• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AMANETI I ÇUAR NË VEND!

October 15, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Javën e kaluar, Z. Servet Pëllumbi, një ish-funksionar i lartë i Partisë Socialiste të Shqipërisë, në një intervistë televizive zbardhi mëtej dokumentin e Ramiz Alisë, të bazuar në platformën e Mikhail Gorbaçovit, të ashtuquajturën “Katovice” duke rrëfyer vendimin e ish-diktatorit komunist të Shqipërisë për të zbatuar vendimin sekret të Byrosë politike të Shqipërisë, në lidhje me këtë platformë.   Në Shqipëri gjithnjë duket si tabu përmendja e këtij këtij dokumenti, dhe si rrjedhim tërheq vëmendje e interesim sado herë që përmendet.  Është i rëndësishëm fakti që Z. Servet Pëllumbi, i cili ka qenë pjesmarrës dhe është në dijeni të plotë të ngjarjeve të 20 e sa viteve të jetës politike në Shqipëri, flet për këtë fenomen të rëndësishëm të historisë moderne shqiptare.   Deklaratat e tija kanë peshë dhe janë një kontribut në diksursin politik për zbardhjen e së vërtetës së historisë moderne të vendit.  Platforma “Katovice”,  në të vërtetë, ishte sajuar nga ish-udhëheqsit sovjetik Mikhail Gorbaçev.  Duke parë se komunizmi si ideologji dhe sistem qeveritar kishte dështuar anë e mbanë ish perandorisë sovjetike, ai në vitin 1987, mblodhi ish-udhëheqsit e partive komuniste në Katowice të Polonisë për tu paraqitur atyre platformën e kalimit nga komunizmi në “demokraci’’.

Megjithëse Partia e Punës e Ramiz Alisë nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen e Katowicës, pasi e konsideronte veten gjithnjë si shpëtimtarja e fundit e marksizëm-leninizmit në botë, Zoti Pëllumbi thotë se megjithëkëtë platforma “Katowice” i kishte ardhur Ramiz Alisë nga Gorbaçovi dhe sipas tij, diktatori komunist shqiptar e zbatoi atë me përpikmëri — në mendimin tim më me përpikmëri se në çdo vend tjetër komunist të Europës.  Zoti Pëllumbi drejton gishtin ke Ramiz Alia, si njeriu i cili në bazë të plaformës “Katowice”, megjithëse në prapaskenë,   luajti një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit edhe pas vitit 1990 duke caktuar udhëheqsit e partive politike, si dhe reformat që duhen bërë në fushën ekonomike dhe politike të vendit.  Për mua elementi më i rëndësishëm në këtë platformë është amaneti i Ramizë Alisë se si të trajtohen (ose jo) ish-të përndjekurit politikë.   Pyetjes së gazetarit në televizionin “Channel One”,  nëse Ramiz Alia kishte gisht në zbatimin e platformës “Katovice” në Shqipëri, ish-udhëheqsi socialist, Z. Servet Pëllumbi, ndër të tjera tha këto:  “Unë i jam përmbajtur gjithmonë tezës që Ramiz Alia ka qenë çelësi i të gjitha situatave që janë zhvilluar në Shqipëri.  Ramiz Alia ka qenë në dijeni edhe për strategjinë e Katovicës së ‘87.   Madje, në një pritje, në prezencë të ish-presidentit Moisiu e kam pyetur: “Të ka dërguar Gorbaçovi një material për Katovicën?”, sepse Ramiz Alia ka qenë në një periudhë me Gorbaçovin në shkollën e partisë.  Më tha se erdhën disa materiale në atë kohë, por asgjë konkrete.  Ai e mohonte të ketë pasur informacione për Katovicën dhe për materialin përkatës.  Por, në të vërtetë ai ka qenë në dijeni të plotë dhe ka vepruar në përputhje me atë strategji.  Dokumenti që po ju tregoj është një facsimile e një skeleti të fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike”, tha ai në intervistën televizive për “Channel One”.

Në përgjigje të gazetarit, nëse ka ndonjë pikë referimi ndaj këtij dokumenti, Zoti Pëllumbi tha se dokumenti është lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike të Partisë në vitin 1989,  nga i cili ai lexoi në ekran pjesët më thelbësore të dokumentit, bazuar në materialet e Gorbaçovit ku sipas tij, thuhet:   “Socializmi ka dështuar. Cila do të jetë strategjia jonë për kalimin në demokraci?”  Ndër të tjera thotë: “Do të nxisim të krijojmë parti sa të duam, gjithsesi këto parti duhet kontrolluar nga ne”.  Dhe kështu u bë.  Vijon Ramizi: “Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve”.  Momenti i dytë është ai i të përndjekurve politikë: “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre”.  Problemi i tretë, lidhet me pronat: “Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim. Pasurinë e kemi krijuar ne dhe na takon ne”. Dhe  më në fund, sipas Z. Servet Pëllumbi, Ramiz Alia ka thënë se sipas kësaj strategjie,  “brenda dy tre legjilstaurave do kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste”.

Megjithëse kam besim tek deklarata e Z. Servet Pëllumbi, është shumë vështirë të zbulohet e vërteta mbi zbatimin e këtij dokumenti, siç është vështirë të zbulohet e vërteta për shumë gjëra të historisë komuniste dhe post-komuniste të Shqipërisë.  U mbetet  historianëve të paanshëm që më në fund të  hedhin dritë mbi këtë fenomen dhe të tjerë të kësaj natyre.  Por një gjë është e qartë.  Nëqoftse Ramiz Alia kishte gisht në vendosjen e udhëheqsve të     Shqipërisë post-komuniste dhe në krijimin e partive politike, historia e 20-viteve të fundit tregon se amaneti i ish-udhëheqsit komunist shqiptar – në bazë të platformës “Katovice” — është zbatuar si një skenar i ndjekur me përkushtim,pa ndryshuar pikë as presje.  Mund të ketë qenë këjo një koincidencë, ose mund të ketë qenë një aksident historik, që gjërat në Shqipëri të kenë rrjedhur pothuaj përpikëmërisht në përputhje me strategjinë e platformës “Katovice”.

Në vizitën e parë në Shqipëri në Mars/Prill të vitit 1991,  me delegacionin e parë zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit, ishim dëshmitarë të një vendi të shkatërruar shpirtërisht dhe ekonomikisht, por njëherazi u gjëndëm edhe përball një populli plotë pritje, i cili ëndërronte për një të ardhme më të mirë, për një jetë të lirë dhe në drejtësi.  Shqiptarët dëshironin integrimin me Perëndimin, rivendosjen e pronës private, të demokracisë, të zbatimit të ligjit. Dëshironon lirinë e shtypit, gjykata të pavarura dhe privatizim.  Por sot pas 20 e sa vjetësh, megjithë dukjet dhe retorikën demokratike, Shqipërisë fatkeqsisht i mungon substanca e vlerave të vërteta demokratike dhe është kaplluar nga një kulturë politike e rrënjosur në mos besim dhe mungesë tolerance ndaj kundërshtarit politik, që e ka lënë vendin pas në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste.

Sipas Z. Servet Pllumbi, në skeletin e programit të Ramiz Alisë thuhet se “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin”, një amanet ky që është mbajtur, pasi jo vetëm që ata nuk kishin asnjë mundësi që të merrnin pushtetin, por ata u anashkaluan dhe as nuk u pranuan si pjesë e qeverive të 20-viteve të fundit.  Është e mundur që asnjë përson nga rradhët e të ish-përndjekurve dhe të dënuarve politikë dhe as nga bijtë e bijat e tyre të kësaj shtrese të shoqërisë së vuajtur shqiptare të ketë pasur përgatitjet dhe kualifikimet e duhura për ndonjë  detyrë me rëndësi në qeveritë socialiste dhe demokratike të  20-viteve të fundit?  Kombi shqiptar do të përparojë vetëm atëherë kur të gjithë trajtohen dhe gëzojnë të drejta të barabarta. Vetëm atëherë kur nuk bëhen përjashtime, por kur të inkurajohet pjesëmarrja dhe përdorimi i talentit  dhe potencialit të plotë të çdo personi pa marrë parasyshë të kaluarën familjare ose  bindjet politike të tij. Kombi do të përfitojë dhe të shkojë përpara vetëm atëherë  kur të tërheq talentet më të mira nga të gjitha shtresat e shoqërisë – pa ndonjë barometër politik – me qëllim realizimin e ëndërrave të shqiptarëve të para 20-viteve dhe vetëm në këtë mënyrë Shqipëria dhe Shqiptarët do të jenë në gjëndje të përballojnë sfidat e mëdha tani dhe në të ardhëshmen. A është e drejtë që bijtë dhe bijat e të përndjekurve të mos përfshihen në qeverisjen e Shqipërisë demokratike? Fatkeqsisht praktikat e qeverive të 20-vietve të fundit, më shumë kanë  ndarë e përçarë se sa kanë bashkuar e pajtuar.

Trashëgimia komuniste nuk mund të zhduket lehtë, megjithëse kanë kaluar më shumë se dy dekada ç’prej rënjes së komunizmit zyrtar. Këjo trashëgimi është pjesë përbërse e individëve, e grupeve dhe klasave shoqërore shqiptare dhe si e tillë, këjo trashëgimi fatkeqsisht është vendosëse për fatin e shqiptarëve tani dhe në të ardhmen.  Sidomos në Shqipëri, përballimi me të kaluarën duket se është tepër i vështirë — mos i pamundur — pikërisht për ndasitë e mëdha që kanë ekzistuar dhe që  ekzistojnë midis viktimave dhe  atyre që në emër të regjimit komunist dhunuan dhe shkelën të drejtat njerëzore të këtyre viktimave, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë regjim.  Shoqëria shqiptare ka nevojë për krijimin e një hapsire të lirë publike ku qytetarët mund të debatojnë të pa penguar dhe pa ndërhyrje mbi çështjet e rëndësishme për fatin e tyre.  Martin Luter Kingu ka thënë se, “Jeta jonë fillon të marrë fund, pikërisht në ditën kur ne heshtim për gjërat e rëndësishme.

Z. Servet Pëllumbi hapi një debat për një gjë shumë të rëndësishme të historisë shqiptare të 20-viteve të fundit.  Dhe në një seminar të organizuar ditët e fundit nga Ambasada e Polonisë në Tiranë mbi standardet e të drejtave të njeriut dhe bashkpunimin me shoqërinë civile, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani theksoi se mbrojtja e  të drejtave të njeriut  është problemi kryesor politik dhe ekonomik që pnegon zhvillimin normal të vendit duke thënë se “familja europiane, ku dëshirojmë të rikthehemi pas një mungese të gjatë dhe ku aspirojmë të jemi të barabartë mes të barabartëve, kërkon ndërgjegjësim të madh të shoqërisë, promovimin e një barazie, tolerancë dhe gjithpërfshirje më të madhe se ai me të cilin është mësuar shoqëria tradicionale shqiptare”.

Si e sheh Shqipëria të ardhmen e saj gjatë 20-viteve të ardhëshme? Cilat janë vlerat dhe objektivat mbi të cilat do të ndërtohet këjo e ardhëme.  A do të jenë gjithëpërfshirëse a po do të vazhdojnë të jenë përjashtuese?  Pa vlera dhe pa ideale të përbashkëta dhe pa të drejta të barbarta për të gjithë, përfshirë dhe ish-të përndjekurit dhe të dënuarit politikë, por sidomos bijtë dhe bijat e tyre, të cilët janë në moshën për të kontribuar — dhe pa marrë parasyshë amanetin e Ramiz Alisë —  duhet të kenë të drejtën e konkurencës që t’i shërbejnë Atdheut në çdo kapacitet dhe detyrë për të cilën kanë kualifikimet e nevojshme.  Për ndryshe, Shqipëria do të vazhdojë të çalojë drejtë përparimit, zhvillimit dhe integrimit europian për të cilin ka aq shumë nevojë.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Gorbacovi, servet Pellumbi

ÇËSHTJA ÇAME:NUK KA PERSE TE NA ÇUDISË QËNDRIMI I VENIZELLOS

October 15, 2013 by dgreca

ARTUR VREKAJ, Worcester, MA SHBA/

Veprimi diplomatik i qeverisë Shqiptare të Shqipërisë për njohjen e Çështjes Çame sapo ka filluar me dialogun ndërqeveritar në vizitën e ministrit të Jashtëm Grek Venizellos në Tiranë këtë javë.

Aspak nuk duhet të çuditemi me qëndrimin Grek të Venizellos në Tiranë për mosnjohjen e Çështjes Çame. I njohim mirë Grekët edhe pse kanë patur Shqiptarë në udhëheqje të shtetit që prej kryengritjes së përgjithshme për Pavarësinë e dhuruar nga Shqiptarët. Edhe pse që nga hapja e pikës së Kakavijës kemi patur rastin të komunikojmë me Shqiptarë që kanë qënë ministra të Jashtëm të Greqisë në më të shumtën e rasteve me Papulias ( sot President i Greqisë) apo Theodor Pangallos.

Kjo dramë ka filluar që më 1878. Atëherë e më pas më 1913 dhe 1919 lobimi për Çështjen e Jugut të Shqipërisë (vilajetin e Janinës-Çamërinë)  ishte në rend të ditës si sot.

Greqia tregoi muskujt në Tiranë ( sikundër edhe në Berlin dhe Paris më herët) edhe pse sot është më në hall se Shqiptarët e Ballkanit duke ditur se ka një borxh përmbi dy herë më të madh se ne ( Shqipëria dhe Kosova së bashku) bazuar në mbështjetjen historike të Europës dhe Rusisë.

Shqipëria amë duhet të qëndrojë e kthjellët, sepse ne jemi rreshtuar me shtete dhe kombe që janë kundër gjenocideve njerëzore ndaj nesh si komb, kundër padrejtësive shekullore që na janë bërë nga fqinjët e në veçanti Greqia ( për rastin në fjalë) që ka sot të grabitur padrejtësisht territorin më të madh të banuar nga Shqiptarë autotoktonë-Çamërinë.

Një vend anëtar i NATO-s kërcënon diplomatikisht se nuk kemi frikë ( Venizellos, 14 tetor 2013)! Edhe pse ende Greqia ka një ligj lufte në dëm të Shqipërisë dhe Çamërisë. Kjo ndodh edhe sepse BE dhe NATO nuk janë ndalur si duhet me Greqinë megjithë elementët neonazistë në Parlamentin Grek dhe thirrjet e tyre për luftë kundër Shqipërisë këtë verë.

Shqipëria me ministrin e Jashtëm Bushati nuk kërkoj ndryshime territoresh por Shqip vetëm të drejtën e njohjes së Çështjes Çame, të drejtën e pronësisë së Çamëve.

Grekët kanë ende oreks për territor Shqiptar dhe këtu mund të përmendim edhe piketat Greke në territorin Shqiptar me Varrezat Greke në Jug të Shqipërisë apo dhe miljet detare në det të hapur që i përket Shqipërisë.

Kjo situatë në dëm të sovranitetit të Shqipërisë gjatë këtyre 23 vjetëve u degradua me qëndrime antishqiptare jo vetëm të Athinës zyrtare, por edhe të Tiranës zyrtare.

Papërgjegjshmëria më e madhe e deputetëve Shqiptarë e në veçanti e Servet Pëllumbit, ish-kryetar Kuvendi si dhe e Jozefina Topallit, së fundi, treguan se sa kombëtarë janë këta përfaqësues të popullit tonë kur bie fjala për interesa kombëtare siç është votimi dhe botimi i Çështjes Çame në kohën e duhur.

Po mbushet një shekull nga masakrat Greke në Çamëri dhe Shqipërinë e Jugut dhe ende qëndrimi Grek nuk ka ndryshuar. Bile, me qeverisjet e mëparshme Shqiptare të 23 viteve të fundit është krijuar terren pro-Grek për më shumë influencë Greke në Tiranën zyrtare nga brenda.

Shqiptarët duhet të kuptojnë se Çështja Çame nuk është detyrë vetëm e diplomacisë Shqiptare të Tiranës, por e të gjithë faktorit Shqiptar të Ballkanit dhe Diasporës. Prandaj, lobimi në favor të njohjes ndërkombëtare të Çështjes Çame deri në arritjen e saj duhet të marrë përmasa reale pranë institucioneve ndërkombëtare si Parlamenti Europian, NATO, OKB, OSBE, si dhe Kongresi dhe Senati Amerikan.

Ashtu si një shekull më parë, Shqiptarët e Amerikës duhet të përbashkohen të lobojnë me çdo mënyrë sikundër bëri Noli, Konica për dy dekada apo dhe DioGuardi së fundi për një çerek shekull për të bërë të qartë në Kongres dhe Senat Çështjen Çame si pjesë e Çështjes Kombëtare Shqiptare.

Një peticion  me firmat e të gjithë Çamëve të Amerikës mund të ndihmojë si pjesë e një Dëshmie Historike për kalvarin e mundimeve gjatë Gjenocidit Grek të ushtruar mbi ta dhe familjet e tyre.

Po ashtu hartimi i një ProjektRezolute për Çështjen Çame dhe propozimi i saj për votim në Kongresin dhe Senatin Amerikan kërkon një bashkërendim për një lobim të fortë me të gjithë komunitetin Shqiptar e në veçanti me Lidhjen Qytetare të DioGuardit që ka dhënë tonin për Çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës siç ishte dhe rasti i Dëgjimit Historik në Kongres për Marrëveshjen Kosovë-Serbi në prill 2013.

Krijimi i një Grupi Ndërparlamentar me deputetë Shqiptarë të Ballkanit ( përfshi deputetët Çamë) do të jepte mundësinë e përmbushjes së një axhende më të plotë për një lobim më të përfaqësuar për njohjen e Çështjes Çame në Bashkimin Europian.

Dosja e Çështjes Çame do të udhëtojë drejt Strasburgut jo se na e tregoi rrugën Greqia por, sepse ne jemi të vendosur për të kërkuar të drejtën Çame me çdo mënyrë legjitime e demokratike.

Kjo do të tregojë edhe se sa demokratike është Europa, e cila duhet të kuptojë se kombi ynë nuk mund të nëpërkëmbet më.

Për çdo subjekt Shqiptar, partiak apo shtetëror apo dhe të Diasporës Çështja Çame sot le të jetë në rend të ditës për lobim. Le të përbashkohemi vëllazërisht.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: artur vrekaj, ceshtja came, mos njohja, Venizellos

GOJA TË RRJEDHTË MJALTË,PO PUNA ËSHTË BËRË BALTË

October 13, 2013 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/ 
Në të drejtën e tij demokratike, partiake, qoftë edhe kanunore apo çkado tjetër: kryetari i grupit parlamentar të LSI, zoti Petrit Vasili, nga profesioni humanist e nga politika pragmatist, harkoi ylber në qiellin e politikës së ditës me istikamin: Rama e Basha të takohen ndërveti “për të eksploruar një dakordësi” për ligjin e Nëpunësit Civil. Goja të rrjedhtë mjaltë, o Petrit Vasili, po puna është ba krejt baltë. Dihet se mbi baltovina të stërlloçuna prej kohësh nuk mund të ngrihen ura komunikimi. Këtë fakt ma mirë se kushdo e kupton vet Ilir Meta, që ia dinë thellutat këtij ligji në tri rolet e tij si kryenegociator i vjetër apo i ri: në Pozitë-Opozitë-Pozitë.
Para disa muajsh trinjakëria ligjore (edhe ky ligji për “Statusin e nëpunësit civil”) ishte një hendek i flliqtë politik në mes mazhorancës e opozitës që ia fikte dritën jeshile Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Lideri lsist, Ilir Meta, si moderator klasik e modern, mbi këtë hendek me thelluta e ngriti më 2 maj 2013 një “urë” të atillë që çoi tek konsensusi i 30 majit 2013 në Parlament. Asokohe, me kryenegociatore LSI-në e sapo tërhjekun nga koalicioni qeverisës dhe me dhanien e këtij konsensusi PS bojkotuese, PD me aleatët e saj të djathtë paguan një kosto të ndjeshme elektorale në zgjedhjet parlamentare me të vetmin qëllim mbipartiak, kombëtar, euro-atlantik: të fitojë Shqipëria.  Grykësia e tepërt politike e LSI apelon prapë më 11 tetor 2013 për një rol tjetër kryenegociator të saj, për një konsensus tjetër në mes mazhorancës së majtë e opozitës së djathtë. LSI me ç’kod ligësie iu rikërkon kaq shpejt e fortas PD e aleatëve të saj të djathtë të paguajnë një kosto tjetër të dytë edhe ma të madhe, të shumëfishtë, veçanarisht kësokohe kur është në Opozitë e në riorganizim pas humbjes së thellë të 23 qershorit 2013 dhe e majta e riardhun në pushtet po si sillet ndaj saj si pushtuese e shtetit, si partizanët e ’44-tës kur erdhën në pushtet me luftë.
Me konsensusin e parë të akt-lidhun në maj 2013 e me këtë të dytin, pas besëthyemjes, që artikulohet në tetor 2013, në të dy rastet, fitimtare e pa sojshme dhe pa firo mbetet  LSI, e cila erdhi 5 vjeçe në koalicion me PD dhe, pavarësisht disa arritjeve, u (keq)soll sa e siç deshti në pushtetin e përbashkët qeverisës. Në rreth 4 vite në pushtet LSI veprimtaroi në politikë e praktikë kryesisht  si një “parti elektorale”, aqsa pas divorcit politik i mori Partisë Demokratike jo pak merita dhe i la shumë përgjegjësi asaj në Elektoriadë pas 1 prillit 2013 kur aliazhoi aleancë të re me PS në opozitë. Gjithashtu, LSI, si forcë politike e re dhe lidershipi i saj euro-ballkanik, (për)fituan nga mazhoranca e djathtë në harkun kohor 2009-2013 “imunitet” disaplanësh: politik, elektoral, juridik, etj. sikur të kishim të bënim me një projekt të fshehtë ndërkontinental (!) LSI, me akt-marrëveshje, i mori Partisë Demokratike 20 për qind të piramidës administrative qeverisëse, (në disa institucione edhe ma shumë), përndryshe krahasimohet: sa ç’është përqindja e deputetëve të saj në parlamentin e sotëm të mbisunduar nga e majta. Tashti, LSI në moshë 9 vjeçe e lideri i saj në dekadën e tretë të karrierës politike, në rast se arrihet një konsensus tjetër për miratimin e Aktit Normativ për shtyrjen 6-muajshe të ligjit të Statusit të nëpunësit civil, do të jenë ma të fituarit se të gjitha forcat e spektrit politik shqiptar, pasi numri i lsistëve do të tejrritet numerikisht jo vetëm në pesë ministritë e institucionet e shumta që drejtohen prej saj në qendër, 12 qarqe e 36 rrethe të Shqipërisë.
Fatkeqësisht urën  e konsensusit pozitë-opozitë për ligjin e nëpunësit civil po e shkatëron edhe kryeparlamentari i ri, Ilir Meta, të cilën e vetngriti 6 muaj ma herët, sepse tashti  është ba edhe ma i fuqishëm nga ç’duhet për politikën e viteve të fundit dhe, në disa raste, i domosdoshëm për demokracinë e brishtë shqiptare. Dihet: kush e shkatërron urën e vet e ka tepër të vështirë me e ngrit për të tjerët. Pra, Ilir Meta për këtë ligj, ashtu sikurse edhe Edi Rama, janë mëkatarë të shumëfishtë, të parrëfyem e të pafalun, prandaj nuk mund të hiqen kaq “ëngjëllorë” me ftesa publike elektronike deri të përditshme apo të orë pas ore për kryenegociator, takime dypalëshe, për konsensus. Kjo mund të arrihet vetëm kur ura e kompromisit të mos ngrihet mbi baltovina, vetëm kur ura e konsensusit të jetë pa kurthe e kluce nga mazhoranca e majtë. Përndryshe:  pikërisht i zoti i “shtëpisë tuaj – LSI”, iu ka nxjerrë ju zoti Vasili me vikat në oborr të politikës dy ditë rrjesht për me e gjuajt “topin” në fushën e Opozitës e, ndoshta, për me shenjue edhe gol në portën e saj nga “skuadra e Rilindjes”. Ftesa e juaj si LSI është afër e larg mednjes të përcillet drejt opozitës së djathtë si jehonë e këmbanës së PS me gëzhoja plumbi gjakësor apo klasor të etërve e bijëve të saj.
Dy ftesa publike nga LSI i vijnë për dy ditë  PD, opozitës së djathtë, ndërkohë që lideri i saj Ilir Meta, kryenegociatori i majit 2013, në bashkari me Edi Ramën, po ban “lojna politike” pa cak e pa sens me të ashtuquajtun “konsensus” dhe me veprimet me ligjin e Statusit të nëpunësit civil. Kjo duket tek  teatraliteti politik  e juridik i mazhorancës së djathtë ndaj ligjit, fallciteti e mafioziteti i partneritetit me opozitën e djathtë, etj. Këto shfaqen në disa raste: Në vendimin e Qeverisë më 30 shtator 2013 me Aktin Normativ që e shtyn për 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit për Statusin e nëpunësit civil. Saktësisht, deri më 1 prill 2013 në “Ditën e Rrenave”… në kalimin e Aktit Normativ në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë pa votat e opozitës. Tek futja e Aktit Normativ për votim në seancë plenare parlamentare, edhe në kushtet politike të bojkotimit të opozitës dhe mos votimi për mos plotësim të 84 votave në kit’ seancë u paraqit publikisht  e politikisht si “hapësirë tolerance” e dyshes politike Rama-Meta për një javë “kohë për reflektim” për arritjen e konsensusit me opozitën, etj.  Natyrisht, të gjitha këto e të tjera plus,  burimojnë një ftesë të pasinqertë për konsensus nga LSI me thirrje në konferenca shtypi e nga PS me “letër të hapur” për të mbulue punën e mbyllun mbi gropën e thellë me pasoja politike e sociale të zhvillimit e integrimit  të krijuar nga keqpërdorimi demokratik, politik e juridik i këtij ligji me konsensus të thyem me mafiozitet e dhunshëm prej mazhorancës së majtë.
LSI e lëshon ftesën e saj për kapital politik të vetin si forcë politike dhe për liderin e saj, që jo vetëm e ka me qejf të madh rolin e kryenegociatorit, por edhe i shkon për shtat politik. Takimi e dialogu Rama-Basha për konsensus, sipas tekstit të kësaj ftese publike shumë pragmatiste e tepër demagogjike, i duhet mazhorancës të paraqitet si “një demonstrim i pjekurisë politike” në Shqipëri,të merret si “një mesazh i mirëpritur nga partnerët europianë” dhe “do t’i jepte fund debatave për Ligjin e Nëpunësit Civil”(!) Pra, një ftesë për të mbyll debatet e jo për të zgjidh problematikat. Në çdo vend demokratik euro-atlantik kërkesat e opozitës do të shiheshin me përparësi. Opozita e djathtë nuk mundet ta rivotojnë këtë ligj të Nëpunësit Civil që është një nga kushtet për integrim në Europën e Bashkuar, sepse do të humbiste integritetin e saj politik e social para antarësisë së vet e votuesve shqiptarë, në ardhmërinë e vet.
Ftesa politike publike e LSI e 11 tetorit 2013 mbart e shfaq provokacione, diversione, makinacione politike. Ministre e Integrimit, Klajda Gjoshja e LSI-së (sëbashku me Ilirian Celibashin e PS-së, ministër Shteti për Marrëdhaniet me Parlamentin) u takuan e biseduan për ligjin e nëpunësit civil me partinë në opozitë, partinë e Shpëtim Idrizit. Kjo dyshe, sipas mediave elektronike, i ban ftesë kësaj partie që me pesë deputetët e saj të ishte në Kuvendin e Shqipërisë këtë të enjte të paraqitjes së ligjit për votim. Kërkojnë thyerje bojkoti me krahëmarrje politike të tipit majtist. Kësaj mazhorance me 84 vota të merituara e të manipuluara astenjiherë nuk kanë me i ba nder dhe as me ia rrit imazhin në sytë e botës euro-atlantike qoftë edhe përpjekja mediatike për të marrë deputetë apo vota nga opozita e djathtë, veçanarisht në raste të tilla si ligji për Nëpunësin Civil. Disa orë pas këtij takimi të dy ministrave të mazhorancës me PDIU del Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI e fton publikisht për “takim në nivel të kryetarëve, kryeministri Rama dhe kreu i PD Basha”(!)
Kjo ftesë e LSI nuk ofron ndonjë zgjidhje, nuk  jep një platformë,  nuk shtron alternativa, etj. veçse në fjalatekst shihet vetëm si “një moment i rëndësishëm” që thjesht ka për të “rivendosur dialogun mes mazhorancës dhe opozitës”(!) Partia Socialiste për Integrim fton dyshen politike Rama-Basha që të ulen në dialog ndërveti “për të eksploruar një dakordësi” (!) Po çka ka ky ligj për t’u “eksploruar” në një takim të tillë mazhorancë-opozitë?! Këta janë politikanë e jo speologë.  Çka po i kërkon kjo Aleanca për Shqipërinë Europiane kësaj Opozitës së Djathtë, pasi vet dy “dinosaurët” e të majtës, Edi Rama me Ilir Metën të “aleancës së 1 prillit 2013” e kanë prish “dakordësinë” e 30 majit 2013?!
 LSI kur ndërmerr negociata  për takime e dialog të tillë duhet të mësohet të sillet me kulturë për vete dhe ndaj opozitës dhe të mos lëshojnë kërcenime, të mos kalojnë në ekstremitete, si në ftesën e dytë të 12 tetorit 2013. Kjo do ta nxirrte LSI e liderin e saj jashtë misionit fisnik të kryenegociatorit dhe do ia shtonte ftesës dozat e përfolura të mungesës së sinqeritetit të saj, do ta kthente ashtu siç mund edhe të jetë: në një dredhi politike. Politikani punëtor e njerëzor, lsisti Petrit Vasili, jep këshilla se “gjakftohtësia duhet t’i prijnë debatit politik”, ndërsa vet nuk tregohet aspak i këtillë kur lideri i PD e i koalicionit të djathtë iu përgjigj brenda dy orësh letrës së kryeministrit socialist Edi Rama. Menjëherë u kthye në “petrit politik” dhe i etiketoi deklaratat e unifikuara të opozitës si “emocionale”(!) Krejt ndryshe flet realiteti i ditës së shtunde. A ka emocionalitet ma të madh politik e cinik se ky i Petrit Vasilit, që një ditë ma parë i thirr në dialog  të dy palët sapo hyjnë në “dialog në distancë” Rama nga Vlora e Basha në Tiranë, hidhet e sulmon në media elektronike Opozitën e Djathtë?! Këtë akt politik publik Petrit Vasili e vetkryen krejt pa gjakftohtësi dhe me tepër emocionalitet ende pa u dhanë lajmi i kundërpërgjigjes së Bashës në të gjitha televizionet ma kryesore shqiptare, ende pa e dhanë përgjigjen e dytë Rama në “Twiter”!!Çuditërisht P.Vasili deklaron në ftesën e dytë se “nuk duhet pasur komplekse për të dialoguar” ndërsa vet tranohet nga kompleksiteti politik kur kreu i Opozitës nuk i kthen përgjigje ftesës së tij të një dite ma parë dhe i përgjigjet kreut të mazhorancës brenda dy orëve, aqsa e kthen ftesën në një kërcenim, në një demagogji politike të rradhës (!)
Nga deklarata e LSI e të premtes tek kjo e të shtundes kemi avancim politik: Nëse, një ditë më parë “e gjen të udhës” të ftoj dy palët në dialog, të nesermën kërkon të “mbështesë dialogun që zhbën konfliktualitetin”. Kjo është e randësishme, sepse në ftesën e parë thuhej se LSI do të “promovojnë idenë e një takimi” dhe për ma tepër është e shumëpritur që nga “ide” të kthehet në nismë dhe ma e mira e mundshme: të jetë mision politik e qytetar i saj, pasi kjo parti politike parlamentare në pushtet – e treta në vend, e ka traditën e vet të kahershme. Natyrisht për të ecur ma larg në këtë dialog dypalësh mazhorancë-opozitë për ligjin e Statutit të Nëpunësit Civil duhet që kryenegociatorja LSI të rikthehet tek konsensusi i 30 majit 2013 për t’i hapur rrugë dialogut të mëtejshëm, të takimeve të tjera dhe për çështje të tjera me interes kombëtar.

Filed Under: Analiza Tagged With: eshte bere balte, goja te rrjedhe mjalte, po puna, Ramiz Lushaj

Pirro Dhima, misionari i Mitropolit Sebastianos për aneksimin e Jugut të Shqipërisë

October 13, 2013 by dgreca

Ne Foto:Pirro Dhima ne nje foto me Mitropolit Sebastiano/

Nga Arben LLALLA/

Pirro Dhima, ish sportist i Republikës së Shqipërisë dhe pas 1991 sportist me ngjyrat e Greqisë vjen në Tiranë si deputet i partisë PASOK për marrëdhëniet të fqinjësisë së mirë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Por në të vërtetë kush është misioni i vërtetë i Pirro Dhimës?

Sipas poetit, shkrimtarit dhe publicistit Albert Zholi, Pirro Dhima me rrënjë është nga Progonati, një fshat i banuar vetëm nga shqiptarë. Por familja Dhima ashtu si Bollano në fillim të viteve 1920 emigruan në Himarë. Pas viteve 1990 Pirro Dhima emigroj në Konicë të Greqisë ku ra në kontakte me Mitropolitin grek Sebastianon, një antishqiptar i tërbuar. Aktiviteti i klerikut ortodoks Sebastiano kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve ka filluar që në vitet 1960. Gjatë një fjalimi në Qershor 1967 Mitropolit Sebastiano e shpalli veten Mitropolit i Jugut të Shqipërisë dhe deklaroj se do të luftonte për që Jugu i Shqipërisë ti bashkëngjitet Greqisë. Mitropoliti Sebastiano hapi një radio me përforcues të fuqishëm me qëllim që valët e saj dëgjoheshin në Dropull, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë etj. Kjo radio bënte propagandë antishqiptare, për nxitjen e një lufte greko-shqiptare. Më 1982 Sebastiano themeloj SFEVA, Bashkimi i Studentëve për Luftën e Vorio Epirit, ndërsa më 1987 organizatën e fshehtë Panelene PASYVA për të njëjtën çështje. E pra, në fillim të vitit 1992 Pirro Dhima pa ditur asnjë fjalë greke ra në kontakte me Mitropolit Sebastianon i cili e përpunojë ish-sportistin shqiptar të propagandojë për greqizmin e Jugut të Shqipërisë. Me porosi të Sebastianos Pirro Dhima lidhi shoqëri të ngushtë me një antishqiptar tjetër të tërbuar Babis Karathanos cili nga viti 1982-1989 ka qenë kryetari i SFEVA, (Bashkimi i Studentëve për Luftën e Vorio Epirit).

Babis-Harallambos Karathanos disa herë ka qenë kandidat për deputet i partisë Demokracia e RE më tej i partisë ekstremiste të djathtë greke LAOS dhe këto dy vitet e fundit u rikthye përsëri në Demokracinë e Re të Andoni Samaras. Karathanos është i lindur në Greqi, por prindërit e tij janë me origjinë nga Dropulli.

Deputeti i PASOK-ut Pirro Dhima i cili u diplomua më 2011 për mësues i klasave fillore gjithnjë në intervistat që jepte shante kombin shqiptar të cilët sipas tij nuk i kishin lejuar të mësonte gjuhën e nënës greqishten, këtyre britmave antishqiptare i bashkoheshin shpeshherë babai dhe vëllai i tij. Enigmë është fakti se Pirro Dhima asnjëherë nuk e zë në gojë nënën apo ta nxirrte në TV. (Thonë se ka patur probleme me nënën që kur u martua me Anastasia Sdoygkoy e cila është shumë vite më e madhe se ai dhe ka punuar gazetare në televizionin shtetëror grek ERT kur u njohën).

 

Pjesmarrës në çdo aktivitet për aneksimin e Jugut të Shqipërisë

 

Në Dhjetor 2011, Shoqata e Vorio Epiriti me seli në Thesali të Greqisë i ndau Mirënjohje Pirro Dhimës për kontributin që jep.

Pirro Dhima në Mars-Prill të 2012, u nis për në SHBA me qëllim për të mbledhur fonde për financimin e shkollës greke “OMIROS”, të Himarës e cila gjendej në vështirësi ekonomike. Atje ai zhvilloj shumë takime me figura të larta të Lobit greke, pas kthimit Pirro Dhima u propozua kandidat për deputet me partinë PASOK.

Më 17 Shkurt 2013, ora 11 u tubuan në sheshin Karitsi Athinë për të përkujtuar 99 vjetorin e shpalljes së Autonomisë së Vorio Epirit. Aktivitetin qendror e organizon çdo vit Babis Karathanos kryetar i shoqatës së Vorio Epirit në bashkëpunim me Rininë Vorio Epiriotase të drejtuar nga ish-këshilltari i ministriti Spiro Ksera, Theofan Kaliviotis. Përçdo përvjetor të këtij aktiviteti marrin pjesë figura të njohura të minoritetit grek dhe të politikës së Greqisë. Pirro Dhima është njeri nga këta që nuk mungon për të qenë i pranishëm në përvjetorët e Autonomisë së Vorio Epirit.Me krenarin që feston çdo vit Autonominë e Vorio Epirit Pirro Dhima e ka shprehur edhe në Forumet Sociale si facebbok.

Për shërbimet ndaj kombit grek Pirro Dhima gëzon edhe një titull të lartë ushtarak.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: misionar i mitropolitit, per aneksimin, Pirro Dhima, Sebastiano, Shqiperise se Jugut

Tungjatjeta Zoti Johan Galtung,Boll mo se e teprove!

October 12, 2013 by dgreca

  (Nuk mund t´i ankohemi askujt. Të gjitha të zezat na vijnë nga vetvetja.( Ragip Kçiku)/

Shkruan: Fahri XHARRA/

 Zonja Wortley Monatgu kishte thënë: ”Besoj se nuk ka asnjë racë tjetër të njerëzimit që të ketë një mendim kaq modest për aftësinë e vet “ (.( Letters from the Right Honourable Lady Mary Wortley Montagu 1709 to 1762, London: J.M. Dent & co.; New York, E.P. Dutton & co., 1906)  dhe kishte të drejtë se gjithmonë e kemi pasë dronë që të tjerët janë më të aftë se ne. Por jo Zoti Johan Haltung, ta them se  jo, jo nuk keni të drejtë t´a çfrytëzoni famën e juaj si teoretik i Paqës dhe Dhunës ,dhe të krijoni huti të reja në Ballkan.Kush është Johan Galtung që vazhdimisht mundohet t´turbullon ujërat tona? Johani i ”nderuar”është sociolog dhe dhe matematicien Norvegjez((1930) dhe themeluesi kryesor i disciplines ” Studimet mbi paqjen dhe konfliktet” e në të njetën kohë edhe themeluesi ”Institutit për Hulumtime të Paqës “ në Oslo (1959). Ishte karrika e parë në studimet e paqës dhe konflikteve  të Universitetit të Oslos.

Dje në Beograd  theksoi : “Ballkani i Ri do të duhej të ishte diçka çfarë ka qenë Jugosllavia, respektivisht të jetë i hapur ndaj të gjitha anëve të botës, kurse Kosova, Shqipëria dhe Serbia të jenë në një union konfederate.” Në Konferencën për Pajtim, Tolerancë dhe Siguri në Ballkan, e cila ka filluar dje në Beograd, ka thënë se kur bëhet fjalë për shtetet që dolën nga gërmadhat e ish-Jugosllavisë “është zgjidhur vetëm pozicioni i Sllovenisë, kurse Serbia, por edhe Kroacia, mbeten libra të cilat tek duhet të hapen”, transmeton “Danas”.

 Me 21 Shkurt 2008 ,zotëri Galtung shkrove se pavarësia e Kosovës është një krim kundër Serbisë & paralizim i KB . (”Kosova’s independence: A crime against the Serbs & a crippling of the UN” s) Ju merr mendja që kishit të drejtë ? Dhe mandej vazhduat : “ Pse shumica e BE-së duhej të prishnin ligjet ndërkombëtare duke i anashkaluar Kombet e Bashkuara dhe ti jetësojnë truket e arkitekturuara nga një ish President i Finlandës  dhe një kryministër i Suedisë  dhe të bëni diëka të papritur, të panevojshme dhe jo të mençur? Në ne do të jetoj një problem i krijuar për breza të tërë  dhe shekuj.Pse? “

Zotëri nuk ju pëlqeu shpallja e Pavarësisë së Kosovës? “

Shqiptarët e “liruan” Kosovën jo për t´a ndarë me Serbinë por që ta mbajnë për vehte , serbët e humbën Jerusalemin e tyre , vendet e tyre të shenjta si djepin e tyre ,Kosovën. E dini që ata (serbët fxh)  nuk do të ndalën së luftuari  për Kosovën. Deri kur? Deri sat a marrin përsëri.” Nj’ socilog ,nje matematicien , nje ideator i paqës t´i thot këto fjalë ?

 Tungjatjeta Zoti Johan Galtung ! nëse nuk e dini të vërtetën historike ua themi ne :” Me vendosjen e fiseve turko-sllave në Ballkan (shekujt VI-XIII) filloi konflikti i ardhacakëve me popullsinë autoktone të këtyre vendeve, si ilirët, dardanët dhe trakasit, që në të vërtetë të gjithë ishin të popullsisë pellazge. Dardanët quheshin ndonjëherë triballë, një fis i vjetër pellazg (tri-ball= tri ballët e maleve që ndodhen në luginës e Moravës së Madhe), më vonë skizmatikë. Emri antik pellazg shkallë-shkallë zëvendësohet me sinonimin ilir, ndërsa prej shekullit XV zëvendësohet me sinonim alban, arban, arnaud, arvanit, arbëresh. Kah fundi i shekullit XII sllavët turko-avarë (bullgaro-serbët) filluan të dëpërtojnë në Kosovë, pas një lufte që me 1190 e bënë kundër Bizantit, që atëherë e sundonte Kosovën, të banuar gjithmonë me popullsi shqiptare[17]). Që me 1180 serbët avarë sulmuan për herë të parë Mitrovicën dhe Vushtinë, të banuar me popullsinë autoktone shqiptare; më 1224 sulmuan Prizrenin ndërsa më 1285 Shkupin[18]). Më parë nuk kishte asnjë serbë në këto anë. Stefan Dushani (1331-1355) ishte mbret i Rrasisë dhe mbret i Shqipërisë (rex Albaniae). Nuk ishte mbret i Serbisë, sepse nuk ekzistonte fare Serbia. Në atë kohë Albania quhej Kosova, Rrasia, Shqipëria dhe Maqedonia deri në Selanik. Shteti Rrasia vinte nga emri Rrasë, i kryeqendrës së atij shteti, te Jeni Pazari.(Aleks Lusha: Ishin vetë shqiptarët) .

”Sot Serbia e kundërshton pavarësinë  ashtu si shqiptarët që e kundërshtojnë federatën me serbët . por nesër a pasnesër, pas raundeve të negociatave mund të shihni diçka si kjo ishte si një e ”keqe ”më të vogël.Por kjo nuk ishte rruga për të udhëtuar nga vendet  që kanë interesa të rënda, duke menduar se mund të është e drejtë. Sa turpshme është të ketë mundësi të humbur çdo për një zgjidhje paqësore dhe të drejtë ndaj konfliktit në Kosovë!” Ç´farë oguri i zi ,nga një shkencëtar i Europës !

 “Provokimi më i madh për Serbinë mbetet Lindja – Rusia, Kina dhe bota Islame…” tha Galtung. Në pyetjen, se si duhet zgjidhur problemi mes Kosovës dhe Serbisë, Galtung tha se duhet të formohet një federatë brenda Kosovës, në të cilën serbët e ndarë në tre kantone, do të gëzonin një autonomi të shkallës sëlartë.(shtypi sotëm))

 Zoti  Galtung  , unë e di se ku po iu dhemb, Jo Rusia ,e as Kina nuk qenkan rrezik për Europën ,por Islami  mëndoni ju.!

Po pse ç ´rrezik ka Serbia nga Islami ? Të gjitha vendet islamike në krye me Turqinë janë miqt më të mëdhenj të Serbisë   , janë përkrah’sit e Serbisë sot edhe atëherë kur u luftua. Pse s´e thua troç ?

”Nuk mund t´i ankohemi askujt. Të gjitha të zezat na vijnë nga vetvetja ” më thoshte një mik.Por po iu a themë edhe juve e edhe Europës se ne nuk jemi çerdhe e  islamizmit e as trampolinë e saj për në Europë. Këto janë disa fantazma , sajesa dhe hije  ogurzeza të krijuara nga vetë Serbia.  Ju e dini fort mirë këte.!

”Këta njerëz, që jetojnë mes të krishterëve dhe myslimanëve dhe që nuk shquhen për zënka, deklarojnë se janë krejtësisht të paaftë për të gjykuar se cila fe është më e mira, por, për të qenë të sigurt se nuk do të hedhin tërësisht poshtë të vërtetën, ata me shumë urtësi ndjekin të dy fetë dhe të premteve shkojnë në xhami e të dielave në kishë, duke u justifikuar, se në ditën e gjykimit ata do e kenë të sigurt mbrojtjen nga profeti i vërtetë, por, që se cili ai është, ata nuk janë në gjendje ta përcaktojnë në këtë botë. Unë besoj se nuk ka asnjë racë tjetër të njerëzimit që të ketë një mendim kaq modest për aftësinë e vet. Këto janë shënimet e bëra mbi diversitetin e feve që kam parë.( Letters from the Right Honourable Lady Mary Wortley Montagu 1709 to 1762, London: J.M. Dent & co.; New York, E.P. Dutton & co., 1906)

Mbetsh me shëndet Zotëri Johan Galtung dhe vazhdimësi të mbarë në permbarimin e teorisë së juaj : “ Paqja positive dhe ajo negative”  dhe  harroji konfederatat.

Fahri Xharra

Gjakovë 12, Tetor 2013

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Johan Galtung, Ragip Kciku, Tungjatjeta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 941
  • 942
  • 943
  • 944
  • 945
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT