• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në pritje të ndryshimeve kushtetuese

September 22, 2015 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/

U bë kaq kohë që politikanët në krye të hierarkisë pushtetore dhe opozita po flasin për ndryshime kushtetuese. Nuk e dimë konkretisht se çfarë nenesh të Kushtetutës do të preken në këto ndryshime të pritshme dhe çfarë nenesh do të shtohen. Politikanët, në bashkëpunim me juristët, do ta thonë vetë fjalën e tyre. Ndërkohë janë dëgjuar zëra, sipas të cilëve ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen me referendum. Këtyre zërave dëshiroj t’ju them se edhe votimi me referendum nuk e zgjidh problemin, sepse votimi në vendin tonë është shndërruar në një ritual formal, pas përfundimit të të cilit gjithçka ndjek hullinë që u intereson klaneve më të fuqishme politike që kanë pushtetin ose që synojnë ta marrin atë me se s’bën përmes blerjes së votës.

Gjithsesi, ndryshimet kushtetuese janë të nevojshme dhe duhen bërë për faktin se disa gjëra janë mahisur keq. Unë këtu dëshiroj të prek disa çështje, të cilat me siguri që janë tërësisht jasht vëmendjes së politikanëve dhe të juristëve në procesin e përgatitjes së ndryshimeve kushtetuese.

Së pari, le të ndalemi në një fakt konkret.

Kushtetuta e tanishme, të cilën majtistët e hodhën në referendum në vitin 1998, nuk ka asnjë nen që të përcaktojë se kush duhet të jetë në krye të komuniteteve fetare në vendin tonë. Projektkushtetuta e vitit 1994 e kishte një nen të tillë. Por ajo nuk fitoi në referendumin e atij viti, se Partia Socialiste u ra kambanave në të gjitha udhëkryqet e vendit që ajo të mos votohej, sepse, sipas propagantës majtiste, kishte “rrezik” që Presidenti Berisha të behej “mbret”. Dhe shumica e popullit votoi kundër. Në Projektkushtetutën e vitit 1998, të cilën majtistët shqiptarë e përgatitën me ndihmën e “vyer” të këshillëtarëve grekë, nuk figuronte më neni i projektit të vitit 1994 që bënte fjalë për krerët e komuniteteve fetare që duhet të jenë me prejardhje, me shtetësi dhe me gjak shqiptari. Në votimin e asaj Projektkushtetute, votuesit e krahut të djathtë nuk morën pjesë, sipas thirrjes që u bëri Partia Demokratike. Pra, vendi u bë me një kushtetutë majtiste, e cila, me heqjen e nenit të lartpërmendur, krijoi kushte që në krye të komuniteteve fetare mund të caktoheshin edhe të huaj. Si përfundim, gjatë një periudhe më shumë se 23-vjeçare, kishën ortodokse të Shqipërisë po e qeveris një i huaj, Anastas Janullatosi, i cili vjen nga një vend me një qëndrim tradicionalisht armiqësor ndaj vendit tonë dhe që asnjëherë nuk i ka reshtur pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut, për çka kanë deklaruar fare shkoqur  presidentët grekë Stefanopulos dhe Papulias, sa herë që ka rënë fjala për Korçën dhe për Himarën, duke anashkaluar faktin që trojet tona etnike shkojnë deri në Artë e në Prevezë.

Çdo prift ortodoks shqiptar që është brumosur me ndjenjat e shqiptarisë, normalisht, duhet të jetë i bindur që në këtë periudhë 23-vjeçare të drejtimit të kishës nga një i huaj, ai mund të kishte përfunduar 5 universitete për të mësuar artin e drejtimit të Kishës Ortodokse Fanoliane dhe për të marrë përsipër postin e Kryepeshkopit Shqiptar. Por Janullatosi nuk ka dashur qëllimisht që një prift ortodoks shqiptar të ngrihet deri në një post të tillë. Kjo për faktin se ai ndodhet në Shqipëri me një mision të pastër politik. Nuk e di se cila është arsyeja që klasa politike e Tiranës ka mbajtur qëndrime antikombëtare në raport me Janullatosin. Janullatosi ishte në krye të administrimit të situatës për zhvarrimet e Kosinës për blerje eshtrash të vdekurish shqiptarë për mbushjen me to të varrezave që u ngritën në jugun e Shqipërisë në nderim të ushtarëve agresorë grekë. Dhe Tirana zyrtare bëri sehir. Jo vetëm kaq, por, paraprakisht, parlamenti shqiptar pati votuar për ngritjen e atyre varrezave që kanë ndotur truallin e Shqipërisë së Jugut. Ai votim përbën një faqe turpi në historinë e parlamentarizmit shqiptar. Megjithatë, edhe pas zhurmës që u bë në shtyp për zhvarrimet e Kosinës, Janullatosi e shpërfilli tërësisht Tiranën zyrtare dhe shkoi e u konsultua me kryeministrin Karamanlis. Kjo për faktin sepse të ashtuquajturën kishë ortodokse të Shqipërisë ai e konsideron filial të kishës ortodokse greke. Prandaj edhe autoritetin e Tiranës zyrtare ai nuk e njeh në raport me kishën ortodokse që drejton në vendin tonë.

Qëndrimi skandaloz që mbajti Janullatosi ndaj Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri” në Përmet, të cilën donte ta shndërronte forcërisht në kishë, nuk i  ngjalli kurrfarë shqetësimi Tiranës zyrtare, edhe pse me vendim të të tria shkallëve të gjyqësorit ajo ndërtesë duhej të vazhdonte të mbetej vatër kulture, kundër  pretendimeve të Janullatosit. Pra, edhe në këtë rast Tirana zyrtare vazhdoi të bënte sehir, derisa kryetari i Bashkisë së Përmetit u detyrua të vepronte forcërisht, duke thirrur në ndihmë policinë private.

Në kundërshtim me ndjenjat atdhetare të çdo shqiptari të ndershëm, Janullatosi, në gusht të vitit 2014, në Kolkondas të Fierit organizoi një meshë të posaçme në nderim të Kozmait të Etolisë, armikut të betuar të gjuhës shqipe dhe të kombit shqiptar. Dhe Tirana zyrtare përsëri bëri sehir.

Edhe në rastin e së ashtuquajturës kishë e Shën Thanasit në Dhërmi dhe të zhurmës që u ngrit rreth saj, Janullatosi, me qëndrimin që mbajti, e vërtetoi me fakte se nuk e njeh autoritetin e Tiranës zyrtare, por shkoi me vrap dhe u këshilluar më kryeministrin grek Cipras.

Ka edhe shembuj të tjerë që vërtetojnë se Janullatosi ka mbajtur qëndrime antishqiptare, e megjithatë Tirana zyrtare ka vazhduar të bëjë sehir, në vend që Janullatosin ta largonte menjëherë nga Shqipëria. Madje duhej ta kishte larguar që në vitin 1999, kur, që nga Moska, ai deklaroi për pozicionimin e tij përkrah serbëve, kundër popullit shqiptar të Kosovës. Asokohe Presidenti Meidani, me një dekret të posaçëm, duhej ta kishte larguar menjëherë Janullatosin nga Shqipëria. Nuk e di se cila ishte arsyeja që Presidenti Meidani nuk veproi.

Para do kohësh, me rastin e zhurmës që u bë për të ashtuquajturën kishë e Shën Thanasit në Dhërmi, zotëria Sokol Kondi kishte botuar në gazetën “Mapo” një analizë mjaft interesante në mbrojtje të interesave tona kombëtare. Analiza titullohej:

“Qëllimet ekspansioniste dhe “megalloidea” e Janullatosit në Shqipëri”.

Në atë analizë ai shkruante:

“Janullatosi bën mirë të heqë dorë nga qëllimet ekspansioniste dhe ultranacionaliste me sfond verio-epiriot nëse nuk ka ndër mend që të shpallet “non-grata” dhe t’i jepet ultimatum të largohet brenda 24 orësh nga vendi, sikurse bëri kryeministri i madh patriot i shqiptarëve Pandeli Evengjeli (ortodoks!) në vitin 1920 me një biçim Janullatosi të kohës që donte t’i bindte me   zor korçarët se ishin grekë” (Citohet sipas faqes së internetit të gazetës “Mapo”. 25 gusht 2015).

E përshëndes zotin Sokol Kondi për këtë qëndrim prej shqiptari të vërtetë ndaj Janullatosit. Por problemi është se në krye të ngrehinës politike shqiptare, nuk ka burra shteti që të kenë këllqet e Kryeministrit të dikurshëm Pandeli Evangjeli. Me rastin e zhurmës që bëri Janullatosi për kishë-gërmadhën e Shën Thanasit në Dhërmi, Kryeministri Rama deklaroi:

“Do ta rindërtojmë kishën, ishte djepi i gjuhës shqipe, grekët s’kanë të drejta mbi besimin tonë” (Citohet sipas: “Kryeministri që u thotë grekëve të vërtetën”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 01 shtator 2015).

Po në këtë faqe, lexova edhe reagimin e specialistit të së drejtës ndërkombëtare, e intelektualit dhe nacionalistit të shquar Abdi Baleta:

“Më në fund, një kryeministër shqiptar u thotë grekëve të vërtetën në sy”.

Edhe unë e përshëndes deklaratën e Kryeministrit Rama. Por kush na siguron se nuk ka rrezik që ajo të mbetet thjesht në kuadrin e retorikës? Sepse duhet vepruar me hapa konkretë. Posti i Kryepeshkopit të Kishës Fanoliane i duhet kthyer sa më shpejt që të jetë e mundur një prifti shqiptar, me shtetësi, me prejardhje dhe me gjak shqiptari. Unë mendoj se këtë problem e zgjidh përfundimisht vendosja e atij nenit të lartpërmendur, të cilin majtistët shqiptarë e hoqën nga kushtetuta që votuan në vitin 1998. Majtistët shqiptarë  duhet ta kuptojnë një herë e mirë se Kisha Ortodokse Fanoliane, Janullatosin e ka peshqesh prej tyre gjatë këtyre 23 vjetëve, pikërisht prej kushtetutës së tyre të vitit 1998 që e hodhën në votim, duke shpërfillur alternativën e djathtë. Prandaj asokohe kishte shumë të drejtë zoti Baleta që atë kushtetutë e pati etiketuar si pushtetutë.

Veç kësaj, në kushtetutë, në nenin që duhet të shtohet për drejtuesit e komuniteteve fetare që duhet të jenë me shtetësi, me prejardhje dhe me gjak shqiptari, duhet të theksohet edhe diçka tjetër: në Shqipëri nuk lejohet që pranë komuniteteve fetare të punojnë klerikë të huaj, të çfarëdo feje qofshin.  

Së dyti, sipas kushtetutës majtiste, parlamenti shqiptar përbëhet prej 140 deputetësh. Në kushtet e një varfërie të skajshme ku është katandisur vendi ynë, vallë a nuk duhet shkurtuar numri i deputetëve të tanishëm dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ai të zbresë deri në 80 deputetë? Sepse 60 deputetë më pak në parlament, do të thotë miliarda lekë të kursyera brenda një mandati parlamentar. Ne jemi vend i vogël. Nga më shumë se 5 milionë banorë të vendit tonë, gati gjysma e tyre e kanë braktisur atdheun dhe çdo muaj vazhdon largimi i tyre. Në këto kushte, kur brenda vendit kanë mbetur 2,5 apo rreth 3 milionë banorë, a është e udhës që ne të kemi në parlament 140 deputetë? Kjo më duket absurde. Qeveria Rama bëri një reformë për ristrukturimin e pushtetit vendor dhe komunat e bashkitë i shkurtoi nga 309 në 61. Bëri shumë mirë se në këtë mënyrë u shkurtua armata e njerëzve parazitë që merrnin rroga pa bërë asgjë dhe u çliruan fonde të konsiderueshme për t’u shfrytëzuar për lehtësimin e varfërisë. Por e njëjta gjë duhet bërë edhe për ristrukturimin e parlamentit, numri i deputetëve të të cilit, sipas këndvështrimit tim, duhet të zbresë në shifrën 80. Izraeli ka një popullsi prej 7 milionë banorësh (përjashtuar diasporën), pra, më shumë se dyfishin e popullsisë së vendit tonë, dhe në parlament ka të zgjedhur gjithsej 120 deputetë. Çlirimi i fondeve kolosale nga shkurtimi i numrit të deputetëve, do të ndikonte në rritjen e pensioneve të ulëta, në shtimin e përkrahjes sociale dhe në uljen e taksave për biznesin e vogël, çka do të bënte të mundur reduktimin e nivelit të varfërisë në shkallë vendi. Është e turpshme për klasën politike që qeveris vendin dhe është poshtëruese për shtresat në nevojë të vendit tonë që Shqipëria, edhe një çerek shekulli pas ndërrimit të sistemit, të vazhdojë të mbetet vendi më i varfër i kontinentit evropian. Ky fakt të bën të dyshosh se klasa politike që ka qeverisur vendin gjatë këtyre 25 vjetëve, ose është një klasë kriminale që i ka mbushur mendjen vetes se në pushtet ajo mund të qëndrojë sa më gjatë, duke pasur një popull sa më të varfër, që rri e vështron qeverinë në dritë të syrit për kotheren e bukës, ose ajo është një klasë në shërbim të të huajve, të cilët i kanë caktuar si mision varfërimin e vazhdueshëm të popullit, në mënyrë që ky ta braktisë vendin masivisht, për t’u shpëtuar vargonjve të varfërisë, me qëllim që Shqipëria të mos ngrihet kurrë më këmbë, ashtu siç u ka interesuar tradicionalisht shovinizmit evropian dhe fqinjëve tanë grekosllavë.

Unë shpreh publikisht dëshirën time që shtresa e intelektualëve shqiptarë, veçanërisht intelektualët që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në mjetet e informimit masiv dhe në jetën akademike universitare, si edhe mjaft intelektualë të shquar në emigracion dhe në diasporë, ta thonë hapur fjalën e tyre për domosdoshmërinë e shkurtimit të numrit të deputetëve deri në shifrën e lartpërmendur.

Së treti, në ndryshimet kushtetuese që u bënë në pranverën e vitit 2009, u vendos që zgjedhjet parlamentare të bëhen sipas sitemit proporcional. Ky sitem e vërtetoi në praktikë se është i dështuar. Ai u dha kompetenca të pakufizuara kryetarëve të partive, i shndërroi ata në feudalë pushtetplotë, çka krijoi kushte për lulëzimin e dukurisë së servilizmit të paimagjinueshëm në radhët e anëtarësisë së partisë para kryetarit të saj. Sepse nuk mund të ndodhte ndryshe, për faktin se listën e kandidatëve për deputetë e përgatit kryetari i partisë dhe askush nuk kuturis ta kundërshtojë se pastaj mbetet jashtë listës. Si përfundim, populli nuk voton për kandidatin që dëshiron, por voton për partinë. Dhe kryetari i partisë i shpërndan kandidatët për deputet në rang vendi sipas midesë së vet. Prandaj është e domosdoshme të bëhen ndryshimet përkatëse në kushtetutë, duke kaluar në sistemin mazhoritar dhe atje të thuhet konkretisht se emrat e kandidatëve për deputetë duhet të vinë nga strukturat e bazës së partisë, ku, ashtu siç veprohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, paraprakisht të garojnë disa kandidatë të partisë në zonën zgjedhore, derisa të dalë në listën përfundimtare ai që ka marrë ma shumë vota si kandidat për deputet në strukturat e partisë në bazë. Vetëm në këtë mënyrë do të shmanget servilizmi që po lulëzon aq shëmtueshëm para kryetarit të partisë.

Së katërti, në kushtetutë duhet të shtohet një nen i posaçëm, ku të thuhet qartazi, se çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë nuk mund ta ushtrojë një mandat më shumë se dy herë, qoftë deputet, qoftë kryeministër, qoftë ministër, qoftë drejtor, qoftë kryetar bashkie, qoftë kryetar komune, qoftë kryetar partie e kështu me radhë. Praktika e deritanishme ka vërtetuar se mandatet e tejzgjatura janë shpërdoruar, me to është abuzuar, mbajtësit e tyre për vite me radhë, janë shndërruar në feudalë, në vjedhës skandalozë të fondeve publike, çka ka bërë që të rritet në mënyrë të ndjeshme niveli i varfërisë së qytetarit të thjeshtë. Shtesa e një neni të tillë në kushtetutë, do të krijojë mundësi që populli të shpëtojë nga pushteti i oligarkëve politikë që i janë bërë si gjellë e thartuar.

Shpresoj në mirëkuptimin e lexuesve të nderuar dhe i ftoj dashamirësisht ta thonë fjalën e tyre me peshë në mjetet e informimit masiv për të katër problemet që shtrova më lart, të cilat, në këndvështrimin tim, janë mjaft të mprehta.

Tiranë, shtator 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Eshref Ymeri, kushtetuese, Në pritje, të ndryshimeve

ËNDËRRA SHQIPTARE DJE DHE SOT

September 22, 2015 by dgreca

Nga  Eugjen Merlika/

Tema që dua të trajtoj sot me këtë shkrim të thjeshtë mbart në vetvete lashtësinë e një shekulli dhe shqetësimin e çdo dite, dikur në qendrën e jetës politike, kulturore e shpirtërore të një populli për tre dhjetëvjeçarë, më pas e lënë në harresë, madje e quajtur “dalë boje” dhe “e rrezikëshme” edhe për t’u menduar në pjesën tjetër të shekullit, e kushtëzuar nga rrethanat ndërkombëtare, fatkeqësisht gjithnji të kundërta, por edhe nga një mungesë vullneti e guximi nga ana e jonë, kryesisht në sferën politike.

Problemi ynë kombëtar lindi pak më shumë se një shekull më parë, në prag të Shpalljes së Pavarësisë, me pushtimin e tokave tona nga aleatët ballkanas, si pasojë e paaftësisë së Perandorisë Otomane për të përballuar sulmin e tyre, paaftësi në të cilën kishim dhënë edhe ne ndihmesën tonë me kryengritjet e vitit 1912, e duke u ligjëruar nga Konferenca e Londrës e pranverës së vitit 1913. Vullneti i shteteve fqinjë, i përkrahur nga Fuqitë e Mëdha, përcaktoi kufijtë e cunguara të Shqipërisë, duke lënë jashtë saj më shumë se gjysmën e trojeve shqipfolëse.

Njëqind vjet në historinë e Evropës kanë sjellë kaq shumë ndryshime në fizionominë e saj, sa që nuk mund të krahasohen me periudha shumë shekullore të së shkuarës. N’Evropë u kryen dy luftëra botërore, më shkatërrimtaret e historisë së njerëzimit, kaluan diktatura mizore, të shkurtëra në kohë, si fashizmi e nazizmi e më të gjata si komunizmi, por që sollën  pështjellime të mëdha në jetën e qindra milionë njerëzve, ndërmjet tyre edhe të tre milion shqiptarëve, sa ishin në mbarim të luftës së dytë botërore.

Rrëzimi i Murit të Berlinit, si simbolikë e shëmbjes së komunizmit, i dha shkas të tjera ndryshimeve epokale, të cilat duhen mbajtur parasysh në lidhje me gjëndjen tonë. Një çerek shekulli më parë Gjermania, e ndarë në fillim në katër pjesë e më pas në dy, fill mbas mbarimit të luftës së dytë botërore, me një vendim të Qeverisë e të Parlamentit të pjesës perëndimore të saj dhe me miratim të drejtuesve të mbifuqive të kohës, SHBA dhe BRSS, u bashkua në kufijtë e vendosura në Konferencën e Paqes së Parisit 1946.

Shkërmoqja e “perandorisë” komuniste të projektuar në Teheran dhe Jaltë nga tre fituesit e luftës, si pasojë e dështimit të ekonomisë e të kalbjes së sistemit, ndryshoi hartën e Evropës dhe të një pjese t’Azisë. Jugosllavia, krijesa e Versajës, si pasojë e prirjeve shkëputëse të popujve e qeverive të përbërësve të saj, nëpërmjet një proçesi relativisht të shpejtë e të dhimshëm, përsa i përket humbjeve njerëzore e krimeve të kryera, u kthye në një grumbull shtetesh të pavarura, përfshirë këtu, fatmirësisht, edhe Kosovën. Bashkimi Sovjetik, bashkësi e popujve sllavë të Lindjes e jo vetëm të tillë, i ngjizur nga vullnetet shumë shekullore të Carëve dhe i plotësuar nga duart e hekurta të bolshevikëve dhe Carëve të rinj të tyre, Leninit e më shumë Stalinit, nuk është më. Në vënd të krijesës së stërmadhe janë shtete të pavarura, në marrëdhënie miqësore apo armiqësore ndërmjet tyre dhe Rusisë. Republika Çeke dhe Sllovakia vendosën paqësisht ndarjen  në dy shtete të Çekosllovakisë. Sot prirjet shkëputëse janë ende të pranishme në Vende si Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Belgjika e ndonjë tjetër. Të gjitha këto ndryshime të statu – quos së Evropës, që u kryen në pajtim me vullnetet e popujve të ndryshëm të saj, nuk sollën “kataklizmat” e pritëshme, por ndihmuan në sjelljen e një ere të vërtetë lirie në kontinent e në përmirësimin e jetës së atyre popujve.

Në gjithë këtë përmbysje konjukturash, vendimesh e traktatesh ndërkombëtare, populli shqiptar pati një “mrekulli” në anën e tij, shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe pavarësinë e mëpastajme të saj. Të vetëdijshëm për përmasat e kësaj mrekullie, duke e quajtur atë si hapin e parë të madh në rrugën e gjatë të bashkimit të kombit, duhet të ngremë stekën e mëtimeve tona. Këtë mund t’a bëjmë nëse arrijmë të ndërgjegjësohemi si shoqëri e si komb se bashkimi i shqiptarëve nuk duhet të mbetet vetëm si ëndrra që përkundim që prej njëqind vitesh dhe gjithashtu se vendimet e diplomacive, qofshin këta edhe të Fuqive të Mëdha, nuk janë tabu të përjetëshme.    

Sot para nesh shtrohet pyetja : a jemi në gjendje t’a ringjallim, nëpërmjet një projekti largpamës e në ujdí me rrethanat bashkëkohore, strategjinë kombëtare për të hyrë në institucionet e kontinentit, jo si pakica kombëtare të shteteve të ndryshme, por si një shtet i vetëm ? A jemi të gjithë të një mëndjeje, qoftë edhe me sfumatura të ndryshme, se misioni ynë kryesor, krahas zhvillimit ekonomik, është ai i bashkimit ?

Para se të arrijmë në ftillimin e hollësive të atij projekti, duhet të shqyrtojmë e të mbajmë parasysh prirjet e vërteta  kombëtariste të shoqërive tona. Mbas njëqind vitesh nga vendimet e Konferencës së Londrës dhe 70 vjetësh të parantezës së shkurtër të Shtetit të Bashkuar shqiptar të kohës së luftës së dytë botërore, e gjysmë shekulli komunist, krejtësisht i pandjeshëm ndaj konceptit bashkim kombëtar, të pasuar nga një mërgim biblik i një shumice të shqiptarëve, shumë gjëra  kanë ndryshuar edhe në mendësinë e tyre. Ky fakt na detyron  të njohim prirjen e përgjithëshme të tyre për t’u bashkuar, në caqet e saj të vërteta. Kësaj mund t’i arrihet nëpërmjet hulumtimit të opinioneve nga institutet e posaçme. Nëse përgjigja e shqiptarëve, në të gjitha trevat e banuara prej tyre, do të jetë miratuese mund të fillohet hartimi i projektit dhe të ravijëzohen hollësitë e tij.

Pa hyrë në thelb të padrejtësisë historike që na detyruan të pranojmë diplomacitë e Evropës, tek të cilat sot janë varur shpresat tona, mendoj se nuk është rasti të rigjallërojmë prirjen për t’u hequr si viktimë, jo sepse nuk kemi arsye për t’a shpallur, por se duhet të dëshmojmë se jemi në gjëndje t’a kapërxejmë e të gjejmë forcat për t’i parashtruar kërkesat tona, duke u mbështetur në të drejtën tonë si popull e në të drejtën ndërkombëtare.

Ideja e Shqipërisë së bashkuar qé, deri në mbarimin e luftës së dytë botërore, flamuri i nacionalizmit shqiptar i cili, për t’a sendërtuar atë, nuk nguroi të bashkëpunojë edhe me pushtuesit italianë e gjermanë, gjë të cilën historiografia komuniste nuk i a fali kurrë edhe sot e kësaj dite. Por kundërshtarët e nacionalizmit, komunistët shqiptarë, që kishin si parim udhëheqës “internacionalizmin proletar”, nën drejtimin e Moskës apo të Beogradit, nuk nguruan asnjë çast që të shkatërronin krijesën nacionaliste, duke i rikthyer Jugosllavisë së Titos të gjitha krahinat të bashkuara me Shqipërinë në prill 1941 e në muajt e mëpastajmë.

Kjo është historia e mbajtur në sirtare për gati gjysmë shekulli, në të cilin shumica e qytetarëve të Shqipërisë as nuk e dinin se kishte qënë një periudhë gati katërvjeçare, prill 1941 – janar 1945, në të cilën administrata shqiptare kishte patur përfaqësuesit e saj në të gjitha trevat shqipfolëse me përjashtim të Çamërisë, të cilën italianët nuk deshën t’i a bashkojnë Vendit tonë. Ishte i vjeshtës së dytë 1943 i vetmi kuvend i zgjedhur me përfaqësues të të gjitha trojeve shqiptare, atëherë të bashkuara, në gjithë historinë tonë, së cilës komunistët i u përgjigjën me gjuajtjet e topave, veprim për të cilin mburren edhe sot.

Për t’a bërë të mundshëm sendërtimin e projektit duhet jo vetëm vullneti i popullit por edhe gatishmëria e institucioneve dhe e politikës në përgjithësi për të marrë përsipër rolin e saj drejtues në përçuarjen e aspiratës së shqiptarëve në tryezat e vendimeve. Por a kemi ne një klasë politike me shtatin moral e profesional të përshtatëshëm për të çuar përpara çështjen kombëtare në ballafaqimin me diplomacitë e botës dhe me kundërshtimet skajore të fqinjëve ? A është ajo në lartësinë e detyrës që shekulli i ri, me të gjithë problemet e tij të ngatërruar, i ngarkon ? Ndoshta kjo është pika më e brishtë e projektit, sepse përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk ngjallin optimizëm edhe për faktin se me ndonjë përjashtim të rrallë drejtuesit e politikës shqipfolëse kujdesen më tepër të ruajnë “korrektësinë” me të huajtë se sa të bëhen zëdhënës të interesave të kombit të tyre. Teza e përdorur gjërësisht se hyrja në Evropë do të zgjidhë të gjithë problemet tona është një formë hashashi për të qetësuar shpirtërat e trazuar. Prandaj bëhet e domosdoshme që shtysa nga poshtë të jetë tepër e fuqishme dhe këtë shtysë mund e duhet t’a japin kryesisht të rinjtë e viseve shqiptare nëse janë të bindur se ëndrra e gjyshërve të tyre ka qënë domosdoshmëri edhe në të mirë të s’ardhmes së tyre.

Përtej termave “Shqipëri e madhe” apo “Shqipëri etnike”, që janë bërë gogoli që tundin para botës fqinjët tanë, sa herë flitet për kombin tonë, ne duhet të dëshmojmë, me vullnetin tonë mbarëpopullor, se nuk paraqesim rrezik për askënd, se asnjëherë nuk kemi patur synime grabitqare kundrejt fqinjëve, se duam të jetojmë së bashku në atë hapësirë toke në të cilën kemi qënë prej mijëvjeçarësh, sepse na bashkon gjuha, traditat, trashëgimia zakonore, historia e përbashkët, etj.

Këtë duhet t’a bëjmë nëpërmjet dokumentavet, që duhet t’i dërgohen organizmave ndërkombëtare, por edhe qeverive të Vendeve fqinjë me të cilët ndajmë problemet, ashtu sikurse atyre të Vendeve mike, të cilët   shpresojmë të tregojnë një farë mirëkuptimi. Mendoj se filozofia ndriçuese e kësaj përpjekjeje për të pohuar aspiratën tonë kombëtare, duhet të jetë ajo e ish Kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Rruga e tij paqësore, krijimi i institucioneve paralele, bojkotimi i votimeve, pohimi kudo e para kujtdo të së drejtës sonë si komb, mendoj se përbëjnë një pasuri të çmuar, të vlefshme edhe për sot edhe për t’ardhmen. Koncepti i binjakëzimit të lirisë me luftën, i drejtë në pjesën më të madhe të historisë sonë, në kontekstin gjeopolitik të sotëm, nuk më duket frutdhënës. Po sjell këtu  një shprehje të një shkrimtari gjerman të shekullit të shkuar, Peter Rosseger (1843 – 1918), me të cilën pajtohem plotësisht : “ Un dua jo aq atë atdhetarí që nxjerr bijtë tanë në fushat e betejave e i thërret të vdesin, por atë që u mëson atyre të jetojnë për Atdheun.” E thënë me fjalë të tjera, kemi nevojë kryesisht për qytetarë të vetëdijshëm e të pregatitur për problemet kombëtare, më shumë se sa për luftëtarë me armë në dorë.

Duhet mobilizuar populli, sidomos rinia, që duhet të dalë në manifestime, jo me flamuj partish,  por me atë të Skënderbeut, e me pankarta, ku të shkruhet me gërma të mëdha : “DUAM BASHKIMIN PAQËSOR TË TROJEVE SHQIPTARE.” Këta manifestime duhet të jenë krejtësisht paqësorë e të zhvillohen të ujdisur njëherësh në qytetet e të gjitha trevave ku flitet gjuha shqipe. Në ta nuk duhen lejuar elementë skajorë që do të duan të përfitojnë nga rasti, nën shkakun e rremë të “zellit atdhetar”, për t’i dhënë tjetër drejtim apo të tjera qëllime. Vija paqësore e kërkesave duhet të jetë ngulmuese e na duhet të armatosemi me durim, sepse do të duhen vite për të arritur synimet tona. Ata tubime, në rregullsinë e vazhdimësinë e tyre do të jenë armët më të fuqishme për të vrarë tabunë e politikës botërore kundrejt kombit tonë. Nëse do të shfaqim vullnetin dhe dashurinë për çështjen tonë, pa u epur e pa dëgjuar sirenat gënjeshtare të ndryshme, do të mundemi t’i a arrijmë qëllimit, sepse “Në të gjitha sipërmarrjet njerëzore, nëse jemi në një mëndje për qëllimin, sendërtimi është një çështje e dorës së dytë.”, nëse më lejohet të parafrazoj një burrë shteti e historian gjerman të shekullit 19, Friedrich Cristoph Dahlmann (1785 – 1860), një nga hartuesit e Kushtetutës gjermane.

Në këtë projekt e strategji madhore të rilindjes së kombit të bashkuar në Evropën e shekullit XXI, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, në një të ardhme të afërt, mund të jetë një synim i arritshëm, nëpërmjet një referendumi në të dy shtetet. Një rezultat i lartë, me një pjesëmarrje shumë të gjërë të votuesve, do të ishte baza më e fuqishme për të kërkuar bashkimin. Madje do të ishte një gjë shumë e rëndësishme që në këtë shprehje të mendimit mbarëpopullor të merrnin pjesë on line të gjithë shqiptarët që jetojnë nëpër botë. Të gjithë argumentat e rendit etnik, kulturor, gjuhësor e historik janë në anën tonë, nuk ka asnjë motiv të shëndoshë që dikush, në diplomacinë ndërkombëtare, t’i kundërshtonte një vullneti të shprehur hapur e pa mëdyshje. Duhet të jemi të gjithë të një mëndjeje, që nga populli, sidomos mosha e re, deri tek institucionet e dy Vendeve. Do të ishte një ripërtëritje, në formë tjetër, në kah bashkëkohor, e përvojave më të arrira të shprehjes së  synimit përbashkues të shqiptarëve në shekuj, e kohëve të Gjergj Kastriotit e të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.

Duhet të jemi të bindur gjithashtu, se ikjet përpara, nxitimet, ultimatumet apo iluzionet e forcës nuk i shërbejnë strategjisë sonë. Shumë kush sot në botën shqiptare i vesh luftës së U.Ç.K.-së meritën kryesore të pavarësisë së Kosovës. Pa e përjashtuar atë meritë dhe as sakrificat që lidhen me të, jam i mendimit se një përsëritje e asaj përvoje në proçesin e bashkimit, do t’a dëmtonte shumë synimin tonë e, ndoshta, do t’a varroste për jetë atë. Rrethanat e vitit 1999, që përcaktuan kahun e ngjarjeve në dobinë tonë, nuk përsëriten më, prandaj çdo iluzion i këtij tipi do të ishte shumë i dëmshëm për çështjen tonë kombëtare.

U mundova të skicoj shkurt një kuadër të problemeve tona madhore si komb. Mendoj se për të duhet hapur një diskutim i gjërë, nga i cili duhet të dalë një strategji e menduar mirë e, si e tillë, edhe fituese. Kritikat, mallkimet e sharjet e atyre që nuk e duan bashkimin e shqiptarëve, nuk duhet të na e fashitin vullnetin. Edhe se është shumë e vështirë, edhe se i kemi paguar shtrenjtë në të shkuarën pasojat e mosmarrëveshjeve me njëri tjetrin, edhe se sot nuk jemi ende të shëruar nga ajo sëmundje e rëndë, duhet të bëjmë një mundim të madh për të gjetur gjuhën e përbashkët. Është një detyrë e jona kundrejt së shkuarës e brezave të saj, që i vunë themelet shtetit tonë, por është më tepër një detyrë kundrejt s’ardhmes e brezave që do të vijnë, sepse jeta e tyre do të jetë më e bukur në një atdhe të bashkuar e të mirëqeverisur.

Shtator 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: DJE DHE SOT, ËNDËRRA SHQIPTARE, Eugjen Merlika

Shpikja e 200 mijë varreve serbe në Shqipëri

September 21, 2015 by dgreca

Në vazhdim të përgjigjes së një pyetjeje/

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/

Në disa faqe interneti të datës 20 shtator 2015 ishte botuar analiza e zotërisë Rexhep Shahu, me titull “Ku janë 200 mijë varre ushtarësh serbë në Shqipëri!?”. Në analizën e vet ai i kishte dhënë një përgjigje shteruese kësaj pyetjeje, të cilën e lexova me shumë kërshëri Në vazhdim të analizës së tij, po mundohem të them diçka, si përgjigje shtesë ndaj pyetjes në fjalë.Ato varret e “200 mijë serbëve të vrarë” në Shqipëri, pavarësisht se nuk ekzistojnë, do të shpiken. Mund të hamendësohet se kryepeshkopi serb Irinej mund të ndërmarrë ndonjë pelegrinazh në zonat e Kukësit dhe të Dibrës për blerje eshtrash të të vdekurve shqiptarë që janë varrosur s’dihet se kur dhe për t’i paraqitur në publik si eshtra ushtarësh serbë. Sepse Irinej e ka të çelur shtegun në biznesin e tregtimit të eshtrave në Shqipëri. A nuk e filloi Janullatosi biznesin e blerjes së eshtrave të të vdekurve të Kosinës në Përmet? I mbushi arkat me eshtra shqiptarësh të vdekur dhe deklaroi se ato janë eshtra ushtarësh grekë që qenë vrarë në luftën italogreke. Dhe mandej filloi ngritja e varrezave, e manastireve dhe e memorialeve në nderim të ushtarëve agresorë grekë, të cilët në vitet e Luftës së Dytë Botërore, në përplasjen me trupat italiane, patën kryer krime të rënda kundër  popullit shqiptar në jug të vendit. Dhe Tirana zyrtare, mbarë klasa politike shqiptare, e përfaqësuar në parlament, rrinte e bënte sehir, sikur Shqipëria e Jugut nuk ishte trualli i saj amtar. Madje parlamenti në fjalë, pa asnjë votë kundër, pati votuar për ngritjen e atyre varrezave në Këlcyrë e gjetiu, a thua se ishte fjala për ndonjë territor të huaj. Ky ishte një akt i lartë tradhtie që kreu parlamenti shqiptar ndaj truallit amtar. Sepse ato varreza, manastire dhe memoriale i duhen shovinizmit grekokaragjoz dhe kishës shoviniste greke, për t’u treguar bashkëkombasve të tyre edhe pas 2 mijë vjetësh se Shqipëria e Jugut është tokë greke, se atje ka një dëshmi të gjallë: janë varrezat, manastiret dhe memorialet që janë ngritur dy mijë vjet më parë. Sepse grekët dhe serbët, punojnë me perspektiva mijëravjeçare, nuk punojnë si shqiptarët dhe si politikanët mercenarë që kanë në krye, sipas parullës: puno sot, ha sot. Jo, grekët dhe serbët ecin në jetë sipas parimit: puno sot që të hashë edhe pas dy mijë vjetësh. A nuk ka deklaruar kryepeshkopi serb Irinej se “ne do të kthehemi në Kosovë, qoftë edhe pas dy mijë vjetësh”?!

Pra, edhe serbët duan të vënë në jetë në Shqipërinë e Veriut të njëjtin skenar që zbatoi Athina shoviniste në Shqipërinë e Jugut përmes Janullatosit, emisarit të saj politik në Tiranë: të ngrenë varreza, të ndërtojnë manastire dhe memoriale në nderim të ushtarëve agresorë serbë, në mënyrë që t’u thonë breznive të tyre pas dy mijë vjetësh se Shqipëria e Veriut është tokë serbe, çka dëshmohet nga prania atje e varrezave, e manastireve dhe e memorialeve serbe. Qëllimi është i njëjtë edhe për grekët, edhe për serbët: në Evropën Julindore nuk ekziston komb kompakt shqiptar, por edhe nëse ekzistojnë ca të ashtuquajtur shqiptarë, ata duhen asimiluar apo duhen detyruar të largohen për në dhera të huaj.

Veç kësaj, serbët, duke e pasur në xhep klasën politike qeverisëse shqiptare, me shpikjen e varrezave për ushtarët serbë në Shqipërinë e Veriut, kërkojnë të arrijnë edhe një objektiv tjetër: t’u vënë kapak masakrave të përbindshme që kanë kryer në Kosovë gjatë një periudhe mbinjëshekullore, të mos kërkojnë ndjesë para opinionit publik ndërkombëtar për ato masakra, të mos paguajnë dëmshpërblime për të gjitha ato shkatërrime që bënë gjatë viteve të luftës së fundit dhe mandej t’u thonë mbarë shqiptarëve:

“Edhe ne kemi vrarë shumë shqiptarë, edhe ju keni vrarë shumë serbë. Tani jemi të larë, s’kemi ç’i kërkojmë ndjesë njëri-tjetrit”.

Pra, masakrave dhe shkatërrimeve mbinjëshekullore që serbët kanë kryer kundër shqiptarëve, Beogradi kërkon t’u vërë kapakun sipas asaj fjalës së urtë: “më rrove, të rrova, brisku është i berberit”.

Dhe Beogradi s’e ka të vështirë t’i arrijë objektivat e veta në Shqipërinë e Veriut, ashtu siç nuk e pati të vështirë Athina t’i arrinte në Shqipërinë e Jugut. Sepse mercenarizmin e klasës politike shqiptare, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë, e ka të siguruar me kohë e me vakt.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof. dr. eshref Ymeri, Shpikja e 200 mijë varreve serbe në Shqipëri

Papunësia mes të rinjve shqiptarë më e larta në Ballkan

September 20, 2015 by dgreca

Në Shqipëri punon vetëm një ndër pesë të rinj dhe vetëm 30 përqind e tyre janë punësuar sipas profilit të studimeve apo profesionit./

Gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale të Shqipërisë po e vuajnë më së shumti të rinjtë e saj, të cilët zënë pjesën dërrmuese të popullatës. Sipas një studimi mbi të rinjtë shqiptarë, i sapo-publikuar nga fondacioni Fridrih Ebert, papunësia rinore është ndër më të lartat në Ballkan dhe sistemi i edukimit nuk ofron alternativa për të ardhmen e tyre. Studimi zbuloi se gjysma e të rinjve shqiptarë janë të papunë, por për paradoks, investitorët shqiptarë dhe të huaj janë në kërkim të fuqisë punëtore të kualifikuar. Të rinjtë vetë pohojnë se nuk kanë shpresë se gjërat do të bëhen më mirë; ata janë të shqetësuar për shkollimin e tyre akademik, por parapëlqejnë të studiojnë jashtë vendit për shkak të korrupsionit me provimet. Pjesa më e madhe e të rinjve e dinë se duhet të presin gjatë një vend pune pas mbarimit të studimeve. Aktualisht në Shqipëri punon vetëm një ndër pesë të rinj dhe vetëm 30 përqind e tyre janë punësuar sipas profilit të studimeve apo profesionit.

Organizata humanitare World Vision organizoi një konferencë me të rinjtë e fshatrave dhe periferitë e 7 qyteteve të mëdha, ku ata morën këshilla praktike nga drejtues të bizneseve si ta kërkojnë punën dhe si të nisin profesione apo idetë e tyre për biznes dhe vetëpunësim. Të rinjtë treguan gjatë konferencës se si kanë marrë pjesë ose kanë udhëhequr nisma të ndryshme, duke sjellë ndryshim në zonën ku banojnë. World Vision bashkëpunon me rreth 2 000 të rinj në Shqipëri për t’i bërë të aftë të përmirësojnë jetën e tyre dhe të komunitetit ku banojnë. Sipas studimeve nga organizata dhe sociologë, të rinjtë pohojnë se papunësia dhe mungesa e perspektivës është problemi kryesor i tyre. Ata pohojnë se arsimi është më pak i rëndësishëm se njohjet politike, ndaj edhe prirja për emigrim është e lartë. Në studimin e fondacionit Fridrih Erbert theksohet që të rinjtë deklarojnë shpresa të vakëta për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në 10 vitet e ardhshme, por më shumë shohin pasigurinë e vazhdueshme të një tranzicioni të gjatë e të lodhshëm, dhe kanë një besim të pakët tek institucionet shtetërore. (Sh K)

Filed Under: Analiza Tagged With: më e larta, ne Ballkan, Papunësia mes të rinjve shqiptarë

Shkodër t’qofsha falë

September 20, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/

Nga fundi i korrikut Lulzim Bashës iu shpik shtatori si muaji i protestave. Ndofta nga një ëndërr nate. Ndofta nga mallkimet që zuri t’i palosë tek jastëku. Dhe a e dini, zakonisht njerëzit e pasigurtë, flasin për të ardhmen. Asnjëherë për të tashmen. Edhe Lulit…, i mbeti në gojë. Shihemi në shtator. Në shtator do bëjmë gjëmën. Do e përmbysim Edi Ramën.

Shumë prej nesh ngritën supet. Përse në shtator dhe jo sot? Përse kjo pasiguri e tij, etj.? Sot është 20 shtator. Që domethënë…, duke mbaruar shtatori. Shtatori i rrushit. Dhe kryetari i PD, apo PD­ja e tij nuk ka ndërmend të bëjë asnjë protestë? Edhe pse ka plot arsye. Mjaft të përmendim, papunësinë dhe pashpresmërinë e të rinjëve. Ikjet masive të tyre drejt Gjermanisë dhe skajit skandinav apo perëndimor të Europës. Rritja e borxhit, sistemi taksimit revolucionar. Kishte dhe ka plot arsye të tjera. Por asgjë, vetëm heshtje. Luli nuk bëri asnjë protestë.

1) Ndër media erdhi si i vonë lajmi se Shkodra po proteston. Dhe vetiu më shkoi mendja tek shtatori i Lulit. Mirëpo siç thashë, asgjë. Me sa duket në këtë pranverë të kanabisit, Luli mban sytë nga ndonjë përçarje mes Ramës dhe Metës. Sikur një qeveri frontale kundër Metës. Ashtu sikur edhe një aleancë për shpëtim me Metën. Dhe më keqardhsja…, shpresa dhe zërat e mekur për një rikthim të Berishës, si një shpëtim për opozitën. Mundësia për të mundur Ramën. Dhe e vërteta është absurde. Madje marrëzi. Pasi njerëz të pasigurtë, njerëz të paqartë, vetëm sa ëndërrojnë dhe premtojnë. Shihemi në shtator. Në shtator do t’i bëjmë gjëmën atij.

Dhe shtatori po mbaron. Po mbaron kaq normalisht. Edhe pse kudo lulëzon kanabisi. Po mbaron sikur të mos kishte ardhur asnjëherë. Ndofta Luli e ka pasur fjalën për një shtator imagjinar. Nga ato me mallkime. Të tilla si, pse nuk ngriheni ju që të vi në pushtet unë. Ndaj Shkodër t’qofsha falë.

2)Në demokraci ka një ftillesë. Kurrë mos ndalo për të drejtat e tua. Kjo më mirë se kujdo të takon ty për shtat Shkodër. Dhe mirë bën që proteston. Një qytetar i drejtë asnjëherë nuk ndalet. Pasi kështu ndal edhe gjaku, ndal edhe zemra, ndal edhe jeta, ndal edhe vlimi…, bëj opozitën Shkodër.

Pasi opozita ka të tjera punë. Ka hallin e vetvetes jo të qytetarisë. Dhe ti e bëre më mirë se kryeqyteti Shkodër, më mirë. Besomë. Kryeqyteti uli qepenat. Dhe thanë shenjë proteste. Le të shesi Edi Rama tani. Mirëpo protestë nuk është një e tillë. Eshtë ulje koke. Protestë është ajo kur i kërkohet llogari atij beu që ndan e pret me votën tuaj. Atij megallomani që në vend të përmisojë jetën e qytetarit. Merret me ekspozitat vetjake. Të artit të të ahtuqujtur modern. Të llojit që mjafton të zbrasësh bojë mbi kartë, çfarë përftohet është moderne. Madje përballë gjermanëve të prapambetur. Kjo është epokale. Ne duhet të ulërijmë nga suksesi i të madhit tonë. Shëmbi murin e Berlinit.

3)Ka shumë zëra se protesta e Shkodrës është, jo kundër shtetit, kundër formalizimit, këndër kështu e ashtu. Eshtë e frymëzuar nga Basha dhe PD etj. Shkodra mund të ketë përfituar nga qeverisjet e PD­ës, por kjo ka qënë servirje dhe jo fakt për të mbajtur Shkodrën djathtas. Madje PD­ja vet e ka dobësuar rolin e saj atje. Shkodrën djathtas e ka mbajtur historia dhe kultura e saj.

Madje bonuset e PD­ës dikur, me amnistira. Kanë sot po të njëjtën formë të vendosjes së formalizmit prej qeverisë aktuale. Shkodra ka historinë zgjedhore më të lakmuar në vendin tonë.

Mjafton të përmendim një emër Bahri Boriçin, zgjedhjet e vitit 1996. Kryetar i zgjedhur nga forcat e djathta që dolën në balotazh me PD­ën. Atëhere Berisha ishte në kulmin e pushtetit. Megjithatë Shkodra nuk u trysnua. Nuk u ndikua. Votoi djathtas, por jo për kandidatin e Berishës. Për kandidatin e saj.

Në fakt është PD­ja ajo që ka fituar nga djathtizmi shkodran. Më saktë që ka nxituar të fitojë. Protestat nuk duhen shikuar asnjëherë me mendësi negative. Aq më tepër kur ato kanë brenda qytetari. Nuk devijojnë në funde të dhunshme. Në shkatërrime institucionesh, djegje, apo grabitje.

Uzurpim të pushtetit etj. Kësisoj nuk kemi pse i quajmë shkodranët si kundërshtarë të vendosjes së shtetit. Problemi është se platformat për formalizim dhe vendosjen e taksave e të tjera. Në një vend që nuk i njeh prej kohësh. Dhe që kërkon t’i vendosë ato përmes reformave të njëanshme, sigurisht që do shoqërohet nga paragjykime të forta. Nga dhuna zbatuese. Dhe u krijon shance të arta elementëve të korrupsionit në administratë. Tek ne një vend pune blihet. Dhe shikohet gjithmonë me synimin jo të rrogës, por të nxjerrjes së ndonjë leku.

Të gjitha reformat, aplikohen me palajmërim. Me plan të detajuar duke i dhënë kohë çfarëdolloj subjekti që operon në fushën e biznesit. Kurse në vendin tonë, zgjohesh në mëngjes me faturën urdhër tek dera, duke e konsideruar gjithçka si urdhër. Dhe si i till, të shoqëruar me kërcënimin e ligjit. Që është burgu.

Kësaj trysnie iu kundërvu Shkodra. Dhe në fund të fundit kjo është ajo. Kjo është qytetaria që revoltohet. Dhe që kërkon t’i njihet e drejta. Ndaj Shkodër t’qofsha falë.

4)Tani diçka për protestat e shtatorit të Lulëzim Bashës. Përpara të gjithave, Partisë Demokratike iu duhet të gjejë rrugën. Kjo në kuptimin e përtëritjes dhe jo të riciklimit. Dhe jo vetëm tek kjo forcë, por edhe tek të tjerat. Shohim gjithandej riciklim. Dhe shohim që flitet për merita. Che aq më keq me terminollogji si ky apo ajo janë demokratë të vërtetë. Të kulluar? Nga ana tjetër përflasin njëri­tjetrin për dosje, pseudonime etj. Dhe kur? Pas kaq e aq vitesh qeverisje bashkë.

Sidomos në rastet kur dikush është kritik ndaj vijës së një kryetari. Qoftë ky ai i madhi, qofshin këta edhe nëpër rrethe. Le të sqarojmë disa çështje që në demokraci duhen domosdoshmërisht respektuar, pasi ndryshe mbetesh gjithmonë një opozitë në luftë me vetveten. E pafuqishme për t’iu përballur pozitës. Kush ka garuar, kush ka fituar apo humbur, qeverisur apo bashkëqeverisur, bën mirë të hapi krahun me edukatën e demokratit. Duhet ta ngulisim në kokë, pa mendësinë e provincialit se, jo ma futën ata me pseudonime. Ata që janë kundër demokracisë etj. Apo më hodhën në rrugë. Nuk më njohin meritat. Vlerat, kontributin etj. Përshembull, humbësit e zgjedhjeve më të fundit bëjnë mirë të zhvishen nga kjo mendësi dhe të hapin krahun një elementi tjetër. Sidomos atij të ri. Jo ta braktisin, duke ndenjur në shtëpi, duke pritur të t’i thërrasin.

Përndryshe shkuan me PS apo LSI. Jo aspak…, duke qënë aktivë pas krahëve të tyre. Pasi ata mund të flasin më mirë se kushdo tjetër për humbjen. Nëse Partia Demokratike nuk ka elementë të rinj, atëhere kjo është ose mangësi e forumeve. Ose rënia e Partisë në nivelin e diktaturës. Bërja e opozitës me ish qeveritarë, sidomos kur një opozitë nuk i ka njohur atyre asnjë efektivitet qeverisës, por edhe pas rezultait të thellë humbës, është një tjetër rrisk që nuk të risjell shpejt në pushtet. Mësoni nga Shkodra dhe jo të përfitoni prej saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Shkodër t'qofsha falë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 764
  • 765
  • 766
  • 767
  • 768
  • …
  • 986
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pedagoge Paola Rrapaj Kraja: “European Piano Academy” një mundësi për fëmijët shqiptarë që duan të zhvillojnë talentin e tyre në muzikë
  • “Historia e shtypit arbëresh nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • Paradoksi i Samitit të Diasporës së Shqipërisë
  • ZËRI QË NUK SHUHET: NË KUJTIM TË LAHUTARIT TË MADH TË MALËSISË SË MADHE, JONUZ DELAJ
  • Po Itaka ime sa larg është?
  • Samiti dhe koha e diasporës si aktor e faktor jo vetëm si dekor…
  • Nga “city upon a hill” tek “America First”: reflektime mbi një kthesë që po trondit botën
  • KOL TROMARA – DREJTUES I FEDERATËS “VATRA”, VEPRIMTAR I DIASPORËS SHQIPTARE DHE FIGURË E RËNDËSISHME E LËVIZJES KOMBËTARE
  • Letërsia si dëshmitare e kohës dhe pafuqisë për ta ndryshuar atë…
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT