• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kriza e “refugjatëve” do të ndryshojë Evropën

September 18, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA/*

OKB: “Migracioni është një nga problemet më të mëdha të botës dhe çon në tensione etnike dhe fetare.”/

Ndoshta Bashkimit Evropian nuk i konvenon humbja e ISIS në Siri, sepse atëherë do të detyrohet të sigurojë mbrojtje dhe japi azil kriminelëve të ISIS që do iknin për në Evropë nga mbizotërimi i atyre 7000-8000 fiseve tjera ndërluftuese arabe që me shekuj do ta sakatojnë njëri-tjetrin.

***Ushtria shqiptare duhet të jetë e gatshme për të mbrojtur me nder dhe vendosmëri kufijtë e Atdheut tonë të përbashkët për shkak të situatave të trazuara nga “refugjatët” të cilët sa më shumë që burrat e vdekur të BE-së i ftojnë dhe tolerojnë aq më tepër probleme shkaktojnë.

Këta “refugjatë” që janë duke pushtuar Evropën nuk janë të gjithë nga Siria. Vijnë nga 25 shtete të ndryshme afrikane/aziatike ku nuk ka aspak luftë, dhe ku kryet dhe një jetesë solide e kanë të sigurt. 75% prej tyre janë burra të moshës 20-40 vjeçare.

Shqiptarë! Vendojeni Kombin atje ku e ka vendin, para fesë, dhe mos identifikoni fenë e juaj me fiset arabike sepse do ta hani me krip speci. Zgjohuni, përforconi dhe avanconi ndjenjat Kombëtare ndërkaq zbehni ato fetare – e keni  tepruar shumë. Përndryshe, harrojeni edhe ju idenë e “Shtetit Komb”. Kriza e “refugjatëve” do ta tjetërsoj dhe shndërroj Evropën në një shoqëri kozmopolite të emigracionit. Në të ardhmen, imazhi ynë mendor i Evropës do të jetë nga Shtetet Anëtare të një unioni politik mbi-kombëtar.

***

PS: Me lutjen dhe dëshirën e një kolegut tim egjiptian, shtetas në Angli, do të citojë disa rreshta nga BBC të cilat ai i ka caktuar dhe unë shkurtimisht, nga anglishtja i kam përkthyer për ju:  

http://www.bbc.com/news/world-europe-11139345

E martë 31. gusht 2010

Lideri libian Muamar Gadafi beson se imigracioni i paligjshëm në Evropë është një problem serioz. Ai është i gatshëm për të ndihmuar në përpjekjet për të ndaluar emigracionin në qoftë se BE-ja do të kontribuojë të paktën me 5 miliardë euro në vit për të shmangur një “Evropë të zezë”.

Nëse ky emigracion shumë i rrezikshëm nuk do të ndalohet, Evropa mund të bëhet një Afrikë e re, paralajmëron ai.

–  Ndoshta nesër Evropa nuk do të jetë më evropiane, dhe ndoshta madje e zezë, sepse ka miliona afrikanë që duan për të hyrë, tha udhëheqësi libian, kur ai të hënën vizitoi kryeqytetin e Italisë, Romën.

– Ne nuk e dimë se si evropianët e bardhë dhe të krishterë do të reagojnë për këtë fluks të afrikanëve të uritur dhe injorantë. Ne nuk e dimë nëse Evropa do të mbetet kontinent i një lloji të avancuar dhe bashkuar, apo ajo do të shkatërrohet siç ndodhi me invadimet barbare,  – tha ai.

***

Fluksi masiv i “refugjatëve” të rremë do ta ndryshojë peizazhin politik të BE-së dhe Evropës në përgjithësi. Kriza është aq e rëndë se ajo mund të shkaktojë shpërbërjen e sajë dhe për t’u dhënë forcë partive euro-skeptike. Ne gjithashtu shohim se tashmë kemi një debat krejt të re për “refugjatët”. Tani gjithnjë e më shumë flitet se kinse Evropa ka nevojë për emigrantët. Ideja e kufijve të hapur dhe emigracioni masiv i pakontrolluar joligjor duhet të jetë për të thyer shtetin kombëtar dhe identitetin tonë si një komb dhe kulturë.

***

Gjermania nëpërmes procesi të ashtuquajturës “integrimit evropian” me dekada të tëra ka ndihmuar për të minuar sovranitetin e shteteve kombëtare evropiane.

Sovraniteti i Shteteve Nacionale në kohët e fundit është tërësisht në përbuzje dhe poshtërim. Sepse është një tipar i rëndësishëm i sovranitetit të kombit që thotë se ata mund të mbrojnë kufijtë e tyre kundër inkursioneve nga shtete ose persona të tjerë të cilët ilegalisht kalojnë kufirin. Rrugaçë afrikan/aziatik që aspak nuk i plotësojnë kushtet të quhen refugjatë hyjnë me dhunë në shtetet evropiane (sidomos Hungari). Stil i papranueshëm jetese e këtyre rrugaçëve shihet qartazi; çdo pëllëmbë toke evropiane në të cilën kanë qëndruar një kohë mbetet e mbushur me plehra prej më të pistave, të prodhuara nga vetë ata para se me vazhduar rrugën për në “tokën e premtuar” nga Merkel.

Nga “dashuria” personale e Merkel-it për “refugjatët” e rremë, ajo i detyron shtetet tjera të BE-së të veprojnë sipas urdhrave të saj, duke e reduktuar në një shaka sovranitetin e tyre. Ashtu që, më së fundi kjo zonjë tërthorazi ka thyer të drejtën ndërkombëtare, e cila thekson se shtetet duhet të respektojnë sovranitetin e shteteve të tjera. Ajo kështu ka krijuar anarki të pastër.

***

I lexoj diskutimet e qytetarëve të rëndomtë të BE-së. Shumica e tyre reagon ashpër kundër situatës. Kur qeveritë evropiane e tradhtojnë popullin e tyre dhe i japin prioritet popullsisë së vendit të huaj joevropian, është kjo një tradhti që krijon dëshpërimin, ekstremizmin, urrejtjen, kundërveprimin. Agjenda e neo-komunistëve evropian për të thyer, shpërbërë shtetet kombëtare dhe shkatërrimin e bazës ekonomike dhe kulturore evropiane ritet me shpejtësi. Mos të habitemi shumë nëse vjen kundërveprimi. Ajo përfundon në luftërat civile, grusht shteti dhe shpërbërjen e BE-së.

***

Shtetet e Gjirit nuk marrin asnjë refugjatë, asnjë emigrantë! Asnjë! Arabia Saudite që posedon një territor shumë të madh dhe ka pasuri astronomike nuk strehon asnjë refugjat përkundër faktit se pothuajse ekskluzivisht janë arabët e tyre mysliman që ikin në Evropë. Kampet më moderne për tre milionë njerëz janë bosh (përdoren vetëm 4-5 ditë në vjet nga haxhilerët) në vendin që nuk i strehon as përkohësisht nevojtarët e gjakut, gjuhës, fesë dhe kulturës së vetë. Çudi!? Ne nuk dëgjojmë për asnjë presion të BE-së mbi këtë vend të “bekuar” nga Perëndia.   

Si përgjigjet Arabia Saudite për kaosin që ata vetë e kanë krijuar? Hap kufijtë? A strehojnë refugjatë? Jo, ata marrin 0. Zero. Asnjë.Megjithatë, Arabia Saudite është e gatshme për të financuar xhamia në Evropë, dhe nuk flasim për imtësia. Regjimi terrorist në Riad dëshiron të ndërtojë 200 xhami vetëm për ”refugjatët” sirian në Gjermani.

Kjo nuk është vetëm paturpësi, ne po flasim për një abuzim, ndëshkim, sulm krejt të ri.

Ne e dimë se çfarë lloj i xhamive financohet nga Arabia Saudite. Ajo është, me pak fjalë, lloji më i keq.

*ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, do të ndryshojë, Evropën, Kriza e “refugjatëve”

Z.Rama, mos e humbni autokontrollin!

September 18, 2015 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Ishte një konferencë që zgjati jo më shumë se një orë gjysmë e që pati pesë folësa. U hap nga Ministri i Brendshëm dhe u mbyll nga Kryeministri, me një regji, por pa teatër. Mihal Luarasi sot kishte thënë se nuk mund të kemi teatër kombëtar pa dramë kombëtare. Kështu edhe puna e qeverisë Rama. Tashmë 24 muajshe, pak më e madhe se Zaho, që ka nisur të eci vetë, ndërsa qeveria e babit të tij nuk ec dot më me paterica.

Qëllimi dhe shenjestra e Konferencës, e dy aktorëve, njëri që e hapi e tjetri që e mbylli, nuk ishte opozita apo lapsi, por Perëndimi, Parlamenti Europian, OSBE, SHBA, Gjermania, të gjitha së bashku. Ishte një konferencë kllouniadë në përgjigje të konkluzioneve të PE për zgjedhjet vendore, të cilat u cilësuan as të lira dhe as të ndershme, në përgjigje të raporteve jozyrtare që i disponon zyra e OSBE-së në Tiranë e Vjenë ku krerët e politikës karakterizohen si kopukë e të korruptuar.

Konferenca u zhvillua në Pallatin e Kongreseve, me pompozitet dhe skenar, por u hap me fjalimin e rëndomtë të Ministrit të Brendshëm që ishte një inskenim me ato skenat e foltores së Parlamentit të Shqipërisë me sharje me nënë e babë. Ministri i Brendshëm është i akuzuar për trafik droge nga një ish-oficer i policisë dhe nervozizmi i tij komentohet si shqetësim. Nëse dikasteri që ai drejton ka një listë suksesesh, përse nervozohet aq fort ministri Tahiri. Kur pretendon se nuk e ka mizën nën kësulë, ç’ka!

Përpara se ta bënte epilogun e Konferencës kryeministri, fjalën e mori Ambasadori i SHBA. Ai ishte lakonik, dashamir, foli shqip dhe qartë në më pak se dy minuta, vuri në dukje hapin e stërmadh në Lazarat dhe në përgjithësi në luftën kundër drogave e krimit të organizuar si një bashkëpunim midis Guarda di Finanza, Universitetit të Napolit dhe Policisë Shqiptare. Pastaj ai iu kthye politikës shqiptare. „Si maxhoranca dhe opozita e kanë kritikuar njëra-tjetrën për lidhje me krimin. Më lejoni të them se të dyja palët e bashkëndajnë këtë problem.“ Por, përfundoi Ambasadori Lu: „Shqipëria ka nevojë për të gjithë udhëheqësit e saj të punojnë së bashku për të luftuar kriminelët, trafikuesit e narkotikëve dhe zyrtarët e korruptuar. Shqipëria mund të mbështetet në përkrahjen e SHBA-ve në këtë luftë historike.’’

Ishte një fjalim shumë korrekt, pa sulme, pa provokime, pa nënkuptime dhe nuk ishte arsye që Rama të humbiste autokontrollin.

Edi Rama foli pa letër, fjalimin e improvizoi aty për aty. Një improvizim i çastit dhe i keq. Vazhdoi aty ku e kishte lënë ministri i tij xhuxh që Rama me shtatlartësinë e tij i bëhet bodyguard.

Rama duhej ta kishte marrë shtruar dhe me qetësi. Një kryeministër me tre deputetë të deklaruar si kriminelë, vrasës, trafikantë e të përfshirë në krimin e organizuar, duhej të reflektonte e ta fillonte fjalimin e tij me një ndjesë. Ia dha të gatshme formulën e ia kujtoi një ditë më parë edhe ish-presidenti Mejdani, kur i tha se ai duhet t’i kërkojë falje elektoratit për deputetët e dënuar. Por Edi Rama reagoi gjithë arrogancë dhe megallomani : «Është bërë modë këtu në Shqipëri, tha ai,  edhe unë i mirëkuptoj edhe miqtë e partnerët tanë që e kanë përfaqësuar këtë modë se të gjithë janë njësoj, të dy palët kanë faj, të dy palët kanë shumë arsye për tu ndjerë keq para popullit shqiptar, etj etj, por s’po i hyj kësaj. Kjo është një modë që unë e kam neveritur dhe vazhdoj ta neveris.»Edi Rama me tre deputetë të akuzuar si trafikantë neverit partnerët e Shqipërisë ! Kur do të duhej të neveriste personat e inkriminuar në partinë e tij, që ai i futi në lista deputetësh dhe kryetarësh bashkie. Në fakt Edi Rama duhej ta niste fjalimin e tij duke thënë se atij i vinte turp për faktin se Eurodeputetëve Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein Parlamenti Shqiptar u kujton historitë me kauboj nga Perëndimi i Egër.

Por ajo që duhet të bëjë detyrimisht Kryeministri Rama është se ai duhet të ruajë autokontrollin. Nuk është aspak e pranueshme ironia dhe humori me Ambasadorin Amerikan kur, në fund të fjalimit, Edi Rama i thotë se shpreson « që mos ta fusin ambasadorin amerikan te ligji për dekriminalizimin’. Humori i zi dhe ironia vulgare e kryeministri Rama me Ambasadorin Lu tejkaloi çdo masë të etiketës shtetërore dhe njerëzore. Edi Rama përfaqëson Shqipërinë dhe duhet të ketë sjellje të denja për një shtetar.

Nuk ia ka fajin kush veç Edi Rama Edi Ramës që në partinë e tij ka deputetë me rekorde kriminale. Nëse vetë është i pastër, të mos mbajë baltën e të tjerëve, por të tregojë përgjegjshmëri.

Sepse arroganca e tij, është ai ajo arroganca paralajmëruese që disa ditë më parë Edi Rama iu kishte drejtuar ministrave arrogantë të qeverisë së tij.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Kryemiistri Rama, vetkontrolli

TE SHKOJME PERPARA DUKE U FRYMEZUAR NGA E KALUARA

September 17, 2015 by dgreca

Nga Nicola Abbagnano /Lëvduesit e kohëve të shkuara sot nuk janë vetëm gënjeshtaret  dhe llafazanët,  siç thoshte Horacio. Por,  janë njerëz të çdo moshe që rikujtojnë nga e kaluara e largët  apo e afërt,  ndonje veçori që të frymëzon admirim e keqardhje. Rikthimi i ndonjerës prej ketyre veçorive,  është një dukuri shumë e përhapur sot,  pas një periudhe që dukej  se dëshironte të shkelte mbi një rrugë,  ku te mos kishte gjurmë nga e kaluara.

Sot kthimet drejt së kaluarës janë të rastësishme,  sepse  pengohen nga kërkimi këmbëngulës e me çdo kusht  i « së resë ».Por shpesh,  e reja ndodhet pikërisht tek e kaluara: Tek ndonjë ide ndriçuese që dukej e zbehur,  tek ndonjë ideal i vënë nga jeta si një lajmërim në një formë bukurie të harruar. Kështu lindin rrymat filozofike dhe letrare që frymëzohen nga  doktrina  dhe lëvizje artistike të vjetra  dhe që iu kthehen idealeve të artit apo modës,  e që rinovojnë  ose  përshtasin përdorime të perenduara ( stilin e kohës së shkuar) .

Sigurisht asnjë,  nga këto rikthime nuk është apo mund të jetë një përsëritje  letrare.  Lidhja me të kaluarën  bëhet një shkas i lëvizjes së jetës.

Por,  është një fushë,   ku një lidhje e tillë (me të kaluarën) duket se është më e vështirë  për t’iu vënë si qëllim para vetes dhe për t’u realizuar : është fusha e jetës sonë të përditshme,  ajo e jetës personale dhe shoqërore. Rreziqet dhe  te këqijat që sot na  i përcjell jeta,  e që janë shtuar pafundsisht nga po ai progres  teknologjik,  duket sikur kanë shënuar një shkëputje te pazevendësueshme nga e kaluara,  e veçanrisht prej rregullit dhe seriozitetit që në çastet e lumtura,   e karakterizonin.

Kjo shkëputje,  nuk duket se do të zvogëlohet  me (thjesht) një rikthim ndaj vlerave te vjetra,  por,   para së gjithash,  duhet të jetë  rezultat i punës së brezave te rinj,  te cileve u takon detyra per ta çuar jetën peëpara.

Lëvduesit e së shkuarës ngulin këmbë pikërisht mbi : paaftesinë e të rinjve për të mesuar nga e kaluara.

Te rinjtë sot,  pranojnë lehtësisht  të gjitha tundimet e shoqërise,  e që janë të  shumta e të këqia.  Të mësuar që në fëmijeri t’iu plotesohen dëshirat edhe ato më tekanjozet,  bëhen kokëfortë (të pabindur) ndaj rregullit dhe disiplinës,  që jane te domosdoshme për ushtrimin e çdo aktiviteti (në te ardhmen),  i cili edukon  vetkontrollin që është kushti i parë për të patur një karakter të ekuilibruar.

Largohen (shpirtërisht) prej familjes megjithëse vazhdojnë të jetojnë bashkë,  në drejtim të grupeve  ku ndihen të çliruar nga çdo detyrim e me të njëjtin mendim në synimin për të bërë vetëm atë që ju pëlqen.

Detyrimet,  që nganjeherë ju kërkohen,  ju duken  neveritëse dhe shtypëse (imponuese). Keshillat që jepen,  ju duken sikur  vijnë nga një botë tjetër,  ku ata nuk pranojnë se bëjnë pjesë,  e cila duhet të zevëndësohet e të  transformohet në një botë tjetër,  ku do t’iu pëlqente të jetonin.

Në këto kushte,  shkarjet e të rinjve në imoralitet e në sjellje të paligjshme,  janë të shpeshta sepse është e lehtë (kur s’ka norma).

Të sigurosh para në mënyrë të pandershme dhe të dhunshme,   është një tundim që nuk gjen shumë pengesa tek ai,  që  do të plotësojë (me çdo kusht) qejfet e veta,  e për më tepër kur shikon nga lajmet e përditshme,  se pandershmeria ka fole në te njëjtën botë  që i është vënë përpara si model i mirë,  e ku duhet të bëjë pjesë.

Kurioziteti për ta pasuruar jetën e vet  me përvoja të reja,  goditjet e para të dhimshme dhe zhgënjyese të pësuara nga rrethanat,  e bëjnë të lehtë rënien drejt drogës duke e quajtur si rrugën e vetme  të çlirimit nga zhgënjimet.

Por,  kohët e fundit, shohim edhe një tjetër rrugë,  që  tërheq një numër të caktuar të rinjsh e veçanërisht  ata që përqafojnë një  qendrim  te vetedijshem kritik kundrejt shoqërise në të cilën jetojnë : është rruga e terrorizmit. Edhe kjo është një rrugë e lehtë,  sepse terrorizmi  propozon  te ndërtosh vetem duke shkatërruar dhe shkatërimi është më i lehtë se sa ndërtimi.

Lëvduesit e kohëve të shkuara,  përqendrohen mbi njërin apo tjetrin  qendrim negativ të të rinjve të sotëm,  por nuk tregojnë së cilës së kaluar rinia duhet t’i drejtohet,  që te çlirohet (nga këto rrugë të gabuara).

Përveç këtij qendrimi të lëvduesve të se kaluares,  qe eshte keqdashes dhe vajtues,  ka  njerez qe e shikojne ne menyra te tjetra kete gjendje te te rinjve.

Disa e shikojne,  si  nje pasoje te pashmangshme te gjendjes dhe sundimit te zakoneve  te shoqerise se sotme.

Shprehen se te rinjte nuk bejne gje tjeter veçse pranojne  dhe  ndjekin edhe ne aspektet me te  keqija,  shkarjet e nje  shoqerije te koruptuar.

Ne kete rast,  pergjegjesia e te gjitha te keqijave qe mund te ndeshim ne sjelljen e te rinjve,   do t’i binte vetem  natyres komplekse te shoqerise,  se ciles i duhet hedhur faji.

Duke e pare nga ky kendveshtrim  problemin,  s’na mbetet gje tjeter veç te mbetemi duke levduar te kaluaren e larget apo te afert,  sepse pasojat (e kohes se sotme) jane te pashmangshme (se ne kete shoqeri te sotme jetojme).

Puna qendroka vetem ne shkaterimin e kesaj “te sotme”  ose nevoitet ta riformojme rrenjesisht. Po si ta riformojme ?

Ne rast se e kaluara sundon  mbi te ardhmen,  apo ne rast se te rinjte qe duhet te ishin autoret e kesaj levizjeje  jane plotesisht  te brumosur (vetem) prej shoqerise ne gjirin e se ciles ata lindin,  asnje force njerezore nuk do te mund  ta ndryshoje kete gjendje.

Te ashtuquajturit « dietrologe » (siç i quajne tani) qe ja veshin « se kaluares » gjithe pergjegjesine e « se sotmes »,  gjenden te goxhduar nga vete shpjegimi qe i japin te keqijave te koheve te sotme duke pohuar pamundesine  per t’i perballuar.

Ne rast se te rinjte jane  produkt i ketyre te keqijave,  ata nuk do te jene kurre te afte per t’i luftuar e per te fituar.

Nga ana tjeter,  nuk mungojne ata qe shikojne ne kete pamundesi (per te luftuar te keqijat) dukurine thelbesore te shoqerise  se sotme,  fati i se ciles  eshte qe te vetshkaterohet.

Ndoshta,  per te shmangur parashikimet,  sa shkateruese  aq  edhe te pallogjikshme,  per te shmangur pendesat dhe nostalgjite e padobishme,  si dhe denimet e renda dhe padrejtesite,  eshte me mire ta çojme vemendjen  tek  ngjarjet reale,  mbi gjendjen e shoqerise se sotme.

Ne kohen e sotme jetojne te gjithe : te rinjte dhe te vjetrit. Tek te rinjte,  sigurisht nuk jane akoma kalitur ato tipare mbrojtese  qe jane shpesh  frut i pervojave  te gjata dhe te veshtira. Por nuk mund te flitet per ta,  sikur jane qenie  te panjohura,  homogjene,  te  bere me te njejtin kallep.

Sot,  me te drejte kembengulet,  mbi ndikimin  qe ushtron (per keq) mjetet e komunikimit masiv (TV,  Radio,  Kinemaja,  shtypi  etj.) ne zakonet dhe menyren e te sjellurit qe gjejne  perhapje te gjere  sidomos  ne jeten e metropoleve.

Por ky ndikim nuk eshte vendimtar dhe nuk arrin,   te pakten deri me sot,  te mposht mbrojtjen,   qe kerkesa per nje liri personale (jo te diktuar nga media) per shumellojshmeri te shijeve e te deshirave,  i kundervihen ketyre  ndikimeve.

Te rinjte nuk perbejne nje mase  te njetrajtshme  (te njejte) qe ecin mbi te njejten rruge. Ata jane te ndryshem ndermjet tyre edhe pse i perkasin se njejtes familje dhe te njejtit lloj,  edhe pse ndjekin  zakonet qe ndiqen nga te gjithe.

Serioziteti,  perkushtimi,  dashuria per te bukuren,  interesi per te ardhmen dhe enthuziazmi per idealet,  formojne karakteristikat e shume prej tyre. Por veprimi i tyre behet i dallueshem nga pjesemarrja ne shume  aktivitete kulturore,  nga ndihma qe  afrojne ne rastet e fatkeqsive  te shoqerise,  nga entuziazmi  me te cilin  i pranojne  format e reja te artit dhe format e vjetra te rizbuluara,  nga interesi qe shfaqin  per kendveshtrime dhe  doktrina  qe propozojne  rilindjen e vlerave  shoqerore,  nga shoqatat qe formojne per  mbrojtjen dhe perhapjen  e vlerave fetare.

Te flasesh per rinine moderne si per nje turme te shthurur,   ndertues te  kaosit perfundimtar,  nuk eshte vetem nje padrejtesi,  por nje genjeshter  e zbukuruar me masken e nje profecie.

Ajo per te cilen kane veçanerisht nevoje te rinjte,  eshte besimi tek aftesite dhe forcat e tyre: nje besim qe ju ben atyre te mundeshme  te ushtrojne lirisht  inteligjencen e tyre dhe  te realizojne  zgjedhjet e tyre.

Perktheu Fatbardha Demi

 

Nicola Abbagnano  (“La saggezza della vita”,  f.222)

Profesor i njohur italian i Historise se Filozofise  dhe autor i shume librave.

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fatbardha Demi, frymezim nga e kaluara, Nicola Abbagnano, te shkojme perpara

Kadare: Njerzit e krimit, mes nesh

September 15, 2015 by dgreca

Ismail Kadare: Të hapen dosjet. Njerëzit e krimit, ende mes nesh

 

ismail-kadareShkrimtari Ismail Kadare në një intervistë përgjigjet për të gjitha “akuzat” e drejtpërdrejta bërë nga trashëgimtarët e Mitrush Kutelit, paraqitur në botimin më të fundit “Netë moldave”.
Kadare për herë të parë tregon si është përkthyer në frëngjisht vepra e Kutelit, por mbetur e bllokuar, e pabotuar nga familjarët. Shkrimtari pohon se Kuteli nuk është dënuar si oficer fashist, por për çështjen e Kosovës. “Rasti Pasko”, fabrikimi i sajesave nga njerëz të krimit, ende midis nesh. Shkrimtari i njohur ka folur në mënyrë ekskluzive për gazetën “Standard”.
“…E vërteta të forcon”, – thotë Kadare në bisedën tonë të lirë, duke lënë të kuptohet se intervista e mëposhtme është një mundësi shqyrtimi mbi krimet në diktaturë përtej “akuzës” që i drejtohet atij nga trashëgimtarët e shkrimtarit Mitrush Kuteli, që dje u mbushën 108 vjet nga dita e lindjes.
Kadare jep përgjigje për disa momente për të cilat është rënduar drejtpërdrejt nga familjarët e Kutelit në “Netë moldave”, ndoshta duke pritur prej tij të mbajë përgjegjësi për çfarë ka thënë, në rastin e përfoljes në “betejën e Stalingradit”, duke sqaruar për së dyti herë, edhe kërkuar që të lexohet drejt si në këtë intervistë, përcjellja e kësaj pandehme ose trillimi.
Por, Kadare që shfaqet gjithnjë e më rrallë, në ndërhyrjet e tij intelektuale në punët e vendit, këtë herë në intervistën ekskluzive për “Standard”, nxitur prej rastit të Kutelit, shprehet me përgjegjësi politike kur thotë se “hapja e dosjeve, dalja në dritë e të vërtetës nuk do të lejonte më që në sferën delikate të letrave dhe artit, spekulantët dhe denonciatorët, të vazhdonin veprën e tyre çnjerëzore.
Dje, ata i çonin kolegët e tyre në burg, e disa herë në mort, sot përpiqen t’i dëmtojnë me shpifje dhe trillime, si ato që u përmendën në këtë bisedë”.
Për shkrimtarin zhdukja e gjurmëve të krimit është nga problemet kryesore të një diktature të rrëzuar. Ky është edhe rasti shqiptar.
“Krahas mënyrës klasike, zhbërjes së dokumenteve, është fabrikimi i sajesave çoroditëse, që japin dorë për krijim fantazish dhe trimërish. Te rasti i Paskos kanë vepruar të dyja, çka tregon se një pjesë e njerëzve të përzier në krim janë ende midis nesh”, – është shprehur Kadare.
Por shkrimtari zbulon dhe një marrëdhënie të panjohur mes tij dhe Kutelit. Në parantezë:
Akuza e trashëgimtarëve e ardhur drejtpërdrejt: Kadare ka thënë të pavërteta dhe ky është një dëm i madh ndaj figurës së Mitrush Kutelit, sidomos jashtë Shqipërisë. “Meqenëse Kadareja ka krijuar një autoritet të madh ndërkombëtar e kombëtar, ai vetë si përhapës i kësaj të pavërtete, mendoj se rëndohet me një përgjegjësi të madhe ndaj figurës së Kutelit”.
Por, në intervistën e mëposhtme, Kadare, pyetur për “historinë e tij” të letrës së `88-ës, ka treguar për herë të parë se Kuteli është përkthyer në atë kohë nga një kushëri i Jusuf Vrionit në frëngjisht, por që sot e kësaj dite nuk janë botuar. Kjo komentohet e bllokuar, e refuzuar nga familjarët.
Një tjetër moment delikat lidhet me dënimin e shkrimtarit. Trashëgimtarët shkruajnë se dosja e hetimit është bosh dhe nuk ekziston letra e akuzës. Kur versioni i tyre është se mbi Kutelin rëndon akuza politike për përfshirjen në armatën fashiste rumune, Kadare thotë se çështja e Kosovës e çoi shkrimtarin në burg.
Zoti Kadare, është botuar një libër nga trashëgimtarët e Kutelit, “Netë moldave”, me një parathënie të gjatë, që ndalet në akuza të drejtpërdrejta mbi ju, mbi disa pasaktësi, sipas tyre, të dhëna në librin tuaj “Mëngjeset në kafe Rostand” mbi jetën e Kutelit.
E para lidhet me vitet e burgut, dënimin e tij, dhe e dyta, që është më e rëndësishme, me pandehmën tuaj për përfshirjen e Kutelit në Betejën e Stalingradit.
Në përgjigje të kësaj, ju sollët në gazetën “Standard” të njëjtin shënim si edhe në libër. Pse vendosët të reagonit me të njëjtën mendim, kur pritej të zgjeronit historinë e kësaj situate?
Përgjigjja ime ka qenë e njëjtë, sepse e vërteta ka qenë e tillë. Nuk e kam bërë ndonjë pandehmë për pjesëmarrjen e Dhimitër Paskos në betejën e Stalingradit. Përkundrazi, kam shkruar se “sipas një pëshpërime jo fort të besueshme”, është përhapur kjo pandehmë ose ky trillim. Mendoj se shprehja “sipas një pëshpërime jo fort të besueshme” është aq e qartë sa të mos lexohet si e kundërta e saj.
Trashëgimtarët shkruajnë në libër, që sipas Plasarit, ka qenë Shuteriqi, i cili ka artikuluar i pari “betejën e Stalingradit” dhe pretendojnë se ju jeni pasues i kësaj “teorie”. Si ka mbërritur tek ju ky “informacion”?
Nuk di që pëshpërima ka patur si autor Shuteriqin. Kam qenë student në Tiranë kur e kam dëgjuar të qarkullonte gjerësisht.
Në fakt, familjarët e lidhin këtë situatë me Shuteriqin si një argument të fortë, si akuzë politike pse u dënua Kuteli, ardhur nga qarqet letrare.
Një version tjetër, po që përmendet shkarazi, është edhe Kosova, “Poemi kosovar”. Në dijeninë tuaj, pasi nuk besojmë që rasti i Kutelit t’ju ketë lënë indiferent, pse mund të jetë dënuar me burg ky shkrimtar?
Mendoj se për ngjarje dramatike, siç janë dënimet e shkrimtarëve të shquar, duhet folur më seriozisht, çka do të thotë, më saktësisht. Dhimitër Pasko u arrestua dhe u fut në burg në vitin 1947, në kohë e terrorit shqiptaro-jugosllav. Ai u lirua fill pas prishjes së miqësisë me Jugosllavinë.
Kjo e bën edhe më të besueshme tezën se kërkesa për arrestimin dhe burgosjen e tij është bërë prej Jugosllavisë për shkak të angazhimit të tij për çështjen e Kosovës, dhe të një poeme me subjekt Kosovën.
Ky është një kujtim i turpshëm në historinë shqiptare pas luftës botërore, koha kur Mugosha dhe Popoviçi urdhëronin arrestime, si të ishin në shtëpi të vet. Merret me mend që ka njerëz që ende janë të interesuar që ky turp të harrohet, ngaqë kanë qenë të përzier me të.
Flitet për një letër që familjarët e Kutelit jua kanë dërguar juve më `88, pasi në një parathënie në frëngjisht ju keni përmendur mobilizimin e shkrimtarit dhe prej aty si duket, ka zgjatur ky debat deri tani. Si është historia juaj për këtë situatë, çfarë fati pati parathënia për Kutelin?
Do të ishte mirë që familjarët e Paskos t’i kujtonin ngjarjet ashtu siç kanë ndodhur. Pasko, ashtu si Poradeci, ka qenë shkrimtar i mënjanuar prej regjimit komunist.
Si të tillë, ishin gjysmë të ndaluar dhe botimet e tyre ishin jashtëzakonisht të rralla. Në kushte të tilla, dashamirësit e tyre, që nuk munguan kurrë, janë përpjekur t’i ndihmojnë.
Në atë kohë drejtoja të vetmen revistë që botohej në frëngjisht te ne, “Les lettres albanaises”, misioni i së cilës ishte njohja e letërsisë shqipe në botë.
Dihej se Pasko si shkrimtar gjysmë i ndaluar që ishte, nuk preferohej për përkthim.
Megjithatë, vendosa të botoj, pa kërkuar leje, disa nga perlat e tij në frëngjisht. Vështirësitë ishin të shumta, duke nisur nga gjetja e përkthyesit, të cilët ishin nën kontroll.
Përkthyesi im, Jusuf Vrioni, më propozoi që të përpiqesha për kushëririn e tij të parë, Azis Vrionin, i cili, njëlloj si Jusufi, kishte qenë i burgosur politik, përkthente gati-gati po aq shkëlqyeshëm sa ai. Dhe natyrisht e kishte emrin e ndaluar në shtyp, njëlloj si Jusufi.
Pa i thënë askujt i propozova përkthimin e Paskos, bashkë me pseudonimin Luan Gjergji, nën të cilin u përkthyen dhe u botuan, njëra pas tjetrës, novelat e Paskos.
Ia tregova tekstet botuesit tim francez në “Fayard”, i cili i çmoi shumë dhe pranoi t’i botonte në një libër, bashkë me një prezantimin tim, njëlloj si kishte ndodhur me prozën e Migjenit, që sapo kishte dalë në frëngjisht në Paris.
Këtu ndodhi edhe surpriza e keqe. Botimi u pengua nga trashëgimtarët e Paskos! Ka kaluar shumë kohë që atëherë dhe ende sot ka mbetur një mister ky refuzim.
Kam kujtuar se pas rënies së komunizmit, trashëgimtarët kanë gjetur ndonjë tjetër botues të huaj, por as kjo s’ka ndodhur. Ende sot novelat e bukura të përkthyera shkëlqyeshëm, kanë mbetur pa u shfrytëzuar në “Les lettres albanaises”.
Cili është dimensioni i Kutelit për ju?
Dhimitër Pasko është një nga shkrimtarët më të shquar shqiptarë, jo vetëm të viteve `30, por të krejt letërsisë shqipe. Si një klasik i saj, ai bën pjesë, në mënyrë të padiskutueshme, në fondin e artë të letrave shqipe.
Jeni takuar ndonjëherë, si e mbani mend?
Siç kam shkruar në librin “Mëngjeset në kafe Rostand”, e kam takuar për herë të parë kur isha student në shtëpinë e Sterjo Spasses, në rrugën Him Kolli, në Tiranë, më 1958.
Ishte përgjithësisht i heshtur e i pa përzier me njerëzit, dhe kjo ishte e kuptueshme për një shkrimtar që kishte qenë i burgosur politik. Aq më tepër që arsyet e vërteta të burgimit të tij, siç ndodhte shpesh, mund të merreshin me mend, pa u thënë asnjëherë haptas.
Si e shpjegoni faktin e zhdukjes së dosjes së dënimit të Kutelit? Familjarët thonë se nuk ekziston as letra e akuzës, pra thjesht, duke mbetur si “armik i popullit”, që si shkak iu ndalua botimi, e që pasoi me izolim të detyrueshëm të tij, duke u marrë vetëm me përkthime.
Humbja ose, më saktë, zhdukja e dosjes së hetimit e të dënimit të Dhimitër Paskos, është më shumë se një skandal. Është një shkrimtar shumë i njohur, i dënuar me burg politik, qysh në fillimet e rendit komunist.
Është jashtë çdo dyshimi se ka patur dhe ende ka njerëz të interesuar që dosja të zhdukej.
Në radhë të parë, janë denoncuesit, e sidomos ata që urdhëronin ose që e dinin nga vinin urdhrat.
Zhdukja e gjurmëve të krimit është një nga problemet kryesore të një diktature të rrëzuar, si në rastin shqiptar.
Krahas mënyrës klasike, zhbërjes së dokumenteve, është fabrikimi i sajesave çoroditëse, që japin dorë për krijim fantazish dhe trimërish.
Te rasti i Paskos kanë vepruar të dyja, çka tregon se një pjesë e njerëzve të përzier në krim, janë ende midis nesh.
Hapja e dosjeve, dalja në dritë e të vërtetës nuk do të lejonte më që në sferën delikate të letrave dhe artit, spekulantët dhe denonciatorët, të vazhdonin veprën e tyre çnjerëzore.
Dje ata i çonin kolegët e tyre në burg, e disa herë në mort, sot përpiqen t’i dëmtojnë me shpifje dhe trillime, si ato që u përmendën në këtë bisedë.
Desha të shtoj këtu se, po aq sa shpifësit e spiunët e djeshëm, do të përgjigjen ata që kanë dijeni për këto dosje, por në vend që t’i zbulojnë ato, i fshehin thellë e më thellë.
Flitet për një letër që familjarët e Kutelit jua kanë dërguar juve më `89, pasi në një parathënie në frëngjisht ju keni përmendur mobilizimin e shkrimtarit dhe prej aty si duket, ka zgjatur ky debat deri tani.
Si është historia juaj për këtë situatë, çfarë fati pati parathënia për Kutelin?
Do të ishte mirë që familjarët e Paskos t’i kujtonin ngjarjet ashtu siç kanë ndodhur. Pasko, ashtu si Poradeci, ka qenë shkrimtar i mënjanuar prej regjimit komunist.
Si të tillë, ishin gjysmë të ndaluar dhe botimet e tyre ishin jashtëzakonisht të rralla. Në kushte të tilla, dashamirësit e tyre, që nuk munguan kurrë, janë përpjekur t’i ndihmojnë.
Në atë kohë drejtoja të vetmen revistë që botohej në frëngjisht te ne, “Les lettres albanaises”, misioni i së cilës ishte njohja e letërsisë shqipe në botë. Dihej se Pasko si shkrimtar gjysmë i ndaluar që ishte, nuk preferohej për përkthim.
Megjithatë, vendosa të botoj, pa kërkuar leje, disa nga perlat e tij në frëngjisht. Vështirësitë ishin të shumta, duke nisur nga gjetja e përkthyesit, të cilët ishin nën kontroll.
Përkthyesi im, Jusuf Vrioni, më propozoi që të përpiqesha për kushëririn e tij të parë, Azis Vrionin, i cili, njëlloj si Jusufi, kishte qenë i burgosur politik, përkthente gati-gati po aq shkëlqyeshëm sa ai. Dhe natyrisht e kishte emrin e ndaluar në shtyp, njëlloj si Jusufi.
Pa i thënë askujt i propozova përkthimin e Paskos, bashkë me pseudonimin Luan Gjergji, nën të cilin u përkthyen dhe u botuan, njëra pas tjetrës, novelat e Paskos.
Ia tregova tekstet botuesit tim francez në “Fayard”, i cili i çmoi shumë dhe pranoi t’i botonte në një libër, bashkë me një prezantimin tim, njëlloj si kishte ndodhur me prozën e Migjenit, që sapo kishte dalë në frëngjisht në Paris.
Këtu ndodhi edhe surpriza e keqe. Botimi u pengua nga trashëgimtarët e Paskos! Ka kaluar shumë kohë që atëherë dhe ende sot ka mbetur një mister ky refuzim.
Kam kujtuar, se pas rënies së komunizmit, trashëgimtarët kanë gjetur ndonjë tjetër botues të huaj, por as kjo s’ka ndodhur. Ende sot novelat e bukura të përkthyera shkëlqyeshëm, kanë mbetur pa u shfrytëzuar në “Les lettres albanaises”./Violeta Murati/Gazeta Standard/

Filed Under: Analiza Tagged With: Kadare: Njerzit e krimit, mes nesh

Tabela për në Bruksel

September 13, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Një socialist i mirë pret në radhë. Një demokrat bën një xhiro deri në Gjermani. Kjo është tabloja.Ndërsa i pari i gëzohet triumfit të Rilindjes. I dyti mbase mallkon ditën kur entuziazmi blu, veshi rrugët e vendit me tabela që të çonin në qytetet e Europës. Nantë, Mynih, Vjenë, Romë, Milano, Venecia, Athinë, Madrid, Barcelonë, Amsterdam etj.

­E çfarë do të bëjë nëna me këtë Europën? Do pyeste një grua province? Tek dera ngrihej madhore një tabelë. Aty sapo e hapte. Ku herë i kthehej pluhuri. Herë balta. Dhe herë ia prishnin gjumin e vapës troshitjet e ndonjë kamionçine zhavori. Më keq të lehurat e ndonjë qeni zinxhiri. Më bajate ndonjë e bërtitur. Apo mallkim.Do shkosh të shikosh çunin plake, ja kështu… ­ i thanë djemtë entuziaztë.Ata për vete menduan se mori fund mizerja për të siguruar një vizë. Morën fund monopatet e maleve. Morën fund shtigjet vdekje prurëse. Gomonet e të tjera.

E gjora grua province që sapo kishte kthyer në përvjetorin e gjashtëdhjetë, dukej sikur ishte tetëdhjetë vjeçe. Mbante anës kokës edhe një shami të bardhë. Shikoi tabelën. Emrin Bruksel. Nuk e thoshte dot. Mbuloi gojën me dorë për të mos u turpëruar me veten. Djemve të saj nuk u nguli kush ndonjë tabelë në vitet 90­të, aty tek dera. Nuk u tregoi kush rrugën nëpër Gramozin e borëruar. Tani kujt i duhet ajo tabelë? Ndofta djemve entuziastë.?

Nipojtë e saj u shpërndanë. Ndërsa njëri ka bërë njëzet e pesë vjetë. Që asaj i duken dyqind e pesëdhjetë. Pra njëri nga nipojtë, ai që nuk iu lejua të ngrejë flamurin në një shkollë të Peleponezit.

Flet mirë greqisht, madje aq mirë sa e ka vështirë të kompesohet me shqipen. Prapë nuk ia bëjnë letrat. Edhe pse nga Ermal, e bëri emrin Dhimitros. Edhe pse bërtet se jam grek. Të tjerët nuk vinë dot për shkak të toponimeve në pasaporta. Megjithatë babai i tyre. Apo djali i saj ka një veturë që hera­herës vjen e ia çel derën me një zambak. I lë pak para menjanë…, të cilat mund të rezultojnë edhe një rrisk për jetën e saj. Mund edhe ta grabisin. Nga ana tjetër…, kumton si një buçimë. Nga një shesh. I cili herë është blu. Dhe herë mavi. Dhe herë i kuq…, triumfi i rritjes së pensionit.

Përpjekja lapidare për të shkuar në Europë. Arritja madhore. Gruaja e provincës shikon tabelën.

Emrin Bruksel. Akoma nuk e thotë dot. Përfundimisht e ngrys jetën e saj të para plakur me një realitet tjetër. Numëron ditët për vitin që vjen. Kur t’i vijë i biri. Me fëmijët grekër aty tek ajo. Dhe shqiptarë të zgjebosur në tokën e portokalleve.

Ndërsa fqinji socialist i saj, pret radhën për tu futur në punë. Djemtë entuziastë pagojnë ca euro për të kapur Mynihun. Brukselin. Ndërkohë socilisti i ka mbushur mendjen gruas të votojë për Rilindjen e tij. Si e bindi? Thjesht i tha se do të shtronin rrugën aty. Ai dilte garant. I flet me inat për poshtërsitë e Berishës. Me inat dhe i lumtur që e mundi. I bindur deri në dhënien e jetës. Aq sa ia fshin pluhurin tabelës me emrin Bruksel. Ia përsërit gruas me qindra herë Europën. E garanton se tani do futen me siguri të plotë. Mbron me fanatizëm ”varfërinë ekstreme” të kryetarit të madh.

Atij që përmes kryetarit të vogël i ka premtuar punë. I ka treguar listën emërore. Emrin në krye të saj. Dhe ai pret. Me devotshmëri. I miri socialist. Me sytë prush të bastardojë gjakpirësat blu.

Nga ana tjetër gruaja e provincës i kujton me delikatesë vetmie një ankim, nuk i duhet Europa. Dhe shton se, nuk janë për ne, këta. Por ai e ka harruar. Madje e ka palosur në sirtar devotshmërinë kur mbronte Nanon në një ish luftë me Berishën. Dhuratat e njëri­tjetrit të tipit fisheku në pajë. Madje tani që marrëdhënia e tyre është në muaj mjalti. Ai pëshpërit justifikimin e zakonshëm…, atë për të cilin vrau shokun. Si e si të mbronte të kundërtën. Faktin që Nano nuk ishte i tillë. As tradhtar, as hajdut, as i pasur. (Kështu si shoku blu, për sojin e tij. Shoku që ai vrau.)Tani bërtet me gojën plot, ”Nano është tradhtar, pijanec, hajdut, imoral.” Harroi. Dikur ishte i drejtë, i ”varfër ekstrem”. Nuk vidhte. Ashtu si nuk vidhnin, apo nuk vjedhin edhe nga krahu tjetër, i shokut të vrarë. Harruam edhe ne. Harrojmë të besojmë realitetin. Dhe asnjëherë nuk harrojmë të vrasim shoku­shokun. Vetveten. Mjafton që kryetarit, kryetarëve të mos u hiqet nofka ”të varfër ekstrem”.Ja si e përmbledh me pak fjalë një situatë të tillë Abraham Linkoln. Ish presidenti i 16­të i Amerikës. ”Kur vrasim njëri­tjetrin, është dështimi dhe fundi i lirisë sonë. Kjo ka domethënien se vendit asnjë e keqje nuk i vjen nga jashtë, por, nga ne.”

Tabelat rrahin drejtimin Europë. Njëra palë i ngul tjetra i pastron. Ndërkohë që një socialist i mirë pret në radhë për punë. Një demokrat i kthyer falenderon zonjën Merkel, gjermanët. Të paktën u dhanë bukë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Tabela për në Bruksel

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 766
  • 767
  • 768
  • 769
  • 770
  • …
  • 986
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pedagoge Paola Rrapaj Kraja: “European Piano Academy” një mundësi për fëmijët shqiptarë që duan të zhvillojnë talentin e tyre në muzikë
  • “Historia e shtypit arbëresh nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • Paradoksi i Samitit të Diasporës së Shqipërisë
  • ZËRI QË NUK SHUHET: NË KUJTIM TË LAHUTARIT TË MADH TË MALËSISË SË MADHE, JONUZ DELAJ
  • Po Itaka ime sa larg është?
  • Samiti dhe koha e diasporës si aktor e faktor jo vetëm si dekor…
  • Nga “city upon a hill” tek “America First”: reflektime mbi një kthesë që po trondit botën
  • KOL TROMARA – DREJTUES I FEDERATËS “VATRA”, VEPRIMTAR I DIASPORËS SHQIPTARE DHE FIGURË E RËNDËSISHME E LËVIZJES KOMBËTARE
  • Letërsia si dëshmitare e kohës dhe pafuqisë për ta ndryshuar atë…
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT