Nga Frank Shkreli/
Problemet e shqiptarëve nën Mal të Zi njihen tanimë mirë nga të gjithë, mbrenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Madje edhe ndërkombëtarët janë në dijeni të të shkeljeve të drejtave të njeriut të atyre pak shqiptarëve që jetojnë gjithnjë në trojet e veta nën Malin e Zi, përfshirë të drejtat politike, ekonomike, kulturore dhe gjuhësore — në mos përfillje me konventat ndërkombëtare. Çështja e pronave është një ndër problemet më të theksuara, ndërkohë që qeveria e Podgoricës po ndërmerr masa për të tjetërsuar statusin e disa pronave kudo që jetojnë shqiptarët, jo vetëm atyre kolektive por edhe private, duke filluar nga Plava e Gucia e deri tek Malësia e Madhe e deri në Valdanos të Ulqinit. Duke shkaktuar kështu shpërngulje të tjera të mundshme të shqiptarëve nga trojet e veta shekullore, sikurë nuk jemi larguar mjaftë prej atyre anëve! Përveç kësaj, a ka ndie kush që në një vend të ndalohet me ligj përdorimi i simboleve të një kombi me pretekstin se përdorimi i tyre kërcënon rendin publik.
Fatkeqsisht, vetëm lajme të këqia dëgjon njeriu nga ajo anë. Sot mësova se e vetmja gazetë, që botohet në gjuhën shqipe në Mal të Zi, Koha Javore gjëndet përball një “pozite delikate, për të mos thënë kritike për të ardhmen e saj”, sipas një artikulli të botuar nga Kryeredaktori saj, Ali Salaj me të cilin ai i bën thirrje opinionit public, mbrenda dhe jashtë vendit, për të bërë ç’mos që të shpëtohet nga mbyllja gazeta e vetme shqiptare në Mal të Zi . Koha Javore, siç duket është venë në shënjestër për tu mbyllur si rezultat i falimentimit të shtëpisë botuese, “Pobjeda”, megjithse për mua kjo nuk është e qartë sepse se lidhje ka Koha e Javore me shtëpinë botuese, mbasi siç thotë edhe Kryeredaktori Salaj në artikullin e tij, se ligji parashikon që financimin e botimeve të tilla nga fondi për pakica, në përputhje me “Konventën Kornizë Për Mbrojtjen e Pakicave Nacionale” dhe me “Konventën Europiane mbi Gjuhët Rajonale dhe të Pakicave”, ndaj të cilave është i detyruar t’i zbatojë edhe Mali i Zi. Si përfundim, shkruan Z. Salaj,mediat e pakicave duhet të ruhen dhe të mbështeten edhe nga institucionet përkatëse, për shkak të misionit të tyre të caktuar në një shoqëri shumë-etnike.Kryeredaktori i gazetës Koha Javore — e cila ka vazhduar botimin ç’prej vitit 2002 — bën apel për ndërhyrje dhe për ndihmë nga ana e institucioneve përkatëse,si dhe nga faktori politik, që besoj i referohet klasës politike shqiptare në Mal të Zi, që të bëjnë ç’mos për të shpëtuar të vetmen gazetë shqip në trojet shqiptare atje. Zoti Salaj shkruan se botime, siç është Koha Javore, për pakicat ekzistojnë anë e mbanë vendeve të ish-Jugosllavisë, përfshirë edhe Serbinë, por edhe Kroacinë, Slloveninë, Kosovën dhe Maqedoninë. Të gjitha këto gazeta dhe revista të grupeve etnike, sipas Z. Salaj, në një formë ose në një tjetër, financohen nga ministritë përkatëse ose nga këshillat e pakicave kombëtare, ose varen në raste të tjera varen nga ndonjë subjekt tjetër i lidhur me qeveritë përkatëse, në përputhje të plotë me detyrimet e tyre ndaj konventave ndërkombëtare për ruajtjen e gjuhëve rajonale dhe në mbështetje të pakicave dhe të kulturës së tyre, që është një detyrim ndërkombëtar për të gjitha vendet, përfshirë edhe Maline Zi.
Roli pozitiv që ka luajtur Koha Javore për 13 vjetë në informimin e publikut shqiptar, si e vetmja gazetë në gjuhën shqipe në Mal të Zi, është i padiskutueshëm. Mungesa e saj në tregun shqiptar të medies nuk mund të merrej me mendë. Pasi shkruan se “çështja” e Kohës Javore është shëndrruar tani në një “çështje politike”, Kryeredaktori Ali Salaj thotë se ka vendosur të ndërmarrë fushatë që për mendimit tim është një risk i guximshëm nga ana e tij, për t’i bërë thirrje të hapur por me vend, parlamentit dhe qeverisë së Malit të Zi, opinionit publik vendor si dhe faktorit ndërkombëtar, përfshirë ambasadat perëndimore në Podgoricë dhe madje edhe Kongresit amerikan dhe Departmentit Amerikan të Shtetit dhe diasporës shqiptare — që gazeta e vetme shqiptare në Mal të Zi të mos shuhet por të vazhdojë punën e saj si deri më tani dhe të jetë pjesë e skenës mediatike në Mal të Zi dhe më gjërë.
Mundësia e mbylljes së Kohës Javore dhe masat e tjera të shtetit malazez ndaj shqiptarëve atje duhet të jenë pikëspari një subjekt shqetësimi serioz, sidomos,por jo vetëm për klasën politike shqiptare në Mal të Zi, e njohur tanimë për mos bashkpunim kur vjen puna tek interesat e përbashkëta të shqiptarëve në Mal të Zi, por duhet të shqetësojë të gjithë shqiptarët kudo, përfshirë edhe Tiranën dhe Prishtinën zyrtare. Të gjithë duhet të shfaqin vendosmërisht pa-pajtueshmërinë dhe pakënaqësinë e tyre serioze me trajtimin e shqiptarëve nga Podgorica zyrtare.Por, mbi të gjtiha, është kjo klasë politike e zgjedhur nga shqiptarët në Mal të Zi, ajo që duhet të jetë pengesa e parë dhe kryesore ndaj këtyre masave dhe tu thotë ndal kësaj dhe përpjekjeve të vazhdueshme të shtetit malazez për të ngushtuar gjithnjë e më shumë hapësirën e të drejtave themelore të njeriut që shqiptarët duhet të gëzojnë si çdo pakicë tjetër në Europë, përfshirë edhe të drejtën për të pasur medien e vet në gjuhën amëtare. Shqiptarët e Malit të Zi, si çdo pakicë tjetër kudo, kanë të drejtë të kenë organin e vet të informacionit. Politika shqiptre në Mal të Zi duhet të sigurojë dhe të luftojë për të drejtat bazë të zgjedhësve të tyre, bazuar në të gjitha konventat ndërkombëtare dhe në përputhje me ligjet që drejtojnë të drejtat e pakicave në Europë dhe të kundërshtojnë vendosmërisht dukuritë e ndryshme anti-shqiptare që po shfaqen gjithnjë e më shpesh në zonat ku jetojnë shqiptarët, ata pak që kanë mbetur. Është e kotë të përpiqesh të bëjsh politikë kur popullit që ti përfaqëson i shkelentë gjitha të drejtat që duhet t’i ketë të barabarta në krahasim me shumicën. Kjo është detyra e parë dhe themelore e një partie politike dhe e politikanit të zgjedhur nga populli në një vend me të vërtetë demokratik.
Problemet e shqiptarëve nën Mal të Zi, që fatkeqsisht duket se sa vinë e shtohen dita ditës, dihen mirë.Megjithëse mendohej se — me shpalljen e Malit të Zi shtet i pavarur dhe sovran, ndaj të cilës arritje shqiptarët kontribuan në mënyrë të konsiderueshme — gjëndja e shqiptarëve atje do të përmirësohej.Por fatkeqsisht, pothuaj nuk ka sferë të jetës politike, shoqërore, ekonomike ose kulturore që shqiptarët në Mal të Zi, nuk shfaqin ankesa e shqetësime për keqtrajtim ose trajtim ndryshe.Shumë prej tyre shprehen se e ndjejnë veten si qytetarë të rendit të dytë, të diskriminuar, të shkelur e të nepërkëmbur. Kjo shikohet nga ana e tyre si një përpjekje e qëllimshme afatagjatë asimilimi nga ana e autoriteteve malazeze për tu mohuar shqiptarëve autoktonë identitetin kombëtar në tokën e tyre shekullore — duke i bërë që ata ta ndjejnë veten si të huaj në tokën e në shtëpitë e veta shekullore. Mali i Zi siç duket ka në mend të institucionalizojë politika që sikurë kanë për qëllim që në mënyrë të qetë por të vendosur, të përjashtojnë shqiptarët nga jeta politike dhe ekonomike e vendit. Këto politika anti-shqiptare –sidomos në lidhje me pronat, me asimilimin e detyruar, me mos zhvillimin ekonomik të zonave ku banojnë shqiptarët dhe me mbështetjen e programeve që pengojnë zhvillimin kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve — synojnë në zhdukjen e kulturës,të gjuhës dhe të traditave shqiptare në ato troje. Një vërejtës i drejtë dhe i paanshëm nuk mund të konstatojë ndryshe.A është mbyllja e gazetës Koha Javore pjesë e kësaj politike me qëllim zhdukjen eventuale të kulturës dhe gjuhës shqipe në Mal të Zi? Kjo politikë, fatkeqsisht, të pakën në sipërfaqe, nuk duketaspak më ndryshe nga politika e ish-Jugosllavisë komuniste dhe as nga politika që Millosheviçi u përpoq të vendoste në Kosovë mbas shpërndarjes së ish-Jugosllavisë.
Po të ndodhë, mbyllja e gazetës Koha Javore nga autoritetet malazeze do të ishte gjithashtu edhe një shkelje flagrante dhe e qëllimshme e lirisë së shtypit dhe e fjalës së lirë. Për më tepër, mbyllja e Kohës Javore do të ishte një kriminalizim i fjalës së lirë. Liria e fjalës dhe liria e shtypit nuk janë vlera dhe standarde ekskluzivisht amerikane ose perëndimore.Por,ato janë vlera universale të të gjithë botës së qytetëruar, përfshirë familjen e shteteve europiane të cilës edhe Mali i Zi ka aspirataqë t’i bashkohet.Andaj, si pjesë e këtyre vlerave, Podgorica zyrtare duhet të përpiqet më shumë për akomodim e jo asimilim, bazuar në standardet evropianedhe në proces të korigjojë pa drejtësitë dhe të vendosë të drejtat e barabarta dhe legjitime në të gjitha fushat e jetës politike, ekonomike dhe kulturoro-gjuhësorepër komunitetin shqiptar në Mal të Zi, përfshirë edhe të drejtën e pasjes së shtypit në gjuhën amëtare.Tëpërpiqet më shumë për akomodim e jo asimilim, bazuar në standardet evropiane.Shpresojmë që ky të mos jetë numri i fundit i Kohës Javore.
DOLI I GUCISË I ÇON NJË KARTOLINË LUTJE PAPA FRANCESKUT PARA VIZITËS NË SHQIPËRI
Foto: Fshati Doli i Guci, ne rreth te kuq pronat e shqiptareve etnik katolik qe rrezikojne te kthehen ne prona shteterore te shtetit shoven te Malit te Zi gjukanovician (Foto: Alex Selimaj)/
Nga Ramiz LUSHAJ/
Doli është një fshat i vogël shqiptar tokëngjit qytetit të Gucisë, i shtrirë në fushë, i kapet edhe malit. Një pozicion gjeo-strategjik i lakmueshëm. Vendi i bollekut për tokë buke e mbajtje të blegtorisë. Në rregjistrimin shtetëror malazez të vitit 2011 i figurojnë 102 banesa. Popullsia e tij është ma e madhe në emigracion se sa në trojet e veta etnike. Një rast i ngjashëm, dukuri gangrenë e përgjithshme, për krejt krahinën etno-historike të Plavë-Gucisë, e cila ka rreth 3.000 banorë në dykomunshin, e po të kthehet tanësisht mërgata shqiptare bahen 13.000 banorë shqiptarë, sa ç’asht krejt popullsia e sotme e saj me shqiptarë, boshnjakë, malazezë, serbë, etj.
Doli ka mbet i vetmi fshat me popullsi katolike në krejt krahinën e madhe etno-historike të Plavë-Gucisë. E ka edhe kishën e vet. Prej hejcekurit thirret “Kisha katolike e Dolit”. Këta qëndrestarë të rrallë të mos asimilimit etnik e fetar përngjajnë si një “oaz”, pasi ortodoksit malazezë e serbë dhe muslimanët boshnjakë iu thonë: “shqiptarët katolikë të Dolit”. Gjithmonë dyert e Dolit kanë nxjerrë burra të mirë, të meçëm, luftëtarë, dijetar, të cilët ia kanë mbajt lart emrin e veprat visit të vet etnik shqiptar.
Dolit të vogël, sivjet, në kit’ gusht 2014, i ka ra një hall i madh, për të cilin po ia çon një kartolinë publike Shkelqësisë së Tij, Papa Franceskut, para vizitës në Shqipëri, tue iu lut për ndihmë direkte, për ndërhyrje të shpejtë, pasi shteti i Malit të Zi të Gjukanoviçit po ua grabit tokat e të parëve të vet, po ua shtetëzon me të padrejtë ato, po kryhet një akt i ri neokolonial, po synohet asimilimi fetar e etnik i popullsisë e tokës së tyre etnike.
Shteti i Malit të Zi gjukanoviçian ka çue në vjeshtën e vjetit 2013 një aeroplan mbi hapësirën gjeo-fizike të Plavë-Gucisë për me i filmue krejt pronat e kësaj krahine, asaj kohe në një komunë të vetme: Plavë-Guci. Kjo duhej për kadastrimin e tokës, etj. Ç’ka ndodhi realisht?
Doli, banorët e tij, sipas rregullit shtetëror, në pronat e veta – në katër qoshet e tyre, kishin vendos shenja të bardha kufitare. Kohëardhja e avionit në vjeshtë për filmime nga ajri e ka damtue seriozisht proçesin e rregjistrimit të pronave të tyre me pemë, kopshtije, lisa, ara. Shenjimet e bardha nuk dallohen në hartë nga ramja e gjetheve të zverdhura vjeshtuke, etj. Kjo është e keqja, po pas saj vjen e keqja tjetër ma e madhe:
Nga Podgorica, kryeqyteti i Malit të Zi, kanë ardhë “komisionet e posaçme të tokës”, të cilët në ato vende ku shenjat janë shuejt apo, sipas tyre: “nuk duken qartë”(!) si dhe në ato shtëpia të shqiptarëve katolikë të Dolit (si ata në emigracion) që nuk ndodhen aty të pranishëm fizikisht gjatë matjeve kadastrale, ua kalojnë pronat vetjake familjare si “pasuri shtetërore”(!!!) Kjo është një formë neokolonializimi modern, që çon drejt asimilimit etnik e fetar.
E keqja ndjek të keqen: Qeveria e Malit të Zi qëllimisht ka lanë një afat kohor të shkurtër, pothuaj dy javor, për proçesin e kadastrimit të ri mafioz, antishqiptar, neokolonial të tokave, si në Doli edhe në krejt Plavë e Guci, ndaj shqiptarët kudo që janë në çdo vend të botës duhet të vijnë urgjent në vendlindje, të mbrojnë e shpëtojnë tokat e veta, kullat e veta, pasurinë e breznive të veta etnike shqiptare.
Përndryshe ka edhe një tjetër të keqe të madhe, tejet të madhe: Ata, që “komisionet e Podgoricës” ua shtetëzojnë tokat e tyre pronësore (si tokën e bukës e atë të malit) duhet të bredhin gjyqeve të pafund nga Plavë-Gucia deri në Podgoricë, do të humbin kohë me vite, do të kenë shpenzime të mëdha e të tepërta, do të kenë kushtëzime për asimilim etnik e fetar, e pas gjitha këtyre ecejave pa cen e pa cak, nuk i dihet fundi fitimtarit: shteti shoven malazez apo qytetarët e malësorët e Dolit e të krejt dy komunshit” Guci e Plavë?!!!
Çështja shtrohet: Pse Doli i çon kartolinë publike Papa Franceskut?! E para, se shqiptarët etnik në krejt Malin e Zi zanë vendin e parë si popullsi e besimit katolik, pastaj vijnë malazezët e kroatët. E dyta: se shqiptarët katolikë të Dolit kanë mbetë “oaz” në Plavë-Guci e nën presione të shumfishta për ndrrim feje e etnie. E treta: se Guci (përfshi edhe Dolin) kanë gjet strehim të krishterët që përndiqeshin nga inkuizicionistët e ndryshëm në shekujt e parë pas Krishtit, biles Gucia thirrej “Vendi i kishave”. Edhe sot në Guci ka edhe shpella me emra shenjtorësh etj. E katërta: Gucia, Plava, Hoti (Jasenica) u ringritën si qytete nga Konstandini i Madh (e dinastia e tij) që e shpalli Krishtërimin fe zyrtare, etj. E fundit, shqiptarët katolikë kanë qënë tejet të diskriminuar e të asimiluar në malazezë nga politika shovene e Krajl Nikollës, Titos, Millosheviçite Gjukanoviçit. Shifrat flasin vet: në vitin 1912 krahina e Plavë-Gucisë kishti mbi 9.1 për qind të popullsisë shqiptarë katolikë e, në vitin 2011, sipas rregjistrimit shtetëror malazez, kanë mbetë vetëm 0.95 për qind e, pothuaj terësisht në fshatin e vogël Dol të Gucisë.
Guci, 11 gusht 2014
Foto: Fshati Doli i Guci, ne rreth te kuq pronat e shqiptareve etnik katolik qe rrezikojne te kthehen ne prona shteterore te shtetit shoven te Malit te Zi gjukanovician (Foto: Alex Selimaj)
Ripushtimi dhe Qëndresa nuk kanë marrë akoma fund!
Kumtesë mbajtur në sesionin e XII shkencor që Shoqata “Trojet e Arbrit” organizoi më 9 gusht 2014 në Gjakovë me temë : “Ripushtimi jugosllav i Kosovës dhe trojeve tjera etnike prej vitit 1944 dhe Qëndresa shqiptare”
Shkruan: Sulejman Gjana, MR/
Kryetar i PLL/
Jam i impresionuar thellë me titullimin shumë domethënës “Ripushtimi jugosllav i Kosovës dhe trojeve tjera etnike prej vitit 1944 dhe Qëndresa shqiptare” të këtij sesioni shkencor, që evokon dhe na risjell në kujtesë të gjithë historinë e qëndresës antisllave, e kryesisht asaj antiserbe, që ende duhet të vazhdojë e të intensifikohet, deri në ditën e pashmangshme të bashkimit tonë kombëtar, jashtë a brenda Bashkimit Europian, qoftë nëse ai do të ekzistojë në atë ditë fatlume per ne, ose jo.
Përcaktimi “Ripushtimi dhe Qëndresa” janë tejet kuptimplotë dhe filozofik, pasi na jep mundësi për shpalosjen e qëndrimeve që duhet të mbajnë të gjithë faktorët e aktorët politikë e atdhetarë, intelektualët dhe mbarë shqiptarët, në trojet etnike e diasporë.
Për të shmangur përsëritjet dhe retorikën e panevojshme, duke u ndjerë fort i nderuem që ma dhatë fjalën në emër të legalistëve e mbretërorëve shqiptarë, në trajtesën time do ju ndërmend disa stacione dhe çaste mjaft domethënëse të historisë tonë, që e konkretizojnë Ripushtimin dhe Qëndresën; duke na mundësue edhe orientimin e qartë drejt qëndrimeve që duhet të mbajmë tash e tutje, deri në zgjidhjen përfundimtare të Çështjes sonë Kombëtare, me bashkimin e trojeve etnike.
Për ne legalistët dhe mbretërorët shqiptarë, ‘Ripushtimi’-t që trajtojmë sot, i parapriu Pushtimi i Madh sllav i trojeve tona etnike, që e ka zanafillën në Naçertanien dhe që e jetësoi Kongresi i Berlinit i vitit 1878, prej ku shqiptarët humbën Naisus-Nishin e lashtë ilir, asokohe mbushun me xhamija shqiptare dhe kisha katolike parasllave, të ndërtuara këto qysh në kohën e perandorëve iliro-dardanë të Romës e Bizantit. Për të vazhduar më pas me humbjen e Prokupljes, Leskovcit, Leposaviqit, Novi Pazarit, Vranjës e Kurshumlisë, që iu dhanë Serbisë duke ia dyfishuar sipërfaqen, dhe humbjen e Tivarit, Nikshiqit, Ulqinit, Rozhajës, Hotit, Grudës, Plavës e Gucisë, që dyfishuan sipërfaqen e Malit të Zi, e në mbrojtje të të cilave shqiptarët shpërthyen kryengritjet dhe krijuan Lidhjen e lavdishme të Prizrenit.
Pas këtij Pushtimi të Madh të sipërcituem, kemi të drejtë që çdo gjamë, plan dhe zhvillim antishqiptar me synim një pushtim të ri dhe të përsëritur të trojeve shqiptare, atëherë, sot, e gjithmonë, ta quajmë Ripushtim, me plot gojë.
Në këtë kuptim, në ripushtim na çoi edhe mendjelehtësia dhe vetëmashtrimi për t’iu bashkëngjitur fqinjëve ortodoksë shovinistë të Ballkanit gjatë kryengritjeve dhe betejave të fillim-shekullit XX, gjatë të ashtu-quajturës Lufta e Parë Ballkanike, luftë nga e cila pasi mundën Perandorinë Osmane, serbët, grekët, malazezët dhe bullgarët bënë hajgare me shqiptarët dhe na pushtuan troje të tjera etnike.
Ripushtim është edhe shtrembërimi i qëllimshëm nga historiografia sllavokomuniste i rolit dhe kontributit të Vjenës dhe Romës gjatë Konferencës së Londrës, ku megjithëse u coptuan trojet shqiptare, u maksimalizuan trojet e mbetura të Shqipërisë-Amë, në formën e një Principate të Mosvarun e të njohun nga Fuqitë e Mëdha, ndërkohë që pa kontributin e këtyne fuqive kjo bërthamë mund të zhdukej fare nga faqja e dheut.
Ripushtim historiografik sllavokomunist janë edhe injorimi dhe heshtja për qëndresën heroike të Lumës në Kolesjan, Bicaj e Kodër-Lumë; të Matit në Dejë-Macukull dhe Dibrës në Muhur, Qafë Buall e Qafë Murrizë; apo betejat e matjanëve në Rrenz e Kakarriq. Por qëllimi për ‘kryepushtim’ është heshtja e plotë për qëndresën më të lavdishme 6 mujore të Rrethimit të Shkodrës, nga tetori 1912 deri në maj 1913, ku 30 mijë qëndrestarë me armë rezistuan heroikisht kundër 100 mijë serbomalazezëve, çka i detyroi Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës t’ia linin Shkodrën Shqipnisë së Mosvarun.
Ripushtim historiografik sllavokomunist ka qenë dhe mbetet injorimi i rolit shpëtimtar të Presidentit Uillson për moscoptimin e Shqipërisë në Konferencën e Versajës; injorimi i organizimit prej qeverisë së dalë nga Lushnja i atyre që njihen si Lufta e Vlorës dhe e Shkodrës, si dhe marrja në dorëzim prej qeverisë shqiptare, të Vlorës dhe rrethinave, Shkodrës dhe Korçës, pas përzënies së ushtrive italiane, serbomalazeze dhe greke.
Ripushtim sllav ishte edhe hapja nga Jugosllavia në vitet 1922-24 e tre konsullatave në Vlorë, Korçë e Shkodër, nga të cilat u rekrutua dhe u ngrit rrjeti agjenturor proserb. Rrjet që u vu në lëvizje pas dy dekadash nga vetë Mugosha, me listat e dhuruara komunistëve serbë nga ministria e Brendshme e Serbisë pas kapitullimit të Jugosllavisë në vitin 1940. Ndaj jo rastësisht operacionet e krimeve të komunistëve ndaj nacionalistëve shqiptarë, Mugosha i drejtoi personalisht në Korçë dhe Vlorë, ku nisi dhe lufta civile në Shqipëri ndaj nacionalistëve të deklaruar për Shqipërinë Etnike.
Ripushtim serb kanë qenë edhe 5 rebelimet kundër shtetit shqiptar, dhe dy rebelimet e dështuara, gjatë viteve 1921-1937, në të cilat u provua katërcipërisht implikimi i Serbisë. Rebelime këto që u neutralizuan me minimumin e jetëve njerëzore, që nuk e kalonin shifrën 30.
Ripushtim historiografik sllavokomunist ka qenë edhe emërtimi si “Revolucion Demokratik” i rebelimit antikushtetues të Qershorit 1924, pas të cilit e ashtuquajtura “Republikë Demokratike” dënoi me vdekje kundërshtarët politikë, dogji sarajet dhe konfiskoi pasuritë e tyre, me vendim të parapërgatitur e vetëm të shpallur të një Gjykate Speciale, pa avokatë dhe pa gjykim. “Republikë Demokratike” kjo, pa parlament e pa asnjë institucion të pavarur, me ilegjitimitet të plotë, të një opozite të ardhun në pushtet me rebelim të përgjakshëm e që kishte marrë vetëm 30 % të votave në votimet e ligjshme e të gjithëpranuara ndërkombëtarisht, të dhjetorit 1923.
Ripushtim historiografik sllavokomunist ka qenë edhe fshehja e faktit se Mbreti Aleksandër Karagjorgjeviç, nga 5 janari 1925 e deri në fundmarsin e atij viti, thirri në audience 7 herë ambasadorin e Italisë në Beograd, Bodreron, të cilit i kërkoi të bindë Duçen që Jugosllavia bashkë me Italinë të rrëzonin Zogun me aksion ushtarak, si armiku më i rrezikshëm i tyre.
Ripushtim historiografik sllavokomunist ka qenë dhe mbetet njollosja si tradhti kombëtare e Pakteve italoshqiptare 1926-1927, që shmangën pushtimin jugosllav e që u miratuan unanimisht nga Lidhja e Kombeve dhe Fuqitë e Mëdha, si pakte midis dy shteteve sovrane, anëtare të Lidhjes, ndërkohë që Italia ishte përcaktuar nga Lidhja e Kombeve në vitin 1922, si njëra nga katër fuqitë kujdestare dhe protektore të Shqipërisë, krahas Britanisë, Francës dhe Japonisë.
Ripushtim sllav kanë qenë edhe vazhdimi i veprimtarisë së opozitës antizogiste në Vjenë dhe Zarë të Kroacisë, e që financohej me paratë e Serbisë.
Ripushtim sllavo-italian ishte edhe Pakti Çiano-Stojadinoviç i vitit 1937, për ndarjen më dysh të Shqipërisë nga Italia dhe Jugosllavia.
Ripushtim sllavo-grek ishte edhe refuzimi i Jugosllavisë dhe Greqisë për miratimin e Paktit të Antantës së Vogël Ballkanike, të propozuar nga Mbreti Zog në vitin 1938, që synonte mbrojtjen e përbashkët të tyre nga pushtimi italian.
Ripushtim sllavokomunist ishte edhe themelimi i PKSH nga Popoviçi e Mugosha dhe mospërmendja e Kosovës as në Rezolutën e krijimit të saj dhe, më pas, në asnjë dokument zyrtar të PKSH e PPSH, deri në vitin 1991, kur ajo gjoja u shpërbë. Edhe në vitin 1991, Ramiz Alia u tha byroistëve: “Kanë dale reaksionarë me parrulla dhe duan të na ngatërrojnë me Kosovën, por neve nuk ka ç’na duhet Kosova, kemi hallet tona”.
Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte deklarimi i Popoviçit në Pezë, më 16 Shtator 1942: “Ju shqiptarët nuk mund të merrni vendime pa mua, pasi jam unë kryetar i PKSH”.
Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishin edhe: (1) prishja e njëanshme e Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët shqiptarë me në krye Popoviçin; (2) prishja e njëanshme nga Tito dhe Enver Hoxha e vendimeve të Marrëveshjes së Bujanit; (3) anullimi i 28 nëntorit 1944 si datë e çlirimit të Shqipërisë londineze dhe përcaktimi si datë-çlirimi i 29 nëntorit të AVNOJ-it; (4) propozimi i Enver Hoxhës për shpalljen e Titos si kryetar i PKSH dhe vetvetes si sekretar i Përgjithshëm isaj, krahas Shqipërisë si Republika e Shtatë e Jugosllavisë; (5) hapja në selinë e qeverisë federale të Jugosllavisë, të zyrës së Republikës së Shtatë të saj, Shqipërisë, në derën e së cilës u shkruajt “Republika e Shtatë e Jugosllavisë, Shqipëria, kryeministër i Republikës druzhe Enver Hoxha”; (6) bashkimi doganor dhe barazimi i lekut shqiptar me dinarin jugosllav, si dhe hartimi i planeve të përbashkëta të zhvillimit ekonomik, si hap paraprak i bashkimit përfundimtar ekonomik dhe njësimit administrativ.
Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishin masakrat e Mehmet Shehut kundër nacionalistëve ballistë e legalistë në Korçë e Devoll, në Vlorë dhe Lushnje, në Martanesh e Myzeqe, si dhe ato të Shefqet Peçit në Kurdari, Fushë Alie dhe Buzëmadhe të Lumës. I tillë ishte edhe dërgimi i Divizionit të Parë partizan në Veri dhe Kosmet, për t’i “çliruar” këto treva nga gegët nacionalistë; si dhe asgjësimi i çetave të rezistencës antigjermane të Muharrem Bajraktarit dhe Gani bej Kryeziut, nën moton e njohur: “Nga Kuçi në Vishegrad / rrugët i kemi larë me gjak”.
Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte edhe deklarata e Enver Hoxhës më 29 nëntor 1944 se “Shoku Tito na mësoi sesi ta shndërronim luftën antifashiste në Revolucion komunist, për marrjen e pushtetit me pushkë e gjak dhe shporrjen e klikës së shovinistëve shqiptaromëdhenj, që deshën të na prishnin me popujt vëllezër sllavë”.
Po ashtu, konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte edhe alarmi i Popoviçit dhe Enver Hoxhës në letrën dërguar Titos, ku i kërkonin t’u dërgonte udhëzime se çfarë t’i thonin popullit kur të pyetëshin për çështjen e Kosovës, prej së cilës pranonin se ishin inferiorë dhe të dyshimtë në raport me nacionalistët ballistë e legalistë, që kërkonin dhe premtonin bashkimin kombëtar pas luftës.
Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte edhe kryesimi i listës së të ashtuquajturve “kriminelë të luftës” (pa asnjë krim të kryer dhe të vërtetuar), nga të gjithë krerët nacionalistë, ballistë e zogistë, që kishin firmosur Marrëveshjen e Mukjes; i tillë ishte edhe mbytja me tortura çnjerëzore e Patër Lekë Lulit, nënkryetar i Legalitetit, nga komunisti Kosovar Mehmet Hoxha në Pukë, teksa në grahmat e fundit i thoshte: “Ja, kjo është Shqipëria Etnike që kërkove dhe firmose në Mukje”.
Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte Masakra e Tivarit; ishte çarmatosja e mbarë shqiptarëve të Kosovës me mashtrim nga partizanët shqiptarë dhe dhunë nga ata serbë; ishte rekrutimi me dhunë i partizanëve ndër Shqiptarët e Kosovës dhe dërgimi i tyre në zona të vdekjes së sigurtë; ishte asgjësimi i kryengritësve të Shaban Polluzhës dhe 50 mijë kosovarëve gjatë viteve 1945-46, në prani ushtarake edhe të partizanëve nga Shqipëria, fakt ky i vetëpranuar nga historiografia serbe.
Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte emërimi i të gjithë krerëve të Divizionit të Parë partizan që kish ndihmuar në spastrimin etnik të Kosmetit, në krye të ushtrisë, ministrisë së Brendshme dhe institucioneve kryesore të shtetit shqiptar pas kthimit “triumfal” nga Jugosllavia komuniste; i tillë ishte edhe emërimi i të gjithë komunistëve me origjinë nga pakicat sllavomaqedonase në krye të ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit të themeluar sipas përvojës së OZNA-s nga Dushan Mugosha, sikurse ishin Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Kristo Themelko, Nesti Kerenxhi, Sotir Vullkani, Zoi Themeli, Ndreko Rino, Dulaç Lekiqi, etj..
Po kështu, konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte edhe asgjësimi i çetave nacionaliste të Xhemë Gostivarit dhe parisë së Dibrës së Madhe e Tetovës në aksione të përbashkëta me brigadat Maqedonase, apo i trimave të kryeheroit antisllav Prekë Cali dhe shtypja e përgjakshme e kryengritjeve të Mbishkodrës dhe Postribës, me aksione të përbashkëta me brigadat malazeze.
*****
Jo rastësisht, kur Kosova filloi të lëvizë politikisht dhe po mjekonte plagët pas eleminimit të Rankoviçit në luftën për pushtet me Titon, Enver Hoxha filloi luftën kundër fesë, shembi kisha e xhamija, burgosi klerikët e lartë dhe i shpalli shqiptarët ateistë, me ç’rast tërhoqi vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga masakrat që Serbët kishin bërë dhe bënin në popullin Shqiptar të Kosovës dhe u dërgoi mesazhin serbëve se “shqiptarët e pafe” të Shqipërisë londineze nuk kishin kurrfarë lidhjeje me kosovarët myslimanë e katolikë, prandaj veproni!
Jo rastësisht, kur Kosova lëvizi përsëri në vitet 1974 (kur fitoi statusin e Krahinës Autonome me Kushtetutën federative) dhe në vitin 1981 (kur mbarë Kosova u ngrit për Republikë), Enver Hoxha sajoi grupet armiqësore dhe filloi spastrimet për pushtet brenda udhëheqjes më të lartë, me ç’rast tërhoqi përsëri vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga masakrat e radhës që serbët bënin ndaj të drejtave dhe popullit Shqiptar të Kosovës dhe u dërgoi mesazhin vëllezërve të tij serbë: Lajini hesapet me kosovarët, nuk ju pengojmë, se në vend që t’i mbrojmë siç na takon, po merremi këtu brenda me njëri-tjetrin dhe më mirëkuptoni kur ta akuzoj ndonjërin si agjent të UDB, se me këtë rast u themi të gjithëve se UDB është e tmerrshme dhe ne mezi po shpëtojmë lëkurën prej saj këtu në Tiranë, e jo më të guxojmë të shpëtojmë prej saj kosovarët dhe shqiptarët e Jugosllavisë.
Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte edhe internimi i afro 6 mijë kosovarëve të arratisur nga Jugosllavia në fshtarat e Myzeqesë dhe dënimi me burg i afro 2 mijëve syresh gjatë regjimit komunist, me dyshime të pavërtetuara dhe akuza si agjentë të UDB-së dhe “Armikë të pushtetit popullor”. Pa përfshirë këtu ata që iu dorëzuan UDB-së konform marrëveshjes për kthimin reciprok të elementëve të rrezikshëm të arratisur.
Se çfarë konsideratë kishin Enver Hoxha e Ramiz Alia për Kosovën dhe Çështjen Kombëtare, e tregoi hapur anëtari i KQ të PPSH, njëkohësisht deputet komunist për 20 vjet dhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në takimin e shkrimtarëve ballkanas, organizuar në Nishin shqiptar në vitin 1987, kur deklaroi: “Eh more vëllezër jugosllavë, ta dini sa bukur duket Shkodra e rrethuar prej fshatrave sllavë, në ditët me qiell të pastër, nga maja e Tomorrit dhe Tomorricës, që të parët tuaj i vunë emrin…”. Dhe këtë ky po ua thoshte bash kryetarëve bashkë-firmëtarë të Memorandumit famëkeq të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe të Lidhjes së Shkrimtarëve të Serbisë të vitit 1986, të cilët kishin kërkuar qysh në rreshtat e pare të Memorandumit në fjalë, futjen e tankeve në Kosovë dhe shfarosjen me zinxhirë tankesh e mitroloza të shqiptarëve atje.
Dhe mendojeni vetë kur këtë deklaratë e jepte shkrimtari, bashkëshort i gruas sllave nga Vrraka e Shkodrës, në shtëpinë e të cilëve flitej vetëm serbisht. Pas shpalljes së pluralizmit ky shkrimtar u shpall dhe akoma thërritet “Patriarku i Partisë Socialiste”, trashëgimtare e PKSH të krijuar nga Popoviçi e Mugosha.
Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte hapja e ambasadave në Tiranë më 2 korrik 1990, bash në ditën e shpalljes së Kosovës Republikë, që ndodhi pikërisht më këtë datë për të tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar prej ngjarjeve në Kosovë. I tillë ishte edhe manifestimi i komunistëve shqiptarë në Tiranë, në qershor 1991, në mbështetje të puçistëve stalinistë që rrëzuan Gorbaçovin dhe morën përkohësisht fuqinë. I tillë ishte edhe rebelimi i tregishtorëve në Vlorë, në vitin 1997, dhe fyerja nga komunistët e gegëve si “çeçenë”, me urrejtjen ndaj të cilëve ishin ushqyer nga “vëllezërit rusë” për shkak të kryengritjes së tyre kundër Rusisë.
Konfirmim i Ripushtimit sllav ishte edhe shkatërrimi i plotë i arsenalit ushtarak të Shqipërisë në vitin 1997, nga bandat komuniste, ndonëse pushtetin e kishin të siguruar, vetëm e vetëm me qëllimin e porositur nga Beogradi, për t’i lënë shqiptarët të çarmatosur përballë makinës ushtarake serbe gjatë gjenocidit dhe spastrimit etnik të Kosovës, që për fat i ndaluan SHBA dhe NATO. Ndërkohë Azem Hajdari deklaronte në parlament: “Më gjeni një komunist të vetëm shqiptar, që ka marrë dhe strehuar qoftë edhe një kosovar, dhe unë do të dorëzoj mandatin e deputetit”.
Konfirmim i Ripushtimit sllav është edhe mospërpjekja për zbatimin e Paketës “Ahtisari” dhe lejimi i zëvendësimit të saj me Paketën “Ahtisari Plus”, krahas pranimit dhe njohjes së habitshme të fuqisë vepruese të anekseve të Rezolutës 1244 në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, fuqia e së cilës ka rënë për shkak të zhbërjes së subjektit “Federata e Jugosllavisë”.
I tillë është edhe moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe pranimi i këtij fakti e realiteti nga faktorët politikë shqiptarë në Maqedoni, në qeverisje dhe opozitë, çka padyshim do të sjellë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike.
Lista e fakteve historike që provojnë ripushtimin dhe qëndresën e shqiptarëve dhe të trojeve tona është e pafund, e kërkon një studim objektiv prej një Akademie Shqiptare, që për fat të keq nuk ekziston ende por besoj se stacionet që paraqita sot janë të mjaftueshme për të kuptuar rreziqet e djeshme dhe ata të sotme për popullin dhe kombin tonë.
*****
Ne legalistët dhe mbretërorët shqiptarë mendojmë dhe propozojmë se duhet kundërshtuar fort, politikisht, Asosiacioni i komunave serbe në Kosovë dhe pengimi i ushtrimit të Sovranitetit të shtetit të Kosovës si dhe ai i Autoritetit të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore dhe komunat me shumicë serbe, apo edhe pikat kufitare e doganore atje.
Gjithashtu mendojmë se nuk duhet të vazhdojnë bisedimet shqiptaro-serbe në Bruksel pa asnjë kushtëzim ndaj Serbisë, duke arritur deri në heqjen dhe injorimin madje edhe të 10 pikave kushtëzuese që Gjermania i kish vënë Serbisë për raportet politike me Kosovën.
Ne legalistët dhe mbretërorët mendojmë dhe sugjerojmë që në Shqipëri, Kosovë dhe viset shqiptare duhet të propagandohet hapur se aleatët tanë strategjikë për përmbushjen e objektivave të bashkimit kombëtar dhe atyre integruese, janë SHBA-të, Gjermania, Turqia dhe Austria, bashkëpunimi me të cilët duhet shndërruar në objektiv prioritar kombëtar, politik dhe qeverisës duke konsideruar edhe interesat gjeostrategjike afatmesme dhe afatgjata të aleatëve dhe kundërshtarëve tanë, në trojet shqiptare.
Në këtë drejtim, mendojmë se elita politike dhe intelektuale kombëtariste shqiptare, ajo që jetësoi dhe trashëgoi qendresën ndaj pushtimeve dhe ripushtimeve, nuk duhet të kemi komplekse për të propozuar, kërkuar e vepruar për krijimin e një ‘Konfederate shqiptare’ ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës si hap i parë drejt krijimit të shtetit tonë unitar për të cilin aspiruan të parët tanë dhe u derdh aq shumë gjak shqiptari. Ne besojmë se ky variant juridik dhe institucional mund të jetë plotësisht i pranueshëm edhe nga partnerët tanë nëse elita jonë politike dhe intelektuale largohet nga interesi i thjesht i pushtetit rajonal dhe i atij ekonomik e financiar por merr realisht përgjegjësinë që të përfaqësojë vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar.
Ne kemi bindjen se bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk është nje deklaratë lufte ndaj askujt, përkundrazi! Ky variant është një garanci për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan nëse dijmë të manaxhojmë raportet ndër-shqiptare dhe ata me fqinjët tanë dhe ne besojmë se forma institucionale më e qëndrueshme do të ishte ajo e Mbretërisë Shqiptare.
Dhe duke e mbyllur fjalën time më lejoni t’i uroj organizatorët drejtues të Shoqatës Mbarëshqiptare “Trojet e Arbërit” për këtë sesion shkencor të spikatun, që pa droje do ta quaja fillimi i nismës për konstituimin e Lidhjes së Tretë të Prizrenit këtu në Gjakovë, pas dy besëlidhjeve tona të lavdishme.
Edhe njëherë, në emër të legalistëve dhe mbretërorëve shqiptarë, shumë faliminderit.
Sulejman Gjana, MR
Kryetar i PLL
Gjakovë, 9 gusht 2014
Prologu dhe epilogu i miqësisë së Kuqe
Nga Alfons Grishaj/*
“I would rather walk with a friend in dark, than alone in the light”. Kështu shprehej për miqtë Helen Keller.
Miqësia është një vlerë shoqërore, e cila përmban në vetvete karakterin, mirësinë, shpirtin dhe traditën.
Si koncept filozofik dhe psikologjik, shpesh herë kam përseritur rreth kësaj vlere, të cilën nganjëherë njerëzit e nëpërkëmbin, e injorojnë, ose më saktë, nuk janë të aftë për ta mbajtur atë. Për ta kuptuar dhe mbajtur miqësinë duhet të jesh tip Sanguin, të gëzosh si kusht primar të katër komponentet që përmenda më lart. Pa to njeriu është një hap larg nga kafshëria dhe bota instiktive.
Në vitet e jetës sime, kam parë shumë njerëz të sferave të ndryshme në të gjitha rrethanat, të kushtëzuara dhe të pakushtëzuara, në paqe e në luftë, në liri dhe izolim. Dhe mund të them pa asnjë kompleks se e di përmendsh të plotë rregjistrin e tipave dhe karaktereve njerëzore. Këtu përfshij edhe ata, me të cilët jam ballafaquar në experiencën e re të emigracionit, dhe, i zhgënjyer totalisht mund të përsëris me bindje thënien lapidare që e përdornim dikur (autorin nuk e mbaj mend): “Sa më tepër njoha njerëzit aq më tepër desha kafshët!”.
Liria është ajo pjesë e qiellit, ku njerëzit që e kanë nuk e njohin, kurse atyre që u mungon e adhurojnë. Por çfarë u ndodhi në rrethanat e reja disa të njohurve të mi të cilëve u mungoi liria për 47 vite, porsa u ballafaquan me të? Fillimisht, u sollën si të trembur, konfuzë dhe të dëshpëruar. Pasi u kaloi kjo fazë, filluan të shijonin të mirat e lirisë dhe u bënë miqësorë, (nuk mungonin në fotografitë e darkave që organizonim ndër festa kombëtare apo tradicionale). Më vonë ata zunë të bëhen “seriozë”, të trashnin zërin, biles u shihej dhe ndonjë akt vagabondazhi i vonuar, apo ndonjë trimëri jo paralele.
Kafeja filloi të degjenerojë. Në sfond, u shfaqën mungesa e karakterit, e mirësisë, e shpirtit dhe e traditës, gjë që tregon, se përveç rastësisë asgjë më tepër nuk kishim të përbashkët. E para, ata vinin nga një traditë e përlyer familjare që nga e kaluara dhe deri në ditët e lirisë, të cilët si vegla të verbëra pa identitet, me pseudonime të pështira, i shërbyen rregjimit të Enver Hoxhës me zanatin më të urryer në perëndim, atë të spiunit. Megjithëse disave ua njihnim të kaluarat familjare dhe personale, shoqëria që krijuam dhe buka që hëngrëm si bashkatdhetarë e lanë prapa pjesën e tyre të errët. Për mua, kishte shumë kuptim ky akt, sepse miqësia që mbështetet në fisnikëri, eshte akoma më e shenjtë. Por, siç thotë një fjalë e urtë popullore: “Ai që është mësuar, nuk rri pushuar!”, dalngadalë, “miqtë” iu kthyen veseve të vjetra të spiunllëkut dhe intrigave. Velloja që mblulonte miqësinë tonë të rrejshme, u gris dhe fytyrat e vërteta të “miqve” dolën lakuriq! Përsëri u mundova t’i justifikoja dhe për asnjë çast nuk mendova keq për ta, sepse mëshira është më e madhe se urrejtja.
E kam shkruar dhe më parë, njerëzit e vegjël nuk mund të bëhen kurrë të mëdhenj, aq më pak të gëzojnë një vlerë fisnike siç është miqësia.
Vlerën e miqësisë e gëzojnë të gjithë ata njerëz që besojnë në kodin e fisnikërisë i cili mbetet instrumenti më i drejtë për të matur sjelljet tona në raport me njëri-tjetrin dhe moralin shoqëror në tërësi.
A mund të bëhet miqësia një lojë mjeranësh dhe trutharësh? Për një kategori, po. Pas një kohë studimi të karaktereve të dobta në shoqërinë e emigracionit, verejta se: Njeriu i ri i komunizmit u shpërnda gjithandej pas rënies së diktaturës. Në fillim, hiqej zvarrë pa ngritur kryet. Më vonë mësoi të ecte me duar dhe këmbë si kafshë e butë. Porsa kuptoi se në perëndim nuk e njohu kush, filloi zakonin e vjetër, dhe pse jo, të pretendonte tashmë të bëhej dhe udhëheqës në emigrim, në atë vend që e shau me rracë e me koc dikur.
Kalimi nga një rregjim totalitar në ballafaqimin me vlerat e lirisë është vetiu një ngërç në vetvete. Një pjesë e çimkave që i shërbyen me zell diktaturës, porsa kalojnë provën e mirëseardhjes dhe harresës, implementojnë mikrobin e kuq, i cili mori miliona jetë njerëzish anë e kënd botës. Ky mikrob nuk është më diktatura e proletariatit, se pushteti që e mbante atë ka vdekur. Por, është prodhimi i thashethemeve dhe i intrigave si pjesë përbërëse e armës së propagandës së kuqe. Ata përdorin portalet e turpit për të gjykuar tavolinat e nderit me pandershmërinë e tyre. Gjakpirësit, gjykojnë njerëzit që kanë dhënë gjak për lirinë. Gjykojnë të vuajturit, viktimat e spiunllëqeve të tyre. Gjykojnë priftërinjtë e hoxhallarët, të cilët u përndoqën prej ateizmit tyre. Gjykojnë Konsuj e Ambasadorë të lirisë, pikërisht ata që i shërbyen persekutimit dhe izolimit. Gjykojnë Vatren ,patriotë e atdhetarë, shkrimtarë e poetë e çdo gjë me vlerë, pikërisht ata të cilët janë vetë e keqja më e madhe kohës dhe e shoqërisë sonë. Gjykojnë e ç’nuk gjykojnë, por kurrë veten dhe familjarët e tyre që njihen nga fshatarë e qytetarë për bëmat mortore e inkuizitive, mbi të cilat, u mbajt për dekada me rradhë një rregjim çnjerëzor. Kutërbimi i kësaj rrace gjakprishur ka sjellur erë të keqe dhe ketu në perëndim…
* Autori eshte kryetar i deges se Vatres ne Michigan
Çorbë greke për Himarën Shqiptare
Athina sërish i ka zgjatur duart drejt Himarës shqiptare dhe po tenton të gatuaj çorbën e radhës duke aktivizuar “kalin e trojës”, PBDNJ dhe Omonian, pa kursyer dhe gjakshprishurin, Pirro Dhima, deputet i PASOK-ut. Në fakt, qeveria greke e ka flakur tej diplomacinë duke ndërhyrë brutalisht me numrin dy të saj, zv/kryeministrin Venizellos, një¬kohësisht ministër i jashtëm i Greqisë. Telefonata me 24 korrik me homologun shqiptar Bushati, përveç nervozizmit, shquhej edhe për arrogancë karakter¬istike helene. Venizellos e kishte flakur tej velin diplomatik të misionit të tij gjatë vizitës që pat bërë në shkurt të këtij viti, ku kishte garantuar ndihmë pa kushte Shqipërisë drejtë Bashkimit Europian. Në bisedën telefonike, numri dy i Qeverisë greke i kujtonte Shqipërisë se “Shqetësimi i komunitetit grek është një çështje kritike dhe mjaft e ndjeshme për Athinën zyrtare… dhe se tani që Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat do të duhet që ajo të plotësojë një sërë detyrash, ku e drejta europiane duhet të mbizotërojë dhe të plotësohen kriteret e Kopenhagenit”.
Të nesërmen, shefi i diplomacisë greke, urdhëroi çirakun Dule të PBDNJ, njëkohësisht numëri dy i Kuvendit të Shqipërisë, të nisej urgjentisht për Athinë, ku diskutuan për çorbën që po gatuajnë në Himarën shqiptare.
Tani Vangjeli e harroi shqipen, po flet vetëm greqisht, natyrisht me gjuhën e Athinës.Dikur edhe ne Parlamentin Grek flitej shqip…
Nuk mjaftoi vetëm thirrja e Dules në Athinë, deputeti i PASOK-ut,Pirro Dhima,mori urdhër të lërë Athinën dhe të zbarkojë në Himarë. Prepotenca dhe arroganca e Dhimës lexohet në deklaratën që dha për mediat:” U takova me kryetarin e Bashkisë Gjergj Goro dhe deputetin Kokdhima dhe ua bëra të qartë se nuk biem dakort me ndarjen territoriale…Theksova se për ne vorioepirotët,
është e pa pranueshme kjo ndarje…”
Deklarata nuk ka nevojë të komentohet. Pirro është çirak i grekëve dhe shërbesat i kryen sipas urdhërave të atyre që e paguajnë dhe që e kanë graduar, aq me shume qe ai nuk i fshihet misionit te fantazmes Voriepirote, qe ka nje shekull qe thuret e shthuret!… Ndersa misioni i deshtuar i Koco Kokdhimes, nuk ia vlen barra qerane qe te komentohet…
Përse po shqetësohet aq shumë Athina për reformën administrative të Shqipërisë?
Ç’punë ka Greqia me Himarën shqiptare? Tash p o filtet e dhe për referendum popullor!Zot na ruaj ruaj nga corba qe po gatuhet ne Athine!
Zhurma për referndum po vjen sërish nga Athina dhe qëllimi nuk është vetëm Himara, por edhe e njësive me popullsi çame. Athina, me një gurë kërkon të vrasë dy zogj-edhe Himarën edhe Çamërinë.
Në ditët e nxehta të korrikut, por dhe gjatë vapës së gushtit, zhurma për Himarën,do të vazhdojnë. Zërat se Himara flet greqisht dhe si e tillë është greke, janë avaze të vjetra
vorioepirote, që gatuhen në Athinë, sa herë që Greqisë i vjen oreksi për trojet shqiptare.
Po si është e vërteta e Himarës shqiptare?
Lexoni specialen në faqet 1, 3 dhe 15 te Diellit te printuar
- « Previous Page
- 1
- …
- 36
- 37
- 38
- 39
- 40
- …
- 59
- Next Page »