• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROFETËSIA E NANË TEREZËS

July 6, 2013 by dgreca

Rinas 1997-Para çastit të largimit të fundit nga Atdheu Nanë Tereza, u tha gazetarëve në Rinas: “O Zot, hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”…/

* Me daten 23 Qershor 2013…Kryeministri S.Berisha ua dorzoi prap pushtetin komunistëve… me masken “socialiste”… A nuk asht aktuale prap sot lutja e Nanë Terezës:  “O Zot, hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”..?

Nga Fritz RADOVANI/ Melburne/

  Nuk na pelqente me e besue se Shqipnia e Gjergj Kastriotit, siç paralajmonin edhe të tjerë Profetë maparë: “Do të paguente shtrenjtë moskthimin në besimin e të Parëve të vet!” …

Porsa në horizontin e Saj duket një rreze drite që shndritë aty ku errësina nuk na ndahet per sa e sa kohë dhe shpresat fillojnë e ringjallen per një ditë ma të mirë, në qiellin tonë edhe sikur një rê e vetme të duket dikund larg, pa u errë nata fillon vransina, nxihet qielli, veton e bumbullon e nuk të sheh syni tjeter gja veç errsinen shekullore, që e ndjekë Shqipninë tash 545 vjet pa iu nda një çast.

Edhe kur dikush që e ka njoh me kohë një perpjekje të Shqiptarëve, mos me i ra mohit se të jenë jeta identitetit të vet Europjan, do të dalin një tradhëtar me prishë e rrenue gjithshka tue fillue nga gjurmët e para që t’ huejtë dashamirës mundohen me zbulue nder temelet e Tokës sonë.

Mbas ma shumë se 40 vjetësh kur në rruzullin toksor një rrufé kishte goditë një shtet nder ma të vegjlit per vdekje në vitin 1967, dhe Shqipnia “u shpall shteti i parë ateist në Botë”, çka nuk ishte pa e ndigjue nder 20 shekuj mbas Krishtit, një dorë u shtri me na nxjerrë nga balta; ishte dora e një gjermani që shihte ma larg se mund të shohin mjetet ma moderne të teknikës… Ishte Shtrausi! Edhe pse syni i Tij dallonte mirë mjegullen që sillej nder kybet e Kremlinit, me aq kjartësi dallonte në Shqipninë “ateiste” minaren shekullore të Tiranës anadollake, që “nuk ishte shembë” asnjëherë që nga viti 1468, kur Shqipnisë i kishte “vdekë” edhe Ora e Lirisë.

Kush mund t’ ishte perveç “mallkimit”, që ishte kaperthye mbrenda një kenjes së mbrapshtë që me hipokrizinë djallzore të një vrasësi kriminel e gjaksor të vllazenëve të vet, rrefuzoi një të mirë aq të madhe që një personalitet gjerman po i ofronte Shqipnisë së njohun prej shekujsh: “Mbrojtëse e qytetnimit Europjan per 25 vjet nen udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut” ?

– Vetem një perbindsh i quejtun Ramiz Alia, që mbas sa vitësh KGB sovjetike e dekoroi!

Ishte pikrisht ai terrorist që i mbështetun vetem tek krimi, lau me gjakun e Rinisë pafaj të gjitha piramidat e kufinit, të cilat, që në vitin 1944 bashkë me miqtë e tij, shovenistët sllavë nuk i kanë lanë me u tha asnjëherë. Ishte premtimi që Tito i dha Enver Hoxhës, me mbajtë kolltukun që në 1941 dhe me ushtrue atë të mnershmin Gjenocid që nuk asht pa asnjëherë kunder Atdhetarëve pa dallim feje, dhe kryesisht kunder Klerit Katolik Shqiptar dhe Popullsisë së Veriut.

E Populli Shqiptar vazhdonte Kalvarin… Muri i Berlinit ra! Po, na, vazhdonim rrugen tonë.

Me 14 Janari 1990 në Shkoder, demostrata per heqjen e bustit të diktatorit Stalin, shoqnue me disa qinda vetësh të arrestuem, ku kishte edhe shumë vajza të reja, u harrue! U vra dhe u harrue edhe djoloshi Trim Rin Monajka! E pa kalue as shtatë muej në vazhden e vrasjeve nder piramida, u vra një 17 vjeçar Pllumb Pllumbaj, që arkivoli i Tij solli një tjeter revoltë…Po, edhe Ajo u harrue!Anë e kand Shqipnisë, shetiteshin kufomat e të vramëve në kufi të lidhun me tela me ferra dhe, u harruen vrasjet e krimet e njenit prej terroristëve ma të mëdhaj të sunduesëve anadollakë të 47 vjetëve komunizem, tue vorrosë me një ceremoni ushtarake shtetnore gjaksorin perbindsh Ramiz Alia!

Me 14 korrik 1990 asht ky Ramiz Ali që porositë komunistët që po strukeshin si qejtë: “Nuk ka qytet tjetër ku vepron më tepër agjentura e armikut se sa Shkodra. Në Shkodër agjentura vepron shumë e organizuar, e ndërthurur. Atje ka agjenturë serbe, italiane, gjermano-perëndimore dhe franceze. Vatikani ka hedhur agjenturën e vet, prandaj, duhet ndenjur gjithmonë në tension dhe të rritet vigjilenca.”

Shumë interesant! Asnjë agjenturë turke, arabe as sovjetike, agjent i së cilës ishte ai vetë.

Në Shtator 1990 deklaron po anadollaku R. Alia: “Ndodhën ambasadat.  Aty hynë ca debilë.. kush ishin ata që ikën, ç’janë ata në Shkodër që çohen në demonstratë? Po këta nuk dolën tani, ata ishin, se baballarët e tyre nuk ua vramë tani, por ua kemi vrarë për 40 vjet.”

E me paturpësi ky kriminel u quejt “presidenti i parë demokrat”… dhe u vorros me ceremoni të organizueme nga shteti “islamik”, të cilit, i perkiste kufoma e qelbun e tij që me 2 Dhjetor 1992, atëherë, kur Shqipnia u kuadrue nga presidenti Sali Berisha në “Konferencen Islamike”…

Shqipnia e gjysëm miljoni viktima të komunizmit vazhdoi persëri sundimin nga sigurimi i shtetit që per 47 vjet e gjakosi dhe dhunoi me një Gjenocid të panjohun në Europen Lindore!

Po, u harruen edhe krimet e sigurimit të shtetit me bustin e terroristit Sabri Godo!..

Ishte 11 Nandori 1990 që i Madhi Don Simon Jubani, shpartalloi me Ungjillin e Krishtit, perfundimisht prangat e diktaturës në Vorret e Rrëmajit të Shkodres, tue Ringjallë Fenë dhe tue e hapë pa pikë frike Rrugen e Demokracisë në Shqipni, po edhe Ai Hero, vdiq… dhe u harrue!

Erdhi në Shqipni Nanë Tereza, dhe persëriti thanjen e Krishtit: “Dueni armiqët tuej!”, dhe Ajo vetë e para ndezi një qiri tek vorri i luciferrit… “Jo, vllavrasje!” persëriti, sa herë vinte këtu!

Erdhi Papa Gjon Pali II, dhe u ul perballë monumentit Skenderbeut… plot 20 vjet perpara,

Erdhi Ai Burrë, që tha: “Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tem Vëllaznor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashkjetojnë këtu prej shekujsh: Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve, u sjellë një përshëndetje të përzemërt…Kam ardhë për me i shfaqë çdo shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore dhe shpirtnore…

Të dashtun Vëllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen u asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuaj… Ju keni vuajtë për Kombin Tuaj. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë. Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…Drama e Juaj Shqiptarë të dashtun zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Evropian e asht  e domosdoshme që Evropa mos t’ Ju harrojë.

Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë…Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vëllazën. Kështu, që Feja asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një vëllaznim human. Liria  e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës dhe të sektarizmit dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv…

E si mos të kujtojmë tashti një Bijë të zgjedhun  të Popullit Shqiptar, Motren Tereza të Kalkutës, Nanë shumë e vorfën ndër ma të varfërit në Botë? Me zjarrin e Fesë në krahnor Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruan mbrenda Saj hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës shqiptare…

Në emnin tand Popull Shqiptar,po i drejtohëm këtu edhe Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm. Vetëm kështu mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vëllavrasëse të ulta e të pakuptim…” (25 Prill 1993, në Sheshin “Skenderbeu”, Tiranë.)

Nenvizova ata rreshta që Shqiptarët Atdhetarë duhet të mos i harrojnë kurrë!

Ata janë çelsat e “Dyerëve të Europës Demokratike!”që na dhuroi Papa Gjon Pali II.

***

Me daten 23 Qershor 2013…Kryeministri S.Berisha ua dorzoi prap pushtetin komunistëve… me masken “socialiste”…

A nuk asht aktuale prap sot lutja e Nanë Terezës:

“O Zot, hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”..?

 Melbourne, 2013.

Filed Under: Analiza Tagged With: e Nane Terezes, Fritz radovani, profetesia

“HARRESA e MOSMIRATIMIT” TE REZOLUTES ÇAME

July 6, 2013 by dgreca

Nga Sali Bollati/ New York/

Problemi I Çamërisë Shqiptare është problem në rradhë të parë I mbrojtjes së të drejtave të njeriut: njohja e gjuhës, pronës, shtetësisë me të gjitha të drejtat e minoriteteve të miratuara ndërkombëtarisht..Por së pari duhet njohur nga institucionet greke Genocidi I ushtruar ndaj popullësisë së pafajshme Çame që mbas vrasjeve e masakrave u dëbua me dhunë të egër nga shtëpijat e vatrat e tyre etnike më 1944-1945.

Mbasi kombi grek të verë në vend padrejtësitë e ushtruara ndaj kësaj popullësie shqiptare që nga viti 1913 deri në spastrimin etnik të 1944-1945. do të krijohen ura bashkëpunimi dhe respekti reciprok midis fqinjëve që nga lashtësia.
Popullësia Çame në Shqipëri prej mbi 300.000 vetash, nuk kërkon ndryshime të kufijve ekzistues, ajo dëshëron të jetojë në shtëpijat dhe pronat etnike të sajë në miqësi me vëllezërit Çamë të besimit të krishterë dhe të gjithë popullin grek/

Nëpërmjet Parlamenteve dhe qeverive të dy shteteve të miratohen të drejtat e mohuara deri më sot për popullësinë Çame. Kështu do të vihen në zbatim edhe rekomandimet e Këshillit të Europës .
Zbatimi dhe respektimi I të drejtave themelore të njeriut midis fqinjëve do ti tregojë botës mbarë se Ballkani nuk është më një fuçi baruti.
Ashtu siç ka lënë amanetin edhe atdhetari ynë I nderuar F.Zeqiri: Pa lirinë Çame, s’ka qetësi Ballkani!

Nuk me hiqet asnjëherë nga mendja kultivimi i harresës kombëtare në popullin e shumë vuajtur shqiptar të zgjedhës komuniste enveriane
Kur punoja në një zyrë të Bashkisë së New Yorkut, mbaja mbi tavolinën e punës pranë Flamurit Amerikan edhe Flamurin Shqiptar. Vinin bashkëatdhetarë nga Kosova, Dibra ose nga Malësia Shqiptare e Malit Zi, entusiazmoheshin për Flamurin Kuq e Zi por edhe të çuditur më pyesnin se nga cila krahinë Shqiptare jam. Mbasi u tregonja se jam Çam; kur i pyesnja njëkohësisht në se e dinin ku bie Çamëria.
Dhe ata menjëherë përgjigjeshin të pezmatuar se Çamerine Shqiptare e kishte rrembyer greku i pa besë!
Ndërsa kur pyesnja shqiptarë nga Peshkopia, Librazhdi ose Gramshi, ata përgjigjeshin se Çamëria ështê andej nga Përmeti ose Gjirokastra!
Nga do e mësonin se ku shtrihej dhe se kujt I takonte Çamëria Shqiptare??!

Por sot, fatëkeqësisht, nuk çuditem aspak, kur ata me tru të larë nga antishqiptarizmi enverian, veprojnë edhe më keq se në ato kohëra për KËTË PROBLEM MBARËKOMBTAR.

Si mund të shpjegohet “HARRESA e MOSMIRATIMIT” të Rezolutës Çame të 2004 nga Kryetarja e Parlamentit te sotem, z. Jozefina Topalli bashke me kryeministrin z S.Berisha, kur ata së bashku u larguan nga Parlamenti(vetëkuptohet, me rekomandim të Janullatosit)
për të mos e votuar.Dhe pikërisht me mungesën e votave te Topallit e Berishës sëbashku me bashkëpuntorin tuaj të atyre viteve Besnik Mustafajin-

REZOLUTA NUK U MIRATUA??!

Po Kserën e “shkretë”, pse e sollët nga Gjirokastra, nga ku ndodhej shume afër me atë ide që ishte rritur dhe predikonte; dhe e prutë ne Tiranën ku fëmijtë e tij nuk kuptonin gjuhën shqipe. Me gjithëse Ksera ,krahas me pallaçollëqet e tjera, kishte future në listë pagesat e ministrisë “personale alla greke” ,Kalyvatisin -përfaqsuesin e rinisë VE, që s’kishte pse të vinte ne Tiranë sepse ishte I ngarkuar nga ministria “allagreke” të vazhdonte propagandën antishqiptare atje në Athinë??!

Dhe kjo ministri allagreke, edhe mbas humbjes së Kserës, jo për çudi, do i dorëzohet, si në vazhdimësi, grekut tjetër Dhules për të mos humbur lidhjet e krijuara prej dekadash me vëllezërit socialistë grekë. Atyre u jepet “e drejta” të punësojnë aty grekët e papunë

Ore Pari e Tiranës, siç ju thëret z. Sh.Rama, Çamëria është Shqiptare që nga lashtesia, dhe nuk është ndonjë lodër në duart tuaja që në ndryshim nga gjaku në kohën e komunizmit, janë mbushur me paratë, pronat dhe tokat e vjedhura. Dhe Heshtja e juaj konvergon me mohimin grek se sipas tyre Çështja Çame nuk ekziston, kështu qe nuk ju mbetet asgje me shumë se sa të ndiqni predikimet e shën kozmait të sotëm-janullatosit se Greqia vazhdon deri në Shkumbin??!!

Jo më kot,Naimi I Madh e quante

Gluhën Çame si Gluhë Perëndie.

Ndërsa Fan Noli I paharruar shkruante :

Në do bukë e bujari,
Në do Besë e Trimëri,
Shko në Çamëri!

Pra lashtesia e Gjuhes, Bujaria dhe Besa Çame, së bashku me këngët, vallet e kostumet Çame janë nga virtytet më të çmuara të Shqiptarizmës që ne Shqiptarët :

Prej Prevezet (dhe jo nga Priveza-siç e “njeh” berisha) m’Leqe t”Hotit,

Prej Tivari ne Manastir,

Edhe Flamuri I Shqipnise

Si flake mnijet e Perendise

Do t’valvitet ne Kacanik

Amaneti I të pavdekshmit At Gjergj Fishta.

Dhe këto fjalë të arta nuk janë nacionalizma, siç kanë zakon të na quajnë ata që nga fillimi I shtetit shqiptar e coptuan dhe ndanë trojet mijëra vjeçare dhe popullatën shqiptare që jetonte atje duke ja dhënë grekëve dhe serbëve.

Këto janë drejta të pamohueshme, konformë të gjitha legjislacioneve në fuqi, të sajuara dhe të miratuara po nga ato fuqi që e coptuan Shqipërinë mijëra vjeçare të Pirros, Gjin Bue Shpatës, Skënderbeut, Islam Pronjos dhe Marko Boçarit me Nënë Terezën dhe Adem Jasharin.

Dhe për fatin tonë, të mbarë Shqipërisë, PESË DEPUTETËT e PDIU-ATDHETARE, Duhet at gjejnë rrugën e BASHKIMIT me te gjithe ata që jo vetëm e mbajnë vehten, por që janë ME TË VËRTETË ATDHETARË, dhe të nisin rrugën për ta bërë të njohur botërisht këtë problem të ÇAMËRISË SHQIPTARE QË ENDE KULLON GJAK, dhe të kërkojnë ZGJIDHJEN KONFORMË MBROITJES SË TË DREJTAVE TË NJERIUT!

SALI BOLLATI New York, Korrik 2013.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: harresa e mosmiratimit, Sali bollati, te rezolutes came

Pse Naimi ishte kundër “havalës”?

July 6, 2013 by dgreca

Duhet të jemi syhapur dhe të urtë ndaj ndikimeve dhe rrymave radikale fetare/

“Të mbuluarit dhe të mshehurit e fytyrës së gruas s`ka qenë në kohën e profetit, por është shpikur më vonë. Ndalim i madh në përparimin e një kombi”, thoshte Naim Frashëri/

Shkruan: Fahri XHARRA/

Rryma përparimtare që e ka kapluar shoqërinë shqiptare në përgjithësi është aq e fortë, saqë edhe ata që mendojnë ta kthejnë rrotën e historisë prapa, e kanë të kotë. Qysh në vitet e 50`ta të shekullit të kaluar ishte aprovuar Ligji për ndalimin e bartjes së ferexhesë dhe mbulimit të fytyrës së femrës.

 Ndalimi me ligj

Me ligj ndalohej çfarëdo detyrimi apo bindje e femrave për të bartur ferexhe, gjegjësisht për ta mbuluar fytyrën, si dhe çfarëdo mbështetje që i bëhej bartjes së ferexhesë dhe mbulimit të fytyrës. Ndërkaq me punë të dhunshme, para të mëdha, apo burg të gjatë dënoheshin ata që detyronin apo cytnin femrën në diçka të tillë. Fatbardhësisht që këso ligjesh as që janë të nevojshme të propozohen, pasi vetëdija e botës sonë mashkullore dhe emancipimi i femrës shqiptare janë shumë të larta. Kemi kulturën, traditën tonë që e kemi kultivuar brez pas brezi e me gjenerata të tëra. Interesant është të theksohet se edhe Naim Frashëri, një ndër apostujt më të mëdhenj të Shqiptarisë, e ka dashur me zemër të përvëluar përparimin e Shqipërisë dhe lartësimin e kombit shqiptar. Ja se çka kishte shkruar Naimi : “ Të mbuluarit dhe të mshehurit e fytyrës së gruas s`ka qenë në kohën e profetit, por është shpikur më vonë. Ndalim i madh në përparimin e një kombi! Si mund të vë mbroth një komb kur gratë domethënë gjysma e njerzisë rronë e mbyllur si në kuvli? Si mund të jetë i zgjuar një komb pa pasur në vijë jetën e shtëpisë e të fëmisë dhe këto qysh bëhen kur burri rrin veç gruas? Ç`dashuri, ç`arsye mund të
mësojnë e të marrin djemtë në një familje të tillë…Gruaja duhet të jetë më shumë se burri e arsimuar se fëmija së pari e marrin mësimin nga nëna… Gruaja është mëmë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe e krejt njerzisë.” Një nga të mbeturat më të shëmtuara të botës së vjetër është pa dyshim ferexheja që mbulon gruan myslimane. Dhe siç thotë Tajar Zavalani (Bota e re, nr. 14, 1936): “S`na shkon nga mendja se ka burra që i thonë vetes të dijshëm dhe duan të ecin hap më hap me kohën dhe guxojnë të dalin publikisht e të përligjin me argumente serioze fshehjen e gruas brenda një perdeje të zezë.” Pastaj Tajar Zavalani vazhdon: ” Të merremi vesh mirë, ç`kuptojnë me fjalën qytetërim, dhe a mund të jetë i qytetëruar një skllav? I pari fitim i qytetërimit është triumfi i lirisë personale. Gruaja myslimane është skllave e burrit derisa ky e detyron të dalë e mbuluar.” – Ndoshta femrës shqiptare i pëlqen të dalë e mbuluar? Kjo është një fyerje për gocën, vajzën, gruan, femrën tonë e cila ka dëshirë të zjarrtë të jetë e lirë dhe e qytetëruar si çdo krijesë njerëzore që jeton në këtë milenium. A thua me të vërtetë shamia, çarçafi, ferexheja e ruajnë namuzin e femrës? Nga përvoja në shtetet arabe e aziatike mbulimi sjell vetëm shëmtim që bie në sy, shëmtim nga zgjedha e shpikur nga shpirtrat sadistë.

 Nuk duhet kthyer mbrapa

Këtu në trevat shqiptare nuk duhet të kthehemi prapa dhe të lejojmë krijimin e një krijese fatkeqe që të këput shpirtin. Çfarë aftësie mund të ketë ajo për të rritur fëmijë. Ata fëmijë që do të jenë shpresa e së nesërmes së këtij vendi. Trashëgimia e atdheut dhe krenaria e kombit. Dija, në romanin e Haki Stërmillit në ditarin e saj thotë: ”Sikur t`isha djalë do t`i tregojsha botës mashkullore se dora që e përkund djepin është ajo që e rrotullon boshtin e fatit të njerëzisë, sepse ajo, vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndritura. Femra myslimane e mbyllur brenda katër mureve asht e mpitë, e dobët dhe e pazhdrivillueme, sepse asht shtypë e mbytë nga zgjedha e randë e nji edukate që nuk këshillon e nuk porosit tjetër veçse ndalimin: mos prek,mos fol,mos dil,mos qesh ,mos e mos e mos”. Kur ne i hapim derën, atëherë të huajt mezi s`presin të na japin leksione. Njëfarë ndërkombëtari Juerg Loneburg paska pas thënë se ferexheja na qenka pjesë e kulturës shqiptare.(???)  Jo vetëm atij, por edhe bashkëkombësve të mi u them se çarçafi e ferexheja janë kulturë turko-arabe që ka pasuar me zgjerimin e Perandorisë Osmane, islamizimi i të cilit është kryer deri në fund të shekullit të 19`të. Feja e besimi është çështje shpirtërore individuale. Duhet të vëmë në rend të parë kombin. Pra se jemi shqiptarë dhe të punohet shumë në uljen e tensioneve ndërfetare tek shqiptarët. Duhet të jemi shumë syhapur dhe të urtë ndaj ndikimeve dhe rrymave radikale fetare të cilat këmbëngulin në tjetërsimin e identitetit tonë shqiptar. Përndryshe nuk do të jemi më ata që jemi sot.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, ferexhe, havalese, ishte kunder, pse Naimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 972
  • 973
  • 974

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT