• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Katër plagët e shtetit dhe zëri i protestës

June 23, 2026 by s p

Prof. Pal Nikolli/

Në çdo kohë historike kur qytetarët dalin në shesh për të protestuar, pushteti përpiqet ta shohë protestën si një problem politik, ndërsa protestuesit e shohin atë si një thirrje për drejtësi. Shqipëria po përjeton pikërisht një moment të tillë. Përtej flamujve politikë, përtej retorikës së ditës dhe përtej debateve televizive, në thelb të zemërimit qytetar qëndrojnë katër plagë të vjetra: korrupsioni, krimi, nepotizmi dhe paaftësia.

Këto nuk janë thjesht fenomene të veçuara të jetës publike. Ato janë mekanizma që, kur bashkohen, prodhojnë një sistem që gradualisht humbet aftësinë për t’u shërbyer qytetarëve. Pikërisht kundër këtij sistemi ngrihet sot pakënaqësia që dëgjohet në rrugë, në media, në rrjetet sociale dhe në çdo familje shqiptare që përballet me vështirësitë e përditshme.

Korrupsioni mbetet sëmundja më e rëndë e shtetit shqiptar. Ai nuk matet vetëm me dosje hetimore apo me raporte ndërkombëtare. Ai matet me shkollat që nuk ndërtohen siç duhet, me spitalet që nuk ofrojnë shërbimin e merituar, me rrugët që kushtojnë shumë më tepër se vlera reale dhe me qytetarin që ndjen se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë. Kur njerëzit humbasin besimin se institucionet veprojnë për interesin publik, atëherë humbet vetë legjitimiteti moral i shtetit.

Në të njëjtën kohë, hija e krimit vazhdon të rëndojë mbi jetën publike. Shqetësimi nuk lidhet vetëm me ekzistencën e grupeve kriminale, por me perceptimin se interesat kriminale arrijnë të ndikojnë ekonominë, politikën dhe vendimmarrjen. Kur qytetarët dyshojnë se fuqia financiare e paligjshme mund të blejë ndikim dhe mbrojtje, ata fillojnë të humbasin besimin te drejtësia dhe te barazia para ligjit.

Por ndoshta fenomeni që prek më drejtpërdrejt jetën e përditshme të njerëzve është nepotizmi. Në një vend ku mijëra të rinj të diplomuar largohen çdo vit, bindja se vendet e punës dhe pozicionet drejtuese shpesh fitohen përmes lidhjeve dhe jo meritës krijon një ndjenjë të thellë padrejtësie. Kjo është një nga arsyet kryesore pse shumë të rinj nuk e shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri. Ata nuk largohen vetëm për paga më të larta; largohen sepse kërkojnë një sistem ku aftësia vlerësohet më shumë se afërsia me pushtetin.

Nga kjo kulturë klienteliste lind natyrshëm edhe paaftësia institucionale. Kur kriteri kryesor nuk është profesionalizmi, por besnikëria politike apo lidhja personale, rezultatet janë të pashmangshme: vendime të gabuara, projekte të dështuara, administratë joefikase dhe politika publike që nuk zgjidhin problemet reale të qytetarëve. Paaftësia nuk është vetëm çështje teknike; ajo kthehet në kosto ekonomike, sociale dhe demografike për një komb të tërë.

Në Shqipërinë e sotme këto katër plagë janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Korrupsioni ushqen nepotizmin. Nepotizmi prodhon paaftësi. Paaftësia krijon hapësira të reja për korrupsion. Ndërsa të gjitha së bashku krijojnë terren ku krimi mund të depërtojë më lehtë në strukturat e shtetit. Kështu formohet një rreth vicioz që shpjegon pse shumë probleme vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura pavarësisht premtimeve të përsëritura.

Protestat që po zhvillohen sot nuk duhen parë vetëm si kundërshtim ndaj një qeverie apo një politikani. Në thelb, ato përfaqësojnë revoltën e një pjese të shoqërisë kundër këtij rrethi vicioz. Ato janë një kërkesë për institucione që funksionojnë, për drejtësi që nuk bën dallime, për administratë që respekton meritën dhe për një shtet që vendos interesin publik mbi interesat e grupeve të privilegjuara.

Historia e kombeve tregon se rënia nuk fillon kur mungojnë pasuritë natyrore apo mundësitë ekonomike. Rënia fillon kur korrupsioni zëvendëson ndershmërinë, kur klientelizmi zëvendëson meritën, kur paaftësia zëvendëson profesionalizmin dhe kur frika zëvendëson lirinë. Në të kundërt, ringritja fillon kur qytetarët refuzojnë t’i pranojnë këto fenomene si normalitet.

Shqipëria ndodhet sot përballë një zgjedhjeje të rëndësishme: të vazhdojë të bashkëjetojë me këto katër plagë ose të ndërtojë institucione që i luftojnë ato pa kompromis. Protestat janë vetëm simptoma. Sëmundja është më e thellë. Dhe sa më gjatë të injorohet, aq më i lartë do të jetë çmimi që do të paguajë shoqëria shqiptare. Forca e një kombi nuk matet nga numri i ndërtesave të larta, as nga statistikat e propagandës ditore. Ajo matet nga aftësia për të ndërtuar institucione të drejta, të ndershme dhe meritokratike. Vetëm atëherë qytetarët do të kenë arsye të besojnë se e ardhmja mund të ndërtohet në vendin e tyre dhe jo larg tij.

Filed Under: Ekonomi

Për çfarë protestojnë shqiptarët?

June 18, 2026 by s p

Prof. As. Dr. Hasan Bello/

1-Kundër arrogancës së qeverisë, e cila i përçmon dhe i poshtëron shqiptarët.

2-Kundër korrupsionit kapilar që ka përfshirë administratën shtetërore.

3-Kundër bashkëpunimit të politikës me krimin e organizuar.

4-Kundër kapjes së shtetit dhe sovranitetit të popullit nëpërmjet kodit zgjedhor.

5-Kundër kryetarokracisë dhe krijimit të një sistemi që të gjithë pushtetin e përqendron në dy tre persona.

6-Kundër sistemit të korruptuar dhe vrastarë shëndetësor, që i detyron shqiptarët të vdesin në dyert e spitaleve.

7-Kundër sistemit gjyqësor, kaosit dhe stokut të dosjeve, ku një proces zgjat mbi dhjetë vite.

8-Kundër vjedhjes nëpërmjet koncesioneve dhe PPP.

9-Kundër drejtuesve të administratës, të cilët sillen me institucionet, vartësit dhe qytetarët si në pronë private.

10-Kundër vjedhjes së burimeve dhe pasurive kombtare.

11-Kundër deformimit të sistemit politik, vjedhjes së votës, nëpërmjet ligjit, presionit të administratës dhe krimit të organizuar.

Kjo protestë mbi të gjitha krijoi precedentin që shqiptarët të ngrihen sa herë që ju bëhet padrejtësi nga cilado parti politike, kryeministër dhe qeveri.

Filed Under: Ekonomi

Shqipëria Evropiane para Shqipërisë në BE!

June 17, 2026 by s p

Prof. Pal Nikolli/

Shpesh dëgjojmë se Shqipëria duhet të futet në Bashkimin Evropian. Por pyetja më e rëndësishme është: a duhet të futet vetëm Shqipëria në BE, apo edhe BE-ja në Shqipëri?

Anëtarësimi nuk është thjesht një akt formal, një firmë në një traktat apo ngritja e një flamuri më shumë në Bruksel. Ai është, mbi të gjitha, një gjendje mendore, institucionale dhe qytetare. Vendet e Bashkimit Evropian nuk janë të zhvilluara sepse janë anëtare të BE-së; ato janë bërë anëtare sepse ndërtuan institucione funksionale, respektuan ligjin, mbrojtën pronën publike dhe private, investuan në arsim, kërkim shkencor dhe kulturë demokratike.

Prandaj, sfida jonë nuk është vetëm të hapim apo mbyllim kapituj negociatash. Sfida është të ndërtojmë një Shqipëri që funksionon sipas standardeve evropiane edhe pa qenë ende anëtare e BE-së.

Kjo do të thotë qytete me planifikim urban dhe jo me kaos ndërtimesh; trotuare për qytetarët dhe jo për makinat; universitete që zgjedhin drejtuesit sipas meritës dhe jo sipas ndikimit politik; administratë që i shërben qytetarit dhe jo partisë; drejtësi që vepron mbi bazën e ligjit dhe jo të interesit.

Evropa nuk fillon në kufijtë e Bashkimit Evropian. Ajo fillon në mënyrën se si respektojmë rregullat, si trajtojmë njëri-tjetrin, si mbrojmë mjedisin, si ndërtojmë institucionet dhe si edukojmë brezat e rinj.

Nëse presim të bëhemi evropianë pasi të anëtarësohemi, rrezikojmë të mbetemi gjithmonë pas. Por nëse ndërtojmë standardet evropiane që sot, anëtarësimi do të jetë thjesht njohja formale e një realiteti të krijuar.

Sepse rruga më e sigurt drejt Evropës nuk është të presim derën të na hapet. Është të ndërtojmë Evropën brenda vendit tonë, para se të hyjmë në të.

Filed Under: Ekonomi

Kosova në filatelinë jugosllave me prani te kufizuar dhe identitet te mohuar

June 16, 2026 by s p

Besnik Fishta

Një nga aspektet më domethënëse të filatelisë së ish Jugosllavisë Socialiste(1945-1990), është mënyra se si ajo trajtoi Kosovën. Ndërsa republikat federale gjenin vend rregullisht në emetimet postare përmes figurave historike, monumenteve, qyteteve dhe trashëgimisë kulturore, Kosova mbeti dukshëm më pak e përfaqësuar. Kjo pabarazi nuk shfaqej vetëm në numrin e kufizuar të pullave kushtuar Kosovës, por edhe në mënyrën se si paraqiteshin motivet e saj.

Në shumicën e rasteve, elementet që lidhen me Kosovën paraqiteshin pa identifikimin e qartë të karakterit të tyre shqiptar. Kur në pulla shfaqeshin qytete ose peizazhe të Kosovës, zakonisht përmendej vetëm emri gjeografik. Kështu, paraqitja e Prizrenit, Pejës apo Grykës së Rugovës kufizohej në dimensionin e tyre turistik ose natyror, pa asnjë referencë ndaj popullsisë shqiptare që përbënte shumicën dërrmuese të banorëve të këtyre trevave. Për pasojë, shikuesi informohej për ekzistencën e një vendi, por jo për identitetin kulturor të tij.

                                                                                         Kanioni Rugoves 1981

Një dukuri e ngjashme vërehet edhe në paraqitjen e trashëgimisë kulturore. Në emetimet federale gjetën vend relativisht të shpeshtë monumente fetare ortodokse me rëndësi për historinë serbe, si manastiri i Graçanicës apo objekte të tjera të trashëgimisë mesjetare serbe në Kosovë. Këto monumente paraqiteshin si pjesë e trashëgimisë kulturore serbe, duke marrë një dukshmëri të konsiderueshme në raport me elementët e kulturës shqiptare, të cilët mbeteshin pothuajse të padukshëm.

Manastiri Gracanices 1975 

Edhe më domethënës është rasti i kostumeve popullore. Në disa emetime kushtuar folklorit jugosllav u përfshinë veshje tradicionale nga Kosova, por pa theksuar qartë përkatësinë e tyre shqiptare. Në raste të caktuara, motive të njohura të kulturës materiale shqiptare u paraqitën si pjesë e një folklori rajonal ose jugosllav(Mali i Zi) të paidentifikuar etnikisht. Shembulli më i njohur është ai i xhubletës, një prej veshjeve më të lashta të kulturës shqiptare në Ballkan, e cila në paraqitje të tilla humbte lidhjen e saj të drejtpërdrejtë me traditën shqiptare. Në vend që të njihej autorësia kulturore e komunitetit që e kishte ruajtur ndër shekuj, objekti paraqitej në një kontekst më të përgjithshem.

Kjo nuk do të thotë se në filatelinë jugosllave mungonin plotësisht shembujt e një qasjeje më të balancuar. Një rast interesant përbën zarfi i Ditës së Parë i emetuar me rastin e 10-vjetorit të Universitetit të Prishtinës. I përgatitur në Zagreb-Kroaci, ai e trajtonte Universitetin e Prishtinës si një institucion të rëndësishëm arsimor dhe shkencor të federatës, pa e reduktuar rëndësinë e tij në një kontekst lokal. 

                                                                                            10 vjetori universitetit prishtines emetuar ne Zagreb 1979

Kjo mënyrë përfaqësimi ngre pyetje mbi shkallën e pluralizmit kulturor që reflektonte filatelia federale. Në një shtet që synon të përfaqësojë në mënyrë të barabartë komunitetet dhe identitetet e tij, filatelia do të pritej të pasqyronte me të njëjtën qartësi origjinën historike dhe kulturore të të gjitha traditave që përfshinte. Në këtë kuptim, elementet shqiptare të Kosovës nuk do të duhej të paraqiteshin thjesht si motive rajonale apo si pjesë e një trashëgimie të përgjithshme jugosllave, por edhe me identitetin e tyre kulturor të dallueshëm. Analiza e materialit filatelik sugjeron se kjo nuk ndodhte. Motivet shqiptare integroheshin në një kornizë më të gjerë federale pa u identifikuar qartë, ndërsa monumentet dhe traditat e lidhura me identitetin serb paraqiteshin me referenca më të drejtpërdrejta historike e kulturore. Kjo krijon përshtypjen e një përfaqësimi të pabalancuar të trashëgimisë së popujve dhe komuniteteve që përbënin federatën.

              Prizreni ne artet pamore 1965 

Pikërisht këtu qëndron një nga kontradiktat e filatelisë jugosllave. Ndërsa ideologjia zyrtare fliste për barazinë e popujve dhe të njësive federale, komunikimi vizual i shtetit nuk pasqyronte këtë parim. Kosova ishte plotësisht e munguar nga filatelia federale, dhe shpesh paraqitej në mënyrë të tillë që karakteri shqiptar i saj të mbetej në plan të dytë. Kjo krijoi një formë të përjashtimit simbolik, ku jo vetëm hapësira, por edhe identiteti kulturor i shumicës së popullsisë së saj mbeti i pa preprezentuar.

Filed Under: Ekonomi

Shqiptarët nuk ikin më

June 15, 2026 by s p

Në një shoqëri ku humbet shpresa, njerëzit largohen. Fillimisht fizikisht. Pastaj shpirtërisht. Pastaj politikisht.

Për vite me radhë, Shqipëria është mësuar me largimin. Të rinjtë largohen nga vendi. Qytetarët largohen nga pjesëmarrja. Shumë njerëz janë larguar nga ideja se mund të ndryshojnë diçka. Demokracia është në rrezik kur qytetarët nuk janë vigjilent ndaj vlerave që e mbajnë atë gjallë.

Albert Ajnshtajni thoshte se problemet njerëzore nuk zgjidhen si ekuacionet fizike. Politika është më e vështirë se fizika. Ajo kërkon përgjegjëshmëri të përditshme.

Të marrët flasin për ndikime të jashtme, ndërkohë harrojnë atë që na kanë bërë ata vetë së brendshmi. Në kulmin e protestave, para gazetarëve europianë, doli teoria e komplotit. Në anti-mitingun e turpshëm na kujtoi pemët e mbjella. Janë manovra të vjetra. Kur nuk ke përgjigjen, sulmo pyetjen.

Por pyetja mbetet në shesh. Qytetarët e thirrur nga shoqëria civile protestojnë çdo ditë në Tiranë kundër pushtetit. Pa parti. Pa autobusë partiakë. Pa para nëpër zarfe. Me këmbët e tyre. Me vullnetin e tyre.

Shqiptarët që protestojnë e dinë kuptimin e asimetrisë. Dikush që ka pushtetin ofron dialogun si dhuratë. Dikush që ka të drejtën kërkon vendimin e dorëheqjes si detyrim.

Mandati i katërt. Autoritarizëm i shtuar. Përqendrim monokratik i vendimmarrjes. Fjali të gjata për një të vërtetë të madhe. Këtu një njeri vendos gjithçka. Prandaj, asgjë nuk korrigjohet dot nga brenda.

Dikur Ajnshtanji refuzoi presidencën e Izraelit. Ai tha se nuk di si ti udhëheqë njerëzit. Gjyslykkuqi ynë nuk e ka këtë problem. Ai mendon se di gjithçka.

Por udhëheqja dhe sundimi nuk janë e njëjta gjë. Protestuesit thonë, jemi kundër dy fosileve. Duam një Shqipëri të Re. Kjo është fjalia kyçe. Kjo është risia e vërtetë.

Shqipëria ka protestuar shpesh. Por gjithmonë me flamurin e njërës palë. Gjithmonë me dinosaurin e palës tjetër në krye. Gjithmonë me fjalime pa shpirt.

Këtë herë, s’ka flamur partie. Ka flamuj me flamingo. Ka parulla të mprehta. Ka fjalime të vërteta. Kjo e tremb gjyslykkuqin më shumë se çdo opozitë. Ai opozitën e njeh. E kontrollon. E provokoi. E mposhti. Por qytetarin e lirë, atë që nuk kërkon postin e radhës, atë që nuk pret kontratën e nesërme, atë që fle mirë pa u rreshtuar, pikërisht atë nuk po di si ta trajtojë.

A do të largohet gjyslykkuqi nga kjo protestë? Ai nuk po e gjen dot kuptimin e protestës. Protesta nuk është çështje numrash. Protesta është çështje revolte morale.

Masa është morale, jo numerike. Ajo nuk zhduket me ujë. Nuk shpërbëhet me premtime. Nuk blihet me vende pune.

Ajnshtanji e dinte se ekuacionet e fizikës zgjidhen njëherë e përgjithmonë. Problemet njerëzore, duhen zgjidhur çdo ditë, nga secili prej nesh.

Flamingot nuk votojnë. Nuk lobojnë. Nuk i shkruajnë letër BE-së. Por janë atje. Tani njerëzit po dalin që t’i mbrojnë. Diçka ka ndryshuar brenda nesh.

Ky është momenti kur njerëzit ndalojnë së ikuri. Ky është momenti që çdo pushtet i frikësohet. Ky është momenti i ndryshimit të madh.

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 250
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • LIRISË T’I JAPIM SHTET
  • AANO Student Summit Brings Together Nearly 350 Albanian-American Students and Professionals at Fordham University
  • “Jeta e të tjerëve”
  • “PENA PËR ATDHEUN”, NJERIU DHE KUJTESA HISTORIKE
  • Orenjë, dëshmi të reja për një vendbanim të fortifikuar prehistorik
  • KUR MJEKËT IKIN, KUSH PAGUAN ÇMIMIN?
  • Shqipëria 1990–2026: Nga piramida e një popullsie të re te plakja dhe tkurrja demografike e vendit
  • Drejtësia gjeopolitike dhe dështimi i elitave tona
  • Quincy kuqezi/ Kënga, çiftelia, vallja dhe shija shqiptare bashkojnë diasporën në Massachusetts
  • Një Aktivitet Ndërgjegjësimi Për Autizmin Në City Island, Bronx
  • LOZANA NGRITI ZËRIN
  • Your child’s future is more important than anyone else’s opinion…
  • Artistja shqiptaro-kanadeze Blerina Kraja hapë ekspozitë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Toronto më 16 tetor 2026
  • Niko Stillo, studiuesi që sfidon, pyet dhe kërkon përgjigje
  • SHTETI SHQIPTAR PËR ÇAMERINË 1925-1928

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT