
Dr. Bledar Prifti/
Në gjirin e shqiptarëve po përhapet si zjarr një valë e rrezikshme dhe e verbër urrejtjeje ndaj shtetit të Izraelit dhe popullit hebre. Kjo urrejtje ushqet me një teori konspirative të neveritshme dhe absurde, sipas së cilës lobet hebreje gjoja kanë orkestruar shpopullimin e Shqipërisë për ta mbushur vendin me kolonë hebre ose palestinezë, si pjesë e një plani të madh për ekspansion Izraelit në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
Çfarë e bën këtë situatë edhe më ironike, më të turpshme, dhe më absurde është fakti se edhe vetë diaspora shqiptare është një promotor i zëshëm dhe i zellshëm i këtij konspiracioni të sëmurë. Ata duan të na bindin se arsyeja pse qindra mijë shqiptarë braktisën Shqipërinë nuk ishte dëshira e tyre e ligjshme për një jetë më të mirë, por një komplot i madh i huaj për ta mbajtur vendin të varfër dhe për ta zbrazur.
Mirëpo, nëse e kanë “kuptuar” këtë “komplot”, pse nuk kthehen dot në atdhe? Kush i mban me forcë në SHBA, në Gjermani, në Itali apo në Britani? Asnjeri. Ata vetë zgjedhin të mos kthehen, sepse e dinë thellë në shpirt se problemi nuk është “komploti i hebrenjve”, por Shqipëria që ata lanë pas, një vend i kapur nga hajdutëria, korrupsioni, dhe mungesa e drejtësisë.
Siç e kam thënë edhe më parë, është në natyrën e kombeve me kulturë politike të sëmurë dhe të prapambetur të fajësojnë gjithmonë të tjerët për fatin e tyre. Në vend që të shohin problemin tek vetja, të reflektojnë dhe të përpiqen ta ndryshojnë, ata e kërkojnë fajtorin jashtë kufijve. Si rrjedhojë, këto kombe kurrë nuk arrijnë të piqen politikisht dhe ekonomikisht.
E keqja më e madhe nuk vjen nga jashtë. Kjo e keqe është brenda nesh. Shqiptarët janë të aftë të tregojnë me vepra se janë armiku më i madh i vetes së tyre. Ja disa fenomene kriminale dhe të turpshme që e dëshmojnë këtë me dhimbje.
1. Korrupsioni sistematik sidomos në ndarjen dhe grabitjen e tokave: Tokat ndahen me favore, me ryshfet dhe me vendime gjyqësore të blera. Pronarë të ligjshëm zhvishen nga toka e tyre nga njerëz të fuqishëm që bashkëpunojnë me zyrtarë të korruptuar.
2. Vrasja e vëllait nga vëllau për një pëllëmbë toke: Ka raste ku vëllezërit kanë vrarë njëri-tjetrin vetëm për një copë tokë të vogël, dhe ky është kulmi i lakmisë dhe i degradimit njerëzor.
3. Korrupsioni në sistemin shëndetësor: Mjekë dhe zyrtarë që marrin ryshfet për një operacion, për një shtrim spitalor ose për një trajtim të duhur. Njerëz vdesin ose mbeten invalidë sepse nuk kanë para për të “blerë” shëndetin e tyre.
4. Qindra grupe mafioze kriminale shqiptare që për dekada kanë prostituar dhe trafikuar mijëra vajza dhe nëna shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Këto grupe kanë ndërtuar një industri të tërë krimi duke shfrytëzuar trupin e grave shqiptare. E megjithatë, shoqëria nuk i ndëshkon rëndë. Përkundrazi, shumë prej tyre promovohen si “biznesmenë të suksesshëm” (madje disa syresh bëhen edhe politikanë.), kanë influencë, para, dhe respekt në rrethe të caktuara, ndërsa viktimat e tyre harrohen ose stigmatizohen.
Por mbi të gjitha, një nga tradhtitë më të rënda ndaj kombit vjen nga klasa intelektuale shqiptare. Në vend që të mbrojë interesin publik, ajo vendos kurdoherë interesin personal. Intelektuali shqiptar shitet tek pushteti sikur të ishte në pazarin e gjësë së gjallë. Ai nuk mendon për të mirën e përgjithshme, por për favore, pozita, dhe para. Ai e promovon veten në kurriz të të tjerëve dhe nuk vendos kurrë veten në shërbim të shoqërisë.
Intelektuali shqiptar nuk ka lidhje reale as me intelektin e vërtetë, as me interesin kombëtar. Çdo gjë që bën është në funksion të promovimit të vetes dhe të interesave të ngushta personale. Ai është ose pa ide, ose me ide të mbrapshta që vetëm e thellojnë krizën. Në vend që të ndriçojë rrugën, ai e errëson atë edhe më shumë për të ruajtur privilegjet e veta.
Këto nuk janë “komplote të huaja”. Këto janë vepra të shqiptarëve kundër shqiptarëve. Kur një popull nuk është në gjendje të luftojë korrupsionin brenda vetes, të ndëshkojë kriminelët e vërtetë, dhe të krijojë një elitë intelektuale që i shërben kombit e jo xhepit të vet, atëherë fajin nuk mund ta hedhë tek askush tjetër.
Fajin e ka vetë.
Derisa të kuptojmë se armiku më i madh i Shqipërisë nuk është jashtë kufijve, por brenda nesh, brenda mentalitetit, brenda kulturës politike të sëmurë, brenda lakmisë së pakufishme dhe brenda tradhtisë së elitës sonë, ne do të vazhdojmë të mbetemi robër të vetes sonë. Koha është për vetë-refleksion, jo për komplote imagjinare.