Nga Dalip GRECA/*
Sot, me 26 gusht, Nënë Tereza mbush 105 vite nga lindja, ndërsa në 5 shtatori na kujton ditëvdekjen. Në nderimin që i bëjnë jetës dhe veprës së saj të përbotshme,humane, shqiptarët ndjehen krenarë, që simboli i tyre, vitin që vjen, më 4 shtator do të shënjtërohet. Në fakt në optikën e shqiptarëve ajo ishte shenjtë që në gjallje të saj, tek luftonte për të rikthyer në jetë ata që kishin marrë rrugën e vdekjes, tek ndihmonte të varfërit, tek mjekonte lebrozët, të gjymtuarit, tek u bëhej nënë të braktisurve, tek u shuante urinë të varfërve. Kur Nënë Tereza merrte Cmimin”Nobel” për Paqe, nga Roma, korrespondenti i Diellit, Petro Vucani, shkruante se Nënë Tereza ishte shenjtëreshë. Dhe ai si të tillë e përcjell tek lexuesit ndërsa e interviston me plot dashuri e krenari.
Ne shqiptarët jemi fatlum, që ajo, Nënë Tereza,që ngriti të fuqishëm Tempullin e dashurisë njerëzore, i përket racës tonë, gjakut tonë, ajo mbetet arbërore, dhe e thoshte me plot gojë se ishte shqiptare. Natyrisht që personaliteti i saj i kalon kufijët e një Kombi, ajo i përket njerëzimit mbarë sepse e atillë është vepra që i la trashëgim njerëzimit:Dashuria njerëzore!
Shqiptarët e Amerikës kanë arsye të ndjehen krenarë që iu bënë mbështeje, ndërkohë që vendi amë, e kishte mohuar dhe ia kishte ndaluar hyrjen, madje nuk e lejoi as për t’i hedhë një dorë dhe’ nënës.Por ajo i fali persekutorët e saj në emër të dashurisë njerëzore. Kur do të vinte në Kombet e Bashkuara, kur prijësi i OKB e cilësonte Nënë Terezën një OKB më vete, për turp ambasadori shqiptar do të braktiste seancën në shenjë “proteste” a mosnjohje, ndërsa shqiptarët e Amerikës do të zinin radhën tek kangjellat që ta shihnin, ta preknin, ta përshëndesnin. Lume Juka e ka sjellë me shpirt e emocion atmosferën e asaj kohe. Ishin po shqiptarët e Amerikës ata që e pritën me padurim në qershor 1988 kur ajo do të vinte në Kishën e Bronxit dhe do takohej me bijtë e bijat e gjakut të vet. Shumë prej atyre që e patën fatin ta takojnë atë ditë ruajnë kujtime, fotografi.
Intervista që i dha Gjekë Gjonlekës, ish gazetar i Zërit të Amerikës, edhe sot dëgjohet me krenari nga shqiptarët, kur ajo përcjell Lutjen në gjuhën e gjakut të saj, arbënor, gjuhën shqipe. Kur u organizua seanca dëgjimore në Kongresin Amerikan mes serbëve dhe shqiptarëve, serbët, që përfaqësoheshin me qarqet me të larta shkencore, akademike dhe fetare- shtërngonin në gjokse kryqe,ndërsa shqiptarët mbanin në xhaketa dhe ndër duar portretin e Nobelistes me gjak shqiptar,simbolit të Paqës, Nënë Tereza. Fituan shqiptarët në atë përballje. Dobrica Ćosić ishte i pari që e kuptojë se Washingtoni kishte nisë të fliste shqip, dhe se kishte ikë koha e serbëve në Amerikë, kishte ardhë koha e shqiptarëve.
Shqiptarët e Amerikës,me 5 shtator 1997, ishin në Kalkuta, kur pushoi së rrahuri zemra e dobësuar e Nënës Terezë. E qanë me Lot, sic qajnë bijtë për nënat. E përcollën me lutje duke patur në krye të meshës një prift atdhetar shqiptar, dom Anton Kcirën.
Ishin po shqiptarët e Amerikës ata që do të ngrinin të parët Shtatoret e përjetësisë për Nënën e përbotshme, simbolin e dashurisë njerëzore. Vëllezërit Lekë dhe Pashko Gojcaj, do të bëheshin ideatorët e realizuesit e shtatoreve të përjetësimit të Saj në Amerikë dhe në trojet Kombëtare: Në Malësi(Tuz), Prishtinë, Mitrovicë, Strugë, në Nju Jork, në Detroit, në Ohio, po ashtu edhe Elmi Berisha Klinë, Mhill Gjuraj në Pejë etj.
Janë po shqiptarët e Amerikës ata që janë bërë promotorët e mbledhjes së fondeve për ndërtimin dhe përfundimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, jo vetëm pse ajo mbanë emrin e shenjtëreshës. Jemi Komb i vogël dhe kemi nevojë për simbole, që i respekton Bota. Ditën e 26 Gushtit 2005, pikërisht në ditëlindjen e Nënës Terezë, dy simbolet e mëdha të Kosovës dhe kombit shqiptar, presidenti historik dr. Ibrahim Rugova dhe Ipeshkëvi i Kosovës Mark Sopi, tek vendosnin gurthemelin e Katedrales, kishin pranë edhe shqiptarët e Amerikës. Dhe ishin ata, shqiptarët e Amerikës, që i prinë fushatës për mbledhjen e fondeve duke grumbulluar më shumë se 1, 3 milionë dollarë dhe vazhdon cdo vit të shtohen fondet përmes Turneut të Golfit, nën drejtimin e Qendrës Kulturore”Nëna Terezë”, pranë Kishës “Zoja e Shkodrës” me organizator veprimtarin e palodhur, Anton Raja dhe shokët e tij.
Nënë Tereza na ka lënë pas kryeveprën e saj, Tempullin e Dashurisë njerëzore, që ngrihet mbi urrejtjen, mbi përcarjen. Tempulli që ajo na la ngrihet mbi fetë, mbi kombet, mbi shtetet. Mesazhi:Ta duam njeri-tjetrin, ta duam jetën, të ndihmojmë njëri-tjetrin, duhet të na ushqejë shpirtrat dhe mendjet. Vetëm kështu do t’i bëjmë ballë sfidave.Këshillat që ajo la pas janë një testament i ri për mbarë njerëzimin.
Coni ndërmend vetëm disa nga thëniet e saj të urta dhe do të ndjeheni të pasur në shpirtra:- Nese vertet duam te dashurojme, duhet te mesojme si te falim!, ka thënë ajo. Ose:
-Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyre, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!
-Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.
-Unë, thoshte ajo, shoh Zotin në çdo njeri. Kur laj një të sëmurë me lebër, ndjej se po kujdesem për Zotin. A nuk është kjo një eksperiencë e bukur?
-Të varfrit na japin më shumë seç u japim ne atyre. Ata janë njerëz kaq të fortë, duke jetuar ditë për ditë pa ushqim. Dhe ata kurrë nuk mallkojnë, as nuk ankohen. Ne nuk duhet t’u japim atyre simpatinë, por duhet të mësojmë nga ata.
-.Kam zgjedhur varfërinë për njerëzit tanë të varfër. Por jam e nderuar të marr çmimin Nobel në emër të urisë, zhveshjes, të pastrehëve, të verbërve, të sëmurëve, të atyre njerëzve që janë të padëshiruar,që nuk i do njeri, nuk kujdesen për ta. Njerëzit që ndihen të braktisur nga shoqëria dhe të refuzuar nga të gjithë.
-Nëse luksi na rrethon, ne humbim shpirtin. Ne do jemi të aftë të duam të varfrit nëse njohim varfërinë dhe jemi vetë të varfër.
-Nuk kam qenë kurrë më parë në një luftë, por kam parë urinë dhe vdekjen. E kam pyetur veten se çfarë ndiejnë ata kur e bëjnë këtë? Nuk e kuptoj. Ata janë të gjithë bijtë e Zotit. Pse ata e bëjnë këtë? Nuk e kuptoj.
-Zoti do gjejë një person tjetër më fisnik, më të devotshëm, më të përkushtuar ndaj tij dhe shoqëria do vazhdojë.
Ne, Shqiptarët, të shpërndarë në shumë shtete te Ballkanit dhe të mërguar, thuajse në të gjithë kontinentet, duhet të ndjehemi krenarë për shënjtëreshën tonë. Jo vetëm, kaq, por të përpiqemi të bëhemi pjesë e trashëgimisë së saj, të përfitojmë nga Tempulli i Dashurisë Njerëzore, dhe të mos bëhemi mbartës të urrejtjes, të mos bëhemi mish për top për ideologi që nuk janë në traditën shqiptare,të mos bëhemi merecenarë të luftrave ekstremiste fetare. Jo urrejtjes!Për ne,shqiptarët, harmonia fetare është vlerë e trashëguar dhe duhet të mbetet e shenjtë si e tillë.
* Editorial i Diellit
Papa Françesku, thirrje për paqe në Ukrainë
Gjatë celebrimit të Meshës së të dielës në sheshin “Shën Pjetër”, Papa Françesku u ndal për një apelim mbi çështjen e Ukrainës, që sikurse tha ai, situata po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. “Të dashur vëllezër dhe motra, me shqetësim të madh po e ndjek konfliktin në Ukrainën Lindore që po rëndohet gjithnjë e më shumë këto javët e fundit. Dua ta përsëris apelin tim për respektimin e marrëveshjes që të arrihet paqja”, ka thënë Papa Françesku.
Thirrja e Papës vjen një ditë para festes kombëtare të pavarësisë së Ukrainës. Gjatë ditës, edhe presidenti i saj Petro Poroshenko doli përpara popullit me një fjalim ku u kërkoi të gjitha forcave politike të mbështeten në planet e tij për ndryshimet kushtetuese që kanë si qëllim përfundimin e konfliktit në lindje të vendit dhe mposhtjen e atyre që ai i quajti “agresorët rusë”.
“Thirrja ime shkon për të gjitha forcat politike në vend, e në radhë të parë për ata që ndodhen në Parlament. Le të bashkohemi, për të mirën e Ukrainës”, bëri thirrje Poroshenko.
Gjate konfliktit në Ukrainë kanë humbur jetën deri më sot rreth 6500 vetë, ndër të cilët qindra civilë.
Krerët fetarë bëhen bashkë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO
Krerët e bashkësive fetare në Kosovë janë bërë bashkë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën e Kulturën (UNESCO). Ata ia kanë dërguar një letër të përbashkët Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, dhe delegacioneve të vendeve anëtare të UNESCO-s.
Letrën e kanë nënshkruar Myftiu Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, Dr. Don Lush Gjergji, Vikar i Përgjithshëm i Kishës katolike në Kosovë, Pastori Driton Krasniqi, kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, Sheh Lulzim Shehu, Bashkësia e Sufi Tarikateve të Kosovës, Baba Mumin Lama, kryetar i Komunitetit Bektashian në Kosovë, dhe Votim Demiri, kryetar i Bashkësisë Hebraike në Kosovë.
Në vazhdim po ua përcjellim letrën e plotë të nënshkruar nga krerët e bashkësive fetare në Kosovë.
“E nderuara znj. drejtoreshë e përgjithshme,
Ne po ju drejtohemi në emër të shumicës dërrmuese të të gjitha bashkësive fetare në Kosovë, që përfaqësojnë 96% të të gjithë popullsisë së Kosovës. Luteni ta konsideroni këtë letër si një argument shtesë për mbështetjen tuaj dhe anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
Kosova ka qenë gjithmonë në udhëkryq të qytetërimeve, perandorive dhe feve. Edhe sot, edhe pse pjesa më e madhe banorëve e konsiderojnë veten myslimanë sunitë, prania e fuqishme historike bashkësive krishtere ortodokse, katolike, myslimane bektashiane, sufi myslimane, protestante ungjillore dhe hebraike, dhe bashkësitë e tjera, pasurojnë vendin tonë tonë të përbashkët që ne e quajmë Kosovë. Ne konsiderojmë se jemi vërtetë të bekuar me këtë thesar.
Ne e përqafojmë harmoninë dhe bashkëpunim historik ndërfetar, megjithëse një luftë e egër shkatërroi vendit tone vetëm 16 vite më parë. Kosova është vendi ku një vajzë e re me emrin Gonxhe Bojaxhiu u zotua për herë të pare për t’u bërë Nënë Tereza e të gjithë njerëzimit dhe ku familjet fisnike shqiptare myslimane i fshehën hebrenjtë për t’i shpëtuar nga Shoah apo Holokausti.
Kjo pasuri dhe ky diversitet duhet të ruhen dhe mbrohen.
Një pjesë e madhe e trashëgimisë sonë është humbur përgjatë historisë, posaçërisht në dekadat e fundit. Shtëpitë e Perëndisë duhet të mbeten të paprekura që të shërbejnë si fanarë për brezat e ardhshëm. Kufijtë dhe perandoritë vijnë dhe shkojnë, por vendet e adhurimit e të gjithë njerëzve duhet të mbeten të paprekur. Në epokën që po jetojmë, bashkësitë fetare të Kosovës kanë dhënë një kontribut të madh për të ndërtuan një shoqëri paqësore dhe tolerante ku ne mund të bashkëjetojmë dhe të mbështesim njëri-tjetrin, pavarësisht nga përkatësia jonë etnike apo fetare. Këto përpjekje janë përfshirë në raportet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon.
Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Ne nuk jemi as individë politikë dhe as përfaqësues të organizatave politike. Ne besojmë se autoritetet sekulare të Kosovës duhet të kenë të gjitha mjetet në dispozicion, ato ligjore, teknike dhe financiare, për të mbrojtur trashëgiminë tonë të përbashkët – dhe ne, si bashkësi fetare, duhet gjithashtu të kemi të gjitha mjetet në dispozicion për të ushtruar trysni mbi qeveritë e tanishme dhe të ardhshme të Kosovës që ato të jenë të ndërgjegjshme dhe të përkushtohen për mbrojtjen e objekteve, traditave tona, trashëgiminë jomateriale dhe atë materiale.
Ne shpresojmë se ju do të bëni çmos për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Lënia e qytetarëve tonë të izoluar dhe pa qasje të drejtpërdrejtë në UNESCO nuk do të ndihmojë kauzën e mbrojtjes së trashëgimisë sonë të përbashkët, promovimin e dialogut ndërfetar dhe qasjen gjithëpërfshirëse ndaj të gjithë njerëzve që përqafojnë paqen anembanë botës. Ju gjithashtu duhet të keni parasysh se popullsia e Kosovës është shumë e re dhe ka nevojë për arsim të mirë, qasje në shkencë dhe e lidhje me kulturën botërore”.
ALEANCA E SHOQATAVE TË PRONARËVE SHQIPËTARË NUK PRANOJNË PROJEKT LIGJIN E QEVERISË
DEKLARATË PËR SHTYP/
12 Gusht 2015/
Për mospranimin e Projekt Ligjit të Qeverisë ,“Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave në Shqipëri.
Në kuadër të reformës për cështjen e kthimit dhe kompensimit të pronës, Qeveria Shqipëtare prezantoi Projekt Ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Për tu njohur me Projekt Ligjin ishin ftuar edhe Shoqatat e pronarëve Shqipëtarë.
Drejtuesit dhe Përfaqësuesit e Shoqatave të Pronarëve, analizuan me hollësi e shqetësim përmbajtjen e tij, dhe konstatuan se Projekt Ligji nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (neni 41 dhe 181) dhe me kartën Europiane të të drejtave të Njeriut për pronën. Ai nuk zgjidh problemin madhor që është “Kthimi i pronës dhe vetëm atje ku është e zënë me objekte kompensimin e saj”. Përkundrazi në Projekt Ligj mbyllet Kthimi i Pronës, Minimizohet Vlefta e Pronës dhe Mbyllet mundësia për tu ankuar në Gjykatën e Starasburgut. Në këtë Projekt, është hequr fare koncepti i kthimit të pronës, pra nuk ka më kthim të pronës por ka vetëm një kompensim minimal e sipas interesit të qeverisë. Avokatja e Shtetit Shqipetar Znj Hicka duke prezantuar Projekt Ligjin në emër të Qeverisë u Shpreh se : “do t’i japim pronarëve atë që ju është marrë në vitin 1945, dhe do të mbajmë për shoqërinë vlerën që i është shtuar pronave si kontribut i publikut gjatë 70 viteve” . Por ne pronarët atë i kërkojmë Qeverisë – tokën që na është marrë, madje edhe fitimin e munguar qysh nga viti 1945, ndërsa, “ Vlerën e Shtuar”, dmth kompensimin në “Para”, nëse Qeveria ka , le tja u japë “pronarëve” që fabrikoi me Ligjin 7501.
Projekt-Ligji i ofruar si “zgjidhje” nga Qeveria është i papranueshëm, sepse mban forcërisht në fuqi Ligjin antikushtetues 7501, datë 19. 07.1991, “Për Tokën”, me të cilin iu muar toka pronarëve që e trashëgonin dhe iu dha falas disa të tjerëve që Qeveria i emertoi “ Pronarë ”. Ky veprim bie në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës së Shqipërisë, i cili thotë : “prona fitohet me dhurim, me blerje ose me , trashëgim….”, por bie në kundërshtim edhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut për Pronën, e cila është ratifikuar nga Parlamenti Shqipëtar me ligjin nr.7491, datë 29.04.1991’ .
Projekt Ligji zyrtarizon përfundimish një borxh absurd në miliarda Euro. të cilat duhet të përballohen nga taksapaguesit dhe buxheti i shtetit, për të kompensuar pronarët dhe e gjithe kjo sa për interesa elektorale e karieriste aq edhe KORRUPTIVE, të liderëve politik që kanë sunduar jetën e vëndit në këto 24 vjet. Ndërkohë që është e sigurt, se nëse prona kthehet tek pronari që e trashëgon, detyrimi financiar i kompensimit bëhet ZERO. Kjo është e vetëmja zgjidhje që i kërkohet Qeverise nga pronarët Shqipëtarë, qysh nga viti 1991.
Procedura e hartimit të projektligjit nuk ka qënë transparente. Ai është hartuar në fshehtësi të plotë dhe pa pasur në grupin e punës asnjë përfaqësues të pronarëve, si dhe nuk ka reflektuar asnjë nga kerkesat e pronarëve konform Kushtetutës në fuqi dhe Konvetës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në të gjitha takimet e organizuara përfaqësuesit e Qeverisë, megjithë insistimin tonë, nuk kanë lejuar pranin e MEDIAS. Ne denoncojmë publikisht veprimet e pa moralëshme të Qeverisë Shqipëtare, e cila në fshehtësi të plotë e ka dërguar Projekt-Ligjin në KE dhe në GJEDNJ në Strasburg, pa e diskutuar më parë me grupet e interestit (Pronarët), pa dieninë e tyre, madje pa dieninë e medias. Ne, i bëjmë thirje edhe një herë Qeverisë të tërhiqet nga makinacionet dhe mashtrimet për të bindur institucionet Europiane e ndërkombëtare, për të mos mbështetur pronarët në të drejtën e tyre, por të realizojnë detyrimet që ngarkon Kushtetuta, sipas neneve 41 dhe 181.
Është një fakt, se aktualisht për tokën në Shqipëri nuk ka tituj pronësie komformë Kushtetutës. Për këtë arësye për konflikte pronësie, deri tani janë vrarë mbi 8000 persona. Këtë e ka deklaruar në Parlament vetë Kryeministri Rama. Njëherësh ish kryeministri Sali Berisha, dhe ish Kryeministri Majko kanë deklaruar publikisht se : “ Klasa Politike Shqipëtare ka GABUAR me ligjin 7501.
Është keqardhje e madhe kur mëson se në Agjenësinë e Kthimit të Pronës janë vetëm 26 mijë dosje të Pronarëve që kërkojnë kthimin e Pronave, ndërkohë që qindra mijë pronarë të tjerë janë në kërkim të dokumentave vërtetuese të pronave. Vetëm pronarë të mëdhenj tokash ,sipas statistikave zyrtare, në vitin 1945 kanë qënë në Shqipëri 91 133 familje – pra ku i kanë keta dosjet e pronave ??. Ama Qeveria Shqipëtare të gjitha pronat që pronarët e tyre jane ende në kërkim ose janë në proces njohje i konsideron prona të shtetit dhe vazhdon ti shesi, e ti japë me qera, nw mwnyrë të kundraligjëshme. Ndërkohë ju vemë në dieni se ne 50 % të territorit (në pjesën veriore) sejcili banor ka marrë tokën e tij të trashëguar)-pra Ligji 7501 është zbatuar vetëm në Jugë të vëndit.
Pronarët Shqipëtarë, të gjëndur para arbitraritetit dhe padrejtësisë së Shtetit Shqipëtar, që u mori pronat, kanë kërkuar e do vazhdojnë të kërkojnë drejtësi në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila rast pas rasti iu ka dhënë të drejtë pronarëve Shqipëtarë,(rasti Manushaqe Puto etj), madje ka gjobitur rëndë edhe Qeverinë Shqipëtare, por me këtë Projekt Ligj Qeveria u a heq këtë mundësi pronarëve. Zonja Sonila Qato, Drejtoresha e Agjensisë Kombëtare për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, në celje të takimit, u shpreh se “qëllimi i ligjit të ri të pronave është që t’i vërë fre vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, që i shkakton një shumë të kripur parash shtetit shqiptar”.
Për arësyet e mësipërme, ne Pronarët Shqipëtarë e konsiderojmë Projekt-Ligjin krejtësisht të papranueshëm dhe e denoncojmë zyrtarisht dhe publikisht si një artificë të Qeverisë me anën e të cilit jo vetëm nëpërkëmb të drejtat e pronarëve Shqipëtarë, por kërkon të mashtrojë edhe institucionet dhe drejtësinë Europiane.
Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me grupin e punës, nëse Qeveria pranon që diskutimi të fillojë nga zgjidhja në përputhje me kushtetutën dhe Konventën Europiane të të drejtave të njeriut – pra nga KTHIMI I PRONES, e pastaj nga kompensimi, por vetëm për tokat e zëna me objekte social-ekonomike. Për këtë përfaqësuesit e Shoqatave të Pronarëve kërkojnë që të tërhiqet drafti i përgatitur nga Qeveria dhe në tavolinën e diskutimeve të shqyrtohet drafti i përgatitur nga Shoqatat e pronarëve, i cili gjëndet në sitin e Shoqatës www.defendingproperty.com..
Të gjitha Shoqatat e pronarëve të Shqipërisë , në unitet të plotë , i drejtohemi, Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, gjithë institucioneve të Bashkimit Europian , , Ambasadorit të SHBA, në Tiranë dhe gjithë Ambasadorëve të vëndeve të BE-së, në Tiranë të insistojnë në mbështetje të së drejtës së Pronarëve Shqipëtarë, sipas standarteve Europiane, duke kushtëzuar marrëdhëniet me Qeverinë Shqipëtare me zbatimin e Kushtetutës së Republikës dhe të Drejtës Europiane për kthimin fizik të pronës. Në të kundërt alternativa e vetëme e Pronarëve Shqipëtarë do të jetë zgjidhja përmes Gjykatës së Strasburgut dhe mosbindjes civile.
Ne besojmë shumë te parimet e drejtësisë Europiane dhe jemi thellësisht të bindur se nuk mund të ketë zgjidhje përfundimtare dhe të qëndryshme pa kthimin fizik të pronave dhe kompensimin e tyre vetëm kur janë të zëna me objekte social-ekonomike.
Me kthimin e pronës pronarëve, kompensimi bëhet ZERO, dhe Shqipëria bëhet pjesë e BE-së
Me respekt
ALEANCA E SHOQATAVE TË PRONARËVE SHQIPËTARË
1. Shoqata “ Pronësi me Drejtësi”,Kryetari Gezim Bocari, mob.0672652570
2. Shoqata “Bregdeti”,Kryetari Jorgo Dhrami,mob. 0682050951
3. Shoqata “Krahina Jonë”, Kryetari Axhem Ymeri-mob.0682690553
4. Shoqata “Dukati”,Kryetari-Nevzat Bozhani, mob. 0692796475
5. Shoqata “Pronarwt Legjitimw” Kryetari- Fredi Sulaj, mob. 0692163903
6. Shoqata “Pronarwt e Myzeqesë” Kryetari-Stavri Semanjaku, mob. 0692140420
7. Shoqata “Borshi” , Kryetari Ylber Hysi.mob. 0695513422
GËZUAR FITOREN, KROACI!
Nga Frank Shkreli/
Për disa ditë këtë javë, me ceremoni që kulminuan të mërkurën me 5 Gusht, Kroacia shënoi 20-vjetorin e operacionit ushtarak “Stuhia”,që konsiderohet si operacioni më i madh ushtarak në Europë ç’prej Luftës së Dytë Botërore, një luftë kjo që çliroi vendin nga forcat separatiste serbe që kishin pushtuar qytetin Knin dhe zonën Krajina për rreth. Forcat ushtarake kroate, 20-vjetë më pare, ndërmorën një “blitzkrieg”, një sulm të shpejtë dhe të pa pa pritur, kundër forcave serbe të cilat me ndhmën ushtarake të Beogradit kishin marrë nën kontroll këtë zone, në verën e vitit 1990 dhe kishin detyruar me forcë popullsinë kroate të këtyre zonave të largoheshin së andejmi.
Ndërsa ish-Jugoslavia ishte në shkatërrim e sipër, krahina e Krajinës u bë një zonë konflikti midis Kroacisë dhe Serbisë, ndërkohë që politikanët serbë vendas të Krajinës, me ndihmën dhe mbështetjen e Beogradit zyrtar, refuzonin të njihnin autoritetin e qeverisë qëndrore të presidentit kroat, Franjo Tugjman dhe shpallën të ashtuquajturën Republikën Serbe të Krajinës. Forcat vendase separatiste serbe me mbështetjen e forcave të ushtrisë jugosllave të kontrolluar nga Serbia, vranë në mënyrë arbitrare civilët vendas të kombësisë kroate dhe detyruan me force mijëra prej tyre që të largoheshin nga shtëpitë e veta.
Me këtë operacion ushtarak, që historianët e cilësojnë si më të madhin në Europë ç’prej Luftës së Dytë Botërore, Kroacia mori përsëri nën kontrollin e saj territore të mëdha që kontrollohoshin nga forcat serbe. Fitorja e Kroacisë mbi forcat serbe të drejtuara dhe të kontrolluara nga Beogradi, detyroi më në fund diktatorin serb Slobodan Miloseviç që të ulej në tryezën e bisedimeve me qëllim për t’i dhënë fund konfliktit në ish-Jugosllavi.
Ishte kjo një fitore dramatike e forcave ushtarake kroate që armët i merrnin nga burime të ndryshme në Europë dhe të cilat njëkohsisht stërviteshin nga ish-ushtarakë amerikanë në pension: Armët nga Europa dhe këshilltarët nga Amerika! Është kjo një ditë që Kroacia e shënoi me krenari, me vendosmëri, me guxim dhe në pavarësi, anëtare e plotë e NATO-s dhe e Bashkimit Europian. Si e tillë, 20-vjetori i Operacionit “Stuhia”, është gjithashtu një ditë e shënuar që çliroi Kroacinë dhe kroatët nga pushtimi dhe dominimi historik serb duke i dhënë kështu fund agresionit brutal të Serbisë ndaj territorit të Kroacisë. Është një ditë që njëkohësisht duhet të kujtohet si një datë që shënoi fillimin e mbarimit të influencës politike dhe ushtarake të Serbisë në republikat dhe në krahinat e ish-Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën. 5 Gushti ishte pra një ditë e fitoreve dhe e çlirimit të territoreve kroate të pushtuara nga agresioni fashisto-komunist serb, që në kulmin e tij përfaqësohej nga regjimi terrorist i Sllobodan Milosheviçit në Beograd.
Ishte ky një përvjetor i fitores mbi agresionin serb, i cili këtë javë u përkujtua në Zagreb dhe në qytetin Knin të Krajinës si dhe në mbarë Kroacinë, me ceremoni të rastit dhe me parada ushtarake — përfshirë sipas mediave edhe parakalimin e flamurit të kombit shqiptar në njërën prej tyre. Dihet se gjatë luftërave në Kroaci, një numër i madh luftëtarësh shqiptarë nga Kosova kanë dhënë kontributin e tyre të vyer duke luftuar krah për krah me forcat kroate dhe duke sakrifikuar në luftën për çlirimin e Kroacisë nga pushtuesit serbë — për ta bërë Kroacinë atë që është sot, ose siç ka thënë Presidenti i parë kroat Tugjman,për mundësinë, “Për të pasur një Kroaci”, — një shtet të pavarur, anëtar të NATO-s dhe të Bashkimit Europian. Me këtë rast në Knin u zbulua monumenti kushtuar presidentit të parë të Kroacisë, Franjo Tugjman si dhe pllaka me fjalët që ai shqiptoi me 6 Gusht, 1995, “E Kemi Kroacinë”, (Imamo Hrvatsku”.
Kroatët dhe shqiptarët, sidomos gjatë shekullit të kaluar, kanë ndarë një histori të përbashkët, shpesh të hidhur, përball dominimit dhe terrorizimit nga shovinizmi serb. Shqiptarët, me mundësitë e veta, i erdhën në ndihmë Kroacisë për tu çliruar nga dominimi dhe agresioni i Serbisë. Suksesi i deritanishëm i Kroacisë tregon se, ndonëse i dalë nga lufta e 1990-ave, çfarë mund të arrihet kur një vend si Kroacia është serioz për bërjen e reformave për të çuar vendin përpara dhe për të avancuar progresin në fushë të ndryshme, përfshirë politikën dhe ekonominë. Si i tillë, ai vend është një model jo vetëm për Kosovën dhe për Shqipërinë, por për mbarë rajonin e Ballkanit.
20-vjetë më parë, Shqiptarët i erdhën në ndihmë Kroacisë në njërën prej periudhave më të vështira të sajë, duke e vërtetuar fjalën e vjetër se miku i mirë njihet në ditë të vështira. Ndërsa në këtë 20-vjetor të çlirimit të saj nga pushtuesit serbë, i urojmë Kroacisë fitoren, shqiptarët presin që Zagrebi mos t’i harrojë miqët e vjetër që i erdhën në ndihmë në kohët më të vështira të historisë së saj, por të përdor rolin e saj udhëheqës si anëtare e Bashkimit Europian dhe e aleancës së NATO-s, në mbështetje të aspiratave, sidomos të shqiptarëve të Kosovës, për t’iu bashkuar aleancës perëndimore dhe Bashkimit Europian – me qëllim për të çimentuar një lidhje më të ngushtë historike midis dy kombeve, si dhe për një Europë dhe Ballkan më të paqë dhe më të sigurt për të gjithë. Urime dhe Gëzuar Fitoren!
Parakalimi me flamurin e kombit shqiptar në paradën me rastin e 20-vjetorit të fitores së forcave kroate mbi agresorët serbë, ku siç dihet kontribuan mjaftë edhe luftëtarë shqiptarë nga Kosova në fitoren kroate kundër agresorëve serbë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 20
- 21
- 22
- 23
- 24
- …
- 59
- Next Page »