• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një fotografi që apelon:Mjaft më me retushime!

December 11, 2014 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Midis festimeve të organizuara në nëntorin e këtij viti në kryeqytet dhe qytetet kryesore të vendit, si ato zyrtare ashtu dhe nga shoqata të ndryshme atdhetaro-kulturore, ku shqiptarët në mënyra të ndryshme shfaqën gëzimin e kënaqësinë për këto festa të rëndësishme, më ra në sy një gjetje origjinale e Bibliotekës Kombëtare, e cila kishte sjellë dicka të re në festimet e atyre ditëve. Në një ambient të vogël, në hyrje të Bibliotekës, ndryshe Këndi i Kulturës Amerikane, ishin ekspozuar disa libra, gazeta, dokumente dhe fotografi, të cilat deri tani ishin në fondin rezervë të Bibliotekës kryesore të vendit, me një titull të vecantë, “Shqipëria në Luftë, 1939-1944”. Duke shpjeguar qëllimin e kësaj ekspozite, organizatorët në një mesazh të tyre sqaronin se kjo ekspozitë i kushtohet teatrit kompleks të luftës në territorin shqiptar gjatë Luftës së II-të Botërore. Tashmë pas 70 vjetësh, shqyrtimi dhe studimi i saj na nxit në një rikthim modern e bashkëkohor të dokumentit arkivor, rikthim tek dëshmia e përjetimit, tek imagjinarja kolektive, tek rindërtimi retrospektiv, debati konceptual e deri tek domosdoshmëria e përhershme e rishkrimit. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë bëhet pjesë e këtij refleksioni, përmes një përzgjedhje cilësore nga fondi i cmuar i historianëve evropianë, anglezë dhe amerikanë, kontributi i të cilëve paraqitet për herë të parë në publikun shqiptar, duke tërhequr vëmendjen mbi qasjen dokumentare të trajtimit të Shqipërisë në Luftën e II-Botërore….Pikërisht nga këto pamje në dukje të vogla ngrihet dhe dëshmia e madhe e Luftës, lufta dhe fëmijët, lufta dhe letërsia, lufta dhë dëshmimi, lufta dhe imazhi, por dhe lufta e imazheve, e simboleve dhe ideve, vijnë në këtë ekspozitë duke na ftuar ta ripërjetojmë këtë moment tragjik të historisë, i cili vijon të bashkëveprojë në mënyrë të pashmangshme me të tashmen tonë…e mbyllnin njoftimin organizatorët. Kështu nga data 27 deri 4 dhjetor, kërshëria shtyu mjaft shqiptarë e të huaj ta vizitonin këtë kënd modest. Në hyrje të ekspozitës zinte vend shtypi i shkruar i 7 prillit 1939, si. psh “Gazeta e Korcës”, 7 prill 1939, që për kryeartikull kishte shkrimin e zotit Mehdi Frashëri, “Ajo që po i ngjet sot Shqipërisë, nesër mund tu ngjasë të tjerëve”, ku i bëhet thirje diplomacive perëndimore dhe fqinjëve të reflektojnë mbi këtë pushtim të paralajmëruar të Shqipërisë nga fashistët. Nga ana tjetër “Gazeta Shqiptare” e 9 prillit 1939, e jep me nota pozitive këtë pushtim, se si trupat italiane hyjnë në Shqipëri dhe Konti Ciano merr pjesë në manifestimet popullore për Ducen dhe Italinë Fashiste, etj. Krahas botimeve të kohës në shqip, si “Shqipëria e Re”, e Këshillit e Regjencës fashiste, të binin në sy dhe mjaft botime të ushtarakëve dhe diplomatëve italianë të kohës, si “Ditari” i Kontit Ciano, “Italia dhe Shqipëria” të Alessandro Rosellit, “Të vërtetat dhe gënjeshtrat mbi ekspeditën në Shqipëri”, A.Trizzione, “Një luftë e gjatë”, e Franco Benantit, “Politika e Shqipërisë në Itali”, Francesko Jakomoni, “Komanda e lartë”, Ugo Cavallero, “Qëndresa e ushtarëve italianë në Shqipëri”, Massimo Coltrinari, etj. Botime këto të ngelura nga ajo kohë, ose të dhuruara. Paralel me këto botime kishte foto të asaj kohe. Në vijim ishin ekspozuar kujtime të Hebrenjve të shpëtuar në Shqipëri, si “Shpëtimi në Shqipëri”, Harvey Sarner, “Në sajë të Shqipërisë, rrëfime për vete”, Johana Jutta Neumann, “Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë luftës”, e Naim Zotos, botime të autorëve rusë, anglezë, gjermanë, amerikanë, etj. me të cilat në një masë të madhe opinioni shqiptar e më gjerë është njohur më parë. Natyrisht vend të vecantë në këtë ekspozitë zinin dhe mjaft autorë, studjues dhe historianë amerikanë, të cilët më parë nuk kanë pasur shansin të paraqiteshin në asnjë vend apo cep të këtyre ekspozimeve, të bërë mbi 60 vjet, nga historianë, studjues e shërbëtorë besnikë të regjimit. Pamvarësisht teprisë me masat e sigurisë, mendoj që ishte një hap i mirë i Bibliotekës Kombëtare sjellja në vëmendjen e qytetarëve dhe studjuesve e këtyre botimeve. Unë do sugjeroja që gradualisht personeli i kësaj biblioteke mund të bëjë dhe dixhitalizimin e këtyre botimeve, ashtu si Univeristeti i Harwardit ka bërë me dhjetra botime në anglisht për Shqipërinë. Kjo do ja lehtësonte punën studjuesve të ndryshëm, por dhe studentëve të historisë. Gjithsesi kjo është temë më vete, sepse ajo që më bëri përshtypje në këtë ekspozitë, ishte publikimi i një foto të 28 nëntorit 1944, festimi i ditës së clirimit në Tiranë, ku në sfondin kryesor ishte flamuri amerikan dhe aleatëve, krahas me atë shqiptar. Kjo ishte dhe ngasja ime për ta vizituar këtë kënd. Për mëse 6 dekada shqiptarët në librat e tyre të historisë, në shkrime për luftën, revista, studime historike, me mijëra faqe, kanë parë një foto të burgosur, të retushuar, një imazh të përmbysur, ku flamuri i aleatit kryesor të shqiptarëve, SHBA-ve, nuk ekziston. Breza të tërë janë gënjyer, mashtruar, hipnotizuar e margjinilizuar, me këtë fotografi, ku propaganda e sistemit monist me qëllimi e ka manipuluar kontributin e ushtarakëve të SHBA gjatë Luftës së II-Botërore dhe më pas. Studjues dhe historianë të kollarisur e kanë shkruar dhe pranuar në heshtje këtë fakt, dhe tani dalin e flasin për histori. Mbi c’moral? Është koha për refleksion në radhë të parë të këtyre njerzve që u bënë shërbëtorë të bindur të sistemit, vetëm për hatër të titujve, gradave, honorareve e shpërblimeve pa fund. Nuk jam për asnjë lloj ekstremizmi, por për atë realen, të vërtetën, e cila vonon por nuk harron, ku nqs njëra palë është glorifikuar, tjetra është injoruar. Vërtet ka rjedhur shumë ujë i ndotur për historinë e këtij vendi, por asnjëherë s’është vonë, tashmë është koha dhe momenti, që nëpërmjet burimeve historike e dokumenteve të shumta, të vendosim gjërat në vendin e duhur. Ti cojmë ato në burimin e tyre, duke i hequr retushimet e spekullimet periodike. Le të kemi mirësinë dhe durimin që brezave pasardhës ti lemë një histori të kulluar, si kroi i burimit. Psh. duhet sqaruar, si dhe sa kanë ndikuar ndihmat e aleatëve anglezë dhe amerikanë, në organizimin e rezistencës antifashiste dhe krijimin e formacioneve partizane. Dikujt mbase mund ti duket i vogël asgjësimi i një depo armatimi, municioni, i një depo karburanti në atë kohë, por në planet operacionale në terren, vecmas në nivelin taktik, ndikimi i tyre ishte i madh. Mendoje, sa i kushtonte mbartja e një arke municioni nazistëve nga nga Mynihu në Durrës, ndërkohë që Rajhut të III-të i duheshin fishekët në frontin e Lindjes e Perëndimit?! E pra, këto duhen rivlerësuar e llogaritur nga specialistët, studjuesit dhe historianët ushtarakë. Pikërisht në ndihmë të kësaj pune, na vjen dhe kjo foto e thjeshtë e pafajshme, e cila bart një të vërtetë e përmbajtje të madhe, të retushuar qëllimisht për 6 dekada mbas asaj dite nëntori, ku fotoreporteri Costa na solli në celuloid këtë foto historike. Një fotografi që përcjell një lajm e ngjarje të madhe dhe njëherazi, të ngjall kureshtje, gëzim por dhe pikëllim. Blici i aparatit fotografik të zotit Costa na ka sjellë një foto historike, një tablo me një dimesion të shtuar në kohë dhe hapësirë. Fotografi Costa ka humbur në thellësinë e viteve, por na ka lënë një fotografi që flet me gjuhën e qytetarëve shqiptarë, partizanëve, ushtarakëve aleatë. Nderim dhe respekt për kët fotograf brilant! Natyrisht, fatet e personazheve të kësaj fotografie nuk dihen, dikush mund të kenë vdekur, dikush është me thinja, dikush rrugëve të harresës, por ata janë memorizuar në histori nëpërmjet kësaj foto, nëpërmjet gjurmëve të saj. Në horizont shndrit flamuri shqiptar, i SHBA dhe aleatëve të tjerë. Kështu fotografia rrëfen duke u shndruar në kujtim, përjetim, histori, ajo nuk është memece, lëviz e këshëllon…Por, duke depërtuar në gjuhën e fotos, duke bashkëbiseduar me të, sepse dhe ajo ka gjuhë, ajo na zgjon ndjenjën e kthimit të kohës dhe qartazi na bën një thirje për realitetin e tanishëm:-o shqiptarë, mos retushoni më, mos fshini dokumenta, foto, tapi, dosje, se ajo është historia juaj, është mishi dhe kocka juaj, me të mirat e të këqijat e veta! Ndyshe do të ndjeheni të braktisur në honet e errësirës!

Filed Under: Analiza Tagged With: më me retushime!, Një fotografi që apelon:Mjaft, Shefqet Kercelli

STOP KORRUPSIONIT!

December 11, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Këtë javë, Dita Ndërkombëtare kundër korrupsionit tërhoqi vëmendjen e udhëheqsve të lartë botërorë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB) Ban Ki Moon dhe të Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, si dhe organizatave ndërkombëtare jo qeveritare që merren me luftën kundër korrupsionit, siç është Transparency International.
9 dhjetori është Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit dhe shënohet çdo vit si e tillë ç’prej miratimit të Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsinit, në vitin 2003.Konventa e OKB-së përcakton se Kombet e Bashkuara janë, “të shqetësuara për seriozitetin e problemeve dhe të kërcënimeve që paraqet korrupsioni ndaj sigurisë së shoqërive kudo, duke minuar institucionet dhe vlerat e demokracisë, vlerat etike dhe drejtësinë, duke rrezikuar në këtë mënyrë zhvillimin e qëndrueshëm dhe zbatimin e ligjit.”
Nuk është e qartë se çfarë efekti ka shënimi i përvitshëm i kësaj dite ndërkombëtare në luftën kundër korrupsinit, pasi Transparency International në raportin e fundit thotë se korrupsioni sa vjen e shtohet anë e mban botës, por qëllimi i shënimit të kësaj dite në nivel ndërkombëtar, është që tu kujtojë njerëzve koston e lartë të korrupsinit për shoqëritë dhe për zhvillimin e tyre në përgjithësi. Shërben gjithashtu – për ata që duan — si një rast për të theksuar rëndësinë e të vepruarit kundër korrupsinit dhe njëkohsisht kjo ditë përbën edhe një platformë për qeveritë, organizatat e shoqërisë civile, për median dhe për publikun në përgjithësi që të angazhohen seriozisht për të luftuar praktikat korruptive si dhe sfidat që paraqet korrupsioni për shoqërinë e tyre.
Korrupsioni është një fenomen i mbrapsht ekonomik dhe politik që prekë të gjitha vendet, të zhvilluara dhe ato në zhvillim e sipër, andaj OKB-ja dhe qeveri të ndryshme si dhe organizata të shoqërisë civile anë e mbanë botës, këtë ditë ndërkombëtare kundër korrupsionit e përdorin si një rast të mirë për të inkurajuar një pjesëmarrje sa më të madhe nga të gjithë sektorët e shoqërisë që të merren me shkaqet kryesore të korrupsionit dhe ta luftojnë atë me mjetet që kanë në dispozicion. Sipas Sekretarit të Përgjithëshëm të OKB-së, në këtë fushatë kundër korrupsionit, një rol të rëndësishëm duhet të luaj shoqëria civile dhe media, sidomos për të informuar publikun e gjërë mbi faktin se si praktikimi i korrupsionit në nivele të larta të qeverisë dhe të shtetit si dhe në shoqërinë e gjërë, “Minon zhvillimin e demokracisë dhe zbatimin e ligjit — çon drejtë shkeljeve të të drejtave të njeriut, pengon zhvillimin normal të tregut, ulë standardet e jetesës dhe promovon krimin e organizuar, terrorizmin, dhe paraqet kërcënime të tjera ndaj sigurisë shoqërore.” Ban Ki Moon u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare të OKB-së që për të “Shëmbur muret e larta të korrupsionit, ato që nuk kanë bërë ende një gjë të tillë, duhet të ratifikojnë dhe të zbatojnë Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit.”
Të prishet zinxhiri i korrupsionit është sllogani i OKB-së me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit për vitin 2014
Në promovimin e shënimit të kësaj dite, thuhet se korrupcioni, ndër të tjera, kontribuon drejtë mos-stabilitetit qeveritar, se korrupcioni përbën një sulm të drejtë për drejtë ndaj bazës së institucioneve demokratike, çoroditë procesin elektoral dhe krijon një situatë jo të këndshme burokratike, qëllimi i vetëm i së cilës është për të kërkuar ryshfet. Theksohet gjithashtu se ndër kostot e larta të korrupsionit për shoqërinë, është fakti se atmosfera korruptive njëkohësisht çkurajon investimet e huaja dhe thuhet se në një atmosferë të tillë, është e pa mundur që tregëtitë e vogëla të përballin kostot fillestare, pikëprisht për arsye të korrupsionit.
Ndërsa në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry shfaqi më heret shqetësimin e vendit të tij mbi pasojat e korrupsionit anë e mbanë botës dhe theksoi angazhimin e Washingtonit për të punuar me partnerët e SHBA-ve në luftën kundër korrupsionit.”Kostoja morale dhe praktike e korrupsionit nuk është më një çështje debatesh. Korrupsioni promovon mos-stabilitetin shoqëror, nxitë protesta popullore dhe revolucione”, tha këtë javë, kryediplomati amerikan me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër korrupsionit. Ai shtoi se të ardhurat nga praktikat korruptive të fshehura në bankat ndërkombëtare mundësojnë financimin e grupeve terroriste dhe mbajnë në fuqi regjime që nuk kanë asnjë përgjegjësi ndaj askujt, duke shtuar se si rrjedhim, korrupcioni rrezikon edhe sigurimin kombëtar të Shteteve të Bashkuara. John Kerry tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të jenë shembull për të tjerët, duke promovuar transparencën në qeverinë e vet dhe do të inkurajojnë dhe do të mbështesin organizatat e shoqërisë civile, gazetarët dhe prokurorët, me qëllim që ata të mbajnë përgjegjës zyrtarët qeveritarë për praktikat e tyre në fushën e korrupsionit.
Në mesazhin e tij, John Kerry u bëri thirrje qeverive partnere, shoqërisë civile dhe sektorit privat që tu bashkohen Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit.Ai u bëri thirrje gjithashtu, “vendeve që janë duke përjetuar tranzicionin demokratik që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të vendosur qeveri që janë përgjegjëse ndaj qytetarve të tyre dhe ndaj zbatimit të ligjit. Sekretari amerikan i Shtetit, gjithashtu tërhoqi vëmendjen e tij të mëparshëme, duke thënë se, “Ne sot po ritheksojmë rishtas paralajmërimin tonë ndaj kleptokratëve anë e mbanë botës: se vjedhja e pasurisë së komuniteteve tuaja nuk do të tolerohet dhe se komuniteti ndërkombëtar është i zotuar se nuk do të lejojë strehimin e juaj dhe as të të ardhurave dhe pasurive tuaja ilegale.”
Si në këtë foto të OKB-së, organizata botërore njofton se edhe këtë vit, aktivistë anë e mbanë botës protestuan kundër dukurive të korrupsionit. OKB-ja thekson se me anë të demonstratave, të protestave, koncerteve, diskutimeve dhe shfaqjeve të ndryshme, aktivistët kudo në botë të përpiqen të bindin njerëzit se ata, po të kenë vullnetin, e kanë fuqinë për t’i thënë: STOP Korrupsionit!
“Nëqoftse duhet të realizohet drejtësia, ne të gjithë si qytetarë duhet të ngremë zërin, të promovojmë sanksionet shoqërore dhe të flasim haptazi për të demaskuar problemet që rrjedhin për shoqërinë nga korrupcioni dhe të kërkojmë me këmbëngulje bërjen e ndryshimeve”, u shpreh me këtë rast, Kryetari i organizatës Transparency International, Jose Ugaz. Ndërsa Drejtori i kësaj organizate ndërkombëtare, Cobus de Swardt theksoi këtë javë me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit se, “Njerëzit anë e mbanë botës janë lodhur me dukuritë e korrupsionit dhe se ata duan të japin kontributin e vet për të ndaluar dhe për të zhdukur këtë sëmundje shoqërore. Çdo njëri mund të veprojë.Çdo njëri mund të bëjë një deklaratë kundër korrupsionit. Secili mund të refuzojë të japë ryshfet kur i kërkohet një gjë e tillë dhe të promovojë luftën kundër korrupsionit, të raportohet kur diktohen dukuri të korrupsionit në veprim dhe të mbështesin udhëheqës me integritet”, përfundoi zyrtari i lartë i organizatës Transparency International e cila ekspozon dhe lufton korrupcionin anë e mbanë botës.
Këshilla të mira këto për çdo shoqëri dhe aktivistë të shoqërisë civile kudo, përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën, dhe për të gjithë ata që e marrin seriozisht rrezikun afat gjatë dhe afat shkurtë që paraqet korrupcioni i pa kontrolluar ndaj ndërtimit të demokracisë dhe të zhvillimit të mirëfilltë ekonomik të çdo vendi, si edhe ndaj respektimit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut të çdo qytetari.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, STOP KORRUPSIONIT!

Kah po shkojnë Goranët e Gorës

December 11, 2014 by dgreca

Të kota kanë qenë përpjekjet e liderëve boshnjak dhe shqiptar nga të gjitha viset e Ballkanit që në kuadër të gjithëkorpusit boshnjak t’i fusin edhe popullsinë gorane të trevës së Gorës, me gjithatë ata mbetën goran, e jo boshnjak, e që për shumë kend është shumë e natyrshme. Që nga viti 1990, kurë në Pazarin e Ri të gjithë myslimanët jo shqiptarë ranë në dakort që të përfshihen të gjithë në korpusi gjithëboshnjak, por goranët e Gorës ende nuk kanë arrit të jenë pjesë e popullit Boshnjak./
Nga Ismet Azizi/
Goranët janë popull i veçantë i sllavëve të jugut të cilët jetojnë rrëzë maleve të Sharrit në trekufishin e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedoninisë. Për shkak të largësisë së kësaj zone nga rrugët kryesore, te ta janë ende të ruajtura kryesisht elemente e gjuhës së shekullit të tetëmbëdhjetë, dhe madje edhe elementet e sllavishtes së vjetër. Goranët gjuhën e tyre e quajn neshki e cila është më e përafërt me gjuhën maqedone. Goranët i përkasin fesë islame. Xhamia e parë është ndërtuar në fshatin Mlike në vitin 688 sipas hixhres, ndërsa në themelet është shënuar se Ahmed -agë Piri e ka rindërtuar na vitin 1238.
Nuk është problemi te deklarimi i tyre. Tek e fundit është e drejtë elementare e çdo kujt të deklarohet ashtu siq edhe ndihet. Por problemi me goranët e Gorës qëndron krejt ndryshe.
Të kota kanë qenë e përpjekjet disa vjeçare të liderëve politik të Kosovës dhe atzre Boshnjak nga Sanxhaku dhe Bosnja, që goranët t’i joshin të inkurporohen në institucionet e Republikës së Kosovës. Ata mbetën sot e kësaj ditë pjesë e sistemit të republikës së Serbisë.
Popullata e Gorës, trevë e cila shtrihet në skajin më jugorë të Kosovës nuk e njohin realitetin kosovar, gjegjësisht për ta nuk ekziston Republika e Kosovës. Goranët e Gorës jetojnë dhe veprojnë nën sistemin ligjor dhe institucioneve të Srebisë. Tetëdhjetë për qind e e kësaj popullate në forma të ndryshme marrin të ardhurave nga Serbia. Shkollat pa kurfar problemi punojnë dhe finanacohen nga sistemi serb.
Vranishta, është njëri nga fshatrat më të mëdha në Gorë ku është selia e komunës e cila funksionon sipas sitsemit te Serbisë.
Rreth 9 ooo banorë të kësaj treve bazë për të mbijetuar i kanë pagat e punonjësve në sektorin e arsimit dhe të komunës dhe marrjae pagës minimale që marrin punëtorët e ish-kompanive, mandej ndihmat sociale dhe shtesat fëmijënore, të cilat për rrethanat kosovare janë deri diku të larta.
Në kuadër të sistemit arsimor serb këtu veprojnë gjashtë shkolla fillore dhe një shkollë e mesme, ku vijojnë mësimin rreth 900 nxënës. Megjithatë, në krahasim me arsimin, shëndetësia sipas tyre ballafaqohet me më shum probleme, sepse të sëmurit trajtohen në institucionet shëndetësore shqiptare, për shkak të largësisë së institucioneve shëndetësore serbe.
Goranët mëtojnë të jenë në kuadër të Bashkësisë së komunave serbe/
Pos serbëve të Kosovës qendrore edhe përfaqësuesit e goranëve në zgjedhjet e kaluara lokale shpallën listë të përbashkët për zgjedhjet e ardhshme. Ata ishin të vendosur se pas zgjedhjeve lokale do të jenë pjesë përbërëse e Bashkësisë së komunave serbe. Një pjesë e Goranëve nën udhëheqjen e Adem Hoxhës, tentuan edhe ta regjistrojnë partinë e tyre të quajtur “Jugo”, që sipas tyre për shkak të emrit i cili përkon me ish shtetin Jugosllav,KQZ-ja nuk ua lejoi.
Qeveria e Serbisë sikurse në të gjitha komunat edhe në Gorë, gjithmonë ka emëruara kryetar të trupit të përkohshëm. Kryetar i trupit të përkohshëm i komunës së Gorës , ka qenë i meruar Adem Hoxha, i cili posa ishte emëruar u bëri hirrje të gjitha Goranëve të dalin në zgjedhjet lokale të Kosovës të caktuara për 3 nëntor me qëllim të marrjes së pushtetit në këtë komunë, të cilën do t’ia bashkangjes Bashkësisë së komunave serbe.
Duke i analizuar të gjitha rrethanat e krijuar shihet qartë se qëllimi është që Goranët pas zgjedhjeve lokale të bëhen pjesë përbërëse e Bshkësisë së komunave serbe, sepse edhe deri më tash arsimi dhe shëndetësia e trevës së Gorës funksionon në kuadër të sistemit shtetëror serb.
Të gjitha këto rrethana të krijuara, apo që do të krijohen në të ardhmen, na bëjnë të kuptojmë se Bashkësia e komunave serbe do të shtrihet deri në pjesën më jugore të Kosovës

Filed Under: Analiza Tagged With: Goranët e Gorës, Ismet Azizi, Kah po shkojnë

Tetor 1987. Pse Maqedonët filluan të kenë frikë nga shqiptarët?

December 10, 2014 by dgreca

Nga Agim POPOCI/
Në rrethana të ndryshme historike, marrëdhëniet maqedono-shqiptare kanë shënuar ulje dhe ngritje të nivelit të urrejtjes por jo që ëshë shënuar ndonëj moment ideal. Një studim demografik i Tetorit të vitit 1987, i iniciuar nga vetë institucionet e kësaj Ish-republiek të Jugosllavisë, dëshmon se si maqedonët filluan ta marrin seriozisht “reduktimin” e tyre dhe lindshmërinë e shqiptarëve, për të cilën studimi në fjalë thekson se bëhet fjalë për një “lindshmëri të shfrenuar”.
Përvecc “Rezolutës mbi politikën populluese të republikës së Maqedonisë” që do të dal nga ky studim dhe i dedikohet Qeverisë ose sicc quhej në atë kohë Këshilli Ekzekutiv i Maqedonisë, studimi ngre shqesëimin për faktin se nga 13.391 fënijë të lindur në 14 komuna të pa zhvilluara mbi 10 mijë fëmijë u takojnë pesë komunave të Maqedonisë Perëndimore me natalitet të lartë si Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra dhe Struga. Me këtë rast, për ilustrim merren të dhënat e komunës e Gostivarit ku lindin po aq fëmijë sa lindin në Berovë, Brod, Vincë, Damir Hisat, Kratovë, Kriva Pallankë, Krushevë, Radovish dhe Resnjë, së bashku.
Ku shqetësim nuk vjen vetëm për faktin se këta 10 miëj të lindur janë shqiptar por edhe se një shtim i këtill i popullsisë ndikon edhe në ndryshimin e strukturës së popullsisë në bazë të përkatësisë kombëtare. Ekspertët parashikojnë që në vitin 2001, pjesëmarrja e maqedonasve në numrin e përgjithshëm të popullsisë të zvogëlohet prej 67 për qind në 62.3 për qind në favor të pjesëmarrjes së shqiptarëve prej 19.8 për qind në 23.7 për qind.
Është e vërtetë se askush në vitin 1987, kur dhe u hartua ky studim shkencor, nuk e mendonte se në rast të ndryshimit të kësaj strukture të popullsisë, ose mosparandalimit të saj deri në vitin 2001, mund të shpërthej edhe lufta, por mast që përfshinte “Rezoluta mbi politikën populluese të republikës së Maqedonisë” përvecc se ishin johumane nuk është se parahsikonin një të arrdhme më të mirë nga ky shtet që do të vazhdoj të qeveriset vetëm me dhunë ndaj shqiptarëve. Dhe për fillim, për reduktimin e shqiptarëve u mendua masa e “familjes katëranëtarëshe”, e nga frika se kjo masë nuk mund të ishet edhe aq produktive u mendua edhe masa otomane me tatimet. Kështu në zonat me natalitet të lartë, që në të gjitha rastet ishin komunat me shumicë shqiptare u menduan masa të posaccme në fushën e politikës tatimore, duke tatuar ata që kalojnë numrin e familjes katër anëtarëshe dhe duke mos tatuar personat e pamartuar. Nga ana tjetër, për të inkurajuar maqedonët ose rajonet me lindshëmëri nën mestare, ideuan masat ekonomike për rritjen e riprodhimit dhe kushtet tjera për formimin e familjeve – lindjen dhe rritjen e fëmijëve.
Se në vitin 1987 maqedonët duhet të kishin frikë nag shqiptarët kjo u dëshmua si e drejtë, por masat që aplikuan ndaj fqinjëve shqiptarë quan në një konflikt të armatosur të vitit 2001 që për fatin e tyre të mirë u mbyll shpejtë, por jo që situate u kurua për të vazhduar drejtë normalitetit.
Zhvillimet e fundit në Maqedoni me qeverinë e Nikolla Gruevskit dhe sjelljen ndaj shqiptarëve sjell në vëmendje këtë studim demografik të vitit 1987, jo për ti treguar Gruevskit se sa shqiptarët janë në Maqedoni, por për ti dëshmuar se pasojat e qeverive maqedone nuk janë të rastësishme. Ato përvecc se nuk përfillën shqiptarët dhe të drejtat e tyre, ato nuk rrespektuan edhe studimet shkencore të haruara në vetë maqedonët, të cilat nëse asgjë tjetër, dëshmuan një të vërtetë se dhuna nuk është mjeti që mund ta luftoj ndryshimin e strukturës së popullsisë e aq më pak rrezikun që maqedonët e pagëzuan: “LINDSHMËRI E SHFRENUAR”
Lëvizjet demografike në botën bashkëkohore dekadave të fundit po bëhen gjithnjë e më aktuale për nga aspekti i realizimit dhe zhvillimit ekonomik e social. Për hir të ndjeshmërisë së problematikës e cila është e lidhur ngushtë me shtimin e popullsisë dhe pasojat nga zhvillimi i saj stihik, gjithnjë e më tepër kujdes po u kushton hulumtimeve shkencore me qëllim që të përcaktohet politikësa më bashkëkohore për kanalizimin e shtimit të popullsisë.
Në RS të Maqedonisë, shkalla e lindshmërisë prej 28 promilash sa u shënua në vitet 60’të, në periudhën e më vonshme të viteve ’80-të kjo shkallë bie në 19.9 promila, por edhe më tutje kjo shkallë më e lartë në vend (pas KSA të Kosovës).
Nëse vazhdon një shkallë e këtillë e lindshmërisë parashikohet që deri në vitin 2001 RS e Maqedonisë të ketë më se mbi 2.4 milionë banorë, përkatësisht rreth 500.000 banorë më shumë se në vitin 1981.
Gjatë periudhës së viteve 1974-1985 popullsia është shtuar për 884 mijë banorë. Duke mos llogaritur bumin demografik deri në vitin 1956, shkalla mesatare vjetore e shtimit të popullsisë gjatë periudhës 1956-1984 është 1.4 për qind.
Bum demografik
Pas Luftës së Dytë Botërore në tërë botën shënohet një bum demografik, por në vendet e zhvilluara lindshmëria e lartë filloi të qetësohet dhe të bjerë, duke u zvogëluar edhe nën nivelin e reproduktimit të thjeshtë që ka shkaktuar vjetërsimin e popullsisë. Përkundër tyre në vendet e pazhvilluara dhe vendet në zhvillim lindshmëria e lartë është dukuri e rëndomtë, që në kushtet e vdekshmërisë së zvogluar popullsia shtohet mjaft shpejt. Në vitet 1984 bota kishte gjithsejt 4763 milionë banorë, e këtyre ditëve të ’87 u lind banori i pesëmiliardtë. Nëse shtimi i popullsisë vazhdon me këtë temp ritën në vitin 2000 parashikohet që bota të ketë më se 6 miliardë.
Për ta ndalë hovin e vrullshëm të shtimit të popullsisë, shumica e vendeve të pazhvilluara dhe në zhvillim parashohin edhe masa konkrete ndaj lindshmërisë së lartë.
Në Jugosllavi lëvizjet demografike përputhen me ato në botë, përkatësisht bum demografik shënohet pas Luftës së Dytë Botërore që zgjat deri në vitin 1954, që pastaj lindshmëria të shënojë tendencë të rënies, por, për të qenë diferencat ndërmjet rajoneve të zhvilluara dhe atyre të pazhvilluara. Shkalla e lartë e lindshmërisë në vitet 1949 në Bosnje e Hercegovinë prej 39.8 promila, në Maqedoni 39.6 promila, në Mal të Zi 33.9 promila, në Kosovë 42.2 promila gjatë periudhës së ardhëshme shënon tendenca të rënies, por në Maqedoni dhe KSA të Kosovës në vitin 1985 edhe më tej është e lartë (19.4 promila dhe 30.9 promila). Gjatë periudhës së të njëjtës shkallë të ulët të lindshmërisë shënojnë Serbia (pa krahinat autonome) 13.3 promila, Vojvodina 12.2 promila dhe Sllovenia 14.5 promila.
Shtim i pabalancuar
Në krahasim me republikat e tjera dhe vendin në tërsi popullsia e republikës së Maqedonisë mesatarisht shënon rritje më të lartë që është evidente edhe me vetë rritjen e pjesëmarrjes prej 7.3 për qind në vitin 1948 në 8.7 për qind në vitin 1984 në shumën e tërsishme të popullsisë së vendit. Kjo është pasojë e rritjes mesatare vjetore të popullsisë prej 1.4 për qind gjatë periudhës 1956-1984 dhe paraqet shkallë më të lartë në vend (B e H 1.222 p`ër qind, Mali i Zi 1.1 për qind, Kroacia 0.5 për qind, Sllovenia 0.8 për qind, Serbia 1.0 për qind dhe Jugosllavia në tërsi 0.9 për qind).
Si rezultat i lëvizjeve të këtilla, popullsia e Maqedonisë prej 1.153 mijë banorësh që pati në vitin 1948 rritet në 1.909 mijë banorë në vitin 1981. Bum demografik në pesë vitet e parë 1948-1953 shtoi popullsinë për 151.5 mijë banorë, ashtu që në dekadën e ardhshme ndjehet një qetësim popullsia shtohet për 101.5 mijë banorë. Dy dekadat e ardhëshme popullsia shënon rritje të përhershme duke shtuar për 503.1 mijë banorë.
Karakteristikë kryesore e lëvizjeve demografike në Republikë është lindshmëria e diferencuar, që do të thotë se disa rajone kanë lindshmëri tejet të lartë, ndërsa disa mjaft të ulët. Nisur nga ky fakt shikuar në tërsi, shtimi natyrorë i popullsisë si sintezë e shkallës së lindshmërisë vdekshmërisë (shkalla e reproduktimit të popullsisë) në vitin 1984 është 1.07 që do të thotë se popullsia e Maqedonisë afrohet kah niveli i fertilitetit që është i mjaftueshëm për reprodukimin e thjeshtë të popullsisë.
SHTIMI STIHIK – PASOJAT E SHUMËFISHTA
Sipas të dhënave statistikore ( sa i përket natalitetit) në vitin 1987 popullsia në Maqedoni ndahet në atë : Rajoni perëndimor me shkallë të lartë të natalitetit ( Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova dhe Struga), ku kryesisht numrin më të madh të popullsisë e përbëjnë kombësitë si shqiptarë, turq dhe grupi etnik rom; në grupin e dytë bëjnë pjesë rajonet me natalitet mbi mesataren e Republikës ( Shkupi, Kumanova, Titov Veseli, Shtipi,Strumica dhe Vallandova) dhe në grupin e tretë bëjnë pjesë rajonet ku nataliteti është nën mesatare republikane.
Pasojat nga shtimi i shpërpjestuar i popullsisë natyrisht se më ashpër reflektohet në fushën e punësimit. Çështja e punësimit si problem është i pranishëm në tërë Maqedoninë edhe atë për shkak të zhvilimit të pamjaftueshëm të forcave prodhuese përballë nevojave dhe kërkesave të aktivizimit të faktorit njeri. Gjendja është posaçërisht e pavolitshme në rajonet me lindshmëri të lartë, ku edhe ekzistojnë raportet specifike për aktivizimin e popullsisë në forcë prodhuse. Komunat me lindshmëri të lartë, ku me numër mbizotrojnë banorët e kombësis shqiptare, turke, rome, kanë rezerva të fuqisë puntore, kryesisht femra, e cila tash për tash kryesisht merret veç me problemin e reprodukimit të popullsisë dhe me farë ndimëse shtëpiake. Për një gjëndje të këtillë shkaktarë janë kryesisht sjelljet tradicionale ndaj punës ( që burri të punojë e gruaja të kujdeset rreth familjes, mosemancipimi i duhur, analfabetizmi si dhe shkalla e ulët e arsimimit).
Dhe pikërisht nga këto fusha rrjedhin edhe problemet rreth aktivizimit të popullsisë në Maqedoni, aktivizim ky i cili gjatë viteve ’60-të sillej rreth 12.4 mijë persona të aftë për punë, dhe kuptohet se nuk ka qenë në harmoni me shtimin e popullsisë prej 30.4 mijë vetave mesatarisht në vit. Dekadën e ardhëshme disharmonia vazhdon të shtohet, edhe pse herë – herë u shënua tendenca të zvogëlimit të lindshmërisë. Një karakteristikë e tillë vlen edhe për periudhën e viteve 1970-1980, kur shtimi arrin 26.2 mijë mesatarisht në vit, ndërsa aktivizimi i fuqisë puntore është më i lartë se në periudhën e kaluar 19.1 mijë. Gjatë pesë vjetëve të kaluara të kësaj dekade u shënuan shkallë e aktivizimit punonjës prej 20.9 mijë, në këto kushte shtimit të lindshmërisë prej 25.4 mijë.
Sipas të dhënave numerike, qartazi del se shtimi natyror i popullsisë te ne, vite më radhë është më i lartë se forca aktivizuese me punë, gjë që edhe e kushtëzon paraqitjen e dukurisë së forcave rezervë të fuqisë punonjëse dhe shtohet numri i të papunëve. Një tendencë e tillë, për shkak të ndërrimeve të strukturës së vjetërsisë së popullsisë, deri në vitin 2001 do të ketë vazhdimësinë e saj, ashtu që në prag të shekullit të XXI parashikohet të hyjmë me 332.6 mijë persona të rinj që do të jenë të aftë për punë.
Pasojat e shumëfishta
Zhvillimi ekonomik dhe social është në lidhje të ngushtë me lëvizjet demografike, përkatësisht më vëllimin, strukturën dhe zëvendësimin e fuqisë puntore. Pra, popullsia paraqet element kryesor në Zhvilimin ekonomik dhe social.
Lëvizjet e deritanishme demografike shtrojnë kërkesën e investimit të vazhdueshëm të mjeteve financiare për sigurimin e kushteve për jetesë normal ( infra dhe superstruktura) veçnas për hapjen e vendeve të reja të punës për realizimin e sigurisë ekonomike dhe sociale të popullsisë. Mirëpo, meqënse zhvillimi ekonomik në këto rajone edhe më tutje do të shënoj stanjacion e ndoshta jozhvillueshmëria mund të thellohet edhe më tej. Vështirë se mund të sigurohen mjete të mjaftueshme. Në të vërtetë Maqedonia gjatë 30 vjetëve të kaluar, mjetet kryesore të ekonomisë, si rezultat i investimeve të rëndësishme, i rriti për 12.6 herë, duke e zvogëluar shkallën e stanjacionit përballë mesatares jugosllave prej 49 për qind në vitin 1955 në 31.9 për qind në vitin 1984. Megjithatë, vëllimi i tashëm i mjeteve kryesore për banorë është më i vogël në krahasim me republikat e tjera dhe nën mesataren jugosllave, me çka Maqedonia ka start të pabarabartë për zhvillimin e mëtutjeshën dhe nëse vazhdon shtimi i tashëm i popullsisë atëherë me siguri se do të stanjohet edhe përballë zhvillimit të republikave të tjera.
Sa i përket prodhimit shoqëror për banor në RS të Maqedonisë, ai në vitin 1955 ishte i ulët në vend dhe mbetej prapa 32 për qind dhe sillej rreth 3165 dinarë. Në vitin 1985 ai është më i lartë për tri herë e gjysëm ( 11.50 dinarë), por nga mestarja jugosllave edhe më tutje mbetet për 5 pikë indeksi më i vogël. Sa për ilustrim të cekim se në vitin 1985 Sllovenia kishte rreth 90 mijë banorë më pak se Maqedonia, ndërsa prodhim më të lartë shoqëror për banorë për 207 për qind, përkatësisht tre herë më tepër, por shkalla mesatare e shtimit të popullsisë atje, për 30 vjetët e kaluar arrin 0.8 për qind. Dhe, sipas këtyre të dhënave, edhe pas 30 vjetësh të ardhëm, nëse shtimi i popullsisë së RS të Maqedonisë vazhdon me këtë shkallë atëherë banori i mundëshëm, qoftë edhe sipas ndonjë koiccidence, i gjashtë miliardi, në qëlloftë prej RS të Maqedonisë, ai do të jetë Jugosllavi më i varfër.
Dispropocioni rajonal i natalitetit
-Në pesë komunat e Maqedonisë Perëndimore, ku jetojnë një e pesta e popullsisë së Republikës, shkalla e natalitetit është mjaft e lartë.
Lëvizjet populluese në Republikë nuk janë të njëjta, në pjesët e ndryshme të saj, në disa rajone, shënohet natalitet i lartë ndërsa në disa ai sillet nën mesataren dhe nuk siguron as reprodukimin e thjeshtë të popullsisë. Sipas të dhënave statistikore ( sa i përket natalitetit) popullsia në Republikë ndahet në atë : Rajoni perëndimor me shkallë të lartë të natalitetit ( Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova dhe Struga), ku kryesisht numrin më të madh të popullsisë e përbëjnë kombësitë si shqiptarë, turq dhe grupi etnik rom; në grupin e dytë bëjnë pjesë rajonet me natalitet mbi mesataren e Republikës ( Shkupi, Kumanova, Titov Veseli, Shtipi,Strumica dhe Vallandova) dhe në grupin e tretë bëjnë pjesë rajonet ku nataliteti është nën mesatare republikane. Pra, nga 34 komuna të Republikës, pesë komunat e saj, ku jetojnë një e pesta e popullsisë, shënojnë shkallë tejet të lartë të natalitetit. Në komunën e Gostivarit nataliteti shënon shkallën prej 18.6 promilash, në Dibër 20.3 promila, në Kërçovë14.9 promila, në Strugë 19.0 promila dhe në Tetovë 18.1 promila. Situate në disa komuna të tjera është me sa vijon: Radovishi 14.9 promila, Delleçeva 13.3 promila, Kumanova 12.8 promila, Gazi Baba 13.6 promila, Çairi 15.1 promila, Kisela Voda 12.7 romila dhe Vallandova 12.1 promila.
Ndryshime në strukturën e popullsisë
Dispropocionet e formuara të natalitetit mes komunave ndryshuan edhe strukturën e popullsisë sipas përbërjes kombëtrare.
Nataliteti në Republikë shënon rritje prej 39 mijë famijë në vit, përkatësisht 19.4 fëmijë të lindur në 1.000 banorë, që në krahasim me republikat e tjera, kjo mesatare është tejet e lartë. Mbi 30 për qind të famijëve të lindur u takojnë komunave të pazhvilluara me natalitet të lartë të Maqedonisë Perëndimore. Bie fjala, nga 13.391 fënijë të lindur në 14 komuna të pa zhvilluara mbi 10 mijë fëmijë u takojnë pesë komunave të Maqedonisë Perëndimore me natalitet të lartë si Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra dhe Struga. Sa për ilustrim të shënojmë të dhënat se vetëm në komunën e Gostivarit lindin po aq fëmijë sa lindin në Berovë, Brod, Vincë, Damir Hisat, Kratovë, Kriva Pallankë, Krushevë, Radovish dhe Resnjë, së bashku.
Një shtim i këtill i popullsisë ndikon edhe në ndryshimin e strukturës së popullsisë në bazë të përkatësisë kombëtare. Ekspertët parashikojnë që në vitin 2001, pjesëmarrja e maqedonasve në numrin e përgjithshëm të popullsisë të zvogëlohet prej 67 për qind në 62.3 për qind në favor të pjesëmarrjes së shqiptarëve prej 19.8 për qind në 23.7 për qind dhe të turqve prej 4.5 për qind në 5.1 për qind.
Dendësi e ulët dhe e lartë
Shtimi i lartë i popullsisë formon territore të dendura kështu që derisa në vitin 1961 në Maqedoni në 1 km/katror jetonin 55 banorë, në vitin 1981 ky numër arriti në 74 me çka Maqedonia është duke e arritur dendësinë jugosllave prej 87.8 banorë për 1 km/ katrorë. Në kuadër të dendësisë mesatare të popullsisë, me rëndësi është të ceket dendësia në disa rajone ku kryesisht është konceptuar ajo popullsi dhe fuqi puntore që vazhdimisht shtron nevojën e investimeve të mjeteve financiare për sigurimin e kushteve normale të jetesës ( infra dhe superstruktura) dhe për hapjen e vendeve të reja të punës për realizimin e sigurisë socilale dhe ekonomike të popullsisë.
Veçanarisht shpejt rritet dendësia në qytetet si Shkupi ( 278 banorë në 1 km/ katror), Tetova (150), Manastiri (111), Kumanova (104), Strumica (92), Koçani (84), Dibra (82), Manastiri(77) dhe Gostivari (75), përballë rënies së vazhdueshme të dendësisë së popullsisë si në Berovë ( 25 banorë për 1 km/katror).
Për rajonet me popullsi të dendur karakteristikë themelore është se popullsia i takon gjeneratës së re reprodukuese që ndikon në përtëritjen e popullsisë dhe shpie drejt shtimit dhe rritjes ende më të madhe të dëndësisë së popullsisë. Me këtë edhe më tepër ashpërsohen problemet edhe ashtu prezente për realizimin e sigurisë sociale dhe ekonomike.
Emancipimi i femrës
Faktorët që shkaktuan natalitetin e lartë në Maqedoni janë të shumëfishtë. Në radhë të parë pjesmarrja e lartë e popullsisë së re mundëson shkallën më të lartë nataliteti meqë ndodhet në fazën e fertilitetit, pastaj, niveli i ulët i arsimimit të popullsisë, pjesëmarrja e lartë e popullsisë analfabete (gjithsejt 167.4 mijë) nga të cilët dy të tretat ( 122.8 mijë) janë femra.
Arsimimi i ulët dhe mosemancipimi i femrës shqiptare, turke, dhe rome, nën ndikimin e traditës, arrin shkallë të tillë nataliteti të cilën femra maqedonase e kishte gjatë viteve të ’50-ta.
Në shkallën e lartë të natalitetit ka ndikuar edhe feja, e cila propagandon lindje të tepërta. Në kushtet e tanishme, sa i përket natalitetit, prin feja islame për dallim nga fetë e tjera të cilat kanë qëndrim pak a shumë pasiv. Gjithashtu, natalitetin e lartë te kombësia shqiptare e nxisin me qëllim të caktuar edhe nacionalistët dhe separatistët shqiptarë të cilët manipulojnë me të.
Institucioni i bashkëshortisë, gjithashtu është specifik për rajonet e Maqedonisë, ku ka raste të rralla të beqarëve dhe shënojnë shkallë të ulët në këtë kuadër të vendit. Tek grupet etnike femra hyn në bashkëshortësi në moshë të re duke luajtur rolin e reprodukimit për një periudhë më të gjatë, duke realizuar natalitet të lartë, për dallim nga femra maqedonase, e cila hyn në bashkëshortësi më vonë dhe është e përgatitur për natalitet më të ulët.
Pranë faktorëve të lartëpërmendur, ndikim të veçantë në natalitetin e lartë kanë edhe masat stimuluese të shoqërisë ndaj familjeve shumë anëtarëshe. Në këtë aspekt duhet cekur shtesat fëmijërore, disa lehtësime tjera ligjore, ardhja më e shpejtë deri te banesa dhe përfitime të tjera.
/Lëvizjet demografike në RS të Maqedonisë – 25 Tetor 1987/

Filed Under: Analiza Tagged With: Agim Popoci, filluan të kenë frikë, nga Shqiptaret, Tetor 1987. Pse Maqedonët

TË DREJTAT E NJERIUT, 365 DITË NË VIT

December 9, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënon çdo vit më 10 Dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut, ditë kjo e cila kujton datën kur Asamblea e Përgjithshme e OKB-ës ka miratuar në vitin 1948 Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, duke shpallur se parimet e kësaj deklarate janë “standarde të përbashkëta për tu realizuar nga të gjithë popujt dhe nga të gjitha kombet.” Kjo deklaratë në tërësi, ndoshta si asnjë marrveshje tjetër ndërkombëtare, potencon se të gjithë njerëzit pa dallim, kanë lindur të lirë, me të drejta dhe liri të barabarta.
Sllogani që Kombet e Bashkuara kanë vendosur të përdorin këtë vit për të shënuar dhe për të promovuar ditën kushtuar zbatimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës është, “Të Drejtat e Njeriut 365”. Me idenë, sipas OKB-ës, për të promovuar zbatimin e të drejtave të njeriut çdo ditë të vitit dhe jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, me 10 dhjetor, duke nënvijuar kështu “Parimin kryesor të Deklaratës Universale, se secili prej nesh, kudo dhe kurdoherë ka të drejtë të gëzojë të gjitha të drejtat e njeriutdhe se ato të drejta janë për secilin indidvid të barabarta dhe pa dallim, të drejta këto të cilat nga bashkojnë si një komunitet global, me të njëjtat ideale dhe vlera.”
OKB-ja pranon se viti 2014 do të mbahet mend si viti i sfidave të mëdha në fushën e zbatimit të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, duke thënë se madje edhe në vendet ku më heret ishte shënuar përparim në zbatimin e këtyre të drejtave, tani vihet re një zmbrapsje, ndonëse thotë se ka patur edhe përparime të vazhdueshme në realizimin e të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar. Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se 10-dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, është një rast për të shpallur rishtas angazhimin e të gjitha shteteve anëtare ndaj zbatimit të parimeve dhe standardeve që janë zhvilluar dhe promovuar gjatë pothuaj më shumë se 6-dekada, ç’prej miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, më 10 dhjetor, 1948.
Në mesazhin e tij me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon tha se kjo është dita që të gjithë të ngrejmë zërin së abshku duke “Denoncuar autoritetet që mohojnë të drejtat e cilitdo person ose grup”, kudo dhe kurdoherë. Udhëheqsi i OKB-ës shtoi në mesazhin e tij se, “Ne deklarojmë se të drejtat e Njeriut janë për të gjithë ne, dhe për gjithmonë, kushdo qofshim dhe nga do qofshim”, pa marrë parasyshë ndryshimet dhe dallimet midis nesh. “Kjo”, shtoi Ban Ki Moon, “është një çështje tepër me rëndësi për zbatimin e drejtësisë ndaj çdo individi si dhe ndaj stabilitetit shoqëror dhe përparimit global.” Shtetet ku njerëzit gëzojnë të drejtat e barabarta, shtoi udhëheqsi i OKB-ës, janë vende ku zhvillohet ekonomia dhe ku shoqëria jeton dhe vepron në paqë.”Shkelja e të drejtave të njeriut është diçka më shumë se një tragjedi personale për një person ose një grup.Dhunimi i të drejtave të njeriut është një alarm që mund të paralajmërojë paraqitjen e një krize më të madhe shoqërore”, nënvijoi në mesazhin e tij, Ban Ki Moon. Më në fund, ai than ë mesazhin e tij vjetor, se çdo person mund të bëj diçka në luftën kundër padrejtësive, mos tolerancës dhe ektstremizmit kudo në botë dhe iu drejtua shteteve anëtare të OKB-së që të “respektojnë dhe të zbatojnë të drejtat e njeriut për të gjithë dhe për çdo ditë të vitit”. Njëherazi, u bëri thirrje të gjithë popujve që të mbajnë përgjegjëse qeveritë e tyre për zbatimin e këtyre të drejtave, për të gjithë dhe për 365 ditët e vitit.
Në vetë-vete — Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut të OKB-së dhe parimet që kanë udhëhequr këtë organizatë gjatë më shumë se një gjysëm shekulli, ç’prej miratimit të saj më 10 dhjetor, 1948 — diskrediton tiranitë e sotëme dhe ato tëshekullit të kaluar si komunizmin dhe fashizmin si dhe diskriminimet, krimet dhe shkeljen e këtyre të drejtave për personat që vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me këto ideologji.
Nuk jam i sigurt nëse bota shqiptare e shënon këtë ditë ndërkombëtare të drejtave të njeriut. Por nëqoftse autoritetet dhe shoqëria civile e zbatojnë thirrjen e OKB-së për të kujtuar, jo vetëm këtë ditë por edhe për të promovuar çdo ditë të vitit këto të drejta bazë të njeriut “për të gjithë dhe përgjithmonë” – atëherë, kjo ditë duhet të shikohet jo vetëm nga realiteti i sotëm, por edhe nga një perspektivë historike.
Fryma e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, duhet të shërbejë sot në këtë Ditë Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, si një rast i përshtatshëm për promovimin e këtyre të drejtave sot, por edhe për të kujtuar gjithashtu shkeljet dhe dhunën serioze ndaj këtyre të drejtave bazë të njeriut për mijëra viktima të regjimit komunist, me qëllim që të pakën viktimat e atij sistemi që janë ende gjallë, më në fund, ta ndjejnë veten se janë pjesë e pandarë e shqoërisë dhe se gëzojnë të drejta të barabarta, dinjitet dhe liri të plotë për veten dhe për familjet e tyre në krahasim me të tjerët. Trajtimi dhe ndriçimi i këtyre krimeve ndaj kyëtre viktimave dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë një periudhe prej gjysëm shekulli — madje edhe 25 vjetë pas shëmbjes së Murit të Berlinit — do të çonte drejtë një shoqërie më të hapur dhe më normale, në pajtim me vetveten. Mos trajtimi i kësaj historie të dhëmshme gjysëm shekullore për shoqërinë shqiptare, nga pikëpamja e zbatimit ose jo e të drejtave të njeriut pa dallim dhe duke mos u bazuar në vlerat universale të të drejtave universale të njeriut dhe sipas OKB_së, të të gjitha kohërave, e mbanë shoqërinë në një ngërç konfliktesh politike dhe ekonomike, që fatkeqsisht mund të çojnë edhe në konfrontime të panevojshme shoqërore. Është e nevojshme që trajtimi i krimeve të regjimit komunist nga pikëpamja e shkeljes së të drejtave bazë të njeriut, të konsiderohet brënda përmbajtjes dhe kontekstit të këtyre të drejtave universale.Një gjë e tillë do t’i shërbentejo vetëm të vërtetes historike, por edhe lartësimit të nderit dhe interesit kombëtar të të gjitha kohërave. Le të jetë ky një angazhim nga të gjithëpa dallim — në këtë ditë ndërkombëtare të të drejtave të njeriut — për tu zbatuar jo vetëm sot,por sipas OKB-së, për çdo ditë të 365 ditëve të vitit, për të gjithë dhe pa dallim.
Frank Shkreli

Filed Under: Analiza Tagged With: 365 DITË NË VIT, Frank shkreli, te drejtat e Njeriut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 858
  • 859
  • 860
  • 861
  • 862
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES
  • Shkolla Shqipe Vatra në Tampa zhvilloi takimin e radhës
  • FESTA E SHQIPTARËVE
  • Lekë Matrënga, jo vetëm poeti, por dhe mësuesi i parë i shqipes
  • BETIMI I VEDAT GASHIT I ADMINISTRUAR NGA PRESIDENTI CLINTON
  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT