• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A e dini gjuhën shqipe, zoti Kryeminstër?

May 29, 2015 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Ndoqa me interes punimet e Forumit Ekonomik të Vienës, ku merrnin pjesë Kryeminstrat e Shqipërisë, Kosovës, Sërbisë, Malit të Zi, Bosnjes dhe Maqedonisë, si dhe mjaft personalitete të tjerë te shquar të këtij forumi. Ndoqa fjalët e mbajtura për rrugët që duhet të ndiqen për afrimin e këtyre vendeve në gjirin e Europës së Bashkuar. Nuk jam specialist për këto çështje dhe nuk do të flas për to. Por më tërhoqi vrejtjen një veçanti që binte në sy për këdo shqiptar. Të gjithë Kryeministrat pjesmarrës i mbajtën ligjëratat përkatëse në gjuhët e tyre dhe ishin përkthyesit ata që e përkthenin në gjuhën e secilit. Kështu edhe Kryeministri i Kosovës foli në gjuhën Shqipe. Por një gjë të tillë nuk e vumë re te Kryeminstri ynë. Përse? Mos vallë ai nuk e di gjuhën shqipe? Në të njejtën linjë me të shkoi edhe Ministri i Ekonomisë. Një fenomen të tillë tek këta zotërinj e kemi hasur edhe në takime të tjera ndërkombëtare. Mos vallë nuk e ka gjuha shqipe elokuencën e gjuhëve të tjera? Ndaj dua t’i pyes:
•A dini gjuhën shqipe, zoti kryeministër dhe ju zoti Ministër?
Hidhni vështrimin në qytetet e vendit tonë. Kaloni nëpër rrugët e tyre dhe lexoni
reklamat e dyqaneve apo kinemave. Të duket vetja sikur je në rrugët e Londrës apo New Yorkut. Rrallë të sheh syri ndonjë reklamë në gjuhën shqipe. Dëgjoni fjalorin e përdorur nga gazetarët dhe analistët nëpër televizione apo gjithë të rinjtë tanë në përgjithësi. Dëgjoni deputetet dhe pushtetaret. Mbizotërojnë fjalët e huaja dhe kryesisht ato angleze. Edhe në festivalet e ndryshme muzikore, që janë të pafund, mbizotërojnë këngët e huaja, madje do të thoja kryesisht të tilla. Përse ndodh një gjë e tillë në vendin tonë?
Para shumë vitesh parlamenti francez miratoi një ligj që ndalonte përdorimin e gjuhës së huaj në emërtimet e reklamave e të tjera. A nuk është koha që një ligj i tillë të miratohej edhe te ne. Por kush duhet të jetë nismëtari i një inisiative të tillë? Dikush mund të thotë se duhet të jetë Akademia e Shkencave ose më mirë Instituti i Gjuhësisë. Edhe unë e pranoj se një nismë e tillë duhet nisur nga ata. Po kur ata e kanë harruar këtë detyrë ç’duhet bërë? Mos duhet heshtur?
Në një shtet normal do të ishin organet shtetërore ato që do ta kryenin këtë detyrim, do të ishte Ministria e Arsimit dhe natyrisht edhe kreu i qeverisë. Por edhe ato e kanë harruar gjuhën shqipe. Kryeministri, për fat të keq, nuk e di gjuhën shqipe pasi nuk ka mundësi që në një takim ndërkombëtar si ai i zhvilluar në Tiranë kryeministrat e vendeve të tjera të flasin në gjuhën e tyre, ndërsa Kryeministri ynë në anglisht. Pra, të nderuar lexues, më ktheni një përgjigje për këtë çështje. Unë po ju pres.
Ndërkohë ndër mend më tingëllojnë vargjet e arta të poetit të madh kombëtar, At Gjergj Fishta:
Pra, mallkue njai bir Shqyptari, 
qi këtë gjuhë të Perëndis’, 
trashigim, qi na la i Pari, 
trashigim s’ia len ai fmis; 
edhe atij iu thaftë, po, goja, 
qi përbuzë këtë gjuhë hyjnore; 
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja, 
flet e t’veten e lèn mbas dore. 

Filed Under: Analiza Tagged With: A e din gjuhen shqipe, kryeminstri, reshat kripa

Kambanat e alarmit bien për UÇK-në

May 28, 2015 by dgreca

Pse proceset «Drenica 1» dhe «Drenica 2» janë procese politike?/
Shkruan:Bardhyl Mahmuti/
Duke e parë veten si pjesë të pandashme të njerëzimit shkrimtari i madh amerikan Ernest Heminguej e konsideronte si humbje për njerëzimin humbjen e secilit njeri, fatkeqësitë që mund t’i ndodhnin secilit njeri, padrejtësitë që mund t’i ndodhnin secilit njeri … Për këtë arsye, ai na drejtohet që të mos pyesim se për kë bie kambana në rast fatkeqësie, sepse ajo bien për ne.
Proceset «Drenica 1» dhe «Drenica 2» janë kambana të alarmit se në proceset e montuara gjyqësore qëllimi politik është i qartë: të dënohet lufta çlirimtare e popullit të Kosovës. Prandaj, Nëse parafrazohet Hemingueji atëherë mund të themi lirisht se kur dëgjoni kambanat e padrejtësisë kundër Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe bashkëluftëtarëve të tyre mos pyetni se për kë bie kambana. Ato bien për ne si shqiptarë!

Pse proceset «Drenica 1» dhe «Drenica 2» janë procese politike?

Që nga ardhja e tij në Kosovë, fillimisht në kuadër të UNMIK-ut e më vonë në kuadër të EULEX-it, prokurori italian Maurizio Salustro nuk ngriti asnjë aktakuzë të vetme kundër kriminelëve serbë që kishin kryer krime në Kosovë. Të gjitha ndjekjet dhe paditë i orientoi kundër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nuk po i përmend të gjitha proceset që ngriti ky prokuror kundër udhëheqësve të disa zonave operative të UÇK-së. Po kufizohem vetëm në periudhën pas miratimit të Raportit të Dick Marty-t nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës më 25 janar 2011. Ky vendim e mobilizoi prokurorin Maurizio Salustro si asnjë prokuror tjetër më parë.
Një muaj pas miratimit të raportit të Dick Marty-t, në mars të vitit 2011, i ngarkuar nga EULEX-it si shef i Departamentit për Krime lufte në Kosovë, Maurizio Salustro urdhëroi arrestimin e Fatmir Limajt dhe nëntë luftëtarëve të Zonës Operative të Pashtrikut të UÇK-së.
Për ata që nuk e njohin Fatmir Limajn po sjell shkurtimisht disa të dhëna. Ai është njëri ndër komandantët më të njohur të UÇK-së dhe pas përfundimit të luftës ishte njëri ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, nënkryetar i saj dhe Shef i Grupit Parlamentar i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.
Më 17 shkurt 2003 Kryeprokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte, ngriti aktakuzë kundër Fatmir Limajt. Në kohën kur u bë publike aktakuza kundër tij, Fatmir Limaj ndodhej në vizitë private në Slloveni. Ai u dorëzua te autoritetet sllovene dhe kërkoi ta shoqëronin për në Hagë, i gatshëm të ballafaqohej me drejtësinë ndërkombëtare.
Procesi gjyqësor kundër tij, i mbështetur në akuza të përpiluara në bazë të burimeve serbe, filloi më 15 nëntor 2004 dhe pas një viti shqyrtimi të kësaj lënde, më 30 nëntor 2005, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e shpalli Fatmir Limajn të pafajshëm. Më 27 shtator 2007 Dhoma e Apelit hodhi poshtë ankesën që bëri Carla Del Ponte ndaj këtij vendimi dhe konfirmoi pafajësinë e Fatmir Limajt.
Fatmir Limaj u kthye i lirë në Kosovë pak kohë para se Carla Del Ponte ta botonte librin e saj, nga i cili kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës shkoqitën përmendjen e pretendimeve për trafikim me organet njerëzore.
Edhe pse asnjëherë nuk kishte qenë i sistemuar në Zonën Operative të Drenicës, në librin e Carla Del Pontes dhe në Raportin e Dick Marty-t Fatmir Limaj figuron si njëri nga anëtarët e «Grupit të Drenicës»! Kjo e pavërtetë ishte publikuar në “librat e bardhë” të Shërbimit Sekret Serb shumë vite para se të botohej libri i Carla Del Pontes apo Raporti i Dick Marty-t.
Paraqitja e Fatmir Limajt nga Carla Del Ponte, Dick Marty dhe nga shumë kumbarë të tjerë të sajimeve të Shërbimit Sekret Serb si pjesëtar i «Grupit të Drenicës» dëshmon për “plagjiaturën” që këta autorë kanë bërë nga burimet “sekrete” serbe të shpërndara publikisht.
Duke u mbështetur ekskluzivisht në burimet serbe dhe “dëshmitarët” e ofruar nga Prokuroria serbe për krime lufte, më 25 gusht 2011 Maurizio Salustro ngriti aktakuzën kundër Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Krasniqit, Naser Shalës, Sabit Shalës, Refi Mazrekut, Arben Krasniqit, Shaban Shalës, Behlul Limajt dhe Besim Shurdhajt.
Procesi gjyqësor kundër këtyre dhjetë pjesëtarëve të UÇK-së filloi më 11 nëntor 2011 dhe pasi u shoshitën të gjitha provat e ofruara nga të dyja palët, më 2 maj 2012, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e hodhi poshtë akuzën e Maurizio Salustros dhe të gjithë të akuzuarit u liruan si të pafajshëm.
Maurizio Salustro u ankua ndaj këtij vendimi dhe Gjykata Supreme e Kosovës, më 20 nëntor 2012, e ktheu këtë lëndë në rigjykim. Rigjykimi filloi më 13 prill 2013.
Ndërsa zhvillohej rigjykimi i dytë i Fatmir Limajt dhe i nëntë ushtarëve tjerë të UÇK-së, më 23 maj 2013 Gjykata Komunale e Mitrovicës lëshoi urdhër arrest kundër Sylejman Selimit, ish-Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që ishte ambasador i Kosovës në Tiranë, Sami Lushtakut, ish-Komandant i Zonës Operative të Drenicës, që ishte zgjedhur Kryetar i Komunës së Skenderajt në zgjedhjet e lira të vitit 2009, dhe pesë ushtarëve të kësaj zone operative: Sahit Jasharit, Jahir Demakut, Zeqir Demakut, Hysni Thaçit dhe Avni Zabelit.
Jo vetëm akuzat ndaj këtyre personaliteteve të shquara të UÇK-së por edhe emërtimi «Grupi i Drenicës» ishte marrë nga «Libri i Bardhë» që e trajtova më lart.
Fatkeqësisht, prezantimi i këtyre komandantëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së si të ishin pjesëtarë të një “grupi” dominoi në shkrimet dhe emisionet televizive që mbuluan këtë rast. Ky prezantim ka marrë përmasa aq të mëdha sa termi «Grupi i Drenicës» përdoret aq shpesh si të ishte një realitet e jo stigmatizim i sajuar nga Shërbimi Sekret Serb.
Gjykata e Apelit mori vendimin që shtatë pjesëtarët e lartpërmendur të UÇK-së të mbaheshin në arrest shtëpiak deri në fillimin e procesit gjyqësor. Edhe pse asnjë udhëheqës apo ushtar i UÇK-së nuk i iku ballafaqimit me drejtësinë, Maurizio Salustro u ankua kundër vendimit me arrest shtëpiak. Dëshironte t’i shihte të burgosur! Gjykata e Apelit anuloi vendimin e mëparshëm dhe e shndërroi masën e arrestit shtëpiak në paraburgim.
Më 31 maj 2013 u arrestuan shtatë ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe u dërguan në burgje për të plotësuar kërkesën e Maurizio Salustro-s.
Paralelisht me veprimet kundër ish-pjesëtarëve të Zonës Operative të Drenicës, Maurizio Salustro vazhdoi procesin e dytë gjyqësor kundër Fatmir Limajt dhe nëntë ushtarëve të Zonës Operative të Pashtrikut. Mirëpo, pas pesë muajsh, më 17 shtator 2013, Gjykata e Qarkut në Prishtinë i hodhi përsëri poshtë akuzat e pabaza të Maurizio Salustro-s dhe i liroi si të pafajshëm Fatmir Limajn dhe nëntë ushtarët tjerë të UÇK-së.
Edhe ndaj këtij vendimi shefi i Departamentit për Krime lufte në Kosovë, Maurizio Salustro bëri ankesë dhe në momentet kur jam duke i shkruar këto rreshta, Gjykata e Apelit ende nuk ka vendosur lidhur me këtë ankesë.
Nga ana tjetër, më 6 dhjetor 2013 filloi gjykimi i Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe pjesëtarëve të lartpërmendur të Zonës Operative të Drenicës.
Një muaj më vonë, më 9 janar 2014, Maurizio Salustro njoftoi se largohet nga funksioni i tij në Kosovë pa dhënë asnjë sqarim për angazhimet pas largimit nga Kosova. Tre muaj më vonë, të gjitha mediat njoftuan se ish-shef i Departamentit për krime lufte në Kosovë, Maurizio Salustro “ishte punësuar në Beograd, si këshilltar në Prokurorinë serbe për krime lufte.”
Nëse i hedhim një sy makinave kërkuese në internet rreth kësaj çështjeje do të shohim me qindra artikuj në të cilat shprehet revolta e Kosovës për këtë veprim të Salustro-s.
As Maurizio Salustro e as Prokuroria serbe për krime lufte nuk dhanë asnjë sqarim për muaj të tërë. Por, kur shpërtheu skandali i korrupsionit në kuadër të EULEX-it dhe kur shefja e diplomacisë evropiane ngarkoi juristin francez Jean-Paul Jacqué që të hetojë këtë skandal, Prokuroria serbe për krime lufte reagoi duke pohuar se “asnjë i dyshuar i EULEX-it nuk është punësuar në kuadër të kësaj prokurorie.”
Cila është e vërteta për skandalin e korrupsionit dhe “punësimin” e Maurizio Salustro-s në Prokurorinë serbe për krime lufte mbetet të shihet. Por, ajo që dihet tashmë qëndron në faktin se, as Prokuroria serbe për krime lufte e as prokurorët ndërkombëtarë që erdhën në Kosovë, nuk kanë bërë asnjë hap për të çuar drejtësinë në vend.
Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, familjarët e 1392 fëmijëve, të 1739 grave dhe të rreth 10000 civilëve shqiptarë të të gjitha moshave që u vranë gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit në Kosovë presin ngadhënjimin e drejtësisë! Familjarët e 1657 personave të cilët ende konsiderohen të zhdukur jetojnë në ankthin e përditshëm të zbulimit të rrethanave të zhdukjes së tyre.
Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë 20.400 femra shqiptare, të përdhunuara në funksion të zbatimit të politikës së gjenocidit, presin dënimin e kriminelëve!
Nuk mund ta di se cili do të jetë rezultati i hetimit të Bashkimit Evropian dhe nëse do të zbulohen prokurorët që janë korruptuar për të lënë në heshtje paditë kundër kriminelëve të vërtetë që kryen krimet më të përbindshme në Kosovë. Por, atë që mund ta them nga ajo që kemi parë deri tani del qartë se mosndëshkimi i kriminelëve për krimet e kryera është shndërruar në njërën nga pengesat e mbylljes së kapitullit më tragjik të dekadës së fundit të shekullit XX. Plagët e hapura nga lufta gjenocidare e regjimit të Milošević-it nuk mund të shërohen pa ndriçimin e plotë të të gjitha krimeve. Mbeturinat e regjimit të vjetër dhe kumbarët e nocioneve që stigmatizonin UÇK-në si “organizatë terroriste” janë bërë pengesa kryesore që të dalë në shesh e vërteta e plotë. Ajo e vërtetë për “listën e krimeve të bëra nga Shërbimi Sekret Serb kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë që do ta rrëzonte në gjunjë Serbinë.”
Gjunjëzimi i Serbisë së Milošević-it, logjika e të cilit ende mbizotëron në institucionet shtetërore, është kusht i domosdoshëm për ngadhënjimin e demokracisë në Serbi dhe do të hapte rrugën e pajtimit mes popujve.
Për këtë arsye, publikimi i listës së plotë të krimeve që Shërbimi Sekret i Serbisë i ka bërë kundër civilëve serbë, shqiptarë dhe pjesëtarëve të përkatësive tjera etnike, listës për të cilën fliste ish-Shefi i Shërbimit Sekret Serb, Radomir Marković-i, do të ndriçonte krimet që janë kryer në Kosovë. Sipas mendimit tim, hedhja dritë në këto krime të përbindshme do të përshpejtonte ngadhënjimin e drejtësisë sepse do të krijonte klimën e përgjithshme për domosdoshmërinë e ndëshkimit të kriminelëve të vërtetë. Publikimi i listave të vërteta të kryera me urdhër të Shtabit Strategjik të Milošević-it do të nxirrte në dritë gënjeshtrat e listave që ishin përpiluar në funksion të manipulimit me opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Jo vetëm kaq! Kjo do të kishte ndriçuar edhe punën e prokurorëve ndërkombëtarë që kanë ngritur aktakuza duke u mbështetur në burimet e këtij shtabi strategjik, pasojat e të cilit i mbajnë mbi kurrizin e tyre Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe udhëheqës tjerë të UÇK-së.
Ndriçimi i plotë i këtyre ngjarjeve do të nxirrte në shesh motivet politike dhe ideologjike të krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës që do të merrej me pretendimet e propagandës serbe dhe të kumbarëve të tyre për krimet që gjoja kanë kryer udhëheqësit tjerë të UÇK-së.
Padrejtësia troket në dyert e Kosovës! Kjo u pa edhe nga Konferenca e Clint Williamson-it!
Pohimet e Kryeprokurorit Williamson se nuk kanë siguruar prova për trafikimin e organeve njerëzore, se gjatë hetimeve trevjeçare nuk siguruan as provat dhe as dëshmitarët që do të konfirmonin pretendimet për krimet e kryera nga ana e UÇK-së dhe imponimi i krijimit të një Gjykate Speciale për t’i gjykuar “krimet e UÇK-së” pa prova dhe pa dëshmitarë është dëshmi se padrejtësia troket fuqishëm në dyert e Kosovës!
«Mashtrimi i Madh» f. 551-557
Padrejtësia e madhe u pa edhe në dënimin e personaliteteve të shquara të UÇK-së në proceset politike «Drenica 1» dhe «Drenica 2». Dënimi i Sylejman Selimit, Sami Lushtakut, Jahir, Zeqir e Nexhat Demakut, Hysni Thaçit, Bashkim, Selman dhe Driton Demajt… pa prova dhe me dëshmitarë të rrejshëm është dëshmi se ndërhyrja politike ka marrë në duart institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Dënimi i Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm, i Komandantit të Zonës Operative të Drenicës dhe bashkëluftëtarëve të tyre për “krime lufte” nxori në shesh propagandën boshe se gjoja proceset e tilla gjyqësore “nuk e paragjykojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Kosova dhe gjithë rajoni kanë nevojë për DREJTËSI! Por, drejtësia nuk ngadhënjen me dënimin e çlirimtarëve që kapën pushkët në mbrojtje të popullit. Dënimi i atyre që i dolën përballë makinerisë gjenocidare serbe është turp i ndërhyrjes politike në institucionet e drejtësisë. Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe bashkëluftëtarët e tyre duhet të lirohen menjëherë dhe t’u thuhet publikisht:Ju lumtë pushka trima!

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, bien për UÇK-në, Kambanat e alarmit

EDHE NJË HERË PËR ELHAIDËN

May 26, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Prezantimi i Elhaida Danit në Eurosong nuk dha atë që publiku priste. Elhaida e ka formatin vokal për të rrëmbyer jo vetëm zemrën e shqiptarëve, por edhe të gjithë Europës dhe botës. Shansi i Vjenës i shkoi dëm.
Elhaida u shfaq e kontraktuar dhe nuk arriti të eksplodojë me potencialin e saj.
E pra, i kishte të gjitha mundësitë. Nuk është faji i saj natyrisht. Por gjithsesi, ajo tani e ka moshën për të shfaqur personalitetin e saj edhe si artiste, edhe si njeri.
Thuhet rëndom se në Shqipëri, Artistët nuk kanë sukses. Kur kemi parasysh Rita Orën që ka pushtuar botën, por zhvillimin e saj e ka marrë në Britaninë e Madhe dhe jo në trojet shqiptare. Po të shohim edhe gjithë Artistët shqiptarë që kanë bërë emër në botë, këtë gjë e kanë arritur vetë dhe jo me ndërmjetësinë e shtetit amë, i cili duket si barrierë për talentet shqiptare. Dhe jo vetëm duket, por edhe është barrierë. Sepse e politizojnë artin. Ashtu si shfaqen dasitë në politikë, e njëjta gjueti shtrigash është edhe në art, ku meritokracia nuk njihet.
Edhe stafi që shoqëroi Elhaida Danin nuk ishte i duhuri, ishte një staf politik i përzgjedhur nga politika. Elhaida Dani do të duhej të shoqërohej nga një staf profesionistësh të klasit të parë dhe në Shqipëri e trojet shqiptare këta njerëz mund t’i gjesh, por shteti nuk do t’i gjejë. Sepse në RTSH dhe institucionet e kulturës shkojnë homos politicus, jo artistët. Ose edhe kur shkojnë artistët, ata duhet të tregojnë bindje partiake jo kulturore.
Problemi i paraqitjes të Shqipërisë në Eurosong 2015 nisi që tek kënga, e cila edhe kur u ndryshua, nuk ishte kënga sfiduese. Paçka se kishte një titull intrigues – I’m Alive – që rimonte dhe të kujtonte – I Will Survive, të kënduar nga Gloria Gaynor, por ishin shumë shumë larg me njëra-tjetrën e të pakrahasueshme.
Kur u vendos se Elhaida do të dilte me këtë këngë, atëhere stafi i specializuar, që do të duhej ta rrethonte këngëtaren, do të duhej që bënte gjithçka për ta shpëtuar këngën. Dhe kjo bëhej duke afruar dhe kërkuar ndihmën e kompozitorëve dhe kantautorëve më të mirë shqiptarë. Sepse në këtë rastin konkret flitej për një përfaqësim kombëtar.
Elhaida do të duhej të shoqërohej nga ekspertë të fushës, që t’i jepnin siguri dhe këshilla që ajo ta largonte stresin dhe të demonstronte aftësitë e saj, ashtu sikur u shoqërua nga Ricardo Cocciante që ishte mentori i saj tek The Voice of Italy. Pra duhej një staf elite profesionistësh, që Elhaida nuk e pati.
Një tjetër problem i saj ishte paraqitja skenike. Elhaida Dani, një vajzë shkodrane plot bukuri dhe hire, e cila me zërin dhe magjinë e saj prej artisteje do të duhej ta kishte tërhequr si me magnet publikun, duke e lënë në hije Gagarinën, u shfaq në skenë pa sharm dhe e zakonshme, kur i kishte të gjitha të dhënat që të ishte rock – në atë kuptim që e thotë Adriano Celentano, marramendëse dhe imponuese. Fustanet e saj linin për të dëshiruar, po ashtu edhe krehja e saj që e bënin atë të mos ndihej Zot i skenës. Edhe ky difekt i organizatorëve mund të evitohej mjaft lehtë, mjafton sikur stafit t’i ishte bashkangjitur, le të përmendim regjizoren Vera Grabocka, për shembull, dhe Elhaida Dani do të kishte shkëlqimin e një ylli, kur ajo është yll dhe nuk u shfaq ashtu si është
Votimi përfundimtar ishte i politizuar, por Elhaida Dani, do ta depolitizonte, nëse do të bënte një ekzibicion të jashtëzakonshëm, ashtu si ndodh me artistet e vërteta.
Edhe kur flasim për votimin e publikut, Elhaidën e votuan shqiptarët e diasporës, por jo publiku gjërësisht ashtu sikur votoi përfaqësuesit e Italisë me “Grande amore”, që do të duhej të ishte kënga fituese nëse do të ishte një garë e vërtetë artistike. Grande Amore e kënduar nga trioja pop Il Volo, me votën e publikut zuri vendin e parë, ndërsa për meritë të publikut patriot shqiptar të diasporës Elhaida të nëntin.
Sa i përket mediave shqiptare, ato nuk treguan dashamirësinë e duhur, u treguan cinike dhe ndofta u bënë shkak që Elhaida të gjunjëzohej dhe jo ta gjunjëzonte botën me zërin e saj, kur dihet se fuqia e Artit bën të heshtin armët.
Gjatë ditëve që ajo performonte në Vjenë, nëpër portale dhe Facebook qarkullonte një video, ku Elhaida këndonte këngë fetare e veshur me shami, diçka e papranueshme për formatin e një artisteje të vërtetë, e cila duhet të jetë e depolitizuar dhe larg çdo konotacioni fetar.
Suksesi apo mossuksesi i Elhaidës në Eurosong 2015 ishte kombëtar, në fund të fundit Elhaida përfaqësonte zyrtarisht Shqipërinë, dhe ajo në një farë mënyrë ishte e varur nga organizatorët e nuk mund të vendoste vetë për çfarë ajo do të deshte të ishte më e mira. Një gjë ajo mund ta bënte, që të mos pranonte të performonte. Për karrierën e saj gjithsesi pjesëmarrja në Eurosong është një arritje, por majat e vërteta të arritjeve janë garat e mëdha të tipit Grammy Award, Music World Awards etj.etj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, per Elhaida Danin

BASHKIA E KONISPOLIT, ARENA E PERPLASJES ETNIKE NE ZGJEDHJET E 21 QERSHORIT?

May 26, 2015 by dgreca

Konispoli, arena e rradhës së përplasjes midis politikës asimiluese të Athinës dhe ruajtjes së dinjitet shqiptar/
Ne Foto: Edhe Gjenerali Frangulis dhe Gudas si dhe Vangjel Dule, qe nuk mungon aty ku jane gjeneralet…e Vorio Epirit/
Nga Arben LLALLA/
Bashkia e Konispolit në këto zgjedhje siç duket do jetë arena e rradhës e përplasjes së fortë midis etnitetit shqiptar dhe minoritetit grek pas historisë disa vjeçare të përplasjeve të forta me tone nacionaliste për bashkinë e Himarës. Me bashkimin e dy komunave me ndarjen e re territoriale të Komunës së Xarrës dhe Markat me komunën e Konispolit në një bashki të vetme minoritetit grek ka ngritur pretendime se mund ta fitojë këtë bashki. Lëvizjet e shpeshta të drejtuesve të OMONIA-s dhe PBDNJ-s në Greqi për të gjetur një kandidat grek për të fituar votat e myslimanëve shqiptar solli në përfundim që kandidati i përshtatëm mund të jetë Anastas Gudas, një njeri i cili nuk ka rënë shumë në sy në Shqipëri sepse e gjithë jeta e tij e pas viteve 1990 lidhet vetëm me Greqinë. Kandidatura e Anastas Gudës erdhi me propozimin e OMONIA-s dhe të organizatës antishqiptare që vepron për aneksimin e jugut të Shqipërisë, SFEVA. Para se ta filloj fushatën Anastas Gudas bëri një takim me ish-shefin e shtabit të ushtrisë greke Frangos Frangulis i cili është parë 2 herë të lëvizi në jugun e Shqipërisë. Ky takim u zhvillua më 17 Maj, ditën e shpalljes zyrtare të aneksimit të jugut të Shqipërisë nga adartët grek më 1914. Nuk dimë se çfarë këshilla mund të japi një ushtarak i lartë i Greqisë një kandidatit që garon për kryetar bashkie në Shqipëri, ku minoriteti grek jeton në paqe me shqiptarët!? Pas takimit me gjeneralin grek, Gudas bëri një takim në Gumenicë me Kryetarin e kësaj bashkie, Joani Lolos.
Vizioni i Anastas Gudës është vetëm shkëputja ekonomike e Konispolit nga Tirana dhe për ta lidhur atë me Gumenicën e varfëruar tashmë, vendi nga u përzunë shqiptarët mysliman nga Greqia për në Turqi në vitin 1923-1924. Gjatë kësaj periudhe Anastas Gudas nuk ka bërë asnjë takim me votuesit shqiptar por ai e filloj aktivitetin politik për zgjedhjet e 21 Qershorit në Athinë, Filat, Gumenicë e Larisë. Nuk dihet se si do fitoj këto zgjedhje Anastas Gudas ku gjatë kësaj kohe ka injoruar votuesit shqiptar dhe është përqendruar vetëm tek grekët e Athinë. Kryetari i OMONIA-s, Leonidha Papas, anëtar i organizatës ekstremiste e themeluar nga Sebastianos, SFEVA, është shprehur se do ta fitojnë Konispolin nga përçarja e shqiptarëve gjatë bisedave me anëtarët e kësaj organizate. Vërtetë shqiptarë do jenë aq budallenj sa për inat të vjehrrës do të shkojnë të flenë e mullixhiun!?
Gudas shkruan se është inxhinier i zoti, cili ka punuar vetëm nëpër firmat e ndërtimit greke dhe jo shqiptare. Pyetjet që votuesi për bashkinë e Konispolit duhet të jenë: Anastas Gudas pasi të zgjidhet kryetar i bashkisë mos do sjelli qindra emigrantë grek për të punuar në këtë bashki? Ashtu siç bëri dikur ministri Spiro Ksera i cili jepte pagesa nga tatim-taksat e shqiptarëve për drejtuesit e shoqatave antishqiptare në Athinë.
Nëse do ndjekim rrugëtimin e dashurisë për Mursinë, vendlindjen e kandidatit të OMONIA-s dhe PBDNJ-s, Anastas Guda do vërejmë se ai asnjëherë nuk ka qenë në aktivitetet kryesore që janë organizuar ndër vite në Mursi.
Demografia e fillim shekullit 21, po tregon se shqiptarët janë më shumë në numër se grekët dhe më të fort ekonomikisht prandaj është mirë që para se të votohet të kemi parasysh këto gjëra. Të shikojmë mirë se nga u servir kandidati Anastas Gudas, i cili kishte më se 20 vite që e kishte harruar Konispolin dhe Mursinë. Përse është takuar në Athinë me ish-shefin e Shtabit të Ushtrisë Greke më 17 Maj? Për se Anastas Gudas ka bërë disa tani me deputetët e partive të ekstremiste të djathta?
Prandaj mendoj se e mira e banorëve të bashkisë së re të Konispolit është që të votohet kandidati i PS, Shuaip Beqiri, që mbështetet edhe nga aleanca ASHE, kjo do ti sillte shumë investime dhe mbështetej nga qeveria në të ardhmen. Janë disa projekte të mëdha afatgjate për tu investuar në atë zonë, por nëse vota nuk shkon atje ku duhet, investitorët e huaj do largohen sepse ata nuk duan përplasje midis qeverisë dhe pushtetit vendor. Përplasjet e fundit midis Greqisë dhe Shqipërisë për çështjen e kufirit të detit Jon, bëhen pikërisht për Thembrën e Akilit që gjendet në cepin e bashkisë së Konispolit.

Filed Under: Analiza Tagged With: arena e perplasjes, Etnike, Konispoli

DILEMA GREKE PËR KONISPOLIN

May 26, 2015 by dgreca

NGA RASIM BEBO/
Kanë ndodhur dy goditje të fundit, të përgatitura dhe të drejtuara nga emisari grek, në shërbim të Greqisë në Shqipëri, koloneli peshkop Janullatos. Ky kërkon ta kthejë Shqipërinë në një shtet pa kombësi shqiptare dhe shqiptarët e vërtetë te mbeten me kombësi shqiptare, pa shtet, deri në asimilim të plotë.
1. Skandali në Delvinë: Ulet flamuri shqiptar, ngrihet ai i Verio Epirit.
2. Në zgjedhjet për bashkinë e Konispolit, bëhen përpjekje, se kush do ta fitojë atë, grekët apo shqiptarët. Shqipëria s’ka as qeveri, as Akademi të shkencave, kjo është fatkeqësia që ka pllakosur këtë shtet. Është thënë disa herë. Rexhep Shahu thotë: “z. Rama nuk ka guxuar të merret me shqiptarët e Çamёrisë dhe çështjen çame, sepse për të ardhur Rama në pushtet, pati mbështetjen nga Greqia, e cila mobilizoi politikën e saj,për të nxitur shqiptarët që jetojnë në Greqi,të votojnë Ramën”… Ndërsa Sali Berishës, më 28 dhjetor 2011, (special nga AMA – New.) Kisha Greke i dha titullin e lartë “Bekimi ynë i Artë” për shërbime të shquara ndaj Greqisë”. (R. Bebo, “artikuj dhe ngjarje”, bot. 2012, f. 14).
Kështu, të dy partitë kryesore, të zgjedhura që në fillim nga Ramiz Alia, janë të shitura te greku dhe greku i përforcoi më shumë, duke pasur në krye të tyre Janullatosin, i cili ështe kthyer në një guvernator mbi qeveritë shqiptare. Pavarësisht nga konjuktura e sotme.
Ju, grekët, nuk doni ta njihni historinë, sepse u ka mbuluar një megalomani hipokrite. Por keni parë tri raste gjatë shekullit që kaloi, kur me urdhër jeni larguar nga Shqipëria e Jugut me bishtin në shalë. Po ua kujtojmë: më 17 maj 1914, u urdhëruat nga qeveritë evropiane për tu larguar nga Shqipëria e Jugut. (Pas masakrës së viteve 1913 – 1914). Herën e dytë, në “Luftën Italo-greke”, Më 5 prilli 1941, me urdhër të Berlinit, u larguat nga Shqipëria, me të 15 divizionet greke dhe pas 15 prillit në Shqipërinë e Jugut nuk mbeti këmbë e ushtarit grek. Latë kufomat e ushtarëve tuaj përrenjve, maleve dhe kodrave të pavarrosur që u bënë pre e rrëkeve që i hodhën në lumë e në det. (Temë tjetër kjo)
Herën e tretë, mars 1997, vërshuat kundra Shqipërisë së Jugut me zjarr dhe hekur, njësoj si në Luftën e Parë Botërore 1913-1914, të përgatitur nga usta Janullatosi me ndihmësit e tij Sali Berisha e Fatos Nano, duke u pleksur në një luftë civile me 3000 të vrarë dhe 11000 të plagosur. Filluat piketimin kufirit të Shqipërisë së Jugut, ndërmjet rrjedhjes së mesme dhe të poshtme të lumit Vjosa. Por nga Magdalena Ollbrajt, sekretare e SHBA, dhe prej Evropës nga Çylleri, kryeministrja e Turqisë morët ultimatum dhe u larguat me vrap nga sytë-këmbët.
Por ju prapë nuk doni ta kuptoni dhe organizuat sërish skandalin në Delvinë. Më 16 maj, me rastin e “101 vjetorit të aneksimit të jugut të Shqipërisë” (që njihet nga greket si Autonomia e Vorio Epirit) – Protokolli i Korfuzit . Sqarim : Diplomati Ferdinando Salleo, thotë: “Dispozitat e Korfuzit iu parashtruan kryeqyteteve evropiane për t’i vënë në jetë. Negociatat u mbyllën me 17 maj 1914, miratimi erdhi më 2 korrik 1914. “Dispozitat” konfirmuan domosdoshmërinë e tërheqjes së plotë të grekëve nga Shqipëria. (“Shqipëria gjashtë muaj demokraci”, bot, 2000, f. 78).Ç’farë kërkoni “Protokolli i Korfuzit” është fshirë nga diplomacia evropiane që më 17 maj 1914.
Dhe prapë një grup grekësh, të shoqëruar nga minoritarë grekë në Krane të Delvinës bënë homazhe në përmendoret e andartit grek Thimios Lolis, i cili ka kryer masakra mbi popullsinë shqiptare në vitet 1914 dhe1944. Në homazhe është hequr flamuri shqiptar i zonës dhe është ngritur ai i “Vorio Epirit”. Ky provokim i rëndë, vijoi me Odiseas Boros, kryetar i organizatës së Vorio Epirit “Pirro” në Thesali. Ai mbajti një fjalim me tone nacionaliste ku bënte thirrje se “Vorio Epiri është tokë Greke dhe nuk e kemi harruar”. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm dhe trupa paraushtarake greke të Lidhjes Nacionaliste Greke.
Akte të tilla, si ulja e flamurit shqiptar dhe ngritja e flamurit të aneksimit të Jugut brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nxisin urrejtjen etnike midis qytetarëve shqiptarë në prag të zgjedhjeve vendore që do të mbahen më 21 Qershor.
Të nesërmen më 17 Maj, Stavros Gjinos, Odiseas Boros bashkë me kryetarin e OMONIA-s, Leonidhas Papas, morën pjesë në Delvinaq të Pogonit në paradën e përvitshme që organizon Mitropoliti i Konicës “për shpalljen e Autonomisë së Vorio Epirit – aneksimi i Jugut të Shqipërisë”. Paraushtarakë grekë, mbanin në duar parrulla ku shkruhej: Vorio Epiri Tokë greke, do të rikthehemi dhe toka do të dridhet… Kryetari i OMONIA-s, mbajti një fjalim histerik për aneksimin e Jugut të Shqipërisë dhe u takua me oficerë të lartë të sigurimit dhe ushtrisë greke. Ka mëse dy vjet që në Jugun e Shqipërisë lëvizin ish-ministri i mbrojtjes së Greqisë, ish-Shefi i Shtabit të Ushtrisë greke dhe gjeneralë të sigurimit, zbulim dhe kundërzbulimit grek. Qëllimi i tyre është njohja e terrenit shqiptar. Në të njëjtën kohë, nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Vangjel Dule, si dhe Fredi Beleri, Anastas Guda, Jani Babi, organizuan tubim për këtë përvjetor, duke kërkuar me çdo kusht që minoritarët të votojnë vetëm për kandidatët e PBDNJ dhe OMONIAs. Vangjel Dule në vitin 2010 ishte njëri nga iniciatorët për vendosjen e përmendores së andartit Thimio Lolis në fshatin Krane të Komunës së Delvinës.
Paraushtarakë grekë mbanin në duar parrulla ku shkruhej: Vorio Epiri Tokë greke, Do te rikthehemi dhe toka do të dridhet. (A. Llalla).
Prof. Dr. Agim Shehu shkruan: “Ndjejmë kënaqësi të veçantë si shqiptarë që historiani Dieter Fahrni, Gjenevën e quan “Qyteti i Shqiponjës”. Shqiponja e Zeusit, perëndia e pellazgëve, e të parëve tanë të njohur, është simbol i herët hyjnie i mbajtur nga shqiptarët në besimet, legjendat, kurorat mbretërore e në Flamurin kombëtar; flamur nder më të lashtët e më të drejtët në botë. (“Fisnikëria Helveto-Ilire” bot. 2006, f. 10).
Në një kohë u pushtua Kosova me Çamërinë. Milosheviçi e trazoj ujin, siç thoshte Maoceduni, por Kosova mori pavarësinë në saje të miqve amerikano-anglezë. Sot ju presim “ta dridhni tokën”, se boll vajti një shekull që e keni pushtuar. Duhet turbulluar uji dhe kufiri të vijë te viti 1830, në jugë të Epirit dhe të Thesalisë dhe do t’i kthehen atdheut të tyre, Shqipërisë .
Me sa para mend, hiqni flamurin shqiptar mijëravjeçar në Delvinë, në Shqipëri dhe vini flamurin grek te vitit 1830 dhe një copë robë për flamur të Vorio-Epirit.?… MËSONI JU GREKËT: Ai Flamuri Shqiptar vjen tek ne sot nga SHQIPONJA QË MBANTE ZEUSI NË SKEPTËR dhe prej këtej ne quhemi SHQIPTARË me KOMBËSI dhe GJUHË SHQIPE. Ky Flamur kaloi mijëra vjet dhe arriti te Aleksandri i Madh, te Pirrua, te Skënderbeu dhe te Ismail Qemali, po me këtë flamur… Dhe ju sot merrni guximin e hiqni, si mysafirë të ardhur në Shqipëri… Ju e keni bërë Shqipërinë, sikur shkoni nga Seleniku në Janinë… Kështu Janullatosi juaj dhe peshkop jonë ua ka shtruar rrugën për të ardhur në shtetin Shqiptarë kur të doni dhe sa herë të doni. Ndërsa Shqiptarëve u griset pasaporta dhe u hidhet në fytyrë, kaq të pacipë jeni. Pyesim, sa kohë do të vazhdojë kjo gjendje?… Ju, tek e fundit, nuk keni faj, sepse si gjeni, bëni. Por për këta tradhtarë që u lejojnë, do të përgatitet dhënia e llogarisë në sheshin Skënderbeg…
Aneksimi i KONISPOLIT
Anastasios Gudas e filloi fushatën, jo në Mursi, as në Xarrë, as në Markat, as në Konispol, por te padronët e tij në Athinë. Ai përkrah kandidatit tjetër të PBDNJ-së për bashkinë e Himarës, pjesëmarrësin në masakrën e Peshkëpisë më 1994, ish-i burgosur ordiner Fredi Belerin, foli në greqisht për një aneksim të butë të zonës, duke ju bashkangjitur ekonomikisht Gumenicës. Guda premtoi se do të punësojë në bashkinë e Konispolit të gjithë minoritarët grek që kanë shtetësi të dyfishtë si dhe grekët e papunë të Gumenicës në Konispol, pasi Greqia gjendet në gjendje të rëndë ekonomike…
Pas takimit, Anastas Guda takoi ekstremistin Babis Karathanos, i cili njihet për aktivitetet e tij antishqiptare që në fillim të viteve 1980, si dhe deputetin e djathtë Terenc Kuik. Deputeti Terenc Kuik ka qenë njëri nga mbështetësit kryesor të regjimit të Sllobodan Millosheviçit në Greqi. Ditë më parë, Anastasios Gudas shpërndau nëpër territorin e bashkisë së Konispolit, fletushkat propagandistike të shtypura në Greqi vetëm në gjuhën greke duke i dhënë një drejtim të rrezikshme fushatës.
Shtypja e fletushkave në gjuhën greke nga Gudas, tregon se ai nuk ka qëllim për zhvillimin ekonomik të zonës, por për të bërë asimilimin e shqiptarëve dhe për të treguar se bashkia e Konispolit banohet me shumicë nga minoriteti grek.
Në zgjedhjet për bashkinë e Konispolit luftohet se kush do ta fitojë atë, grekët apo shqiptarët. (A. Llalla. 20 maj 2015. Lajmi I fundit cicerr). Greku vazhdon të ofendojë dhe poshtërojë Shqiptarët, por le të mesojnë se ç’farë thonë te huajte për shqipërinë:
Felix Zhylien, duke u lavdëruar shqiptarëve «pasionin për pavarësi e lavdi si tipar kryesor karakteri e burim heroizmi» shton: «Në të gjitha kohët Shqipëria ka qënë vëndi klasik i heronjve: atje Homeri gjeti Akilin, Greqia Aleksandrin e Madh e Papa Eugjen IV Skënderbeun». Te vepra «Shqiptarët» historiani amerikan Edvin Zhak po ashtu: «Këta bij të paepur të Shqipes ishin pasardhës të denjë të Akilit, Filipit, Aleksandrit të Madh dhe Pirros» Jo rastësisht dy Brirët, simbol pellazg, i mbanin të tre bashkëkombasit e mëdhenj, Leka i Madh, Pirroja dhe Skënderbeu. Historiani Flori i sh. 2, thotë se para Pirros, përkrenarja me brirë, qe profil i kokës së Aleksandrit të Madh. Dijetari P. Franke, shkruan se Skënderbeu «mban një helmetë me dy brirë cjapi të mëdhenj, që nuk ndeshen gjëkund në tablotë bashkëkohore. (A. Shehu)
Zeusin e rriten dy prifteresha kurite në shpellen e malit «ID» te Kretës, Malta dhe Melisa, e para me qumushtin (malte) të dhisë mallteze dhe e dyta Melisa me mjaltë, prej kendej vjen helmeta me dy brirë. (R. Bebo ‘Zeusi’, bot 2009, f. 28). Dijetari i shquar Karl Treimer… thotë: «Të parët e shqiptarëve të sotëm kanë qënë bartësit e një shteti të madh të fuqishëm dhe krijues të kulturës evropiane të Epokës së Hekurit, pra të një kulture të vetive të larta…». Edvin Zhak vlerëson: «Ky popull i lashtë pellazg shënon një datë më të herët se zhvillimi i qytetërimeve të Greqisë e të Romës. Ne zbulojmë gjurmë të kulturës parahelene të Shqipërisë, të cilat nuk mund të kuptohen ndryshe» (me gjithë nderimin që kemi si popull, sllavët në stepa e moçale as që zihen në gojë). Antropologu amerikan C. S. Kun te «Mbi racat e Europës» thotë: «Ilirët, racë nordike…krijuesit e qytetërimit të Hekurit në Evropën JL, kur emri Romë e Athinë ende nuk ka qenë dëgjuar»!
Për fat të keq, duke dashur të sigurojnë të sotmen e tyre, grekët shtrëmbërojnë të kaluarën e fqinjës-Shqipëri: «Maqedonia-historikisht greke…Filipi e Aleksandri i Madh grek(!)» e këtë e marrin si aksiomë për të cilën nuk qasin vërtetim. (A. Shehu).
Historiani grek Niko Kazanzaqi, manipulon në librin «Ja vdekje ja liri». Ja kushton, legjendarit të Konispolit Haxhi Mehmet Dalani që u flijua me 800 kalorës të fshatrave të Konispolit në Frangokastello të Kretës kundra turqëve në vitin 1828, dhe i ndryshon emrin nga Mehmet në Mihal dhe e vendos ne eciklopedi për grek. (R. B).
«Të hesht për të vërtetën e Atdheut do bëja tradhëti ndaj tij»
E në fund diçka më mbresëlënëse. Për punë të vet, CIA më 1996 jep një raport sekret (e publikoi dhe TV grek «Antena»): «Leka i Madh dhe Maqedonia e asaj kohe, ishin ilirë, ata ishin armiq të Greqisë kurse vetë Maqedonia nuk ka qënë greke». E më tej: «Grekët frikësohen se maqedonët do t’i kërkojnë vlerat e tyre e kjo mund të shndërrohet në një çështje serioze në atë pjesë të Evropës…». Duke iu tingëlluar hidhur, qarqet e interesuara greke para se të mendojnë ndonjë tjetër «aksident makine.» për autorin e shkrimit, le të sqarohen njëherë me CIA-n.
Ndërsa Natalie Klayer te «Fillimet e nacionalizmit shqiptar» përcakton: « Fabrikimi i Panteonit Kombëtar ka filluar shumë më parë se 1896, dhe përmblidhte figura të tilla si Aleksandri i Madh, Pirro, Skënderbeu, Bushatllinjtë dhe Ali Pashë Tepelena». (A. Shehu).
Rasim Bebo, Addison, Çikago,maj 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: DILEMA GREKE, PËR KONISPOLIN, rasim bebo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 796
  • 797
  • 798
  • 799
  • 800
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR
  • Grenlanda “Molla” e Shekullit 21
  • Ne nuk harrojmë!
  • NË 20 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
  • Pjesëmarrja dhe rezultatet e nxënësve nga Kosova në Neo Science Olympiad 2026 – Orlando, SHBA
  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT