• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A DUHET TË KETË MORAL NË POLITIKËN E JASHTËME

August 9, 2013 by dgreca

Nga vizita në Turqi e kryeministrit të ri, Edi Rama/

 Nga Frank Shkreli/

Shkak për këtë shkrim u bënë vizitat e  fundit  të Kryeminstrit të ardhëshëm të Shqipërisë, Z. Edi Rama në Turqi,  Greqi dhe Itali, ku sipas deklaratave të tija për median, gjatë dhe pas vizitave, qëllimi i  tij  ishte për të hapur një kapitull të ri në marrëdhënjet me këto vende që ai i cilësoi si ”partnerë strategjikë” të Shqipërisë.

Në një intervistë me Top Channel, Kryeministri i ardhëshëm shqiptar, deklaroi  se “Ne jemi të gatshëm që të ngremë në një nivel të panjohur deri tani marëdhëniet me Turqinë që e konsiderojmë një partner strategjik”.

Edhe për Greqinë,  Z. Rama tha se megjith problemet e së kaluarës me fqinjin në jug, u shpreh i gatëshëm, siç tha ai, të “Hapë një kapitull të ri’’, në marrëdhënjet midis Tiranës dhe Athinës.

Shqipëria dhe shqiptarët, përfshirë edhe Republikën e Kosovës, kanë nevojë për miqë të afërm e të largët, pasi si numër, shqiptarët janë një komb i vogël  dhe i shtypur, i harruar dhe i nepërkëmbur për shekuj, kryesisht dhe pothuaj ekskluzivisht nga këto kombe, tani “partnerë strategjikë” të Shqipërisë,  duke mos lënë jashtë kësaj liste edhe Serbinë, që kanë bërë kërdinë mbi shqiptarët.   Janë ekzaktërisht këto vende që gjatë historisë së kombit shqiptar, jo vetëm u kanë mohuar shqiptarëve lirinë, bashkimin dhe pavarësinë e plotë  të tyre, por janë përpjekur me mish e me shpirt  t’i zhdukin ata nga faqja e dheut si komb dhe të ndajnë trojet shqiptare midis tyre.   Por etja për liri, bashkim dhe pavarësi e shqiptarëve, bëri që kombi shqiptar të mbijetojë sado i vuajtur e i përgjysmuar.

Është shumë me vend që Zoti Rama i bëri këto vizita në Turqi, në Greqi dhe Romë para se të fillojë zyrtarisht nga detyra e kryeminsitrit , ndonëse si për çdo vend tjetër, marrëdhënjet me fqinjtë – megjith historinë e hidhët  të shqiptarëve me fqinjtët e tyre–duhet të jenë prioritare, për nga vet natyra dhe afërsia gjeografike dhe pragmatizmi politik, por edhe për nga interesat ekonomike.   Si të tilla, marrëdhënjet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve me këto vende tani  të “partneritetit strategjik”,  sipas Z. Rama do të jenë në favor të, “një Shqipërie më të fortë politikisht, ekonomikisht dhe shoqërisht.”

Por, ky  “partneritet strategjik’’ me këto tri shtete, pa dyshim me rëndësi për politikën kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë, nuk mund të realizohet në një zbrazëti morale dhe në mungesë të konsideratave historike dhe të politikave aktuale të këtyre tre vende ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.  Sepse, qëllimi i kësaj politike të “partneritetit strategjik”,  duhet të jetë diçka më tepër se vetëm një proces.  Duhet patjetër të ketë qellime për arrijtjen e disa rezultateve të caktuara.  Si “partnerë strategjikë”, të Shqipërisë, nën kuptohet se me ta ndahen vlerat  madhore të njerëzimit, siç janë zbatimi dhe resepktimi i të drejtave bazë të njeriut, lirisë së fjalës, lirisë së shtypit  e të tjera, për vet shtetasit e këtyre vendeve dhe më gjërë.  Nëqoftse këto vende nuk respektojnë dhe nuk zbatojnë këto të drejta për popujt e vet, atëherë si do respektojnë ata këto të drejta dhe norma ndërkombëtare për shqiptarët kudo.  Nuk mund të mos binte në sy deklarata e Z. Rama gjatë vizitës në Turqi, kur tha se “Turqia do të shërbejë si shembull’’ për Shqipërinë, ndërsa në të njëjtën kohë, në sheshet turke, policia dhe forcat e sigurimit rrahnin me shkopinjë dhe derdhnin gaz lotësjellës kundër protestuesve paqësorë.   Edhe sjelljet e këqia të Greqisë me imigrantët, përfshirë edhe ata shqiptarë, njihen mirë nga të gjithë.  Organizata të ndryshme europiane dhe ndërkombëtare kanë venë në dukje rregullisht, shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Turqi dhe në Greqi.

Natyra e këtyre regjimeve besimi i tyre në normat dhe standardet ndërkombëtare dhe se si ato i zbatojnë këto në sjelljet  me popujt e vet, ka shumë rëndësi edhe për marrëdhënjet shtet me shtet, pra për marrëdhënjet edhe të Shqipërisë me këto vende.

Konsideratat  gjeografike, ekonomike dhe kulturore për një fillim të ri në marrëdhënjet me këto tre vende,  të cilat  pa dyshim janë në interesin kombëtar,  duhet të kenë si bazë një politikë të jashtme të bazuar në moral dhe në zbatimin e standardeve të njohuara ndërkombëtarisht ndaj respektimit  të lirive dhe të të drejtave bazë të njeriut.   Shqipëria dhe shqiptarët duhet të ngulin këmbë për këto standard, pasi ata vetëm përfitojnë nga zbatimi i normave ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut që tani janë bërë pjesë e pa ndarë e marrëdhënjeve shtet me shtete dhe ë nivel ndërkombëtar.    Merre me mendë se çdo të kishte ndodhur një dekadë më parë në rastin e Kosovës, nëse bota perëndimore në krye me Shtetet e Bashkuara,  nuk do të kishte si barometer moral këto standarde ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të drejtës së kombeve për vetvendosje.  Pa këtë bazë morale në politikën e jashtme  dhe në marrëdhënjet ndërkombëtare nuk do të kishte as 14 pikat e Uodrou Uilsonit, njëra prej të cilave  garantoi  vetvendosjen dhe pavarësinë e shteteve  ballkanike, përfshirë  pavarësinë e Shqipërisë.

Kështuqë, liria dhe siguria e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në trojet e veta, siç është provuar edhe historikisht,  varen shumë nga karakteri dhe morali, nga vlerat, etika dhe pranimi i parimeve universale   nga ana e regjimeve që qeverisin vendet  tani, “partnere strategjike” të Shqipërisë.

Politika e Tiranës zyrtare ndaj këtyre vendeve duhet të jetë me doemos strategjike dhe praktike për kohën, por ama gjithmonë e bazuar në standardet më të larta morale të njerëzimit dhe mbi të gjitha duhet të jetë një politikë që është në interesin afat-gjatë të kombit.    Gjithmonë duke patur në mend fjalët pragmatike të Ministrit të Jashtëm britanik, (1848) Lord Palmerston-it, se, “Ne nuk kemi as aleatë  dhe as armiqë të përhershëm.  Por interesat tona kombëtare janë të vazhdueshme dhe të përhershme.  Janë këto interesa, pra, që e kemi për detyrë t’i ruajmë dhe t’i mbrojmë.”

Është e natyrshme që vende të ndryshme kanë interesat e veta kombëtare, si dhe rrugën e zhvillimit,  të traditave dhe kulturave të ndryshme.  Secili vend gjithashtu do të ndjekë rrugën e vet në zhvillimin e demokracisë dhe të reformave shoqërore, por e drejta e njerëzve për të pasur një zë në shoqërinë ku jetojnë, është jetësore për krijimin e një shoqërie të qendrueshme dhe të begatë – gjë që çon drejtë një shoqërie më të hapur e më transparente dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës dhe më në fund në një botë më të mirë për të gjithë.  “Partnerë strategjik’’ nënkupton miq të ngushtë, pothuaj si në familje, ku bisedohen e diskutohen gjërat haptas.  Marrëdhënjet me “partnerë strategjikë” nënkuptojnë respekt dhe mirëkuptim të përbashkët dhe nuk janë marrëdhënje bazuar në leksione për mohimin, rishkimin ose ndryshimin e historisë në marrëdhënjet me këto vende.

Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre kanë kërkuar miqësi me fqinjtë dhe me të tjerët, kanë kërkuar marrëdhënje të ngushta me popujt dhe institucionet e Ballkanit dhe më gjërë. Kështuqë nuk mund të fajësohen shqiptarët për mungesën e një partneriteti më të madh në të kaluarën midis Shqipërisë dhe shqiptarëve me këto vende, tani, “partnere strategjike”.  Tani  lindë pyetja: nëse Turqia, Greqia dhe Italia, do e konsiderojnë  Shqipërinë dhe shqiptarët si partnerë strategjikë, apo si vëlla i vogël?  Zoti Rama u ofroi atyre jo vetëm miqësi dhe solidaritet,  por “partneritet strategjik”.   Cila do të jetë përgjigja e Athinës, Romës dhe Ankarasë?

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Edi Rama, Frank shkreli, morali i politikes se jashtme

Kalashët e hundëzakëve në rrezik nga zhdukja e përhershme

August 9, 2013 by dgreca

Shkruan: Fahri Xharra/

Qafirstani shihet si parajsë në tokë në Pakistanin Verilindor, me liqene të bukur, ujëvare mahnitise, pyje të paprekura të gjelbra, borë të përhershme dhe diell të butë. Por nuk është vetëm vendi që të magjepsë, por edhe femra e Qafirstanit, “femra kalashe me bukurinë e saj që e bën edhe mashkullin jo vetëm kalash të humbë edhe fenë e tij.” “Kur një grua kalashe pi ujë i shihet uji duke gjarpëruar teposhtë fytit e saj të gjatë e të bukur”, këto janë pershkrime të zakonshme që i bëhen bukurisë dhe butësisë së femrës Qafire. Ato besohet të jenë më të bardha se e bardha. ” Nga lëkura e saj shihen edhe venat nëpër trupin e saj të bardhë “.

Por kush janë qafirërët?

Këta janë trashëgimtarët ilirë të Aleksandrit të Madh, të mbetur atje, e që mbi 23 shekuj i bënë ballë islamizimit duke u ruajtur si grup i izoluar (i veçuar) etnik pagan. Gjatë sundimit anglez, historianët perëndimorë u befasuan kur e panë ngjashmërinë me vetveten, dhe një kohë të gjatë iu lejua praktikimi i veseve të tyre pagane si dhe pirja e alkoolit, venës së përzier me ujë, pije tipike e ilirëve. Por, momenti kritik i historisë së hundëzakëve ishte kah fundi i shekullit XIX kur iu desh që të islamizohen ose të “zhduken nga faqja e dheut”. Por, në këtë vazhdë ishte edhe ndërrimi i emërave paganë të fshatrave dhe çdo gjëje e të parëve të tyre.

Mediet pakistaneze filluan së pari të shkrujnë për këtë grup njerëzish gjatë viteve të 70-ta kur Qafirstani u ballafaqua me uri. Duke i falënderuar kryeministrit Zylfiqar Ali Bhutto ( i cili ishte me origjinë nga hundëzakët), u shpall tragjedia dhe paganët shpëtuan, ndërsa Ali Bhutto ishte hero i tyre.

Por, me ardhjen e deobandëve në fuqi dhe viti 1979 e shënoi fillimin e fundit të qafirëve (hundëzakëve).

Kush janë deobandët? Një version Wahabi i islamit, të cilët mëndojnë se vetëm ata dhe wahabitë duhet të ekzistojnë, sektet tjera fetare islame duhen të zhduken. Gjenerali Zija Ul Hak (edhe vetë pjesëtar i sektit Deobant) shkoi aq larg sa me anën e tablirrëve (tablirrët, rrjedhë e deobantëve) e islamizoi çdo skutë të

Vajza kalashe e hundëzakëve

Vajza hundezake e kampeve te talebaneve

Pakistanit. Si rrezultat i kësaj tablirret (talebanët) me forcë u futën në Qafirstan duke marrë mbi 70% të territorit dhe duke shkatërruar çdo gjë autoktone hundëzake dhe duke iu imponuar Islamin në mënyrat më të vrazhda.

Rrëmbimimi i femrave hundëzake –kalashe dhe martesat me dhunë për t’i konvertuar në islam ishin dhe janë një prej metodave të përdorura edhe sot e kësaj dite. Femrave të rrëmbyera dhe të martuara me dhunë nuk iu lejohej të shihnin të afërmit e tyre përderisa edhe ata nuk e merrnin islamin si fe të tyre. Por, nuk është as fsheftësi kur femrat edhe janë shitur me mënyrën “se kush paguan më shumë”. Hundëzakëve nuk iu lejohet bartja e armëve.

Verfëria e qafirirëve është po ashtu faktor tjetër i madh për përqafimin e tablirri-Islamit.

Qeveria nuk jep kredite pë qafirët, kurse policia dhe drejtësia shtetërore e Pakistanit nuk kundërvehet kurrë kur sulmohet prona e hundëzakëve. Tablirret luajnë edhe me një letër tjetër duke iu dhënë hundëzakëve para me fajde (që është kundër parimeve), dhe kur ata nuk mund t’i kthejnë më ato s’u mbetet gjë tjetër ose të islamohen ose të humbasin pronën. Uji i ujësjellësit dhe rryma elektrike është vetëm për myslimanët, kurse kalashët janë të privuar nga ato të mira. Dimri i Qafistanit është Siberik, e kushtet e jetës janë të papërshkruarshme. Xhamitë dhe mejtepet janë të ngrohta dhe me ujë nga ujësjellësi, kurse shtëpitë e kalashëve të mërdhijnë e bora duhet shkrirë për t’u pirë.

Bukuroshja kalashe e hundëzakëve

Gjatë dimrit kalashët flenë dhe jetojnë së bashku me shtazët e pakta shtëpiake që i kanë. S’ka spitale e as dispanzeri. Zërat me zmadhuese nga mejtepet ditë e natë lexojnë vargje kuranike, kurse shumë kalashë vdesin sepse iu mungon kujdesi edhe më elementar shëndetsor, bile së fundi edhe gjatë lindjës së grave.

Duke iu falënderuar tablirrëve kultura autoktone kalashe thuaja se nuk ekziston më. Në vitët e 80-ta flitej se gjerë në fund të shekullit XX do të vijë deri te shuarja e kalashëve, por ja që janë ende gjallë nja 2 deri 3 mijë sish.

Qeveria e Pakistanit e ka formuar “Fondacionin Kalash për shpëtimin dhe propagimin e kulturës Qafire. Por, faktet flasin ndryshe. Vizitorët e Luginës së kalshëve duhet të paguajnë mirë për t’i parë ato vende e ata njerëz.

Bileta që i jepet vizitorit quhet me nënçmim “biletë e kopshtit zoologjik”. Duke iu falënderuar këtij fondacioni kalashet janë shndërruar në artifakte antropologjike.

Për të qenë ironia më e madhe, shoqatat për mbrojtjen e kafshëve vajtojnë për zhdukjen e ndonjë lloji, kurse askush nuk e ngrit zërin në mbrojtje të tyre, e tablirrët e vazhdojnë shlyerjen e paganëve të fundit evropianë./

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, kalashet e hundezakeve, ne rrezik nga zhdukja

PËRPJEKJET “INTELIGJENTE” NË KËRKIM TË NJË SOVRANI KARIZMATIK?

August 8, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Ata që sot e kësaj dite janë nostalgjikë ndaj sistemit të njëmendjesisë do mëtojnë ta shpjegojnë atë batutën dedikuar jevgut, e cila duket pak a shumë kështu: “Që ma shave mamanë, ma shave, që ma shave sojin, ma shave, që m’i shave të tërë, m’i shave, që ma shave toptan jevgërinë, ma shave, që ma shave kasollen, ma shave, që ma shave kalin dhe arabanë, ma shave, që m’i shave kalamajtë e uritur e të palarë, m’i shave…, dhe unë kurrën e kurrës nuk të bëra as për faj, as për turp e as për trap…, i hakërrohet jevgu komunistit, por ama,  kur më shave për ngjyrën e lëkurës sime, nuk durova dot…  Për këtë nuk nuk të fal kurrë, o pederast, o rezil, o bir rrospie…, kishte dalë prej binarëve, me të drejtë, jevgu ynë shumë i nderuar dhe gjithsesi i respektuar.

Hokatarët mund të thonë se kjo batutë sot paksa lakohet më ndryshe dhe më “allafrënga”… dhe lexohet kësisoj: (flet një simpatizant i një partie politike me një bastorexhi të Tiranës, të cilit hiç fare nuk i ha palla për politikë a parti). “Se m’i shave rilindësit, m’i shave, se ma shave Skënderbeun, ma shave, seç më the se ai pak fliste shqip, më the, se ma ofendove nënën Terezë, ma ofendove, se m’i shave të tërë, m’i shave, se më the “zhvishu”, më the, se ma shave surratin, ma shave… Të gjitha këto sharje nuk i mora si punë me “qeder”, por ama kur ma shave lidershipin e partisë, thashë se kam me ta q….mamanë.., ti trap hamami”? Eh, ç’e gjeti këtë…, më thotë nip Rexhepi nga Stambolli. Për këtë arsye e do puna të themi dhe një përrallë të Ezopit, dedikuar “Zotit dhe bretkosave”!

“Në një pellg me ujë mbretëronin bretkosat në zhegun e verës… Këndonin ato pa pushim gjithë ditën e ditës dhe kënaqeshin duke u mërzitur. Një ditë e kishin  lutur Zotin që t’iu çonte  një mbret. Dhe në rastin e parë, Zoti u hodhi bretkosave një trap… Një palo mbret. – Ja, u tha Zoti bretkosave, ky është mbreti juaj… Bretkosat u kënaqën për këtë mrekulli dhe filluan të rreziteshin mbi trapin e butë. Ato hidheshin shpesh në ujin e papastër. Ngaqë e pyesnin trapin se çfarë duhet të bënin, e trapi si rrjedhojë nuk u jepte përgjigje. Bretkosat gëzuan kështu një liri marramendëse, saqë formuan edhe korin e tyre “UAK”. Por me kalimin e kohës, mërzia trokiti në derë. Bretkosat, si duket, filluan të mos e pëlqenin gjendjen pasive të ‘mbretit’ dhe filluan ankesat. Për këtë arsye, kryepari i bretkosave i bëri Zotit një lutje tjetër për një mbret më dinamik dhe më kompetent. Zoti emëroi mbretin e dytë të bretkosave. Këtë radhë një gjarpër… Gjarpri, i cili ishte i vjetër në moshë dhe kishin filluar ta linin veshët, irritohej pa masë nga kori “UAK” i bretkosave. Ai nuk paralajmëronte askënd, por kollofiste me rastin më të parë çdo bretkosë që guxonte të çilte zërin. Kështu, bretkosat filluan dalë-ngadalë ta kuptonin këtë strategji dinake dhe diskutonin në heshtje me njëra-tjetrën se si të dilnin nga kjo diktaturë gjarpërore… Edhe nga ky mbret nuk ishin të kënaqura dhe kërkuan të tretin mbret! Por Zoti, si duket, s’kishte kohë të trajtonte kërkesën e tyre për një mbret të ri, pasi maksimumi ishte vetëm dy mbretër gjithsej. Bretkosat u përgatitën që të jetonin nën sundimin e mbretit të ri, i cili kollofiste nga një, sa herë dëgjonte një zhurmë të vogël. Në këtë mënyrë, bretkosat që atë ditë e sot, vazhdojnë përpjekjen e tyre legjendare për një mbret të ri, i cili nuk dihet se kur do të vijë… dhe përse duhet të vijë”!? përfundon Ezopi i urtë.

Që lexuesit të mos e humbasin “durimin”, unë do mëtoj që me përrallën e Ezopit të mos ndërtoj asnjë identifikim a paralelizëm me “njerëzit” e moderuar këtej trekëndëshit politik të Gadishullit Ilirik, të cilët sivjet kujtojnë 100-vjetorin e shtetit të tyre londinez…, njerëz që kishin jetuar e mbijetuar në anarki, në kohërat e terrorit a diktaturës dhe së fundi në vaktin e ndërkalimit shqiptar. Babai im, duke kujtuar ato kohëra, pos të tjerash, na shpjegonte edhe këtë histori të shqiptarëve:

Keq me anarki e keq pa anarki, keq me kanun e keq pa kanun, keq me mbretëri e keq pa mbretërinë e  Ahmet Zogollit, keq me diktaturë e keq pa diktaturën e Enver Hoxhës (i cili dikur kishte asgjësuar profesionin e avokatit),  keq me demokratë e keq pa to, akoma më keq pa Sali Berishën, keq me socialistë e keq pa socialistë, akoma më keq pa Fatos Nanon dhe Edi Ramën, keq me këtë parti e keq pa këtë parti, akoma më keq pa lidershipët e saj, keq me kope delesh që nuk japin qumësht, e keq me dele me qumësht që nuk guxon t’i mjelësh…, keq me çoban e keq me një të tillë që kopenë e cjapeve, në vend që ta çoj të kullosë, e çon në gojën e uritur të ujkut…, e tjera të këqija të vogla a edhe të mëdha. Parashtrohet pyetja se ç’u duhet shqiptarëve të ballafaqohen me gjithë këto të këqija. A mos vallë, shqiptarët kokë e këmbë janë “të abonuar” (parapaguar) që të lodhen e të rraskapiten me këso ndryshimesh sistemesh e “mbretërish”, me lëvizje qeverish, me “zhvendosjet e tyre kunj më kunj”, njëherë në prehër të nënës a edhe në prehër të njerkës!?. A nuk u “ngopën” me disfata e fitore, qofshin ato të kurdisura, të sajuara a edhe të merituara? Eh, vetëm një dreq mund ta dijë këtë mesele.

Çuditërisht, shqiptarët asnjërin prej këtyre sistemeve nuk e deshën, nuk i deshën as kryeparët e tyre, ca për arsye se nuk i kishin për zemër, ca të tjerë nuk i kishin për huji, kishte edhe do njerëz të cilët ishin aq shumë të ekzaltuar nga çallami dhe të mirat e pushtetit sa nuk donin as të dëgjonin për mbret, po qoftë ai të ishte edhe…!? Ata nuk e deshën as Ismail Qemal Bej Vlorën, as Nolin, Fishtën, Faikun e Mit’hatin…, ata nuk e deshën as mbretin Ahmet, i cili në vaktin kur jetoi, sa do pak, Shqipërisë i solli aristokraci politike dhe mediatike, nuk e deshën as doktorin gjegjësisht kryeministrin në detyrë, pavarësisht se ky ndërtoi “Rrugën e Kombit”, nuk e deshën as Mejdanin, as Mojsiun e Bamirin, as Nishanin pavarësisht se ishin katolikë, ortodoksë, myslimanë, bektashinj, toskë a gegë…, ata nuk e duan as Edi Ramën, pa dallim se ky i fundit qeverisë së re do t’i sjellë gjashtë femra ministresha, nuk e duan as burrat e Kanunit, sepse ai përgjithmonë e shembi atë kështjellën e shovinizmit mashkullor shqiptar. Unë habitem me atë inatin makabër dhe trishtues të tyre, unë habitem me atë filozofinë e shqiptarit që cili me shumë “kollajllëk” u gjunjëzohet paragjykimeve të ndryshme.

Po ku do ta gjejnë shqiptarët atë sovran me reputacion të lartë politik, por edhe me karizëm! Me këtë higjienë cerebrale që e kanë, me këtë fjalor nënçmues, me etiketime, si për shembull: lesh, tradhtar, obskurant, recidivist, antikokombëtar, katundar malok, shehërli sehirxhi e sherxhi dhe gafe e zhargone të tjera, toptan këto pjellë të asaj neverie a dufi të akumuluar ndër shekuj…, me këtë mospërfillje të mendimit ndryshe, nuk besoj se ndonjëherë do e gjejnë. Nëse e kanë për njëmend, atëherë fillimisht do të duhet  t’i shtrohen një “dialize politike”, mandej politikës së tyre do të duhet t’i bëhet një redaktim gjuhësor dhe (ri)redaktim akademik, thjesht intelektual dhe profesional…, do të duhet t’i nënshtrohet një rishikimi dhe analize serioze, sidomos tani kur bëhet fjalë për raportet e reja opozitë-pozitë e të tjera analiza! Nëse kjo nuk do të bëhet, atëherë shqiptarëve do t’u “merret e drejta” e përpjekjeve të tyre “inteligjente në kërkim të një sovrani karizmatik”! Mos dhëntë Zoti, që politika shqiptare të vuajë nga diagnoza e ashtuquajtur: “Ambivalenca (ndasia) patologjike e paradoksale gjegjësisht konflikti i dyfishtë emocional dhe racional”. Fatkeqësisht, psikiatrit thonë se kjo sëmundje nuk kurohet dot kollaj. Tekembramja, shqiptarët nuk janë bretkosa të Ezopit, nuk janë as pleshta të At Gjergj Fishtës e as inatçinj të papërmirësueshëm të Fan Nolit a edhe të Konicës! Po qe se na del e kundërta, atëherë shqiptarëve u mbetet të “kërkojnë ngushëllim” në atë thënien e Gjergj Metës nga Tirana, ku, pos të tjerash, thuhet: “I vetmi shpëtim nga kjo katrahurë, është ajo fjala që shkon në mort, ajo fjala e PRANISË, ajo që nuk nxjerr tinguj, por flet duke ngushëlluar”! Seç ç’shtet, ç’qeverisje e çfarë sovrani e sovraniteti u duhet shqiptarëve, unë nuk e di dhe as që mund ta di!

Duke e përfunduar këtë vështrim, po parafrazojmë një mençuri shkodrane: “Me sa duket ne mbetemi viktimë e përhershme e së vërtetës, si gjithmonë, që durojmë kur duhet ngutur, e ngutemi kur duhet duruar, luftojmë dhe bëjmë zhurmë, kur duhet ndenjur urtë dhe rrimë heshtur, kur duhet thënë ‘açik’ fjala…”

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Lushi, karizmatik, ne kerkim te sovranit, perpjekjet inteligjente

LUFTË E RE E FTOHTË NË MARRËDHËNJET MIDIS UASHINGTONIT DHE MOSKËS

August 7, 2013 by dgreca

Ne Foto: Presidenti Obama dhe Putin. Nuk duket se janë të kënaqur me njëri tjetrin/

Nga Frank Shkreli/

Presidenti  Shteteve të Bashkuara, Barak Obama anulloi takimin e nivelit të lartë që kishte në plan të mbante në fillim të shtatorit me rastin e mbledhjes së nivelt të lartë të grupit G-20- të, vendeve  më të industrializuara  në Shën Petersburg të Rusisë, me Presidentin rus, Vladimir Putin.  Anullimi i takimit midis dy udhëheqsve të lartë, u mor pas vendimit të Rusisë për t’i dhënë strehim të përkohëshëm politik prej një viti, amerikanit Eduard Snouden, i cili kohë më pare, në kapacitetin e tij si kontraktor me Agjencinë Amerikane të Sigurimit  i dha  medias, pa autorizim, informacione mbi përgjimet e fshehta të agjencisë për të cilën ai punonte, duke bërë publik programin e përgjimeve.   Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar atë për spiunazh dhe kërkojnë kthimin tij në Amerikë.   Vendimi i Moskës për t’i dhënë strehim të përkohshëm prej një viti Eduard Snouden-it, zemëroi për së tepërmi Uashingtonin zyrtar.   Senatorët nga të dy partitë kryesore të vendit i bënë thirrje administratës së Presidentit Obama që, jo vetëm që Z. Obama të mos takohej me udhëheqsin rus në shtator, si përfundim  këtij vendimi për të strehuar Snoudenin, por edhe për arsye të një numër çështjesh të tjera  në marëdhënjet  ruso-amerikane, duke bërë thirrje që  tu bëhet një vlersim i përgjithshëm marrëdhënjeve midis dy vendeve.   Senatori demokrat nga Nju Jorku, Çarlës Shumer, së bashku me senatorin  republikan Xhon Mekejn të shtetit Arizona, janë zërat më kritikë ndaj vendimit  të Rusisë për t’i dhënë strehim të përkohëshëm Snoudenit.  Senatori Shumer u shpreh me zemërim se,”Presidenti Putin po sillet si një shantazhist, i cili nuk meriton  respektin që do t’i akordonte atij një takim i nivelit të lartë me udhëheqsin amerikan”.   Ndërsa Senatori republikan Xhon Mekejn i bëri thirrje administratës Obama  për, “një rishqyrtim themelor të marrëdhënjeve”,  siç tha ai, “me Rusinë e Putinit”.

 

Gjatë një intreviste mbrëmë në programin televiziv të Xhej Leno të rrjetit NBC, Presidenti Obama tha se në takimin e Shën Petersburgut ai do të mbajë një qendrim të fortë ndaj Rusisë,   duke akuzuar  se autoritetet ruse mendojnë si gjatë luftës së ftohë dhe shpesh ata i këthehen mentalitetit të asaj periudhe.  Këjo, tha presidenti amerikan, i takon së kaluarës.

 

Shtëpia e Bardhë, ndërkaq, duke arsyetuar anullimin e takimit midis Presidentit Obama dhe Presidentit Putin, në një deklaratë për mediat theksoi  se,  “pas një rishqyrtimi të hollësishëm të marrëdhënjeve amerikano-ruse,  kemi ardhur në përfundimin se nuk është shënuar mjaftë përparim kohët e fundit në marrëdhënjet dy-palëshe me Rusinë, me qëllim që të mundësohet mbajtja e një takimi të nivelit të lartë midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, tha në një deklaratë, zëdhënsi i Shtëpisë së Bardhë,  Xhej Karni.   Ai shtoi, në deklaratën e tij se, vendimi i Rusisë për t’i dhënë Snoudenit strehim të përkohshëm, ishte gjithashtu një faktor me rëndësi që detyroi  rivelrësimin e thellë amerikan të marrëdhënjeve të tanishme midis dy vendeve.  Por, megjith tensionet midis Uashingtonit dhe Moskë për arsye të “çështjes Snouden’’, Presidenti Obama tha mbrëmë gjatë intervistës me Xhej Leno në NBC se, ai do të marrë pjesë në mbledhjen e vendeve industriale të botës në Shën Petersburg të Rusisë në fillim të shtatorit,  pasi sipas tij, ky takim është i rëndësishëm, ndonëse është foumi kryesor ku diskutohet për ekonominë botërore me udhëheqsit dhe me përfaqsuesit më të lartë të ekonomive më të industrializuara të botës.

Por babai Eduard Snoudenit, Lon Snouden, i cili ka udhëtuar në Moskë për të vizituar të birin, reagoi ndaj atmosferës së krijuar në Uashington në lidhje me atë që ka bërë i biri, duke thënë se është i mendimit që djali i tij të qëndrojë në Rusi, pasi kur të merren parasyshë reagimet e ashpëra nga zyrtarët amerkanë, ndaj asaj që ka bërë ai duke publikuar pa autorizim, të fshehtat më sekrete të këtij vendi, ato të programit të përgjimit — ai, sipas tij, nuk do të gjykohej ferë dhe me drejtësi, ndërkohë që falenderoi popullin rus për strehimin e djalit të tij.

Marrëdhënjet amerikano ruse kanë qenë të tensiounuar për një kohët të gjatë tani, një gjëndje këjo që shumë analistë ia atribojnë presidentit rus Putin.  “Çështja Snouden” nuk ëshë e vetmja çështje që, për një kohë tani, ka shkaktuar probleme serioze në marrëdhënjet amerikano-ruse.   Marrëdhënjet as midis dy udhëheqseve nuk kanë qenë aspak të mira, gjatë mandateve të tyre,  siç mund të shihet edhe nga fotoja e mësipërme.  Të dy vendet që ata përfaqësojnë, mbajnë qendrime të ndryshme, përveç të tjerave, mbi  luftën civile në Siri, mbi zbatimin e të drejtave të njeriut në Rusi, krijimi mbrojtës i raketave  në Europë, si dhe mbi një numër çështjesh të tjera  ndërkombëtare.   Por vendimi i Rusisë për t’i dhënë strehim amerikanit Snouden, i akuzuar tanimë për spiunazh nga Shteteve e Bashkuara, siç duket i ka keqësur edhe më tepër marrëdhënjet  midis dy vendeve, që sidoqoftë ishin edhe ashtu tepër  të tensionuara.  Aq tepër duket se janë tensionuar marrëdhënjet midis Moskës dhe Uashingtonit, që si rrjedhim, disa zëra këtu në Shtetet e Bashkura po bëjnë thirrje, për asgjë më pak se bojkotimin e lojërave olimpike dimërore që do të mbahen vitin që vjen në Soçi të Rusisë — një atmosferë këjo e paparë dhe e pa dëgjuar në marrëdhënjet ndërkombëtare ç’prej luftës së ftohët.

Filed Under: Analiza Tagged With: e ftohte SHBA -Rusi, Frank shkreli, Lufte e re

KONCESIONET VRASTARE

August 7, 2013 by dgreca

Duhet bere e qarte se serbet e Kosovës nuk mund te diktojnë edhe me tej politiken e Kosovës përmes bojkotit dhe krimit te organizuar ne veri, pa çka se Serbia  shfaqe interesin e saj nacional. Ne kemi interesin tone nacional ne secilën pëllumb te Kosovës e edhe serbet janë pjese integrative e shtetit tone ndaj nuk mund te krijojmë paradokse politike për hatër te një pakice qe ushtron terror dhe dhune te vazhdueshme./

  Shkrua nga Bekim Rexhepi/

Prej pas luftës koncesionet për Kosovën nuk janë ndalur fare, ato vazhdojne akoma te behen edhe pas 13 viteve me të njejtin intensitet në dem të qytetarëve dhe të Kosovës. Por pika e koncesioneve sa vije e behet me nevragjike, me plote dyshime se ato s’do te kene te ndalur ndohere, per aq sa kohe te jene ne fuqi segment te nje pushteti qe para interesit shteteror e qytetar kane ate interesin personal e fisnor. C’pas demilitarizimit te UCK-se, e deri te kerkesa e sotme Serbise qe te menaxhoj me liqenin e ujmanit dhe me Trepcen. Nese keto dy te fundit arrihen te behen koncesione definitivisht ato do te jene dhe do te mund te quhen koncesione vrastare per Kosoven.

Liqeni i Ujimanit (Gazivodës)

Pse Serbia synon qe ky liqe të futet nën juridiksionin apo nën kontrollin e asosacionit serb të komunave serbe në Kosovë, sepse përpos shkritores se xehes e metaleve të tjera syno të mbaj edhe shkritoren në Zveçan. Pra një gjysmë kontrollit i minierës së Trepçës në Stan Terg, i liqenit dhe i shkritores përfundimisht Serbin e bene te jete faktor i rëndësishëm në Kosove po aq sa edhe qeveria ne Prishtinë sepse defakto qeveria duke bere koncesione e defaktorizon vetveten dhe faktorizon Serbinë, sepse arrin te mbaj nen kontrolle tri asetet me te çmuara ne vend.

Me këto koncesione e fundit ne marrëveshjen me Serbin për Kosovën, Qeveria e Kosovës mund te shkoi edhe deri ne koncesionet e reja dhe vrastare për Kosovën sikur te lëshoi pe me liqenin dhe me Trepçën. Pra, Serbia me çdo kusht përpiqet qe për serbet e Kosovës, dhe qe janë edhe serb te Serbisë  sepse tashme është e qarte tendenca e Serbisë se për serbet e Kosovës dëshiron qe këta serb here tu thotë se ata janë qytetar te Kosovës dhe here te Serbisë. Por pavarësisht keti perceptimi Serbia ne Kosove synon qe për këta serb të krijoj një sistem të pavarur funksional dhe fare jashtë një varësie nga qeveria e Kosovës dhe shteti i Kosovës. Më këtë duket se synohet qe definitivisht kjo pjesë e veriut të Kosovës të mund të shkëputur nga administrimi qendror, me qëllim që më pastaj ne kohe te tjera te mund të krijoj parakushte të një secesioni.

Sa për kujtesë në vitin 1981, një terrorist serb ishte nisur me një destinacioni terrori, pikërisht ne liqenin e Ujimanit. I mbushur një arkivol me përplot eksplozivi, qëllim për ta shpërthyer paranojën e liqenit, dhe me pas te mund te shkaktoi një dem te papare, të shkarkonte sasinë e pakontrolluar të ujit dhe të shkaktonte dëme të mëdha, të paparashikueshme për qytetin e Mitrovicës me rrethinë. Por, ky qëllimi i kriminelit serb, ishte përmbysur pasi një shofer taksie-shqiptar qe po e voziste automjetin me arkivol, pas te gjitha dyshimeve qe kishte, arriti që para aktit të krimit të paralajmëroj policin, dhe ishte kapur befas ky terrorist. Në memoria kjo ngjarje nuk mund te shlyhet lehte, por ç’mund të bëhet nëse qeveria e papërgjegjshme do tregohet ne bisedime me Serbin, e cila po planifikon një kontroll serb, lokal për Liqenin, akoma pa u bërë marrëveshja për kërkesën e qeverisë serbe, qeveria e Kosovës e njohur për lëshime marramendëse mund të tregohet edhe më shumë e papërgjegjshme, edhe më këtë rast ndaj një reagim i qytetareve do te duhej te ishte me i pranishëm.

Serbet qe mund ta kenë nën kontroll liqenin një ditë, mbase do të mund të luajnë me pjesën jugore të Mitrovicës me rrethinë, pasi që dihet se sasia e ujit qe lëshohet nga liqeni i Ujmanit është jetike edhe për pjesën jugore.

E nëse ky aset ekonomik i Kosovës, shpërdorohet, apo u epet në duart atyre që janë te stisur ta marrin, pa u shkëputur fare nga ato ngarkesa, dhe elemente raciste se nuk duan dhe nuk munden të jetojnë në një shtet ku shumice shqiptare, pra një minoriteti serb prej 4%, qe gjithnjë e më shumë synon të pavarësohet nga administrimi juridik i Kosovës përbën një rrezik të paimagjinueshëm për qytetin e Mitrovicës dhe rrethinën e saj por edhe për tërë Kosovën sepse rrënon perspektiven ekonomike te saj.

Trepça

Trepça është dhe mbete aseti me i rëndësishëm ne vend, ndaj këtu duhet pasur kujdes se çfarë te behet me te. Serbia mund te pretendoi qe ka aksionet e saja ne te. Por te gjitha këto aksione te saja janë bere ne kohe te paligjshme juridike dhe me dhune e arbitraritete politike ekonomike dhe nacionale. Pra Kuvendi i Kosovës apo edhe qeveria me vendimet e saja politike duhet t’i japi fund spekulimeve dhe tendencave te mëtutjeshme te arbitraritetit me Trepçën. Kuvendi apo Qeveria duhet ti shpalli te gjitha marrëveshjet e mëhershme inekzistenet sa i përket Trepçës ngase ato janë bere me arbitraritet te njëanshëm duke shkele te gjitha vendimet politike ekonomike dhe kushtetuese te Kosovës. Me dhune dhe me forma te tjera Trepça është kolapësuar me qellim qe te mund te vihet deri tek këto kontestime te cilat kanë vetëm një adrese serbe. Pra Trepça duhet te menaxhohet nga Qeveria me qellim qe te pushojnë te gjitha spekulimet rrethe saj. Qe te mund te rikthehet punësimi ne te dhe te kthehet gjendja fizike e popullsisë. Me këtë mund te kemi pastaj edhe rezultate ne shkolle me fëmijët, ulje ne kriminalitet, ndryshime brenda familjes dhe perspektiva me e madhe ne shtet dhe për shtet.

  Shkritorja në Zveçan

Kjo shkritore është e rëndësishme po aq sa vet miniera e Trepçës sepse aty behet shkrirja e metaleve dhe me këto shkrirje, ne mbase mund te kemi rritje ekonomike te brendshme te dobishme duke mos shpenzuar shkrirjen e metaleve ne vendet e tjera përreth. Nuk mund te epen këto asete ne duart e ekstremisteve serb qe veriun e mbaj te bllokuar me barrikada me tensione politike. Dhe ne emër te këtyre tensioneve te bëhen lëshime-koncesione qe ata kinse te mund te integrohen ne sistemin e shtetit te Kosovës. Duhet bere e qarte se serbet e Kosovës nuk mund te diktojnë edhe me tej politiken e Kosovës përmes bojkotit dhe krimit te organizuar ne veri, pa çka se Serbia  shfaqe interesin e saj nacional. Ne kemi interesin tone nacional ne secilën pëllumb te Kosovës e edhe serbet janë pjese integrative e shtetit tone ndaj nuk mund te krijojmë paradokse politike për hatër te një pakice qe ushtron terror dhe dhune te vazhdueshme.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bekim Rexhepi, Koncensionet vrastare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 971
  • 972
  • 973
  • 974
  • 975
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare
  • Speaking this Saturday, May 2, at the NYFCR Annual Statewide Conference with students and young leaders from across New York
  • Për çfarë ka nevojë Shqipëria?
  • Ernesto Sabato, gjeniu i letërsisë latino-amerikane që u rrit në prehrin e një nëne shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT