
Artan Nati/
“Ka vetëm një gjë që kam frikë: të mos jem i denjë për vuajtjet e mia”. Këto fjalë te Dostoyevskit më vinin shpesh në mendje duke parë dokumentarin “Fluturat” të shkruajtur dhe drejtuar nga Bujar Alimani dhe të sponsorizuar nga “Vatra” dega Çikago. Pasi u njohëm me këto heroina ose flutura, siç i quan autori, sjellja e të cilave në këtë ferr të komunizmit, vuajtjet dhe dhimbjet e të cilave dëshmonte se liria e fundit e brendshme nuk mund të humbet. Mund të thuhet se ato ishin të denja për vuajtjet e tyre; mënyra se si ato duruan vuajtjet e tyre ishte një arritje e vërtetë e brendshme. Është kjo liri shpirtërore, e cila nuk mund të hiqet, që e bën jetën kuptimplote dhe të qëllimshme. Ato gjetën forcën të bëjnë lutjet e tyre dhe të shpresonin se një ditë zoti do të dëgjonte lutjet e tyre. Ato gjetën forcën e madhe të gjenin një gur nga kisha e shkatërruar nga komunizmi dhe të bënin lutjet e tyre para këtij guri, biles ta sillnin këtë gur deri në Amerikë dhe ta kthenin atë gur si engjëllin e tyre mbrojtës dhe kishën më të bukur në botë. Ato kuptuan se çdo gjë mund tu merrte regjimi antinjerëzor komunist, por kurrsesi lirinë e brendshme njerëzore, atë që të zgjidhnin qëndrimin e tyre në ato rrethana çnjerëzore, të zgjidhnin rrugën e tyre dhe tu tregonin botës mbarë se ato triumfuan dhe komunizmi u shkatërrua plotësisht në Shqipëri. Ok ndoshta jo plotësisht, kjo është edhe një nga arësyet që këto eksperienca të zgjojnë ndërgjegjen kombëtare se ashtu siç thotë George Santayana “Ata që nuk mund ta kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë.”
Përse vallë thonë se ata që nuk njohin historinë janë të dënuar ta përsërisin atë? Niemöller ofron mësimin e historisë që ne e injorojmë për rrezikun tonë. Kërcënimi më i madh për demokracinë nuk vjen nga jashtë kufijve tanë, por nga brenda. Niemöller ishte një patriot i mirë që e donte vendin e tij, dhe së bashku me shumë të tjerë si ai, votoi në mënyrë naive për njeriun që solli Holokaustin dhe shkatërroi një pjesë të madhe të Evropës. Kur Niemöller e kuptoi gabimin e tij, ishte tepër vonë.
Fillimisht erdhën për socialistët dhe unë nuk fola, sepse nuk isha socialist. Pastaj erdhën për sindikalistët dhe unë nuk fola, sepse nuk isha sindikalist.Pastaj erdhën për të kërkuar hebrenjtë dhe unë nuk fola, sepse nuk isha hebre. Pastaj ata erdhën për mua – dhe nuk mbeti njeri që të fliste për mua. Ky citim i atribuohet pastorit të shquar gjerman Martin Niemöller.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Niemöller foli hapur për bashkëfajësinë e tij të hershme në nazizëm dhe ndryshimin e tij eventual të zemrës. Fjalët e tij të fuqishme për fajin dhe përgjegjësinë rezonojnë edhe sot.
Pas çlirimit të vendit në 1944, ndodhi pushtimi nga komunizmi po aq i keq dhe ndoshta më i keq dhe një pjesë e madhe (fatkeqësishst) e shqiptarëve e brohoritën. Kur komunistët vodhën pasurinë e të ashtuquajtërve pasanikë, ne nuk folëm. Kur komunistët vranë dhe burgosën inteleltualët ne përsëri nuk folëm. Kur ata internuan “të shpronësuarit” dhe internuan këto flutura në kushte çnjerëzore përsëri ne nuk folëm. Kur erdhi rradha jonë për të na shpronësuar dhe detyruar të vepronim e jetonim si në burg ishte tepër vonë. Shpesh thuhet se ishin kohë të vështira, por harrojmë se kohët bëhen nga njerëzit dhe shpesh individët më të rrezikshëm nuk e bëjnë historinë vetë, por ndonjëherë një individ dhe kohët takohen për të prodhuar një ferr në tokë. Tragjedia më e madhe nuk është shtypja dhe mizoria e komunistëve, por heshtja ndaj kësaj nga njerëzit e mirë.
A nuk ndodhi kështu edhe në Shqipërinë e pas viteve 90?
Në fillim ish komunistët dhe ish spiunët e regjimit komunist hynë në partitë politike të gjithë spektrit dhe ne nuk folëm me pretekstin se ishim gjithëpërfshirës.
Pastaj ata morrën drejtimin e partive politike dhe ne nuk folëm sepse ata “do t,i rrëzonte koha”. Pastaj ata morrën qeverinë dhe institucionet dhe ne nuk folëm se kjo ishte demokracia. Pastaj ata morrën ekonominë dhe pronat tona dhe ne pamë që nuk kishte mbetur njeri për të na mbrojtur neve.
Dhe ja ku e gjejmë sot veten jashtë kufijve të atdheut përherë e më të huaj, pa të drejtë vote dhe përfaqësimi në vendin tonë. Sot Shqipëria udhëhiqet nga një bandë hajdutësh, partitë politike drejtohen nga njerëz të korruptuar e të kaluar të dyshimtë dhe askush atje nuk mendon se i detyrohet një falje publike këtyre fluturave të demokracisë, të persekutuarëve të regjimit, heronjve të demokracisë. Duke parë këto gra që edhe sot jetojnë me emocionet e dikursshme mendoj se është normale që të të ndihen të nervozuara sepse këto situata nuk janë normale, sepse ne të gjithë si shoqëri, por edhe institucionet e vendit i detyrohen atyre një falje të madhe, që ajo pjesë e shoqërisë e margjinalizuar në kohën e komunizmit të ndihet e përfshirë dhe e vlerësuar për sakrificat e tyre.
Fakti qe ne po flasim per kete ngjarje, qe njerezit jane revoltuar me kete status quo ne Shqiperi, që klasa politike është trembur dhe përjeton panik, tregon se vendi është në prag të një transformimi të thellë. Sot kombi ynë po përjeton momentin më kulminant historik me Kosovën e lirë e shtet i pavarur, dhe shqiptarët kudo janë përkrah aleatëve tanë perëndimor dhe ShBA-ve. Dalja e te rinjve në politikë ne Shqiperi tregon se vendi eshte ne ate moment historik qe sic thoshte Noli “Dhe një zë vengon nga lumi, më buçet, më zgjon nga gjumi…” Dhe ky zë është zëri i perëndimit që Shqipëria i përket historikisht, kulturalisht dhe gjeografikisht. E vetmja gjë e nevojshme për triumfin e së keqes është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë,
A do të jetojmë me ndjenjën e fajit për jetë, apo do të marrim përgjegjësi e të jetojmë me dinjitet, a do t’i japim kuptim sakrificave tona, apo do të jetojmë si struci me kokën e zhytur në rërë duke pretenduar se nuk ka ndodhur gjë. Sepse bota është në një gjendje të keqe, por gjithçka do të bëhet akoma më keq nëse secili prej nesh nuk bën më të mirën e tij, nqs gjithsecili nuk fiton lirinë e brendshme dhe t’i japi kuptim sakrificave të tij, ashtu si këto flutura i dhanë kuptim vuajtjeve të tyre.