• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pushtetarët po e mbysin kinematografinë

February 9, 2014 by dgreca

Kinematografia shqiptare dhe kineastët nuk vuajnë nga shterpësia kreative as nga mungesa e temave e ideve, por është burokracia kulturore e pushtetarët ata të cilët ia kanë zënë frymëmarrjen, duke i dhënë aq pak para se nuk mjaftojnë gati për asgjë.

Gani MEHMETAJ /

Kinematografia shqiptare asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më të rëndë se sa në mileniumin e tretë. Kineastët shqiptar kurrë nuk ishin më të braktisur se sa në kohën kur filmi në botë ka arritur majat e zhvillimit teknologjik. E braktisur nga shoqëria, e nënçmuar nga shteti, filmi shqiptar në Tiranë dhe në Prishtinë vegjeton sot për nesër, në përpëlitje të shuhet fare. Dy qendra kinematografike shqiptare shtihen kinse po financojnë filma, ndërsa kineastët e frustruar, të cilët marrin ca para nga shteti, po ashtu shtihen kinse po bëjnë filma. Në fakt regjisorët e producentët më ekipin e aktorëve në një varfëri të skajshme buxhetore po bëjnë përpjekje titanike të sfidojnë vetën e shtetin që i përbuz. Entuziazmi e dashuria për artin, është ajo që i mban, por kjo nuk mjafton, sepse filmi  kërkon mjete të mëdha financiare. Pa para s’ka vepër artistike, por sidomos pa para të shumta s’ka projekte kinematografike.   

Ndërrimi i qeverive po e thellon krizën e filmit!

Me një film në vjet (Tiranë), apo edhe më keq më gjysmë filmi në tre vjet (Prishtinë), nuk mund të quhet kinematografi, as mund të konkurroj asgjëkund, sepse kjo prodhimtari manifakture nuk quhet industri filmike, pavarësisht nga gjuha “moderne” e ca zyrtarëve të cilët flasin për industrinë kinematografike shqiptare që vetëm sa të nxit në qeshje sarkastike. Ndërkaq, xhirohen aq pak filma sa të mos thuhet se u shkëput vazhdimësia, por jo mjaftueshëm sa të thuhet që po ikim nga pika e fillimit. Çdo dhjetëvjetësh sikur e nisim nga e para. Gjendja nuk ndryshoi as me ndryshimin e qeverive, përkundrazi kriza kinematografike sa vjen e thellohet, sepse garniturat e reja i trashëgojnë vështirësitë e vjetra,  ku e ku pastaj e thellojnë krizën, duke e kopjuar qeverinë pararendëse në shpërfilljen ndaj filmit.

Asnjë qeveri nuk paraqiti asnjë vizion për dalje nga kriza, asnjë grup punues nuk paraqet ndonjë koncept, i cili do të hapte rrugë dhe, do të ndihmonte që filmi të mos vendnumëroj, ndërsa regjisorët të mos i përsërisnin ankesat e përvitshme. Ndërsa kriza është pasojë e buxhetit të pakët nga shteti, asnjëherë nuk përfillet mendimi i kineastëve, asnjëherë nuk ftohen ata të bëjnë strategji për kinematografi. Në vend të shtohet buxheti, dalin ca zyrtarë ministrie “të gjithëdijshëm” apo nga QKK-të e klaneve, të cilat lexojnë diçka nga notesi i tyre, që më shumë është lojë fjalësh a fjalime boshe, pastaj kinse dëgjojnë ankesat e kineastëve dhe ia mbathin për të mos u dukur kurrë më para publikut.

Buxheti për kinematografinë përsëritet me të njëjta shifra nga viti n vit. Sivjet s’ka para fare për film në Tiranë, sepse duhet të shlyhen borxhet e vjetra! Ministria Shqiptare e Kulturës nuk e shkon nëpër mend të jep mjete shtesë, ka përparësi tjera! Në kopjimin e të shëmtuarës të dy ministrit i ngjajnë njëra-tjetrës. Vetëm se në Prishtinë zyrtarët e Ministrisë së kulturës janë edhe më primitiv e të paarsimuar.

Që nga vitet e nëntëdhjetë filmi në mënyrë të pafalshme është trajtuar si vrima e fundit e kavallit. Janë gjetur vrima e gropa ku janë hedhur paratë e taksapaguesve, janë shpikur projekte e përparësi financimi, kurse për kinematografinë asnjëherë nuk pati para që do të stimulonte prodhimin.

Asnjë kinematografi kombëtare në rajon (me të vetmit që mund të mateshin dikur) nuk është më keq dhe më e zhvlerësuar se sa kinematografia shqiptare. Asnjë shtet në rajon nuk prodhon më pak filma se sa Shqipëria e Kosova, asnjë shtet në rajon nuk jep më pak buxhet për filmin se sa që jepen në Tiranë, apo në Prishtinë. Shtetet fqinje i kanë dyfishuar numrin e filmave të prodhuar, shqiptarët e kanë zvogëlua numrin e filmave të prodhuar. Derisa bie fjala në Serbi xhirohen dhjetë filma në vjet, kryekëput më buxhet të shtetit, apo në bashkëprodhim me televizionet kombëtare, ashtu sikurse në Kroaci ku bëhen tetë filma, në Maqedoni deri në tre filma me katër milion euro buxhet, të ne është shpikur një përqindje e çoroditur buxhetore, e cila nuk mjafton gati për asgjë. Nuk kuptohet ky qëndrim i pafalshëm dorështrënguar i dy shteteve shqiptare ndaj kulturës në përgjithësi e filmit në veçanti. Nuk doli asnjë kryeministër të thotë se filmin e trajtuam sikur ta kishim thjeshtër, nga sot do ta trajtojmë si fëmijën tonë. Vazhdojnë ta shpërfillin. Me një milion dollarë në Tiranë, apo 350 mijë euro në Prishtinë, s’mbahet kurrë kinematografia, sikurse që me individë apo shtëpi filmik sot për nesër, s’do të ecën kurrë filmi tutje.

Sigurisht kriza në film është edhe pasoj e mënyrës së caktimit të ministrave dhe zyrtarëve kryesor të kulturës. Nuk e di për Tiranën, por në  Prishtinë tre ministrat e fundit të kulturës ishin gjysmë analfabetë (njëri me mejtep për hoxhë, tjetri mezi e kishte mbaruar një shkollë të mesme me ndërhyrje, ndërsa i treti është “reper” rrugësh). Kështu qeveritarët tanë të të gjitha ngjyrave janë tallur e po tallën me kulturën, ashtu sikurse po tallën me artistët.

Me shuarjen e kinostudios, po shuhet edhe kinematografia

Kinematografia shqiptare dikur ishte në gjendje të mirë prodhimtarie (xhironte deri në 13 filma artistik).  Kishte shumë shtrëngesa e censurë, por filma bënin. Kishte shtëpi filmike, ku realizohej e tërë prodhimtaria (Kinostudioja). Më rënien e komunizmit filloi përpëlitja e kinematografisë shqiptare, megjithëse do të duhej të ishte ndryshe. Filmit iu përgjysmua buxheti, u shua kinostudioja. Terrorin e  censurës e zëvendësoi terrori i mospasjes. Në mungesë të filmave brezi i ri i regjisorëve po realizohen më vështirësi, brezi i vjetër që i dhanë aq shumë filmit shqiptar, rrinë e presin ndonjë ditë më të mirë.

Ka dhjetë vjet që nuk bëri film Kujtim Çashku, gati aq vjet nuk e kemi parë në ekran  Dhimitër Anagnostin, më shumë se pesë vjet nuk bën filma Saimir Kumbaro, ndonëse ka disa skenar, na mori malli për Mevlan Shanajn, Rikard Ljajrjen, Piro Milkanin, Esat Mysliun, regjisorë e aktorë të tjerë me nam. Shumica prej tyre kanë energji e ide kreative që të punojnë, por askush nuk ua ofron një mundësi të tillë. Regjisorët në Perëndim punojnë edhe pas moshës 83 vjeçare, ne i pensionojmë ende pa i mbushur 60 vjet. Ndërkaq, ata më përvojën e dijen e tyre kanë mundësi të thonë aq shumë…

E njëjta situatë është edhe në Prishtinë. Shëmtitë përsëriten në qëndrimin ndaj kinematografisë dhe ndaj institucioneve të filmit. Kështu derisa kinostudioja u shua, ndërsa ka propozime që sërish të aktivizohet dhe të filloj nga puna si më parë,  Kosovafilmin është në fazën e shuarjes, sepse ashtu duan burokracia gjysmanalfabete e arrogante e kulturës.

Regjisorët, kameramanët, montazherët e aktorët, dikur e kishin komoditetin e punës normale, nga ta kërkohej vetëm të bënin punën e vet, ndërsa sot ata regjisorë shqiptar që kanë fatin të punojnë, duhet ta bëjnë edhe punën e organizatorit, producentit, madje i duhet të merret me dërgimin apo pranimin e kopjeve nëpër festivale. Në mungesë të një shtëpie filmike me kritere dhe më standarde të përcaktuara, që është prapa një projekti kinematografik, ditët e xhirimit zvogëlohen, në dëm të cilësisë së filmit. Po ashtu, në mungesë të shtëpisë filmike që do të ndërmjetësonte në shitjen e filmave jashtë shtetit, këtë e bënë regjisori i filmit apo ndonjë producent i rastit. Ka improvizime xhirimesh,  për të shkurtuar shpenzimet, ka improvizime në të gjitha fazat e realizmit të një filmi, sepse mungon ekipi profesional që e kishte dikur kinostudioja apo Kosovafilmi.

Duke i shikuar filmat shqiptar në Prishtinë dhe në Tiranë heton që u mungojnë profesionistët: producenti, drejtori i filmit, drejtori i organizmit, organizatori i xhirimit etj. Vëren se regjisori ka harruar detyrën parësore- regjinë e filmit, shpesh është bërë tregtar duke e dëmtuar veprën e vet me ndonjë reklamë marroqe brenda filmit.

Kineastët janë shpërndarë si zogjtë e klloçkës pa shtëpi filmike e pa katandi. Atë që e patën e prishën, duke shpresua që po bëjnë mirë, ndërsa në fakt vepruan keq. Kinematografia shqiptare duhet të ndryshojnë strategji, kineastët të kërkojnë që shteti të mos u jep ndihma varfanjakësh, por buxhet të mirëfilltë që do ta kalonte shumën prej katër milion eurosh në Tiranë dhe së paku dy milion euro në Prishtinë. Ata duhet të këmbëngulin që donatorët të cilët do ta mbështesnin filmin të lirohen nga tatimi në fitim, ndërsa filmi që nga faza e parë e xhirimit e deri në fund ët lirohet nga tatimi, sepse filmi të ne nuk është as mall dhe as industri, ashtu sikurse që nuk është as teatri.

Kinematografia duhet ta ketë edhe një shtëpi filmike me sektor të veçantë, që do të merrej me shitjen e filmave, sepse kështu sikurse shitet filmi brenda e jashtë, nuk dallon nga shitja e patateve në treg.

Prandaj, kinematografia shqiptare dhe kineastët nuk vuajnë nga shterpësia kreative as nga mungesa e temave e ideve, por është burokracia kulturore e pushtetarët ata të cilët ia kanë zënë frymëmarrjen kinematografisë, duke i dhënë aq pak para se nuk mjafton gati për asgjë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani mehmetaj, mbysin kinematografine, pushtetaret

NJË VRASËSE FËMIJËSH… SOT, “HEROINË” ?!

February 7, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/

Ne Foto:KOBRA…VRASËSE…/

Nga Fritz RADOVANI/

Do të filloj këte shkrim me një nga faktet që shkruen At Konrrad Gjolaj, në librin e Tij “Çinarët”, ku shpjegon se me daten 29 prill 1959, gjykata e Shkodres, dha vendimin e vet per pushkatimin e Mikut dhe Shokut Tij të perjetshem Don Dedë Malaj…

At Konrradi shpjegon: “I vetmi njeri që u interesue me i shpetue jetën Don Dedës, kje mesa e Tij 13 vjeçare, Drandja. Mbas arrestimit të Don Dedës ajo jetoi me Tinen. E ndihmoi materialisht Don Marin Shkurti, i cili u pushkatue edhe ky në 1969 si, edhe Don Pjeter Gruda, që edhe ky vdiq në burg në vitin 1989, i dënuem 15 vjetë. Me ndihmen e këtyne dy Priftenëve, Drandja u nis në Tiranë me daten 1 Maji 1959, me mujtë me takue Enver Hoxhën. Kje e pamujtun, madje as Haxhi Lleshin, kryetar’ i Kuvendit Popullor. Mujti me takue sekretaren e tij Nexhmije Hoxhën, që i takonte me kenë dora vetë. Drandja e vogel tue e kujtue veten para një “gjyshes”, ra në kurthen e asaj që populli e ka quejtë “pantera”, dhe vajza jetime me lot përfaqe i kerkoi faljen e jetës së axhës së vet, tue i shpjegue se ‘nuk kam asnjë njeri në këte Botë’. Nexhmia iu pergjegj: “Pse t’ ia falesh jetën atij, ai është armik i popullit. Ti nuk ke mundësi t’ interesohesh për té, mese do e mbash até?” Drandja iu pergjegj: “Até e mban burgu, s’ ka gja, veç të jenë i gjallë, aman të lutem ma ban këte nderë, se nuk kam as nanë as babë, veç këte axhë!”

Me daten 9 Maji Drandes, i erdhi pergjegja: “Lutja yte refuzohet.”

Kjo asht kenë Nexhmije Hoxha.” ( A. K. Gjolaj, “Çinarët”, fq. 169, Shkoder, 1996).

Me daten 12 Maji 1959, Don Dedë Malaj u pushkatue në moshen 42 vjeçare.

Në nandorin e vitit 1996, At Konrradi erdhi dhe më mori me shkue per një vizitë tek një person i panjohun per mue. Hyna në makinen e Tij dhe u nisem nga Rruga Canej jo, larg nga shtëpia ime… Kur u ndalueme më tregoi se aty, banonte Drandja…

Na hapi deren një djalë…hyme mbrendë, dhe tek dera e shtëpisë na priti Drandja.

Drandes tashti grue e moshueme, iu mbushën sytë me lot…Nuk mujti me nxjerrë asnjë fjalë nga goja, veç, si tue u pertypë, mujtëm me kuptue thanjen e zakonshme të atyne krahinave, prej të cilave Drandja trashigonte doke e zakone: “Hajdeni, mirse Ju ka prue Zoti!..” Vonoi me marrë veten. Filloi me folë si me Axhen e vet me At Konrradin…

Gati mbas një oret, At Konrradi kerkoi me ndigjue edhe unë, atë takim të Drandes, që pat ba me Nexhmije Hoxhën, në Maji të 1959. Ajo e shpjegoi si t’ ishte një ditë perpara.

Unë veshtrova pa nderhy fare, mbasi u topita tue ndigjue Burrneshen Drande!

Tue ndigjue Até, më dukej sikur po fliste Don Deda… e kishe ndigjue gjyqin e Tij dhe, nder mend më sillej pafajsia e Tij, guximi dhe qendrimi Burrnor… E, para syshë më dilte Drandja… një vajzë e vogel jetime, pa askend, e mbetun në Doren e Zotit… “tue i kerkue një bushtres plakë, ‘mëshirë”! Mëshirë! Kerkonte per një Prift të pafajshem!

Po, a thehej, “heroina e Gjenocidit komunist kundrejt Klerit Katolik Shqiptar, nga një fëmijë që ishte e pa asnjë njeri?!”…

Kampi interrnimit Tepelenë 1948 – 1954 (Grafikë nga Lek Pervizi)

Në lidhje me vrastaren “heroinë” kam veçue pak thanje:

Gjyljana Pervizi (Malaj): Unë “Beba”, që u futa në kamp 4 mujshe e dola 42 vjeçe.

I persekutuemi politik, autor i Nderuem i disa librave Agim Musta shkruen: “Në kampin e Tepelenës komunistët lanë të vdisnin nga urija 300 fëmijë…”

E nderueme zonja Klara Mirakaj Merlika tregon: “Shkova në interrnim me përparësen e shkollës e dola gjyshe mbas 45 vjetësh…”

***

Dishroni me pa edhe dokumenta të Gjenocidit komunist që ka aprovue kjo bishë në Kuvendin Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë:

Lexoni këte dokument:

Tiranë, më 26.6.1979  Nr. i dekretit: 5912 Viti 1979…

Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi dhe Sekretari, Telo Mezini firmosin dekretin për internimin dhe dëbimin si masë administrative, propozue nga Këshilli i Ministrave.
Në vitin 1979 hyjnë në fuqi disa nene për internimin dhe dëbimin kundër shtetasve shqiptarë e të huaj dhe personave pa shtetësi,që kanë mbushur moshën 14 vjeç.

“Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Presidiumi i Kuvendit Popullor

Dekret Për Internim dhe dëbim si masë administrative në mbështetje të nenit 76 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave.

Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë
Vendosi:

Neni 1.

Internimi dhe dëbimi, si masë administrative, mund të vendoset kundër shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi, që kanë mbushur moshën 14 vjeç, janë të përgjegjshëm dhe paraqesin rrezikshmëri për rendin shoqëror të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Neni 2.

Internimi dhe dëbimi mund të vendosen edhe kundër pjesëtarëve të familjes së personave të arratisur brenda ose jashtë shtetit. Quhen pjesëtarë të familjes personat që në çastin e arratisjes, bashkëjetonin me të arratisurin, si bashkëshorti, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat, si dhe persona te tjerë që bashkëjetonin me të dhe kanë qenë në ngarkim të tij.

Dhe, mund të vazhdoni: http://www.zemrashqiptare.net/news/id_21841/cid_154/Fritz-Radovani:-Shteti-shqiptar-mbron-genocidin-komunist!.htmlKy ligj 50 vjet para nenshkrimit të tij tek né, kur u aplikue në Gjermani u quejt Gjenocid. Në Gjermani perfshinte 5% të popullsisë gjermane.

Në Shqipninë e 1979 ky ligj ka perfshi të gjithë Popullin Shqiptar! Nenshkruesit e këtij GJENOCIDI, vazhdojnë me kenë “heroj” dhe, me u shperblye si të tillë edhe pse njihen si vrasës mashtrues dhe terroristë të pashpirtë të selisë krimit në Shqipni.

Në Republiken e Shqipnisë sot, konsiderohet “Heroizem”…i nenshkruesëve!

Po, sa e sa libra mund të shkruhen vetem me kujtime të Fëmijëve të plakun nder kampe? – Oh sa herë, kjo kober ka kafshue mija e mija Shqiptarë e lanë jetima rrugash e kampesh interrnimi e shfarosje… Oh, sa fëmijë ka mbytë e mbytë prap kjo bishë me vendimet e saja, nder kënetat e malet e shkretnueme të Tepelenës e sa e sa fermave mizore, ku Nanat Shqiptare vajtonin Loçkat e zemres tue i mbulue me baltë?!

Po, sa gra e nuse të reja kanë lindë nder tortura në birucat e sigurimit shtetit foshnje dhe janë masakrue pa mujtë me i dhanë bebeve të vogla një ditë gjiun e Nanës!

Mija e mija fëmijë nder fshatra… edhe pse Nanat e tyne zgjoheshin pa dalë dielli dhe milnin lopët e kooperativës, nuk kishin të drejtë as me ushqye me qumësht fëmijët e vet, se kështu kishin urdhnue “heroinat e deputetet” e Kuvendit Popullor… që vetem, mendonin per “jeten e lumtur”… të fëmijëve tanë… E kush e beson këte sot në Botë?

Në vitin 1974, i duhej gjak fëmijësh të porsa lindun me i dhurue Enver Hoxhës…

E sa fëmijë u mbyten në maternitetin e Tiranës, me urdhën të kësaj  “heroinë”, per me i shpetue jeten katilit Popullit Shqiptar..?! – Askush nuk flet! Vazhdon edhe sot frika!

Kjo bishë e pangopun me gjak Fëmijësh asnjëherë nuk ishte ndryshej nga shoku i vet terrorist e kriminel, por nuk gaboj, kur e them me bindje se, ndoshta, edhe ia kalonte atij barbari anadollak, që edhe pa sy në ballë e pa mend në kokë dinte me vue “firmen” e vet per tradhëti ndaj Atdheut, robni të Popullit Shqiptar, shfarosje inteligjence dhe të disa dhjetra Atdhetarëve, e në “ditë feste” me çue dollinjë “Me gjak Klerikësh Katolik”!

Sa gotat ka shkrepë kjo perbindshe gjaksore me terroristë per vrasje Fëmijësh…

Me të tillë vrasës Foshnjesh dhe trashigimtarët e tyne…

Shqipnia sot troket në dyertë e Europës!.. TURP !

    Melbourne, Shkurt 2014.

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, heroine, Nexhmija Hoxha, Nje vrasese femijesh

Ju izraelitë e palestinez, merrni shënime nga Kosova…

February 7, 2014 by dgreca

Kolumnisti i mirënjohur i gazetës numër një në botë, Roger Cohen, në një kolumne të tij që do të botohet nesër në ketë gazetë, në mes tjerash, i fton arabet dhe jahuditë që të ndjekin shembullin e shqiptarëve dhe serbëve. Ndoshta ky shkrim është vula për cmimin Nobel për paqe?/

Nga Roger Cohen/ New York Times/

Gazetari është një i huaj që lëvizë në drejtim të kundërt me masat, drejt rrezikut. Pse, pyesin ata, ti po shkon përtej vijave? Pse ti po e kërkon një këso vetmie? Në kërkim të një kuptimi korrekt, ti thua, e ata e shkundin kokën. Nuk ka nevojë asgjë për t’u kuptuar, ata insistojnë, vetëm raportoje të vërtetën!

Por te vërtetat janë shumë dhe ky është një problem. Kujtesa është e pabesë. Cdo luftë zhvillohet bazuar në kujtesë. Nacionalizmi i dhunshëm është një kujtesë e ringjallur e manipuluar si një e vërtetë e sapozbuluar.

Konflikti inkubohet hë të “vërtetat” e kontestuara që nami lë trashegim e kaluara. Pyetjet sillet: Kush erdhi i parë në ketë toke, kush i mbolli këta ullinjë mijëravjecar, kush e vrau kënd i pari, nëse xhamia apo kisha daton e para, dhe cka me sinagogën që mund t’u ketë paraprirë të dyjave.

Identitetet krijohen copë pas cope. Cdo pikë e derdhur e gjakut, cdo copë e granatës në mur, është i shënuar në Librin e Mosfaljes. Në Balkan dhe Lindje të Mesme ngjarjet e të kaluarës mijëravjecare mund të duken aq të freskëta sikur të kishin ndodhur dje. Armiqtë serb e kosovar, arab e jahudi, mund të kërkojnë që kujtesa, sikurse fitili për bomben, te farkohet për një ekslodim maksimal. Mirëbesimit nuk rezistojnë dot më shumë se sa një ombrellë e lirë në një stuhi.

Unë për herë të parë u takova ballë për ballë me fuqinë e mitit për të gjeneruar lufëra në Ballkan, në Fushë Kosovë, në “Fushën e Mëllenjave”, ku serbët ishin mundur prej turqve otoman në vitin 1389. Prej asaj kohe, kjo betejë, është shndërruar në një lajtmotiv për nacionalizmin serb, një humbje që u shndërrua në simbol te heroizmit serb dhe te sakrificave të pashoqe.

Këtu, para nja 25 vitesh, në kohën kur Lufta e Ftohtë po plasaritej, lideri nacionalist serb Sllobodan Milloshevic, deklaroi: “Tash e gjashtë shekuj, heroizmi i Kosovës e ka inspiruar kreativitetin tonë, e ka ushqyer krenarinë tonë, një ndër të paktet që në humbje qëndruam të pamposhtur. Gjashtë shekuj me vonë, sot, ne jemi në një betejë”.

Pjesa tjetër tash është histori: dekada me luftëra, cthurje të Jugosllagosë; pastrime etnike te muslimanëve të Bosnjës përmes kampeve te përqëndrimit; më shumë se 100 mijë të vrarë; Sarajeva e Srebrenica; intervenimi i NATO’së në Kosovë; dhe dalja në skenën europiane e disa shteteve të reja të pavarura, e fundit prej tyre Kosova në vitin 2008. Për Serbinë, adrenalina e egër nacionaliste u kthye në humbje të dhimbshme, asnjë më e rëndë se sa ajo e Kosovës, popullata e të cilës është shumicë shqiptare në territorin e të cilës ndodhen shumë vende të shenjta për serbët.

Dhe, pas gjithë kësaj, unë u desht ti fshija sytë kur në Konferencën për Siguri në Mynih, pamja më e jashtëzakonshme ishte ajo e Kryemintrit serb, Ivica Dacic, dhe Hashim Thacit, Kryeministër i Kosovës, të ulur së bashku në të njëjtin panel, plot buzëqeshje, duke folur se si ata i kanë tejkaluar problemet, sipas fjalëve të Thacit: “vështirësia e vetme më e madhja ishte që ta lironim vetën prej të kaluarës”.

Ju izraelitë e palestinez, merrni shënime.

Në mes te dy liderëve po qëndronte Catherine Ashton, shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Europian dhe dilpmatja më e paçmuar në botë. Ndërmjetësimi i saj i suksseshëm në bisedimet serbo – kosovare që filluan në vitin 2011 dhe kontributi i saj për arritjen e një marrëveshje për Iranin shënojnë dy arritje të jashtëzakonshme. Në Ballkan “faktori tërheqës” i Bashkimit Europian – atraksioni magnetik për popujt që kërkojnë stabilitet dhe liri – edhe njëherë ka dhënë sukses. Serbia dhe Kosova u desht që ti zgjidhin mospajtimet për të pasur mundësinë për tu inkuadruar në BE, dhe kështu ata janë në rrugë të mire. Kështu që Bashkimi Europian malicioz është akoma një maqinë paqëbërëse.

Normalizimi nuk ishte i lehte. Dacici ka lindur në Kosovë. Ndjenjat e popullit të tij për kështjellën e civilizimit të tyre janë të larta. Ai e tha troç: Serbia beson që Kosova është pjesë e saj. Kosova nuk beson. Kosova përbëhet prej 90 për qind të shqiptarëve. Ekonomia e Serbisë është stërkequr. “Kush mund të ndjekë politika të tilla? Varet prej nesh nëse dëshirojmë që të lëvizim përpara ose të ngelim peng të së kaluarës”.

Serbët dhe kosovarët kanë vendosur. Ata janë pajtuar për një shkallë të autonomisë për dhjetëra mijëra serbë që jetojnë në veri të vendit. Ata janë të hapur për tregti. Ata kanë mbajtur zgjedhje të lira. Ata i kanë prerë dallimet e jashtëzakonshme që i kishin. Ata e vendosen vetën në rrugë për në Bashkim Europian.

Above all they set aside the potent symbolism of The Field of Blackbirds in favor of progress, discarded myth to discover commerce, and reasoned their ëay out of the prison of passionate certainties and revealed “truth.”

Para së gjithash ata e kanë shmangur simbolin e fuqishë, të Fushës së Mëllenjave në favor të progrsit, e përjashtuan mitin e përqafuan tregtinë, dhe i thirrën arsyes për të mos mbetur të burgosur të pasionuar të rizbulimit të “vërtetës”.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ashton, Dacic, New York Times, Thaci

A ËSHTË UKË RUGOVA DJALI PLANGPRISHËS?! DYSHOJ!

February 7, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Pas arrestimit të Ukë Rugovës kam lexuar komente turlifare nga gazetarë që me kohë e kanë shitur profesionin, nderin dhe integritetin e tyre. Lidhjet klienteliste me politikën i kanë bërë ata bosë të kamur nga pseudogazetaria e tyre e trafikuar që u ka prodhuar mirëqënie, bollëk dhe përfitime. Kokëmajmur dhe qafëmajmur prej darkave, drekave dhe zdërhalljeve, ata tani japin leksione për drejtësinë, kur në fakt janë përçudnues të saj.

Ndërkohë, pozita e gazetarisë klienteliste, u ka hequr atyre të drejtën të flasin në emër të drejtësisë. Pa asnjë fakt, vetëm me akuza. Po a është e mundur që gazetaria investigative të bëhet nga çajtoret dhe kafenetë e Tiranës e Prishtinës apo nga zyrat lluksoze të politikanëve, nga ku prodhohen fabrikate për t’ia shërbyer pastaj shabllon një lexuesi thellësisht të politizuar, që e di se punë dhe bukë gjen vetëm kur je ose militant ose zagar i partive dhe sidomos i politikanëve.

Unë dyshoj tek ato që thuhen për Ukë Rugovën, sepse kam parasysh se kundër tij në prag të zgjedhjeve të 2010 e para u ngrit LDK, kur Uka ishte vetëm 30 vjeç dhe posa ishte kthyer nga një shkollim në SHBA. Nuk e donin në LDK pikërisht ata që e shkatërruan LDK-në nën flamurin e rrentë të rugovizmit.

Atëherë ata a e urrenin Ukë Rugovën për fajin e vetëm se ishte i biri i Ibrahim Rugovës dhe duke qenë i ri në moshë nuk kishte kaluar si ata nëpër të gjitha ndyrësitë e periudhave të jugosllavizmit, titizmit dhe ish-jugosllavizimit e ish-titizmit. Ata kishin për Ukën një urrejtje të sëmurë të barabartë me atë të armiqve të Ibrahim Rugovës. Që atëherë m’u krijua bindja se kundër Ukë Rugovës posa kishte nisur një gjueti shtrigash nga klani më famëkeq i Kosovës që ka pushtuar LDK-në pas vdekjes së Rugovës.

Dyshoj në përfshirjen në krim të Ukë Rugovës dhe në kapjen e tij si fajtor, sepse prej 1998 e deri sot në Kosovë flenë mijra dosje të krimeve të pazbardhura, të cilat presin drejtësinë e vonuar dhe të harruar.

Janë vrarë gazetarë, politikanë, biznesmenë dhe deri më sot nuk është kapur asnjë autor. Janë akuzuar dhe burgosur si fajtorë që pastaj kanë dalë të pafajshëm, ndërsa fajtorët bëjnë qejf.

Modus Vivendi në Kosovë e Shqipëri është se zyrtarët e lartë e të korruptuar janë peshkaqenët që nuk i kap kurrë rrjeta e drejtësisë, sepse drejtësia operon me grepa që të zgjedhur për të kapur vetëm cironka.

Bashkimi Evropian në vend që të obligojë kritere reciprociteti, i ve si objektiv Hashim Thaçit përnbushjen e detyrimeve ndaj minoritetit serb, duke lënë totalisht në harresë shqiptarët, që do të thotë shumicën e gërryer nga papunësia dhe pasojat që lindin prej kësaj plage. Thaçi kësisoj synon të përfitojë lobimin e serbëve, sepse ai i ka djegur të gjitha shanset për të fituar në zgjedhje.

Autorja e këtyre rradhëve kërkon barazi midis të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh se çfarë etnie dhe religjioni kanë, pa harruar kurrë se shqiptarët janë viktima të dala pas një pushtimi mizor dhe lufte.

Për çfarë faji penalizohet shumica e popullsisë në Kosovë, dmth shqiptare, që nuk përfiton ende nga marrëveshja Schengen? A mos populli i thjeshtë i Kosovës ka bërë trafik vizash që trajtohet nga BE si qytetar i dorës së fundit në Europë dhe burgoset me izolim duke u getoizuar?!

Prandaj dyshoj në drejtësinë e cila është në një krizë të plotë morale.

Pastaj shkencërisht është e ditur se baza që i lind kriminelët zakonisht krijohet nga kushtet sociale mizerabël, prej injorancës, ekstremizmave dhe varfërisë, kushte të cilat Ukë Rugova nuk i përmbush. Ai është rritur, edukuar nga një baba të cilin Uka e quan Heroi im. Ne i kemi parasysh të gjithë bijtë e njerëzve të shquar. Ata janë pasardhës të denjë të etërve dhe gjyshërve të tyre. Përjashtim bën vetëm Djali Plagprishës.

Por mua më kujtohet prilli 1999 kur në redaksinë tonë na vinin e këmbëngulnin – më kot – të na impononim të botonim lajme sipas të cilave thuhej se Rugova kishte bërë pakt e shtrëngonte duart me Milosheviçin, ndërsa ne u thoshim me bindje se Ibrahim Rugova ishte peng lufte.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Uke Rugova

KOSOVA TË BASHKOHET ME SHQIPËRINË

February 6, 2014 by dgreca

NGA Azgan HAKLAJ/
 70 vjet më parë në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës u mblodh Konferenca e Këshillit Nacional-çlirimtar të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit (e njohur me emrin Konferenca e Bujanit). Dera e kullës së Sali Manit, Tropojë, u hap për të pritur 49 delegatë nga vise të ndryshme të Kosovës, si dhe përfaqësuesve të të gjithë popujve që jetonin në këto hapësira shqiptare.
Qëllimi i kësaj ngjarjeje, që është një faqe e rëndësishme e historisë së popullit shqiptar, do të jeptë rrugëzgjidhjen e problemit kombëtar, aq jetik për popullin shqiptar. Në Rezolutën e dalë nga kjo Konferencë shprehet qartë se populli i Koosvës, ashtu si edhe deri më sor, shpreh vullnetin e tij për t’u bashkuar me atdheun e tij Shqipërinë, dhe se këtë qëllim e sheh të mundshëm për t’u realizuar duke marrë pjesë me armë në dorë kundër pushtuesve nazistë.
Trajtesa e problemeve të Konferencës lidhej me pjesmarrjen në Luftën Antifashiste, përkrah popujve të tjerë, si dhe me pozitën që duhej të kishte Kosova pas luftës, pozitë e cila duhet të ishte e barabartë me kombet e tjera të Jugosllavisë deri në vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë, siç ishte shprehur dhe në mbledhjen e AVNOJ-it të nëntorit 1943.
Ndërsa shqiptarët e Kosovës e përcollën me gëzim e besim këtë ngjarje, udhëheqja jugosllave reagoi ashpër kundër vendimeve të saj, nëpërmjet letrës së 28 marsit 1944. Në atë letër u sulmua pozita e veçantë e Kosovës me viset e tjera dhe sanksionimi që i bëri Konferenca problemit të vetëvendosjes dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, nuk u njoh Këshilli Nacionalçlirimtar si organi më i lartë i pushtetit për Kosovën. Vendimet e kësaj Konference historike u lanë në heshtje edhe nga udhëheqja e PKSH, çka përbën një anashkalim të qëllimshëm, një tradhti të fshehur për problemin kombëtar.
Tito dhe Hoxha në kulisat e një politike tinëzare e djallëzore, me akordin e tyre përligjën padrejtësitë e Traktatit të Versajës, që krijoi Jugosllavinë, për të plotësuar interesat hegjemoniste të Sllavëve të Jugut.
Krejt shekulli XX kaloi për popullin vëlla të Kosovës në shtypje politike, ekonomike e kombëtare, Tropoja, djepi i Konferencës historike, tre herë gjatë 100 vjetëve të fundit hapi portat e mikëpritjes, të vëllazërimit e të shpëtimit për kosovarët e ndjekur e të përzënë prej trojeve të veta nga dhuna e kralëve të vjetër e të rinj të Beogradit.
Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e kudo që punojnë e jetojnë në botë, me një zë të vetëm u ngritën e i thanë ndal revanshit të Millosheviçit, që në fund të shekullit të kaluar e ktheu Kosovën në një varr të hapur,  vrau, preu e dogji shtëpi të shqiptarëve etnik.
Tani, në 70 vjetorin e Konferencës së Bujanit, Kosova hyn në vitin e gjashtë të saj si shtet i pavarur e sovran me mbi njëqind njohje ndërkombëtare dhe ecën drejt antarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Konferenca e Bujanit, kjo faqe e pambyllur e historisë, troket sot pas gjysmë shekulli në memorien kombëtare me zërin atdhetar e trimëror të hartuesve të Rezolutës së saj: Mehmet Hoxha, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Rifat Berisha, Zekeria Rexha, Xheladin Hana, Hajdar Dushi, Sali Mani, Veli Nimani, Hasan Isufi, etj.
Vendimet e saj janë kambana alarmi për politikën dhe brezat e sotëm. Jehona e kësaj ngjarjeje përcjell herë pas here atë solemnitet, atë vendosmëri e heroizëm që u shfaq në ato tri ditë (31 dhjetor 1943-2 janar 1944). Thirrja e saj madhore që bëri rrugën nga dimri me borë i atyre viteve, në acarin e borën e këtij dimri mbetet:Me Kosovën e për Kosovën.
Homeri i ndjesive shqiptare, poeti i madh kombëtar Gjergj Fishta lëshonte kushtrim, që është i freskët edhe sot: “…Në kamë shqiptarë e mos t’ju lëshojë zemra / Në kamë se kurrsesi s’keni me u thye / e t’ju bijë ndërmend se më e rëndë është thembra e shkjaut kokë e trashë / se guri i vorrit në krye./ Në kamë pra djem shqiptarë kushdo ka le / në mos mujt shqiptar me mbet / shqiptar të hyjë nën dhe /.
Për Konferencën e Bujanit kam botuar para 16 viteve një vështrim historiko-politik në gazetën e parë opozitare postkomuniste, në RD (29 dhjetor 1998) me titull “Kosova të bashkohet me Shqipërinë”, e cila tashmë nuk është një thirrje, nuk mbetet veç apel kombëtar, por është një domosdoshmëri historike drejt së cilës duhet ecur pa u ndalur, pa shmangie, vendosmërisht.

Filed Under: Analiza Tagged With: Azgan haklaj, Kosova te bashkohet, me Shqiperine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 924
  • 925
  • 926
  • 927
  • 928
  • …
  • 984
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT