• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s

May 6, 2026 by s p

Xheni Krypi/

Berati si dëshmi e gjallë e historisë, kulturës dhe kujtesës njerëzore.

Ka qytete që i përkasin një vendi dhe ka të tjerë që i përkasin njerëzimit. Berati është një prej tyre. Me një histori që shtrihet në mbi 2400 vjet, ai nuk është thjesht një hapësirë urbane, por një kujtesë e gjallë, ku koha nuk ka kaluar—por ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Berati nuk është një qytet që thjesht vizitohet; ai përjetohet—i qetë, i lashtë dhe i mbushur me një heshtje që flet më shumë se fjalët. Për mua, Berati është më shumë se histori. Është vendlindja. Është kujtesa e fëmijërisë që endet ende në rrugicat me kalldrëm, në hijet e shtëpive të gurta dhe në dritën e butë që përshkon sokakët e qytetit. Janë kujtime të thjeshta, por të paharrueshme—zëra, hapa, lojëra dhe ajo ndjesi e qetë që vetëm një qytet si Berati di ta japë.

Në lagjen ‘Goricë dhe në rrugët që të çonin drejt Kalasë, çdo cep kishte historinë e vet. Te ‘Porta e Pashait’, pranë pusit me çati, ku uji kishte një shije të ëmbël si vetë kujtimet, qëndronim në radhë të gjata për të mbushur ujë. Pak më tej ishte furra e Remes, ku prisnim me durim për të pjekur tavat, ndërsa aroma e gatimeve përhapej në ajër. Dhe diku aty pranë, dyqani i Zoicës—ku zinin radhë për kosin me tulla dhe qëndronim me orë të tëra, mes bisedave dhe padurimit fëmijëror. Ishin këto momente të thjeshta që na mësonin durimin dhe gëzimin e gjërave të vogla.

Më pas vinin mbrëmjet e ngrohta, kur bulevardi merrte jetë. Një shëtitje e qetë, një akullore në dorë apo një aranxhat i freskët, mes dritave dhe zërave të butë të qytetit—janë këto ato copëza të vogla që e bëjnë Beratin jo vetëm të bukur për syrin, por të paharrueshëm për shpirtin.

I vendosur përgjatë brigjeve të lumit Osum dhe i rrethuar nga një reliev që i jep karakter dhe mbrojtje natyrore, Berati paraqitet si një nga qendrat më të hershme të jetesës në territorin shqiptar. Burimet historike dhe gjetjet arkeologjike dëshmojnë për një vazhdimësi të pandërprerë banimi, duke e kthyer qytetin në një dëshmi të rrallë të qëndrueshmërisë njerëzore përballë kohës.

Në rrjedhën e shekujve, Berati ka njohur ndikime të shumta kulturore—nga periudhat ilire, te ato romake, bizantine dhe osmane—por në asnjë moment nuk e ka humbur identitetin e tij. Përkundrazi, ai ka ditur t’i përthithë këto ndikime dhe t’i kthejë në pjesë të një tërësie harmonike. Arkitektura e tij, me shtëpitë e bardha të vendosura njëra mbi tjetrën, mbetet një nga shenjat më dalluese të qytetit, duke i dhënë epitetin “qyteti i një mbi një dritareve”. Ndërsa Kalaja, e vendosur mbi qytet, vazhdon të jetë simbol i qëndrueshmërisë dhe historisë së tij.

Megjithatë, përtej vlerave historike dhe arkitekturore, Berati mbetet një përvojë emocionale. Për ata që e kanë jetuar, ai nuk është thjesht një vend në hartë, por një pjesë e shpirtit. Përfshirja e Beratit në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s përbën një njohje të merituar, por edhe një përgjegjësi për ta ruajtur këtë pasuri për brezat që do të vijnë.

Sot, si dikur, Berati mbetet qyteti i gurit dhe i dritës, ku ura e vjetër nuk lidh vetëm dy brigje, por kohë, kujtime dhe njerëz. Në rrugicat e tij të qeta dhe në sokakët që mbajnë jehonën e hapave, vazhdon të jetojë një qytet që di të ruajë shpirtin e vet. Vizitorë nga e gjithë bota ndalen për ta parë, por janë njerëzit e tij—të urtë, të thjeshtë dhe me kulturë—ata që e bëjnë Beratin të paharrueshëm.

Këtu, çdo gur ka një histori, çdo dritare një kujtim, dhe çdo mbrëmje një qetësi që të fton të ndalesh. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, Berati nuk mbetet vetëm një vend në hartë, por një ndjenjë që të shoqëron kudo—një qytet ku gjithmonë ke arsye të kthehesh. Për këdo që e viziton, Berati nuk ofron vetëm pamje, por përjetim; ndërsa për lexuesin, mbetet një ftesë e hapur për ta njohur nga afër—një qytet që nuk të kërkon shumë, por të jep më shumë sesa pret.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Xheni Krypi

Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje

May 5, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Ekspozita ndërkombëtare e filatelisë Balkanfila XXI, e zhvilluar në Pernik (Bullgari) nga 29 prilli deri më 2 maj 2026, përfaqëson një nga forumet më të konsoliduara kulturore të rajonit ballkanik. Duke mbledhur koleksionistë, studiues, juristë ndërkombëtarë dhe institucione postare, kjo ekspozitë krijon një hapësirë të strukturuar për shkëmbimin e dijeve historike dhe kulturore përmes filatelisë. Ideja për organizimin e një ekspozite të përbashkët ballkanike daton që në vitin 1936, kur koleksionisti bullgar Simeon Charykchiev hodhi themelet konceptuale të një platforme rajonale për filatelinë. Megjithëse rrethanat historike të shekullit XX penguan realizimin e menjëhershëm të kësaj nisme, ajo u konkretizua disa dekada më vonë, fillimisht në Varna me 1965 dhe më pas në qytete të tjera si Sofja, Beogradi, Athina, Bukureshti dhe Stambolli. Me kalimin e kohës, Balkanfila u institucionalizua si një aktivitet periodik, duke fituar patronazhin e Federatës Ndërkombëtare të Filatelisë (FIP) dhe të Federatës Evropiane të Filatelisë (FEPA), çka garanton standarde të larta organizative dhe vlerësuese. Një moment i rëndësishëm për Shqipërinë ishte organizimi me sukses i këtij eventi në Tiranë në vitin 2016, duke e pozicionuar vendin si një aktor aktiv në hartën filatelike rajonale.

Shqipëria ka qenë një pjesëmarrëse e qëndrueshme në edicionet e fundit të Balkanfila, duke paraqitur koleksione që përfshijnë një gamë të gjerë te klasave ekspozuese dhe periudhash historike, nga emisionet e para të shtetit shqiptar (1913), te periudha e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, periudha e monarkisë, ajo socialiste, si dhe zhvillimet e filatelisë moderne. Një vend të veçantë zënë gjithashtu kartë-maksimumet, literatura filatelike, koleksionet tematike, si dhe përfaqësimi i filatelisë kosovare si pjesë e një hapësire kulturore të përbashkët shqiptare. Këto prezantime nuk kanë vetëm vlerë estetike, por përbëjnë burime të rëndësishme për studimin e historisë postare dhe të komunikimit në kontekstin shqiptar. Në edicionet e fundit, koleksionistët shqiptarë kanë arritur rezultate të dukshme në vlerësimet ndërkombëtare, duke fituar medalje në kategori të ndryshme, dhe duke rritur profilin e filatelisë shqiptare në arenën evropiane. Këto suksese janë dëshmi e një pune kërkimore të mirëstrukturuar dhe e një përpjekjeje për të përmbushur kriteret bashkëkohore të ekspozimit filatelik, siç janë koherenca tematike, dokumentimi i burimeve dhe prezantimi analitik.

Edicioni i vitit 2026 në Pernik përfshiu mbi 500 panele ekspozuese, me pjesëmarrje nga vendet e Ballkanit dhe disa ekspozues ndërkombëtarë të ftuar. Shqipëria u përfaqësua me nente koleksione të konsoliduara, disa prej të cilave arritën vlerësimet nga më të lartat të deritanishme për filatelinë shqiptare në këtë forum, duke u nderuar me medalje të nivelit të lartë. Këto arritje tregojnë jo vetëm për cilësinë e materialeve të paraqitura, por edhe për pjekurinë metodologjike të koleksionistëve shqiptarë në përqasjen ndaj filatelisë si disiplinë studimore.

Në një këndvështrim më të gjerë, pjesëmarrja e Shqipërisë në Balkanfila duhet parë si pjesë e një strategjie kulturore për afirmimin e identitetit kombëtar dhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit rajonal. Përmes pullave postare dhe materialeve filatelike, historia shqiptare artikulohet në një gjuhë universale, të kuptueshme për publikun ndërkombëtar, duke e bere filateline te shndërrohet në një mjet diplomacie kulturore, që kontribuon në ndërtimin e një narrative të përbashkët ballkanike, pa humbur specifikat kombëtare. Balkanfila XXI në Pernik dëshmoi edhe një herë se filatelia mbetet një instrument i rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin e kujtesës historike. Për Shqipërinë, kjo ekspozitë nuk është vetëm një arenë konkurrimi, por një platformë për prezantimin e trashëgimisë së saj dhe për integrimin e saj në rrjedhat kulturore evropiane. Në këtë kuptim, suksesi i pjesëmarrjes shqiptare në këtë edicion përbën një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të mëtejshëm të filatelisë si një fushë me vlerë të veçantë kulturore dhe shkencore.

Filed Under: Ekonomi

Për çfarë ka nevojë Shqipëria?

May 1, 2026 by s p

Gazi Aga/

Kam jetuar më shumë se një dekadë jashtë Shqipërisë dhe gjatë gjithë kësaj kohe jam përpjekur të jem i kujdesshëm, sidomos kur bëhet fjalë për të dhënë këshilla për ata që jetojnë atje çdo ditë.

Mendoj se diaspora duhet të jetë një forcë mbështetëse për atdheun: me investime të ndershme, me shembull të mirë, me lobim për interesat gjeostrategjike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, si dhe me kontribut në arsimimin cilësor të brezave të rinj.

Por këshillat e lehta, të tipit “shqiptarët duhet të punojnë më shumë”, “duhet ta duan më shumë vendin”, apo “duhet t’ia dinë më shumë vlerën Shqipërisë”, shpesh nuk më duken shumë të drejta. Sepse kushdo që jeton jashtë, nëse e ka kaq të thjeshtë zgjidhjen, mund të blejë një biletë dhe të shkojë ta praktikojë vetë atë që thotë.

Shqipëria nuk mund të kuptohet plotësisht në dhjetë ditë pushime, duke qëndruar në vendet më të bukura, duke ngrënë në restorante me para të fituara diku tjetër. Nuk kuptohet as kur fëmijët i ke në shkolla të mira jashtë vendit. Nuk kuptohet as kur e shikon realitetin shqiptar me sigurinë e një pensioni perëndimor. Nuk kuptohet as nga largësia, sidomos pas një lodhjeje dhe dëmtimi të gjatë institucional, arsimor e intelektual që shoqëria jonë e ka përjetuar për dekada.

Sigurisht, është bukur dhe ndiejmë krenari kur shohim zhvillime pozitive në vendin tonë. Çdo rrugë e re, çdo shkollë më e mirë, çdo biznes i ndershëm, çdo i ri që ecën përpara, çdo qytet që zbukurohet, na gëzon sinqerisht, për sa kohë këto zhvillime nuk kthehen në abuzim me fondet publike, në fasadë për propagandë, apo në mundësi pasurimi për pak veta. Shqipëria është e jona dhe suksesi i saj është gëzimi ynë.

Por njëkohësisht duhet të jemi të ndershëm me veten: nuk ka zhvillim të vërtetë dhe të qëndrueshëm për sa kohë korrupsioni, nepotizmi, padrejtësia, mungesa e meritokracisë dhe dobësimi i institucioneve vazhdojnë të rëndojnë mbi jetën e njerëzve.

Dashuria për atdheun nuk është vetëm lavdërim. Nganjëherë është edhe dhimbje. Është të gëzohesh për të mirën, por edhe të mos mbyllësh sytë për plagët. Është të flasësh me respekt për njerëzit që jetojnë atje, sepse ata e mbajnë mbi shpatulla realitetin e përditshëm, jo vetëm kujtimin, nostalgjinë apo fotografitë e bukura të verës.

Prandaj, ndoshta detyra jonë në diasporë nuk është të japim leksione nga larg, por të pyesim më shumë, të dëgjojmë më shumë, të ndihmojmë më shumë dhe të kontribuojmë me përulësi.

Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për fjalë të bukura. Ka nevojë për njerëz të ndershëm, për institucione të drejta, për arsim cilësor, për familje të forta, për të rinj me shpresë dhe për një diasporë që nuk e do atdheun vetëm me mall, por edhe me përgjegjësi.

Filed Under: Ekonomi

“Gjizë” dhe “cheese”: një fjalë, dy qytetërime

April 25, 2026 by s p

Studim nga Rafael Floqi 

Në pamje të parë, fjala angleze “cheese” dhe fjala shqipe “gjizë” duket sikur i përkasin të njëjtës botë: një produkt i thjeshtë, i përditshëm, i përhapur në çdo tryezë. 

Por në të vërtetë, pas këtyre dy fjalëve fshihet një histori e thellë gjuhësore dhe kulturore që na çon drejt një pyetjeje më të madhe: si e konceptonin popujt e lashtë ushqimin, natyrën dhe vetë procesin e krijimit? Dhe si lidhen dy fjalë tingullisht kaq të ngjashme në dy gjuhë dhe në dy kultura të ndryshme, qё nuk i përkasin vendeve kufitare kjo është e habitshme. 

Sepse fjala nuk është thjesht emër—ajo është filozofi.

Nga mpiksja te “cheese”

Fjala angleze cheese nuk është një krijim i izoluar. Ajo vjen nga një zinxhir i gjatë zhvillimi që fillon në gjuhën proto-indoevropiane, një gjuhë e rindërtuar që flitej mijëra vjet më parë.

Rrënja e saj është *kwat-—që do të thotë “të mpikset, të thartohet”. Pra, në fillim nuk kemi “djathë” si produkt, por një veprim: procesin e transformimit të qumështit.

Nga kjo rrënjë lind fjala latine caseus, e cila u përhap në gjithë Evropën romane. Më pas, përmes gjuhëve gjermanike, ajo u shndërrua në cēse në anglishten e vjetër dhe më në fund në cheese. Kjo rrënjë nuk përshkruante produktin përfundimtar, por procesin bazë: mpiksjen e qumështit. Nga kjo rrënjë u formua në latinisht fjala: caseus = djathë 

Kjo fjalë u përhap në shumë gjuhë evropiane dhe krijoi një familje të gjerë fjalësh: italisht: cacio. spanjisht: queso , rumanisht: caș. Nga ku dhe fjala “Kaçkavall” (Cacio a cavallo. it.” , djathë i kulluar në napë ndërsa bariu udhëtonte me kalë.

Ndërkohë, në degën gjermanike: Proto-Gjermanike: *kāsjus , Anglishten e vjetër: cēse ,anglishten moderne: cheese . 

Pra nga PIE → Latinisht → Gjermanike → Anglisht

Ky është një qytetërim që e sheh djathin si rezultat të një procesi teknik. Fjala nuk përshkruan sendin, por mënyrën se si ai krijohet.

Origjina baritore e Kaçkavallit  

Caciocavallo është një nga djathërat më të vjetër të Italisë, me origjinë në Italinë e Jugut rreth vitit 500 para Krishtit. Ai është një djathë i llojit pasta filata, pra me masë të shtrirë e të tërhequr, dhe prodhohet nga qumështi i lopës. Historikisht, ky djathë përgatitej nga barinjtë në Malet Apenine.

Emri Caciocavallo përkthehet afërsisht si “djathë mbi kalë”. Ky emërtim lidhet me mënyrën tradicionale të tharjes dhe pjekjes së djathit: format e djathit lidheshin dy e nga dy me litar dhe vareshin mbi një tra druri, sikur të ishin “në shalë”.

Rrënjë të lashta: Disa burime e lidhin origjinën e tij me Greqinë e lashtë, ku përmenden teknika të ngjashme të përpunimit të djathit nga Hipokrati. Më vonë, shkrimtari romak Kolumela, rreth vitit 35 para Krishtit, përshkruan metoda të ngjashme të djathëbërjes.

Mënyra e prodhimit: Caciocavallo është djathë pasta filata, ku masa e mpiksur e qumështit ngrohet në ujë të nxehtë, shtrihet, punohet me dorë dhe më pas formohet në trajtën e tij karakteristike si pikë loti ose si dardhë.

Emri: Fjala vjen nga italishtja cacio, që do të thotë “djathë”, dhe cavallo, që do të thotë “kalë”. Mendohet se emri lidhet me zakonin e vjetër të varjes së djathit mbi një shkop horizontal, ku format qëndronin të kapërcyera mbi tra, si mbi shalën e kalit.

Kuptimi i emrit i djathit “Feta”

Emri “Feta” vjen nga gjuha greke φέτα (féta), që do të thotë “fetë” ose “copë e prerë”.Ky emërtim lidhet drejtpërdrejt me mënyrën tradicionale të përgatitjes dhe ruajtjes së djathit: Djathi pritet në copë (feta) të mëdha, më pas vendoset në kripë (shëllirë) për konservim, këto copa ruhen dhe shiten zakonisht si blloqe të prera, jo si forma të plota rrethore. 

Termi “feta” filloi të përdoret gjerësisht në Greqi rreth shekullit XVII.  Megjithatë, vetë djathi ka origjinë shumë më të lashtë, që nga koha e Greqisë së lashtë (madje përmendet në mënyrë të tërthortë edhe në Odiseui Homerit. 

Pra, “Feta” nuk është thjesht një emër djathi, por: Përshkruan formën dhe mënyrën e ruajtjes Lidhet me traditën baritore greke. Por në shqip njihet si djathë i bardhë sipas ngjyrës.

“Djathë”: një mënyrë tjetër të menduari

Në anën tjetër qëndron fjala shqipe djathë—një fjalë që nuk vjen nga latinishtja caseus, si shumë fjalë të tjera evropiane. Kjo është një nga ato raste kur shqipja nuk ndjek rrugën e zakonshme, por ruan një identitet të vetin.

Shumë gjuhëtarë e lidhin djathë me një rrënjë tjetër indoevropiane, *dʰeh₁-—“të vendosësh, të formosh” si italishtja “formaggio”

Pra, në vend që të përshkruajë procesin, shqipja përshkruan rezultatin: pra nuk quhet “ajo që mpikset” por ajo “ajo që është formuar” . Kjo nuk është thjesht një diferencë teknike. Është një diferencë në mënyrën e të menduarit. Njëra botë përshkruan veprimin. Tjetra përshkruan formën.

“Gjizë”: fjala që ruan të kaluarën

Gjiza është një nën produkt i qumështit, një lloj bulmeti në trajtën e dromcave të buta e pak të ujshme, që përgatitet nga qumështi, kosi, dhalli ose hirra, duke i mpiksur e kulluar pasi zihen.

Por shqipja nuk ndalet këtu. Ajo ruan një dallim që shumë gjuhë të tjera e kanë humbur: dallimin mes fazave të përpunimit të qumështit. Fjala gjizë nuk është thjesht sinonim i djathit. Ajo është diçka më e vjetër, më primitive: qumësht i mpiksur, një produkt i freskët, i papjekur.  

Në një farë mënyre, gjizë është më afër kuptimit të vjetër indoevropian të *kwat-—vetë momentit të mpiksjes, madje me zgjerim kuptimi ajo ka kaluar edhe tek folja “ngjiz” krijon njё produkt një formë veshtullie duke hedhur farën madje me zgjerim kuptimi “ lë me barrë.” Me origjinë nga kuptimi “E bëj kos a djathë qumështin, duke i hedhur farën; bëj të trashet një gjë të lëngët; mpiks. Ngjiz djathin (kosin).

Sipas fjalorit shqip fjala “NGJIZ” si folje  kalimtare, do të thotë:

  • 1. E bëj kos a djathë qumështin, duke i hedhur farën; bëj të trashet një gjë të lëngët; mpiks. Ngjiz djathin (kosin).
  • 2. Mbruj, gatuaj e i jap trajta të ndryshme një lënde të butë e të trashë. Ngjiz enë me deltinë (me baltë).
  • 3. vet. veta III spec. Bën që të kullojnë e të lidhen bashkë grimcat e një lënde që nuk kristalizohet; mpiks. Ngjiz gjakun.
  • 4. fig. Bëj që të zërë fill diçka, krijoj, përftoj.
  • 5. fig. Sajoj, trilloj diçka të paqenë. I ka ngjizur vetë. Kanë ngjizur shumë gënjeshtra (shpifje)

Kështu, shqipja ruan një sistem me dy nivele: gjizë → fillimi , djathë → përfundimi. Një pasuri semantike që tregon një lidhje të thellë me jetën baritore.

Por nëse shqipja ka dy fjalë anglishtja ka një fjalë “Cheese “ dhe madje për produktin qw shqip quhet “gjizë” anglishtja përdor togfjalëshin përcaktues “Farmers Cheese” djathi i fshatarit /djathi i fshatit. 

Megjithatë tingëllimi i përafërt i këtyre fjalëve lë shteg për të menduar një lidhje direkte ‘cheese” nga gjizë, duke pasur parasysh kontaktet iliro -kelte para ndikimeve romane.  Ky këta grupime fisesh kanë shkëmbyer kulturën ndoshta the fjalët.

Krerët ilirë mbanin në qafë unaza bronzi të njohura si torques, një stoli dhe shenjë statusi e përhapur edhe te keltët. Ndikimi kelt mbi ilirët u ndje në shumë fusha të kulturës materiale, përfshirë armët, stolitë, tiparet artistike dhe disa forma të organizimit luftarak. Në disa zona, sidomos në Dalmaci, një pjesë e fiseve ilire u ndikuan aq fort sa mund të flitet për një proces të pjesshëm keltizimi.

Një gjuhë që nuk harron

Nëse e shohim më gjerë, ky dallim është më shumë se gjuhësor. Ai është kulturor. Gjuha latine dhe pasardhëset e saj reflektojnë një botë që sistematizon, kategorizon dhe standardizon. Prandaj kemi një fjalë të vetme—cheese—që mbulon gjithçka.

Shqipja, përkundrazi, ruan nuancat. Ajo nuk e sheshton realitetin. Ajo e ndan, e dallon, e mban mend. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e saj: në aftësinë për të qenë një arkiv i gjallë i një mënyre jetese që lidhet drejtpërdrejt me natyrën. 

Ta krahasojmë me greqishten : Në gjuhën greke, fjala për “djathë” është: Τυρί (lexohet: tirí)

Τυρί (tirí) = djathë (term i përgjithshëm për të gjitha llojet) Është fjala standarde që përdoret në greqishten moderne për çdo lloj djathi. 

Shqip: djathë

  • Mendohet se lidhet me një rrënjë shumë të vjetër indo-evropiane *gʷedh- / *gʷdh-, që ka kuptimin “të mpikësh, të trashësh” (pra procesi i formimit të djathit). 
  • Ka zhvillim të pavarur brenda shqipes. 
  • Lidhet konceptualisht me procesin, jo me produktin si emër i përgjithshëm. 

Greqisht: τυρί (tirí)

  • Vjen nga greqishtja e vjetër τυρός (tyrós). 
  • Kjo fjalë është shumë e vjetër dhe përdorej që në antikitet. 
  • Nuk lidhet drejtpërdrejt me rrënjën indo-evropiane të fjalës angleze cheese. djathë (shqip) → lidhet me procesin (mpiksja e qumështit) 
  • τυρί (greqisht) → lidhet me produktin si emër i përgjithshëm .
  • Historia e fjalëve që lidhen me ushqimin shpesh është një dritare e rrallë drejt jetës së lashtë njerëzore. Një rast i tillë është fjala angleze “cheese”, e cila na çon pas në kohë deri në rrënjët indoevropiane dhe në një kulturë të përbashkët blegtorale. Krahasimi i saj me fjalët shqipe djathë dhe gjizë na jep një pamje më të thellë të mënyrës se si gjuhët kanë konceptuar dhe emërtuar produktet e qumështit.

Pra fjala shqipe “djathë”: një zhvillim i pavarur?

Fjala shqipe djathë nuk rrjedh nga latinishtja caseus, ndryshe nga shumë gjuhë të tjera evropiane. Kjo është shumë domethënëse. Shumica e studiuesve e lidhin djathë me një rrënjë tjetër indoevropiane:

  • PIE: *dʰeh₁-
  •  kuptimi: “të vendosësh, të formosh, të krijosh” 

Në këtë kuptim:

  • djathë mund të nënkuptojë diçka të formuar, të ngurtësuar nga qumështi 

Kjo tregon një konceptim ndryshe:

  • Anglishtja (dhe latinishtja): fokusi te procesi i mpiksjes 
  • Shqipja: fokusi te rezultati – masa e formuar 

Ky është një dallim i rëndësishëm kulturor dhe gjuhësor.

Djathi “Feta “ shqip djathi i bardhë dhe kuptimi i emrit

 1. Kuptimi bazë (greqisht)

Fjala “feta” (φέτα) në greqisht do të thotë: “fetë” / “copë e prerë” Pra emri nuk lidhet me përbërjen, por me: formën e prerjes  mënyrën e ruajtjes në copa .

 2. Krahasim me shqipen

Në shqip kemi një logjikë tjetër emërtimi:

  • “djathë” → term i përgjithshëm për çdo lloj  
  • “gjizë” → produkt tjetër (më i freskët, më i butë, i afërt me ricotta) 

 Pra: Shqipja përshkruan procesin (si bëhet) , greqishtja përshkruan formën (si duket) 

3. Krahasim me gjuhë të tjera

  • Anglisht: cheese (nga lat. caseus) → lidhet me lëndën / produktin 
  • Italisht: formaggio → nga “forma” (forma e djathit) 
  • Shqip: djathë → nga procesi 
  • Greqisht: feta → nga prerja në feta 

 Pra çdo kulturë ka theks të ndryshëm: forma, procesi, përdorimi 

4. Dimensioni historik

Edhe pse fjala “feta” është më e vonshme (Mesjetë–periudhë osmane), vetë djathi është shumë i vjetër: Përmendet indirekt në Odiseu,ku i atribuohet praktikave baritore të përshkruara nga Homer i Traditë e lidhur me delet dhe dhitë  në Ballkan .Pra “Feta” nuk do të thotë “djathë” — do të thotë “copë djathi”.

Dhe kjo na tregon diçka interesante: Emri është praktik dhe vizual, jo teknik , Lidhet me mënyrën si njerëzit e përdornin dhe ruanin ushqimin

“Gjizë”: një shtresë më e lashtë leksikore?

Fjala gjizë i referohet një produkti më të thjeshtë: gjizë = qumësht i mpiksur, i freskët (si ricotta apo cottage cheese)  Origjina e saj është më pak e qartë: mund të jetë një trashëgimi shumë e vjetër ballkanike  ose një zhvillim i hershëm indoevropian i lidhur me mpiksjen 

Ajo që bie në sy është se: gjizë përfaqëson një fazë më primitive të përpunimit të qumështit ,është më afër kuptimit fillestar të rrënjës *kwat- (“mpikset”) 

Krahasim konceptual dhe gjuhësor

KonceptiAnglisht “cheese”Shqip “djathë”Shqip “gjizë”
KuptimiDjathëDjathëGjizë (produkt i freskët)
Rrënja PIE“mpikset, thartohet”“formohet, vendoset”“mpikset” (e mundshme)
FazaProdukt finalProdukt finalFazë fillestare
ZhvillimiLatin + GjermanikI pavarur shqiptarShumë i vjetër / substrat

Përtej etimologjisë: një debat identiteti

Në një kohë kur shpesh diskutojmë për identitetin kulturor dhe gjuhësor, raste të tilla janë më shumë se kuriozitete akademike. Ato janë dëshmi. Dëshmi se shqipja nuk është thjesht një gjuhë që ka mbijetuar, por një gjuhë që ka ruajtur struktura mendimi shumë të vjetra. Kur themi djathë, ne nuk përdorim vetëm një fjalë. Ne përdorim një koncept që vjen nga thellësia e kohës.

“Cheese” dhe “djathë” mund të duken të njëjta në tryezë, por në gjuhë ato i përkasin dy botëve të ndryshme. Njëra flet për procesin, tjetra për formën.
Dhe shqipja—ndoshta më e vjetra në këtë rast—ruan të dyja përmes një sistemi më të pasur.

Në këtë kuptim, gjuha jonë nuk është vetëm mjet komunikimi. Ajo është kujtesë. Dhe ndoshta, në një kohë që harron shpejt, kjo është pasuria më e madhe që kemi. Për të bërë dallimin të shohim si prodhohet gjiza.

Gjiza është një produkt i freskët, i butë dhe shumë i shëndetshëm, që përgatitet kryesisht nga hirra (lëngu që mbetet pas prodhimit të djathit). Procesi është i thjeshtë, por kërkon kujdes në temperaturë dhe kohë.

 1. Lënda e parë: hirra (ose qumështi)

• Pasi përgatitet djathë, mbetet hirra 

• Kjo hirrë përmban proteina të vlefshme (sidomos albumina dhe globulina) 

Në mungesë të hirrës, mund të përdoret edhe qumësht i freskët

2. Ngrohja

• Hirra vihet në zjarr dhe ngrohet gradualisht deri në ~80–90°C 

• Nuk duhet të vlojë fort, por të arrijë afër pikës së vlimit 

Në këtë temperaturë, proteinat fillojnë të mpiksen dhe të ngrihen në sipërfaqe

3. Formimi i gjizës

• Dalëngadalë krijohen grimca të bardha të buta (si re të vogla) 

• Kjo është vetë gjiza që formohet 

Në këtë fazë mund të shtohet:

• pak kripë 

• ose disa pika uthull/lëng limoni për të ndihmuar mpiksjen 

4. Mbledhja

• Me një lugë ose garuzhde, masa e bardhë mblidhet nga sipër 

• Vendoset në: 

o napë (cloth) 

o ose kullesë të imët 

5. Kullimi

• Lihet të kullojë për 15–60 minuta (sipas dëshirës) 

• Sa më gjatë të kullojë → aq më e thatë bëhet gjiza 

Dallimi me djathin

• gjizë → produkt i freskët, i butë, pa fermentim të gjatë 

• djathë → produkt i pjekur, i kripur dhe i ruajtur 

Kjo është mënyra si bëhej gjiza në fshat—pa termometër, pa matje moderne, vetëm me sy, dorë dhe përvojë.

Kur themi gjizë, ne ruajmë një dallim që shumë gjuhë të tjera e kanë harruar.

Përfundim

“Cheese” dhe “djathë” mund të duken të njëjta në tryezë, por në gjuhë ato i përkasin dy botëve të ndryshme.

Njëra flet për procesin. Tjetra për formën.Dhe shqipja—ndoshta më e vjetra në këtë rast—ruan të dyja përmes një sistemi më të pasur. Në këtë kuptim, gjuha jonë nuk është vetëm mjet komunikimi. Ajo është kujtesë. 

Dhe ndoshta, në një kohë që harron shpejt, kjo është pasuria më e madhe që kemi.

Filed Under: Ekonomi

Pullat “bogus” dhe kuptimi i tyre në historinë filatelike shqiptare

April 23, 2026 by s p

Besnik Fishta

Në botën e filatelisë, ku çdo pullë përfaqëson një dokument të vogël historie, ekziston një kategori e veçantë që shpesh krijon paqartësi, por edhe interes të madh. Ato jane pullat e rreme apo sikur njihen ne fjalorin filatelik, si pullat “bogus”. Në pamje të parë mund të duken si emetime të zakonshme postare, por në të vërtetë fshehin një realitet tjetër, një hapësirë ku ndërthuren politika, propaganda dhe tregu i koleksionistëve. Në rastin shqiptar, këto pulla përbëjnë një pasazh të veçantë, ku historia e trazuar e vendit reflektohet në objekte të vogla, por me domethënie të madhe. Për të kuptuar këtë fenomen, është e domosdoshme të bëhet dallimi midis pullave të rreme (bogus) dhe pullave të falsifikuara (forgeries). Pullat e falsifikuara janë kopje të paligjshme të një pulle zyrtare ekzistuese dhe synojnë mashtrimin, qoftë për përdorim postar pa pagesë, qoftë për përfitim ekonomik nga koleksionistët. Ndërsa pullat e rreme janë diçka tjetër, ato janë krijime që nuk kanë ekzistuar kurrë si emisione zyrtare, të prodhuara pa autorizim nga ndonjë administratë postare. Ato nuk kanë vlefshmëri postare dhe nuk figurojnë në katalogët zyrtarë, por shpesh mbartin një funksion simbolik, propagandistik apo tregtar. Pikërisht kjo i bën ato interesante, jo si mjete komunikimi postar, por si dëshmi të një realiteti tjetër.

Në Shqipëri, shfaqja e pullave “bogus” lidhet ngushtë me periudha paqëndrueshmërie politike. Që në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë (1913–1920), në një kohë kur shteti shqiptar ishte ende në konsolidim, u shfaqën prodhime të paautorizuara nga individë apo tipografi private. Në mungesë të një administrate të fortë postare, këto tentativa për të krijuar “pulla” tregojnë jo vetëm pasigurinë institucionale, por edhe përpjekjen për të imituar një funksion shtetëror.

                                                                                      Në vitin 1914, u krijua një set pullash “bogus”, që paraqiste imazhin e një luftëtari dhe                                                        një pamje të një qyteti, me sa duket Vlora e Shqipërisë.       

Megjithatë, rasti më domethënës dhe më i njohur lidhet me pullat e ashtuquajtura te “Komitetit te Qendreses”, te prodhuara gjate dhe pas Luftes se Dyte Boterore nga qarqe politike shqiptare ne mergim Këto pulla mbajnë mbishkrime si “SHQIPNIJA – POSTA E KOMITETIT TË QINDRESËS” dhe paraqesin figura si luftëtarë me armë, shqiponjën dykrenare, flamurin kombëtar, por edhe personalitete ndërkombëtare si Roosevelt dhe Churchill, krahas figurës së Skënderbeut. Nga pikëpamja filatelike, statusi i tyre është i qartë, ato janë pulla të rreme, pasi nuk janë emetuar nga ndonjë autoritet postar i njohur, duke mos patur asnjë vlefshmëri për dërgesa postare dhe duke mos u njohur nga katalogët ndërkombëtarë si emisione zyrtare

                                                                                                              Imazhe ne  serine e luftetarve dhe simboleve te rezistences

Por reduktimi i kuptimit te tyre vetëm në këtë përkufizim do të ishte i pamjaftueshëm. Këto pulla duhet parë edhe në kontekstin e tyre historik dhe politik. Ato janë prodhime të një kohe kur mërgata shqiptare përpiqej të afirmonte ekzistencën e një alternative politike ndaj regjimit në Shqipëri. Në këtë kuptim, pulla bëhet një instrument i qellimshem, sepse përmes saj, një grup politik përpiqet të paraqitet si një autoritet me atributet e një shteti, madje edhe me një “postë” të vetën. Një shembull domethënës është ai i pullave të “postës ajrore”, qe përmban tre pulla ajrore shqiptare, të gjitha të mbishkruara “SHQIPNIJA” dhe të lidhura me temën e aviacionit dhe mbrojtjes kombëtare. Në thelb, ky emetim është një deklaratë politike, ne një përpjekje për të treguar se ky “autoritet” emetues nuk është vetëm simbolik, por aspiron të ketë funksione të plota shtetërore. Kjo e bën pullën një formë të propagandës vizuale, ku imazhi shërben për të ndërtuar një realitet të dëshiruar.

                                                          Imazhet e serise qe do sherbejne per  posten ajrore

Për një vrojtues të zakonshëm, këto pulla mund të duken si kuriozitete, objekte me dizajn interesant, me figura historike dhe ngjyra tërheqëse. Pa njohuritë e duhura, ato mund të perceptohen edhe si pulla “të pranuara shqiptare”, pa u kuptuar statusi i tyre real. Pikërisht këtu qëndron edhe një nga sfidat, e cila eshte nevoja për të dalluar midis asaj që është zyrtare dhe asaj që është prodhim paralel, jo serioz filatelik. Për koleksionistin, megjithese këto pulla nuk kanë vlerë postare, por mund të kenë vlerë historike dhe dokumentare. Ato tregojnë për një moment të caktuar politik, për një përpjekje për te krijuar legjitimitet dhe për mënyrën se si filatelia mund të përdoret si mjet propagande. Në këtë kuptim, ato janë dëshmi të një realiteti, te perpjekjes per nderimin e një “histori alternative” filatelike e shkruar jo në dokumente zyrtare. Në të njëjtën kohë, koleksionisti duhet të jetë i kujdesshëm, edhe sepse fusha e pullave bogus shpesh ndërthuret me atë të falsifikimeve (forgeries)  dhe manipulimeve. Ekzistojnë raste të riprodhimeve, mbishtypjeve të rreme apo ndryshimeve artificiale që synojnë të rrisin vlerën e një objekti. Kjo e bën të domosdoshëm një nivel të caktuar njohjeje dhe, për materialet më të rëndësishme si ne fushen e filatelise, edhe nevojen per ekspertizën profesionale.

                                                                                        Imazhet e series : “Figurat e lirise” ( Roosevelt, Skenderbeu,Churchill)

Në një plan më të gjerë boteror, fenomeni i pullave “bogus” nuk është i izoluar për Shqipërinë. Ai është pjesë e një praktike më të gjerë ndërkombëtare, ku entitete të ndryshme, shpesh të panjohura apo të vetëshpallura, kanë përdorur filatelinë për të afirmuar ekzistencën e tyre. 

                                                                                    Nje nga zarfat me pullat “bogus”, i cili realisht nuk ka qarkulluar

Në përfundim, pullat e rreme që lidhen me Shqipërinë përbëjnë një pasazh të veçantë në historinë filatelike dhe politike të vendit. Ato nuk janë pjesë e historisë zyrtare postare, por janë pjesë e historisë së ideve, të propagandës dhe të përpjekjeve për legjitimitet. Përmes tyre, kuptohet se edhe një objekt i vogël si pulla mund të mbajë brenda vetes tensionet e një epoke, aspiratat e një grupi dhe përpjekjen për të ndërtuar një identitet. Pra vlera e tyre nuk qëndron në funksionin postar që nuk e patën kurrë, por në historinë që tregojnë, dhe pikërisht për këtë arsye, ato mbeten një fushë interesante studimi për filatelistin dhe historianin njëkohësisht.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 250
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Xhubleta në filateli simbol i trashëgimisë kulturore shqiptare
  • VATRA – TELEGRAM URIMI PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS AKADEMIKE PROF. DR. JUSTINA SHIROKA-PULA
  • Një zë, një histori, një betejë – Gratë shqiptare bashkohen për Tetorin Rozë
  • PROF. DR. ARQILE BËRXHOLI DHE AKTIVITETI I TIJ NË FORMIMIN UNIVERSITAR DHE PASUNIVERSITAR TË SHKOLLËS SHQIPTARE DHE TRANSFERIMIN E DIJEVE SHKENCORE
  • MOS E HUMBISNI KËTË MOMENT HISTORIK
  • Gjelosh Gjokaj – arti që kapërcen kufijtë
  • Inteligjenca Artificiale (AI) dhe katastrofa sociale: kur teknologjia përparon më shpejt se shoqëria
  • Festivali i Filmit Antikomunist në Washington, DC
  • Laveri – Bariu i Popullit në Boston – Bisedë me Prof. Vasil S. Tole
  • SHQIPËRIA, NJË REPUBLIKË AMERIKANE NË EVROPË
  • LIRISË T’I JAPIM SHTET
  • AANO Student Summit Brings Together Nearly 350 Albanian-American Students and Professionals at Fordham University
  • “Jeta e të tjerëve”
  • “PENA PËR ATDHEUN”, NJERIU DHE KUJTESA HISTORIKE
  • Orenjë, dëshmi të reja për një vendbanim të fortifikuar prehistorik

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT