• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SKËNDERBEU, KY KOLOS I TË GJITHA KOHËRAVE

July 30, 2013 by dgreca

Nga Marjana Zeneli Bulku/

 Skënderbeu…ky kolos i të gjitha kohërave rishfaqet në ditët tona të mira si krenari kombëtare,por edhe në ditët tona enigmatike si shpresë, si modeli i nje lideri që sfidoi kundërshtarin jo vetëm me forcë,por edhe me strategji. Është pikërisht kjo ndjesi që lind dhe rilind tek une, kur historikisht shqiptarët bien dakort se vepra është ajo që lartëson heronjtë.Kur shqiptaret unanimisht pranojne se Ai është nje monument që ka vend te vecantë në historinë tonë të vjetër dhe të re,kur bota ,ky lëmsh i stërmadh përballe kontributesh të tilla heronjsh duket kaq e”vogël”,kur sheshe dhe muze botërore mbajne bustin e tij, shpatë,përkrenare ,,,vlera e Tij ridimensionohet duke na kultivuar krenarinë.

Nuk ka shqiptar nga ai me i vogli ne moshe e deri tek me i largëti në vendndodhje( të shpërndarë anembanëglobit ), që të mos njohë Heroin e madh që kombit të vogël i bëri emër duke kapërcyer kufinjtë që politika i caktonte shqiptarit duke ia bërë jetën si burg shekullor.

Dhe nuk është rastësi që folklori shqiptar ka vend të vecante për Heroin tonë kombëtar me vargjet legjendare dhe historike ka gdhendur përmasat e para të përmendores historike (ndoshta të vetmes) përballe të cilës shqiptarët unanimisht thonë :Faleminderit!

Kohët e vështira kërkojne Heronj të mëdhenj,prodhojnë heronj të mëdhenj që sfidave u përgjigjen me largpamësi e guxim për tu bërë më pas shembuj përjetësie!

Ky mendim më përshkon kur në bibliotekën e madhe shqip numëroj autorët që e shndërruan në Personazh Gjergj Kastriot Skënderbeun, që nga Barleti pothuaj bashkëkohës, deri tek N.Frashëri,Noli, Godo,K.Frashëri,,,dhe padyshim ky varg krijuesish është mjaft i gjatë, infinitivisht …

Ky mendim më përshkonte kur nxënësve shqiptarë u kërkoja të shkruanin për Laokoontin, Trojën, për Makbethin, Hamletin,etj…dhe përmasën e Heroit në ditët e sotme e konfiguronin me atë të një përmendoreje me ose pa kalë. Dhe në mendjen time ka një diskutim që nuk u shtrua kurrë me ta, për dhjetra arsye,por vetëm një dëshirë: Si ta gdhendim përmendoren e Lirisë dhe krenarisë duke e lexuar historinë me të gjitha dritëhijet e pa ptur frikë nga disidenca?! Një kënd botimesh për heroin, shkrime dhe esse për të, piktura e skica,inskenime, kërkime e reflektime ,debate dhe mendime ndryshe dhe kështu ”e sjellim heroin ”ne klasë,në shkollë,në muze,në librari në media…

Dikur tek Vatra këtu në SHBA në një promovim pata fatin të dëgjoj vargje kushtuar Skënderbeut ,të mrekullueshme si në konceptim, përkthim ,interpretim, por cfarë dua të vecoj është pikërisht fakti se autor i këtyre vargjeve ishte një amerikan(Ch.T. Erickson) që e donte dhe respektonte Shqipërine dhe shqipëtarët edhe falë heroit tonë kombëtar. Ja si shkruante ai ndër të tjera :

I flake tej nderet imperiale

dhe lavdinë ndër vite fituar

të mbroje folenë ë mëndit tënd trazuar,

si shqipe-shqipëtare gjoks zbuluar,

prej morisë së pafund të shigjetave i sulmuar. etj, etj.

Vargje që rrëfejnë historinë, dhe që dëshmojnë se për shumëkënd rruga për të njohur një popull kalon detyrimisht nga historia dhe ajo në asnje cast nuk duhet flakur e sulmuar,por duhet mbrojtur dhe ruajtur,për tu trashëguar e pasur ,e plotë.

Ndaj jo rastësisht m’u duk sikur pashë një tjetër përmendore fjale, gdhendur jo nga nje bashkëkombas,por një i huaj që njeh dhe don shqiptarët MIK i madh i tyre,mburojë sulmesh e goditjesh fqinjësh , një përmendore historike, që rrëfen hisorinë tonë, diku edhe në Amerikën e largët.

Kjo është vetëm jehona që shkakton historia,kur ajo shkruhet me vepra madhështore, nga njerëz që e duan vendin e tyre ,kjo është vetëm zanafilla nga ku nis studimi dhe rrëfimi për Shqipërinë dhe për shqiptarët,pikërisht aty ku lind krenaria kombëtare,,,historia e ka shtratin të sigurt dhe heronjtë parakalojnë me veprën që meriton memorie dhe nderim.

Nëpër histori nuk takon vetëm heronj, por edhe episodikë,enigmatikë, frikacakë,kolosë,endacake,,,,le ti gjykojmë ata mbi veprat,produktet dhe gjithcka shkakton trashëgimnia e tyre viteve që lartësojnë të mëdhenjtë ,bën të paharrueshëm KOLOSËT!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bulku, ky hero, Marjana Zeneli, Skenderbeu

Don Kishotët në Ballkan dhe Sanço Pançot në Kosovë

July 29, 2013 by dgreca

“Një komb që në përpëlitjet e tij identitare fillon dhe shuan kujtesën historike të vlerave dhe idealeve që e kanë krijuar është i destinuar për tu kthyer në një masë amorfe popullate mbi të cilën mund të kryen gjithfarë eksperimentesh . “   (Dorian Koçi)”

Nga Fahri Xharra/

Spanja e shek XVI përjetonte krizë ekonomike për shkak të fuqizimit monetar dhe krizës morale nga avanturizmi kalorisak. Ky avanturizëm vinte nga leximi i romaneve kalorsiake që atë kohë e kishin vërshuar Spanjën. Romanet lexoheshin me të madhe madje njerëzit gjërat që i lexonin mundoheshin ti veprojnë në jetën e përditshme si ngjarje të imagjinuara. Ky lexim i romaneve kish ndikuar aq shumë madje edhe në ekonominë e shtetit ngase te njerëzit ishte mbjellur ideja se fare pa punë e pa bërë asgjë po u bëre si personazhet e romaneve kalorsiake mund të bëhesh brenda natës person i pasur.

Një rrugë gati si të njejtë jemi duke e ndjekur edhe në Kosovë.

Don Kishotët  në Ballkan dhe Sanço Pançot në Kosovë të bëjnë të qeshin, për aventurat e tyre të cilat e kanë një qëllim tjetër nga  ata të personazheve të Miguel de Cervantesit, por sidoqoftë e kanë një ngjajshmëri shumë të madhe. Edhe tek ne është duke luftuar irealja kundër reales. Edhe te ne po shihen bujtinat më të thjeshta si kështjella, tasi i berberit si helmetë e shkëlqyeshme, e kaluara e dështuar si një shansë për rivendosjen e saj në kushte të reja, krijimi  i gjërave që kurr nuk kanë ekzistuar si të mundshme për  të ndërruar rrjedhen  normale të gjërave dhe për të krijuar hendeqe të reja ndermjet veti.

Derisa Don Kishoti  i Cervantesit donte që të kthejë lavdinë kalorsiake; donkishotët e Ballkanit duan të këthejnë rrotën e historisë mbrapa, dhe ajo që ka ndodhur të duket vetëm si një ëndërr.

Njerëzimi ka një ndjeshmëri shumë të veçante për të zgjedhur se ç’njerëz do të përdorë për krijimet e tij, me çfarë njerëzish do t’i mbrojë legjendat e veta. Sado e çuditshme që të duket, lidhja midis Cervantes-it dhe donkishotëve  të Ballkanit ka një logjikë të brendshme.  Një logjikë e brendshme e prek këtë lidhje dhe e pohon atë. Besoj se Don Kishoti vazhdon të jetë edhe sot një personazh i pashpjeguar. Është e nevojshme të bëhet një përpjekje, një përpjekje e madhe nga të gjithë, për të spjeguar kërkesat e donkishotëve ballkanik. Sa qesharake aq edhe serioze për ne,  janë këto  kërkesa donkishotiane për Kosovën.

Edhe pse kërkesat donkishotiane ndaj Kosovës nuk kanë ndryshuar, ato mbesin të njëjta që prej nesh të krijojnë një bastard kombëtar dhe gjuhësor, një përbindësh i cili nuk paraqet rrezik për të tjerët por mundësisht të jetë vetëperbindësh që pa “sherrin “ e askujt të vetëshkatërrohet dhe të vetpërpihet, duke e lënë mbrama një mjegullë të parëndësishme, mjegullë  e cila me diellin e parë të imagjinuar të tretet.

Diku i “mëshefur”  Don Kishoti i Ballkanit iu dërgon  sançopançuave të Kosovës këtë: ”Sikur era fatbardhë, e cila gjer më tani na ka vajtur kundër, të na kthehej menjëherë në favorin tonë e të na i fryente pëlhurat e pllanave tona dhe të hynim me siguri e pa rrezik në limanin tonë, ne do të fitojmë. Se do të jetë e pamundur të bëhësh kalorës nëse nuk  dëshiron dhe nëse s`ke kurajë e as vullnet për të marrë hakun e të parëve dhe për të mbrojtur të kaluarën tënde të “ndritur” duhet ta dini se  sikur mos të përmbaheni prej frikës, mund të nisim lëvizjën e punëve se frymat e vendësve nuk janë kurr të qetësuara, e na mundemi t`i kthejmë gjërat si ishin dikur” (nga  Don Kishoti i Cervantesit f.96). Ta dini se “Kosova është vend i paradokseve. Secili paradoks paraqet një realitet të hidhur, por të gjithë së bashku tregojnë fytyrën e vërtetë të Kosovës.”

Dhe sançopançuat e Kosovës me nxitim veprojnë dhe flasin, shkruajnë dhe shkallmojnë gjithë  andej e këndej duke i kritikuar liderët politikë të Kosovës  që mohojnë që ekziston kombi kosovar e në anën tjetër kërkojnë që të na pranojnë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara(!), që liderët politikë të Kosovës mohojnë që ka komb kosovar e në anën tjetër mburrën se  ndërtojnë marrëdhënie të shëndosha ndërkombëtare(!)  që artistët kosovarë mohojnë që ka komb kosovar, por mburren se kemi Teatrin Kombëtar në Prishtinë(!). “   Sançopançot s`kanë të ndalur:” “Shkrimtarët kosovarë thonë nuk mund të ketë komb kosovar, por mburren se kemi Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Shkencëtarët kosovarë “dokumentojnë shkencërisht” se nuk ka komb kosovar, por institutet e tyre i vetëquajnë institute kombëtare.”  Dhe donkishotët të “sigurtë” që punët e planet e tyre po shkojnë në rregull; nuk kanë të ndalur me kërkesat e tyre.

-Pa fjalë Sanço, i thoshte një donkishot i Ballkanit një sançpanços së Kosovës:’”Kjo është aventura e jonë më e rrezikshmja dhe më e madhja, në të cilën duhet ta tregojmë tërë trimërinë dhe forcën tonë” Edhe sikur këto që po iu flas të jenë fantazira, kini kujdes se përvoja me shqiptar ka treguar se sa guxim dhe të mençur që jemi”

Sançua pa një pa dy , na del me këtë profeci:” “Profetët” (rilindësit) shqiptarë idealizuan periudhën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut si një periudhë ku shqiptarët ishin të vëllazëruar, të lirë dhe të barabartë. E vërteta është se në atë kohë nuk i kishin asnjërën prej këtyre. Lidhja e Lezhës (1444) ishte lidhje politike mes princërve shqiptarë e malazezë dhe jo një vëllazërim mes qytetarëve të Shqipërisë së asaj kohe. Por, kështu e panë të rrugës rilindësit shqiptarë dhe mbi këtë model u ngrit kombi shqiptar.  Ata këtë periudhë e quajtën “Rilindje”, me demek, që kombi shqiptar më pjesëtarët e tij të lirë të barabartë e të vëllazëruar na paskësh ekzistuar që në kohën e Skëndërbeut, të cilin osmanët na e paskëshin përgjumur me pushtimin e tyre të serishëm.”… Pas kësaj Sançua i arsyetohet Don Kishotit:”Hirësi unë jam njeri i urtë i qetë dhe paqëdashës. Jam i stërvitur të duroj vuajtje se kam grua dhe fëmijë që duhet t`i ushqej e tì rritë.Po ta them këtë Hirësi se unë urdhër s`mund të jap.dhe jam në urdhërat e juaja “( D.K. Cervantes f.96)

E pra, i shkruante Don Kishoti:”Me këtë ,ke për të trashëguar të mirat e dheut, se zotërinjtë duhen nderuar si prindërit( D.K ,Cervantes f.145). Po ,pra!

“Një zgjim kombëtar është më i fuqishëm nëse orientimet strategjike, politika e tij e jashtme, politika e tij e brendshme, hieraldika shoqëruese etj janë kompakte me psikologjinë dhe traditën e njerëzve prej të cilëve synohet të formohet kombi.  Sa më pranë shpirtit të njerëzve të jenë këto gjëra aq më i fuqishëm ngritët kombi.” (diku në shtypin tonë)

“Në Kosovë, fatkeqësisht nuk kemi shkuar përtej dilemës se a ekziston apo nuk ekziston kombi kosovar. Mitet, stereotipat kulturorë etj, ia kemi lënë stihisë. Kush duhet të mendojë për këto, nëse jo intelektualët dhe patriotët e këtij vendi? “- pyetet një sançopanço i Kosovës, sepse duhet patjetër të plotësohet kërkesa e Don Kishotit.

Por sançpanot e Kosovës t`etshëm për famë ,zulm dhe zoti e di se çka  ,nuk e kan as më të voglin guxim t`i kundërvihen padronëve të tyre, dhe vazhdojnë me ngulm :” Problemi me historinë tek shqiptarët është shumë i rëndë. Kosovarët i shajnë serbët duke u thënë se janë popull mesjetar d.m.th të prapambetur, kurse vetën e lavdërojnë duke thënë se jemi popull antik. Harrojnë se antika është më e hershme se mesjeta.  ( d.m.th shqiptarët edhe shumë më shumë të prapambetur se serbët. Të lumt Sanço!) . Shqiptarët si komb i vonshëm nuk arritën të krijojnë historiografi para Luftës së Dytë Botërore. .”.. Bravo Sanço!Po i madh që je!

Sançua i Cervantesit e këshillonte  Donin e vet se më e mençur do të ishte sikur hirësija e tij nëse beson që kokëpërplasjet i janë të nevojshme dhe të domossdoshme  që ato t`i  bënë mbi ujë apo mbi ndonjë gjë të butë si pambuku se të gjitha këto gjora janë teptile, taklite dhe shakara.  Po Sanço i Kosovës?

“Në Kosovë, fatkeqësisht nuk kemi shkuar përtej dilemës se a ekziston apo nuk ekziston kombi kosovar. Mitet, stereotipat kulturorë etj, ia kemi lënë stihisë. Kush duhet të mendojë për këto, nëse jo intelektualët dhe patriotët e këtij vendi?”- thonë dhe pyesin Sançot.

Kosova ka mitet e veta por gjithmone i ka trajtur në gjirin e miteve Shqiptare.dhe duhet ti trajtoj si të tilla. Heshtja dhe mos përkrahja dhe anashkalimi që po i bëhet botës shkencore dhe të dijes në Kosovë, sançot dalin dhe bëhen marothonomakët e kohës së kobit dhe të mashtrimit për ne dhe rreth kombit shqiptar si tërësi e pandarë! Kosova ka nevojë për njerëz realistë, për të matur dhe të aftë me kuptuar realitet kombëtare e ndërkombëtare.

Donkishotët e Ballkanit japin urdhër: “Populli le të mendojë  pak  se cilët janë stereotipat e juaj kulturorë? Ku po iu qojnë ato? A duhet t’i ndërroni ato? Cilët duhet t’i krijoni? Çfarë kombi doni të jeni? Cili është perceptimi i juaj për kombin e juaj? Si doni që të iu perceptojnë të tjerët?  “ ; dhe sançopançot e Kosovës vetëm pohojnë me krye dhe … vrap në punë nën urdhërat e Bossit.:” Ndërsa, nëse do të vendosim që publikut të brendshëm e të jashtëm t’ia servirni të vërtetën shkencore, atëherë duhet të krijojmë një historiografi pa mite. Kjo nënkupton që të hjekim dorë nga miti ilir(?), nga miti për luftërat e Skënderbeut (?) etj, dhe gjitha këto t’i reduktojmë në përmasat e të vërtetës historike.”

Jepi Sanço  i Kosovës , jepi!

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Don Kishotët në Ballkan dhe, Fahri Xharra, ne Kosove, Sanço Pançot

ÇËSHTJA SHALABAJEVA,REAL-POLITIKA DHE PARIMET

July 29, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika /

Më 17 korrik 2013, Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama, vizitoi Romën. Ishte vizita e parë në rolin e Kryetarit të Qeverisë në një Vend të huaj. Në traditën e Shtetit të pavarur, deri në ardhjen e komunizmit, Kryeministrat shqiptarë, sapo emëroheshin, vizitën e parë e kryenin në kryeqytetin italian, për vetë pozitën gjeostrategjike dhe lidhjet e veçanta që mbaheshin mes dy Vendeve. Sot kushtet kanë ndryshuar. Italia dhe Shqipëria nuk janë më, sa i përket peshës në fushën ndërkombëtare të politikës, ato të shekullit të shkuar. Megjithatë Italia ka ende një zë të fuqishëm në organizmat kontinentale, sidomos sa i përket problemeve të Ballkanit e të Shqipërisë. Nuk është i rastit fakti që BE ka dërguar në Tiranë, si përfaqësues të tijin, një diplomat italian, ambasadorin Sequi.

17 korriku ishte një ditë jo e zakonshme për politikën dhe Qeverinë italiane, të pushtuara plotësisht nga “Çështja Shalabajeva”. Nëse në atë ditë drejtuesi i socialistëve shqiptarë arriti të takojë Kryeministrin Letta, Ministren e jashtëme, Bonino dhe tre ish Kryeministra të Italisë e personalitete me peshë në jetën politike si D’Alema, Amato e Berlusconi, pa hyrë në brendinë e deklaratave të rradhës të secilit prej tyre, mjaft dashamirëse e pozitive, mendoj se kjo vizitë ka qënë mjaft e suksesëshme dhe premton mirë për t’ardhmen e marredhënieve mes dy Vendeve e mes Shqipërisë dhe BE, ku Italia është një nga Vëndet themeluese. E ardhmja do të tregojë nëse, në këtë drejtim, do të kemi zhvillime pozitive, apo do të mbetemi  në fushën pa bereqet vetëm të deklaratave të politikanëve të cilët, zakonisht, nuk shquhen për vënien në jetë të tyre.

Objekti i shkrimit është pikërisht “Çështja Shalabajeva”që, atë ditë, polarizoi gjithë jetën poltike të Vendit, me një mocion mosbesimi të paraqitur nga Opozita e majtë kundrejt Ministrit të Brendshëm, sekretar i PDL, Angelino Alfano. Për t’i dhënë lexuesit një kuadër të qartë të problemit duhet të rrjeshtoj faktet që krijuan këtë zallamahi politike përtej Adriatikut, në të cilën ka shumë motive shqetësimi, dyshimi, zemërimi, zhgënjimi për këdo që, n’Evropën pas komuniste, e ka parë Perëndimin si një pjesë e kontinentit në të cilin siguroheshin të drejtat e gjithë qytetarëvet, si një strehë për ata që pësonin dhunë e përndjekje, për shkaqe politike, në Vendet e tyre.

Ja me pak fjalë zhvillimi i ngjarjeve dhe personazhet e tyre : Alma Shalabajeva është gruaja e Muhtar Abliazovit, një ish ministër i Kazakistanit që, duke hyrë në kundërshtim me Nursultan Nazarbajevin, ish sekretar i parë i partisë e më vonë Kryetar i Shtetit, është  larguar nga Vendi i tij në vitin 2003, mbas disa muajsh burgimi. Në fillim shkoi në Moskë, ku më 2005 u bë kryetar i Bordit të bankës BTA, që financonte Opozitën politike kazake. Më 2009 u largua familjarisht nga Rusia e shkoi në Londër ku, më 2011, mori strehimin politik për veten e të shoqen. Ai ka një qëndrim të detyruar në Angli, ndërsa Alma mund të lëvizë në hapësirën Shengen. Alma shkon të jetojë në Riga të Letonisë, së bashku me motrën Venera dhe familjen e saj, por kupton se atje ishte vënë në përgjim të vazhdueshëm. Në gusht 2012 vijnë  në Romë, ku Alma nuk kërkon asnjë lloj sistemimi sepse ka strehimin politik anglez dhe lejen e qëndrimit letone, të vlefshme për të gjitha Vendet e BE.

Në Romë vjen herë herë dhe i shoqi që largohet në mënyrë të parregulltë nga Anglia, mbasi mbi të ka një mandat arrestimi ndërkombëtar, nëpërmjet Interpolit, me akuza “për shpërdorime e përvehtësime financiare në shuma 6 miliardë dollarësh dhe për krijime shoqërish kriminale”, akuza të fabrikuara në Astana dhe në Moskë.  Më 27 maj ambasadori i Kazakistanit në Romë u prit nga Shefi i skuadrës së lëvizëshme në Ministrinë e Brëndëshme dhe e njofton se në një vilë të periferisë së Romës, në Casal Palocco, gjëndet një i “kërkuar në nivel ndërkombëtar”, Muhtar Albiazov. Po atë ditë ai pritet nw takim nga shefi i kabinetit tw Ministrit tw Brwndshwm, Alfano. Më 28 maj, agjentë të policisë italiane dhe kundërzbulimit mbajnë në mbikqyrje shtëpinë, duke kuptuar se të njëjtën gjë e bënin dhe të tjerë civilë, të paguar nga një agjensi izraeliane zbulimi.

Më 29 maj në orën 00.05, një masë prej 50 agjentësh të policisë dhe shërbimit të fshehtë  hynë në shtëpinë e mbikqyrur, ku gjejnë Almën, të motrën Venerën, burrin e saj Bolat dhe dy vajzat e vogla. Arrestojnë dy gratë, godasin burrin dhe mbjellin panik në shtëpinë. Gratë i çojnë në një qendër grumbullimi të imigrantëve, ku shqyrtojnë pozitën e tyre. Motrën e lirojnë mbasi paraqiti lejeqëndrimin leton, ndërsa Almën e mbajnë 15 orë pa ngrënë (kështu pohoi ajo), në një pyetësor të vazhdueshëm. Paraqiti një pasaportë të Afrikës Qëndrore, e cila rezulton “e rreme”, simbas Interpolit. Mbas 15 orësh Alma pohon se ishte gruaja e Albiazovit dhe dërgohet në një qeli të kuesturës së Romës. Ndërkohë funksionarët e ambasadës kazake drejtojnë të gjitha operacionet e policisë italiane, përfshirë dhe një tjetër “vizitë kontrolli” në Casal Palocco, e urdhërojnë funksionarët e ministrisë së brëndëshme në fazat e ndryshme të zhvillimit të ngjarjeve.

Alma Shalabajeva kërkohet nga autoritetet kazake, edhe se në drejtim të saj nuk ka një mandat arresti. Policia e dorëzon në Zyrën e Imigracionit të Ministrisë, ku rasti i saj hyn në përzëniet e zakonëshme të njerëzve që hyjnë ilegalisht e pa dokumenta n’Itali. Kalohen të gjitha hallkat e veprimit në zyrat e ndryshme me një shpejtësi marramendëse, pa i dhënë mundësi të takohet me avokatët e duke e paraqitur si një rast ordiner të paidentifikueshëm, edhe se më 28 e më 30 maj ambasada kazake në notën zyrtare drejtuar kuesturës së Romës, përcakton qartë : ”Vërtetohet se zonja Alma Shalabajeva është qytetare e Republikës së Kazakistanit. Është në zotërim të pashaportës kombëtare Nr. 816235, të lëshuar më 3 gusht 2012 dhe një tjetër pashaporte kombëtare Nr. 5347890, të lëshuar më 23 prill 2007. Në bazë të të dhënave të Interpoliti, zonja Alma Shalabajeva mund të përdorë dokumenta identiteti të rremë për emrin Alma Ayan, e lindur më 15 gusht 1966, me pashaportë kombëtare të Republikës së Afrikës Qëndrore Nr. 6Fbo4081, të lëshuar më i prill 2010.”

          Përzënien, që është në fakt një dorëzim autoriteteve kazake, e firmosin autoritetet e policisë, të prefekturës, të prokurorisë e të gjykatës. Firma e fundit është ajo e gjykatësit të Paqit, një grua që, pa u thelluar aspak në dramën e një tjetër gruaje e të  fëmijës së saj, vendos të plotësojë kërkesën e policisë e të autorizojë dorëzimin e tyre autoriteteve të një Vendi ish komunist, ku strukturat e diktaturës janë në veprim të plotë. Kërkesës së avokatëve për të takuar të mbrojturën e tyre, u përgjigjen duke u lënë një orë takimi, i cili nuk kryhet mbasi më parë “pengjet” ishin nisur pako postare, me një aeroplan austriak të marrë me qira nga ambasada kazake, posaçërisht për t’i çuar në Vendin e saj. Kjo ndodhi më 31 maj, mbasdite vonë.

Për çudi, i gjithë ky operacion i rrufeshëm që Kryetari i Shtetit e quajti “të padëgjuar”, Kryeministri Letta “ka hedhur diskreditim mbi Italinë”, ministri i brëndshëm dhe sekretar i PDL Alfano, “nuk do t’a kisha miratuar kurrë” e zv.drejtori i gazetës Repubblica, Massimo Giannini “një akt poshtërsie”, kryhet me shpejtësi, por pa “dijeninë” e Qeverisë e të asnjë eksponenti të politikës. Paraqitet në fillim nga vetë ministrat Alfano, Cancellieri e Bonino si një veprim i marrë, në mënyrë të pavarur, nga kanceleritë e ministrive të tyre, krejtësisht në përputhje me normat dhe ligjet e Italisë. Do të kalonte një muaj e gjysëm, kohë gjatë së cilës kishin shkruar gazetat e huaja, sidomos ato angleze për skandalin e kur organizmat e BE kërkonin informacion të plotë, për të shqyrtuar nëse ky veprim pajtohej me rregullat e BE, kur Kryeministri Letta do të kundërvepronte duke kërkuar një hetim nga ana e Ministrisë së Brëndëshme.

Pyetjet dhe të panjohurat e një vendimi që ve në lojë prestigjin e Italisë, si një demokraci që respekton e mbron të drejtat e njeriut, janë të shumta e jo më të pakta janë hijet që rëndojnë mbi të. Është shumë e vështirë të besohet se “dorëzimi” i Shalabajevës ka qenë një veprim spontan i autoriteteve burokratike të ministrive, të cilët marrin udhëzime nga ambasadori kazak pa i vënë në dijeni eprorët përgjegjës. Shefi i kabinetit të ministrit Alfano pranon se ka qenë ai që i ka ngarkuar detyrën të presë ambasadorin kazak “për një çështje tepër delikate” e se ai të nesërmen i ka raportuar eprorit. Por ministri para parlamentit thotë se ka mësuar ngjarjen më datën 2 qershor nga kolegia e punëve të jashtëme.

Vetë e përzëna shprehet kështu mbas largimit nga Roma : “Përshtypja ishte se të gjithë zbatonin detyra të caktuara imtësisht “prej së larti”. Është vështirë të mos jesh në një mëndje me këtë grua të shkretë që po ballafaqohet në të njëjtën kohë me diktaturën në Vendin e saj dhe me real-politikën e një demokracie që flijon parimet për interesat e një individi, të një grupi, apo të një bashkësie. Gazi i Kazakistanit, interesat e ENI-t, miqësia e Berluskonit me Nazarbajevin, përbëjnë një kompleks të errët, para të cilit fati i një gruaje dhe i një fëmije të pafajshëm flijohen pa mëshirë. Shpejtësia e veprimit e autoriteteve italiane në këtë rast është fenomenale, madje e papërfytyrueshme. Kohët e zakonëshme biblike të burokracisë italiane u dogjën sa hap e mbyll sytë për t’i dorëzuar “pengun” Nazarbajevit. Sepse Alma është një peng, që “heronjtë e heshtur” të Kazakistanit do t’a përdorin duke vënë në zbatim të gjithë arsenalin dhe përvojat xherxhinskiane në dispozicion, për të shtënë në dorë kundërshtarin politik, burrin e saj.

Ata që kanë kaluar proçeset e hetuesive të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri e kuptojnë se çfarë e pret atë grua dhe atë fëmijë në ditët që vijnë. Abliazovi e “falënderoi” Kryeministrin italian për burgun që e pret të shoqen në Vendin e tij e për jetimoren, në të cilën është e paracaktuar të shkojë vajza e tij. Kryeministri, i prekur në sedër mbas pilafit, e shfuqizoi vendimin e përzënies, një masë e vlefshme në një Vend ku gabimet ndreqen e situatat riparohen, një shprehje hipokrizie pa asnjë vlerë praktike në ish republikën sovjetike.

Ka diçka të errët dhe dëshpëruese në gjithë këtë histori : flijimi i individëve, familjeve, grupeve në altarin e interesave shtetërore, flijimi i parimeve në vorbullën e poshtër të politikës. Pajtohen me këto dukuri, i anashkalojnë, i quajnë të parëndësishme, madje në nivele shtetërore i ligjërojnë. “Gjithshka është zhvilluar në mënyrë absolutisht të rregullt” shprehej ministreja e Drejtësisë, Cancellieri, më 5 qershor. Se ku e shihte “rregullin” ministreja është për t’u habitur : përzihet një grua e një fëmijë për tri ditë, ndërsa kriminelët që kërcënojnë çdo ditë jetën e qytetarëve italianë livadhisin, me fletët e përzënies në xhep, për vite të tëra. Përzihet një grua me pashaportë të rregullt, me strehim politik të rregullt në një Vend të BE, me leje qëndrimi të rregullt të një tjetër Vendi të BE. E parregullta qëndron në faktin se funksionarët e nderuar të shtetit italian nuk janë në gjendje t’i “zbulojnë” këta fakte e të respektojnë të drejtën e një gruaje, mbi të cilën nuk rëndon asnjë lloj krimi. E dhunojnë atë të drejtë me një sulm prej 50 policësh në një shtëpi në mes të natës, me harbutërinë e sjelljes së tyre karshi banorëve të shtëpisë, me paligjshmërinë e arrestimeve, me poshtërsinë e vendimit për të kënaqur kërkesat e një diktature, që përdor gjithë mjetet e saj kundër kundërshtarëve politikë.

Deri tani politika italiane nuk ka marrë asnjë farë përgjegjësie për këtë çështje, duke shkarkuar mbi strukturat e ndërmjetme të shtetit të gjitha veprimet. Tani është në vazhdim një proçes hetimi i ngjarjeve nga ana e gjykatës së Romës me kërkesën e ministres së Drejtësisë. Duke besuar në rigorozitetin  e këtij proçesi, tani për tani gjithshka është pezulluar por nuk është mbyllur, edhe sepse avokatët e Shalabajevës do të hapin një tjetër proçes kundrejt shtetit italian për dëmet e pësuara nga klientja e tyre.

Cilido qoftë përfundimi i hetimeve imazhi i Qeverisë italiane mbetet i cënuar. Në rastin e një vendimi të ndërgjegjshëm që dëshmon ortakësinë me diktaturën kazake, mbi lëkurën e një gruaje e të një fëmije, jemi të pranishëm në një shkelje të rëndë të parimeve të demokracisë e të të drejtave të njeriut  e si e tillë, nuk mund të jetë veçse një faqe turpi, e dënueshme dhe e papranueshme për opinionin publik evropian. Në rastin e veprimit të pavarur të burokracisë, pak të besueshëm, roli i qeverisë vihet në diskutim për mungesë efektshmërie dhe ndërlidhje mes hallkave të saj, gjë që tregon një mungesë të theksuar aftësie drejtuese e qeverisëse.

Para këtij fati të dhimshëm, na vijnë ndërmënd përvojat e shkuara tonat kur diktaturat shqiptare e jugosllave kishin bërë një marrëveshje për të dorëzuar t’ikurit e secilit Vënd, me qindra pasoja burgimesh e internimesh të qytetarëve shqiptarë e kosovarë. Kujtuam se i arkivuam, me rrëzimin e komunizmit, ato dukuri të shëmtuara, por nuk qenka e vërtetë. Sot Evropa po na paraqet një tjetër pamje. Real-politika italiane, në drejtim të Kazakistanit, duket se po gjen përkrahës edhe në Vendet e tjera si Spanja, Polonia, Republika Çeke, që po marrin në shqyrtim e po zbatojnë “dorëzimet” e kundërshtarëve të regjimit kazak, bashkëpuntorëve të Albiazovit.

“Është metoda Nazarbajev – padit Ana Koj, e fondacionit polak Open Dialog, që merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Vendet e ish BRSS – shfrytëzojnë mandatet e arrestimit të Interpoliti, për të përndjekur kundërshtarët e regjimit, duke i akuzuar për mashtrim apo terrorizëm. Kështu shpesh arrijnë dorëzimin e tyre.”

Është me të vërtetë një tabllo trishtuese, është dhe kjo një pjesë e Evropës, të cilën nuk do të kishim dashur kurrë t’a shihnim të tillë, cinike, të ftohtë, llogaritëse, për të cilën një grua e një fëmijë mund të flijohen në altarin e real-politikës.

Korrik 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: ceshtja Shalabajeva, Eugjen Merlika

Pse Serbia duhet të heshtë ose çka Serbia duhet të pranoj?

July 27, 2013 by dgreca

Nga Fahri Xharra/

Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha luftërat, posa ta kenë përfunduar betejën e fundit mes vete.  (Mit’hat Abdyl Frashëri)

PseSerbiaduhet të heshtë? kur e vej  këtë pyetje  e dij edhe përgjegjën. Kjo është në nderin e saj që përfundimisht të bindet ,t`a bindë popullin  vet  se që të gjithë kanë qenë të mashtruar dhe të gënjyer në mënyra të ndryshme  për Historinë e tyre.Gjyshi i Karagjorgje Petroviqit ,udhëheqësit të Kryengritjes së parë  serbe ,ka qenë Shqiptar dhe se ai është quajtur Gjin Marash Këlmendi,thuhet në librin “Karagjorgjeviqët- historia e mëshefur” Autorët e librit janë Milorad Boshnjak,gazetar dhe Slobodan Obrenoviqi ,inxhinier, i cili është pasardhësi i drejtpërdrejt i Jakob Obrenoviqit ,djali i axhës së Knezit Serb Milosh Obrenoviqit , ( Obrenoviqët ,nipat e Karagjorgjeviqëve). Libri është i bazuar në “ Glasnik Zemaljskog muzeja Bosne i Hercegovine” ,1910, numër 22 që e tregon ardhjen e Këlmendasve ,dhe të familjës së Karagjorgjeviqëve nga rrethi i Shkodrës  në rrethin e Novi Pazarit ,rreth vitit 1737. Autorët Boshnjaki dhe Obrenoviqi thirrën gjithashtu në veprat e Andrija Luburiqit ,1937, ku thot se  Kelmendët e kremtonin dhe e mbanin Shën Klimentin (Këlmendin) e Romës ,të cilin e mbanin edhe Karagjorgjeviqët. Autorët theksojnë që i biri Aleksandri dhe nipi Petri e nderruan më vonë të shenjtin e tyre. Autorët theksojnë se edhe Kral Petri e dinte prejardhjen e tij, prej shqiptari,por e din edhe Mbreti  i Serbisë në megrim, Aleksandri i sotit.

Letrari dhe kryetari i Akademisë së shkencave dhe arteve të Duklës(Malit të Zi), Jevrem Bërkoviqi  e vërteton të njejtën për perkatësinë shqiptare të Karagjorgjeviqëve dhe shton se Akademia Serbe “SANU” gjithmonë e mohon këtë por nuk mundet ta dokumenton. Egzistojnë bile edhe thënjë se Karagjorgje iu fliste shqip bashkëluftëtarëve të tij në Peshter në Kryengritjen e parë Serbe 1804 ,kundër turqëve,ose që fliste shqip në familje  dhe se serbishten nuk e dinte mirë.

 

Me  këtë kryengritje filluan themelet e shtetit serb.

 

Edhe shkrimtarja amerikane Ana Di Leilo, e vërteton prejardhjen shqiptare të Karagjorgjeviqëve,në librin e saj :”Lufta e Kosovës”.

 

Të kthehemi pas ,  Vladimir Çoroviq ,një historian serb shkruan:” Dushani e krijoi një principatë e cila nuk ishte serbe,por e përzier, e përbërë nga Serbët ,Helenët  dhe Arbanasit(Shqiptarët). Qëllimi tij ishte që të pushton  Konstantinopolin dhe të bëhet trashëgimtarë i Imperatorisë Bizantine. Car ,dhe si i tillë ,sundimtar i Balkanit dhe i serbëve të tij(?)( në atë kohë serbët ishin në pakicë , e Car Dushani- arbanas ortodoks.)” . Ndërsa studjuesi tjetër serb Lazo Kostiq shton: “ Nemanasit (Nemanjiqët-sipas atij) kishin mundur të sundojnë Bizantin ,por jo serbët”  ( Sepse nuk kishte Serbi). Historia serbe flet ndryshe,flet ndryshe dhe e gënjen historinë ndryshe.

 

Serbiaduhet të heshtë  gjithashtu ,sepse themelet e shkrimit të tyre vijnë gjithashtu nga një shqipëtar ( për ne, shka) ; themeluesi i alfabetit të tyre ishte Vuk Karaxhiqi, i cili i kishte rrënjët  në Vasojeviqët e ata nga Këlmendët.

 

Viti 1804,viti tërbimit turk mbi Beogradin. Çka është  nënçmuese për Serbët për tu përmendur  ky vit  si dhe këtë tërbim turk?

Qëllimi i shkrimit nuk është që të kërkoj vëllazëri prej gjaku prej Serbëve ; larg e shumë largë nga ajo ; por  që serbët të mbyllin gojën dhe se të iu rikujtojmë shqiptarët janë ata që i formuan si shtet dhe si komb …Historia punon me fakte dhe dokumenta ,me gjurma tekstesh të cilat së bashku  vendosën në një tërësi koherente dhe e  cila e prodhon të Vërtetën .

Qëllimi i  sintagmës i krishteri në ushtrinë turke,pra nuk është në ate që të zbulon por në atë që të mëshehë dhe të heshtë prejardhjen  kombëtare të Kondo Bimbashit. Petrit Imami në librin e tij “ Serbët dhe Shqiptarët gjatë shekujve” thot që Kondo Bimbashi ishte komandant i çetës së Epirotëve,në ushtrinë turke të kohës, një shqiptar ortodoks i Epirit.Edhe historianit serb  më  proserbi i së “vërtetës serbe” ,Vladimir Stojançeviqit ,në librin e tij,ku shqiptarët nga urrejtja i quan Arbanas e jo Albanac thot:”se  në mesin e kryengritësve ishte edhe Kondo Bimbashi, shqiptari ortodoks i kufirit të Toskërisë dhe Epirit.

Kush ishte Kondo Bimbashi pra?  Në natën në mest të 5 dhe 6 gushtit 1804 pas një lufteje të përgjakshme e shpëtuan Kalanë e Beogradit nga  turqit ,pra ky ishte nga fillimi i kryengritjes së parë Serbe.

Kryengritjen e përmendur  jo vetëm që e udhoqën shqiptarët por e ndihmuan edhe shqiptarët që iknin nga ushtria turke  edhe shqiptarët  e Kelmendit, Grudës dhe Shoshit. Shënimet flasin se edhe shqiptarët e Toplicës dhe  të Nishit e ndihmuan kryengritjen serbe,kurse Vuk Karaxhiqi duke u bazuar në traditën popullore ( cilën ,shqiptare apo serbe?) e ka të shënuar edhe këngën epike për Jani Kondon ( Kondo Bimbashin) ,me prejardhje Arnaute dhe e ngritë atë edhe më lartë se mitin serb Kraleviq Markon.

Këshu serbët, në vend se t`i korigjojnë padrejtësitë historike ose të forcojnë të vërtetën univerzale paraqitën me figurën e shqiptarit si armik të përherëshëm,një armiqësi e ngulur aq shumë në mendjen e tyre sa që iu është e pamundur të mëndojnë diçka tjetër apo  diçka ndryshe. Është interesant rasti i Jani Kondos  dhe logjika serbe e urrejtjës shkonë aq largë që meqenëse Shqiptarët janë armiqë të serbëve kurse Kondo mik i tyre ; Kondoja nuk  durohet si shqiptar. Edhe pse Kondo ,para dy shekujsh ishte ai që ishte ,sipas mentalitetit serb,kishte për të qenë më mirë sikur Kondo të mos kishte lindur kurr, ose sikur mos t`ë kishte bër atë që e ka bër ,sepse serbët  “ më lehtë e kishin pasur ti mbetëshin pa Beogradin   se sa të përmendin shqiptarin-  armikun ,çlirimtarin e Beogradit“

Kondoja nuk përmendet nga shqiptarët sepse ishte shka ( shqiptar ortodoks)  ,por as nga serbët sepse ishte shqiptar.

Pllaka e vetme ku përmendet Kondo në Beograd, shënimi i një rrugëje; ai s`është për krenarinë e serbëve . Në pllakë shkruan: “ Kondo Bimbashi, I krishteri në ushtrinë turke ,në kohën e rrethimit të Beogradit në vitin 1806(?). Në momentin vendimtar ka kaluar në anën e serbëve dhe më të vetët i ka hapur Kapitë e Beogradit.

Serbët është mirë të heshtin se e kaluara e tyre nuk është se si e thonë dhe e tregojnë ata ,por ashtu se si ka qenë; nuk duam te jemi vëllezër me ta por të iu bëjmë të dijtur ( edhe pse e dijnë fort mirë) se familjet e Lekiqëve,Nikiqëve dhe Daciçëve janë shqiptarë ortodoks.

Shqiptarët ortodoks të viseve shqiptare të Kosovës ,Malit të Zi ,Serbisë dhe Maqedonisë,na mbetën si të ndarë dhe ne i quajtëm shkije falë shkizmës. Mirëpo , a e merituan ata këtë veçim? Kush ishte shkaku që ata mbetën të shkarë nga trungu shqipëtar? Dhe me kalimin e kohës ata (por jo të gjithë) e gjetën vehten diku tjetër, me të njejtën fe por me një gjuhë tjetër. Ndërrime shumë të mëdha ndodhën në kombin tonë. Pse ata (shkijet- shqiptarët ortodoks , të viseve të përmendura më lartë)) me lehtë e kishin  për të jetuar nëse e flasin një gjuhë tjetër se sa të ishin ortodoks dhe të flisnin shqip? Kush e favorizoj këtë gjendje ? Dhe, kush  përfitoi nga kjo? Nëse e përcjellim me vëmendje historinë e   përtëhuajsimit tonë ,në këtë rast të shqiptarëve ortodoks, do të shofim se një rol të madh  e luante fakti pse të tanët nuk e krijuan më herët dhe shumë më herët Kishën Ortodokse Autoqefale  Shqiptare .Një pyetje së cilës duhet dhënë përgjegje heret a vonë.

Deri me ardhjën e turkut e gjerë në shekullin XV-të,nuk kishte shtet serb,nuk kishte organizim të një shteti të mirëfillët serb.

Dëshira dhe instikti i të mbijetuarit më tepër si ortodoks se sa si shqiptar, u favorizua shumë me ardhjen e turkut, sepse ne nje moment historik, gjate kohes se ‘clirimtareve’ otoman, popullata jone, ka pasur vetem dy mundesi: te mbetet ortodoks, ose te sllavizohet ose te islamizohet, ‘turqizohet’ , qe kinse te shpetoj nga sllavizimi.(f.m.).Lindi një marrëveshje e re në mes të Kishës Ortodokse të Konstantinopojës dhe të Osmanlijëve : “ Ose Turk ose Ortodoks”. Për katolikët nuk kishte vend. Por edhe për shqiptarët në përgjithësi nuk kishte vend ,në ato rrethana të reja. Kështu filloi shkarja edhe më e madhe…..

Shqiptarët ishin gjithmonë halë në sy për pushtuesit sllav dhe osman .Në fillim ndarës e më vonë në bashkëpunim i kushtëzonin shqiptarët që të kalojnë në serb-ortodoks ose në musliman-turk . Metodat ishin nga më të ndryshmet , nga ato të dhunës e të vrasjeve e deri në ato të joshjeve të posteve dhe të pasurisë.Historia jonë është e gjatë. Historikisht i kemi mbushur fronet mbretërore që nga romakët me perandorë , te sllavët me Cara dhe Krala,te  turqit me vezirë , pashallarë e sadri azema.

Pra si thashë edhe më lartë , me ardhjen e turkut u hapën dy dyer të ikjes ,dy dyer të shkuljes nga trungu shqiptarë. Njëra nëpërmjet ortodoksizmit në shkije e më vonë në Serb ; e tjetra nëpërmjet muslimanizimit ,në muslimanë e vonë turqë. Në arën tonë të historisë është lëvruar shumë,është lëvruar që nga parmenda ,pllugu i tërhekur me buaj e deri te mjetet më moderne e lëvrimit;  lëvruesit e kanë mbjellur farën e tyre në tokën tonë sipas dëshirës së tyre dhe ne kemi “dalur” ashtu si e kanë dëshiruar ata.

Fryti historik i kohës së caktuar ka qenë gjithmonë i klonuar sipas dëshirës së të tjerëve e aspak e as një fije nuk i ka ngjarë  të vërtetës.Historia ,e më këte edhe e vërteta është mëshefur.

Pra rrethanat favorizuese për ikjen e shqiptarëve ortodoks nga trungu i tyre ishte turku dhe mencuria e popave të kishës serbe, të cilë ishin promotorët e krijimit të shtetit serb. Zatën ,edhe sot sikur Kisha Serbe të pranonte të vërtetën historike të tyre ,gjërat kishin për të shkuar në rrjedhën e saj natyrore.

Serbiaduhet ose  të heshtë ose të pranon të vërtetën e krijuesve të shtetit të tyre

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Pse Serbia duhet te heshte

ÇNDERIMI I FEMRËS SHQIPËTARE, SI ARMË LUFTARAKE, PSIKOLOGJIKE DHE E GENOCIDIT

July 27, 2013 by dgreca

ÇNDERIMI  I  FEMRËS  SHQIPËTARE, SI ARMË LUFTARAKE, PSIKOLOGJIKE DHE E GENOCIDIT KUNDËR POPULLIT SHQIPËTAR, NË  KOHË TË LUFTËS  DHE TË PAQES/

Duhet të vdesin disa gjenerata të shqiptarëve, që të harrohen ato, çfarë kanë bërë serbët ndaj tyre.” – ”Radniçke novine”, Beograd 22 tetor 1913./

 Shkruan: Fatbardha Demi/

Historikisht, çnderimi  i femrave gjatë luftrave pushtuese, quhej si një “trofe” dhe “e drejtë” e fituesit dhe kështu është trajtuar deri në kohët moderne. “Pavarsisht provave të dhunës seksuale gjatë Luftës së II Botërore -shprehet Anne Marie de Brower, studiuese në  Universitetin e Tilburgut në Norvegji – mungesa e dëshirës për të dënuar këtë lloj krimi, çoi në mos ndjekjen e autorëve në Proçesin e Nurenbergut” (1)

Të njejtin fakt e pohon edhe gjyqtari Richard Goldston, prokuror në Gjykatën Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, se “për krimin e përdhunimit, komuniteti ndërkombëtar nuk ka qenë kurrë i interesuar” (2)

Megjithatë që në vitin 1948, dhunimi i femrave gjatë konflikteve të armatosura, u përfshi në krimin e genocidit (“Konventa mbi parandalimin e krimit të genocidit” e Asamblesë së Përgjithshme të OKB më 1948). Në kreun e tretë të kësaj Konvente (pika “d” dhe “e”) si krime të genocidit përfshihej edhe bashkëpunimi dhe tentativa për genocid.  ( 3)

Në deklarimet e përfaqësuesve të politikës dhe në masmedia, këmbengulet se me krijimin dhe pasurimin e institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare me ligje dhe masa të shumta kundër llojeve të ndryshme të krimit, në shekullin që lamë pas, shoqëria europiane është zhvilluar drejt një botkuptimi më humanitar.

Por sipas Zyrës së statistikave të OKB (v.2000) dëshmohet se në shekullin e 20-të, ndërsa në Luftën e I Botërore  vetëm 5% ishin viktima nga popullsia civile, në Luftën e II Botërore arriti në masën 52%  dhe në vitin 1991,  90% e viktimave ishin nga popullsia që nuk ishte palë e luftimeve. (4)

Gjithashtu vihet re se, përshkallëzim nuk kanë patur vetëm numri i viktimave civile, por edhe shtimi i llojeve dhe egërsisë së krimeve, krahasuar me të gjtha epokat e historisë njerëzore. Për këtë arësye, studiuesit, shekullin e 20-të e kanë përkufizuar “shekulli i genocideve”.(5)  

Vërtetësinë e këtij fakti e dëshmoi veprimtarija e ish-shtetit Jugosllav, i cili e mbylli këtë fund shekull me një genocid të përgjakshëm ku 80% të viktimave civile në Kosovë ishin femrat dhe femijët. (6)

Shoqëria moderne europiane dhe botërore, pati mundësi të shikojë, se deri në ç’shkallë degradimi njerëzor, mund të arrijë një shtet dhe një popull. Them “mundësi” sepse, në opinionin europian dhe atë botëror, shumë pak u bë e njohur ajo çka ndodhi, sidomos mbi femrat shqipetare.  Dëshmitë e viktimave të gjallë (por edhe të vdekur dhe të zhdukur) faktojne se edhe pas 68 vjetëve të kapitullimit të nazizmit, rrënjet ideollogjike dhe institucionale të tij, vazhdojnë të mbijetojnë në Europën e shekullit të 21.

 

Kosova dëshmon:

R.N. nga Prishtina, në mbarim të luftës, ështe gjetur e lidhur, në lokalin e Fakultetit Juridik. Ajo kujton : “Njëri prej milicëve më ra me shuplakë dhe menjëherë më pëlciti gjaku nga buzët e shkrumuara. Tjetri vuri gishtin te buzët e mia, e ngjyu me gjak dhe tha: “Siç duket të gjithë shqiptarët e kanë gjakun e ëmbël dhe unë me këtë thikë do t’i shijoj të gjitha…Unë, Nenad Stojanoviq, do të ta lë një kujtim për tërë jetën. Ma afroi cigaren te gjitë e mi dhe e fiku atje. Mbi një paketë ka shuar në trupin tim për disa orë… Nuk e di se sa burra kanë luajtur me trupin tim,ende sot, kam  me qindra plagë cigaresh dhe thike. (7)

Ahmet Grajqevci (kryetar i shoqatës për hetimin e krimeve gjatë luftës dhe personave të zhdukur 1998-1999.): Në objektet e fabrikave, nëpër shtëpija, oborre, në spitalin e Prishtinës janë bërë vrasje, përdhunime dhe deshimtarët flasin edhe për autopsi të njerëzve të gjallë. Më 27.03.1999 Servete Halimaj nga fshati Shkabaj Dardhiç, shtatzanë me dy binjakë, kishte lindur femijën e parë dhe ja kishin vënë emrin Fitore. Në këtë kohë hyjnë kriminelët për t’i dëbuar dhe e shohin se ishte gjatë lindjes dhe i thonë se nuk ke për ta lindur… Ajo u përgjegj se do të lindin motrat e mija… trupin e saj e gjetëm të masakruar me duar të këputura. Ne nuk dimë se çu bë me binjakët. (8)

Më 25 janar 2001, në një transmetim radiofonik të një dokumentari në Radion Publike Nacionale të Shteteve të Bashkuara, të titulluar “Fshehja e krimit”, tregohej se forcat serbe e jugosllave transportonin në mënyrë sistematike trupat e shqiptarëve të vrarë në kompleksin e minierave të Trepçës pranë Mitrovicës, ku shndërroheshin në hí. Sipas raportit që citonte luftëtarë serbë dhe “një zyrtar të informuar mirë të shërbimeve sekrete serbe”, në Trepçë ishin kremuar 1 200- 1 500 kufoma… Burra të dyshuar për lidhje me UÇK-në, vriteshin aty për aty. Një dyshim i tillë mund të bazohej ndonjëherë thjesht tek fakti, që dikush kish moshën e një luftëtari. (19)

Shaip Vrellaku i zënë rob nga forcat sërbe pohon: “Me sytë e mi pashë policin duke i djegur vajzat që i kishin dhunuar në stacionin e trenit në Gllogoc. Edhe sot i dëgjoj ato britma të tmerrshme dhe trishtuese të vajzave që digjeshin.   (10)

 

Përse dhunimi seksual i femrave shqipëtare është akti më i rëndë kriminal, i luftës së Kosovës ?

Së pari: Sepse ky akt i forcave sërbe, nuk ka qenë i vetmi i ushtruar mbi viktimat, por i shoqëruar me krime të tjera të emërtuara dhe të dënuara nga Konventat Ndërkombëtare si ”Krime Lufte” dhe “Krim kundër Njerëzimit”. Për këtë arësye, autorët, ideatorët dhe bashkëpunëtorët në krimin e dhunimit seksual, duhet jo vetëm të trajtohen në kuadrin e krimeve të luftës, por të kenë peshën më të madhe të dënimit, për nga qëllimi dhe mënyra e kryerjes së tij.

Së dyti: Ka shërbyer si një mjet lufte gjatë kohës së konfliktit.  Ngjarjet e ndodhura në Kosovë dëshmuan se perdhunimi i femrave u përdor si një nga armët e çfarosjes dhe të zbimit masiv të popullsisë civile, e baraz-vlefshme me armatimin ushtarak,  kimik dhe të llojeve të tjera. Angela Minzoni-Deroche e emërton “një mënyrë e luftimit” (11).

Edhe Organizata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (Amnesty International) ka pohuar se dhuna seksuale sot përdoret me paramendim, si strategji ushtarake, në krahasim me të njejtat raste të shekujve të kaluar (12)

Siç u dëshmua edhe në Bosnjë, dhuna seksuale gjatë konfliktit të armatosur ishte urdhëruar nga komanda sërbe si pjesë e strategjisë së spastrimit etnik, për ta detyruar popullsinë të largohej nga vendi dhe banesat e tyre. (13)

Kriminelët serbë, shfrytëzuan dhunën seksuale dhe vrasjen e viktimave, deri edhe për të helmuar ujin e puseve “Në një fshat të rajonit të Drenicës u përdhunuan, u vranë e u hodhën në pus tetë gra. (14)

Së treti: Është përdorur duke patur parasysh pasojat (për të cilat ishte planifikuar) edhe mbas mbarimit të luftës. Viktimat (nënat, motrat, vajzat, fêmijet) vazhdojnë të jetojnë me krimin dhe rrjedhojat e tij fizike dhe psiqike. Ato humbasin aftësinë për të jetuar normalisht, duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin mendor dhe fizik edhe të brezit të ardhshëm, rrethit familjar dhe ulin moralin dhe forcën për përballimin e pasojave si dhe vizionin për të ardhmen në shoqërinë ku jetojnë. Duke goditur femrën shqipetare, është goditur jo vetëm Kosova e luftës, por edhe shteti i Kosovës së mbas luftës.

Dhuna seksuale duke qenë një dukuri e njohur e shoqërisë edhe në kohë paqje, janë berë studime të shumta të shkaqeve dhe pasojave të këtij akti kriminal. Studimet kanë treguar se:

-1/3 e viktimave pësojnë depresion të rendë për një periudhë kohore dhe 17% e tyre vetvriten.

-Ruajnë përbrënda revolten dhe përjetojnë ndjenjën e turpit dhe të fajësimit të vetvetes qe i pengon të tregojnë për çka u ka ndodhur e për të marrë ndihmën e nevojshme mjeko-ligjore.

– Çfaqin mungesë dëshire për të vijuar jetën shoqërore dhe ndjejnë vështirësi në punë.

– Kanë probleme të natyrës së marrdhënieve seksuale etj.

Me kalimin e kohës dhe pa ndihmën e nevojshme, pasojat bëhen të pashërueshme si : ankthi, shqetësime në ngrënje, pagjumësi dhe rijetimin e ngjarjes, gjëndje të rëndë shëndetêsore ose sëmundje të natyrës psiqike, turpi dhe frika e përherëshme etj.

Në kohë lufte, dhuna seksuale ka pasoja shumë herë më të rënda se sa në kohë paqeje. Shkaku është se viktima përveç torturimit dhe vrasjes, ka përjetuar shokun e rëndë psikologjik, sepse dhunimi seksual është bërë nga grupe agresorësh, në prani të njerëzve më të afërt dhe të ambjentit ku jeton dhe shpesh i përsëritur në kohë.

Krimi ndaj tyre  është shoqëruar me tragjedinë e vrasjes apo torturimit të fëmijëve dhe familjes së tyre dhe në kushte të vështira të mbijetesës. Për këto pasoja të rënda për njeriun , për herë të parë, Gjykata Ndërkombëtare (për Krimet e luftës në Ruanda në v.1998) dënoi të akuzuarin (Jean-Paul Akayesu) per genocid, në ushtrimin e krimit të dhunës seksuale në kohën e konfliktit të armatosur, me aresyetimin “për shkatërimin shpirtëror dhe deshirës për të jetuar dhe vetë jetës! ” ( 15)

Ahmet Grajqevci dëshmon se çdo femër me të cilën është takuar, në fund i ka thënë: “Më mirë të kisha  vdekur se sa jam gjallë!..Kanë ndodhur shumë vetvrasje mbas lufte” (16)

Çburrërimi i shoqërisë dhe institucioneve shqipetare.

Për shqipetarët, çburrërimi ka lidhje me NDERIN e tij dhe sipas traditës mijëravjeçare “nderi i gruas, është pjesë e nderit të burrit”. (kap. II Kodi penal në Kanun pika b,a, përdhunimi i grave)

Ky kod, që ka drejtuar ndër shekuj Kombin arbër edhe sot na habit me drejtësinë dhe paanshmërinë në shqyrtimin e akteve të dënueshme në fis dhe jashtë tij. Ç’farë dënimi parashikohej në Kanun, për dhunën seksuale ndaj femrës? “Nëse merrej vesh se një grua ishte përdhunuar, përdhunuesi ndiqej dhe dënohej. Herët ose vonë, përdhunuesi duhej të paguante, me gjakun e vet, për aktin e tij” (17)

Dënimi me vdekje, nuk i jepej thjesht për aktin e çastit  të “instiktit mashkullor” të autorit, por për faktin se ishte kryer mbi gruan, motrën dhe vajzën, figura “të shenjta” për shqipetarët.

Sipas studiuesit Zef Ahmeti “Pushteti i nderit për shqipetarin ishte mbi pushtetin e faltores dhe të shtetit…Nderi bën shtëpinë, thuhet në Kanun…”. (po aty)

Përse sot e akuzoj (pa përgjithësuar) shoqërinë e shqipetarëve të Kosovës për “çburrërim”? Sepse sot, ata e përbuzën dhe e braktisën traditën mijëravjeçare “të nderit të burrit”, por dhe idealin e “humanizmit” që udhëheq shoqëritë më të përparuara europiane. Ata braktisën edhe nënën e femijëve të tyre, motrën, të afërmit femra dhe në përgjithësi, femrat, viktima të krimit seksual të hordhive sërbe dhe bashkepunëtorëve të tyre.

Si është e mundur, që një shoqëri e cila me shekuj e ka ndjerë genocidin, përbuzjen dhe mohimin e një jetese dinjitoze mbi kurriz, tani që e gezon lirinë qytetare, të përbuzë viktimat femra të një gjaku ?

Veprimtarja e palodhur në ndihmë të viktimave të dhunës seksuale, Behide Hasanaj, më ka dërguar një dëshmi tronditëse të njerës prej tyre : « Jam dhunuar nga forcat sërbe tre ditë me rradhë, motra ime po ashtu. Pasi na kishin dëbuar nga shtepitë tona, na grabitën nga kolona me shumë femra të tjera…Sa herë që kundërshtonim dhe mbroheshim, na hiqnin dhëmbët dhe thonjtë, një e nga një. Na detyronin të qeshnim me zor, na prisnin trupin me thikë dhe na kërcënonin se do të na nxirrnin sytë. Na kanë masakruar për së gjalli, si asht ma zi. Na kanë prerë kraharor dhe gjinj…Ah medet, që nuk kemi kujt me i besu, me kënd me fol. Kush do të na ndihmonte? Kush do të na përkrahte? Kush do të na kuptonte?! (dërguar dt 20.07.2013 nga Behide Hasanaj)

Kur i them Behides se më mjaftojnë dëshmitë që më ka dërguar, ajo më lutet “ prit, prit dëgjoje edhe këtë…edhe këtë tjetrën, kam aq shumë rrëfime që gratë i mbajnë përbrënda zemrës. Nuk ta merr mëndja se ç’farë kanë hequr dhe sot kurkush nuk i dëgjon, as nuk i sheh”.

Vetëm Organizata Joqeveritare e Gruas “Jeta në Kastriot”, e drejtuar nga Luljeta Selimi, ka nën përkujdesje 2 016 femra shqiptare, të përdhunuara nga forcat serbe. Njëqind e njëzet e katër (124) prej tyre kanë plagë të dukshme në trup (gjinj të prerë, gishtërinj të këputur, nëntë janë me nga një sy të nxjerrë dhe gjashtëmbëdhjetë me plagë të hapura në fytyrë), të cilat janë në gjendje të rëndë shëndetësore e psikike.  ( 18)

Në emisionin « Në kërkim…» emisioni 13, mars 2013, Nazlie Bala, aktiviste për të drejtat e grave prej 23 vitesh, pohon se “të gjitha institucionet i kanë patur dyert e mbyllura për këtë krim edhe pse viktimat janë të gjalla midis nesh. Vetë udhëheqësit e Shtetit të Kosovës e kanë trajtuar si turp”.

“Nderi-thekson studiuesi Zef Ahmeti-në të drejtën zakonore shqiptare është e kundërta e turpit. Po të krahasohen “zonat” e nderit dhe të turpit në kanun, del se hapësira e nderit ka qenë shumë e ngushtë dhe brenda kësaj hapësire njeriu shqiptar duhej të krijonte individualitetin e tij. Kjo sepse Kanuni përmban një varg të gjatë ndalimesh e tabush, që e mbronin njeriun prej “zonës së turpit”.  Një shoqëri, që është indiferente ndaj viktimave femra të dhunës seksuale, që nuk i dënon  autorët sipas ligjeve, jo më të Kanunit, por të shtetit të tyre dhe Gjykatave ndërkombëtare, që i shikon mosperfillëse se si vuajnë për mbijetesë, që nuk e vlerëson aktin e tyre heroik të përjetimit të krimit më të rënde të luftës dhe këmbenguljen për t’iu kthyer jetës normale, një shoqëri e tillë ndodhet pikërisht “NË ZONËN E TURPIT”!

Këtë fakt e dëshmojnë rastet e femrave të dhunuara seksualisht gjatë luftës në Kosovë, që jetojnë në vendet perëndimore. Si është e mundur që tek të huajt, kanë gjetur respektin ,vlerësimin dhe mbështetjen e gjithanëshme, ndërkohë që ju mohua nga familjarët (pa përgjithësuar), rrethi shoqëror dhe sidomos nga Institucionet e një shteti për të cilin ato “paguan” më shtrenjtë se bashkombasit e tyre meshkuj?

Ahmet Grajqevci: une e kam ngritur në qeveri. Pse nuk formohet një qendër me psikologë që të merren me këto raste, ne në Mitrovicë e kemi një qendër të tillë, me buxhet të vogël me sallë leximi, ngrënie. Asnjëherë nuk ka vajtur kush ta shikojë. Shokët më thonë : Leje këtë punë se s’duhet të merresh me këtë. Ata harrojnë se në karrigen që ulen ,është gjaku dhe eshtrat e viktimave… (19)

Juristja Sadie Bekiçi e revoltuar shprehet: “Në rast se bota mashkullore: burrat, baballarët vëllezërit tanë, nuk mundej të na mbrojnë nga përdhunimet gjatë luftës, si nuk po mund me na mbrojtë pas luftës?”   (20)

Turpi dhe papërgjegjshmëria më e madhe, që çfaqet sot në shoqërinë kosovare është FSHEHJA e krimit.  Ky veprim godet shëndetin fizik dhe psiqik të viktimës femër, sepse nuk i mundëson marrjen e ndihmës së gjithanshme, pa të cilën pasojat “pastraumatike” siç theksojnë mjekët, bëhen më të rënda dhe të pashërueshme. Heshtja, i lë të lirë autorët të cilët shoqëria moderne i shikon si rrezik të mundshëm për përsëritjen e akteve të tilla kriminale. Fshehja e krimit të dhunës seksuale e bazuar në një pseudo-moral të sëmure, të shoqërisë shqipetare dhe të Institucioneve të shtetit të Kosovës, nuk ka asnjë lidhje me Kanunin, ku dënohej autori dhe jo viktima.

Në mënyre të pandergjegjëshme i bën bashkë-punëtorë të strategjisë së makinës ushtarake sërbe të kohës së luftës, për të goditur popullin shqipetar dhe shtetin e Kosovës, mbas mbarimit të saj. Po aq armiqësor, ndaj viktimave shqipetare, është veprimi i mos përfshirjes në dokumentacionin për krimet e luftës, nga ana e Institutit të ngritur për këtë qëllim, të krimeve të dhunës seksuale për të cilat kanë patur dijeni edhe Shtetet perëndimore.

Njoftime për ekzistencën e kampeve të përdhunimit në Kosovë janë dhënë qysh gjatë ditëve të luftës nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria Britanike dhe NATO.(21)

Heshtet jo vetëm për dhunimin seksual të femrave shqipetare gjatë luftës, por nuk përmëndet  as ay i meshkujve. Në një studim të Lara Stemple ( 2009). (“Male Rape and Human Rights”. Hastings Law Journal 60 (3): 605. URL consultato in data 17 luglio 2011.) dëshmohet se 80% e të burgosurve meshkuj në kampet e Sarajevës janë dhunuar apo torturuar seksualisht. Autorja shprehet se “mungesa e vëmëndjes kundrejt abuzimeve seksuale të meshkujve gjatë konflikteve , është veçanrisht shqetësuese, për një dukuri shumë të përhapur”(22)

Pra nuk kish si të ishin kursyer as meshkujt shqipetarë, nga një ushtri që kishte humbur çdo tipar njerëzor. Është akt burrëror dhe në nderin e çdo shqipetari (femër apo mashkull), të dëshmojë aktet kriminale që përjetuan mbi trupin e tyre apo si dëshimtarë të këtyre akteve, për të bërë të mundur dënimin e autorëve, në emër edhe të atyre që sot nuk janë më gjallë apo të zhdukur pa lënë gjurmë.

Si pasojë e mosangazhimit nga ana e Institucioneve shtetërore të Kosovës, e sidomos të Republikës së Shqipërisë, anëtare e OKB-së dhe nënshkruese e Konventave për të drejtat e minoriteteve dhe mbi Krimet e Luftës, Organizmat ndërkombëtare nuk e njohin si Genocid (ku përfshihet edhe dhuna seksuale), krimet mbi popullsinë shqipetare në Kosove. Ky genocid mbi shqipetarët është ushtruar jo vetëm gjatë luftës së fundit të përgjakshme të shovenizmit serb(1989-1999), por gjatë të gjithë shekullit 20, në hapsirën e pesë shteteve ballkanike.

Sot në planin juridik, nga organizmat ndërkombetare të OKB-së, janë pranuar si genocide të shk.20 vetëm: masakrimi i popullsisë armeniane nga Perandoria Otomane(1915–1916), spastrimi etnik i çeçenëve urdhëruar nga Stalini(1944) i çifutëve nga nazistët (1945), i popullsisë tutsis në Ruanda 1994, popullsisë mysylmane në Serbrenicë, nga shteti Jugosllav (2004) (Génocide-Wikipedia).

Ja përse nuk duhet heshtur! Gjaku i derdhur gjatë shk.20-të, akti i fundit i të cilit u zhvillua në Kosovë DUHET TË NJIHET nga opinioni botëror.

Një femër e dhunuar gjatë luftës në Kosovë është martire e forcave të errëta dhe kriminale, që vijojnë të  kërcënojnë dhe të rrezikojnë ardhmërinë paqësore të Ballkanit.  Që të mos përsëriten krimet e shkuara dhe të sigurohet jetesa paqësore ndërmjet popujve, duhen dënuar ideatorët, hartuesit dhe zbatuesit e strategjisë së çfarosjes dhe racizmit.

Këtë “pushtet të Zeusit” e ka  në dorë Gjykata.

Krimet e Luftës në Kosovë dhe Gjykata Ndërkombëtare

Them “Gjykata Ndërkombëtare” sepse faktikisht në biografinë 14 vjeçare të Shtetit të Kosovës, për mirë apo për keq, vulën e kanë ndërkombëtaret. Nuk besoj se ka një popull aq mirënjohës, për ndihmën e dhënë nga forcat ushtarake të huaja, se sa shqipetarët. Kjo mirënjohje sipas traditës, do të përcillet brez pas brezi dhe do të zerë një vend të shënuar në historinë e Kombit tonë, për faktin, se ishte hera e parë, gjatë dy shekujve që kaluan, që në përpjekjet e tij kundër pushtuesve pati ndihmën e Fuqive të Mëdha.

Besoj gjithashtu, se nuk ka shprehje më domethënëse, se deri ku i kishte vajtur « thika në kockë » këtij populli, se sa kur pranoi edhe sakrifikimin e bashkë-kombësve civil gjatë bombardimeve të NATO-s. Siç është nënvizuar në një raport të Human Rights Watch të shkurtit të vitit 2000, të titulluar “Vdekjet e Civilëve gjatë Fushatës Ajrore të NATO-s”, bombardimi i NATO-s shkaktoi në të gjithë Jugosllavinë rreth 500 viktima civile. 55-60% e këtyre viktimave ishin kosovarë (23)

Të gjitha sakrificat, shqipetarët i kanë pranuar me krenari, vetëm e vetëm për të patur po ato të drejta dhe po atë liri që i gezojnë popujt e tjerë europianë. Në emër të këtyre « Të Drejtave të Njeriut » shqipetarët kërkojnë dënimin e autorëve, si për çdo vepër kriminale kundër jetës së njeriut (ku përfshihet edhe krimi i dhunës seksuale), një kërkesë që qëndron në themel të çdo Kushtetute të vendeve të BE-së.  Sot , si populli dhe viktimat shqipetare që i mbijetuan luftës së përgjakshme, ashtu edhe analistët ndërkombëtare, pranojnë se në këtë drejtim, sistemi gjyqësor në shtetin e Kosovës ka dështuar.  Njerëzit e ligjit dhe analistë të ndryshëm rradhisin një serë shkaqesh administrative, politike dhe të rrethanave të kohës.

Me qenëse tema që po trajtoj, lidhet me dukurinë më të rendë në Europë, që pas Luftës së Dyte Boterore, pa u zgjatur po përqëndrohem tek Raporti « Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë »(Dok. 12462,  7 janar 2011) i prokurorit Dik Marty, në emër të Komitetit të Çështjeve Juridike dhe i të Drejtave të Njeriut.

Përse ky raport përfaqëson dështimin e drejtësisë në Kosovë dhe rrjedhimisht mosdënimin  (ndërmjet krimeve të tjera) të dhunës seksuale mbi femrat shqipetare, duke patur parasysh përmasat dhe pasojat e këtij krimi?  Sepse ky dokument ligjor i një Institucioni Ndërkombëtar, pasqyron disa tendenca në qëndrimin, veprimtarinë dhe ideollogjinë europiane ndaj “Çështjes shqipetare”, që  udhëhoqi veprimtarinë e gjyqësorit në Kosovë, nëpërmjet UMNIK-ut dhe sot EULEX-it.

Nuk e di, se si një sallë e mbushur me politikanë dhe përfaqësues shtetërorë të vendeve më të zhvilluara europiane, kanë pranuar të dëgjojnë një raport të bazuar mbi një platformë ideollogjike raciste për shtetin e Kosovës, Ushtrinë e saj çlirimtare dhe panoramën e ngjarjeve gjatë luftës. Siç dëshmon edhe vetë prokurori Dik Marty, nisma e tij mori shkas nga botimi i “kujtimeve” të ish Kryeprokurores së Gjykatës Ndërombëtare për krimet e luftës në ish Jugosllavi (GJPNIJ), Carla del Ponte (“La caccia – Io e i criminali di guerra”, prill 2008) mbi “trafikun e organeve” të robërve serbë.

Mbasi vë ne dukje “gabimin” e bombardimeve te NATOS, akuzon se: “përpjekjet për të nxjerrë në dukje faktet dhe për të ndëshkuar krimet e luftës ishin përqendruar sidomos në një drejtim, duke u mbështetur në prezumimin e nënkuptuar se njëra palë ishte viktimat, dhe pala tjetër, xhelatët”.

Sipas kësaj llogjike të prokurorit ndërkombëtar edhe Gjykata e Nurembergut, që gjykoi krimet e nazizmit, paska punuar padrejtësisht “vetëm në një drejtim” në dënimin e krimeve të nazistëve. Sepse nuk duket asnjë ndryshim në mes të këtyre dy agresioneve, si për nga qëllimi, mjetet e përdorura dhe rrjedhojave të tyre, përveç hapsirës gjeografike dhe konfliktit brënda një bashkësie politike shtetesh, nën emrin “Jugosllavi”.

Ku janë shkeljet e zotit Dik Marty?

Së pari: Sipas prokurorit: “GJPNIJ kishte kompetencë për ndjekje e gjykim të krimeve të kryera deri në qershor 1999. Veprimet me të cilat po merremi sot, pretendohet të kenë ndodhur sidomos duke filluar nga vera e vitit 1999”. Pra pjesa më e madhe e “akuzave” të përfshira në Raport, nuk mund të përcaktohen si “krime lufte” por “krime në kohë paqje”, të një organizmi shtetëror shqipetar nën mbikqyrjen e ndërkombëtarëve. Kjo “ngatëresë” në dallimin e periudhave kohore të kryerjes së “krimimeve” nga prokurori , i hap rrugën për ta fryrë raportin e tij me të gjitha aktet e kriminalitetit që sundojnë edhe sot e kësaj dite, jo vetëm në vëndet ballkanike, por edhe në ato europiane edhe më gjerë si, korupsioni, trafiku i njerezve dhe punëtoreve të seksit, pasurimi kriminal, aktiviteti mafjoz, vrasjet politike, etj.

Në Raportin special paraqitur në Këshillin e Europës (17.05.2013) « Mbi kriminalitetin e organizuar, korrupsionin dhe riciklimin e parave” (A7-0175/2013 – Salvatore Lacolino)

vërehet se 74% të qytetarëve (të BE-së) e quajnë korupsionin problemin themelor të vendit të tyre, po kështu edhe në nivel ndërkombëtar dhe se dukuri të korupsionit vërehen në të gjithë sektorët e shoqërisë… (24) Veprimet e një grupi individësh (qofshin edhe me biografi luftarake) nuk mund të kriminalizojnë një luftë heroike, të një populli të skllavëruar.

Ironija, disinformimi dhe përbuzja e prokurorit D.Marty, ndihen gjatë të gjthë “historikut” mbi luftën e UÇK-së, ku luftetarët, si “ushtarë   për kauzën e një atdheu nuk përbënin detyrimisht shumicën”, Adem Jashari “komandanti fshatar i UÇK-së”, “Shumë rekrutë që përbënin një ushtri fshatare… kanë kaluar në Kosovë armë kontrabande”, “kjo formë fillestare e UÇKsë mori fund përfundimisht dhe hyri në folklor si një shprehje romantike për çlirimin e Kosovës”, “se strukturat e njësive të UÇK-së i ishin përshtatur… një tërësi rregullash të njohura nën emrin kanun”, etj…

Dallimi midis popujve “të zhvilluar, të qytetruar dhe të fortë ushtarakisht” dhe popujve “të pazhvilluar-fshatar ” qëndron në themel të tezave raciste.

Së dyti: Përse për të gjithë të zhdukurit e etnisë sërbe fajësohet  UÇK-ja? Në Dosjen “Pandora” dëshmohen emrat e personave që kanë urdhëruar komandot (kriminale) për eliminimin e kundërshtarëve (shqipetarë) por edhe të bashkëpunëtorëve të tyre serbë… (25)

Së treti: Përse zoti D.Marty nuk ka marrë mundimin të interesohet për vijimin e genocidit sërb edhe mbas luftës në Kosovë, me qënëse pretendon një drejtësi ndërkombëtare “për të gjithë kriminelët”, por ka preferuar ta mbaje drejtimin e “rrufeve ndëshkuese të Zeusit” nga ana shqipetare, mbi të cilën vijon edhe sot genocidi i luftës? Në Kosovën e pasluftës, ka dokumentacion të bollshëm për fakte të kësaj natyre.

Dosja “Pandora”, që mban datën 14 mars të vitit 2006 përshkruan skemën e funksionimit të policisë serbe (MUP) që vepron sot në Kosovë,  e cila përbëhet dhe udhëhiqet nga të njëjtit persona, të cilëve dokumentet konfidenciale të NATO-s iu referohen si kriminelë, kapo të bandave dhe të krimit të organizuar në veri të Kosovës, që prej përfundimit të luftës, në vitin 1999.

Menjëherë mbas luftës, ndërmjet natës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, 10 shqiptarë u vranë prej pjesëtarëve të formacioneve serbe, kurse 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 persona u dëbuan dhunshëm nga banesat e tyre në veri të Mitrovicës. (26)

Për këto vrasje dhe spastrim etnik, nuk është bërë asnjë proçes gjyqësor vendor apo nderkombëtar. Habija më e madhe qëndron në faktin se – siç pohon Halit Barani, shefi i KDMLNJ (Këshillit të së Drejtave dhe Mbrojtjes së Lirisë së Njeriut) në Mitrovicë – të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe të policisë ndërkombëtare. “Prej kujt mund të presim që t’i kryejnë hetimet, kur ata vetë nuk bëjnë asgjë që t’i parandalonin këto vrasje ?” pyet Barani. (po aty).

Së katërti: Përse prokurori për hir të “drejtësise për të dënuar krimin” nuk përfshin në raportin e tij, genocidin e shtetit të ish Jugosllavisë të viteve 1981- 1989? Lufta e përgjakshme e 1989-99 qe vëtem akti final i veprimtarise shtetërore sërbe kundër popullsisë shqipetare. A nuk u bë helmimi i mijëra fëmijëve shqipetarë me gaz helmues luftarak, pa përmendur aktet e tjera të dhunës dhe genocidit?

Së pesti: Për akuzën e “gjuetisë ndaj tradhëtarëve” dua t’i kujtoj prokurorit ndërkombëtar, një shprehje të Krishtit në Testamentin e Ri. Kur turma donte ta vriste me gurrë, një grua të akuzuar për shkelje të nderit, ai ju drejtua me këto fjalë: “Kush nga ju nuk ka asnjë mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj”  (Giovanni 8,7) (27)

Le të na binde prokurori me fakte, se gjatë Luftës së II Botërore dhe pas mbarimit të saj, partizanët dhe populli francez, italian, rusë dhe të vendeve të tjera, nuk kanë vrarë dhe nuk  janë hakmarrë ndaj agresorëve që i kishin lyer duart me gjak dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendës.

Nuk po zgjatem më tej, sepse nuk është qëllimi i këtij shkrimi analiza e plotë e Raportit të Prokurorit ndërkombetar Dik Marty dhe as e “analizave” të pseudo-intelektualëve shqipetarë dhe shkrimeve në medjan e huaj, që zhurmojnë (“për hir të së vërtetës”!!!) në mbështetje të mendimeve të tij.

Duket sikur i jam larguar temës, por në fakt, ky Raport i Prokurorit Ndërkombëtar, dëshmon se nje ideollogji raciste që ju imponohet organeve të drejtësisë, nuk mund të dënonte autorët serbë për krimet çnjerëzore të dhunës seksuale.

Luljeta Selimi në librin e saj ”Rrëfimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë” pohon: Unë i kuptoj kosovarët pse nuk flasin, nuk shkruajnë dhe nuk bëjnë gati asgjë për ti zbuluar dhunimet! Por nuk i kuptoj ndërkombëtarët që veprojnë ne Kosovë dhe e di se marrin donacione të majme për këtë punë dhe nuk bëjnë asgjë as për ti zbuluar dhunuesit e as për ti ndihmuar femrat e dhunuara…

Arsyeja tjetër që me shtyri ta botoj këtë libër me rrefime tronditëse të disa femrave të dhunuara është sjellja e palejueshme e ayre që janë të thirrur të bëjnë diçka në këtë drejtim! Ata sillen sikur këtu nuk kanë ndodhur as luftë, as vrasje, as djegie e plackitje as dhunime, as asgjë prej gjëjë. Ose edhe më keq, sillen sikur dhunimet kanë ndodhur diku tjeter, e jo këtu, para syve tanë dhe të botës!!! (28)

(Shkrimi i pjerët në tekst u përket pjesëve të marra nga Raporti i D.Marty)

 1- Anne-Marie de Brouwer, Supranational Criminal Prosecution of Sexual Violence, Intersentia, 2005, 5–7. ISBN 9050955339,  it.wikipedia.org/wiki/Stupri_di_guerra‎

2- Simons, Marlise -giugno 1996. “For first time, Court Defines Rape as War Crime” it.wikipedia.org/wiki/Stupri_di_guerra‎

3- Prevent Genocide International info@preventgenocide.org

4- “Tratto da The world’s women 2000. Trends and statistics”, a cura dell’Ufficio statistico delle Nazioni Unite, New York 2000. Versione italiana a cura della Commissione nazionale per la parità e le pari opportunità.

5- it.wikipedia.org/wiki/Genocidio‎

6- “Tratto da The world’s women 2000. Trends and statistics”, a cura dell’Ufficio statistico delle Nazioni Unite, New York 2000.

7- www.pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=139‎

8- “Ne kerkim…”Episodi 16 TV Kosova

9- [PDF] Michael S. Miller – Human Rights Watchwww.hrw.org/sites/default/files/reports/Under_Orders_Al_Combined.pdf)

10- 22. 05. 2013 pashtriku – krimet – fetntete ramosaj: pËrdhunimet si krime lufte www.pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1630‎)

11- Angela Minzoni – Deroche. Rape as a tactic of war – Advocacy Paper (PDF). Caritas France, novembre 2005

12- Laura Smith-Spark, How did rape become a weapon of war?, BBC News, 8 dicembre 2004. URL consultato in data 28 luglio 2008, it.wikipedia.org/wiki/Stupri_di_guerra‎

13- Human Rights News Bosnia: Landmark Verdicts for Rape, Torture, and Sexual Enslavement: Criminal Tribunal Convicts Bosnian Serbs for Crimes Against Humanity 02/22/01

14- [PDF] Michael S. Miller – Human Rights Watch

www.hrw.org/sites/default/files/reports/Under_Orders_Al_Combined.pdf

15- it.wikipedia.org/wiki/Stupri_di_guerra‎

16- “Ne kerkim…”Episodi 16 TV Kosova

17- “E drejta penale ne Kanunin e Leke Dukagjinit” Zef Ahmeti ,Univ St.Gallen, Zvicer –www.forumishqiptar.com/threads/88484…i…/page9‎

18- 22. 05. 2013 www.pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1630‎

19- “Ne kerkim…”emisioni 16 TV Kosova

20- « Tribuna :Krimet e heshtura te Serbise » e organizuar nga levizja Vetvendosja me rastin e 8 marsit.                                                   http://www.youtube.com/watch?v=1FUhKHNHpzk

21- 22. 05. 2013 pashtriku – krimet – fetntete ramosaj: pËrdhunimet si krime lufte www.pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1630‎

22- Stemple, p. 612. dhe Will Storr, The rape of men, 17 luglio 2011.it.wikipedia.org/wiki/Stupri_di_guerra‎

23- sq.wikibooks.org/wiki/NËN_PUSHTETIN_E…/13‎

24- www.europarl.europa.eu/sides/getDoc.do?type=CRE&reference=20130611&…

25- dosja Pandora pashtriku.org

26- Dokumenti sekret i NATO’s që inkriminon Oliver Ivanoviçit http://www.lajmeshqip.com/

27- La pena di morte  www.raffaellosanzio.ct.it/progettolegalita/2M.pdf · Fichier PDF

28- Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë – videoweb.kosovalbaner.com › Hyrje › Lajmet › Reportazhe)

FUND

Filed Under: Analiza Tagged With: cnderimi i femres, Fatbardha Demi, shqiptare, si arme luftarake

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 967
  • 968
  • 969
  • 970
  • 971
  • …
  • 979
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DASHURIA NDAJ ATDHEUT – THEMEL I NDËRTIMIT DHE ZHVILLIMIT TË SHTETIT
  • THE SPHERE (1929) / HISTORIANI GJERMAN, FRANZ BABINGER : “VIZITA IME TEK DERVISHËT E KRUJËS, NJË KOMUNITET I JASHTËZAKONSHËM…”
  • Njoftim publik nga Shoqata Malësia e Madhe – NY
  • “Gjergj Kastrioti Scholarship Fund”
  • Gazeta “Shqiptari i Italisë”
  • KONSULLATA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË SHTUTTGART SHËNOI DITËN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE PËRURIMIN E HAPËSIRAVE TË REJA TË KONSULLATËS
  • “SKËNDERBEU SHQIPJA QË NDALOI PERANDORINË OTOMANE” E AUTORËVE ITALIANË: ALDO DIOMEDES DHE CLAUDIO DI GIÁ
  • KANDIDAT PËR KËSHILLIN BASHKIAK NË LEWISVILLE, TEXAS, ADRIAN DOKO: “SHQIPTARËT JANË SHEMBULL I INTEGRITETIT, FAMILJES DHE UDHËHEQJES”
  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT