshallin jugosllav mbi kokë por edhe … s’kishte më se kujt eventualisht t’i ankohej për asnjë problem.
2/a- E.Hoxha do t’i kishte marrëdhënjet tashmë të drejtpërdrejta me B.Sovjetik pa ndërmjetësínë jugosllave, duke qenë vetë udhëheqësi i Shqipërisë.
2/b- Si udhëheqës i P.K.Shqiptare që i ishte nënështruar totalisht ndikimit të P.K.Jugosllave që nga krijimi nga ana e të dërguarve të saj Miladin Popoviçit si edhe Dushan Mugoshës, e në vazhdim i përzgjedhur prej tyre t’a drejtonte si P.K.Shqiptare e gjithashtu edhe luftën e quajtur fillimisht Luftë Nacional Çlirimtare por e kthyer në vazhdim në luftë civile po prej tyre për interesat e P.K.Jugosllave, E.Hoxha duhej të ballafaqohej me një rrethanë tejet të vështirë : Duhej bindur Stalini dhe P.K.(b) e B.S. se ai vetë, në krye edhe të P.K.Shqiptare si edhe të Shtetit Shqiptar, jo vetëm që me ndërgjegje të plotë shkëputeshin nga Jugosllavia por edhe se do të vepronin besnikërisht dhe me nënështrim të plotë ndaj B.S. dhe udhëheqësit të saj Mareshallit Stalin ! Në këto kushte ndjenja e vetëqendërzimit të Enver Hoxhës e gërshetuar ngushtë me pragmatizmin e tij jo vetëm që nuk u step t’a merrte vendimin por edhe brënda katër ditësh, mbasi e kishte patur takimin me Vjaçesllav Molotovin, e pra më 28 Qershor të vitit 1948, i a dërgon Mareshallit Stalin n’emrin e Komitetit Qëndror letrën me të cilën i shpreh konformimin total të Shqipërisë ndaj vendimeve të Kominformbyrosë ! Ky edhe hapi i parë për t’a fituar besimin e B.S. Por ky hap duhej ndjekur edhe me masa të tjera thelbësore bindëse që t’a dëshmonin katërcipërisht shkëputjen e Shqipërisë nga Jugosllavia. Përgjatë këtij shtegu ku, objektivat e arritjeve personale vetqendërzuese Enver Hoxha i kishte krejtësisht të qarta, mbas Pleniumit të X-të të K.Q. të partisë mbas shpalljes së Rezolutës Informbyrosë, Enver Hoxha mblodhi Pleniumin e XI-të nga 13 deri më 24 Shtator të vitit 1948 ku sulmoi hapur dhe shumë egër politikën e Jugosllavisë, rehabilitoi Nako Spirun me gjithë të shoqen Liri Belishovën, gjithashtu edhe Mehmet Shehun, dhe nga ana tjetër e shkarkoi si Sekretar Organizativ të Partisë Koçi Xoxen, (duke mos e përjashtuar nga Byroja Politike), por duke i përjashtuar Pandi Kriston si edhe Kristo Themelkon nga Byroja por jo nga Komiteti Qëndror.
Mbas këtyre masave kundra-jugosllave Enver Hoxha vëzhgonte reagimin Sovjetik i cili nuk vonoi dhe erdhi. Masat e marra si edhe ndryshimet ishin për mirë por … jo akoma plotësisht bindëse.
Fillë mbas mbylljes së punimeve të Pleniumit të XI-të të K.Q. e ritheksoj këtë moment fillë mbas mbylljes së punimeve të Pleniumit XI-të të K.Q., Koçi Xoxe,Pandi Kristo, Kristo Themelko, Nesti Kerenxhi etj., papritmas u shkarkuan nga të gjitha pozicionet e tyre politike si edhe shtetërore që mbanin ! Në vazhdim, pikërisht tre muaj mbas Pleniumit të XI-të, mblidhet Kongresi i I-rë i P.K.Shqiptare ku ish Sekretari Organizativ i Partisë Koçi Xoxe, del në podium t’a marrë fjalën … e cila nuk i lejohet nga zhurma dhe përplasjet e këmbëve në sallë ! E ndjek më 28 Nëntor arrestimi i tij i cili pasohet më 30 Maj të vitit 1949 me pushkatimin e tij !
Me masat drastike edhe kriminale të marra nga Enver Hoxha ndaj bashkë-punëtorëve të tij më të ngushtë, ai mundi t’a fitojë më në fund besimin e Josif Visarionoviç Stalinit ! Natyrshëm shtrohet pyetja : Sa zgjati ky besim ? Teorikisht, sa kohë që të mbahej më këmbë KOLABORACIONI ME NËNËSHTRIM INTERESASH KOMBËTARE TË SHQIPËRISË NDAJ ATYRE TË BASHKIMIT SOVJETIK. Ndërsa, e përcaktuar saktësisht, që nga 30 Maji i vitit 1949, ditë kur u pushkatua Koçi Xoxeja, (e në vazhdim kur një e nga një i u vu shënja e barazimit me tradhëtarë të atdheut edhe armiq të partisë duke i dënuar ashpër ata që u quajtën grupi armiqësor dhe antipartí i Koçi Xoxes).
Vijmë tashti tek data 5 Mars e vitit 1953 kur vdekja e Stalinit e mbuloi në zi Shqipërinë ! Atë ditë Enver Hoxha e uli në gjunjë turmën e mbledhur para shtatores së Stalinit, për t’a nderuar kujtimin e tij. Kjo njera anë e medaljes. Kurse ana tjetër, (akoma edhe më e trishtë dhe që kurrë nuk u zu në gojë), qenë me dhjetra pjesëmarrësit e atij mitingu mortor që u arrestuan dhe u kalbën burgjeve vetëm me vetëm sepse nuk pranuan atë ditë të uleshin në gjunjë ose u treguan gazmorë në vënd që të qanin, (ose së paku të bënin sikur qanin) ! Po paraqesim në vazhdim kalime nga betimi që u lexoi pjesëmarrësve të atij mitingu mortor vetë Enver Hoxha para shtatores Stalinit : “… Popujt e B.Sovjetik dhe neve, edhe gjithë popujt e botës na ka mbuluar sot një fatkeqësí e madhe . Udhëheqësi, mësuesi dhe Ati jonë i shtrenjtë Josif Visarjonoviç Stalin mbylli sytë përgjithmonë, pushoi së menduari mendja e gjeniut më të madh dhe më të ndritur të kohrave tona … betohemi se do ta forcojmë dhe çelikosim dashurinë tonë të sinqertë e të thellë për popujt vëllezër të Bashkimit Sovjetik … Partia e Lavdishme Komuniste e B.S. me Komitetin e saj Qëndror Leninian Stalinian me në krye shokun Malenkov do të jenë si gjithmonë për ne burim i madh dhe i pashterrur i dritës në rrugën tonë drejt të ardhmes së lumtur … !”
Vetëm tre muaj mbas vdekjes Stalinit, në Qershorin e vitit 1953 vete në Moskë një delegacion liveli të lartë i Partisë i kryesuar personalisht nga Enver Hoxha. Malenkovi e priti ftohtë Enver Hoxhën. Në vazhdim filloi të marrë trajtë gjëndja sipas së cilës përvijohej dukuría se tashmë periudha kohore gjatë së cilës diktatori shqiptar e gëzonte të plotë besimin e B.Sovjetik kishte perënduar. Kohët e reja duheshin përballuar edhe ato me … qëndrime të rinj.
Një vit më vonë, në Qershorin e vitit 1954, vete së rishmi në Moskë Enver Hoxha në krye të një delegacioni së bashku me Hysni Kapon. Nga takimet me Hrushovin ata e kuptuan qartë se tre ishin objektivat e tija sa u takon pozicionimeve politike :
a-Spastrimi i aparatit partiak dhe i shtetit nga stalinistët.
b-Luftë frontale kultit të individit stalinist.
c-Zbutje e marrëdhënjeve me Jugosllavin’e Titos.
Tashmë Enver Hoxha kishte përvojë e duhej t’i përvishej punës nga dhe si duhej kthyer guna që mos të nëpërkëmbej vetqendërzimi i tij. Cilët do të ishin fillimisht heronjtë e në vazhdim kurbanët e ardhëshëm për hir të këtyre interesave të tija vetjake ?
Fillimisht, t’i fitonte hiret e udhëheqësit të B.Sovjetik Nikita Hrushovit, doemos ai e luajti kartën Liri Belishova ! Kjo e fundit me gjithë ish të shoqin tashmë të vdekur Nako Spirun, (i vetëvrarë gabimisht duke luajtur me koburen e tij më 22 Nëntor 1947), të rehabilituarët e politikës pro-sovjetike, filloi të përdorej si katalíte në marrëdhënjet me B.Sovjetik ! Në mos gjë tjetër, Enver Hoxha kësisoji së paku një farë kredíje në marrëdhënje me Hrushovin dhe patjetër që edhe kohë, fitonte. Një shënjë pozitive në këtë drejtim ishte fakti që kur më 14 Maj të vitit 1955 u mblodhën udhëheqësit e tetë vëndeve të Lindjes dhe themeluan “Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës Reciproke”, që e emërtuan Traktati i Varshavës, edhe Shqipëria u ftua në atë kuvënd me të drejta të plota. Kësisoji, pa hyrë në hollësira që dalin nga objektivi i kësaj analize, me ngritje edhe me ulje vazhduan marrëdhënjet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, me pikë qendërzimi interesat e udhëheqësit të Shqipërisë. Kështu më 1 Janar 1959 “Zëri i Popullit” botoi një përshëndetje drejtuar B.S. ku integralisht, mes tjerave, Enver Hoxha theksoi “… I gjithë populli ynë me mirënjohje të pakufishme i drejton sot falënderimet më të zjarrta Bashkimit të lavdishëm Sovjetik, Partisë mëmë Komuniste të B.S., Komitetit Qëndror të saj dhe shokut Nikita Hrushov. Ne i sigurojmë se me ta jemi të lidhur përjetë me një miqësí dhe besnikërí që nuk do të kenë mortje kurrë …!”
Në vazhdim, më 26 Maj 1959, po në gazetën “Zëri i Popullit”, botohet fjala e Enver Hoxhës në pritjen që i bëhet Nikita Hrushovit në krye të delegacionit Sovjetik, kur ata zbritën në aeroportin e Rinasit : “… Miqësinë me Bashkimin Sovjetik populli shqiptar e çmon si thesarin më të shtrënjtë … Miqësia jonë është e fortë si graniti dhe e përjetëshme si malet tona!” Katër ditë më vonë, e për të qenë të saktë pikërisht më 30 Maj 1959, Nikita Hrushovi shpallet Qytetar Nderi i Tiranës ! Ky akt si edhe mbjellja e përbashkët e Pemës së Miqësisë nga udhëheqësit e P.K.(b)B.S. si edhe P.P.Sh., jepnin iluzionin se udhëheqësi shqiptar më në fund i kishte fituar híret e Baba Nikitës, (siç i drejtohej ato ditë në mënyrë të përsëritur Enver Hoxha udhëheqësit sovjetik, Nikita Hrushovit) !
Mirëpo ky flirt nuk zgjati shumë. Në kuadrin e luftës frontale nga ana e Hrushovit kundra kultit të individit aq të zgjatur të Stalinit si diktator i padiskutueshëm i B.Sovjetik, si edhe insinuatat e udhëheqësit të ri sovjetik lidhur me udhëheqjen shqiptare, e cila kishte 16 vite në krye të partisë dhe të shtetit Shqiptar e duhej t’u a linte frenat drejtuesve të rinj, nuk mund kaloheshin pa shkaktuar marrjen pozicion nga ana e Enver Hoxhës.
Përgjatë kësaj hullíje na vjen në ndihmë edhe vepra dy vëllimëshe e Andre Fontain me titullin Historija e Luftës së ftohtë, ku në Vëllimin e II-të, Fq.395 lexojmë : “… Tito kurrë nuk e kishte mospërfillur faktin se shtegu që e udhëhiqte ndaj likuidimit të armiqve të tij shqiptarë, e çonte atë drejtë pajtimit të tij të plotë me Nikita Hrushovin. Dhe dukej se Hrushovi ishte i prirur që këtë dhuratë t’i a blatonte Mareshallit Jugosllav …”.
Më 14 Shtator të po atij viti Kina e Madhe Popullore na e lëvroi të gjithë sasín’e grurit që i kishim kërkuar në një kohë që, sipas Enver Hoxhës “… Bashkimi Sovjetik po e linte Shqipërinë të vuante urije që t’a ulte në gjunjë !
Shpejt erdhi Nëntori i vitit 1960 kur, mbas mbledhjes së 81 partive komuniste, Shqipëria u shkëput nga Bashkimi Sovjetik REVIZIONIST vetëm me vetëm që Enver Hoxha të vazhdonte t’a ruante FRONIN E TIJ PERANDORAK ! E doemos me shkëputjen nga Bashkimi Sovjetik, gjë që sillte me vete edhe mospasjen më interesash vetjake të Enver Hoxhës lidhur me udhëheqësin e tij, Nikita Hrushovin, perëndoi së rishmi, këtë herë përfundimisht, edhe ylli i Liri Belishovës e cila u përjashtua nga Byroja Politike, nga Komiteti Qëndror si edhe nga partija duke u internuar, sipas akuzës tanimë standarte, si agjente e revizionizmit sovjetik ! Sipas Enver Hoxhës, Liria çdo bisedë të zhvilluar në Pekin me Liu Shao Çin-në i a kishte raportuar ambasadës B.S. në Pekin. Le që në Moskë ajo kishte ngrënë drekë edhe me Brezhnjevin edhe Kozllovin, por pa informuar hollësisht rreth bisedave të zhvilluara me ta! Kësisoji diktatori e flaku Lirinë së rishmi në po atë kosh nga e kishte nxjerrë … kur i a kishte nevojën !
Në vazhdim nuk kam se si mos t’a ze në gojë edhe një fotografi, e cila qëllimin e kishte t’i a tregonte të dokumentuar Nikita Hrushovit unitetin e pathyeshëm të partisë me Enver Hoxhën. Në shtëpinë ku u themelua partia ishin radhitur e kapur dorë për dore me duar ngritur lart 13 anëtarë dhe kandidatë Byroje Politike (veç Enver Hoxhës, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Gogo Nushi, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Petrit Dume, Ramiz Alia, Rita Marko, Adil Çarçani, Spiro Koleka e Pilo Peristeri). Fotografia mban datën 8 Nëntor 1961. Lind pyetja normale logjike si u zhvilluan ngjarjet rreth atij uniteti të çeliktë në vazhdim ? Dora dorës gjashtë prej atyre të 13-ëve, u pushkatuan si armiq dhe tradhëtarë, pa zënë në gojë me këtë rast dhjetra anëtarë K.Q., anëtarë qeverije si edhe ushtarakë me grada madhore të pushkatuar ose të kalbur burgjeve ! Kështu Enver Hoxha, mes qëndrimesh skajshëm gjakatare brënda vëndit, si edhe të tjerash gjoja parimore staliniste në politikën e jashtme, u hodh nga kali sovjetik në galop e sipër tek ai kinez ! Kjo lëvizje, në vazhdim të së gjithë vazhdës demagogjike të tija për t’a ruajtur pushtetin e tij të paprekur, çoi drejt cakut që Shqipëria u bë i vetmi aleat i Kinës nga të gjitha shtetet e Europës Lindore ! Ishin kohët kur përfaqësuesit tanë në O.K.B. e ngrinin zërin e tyre duke theksuar se revizionistët sovjetikë hynin në të njëjtën kategori me amerikanët duke bërë propagandë çpifjeje dhe urrejtjeje për t’a forcuar histerínë kundrasovjetike në mbarë botën !
Këtij shtegu, mbasi u thyen betimet dhe u prishën miqësit’e përjetëshme, të sinqerta dhe të pathyeshme shqiptaro-sovjetike, sapo u duk në horizont një cënim potencial i pushtetit të diktatorit shqiptar nga ana e Hrushovit, po sjell sa për kërshërí pjesë nga fjala e Enver Hoxhës e publikuar në Zërin e Popullit të datës 1 tetor 1966 ku ai shprehet për Kinën, flirtin e tij të ri : “… Populli heroik dhe i talentuar kinez nën udhëheqjen e drejtë marksiste-leniniste të Partisë Lavdishme Komuniste të Kinës me shokun Mao Ce Dun në krye, ka arritur fitore të shkëlqyera me rëndësi historike …”. Kurse një muaj më vonë e pikërisht më 9 Nëntor 1966 po Zëri i Popullit publikon fjalën e Enver Hoxhës në Kongresin e V-të të P.P.Sh. prej së cilës shkëpusim ndonjë kalim :
“… Në Kongres u shpreh uniteti i pathyeshëm dhe miqësia luftarake e partisë dhe popullit tonë me Kinën Popullore 700 milionëshe, me këtë kështjellë të pathyeshme të socializmit e revolucionit që udhëhiqet nga Partia e lavdishme e Kinës me në krye marksist-leninistin e shquar, mikun e madh të popullit tonë, shokun Mao Ce Dun dhe në mesazhin historik që i drejtoi Kongresit të V-të të Partisë tonë shpreh ndjenjat dhe vendosmërinë tonë të përbashkët kur thotë : “ Të jeni të sigurtë se pavarësisht nga çfardo të ndodhë në botë, dy partitë dhe dy popujt tanë me siguri do të qëndrojnë së bashku, do luftojnë së bashku dhe do të fitojnë së bashku …”. Në vazhdim të elozheve për Kinën dhe Kryetarin Mao Ce Dun, Enver Hoxha shprehet gjithashtu : “… Fitorja e Revolucionit të Madh Kulturor Proletar, shpartallimi i komplloteve kundër-revolucionare të Liu Shao Çisë, Lin Biaos dhe të Ten Hsiao Pinit kanë krijuar një gjëndje revolucionare … Kina ka dalur me prestigj të rritur në botë të lidhura këto fitorje drejtpërsëdrejti me emrin, mësimet dhe udhëheqjen prej revolucionari të madh të shokut Mao Ce Dun, mikut të madh të Partisë dhe popullit tonë !”
Mirëpo edhe këtij flirti shqiptaro-kinez i erdhi fundi pikërisht kur ajo mike dhe mbrojtëse e jona e madhe filloi zbutje të politikës së saj intransigjente daç ndaj Sh.B.A.-ve imperialiste e gjithashtu ndaj Jugosllavisë revizioniste!
Mos më besoni mua por gjejeni vëllimin “ SHËNIME MBI KINËN “ dhe qëmtoni në faqet 304 – 305 ku po ai kryetar gjenial Mao Ce Dun vjen e ravijëzohet nga Enver Hoxha si vijon : “… Mao Ce Duni ishte një ëndërrues, po njëkohësisht një perandor dhe despot në pikëpamjet e tij … ato ishin të pajisura me idetë e theksuara perandorake, konfuciane, mistike, të shartuara këto me idé të reja të zhvillimit botëror të papërtypura e të papranueshme, të paasimiluara prej tij … Mao Ce Duni e çoi vëndin nga të frynte era, mjaft që ai të ishte në krye dhe që në fakt tërë kohën qëndroi në krye. Të gjithë duhej t’i bindeshin atij … të zbatonin idétë e tija “gjeniale”, po që në realitet nuk çonin në ndërtimin e një Kine më moderne, më të përparuar, më të organizuar … i lejonte oborrtarët t’i thurnin himne e ditirambe … me veprime perandorake ai merrte masa, masa ushtarake, gjyqësore, bënte demaskimin politik dhe ideologjik … më në fund i dënonte ata edhe me pushkatim.”
Kësisoji erdhi pashmangshëm edhe dita kur Enver Hoxha, mbas prishjes me Kinën nuk gjeti më ndonjë partner i cili, i interesuar në ç’mund t’i blatonte Shqipëria, me të cilin të lidhej ideologjikisht, miqësisht, pazgjidhshmërisht, përjetësisht … e shto të shtojmë ndajfolje me mbrapashtesa kisht, sisht, risht etj.etj. dhe me përvojën e tij prej krimineli gjakatar vazhdoi t’i terrorizonte mbështetësit e tij e nëpërmjet tyre edhe popullin shqiptar edhe për thuajse një dhjetëvjeçar tjetër me Shqipërinë e izoluar 100 % !
Në këtë pikë të trajtimit problemit mendoj se i erdhi çasti edhe një pohimi madhor të mendimtarit të madh dhe njërit prej personaliteteve nga më të shquarit e Kombit Shqiptar, i cili githashtu nga propaganda e kuqe qé cilësuar tradhëtar dhe kriminel, Baba Rexheb-it, i cili thoshte edhe përsëriste : “…. Krimet e përbindëshme të dhjetvjeçarëve të parë, lufta e paprincip ndaj besimeve fetare si edhe ngritja në kult e bindjes së verbër ndaj udhëheqjes personale të diktatorit, janë tre faktorët shkatërrues të moralit të kombit tonë. Po humbi ndjenja e moralit u hapet rruga gjithë të këqijave të kësaj bote ! ”
Përgjatë vazhdës së fakteve të paraqitura deri më tashti, mendojmë t’i hedhim dritë njerës prej figurave nga më kundërthënëset e viteve 40-të të shekullit të kaluar. Personalisht Enver Hoxha si dhe P.K.Sh. e akuzonin si kolaboracionist e tradhëtar të Atdheut të Nderuarin Patër Anton Harapi. Ndën peshën e këtyre akuzave Ai u torturua çnjerëzisht dhe im vëlla Genci, (dëshmitar i gjallë i asaj kohe në burgun e Tiranës), pohon se me torturën e shkarkesave elektrike i a kishin çpuar njerin nga timpanët e veshëve Patër Anton Harapit duke i a humbur thuajse tërësisht dëgjimin në tortur’e sipër ! E në fund Patër Anton Harapin e dënuan me vdekje edhe e pushkatuan!
Për t’u ardhur në ndihmë lexuesve të këtyre radhëve në vazhdim, që në bazë faktesh e vetëm faktesh fatkeqësisht të fshehur nga historianët e periudhës diktaturës, duke e patur ata mundësinë t’i qëmtojn’edhe t’i lexojnë vetë në dokumenta arkivi të dhënat që sot po u përcjellim, u hapet një dritare e gjerë të gjykojnë me mëndjet e tyre edhe të krijojnë bindje të themelta rreth shtrembërimeve që i janë bërë historisë sonë kombëtare e që vazhdojnë t’u trashëgohen brezave të rinj nëpërmjet teksteve të historisë sot e kësaj dite.
Po i radhisim një varg faktesh.
a-Patër Anton Harapit i propozohet të pranojë të jetë kandidat për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës. Patër Antoni nuk pranon duke e kushtëzuar mospranimin me qënjen e Tij klerik.
b-I drejtohet atëbotë kërkesë, nga ana e Parlamentit Shqiptar nëpërmjet Shtetit të Vatikanit, Papës atëhershëm Piusit të XII-të, (Papa Giovanni Pacelli). Ai e miratoi kërkesën duke lejuar që Patër Anton Harapi t’a zinte postin shtetëror.
c-I bëhet e ditur Patër Anton Harapit leja e dhënë nga udhëheqësi i Vatikanit dhe Ai, (Patër Antoni – shënim M.K.), parashtron kushtin e Tij : “Edhe bâ me pranue un me kênë njêni misash të Këshillit Naltë të Regjencës, duhet t’a dini se un nuk pranoj me miratue asnji vêndim Gjykate të Naltë lidhun me vêndime dënimi me vdekje. Pra t’a dini se un nuk e vêndoj nênshkrimin t’êm ndër aso rasa !”
d-Patër Anton Harapi, mbas pranimit të postit të lartë, nuk ka marrë asnjë rrogë që i takonte për të gjithë periudhën e qënjes së Tij anëtar i atij Këshilli, dhe nga ana tjetër vazhdoi të banojë në qelën e tij tek kisha ku banonte edhe përparandej!
Vazhdojmë tashti me disa pjesë nxjerrë nga fjala e mbajtur nga Patër Anton Harapi para Parlamentit Shqiptar dhe Qeverisë Shqiptare me 13 Janar të vitit 1944.***
Parimisht Patër Antoni shtron pyetjen : “ … A me anarkista për të bâ gjak, ase me hjekun dore prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk m’a tha të bâj as njênën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njênën dysh : a të baj nji marrí tue e pranue këtë zyrë, ase të tregoj nji dobësí tue u largue. Vendova mâ mirë të bâj nji marrí : ase – sikurse thonë ata shqiptarë që duen gjuja të ruhen të pastër – desha të komprometohem. Ja arsyeja për të cilën pranova të marr pjesë n’auktoritetin shqiptár : pse nuk mujta t’a shoh Shqipnin n’anarkí ! “ Ose në vazhdim Patër Antonin veç kush nuk do t’a ndigjojë e doemos edhe nuk do t’a kuptojë sepse pohimi i tij nuk lé mëdyshje kur thotë : “ … Pse, vall, komunistat veshen e ngjeshen me zellin atdhetar, kurse atyne mbi të gjitha u intereson doktrina dhe jo atdheu ? Masat terroristike, mandej, vllavrasja, lidhnija e ngushtë deri në dependencë të plotë prej dorës së huej, dhe përdorimi i çdo mjeti për qëllim personal, nuk i lânë vend dyshimit. More, me kobure në gjoks nuk bâhet kush as vllá, as shoq, por ja skllav, ja mizuer apo hypokrit. Gjithëmonë tue rrenue, nuk ndërtohet“. Dhe Patër Antoni e mbyll fjalimin e Tij me pohimin madhor : “Sod që jemi më kufí të përmbysemi me t’egër e me të butë, në këtë përmbytje të fundit, për ne nuk do të ketë germanofila, anglofila, italofila; s’ka njerëz të djeshëm e të nesërm, sot do të jemi shqiptarë e vetëm shqiptarë, të zot të çveshemi e të harrojmë gjithshkafen, vetëm e vetëm për të shpëtue komb, shtet e popull. Urrah të bashkohemi, se mbaruem : Të prâjnë fjalët e arsyetimet. T’a bâjmë monumentin kombëtar : Bashkimin e shqiptarve ! “

DISA KONSIDERATA RRETH FAKTEVE TË TRAJTUARA
Nga që thelbi i trajtimit është caku gjuhësor KOLABORACION si edhe cilësori KOLABORACIONIST, të përdorur mbas Luftës së II-të Botërore me nënkuptim gjithmonë fyes dhe asgjësues personaliteti ndaj personit q’e ushtroi bashkëpunimin, duhet të vendosim një emërues të përbashkët që vetë veprimet si edhe personazhet të mund të gjykohen nga konsiderata të bashkë dhe drejtëpeshuara. Me që jemi në fushën e historisë, pa hyrë fare në konsiderata të mirëfillta ligjesh fizike karakteri universal të hollësishme karakteri relativistik të Einsteinit e as në ato hapësinore të Minkowskit, por duke nxjerrë mësimet e duhura nga ato ligje nuk kemi se si mos t’a marrim FILLIMISHT parasysh konsideratën e parë dhe themelore së cilës nuk i shmangen dot as shkencat historike sipas së cilës :

LIDHUR ME ÇDO NGJARJE, KOORDINATAT HAPSINORE SI EDHE ATO KOHORE, JANË TË LIDHURA MES TYRE NË VARTËSI TË ÇVENDOSJES SË VROJTUESIT.

Prandaj si pasojë, për të qenë ne sa më objektivë në gjykimin e ngjarjeve, si pun’e parë duhet të çvendosemi në kohë dhe t’i shikojmë e doemos edhe t’i gjykojmë zhvillimet historike nga shkalla e njohjes e atëherëshme kur zhvilloheshin ngjarjet që marrim në kundrim. Kjo nënkupton të shmanget pikërisht faktori OPORTUNIZËM POLITIK, (i trajtuar përparandej tek u trajtuan “përkufizimet”). Kjo e para si edhe më e rëndësishmja. Kusht i dytë i pakontestueshëm është nevoja e të gjykuarit të fakteve mbasi të jenë mbledhur sa më shumë dokumenta kohore si edhe dëshmí rreth ngjarjeve që merren në kundrim. Pikërisht nisur nga këto parakushte, mbështetur në të gjitha faktet si edhe dokumentat e parashtruar deri më tashti, ku ne u munduam të sjellim fakte që përgjatë periudhës diktaturës ose kanë qenë fshehur krejtësisht ose shpërfytyruar dukshëm sipas orientimeve ideologjike komuniste, do të mundohemi të nxjerrim përfundime sa më të drejtpeshuara që të vërtetat historike të thuhen e pastaj t’u trashëgohen brezave pasues ashtu si kanë qenë.
Të gjitha faktet e paraqitura deri më tashti, për vetë mundësinë praktike me morín’e mundësive që arkivat e hapura paraqesin sot duke mos i a penguar qëmtimin e dokumentave asnjë studjuesi, janë thjeshtë orientuese në kuadrin e kësaj analize. Kjo ësht’e qartë. Nga ana tjetër duhet patur parasysh se pikësynimi është t’i bëhet e qartë publikut të gjerë se si kolaboracioni i kryer dhe ushtruar nga atdhetarët, intelektualë paçin qenë ose jo, të emërtuar Nacionalistë Shqiptarë, me Italinë Fashiste ose Gjermaninë Naziste, në kushtet e pranísë së këmbës ushtarit të huaj në tokën tonë, KA QENË KOLABORACION PËRGJITHËSISHT NË TË MIRË TË SHQIPËRISË. Kurse kolaboracioni komunist fillimisht me Jugosllavinë, në vazhdim me Bashkimin Sovjetik e së fundi me Kinën, pa qenë Shqipëria e shkelur nga këmba e ushtarit të huaj, kanë qenë kolaboracione me NËNËSHTRIM TOTAL INTERESASH SHQIPTARE NDAJ TË HUAJVE dhe fatkeqësisht me përfitim interesash egoistike thjeshtë PERSONALE të Enver Hoxhës ! Kjo e përgjithëshmja.
Vazhdojmë më tutje.
Një tregues tejet kuptimplotë objektiv për lexuesin e këtyre radhëve mendoj se e përbën paraqitja krahasuese e dy fakteve kohore me të dhëna statistikore :
Qeveritë Shqiptare mbas 7 Prillit 1939 deri ditën e vendosjes së diktaturës komuniste, kanë qenë shtatë pra, me një kohëzgjatje mesatare në pushtet prej më pak se një vit. Kurse Enver Hoxha qëndroi Kryetar i Këshillit të Ministrave përgjatë dhjetë viteve në vazhdim, (23 tetor 1944 deri më 19 Korrik 1954, duke patur edhe postin e Sekretarit të Parë të K.Q.të P.P.Sh.-së), e pastaj edhe për tridhjetë vite të tjera ka vazhduar si Sekretar i Parë i K.Q.të P.P.Sh.-së, pra udhëheqës absolut i vëndit. Natyrshëm vjen në mëndje përfundimi logjik se sado vetëqendërzues të kenë qenë shtatë kryeministrat e periudhës pushtimit dhe sado etje për pushtet të kenë patur ata, vetë kohëzgjatja e tyre në krye të shtetit nuk u a lejonte zbatimin e planeve sado egoistike të kenë qenë ata.
Kurse për Enver Hoxhën, i cili qëndroi në krye të shtetit për thuajse plot 40 vite, asnjë studjues, sado mirëdashës të dojë të jetë ndaj tij, nuk mundet t’a mjegullojë atë etje të tijën të pashembulltë për pushtet ! Të ishte me kaq, do të kishte qenë mirë. Mirëpo egoizmi i tij i skajshëm nuk kishte se si t’ia hapte rrugën atij mos të ishte i mbështetur edhe nga paranoja e tij e cila e bëri që veç kundërshtarëve politikë, i mbështetur edhe nga shpirti i tij gjakësor, të zhdukte në masën mbi 50 % edhe bashkëpunëtorët më të afërt si dhe mbështetësit e tij verbërisht besnikë ndaj tij ! Këto qenë edhe arësyet që i a blatuan nderin të zinte vëndin e merituar në mesin e “NJËQIND’E NJË PËRBINDËSHAVE TË HISTORISË BOTËRORE” (Vepër e historianit britanik Simon Sebag Montefiore), ku 101 figurat e përzgjedhura nga historia botërore janë qëmtuar e përzgjedhur përgjatë një laku kohor 3000 vjeçar !
Si kohëzgjatje të qëni pushtet-mbajtës absolut, Enver Hoxha ndaj tiranëve të tjerë, trajtuar nga autori në librin e lartpërmëndur, pa u larguar nga rrethi i më të njohurve nga ana e lexuesit, radhitet si vijon :
Enver Hoxha …………………….. 39 vite udhëheqës absolut
Josif Stalini ………………………. 29 – “ – – “ –
Mao Ce Duni ……………………. 26 – “ – – “ –
Adolf Hitleri ……………………… 12 – “ – – “ –
Benito Mussolini ………………. 12 – “ – – “ –
Vladimir Lenini ………………… 7 – “ – – “ –
Sa për t’i a sqaruar lexuesit kuadrin e të përzgjedhurve në librin e sipër përmëndur, po ju kujtojmë se në listën e këtyre personazheve që autori trajton, e fillon që nga Attila i Hunëve dhe vazhdon me Adolf Hitlerin, ç’prej Lucrezia Borgia-s e tek Ivani i Tmerrshëm, nga Josif Stalini tek Saddam Husejni, nga perandori i par’i Kinës e tek Mao Ce Duni dhe cilësorët me të cilët i shquan këta udhëheqës kriminalë janë : TIRANË DHE DIKTATORË, KANIBALË DHE VRASËS SERIALË, TORTURUES DHE PSIKOPATË, UDHËHEQËS USHTARAKË DHE PUSHTUES, TË PËRDALA DHE TRADHËTARË !
Pa dalë nga tema, nuk mundem të mos e ze në gojë edhe një fakt. Kur Nikita Hrushovi në fjalën e tij drejtuar Kongresit të XXII-të të B.S. në tetorin e vitit 1961, duke theksuar se tashmë udhëheqësit e Shqipërisë Enver Hoxha me shokë duhet t’u a linin vëndet drejtuesve të rinj të partisë dhe shtetit, as e përfytyronte dot se synimet egoiste madhore të Enver Hoxhës do t’a mbanin atë në krye të Shqipërisë edhe për 19 vite të ardhëshme ! E atij gjithashtu as i shkonte dot ndërmënd se ai vetë do të shkarkohej në vitin 1964 si Sekretar i Përgjithshëm i P.K.(b) të B.S. !
E KALUARA HISTORIKE, KURRË NË HARRESË
Sa herë drejtues vëndesh të ndryshëme nuk e kanë përfillur të kaluarën historike, vëndet e tyre i kanë paguar shtrenjtë këto mospërfillje nga ana e udhëheqësve të tyre.
Po rikujtojmë disa momente kyçe nga historia e popullit tonë.
Pa shkuar më thellë në kohë, u rikthehemi 20 viteve të fundit të shekullit XIX-të. Kombi ynë ose më saktë, popullata shqiptare, vazhdonte të ishte e shpërndarë në gjithë gadishullin Ballkanik doemos e inkuadruar brënda Perandorisë Osmane.
Më 1875 – ’76 shpërthyen kryengritjet sllave për pavarësí. Turqia ishte gati të ndërhynte. Kurse Anglia provokoi Protokollin e Londrës. Kush përfitoi më shumë ? Bullgaria, së cilës i u dhanë me përparësí toka turke (por banuar kryesisht nga popullsi shqiptare dhe jo turke). Të pakënaqur, Sërbia, Mali i Zi, si edhe Rusia që i ndihmonte këta, i ranë Turqisë dhe rrufeshëm e thyen. Ç’lindi nga ato rrethana ? Traktati i emërtuar i Shën Stefanit (3 Mars 1878) që fituesve u dha edhe më toka turke, (të gjitha populluar nga shqiptarë)! Ç’i thonë kësaj ? Zemërgjerësi sllave me nëpërkëmbje totale të interesave të drejta shqiptare ! I vinte ndokuj keq se nëpërkëmbeshin kaq egër dhe padrejtësisht interesat e kombit tonë ? Aspak. Po pse atëbotë e çfuqizuan Traktatin e Shën Stefanit dhe Bismarku organizoi më 13 Qershor 1878 thirrjen e Kongresit të Berlinit ? Sepse donin të ulej pa një e pa dy ndikimi i Rusisë në Ballkan ! Kjo e gjitha. Përfundimi i pakëndshëm qé se shqiptarët së rishmi u ngushtuan territorialisht duke mbetur prap pré e Turqisë së zvogëluar për vete.
Përgjatë atyre dhjetvjeçarëve, Fuqit’e Mëdha bënin sehir duarkryq shitjen e interesave shqiptare, për hir të barazpeshës ndërkombëtare, në viset ballkanike ! Për t’a ndriçuar këtë fakt, mbas shpalljes së pavarësisë Shqipërisë, Konferenca e Londrës e ambasadorëve, (21 dhjetor 1912 – 23 mars 1913 periudha më kuptimzez’ e asaj konference për shqiptarët), qé ajo që u dha sllavëve troje banuar vetëm nga shqiptarë ! E sa për t’a nënvizuar këtë SKANDAL, t’a mësojë lexuesi se vetëm Sërbia mori 20.000 km2 troje shqiptare, (kur e gjithë Shqipëria sot numron 28.748 km.2)!(?) Edhe me Greqinë po i njajti kuadër. Në territorin e Çamërisë u masakruan, u vranë, u dhunuan dhe u deportuan nga 550.000 banorë 400.000 prej tyre (shqiptarë autoktonë), vetëm e vetëm për hir të 80.000 grekëve!**** Ministri i Jashtëm i Anglisë, Sir Edward Grey në ato rrethana pohonte : “… Objektivi kryesor i konferencës, ruajtja e marrëveshjes dhe mirëkuptimit mes Fuqive të Mëdha, u arrit …”! Ndërsa historia provoi se ajo, me gjithë nëpërkëmbjen që u bëri interesave shqiptare, nuk i a arriti fare barazpeshës që gjoja kishte si pikësynim. Ç’e provon këtë pohim ? Vetë shpërthimi i Luftës së I-rë Botërore ! Pra Konferenca e Londrës vetëm se ballafaqoi e kundërvuri projektet kolonialiste serbo-greke ndaj projektit etnik shqiptar. Veç Austro-Hungarisë, interesat kundraruse të së cilës bënë që ajo t’i mbështeste interesat shqiptare, askush tjetër nuk i mbronte sepse interesat e fqinjëve tonë territorialë mbështeteshin nga Rusia !
Me pak fjalë, historikisht asnjë prej shteteve të mëdha nuk i ka mbrojtur interesat e të vegjëlve po të mos u përputheshin ato interesave të tyre. Kjo edhe përgjatë shekullit të shkuar. Përfundimi ? Mbas Luftës II-të Botërore Bashkimi Sovjetik as që e kishte në llogari Shqipërinë dhe marrëdhënjet me ne, deri në 28 Qershorin e 1948-ës, kalonin nëpërmjet Jugosllavisë, (deri para rezolutës Informbyrosë). Këtu edhe fillimi i lëmshit të asaj nyje gordiane ku, krahas aleancave ndërthuren edhe kolaboracionet. Ndonëse Serbia na i mori 20.000 km.2 Enver Hoxha, i nisur thjeshtë nga egoizmi i tij i skajshëm, jo që ai fakt nuk i a lëkundi drejtimin shtegut të tij kolaboracionist me Jugosllavinë por, mbasi i a dhuroi asaj Kosovën, në vazhdim, (i a rikujtoj lexuesit), më 15 Dhjetor të vitit1947 në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q.P.K.Sh., në pranín’e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiç-it, Enver Hoxha deklaroi, (proçes-verbali i asaj mbledhje ruhet në Arkivin e Shtetit – shënim M.K.) :” … Tani që e likuiduam këtë pengesë, (Nako Spirun – shënim M.K.), duhet t’a fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË …” !
Në vazhdim tashti, ndjekim fillin e lëmshit nyjes gordiane, duke analizuar gjithë faktet e sjella përparandej fakt mbas fakti lidhur me pikësynimet q’e udhëhoqën Enver Hoxhën në vazhdim lidhur me marrëdhënjet që krijoi me B.Sovjetik, pastaj me Kinën e së fundi, përgjatë vet’izolimit total q’i bëri vëndit, kohë në të cilën egërsía e tij në akuzimin dhe zhdukjen e bashkëpunëtorëve nga më të ngushtët qenë vazhdim i përpiktë i vijës së tij kriminale ndjekur që nga koha e ilegalitetit të tij e deri ditën që vdiq edhe vetë ! Këtu tashti së rishmi i drejtohemi për ndihmë konsideratës së dytë themelore të shkencave fizike relative që, lidhur me shkencat historike, konkretizon : LIDHUR ME ÇDO NGJARJE, KOORDINATAT HAPSINORE SI EDHE ATO KOHORE, JANË TË LIDHURA MES TYRE NË VARTËSI TË ÇVENDOSJES SË VROJTUESIT SË PARI, DHE NË VAZHDIM, GJYKIMET E DHËNA NGA VROJTUESI JANË NË VARTËSI TË VETË POZICIONIMIT AS HAPSINOR DHE AS KOHOR POR INTERESASH TË VETË VROJTUESIT, SË DYTI. Mbështetur në këtë postulat shkencor bëjmë një hap përpara lidhur me dhënje gjykimi historik, nisur nga premisa krejtësisht të pa anëshme si edhe mbështetur në faktet e dokumentuar të paraqitur, drejtë hedhjes dritë dhe interpretimit të konceptit kolaboracionizëm, koncept ky i keqpërdorur që nga mbarimi i Luftës së II-të Botërore. Si pikë krahasimi historike, pa patur asnjë nevojë stërhollimi, shtrojmë pyetjen aspak retorike : Si e konsideroi Rusia, nga njera anë, dhe si e konsideroi Austro-Hungaria, nga ana e saj, vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës (21 Dhjetor 1912 – 23 Mars 1913) simbas të cilit i u dhanë Sërbisë 20.000 km.2 toka populluar nga popullatë mbi 90 % shqiptare ? Mbas pyetjes doemos duhet shtuar edhe një fakt i pakontestueshëm : Rusia nisej nga premisa prosllave kurse Austro-Hungaria nga interesat e saja kundra-ruse !
Vazhdojmë më tutje. Stalini shkarkon papritmas si ministër të Punëve të Jashtëme të B.Sovjetik Maksim Litvinovin, (me origjinë hebré), i cili e mbulonte atë post që nga viti 1930, dhe më 3 Maj 1939 vendos në vëndin e tij Vjaçesllav Molotovin. Është pikërisht Molotovi i cili më 23 Gusht 1939 nënëshkruan së bashku me Joachim Von Ribbentropin, (për palën gjermane), paktin e mos sulmimit si edhe të zonave të ndikimit. Edhe me këtë rast shtrohet pyetja aspak retorike : Si e pritën aleatja e Gjermanisë naziste Italia, e nga ana tjetër edhe Anglia, kundërshtarja e saj, këtë marrëveshje ? Mussolini e quajti thik’e ngulur mbas shpinës së tij nga ana e Hitlerit, kurse Chamberlaini e quajti tradhëti nga ana e B.Sovjetik bërë Anglisë.
Gjatë Luftës së II-të botërore kush vriste qoft’edhe një ushtar gjerman konsiderohej atdhetar edhe hero nga ana e anglo-amerikanëve si edhe sovjetikëve. Pra, partizanët e Ushtrisë N.Çl. Shqiptare konsideroheshin heronj e si rrjedhojë, edhe komandantët e asaj Lufte po ashtu, nga ALEATËT. Me të mbaruar lufta, aspak për altruizëm por së rishmi për interesa thjeshtë të njëanëshme, po ata anglo-amerikanë filluan dhe mbështesnin forcat kundra-komuniste në Shqipëri. Pra, ish aleatët u bënë objekt goditjeje të ndërsjellë.
Normalisht e krejtë logjikisht shtrohet pyetja përgjithësuese lidhur me faktet krahasuese të sjellë si shëmbuj :
A duhet konsideruar e vërtetë absolute gjykimi që jepnin Rusia apo Austro-Hungaria lidhur me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës ?
Cila e drejta historike, gjykimi i Mussolinit ndaj Hitlerit, Chamberlainit ndaj Stalinit apo si duhen gjykuar pozicionimet ndërsjelltas të shkëmbyera ?
Cili nga pozicionimet e aleatëve ndaj drejtuesve të L.N.Çl. i drejtë : ai i para 29 Nëntorit 1944 apo ai përgjatë vitit 1945 e në vazhdim ? Si i u kundërvunë në gjykim njeritjetrit ish aleatët duke filluar që nga viti 1945 e në vazhdim ?
PËRGJATË KËSAJ HULLIJE, DUKE E PËRQËNDRUAR MË SË FUNDI PIKËSYNIMIN TONË, NDALEMI TEK VARGU I PYETJEVE QË DUAN PËRGJIGJE TË DREJTPESHUARA DHE SHKENCORE E ME TO E MBYLLIM EDHE ANALIZËN TONË RRETH KOLABORACIONIZMIT SI EDHE KOLABORACIONISTËVE :
A ësht’e drejtë që nisur nga konsiderata të nxjerra mbështetur mbi fakte krejtë të njëanëshme, (kundruar përgjatë diktaturës komuniste), ose në vazhdim në përputhje me ideologjin’e saj nga historianë që nuk kanë se si t’i mohojnë ato që kanë shkruar përgjatë dhjetravjeçarësh, të vazhdohet e të jepen gjykime rreth historisë edhe sot ?
Pa hyr’edhe gjykuar as anën karakteriale e as morale të historianëve që përgjatë 47 viteve e shkruan historinë ashtu si u a diktoi partia, ndonëse ata kishin aksés në FONDET E NDALUAR TË ARKIVAVE, e pra i dinin të vërtetat historike, shtrohet pyetja :
A ësht’e drejtë të vazhdohet, edhe sot e kësaj dite në tekstet shkollore, të pasqyrohet historia e vëndit tonë mbi po ata binarë nga të njajtët autorë ?
Si ka mundësi që lidhur me cakun gjuhësor KOLABORACIONIZËM si edhe TRADHËTI e gjithashtu cilësorin KOLABORACIONIST edhe TRADHËTAR, merret pozicion zyrtar duke sjellë si shëmbull pohimin se të dy këta veprime e gjithë bota i ka dënuar ? Sapo fillon e trazohet politika me historinë dalim tek thënja madhore por djallëzore e Andrey Vyshinsky-t i cili, duke i u referuar një maksime të Mark Twain-it e citonte dëndur dhe me mburrje si sukses të politikës sovjetike :
“ … Më së pari duhen mbledhur faktet e këta pastaj i paraqesim dhe i shfytyrojmë si të duam !” Dhe e ndjej kënaqësinë t’ia bëj të ditur lexuesit i cili nuk e ka këtë informacion, se Vyshinsky ka qenë Prokuror i Përgjithshëm i Bashkimit Sovjetik në vitet e krimeve të mëdha staliniane 1936 – 1938, e në vazhdim pastaj edhe ministër i Punëve të Jashtme të B.S. Bazuar në pohimin e tij lidhur me shfytyrim faktesh dhe realiteti, shikojmë a gjëndet paralelizëm mes mësimeve të tij zbatuar në kushtet e Shqipërisë.
E pranojmë për një çast se përzgjedhja e së gjithë plejadës së atdhetarëve që e vunë në lojë të shkuarën e tyre thellësisht atdhetare si edhe personalitetin e tyre duke menduar se kolaboracionizmi i tyre u shërbente interesave kombëtare, ishte në dëmin e vëndit e kësisoji që nga Mustafa Kruja e Hasan Dosti, Ernest Koliqi e Tahir Kolgjini me shokë që u dënuan me vdekje në mungesë, duke vazhduar me Patër Anton Harapin e Lef Nosin, si edhe Kol Tromarën, Bahri Omarin, Terenc Toçin, Fejzi Alizotin, Maliq Bushatin, gjeneral Aqif Përmetin, Beqir Valterin, Shyqyri Borshin, Ismail Golemin, Daut Çarçanin e Javer Hurshitin me shokë që u dënuan dhe u egzekutuan, e paguan përzgjedhjen e gabuar me kokat e tyre ! E theksoj këtë moment sepse jo vetëm atëhere, në vitet e para të marrjes pushtetit, por edhe sot e kësaj dite historianët e periudhës diktaturës komuniste, vazhdojnë dhe i quajnë kolaboracionistë me kuptimin e keq të fjalës. Këtu marrim shkas t’u a sjellim parasysh lexuesve të këtyre radhëve dy replika të ndërsjella përgjatë Gyqit Special të Prillit 1945 që mund të qëmtohen edhe sot në protokollin e atij gjyqi. Prokurori Bedri Spahiu : “Të pandehur, veprimtaría juaj e këtyre viteve ka përbërë tradhëtí ndaj fateve të popullit dhe atdheut duke e njollosur emrin tuaj me atë të tradhëtarit”. I pandehuri Kol Tromara i replikon flakë për flakë : “Se kush është tradhëtar këtë do t’a mësojë populli heret a vonë”. (Në fakt kryetari i atij trupi gjykues, Koçi Xoxeja, u dënua me vdekje dhe u pushkatua si tradhëtar, e gjithashtu si tradhëtar u dënua edhe prokurori Bedri Spahiu që si i tillë u kalb burgjeve). Krejt’e natyrëshme pyetja : Kush u a vuri cilësorin tradhëtarë këtyre dy personaliteteve të drejtësisë komuniste shqiptare ? Përgjigja ësht’e qartë si drita e diellit, vetë Enver Hoxha, po ai që i pati ngjitur në ato poste të larta prej të cilave dënuan me pushkatim e me qindra e mijëra vite burgim, të mbledhura bashkë, pikërisht ajkën e atdhetarís’edhe të intelektualizmit shqiptar !
Mirëpo egzistonte edhe një palë tjetër e cila, me që konsiderohej fatlume përzgjedhja e aleancës kundra fuqive fashiste, ata u bënë kok’e këmbë me idetë antifashiste. Është një varg i pambarim i tyre, duke filluar që nga ideologët e atij pozicionimi Zaj Fundua me gjithë Zef Malën e Sejfulla Malëshovën, të ndjekur përgjatë ideologjisë tyre komuniste nga ata që dolën maleve për t’a luftuar fashizmin si Koço Tashkua me shokët e tjerë Islam Radovickën, Riza Danin, Shefqet Bejën, Sheh Karbunarën, profesor Gjergj Kokoshin, dr.Enver Sazanin, Kolë Kuqalin e Irfan Majunin me shokë. Po këta si u quajtën nga Enver Hoxha dhe P.K.Sh.? I gjithë vargu i tyre i pambarim në vijim u quajt edhe ai TRADHËTARË TË PARTISË DHE TË POPULLIT ! (???) Nuk ka si të harrohet çasti kur në sallën e gjyqit, i akuzuar si komplotist zv/Kryetari i F.D.Sh. si edhe deputeti i Durrësit Shefqet Beja, e shqeu këmishën dhe tregoi para trupit gjykues si edhe të pranishmëve në sallë, djegiet me hekur të skuqur në zjarr që i ishin bërë në kraharorin e tij nga hetuesit që të pranonte se kishin krijuar grupazh antiparti !(???) ( I kujtojmë lexuesit se Kryetar i F.D.Sh. ishte vetë Enver Hoxha).
Pra në vazhdim, qëndrimi ndaj atyre që e orientuan popullin me mish e me shpirt në kampin kundërshtar të fuqive fashiste, dhe që në masën më të madhe u pushkatuan ose u kalbën burgjeve si tradhëtarë si edhe kolaboracionistët e ashtuquajtur të mirëfilltë, a nuk përbën ky një qëndrim tamam jo vetëm gjakatar por edhe paradoksal të Enver Hoxhës dhe partisë tij, të nënështruar totalisht interesave të tija personale ? I quajtën tradhëtarë kolaboracionistët e gjithashtu tradhëtarë edhe antifashistët, mbështetësit e L.N.Çl. (Rikujtojmë replikat e ndërsjella të Bedri Spahiut në rolin e prokurorit, si edhe të Kol Tromarës në atë të të pandehurit). Pra, me logjikën më të thjeshtë matematike, në mes dy palëve me pozicionime diametralisht të kundërta, jo vetëm që u dashka vënë shënja e barazimit, por ky drejtim politik djallëzor i E.Hoxhës mbahet akoma i gjallë dhe në forma disi të maskuara vazhdon e mbështetet nga historianët e atëhershëm akoma aktivë, si edhe nga dishepujt e tyre që ndjekin endé postulatin e Vyshinskyt !
Pa u zgjatur më, por ama edhe pa dashur të mospërfill zërin e historisë të viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri, që na tregon se si mbas qindra tradhëtarëve, duke filluar që me themelimin e P.K.Sh., në vazhdim me deputetët dhe grupin e tyre imagjinar, duke vazhduar me gjeneralët e ushtrisë, drejtuesit tradhëtarë të ekonomisë e së fundi edhe vetë Kryeministrin e 27 viteve me radhë si edhe disa zv/Kryeministra e gjithashtu edhe ministra të Punëve të Brëndëshme, duhet pranuar se Enver Hoxha e drejtoi vëndin nëpër një rrugë të drejt’e parimore shumë atdhetare për dyzet vite me radhë veç i rrethuar prej tradhëtarësh të atdheut ! Kjo logjika që duan t’u trashëgojnë brezave historianët e diktatorit, ata që përgjatë dyzet vitesh dridheshin e veç sipas mësimeve të partisë edhe të diktatorit mendonin si edhe vepronin duke i shkruar veprat si edhe disertacionet e tyre. Kurse sot e kësaj dite, të trimëruar se shtetarë jo më vëndi diktatorial, por të lirë të thon’e të shkruajnë sa e si të duan se nuk i pret më arrestimi e tortura, siç bënte pusht-shteti i tyre, vazhdojn’e duan t’a mbajnë të shtrembëruar historinë si dikur … sepse veprat e tyre shkencore, shkruar e publikuar përgjatë diktaturës komuniste, nuk i lenë të flasin ndryshe ! E në vazhdim, pikërisht nisur nga pyetjet e shtruara e që presin jo vetëm përgjigje por kërkojn’edhe masa të themelta e të pa vonesë, e gjithashtu konkretisht sa duhet të mbështetemi tek gjykimet e botës, u sollën shëmbujt e gjallë dhe ulëritës të historisë si duhen gjykuar veprimet e Sir Edward Greyt, pakti Ribbentrop – Molotov, qëndrimet ndaj luftëtarëve të U.N.Çl. si edhe ndaj LUFTËTARËVE TË NJËSIVE TË ARMATOSURA KUNDRAKOMUNISTE të trajtuar përgjatë së gjithë periudhës diktatoriale me përbuzje si DIVERSANTË, si edhe e gjithë veprimtaria herë kolaboracioniste e në vazhdim kundërshtare e Enver Hoxhës ndaj miq-armiqve të tij, paçin qenë ata shtete edhe sisteme ose edhe persona të veçantë, e kam të madhe shpresën që studjuesit e ardhshëm, por ama edhe të prirur ndershmërisht ndaj zbulimit të të vërtetave historike mbështetur në materialet arkivore, nuk do t’a kenë të pamundur vënjen në vënd të shtrembërimeve historike bërë me qëllime të caktuara keqdashëse qoftë përgjatë viteve të diktaturës komuniste si edhe në vazhdim. Nga ana tjetër jam i mbushur me shpresë se po kjo kategori studjuesish do të dijnë t’i analizojnë tingujt e të dyja këmbanave, pra edhe të fituesve të Luftës II-të Botërore, (ku Sh.B.A.-të si edhe Anglia qenë aleatë interesash të çastit me B.S. dhe me të mbaruar lufta u bënë së rishmi armiq për vdekje, siç kishin qenë edhe para lufte), e gjithashtu edhe t’i interpretojnë siç duhet dokumentat arkivore ! Vetëm një analiz’e kësaj natyre, e bërë me vullnetin e mir’e të ndershëm të shkencëtarëve të pa anshëm, do t’i vendosë pikat mbi “i” lidhur me Kolaboracionizmin në të mirë të Atdheut, në kushtet e pushtimit të huaj, si edhe atij plotësues egosh personale dhe në dëmin e Atdheut, në kushtet e Shqipërisë së çliruar, FAKTUAR KËTO ME GJËNDJEN EKONOMIKE TË VËNDIT MBAS SHKËRMOQJES SË DIKTATURËS KOMUNISTE !
* Shtetet e marra në kundrim janë përzgjedhur jo rastësisht por kriteri ka qenë të krahasoheshin shtetet ballkanike, ku governator i përgjithshëm gjerman ka qenë Hermann Neubacheri, (pra kushtet e trajtimeve të kenë qenë të njajtë), dhe mes tyre është futur edhe Danimarka, me që asaj edhe i jemi referuar përgjatë analizës si shtet i vetëm, perveç Shqipërisë, ku Reichu Gjerman zbatoi trajtimin si urë kalimi dhe mosndërhyrjeje në punët e tyre të brëndëshme.
** Sa u takon krahasimeve të bëra ku për Shqipërinë njësia llogaritëse, (si emërues i përbashkët krahasues), është marrë 100 % njësi, gabimi eventual ësht’i barabartë për të gjitha shtetet e marra në konsideratë, (i varur ky gabim lidhur me gabime në censusin e popullatave të ndërsjella të viteve 1940-1944).
*** (Kush dëshiron e gjen të plotë fjalimin e sipërpërmëndur tek adresa elektronike www.albanovaonline.com duke kërkuar lidhur me Patër Anton Harapin “Procesi i Kanonizimit të disa Martirëve si dhe dy fjalë për Patër Anton Harapin, Martirin e Madh të harruar”).
**** (Kush i interesuar e gjen të trajtuar hollësisht problemin Çam në adresën elektronike www.albanovaonline.com me titullin “Arvanitasit, Çamëria, Epiri i Veriut dhe gjëndja sot).

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe pas clirimit, kolaboracionistet, Mergim Korca, ne kushtet be psuhtimit

Hetojeni Adria Airways dhe formojeni Kosova Airways

August 17, 2015 by dgreca

(Letër publike Bordit Mbikëqyrës të AAC-së dhe Ministrit të Infrastrukturës së Republikës së Kosovës,Lutfi Zharku)/
Nga Uk LUSHI-New York/
Me 19 korrik 2015, së bashku me gruan dhe vajzën time 2 vjeçare, u nisëm për Prishtinë nga aeroporti JFK në New York.Udhëtimi deri në Frankfurt, ndonëse i gjatë rreth tetë orë, kaloi për bukuri. Stafi i kompanisë gjermane Lufthansa na ofroi të gjithë pasagjerëve ushqim, pije dhe shërbim të mrekullueshëm.
Por gjithçka ndryshoi për keq në pjesën e dytë të fluturimit prej Frankfurtit në Prishtinë kur morëm avionin e Adria Airways.
Çfarë përjetuam në fluturimin Adria JP 115 të datës 20 korrik 2015 qe një dështim total i standardeve minimale të shërbimit dhe— për më palejueshëm— sigurisë.Tmerri filloi sapo hipëm në avion. Në karriget që sipas biletave ishin të rezervuara për familjen tonë i gjetëm ulur tre njerëz tjerë, të cilët na treguan biletat me të njëjtit numra si tonët.
Kryestjuardesa e Adrias na tha të gjenim diku tri ulëse dhe të shihnim në do të vinin ata që i kishin rezervuar!!!
Pa zënë vend ende, hapa derën e kompartmentit për valixhet e dorës dhe çantat e vogla. Por, aty nuk kishte asnjë centimetër hapësirë e lirë: as përmbi, as para, as prapa, e as anash nesh.
Kërkuam nga njëra punëtore se Adria duhej të gjente vend për bagazhin tonë të dorës. Por ajo gjegji me nonshalancë se mund t’i vendosnim ato nën këmbët tona!!!
I shpjeguam që njëra valixhe dhe njëra torbë, për shkak të dimensioneve, nuk mund të futeshin nën karriget përpara nesh dhe— ç’ ishte më me rëndësi— lënia e valixheve ku duhet të jenë këmbët është shkelje e rregullave të sigurisë në aeroplan.
Mirëpo arlekinja sllovene na ktheu që faji ishte i shqiptarëve të cilët merrnin më shumë valixhe se sa ishte limiti!
“Pse e lejoni këtë, zonjë?” – e pyeta. “Pse nuk angazhoni një aeroplan më të madh për fluturimet e mbingarkuara? Pasagjerët që duan të sjellin më shumë se një valixhe mund t’i detyroni të paguajnë ekstra, mund t’i gjobisni ose edhe t’ua ndaloni të hipin në aeroplan, apo jo? Përgjegjësia për bagazhin dhe sigurinë tonë është e Adrias. A nuk keni frikë që nëse si aviokompani nuk u përmbaheni standardeve internacionale të sigurisë dhe lëndoni njerëz apo rrezikoni jetët e tyre mund të humbni licencën dhe të paditeni?”
Avioni brenda ishte në kaos. Dhjeta udhëtarë që kërkonin një vrimë ku do t’i parkonin valixhet, trastat, çantat dhe qeset e tyre.
Një shkelje tjetër e sigurisë ndodhi ndërkaq që instruksionet e sjelljes dhe korridoreve të daljeve në rast aksidenti u dhanë vetëm në gjermanisht dhe sllovenisht. Ato nuk u përkthyen as në anglisht dhe as shqip, përkundër faktit që shumica dërmuese e udhëtarëve ishin nga Amerika ose shqiptarë.
Me rreth dy orë vonesë për shkak të keqmenaxhimit operacional dhe paaftësisë së punëtorëve të Adrias, avioni, spicë me 180 udhëtarë, u ngrit duke uturuar.
Disa valixhe diku kah mesi u rrotulluan dhe rrapëllyen me zhurmë.
“Nuk ka të lënduar!”—thirri dikush dhe të gjithë qeshëm me hidhësi se ndoshta aeroplani ishte rënduar përtej masës dhe ne ishim në dorë të fatit.
Pas nja njëzet minutave u ngrita dhe eca të shpihesha sepse nuk kisha ku të lëvizja këmbët. Ç’të shihje! Çdo dy-tre rreshte, udhëtarët kishin valixhe dhe bagazh para këmbëve, e diku-diku edhe në ulëse dhe mbi gjunjë.
I shushatur nga surrealizmi përreth i rashë butonit të shërbimit. Kur ja qetisi, e pyeta stjuardesën kryesore se si guxonin që të rrezikonin me mbingarkesë dhe të thyenin protokollin e sigurisë?!
“Nuk kemi vend!” – ma ktheu ajo. “Kemi stivosur valixhe edhe në hapësirën që është vetëm për personelin tonë. Ndonjë pyetje tjetër?!”
Pa mundur të besoja moskokëçarjen për sigurinë tonë dhe shërbimin më tepër se të keq të sllovenëve, venerova që bijën time e kishte marrë gjumi. Mendova me vete, të vë një sy gjumë si ajo, sepse ashtu, e pakta, nuk do të shihja me sy sjelljet idiote të ekipit të Adria Airways.
Ncëk! Sa mbylla sytë, katër- pesë minuta, dëgjoj stjuardesat tellalle, herë sllovenisht, herë shqip: “Cigare… pa doganë… një shtekë 20 euro; uji 2 euro…!”
Katër-pesë rreshta më mbrapa disa njerëz ankoheshin se si ishte e mundshme që Adria le që nuk ofronte diçka ushqimore për udhëtimin e gjatë mbi dy orë, por as ujë për pirje.
Një plak refuzoi të paguante 2 euro për një shishe 0.25 l. “Si t’ paguej për uj’, oj çika jeme? Më duhet t’ i pi barnat dhe s’ mund i pi pa ujë!”—i sqaronte plaku i shkretë stjuardesës shqiptare në ekipin e Adrias, e cila quhej Lendita.
Ngase përcjell rrjedhat ekonomike dhe të biznesit në Ballkan, e dija vagullt që Adria Airways d. d. ishte në krizë. Shteti slloven si pronar ka gati tri vjet që provon të shesë shumicën dërrmuese të aksioneve, mirëpo askush nuk është paraqitur si blerës.
A thua ishte shërbimi katastrofal arsyeja? Apo mos ishin arsye inefiçienca e menaxhmentit dhe stafi joprofesional që rrezikonte lëndimin dhe humbjet e jetëve të njerëzve, siç po bënin ekipi i JP 115 me ne?
A po tentonte Adria të milte disa euro shtesë— duke shitur edhe ujë— nga xhepi i imigrantëve shqiptarë, që, me përuljen e njerëzve të shkelur me shekuj, reagonin veç tek-tuk dhe nuk u thonin sllovenëve paç, që si blerës të biletave, ne jemi bosët juaj dhe nëse tentoni të na zhvatni, ne mund të zgjedhim kompani tjera?
Sido që të jetë, mbas mbi dy orëve, si çdo tmerri, edhe tmerrit të Adrias i erdhi fundi.
Aeroplani ateroi në Prishtinë duke turfulluar si një dem i superngarkuar me barrë që ja dridh leqet e gjunjëve.
Nuk ka dyshim, çdo kund në botë ka kompani të papërgjegjshme dhe bile të liga. Shumica nga këto biznese mbyllen sepse shfrytëzuesit e produkteve apo shërbimeve të tyre i falimentojnë ato duke mos paguar për çfarë ofrojnë.
Mirëpo, fatkeqësisht, ka edhe kompani, të cilave klientët nuk e kanë fuqinë t’ua ndalojnë veprimtarinë e rrezikshme. Në të këtilla raste, për të mbrojtur qytetarët, duhet të ndërhyjë shteti.
Veprimet dhe sjelljet e paskrupullta, të rrezikshme dhe ilegale gjatë udhëtimit JP115 me 20 korrik, pak a shumë, u përsëritën edhe gjatë fluturimit kthyes JP114 të Adrias, nga Prishtina në Frankfurt, me datën 30 korrik 2015.
Këto shkelje ndikuan që shqetësimi im të shndërrohet në merak serioz për sigurinë e udhëtarëve që fluturojnë me Adrian. Prandaj, si qytetar i përgjegjshëm, më duhet të kërkoj botërisht nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës (AAC) dhe Ministria e Infrastrukturës (MI) e Kosovës, që të mbrojnë udhëtarët dhe të drejtën e tyre për siguri, duke ndërmarrë një hetim urgjent dhe gjithëpërfshirës të fluturimeve dhe avionëve të Adria Airways që mbajnë linja me Prishtinën.
Aviokompania Adria Airways është përfituese e madhe e fluturimeve nga dhe për Prishtinë dhe ajo duhet ta trajtojë linjën me Kosovën ashtu si e meriton çdo linjë serioze dhe pa rrezikuar udhëtarët.
Sipas statistikave zyrtare të AAC-së në vitin 2014 Adria ka qenë kompania numër dy, pas Germanias dhe para Turkish Airlines, me rreth 180 000 pasagjerë që ka transportuar në dhe nga aeroporti “Adem Jashari”.
Mesatarja e fluturimeve nga aeroporti kryesor i Kosovës në periudhën 2010-2014 është 6625 fluturime ose rreth 1. 44 milionë udhëtarë në vit. Aeroporti “Adem Jashari” është një port shumë i rëndësishëm ajror regjional dhe profitabil për kompanitë ajrore.
Derisa jemi te oportuniteti në fushën e aviacionit civil në Kosovë, propozoj që Qeveria në Prishtinë të themelojë aviokompaninë shtetërore “Kosova Airways” duke filluar me një flotë prej dy aeroplanësh, e cila mund të rritet me kalimin e kohës deri në 10 fluturake. Një ndërmarrje e tillë do të hapte vende pune në Kosovë— për fillim së pakut 50, e mëpastaj mbase edhe qindra tjera.
Aviokompania e Republikës së Kosovës mund të operoj me fitim vetëm duke mbuluar linjat të cilat i shfrytëzojnë shqiptarët kurbetçinj.
Modeli i fitimit dhe suksesit është lehtësisht i mbrojtshëm para çdo investitori që do të pyetej të jetë joint venture partner me shtetin e Kosovës, si fjala vjen p. sh. Republika e Shqipërisë apo ndonjë kompani e etabluar ajrore, pse jo edhe nga SHBA.
Le ta ilustrojmë idenë me numra konkret duke bërë llogaritje krejt konservative të të hyrave të shitjes së biletave dhe duke përjashtuar shërbimet totalisht.
Numri mesatar i udhëtarëve që vijnë në dhe shkojnë nga Prishtina përmes ajrit është 1. 44 milionë në vit. Ngase në treg do të ketë operatorë tjerë, le ta përgjysmojmë numrin e pasagjerëve në 720 000 për vit. Nëse çmimi mesatar për biletë është veç 200 euro, të ardhurat për aviokompaninë e Kosovës do të ishin 144 milionë euro në vit.
Le të jemi konservativë dhe me marzhën e profitit dhe le të jetë ajo vetëm 10%. Ky profit, që ka mundësi reale të jetë shumë më i lartë, përkthyer në para do të ishte rreth 15 milionë euro dhe do të mund të investohej ose në blerjen e aeroplanëve tjerë për flotën ose mund të hidhet në arkën e shtetit të Kosovës.
Kjo rrugë do të ishte shtegu më i mirë për mënjanimin e problemeve me aviokompani problematike sikur Adria Airways dhe le të mbetet në punën dhe vendimet e profesionistëve të Qeverisë dhe lojtarëve të sektorit të aviacionit civil në Kosovë se si do të procedojnë me propozimin.
Por deri atëherë, as pasagjerët e as shteti i Kosovës nuk duhet të lejojnë aviokompanitë t’i abuzojnë të drejtat e udhëtarëve dhe kodet e sigurisë, shërbimeve apo ato profesionale, veç pse kompanitë tentojnë të rrisin marzhat e fitimit.
Jetët dhe trajtimi dinjitoz i pasagjerëve duhet të jenë prioritetet kryesore të autoriteteve të Kosovës dhe nëse kompanitë e transportit ajror nuk u përmbahen Konventave Ndërkombëtar si ato të Chicagos dhe Montrealit, Sistemit të Warshavës, ligjeve të BE-së dhe posaçërisht ligjeve dhe rregulloreve për aviacionin civil të Republikës së Kosovës, Qeveria në Prishtinë duhet t’ua revokojë licencat, t’i ndjek penalisht dhe dënoj kompanitë që nuk veprojnë në harmoni me të gjitha ligjet dhe kërkesat rregullative.
Mosreagimi në këtë thirrje publike për hetim të Adria Airways e hedh topin e përgjegjësisë te AAC-ja, MI-ja dhe— rrjedhimisht— shteti i Kosovës.
Në rast të ndonjë aksidenti dhe moskryerje të detyrimeve të AAC-së dhe MI-së për hetim dhe zbatim të rregulloreve dhe ligjeve, gishti akuzues duhet të drejtohet edhe kah Bordi Mbikëqyrës i AAC-së, ministri Zharku dhe stafi i tij dhe— gjithsesi— shteti Kosovës.
Aviokompania Adria Airways duhet të hetohet sa më shpejt, para se mund të bëhet vonë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Adria Airways, hetojeni, Kosova Airways, Uk Lushi

Përtej evazionit dhe korrupsionit

August 17, 2015 by dgreca

Nga Gavrosh Levonja/New York/
Ditët e fundit, një nga lajmet kryesore në mediat shqiptare, lidhet me mosrealizimet në shifra shqetësuese në mbledhjen e të ardhurave nga taksat në tatime e dogana. Ndërkohë, informacionet e publikuara në media konfirmohen jo vetëm nga institucione financiare, po dhe nga vetë struktura shtetërore, në radhë të parë Ministria e Financave si dhe drejtoritë përkatëse të tatimeve e doganave. Shqetësimi i shkaktuar në qeveri nga ky realitet i pakëndshëm pasqyrohet qartësisht në paralajmërimet e kryeministrit Rama për një fushatë energjike e të rreptë kundër evazionit fiskal, shoqëruar dhe me ndëshkime drastike deri në burg për evazorët dhe shkelësit e ligjeve dhe rregullave përsa i përket detyrimeve financiare. Alarmi i shkaktuar në qeveri lidhur megjendjen e mjeruar të arkës së shtetit, bëhet edhe më i prekshëm po të analizohet dhe rishikimi I buxhetit pas publikimit të shifrave të gjysmës së parë të vitit për të ardhurat në tatimë e dogana, pa përmendur dhe ndonjë projekt të Ministrisë së Financave për taksimin e pagave të ulta, i cili mbeti në tentativë sigurisht nga frika e pakënaqësisë dhe pasojave që do të shkaktonte. Duke filluar nga kryeministri e deri tek zyrtarët e tjerë të sektorit financiar përmendin si shkak vetëm evazionin dhe korrupsionit falë të cilit bëhet i mundur ky evazion. Jo më kot dhe fushata e paralajmëruar nga Rama e parashikuar të fillojë në shtator do të jetë e orientuar vetëm kundër evazionit dhe korrupsionit në tatime e dogana. Por, vënia e gishtit vetëm mbi evazionin fiskal dhe korrupsionin është gabim dhe vështirë se mund të pritet ndonjë kthesë rrënjësore në aspektin pozitiv përsa i përket rritjes së të ardhurave nga doganat e tatimet. Korrupsioni dhe evazioni nuk janë dukuri që u shfaqën në gjysmën e parë të këtij viti po kanë shoqëruar jo vetëm financat dhe ekonominë po të gjithë sektorët e jetës në Shqipëri gjatë gjthë këtyre 25 viteve nga momenti i ndryshimit të sistemit e megjithatë asnjë qeveri, ndonëse e kanë ngritur si problem duke marrë dhe masa për ta minimizuar, nuk e kanë paraqitur asnjëherë si shkakun kryesor të mosrealizimit të të ardhurave. Mosrealizimi i të ardhuravë më shumë se tek evazioni fiskal e korrupsioni duhet kërkuar tek politikat ekonomike e financiare të qeverisë. Logjikisht, nuk mund te justifikohen me evazion e korrupsion gropa me mbi 10% nga mbledhja e taksave. Qeveria e dalë nga zgjedhjet e dy viteve më parë gjëja e parë që bëri rriti taksat për bizneset me shpresën se do të rriste fluksin e të ardhurave në arkën e shtetit gjë që do t’I mundësonte kthimin në realitet të premtimeve elektorale më karakter social si mjekësia falas rritja efondeve për shtresat në nevojë etj, me të cilat erdhi në pushtet. Mirëpo teoricienët dhe strategët financiarë të Ramës nuk kishin marrë fare në konsideratë shkallën e zhvillimit të pjesës dërmuese të biznesve në Shqipëri në aspektin e asaj që sa do të ishin në gjendje të përballonin këtë rritje taksash. Cdo rritje taksash, nisur nga “tahmaja” për të mbushur arkën e shtetit duke i marrë frymën biznesit bën efekt të kundërt. Kështu rritja e taksave bëri që një pjesë biznesesh të pushonin aktivitetin, një pjesë tjetër të gjenin tek fshehja e të ardhurave e “marifete” të tjera mënyrën e vetme për të mbijetuar në kohen që nuk mungoi dhe largimi nga Shqipëria i ndonjë kompanie të huaj në ndonjë vend tjetër me taksa më të ulta apo lehtësira të tjera. Prandaj, do të kishte qenë më e udhës që qeveria para se të paralajmëronte kryqëzatën “antievazion” t’i hidhte një sy listës së biznesve që vazhdojnë të jenë aktive në vend, sa është numri i tyre si dhe përmasat e aktivitetit që zhvillojnë duke i krahasuar me një vit apo dy vjet më parë. Besoj se shifrat të cilat ilustrojne të dhënat në këtë aspekt nuk mund të jenë aq “rozë”. Gjithashtu lista në fjalë mund të pasurohet dhe me ato biznese që u shtrënguan të paguajnë detyrimet për energjinë elektrike, gjë që është normale dhe qeveria duhet përgëzuar për një hap të tillë, me të cilin synohej t’i jepej fund një absurditeti që kishte zgjatur mbi 20 vjet, por tek efekti mbi këto biznese, në listën e shpenzimeve të të cilëve energjia elektrike nuk llogaritej duke qenë se vidhej. Edhe kryqëzata kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, e cila gjithashtu duhet mbështetur, pati efektet e saj negative në ekonominë e vendit duke qenë se një pjesë jo e vogël e popullsisë në fshatra e kishte mjetin kryesor të jetesës. Konkretisht, edhe sot kronikat e lajmeve nga Shqipëria janë të mbushura me lajmë për asgjësime parcelash të mbjella me kanabis. Mirëpo falimentimi, mbyllja dhe reduktimi I aktivitetit të bizneseve sjellin shtim të listave të të papunëve dhe zvogëlim të sasisë së të ardhuravë që shkojnë në xhepat e qytetarëve, pra, në fund të fundit varfërim të popullsisë. Pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj është ulja e masës së konsumit, kërkesa për mallra konsumi bëhet më e vogël gjë që, nga ana e saj con në një tkurrje të mëtejshme të bizneseve, pra më pak të ardhura në arkën e shtetit nga tatimet. Gjithashtuzvogëlimi i kërkesës në treg për mallra konsumi bën që nga jashtë të vijnë më pak mallra, gjë që përkthehet në ulje të ndjeshme të parave të mbledhura në dogana. Për këto arsye, jam pesimist përsa i përket shpresave për një efekt të ndjeshëm pozitiv të kryqëzatës “antievazion” që do të fillojë muajin e ardhshëm e paralajmëruar kjo nga vetë kryeministri Edi Rama. E sigurt është se fushata kundër evazionit e korrupsionit do të shtojë listën e bizneseve të falimentuara dhe pasojat e tjera të përmendura më sipër. Me këtë nuk është se jam kundër luftës ndaj informalitetit, por më parë Rama dhe stafi i tij duhej të rishikonin politikat fiskale duke bërë ndryshime adekuate përsa i përket barrës fiskale jo vetëm për bizneset por edhe për qytetarët mbi kurrizin e të cilëve rëndon gjithcka.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe korrupsionit, Gavrosh Levonja, Përtej evazionit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 762
  • 763
  • 764
  • 765
  • 766
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT