
Agim Aliçkaj/
Bllokimi i fituesit nuk mund t’u sjellë asnjë fitore humbësve të zgjedhjeve.
Zgjedhjet e panevojshme parlamentare të shkaktuara nga opozita e Kosovës, përfunduan me shumë sukses dhe këto ditë pritet certifikimi i rezultateve. Populli shumicë i Kosovës, për të tretën herë radhazi, e shprehu qartë vullnetin e tij që Kryeministri Albin Kurti, me koalicionin e vet, të vazhdojë ta qeverisë vendin edhe për katër vjet.
Ende nuk është e qartë nëse PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e kanë kuptuar vërtet se i kanë humbur zgjedhjet. Shumë politikanë të opozitës, së bashku me mediat e kontrolluara prej tyre, vazhdojnë t’i interpretojnë numrat sipas dëshirës, duke e mashtruar veten se janë fitues, vetëm pse kanë humbur njësoj ose më pak se herën e kaluar. Ky është një naivitet i përmasave të dhimbshme, shkurt, një mjerim politik.
Meqë rezultati i zgjedhjeve ia mundëson z. Kurti konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, posti i Presidentit, për zgjedhjen e të cilit kërkohen 81 vota, ose në raundin e tretë shumicë e thjeshtë me kusht që të jenë të pranishëm 81 deputetë, mbetet edhe më tej mundësi për bllokimin e funksionimit të shtetit nga partitë humbëse.
Të gjitha indikacionet tregojnë se humbësit do të përpiqen sërish ta bllokojnë shtetin, vetëm e vetëm për të mos lejuar z. Kurti të qeverisë vendin. Madje, ende pa u certifikuar zgjedhjet, ata kanë filluar të vendosin kushte dhe të kërkojnë arsyetime për veprimet e tyre kundër funksionimit normal të institucioneve shtetërore.
Lidhja Demokratike e Kosovës deklaron se do t’i japë votat e saj vetëm me kusht që Presidenti të jetë nga radhët e saj, ndonëse vetë është e përçarë si rrallëherë dhe nuk dihet nëse do të arrijë t’i bindë deputetët e vet të votojnë njëzëri në rast të një marrëveshjeje me Vetëvendosjen. Maksimumi që LDK-ja mund të presë janë disa ministri, varësisht nga pesha e saj parlamentare.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, i shtyrë nga “dashuria e madhe” për Amerikën, ka zbuluar edhe një kusht tjetër për votimin e Presidentit: nënshkrimin e kontratës për gazin amerikan. Ai shkon aq larg, sa paralajmëron protesta nëse qeveria nuk e bën këtë, një paraqitje tërësisht naive, joprofesionale dhe deri diku qesharake.
Të dyja këto kushte janë joreale dhe të parealizueshme. Ato janë vendosur për interesa personale dhe partiake, e jo për zhbllokimin e institucioneve të shtetit. Shihet qartë se LDK-ja, por edhe PDK-ja e AAK-ja, i kanë “harruar” deklaratat e tyre të mëhershme se Presidenti duhet të jetë figurë unifikuese dhe jopartiake. Ndërkohë, çështja e gazit nuk është çështje politike, por ekonomike dhe strategjike, e cila duhet të vlerësohet nga ekspertët e fushës së energjetikës.
Por, meqenëse sipas partive opozitare Presidenti i Kosovës po u dashka gjithsesi të lidhet me gazin, ftohet Kryeministri Albin Kurti që urgjentisht ta formojë një Komision të përbërë nga “politikanët ekspert të energjetikës”, z. Avdullah Hoti, znj. Vjosa Osmani, z. Lumir Abdixhiku, z. Bedri Hamza dhe z. Ardian Gjini, për ta vlersuar kualifikimin e Gazit amerikan për këtë punë.
Përpjekjet e këtyre partive për ta frikësuar popullin me pretendimet për një “pushtet autoritar” të Kurtit janë të pabazuara. Hipokrizia e tyre bëhet edhe më e dukshme kur mbështesin autokratin e vërtetë, vasalin serb dhe kryeministrin tashmë jolegjitim të Shqipërisë, Edi Rama. Ai, së bashku me lobistin serb Richard Grenell, besohet se kanë pasur ndikim edhe në nxitjen e këtyre përpjekjeve për ta bllokuar shtetin, me qëllim rrëzimin e qeverisë së z. Kurti.
Është për t’u habitur që këto parti, e sidomos LDK-ja, nuk kanë mësuar asgjë nga humbjet e njëpasnjëshme. Në vend që t’i analizojnë gabimet e veta, të ndryshojnë dhe të përmirësohen, ato harxhojnë energji duke kërkuar fajtorë aty ku nuk ekzistojnë. Si nuk e kuptojnë se bllokimi i fituesit dhe i shtetit nuk mund t’u sjellë fitore? Nëse vazhdojnë me këtë qasje, nuk do ta fitojnë kurrë besimin e shumicës së qytetarëve.
Zgjidhja e vetme reale për zgjedhjen e Presidentit është propozimi i tre kandidatëve të aftë, jopartiakë, me njohuri të gjuhëve të huaja dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe zgjedhja e njërit prej tyre me votë të shumicës. Për këtë nevojitet maturi, mençuri dhe atdhedashuri.
Thjesht, kërkohet që interesat shtetërore dhe kombëtare të vendosen mbi interesat personale dhe partiake.