• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Postmortem

June 30, 2015 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/
Autori i rreth pesëdhjetë librave , gazetari Henry Louis Mencken thoshte:
“Democracy is a pathetic belief in the collective wisdom of individual ignorance…!”
Mendoj se , politika shiptare është si një fole grenzash që nuk lejon bletët për të prodhuar mjaltë dhe si e tillë krijon një demokraci patetike dhe inerte…
Pas këtyre zgjedhjeve shohim triumfatorë që dëmtuan imazhin e tyre (!), dhe humbës që nuk ditën dhe nuk dinë të analizojnë gabimin e humbjes !!!
Në një grupim , përgjegjësitë vijnë kolektive dhe ndahen në individuale.
Analiza nuk është produkt i pasionit apo anshmërisë, por arsyes së prekshme kritike , shifrave dhe zgjidhjes kohore të problemit.
Ditët e fundit ,lexoj e ç’nuk lexoj…Dikush mburret me torbën bosh , dhe tjetri apo tjetra dhe pse shoku i vet mburret , ia heq dhe atë palo torbë që ai mendon ta mbushë në të ardhmen! Opinionisti shan… e analisti Sanço Panço jep receta pas pilafit…Dikush shkruan për Dylqinjen e Topozës e një tjetër fryhet si lopa kur han jonxhë…!
Tragji-komedia e analizës është e mjerueshme si vetë politika shqiptare…
Konflikti i “romancës” është i njohur fort mirë, por ne asnjëherë nuk guxojmë të themi të vërtetën, pikërisht prej interesave meskine dhe hipokrizisë. Shkaku dhe pasoja…! A ka klasë politike Shqipëria apo udhëhiqet prej një lukunie nallbanësh të profesioneve të ndryshme , që nuk kanë lexuar një libër politik në jetën e tyre , por që vijnë të uritur me thasë në dorë vetëm për të bërë plaçkë?! A mund të ketë shpirt dhe të bëjë politikë një klasë e tillë ?!
Unë them jo! Po e ilustroj këtë duke ja filluar nga Ne…!
Dikur në një mbledhje të PD-së, propozova që të gjithë deputetët të hiqnin nga rrogat e tyre nga njëqind mijë lekë të vjetra që t’i vinin në ndihmë familjeve në nevojë…Një deputet i nderuar (shok i imi që nuk jeton më) brofi në këmbë dhe m’u drejtua , “ Jepja prej xhepit tan se ke pare boll!” deputetët e tjerë heshtën ,por të pranishmit në sallë e aprovuan .Nga deputetët vetëm Jozefina (Coba) Topalli e aprovoi me kokë propozimin… Megjithëse miku im e dinte mirë kontributin tim financiar e politik që ishte kudo , porsa fola për një sakrificë simbolike kërceu…Echo! Unë e propozova këtë , duke pasur parasysh dhe raportin e pagave të tyre që ishte dramatike në krahasim me pagat e popullsisë , dhe nuk e quajta për asgjë që ata t’a hiqnin nga rrogat e tyre një shumë të tillë. Nga ajo ditë e sot , mësova se, politikë nuk mund të bëjnë delitantët shpirtvegjël. Ata mund të bëjnë politikë minderesh, por jo politikë partiake ,se për politikë kombëtare as që nuk bëhet fjalë…Sa të tillë ka Shqipëria nga të dy krahët?!
Sa të tillë ka , që i kanë bërë paratë në mënyra të ndryshme (!!!) dhe nuk kanë asnjë organizatë bamirëse, por vetëm grabitëse?
Sa prej tyre bëjnë studime për të punësuar popullsinë dhe për të lehtësuar plagën e skamjes?
Sa prej tyre rrahin dyert e botës për të thithur investimet e huaja (pa interes personal) dhe për të bërë ndërmarrje prodhimi , që pa to , Shqipëria do të mbetet në kolibe artizane dhe papunësi dramatike ? Përveç vilave dhe apartamenteve të tyre të biznesit në bregdetin shqiptar (të cilat janë kundër ligjit urbanistik, pa infrastrukturë dhe kanalizime të ujërave të zeza e të bardha ) dhe vilave të tyre ndër bjeshkë , ku është strategjia e turizmit malor dhe e porteve të jahteve që mund të sillte një turizëm marramëndës kualitativ dhe miliarda dollarë , a kanë menduar seriozisht ndonjëherë për këto burime natyrore ? Me dhimbje mund të them Jo . Përveç ligjeve komuniste për zhvillimin e turizmit bregdetar , ndalimit të lundrimit dhe amendamente të tjera që bien ndesh njëra me tjetrën , nuk shoh ndonjë progres…Shikoni vetëm ligjin banditesk të pronësive , sa herë ka ndryshuar brenda këtyre viteve kundër çdo lloj ligji ndërkombëtar ? Bëma të tilla ka pa mbarim… ku me plot gojë , një mendimtar do ta quante , çorganizim i organizuar!
Partia Demokratike lindi si parti e shpresës dhe si e tillë përfshiu të gjitha klasat ,duke futur në gjirin e vet dhe element demokratë që kishin shërbyer dhe milituar në Partinë Komuniste.Disa nga këto, nuk e shikuan si privilegj pranimin e tyre ,por si transkendecë dhe aspak si përgjegjësi shoqërore dhe kombëtare për zhvillim …Mendoj ,kjo është një nga pasojat që përjetojmë sot…
Kam pyetur disa shokë të mi me influencë në Shqipëri , nëse PD –ja i kishte thirrur për ndihmë apo kërkuar mendim për zgjedhjet.Të gjithë ishin në një përgjigje: “As nuk i ka ra ndërmend për ne!” Sa herë është fyer elektorati i djathtë me aleanca me erë të keqe ? Sa herë janë fyer antarët e PD-së ,që kanë kontribuar duke shpenzuar dhe paratë e bukës që vetëm të fitonte PD-ja, dhe askush nuk u interesua më për ta për ti punësuar apo zgjidhur problemet? Sa herë janë fyer nacionalistët ?
Nganjëherë të zgjedhurit e PD-së , arrinin ti thonin me përçmim disa militantëve të vjetër, “ Hajt more se një votë ke , e çoje ku të duash se nuk na prish punë!” Bukëshkalë dhe injorantë të tillë e çuan PD në këtë gradë . Nëse dikush kërkon t’ia veshë humbjen një njeriu e ka gabim … Kjo humbje nuk është e Lulzim Bashës apo e stafit tij të ri , por e të gjithëve ne , po e përfshij dhe veten time megjithëse jam 15 vite larg Shqipërisë . Fodullëku i vetëkënaqësisë , anashkalimi dhe injorimi i militantëve të PD-së, keqpërdorimi i pushteteve dhe ligjeve anti-qytetare e jo- juridike , nepotizmi pa fre, injorimi dhe keqtrajtimi i opozitës duke i trajtuar si anti-shqiptarë dhe jo si opozitarë, ballafaqimi aspak dinjitoz në disa përfaqësi diplomatike në botë e tjera…solli rezultatin e pritur që gëzojmë sot.
Stafi i ri i Bashës , duhet të nxjerrë mësime nga e kaluara për të treguar aftësi për të rikuperuar dëmin e shkaktuar nga papërgjegjshmëria…
PD dhe zyrtarët e saj duhet ti braktisin zyrat dhe makinat luksoze… Ata duhet të bëhen një më hallexhinjtë dhe demokratët e harruar , por duke mos përbuzur dhe zërat kritikë brënda që kanë kontribuar në PD në vite .Të respektohet pozita dhe të lejohet të qeverisë dhe të bashkpunohet ndershmërisht për pikat jetësore kombëtare..PD duhet të rrijë zgjuar për të gjitha gabimet që bën pozita dhe ti kthejë ato në pikë për ti shërbyer fitores në të ardhmen .
Senatori Amerikan ,Gary Peters ,miku i disa shqiptarëve dhe imi gjithashtu, në fushatën e tij kishte një reklamë me një këpucë të shqyer …! Megjithëse kundërshtarja e tij shpenzoi miliona dollarë më tepër në fushatë , dhe me një spot negativ të pregaditur nga vetë shqiptarët e këqinj … Peters doli triumfues, pikërisht prej prekjes së problemeve jetike dhe prej thjeshtësisë së komunikimit me elektoratin …

Dikur , Unë më shokët e mi , Kolec Ndoja ,Shenasi Rama,Pjetër Arbnori,Azem Hajdari ,Blerim Cela , Ali Spahia, Mond Bushati,Tefalin Malshyti, Arben Broci, Eduard Perjaku ,Xhemal Uruçi, Zhani Sekuj,Ferid Hafizi, Dashamir Peko , Fran Gjergji, Nikolin Thana , Syrri Dizdari, Arben Lika ,Fatmir Bërdica , Arben Ibro, Agustin Shqalsi,Eduard Grishaj,Menduh Dërguti,Pjetër Pepa,Dodë Kaçaj , Skënder Lohja ,Brahim Bilali,Nikolin Narkaj etj… falë shpirtit demokrat dhe antikomunist te Shkodrës dhe punës tonë , i dhamë një të tretën e Parlamentit të parë pluralist në Shqipëri , në vitin 91…Ky rezultat nuk qe i thjeshtë , pasi shqiptarët kishin përjetuar një nga diktaturat më të egra dhe më barbare në Lindje. Për 47 vjet ,shqiptari u detyrua me dhunë të vishej herë si Jugosllav, herë si Rus, herë si Kinez,por kurrë si shqiptar .Sakrifica jonë për ndryshim përballej në momentet më të vështira të terrorit , të kërcënimeve për jetën … Na është dashur ditë e natë të ruajmë votën e demokratëve të sapo formuar .Komunistët në atë kohë ishin si bishat e plagosura , kërkonin gjak , kërkonin të votonin nga dy e tre herë vetëm e vetëm të fitonin Shkodrën “Reaksionare”. Megjithatë , ne , e mbrojtëm votën . Për themelimin e seksioneve , për të krijuar bazat tona dhe për të hapur fjalën e lirë ecëm ditë e natë në këmbë , jo si sot me mercedezë… Kundërshtarët tanë bënin anti-mitingje dhe na kërcënonin me jetë , por ne , asnjëherë nuk u dorëzuam , asnjëherëëëë !!! Gjatë kësaj rruge disa shokë na u vranë për ta vulosur lirinë me gjakun tyre ,siç qenë Martirët e 2 Prillit . Atë ditë u vra shoku jonë i paharruar Arben Broci. Endrra e tij u ndal për ta vazhduar ne … Departamenti i Shtetit Amerikan dënoi ashpër masakrën e 2 Prillit.
Amerika ishte dhe është krah nesh , dikur na ikurajonte me “Zërin e Amerikës”, sot na ndihmon dhe inkurajon me politikat e zhvillimit dhe të konsolidimit të vlerave të demokracisë, pra nuk jemi vetëm…
Falë gjakut të martirëve , klasës punëtore , studentëve e intiligjencës kemi një Shqipëri pluraliste. Disa që flasin sot , nuk kanë djersitur as rrezikuar , i kanë gjetur gati dhe nuk e njohin atë kohë ,biles shkojnë deri në çmenduri kur thonë se PD e krijuan ata …Ne i respektojmë për kontributin e vonë, por ata dhe ato duhet ti ruajnë ato vlera për të cilat ne luftuam dhe që dhanë jetën Azem Hajdari , Arben Boci etj…Nëse kanë nevojë , jemi gati ti ndihmojmë, por boll i kemi dëgjuar tek grinden me njëri-tjetrin. Demokracia e brishtë shqiptare nuk ka nevojë për leksione boshe , zënka fëminore e zona influence , por për hapësirë filozofike kombëtare, mirkuptim, tolerancë dhe strategji zhvillimi, punë dhe mirëqënie jetike…
Partia Demokratike ka nevojë për vizion , udhëheqje të zgjuar e largpamësi , kurse Shqipëria ka nevojë për paqe!

Ne Foto:  2 Prill 1993- Presidenti Sali Berisha nga e majta ne te djathte ,Alfons Grishaj duke folur, Kryetari i Parlamentit Pjeter Arbnori ./

Filed Under: Analiza Tagged With: alfons Grishaj, analize, Postmortem

A keni ndonjë pikë loti për popullin tuaj?

June 29, 2015 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/

Pushtetarët tanë po qajnë hallin e krizës greke. Në të vërtetë populli grek e ka një barrë të rëndë dhe kjo barrë e rëndë është kasta politike që ka mbajtur mbi supe, e cila, e papërgjegjshme, e solli Greqinë në fatin e perandorisë romake, që e zhytur në qejfe e la popullin në mjerim e fundi dihet. Perandoria me shkëlqimin më të madh në histori, që kishte vënë botën nën vete, shtrirë në tre kontinente, u shkërmoq, humbi si të mos kishte qenë kurrë. Greqia nuk është në ato përmasa, dhe ngrehina greke aq shumë e stimuluar dhe përkëdhelur nga Fuqitë e Mëdha në orekse të mëdha,  nuk besoj se do të shkaktojë atë efekt që solli shembja e perandorisë romake, e cila solli  si pasojë futjen e kontinentit në errësirën shumë shekullore. Errësirë që do të vazhdonte deri me shfaqjen e madhërishme të Rilindjes së ndritur Europiane. Më së shumti kriza ekonomike greke do të shkatërrojë imazhin e një Greqie të lumtur, të një llastice ballkanike, vend ku europianët e kishin si një parajsë ku mund të kalonin pushimet dimër verë, nën diell e pranë detit, mund të bënin qejfe të shfrenuara në ekzotikën e buzuqeve e të pjatave që thyheshin me zhurmë nën avuj uzoje e vere mesdhetare. Në Greqinë  ku paraja shkonte lumë e ku taksat nuk paguheshin së pari nga qeveritarët e korruptuar, pasurinë e të cilëve e gjeje me shumicë në bankat e Zvicrës, kishin jahte të padeklaruara, shtëpi të shumta madje të implikuar në këto afera edhe ministrat e deputetët grekë. E që të mos harrojmë, Greqia gjatë gjithë ekzistencës së saj si shtet ka qenë e përkëdhelura e Europës. A mund të gjeni një shtet që brenda kufirit të 80 vjetëve të dyfishojë territorin e vet, duke gllabëruar troje e popullsi të kombeve të tjera e duke i tjetërsuar ato me dhunë deri në kufijtë e gjenocidit mbi banorët e kombësive të tjera. Sepse pas gjenocidit turk mbi armenët kemi gjenocidin grek mbi shqiptarët e Çamërisë, ndërkohë që Europa heshtte. 

Sot Greqia ka një shtet me sipërfaqe 131 mijë e 940 kilometra katrorë, ku pothuaj një e treta i janë rrëmbuer shqiptarëve, ajo që grekët e quajnë Epir grek janë të gjitha toka arbërore, e megjithatë orekset e të përkëdhelurës së Fuqive të mëdha evropiane nuk i mungon oreksi me shpikjen e shpifur “Vorio Epiri ine eleniki”.  Greqia ka mbi 11 milion banorë, nga të cilët, një e treta janë shqiptarë apo dhe arvanitë, pra shqiptarë të hershëm, të cilët nuk kanë asnjë të drejtë, mohohen, nuk u njihet gjuha e tyre, kultura arvanite arbërore është përvetësuar. Sot dalin çolejt me veshjet kombëtare të shqiptarëve si roje në parlamentin grek dhe evropianët ngazëllehen prej traditave të vjedhura, kinse nuk i dinë shkrimet e konkluzionet e Jakob Philipp Fallmerayer, se revolucioni grek ishte “purely Shqiptarian Albanian, not a Hellenic Revolution”. Pra një revolucion i shqiptarëve dhe jo i grekëve dhe kjo e shkruar pikërisht në vitin 1833, vetëm 3 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Greqisë. Po sot, pas një shekulli e gjysmë ku janë shqiptarët që bënë revolucionin grek, është fjala për pasardhësit e heronjve arvanitas, që nuk kanë asnjë të drejtë etnike në shtetin e ri që formuan vetë me gjakun e sakrificat e tyre.

Pra kjo Greqi e përkëdhelur nga fuqitë evropiane, në sajë të së cilës ka mbijetuar, është e natyrshme që do të mbijetojë  sërish, do të gjendet një mënyrë që të mos bjerë në gjendjen shkatërrimtare të ekonomisë, sepse nuk janë interesat e Europës ta shkërmoqin si fuqi në Mesdhe përballë vendeve arabe. Aq më tepër se territori grek ka shërbyer gjithherë si një urë kalimi të emigrantëve nga Lindja e Mesme  për në Europë. Nëse Greqia do të dalë nga sfera financiare e euros është e natyrshme që duke qenë jashtë kontrollit evropian, ajo për të thithur para do t’i hapë portat e Europa do të shohë një vërshim të ri e të paparë të emigracionit arab në drejtim të saj. Me gjithë ashpërsinë në dukje, europianët e bashkimit do ta përkëdhelin e ledhatojnë edhe më tej  Greqinë.  Nuk ia vlen barra qeranë ta humbë, por ama sa më shumë që e ndihmon Europa, aq më shumë orekset greke shtohen. Duhet patur parasysh se sasinë më të madhe të parave të marra nga Bashkimi Europian ajo i ka kaluar në furnizimin e ushtrisë me armatime. Si mund të konsiderohesh në krizë, kur shpenzon marramendshëm për armatime supermoderne, tej e përtej programit të NATO-s për anëtarët e aleancës? 

Le t’i referohemi shifrave. Në vitin 2008, Greqia ka shpenzuar për ushtrinë rreth 9.3 biliard dollarë dhe është konsideruar importuesi më i madh i armëve konvencionale në Europë. Si mund një vend në krizë që për vitin 2013 të shpenzojë 3 biliard Euro e të mbajë një personel ushtarak prej 108 mijë e 874 vetë. Si mund të konsiderohesh në krizë kur sjell ushtrinë në kufirin me Shqipërinë, sikur të jemi në gjendje lufte, në një kohë që financon pensionet e shqiptarëve, që për interesa ekonomike e mohojnë kombësinë e vet, vetëquhen grekë e marrin pension rreth 380 euro në muaj, pra sa dyfishi i një pensionisti mesatar në Shqipëri, i cili ka punuar tërë jetën dhe jeton mjerueshëm. Ndërsa pensioni mesatar i një pensionisti grek është 700 euro, ku e ku me gjendjen katastrofike të pensionistëve shqiptarë.

Zërat qaramanë të shtetarëve e politikanëve shqiptarë që po lotojnë për krizën greke e kanë një shkak sigurisht, i druhen faktit se mbi 500 mijë emigrantë shqiptarë të mbetur pa punë e mjete jetese do të kqyrin të kthehen në shtëpitë e veta, në Atdhe, e do të bëhen një forcë e lirë pune që do të shtojë varfërinë e krisjet sociale në Shqipëri. Pra thënë shul shqip, qeveritarët kanë hallin e vet edhe ata, duan të mos kenë kokçarje, të vazhdojnë të notojnë në luks e të mos u prishet rehati prej revoltave popullore. Gjithsesi, problemi i emigrantëve shqiptarë në Greqi qëndron, janë në zgrip, kriza së pari do të kalojë mbi ata, por ne jemi shqiptarë që anipse në fat të keq historik, lodhjet, vuajtjet e mundimet na kanë bërë të rezistueshëm. Bëjmë çdo punë, përballojmë vështirësitë dhe mbijetojmë. Dhe besoj se emigrantët shqiptarë do të mbijetojnë edhe në këtë situatë të vështirë sepse pakësohen punët, falimentojnë firmat dhe qytetarët grekë bëhen më dorështrënguar.

E parë në një plan tjetër, do të pyesja këta qeverisës apo deputetë që po shqetësohen aq shumë për krizën greke, se sa i ka të ardhurat një pensionist grek dhe sa e ka një shqiptar, flasim për kushte profesionesh të njëjta. I ballafaqoni e do të shihni se sa poshtë është niveli i jetesës së shqiptarëve, e pastaj përrallisni nëpër  gazeta se kriza greke po bën hatanë tek fqinji i jugut dhe ne qenkërkemi bukur mirë, pa krizë. Kur s’na thonë dhe në lumturi! Kur në të vërtetë ne jemi nën nivelin e detit dhe nuk ka sesi t’i ndjejmë dallgët e krizave. I qajmë hallin kalorësit se i varen këmbët e vetë jemi zhyt mbyt…në fund të detit të krizave.

A keni gjë të thoni për situatën ku ndodhemi të nderuar shtetarë e deputetë, ministra e ofiqarë? A keni gjë të thoni se si mund të jetohet me 100 euro në muaj që ju shtetarë e deputetë nëpër restorante klasi i lini bakshish? A e dini ju që qeverisni se shteti grek që ka afro tre-katërfishin e popullsisë në raport me Shqipërinë dhe pesë fishin e sipërfaqes, ka një qeveri me 16 ministra, ndërkohë që qeveria jonë që është në një vend të vogël fare, me 28 mijë kilometra katrorë sipërfaqe dhe popullsi 2 milion e 800 mijë banorë, ka një qeveri të rëndë me 20 ministra, ndërkohë që kabineti i presidentit amerikan përbëhet nga 15  ministri. Si është e mundur që populli i varfër shqiptar të mbajë mbi supe gjithë këtë barrë të rëndë?  Kujt i hyn në punë se çfarë bën gjithë ditën, ta zëmë, Ministria fantazmë për marrëdhëniet me parlamentin. Parlamenti me Qeverinë janë veç njëmijë hapa larg njëri-tjetrit, e në vend të një postieri vëmë një ministër me një aparat ku rregullojnë taraf e miqësi. Ka një ministri të Mjedisit krejt kot, se nuk ka mbetur ta mbrojë mjedisin një ministri që pushton trotuarin në rrugën “Mihail Duri” në Tiranë dhe qytetarët detyrohen të kalojnë në mes të rrugës, nën rrezikun e ndonjë përplasje që mund t’u kushtojë jetën. Kujt i duhet ministria e Inovacionit e Administratës Publike, një sajesë sa për t’i gjetur vendin një zonje me lidhje e miqësi familjare? Çfarë dreqin bën ministri i shtetit të Qeverisjes vendore? Qeverisja vendore tashmë realizohet nga 61 kryebashkiakë, thuaj të gjithë të partisë në pushtet. Kryeministri dashka një ministër të veçantë për të komunikuar me kryebashkiakët e partisë së tij? Veç kur e thua se kemi pesë ministri më shumë se shteti amerikan me 380 milionë banorë dhe ekonominë më të fuqishme në botë, më të vërtetë ndjehemi rehat, sepse nuk ka krizë që mund t’i bëjë gjë këtij vendi të vogël  me qeverisje të madhe dhe me korrupsion gjigant, me të madhin në Ballkan, bashkë në këtë meritë me vëllezërit tanë në Kosovë. Po le t’i kthehemi Greqisë për të cilën qajnë me lotë e me bot politikanët e shtetarët tanë nën ison e vajtojcave të parlamentit shqiptar.

A keni gjë të thoni cili është standarti i jetesës në Greqi dhe cili është në Shqipëri? Se thirrje për të pasur dhimbje se Greqia po fundoset nuk kanë efektin e duhur tek ata që janë vetë të mbytur. Grekët morën aq shumë para nga Europa e tani nuk kanë si t’i paguajnë. Le të mos i paguajnë. Kush kishte dha. A nuk bëri dhe ish Jugosllavia kështu? Asnjë para nuk u ktheu kreditorëve. Qeveritarët tanë të papërgjegjshëm, që notojnë në luks, që bredhin nëpër Europë e botë, që e kanë bërë Parisin si shtëpi e dytë, që na i vënë edhe fotot e udhëtimeve të veta nëpër faqet e e mediave sociale elektronike, duke u mburrur se hanë e pinë me paratë e shqiptarëve, duhet të dinë këta,  më shumë se të përkëdhelur të fatit – anëtarë të klanit, se jemi ne për të qarë e qeshur, e jo grekët. 

Ju që jeni në krye, që gëzoni privilegje kur populli juaj vuan, qani hallet e popullit shqiptar se për atë ju paguan aq shtrenjtë. Se për grekët mendon Gjermania, Franca, Anglia, Rusia, Serbia dhe tërë miqtë e saj që historikisht e kanë përkëdhelur kur ne na i vinin hanxharët  në trup të Atdheut,  për të ushqyer oreksin e pangopur të saj me tokat shqiptare. Ne nuk gëzojmë kur tjetri vuan, qoftë ky dhe fqinji ynë që na ka vjedhur vatanin, por vuajtjet tona nuk paskan një të ngjashëm në këtë Europën tonë ku jetojmë që kur janë shfaqur qeniet e para njerëzore mbi tokë,  por mjerisht e tragjikisht jemi të përjashtuar.

Fillimi e fundi i fjalës: A keni ndonjë pikë loti për popullin tuaj?! 

28 qershor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Kolec Traboini, Kriza greke, lot, populli, pushtetaret

Grafiti në Prishtinë , fol Glauk Konjufca!

June 28, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Para pak çastesh një grup i të rinjëve në rrugët e  lagjes “Dragodan” kanë vurë mbishkrime kundër amsadorëve në Kosovë.  Në këto mbishkrime kërkohet shkruarja në shtëpi të disa ambasadorëve që operojnë në Kosovë. E pëditshmja “ Zëri” e quajti Aksion kundër amsadorëve në Kosovë. (28.06.15 )
Kurse  qytetari Shpend Bajrami  e tha : “Fillimi i fundit të një populli – komuniteti është atëherë kur atë komunitet, (që s’mund ta quaj popull) e merr malli për zotërinjtë e tij (serbin, turkun) fillon e mallkon miqtë e dashamirët.”
“Në kësi lloj situatash, gjithfarë lloji i aventurierëve, intrigantëve, gangsterëve e psikopatëve shndërrohen thjesht në heronj. Haxhi Qamili ishte njëri prej tyre, njëri ndër më famëkëqijtë e historisë së Shqipërisë. Thirrja e tij “Du`m Babën e jo Papën!” (E duam Sulltanin, e jo Vidin) shprehte mërinë më të madhe ndaj atdhetarëve dhe protagonistëve të pavarësisë dhe urrejtjen më të madhe ndaj flamurit kombëtar, “flamurit me sorrë”. Egërsia e tij ishte djegia e shtëpive dhe pasurive edhe të patriotëve, si ajo e Aleksandër Xhuvanit, Taqi Budës (babai i Aleks Budës) e të tjerëve, thjesht ngase ata donin një Shqipëri pa Turqinë. Haxhi Qamili mundohej ta çonte Shqipërinë përtej Adriatikut dhe Mesdheut dhe ta bashkonte me Turqinë. Ky analfabet dhe injorant turkofil nuk e kishte as më të voglën ide se çdo të thotë Evropa. Ai s’ishte ideologji politike përveç përkushtimit të pafrenueshëm për Dovletin, me të cilin i motivonte ndjekësit dhe mbështetësit e tij.Por, si popull, për t`u bërë gaz i vetvetes, ai u shfaq mu në kohën e shtetit të ri të pavarur shqiptar pikërisht atëherë kur Shqipëria kishte nevojë më shumë se kurrë për maturi, nguti për të ecur përpara dhe për të vendosur themelet e një shteti të vërtetë evropian.Ai u shfaq si një fatkeqësi por mbi të gjitha si një dukuri që e kishim për ta quajtur haxhiqamilizëm dhe shfaqet me përmasa më të vogla, me tendencë rritjeje aty-këtu në shoqërinë mbarëshqiptare edhe pas 100 vjetësh.” (http://floripress.blogspot.com/2011/08/nga-fahri-xharra-pse-nuk-e-deshem-princ.html ,2011 ).Miku im   Fisnik Peja  shkoi me të drejt edhe më largë : “Haxhiqamilet ne aksion.Shqiptaret ne rrezik…
Kurse miku tjetër Sahit Hasani , i brengosur tej  mase shkruan: “Po më duket se ky Popull është kah e lyp që jo vetëm Ambasadorët por ,të tërhiqet komplet përkrahja Ndërkombtare në krye me SHBA dhe BE .”
Pse nuk e deshëm Princ Vidin ,në atë kohë ? Fol Glauk Konjufca !   desha të ta rikujtoj “Viti 1914, Serbia dhe Greqia i filluan pushtimet dhe zaptimet e tyre në Shqipëri, kurse në Shqipërinë e mesme esadizmi morri hov. Atë e përbënin tre krerët më shkatërrimtarë apokaliptikë, si: Esad Pashë Toptani, myftiu Musa Qazimi dhe Haxhi Qamili. Këta ishin tre krerët e një kuçedre, që pasqyronin tradhtinë dhe lakminë, fanatizmin e verbër e krejt këto nën maskën e fesë. Në atë vit, Shqipëria u bë dëshmitare e një dukurie të paparë: agjentët e Patrikanës greke, të lidhur ngushtë me fetarin Musa Qazimi, me njerëzit që pretendonin që luftonin për dinë e dovlet, bashkëpunojnë me çetat shkatërrimtare greke. po sot?
Fahri Xharra, 28.06.2015
Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Go..., Grafiti, Prishtine

Rojet e reja të ideve demokratike!

June 28, 2015 by dgreca

Shkruan: Avdi Ibrahimi/

Njohuritë historike flasin se shtetet e para skllavopronare janë krijuar ne mileniumin e katërt (4) para erës së re, ato përbëheshin prej dy klasave skllevërit dhe skllavppronarët. Ky proces shoqëror historik ka zgjatur me shekuj. Këto shtete u klasifikuan si shtete skllavopronare të lindjes dhe perëndimit. Shtetet më të njohura të lindjes ishin: Egjipti, Babilonia, Kina, India, Persia, Asiria, Fenikia, dhe shteti Hebrenj. Shtete më të njohura perëndimore ishin: qytete – shtete Ilire, Greke, dhe shteti i Romës. Shtetet skllavopronare qëndruan deri në shekullin e pestë (5) të erës së re. Pas shembjes së shoqërisë skllevërit dhe skllavopronaret, lindi një organizim i ri. Feudalizmi ky emërtim vjen prej fjalës gjermane “feud” që do të thot prone bujqësore. Në shoqërin feudaliste poashtu egzistuan dy klasa shoqërore feudalet dhe bujkrobërit. Sistemi feudalist sikurse ai skllavopronar zgjati me shekuj. Ky sistem shoqëror u zhvillua nga shekulli pestë (5) të erës së re deri në shekullin tetëmdhjetë (18) të erës së re. Gjatë këtyre shekujve u zhvillua një luftë e ashpër klasore ndërmjet bujkërobërve dhe feudalëve. Sikurse klasa sunduese sklavopronare dhe ajo feudale, klasën e skllevërve dhe bujkërobërve i përçmuan, persekutuan, dhunuan, djegën në turrën e druve, varen në litar, dhe masakruan, duke mos u ngopur me zingjirët në qafë e pranga në këmbë e duar të sklevërve dhe bujkërobërve në shekuj tmerrësisht të gjatë. Tashmë këto dy sisteme – ide i takojnë të kaluarës. Dy shekujt e shkuar dhe fillim shekulli i tretë njëzet e një, XIX – XXI, po jetojmë në sistemin e idesë kapitaliste. Idealistë të kapitalizmit thonë kapitalizmi është: ” Pula që bënë vezën e artë”? Burim i kësaj pasurie të madhe që ne e gëzojmë është periudha e zhvillimeve të mëdha ekonomike, krahasuar me të gjitha periudhat e mëparshme.

Në shkollë mësohet që kapitalizmi shfrytëzon pamëshirshëm pasurit natyrore, ujore dhe klasën punëtore. Kështu thuhet se kapitalizmi i njerëzëve super të pasur ka sjellur rritjen e papunësisë, kapitalizmi po prodhon pabarazi? Kështu ai po rrëshqet drejt në autoritarizëm, masa popullore vështir se do ta pranoj autoritarizmin. Jetojmë në shekullin e zbulimeve të mëdha të teknikës. Pothuaj çdo ditë flitet për fitore të reja që prodhon mendja e njeriut në këtë fillim shekull. Pushtohen elementet e panënshtruara, të kohës dhe hapsirës, tashmë po i tregohen këto të fshehta njerëzimit. Qytetërimet e ashpra e primitive të njerëzve tanë parahistorik, këto shoqëri drakoniane ndiqnin logjikën e një ideje. Paçka se çdo ide – besim shënonte në një fare mënyre dhunën për ta vë në zbatim ideimin e ideve dhe besimeve në kohën e vetë.

Spartanët vënë në zbatim ligjin e disiplines deri në marrëzi, qëllimi i kësj disipline ishte pastrami i racës për krijimin e një brezi burrëror e të aftë për të luftuar. Kurse çifutët e luftonin kënaqësinë, për shpëtimin e shpirtit, kisha më e ditura e psikologëve, i kundërvihet kënaqësisë fizike përmes idealit të shpirtit, kokëfortësisë së dietarëve të materializimeve idealiste i thyente duke i dënuar në burgje e djegie në turra drush për ta kthyer shpirtin në portën hyjnore, mbase edhe kjo logjik mizore, po më këtë ata donin ta mbronin idenë e besimit kristian.

Kjo dukej sikur i nënshtrohej përulësisht idesë së besimit shpirtëror të besimeve fetare. Njeriu modern i shekullit XXI, mendon se puna e sundimeve me anë të mizorive ka mbaruar, prej shumë kohësh dhe ajo ndezje e here pas herëshme e njeriut të “kulturuar” bashkëkohorë janë vetëm vetëtimat e fundit të stuhive të së kaluarës. Na duhet të durojmë edhe disa vite të tjera dhe raca njerëzore, e cila ka bërë një ngritje kaq të lartë teknologjike, do ti pastroj nga primitivizmi përpëlitjet e kafshërisë plakë që po jep shpirt. Kujdes thotë njeriu i “kulturuar” mos e trembni me fjalime njeriun e së kaluarës të burgosur prapa hekurave të besimeve fetare. Mos e pyesni shumë për idealin e tij dhe ai do të zbutet, kaloni aty pranë sikur nuk ju intereson asgjë nga e kaluara e tij. Ky është morali i sukseseve të jshtëzakonshme të shkencës së shekullit që lame prapa. Zbulimet e reja shkencore luftojnë idetë e vjetra, por në njëfarë mënyre edhe sundimtaret e ideve bashkëkohore demokratike kanë vënë në levizje një armatë të tmerrshme rojesh të veshur si mësues të ideve të reja demokratike, janë ngritur në këmbë idealistet e ri për t’ia rrëmbyer popujve lirit kolektive e kombëtare, për mbrojtjen e lirisë së individit – kapitalistit. Si është e mundur që ideja e pluralizmit demokratik të zhvillohet pa drejtësi e ndershmëri, si ka mundësi të përhapet dije dhe dritë nga mësuesit injorantë ? Kur dihet se injoranca sjell mizori edhe më të keqe se të njeriut të së kaluarës! Kjo ashpërsi mizorie nga një brez pedagogësh të pamëshirshëm, kur atyre u mungon dituria e përhapjes së ideve të reja.

Për shkak të ideve kundër sundimtarëve të tyre Iksionni u lidh me gjarpërinjë në rrotën e qerrës dhe vërtitej në tatar; Prometeun e kishin ngujuar për shkëmbi, pse ai kishte sjellur dritën njerëzve; Sizifin e kishin dënuar me bartjen e gurit, pse ai i kishte mashtruar zotrat; Laokontin e kishin mbështjellur me gjarpërinjë helmues pse ai s’kish pranuar të futej kali i danajve në Trojë.; Sokrati ishte denuar nga Sundimtari i tij me kupen e helmit pse ai kishte përhapur ide të reja për lirin e të shtypurve; Gjordano Bruno ishte djegur në turrën e druve pse ai kishte thënë të vërtetën se toka sillet rreth bushtit të tij; Adem Demaçi ishte dënuar nga pushtuesi jugosllav me 28 vite burg, pse ai kishte dashur lirin e shqiptarëve dhe bashkimin e tyre me një shtet të vetëm Shqipërinë; Ukshin Hoti po dergjej burgjeve dhe më nuk dihet asgjë për fatin e tij, pse ai kishte kërkuar të drejta kombëtare për shqiptarët e robëruar nën Jugosllavi; Albin Kurti lider i Lëvizje “Vetëvendosje” për disa here është burgosur nga qeveritar të Kosovës, pse ai po kërkon që populli të vetëvendosë për fatin e tij me anë të referendumit, e jo popullin të mos e pyes askush, por t’u imponohet gjithçka nga të huajt, nëpërmjet liderëve tanë politikan servil.

Kohë më pare kisha lexuar mendimet filozofike të: “ Demokratit, Rousseaut, këtij teoriticienti të demokracisë dhe sovranitetit të “Vullnetit të Popullit”, dhe nga gjithë këto mendime e fraza të paraqitura nga ai, bien në antagonizma me idetë e tjera filozofike, por që të gjith disi shprehin mendimin e një të vërtete, dhe kur lexoni librin e Isaiha Berlinit “Katër ese mbi lirinë”, ka një argument krejt tjetër mbi lirin e pluralizmit. Berlini thotë: “…Po shikoni, e gjithë kjo është një gjë e bukur, për këto që po proklamojnë, dhe që besojnë vetëm në një të vërtetë nuk është liri. Liri do të thotë të të lënë vetëm. Liria është sferë e autonomisë, dhe hapësirë e pacënuar politike të cilën nuk mund ta prekë asnjë autoritet apo grupim politik.” Në të vërtetë thotë Berlin, këto pseudo liri të larta: “… Që na i shesin profetët e njëshit janë paksa të rrezikshme.

Ata proklamojnë se një vlerë e vërtetë është mbi të gjitha të tjerat. Kështu më në fund lirit e popujve shkilen nga më të fortit. Kokat hiqen. Madje me miliona. Ndërsa shpirti i traditës liberale politike është besimi se askush nuk e di sekretin e qëllimit, dhe secila nga këto meriton të respektohet..”. Mu nga ky pluribus del edhe liria jonë.Bukuria sublime e demokracise është një frazë boshe. Politikanët pushtetarë idenë e demokracisë e kanë përshtatur për interesa të veta personale dhe klanore, dhe as që duan t’ja din se po shkilen interesat e popullit dhe të kombit. Ky edukim sistematik i ideve që nga lashtësia e deri sot u perhap nga profetët e ideve me anë të frikës dhe dhunës, kështu tronditi baraspeshimin e brendshëm të races njerëzore. Kundërshtarët e këtyre ideve i denuan në burgje dhe i keqtrajtonin në mënyra më mizore. Kjo marrëzi njerëzore e sundimtarëve dhe kundërshtarëve të ideve të tyre është mire të marrë fund në shekullin XXI, se vitet në vijim do t’i lënë prapa kapitalistet, ashtu siç i lane skklavopronarët dhe skllevërit, ashtu siç i lane feudalet dhe bujkërobërit. Tani më klasa punëtore e shfrytëzuar mizorisht nga kapitalisti po e kupton për ditë e më shumë se duhet ndërtuar një sistem të ri me ide të reja për barazi sociale. Kjo ide mbetet të shihet se a do të ndërtohet nga njerëz të ditur, të cilët nuk do të lejonin heqje kokash për një mendim ndryshe, ku njerëzit do të jetonin të kulturuar si në “Qytetin e Diellit” të Tomanzo Kampanelas ? Ç’farë në të vërtetë duan të jetejë botoa e qytetruar njerëzore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Avdi Ibrahimi, idete demokratike, rojet

Greqia dhe 83 shtetet qe kanë falimentuar gjatë dy shekujve të fundit

June 28, 2015 by dgreca

– Nuk janë të pakta rastet kur vendet ngrenë ”flamurin” e falimentimit përshirë SHBA-në, Gjermaninë, Japoninë apo edhe Anglinë që kanë rënë preh e krizave financiare –

Nga Gulbim Yildirim /

UASHINGTON, 28 qershor – Duket qartë që nuk janë të pakta rastet kur vendet ngrenë ”flamurin” e falimentimit duke pasur parasysh këtu që rreth 83 shtete të botës përshirë SHBA-në, Gjermaninë, Japoninë apo edhe Anglinë kanë rënë preh e krizave financiare dhe e pamundësive të likuidimit.Rënia përsëri në krizë financiare e Greqisë, që është sot në plan të parë për botën na solli përsëri në mendje rëniet e vendeve të tjera më parë.Sipas të dhënave të klasifikuara, që nga shekulli XIX, nga 83 vende që ranë në krizë financiare dhe në pamundësi likuiditeti ndaj borxheve të brendshme dhe të jashtme, vetëm katër prej tyre arritën të dalin me sukses.Katër shtetet në fjalë janë Australia, Zelanda e Re, Belgjika dhe Kanadaja.Ndërkohë që mes shteteve që ngritën ”flamurin” e falimentimit kishte edhe ekonomi të mëdha botërore.

– As SHBA-ja nuk i ka shpëtuar dot falimentimit –

Edhe pse nuk dihet shumë, SHBA-ja që nga formimi si shtet deri në ditët tona ka rënë pesë herë në gjendje krize likuiditeti ku nuk ka mundur të shlyejë borxhet.

Rasti i parë i këtyre krizave të cilat zakonisht janë përjetuar për shkak të problemeve në sektorin bankar ka qenë ajo e vitit 1790, ndërsa e fundit në vitin 1933.

Për këtë arsye disa ekonomistë mospagesën e bonove të kursimit të shtetit të prillit dhe majit të vitit 1979 e vlerësojnë në kategorinë e rënies së likuiditetit dhe problemeve financiare.

Problem i dalë për shkak të mosrritjes së tavanit të borxhit nga Senati Amerikan pas aprovimit të ligjit gjeti zgjidhje.

Por, nga ana tjetër borxhi i brendshëm i cili pritet të kalojë PBB-në në vitin 2039 mund të çojë SHBA-në në një falimentim apo në një rënie të likuiditetit financiar.

– Gjysma e Evropës falimentoi –

Përpjekjet e liderëve të Evropës për të nxjerrë Greqinë nga kriza financiare është për shkak të përvojës së tyre vitet e fundit ku një numër i madh vendesh u gjenden përballë falimentimit.

FMN sipas një kërkimi mbi falimentimet dhe krizat financiare të vendeve të Evropës nga vitet 1800-2012 thotë se 22 nga 47 vendet e Europës nuk i shpëtuan dot krizës financiare dhe falimentimit.

Për shembull Gjermania, e cila është forca e katërt ekonomike në botë dhe e para e BE-së, në vitet 1939-2015 ka kaluar tetë kriza financiare. Vend i cili për herë të fundit falimentoi në 1939 dhe 1948 ka arritur suksesin e sotëm për shkak të reformave shtrënguese.

Nga ana tjetër edhe Britania e cila gjendet në pesë ekonomitë më të mëdha në botë ka falimentuar pesë herë ku ajo e fundit ishte në vitin 1932.

– Spanja dhe Austria e lanë pas Greqinë –

Spanja është vend i cili ka falimentuar më shumë se çdo vend tjetër në BE. Ajo ka falimentuar gjithsej nëntë herë ku tetë herë i përkasin shekullit XIX dhe një herë në shekullin XX.

Spanjën e cila falimentoi për herë të fundit në 1939 e ndjek Austria me shtatë falimentime dhe më pas Greqia me gjashtë.

Por, në rast të ndonjë mosmarrëveshjeje me kreditorët, Greqia rrezikon të përjetojë falimentimin e shtatë.

Tani e gjithë bota është e inkuadruar në faktin se nëse Greqia do të mund të paguajë apo jo borxhin e FMN-së në kohë. Kohë kjo e cila përfundon më 30 qershor.

Portugalia me katër histori falimentimesh dhe Rumania me tre ndiqen nga Franca, Danimarka, Holanda dhe Suedia të cilat kanë falimentuar nga një herë.

– Oqeania i vetmi rajon që nuk ka asnjë vend të falimentuar –

Në kontinentin aziatik 14 nga 47 vende janë përshirë në falimentim ku mund të përmendim dhe fuqi të mëdha ekonomike si Kina, India apo dhe Japonia.

Kina e cila po përparon për në vendin e parë të ekonomisë botërore ka falimentuar gjithsej katër herë që nga viti 1800, ndërsa Japonia dy herë.

Ndërkohë në kontinentin afrikan ku uria dhe skamja është e pranishme kudo 22 vende nga 54 kanë rënë në kënetën e falimentimit.

Nga ana tjetër 14 vendet e Oqeanisë ku ndër të tjera mund të përmendet Australia, Zelanda e Re apo edhe vendet e Antarktidës janë vendet që nuk e kanë ”shijuar” asnjëherë falimentimin.

– Vendet e Amerikës Latine në krye të listës së falimentimeve –

Vendet e Amerikës Latine janë në krye të listës përsa i përket problemeve financiare në 200 vitet e fundit.

Dymbëdhjetë vende të Amerikës Latine të paktën një herë kanë falimentuar. Ndërsa në Amerikën e Veriut 13 nga 23 shtete për shkak të problemeve të likuiditetit dhe ato financiare të paktën një herë kanë shpallur falimentimin.

Krahas kësaj vendet të cilat kryesojnë për falimentim janë Peruja, Venezuela, Ekuadori të cilat kanë falimentuar plot nga 10 herë. Ato i ndjekin Rusia, Brazili, Meksika, Uruguai, Kili, Kosta Rika dhe Spanja me nga nëntë herë.

Ndërkohë që këto vende pasohen nga Argjentina me tetë falimentime, Kolumbia, Republika Dominikane, Guatemala, Paraguai dhe Austria vjen më pas me nga shtatë falimentime secila. Pas tyre vjen Turqia, Greqia, dhe Nikaragua të cilat kanë falimentuar nga gjashtë herë

Filed Under: Analiza Tagged With: 83 shtete, falimentuan, per 2 shekuj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 781
  • 782
  • 783
  • 784
  • 785
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT