• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kush ia zgjodhi kriminelët Ramës

March 27, 2015 by dgreca

Nga Armand Shkullaku/*
Edi Rama duhet të jetë vërtetë në një hall të madh. Ai mezi arriti të lidhte disa fjali të enjten në Kuvend, kur nisi të fliste për pensionet dhe doli tek 21 janari. Në më pak se dy vjet në pushtet, kryeministri që mori përsipër Rilindjen e Shqipërisë po shikon t’i vërtetohen çdo ditë akuzat e kundërshtarëve të tij se ai synoi pushtetin si qëllim të vetëm, pavarësisht mjeteve për ta arritur atë. Se pranoi të bëjë aleancë edhe me djallin dhe tashmë ndodhet brenda lojës së tij.
Të enjten, pas votimit në Kuvend për t’i hapur rrugën arrestimit të dy deputetëve të shumicës, shqiptarët panë kryeministrin e tyre që foli se duhej të fliste, por në fakt nuk tha asgjë. Atë që nuk e tha me fjalë, Rama e demonstroi me nervozizmin e tij, me akuzat bajate ndaj opozitës, me rikthmin e 21 janarit për të balancuar politikisht prokurorinë dhe me mungesën totale të një ndjese publike. Ai u detyrua, faqe gjithë botës, të gëlltisë lugën e parë të çorbës që ka gatuar vetë.
Edi Rama është në hall në radhë të parë me aleatin e tij kryesor, Ilir Meta, të cilin dy vjet më parë e sulmonte me zemër dhe sot është i detyruar ta mbrojë fare pa zemër. Rama është gjithashtu në hall edhe me deputetët e tij. Ai i vërtiste fjalitë të enjten në gojë pa thënë asgjë, sepse nuk mund të fliste dot hapur për Tom Doshin, një nga njerëzit e tij më të afërt, të cilin e prezantonte dy vjet më parë si një nga Rilindasit e shquar të ekipit të tij, ndërsa tani i ka hapur rrugën për ta dërguar në qeli. Nuk flet dot as për Mark Frrokun, të cilin e bëri aleat për kokë, ndonëse e dinte që në partinë e tij, i dyti në listë ishte një individ i akuzuar për vrasjen e një oficeri të lartë policie. Nuk u del për zot as dy deputetëve me të cilët krenohej kur goditën kolegun e opozitës dhe tani me heshtjen e tij ka dhënë “miratimin” për dënimin e tyre.
Kryeministri do duhej t’u tregonte sot shqiptarëve atë që po ngjet me mazhorancën e tij. Se si ndodhi që ajo përfshi në një spirale të tillë skandali ku çdo ditë shfaqet një i akuzuar i ri dhe nuk dihet se ku do të përfundojë zinxhiri. Dhe për ta bërë këtë, Edi Rama kishte vetëm një mënyrë. Të fliste hapur dhe të kërkonte ndjesë publikisht. Të pranonte se ai e ka ditur që në fillim se çfarë individësh po u ofronte shqiptarëve për të votuar në listat e tij. Se çfarë aleancash lidhi për të ardhur në pushtet dhe deri ku u detyrua të shkojë për disa mijëra vota më shumë. Ai do të duhej të pohonte se gjithë kjo telenovelë e pështirë që po zgjat me javë është kësti parë i kredisë së lartë që Edi Rama ka marrë për të ardhur në pushtet. Dhe duke pranuar këtë, angazhimi i tij për një distancim nga bota e krimit në të ardhmen do të ishte më e besueshme. Pse jo, mund të kishte edhe mbështetje më të gjerë nga opinioni publik.
Në vend të ndershëmrisë politike në një moment kritik për Shqipërinë, kryeministri zgjodhi të bëjë atë që di më mirë. Ta shkarkojë përgjegjësinë tek të tjerët dhe të ndezë motorrin e lodhur të propagandës. Ai u përpëlit para Kuvendit duke mos gjetur asnjë argument bindës për atë që po i ndodh brenda vathës së tij. Mbajti një leksion të stërpërdorur mbi të djathtën, përsëriti batutat bajate me Shqup, u kujtua të kërkojë drejtësi për 21 janarin, provoi të bëjë herë grindavecin e herë strategun, por në fund nuk tha se si ndodhi që Rilindja sot po kthehet në Riciklim. Madje kulmin e arriti kur akuzoi opozitën se po bëhej zëdhënësja e Durim Bamit, një gangsteri nga Fushë- Kruja.
Në fytyrën e kryeministrit dallohej qartë se as ai vetë nuk i besonte ato që thoshte, por ishte i detyruar të thoshte diçka. Meqë nuk mund të shpjegonte dot se përse ky gangsteri nga Fushë Kruja, me dijenë e tij, pra të vetë kryeministrit, ishte takuar tri herë me ministrin e Brendshëm e me drejtues të lartë të policisë dhe ata e kishin pritur me kafe e muhabet në zyrat e shtetit, ateherë rrugëdalje e vetme mbetet propaganda dhe armiku i klasës. Në të kundërt, kryeministri do të duhej të shpjegonte edhe përse ai, ministri Tahiri dhe drejtori i policisë nuk bënë kallzim në prokurori për dëshmitë e gangsterit nga Fushë- Kruja, të cilin tani kërkon t’ia faturojë opozitës. Ky është vetëm një shembull nga logjika e hallit që e ka zënë kryeministrin. Sepse ka shumë e shumë të tjerë.
Në thelb të gjendjes në të cilën gjendet sot shumica dhe kryeministri, nuk është as mënyra se si bën opozitë PD dhe as se çfarë thotë apo nuk thotë Durim Bami. Problemi i vërtetë qëndron tek aleanca e dikurshme me djallin për të cilën ka ardhur momenti për të dhënë llogari. Sa më shumë të fshihet Edi Rama pas gishtit aq më të vështirë do ta ketë shkëputjen nga rrjeta që ka thurrur vetë. Në fjalën e tij në Kuvend kryeministri sugjeroi të mos përdoret fjala dekriminalizim i parlamentit sepse, tha ai, “populli nuk ka zgjedhur të përfaqësohet nga kriminelë”. Kjo është e vërtetë. Populli ka zgjedhur të votojë përfaqësuesit që i caktojnë kryetarët e partive. Se kë ka caktuar Edi Rama, sigurisht nuk është faji i popullit. Populli tashmë po rri e vështron. Dhe sot po sheh një kryeministër në hall.
*Kortezi-Koha Jone

Filed Under: Editorial Tagged With: Armand Shkullaku, kriminelët Ramës, Kush ia zgjodhi

24 marsi 1999: Kosova nga Liria deri te Pavarësia

March 23, 2015 by dgreca

Me 24 Mars 1999 momenti historik – Në Shtëpinë e Bardhë fjalimi i drejtuar amerikanëve – nga ish-presidentit amerikan Bill Klinton për arsyet e intervenimit humanitar në Kosovë/
Nga Beqir SINA New York/
WASHINGTON D.C: – 24 Mars 1999, është ditë e shënuar për popullin shqiptar, për ta celebruar si ditën e fitores. Është pikërisht kjo ditë, kur, populli i Kosovës e mbarë kombi shqiptar ngjalli shpresën që kurrë nuk do të vdiste më për liri e pavarësi.
Është dita, kur nisën sulmet ajrore të SHBA-së e NATO-s, kundër forcave ushtarake dhe policore të Serbisë.
Është dita e kthesës së madhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, është dita e një vendime e sulmi me vlerë historike, jo vetëm për Kosovën që të çlirohej një herë e përgjithmonë nga sundimi ushtarako-policor i Serbisë së Millosheviqit, por edhe me peshë shumë e më të gjerë për ndryshimet gjeostrategjike që do të ndodhnin më pas në Ballkan e rajon me vendosjen e forcave të NATO-s në Kosovë, e përreth saj.
Është, dita që përshpejtoi largimin dhe rrëzimin e diktatorit komunist të Millosheviqit, nga të gjitha skenat dhe dërgimin e tij në Hagë – ku edhe vdiq në një nga dhomat e burgimit . Kosova, çlirimi dhe liria e saj shënojnë edhe rënjen e shkërmoqjen e perandorisë sunduese sllavo – komuniste në rajon.
Më 24 mars 1999, është dita për njohjen e Kosovës në botë dhe të ardhmen e saj në rrugën e pavarësisë së Kosovës dhe integrimin e Kosovës në rrjedhat evropiane dhe evro-atlantike. Të cilën sot e njohin 108 shtet përfshirë edhe shtetet më të fuqishme të botës, Gjermania, Anglia, Japonia, Franca, Italia dhe Miku i Madh dhe i Përjetshëm si ka thënë Presidenti historik Rugova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këtu, pra, qëndron vlera historike e magjike e kësa dite e quajtur 24 marsi 1999, dita sulmeve ajrore, dhe e rolit e luftës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ish Presidentit të saj William Jeferson Clinton – Bill Klintonit, dita e fjalimit të tij adresuar kombit amerikan sot gjashtëmbëdhjet vjet më parë.
Më 24 mars 1999, pasdite, në orën 4:20 me orën e Uashingtonit dhe 10;20 e natës me kohën e Kosovës, presidenti i 42-të i SHBA-ve, William Jeferson Clinton – Bill Klintoni në momentin historik, të fillimit të fushatës së sulmeve ajrore, kur fluturakët e natos po fluturonin duke bombarduar Beogradin, iu drejtua nga Shtëpia e Bradhë kombit amerikan lidhur me këtë ngjarje duke thënë :
“Bashkëkombas të mi: në këtë moment trupat serbe po lëvizin nga një fshat tek tjetri, po bombardojnë vendbanimet, civile dhe po djegin shtëpit. Ne po shohim njërëz të pafajshëm të përzënë me forcë nga shtëpitë e tyre, njërëz që me forcë janë vendosur para togave të pushkatimit dhe gjuajtur me plumba.
Burrat kosovarë janë ndarë nga familjet e tyre, prindërit dhe fëmijët bashkë, të vënë në rresht janë gjuajtur me një herë me armë zjarri. Kjo që po ndodh në Kosovë, nuk ka asgjë të ngjashme me luftën dhe me ligjet tradicionale dhe kodet të luftës; kjo është një luftë e padrejtë e kryer me të gjitha arsenalet ushtarake ndaj njërëzve të pafajshëm, që nuk mund të mbrohen dhe kur ata dhe udhëheqësit duan vetëm paqe. Pra, bashkëkombas të luftojmë që ta mbyllim këtë tragjedi e cila për ne është një kërkesë morale.”
“Misioni (bombardimet) ynë është më se i qartë: të tregojmë se ne edhe NATO e kemi seriozishtë, që t’u lëmë të kuptojnë atyre që kontrollojnë në Sërbi sot(24 mars 1999) se është e domosdoshme të ndrrojnë rrugën, të ndalojnë këtë lloj ofensive të ndërrmarrë duke derdhur gjak kundër qytetarëve të Kosovës, ta ndalojmë atë me të gjitha format që duhet ndaluar, duke e dëmtur seriozishtë ushtrinë Serbe që është kundër njerëzve të pafajëshëm në Kosovë. Dhe në se presidenti Millosheviq – nuk i bindet paqes at’here na takon neve që duke përdorur forcën ushtarake ta ndalim atë dhe atij t’i shpallim luftën.
Në anën tjetër, Serbia dhe personalisht Millosheviqi – nuk i kanë pranuar bisedimet për zgjidhjen paqësore e politike të çështjes së Kosovës. Millosheviqi, përveç sundimit ndaj shqiptarëve me një sistem të paparë, filloi edhe ofensivat dhe krimet e veta masive kundër popullit shqiptar: me vrasje dhe masakra masive, djegie, dëbim masiv të shqiptarëve nga Kosova dhe me spastrimin etnik të Kosovës…
“Bashkëkombas: unë jamë i bindur se rreziku për të hapur luftë dhe bërë diçka nga SHBA-s, nuk është aq i madh sa çështë rreziku të rrimë duarkryq dhe të mos bëjmë asgjë, që të nxjerrim nga ky rrezik njërëzit që nuk mund të mbrohen dhe tek ne amerikanët kanë interesa kombëtare. Sikur, ne sot, së bashku me aleatët(NATO) tonë, ta lëmë që kjo luftë e padrejtë të vazhdojë, athere, preisdenti Millosheviq, do të inkurajohet nga hezitimi ynë duke e qujatur luftën e tij, si një drejtësi duke vrarë njërzit në Kosovë.
Kështu që atij ne i lëmë dorë të lirë për të bërë më shumë masakra, dhe më shumë shpërngulje me forcë të qindra mijra refugjatve të cilët presin vetëm mbrojtejen tonë. Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë, është e vetmja shprese e popullit të Kosovës. Populli i saj megjithse Kosovën kanë vendin e tyre nuk mund të jetojnë atje, prandaj na duhet ne t’i sigurojmë jetën e tyre dhe ata të mos kenë më frikë për jetën”.

Filed Under: Editorial Tagged With: 24 marsi 1999:, deri te Pavarësia, Kosova nga Liria

NJË SHIKIM PRAPA NË HISTORI

March 17, 2015 by dgreca

SHËNIM ME RASTIN E 24-VJETORIT TË MARRËDHËNJEVE SHQIPTARO- AMERIKANE/
Nga Frank Shkreli/
5 Marsi, 1991 është data kur u nënshkrua dokumenti për rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike amerikano-shqiptare, pas një ndërprerjeje prej pothuaj një gjysëm shekulli diktaturë komuniste. Një javë më vonë në Tiranë arrijti delegacioni i parë diplomatik i Shteteve të Bashkuara, që autori i këtyre rreshtave pati nderin dhe privilegjin të ishte pjesë e tij. Ishte kjo hera e parë në 50-vjetë që diplomatët amerikanë shkelën në Tiranë.
Si shënim të asaj vizite prej pothuaj një muaji, po sjellë artikullin e bashkangjitur – mesa mbajë mend i vetmi artikull i një gazete shqiptare me rënëdësi të asaj kohe — botuar në gazetën Rilindja Demokratike (RD) që sapo kishte filluar të botohej si organ i Partisë Demokratike të Shqipërisë, shkrim në të cilin përshkruhet arrijtja e delegacionit amerikan në Tiranë dhe takimi i parë me përfaqsues të Partisë
Demokratike. Delegacioni amerikan kishte caktuar një ditë pas arrijtjes në kryeqytetin shqiptar, takimin e parë me përfaqsues të Partisë së re të sapo formuar.
Ndonëse, me sa u informuam në atë kohë, asnjë gazetë e regjimit dhe as radio televizioni shtetëror nuk njoftuan fillimisht arrijtjen e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Tiranë, gazeta RD e botoi njoftimin e takimit në faqën e parë të saj, të datës 23 Mars, 1991, por siç mund të shihni nga artikulli, pa ndonjë eufori dhe pa asnjë koment të drejtë për drejtë ose të tërthortë mbi rëndësinë e kësaj ngjarjeje – sigurisht pa shfaqje euforike që u akordohet sot lidhjes së marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane nga zyrtarët dhe nga media shqiptare. As takimet e mëvonshme të delegacionit të parë amerikan me faktorë të tjerë politikë të vendit, nuk u pasqyruan në shtypin zyrtar të kohës. Kuptohet se regjimi i
Ramiz Alisë ishte gjithnjë në fuqi dhe duket se gjithkush ishte tepër i kujdesshëm mbi ato që shkruanin. Por, ama mungesa e entuziazmit zyrtar për praninë e delegacionit të parë amerikan, më shumë se u trefishua nga pritja tepër entuziaste që i bënë delegacionit shqiptarët e thjeshtë anë e mbanë vendit, nga Shkodra e deri Ndërkaqë, të hënën në Tiranë, “Qendra Shqiptare e Politikave” organizoi konferencën me titull “24 vjet partner strategjik”, me rastin e 24-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike shqiptaro-amerikane ku mori pjesë Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu si dhe zyrtarë të tjerë, e të cilët sipas Zërit të Amerikës, në atë tubim ata theksuan marrëdhënjet e shkëlqyera që ekzistojnë tani midis
Washingtonit dhe Tiranës dhe njëkohsisht u zotuan për bashkpunimin midis dy vendeve për përballimin e sfidave aktuale.
Mirëpo, nga këndveshtrimi 24-viteve më parë, si dëshmitar i atij mjerimi të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik të regjimit komunist i cili kishte kaplluar Shqipërinë e Marsit të vitit 1991, është vështirë të besohet se sot 24-vjetë më vonë, populli shqiptar, siç tha edhe ambasadori Lu të hënën, vazhdon të përballet me ose të vuaj nga trashëgimia e regjimit komunist. Por megjithkëtë, si atëherë ashtu edhe sot, siç theksoi edhe Ambasadori Lu në konferencën e Tiranës, “Shtetet e Bashkuara besojnë në Shqipërinë”. Atë besim kishin edhe 24 vite më parë ku u rivendosën marrëdhënjet diplomatike. Besimin se duke marrë parasyshë trashëgiminë dhe pasojat e tmershme të regjimit komunist në shoqërinë
shqiptare, Shqipëria do të shkundte njëherë e mirë trashëgiminë e njërit prej regjimeve më të egëra komuniste të botës mbrenda një kohe të shkurtër dhe se do të dinte të çmonte lirinë dhe demokracinë me qëllim të ndërtimit të një jete më të mirë për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve.
Në konferencën kushtuar 24-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike midis dy vendeve, Ambasadori Lu theksoi gjithashtu të hënën në Tiranë se, “Shtetet e Bashkuara besojnë në Shqipërinë, dhe jo në ndonjërën parti politike ose udhëheqës të vetëm politik. “Ato besojnë”, theksoi diplomati amerikan, “në afëtësinë e shqiptarëve të guximshëm që të ndërmarrin bërjen e ndryshimeve të nevojshme dhe që të bëjnë sakrifica për veten dhe për fëmijtë e tyre.”
Është ky një mesazh i rëndësishëm që duhet të përsëritet shpesh nga diplomatët amerikanë, se marrëdhënjet midis kombit amerikan dhe kombit shqiptar janë midis dy popujve, dhe nuk mund të ndryshojnë, të përdoren ose të keqpërdoren si t’i teket një partie politike të rastit ose një udhëheqsi të përkohëshëm politik. Si të tilla, ato marrëveshje duhet të bazohen jo vetëm në marrëdhënjet politiko-
ekonomiko-ushtarake, por mbi të gjitha duhet të bazohen në vlera të përbashkëta, në këtë rast në vlerat perëndimore. Jo se Amerika dhe perëndimi në përgjithësi janë shoqëri të përsosura dhe pa gabime e pa probleme, por marrëdhënjet e Amerikës me shumë vende, sidomos me ato të Europës Perëndimore, janë të bazuara, mbi të gjitha, në vlerat e përbashkëta njerëzore që historikisht ndajnë me ato shtete dhe popuj, pa marrë parasyshë se cila parti ose cili udhëheqës është në pushtet në një kohë të caktuar. Të tilla duhet të jenë edhe marrëdhënjet midis Washingtonit dhe Tiranës, të bazuara në vlerat e përbashkëta të një shoqërie e cila duhet të distancohet tanimë njëherë e mirë nga trashëgimia e tmershëme e komunizmit duke luftuar krimin, dhunën dhe korrupsionin.
Në këtë 24 vjetor të marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane, le të shpresojmë me ambasadorin më të ri amerikan në Tiranë i cili, në emër të shtetit që ai përfaqëson, shprehu besimin e tij se më në fund, “Shumica e shqiptarëve të cilët janë të ndershëm dhe me integritet do të triumfojnë mbi ata të cilët përfaqësojnë krimin, dhunën dhe korrupsionin.”
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu u angazhua se vendi i tij do të vazhdojë t’i mbështesë shqiptarët në këtë betejë të rëndësishme. Kjo është një mbështetje e nevojshme, por kjo luftë kundër “krimit, dhunës dhe korrupsionit”, nëqoftse do të dalë me sukses, është një luftë që duhet të bëhet nga shqiptarët dhe se fitorja kundër këtyre të këqiave duhet të sigurohet gjithashtu nga vet shqiptarët, për një të ardhme më të ndritur të kombit shqiptar dhe për të mirën e marrëdhënjeve më të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, bazuar mbi të gjitha, në vlerat e përbashkëta njerëzore.

Filed Under: Editorial Tagged With: 24 vjetori, Frank shkreli, Marrdheniet, shqiptaro-amerikane

Uk Lushi i shkruan Presidentit Jean-Claude Juncker

March 13, 2015 by dgreca

Qytetarët e Kosovës duhet të lëvizin lirshëm si të gjithë europianët
President Jean-Claude Juncker
European Commission
Rue de la Loi / Wetstraat 200
1049 Brussels
Belgium
President.Juncker@ec.europa.eu
I nderuar President Juncker,
Po ju shkruaj si qytetar i vendit tim — Kosovës. Republika e Kosovës, shteti më i ri europian, u lind me 17 shkurt 2008 dhe është e pavarur duke ju falënderuar përpjekjeve tona të gjata dhe mbështetjes së patundur të botës euro-amerikane. Populli i Kosovës e çmon lartë gjithçka Europa, SHBA-të dhe sidomos BE-ja kanë bërë për ne. Megjithatë, arsyeja pse po ju drejtohem sot është që të sjell në vëmendjen tuaj trajtimin jofer të vendit tim në procesin e liberalizimit të vizave.
Zoti President,
Kosova është vendi i vetëm në Europë qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm përjashta kufijve të shtetit të tyre. Ne pritëm me durim, për mbi katër vite pas shpalljes së pavarësisë, derisa më në fund, me 14 qershor 2012 na u ofrua udhërrëfyesi aq i nevojshëm për liberalizimin e vizave. Në këtë datë qeverisë sonë ju dorëzua lista e kërkesave që duhej të përmbusheshin ashtu që shteti ynë të kualifikohej për udhëtime pa viza për dhe nëpër zonën e Schengenit.
Dy vjet më vonë, në korrik 2014, Komisioni Europian publikoi raportin e progresit të Kosovës. Për habinë e qeverisë sonë, shoqërisë civile dhe ekspertëve tonë në çështjet e inetegrimit në BE, progresi ynë u vlerësua me metoda ndryshe nga ai i shteteve tjera të Ballkanit nëpër të cilin ato kishin kaluar mes viteve 2008-2010.
Në vlerësimin e shteteve tjera ballkanike, Komisioni kishte përdorur kritere të qarta të përshkrimit për suksesin gjegjësisht dëdhtimin e secilës kërkesë në udhërrëfyes, çfarë automatikisht bënte të mundur matjen objektive të përparimit në këto vende. Ndonëse Kosova ka marrë një udhërrëfyes dhe dy vlerësime deri mue tash, mungesa e standardeve precise në to rezulton në mosmundësi për të matur progresin siç duhet dhe me drejtësi. Për qytetarët e Kosovës dhe shoqërinë tonë civile mungesa e standardeve të qarta e bën shumë të vështirë që ne të dimë ku të rrisim presionin dhe kur të kërkojmë llogari nga politikanët dhe përfaqësuesit tonë.
Janarin dhe shkurtin e vitit 2015 mediat internacionale dhe lokale raportuan për dhjetra-mijëra qytetarë të Kosovës që po kalonin kufirin e BE-së ilegalisht. Asgjë nuk ta then zemrën më shumë se sa kur sheh njerëzit duke lënë shtëpitë e tyre dhe trollin stërgjyshëror ndërsa rrezikojnë jetët e tyre dhe fëmijëve të tyre për të shkuar diku në Europë për të gjetur një punë dhe për të gëzuar lirinë e lëvizjes.
Po, qeveria jonë duhet të bartë barrën kryesore të kësaj pakënaqësie të atyre që po largohen, por njerëzit janë duke u larguar edhe ngase ndihen sikur Europa ka humbur interesimin për ta. Qytetarët e Kosovës janë të dëshpëruar dhe çdo ditë po humbin durimin sepse të jetosh në Kosovë pa të drejtën të lëvizësh lirshëm nëpër Europë është sikur të jetosh në burg.
Shumica e atyre që janë duke ikur nga Kosova nuk mund të provojnë shkelje të të drejtave të tyre njerëzore. Arsye rrënjësore e ekzodusit është papunësia. Njerëzit në Kosovë nuk kanë punë dhe as shpresë për punë.
Unë jam i bindur që Kosova dhe Europa, sëbashku, duhet t’i godasin problemet e izolimit të Kosovë dhe papunësisë drejt e në kokë.
Së pari, Europa duhet ta rrënojë murin rreth Kosovës dhe të përfundojë bisedimet për liberalizimin e vizava sa më shpejt, ashtu që ne mund të udhëtojmë lirshëm gjithkah në zonën e Schengenit. Së dyti, kapitali human dhe financiar europian duhet të rrjedh lirshëm nga qendrat europiane kah Kosova për t’u takuar me detin e pasur të punëtorëve të rinj dhe aftë në Kosovë; jo anasjelltas.
Kosova është e pasur me minerale dhe materiale bazike dhe ka përparësi krahasuese absolute në disa sektorë ekonomik, të cilët nëse ushqehen me injektim të kapitalit nga Europa do të bëjnë investimet win-win për investitorët europianë dhe Kosovën. BE-ja është krijuar që të lidhë sëbashku shtetet europiane në një ndërmarrje interdependente ku asnjë shtet nuk do të ketë arsye të prishë paqen, t’i frikësohet apo shfrytëzojë tjetrin.
Z. President Juncker,
ju jeni zyrtari që rrini ulur në zyrën më të fuqishme në BE. Si kreu i Komisionit Europian ju përcaktoni agjendën e politikave të Komisionit dhe jeni dorzanë i interesit të përgjithshëm europian. Statusi pa viza për qytetarët e Kosovës është një çështje urgjente dhe në interes të Europës. Duke bërë liberalizimin e vizave për Kosovën prioritet, ju do të jeni Presidenti i fundit i Komisionit Europian që sheh geto në dheun e Europës. Vetëm njerëzit e lirë, të cilët mund të lëvizin lirshëm, mund të ndërtojnë një të ardhme të sigurt për Europën. Posa qytetarët e Kosovës do të jenë të lirë për të lëvizur, popujt e Europës do të bëhen një.
Ju faleminderit për kohën dhe vëmendjen tuaj, President Juncker.

Sinqerisht,

Uk Lushi

Kosovo’s Citizens Should Enjoy Freedom of Movement Like All Other Europeans
President Jean-Claude Juncker
European Commission
Rue de la Loi / Wetstraat 200
1049 Brussels
Belgium
President.Juncker@ec.europa.eu
Dear President Juncker,
I am writing as a citizen on behalf of my country— Kosovo. The Republic of Kosovo, the newest European state, was born on February 17, 2008, and is independent thanks to our long struggle and to the unwavering support of Euro-American world. The people of Kosovo are grateful for all that Europe, the US, and especially the EU have done for us. However, my purpose for writing to you today is to bring to your attention the unfair treatment my country is receiving regarding the EU visa liberalisation process.
Mr. President,
Kosovo is the only country in Europe whose people cannot move freely outside their state borders. We waited patiently, for over four years after the declaration of independence, to finally receive the much-needed visa liberalisation roadmap on June 14, 2012. On that day day our government received the list of requirements Kosovo had to fulfill in order to qualify for visa-free travel to and throughout the Schengen area.
Two years later, in July 2014, the European Commission published the report on Kosovo’s progress. To the surprise of our government, Kosovo’s civil society, and our experts in EU integration matters, this visa progress differed from those that other Balkan states received between 2008-2010.
In its assessment of other Balkan countries, the Commission used precise phrases to describe progress or failure for each point in the roadmap, which made it possible to measure objective progress in each of those countries. While Kosovo has received one roadmap and two assessments so far, the lack of precise benchmarks in them means that progress cannot be measured properly, or fairly. For Kosovo’s citizens and civil society, the lack of clear benchmarks makes it very hard to know where to pressure, and when to hold accountable, our politicians and representatives.
In January and February of 2015 international and local media reported that tens of thousands of Kosovo’s citizens crossed the EU border illegally. It is heartbreaking to see people leaving their homes, fleeing their ancestral land and risking their lives and those of their children to go somewhere else in Europe where they can work and move freely.
Yes, our government should bear the brunt of the discontent of those leaving, but people are also leaving, because they feel Europe has lost interest in them. Kosovo’s citizens are disappointed, and losing patience, because living in Kosovo without the ability to move freely through Europe is like living in a prison.
Most who escape from Kosovo cannot prove that their human rights are being violated. The main cause of this Exodus is unemployment. People in Kosovo have no jobs and no prospects of jobs.
I am convinced that Kosovo and Europe, together, should tackle the problems of isolation and unemployment head on.
First, Europe must break through the wall around Kosovo and close the visa liberalisation talks as soon as possible, so that we can travel freely across the Schengen Zone. Second, European financial and human capital should flow freely from European centers to Kosovo to meet the rich pool of young and capable laborers in Kosovo; not the other way around. Kosovo has abundant reserves of mineral deposits and raw materials and clear comparative advantages in several economic sectors, which, if infused with an injection of the European capital, would make the investments a win-win for European investors and Kosovo. The European Union was created to bond European states together in such an interdependent and prosperous enterprise that no state would have any reason to break the peace, feel used or fear one another.
Mr. President Juncker,
you are the most powerful office holder in the EU. As the head of the European Commission you determine the Commission’s policy agenda and are a guarantor of the general European interest. Visa-free status for Kosovo’s citizens is an urgent matter, and in the interest of Europe. By making visa liberalisation for Kosovo a priority, you will be the last President of the European Commission to see a ghetto on European soil. Only free people who can move freely can build a secure future for Europe. Once Kosovo’s citizens are free to move, then all of Europe’s peoples will be one.
Thank you for your time and attention, President Juncker.
Sincerely,
Uk Lushi
Attachments area
Preview attachment PresidentJuncker Letter.docx
[Word]

Filed Under: Editorial Tagged With: Jean-Claude Juncker, leter, Uk Lushi

KRUSHJANËT PADISIN SERBINË

March 3, 2015 by dgreca

Nga Besnik F. Hoti* dhe Elion Farruku/
“Kjo vizitë në Krushë të Madhe sërish më qartësoi se për çka kishim luftuar dhe se
kishim vepruar drejt me vendimin, që Milosheviqin këtë herë ta konfrontonim
ushtarakisht dhe me vendosmëri”.-Joschka Fischer/
Ky shkrim vjen në mbështetje të banorëve dhe Këshillit të Fshatit Krushë e Madhe për ngritjen e padisë ndaj shtetit serb për krimet e kryera në mars të vitit 1999.
Pranvera e vitit 1999 dhe lufta e atij viti për shqiptarët e Kosovës posaqërisht për krushjanët ishte një ngjarje që do të mbetet e paharruar në kujtesën e atyre që arritën të dalin të gjallë nga ajo luftë. Në natën e 24 marsit të vitit 1999, kur avionet e NATO-së filluan bombardimet mbi caqet serbe, kriminelët serbë në pamundësi për t’u përballur me forcat e NATO-së, mprehën thikat e tyre të krimit për të masakruar popullin e pambrojtur të Kosovës.
Dhe ishte fshati Krushë e Madhe dhe njerëzit e tij që do ta kishin këtë fat të keq. Me 25 dhe 26 marsit forca të mëdha ushtarake ia mësyjnë fshatit për të shfarosur njerëzit e tij. Qindra ushtarë të armatosur deri në dhëmbë, të udhëhequr nga eprorët e tyre, djegin Krushën dhe fshatrat përreth shtëpi për shtëpi, nxjerrin banorët në rrugë duke i dërguar herë në një vend e herë në tjetrin, për të kërkuar vendin se ku ishte më mirë t’i pushkatonin dhe masakronin.
Serbët fqinjë të Krushës dhe të fshatrave të tjera përreth ishin ata që iu prinë krimeve mbi banorët e Krushës. Kriminelë të tjerë, të organizuar në formacione të ndryshme ushtarake dhe paramilitare ishin në ndihmesë të tyre. Serbët lokalë ishin bërë kryekriminelët dhe u prinin kriminelëve të tjerë serbë të ardhur nga Serbia. Këta kriminelë ishin të tmerrshëm në dukje, me fytyra të ngjyrosura dhe me shamia ngjyrash të ndryshme të lidhura në kokë.
Ishte dita e 28 marsit të vitit 1999 kur agjencitë e huaja dhanë lajmin e vrasjes së mbi dyqindë krushjanëve, Milaim Bellanica kishte arritur të filmonte pothuajse gjithë masakren që ndodhi në Krushe dhe ta shfaqte para gjithë opinionit botëror. Pasojat dhe dëmet shpirtërore dhe materiale ishin shumë të mëdha: nga forcat policore dhe paramilitare serbe u vranë dhe u masakruan, 241 persona. Prej tyre: 206 janë të vrarë dhe të pagjetur nga Krusha e Madhe, ndërsa 35 nga të strehuarit, prej tyre 121 të identifikuar, 85 të pagjetur, të vrarë 7 fëmijë, si edhe 5 femra. Nga Tribunali i Hagës u gjetën: 8 varreza masive 2 krematoriume, si dhe shumë varreza personale. Si pasojë e luftës janë plagosur 25 vetë, ndërsa janë djegur 793 shtëpi, xhamia e fshatit, si dhe janë bërë shumë dëme të tjera materiale dhe teknike. Shumë shtëpi mbetën pas asnjë mashkull, 140 gra të veja dhe 502 fëmijë bonjakë.
Arsyeja që na ka shtyrë ti bashkangjitemi çështjes së Krushës së Madhe për kërkimin e dëmeve të luftës dhe dëmshpërblimin e familjarëve të viktimave nuk ka të bëjë me ndonjë arsye personale, por si jurist dhe politolog dhe që të dytë si akademikë e ndjejm detyrë në emër të asaj që quhet humanizëm.

Është përfolur ditët e fundit edhe në shtypin e shkruar dhe atë elektronik për nisma të ndryshme padie kundër shtetit që sot trashëgon ish Republikën Federale Jugosllave, kjo padyshim ndihmon në solidarizimin me familjet e viktimave por ndjenja dhe barra kryesore bie mbi këta të fundit, jo për ti fshirë dhimbjen por sadopak për tia lehtësuar, për të njohur fytyrën e vertetë të atij që dëmin ja ka shkaktuar. Pyetja që më lind shpesh dhe e shtroj gjithmonë përpara interlokutorëve këtu në Kosovë është: Sa marrëveshje do ishin realizuar aktualisht me Serbinë nëse në listën e kërkesave do ishte vënë si prioritet Dëmet e luftës dhe Riparimi i tyre, qoftë karshi shtetit të ri por edhe ndaj viktimave? Pyetje që cilido nga ne, mund ti jap një përgjigje, ajo nuk është mister. Dëmet e Luftës dhe Riparimi i tyre kanë qenë dhe janë në fazë kodifikimi nga e drejta ndërkombtare, duke filluar nga periudha post bellum e 1945 e deri ne ditët e sotme. Gjykata Ndërkombtare dhe Gjykatat e tjera ndërkombtare të ndërtuar ad hoc janë marrë gjerësisht edhe me këtë teme, si ajo për dëmet e Irakut ndaj Kuvajtit, ne Ruanda dhe Tribunali Ndërkombtar për ish- Jugosllavinë. Përse duhet të kërkohet ? Në çdo proces gjyqësor qoftë ky pranë gjykatave ndërkombtare apo dhe kombëtare, nuk pritet që pala e paditur ta marrë atë si një dhuratë Krishtëlindjesh dhe të gëzohet qoftë edhe nëse nga xhepi nuk nxjerr edhe një monedhë, apo denohet me një falje publike nga autoritetet e larta. Problemi qëndron diku tjetër e cila mund të merret si diçka pozitive nga pala e paditur. Reconcilation ose pajtimi, i domosdoshëm për fillimin e marrëdhënieve normale, kufizohem të përdor shprehjen normale për të mos thënë miqësore nuk mund të ndodhi në mënyrë të forcuar, duke u kërkuar nga ndërkombtarët që dy vendet të bashkëpunojnë, por nga vetëdija e dy vendeve për të kaluarën, pa e harruar atë, por duke u pajtuar se diçka nuk ka qenë aspak e hijshme. Pikërisht, nëse ky pajtim vjen nga një institucion ligjor ndërkombtar, atëherë pajtimi është më i mundshëm dhe të dyja palët duhet ti binden dhe të fillojnë një rrugëtim të përbashkët.
Por si mund banorët e Krushës së Madhe të kërkojnë drejtësi dhe rehabilitim në bazë të së drejtës ndërkombëtare? Tribunali i Evropës me qendër në Strasburg, i njohur ndryshe edhe si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut do të kishte qenë ndoshta edhe ai më i përshtatshmi, për faktin që edhe individë të caktuar apo organizata jo-qeveritare mund të vënë në lëvizje një mekanizëm gjyqësor, por sipas statutit të Gjykatës dhe të kompetencave, ky organ nuk mund të gjykojë një palë e cila nuk e ka pranuar si organ gjykues dhe nuk ka pranuar juridiksionit e saj në momentin e kryerjes së veprës, pra Serbia e ka pranuar atë vetëm në 2004 dhe kështu nuk mund të gjykohet për shkak të principit rationae temporis.
Tre janë aktualisht tribunalet të cilat kanë një karakter më universal dhe të cilat gjykojnë krime për të cilat nuk është e nevojshme që shtetet të pajtohen me gjykimet e tyre, pasi principet janë të njohura dhe të pranuara gjerësisht nga shtetet. Njëra është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e cila gjykon shtetet, tjetra është gjykata Penale Ndërkombëtare dhe ajo Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. E para, vepron në bazë të së drejtës ndërkombtare në përgjithësi dhe mund të gjykojë krimet penale të cilësuara si krime kundë njërëzimit, veçanërisht të bërë kundër një grupi etnik nga një ushtri e rregullt apo persona të armatosur. Dy tjerat veprojnë kundër personave por nuk mund të gjykojnë shtetet, dhe kryesisht merrem me krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera që hyjnë në krimet kundër së drejtës humanitare si gjenocidi, torturë apo pastrim etnik etj. I përket prokurorit që në bazë të informacioneve të vlerësojë hapjen ose jo të një procedurë internacionale dhe pasi ka shpallur fajtorët të përcaktojë edhe shifrën për kompensimin e viktimave dhe dëmeve materiale të cilat merren nga fondi rezervë i shteteve. Në bazë të kompetencave të gjykatës duhet të formulohet edhe kërkesa, veçanërisht e mbështetur fort nga shoqëria civile e cila ka krijuar bindjen se është e nevojshme zbardhja e disa faktorëve, kurse përgjegjësia tjetër i përket gjithashtu organizmave qeveritaro-institucional ku duket që kohët e fundit ka pasur edhe vullnet nga ana e tyre për një nismë ligjore ndërkombtare. Aktualisht, gjykata ndërkombëtare e drejtësisë po shqyrton padinë e e Kroacisë versus Serbisë për gjenocid dhe pastrim etnik në dëm të etnisë Kroate gjatë viteve 1991 e më tutje. Kush i ikën një procesi tregon fajësinë e tij, prandaj më shumë së kurrë për hir të së ardhmes pa harruar të kaluarën Krusha e Madhe shtron causa pretendi.
Dr. Elion Farruku-Dr. Iuris, Profesor i së Drejtës Diplomatike pranë Kolegjit Victory në Prishtinë dhe Ligjerues i Sistemeve Ligjore të Krahasuara pranë Universitetit të Torinos. Elioni është nga Kruja, jeton në Prishtinë.
*Ma. sc. Besnik F. Hoti- është kandidat doktorature në Universitetin Europian të Tiranës- drejtimin Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ligjerues i Konflikteve dhe Sigurisë Ndërkombëtare pranë Kolegjit Victory në Prishtinë, vjen nga Krusha e Madhe.

Filed Under: Editorial Tagged With: Besnik Hoti, Elion Farruku, KRUSHJANËT, PADISIN SERBINË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT