• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TE PERNDJEKURIT I SHKRUAJNE PRESIDENTIT PER KANDIDATUREN E VISAR ZHITIT NE VATIKAN

February 13, 2015 by dgreca

Shoqata Antikomuniste e te Perndjekurve Politike Demokrate te Shqiperise/

Nr. 267 Prot./
Tirane, me 13.02.2015/

DEKLARATË/
Presidentit te Republikes/
Medias se shkruar dhe asaj vizive/
Kryesia e Shoqatës Kombëtare Antikomuniste të ish të Përndjekurve Politikë të Republikës së Shqipërisë, në mbledhjen e saj të datës 13./02/2015, mori në shqyrtim diskutimin për emërimin në Shtetin e Vatikanit si Ambasador të Shqipërisë z. Visar Zhiti.
Duke mbajtur parasysh të gjitha diskutimet dhe qëndrimet që po mbahen kundrejt këtij propozimi, madje edhe kundërshtitë e ndryshme të shprehura n’atë drejtim, e quajmë për detyrë të paraqesim edhe ne pikëamjen tonë, me shpresë se do të merret parasysh nga Presidenti i Shqiperise z.Bujar Nishani.
Ju kerkojme ju z.President qe ta cilesoni si nje rast te veçante dekretimin e tij si ambasador, te pa krahasushem me te tjeret. Bindja jonë është se anetari i Shoqatës sonë, ish i dënuari i ndërgjegjes, z. Visar Zhiti, është personi më i përshtatshëm për të përfaqësuar Republikën e Shqiperise në Qendrën Botërore te Krishterimit për këto arsye :
1 – Është një intelektual i shkallës së parë, me një kulturë të thellë e të gjërë, shkrimtar e poet, vepra e të cilit, prej kohësh, ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, i njohur dhe i vlerësuar nga autoritete botërore të letërsisë, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, i komentuar në organet e shtypit ndër më të shquarat në botë, përfaqëson me një dinjitet të rrallë vendin tonë në kulturën botërore.
2 – Është një njeri me një integritet të spikatur moral, me një karakter të palëkundur, të vënë në provë në vite të gjata burgimi të regjimit komunist, një luftëtar i paepur i pohimit dhe mbrojtjes së vlerave të larta njerëzore e qytetare, një atdhetar, ndër të paktet që i jep nder e shkëlqim imazhit të Shqipërisë në botë.
3 – Është një diplomat i hollë e i durueshëm, me një të kaluar të respektueshme e të vlerësuar në mjediset diplomatike të Romës, ku ka shërbyer me zell, kulturë e pasjon për vite të tëra.
4 – Jemi të bindur se nuk ekziston asnjë pengesë, për sa i përket besimit të tij fetar, si jo i krishterë. Poeti që ka bërë të flasë shqip Papën Vojtila dhe Nënën Terezë në poezitë dhe shkrimet e tij, ka të gjithë përkushtimin dhe aftësinë për të fituar besimin e duhur në Selinë e Shenjtë, për të kryer më së miri detyrën e tij me ndërgjegje e kompetencë në mbajtjen e marredhënieve të Shqipërisë me të në nivelet më të larta.
Mendojmë se emërimi i z. Visar Zhiti në detyrën e Ambasadorit të Jashtzakonshëm e Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Vatikanit, do të jetë një shërbim i madh që i bëhet diplomacisë shqiptare dhe imazhit të Shqipërisë në botë.
Në këtë kontekst e mbështesim, me të gjitha forcat tona, këtë emërim dhe shpresojmë që autoritetet përkatëse vendim – marrëse do t’a mbajnë parasysh vullnetin tonë, për të parë në selinë e lashtë diplomatike të Arbërit në Vatikan, një ish të dënuar politik të diktaturës komuniste, të vetmin e kësaj kategorie ne atë nivel. Nëse politika shqiptare ka, sado pak, respekt për këtë kategori shoqërore që ne përfaqësojmë, nuk duhet të ketë as më të voglin ngurim në vendimin e emërimit të qytetarit Visar Zhiti në detyrën e re dhe të rëndësishme.

Per Kryesine e Shoqates Antikomuniste te te Perndjekurve Politike
te Shqiperise
Simon Mirakaj Kryetar i Shoqatës
Uran Butka Kryetar i Keshillit Kombetar te Shoqates
Lili Ndoci Sekretare e Pergjithshme
Reshat Kripa Kryetar i Shoqates Dega Tirane
Seit Prishta anetar i Kryesise se Shoqates
Shkelqim Lepenica Anetar i Kryesise se Shoqates
Mehdi Kraja Anetar i Kryesise se Shoqates
Bilbil Cami Anetar i Kryesise se Shoqates
Fenelon Hoxha Anetar i Kryesise se Shoqates
Jace Hysolli Anetar i Kryesise se Shoqates
Artan Murrizi Anetar i Kryesise se Shoqates
Mark Mustafa Anetar i Kryesise se Shoqates
Mark Alia Anetar i Kryesise se Shoqates
Pashk Lala Anetar i Kryesise se Shoqates

Filed Under: Editorial Tagged With: PER KANDIDATUREN, presidentit, reshat kripa, TE PERNDJEKURIT I SHKRUAJNE, VISAR ZHITIT NE VATIKAN

“The Sun”: Blair po bën miliona në Shqipëri

January 31, 2015 by dgreca

Tabloidi britanik “The Sun” i ka kushtuar një artikull ish-kryeministrit Tony Blair biznesit të tij të këshillimit në shumë vende të botës. Gazeta i konsideron vendet ku Blair paguhet si këshilltar si të etiketuara për abuzime tronditëse me të drejtat e njeriut, përfshirë edhe torturat dhe masakrat. Gazeta nuk ka lënë mënjanë as Shqipërinë ku ish-kryeministri britanik luan rolin e këshilltarit të kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama. “Ish kryeministri Blair është duke bërë miliona paund nga vende të akuzuara për abuzime tronditëse të drejtave të njeriut, duke përfshirë torturat dhe masakrat”- shkruan “The Sun”. Një paragraf i kushtohet vendit tonë, për të cilin numërohen problemet me respektimin e të drejtave të njeriut. “Blair punon si këshilltar vullnetar. Por Amnisty International thotë se “tortura dhe trajtimi i keq i të arrestuarve është e zakonshme në Shqipëri”. Amnisty International shton se “ kushtet, në veçanti për të burgosurit në pritje të vendimit gjyqësor në komisariatet e policisë, vazhdojnë të jenë të ashpra, pavarësisht se janë ndërmarrë hapa për të ulur mbipopullimin. Dhuna në familje është tepër e përhapur dhe reforma të mëdha nevojiten të merren për të mbrojtur viktimat”- shkruan “The Sun” për punën e ish-kryeministrit britanik në Shqipëri.

Filed Under: Editorial Tagged With: “The Sun”:, Blair po bën miliona, ne Shqiperi

Tmerri i Auzhvicit

January 27, 2015 by dgreca

27 Janari dita përkujtimore e viktimave të regjimit nazist/
Emri Auzhvic lidhet me krimet më të tmerrshme dhe vuajtjet e paimagjinueshme. Edhe sot e kësaj dite kampi i shfarosjes ngritur prej nacionalsocialistëve mban vulën e vet në historinë gjermane.
Fanfara buçet: Në Gjermaninë e vitit 1945 kushdo e dallon menjëherë ulërimën e bezdishme bombastike të fanfarës në revistën javore televizive. Spikeri çirret me zë propagandues sikur ka për të njoftuar një sukses dhe jo një betejë në tërheqje e sipër. “Këtu në tërë Frontin Lindor në mes të Detit Balltik dhe maleve të Karpateve sovjetikët po vazhdojnë në orët e para të 13 janarit ofensivën e tyre më të madhe deri tani. Fronti digjet në një gjerësi prej 1000 kilometrash.”
Si e nënshkruanin të sapoardhurit dënimin e tyre me vdekje/
Me çdo metër që Ushtria e Kuqe avancon në terren afron një hap më shumë edhe çlirimi i të burgosurve të mbetur në kampin e përqendrimit në Auzhvic. Por do të zgjasë edhe dy javë të vështira para se të ndodhë kjo. Më në fund, në pasditen e 27 Janarit 1945, në një ditë të shtunë, trupat sovjetike mbërrijnë në Auzhvic. Njësitë gjermane rezistojnë deri në fund. 231 ushtarë të Ushtrisë së Kuqe humbasin jetën në luftën për çlirimin e kampit të shfarosjes. Rreth 7.500 të shpëtuarit u ngjajnë më shumë të vdekurve se sa të gjallëve.
Se çfarë kishte ndodhur në Auzhvic nuk është publikuar menjëherë. Fillimisht në mes të prillit 1945 disa të mbijetuar i rrëfyen programit gjerman të BBC-së përjetimet e tyre gjatë qëndrimit në kamp. Edhe Anita Lasker përshkroi kujtimet e saj në radio: “Një mjek dhe një komandant prisnin ardhjen e transporteve të reja dhe para syve tanë bëhej seleksionimi. Kjo do të thotë: të sapoardhurit pyeteshin për moshën dhe shëndetin.” Shumë të sapoardhur nuk dinin dhe tregonin për ndonjë sëmundje, nga e cila vuanin. Kështu ata e vulosnin vet dënimin me vdekje. Rëndësi e veçantë i kushtohej moshës, pleqve dhe fëmijëve. Djathtas, majtas, djathtas majtas. Djathtas do të thoshte vazhdim i jetës, majtas do të thoshte në furrën e djegies”, përshkruan dëshmitarja okulare.

Organizatori i Holokaustit

Auzhvici është kampi më i madh dhe më i tmerrshëm i përqendrimit dhe shfarosjes. Organizator i vrasjeve masive është Adolf Eichmann. Ai kryeson departamentin e ashtuquajtur për çështje hebraike në Zyrën e Sigurimit të Rajhut. Me përfundimin e luftës, Eichmann me ndihmën e Vatikanit u largua për në Argjentinë.
Në maj të vitit 1960, Eichmann gjurmohet nga shërbimi inteligjent izraelit. Ai rrëmbehet dhe dërgohet në Izrael. Kundër tij zhvillohet një proces gjyqësor, në të cilin ai përpiqet të minimizojë rolin e tij gjatë Holokaustit: “Mua më vjen keq dhe e dënoj shfarosjen e hebrejve të urdhëruar nga udhëheqja e atëhershme shtetërore.” Ai deklaron se vet nuk ka qenë në gjendje të bëjë të pamundurën. “Unë kam qenë vetëm një mjet në duart e pushteteve të forta dhe forcave të fuqishme dhe të një ‘fati të pashpjegueshëm'”, përpiqet Eichmann ta minimizojë përgjegjësinë e tij. Por arsyetimet cinike dështojnë në gjyq dhe mbeten pa efekt. Gjykata e shpall atë fajtor dhe e dënon me vdekje. Eichman ekzekutohet në vitin 1962.

Adolf Eichmann kapet në Argjentinë në vitin 1960 nga shërbimi inteligjent izraelit

Kampi i përqëndrimit në Auzhvic, rreth 60 kilometra në jugperëndim të Krakovit u ngrit në pranverën e vitit 1940. Në shtator të vitit 1941, komandanti i kampit Rudolf Hess jep urdhërin që të përdoret gazi me helm “Ciklon B” për të vrarë të burgosurit. Ciklon B përdorej fillimisht si një mjet dezinfektues, tymi i tij shkakton vdekjen brenda disa minutave. Që nga viti 1942, trupat SS i deportojnë hebrejtë nga e gjithë Evropa në Auzhvic. Nga viti 1943, hebrejtë, romët dhe të përndjekurit e tjerë nga nazistët vriteshin në mënyrë “industriale”: Të burgosurit vriteshin në katër dhoma gazi dhe më pas digjeshin në furra të mëdha.

Përkujtimi i vuajtjeve të pakuptueshme

Holokausti, të cilin Eichmann gjatë gjykimit të tij e ka quajtur si një “fat të pashpjegueshëm” u kushtoi jetën më shumë se gjashtë milionë njerëzve: të paktën 5.6 milionë hebrejve dhe një gjysmë milioni sintive dhe romëve. Në mënyrë sistematike janë përndjekur edhe njerëzit me aftësi të kufizuara, homoseksualët dhe dëshmitarët e Jehovait. Në mesin e të vrarëve kishte 1.5 milion fëmijë. Që nga viti 1996, Republika Federale e Gjermanisë zyrtarisht më 27 Janar përkujton viktimat e regjimit nazist.

Filed Under: Editorial Tagged With: 27 Janari dita, perkujtimore te nazizmit, Tmerri i Auzhvicit

Pse fshihen bisedimet e Tiranës me Beogradin?!!!

January 25, 2015 by dgreca

Nga Dr. Enver Bytyçi/
Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në rajonin e Ballkanit Perendimor nuk janë më në pozitën e favorshme, të cilën e patën para 15, 10 ose 5 viteve. Prishtina bëri tërheqjen e parë përballë ofensivës diplomatike të Beogradit dhe i njëjti proces po ndodh sot me Tiranën. Ndërkaq terri informativ është rritur dhe publiku shqiptar nuk njihet me ato çfarë ndodhin në diplomacinë shqiptare të të gjitha palëve në raport me ruajtjen dhe forcimin e interesave tona në rajon. Shkaqet janë të shumta dhe gjithashtu serioze: Kemi një klasë politike të korruptuar dhe inkriminuar e si e tillë, pa integritetin e legjitimitetin moral për të artikuluar kërkesat dhe interesat nacionale të shqiptarëve.
Javën që lamë pas u takuan në Romë tre ministrat e Jashtëm, ai i Italisë, dhe kryediplomatët e Shqipërisë e të Serbisë. Eshtë kjo një iniciativë e Italisë për të luajtur një rol të caktuar në rikthimin e marrëdhënieve midis Tiranës e Beogradit, si kusht për stabilizimin e rajonit. Por jo rastësisht në këtë lojë është përfshirë diplomacia italiane. Italia si në kohët e aleancës së saj me aleatët fitimtarë të luftrave dhe në rastin e Luftës së Dytë Botërore nuk ka patur ndonjëherë konflikt me Serbinë e Malin e Zi sa i pëket pretendimeve territorial të këtyre dy vendeve ndaj Shqipërisë. Konflikti i saj ka qenë me Greqinë për shkak të kontrollit të Otrantos.
Duke lexuar për zhvillimin e ngjarjeve në fillimin e shekullit të XX, kur diplomacia e Fuqive të Mëdha ishte angazhuar në zgjidhjen gjeopolitike gjatë e pas Luftrave Ballkanike, mësojmë se Italia ishte e vendosur vetëm në kundërshtimin e opcionit serb për të marrë një port në brigjet shqiptare të Adriatikut. Ajo nuk pati madje as ndonjë kundërshtim të dukshëm për aneksimin e Shkodrës nga ana e Malit të Zi. Aso kohe kishte të tilla takime, bisedime dhe deri marrëveshje e dakordime për ndarje e rindarje territoresh në vendimmarrjen për hartën e re politike të Ballkanit.
Pas një shekulli u duk dhe ende jam optimist se “Haka shkoi e do të shkojë tek i zoti”, shkurt se shqiptarët do të kenë të drejtën e tyre të shtetësisë në territoret e tyre. Por ajo që u arrit pati mbështetjen e SHBA-ve, e cila duket pak e lodhur me intrigat ballkanike. Për të gjithë ata që njohin historinë e vendimmarrjes gjeopolitike për Ballkanin është e qartë se edhe sot, në kushtet e një rendi demokratik europian dhe të integrimeve europiane është e mundur që të diskutohen plane e projekte, të cilat përfshijnë interesat e madje territoret e shqiptarëve. Beogradi e ka bërë gjithnjë të qartë pozicionin e tij për pretendime territoriale në veriun e Kosovës. Dhe kjo përpjekje serbe për territore të reja nxitet nga ideja fikse e gjithmonshme e politikës radikale të Serbisë për “viktimizimin serb”, si dhe të mitit “të sakrificës sublime” të serbëve “për mbijetesë”. Por nxitet edhe nga etja e Beogradit për të përfituar bie fjala Trepçën në Kosovë, apo pasuritë nëntokësore në të gjithë veriun e Mitrovicës. Analisti i çeshtjeve ballkanike në radion “Europa e Lirë”, Patrick Moore, thoshte para tetë viteve se “Serbia nuk ka hallin e serbëve në Kosovë, por ajo dëshiron të shtijë në dorë pasuritë nëntokësore të saj”.
Edhe tani gjithçka zhvillohet sipas një skenari serb, pas të cilit mua më duket se diplomacia shqiptare, vetë kryeministri dhe veçmas ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, po vrapojnë me dëshirë drejt sakrifikimit të interesave të shqiptarëve dhe “përmbushjes së projekteve serbe në Kosovë e ndoshta edhe në Shqipëri. Por le t’I konkretizojmë këto dilemma:
Së pari: Në Romë tre ministrat e Jashtëm kanë diskutuar për një erë të re në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë. Ivica Daçiç tha para takimit se këto bisedime janë të vështira, se për shumë çeshtje shqiptarët dhe serbët kanë pikëpamje të kundërta, por se megjithatë duhet të bisedojmë. Ditmir Bushati nuk na tha asgjë, as para, as pas takimit. Mblidhen tre ministra, njëri prej tyre si ndërmjetës midis dy kryediplomatëve të dy vendeve që kanë mbi një shekull në konflikt. Ata diskutojnë, flasin, drekojnë ose darkojnë së bashku, ndërsa askush nuk merr vesh pse u mblodhën, çfarë u bisedua, cila ishte agjenda e takimit, çfarë pozicionesh kanë palët për diskutimin që është zhvilluar, çfarë pika takimi kishin e çfarë mosmarrëveshjesh u vunë re. Askush, aspak, asgjë nuk tha për këto, sikur çeshtjet e interesit kombëtar janë çeshtje vetëm e dy personave në Shqipëri, kryeministrit e kryediplomatit, qofshin këta edhe “të votuar” nga një milion shuplakëdhënës.
Kjo situatë më çon në idenë se qeveria shqiptare “ka marrë përsipër zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb”, dmth se Rama e Bushati duan të marrin rolin e autorëve të asaj që konsiderohet “kthesë historike në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi”, pavarësisht kostos që kjo ka për interesin kombëtar të shqiptarëve. Po cila do të ishte kostoja e kësaj loje të dyshimtë të diplomacisë shqiptare? Absolutisht humbja e pozicionit strategjik të shqiptarëve në rajon si faktor paqeje, stabiliteti e sigurie, madje humbje të territoreve shqiptare. Ofensiva serbe e dekadës së fundit, si në bisedimet për statusin e Kosovës, si në lobimin kundër pavarësisë së Kosovës, ashtu dhe në opcionet për ndarjen e saj, duke pranuar madje “bashkimin e Kosovës me Shqipërinë” ka tashmë një partner të devotshëm në Tiranë. Ka qeverinë dhe diplomacinë shqiptare. Nëse vërejmë angazhimin e diplomatëve shqiptarë për lobim në favor të njohjes së shtetit të Kosovës, duket qartë se ky angazhim ka rënë në pikën zero, dhe jo pa qëllim. Lutem Zotit të jem unë i gabuar!
Së dyti, më duhet të kujtoj faktin se thelbi I konfliktit historik midis Shqipërisë dhe Serbisë, nëse përjashtojmë për momentin faktorin Kosovë, ka qenë dalja e Serbisë në Adriatik. Mbretëria serbe e fillimshekullit XX u përpoq ta zgjidhë këtë ambicje të saj me pushtimin e Durrësit, Lezhës e Shëngjinit, ndërsa këmbngulja e Austro-Hungarisë dhe Italisë bënë që ushtritë serbe të tërhiqen nga kjo pjesë e territorit shqiptar. Po ç’lidhje ka kjo me situatën e sotme?! Serbia, duke heq dorë nga përdorimi i dhunës, mesa duket i është kthyer një zgjidhjeje që asokohe Vjena e kishte rakomanduar: Të ndërtonte një hekurudhë nga Beogradi në Shëngjin dhe ta shfrytëzonte portin në fjalë, por me një kusht që pjesa e hekurudhës e ndërtuar në territoret shqiptare si dhe porti të ishin asete të shtetit shqiptar në krijim e sipër. Modeli i rekomanduar ishte marrëveshja e tregtisë së lirë midis dy vendeve.
Duke ditur se në Romë e gjetkë Tirana e Beogradi nuk bisedojnë për kozmetikë e për sport, as për filma dhe modë, atëherë duhet menduar se të dy palët kanë rënë dakord parimisht të ecin, sa mund të ecin, në këto dy linja. Nga njëra anë të mënjanojnë Kosovën dhe institucionet e saj në zgjidhjen e konfliktit, nga ana tjetër të bëjnë të mundur që në kuadrin e tregtisë së lirë e integrimeve rajonale e europiane, t’i mundësojnë Serbisë daljen në Adriatik. Ndoshta Shëngjini nuk do të jetë as projekt i Kosovës, as projekt kinez, por më së shumti projekt serb. Ndërkaq bisedimet e drejtpërdrejta midis Tiranës e Prishtinës nuk bëjnë gjë tjetër, veçse ndajnë tortën me emrin Kosovë, sepse Serbia gjithnjë ka vënë në tavolinë territoret shqiptare, kur ka këmbngulur për bisedime me shqiptarët. Nuk ka pse të mos e ndjekë këtë lloj politike edhe sot. Në funksion të ndarjes së Kosovës dhe bashkimit të pjesës së mbetur me Shqipërinë ishte droni dhe harta etnike e Shqipërisë në Beograd më 14 tetor të vitit të kaluar. Këtij qëllimi i shërbejnë deklaratat nacionaliste e patetike të Edi Ramës më 22 nëntor po në Beograd. Ndërsa sot nuk këmi parë asnjë reagim për deklaratat e Vuçiç në Kosovë. Me këto veprime Rama dëshron të marrë rolin e përfaqësuesit të të gjithë shqiptarëve për “ta zgjidhë konfliktin shqiptaro-serb” me Vuçiçin e mikun e tij Tadiç.
Kurse gjithçka që shfaqet në qeverinë e Tiranës e të Prishtinës, korrupsioni, krimi i organizuar, perversieti politik, madje dhe dhuna e organizuar kundër institucioneve është e mirëpritur në Beograd. Të gjitha këto poshtërsi të pushtetit e të politikës në të dy shtetet shqiptare e më gjerë i shkojnë në ndihmë skemës dhe skenarit të Serbisë për t’u imponuar “tashmë në mënyrë paqësore” dhe për të realizuar në dëm të shqiptarëve dhe territoreve të tyre interesat nacionaliste, të pamundura me luftë. Në Kosovë, në vend që protesta të bëhet për Trepçën, opozita lidhet pas një deklarate të një ministri serb, i cili nuk është çudi që e ka plasuar fjalën e tij fyese pikërisht për të tërhequr vëmendjen nga megapolitika rajonale në dobi të Beogradit. Kurse kryeministri Mustafa ngurron që t’i dalë përpara pengimit të skenarëve të tillë derisa e mab atë ministër në kabinetn e tij.

Filed Under: Editorial Tagged With: bisedimet e Tiranës, Enver Bytyci, me Beogradin?!!!, Pse fshihen

Trepça është e Kosoves

January 20, 2015 by dgreca

Nga Harry Bajraktari/
Çështja e zhvillimit ekonomik, pas lirisë dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka qenë një preokupim i përhershëm i imi, ndonëse s’ jetoj atje. Për këtë qëllim edhe kam investuar për të kontribuar sado pak në mkëmbjen ekonomike pas përfundimit të luftës. Ngritja ekonomike ka qenë dhe mbetet problemi kryesor i Kosovës. Tani është aktualizuar çështja e “Trepçës”, që konsiderohet promotori i zhvillimit të vendit tonë. Dje në parlament u miratua projektligji për ndërmarrjet publike, por u shtye miratimi i projekligjit për “Trepën”!. Miratimi i këtij ligji do të nxjerrë “Trepçën” nga duart e Serbisë dhe shuan ëndrrën e vjetër të Beogradit për këtë gjigant metalurgjik, ndër më të mëdhenjët në Ballkan. Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës nuk do të duhej të humbeshin kohë, madje asnjë ditë për përgatitjen dhe miratimin e këtij ligji aq të rëndsishme, për perspektivën dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Është momenti i fundit kur Kosova duhet të reagojë si shtet ndaj pretendimeve dhe kërcënimeve serbe. Tingëllon tepër bizare se si një shtet tjetër, pa kurrfarë të drejte dhe përkundër të gjitha normave ndërkombëtare insiston që asetet e “Trepçës” që i përkasin një shteti tjetër të ndahen apo të përvetësohen! Zvaritja e miratimit të këtij ligji mendoj se nuk është përgegjësi vetëm e kësaj qeverie, por edhe e qeverive të kaluara dhe për tërë spektrin politik në Kosovë. Për çështje të mëdha duhet të veprojmë bashkërisht, pozitë dhe opozitë, bashkë me shoqëritë civile dhe mbarë popullin. Konsideroj se dje në parlamentin e Kosovës u lëshua rasti historik, pa marrë parasysh se kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, premtoi përshpejtimin e një ligji të veçantë për ˇTrepçën”. Të gjithë e dimë se gjiganti kosovar “Trepça” është lokomotiva që tërheq gjithë segmentet tjerë të zhvillimit ekonomik dhe krijon qëndrushmëri dhe stabilitet politik në Kosovë, prandaj nuk shoh ndonjë arsye që pozita s’ ishte në anën e opozitës, e cila insitoi që të miratohej ky projektligj, së bashku me projektligjin për ndërmarrjet tjera publike. “Trepçën” sot duhet ta mbrojmë të gjithë pa përjashtim, se ajo hap perspektivë për të gjithë, se ajo afirmon vendin tonë në tregun ndërkombëtar dhe në të ardhmen ajo do të jetë burim i zhvillimit dhe i punësimit për popullatën e Kosovës. Nëse kujtojmë pak historinë e këtij gjiganti metalurgjik dhe pretendimet serbe tash dhe në të kaluarën, del se angazhimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka qenë në përputhshmëri me peshën që ka “Trepça” për Kosovën. Në fakt, Kjo u la në mëshirën e Agjensisë për Privatizim, dhe e kemi këtë gjendje kështu si e kemi. Është humbur shumë kohë dhe koha më s’ pret. “Trepça” ishte exportuesi më i madh i plumbit dhe zingut në ish-jugosllavi, por Kosova ishte pjesa më e pazhvilluar e asaj Jugosllavie. Serbia historikisht çështjen e Kosovës e ka lidhur me resurset e ‘Trepçës”. Edhe tash Veriun e Mitrovicës e lidh drejpërdrejt me të. Çdo tentativë e Serbisë për ta shtyer cështjen e Trepçëns në bisedime në mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Beogradit, është e pa pranueshme për Kosovën dhe paraqet rrezik për destabilizim. Pronësia e shtetit është e patjetërsueshme dhe e pa diskutueshme.
*Autori është veprimtar dhe biznesmen e njohur i komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe themelues i gazetës “Illyria”.

Filed Under: Editorial Tagged With: harry bajraktari, Trepça është e Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT