• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Strategu i lirisë së Kosovës, heroi Ilaz Kodra

April 30, 2024 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Sot në përvjetorin e rënies së heroit Ilaz Kodra takova bashkëshorten dhe dy vajzat e tij dhe familjarët e tjerë.

Me respekt dhe nderim bëmë homazhe dhe u përulum para veprës së lavdishme dhe krenare të heroit Ilaz Kodra..

Ai shquhej për guximin, moralin dhe besimin në lirinë e Kosovës.

Ishte i veçantë për bashkëpunimin dhe respektin që gëzonte në mesin e ushtarëve.

30 prilli i vitit 1999 ishte ndër ditët më të përgjakshme të Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Sot nderojmë kujtimin e atyre që dhanë jetën për liri.

“Nuk ka më të çmueshëm se jeta, por vetëm liria është më e çmueshmja. Prandaj, për liri do ta japim edhe jetën”. Ishin fjalët e Ilaz Kodrës.

Ky ishte Gjeneral Ilaz Kodra!

Kujtojmë heroin Ilaz Kodra, heroinën Antigona Fazliu, edhe 58 deshmorët dhe 235 martirët që ranë në fund të prillit të vitit 1999, për të mos vdekur kurrë.

Sot, mbushen njëzetepesë vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili së bashku me Komandantin historik Adem Jashari, ideologun Fehmi Lladrovci dhe me grupin e Drenicës ishin embrioni i UÇK-së, i cili ka qenë grupi i parë më i madh i organizuar që vepronte në teren, me aksione konkrete, duke organizuar sulme kundër aparatit shtetëror serb të instaluar në Kosovë.

Të gjitha faktet dhe të dhënat historike të shkruara dhe të dëgjuara nga dëshmitarët e kohës, na bindën për të arritur në një konkludim se Grupi i udhëhequr nga Adem Jashari, ku në te ishte edhe heroi i Kosovës Ilaz Kodra, ishte grupi i parë më i organizuar, dhe për nga numri më i madhi që filloi nën tytën e pushkës dhe sakrificës titanike që kërkonte liria e atdheut tonë të dashur, Kosovës!

Heroi Ilaz Kodra shquhej me besim të jashtëzakonshëm për ardhmërinë dhe lirinë e Kosovës, ishte i pathyshëm dhe përkundër rrethanave të rënda që përjetonte me humbjen e shumë shokëve, që së bashku kishin filluar projektin e lirisë së Kosovës.

Në këtë ofensivë gjakatare, ai ra për të mos vdekur kurrë, ra komandanti dhe heroi Ilaz Kodra, bashkë me shumë luftëtarë të tjerë, ranë në altarin e lirisë së Kosovës.

Rroftë liria e Kosovës, sakrifica e madhe e shumë e shumë brezave dhe luftëtarëve të rënë për të!

Lavdi Komandantit Ilaz Kodra!

Lavdi të rënëve për liri!

Filed Under: Analiza

“Fluturat”, fuqia shëruese e të kërkuarit falje ndaj viktimave të komunizmit

April 29, 2024 by s p

Artan Nati/

“Ka vetëm një gjë që kam frikë: të mos jem i denjë për vuajtjet e mia”. Këto fjalë te Dostoyevskit më vinin shpesh në mendje duke parë dokumentarin “Fluturat” të shkruajtur dhe drejtuar nga Bujar Alimani dhe të sponsorizuar nga “Vatra” dega Çikago. Pasi u njohëm me këto heroina ose flutura, siç i quan autori, sjellja e të cilave në këtë ferr të komunizmit, ​​vuajtjet dhe dhimbjet e të cilave dëshmonte se liria e fundit e brendshme nuk mund të humbet. Mund të thuhet se ato ishin të denja për vuajtjet e tyre; mënyra se si ato duruan vuajtjet e tyre ishte një arritje e vërtetë e brendshme. Është kjo liri shpirtërore, e cila nuk mund të hiqet, që e bën jetën kuptimplote dhe të qëllimshme. Ato gjetën forcën të bëjnë lutjet e tyre dhe të shpresonin se një ditë zoti do të dëgjonte lutjet e tyre. Ato gjetën forcën e madhe të gjenin një gur nga kisha e shkatërruar nga komunizmi dhe të bënin lutjet e tyre para këtij guri, biles ta sillnin këtë gur deri në Amerikë dhe ta kthenin atë gur si engjëllin e tyre mbrojtës dhe kishën më të bukur në botë. Ato kuptuan se çdo gjë mund tu merrte regjimi antinjerëzor komunist, por kurrsesi lirinë e brendshme njerëzore, atë që të zgjidhnin qëndrimin e tyre në ato rrethana çnjerëzore, të zgjidhnin rrugën e tyre dhe tu tregonin botës mbarë se ato triumfuan dhe komunizmi u shkatërrua plotësisht në Shqipëri. Ok ndoshta jo plotësisht, kjo është edhe një nga arësyet që këto eksperienca të zgjojnë ndërgjegjen kombëtare se ashtu siç thotë George Santayana “Ata që nuk mund ta kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë.”

Përse vallë thonë se ata që nuk njohin historinë janë të dënuar ta përsërisin atë? Niemöller ofron mësimin e historisë që ne e injorojmë për rrezikun tonë. Kërcënimi më i madh për demokracinë nuk vjen nga jashtë kufijve tanë, por nga brenda. Niemöller ishte një patriot i mirë që e donte vendin e tij, dhe së bashku me shumë të tjerë si ai, votoi në mënyrë naive për njeriun që solli Holokaustin dhe shkatërroi një pjesë të madhe të Evropës. Kur Niemöller e kuptoi gabimin e tij, ishte tepër vonë.

Fillimisht erdhën për socialistët dhe unë nuk fola, sepse nuk isha socialist. Pastaj erdhën për sindikalistët dhe unë nuk fola, sepse nuk isha sindikalist.Pastaj erdhën për të kërkuar hebrenjtë dhe unë nuk fola, sepse nuk isha hebre. Pastaj ata erdhën për mua – dhe nuk mbeti njeri që të fliste për mua. Ky citim i atribuohet pastorit të shquar gjerman Martin Niemöller.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Niemöller foli hapur për bashkëfajësinë e tij të hershme në nazizëm dhe ndryshimin e tij eventual të zemrës. Fjalët e tij të fuqishme për fajin dhe përgjegjësinë rezonojnë edhe sot.

Pas çlirimit të vendit në 1944, ndodhi pushtimi nga komunizmi po aq i keq dhe ndoshta më i keq dhe një pjesë e madhe (fatkeqësishst) e shqiptarëve e brohoritën. Kur komunistët vodhën pasurinë e të ashtuquajtërve pasanikë, ne nuk folëm. Kur komunistët vranë dhe burgosën inteleltualët ne përsëri nuk folëm. Kur ata internuan “të shpronësuarit” dhe internuan këto flutura në kushte çnjerëzore përsëri ne nuk folëm. Kur erdhi rradha jonë për të na shpronësuar dhe detyruar të vepronim e jetonim si në burg ishte tepër vonë. Shpesh thuhet se ishin kohë të vështira, por harrojmë se kohët bëhen nga njerëzit dhe shpesh individët më të rrezikshëm nuk e bëjnë historinë vetë, por ndonjëherë një individ dhe kohët takohen për të prodhuar një ferr në tokë. Tragjedia më e madhe nuk është shtypja dhe mizoria e komunistëve, por heshtja ndaj kësaj nga njerëzit e mirë.

A nuk ndodhi kështu edhe në Shqipërinë e pas viteve 90?

Në fillim ish komunistët dhe ish spiunët e regjimit komunist hynë në partitë politike të gjithë spektrit dhe ne nuk folëm me pretekstin se ishim gjithëpërfshirës.

Pastaj ata morrën drejtimin e partive politike dhe ne nuk folëm sepse ata “do t,i rrëzonte koha”. Pastaj ata morrën qeverinë dhe institucionet dhe ne nuk folëm se kjo ishte demokracia. Pastaj ata morrën ekonominë dhe pronat tona dhe ne pamë që nuk kishte mbetur njeri për të na mbrojtur neve.

Dhe ja ku e gjejmë sot veten jashtë kufijve të atdheut përherë e më të huaj, pa të drejtë vote dhe përfaqësimi në vendin tonë. Sot Shqipëria udhëhiqet nga një bandë hajdutësh, partitë politike drejtohen nga njerëz të korruptuar e të kaluar të dyshimtë dhe askush atje nuk mendon se i detyrohet një falje publike këtyre fluturave të demokracisë, të persekutuarëve të regjimit, heronjve të demokracisë. Duke parë këto gra që edhe sot jetojnë me emocionet e dikursshme mendoj se është normale që të të ndihen të nervozuara sepse këto situata nuk janë normale, sepse ne të gjithë si shoqëri, por edhe institucionet e vendit i detyrohen atyre një falje të madhe, që ajo pjesë e shoqërisë e margjinalizuar në kohën e komunizmit të ndihet e përfshirë dhe e vlerësuar për sakrificat e tyre.

Fakti qe ne po flasim per kete ngjarje, qe njerezit jane revoltuar me kete status quo ne Shqiperi, që klasa politike është trembur dhe përjeton panik, tregon se vendi është në prag të një transformimi të thellë. Sot kombi ynë po përjeton momentin më kulminant historik me Kosovën e lirë e shtet i pavarur, dhe shqiptarët kudo janë përkrah aleatëve tanë perëndimor dhe ShBA-ve. Dalja e te rinjve në politikë ne Shqiperi tregon se vendi eshte ne ate moment historik qe sic thoshte Noli “Dhe një zë vengon nga lumi, më buçet, më zgjon nga gjumi…” Dhe ky zë është zëri i perëndimit që Shqipëria i përket historikisht, kulturalisht dhe gjeografikisht. E vetmja gjë e nevojshme për triumfin e së keqes është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë,

A do të jetojmë me ndjenjën e fajit për jetë, apo do të marrim përgjegjësi e të jetojmë me dinjitet, a do t’i japim kuptim sakrificave tona, apo do të jetojmë si struci me kokën e zhytur në rërë duke pretenduar se nuk ka ndodhur gjë. Sepse bota është në një gjendje të keqe, por gjithçka do të bëhet akoma më keq nëse secili prej nesh nuk bën më të mirën e tij, nqs gjithsecili nuk fiton lirinë e brendshme dhe t’i japi kuptim sakrificave të tij, ashtu si këto flutura i dhanë kuptim vuajtjeve të tyre.

Filed Under: Analiza

Protestat studentore Pro-Palestineze, reagimet e drejtuesve, arrestimet – Deri ku do shkohet?

April 27, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Java e dytë e protestave studentore pro-palestineze në universitetet amerikane dhe në Evropë ka bërë pjesë të diskutimit qëndrimin e tyre dhe vështirësinë që kanë drejtuesit e shkollave në situatën e krijuar. Lëvizja filloi në parkun e madh të Columbia University në Nju Jork javën e kaluar. Për studentët, shkeljet e të drejtave dhe shkalla e padrejtësisë në Gaza eklipson çdo gjë tjetër. Numri i të vdekurve, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, ka arritur në 30,000, lagje të tëra janë rrafshuar nga bombardimet izraelite. Forcat e Izraelit pengojnë hyrjen e ndihmave humanitare duke e rënduar edhe më shumë ekzistencën për të mbijetuarit. Studentët protestues e shikojnë këto si akte barbarizmi dhe kërkojnë të ndalohen investimet me kompanitë që financojnë luftën e Izraelit në Gaza. Protestat sjellin frymën e viteve ‘70 të demonstratave studentore kundër luftës në Vietnam apo kundër aparteidit në Afrikën e Jugut. Kërkesat e studentëve fokusohen në shkëputjen nga kompanitë që bëjnë biznes me Izraelin ose janë prodhues të armatimeve. Disa studentë i paraqesin protestat nga këndvështrimi i lirisë së fjalës.

Për krahun tjetër, dueli studentë-administratë ka më shumë në thelb demaskimin e agresorit dhe të drejtat e të shtypurve sesa të drejtën e fjalës. Dhe nëse e thjeshtësojmë edhe më tej, analistët vërejnë se kjo është përballje midis rendit dhe kaosit. Studentët kanë thyer rregullat e shkollës duke ngritur tenda në vende publike dhe duke prishur rendin. Në Vanderbilt njëzet studentë hynë me forcë në zyrën e presidentit të fakultetit duke lënduar një nga rojet e sigurisë. Në Universitetin e Texas-it forcat policore, të veshur me pajisje speciale, bllokuan studentët dhe arrestuan njëzet protestues.

Rregullat janë baza e sistemit dhe pa ato shoqëria rrëshqet në kaos, thonë drejtuesit e këtyre institucioneve. Në disa media protestuesit pro-palestinezë janë krahasuar me grupime të të bardhëve kundra integrimit racor në kohën e Presidentit Eisenhower, ose turma pa kontroll deri në grupime antisemite, siç i quajti Kryeministri i Izraelit Netanyahu. Por analogji të tilla nuk kanë fituar popullaritet. Arsyetimi se studentët janë ata që po thyejnë rregullat ka kundër-argumentin se as Izraeli nuk e ka respektuar ruajtjen e rendit duke ndërmarrë agresion në territorin palestinez, ndërsa të tjerë thonë se pikënisja është Hamasi ndërkohë që një pjesë besojnë se pushtimi izraelit është arsyeja e një konflikti të pandërprerë.

Pyetja është çfarë do të ndodhë më tej?

Protestat studentore vazhdojnë dhe ceremonitë e diplomimeve po afrojnë.

Columbia University ka njoftuar se kurset do vazhdojnë në modelin hibrid. Policia ka ndërhyrë në protestat studentore në Emerson College, shkollë private, si edhe në UPenn, në Texas dhe shtete të tjera. Në Northeastern University në Boston, njësitë policore nuk ishin në gjendje të mbronin protestuesit nga provokimi i një individi kundërprotestues, sipas njoftimeve nga vendi i ngjarjes. Gjatë ditës së sotme janë arrestuar qindra studentë të këtij universiteti.

Universiteti i Kalifornisë Jugore (University of Southern California) ku ka pasur një valë me protesta kundër luftës së Izraelit në Gaza, ka deri tani 100 protestues të arrestuar nga policia.

Sot USC njoftoi sot se ka anuluar pjesën kryesore të ceremonisë së diplomimit. Ky lajm ka dëshpëruar studentët që nuk patën ceremoni mature në vitin 2020 për shkak të Covid-it, dhe që tani nuk do kenë as ceremoni diplomimi nga universiteti.

Foto kortezi burningrosenu Sheshi i NEU pas arrestimeve të studentëve protestues https://www.instagram.com/p/C6RX01sOzhl/…

Filed Under: Analiza

Botimi i ri historik i Uran Butkës “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”

April 27, 2024 by s p

Erald Kapri/

Botimi i ri voluminoz “Lufta civile në Shqipëri” është  frut i hulumtimit dhe trajtimit shkencor të dokumenteve nga arkivat e Shqipërisë, Kosovës, Anglisë, Italisë, Jugosllavisë, Gjermanisë etj, për Luftën e Dytë Botëroreqë dhe hedhin dritë e vërtetojnë kuadrin e luftës civile në Shqipëri (1943-1945),  një luftë e brendshme, e organizuar dhe e armatosur ndërmjet forcave politike e luftarake, përfshirë edhe masat popullore që i mbështesnin ato, një luftë me pasoja tragjike e shkatërrimtare, jo vetëm për atë kohë.

    Qysh në krye  autori bën të qartë dallimin midis luftës së popullit shqiptar   kundër pushtuesve italianë e gjermanë, pra Luftës Antifashiste (1939-1944) dhe Luftës Civile ndërmjet shqiptarëve (1943-1945), që është objekt i këtij studimi.

   Lufta e popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë e gjermanë ishte një luftë patriotike, një luftë e drejtë, që i shërbeu çlirimit te vendit dhe kauzës së përbashkët kundërfashiste e liridashëse të popujve përgjatë Luftës II Botërore. Në këtë luftë  kanë marrë pjesë dhe kanë ndihmësuar gjithë faktorët  antifashistë: Lëvizja  Nacionalçlirimtare, Balli Kombëtar, Legaliteti, Krerët e Veriut, Lëvizjet e pavarura të Gani Kryeziut, Muharrem Bajraktarit, Ramë Mujës, Mehmet Ali Bajraktarit  dhe të aktorëve të tjerë. 

Ndërsa Lufta  Nacionalçlirimtare, e udhëhequr nga PKSH, është  një pjesë  e saj luftës antifashiste, siç është pjesë edhe lufta e faktorëve të tjerë. Autori çmon luftën e partizanëve  kundër pushtuesve dhe  dëshmorët e  rënë, ashtu siç vlerëson edhe luftën e ballistëve, legalistëve dhe luftëtarëve të tjerë antifashistë, si edhe dëshmorët e tyre.

 Por, përpjekja për ta paraqitur Luftën NÇ në të kaluarën por edhe sot  si luftën e vetme të shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë, është  një tendenciozitet politik,  një spekullim e përvetësim  historik nga ana e udhëheqësisë komuniste dhe e historiografisë së saj, për të marrë e mbajtur pushtetin monist, për të mitizuar Luftën Nacionalçlirimtare dhe Enver Hoxhën, si  dhe për përfitime  politike.

     Lufta Nacionalçlirimtare ishte krahu i armatosur i Partisë Komuniste dhe realisht, por edhe ligjërisht,  nuk mund të ishte apo të konsiderohet  si lëvizje e armatosur e gjithë shqiptarëve. 

Aq më tepër që  Lufta nacionalçlirimtare nga  një luftë kundër pushtuesve, u tjetërsua në vitet 1943-1945 kryesisht në luftë të përgjakshme  për pushtet dhe komunizëm, luftë kundër kundërshtarëve politikë, madje edhe kundër atyre patriotëve që luftonin  realisht kundër gjermanëve për një Shqipëri të lirë, demokratike e perëndimore. Një luftë NÇ që në fund solli në fuqi regjimin stalinist dhe e vendosi Shqipërinë në Perandorinë komuniste te Lindjes.

    E.Hoxha e ngriti dhe e lartësoi kultin  e tij dhe të  Luftës Nacionalçlirimtare, si lufta e vetme e popullit shqiptar kundër pushtuesve nazifashistë, që të monopolizonte luftën, rrjedhimisht edhe për pushtetin  e vetëm absolut të tij dhe të PKSH, si edhe për të mbuluar apo mohuar krimet e luftës civile,  të urdhëruar  nga ai vetë dhe të nxitur e mbështetur nga tutorët komunistë rusë e jugosllavë.

    Edhe historiografia komuniste u përpoq  për gjysmë shekulli dhe vijon edhe sot ti trajtojë në mënyrë të njëanshme e të falsifikuar  ngjarjet dhe personazhet e  Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri për qëllime politike e ideologjoke. 

    Luftën kunder Ballit Kombëtar, mandej edhe Legalitetit dhe faktoreve te tjerë e nisi PKSH  menjëhërë pës prishjes së kuvendit të Mukjes. E.Hoxha urdhëron “Me forcë dhe me armë ta marrim në dorë pushtetin. Ballin duhet ta likujdojmë pa mëshirë nga çdo anë qoftë”.

    Udhëheqësit e LNÇ E.Hoxha, M. Shehu, Koci Xoxe, Hysni Kapo, Dali Ndreu, Shefqet Peçi etj ishin terroristë dhe e futën frymën dhe praktikat terroriste në Luftën NÇ për zhdukjen pa mëshirë të kundërshtarëve politikë dhe ideologjikë.

  Mid’hat Frashëri, në emër të Ballit Kombëtar, bënte apel për të ndalur luftën luftën civile dhe për t’u bashkuar si vëllezër në luftën kundër pushtuesve fashistë: “Sot është koha për një FRONT të çeliktë kundër armikut okupator dhe kundër horrave që e pasojnë. Ky front i përbashkët është gatuar me gjakun e heronjëve tanë: Qemal Stafa e dha kushtrimin dhe i fali atdheut  gjënë më të shtrenjtë që kish : jetën. Jashar Cakrani e dëgjoi edhe ai atë kushtrim, duke rënë martir  për atdhenë. Me qindra të tjerë kaluan mbi gjurmët e gjakut të dëshmorve  dhe vaditën me gjakun e zëmrës së tyre këtë tokë arbërore ….Le të luftojmë të bashkuar rreth fjalë ve që na lanë të parët tanë: JA VDEKJE, JA LIRI !  JEMI VËLLEZËR, S’NA NDAJNË DOT ! »

    Shkaku kryesor i Luftës Civile ishte çështja e pushtetit. Frika se pushteti mund të ndahej me forcat e tjera politike, apo mund të merrej prej tyre me zgjedhje të lira pas luftës, e çoi PKSH dhe E.Hoxhën në atë qëndrim arbitrar dhe në atë akt antidemokratik, që kishte për qëllim marrjen e pushtetit me forcën e armëve, sipas teorisë marksiste-leniniste, duke eliminuar faktorët e tjerë politikë, gjë që i çelte rrugën pushtetit totalitar dhe instalimit të diktaturës në Shqipëri. Ndërhyrja dhe roli luftënxitës i emisarëve të PKJ, për interesat e tyre hegjemoniste dhe shoviniste ndikuan në  tjetërsimin e Luftës Antifashiste në Shqipëri  në një luftë civile

    Mandej në këtë luftë u detyruan të përfshiheshin edhe Balli Kombëtar e lëvizjet e tjera të asaj kohe, si edhe pjesa më e madhe e popullsisë.

    Kjo luftë  është evidentuar dhe dokumentuar gjerësisht në këtë libër me akte, dokumente e prova shkresore  në  1555 referenca arkivore. Pjesa dërmuese e dokumenteve janë  urdhra, qarkore, komunikata, raporte, fjalime, kronika, urdhër-operacione, letra, trakte, radiograme, telegrame, ditarë etj. të vetë drejtuesve kryesorë të Luftës NÇ (komandantë e komisarë) si edhe raportime të shtabeve të korparmatave, divizioneve, brigadave e batalioneve  të Ushtrisë NÇ,  të shkruara  me dorën e tyre  drejpërdrejt në zjarrin e luftës civile, që ruhen në Arkivin Qëndror të Shqipërisë, Arkivin e Forcave të Armatosura,  Arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe në muzeumet qendrore e lokale, të cilat përbëjnë lëndën e parë të këtij botimi dhe që nuk mund të rrëzohen apo të tjetërsohen. ….Gjithashtu, ështe trajtuar e dokumentuar edhe edhe nxitja dhe veprimtaria antishqiptare e politikës jugosllave dhe e agjentëve të saj në Shqipëri si Miladin Popoviç, Dushan Mugosha etj për shpalljen e shpërthimin e Luftes civile në Shqipëri dhe tërheqjen e saj pas qerres jugosllave.

 Luftën civile në Shqipëri e kanë pohuar dhe raportuar thuajse të gjithë oficerët britanikë, që kanë vepruar në atë kohë lufte  në Shqipëri. si B.Maklen, J. Emery, D. Smajl, P.Kemp, T.Simkoks, G.Sejmor, A,Hibbert, A Nikols, majori Oliver, Gjenerali Dejvis etj, që janë trajtuar gjerësisht edhe në librin tim “Sekretet e Luftës”.     

   Në botimin e Butkës “Lufta Civile në Shqippëri” janë trajtuar me profesionalizëm dhe paanshmërisht ngjarje e protagonistë të luftës civile në të gjitha krahinat, madje edhe ne fshatrat e Shqipërisë, që nga Vermoshi e deri në Konispol, madje edhe në tevat shqiptare jashtë kufijve, sepse kjo luftë përfshiu gjithë hapësirën shqiptare, por ishte veçanërisht e përgjakshme  në krahinat me dominancë nacionaliste si Vlora, Mallkastra, Gjirokastra, Kolonja, Korça, Devolli, Pogradeci, Dibra, Mati, Mirdita, Shkodra, Luma, Malësia e Gjakovës  etj dhe që kulmoi në Malësinë e Madhe dhe Kelmend. 

    Lufta civile nisi menjëherë gjerësisht pas vendimmarrjes në Konferencën e Labinotit  4- 9 shtator 1943  dhe qarkores së Enver Hoxhës te 9 shtatorit për luftë të armatosur  kundër Ballit Kombëtar. E pranon edhe historiani Paskal Milo, kur thotë ” Letrat e Enver Hoxhës dëshmojnë pa asnjë mëdyshje se PKSH ishte nismëtarja  e veprimeve të armatosura kundër Ballit Kombëtar”. Britaniku Julian  Emery, konstatonte- “Enver Hoxha i kishte sulmuar ballistët në mënyrë që të mos ndante me rivalët trofeun e pushtetit politik. Kjo luftë civile nuk kishte asnjë lidhje    me Luftën për çlirimin kombëtar, të cilën të dyja palët e kishin nisur ta ndiqnin në fillim. Ishte për të ardhur keq që Lufta Civile kishte marrë përparësi mbi luftën për çlirim ”. 

   Midhat Frashëri që u përpoq me gjithë mënyrat ta ndalonte Luftën Civile, shkruante ”Me luftën Civile komunistët filluan terrorin më të keq që ishte njohur ndonjëhetë në historinë e Shqipërisë”    

 Ndërsa E.Hoxha deklaronte – “Ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi nëse në luftën për asgjësimin e Abas Kupit,  do të gjejnë vdekjen edhe  oficerët anglezë që rrinë me të”. Pra i quante armiq edhe ata misionarë britanike, që ndihmësonin luftën antifashiste, por kundërshtonin luftën civile mes shqiptareve, të shkaktuar nga komunistët.

Përgjatë Luftës civile 1943-1945 janë realizuar luftime frontale dhe partizane mes komunisteve dhe nacionalisteve, masakra kolektive  dhe mijëra vrasje politike të paligjshme, pushkatim i robërve të luftës, pushkatim i njerëzve të pafajshëm, tortura fizike, djegie shtëpish dhe fshatrash të tërë, konfiskim i paligjshëm i pasurive të tundshme e të tjera, pra krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. 

Autori sjell para lexuesve dokumente për një luftë civile në tërë Shqipërinë, duke nxjerrë shkaktarët dhe pasojat tragjike të saj. Mjafton të përmendim masakrën e Devollit  8 shtator 1943, menjëherë pas Konferencës së Labinotit 4-8 shtator 1943 që e shpalli zyrtarisht luftën civile,  ku  u masakruan pabesisht, u therrën me thika dhe u vranë  nga komunistët gjashtë nacionalistë të shquar: mes tyre edhe kosovari Zija Gashi. Dr.Kasimatin e prenë me thikë në fyt duke i thënë:”Hajt tani, folë edhe një herë për Shqipërinë etnike.” 

 Ne  luftën e Dukatit  30 nentor 1943 që zgjati 14 orë,  Brigata I S e mori urdhërin nga Dushan Mugosha “për me e shkelë  tue përdorë zjarrin ma e tmerrshëm  Dukatin nacionalist” U vrane qindra vetë nga të dy anet, u plagosën edhe disa gra, viktima të luftës civile. Ne këtë betejë frontale mori pjesë edhe  batalioni italian Antonio Gramshi, që qëlloi me altileri fshatin, mandej sumuan partizanet. Dua te theksoj se  jo vetem te Brig I por thuajse në gjithë brigadat partizane kishte kontigjente të ish-ushtrisë fashiste italiane te dorëzuar e të bashkuar me Ushtrine NÇ, të cilët morën pjesë në gjithe luftimet kunder nacionalisteve shqiptarë dhe që u bënë një faktor të fitores së komunisteve në luftën civile.                

    Pas luftës ndërmjet nacionalistëve dhe komunistëve në afërsi të Lushnjës, në fshatin Golem,  më 21 tetor 1943, ku u vranë 127 vetë, Mehmet Shehu pushkatoi pa gjyq 85 nacionalistë shqiptarë të vetëdorëzuar, që s’ishin tjetër veçse fshatarë të pafajshëm nga fshatrat e Myzeqesë, që nuk pranuan të bashkoheshin me Brigadën I Sulmuese. Rol luajti në këtë masakër edhe D.Mugosha, zv Komisar I Br.I.  

   Urdhërin për operacionin ushtarak në Starovë e Pogradec e kishte dhënë E. Hoxha qysh më 21 mars 1944. Ai i ishte drejtuar komisarit të shtabit të Brigadës I S, Tuk Jakovës – “Goditja dhe marrja e Pogradecit dhe Starovës. Sikundër që e dini, Starova ka qenë dhe është qendra e reaksionarëve të fëlliqur të qarkut të Korçës…Me një fjalë, Starova është një një çerdhe e ndytë të cilën ne duhet ta godasim rëndë dhe ta zhdukim. Nga ana tjetër, Starova është dera e çetave të Ballit… Për me sulmue Starovën e me veprue duke kap bejlerët dhe djeg shtëpitë e tyre, është patjetër e nevojshme dhe goditja e Pogradecit, ku, përveç suksesit politik që mund të kemi, mund të furnizojmë me veshmbathje dhe me ushqime forcat e Brigadës…”

    Përfundimi tragjik i luftës kunder popullsisë se Starovës me 400 shtëpi,  : “Tani, me përjashtim të 5 shtëpive që ishin me ne, te tjerat  i dogjëm. Nuk ka më Starovë!”-raportonte shtabi i  Brigades I S. A mund te thuhet më,  që Lufta Nacionalçlirimtare ishte luftë e gjithë shqiptarëve, një luftë për çlirim, kur në Starovë e Pogradec nuk kishte asnjë  gjerman, dhe kur në Starovë komunistët dogjën 395 shtepi te fshatarëve dhe lanë pa djegur vetëm 5 shtëpi që ishin me LNÇ?!

   Në Tiranë nga nga data 28  tetor-16 nëntor 1944, u arrestuan dhe u vranë nga terroristët komunistë qindra qytetarë, jo komunistë: pronarë, tregtarë, intelektualë, që kishin studiuar në Perëndim, botues, qytetarë të theshtë, ushtarakë të karierës etj, pa asnjë vendim gjyqësor, vetëm me listat e zeza partiake. Qëllimi ishte që çlirimi i kryeqytetit  të mos i gjente të gjallë.

   Masakra ndaj popullsisë së pafajshme janë ato të realizuara nga  Brigada V me komandant Shefqet  Peçin në Shqipërinë e jugut, të Veriut  dhe në trojet  shqiptare përtej kufijve politikë. Në Lumë ai pushkatoi 22 lumjanë krejt të pafajshëm, ndërsa vrau në gjithë krahinën malësorë, me motivin e hakmarrjes ngaqë mbështetnin Muharrem Bajraktarin, kur ky luftonte kundër gjermanëve. 

   Në Martanesh, në Mehmet Shehu urdhëroi pushkatimin pa gjyq të 22 fshatarëve, një nga çdo shtëpi, tok me kryeplakun e fshatit, për hakmarrje pse ajte u vra një partizan.  Raporti 1/22. Në Fushë-Aliaj të Dibrës brigadat partizane dogjën tërësisht shtëpitë  dhe vranë popullsinë e pafajshme si hakmarrje ndaj Halil Alisë.  Në Mat bënë masakra kundër legalisteve të Abas Kupit, për te cilin E,Hoxha kishte angazhuar Brigadën e Dytë partizane për ta vrarë. Ai urdhëronte “ Ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi nëse në luftën për asgjësimin e Abaz Kupit do të gjejnë vdekjen edhe oficerët anglezë që rrinë me të”

  Lufta civile në qarkun e Shkodrës dhe veçanërisht në  Malësisë së Madhe ishte mësymja me e madhe  dhe me absurde  e forcave ushtarake nacionalçlirimtare, dhjetor 1944- mars 1945, kur kishte mbaruar lufta kundër pushtuesve, s”kishte këmbë gjermani në Malsinë e Madhe dhe Ushtrija NÇ u soll atje si ushtri pushtuese, dyke kryer edhe krime lufte dhe kunder njerezimit. Malësia e Madhe iu përgjigj me kushtrimin  për të mbrojtur jetën, trojet dhe fenë, sic shpehet  prijësi Prek Cali. Korparmata III,  Divizioni I me qendër në Shkodër me brigadat I, XXIII dhe XXIV, Divizioni VIII me brigadatat XVII, XVIII dhe XXVII, Brigada IV, dy batalione të Brig, XI dhe brigadat e Mbrojtjes bënë  mësymje  ushtarake  dhe masakra në këtë krahinë me tradita të njohura patriotike e liridashëse. Vetëm nga Brigada I u vranë si “mish për top” gjithsej 39 partizanë, bij nënash shqiptare, (14 prej tyre në betejen e Tamarës). Madje Brigada I, për të nenshtruar Kelmendin doli matane kufirit në Jugosllavi dhe prej andej sulmoi  në mes te dëborës së janarit 1945 malsorët që mbronin vatrat e tyre. Malësia e Madhe humbi 137 bij të saj trima të devotshëm. U burgosën 345 burra dhe u internuan 41 familje të shpallura reaksionare kampet e internimit të Tepelenës, të Kavajës, të Vloçishtit, Beratit. Malësia u vesh me petkun e zisë. Një lufte civile me pasoja te rënda humbje jete, dënime kolektive politike e sociale. 

   Në këtë botim është trajtuar ndihmesa  e misionarëve dhe oficerëve britanikë në mbështetje të luftës antifashiste, roli i tyre pozitiv, por edhe  politikat dilematike dhe shpesh të gabuara të qeverisë britanike, që furnizonte me armë e stërlina komunistet dhe me këto armë komunistët godisnin e vrisnin nacionalistët gjate gjithë periudhes se luftës civile, duke kontribuar kështu edhe ne fitoren e këtyre. Komandanti britanik Uilson i Mesdheut i drejtohet E. Hoxhës “ Më duhet t”ju vë në dukje se armët dhe furniyimet që ju dërgojmë, janë të destinuara vetëm për të ndihmuar forcat tuaja që të luftojnë armikun. Unë nuk mund të toleroj që ju t” pëdorni këto armë për të vrarë dhe likujduar  bashkatdhetarët tuaj për qëllime politike”

    Udhëhëqësit komunistë të LNÇ përpiqeshin ta justifikonin dhe ta intensifikonin luftën kundër nacionalistëve me akuzën  e kolaboracionizmit, që ishte një mashtrim diabolik jugosllavo-shqiptar. Në këtë vepër është trajtuar me objektivitet tema e kolaboracionizmit gjate Luftes se  Dyte  në Shqipëri, paqaqitur ne mënyrë tendendioye dhe të manipuluar nga politika dhe historiografia komuniste.  Midhat Frashëri nuk ka bashkëpunuar as me italianët as me gjermanët gjatë luftës, nuk ka asnjë dokument bashkëpunimi apo kontakti te tij me ta.  Vetë fakti që aleatët anglo-amerikanë e zgjodhën  Midhat Frashërin si kryetar të Komitetit ” Shqipëri e Lirë” në emigracion  më 1949, si figurë  e shquar kombëtare, antifashiste,  e pastër politikisht dhe properëndimore,   është domethënës. Ai nuk pranoi të bashkohej e të bashkëpunonte me ata krerë, që kishin bashkëpunuar  me pushtuesit dhe kishin njolla e faje kundrejt atdheut. Ky qëndrim zbulohet qartazi në letërkëmbimin e viteve 1947-1949, veçanërisht ne letrën dërguar Abaz Kupit- “ 

“U themelue Komitetit “Shqipnija e Lirë”, i cili përfaqëson të gjithë ata shqiptarë, që duen me pa në Shqipni nji qeveri demokratike, e cila do t’i sigurojë popullit shqiptar të gjitha liritë politike dhe të drejtat njerëzore që i janë mohue. Një komitet i përbashkët do t`ishte një vegël e çueshme për të rifituar të drejtat kombëtare. Por a nuk mendoni edhe ju se kondita e parë e një organi, që do të merrte përsipër një barrë të tillë, duhet të jetë i formuar prej njerëzish mbi të cilët të mos peshojnë njolla dhe faje kundër Atdheut? Duhet të kemi parasysh se kundërshtarët e Shqipërisë do të kërkojnë të përfitojnë nga të tilla shkake, për të luftuar të drejtat tona kombëtare. Nga ana tjetër, duhet të mejtojmë mirë efektin katrastofal që do të ketë pranë shqiptarvet, që kanë vuajtur dhe janë dërmuar gjatë këtyre vjetëve të fundit. Qysh mund të paraqitemi përpara opinionit publik krahpërkrah si bashkëpunëtorë me njerëz, mbi supet e të cilëve rëndojnë ngjarje të shëmtuara, që e bënë Shqipërinë një shkretinë, duke përfunduar në gjendjen e sotshme”

   Por historiani Uran Butka thekson se  elementë te veçantë të organiyatës së Ballit Kombëtar, për arsye të mbrojtjes nga terrorizmi komunist, si Kadri Cakrani etj., kanë bashkëpunuar me gjermanët, ashtu sic kanë bashkëpunuar me gjermanët edhe elemetë të NÇlirimtares si Gjin Marku etj në kompromisin e Beratit, të Kuçovës etj, pa përmendur këtu kolaboracionizmin e hapur të komunistëve shqiptarë me komunistët jugosllavë në Shqipëri e Kosovë.    

    Sipas Butkës, teza komuniste e kolaboracionizmit bije plotësisht  po të sjellim edhe faktet që komunistët luftuan e asgjësuan dhe  nacionalistët patriotë të paangazhuar në parti politike si Muharrem Bajraktari, Mehmet Ali  Bajraktari apo Lëvizja Kryeziu, që luftonin kundër  gjermanëve.

    Të gjithë ata që u vranë në këtë luftë civile janë viktima te saj, por fatkeqësisht gjatë gjysmë shekulli të regjimit komunist madje edhe sot, mjaft nga  viktimat e Nacionalçrimtares u shpallen dhe u nderuan si deshmore e heronj si Zonja Çurre, Myslizm Shyri, Fejyi Bolena,  e shume te tjere, që u vranë në luftën e shqiptarëve kundër shqiptarëve. Ndërsa viktimat nga ana e nacionalisteve dhe banorëve te pafajshem jane trajtuar si reaksionare, kriminele, kolaboracionistë, edhe kutr jane vrarë nga pushtuesit italianë e gjermanë si Jashar Cakrani, Selfo Hekali,  Mustafa Dervishi, Skender Muço, Yzeir Ismaili, apo të vrarë nga serbet si tiranasi Hamit Troplini, apo Marie Shllaku  në Kosovë  etj

    Tjetër falsifikim i luftës së Dytë Botërore ne Shqipëri, por edhe i Luftës civile,  është edhe numri i dëshmorëve te Nacionalçlirimtares, që është propaganduar me pompë  nga politika dhe historiografiaa komuniste  në 28.000, ndërsa e vërteta qëndron krejt ndryshe, sipas hulumtimeve të deritanishme. Sipas studiuesit  Dr Teodor Kareco, ish funksionar i PP, por studiues objektiv i luftës, numri i dëshmorëve partizanë  te vrare nga Gjermanët është 1514 vetë,  nga gjermano-ballistet 275, nga italianet 207 nga nacionalistet 1067, te vdekur  310 etj gjithsej 3442 vetë. Kjo shifer është e përafërt me atë që shënohet edhe në Fjalorin enciklopedik, ribotim i vitit 2009 për 2397 dëshmorë gjithsej, sipas statusit te Dëshmorit te Atdheut.

   Histotia e Popullit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë historia e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri e trevat e tjera shqiptare, duhet rishkruar  mbi bazën e dokumenteve dhe me një interpretim shkencor bashkëkohor.

    Historiani Uran Butka, i cili ka dhënë një kontribut të shquar në këtë drejtim, konkludon në librin e tij-“Lufta Civile është ana e panjohur, pjesa vetëvrasëse e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Duhet ta nxjerrim nga heshtja, ta njohim e të reflektojmë ndaj saj, duke kapërcyer mosmarrëveshjen, mitet e reme dhe urrejtjen, shfaqjet e reminishencat e frikshme që rezaton ende ajo luftë; duhet të çlirohemi  nga pengjet  e tabutë e së shkuarës, deformimin e  historisë, për të kuptuar më mirë gjendjen tonë të sotme dhe për t’i bërë ballë si qytetarë plotësisht të lirë e me vetëdije të qartë të nesërmes. Shpirtrat e tronditur të shqiptarëve, jo vetëm nga luftrat e vazhdueshme, traumat e mënxyrat që kanë përjetuar, por edhe nga mashtrimi i madh gjysmëshekullor dhe leximi i keq i historisë, i cili vazhdon edhe sot, kanë nevojë më së shumti për të vërtetën”. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Erald Kapri, Uran Butka

“BETEJA E KOSHARES”

April 27, 2024 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Beteja e lavdishme që simbolizon fundin e pushtimit serbo – jugosllav mbi DARDANI! “Beteja e Koshares” u zhvillua nga 9 prilli 1999 deri më 10 qershor 1999, në kuadër të Operacionit “SHIGJETA”, operacion ky i studiuar, analizuar dhe përgatitur në menyrë profesionale në çdo element të tij! Luftimet ishin ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Ushtrisë Jugosllave (JNA).

“Beteja e Koshares” u zhvillua gjatë kohës së bombardimeve të RF të Jugosllavisë nga forcat e NATO-s. Beteja u zhvillua rreth fshatit Koshare që është në kufirin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Beteja e Koshares” është njëra nga betejat më të përgjakshmet dhe më të suksesshmet të Luftës për Çlirim të Kosovës. Në këtë betejë Ushtria Jugosllave (JNA) e humbi kontrollin mbi kufirin Kosovë–Shqipëri, e cila ishte një fitore e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e thyer kufirin dhe duke e mundësuar kalimin e sigurtë të armëve dhe vullnetarëve nga Shqipëria për në Kosovë.

“Beteja e Koshares” zgjati 67 ditë, nga 9 prilli deri më 10 qershor 1999, kur edhe u nënshkrua “Marrëveshja e Kumanovës” e cila i dha fund Luftës për Liri të Kosovës dhe pushtimit serbo-sllav mbi DARDANI!

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet shqiptare dhe diaspora, të bashkuar nën komandën në fushën e betejës nga komandantët: Agim Ramadani, Sali Çekaj, Rrustem Berisha, Xhemajl Fetahu, Anton Çuni, Fadil Hadergjonaj dhe shumë trima të tjerë, bëri që të shëmbet muri ndarës i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Beteja e Koshares” mori shumë jetë nga të dyja palët, si nga ushtarët e UÇK-së ashtu edhe nga ata të JNA-së.

Nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ranë dëshmorë 114 luftëtarë shqiptarë, ndërsa nga ana e ushtrisë Jugosllave u vranë 108 ushtarë serbë, mercenar rusë dhe të tjerë që merrnin pjesë në forcat serbo-sllave.

Në mesin e dëshmorëve të UÇK-së në Koshare, u vranë edhe 2 ushtarë të NATO-s, Francezi Arnold Pierre dhe Italiani Françesko Giuzeppe, poashtu u vra edhe ushtari nga Algjeria Muhamed Murad Ali.

Lista e 114 dëshmorëve të UÇK-së, të rënë

në “Betejën e Koshares”:

……………………………………………………………..

1. Agim Hysni Ramadani; Zhegër-Gjilan

2. Sali Beqir Çekaj; Broliq-Pejë

3. Abedin Hysen Murtezi; Mollopolc-Shtimje

4. Abaz Isuf Thaçi; Ozdrim-Skënderaj

5. Abush Liman Loku; Kutlinë-Kaçanik

6. Adem Bajram Selmanaj; Tropojë-Malësi e Gjakovës

7. Afrim Mehmet Krasniqi; Tërpezë -Malishevë

8. Afrim Ahmet Stojaku; Arbanë-Prizren

9. Afrim Bislim Selmanaj; Savrovë-Suharekë

10. Afrim Xhafer Gashi; Hajvali-Prishtinë

11. Ali Miftar Hasi; Cermjan-Gjakovë

12. Ali Daut Ivaj; Cërnillë-Ferizaj

13. Ali Sadik Fejzullahu; Bajgorë-Mitrovicë

14. Arben Skënder Jusufi; Cërrnicë-Gjilan

15. Arsim Rexhep Rexhepi; Sazli-Ferizaj

16. Abdyl Ali Jasiqi; Jasiq-Deçan

17. Aziz Bajram Gashi; Balincë-Malishevë

18. Bashkim Ramadan Jasiqi; Jasiq-Deçan

19. Bashkim Mustafë Idrizi; Gjakovë

20. Bejtë Azem Kajdomqaj; Dedaj-Prizren

21. Bekim Lutfi Thaçi; Arbanë-Prizren

22. Besim Saqip Rexhepi; Ferizaj

23. Besim Ismajl Nuka; Mitrovicë

24. Besnik Sali Jasiqi; Jasiq-Deçan

25. Bujar Sali Jasiqi; Jasiq-Deçan

26. Bexhet Ajet Shabani; Skënderaj

27. Burim Ajet Grajqevci; Prishtinë

28. Bylbyl Hazir Breqani; Markaj-Malësi e Gjakovës

29. Driton Gani Veliu; Polac-Skënderaj

30. Dukagjin Ruzhdi Vula; Gjakovë

31. Emin Ruzhdi Kryeziu; Roganë-Dardanë

32. Zeqir Musli Dardhishta; Korbaliq- Kaçanik

33. Imri Pajazit Curri; Hani i Elezit

34. Ernes Nazmi Zariqi; Prishtinë

35. Fadil Halil Maloku; Gjocaj-Deçan

36. Faik Beqir Qabrati; Pllanejë-Prizren

37. Fatmir Haki Kërqeli; Ferizaj

38. Fatos Muhamet Ademaj; Katundi i Ri-Pejë

39. Fatos Shefqet Limani; Prishtinë

40. Fetah Sylejman Sylejmani; Opojë-Dragash

41. Fisnik Bajram Salihu; Morinë-Gjakovë

42. Fisnik Aledin Ibrahimi; (Beograd?)

43. Fitush Rrustem Kukaj; Prishtinë

44. Florim Baki Maliqi; Ferizaj

45. Françesko Giusseppe Bider; Biella-Italia

46. Gazmend Zenel Berisha; Pejë

47. Genc Mustafë Bytyqi; Gjakovë

48. Gëzim Haxhi Morina; Orllat-Drenas

49. Gëzim Sahit Sahiti; Pojatshticë-Ferizaj

50. Gëzim Rasim Berisha; Drenas

51. Halil Mehmet Bajraktari; Drenas

52. Hamdi Brahim Sheremeti; Shipol-Mitrovicë

53. Hamëz Ali Thaçi; Xerxë-Rahovec

54..Harun Nebih Beka; Gushavc-Mitrovicë

55. Hasan Salih Qerkini; Zastok-Ferizaj

56. Hasan Latifi; Kumanovë

57. Hafiz Rasim Tolaj; Potoqan-Rahovec

58. Hysni Sylë Temaj; Kuzhnin-Prizren

59. Ilir Ahmet Hoxha; Arbanë-Prizren

60. Ilmi Ismajl Bahtjari; Blaq-Dragash

61. Imer Isak Kryeziu; Pagarushë-Malishevë

62. Ismet Esat Mustafa; Çerkez-Kumanovë

63. Izet Ali Beqiraj; Baballoq-Deçan

64. Izet Islam Morina; Ostrozub-Malishevë

65. Januz Mehmet Krasniqi; Arbanë-Prizren

66. Januz Qazim Zejnullahu; Skifteraj-Viti

67. Jusuf Ibush Hoxha; Komaran-Drenas

68. Kasim Ibish Uka; Ponoshec-Gjakovë

69. Korab Masar Binxhia; Gjakovë

70. Kreshnik Avdi Ademaj; Pejë

71. Leonard Dedë Palucaj; Klinë

72. Liman Aziz Rekaj; Prelez-Ferizaj

73. Luan Ruzhdi Gashi; Hoqë e Vogël-Rahovec

74. Lulzim Naim Veselaj; Reçan-Suharekë

75. Lutfi Avdush Musiqi; Vushtrri

76. Mejdi Avdullah Korrani; Pozharan-Viti

77. Mentor Isa Humolli; Lupq-Podujevë

78. Milazim Sadri Mavraj; Istog

79. Milazim Qazim Shala; Baballoq-Deçan

80. Muharrem Fadil Mehmeti; Pakashticë- Podujevë

81. Mujdin Qerim Aliu; Poroj-Tetovë

82. Muhamed Murad Ali; Algjeri

83. Naim Shefket Orllati; Brestovc-Rahovec

84. Nazim Misin Buduri; Hoqë-Prizren

85. Nazim Mon Lushaj; Arbanë-Prizren

86. Nikollë Mhill Dodaj; Dujakë-Gjakovë

87. Nijazi Ramiz Rexhepi; Sllatinë e Epërme-Viti

88. Paillard Arnold Pierre; Francë

89. Ramadan Gani Salihu; Zastok-Ferizaj

90. Ramiz Binak Krasniqi; Denjë-Rahovec

91. Ramush Ilaz Shatrolli; Pleshinë-Ferizaj

92. Remzi Danush Xhaferi;Tanushë-Shkup

93. Rifat Sokol Qela; Leqinë-Skënderaj

94. Rifat Xhelil Kastrati; Polluzhë-Drenas

95. Rifat Xhafer Goxhuli; Koliq-Prishtinë

96. Rrahman Jetullah Tafa; Carralevë-Shtimje

97. Safet Ymer Gjinovci; Makërmal-Skënderaj

98. Safet Qemajl Rexhepi; Zhiti-Viti

99. Selver Bajram Kryeziu; Roganë-Dardanë

100. Shaban Fetah Hajzeraj; Veriq-Istog

101. Shabi Faik Kajolli; Shkup

102. Shefqet Fazli Mustafa; Gllogjan-Deçan

103. Shpëtim Idriz Bojku; Pejë

104. Sinan Sahit Thaçi; Zojzë-Prizren

105. Sylejman Adem Shala; Vidishiq-Mitrovicë

106. Urim Gani Mehmeti; Cërrnicë-Gjilan

107. Xhafer Rexhë Thaçi; Gjakovë

108. Xhemajl Metë Fetahu; Raushiq-Pejë

109. Xhemshir Haziz Islami; Mikushnicë-Skenderaj

110. Xhevat Qaush Nitaj; Voksh-Deçan

111. Tafil Veli Osmanaj; Kqiq-Mitrovicë

112. Xhafer Haxhi Lipoveci; Gjakovë

113. Xhevdet Rrustem Loshaj; Carrabreg-Deçan

114. Zeki Xhevat Shulemaja; Prishtinë

……………………………………………………………

LAVDI dhe NDERIM I PËRJETSHEM!

#JamShqiptar…🇦🇱

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!
  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT