• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORIKISHT, PUSHTETI ABSOLUT – KORRUPTON ABSOLUTISHT!

July 21, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

“Pushteti absolut, korrupton absolutisht”, është një citim që i atribuohet politikanit britanik të shekullit të 19-të, Lordit Akton, megjithëse – në forma të tjera me të njëjtin kuptim – është përdorur edhe nga shkrimtarë dhe opinionistë të tjerë, shumë kohë para tij. Por, që në thelb do të thotë se sa më shumë që të rritet pushteti i një personi, aq më shumë zhduket edhe ndërgjegjia dhe përgjegjësia morale e një lidri ndaj të tjerëve. Ndërsa në shekullin e kaluar, ish-Senatori amerikan, demokrati William Fulbright ka shkruar gjerësisht mbi ushtrimin e pushtetit absolut politik të një individi, lideri politik, por edhe në nivel të një shteti.

Ai citohet të ketë thënë se shpeshëherë, “Pushtetari e konfuzon ose e ngatërron veten me virtytet e larta morale, duke konsideruar veten si të plot-fuqishëm ose të gjithë-pushtetshëm.” Shembuj të ushtrimit të pushtetit nga liderë plitikë absolut ka shumë gjatë gjithë historisë, nga ditët e sotme e tek historia e regjimeve komuniste të shekullit të kaluar, e deri thellë në histori, me shembuj si perandori Napolon Bonaparti, e deri në kohën antike kur perandorët romakë e konsideronin veten si zotër të universit të tyre. Ose kur kinezët konsideronin vendin e tyre si qendra rreth të cilës duhej të sillej e gjithë bota tjetër.

Për pushtetarët të cilët mund të mendojnë se janë të gjithëpushtetshëm, ish-Senatori Fulbright këshillon se, “Në rrugën e gjatë të historisë, është më e sigurt, më e mirë dhe më madhore të kesh njerëz që kuptojnë mendimet dhe qëndrimet tua” (me fjalë tjera t’i bindësh ata), sepse sipas tij edhe, “Në emër të objektivave fisnike, njerëzit kanë kryer dhe kryejnë aktet më mizore kundër njëri tjetrit.”

Ndonëse kjo frazë është përdorur fillimisht në shekullin e 18-të, pyetja lind se çdo të thotë dhe çfarë kuptimi kjo frazë ka për aktualitetin politik dhe shoqëror në botën e sotme, pa marrë parasysh se për cilin vend ose për cilën shoqëri, ose për të cilët pushtetarë të korruptuar, është fjala. Të gjithë e dimë se edhe sot kemi mjaft shembuj të tollë, ku kjo frazë u përshtatet shumë pushtetarëve aktualë kudo – pa i përmendur me emër sepse janë shumë të tillë – megjithëse ata mund ta konsiderojnë veten të zgjedhur nga shumica, e të cilët pretendojnë, se si të tillë, nuk kanë krahasim me perandorët e dikurshëm ose me “perandorët e kuq” komunistë të shekullit të kaluar.

Shumë akademikë dhe opinionistë kanë folur dhe shkruajnë për raste të ashtuquajturës “diktaturë e shumicës”, sidomos kur nuk ekziston dialogu midis shumicës dhe pakicës politike në një vend. Por, le t’i kthehemi subjektit për të cilin po flasim, se cili është pra kuptimi i frazës, “Pushteti Absolut, Korrupton Absolutisht”, në aktualitetin e sotëm politik. Sipas përcaktimit të definicionit të kësaj thënjeje, kjo frazë interpretohet të thotë se pushteti, për nga natyra, e korrupton njeriun. Ia pakëson vlerat morale një pushtetari dhe sa më shumë pushtet të ketë një individ, aq më i korruptuar do të bëhet ai në ushtrimin e pushtetit të tij.

Ashtu si në shekullin e 18-të, kjo frazë interpretohet, gjithashtu se ata që kontrollojnë pushtetin, në ciliondo nivel qoftë, shpeshherë nuk kanë parasysh interesat e popullit dhe janë të përqendruar, kryesisht, në përfitimet sa më të mëdha për veten e tyre dhe si rrjedhim abuzojnë në ushtrimine pushtetit, në mbështetje të interesave të tyre personale, partiako-politike ose rrethit të tyre të ngushtë familjar ose shoqëror.

Prandaj në qoftë se ndiqet kjo logjikë, sipas disa ekspertëve, arrijmë në përfundimin se, sidomos, politikanët që ushtrojnë pushtetin më të lartë në shtet dhe në qeveri — natyrisht, me ndonjë përjashtim aty këtu — kanë një mungesë të madhe të vlerave politiko-morale, kombëtare dhe shpirtërore. Nuk janë pra krijues të vlerave të mëdha si pushtetarë, për të mirën e përbashkët të shoqërisë dhe qytetarëve pa dallime politike, fetare apo krahinore. Ata që duhet të jenë shembull për shoqërinë mbi të cilën ushtrojnë pushtetin e tyre.

Përfundimi pra është se sa më shumë të rritet pushteti i një individi, ose grup individësh, aq më shumë zhduken vlerat e tyre morale, si njerëz të thjesht dhe si përfaqsues e si pushtetarë. Një krijesë e tillë politike, quhej “kult personaliteti”, në regjimet komuniste! Keqpërdorimi ose abuzimi me pushtetin dhënë një politikani nëse marrim me mend – se i është dhenë nepërmjet votës së lirë, buron, mbi të gjitha, nga dëshira e një pushtetari për të imponuar vullnetin e vet mbi të tjerët, në vend që me durim, të bashkëpunojë me ta, përfshirë pakicën kundërshtare politike, me qëllim për të arritur objektivat madhore në interes të vendit dhe të kombit, nëpërmjet dialogut, proceseve ligjore, politike dhe përfaqësuese të një vendi dhe të një shoqërie.

Por fatkeqësisht, dëshira për përfitime personale dhe partiake si dhe keqdashja ose vullneti i keq i një pushtetari ndaj atyre që ai mund t’i konsiderojë si kundërshtarë të pushtetit të tij, qoftë për arsye politike ose të tjera dallime shoqërore, fetare ose krahinore, duke mos përjashtuar edhe mos aftësinë ose mungesën e kompetencave të nevojshme të një pushtetari të ndershëm për të udhëhequr me moral dhe me drejtësi – janë sipas ekspertëve – arsyet kryesore se pse, në të gjitha kohërat, përfshirë edhe sot — pushtetarët absolutë, pothuaj pa përjashtim, janë edhe absolutisht të korruptuar!

Pothuaj çdo ditë në medien shqiptare nuk mungojnë kryeartikujt në lidhje me mungesën e dialogut politik dhe për arrogancën e shumicës. Të korruptuar ose jo, kur është fjala për pushtetarët e sotëm shqiptarë, qoftë në Shqipëri qoftë në Republikën e Kosovës, qoftë kudo në trojet shqiptare, një gjë është e sigurt: Se mungesa e theksuar e dialogut me votuesit dhe arroganca e pushtetarëve në marrëdhëniet me njëri tjetrin dhe me kundërshtarët e tyre politikë, përfshir mos ndëshkimin në kohë të korruptuarve, po e zhdukin njëherë e përgjithmonë ëndrrën dhe shpresën që shqiptarët kishin në mbarim të shekullit të kaluar, se shekulli 21 do të ishte, më në fund, “shekulli i shqiptarëve”.

Cilat do qofshin arsyet, pushtetarët e korruptuar, mungesa e dialogut ose përçarjet politike – një gjë është e qartë, fatkeqësisht, se nga dita në ditë vihet në pikëpyetje të madhe gatishmëria dhe vullneti i klasës politike shqiptare të këtyre 35-viteve post-komunizëm për të jetuar në harmoni dhe në vëllazërim kombëtar, në dialog dhe mirëkuptim e respekt me njëri tjetrin dhe si rrjedhim me të tjerët përtej kufijve, në kuadër të integrimeve euro-atlantike. Rasti fatzi i ditëve të fundit në Theth të Malësisë së Madhe dhe dështimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të 47-tën here, për konstituimin e legjislativit të vendit – tregojnë se shqiptarët në përgjithsi sot janë pikërisht – për faqe të zezë – aty ku gjithmonë i ka dashur hasmi – të ndarë e të përçarë ndërmjet veti, në trojet e veta autoktone, politikisht dhe gjeografikisht, dhe larg botës.

Nuk ka më kohë për të humbur! Të gjithë shqiptarët, siç është shprehur dikur edhe At Anton Harapi, duhet t’u tregojnë, “Miqve dhe armiqve, anembanë botës, se shqiptarët janë të zotët ta bëjnë dhe ta mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare…Të punojnë sa të jetë e mundur më tepër për të futur dashurinë midis vëllezërve që jetojnë në një vend me ne, kanë të njëjtin emër shqiptar, ndjekin të njëjtin fat dhe të njëjtin ideal: Fatin e Shqipërisë, idealin shqiptar… Paçim të vërtetën udhëheqëse, dashuria të na mbajë ngaherë”, ka shkruar ai.

Mënyra më e mirë, që për të gjithë shoqërinë të minimizohen dëmet që vijnë, nga pushtetarët absolutë, të korruptuar, të papërgjegjëshëm dhe të pandëshkuar, tani ose në të kaluarën – është që të gjithë, pa dallim, duhet të gjykohen dhe të vlerësohen bazuar në disa standarde morale themelore universale të drejtësisë, për hir të së vërtetës, të drejtës dhe të integritetit kombëtar dhe të historisë së shqiptarëve. Ushtrimi i pushtetit absolut pra, sipas ekspertëve, jo vetëm që korrupton absolutisht, por është edhe armiku më i madh, me këtë rast, i harmonisë dhe vëllazërimit kombëtar të shqiptarëve, dialogut, mirëkuptimit dhe respektit për njëri tjetrin dhe në shoqëri, në përgjithësi.

Udhëheqsit e vërtetë të një kombi nuk gjykojnë as nuk dënojnë, por frymëzojnë drejtë arritjes së objektivave të përbashkëta bazuar në rrethanat aktuale politiko-shoqërore! Në vend të frymëzimit të dashurisë vëllazore midis shqiptarëve kudo, fatkqesisht, pothuaj në çdo nivel të jetës shqiotare, shohim vetëm urrejtje dhe armiqësi. Kombi shqiptar ka nevojë për një udhëheqës, i cili jep shembull bashkpunimi e tolerance politike, bindë të tjerët të bashkpunojnë me ‘të dhe me njëri tjetrin për realizimin e objektivave madhore në interes të përbashkët kombëtar. Por mbi të gjitha, siç është shprehur dikur ish-Presidenti Amerikan, Dwight Eisenhower: “Cilësia supreme e një udhëheqsi, është dhe duhet të jetë integriteti!”

Filed Under: Ekonomi

Një javë pas marrëveshjes së brihtë të paqes Izrael-Iran: Misteri mbetet?

July 1, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi /

Ka kaluar një javë që kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën të shtyjnë Izraelin dhe Iranin drejt një armëpushimi, duke i dhënë fund një konflikti të përgjakshëm 12-ditor që rrezikoi të përfshinte në flakë jo vetëm Lindjen e Mesme, por edhe stabilitetin global.

Paqja e brishtë, e ndërmjetësuar nga Uashingtoni menjëherë pasi avionët amerikanë hodhën bomba të rënda prej 30,000 paundësh mbi tri objekte kyçe bërthamore të Iranit, deri tani po mbahet. Por në horizont shfaqen ende shumë pikëpyetje.

Sa pas është çuar Irani në programi i tij bërthamor?

Presidenti amerikan Trump deklaroi se tre objektivat iraniane të goditura nga sulmet amerikane ishin “shkatërruar plotësisht”. Sekretari i tij i mbrojtjes pohoi se ishin “rrënuar”. Por një raport paraprak i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të SHBA-së tregon se edhe pse objektet në Fordo, Natanz dhe Isfahan pësuan dëme të mëdha, ato nuk u asgjësuan tërësisht.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, deklaroi se objektet iraniane për pasurimin, konvertimin dhe trajtimin e uraniumit janë “dëmtuar në një shkallë të rëndësishme”, por shtoi se “diçka ka mbetur ende në këmbë” dhe se “nëse Irani dëshiron, mund t’i rifillojë ato procese”. Vlerësimi i plotë i dëmeve do të varet nga gatishmëria e Teheranit për të lejuar inspektorët ndërkombëtarë të hyjnë në terren.

Si do të jenë marrëdhëniet e ardhshme SHBA-Iran?

Pas marrëveshjes së armëpushimit, Trump foli me tone të zbutura, duke lënë të hapur mundësinë e lehtësimit të sanksioneve të ashpra ndaj Teheranit dhe madje parashikoi që Irani mund të bëhet një “komb i madh tregtar” nëse heq dorë njëherë e përgjithmonë nga programi i tij bërthamor.  

Por kjo fjalë e ëmbël nuk zgjati shumë. Udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, në daljen e tij të parë publike pas njoftimit të armëpushimit, tha se Irani i kishte dhënë “një shuplakë fytyrës së Amerikës”. Trump reagoi me cinizëm, duke thënë se Khamenei duhet të pranojë që “Irani u rrah keq”, dhe shtoi se nuk do të shqyrtonte ndonjë heqje të menjëhershme të sanksioneve për shkak të retorikës përçmuese të Khameneit.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë konfirmojnë se SHBA dhe Irani janë në kontakt paraprak për të rinisur bisedimet që kishin ngecur kur Izraeli filloi të bombardonte objektiva iraniane. Megjithatë, ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi e mohoi se ka një marrëveshje për të rifilluar zyrtarisht negociatat. Është ende e paqartë nëse udhëheqësia iraniane është gati të rikthehet në tryezën e bisedimeve, sidomos nëse Trump ngul këmbë që Irani të heqë dorë madje edhe nga pasurimi i uraniumit për qëllime civile. 

Vetë Trump ka dhënë sinjale kontradiktore, duke thënë në një samit të NATO-s: “Mund të nënshkruajmë një marrëveshje, por nuk mendoj se është edhe aq e domosdoshme.”

Çfarë roli do të luajë Khamenei në këtë kontekst?

Shëndeti i përkeqësuar dhe paraqitja e zbehtë e Khameneit së fundmi kanë ngritur pikëpyetje mbi shkallën e angazhimit të tij në raportet SHBA-Iran dhe në përgjigjen e Teheranit ndaj sulmeve amerikano-izraelite. Megjithatë, edhe pse javët e fundit u raportua se kishte qëndruar në bunker për shkak të kërcënimeve ndaj jetës së tij, nuk ka shenja se ai nuk e kontrollon ende plotësisht aparatin ushtarak dhe shtetëror iranian. 

Khamenei ka sunduar tri herë më gjatë se pararendësi i tij, Ruhollah Khomeini, dhe ka ndikuar ndoshta edhe më thellë në jetën e mbi 90 milionë iranianëve. Ai ka konsoliduar regjimin e “mullahëve”, duke u bërë autoriteti absolut në sytë e krahut radikal, vetëm një shkallë poshtë Zotit. Po ashtu, ai e ka shndërruar Gardën Revolucionare në forcën më të fuqishme të ushtrisë dhe politikës së brendshme të Iranit.

Si mund të hakmerret Irani?

Sulmet raketore të Iranit mbi një bazë amerikane në Katar, të ndërmarra si përgjigje ndaj bombardimeve, u cilësuan nga Uashingtoni si një përpjekje gjysmake për të shpëtuar fytyrën. SHBA ishte paralajmëruar dhe raketat u asgjësuan lehtësisht.  

Por kërcënimi iranian mbetet i madh, sidomos nëpërmjet luftës kibernetike. Hakerë të lidhur me Teheranin kanë shënjestruar tashmë banka amerikane, kontraktorë të mbrojtjes dhe kompani të industrisë së naftës , edhe pse deri tani nuk kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të infrastrukturës jetike. Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA lëshoi javën e kaluar një paralajmërim publik mbi kërcënimet në rritje kibernetike nga Irani, ndërsa Agjencia Amerikane për Sigurinë Kibernetike u bëri thirrje operatorëve të sistemeve të ujit, tubacioneve dhe centraleve elektrike të qëndrojnë në gatishmëri maksimale.

A do të zgjasë ky armëpushim?

Paqja mbetet tepër e brishtë. Menjëherë pas sulmeve, Trump telefonoi Netanyahun dhe i bëri të qartë se SHBA nuk kishte ndërmend të ndërmerrte më aksione të reja ushtarake. Nga ana tjetër, Netanyahu paralajmëroi se Izraeli do të godasë sërish “nëse dikush në Iran përpiqet të ringjallë këtë projekt”.

Marrëveshja e armëpushimit nuk përfshin ndonjë angazhim nga Irani për çmontimin e programit të tij bërthamor. Khamenei madje tha se sulmet “nuk bënë asgjë të rëndësishme” ndaj këtyre kapaciteteve. Trump u shpreh me besim se “gjëja e fundit që Irani po mendon tani është uraniumi i pasuruar”. Por ai pret që Irani të lejojë inspektorë ndërkombëtarë të konfirmojnë se programi nuk do të rifillojë, qoftë nga IAEA, OKB apo ndonjë organ tjetër që “ne e respektojmë, përfshirë vetveten”.

A do të arrijë Trump të shtyjë Netanyahun drejt një marrëveshjeje për Gazën?

Presidenti amerikan rrezikoi shumë me vendimin e tij për të urdhëruar sulmet ndaj “fortesave bërthamore” të Iranit. Gjatë fushatës ai kishte premtuar se do të përfundonte shpejt luftën brutale të Rusisë në Ukrainë dhe konfliktin Izrael-Hamas në Gaza, por ende nuk ka gjetur një zgjidhje për asnjërën. Ai gjithashtu kishte premtuar të mbante SHBA larg konflikteve të huaja.

Megjithatë, pas mbështetjes që i dha Izraelit me sulmet kundër Iranit, Trump , në biseda me Netanyahun dhe liderë të tjerë botërorë , ka bërë të qartë se dëshiron të arrijë një marrëveshje së shpejti. “Ne mendojmë se brenda javës së ardhshme do të arrijmë një armëpushim”, tha ai të premten për gazetarët, pa dhënë më shumë detaje.

Ndërkohë, ministri izraelit i Çështjeve Strategjike Ron Dermer do të udhëtojë në Uashington për të diskutuar me zyrtarët e lartë të administratës mbi një armëpushim në Gaza, Iranin dhe çështje të tjera.

Në fund të kësaj jave të parë të “paqes”, bota rri pezull. Shumë pyetje ende nuk kanë përgjigje, ndërsa çdo palë, në Teheran, Tel Aviv apo Uashington, duket se përpiqet të imponojë narrativën e vet. 

E ardhmja e këtij armëpushimi , dhe e gjithë rajonit, mbetet e varur në fije të perit.


Filed Under: Ekonomi

Tri arsye pse shteti shqiptar sot është i ngjashëm me një skemë piramidale

June 30, 2025 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Një nga shkrimtarët dhe intelektualët e Perandorisë Osmane të shek.XIX ishte Namik Kemal, i cili përveç origjinës së tij shqiptare njihej gjithashtu si kritik i situatës politike, që kishte përfshirë perandorinë. Një ditë tregohet se dy tre miq i kthehen me shpoti, duke i vënë në dukje se kishte kohë që thonte se shteti po prishej e megjithatë ai vijonte të mbetej në këmbë. Namik beu iu përgjigj se perandoria nuk ishte filan fisteku, që të sëmurej në drekë, të vdiste në mbrëmje dhe të varrosej të nesërmen. Për një shtet qindravjeçar agonia do të zgjaste pesëdhjetëvite. Namik Kemal-i vdiq në vitin 1888, ndërsa shteti osman zyrtarisht në 1923. Prandaj mos u çudisni kur e krahasoj shtetin shqiptar me një skemë piramidale.

Tani le të vijmë te tre arsyet:

1-Korrupsioni

Elitat politike e kanë kthyer korrupsionin në kulturë kombëtare. Ai është kapilar dhe shtrihet nga qendra drejt periferisë. Kryesisht nuk vjedh vetëm ai që nuk ka mundësi ose, që nuk di të vjedhë. Për këtë arsye, shqiptarët ndahen në dy pjesë: një pjesë që vjedh dhe një pjesë që vidhet. Kjo e fundit përbën shumicën dhe konsiderohet e paaftë, defiçente. Korrupsioni shkakton një reaksion zinxhir problemesh ku më kryesori është

2-Braktisja e vendit për një jetë më të mirë

Largimi i qindra mijërave shqiptarëve nuk është rastësi dhe trend për shkak të reklamave që jepte dikur “Italia uno”. Por pasojë e keq qeverisjes, politikave të diskriminimit social, ekonomik dhe politik të partive, të cilat e mbajnë vendin në konflikt permanent. Shqipëria nuk është vend i shanseve të barabarta. Por i lekut dhe i mikut. Ajo që të bën përshtypje është indiferenca e pedagogëve, intelektualëve dhe artistëve (aq sa mund të konsiderohen të tillë) ndaj zbrasjes së vendit nga dita në ditë.

3-Bujqësia, ushqimi dhe siguria ushqimore

Shqipëria ka eksperimentuar të gjitha rrugët për tu kthyer në një vend industrial me mbështetjen e fuqive më të mëdha të kohës-Kinës dhe Bashkimit Sovjetik. Ka dështuar. E vetmja alternativë është bujqësia, blegtoria dhe vitet e fundit turizmi.

Politika është treguar kriminale me perspektivën ekonomike të shtetit shqiptar dhe sigurinë e tij ushqimore. Kur të zhduken 9000 lopë dhe dhjetëra mijëra dele për një vit, i bie që mos të kemi më qumësht, i cili bashkë më mishin përbën mbi 50% të produkteve ushqimore. Kjo reflektohet në çmimet e larta të çdo ushqimi, frutave, zarzavateve etj. Në fund të qershorit psh një kg karrota është mbi 1.5 euro dhe çdo gjë mbi mesataren e çmimeve në shtetet fqinjë anëtare të BE.

Për çfarë turizmi bëhet fjalë kur ti nuk mbulon dot nevojat e brendshme?

Filed Under: Ekonomi

Kriza e Ambasadave…

June 28, 2025 by s p

Prof. Afrim Krasniqi/

Në një mjedis toksik dhe refuzues ndaj të vërtetave, të dominuar nga mitet, propaganda dhe shpjegimi i ngjarjeve historike përmes interesit ditor të politikës, si dhe nga portale me individë të paformuar që përmes reklamës padijen e injorancën e shesin si vlerë, detyra e studiuesve është të refuzojnë konformitetin me këtë mjedis, dhe me durim, kurajë, integritet dhe konsistencë të ofrojnë fakte, dokumente, teza dhe qasje analize në kohë e retrospektivë, botime serioze dhe profesionale. Natyrisht ato janë dhe mund të jenë edhe në të ardhmen e afërt pakicë numerike dhe pakicë mendimi në hapësirën publike, në debatin publik, në aksesin për diskutim dhe aksesin për formim, por janë aty, mbeten aty në biblioteka dhe librari; sot, nesër dhe në ditët kur do të vijnë gjenerata të reja, gjithnjë për njerëzit që duan të lexojnë, të kuptojnë, të reflektojnë, të debatojnë dhe të refuzojnë si mitet fiktive ashtu edhe formimin e deformuar përmes turmave dhe keqpërdoruesve të saj. Edhe në Shqipëri me siguri do të ketë një ditë kur idetë, ngjarjet historike, gjetjet dhe tezat do të debatohen midis ekspertëve të fushës. Larg apo afër, është çështje maturimi, formimi dhe kulture, jo çështje kullash, portalesh dhe aftësisë për të pasur akses publik apo për të bërtitur.

Tingëllon moraliste? Imagjinoni të keni në tavolinë gjithçka ju duhet, – të gjitha letrat, burimet, dokumentet, emrat, botimet, arkivat tona e të huaja që lidhen me të një ngjarje të caktuar, dhe pastaj të hapësh TV apo FB dhe të shohësh marrina me shumicë, sesi deformohen ngjarje të tilla; sesi individë të paformuar dhe të painformuar ftohen të bëjnë ekspertin dhe ku në garën e turmës secili ka “të vërtetën e vet“, të cilën tenton me forcë tua imponojë të gjithëve si të vërtetë të vetme; sesi e shkuara lexohet jashtë kohës dhe kontekstit nga komoditeti apo interesi i të sotmes, me sa lehtësi krijohen mite e skenarë imagjinarë, me sa lehtësi ato përsëriten çdo vit duke u pasuruar me imagjinatë të re në marrëzinë dhe padijen e tyre, dhe duke u përsëritur, sa efektiv dhe i rrezikshëm bëhet kultura e dominimit të turmës ashtu si sistemi i deformuar dhe abuziv me ngjarjet, faktet dhe të vërtetat.

Meqenëse jemi në fundin e muajit qershor dhe në prag të 2 korrikut, (1990) për ata pak individë që ende lexojnë dhe që kanë interes më të thelluar në ato ngjarje me siguri botimi im monografik sjell një kontribut modest profesional dhe siç më thonë ata kolegë që e kanë lexuar, nuk do t’ju zhgënjejë. Nuk është reklamë (sepse nuk kam ndonjë përfitim financiar) dhe për autorët leximi i librave të tij është edhe sfidë (ri)vlerësimi, por është respekt ndaj leximit dhe ftesë për kuriozitet, arsye dhe mundësi për ikje nga pushteti i turmave në rrugë, mediat sociale, TV apo nivelet e larta politike.

P.S. Edhe kete pervjetor ambasada gjermane do te organizoje nje debat te hapur mbi korrikun ’90, (ku me kenaqesi kam pranuar te jem pjese e panelit), – gjithashtu edhe ISKK organizon nje tryeze me kete fokus, ku gjithashtu me kenaqesi jam pjese e panelit.

Filed Under: Ekonomi

Plakja dhe shpopullimi i Shqipërisë rreziku më i madh për të ardhmen kombëtare

June 25, 2025 by s p

Shpëtim Axhami/

Plakja dhe shpopullimi i Shqipërisë rreziku më i madh për të ardhmen kombëtare që kërkon veprim urgjent. Shqipëria po përballet me një krizë të heshtur, por të thellë: plakjen e shpejtë të popullsisë dhe boshatisjen sistematike të vendit.

Në çdo cep të vendit tonë, dëgjojmë të njëjtën histori: fshatra të boshatisur, shkolla të mbyllura, spitale pa mjekë dhe rrugë ku mungon zëri i fëmijëve. Shqipëria po zbrazet, bujqësia dhe blektoria Pothuajse degraduar, biznesi nuk po gjenë më krah pune.

Nëse dikur flisnim për emigracion si zgjidhje individuale, sot po përballemi me një shpopullim masiv, që dëmton themelet dhe egzistencën tonë si shtet dhe si komb. Kjo nuk është thjesht një krizë demografike, është një krizë kombëtare.

Shqipëria nuk mund të mbetet vendi i të moshuarve dhe i kujtimeve të largimit. Është koha të veprojmë, përpara se të jetë vonë, Ne kemi nevojë për një ndërgjegjësim dhe reflektim të gjithanshëm dhe të kujtdo në lidhje me parandalimin e kësaj fatkeqësie kombëtare🇦🇱

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 227
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT