• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Demokracia e rrëmbyer: kur pushteti sundon mbi sovranin

July 7, 2026 by s p

Prof. Dr. Pal Nikolli/

Në teori, demokracia është pushteti i popullit. Në praktikë, demokracia shqiptare vazhdon të përballet me një paradoks të madh: sovrani thirret të votojë, por ndikimi i tij mbi qeverisjen mbetet shpesh i kufizuar. Kjo është një nga arsyet pse besimi i qytetarëve te politika dhe institucionet ka rënë vazhdimisht gjatë tri dekadave të fundit.

Pushteti i tepërt, i përqendruar në duart e një elite të ngushtë politike, ka deformuar gradualisht frymën e demokracisë. Kur drejtuesit e partive kontrollojnë pothuajse çdo hallkë të sistemit politik, kur kandidatët për deputetë varen më shumë nga vullneti i kryetarëve sesa nga votuesit dhe kur institucionet kushtetuese perceptohen si produkt i pazareve politike, qytetari fillon të ndiejë se roli i tij është reduktuar në një formalitet zgjedhor.

Sistemi i listave të mbyllura ka qenë një nga elementët më të debatueshëm të përfaqësimit politik në Shqipëri. Kritikët argumentojnë se ai forcon pushtetin e kryetarëve të partive dhe dobëson lidhjen midis deputetit dhe zgjedhësit. Në këto kushte, përfaqësuesi politik shpesh ndihet më i detyruar ndaj strukturës që e ka vendosur në listë sesa ndaj qytetarëve që teorikisht përfaqëson.

Kjo ka krijuar një klasë politike që riciklohet vazhdimisht, ndërsa qytetarët përballen me të njëjtat probleme: varfëri, emigracion, pabarazi sociale, korrupsion dhe mungesë besimi te drejtësia. Ndërkohë, rotacionet politike kanë ndryshuar emrat e qeverive, por jo mënyrën e ushtrimit të pushtetit.

Një pjesë e debatit publik lidhet edhe me mënyrën se si u zhvillua tranzicioni shqiptar. Shpesh është shprehur mendimi se, pavarësisht përplasjes së ashpër politike ndërmjet forcave kryesore, me kalimin e viteve u konsolidua një elitë e fuqishme politike dhe ekonomike, e aftë të ruajë ndikimin e saj pavarësisht ndryshimeve të qeverive. Në këtë kontekst përmenden shpesh figura të rëndësishme të tranzicionit dhe interpretohen deklarata historike të atribuuara periudhës së fillimit të pluralizmit. Megjithatë, lidhjet shkak-pasojë mbi këto zhvillime mbeten objekt debati politik dhe historik dhe kërkojnë trajtim të bazuar në fakte dhe dokumente.

Ajo që nuk është objekt interpretimi është realiteti social. Shqipëria vazhdon të humbasë popullsinë përmes emigracionit. Shumë të rinj nuk shohin perspektivë në vendin e tyre. Punëtorët, fermerët, pensionistët dhe shtresat me të ardhura të ulëta vazhdojnë të përballen me vështirësi ekonomike, ndërsa hendeku mes një pakice të pasur dhe shumicës së qytetarëve mbetet i dukshëm.

Demokracia nuk matet vetëm me ekzistencën e zgjedhjeve. Ajo matet me mundësinë reale që qytetarët të ndikojnë në vendimmarrje, me pavarësinë e institucioneve, me barazinë para ligjit dhe me aftësinë e shtetit për të mbrojtur interesin publik. Kur këto elemente dobësohen, demokracia rrezikon të mbetet vetëm një fasadë institucionale.

Pas më shumë se 35 vitesh pluralizëm, Shqipëria ka nevojë për më shumë se rotacion politik. Ajo ka nevojë për një kulturë të re qeverisjeje, ku pushteti të kufizohet nga ligji, institucionet të jenë vërtet të pavarura dhe qytetari të mos jetë spektator, por aktori kryesor i jetës politike.

Një demokraci e fortë nuk ndërtohet mbi bindjen se pushteti është pronë e politikanëve. Ajo ndërtohet mbi parimin se pushteti është një mandat i përkohshëm, që buron nga populli dhe i kthehet atij përmes llogaridhënies. Vetëm atëherë sovrani pushon së qeni një slogan dhe bëhet realisht themeli i shtetit demokratik.

Filed Under: Ekonomi

NDËRTIMI I SHTETIT KËRKON EDUKATË, AFTËSI, PATRIOTIZËM DHE MENÇURI

July 6, 2026 by s p

Agim Aliçkaj/

Bllokimi i fituesit nuk mund t’u sjellë asnjë fitore humbësve të zgjedhjeve.

Zgjedhjet e panevojshme parlamentare të shkaktuara nga opozita e Kosovës, përfunduan me shumë sukses dhe këto ditë pritet certifikimi i rezultateve. Populli shumicë i Kosovës, për të tretën herë radhazi, e shprehu qartë vullnetin e tij që Kryeministri Albin Kurti, me koalicionin e vet, të vazhdojë ta qeverisë vendin edhe për katër vjet.

Ende nuk është e qartë nëse PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e kanë kuptuar vërtet se i kanë humbur zgjedhjet. Shumë politikanë të opozitës, së bashku me mediat e kontrolluara prej tyre, vazhdojnë t’i interpretojnë numrat sipas dëshirës, duke e mashtruar veten se janë fitues, vetëm pse kanë humbur njësoj ose më pak se herën e kaluar. Ky është një naivitet i përmasave të dhimbshme, shkurt, një mjerim politik.

Meqë rezultati i zgjedhjeve ia mundëson z. Kurti konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, posti i Presidentit, për zgjedhjen e të cilit kërkohen 81 vota, ose në raundin e tretë shumicë e thjeshtë me kusht që të jenë të pranishëm 81 deputetë, mbetet edhe më tej mundësi për bllokimin e funksionimit të shtetit nga partitë humbëse.

Të gjitha indikacionet tregojnë se humbësit do të përpiqen sërish ta bllokojnë shtetin, vetëm e vetëm për të mos lejuar z. Kurti të qeverisë vendin. Madje, ende pa u certifikuar zgjedhjet, ata kanë filluar të vendosin kushte dhe të kërkojnë arsyetime për veprimet e tyre kundër funksionimit normal të institucioneve shtetërore.

Lidhja Demokratike e Kosovës deklaron se do t’i japë votat e saj vetëm me kusht që Presidenti të jetë nga radhët e saj, ndonëse vetë është e përçarë si rrallëherë dhe nuk dihet nëse do të arrijë t’i bindë deputetët e vet të votojnë njëzëri në rast të një marrëveshjeje me Vetëvendosjen. Maksimumi që LDK-ja mund të presë janë disa ministri, varësisht nga pesha e saj parlamentare.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, i shtyrë nga “dashuria e madhe” për Amerikën, ka zbuluar edhe një kusht tjetër për votimin e Presidentit: nënshkrimin e kontratës për gazin amerikan. Ai shkon aq larg, sa paralajmëron protesta nëse qeveria nuk e bën këtë, një paraqitje tërësisht naive, joprofesionale dhe deri diku qesharake.

Të dyja këto kushte janë joreale dhe të parealizueshme. Ato janë vendosur për interesa personale dhe partiake, e jo për zhbllokimin e institucioneve të shtetit. Shihet qartë se LDK-ja, por edhe PDK-ja e AAK-ja, i kanë “harruar” deklaratat e tyre të mëhershme se Presidenti duhet të jetë figurë unifikuese dhe jopartiake. Ndërkohë, çështja e gazit nuk është çështje politike, por ekonomike dhe strategjike, e cila duhet të vlerësohet nga ekspertët e fushës së energjetikës.

Por, meqenëse sipas partive opozitare Presidenti i Kosovës po u dashka gjithsesi të lidhet me gazin, ftohet Kryeministri Albin Kurti që urgjentisht ta formojë një Komision të përbërë nga “politikanët ekspert të energjetikës”, z. Avdullah Hoti, znj. Vjosa Osmani, z. Lumir Abdixhiku, z. Bedri Hamza dhe z. Ardian Gjini, për ta vlersuar kualifikimin e Gazit amerikan për këtë punë.

Përpjekjet e këtyre partive për ta frikësuar popullin me pretendimet për një “pushtet autoritar” të Kurtit janë të pabazuara. Hipokrizia e tyre bëhet edhe më e dukshme kur mbështesin autokratin e vërtetë, vasalin serb dhe kryeministrin tashmë jolegjitim të Shqipërisë, Edi Rama. Ai, së bashku me lobistin serb Richard Grenell, besohet se kanë pasur ndikim edhe në nxitjen e këtyre përpjekjeve për ta bllokuar shtetin, me qëllim rrëzimin e qeverisë së z. Kurti.

Është për t’u habitur që këto parti, e sidomos LDK-ja, nuk kanë mësuar asgjë nga humbjet e njëpasnjëshme. Në vend që t’i analizojnë gabimet e veta, të ndryshojnë dhe të përmirësohen, ato harxhojnë energji duke kërkuar fajtorë aty ku nuk ekzistojnë. Si nuk e kuptojnë se bllokimi i fituesit dhe i shtetit nuk mund t’u sjellë fitore? Nëse vazhdojnë me këtë qasje, nuk do ta fitojnë kurrë besimin e shumicës së qytetarëve.

Zgjidhja e vetme reale për zgjedhjen e Presidentit është propozimi i tre kandidatëve të aftë, jopartiakë, me njohuri të gjuhëve të huaja dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe zgjedhja e njërit prej tyre me votë të shumicës. Për këtë nevojitet maturi, mençuri dhe atdhedashuri.

Thjesht, kërkohet që interesat shtetërore dhe kombëtare të vendosen mbi interesat personale dhe partiake.

Filed Under: Ekonomi

PUSHTETI, POPULLI, DEMOKRACIA

July 3, 2026 by s p

Isuf B.Bajrami/

Ka një të vërtetë që asnjë pushtet nuk mund ta fshijë, asnjë propagandë nuk mund ta zbehë dhe asnjë forcë nuk mund ta mposhtë: Zëri i popullit është themeli mbi të cilin ngrihet çdo demokraci. Kur një qeveri fillon të ketë frikë nga qytetarët e saj, nuk është populli ai që ka ndryshuar. Është pushteti që ka humbur rrugën. Kur protesta quhet kërcënim, kur kritika shpallet armiqësi dhe kur mendimi ndryshe trajtohet si faj, nuk po mbrohet demokracia. Po dobësohet ajo. Sepse demokracia nuk jeton nga heshtja. Ajo merr frymë nga liria e qytetarëve për të folur, për të kundërshtuar dhe për të kërkuar llogari.

Populli nuk del në rrugë për të rrëzuar shpresën. Del në rrugë sepse shpresa nuk mund të jetojë aty ku mungon drejtësia. Del në rrugë sepse askush nuk mund t’i kërkojë një qytetari të heshtë përballë padrejtësisë, varfërisë, pabarazisë apo mungesës së dinjitetit. Nuk ka britmë më të fortë se ajo e një qytetari që ndien se nuk po dëgjohet. Nuk ka heshtje më të rrezikshme se ajo që lind nga frika. Dhe nuk ka humbje më të madhe për një qeveri sesa dita kur pushon së dëgjuari popullin që e solli në pushtet.

Historia nuk mban mend gjatë ata që ndërtuan mure mes vetes dhe qytetarëve. Historia kujton ata që patën guximin të dëgjonin edhe zërat që nuk u pëlqenin.

Asnjë karrige nuk është më e fortë se ndërgjegjja e një kombi. Asnjë zyrë nuk është më e madhe se shpresa e një të riu. Asnjë vulë shtetërore nuk vlen më shumë se loti i një prindi që lufton çdo ditë për të mbajtur familjen. Sepse shteti nuk janë godinat. Nuk janë zyrat. Nuk janë titujt. Shteti janë njerëzit. Janë punëtorët që ngrihen para agimit. Janë mësuesit që edukojnë brezat.

Janë mjekët që shpëtojnë jetë.

Janë fermerët që ushqejnë vendin.

Janë të rinjtë që ëndërrojnë një të ardhme në Shqipëri dhe jo larg saj.

Janë pensionistët që meritojnë respekt pas një jete të tërë pune.

Ata janë Shqipëria.

Dhe askush nuk ka të drejtë ta trajtojë Shqipërinë si armike vetëm sepse kërkon të dëgjohet.

Pushteti nuk është kurorë. Nuk është pronë. Nuk është privilegj.

Pushteti është një amanet që populli ta beson për një kohë. Ai nuk të përket përgjithmonë. Ai mbahet vetëm për aq kohë sa respekton ata që ta kanë dhënë.

Në çastin kur pushteti fillon të besojë se është më i madh se qytetari, ai ka nisur tashmë rënien e tij morale. Sepse çdo pushtet që largohet nga populli, përfundon i vetmuar përballë historisë.

Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë zhurmë, por për më shumë dëgjim. Nuk ka nevojë për më shumë arrogancë, por për më shumë përulësi. Nuk ka nevojë për udhëheqës që kërkojnë duartrokitje, por për drejtues që fitojnë besimin me punë, drejtësi dhe përgjegjësi.

Le ta kujtojmë gjithmonë:

Pushteti kalon.

Karriget ndryshojnë.

Emrat zëvendësohen.

Por populli mbetet.

Dhe për sa kohë ekziston demokracia, do të mbetet një e vërtetë që nuk ndryshon kurrë:

Pushteti i vërtetë nuk është ai që buron nga frika.

Pushteti i vërtetë është zëri i popullit.

Filed Under: Ekonomi

Armiku më i madh i shqiptarëve…

June 30, 2026 by s p

Dr. Bledar Prifti/

Në gjirin e shqiptarëve po përhapet si zjarr një valë e rrezikshme dhe e verbër urrejtjeje ndaj shtetit të Izraelit dhe popullit hebre. Kjo urrejtje ushqet me një teori konspirative të neveritshme dhe absurde, sipas së cilës lobet hebreje gjoja kanë orkestruar shpopullimin e Shqipërisë për ta mbushur vendin me kolonë hebre ose palestinezë, si pjesë e një plani të madh për ekspansion Izraelit në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Çfarë e bën këtë situatë edhe më ironike, më të turpshme, dhe më absurde është fakti se edhe vetë diaspora shqiptare është një promotor i zëshëm dhe i zellshëm i këtij konspiracioni të sëmurë. Ata duan të na bindin se arsyeja pse qindra mijë shqiptarë braktisën Shqipërinë nuk ishte dëshira e tyre e ligjshme për një jetë më të mirë, por një komplot i madh i huaj për ta mbajtur vendin të varfër dhe për ta zbrazur.

Mirëpo, nëse e kanë “kuptuar” këtë “komplot”, pse nuk kthehen dot në atdhe? Kush i mban me forcë në SHBA, në Gjermani, në Itali apo në Britani? Asnjeri. Ata vetë zgjedhin të mos kthehen, sepse e dinë thellë në shpirt se problemi nuk është “komploti i hebrenjve”, por Shqipëria që ata lanë pas, një vend i kapur nga hajdutëria, korrupsioni, dhe mungesa e drejtësisë.

Siç e kam thënë edhe më parë, është në natyrën e kombeve me kulturë politike të sëmurë dhe të prapambetur të fajësojnë gjithmonë të tjerët për fatin e tyre. Në vend që të shohin problemin tek vetja, të reflektojnë dhe të përpiqen ta ndryshojnë, ata e kërkojnë fajtorin jashtë kufijve. Si rrjedhojë, këto kombe kurrë nuk arrijnë të piqen politikisht dhe ekonomikisht.

E keqja më e madhe nuk vjen nga jashtë. Kjo e keqe është brenda nesh. Shqiptarët janë të aftë të tregojnë me vepra se janë armiku më i madh i vetes së tyre. Ja disa fenomene kriminale dhe të turpshme që e dëshmojnë këtë me dhimbje.

1. Korrupsioni sistematik sidomos në ndarjen dhe grabitjen e tokave: Tokat ndahen me favore, me ryshfet dhe me vendime gjyqësore të blera. Pronarë të ligjshëm zhvishen nga toka e tyre nga njerëz të fuqishëm që bashkëpunojnë me zyrtarë të korruptuar.

2. Vrasja e vëllait nga vëllau për një pëllëmbë toke: Ka raste ku vëllezërit kanë vrarë njëri-tjetrin vetëm për një copë tokë të vogël, dhe ky është kulmi i lakmisë dhe i degradimit njerëzor.

3. Korrupsioni në sistemin shëndetësor: Mjekë dhe zyrtarë që marrin ryshfet për një operacion, për një shtrim spitalor ose për një trajtim të duhur. Njerëz vdesin ose mbeten invalidë sepse nuk kanë para për të “blerë” shëndetin e tyre.

4. Qindra grupe mafioze kriminale shqiptare që për dekada kanë prostituar dhe trafikuar mijëra vajza dhe nëna shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Këto grupe kanë ndërtuar një industri të tërë krimi duke shfrytëzuar trupin e grave shqiptare. E megjithatë, shoqëria nuk i ndëshkon rëndë. Përkundrazi, shumë prej tyre promovohen si “biznesmenë të suksesshëm” (madje disa syresh bëhen edhe politikanë.), kanë influencë, para, dhe respekt në rrethe të caktuara, ndërsa viktimat e tyre harrohen ose stigmatizohen.

Por mbi të gjitha, një nga tradhtitë më të rënda ndaj kombit vjen nga klasa intelektuale shqiptare. Në vend që të mbrojë interesin publik, ajo vendos kurdoherë interesin personal. Intelektuali shqiptar shitet tek pushteti sikur të ishte në pazarin e gjësë së gjallë. Ai nuk mendon për të mirën e përgjithshme, por për favore, pozita, dhe para. Ai e promovon veten në kurriz të të tjerëve dhe nuk vendos kurrë veten në shërbim të shoqërisë.

Intelektuali shqiptar nuk ka lidhje reale as me intelektin e vërtetë, as me interesin kombëtar. Çdo gjë që bën është në funksion të promovimit të vetes dhe të interesave të ngushta personale. Ai është ose pa ide, ose me ide të mbrapshta që vetëm e thellojnë krizën. Në vend që të ndriçojë rrugën, ai e errëson atë edhe më shumë për të ruajtur privilegjet e veta.

Këto nuk janë “komplote të huaja”. Këto janë vepra të shqiptarëve kundër shqiptarëve. Kur një popull nuk është në gjendje të luftojë korrupsionin brenda vetes, të ndëshkojë kriminelët e vërtetë, dhe të krijojë një elitë intelektuale që i shërben kombit e jo xhepit të vet, atëherë fajin nuk mund ta hedhë tek askush tjetër.

Fajin e ka vetë.

Derisa të kuptojmë se armiku më i madh i Shqipërisë nuk është jashtë kufijve, por brenda nesh, brenda mentalitetit, brenda kulturës politike të sëmurë, brenda lakmisë së pakufishme dhe brenda tradhtisë së elitës sonë, ne do të vazhdojmë të mbetemi robër të vetes sonë. Koha është për vetë-refleksion, jo për komplote imagjinare.

Filed Under: Ekonomi

250-VJETORI I PAVARËSISË SË SHBA-VE NË PULLËN E RE POSTARE TË KOSOVËS

June 26, 2026 by s p

Hysen S. Dizdari/

Posta e Kosovës ka emetuar një emision të veçantë me pulla postare kushtuar 250-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1776–2026). Më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental miratoi Deklaratën e Pavarësisë, me të cilën trembëdhjetë kolonitë amerikane shpallën shkëputjen nga Britania e Madhe dhe krijimin e një shteti të lirë e të pavarur. Kjo datë shënon lindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe festohet çdo vit si festa kombëtare e vendit. Deklarata e Pavarësisë, e hartuar kryesisht nga Thomas Jefferson, konsiderohet një nga dokumentet më të rëndësishme politike në historinë moderne. Parimet e saj mbi lirinë, barazinë dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje ushtruan ndikim të madh në zhvillimet demokratike në mbarë botën dhe mbeten aktuale edhe sot.

Dita e Pavarësisë së SHBA-ve kujtohet me nderim dhe respekt të veçantë edhe nga shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo lidhet me rolin historik që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur në mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare në periudha vendimtare të historisë sonë. Gjatë më shumë se një shekulli, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë karakterizuar nga miqësia, mbështetja politike dhe bashkëpunimi në momente të rëndësishme për kombin shqiptar. Për këtë arsye, SHBA-ja gëzon një respekt të veçantë në opinionin publik shqiptar.

Një vend të veçantë në kujtesën historike shqiptare zë Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Thomas Woodrow Wilson. Në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, ai kundërshtoi planet për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet shteteve fqinje, duke mbrojtur të drejtën e popullit shqiptar për të pasur shtetin e vet. Qëndrimi i Presidentit Wilson u mbështet në parimin e vetëvendosjes së kombeve, një nga shtyllat kryesore të vizionit të tij për rendin ndërkombëtar pas Luftës së Parë Botërore. Për shqiptarët, ai mbetet një nga personalitetet më të respektuara të historisë amerikane. Pikërisht për këtë arsye, Faik Konica është shprehur: “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument madhështor në zemrat e tyre.” Mirënjohje të veçantë gëzon edhe Presidenti i 42-të i SHBA-ve, Bill Clinton.

Nën udhëheqjen e tij, Shtetet e Bashkuara mbështetën ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit serb në vitin 1999, duke ndihmuar në çlirimin e Kosovës dhe duke i dhënë fund dhunës dhe spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare. Ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr politikisht nga SHBA-ja, shënoi një kthesë historike për Kosovën dhe krijoi kushtet për lirinë e saj, proces që më pas do të kulmonte me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Duke shpjeguar para popullit amerikan ndërhyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë më 24 mars 1999, Presidenti Bill Clinton theksoi: “Amerika ka një përgjegjësi të qëndrojë me aleatët tanë kur ata përpiqen të shpëtojnë jetën e pafajshme dhe të ruajnë paqen, lirinë dhe stabilitetin në Evropë. Kjo është ajo që po bëjmë në Kosovë. Nëse ne kemi mësuar ndonjë gjë nga shekulli që po përfundon, është se nëse Amerika do të jetë e begatë dhe e sigurt, ne kemi nevojë për një Evropë që është e begatë, e sigurt, e pandarë dhe e lirë. Ne kemi nevojë për një Evropë që po bashkohet, jo që po ndahet. Një Evropë që ndan vlerat tona dhe ndan barrën e udhëheqjes. Ky është themeli mbi të cilin varet siguria e fëmijëve tanë.”

Për të përkujtuar këtë jubile të rëndësishëm, Posta e Kosovës ka emetuar një pullë postare dhe Zarfin e Ditës së Parë (FDC). Pulla postare ka vlerën nominale 2,10 euro. Në sfond paraqitet Deklarata e Pavarësisë së SHBA-ve dhe flamuri amerikan, të vendosur mbi numrin simbolik 250, i cili përfaqëson vitet e pavarësisë së shtetit amerikan. Në pjesën e sipërme majtas ndodhet flamuri i Republikës së Kosovës, ndërsa në pjesën e poshtme është vendosur mbishkrimi: “250-vjetori i SHBA-ve”.

Simbolet e përdorura në këtë emision filatelik janë zgjedhur për të paraqitur jo vetëm rëndësinë historike të 4 Korrikut për popullin amerikan, por edhe lidhjet e forta të miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëpërmjet këtij emisioni filatelik, Posta e Kosovës i bashkohet kremtimeve ndërkombëtare të 250-vjetorit të pavarësisë amerikane dhe njëkohësisht përcjell një mesazh të qartë respekti, miqësie dhe mirënjohjeje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit të saj. Ky emision me pulla postare dëshmon se populli shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri nuk harron mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja i ka dhënë kombit shqiptar në mbrojtje të lirisë, të drejtave kombëtare dhe pavarësisë.

MIRËNJOHJE PRESIDENTIT TË 28-TË TË SHBA-VE, WOODROW WILSON!

MIRËNJOHJE PRESIDENTIT TË 42-TË TË SHBA-VE, BILL CLINTON!

MIRËNJOHJE POPULLIT AMERIKAN!

GËZUAR 4 KORRIKUN,

E PAVARËSISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS!

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 255
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kinematografia e Kosovës shkëlqen në Nju Jork
  • NGA UNITETI I ALFABETIT TE UNITETI I VIZIONIT
  • “Dyqani i helmeve”, një parabolë groteske mbi zbrazëtinë ekzistenciale
  • Rinia në shesh, intelektualët në dilemë dhe përgjegjësia morale e një kombi
  • LASGUSH PORADECI – POEZIA SI PIKTURË
  • Alfabeti dhe kokat e mendjes shqiptare
  • AT GJERGJ FISHTA DHE KONGRESI I ALFABETIT – KUR SHKRONJAT U BËNË BESË, GJUHË DHE BASHKIM KOMBËTAR
  • VOTUESIT AMERIKANË FOLËN — DEMOKRACIA KA NEVOJË PËR EKUILIBËR DHE KONTROLL TË PUSHTETEVE
  • PARIMI I NACIONALIZMIT SHQIPTAR
  • Shkrimtari dhe ndjenja e detyrimit moral ndaj shoqërisë
  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT