SHKRUAN: GAVROSH LEVONJA/New York/
Arrestimi i ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, që nga mënyra dhe rrethanat si u realizua, deri diku përbente dhe një surprizë, natyrisht që pati një jehonë të gjerë në opinionin publik, madje dhe në qarqet politike. Pjesën e luanit në këtë jehonë, pa dyshim, e pati prokuroria nga zyrat e së cilës doli dhe urdhëri për vënien nën pranga të zotit Fullani. Kështu, vetë prokurori firmën e të cilit mbante urdhër arresti do të ishte heroi i ditës në pjesën më të madhe të mediave shqiptare dhe sidomos në rrjetet sociale. Kuptohet se lavdet e përgëzimet në adresë të prokurorisë ishin dicka që pritej, po të kihet parasysh se prokuroria, e cila, për të qenë realistë, gjatë një periudhe shumëvjecare ka dështuar ose të paktën ka qenë e pafuqishme për të pasur sukses me dosjet e ceshtjeve të bujshme, ku të akuzuar kanë qenë personalitete nga politika apo qarqe të lidhura me të. Madje arrestimi i Fullanit, krijoi një frymë optimizmi se më në fund prokuroria po shkëputej nga prangat e politikës duke filluar luftën kundër krimit shtetëror. Mirëpo, duke analizuar zhvillimet menjëherë pas daljes në dritë të lajmit për vjedhjen në mjediset e thesarit të Bankës së Shqipërisë, në radhë të parë reagimet e klasës politike shqiptare, opozitës dhe qeverisë, mendoj se nuk ka vend për optimizëm përsa i përket të ardhmes së aktivitetit të organit të akuzës kur është fjala në raportet me politikën, më së pari me pushtetarët e radhës. Gjatë gjithë periudhës që nga dita e publikimit të vjedhjes së Ardian Bitrajt, politika shqiptare është ndodhur midis dy zjarresh; nga njëra anë presionit të pjesës më të madhe të opinionit publik i cili kërkonte ndëshkimin e guvernatorit si përgjegjës kryesor dhe nga ana tjetër një reagimi të mundshëm të ndërkombëtarëve, të cilët cdo hap që mund të conte drejt shkarkimit të guvernatorit të bankës, mund ta cilësonin si “cënim të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë”. Aq më tepër kur kryeministri, Rama ishte shprehur për “stabilitet financiar” gjë që nënkupton meritën e Bankës së Shqipërisë, në një kohë kur edhe Këshilli Mbikqyrës i bankës, pas një votimi, kishte hedhur poshtë, pothuajse unanimisht një shkarkim të mundshëm të Fullanit qoftë dhe në formë dorëheqjeje. Në dritën e një optike të tillë, mund të shpjegohet dhe “guximi” i një zyrtareje të bankës për të injoruar parlamentin duke mos denjuar të paraqitej për të dëshmuar para komisionit parlamentar për ekonominë. Fakt është se kushtet për të vënë në lëvizje mekanizmat për rrëzimin e Ardian Fullanit nga maja e piramidës bankare të Shqipërisë do të fillonin vetëm pas arrestimit të tij në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga prokurori Troci. Personalisht, duke pasur parasysh sa më sipër, urdhëri i prokurorisë për të prangosur guvernatorin e deriathershëm të Banksës së Shqipërisë, jo vetëm nuk më bën “optimist” për fillimin e një “sfide” të organit të akuzës kundër shkelësve të ligjit nga radhët e pushtetarëve, por, në të kundërt, them se duke arrestuar Fullanin, prokuroria i bëri shërbimin e radhës politikës duke e cliruar nga “barra” e rëndë për të vepruar kundër kreut të bankës qëndrore të vendit. Duke lexuar pesë shkeljet mbi të cilat prokuroria ka bazuar akuzën kundër ish-guvernatorit te Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, te krijohet përshtypja se gjithcka është bërë në kushtet e emergjencës së krijuar si rezultat i ndonjë presioni për të “bërë letrat” që do ta dërgonin numrin një të bankës prapa hekurave.
Zoti Fullani ndodhej ne krye të Bankës së Shqipërisë që nga tetori i vitit 2004, pra një periudhë dhjetëvjecare, gjë që natyrshëm të con tek pyetja: “Shkeljet” e konstatuara prej prokurorisë e kanë zanafillën që prej viti 2004, vitin e kaluar apo muajin e kaluar? Mirë, Fullani, nuk paska propozuar zv/guvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, po Këshilli Mbikqyrës si është e mundur që nuk i a ka kërkuar atij një gjë të tillë. Prokurori i ngarkuar për cështjen në fjalë, në komunikatën e publikuar nuk përmend ndonjë fakt si fjala vjen që “filan antar i këshillit mbikqyrës i a kërkoi por guvernatori nuk e përfilli”. E njejta gjë mund të thuhet edhe për “shkeljet” e tjera; Si ka mundësi që ky këshill i quajtur mbikqyrës paska bërë sehir Fullanin duke e lënë të shijë si të dojë qe nga dita e ardhjes në krye të bankës qëndrore të vendit? Ndoshta duke mos qenë në kontakt direkt me atë c’ka është bërë në Bankën e Shqipërisë në vite mund edhe të gaboj, por logjika më con në atë që “shkeljet” në fjalë duhet të kenë ekzistuar që para ardhjes së Fullanit. P.sh. nëse do të kishte pasur një zv/guvernator të dytë para Fullanit, kur pse dhe si u largua? Si ka mundësi që Fullani i akuzuar se ka mbushur bankën me miq, të afërm të tij dhe të politikanëve të rëndësishëm e paska lënë t’i shpëtojë një post i tillë pa emëruar dikë të vetin? Së dyti, kur flitet për “nisma juridike”, për “rregullore të thesarit”, për “politika për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme”, etj. të gjitha këto paskan qenë lënë të bëheshin ditën kur do të vinte këmbë në zyrën e guvernatorit, Ardian Fullani? Gjithashtu, po para Fullanit si kryheshin auditet në Bankën e Shqipërisë? Dihet se në Shqipëri ai që vjen në krye të një institucioni më shumë është i prirur të ndryshojë njerëzit se sa normat e stilin e punës. Nuk dihet saktësisht nëse është shtyrë prokuroria për të hetuar aktivitetin e Bankës së Shqipërisë para ardhjes në krye të saj të Fullanit. Nëse do të shpresohej për një hetim të suksesshëm, ky nuk do të ishte i mundur pa hetuar imtësisht aktivitetin e Këshillit Mbikqyrës. Konkretisht,shkeljet e evidentuara nga organi i akuzës, gjykuar nga përmbajtja e tyre duhej të kishin qenë objekt shqyrtimi i Këshillit Mbikqyrës të Bankës, antarët e të cilit duhej të kishin ngritur zërin edhe për shkëljen apo abuzimin më të vogël nga ana e kreut të bankës. Madje, më shumë se guvernatori, roli kryesor i të cilit janë probleme të tilla si politikat monetare, koordinimi i tyre me situatat ekonomike e sociale të vendit, me levizjet në qarqet financiare ndërkombëtare, i mbetej anëtarëve të këshillit të merreshin me atë që mund të konsiderohet si “prapavija” sic janë problemet e sigurisë, apo zbatimi i rregulloreve të brendshme, etj. Lidhur me këtë ma do mendja se në asnjë vend të botës guvernatori i një banke ka luksin të merret me problemet e sigurisë në një institucion bankar qoftë dhe të nivelit të dytë. Përsa i përket auditeve guvernatorja e re dëshmoi para prokurorisë se për auditet e munguara në vitet 2012, 2013 dhe 2014 përgjegjësia i takon ekskluzivisht kryeinspektores se arrestuar, Golemi, po athere si mund të mbetet jashtë përgjegjësive vetë guvernatorja e re, deri dje zv/guvernatore, të cilës nuk i paskan rënë në sy auditet e munguara gjatë një periudhë trevjecare? Të gjitha akuzat ndaj Fullanit duke pasur parasysh qëllimin dhe kuadrin ligjor të funksionimit të këshillit mbikqyrës, rëndojnë dhe mbi antarët e këtij këshilli i cili paska qenë një organizëm krejt formal, i ngjashëm me bordet e institucioneve e kompanive të ndryshme, ku të emëruarit e kanë kuptuar detyrën e tyre vetëm për të marrë rrogat e majme duke e pasur qenien në këshillin mbikqyrës si “punë të dytë”. Normalisht, antarët e këshillit mbikqyrës duhej të ndëshkoheshin me kthimin e këtyre rrogave për punë të pakryer.
RUSIA DHE BALLKANI; SHQETËSIM I PËRHERSHËM
Nga Frank Shkreli/
Në fillim të këtij viti, në shkrimin me titull “Kujdes Ballkanin”, që ishte një reagim ndaj agresionit rus në Ukrainë, kisha shkruar se “Zhvillimet e përgjakshme të kohëve të fundit në Ukrainë duhet të jenë një kambanë për elitat politike të vendeve të Ballkanit si dhe për Bashkimin Europian dhe për Shtetet e Bashkuara, që kësaj zone t’i kushtohet një vëmendje më e madhe para se të jetë tepër vonë”.
Javën që kaloi, enti amerikan “Democratization Policy Council” (DPC) ose Këshilli për Demokratizimin e Politikës, botoi një raport mbi politikën ruse në Ballkanin Perëndimor, në të cilin thotë se Rusia po perhapë influencën e saj politike në atë rajon duke luajtur kartën ekonomike. Sipas raportit, Moska e ka bërë këtë, falë mungesës së bashkimit të vendeve perëndimore për një politikë të përbashkët me qëllim për të penguar përpjekjet dhe për të kundërshtuar interesat ruse që janë të dukëshme anë e mbanë rajonit, por sidomos në Serbi dhe në Bosnje Hercegovinë, nepërmjet entitetit të quajtur Republika Srpska. Megjithëse, sipas autorëve, nuk dihet natyra dhe përmasat e politikës ruse në atë rajon, sidomos në Serbi dhe në Republika Srpska, pasi ajo nuk është transparente dhe është e rrethuar me mister, por si e tillë, thotë raporti, ajo përbën gjithnjë e më shumë një problem të madh ndaj interesave perëndimore në përgjithësi dhe ndaj sigurisë në kontinentin europian, në veçanti.
Autorët e raportit të entit amerikan DPC, Bodo Weber and Kurt Bassuener shkruajnë se konflikti në Ukrainë, i cili si përfundim ka keqësuar dukëshëm marrëdhënjet midis Rusisë, Bashkimit Europian (BE) dhe Shteteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Ai konflikt, si rrjedhim thonë ata,ka kafektuar anjëkohësisht ka prekur prekur gjithashtu zhvillimet, në mënyra të afektuar në mënyra të ndryshme rajonin e Ballkanit dhe për rreth. Ata thonë se ndërkohë që kriza në Ukrainë ka larguar vëmendjen e politikës perëndimore nga zhvillimet e kohësve të fundit në Ballkan, ky rajon është shëndërruar në një fushë betejë e këtij konflikti të ri gjeopolitik, i cili po simbolizohet nga një rritje gjithnjë e më e madhe e aktiviteteve diplomatike dhe propagandistike ruse dhe kjo fushatë nuk i drejtohet ekskluzivisht Serbisë, megjithëse Serbia histoprikisht dhe gjithmonë ka mbështetur interesat e Ruse në Ballkan.
Raporti nënvijon vështirsitë që ekzistojnë midis BE-së dhe SHBA-së për të arritur në një qendrim të përbashkët politik me qëllim për të kundërshtuar agresionin rus në Ukrainë. Kjo ndodë thuhet në raport, kryesisht për arsye ekonomike, sidomos për arsye të varësisë së disa prej vendeve europaine tek Rusia për energjinë. Në raport përmendet si një sukses i politikës së përbashkët perëndimore në Ballkanin Përendimor, luftën e Kosovës me Serbinë, ku thuhet se SHBA-të dhe BE-ja edhe pas vitit 1999, kanë vazhduar të mbajnë një qëndrim të përbashkët politik, megjithë ndryshimeve midis tyre, përballë sfidës që paraqet për ta kriza në Ukrainë.
Në lidhje me marrëdhënjet midis Serbisë dhe BE-së, autorët e raportit thonë se ndërsa është e qartë se Beogradi nuk ka një strategji afatgjatë se si dhe kur të ndërpresë marrëdhënjet tradicionale me Rusinë, të cilat janë në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për tu bërë anëtare e BE-së, njëkohësisht është e qartë — thuhet në raport — se as BE-ja nuk ka një strategji afat-gjatë për zhvillimin e marëdhënjeve të saj me Serbinë. Ata paralajmërojnë se ky boshllëk do të përkeqsohet edhe më shumë, nëqoftse në të ardhmen shënohet ndonjë përkeqsim edhe më i dramatic, së ç’është tani, në marrëdhënjet e Perëndimit me Rusinë.
Si përfundim, raporti i entit DPC, i bën thirrje Perëndimit por në veçanti Bashkimit Europian, që më në fund, të përballet me këtë sfidë dhe i bën thirrje që të përpilojë një politikë të përbashkët ndaj rajonit të Ballklanit Perëndimor, me qëllim që të pengohen dhe të kufizohen mundësitë dhe rastet e Moskës për të dëmtuar interesat e Perëndimit në rajonin e Ballkanit. Kjo strategji e përbashkët europiane, sipas raportit në fjalë, duhet të përfshijë këta elementë kryesorë: “Arritjen e një qëndrimi të përbashkët për tu marrë seriozisht me kërcënimet ndaj sigurisë rajonale anë e mbanë Ballkanit, përfshirë edhe mundësinë e antarësimit në NATO të vendeve që aspirojnë një antarësim të tillë: zhvillimin e mëtejshëm të mundësive për antarësim në Bashkimin Europian, në përputhje të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtëme dhe të Sigurisë (CFSP), si dhe zhvillimin dhe përpilimin e një politike të përbashkët energjetike europiane, në të cilën të përfshihen edhe vendet kandidate për në BE dhe në NATO.
Politika dhe influenca ruse në Ballkan nuk është as e re, as nuk ka ndryshuar gjatë dekadave — për të mos thënë me shekuj — e sidomos përsa i përket politikës ruse ndaj kombit shqiptar në trojet e veta në Ballkanin Perëndimor. Pa dashur të futem në histori, por vetëm t’i hedhim një sy politikës aktuale të Moskës, sidomos ndaj Kosovës. Rusia, jo vetëm që nuk njeh Kosovën, po edhe përpiqet të bllokojë çdo përparim që ka shënuar Kosova, sidomos në fushën ndërkombëtare. Qëndrimi i Moskës është aq anti-Kosovës sa që nganjëherë është venë re se Rusia mban një qëndrim edhe më të ashpër se vetë Serbia karshi Kosovës, siç është çështja e përfaqësimit të Kosovës në takime rajonale dhe adminstrimi i përbashkët i disa pikave të kufirit Kosovë-Serbi. Me djallëzitë e veta që luan në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, Rusia nuk ka ndryshuar aspak politikën e saj ndaj Kosovës si shtet dhe as ndaj pavarsisë së saj të njohur tanimë nga më shumë se 100- shtete të botës. Nepërmjet përfaqsuesve të saj diplomatikë në arënën ndërkombëtare, e sidomos në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB-së), Moska vazhdon të kundërshtojë me këmbëngulje antarësimin e Kosovës në organizatën botërore, pasi si anëtare e Këshillit të Sigurimit ushtron të drejtën e vetos.
Ndryshimet midis Perëndimit dhe Rusisë në lidhje me Kosovën e të cilat kishin arritur kulmin më 1999 me ndërhyrjen e NATO-s për të çlirimin e Kosovës nga Serbia, vazhdojnë të jenë gjithnjë të mprehta. E duket sikurë Kosova është një kockë që i ka mbetur në fyt Moskës, një kockë që pengon shtrirjen dhe konsolidimin e influencës dhe dominimit të saj në Ballkan. Në librin e tij, “Rusia dhe Ballkani”, Profesori James Headley nga Zelanda e Re ka shkruar se ish-presidenti rus Boris Yeltsin dhe tani Presidenti Vladimir Putin e kanë bërë pjesë të politikës së tyre ndërkombëtare, që në fushën e politikës së jashtëme ruse diplomatët e saj të kundërshtojnë me çdo mjet dominimin e interesave të Perëndimit në Ballkanin Perëndimor. Ai shpjegon, ndër të tjera, vendosmërinë e jo vetëm të elitës politike ruse në këtë drejtim, por edhe të medias dhe të akademikëve të Rusisë për të ruajtur dhe për të zgjëruar influencën diplomatike dhe ekonomike të Kremlinit. Të gjithë këta, sipas tij, e konsiderojnë këtë si një objektiv i detyrimit kombëtarrus.
Raporti i autorëve të enti amerikan “Këshilli për Demokratizimin e Politikës”, me të drejtë i bën thirrje Perëndimit në përgjithësi dhe Bashkimit Europian në veçanti, që të ndërmarrin një angazhim më serioz politik dhe ekonomik ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim për të minimizuar influencën ekonomike dhe diplomatike të Rusisë në rajonin e Ballkanit. Andaj,duke pasur parasyshë problemet politike dhe ekonomike me të cilat përballen vendet e atij rajoni, interesimi dhe angazhimi politik dhe ekonomik i Perëndimit për këtë rajon të Europës së jugut, duhet të jetë i një natyre të ndërhyrjes së shpejtë, pa vonesë dhe i një vendosmërie të pa dyshimtë. Një ndërmarrje e tillë, sipas autorëve të raportit, është në përputhje me interesat e Perëndimit dhe të sugurisë e të paqës në Europë. Për ndryshe Rusia është gati të plotësojë boshllëkun që mund të ekzistojë tani, ndërkohë që vëmendja e NATO-s dhe e Perëndimit është e përqendruar në konfliktin ruso-ukrainas.
Përgjegjësitë e Perendimit dhe të Bashkimit Europian karshiBallkanit janë shtjelluar në këtë raport, por përgjegjësinë më të madhe në ketë mes duhet ta mbajnë vetë elitat politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Procesi për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian po zhvillohet shumë ngadalë për të mos thënë se është në vend numëro. Fatkeqsisht, kjo situate, më shumë se mos interesimi i Perëndimit për këtë rajon, pasqyron më tepër mos-aftësinë ose mos vullnetin e vetë klasës politike të këtyre vendeve që të adaptojnë standardet europiane të integrimit — një klasë politike kjo që në shumicën e vendeve të rajonit konsiderohet nga vet qytetarët e tyre, si grabitqarëtë pasurisë, duke përdorur mjetet ligjore dhe jo ligjore që ka në dispozicion, për veten dhe mbështetsit e tyre politikë. Ishte kjo klasa politike e Ballkanit e mbytur deri në fyt në korrupsion, për të cilënSekretari Amerikani Shtetit John Kerry pat shprehur shqetsimin se, “Aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarke, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave joqeveritare,” ka thënë zoti Kerry.
Mos pranimi i vlerave perëndimore nga elitat politike të këtyre vendeve, është fushë pjellore dhe në përputhje të plotë me interesat ekonomike dhe diplomatike të carëve të rinjë të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Megjithëse politika e BE-së i ka fajet e veta, kjo gjendje stagnante në bërjen e reformave të nevojshme nga udhëheqsit politikë të vendeve të rajonit, mund të pasqyrojë gjithashtu edhe mungesën e një vullneti më serioz politik dhe diplomatik të vendeve të Bashkimit Europian që shtetet e kësaj zone të integrohen më shpejt në organizmat euro-atlantike. Me zgjatjen e kësaj situate, vetëm fitojnë interesat diplomatike dhe ekonomike të Rusisë dhe humbin, mbi të gjitha, interesat e vetë vendeve të Ballkanit, dhe si rrjedhim i humb influenca perëndimore, por për më tepër humb paqa dhe sigurimi në Europë. Andaj, është i nevojshëm angazhimi serioz për minimizimin e influencës ruse në Ballkan,kryesisht i Perëndimit dhe i udhëheqsve politikë të vendeve të Ballkanit, por edhe i të të gjithë atyre që dëshirojnë parandalimin e rreziqeve të mundëshme që do të paraqiste një këthim mbrapa në zhvillimet e vendeve të këtij rajoni, qoftë në marrëdhënjet me njëri tjetrin, porqoftë edhe me Europën dhe më gjërë.
Sërbia e Madhe dhe shqiptarët
Shkaku i shkrimit: inferioriteti i shqiptarëve ndaj historisë së tyre sepse Skllavëria, si çdo pësim tjatër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në funt një zakon i pëlqyer,dhe ata që e mbajnë mi xverk e durojnë me gëzim. Veçan atyreve që lindin skllav, u është skllavëria si një natyr’ e dytë dhe ata jo vetëm s’marin vesh çdo me thënë liri, po ndiejnë një farë urrejtje për mprojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit dhe të zinxhirit.!/thoshte Faik Konica…
A ka ligësi më të madhe, sesa të bëhesh shërbëtor besnik i pushtuesve të nduarduarshëm?/
Nga Fahri Xharra/ Gjakovë/
”Shqiptarët dhe historia e tyre , a ishim të padëshiruar ? ”Shqiptarët dhe historia e tyre janë ende objekt i dhimbshem i manipulimeve. Kështu çdo popull për rreth tyre tenton të përvehtësojë një pjesë të historisë në mënyrën e një recepti, të një kuzhine, të së cilës i shtohen mëlmesa në mënyrë që historia ta ruajë shijen speciale të dëshirës së tyre.”. Giselle Kurti-Clerc
Europa është në dijeni që apetitet serbe për një Sërbi të madhe përherë janë aktuale, ato qëndrojnë të mëshefura në sirtarët e politikës dhe kishës serbe si virusi i hepatitit në trupin e njeriut .Me vëmendje të madhe vazhdimisht përcillet prej tyre situata dhe kur ata e shofin të përshtatshme sulmojnë. Virusi i hepatitit në trupin e njeriut duket se nuk egziston ,por se një dobësim i tij ,një humbje e barazpeshës trupore ai aktivizohet dhe Prite se kur ndalet.!
Serbët e dijnë mire të kaluarën e tyre , e dijnë mire që kanë lindur prej kurrçkafit , por nuk ndalen , nuk harrojnë , e kanë të ngulur në zemër që dhuhet të jenë të mëdhenj. Të mëdhenj po , por rritja bëhët në llogari të dikujt : e ata ishim dhe jemi ne.
“Kur Serbia u okupua nga Nazistët, autoritetet e kohës e ndërtuan Geton Hebre të quajtur “Judenlager Semlin”, mu në zemër të atij qyteti që sot quhet Beograd. Ishte kampi më i madhi në Evropë për likuidimin e hebrenjve. Kolaboracionistët serbë ishin planifikues të arrestimeve dhe deportimeve. Që në vitin 1942 , Berlini ishte informuar që Serbia është: “Judenfrei” ( pa jahudi) , kështu që Serbia u bë shteti i parë në Evropë “ duke e liruar veten” nga hebrenjtë. Historianët e konsiderojnë këtë kamp Hebrenjsh si vend emblematik në historinë e Holokaustit (Jose Marre Memory to the victims of the Holocaust in Serbia.)”.
Historia gjithmonë i bënë nder vendit te vet , ay ku është zhvilluar! Por serbëve , kjo që u shkrua më lartë nuk iu bënë nderë aspak, por edhe kurrë nuk iu harrohet .Por atyre iu harrohet , fat e kanë . Ne nuk jemi syçelur !
“ Serbët në mesin e të gjithë sllavëve të jugut ishin të vetmit që me forcat e tyre vetanake u çliruan nga turqit ( s`është e vërtetë fxh) dhe kushtimisht e kanë të drejtën që këtë punë edhe ta vazhdojnë . Që tani ( v.1900 fxh) në shumë vende dhe në disa kabinete qeveritare
parashifet dhe parandihet që : serbëve iu vjen një ardhmëri e ndritur “ shkruante në shtypin e kohës.
Por serbët ishin shumë të herëshëm në parashikimet e të ardhmes së tyre : “ Shteti i Serbisë në jug kishte për ti dhënë Europës të gjitha garancat që ajo do të ketë një shtet të shembullt dhe si e tillë shumë e aftë që të qëndron në mes të Rusisë dhe Austrisë “ ( Ilija Garashanin 1812/1874)
Një studim të posaqëm “ Serbët së bashku dhe gjithëkund” që Vuk Karaxhiqi e botoi me 1849 , ishte një sinjal i apetiteve të medha serbe ndaj fqinjëve të tyre . Por edhe më herët ,derisa Garashanini në “Naçertanjën” e tij (1844) i ipte idetë se si serbohen të gjithë popujt fqinjë , Vuk Karaxhiqi që në vitin 1836 i kishte klasifikuar të gjithë fqinjët në grupin e serbëve ( pra edhe shqiptarët). Në një botim të tij të asaj kohe lexojmë : “ Me të vërtetë dihet që serbët jetojnë në Serbinë e sotme ( në mes të Drinës dhe Timokut, si dhe në mes Danubit dhe maleve të Sharrit), në Metohi ( që nga Kosova deri tek froni i Dushanit në Prizren, patriarkana serbe e Pejës, manastiri i Deçanit) në Bosne , në Hercegovinë, në Zetë në Malin e Zi , në Banat , në Sllavoni në Baçkë , në Srem , në Kroaci ,Dalmaci dhe përgjatë Adriatikut nga Trieshta deri në Bunë.” Mandej shkruan : “ të gjithë popujt e menqur që nga Serbët e Greqisë e edhe nga Serbët romak e dine që janë një popull dhe se pak nga pak do të mësohen ta njofin vetën si të tillë “ ( Vuk Karxhiq 1936 ) Pra më këte filluan “ përgagtitjet “ për një Serbi të Madhe . E dinte edhe turku , edhe Europa për planët e tyre .
Serbët e dinin mirë se si të bindin botën që janë më të aftit për shtetformim dhe se sipas Jovan Cijiqit , në gadishullin Ballkanik , nuk ka vend më të përshtatshëm dhe komb po
ashtu më të përshtashëm se sa serbët për të formuar një shtet të fortë. Sipas tij , që Serbia të funkcionon si shtet dhe falë vetvendosjes së saj ekonomike i duhet patjetër dalja në Detin Adriatik . Çka me shqiptarët? asgjë dhe shumë lehtë , ata janë një amallgam i serbëve dhe shqiptarëve. – thoshte ai.
E shifni , shumë qartë në planet e tyre ekspansioniste, pa dro , pa komplekse inferioriteti .
Por me shqiptarët çka do të bëhet?- pyetet Vasa Çubriloviqi . Asgje e madhe dhe shumë e lehtë ,shton ai se serbët që herët e kanë filluar spastrimin e kunxhit shqiptar duke i larguar edhe shqiptarët më verior ,që nga Jagodina.” . ” Shqiptarët , ndryshe nuk bën me ta vetëm se duke e përdorur metodën e kolonializimit shkallë shkallë, sepse ky është i vetmi popull që ka pasur sukses të mbijetoj në një mijë vjetshin e fundit , mu në bërthamën e shtetit tonë. ( pra Serbisë ) ”
Pra, kjo në vija të shkurta ishte ideologjija e Sebisë së Madhe , ideologji e cila nuk heshtet kurrë për deri sa të jemi fqinj me ta.
Shkaku i shkrimit: inferioriteti i shqiptarëve ndaj historisë së tyre sepse Skllavëria, si çdo pësim tjatër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në funt një zakon i pëlqyer,dhe ata që e mbajnë mi xverk e durojnë me gëzim. Veçan atyreve që lindin skllav, u është skllavëria si një natyr’ e dytë dhe ata jo vetëm s’marin vesh çdo me thënë liri, po ndiejnë një farë urrejtje për mprojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit dhe të zinxhirit.!/thoshte Faik Konica…
A ka ligësi më të madhe, sesa të bëhesh shërbëtor besnik i pushtuesve të nduarduarshëm?
O ME POPULLIN, O ME KUPOLËN – RRUGË TJETËR S’KA!
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Aktivistët e shoqërisë civile, ata që janë organizatorët e Peticionit për shkarkimin e Fullanit sot kanë ftuar firmosësit dhe të gjithë shqiptarët të protestojnë përpara Parlamentit të Shqipërisë me moton “Nëse nuk shkarkoni kryetarin e Bordit të BSH, ma kthe votën që të dhashë dhe largohu ti Deputet, sepse ti nuk më përfaqëson as mua dhe as ata 12 mijë firmëtarë të Peticionit anti Fullhajn.”
Kaluan 40 ditë që kur plasi skandali i BSH, ndërkohë u mbush muaji që grupi i aktivistëve të lëvizjes civile kalojnë 14 orë të ditës duke mbledhur firma.
Peticioni kundër Fullanit do të hyjë në historinë moderne të Shqipërisë si fillimi i erës të re për vendin.
Sepse në mënyrë civile, pa shkaktuar asnjë çrregullim në jetën e përditëshme apo anomali në jetën e kryeqytetit dhe qyteteve ku po mblidhen firmat, por tregojnë forcën që kanë qytetarët për të shpëtuar shtetin nga kapja, sistemin nga rënia dhe për t’î dhënë një fytyrë të re klasës politike.
Gazetarja Elisabeta Ilnica me të drejtë shkruante në statusin e saj në Facebook :
“Për pak minuta mbyllet Gushti dhe këtë muaj ua dedikoj Ajtanga Lubonjës, Zirkon Dishës, Basir Collakut, Bruna Ismailit, Indrit Hoxhas, Julian Hoxhajt, e atyre kontribuesve te tjere qe kane mbledhur me durim firmat per shkarkimin e Fullanit. Respekt per sakrificen tuaj… Ftoj kedo qe i ka paragjykuar, qe ta provoje te rrije per nje ore ne diell, siç ndenjen keta per nje muaj, me nga 14 ore. Vetem kauzat nuk i djeg dot dielli…”
Ndërsa njëri prej orzanizatorëve kryesorë dhe më aktivë të kësaj lëvizje Zirkon Disha shton edhe emra të tjerë që janë përfshirë në këtë lëvizje që do të iniciojë ndryshimin e faqes të Shqipërisë. “Janë Leonard Mrishaj (Kamëz), Irel Elezi dhe Bledar Bajraktari (Kukës), Donald Spaho, Korçë, Altin Goxhaj, Durrës, Senida Mesi dhe Forumi Shkodran, (Shkodër), Ida Nurçe (Tiranë)”. Të më falni nëse kam harruar ndonjë emër shton ai. Pastaj falenderon edhe te gjithe gazetaret qe i janë kushtuar nismes. Pastaj falenderon prapë gazetaret e shtypit te shkruar, qe çdo dite kane pasqyruar ecurine e nenshkrimit te peticionit. Pa harruar mediat online, me gazetaret si Elida Buçpapaj, Elvi Fundo, veçanerisht VOA – Zëri i Amerikës. Patjetër dhe këtu do kemi harruar disa, shton Zirkoni.
Po natyrisht që Zirkon Disha ka harruar dikënd, sepse mbështetësit e kësaj lëvizje qytetare po shtohen dita ditës, pasi kjo është mënyra që do t’i sjellë qytetarëve shtetin e së drejtës, jo shtetin e kupolës, për fëmijët e kupolës, për partiakët e kupolës. Shteti demokratik nuk është përkatësi e Kupolës. Kupolat janë përkatësi të Republikave të bananeve dhe shteteve rogue ose mafioze.
Prandaj sot të gjithë shqiptarët pa dallime politike t’i bashkangjitemi protestës përpara Parlamentit të Shqipërisë, për t’i paralajmëruar deputetët e këtij parlamenti o me popullin o me kupolën. Sepse populli i ka votuar që t’i ketë shërbëtorë të tij, jo që populli të jetë shërbëtor i kupolës, që të gjitha të mirat e vendit dhe privilegjet t’i përfitojë kupola!
Kush është shqiptar, sot të shkojë tek Parlamenti. Kush nuk mundet të shkojë le të jetë me zemër atje, sepse vendi jonë i dashur është i rrezikuar nga kupola.
Kryeministri i Shqipërisë i ka premtuar kancelares të Gjermanisë të kryejë reformat që i duhen shtetit. Për të parë degradimin e shtetit ligjor dhe rrënimin e sistemit kaloni në rivistë të gjithë punonjësit e BSH. A nuk janë bijtë e bijat, gratë e burrat e deputetëve dhe ministrave të këtij parlamenti!
Po ne e rrëzuam diktaturën që të shpëtojmë nga Nexhmija dhe nomenklatura, jo që të biem në thonjtë e Nexhmijeve, Fullanëve dhe nomenklaturës të kupolës-
Kush është shqiptar është me aktivistët e Peticionit antiFullan. Ky peticion nuk lidhet me një emër. Ky peticion lidhet me emrat që kanë kapur sistemin. Në çdo kushtetutë Perëndimore është i dënushëm dhe i patolerushëm konflikti i interesit, ndërsa në parlamentin e Shqipërisë është gati gjysma e deputetëve me konflikt interesi, sikur e kanë trashëguar pushtetin nga baba dhe jo nga vota e Sovranit që është e plotfuqishme.
Të gjithë ne shqiptarët, pa dallime politike le t’i bashkohemi kësaj lëvizje, e cila për nga organizimi është e varfër, (kujtoni pak çadrat pompoze të grevave të politikës), por nga qëllimi është e madhërishme dhe ka hyrë në histori.
Prandaj do të jemi përpara Parlamentit të Shqipërisë. Sepse organizatorët e këtij Peticioni janë heronjtë e kohës tonë, e cila është bërë pis dhe ndyrë nga politika. Organizatorët e këtij peticioni që janë duke mbledhur firmat e popullit e deri më tash kanë mbledhur 12 mijë firma janë ata që i duhet Shqipërisë, sepse nuk mund të ketë demokraci pa shtet të së drejtës. E shteti i së drejtës përjashton abuzimin me pushtetin.
Ky grup i vogël njerëzish, shumica të rinj, ka midis tyre një grua të paepur e cila pasi ka vuajtur tmerret e diktaturës, ka provuar për 22 vjet tmerret e tranzicionit. Ajo është Ajtanga Lubonja. Mendoni, Ajtanga nuk ka një strehë ku të fusi kokën dhe jeton në një dhomë konvikti, ndërsa deputetët e Shqipërisë kanë pallate e vila. Po nga kush i trashëguan. Më 22 marsin e 1992 ata mezi e kishin nga një apartament të vogël, po sot ? Ata nuk i thërrasin ndërgjegjes së tyre blozë, ata nuk i bëjnë ndonjëherë llogaritë, atyre nuk u skuqet faqja kur një pensionist merr 100 Euro në muaj, ndërsa ata me 100 euro paguajnë vetëm një kapriçio të çastit.
Prandaj ne do të jemi sot tek Parlamenti, fizikisht, me shpirt e zemër për t’iu bashkuar kësaj lëvizje e cila i ka treguar shqiptarëve se nuk është partia ajo që u jep punë, por shteti ligjor që siguron tregun e lire dhe lirine e individit! Dhe nuk ka liri tregu dhe individi kur shteti është i kapur nga nepotizmi, klientelizmi, që e mban guvernatorin e BSH ende në zyrën e tij, duke i kthyer deputetet e Parlamentit në mumje të kallura në lluks!
Prandaj ne jemi me këtë grup aktivistësh që janë heronjtë e kohës tonë, sepse kanë me vete një kauzë fisnike që mbron interesat e vendit, e cila po i zgjon nga gjumi i indiferencës shqiptarët.
Prandaj ne jemi me këta heronj, prandaj Shqipëria është me ju!
Mos e ndalni këtë mision fisnik! Mos hiqni dorë nga kjo ëndërr e bukur deri sa të kthehet në realitet, që të bëhet Shqipëria një vend demokratik i vërtetë, me qëllim që t’u ofrojë shqiptarëve një jetë të denjë. Kjo gjë arrihet vetëm me politikanë të denjë!
PËRKATËSIA E VEPRIMTARIA SHQIPTARE, E VETMJA PENGESË PËR INVESTIMET TONA NË QYTETIN E GUCISË
* Reagim ndaj gazetës “Dan” të Podgoricës/
*Vllaznit Mehaj, biznesmenë në Amerikë, kanë investuar mbi një milionë dollarë USD në pesë vite në motelin “Santea” në vendlindjen e vet në Guci dhe kanë pengesa të mëdha e të shumta nga struktura të shtetit malazez në vazhdimësinë e aktivitetit të tyre-/
Shkruan: SADRI MEHAJ-GUCI/
Ju, e përditshmja “Dan”(Dita) online e letër e Podgoricës, e dyta gazetë për nga tirazhi i botimit në Malin e Zi euro-atlantik, nuk duhet të jeni peng apo këmbanë e asnjë strategjie të errët, të hershme apo të sotme, të fshehtë apo të hapur, të shenjestruar keq kundër investimeve të drejtpërdrejta e institucionale të shqiptarëve të diasporës në vendlindjen e vet. Një rast ekstrem kundërshqiptar është sulmi i porositur, sa politik e shoven, me plot të pavërteta, edhe tendecioz e kërcenues, me anë të artikullit tuaj të botuar më 13 gusht 2014 në gjuhën boshnjake “Grupa gusinjana ljuta zbog adaptacije objektiva u komsiluku” drejtuar ndaj vllaznëve Mehaj, ndaj Sadri e Shaban Mehaj, që prej tre dekadash jemi shtetas shqiptaro-amerikanë në Nju Jork dhe prej pesë vitesh kemi investuar në motelin “Santea” në qendër të qytetit të Gucisë.
Ne, pa vullnetin tonë të lirë po të detyruar nga vet regjimi i asaj kohe, pas daljes time nga burgu politik i Jugosllavisë së Dytë (1983-1986), si familje 12-antarëshe (prindërit, 4 vllazën e 6 motra) ikëm emigrantë prej nga trolli ynë etnik i lashtë, nga Hoti i Plavës për në Nju Jork të Amerikës dhe, pas 24 viteve, (verë, 2009) u rikthyem të investojmë në komunën e Plavës (sot–Guci) një pjesë nga kapitalet tona të fituara bashkarisht e gradualisht, ndershmërisht e me sakrifica tejet të mëdha. Së parit, për familjen tonë me brezni e dhjetra antarë e ngritëm nga themelet një shtëpi të madhe në bashkësinë lokale të Gucisë. Së dyti, blemë sipas rregullave shtetërore të Malit të Zi një pronë të re (me tokë e godinë, etj.) në qendër të qytetit historik të Gucisë: motelin e vjetër “Santea”.
Ne, Vllaznia Mehaj, kryehere ishim të vetëdijshëm se në Gucinë e varfër nuk mund të bëheshim të pasur, se investimi i kapitaleve tona në Guci ishte i pakthim. Në SHBA-në e fuqishme progresi financiar i investimeve është i shpejtë, i lartë, ripërtëritës. Sikurse ndodh edhe në firmën tonë në Nju Jork. Mbi të gjitha, kryesore, në investimin tonë shumëvjeçar në motelin “Santea” ishte dashuria genetike për vendlindjen, për të kontribuar në rimëkëmbjen e zhvillimet e saj ekonomike, kulturore, turistike.
Vetëm për ta blerë këtë pronë shtetërore nga kooperativa shtetërore “Ali Hoti” në Guci dhe për ta privatizuar si pronë tonën motelin “Santea” me 420 m2sipërfaqe, për ta kthye këtë objekt pothuaj i rrënuar në një lokal (bar-kafe e hoteleri) me mjedise bashkëkohore sa më të kulturuara, u deshën mbi një gjysëm milionë dollarë amerikanë. Pas tre viteve nga marrja në pronësi e tij (2010-2013) kur unë, Sadri Mehaj, i kërkova leje-ndertimi Sekretariatit për Urbanizim më lypën si kusht autorizim nga pronari i tokës për të krye rikonstruksion e rinovime të motelit, etj.
Në përgaditjen sipas legjislacionit në fuqi të dokumentacionit të plotë e të sakt të motelit tonë “Santea” në qytetin e Gucisë si: a) kthimi tërësor i tokës së duhur e të mundshme të motelit në pronësi të vllaznisë Mehaj; b) për projektin e rinovimit të motelit me anekse të tij; etj. mua, Sadri Mehajt, m’u desht’ mbi një vit humbje kohe, nga maji i vitit 2013 e deri më sot (gusht 2014), duke pasë paragjykime, pengesa, ecejake, kërkesa vargavijë, etj. në gjithato zyra të shtetit nga Plava në Bijello Polje e deri në Podgoricë. Pothuaj gjithkund. E pabesueshme dhe e jashtëzakonshme. Në Amerikë kaq punë zyrtare do ta përfundoja në disa ditë apo më e shumta për një muaj. Nëse do të punoja për mbi një vit (2013-2014) në angazhimet e mia të përditshme në firmën tonë në Amerikë do të siguroja fitime të mëdha monetare dhe nuk do të kisha si në këtë rast të qëndrimit në Plavë-Guci një fitim të madh të munguar në qindra mijë dollarë amerikanë. Pasuria më e madhe që ka njeriu në administrimin e tij të drejtpërdrejt është koha, të cilën këtu në Malin e Zi ta humbin pa asnjë kriter, ta rrëmbejnë me burokraci, dhe nuk të thonë as ”Më fal!”.
Në motelin “Santea” në Guci në këto pesë vite në pronësi tonë (Vllaznëve Mehaj), nga blerja e rikonstruksioni i tij i pjesshëm i fillimit deri tek rinovimi i tij i plotë i sivjetëm, kemi investuar mbi një milionë dollarë amerikanë (mbi 1.000.000 USD).
Në se do t’i kishim investuar këto në Amerikë fitimi ynë do të ishte i madh, ndërsa këtu në Guci jo vetëm është i mangët, por dhe të ardhurat e këtij investimi milioner në USD në kushte ideale pune duhen të paktën tri dekada të na rikthehet kjo shumë e investuar prej nesh. Ndoshta, vetëm pas kësaj kohe tepër të gjatë mund të mendohet e punohet për fitime sado të pakta nga moteli ynë. Në realitetin praktik në Guci ndodh ndryshe: Në pesë vite moteli “Santea” ka mbet’ i mbyllur në ma shumë se dy vite, si në fillim të blerjes nga rikonstruksioni jo i plotë dhe tani nga ndjekja e proçedurave dhe rinovimi tërësor i tij.
Ky artikulli kundërshqiptar i “Dan”-it (13 gusht 2014) në mes fjalëve e rreshtave të tij i dëshmon qartë qëndrimet e veprimet politike e shovene kundër shqiptarëve etnik në Malin e Zi, kundër investimeve të tyre në vendlindjen e vet, etj. Kjo duket edhe ndaj nesh, vllaznëve Mehaj, investitor në qytetin e Gucisë. Sikur të mos mjaftonin ndërhyrjet proceduriale gjyqësore, kontrollet e shpeshta të inspektorëve të ndryshëm, të punonjësve të policisë e sigurimit të shtetit, etj. tek moteli ynë “Santea” në Guci po hidhet në ofensivë sulmesh edhe kjo gazeta juaj “Dan” e Podgoricës(!) Kjo duket qartë tek fjalathëniet krejt habi e plot mllef antishqiptar ndaj nesh: “Ata ecin me krenari…”(!) “…Ata ende vazhdojnë punën”(!) Etj.(!) Edhe inspektorët e lartë të Shtetit Malazez gjuajnë me kalkulimet e tyre kohë tejet të qëllimshme e krejt të veçantë për kontrolle rutinë tek moteli ynë “Santea”. Ata, fjala vjen, mund t’i kryenin të tilla kontrolle në çdo ditë e stinë të vitit 2014, por jo të na thërrasin pikërisht në kryefestën shqiptare ma të madhe të krahinës së Plavë-Gucisë, në orën e Manifestimit tradicional “Alpet Shqiptare. Vuthaj – 1 gusht 2014”(!) teksa ndiqnim koncertin tematik sëbashku me pjestarë të familjes tonë të madhe, me miq të ardhur nga diaspora si Amerika, etj. apo nga Shqipëria e Kosova, në mes tyre edhe politikanë, diplomatë, veprimtarë të shoqërisë civile. Në rastin që më thirrën në telefon isha me drejtorin e Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike në Tiranë.
Në këtë artikull, të përkthyer prej nesh nga gjuha boshnjake edhe në gjuhën tonë shqipe, shohim disa fokusime e spektrime të sulmeve kundërshqiptare ndaj neve – pronarëve të motelit “Santea”, si kur flitet për deklarata e apelime të komuniteteve të tjera etno-kulturore në Plavë-Guci për “proçese gjyqësore”, ”jemi ankuar në polici dhe tek inspektorët”, t’iu ndalet puna me motelin, etj. Apo, fakti tjetër: “ka ardhur grupi i inspektorëve nga Bijelo Polje” (komunë larg Plavë-Gucisë, krejt në veri të Malit të Zi), etj. Sulmet e të shpeshta e të mëdha po vijnë direkt edhe nga institucione të ndryshme shtetërore të Podgoricës, kryeqyteti zyrtar i Malit të Zi.
Gazeta juaj “Dan” në këtë artikull me plot ngjyrime, tone e frymë antishqiptare shkel edhe etikën e gazetarisë botërore: atë si e sheh me dyshim vetë mos ua jep të tjerëve për të vërtetë. Pra, iu shmangeni saktësimeve dhe publikoni të pavërteta, kundërthënie fjalësh, etj. Aty thuhet se “komuna ka lëshuar një liçensë…” sipas “kushteve urbane-teknike”, etj. Pra, deklarohet, gjithnjë sipas komunës së Plavës se Vllaznit Mehaj për motelin e tyre “janë të liçensuar dhe kanë të drejtë për të punuar”, etj., ndërsa nga ana tjetër gazeta juaj del me kundërthëniet se “puna duhej të ishte pezulluar”, se “duhet të kryhen proçedura ligjore”, etj. Në krye të artikullit shpiket e pavërteta tjetër se “ata kanë korruptuar dikë për të marrë atë leje”, ndërsa teposhtë, në rrjedhë të rradhëve të shkrimit, argumentohet fakti se “bazuar në kushtet urbane-teknike”, kjo, “komuna lëshoi një leje ndërtimi për të cilën një ndërtues apo kontraktor është i obliguar të veprojë”, etj.
Ne, vllaznit Mehaj, kemi investuar mbi një milionë USD në qytetin e Gucisë, kemi kontribuar me dhjetra mijëra dollarë amerikanë për lirinë e Kosovës, kemi financuar për historinë e kulturën shqiptare në Amerikë e në Shqipëri, kemi ndihmuar me 23.000 USD për hapjen e rrugës së Hotit (gusht-shtator 2010), etj. Edhe unë, ma i madhi në moshë ndër vllaznit Mehaj, Sadri Mehaj, ish i burgosur politik (1983-1986) i prangosur qyshse në moshë mbi 16-vjeçare në birucat e policisë në Bijello Polje e në burgun e Valevës në ish RSFJ për pjesmarrje në grupin “Besa” në shkollën e qytetit Guci, për Flamurin Kombëtar Shqiptar, etj., ndihem krenar për pjesmarrjen në luftën për çlirimin e Kosovës si luftëtar i Batalionit “Atlantiku” të Amerikës, ndihem i angazhuar në veprimtaritë kombëtare, kulturore e humanitare si antar i Bordit të Fonadacionit Plavë-Guci në Nju Jork, ndihem i lumtur tek marrë pjesë në lobingjet për rrugët Plavë-Deçan e drejt Prishtinës e Shkupit, Guci-Vermosh-Han i Hotit e drejt Shkodrës e Podgoricës, Plavë-Çerem-Bregut Drinit drejt portit të Shëngjinit. I permenda edhe përtej modestie disa nga veprimtaritë tona kombëtare, kulturore, humanitare, etj. për të treguar faqe botës euro-atlantike, se përveçse qënies tonë genetike si shqiptar etnik në shtetin e sotëm të Malit të Zi dhe investimeve si biznesmenë shqiptaro-amerikanë në Guci, edhe këto kanë ndikuar fuqishëm për të na vendos pengesa të gjithfarshme, të pandalshme, pothuaj të pakapërcyeshme nga strukturat shtetërore jo vetëm të urbanistikës, etj. po edhe të inspektoriateve të ndryshme, të policisë e sigurimit të shtetit, të gjyqësorit malazez, të disa individëve e përfaqësuesve me ekstremitete politike e shovene kundërshqiptare të komuniteteve etno-kulturore në Plavë-Guci, etj. dhe së fundit edhe gazeta juaj e përditshme “Dan” e Podgoricës.
Çështja shtrohet hapur, ballas kohës e botës: Mali i Zi teksa ecë në udhën e tij drejt integrimit në strukturat euro-atlantike në BE e NATO duhet të heqin dorë nga praktika të tilla tipike të udbashëve të vjetër antishqiptarë të Jugosllavisë së Parë e të Dytë, që nuk të çojnë në Europën e Bashkuar po në Mesjetë. Shpresojmë se ka ardhë koha që shqiptarët veprimtarë apo biznesmenë, si në rastin tonë të Vllaznëve Mehaj, të mos përndiqen me shantazhe e presione nga ma të ndryshmet, të mos diferencohen, pengohen e sulmohen në investimet e tyre në vendlindjen e vet për shkak të nacionalitetit të tyre shqiptar. Ky rasti ndaj ne, vllaznëve Mehaj, tregon se ende shtetit të Malit të Zi i duhet punë e madhe që të jetë faqebardhë si një vend euro-atlantik, që të jetë shtet i gjithë shtetasve të vet, edhe i shqiptarëve etnik.
Shumëkush na thotë të heqim dorë nga investimi ynë mbi një milonë dollarë amerikanë, ta shesim motelin tonë që të mos kemi probleme të tilla në Guci, të merremi me bizneset tona në Amerikë. Po ne iu themi: Jo dhe vetëm Jo. Nuk kemi ardhur për të ikur nga vendi ynë, pasi vendlindja ka nevojë edhe për investimet tona dhe ne kemi lidhje genetike gjaku shqiptar në breza jete me vendlindjen, me historinë e kulturën, me varret, djepet e kullat e tij shqiptare, me gjuhën shqipe e gjithçka tjetër që frymon shqip, mendon e vepron shqiptarisht në vendlindjen tonë të bekuar, që së shpejti dëshirojmë të jetë e integruar edhe në Europën e Bashkuar.
Guci, gusht 2014
- « Previous Page
- 1
- …
- 871
- 872
- 873
- 874
- 875
- …
- 970
- Next Page »