• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDËRTIMI I SHTETIT KËRKON EDUKATË, AFTËSI, PATRIOTIZËM DHE MENÇURI

July 6, 2026 by s p

Agim Aliçkaj/

Bllokimi i fituesit nuk mund t’u sjellë asnjë fitore humbësve të zgjedhjeve.

Zgjedhjet e panevojshme parlamentare të shkaktuara nga opozita e Kosovës, përfunduan me shumë sukses dhe këto ditë pritet certifikimi i rezultateve. Populli shumicë i Kosovës, për të tretën herë radhazi, e shprehu qartë vullnetin e tij që Kryeministri Albin Kurti, me koalicionin e vet, të vazhdojë ta qeverisë vendin edhe për katër vjet.

Ende nuk është e qartë nëse PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e kanë kuptuar vërtet se i kanë humbur zgjedhjet. Shumë politikanë të opozitës, së bashku me mediat e kontrolluara prej tyre, vazhdojnë t’i interpretojnë numrat sipas dëshirës, duke e mashtruar veten se janë fitues, vetëm pse kanë humbur njësoj ose më pak se herën e kaluar. Ky është një naivitet i përmasave të dhimbshme, shkurt, një mjerim politik.

Meqë rezultati i zgjedhjeve ia mundëson z. Kurti konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, posti i Presidentit, për zgjedhjen e të cilit kërkohen 81 vota, ose në raundin e tretë shumicë e thjeshtë me kusht që të jenë të pranishëm 81 deputetë, mbetet edhe më tej mundësi për bllokimin e funksionimit të shtetit nga partitë humbëse.

Të gjitha indikacionet tregojnë se humbësit do të përpiqen sërish ta bllokojnë shtetin, vetëm e vetëm për të mos lejuar z. Kurti të qeverisë vendin. Madje, ende pa u certifikuar zgjedhjet, ata kanë filluar të vendosin kushte dhe të kërkojnë arsyetime për veprimet e tyre kundër funksionimit normal të institucioneve shtetërore.

Lidhja Demokratike e Kosovës deklaron se do t’i japë votat e saj vetëm me kusht që Presidenti të jetë nga radhët e saj, ndonëse vetë është e përçarë si rrallëherë dhe nuk dihet nëse do të arrijë t’i bindë deputetët e vet të votojnë njëzëri në rast të një marrëveshjeje me Vetëvendosjen. Maksimumi që LDK-ja mund të presë janë disa ministri, varësisht nga pesha e saj parlamentare.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, i shtyrë nga “dashuria e madhe” për Amerikën, ka zbuluar edhe një kusht tjetër për votimin e Presidentit: nënshkrimin e kontratës për gazin amerikan. Ai shkon aq larg, sa paralajmëron protesta nëse qeveria nuk e bën këtë, një paraqitje tërësisht naive, joprofesionale dhe deri diku qesharake.

Të dyja këto kushte janë joreale dhe të parealizueshme. Ato janë vendosur për interesa personale dhe partiake, e jo për zhbllokimin e institucioneve të shtetit. Shihet qartë se LDK-ja, por edhe PDK-ja e AAK-ja, i kanë “harruar” deklaratat e tyre të mëhershme se Presidenti duhet të jetë figurë unifikuese dhe jopartiake. Ndërkohë, çështja e gazit nuk është çështje politike, por ekonomike dhe strategjike, e cila duhet të vlerësohet nga ekspertët e fushës së energjetikës.

Por, meqenëse sipas partive opozitare Presidenti i Kosovës po u dashka gjithsesi të lidhet me gazin, ftohet Kryeministri Albin Kurti që urgjentisht ta formojë një Komision të përbërë nga “politikanët ekspert të energjetikës”, z. Avdullah Hoti, znj. Vjosa Osmani, z. Lumir Abdixhiku, z. Bedri Hamza dhe z. Ardian Gjini, për ta vlersuar kualifikimin e Gazit amerikan për këtë punë.

Përpjekjet e këtyre partive për ta frikësuar popullin me pretendimet për një “pushtet autoritar” të Kurtit janë të pabazuara. Hipokrizia e tyre bëhet edhe më e dukshme kur mbështesin autokratin e vërtetë, vasalin serb dhe kryeministrin tashmë jolegjitim të Shqipërisë, Edi Rama. Ai, së bashku me lobistin serb Richard Grenell, besohet se kanë pasur ndikim edhe në nxitjen e këtyre përpjekjeve për ta bllokuar shtetin, me qëllim rrëzimin e qeverisë së z. Kurti.

Është për t’u habitur që këto parti, e sidomos LDK-ja, nuk kanë mësuar asgjë nga humbjet e njëpasnjëshme. Në vend që t’i analizojnë gabimet e veta, të ndryshojnë dhe të përmirësohen, ato harxhojnë energji duke kërkuar fajtorë aty ku nuk ekzistojnë. Si nuk e kuptojnë se bllokimi i fituesit dhe i shtetit nuk mund t’u sjellë fitore? Nëse vazhdojnë me këtë qasje, nuk do ta fitojnë kurrë besimin e shumicës së qytetarëve.

Zgjidhja e vetme reale për zgjedhjen e Presidentit është propozimi i tre kandidatëve të aftë, jopartiakë, me njohuri të gjuhëve të huaja dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe zgjedhja e njërit prej tyre me votë të shumicës. Për këtë nevojitet maturi, mençuri dhe atdhedashuri.

Thjesht, kërkohet që interesat shtetërore dhe kombëtare të vendosen mbi interesat personale dhe partiake.

Filed Under: Ekonomi

PUSHTETI, POPULLI, DEMOKRACIA

July 3, 2026 by s p

Isuf B.Bajrami/

Ka një të vërtetë që asnjë pushtet nuk mund ta fshijë, asnjë propagandë nuk mund ta zbehë dhe asnjë forcë nuk mund ta mposhtë: Zëri i popullit është themeli mbi të cilin ngrihet çdo demokraci. Kur një qeveri fillon të ketë frikë nga qytetarët e saj, nuk është populli ai që ka ndryshuar. Është pushteti që ka humbur rrugën. Kur protesta quhet kërcënim, kur kritika shpallet armiqësi dhe kur mendimi ndryshe trajtohet si faj, nuk po mbrohet demokracia. Po dobësohet ajo. Sepse demokracia nuk jeton nga heshtja. Ajo merr frymë nga liria e qytetarëve për të folur, për të kundërshtuar dhe për të kërkuar llogari.

Populli nuk del në rrugë për të rrëzuar shpresën. Del në rrugë sepse shpresa nuk mund të jetojë aty ku mungon drejtësia. Del në rrugë sepse askush nuk mund t’i kërkojë një qytetari të heshtë përballë padrejtësisë, varfërisë, pabarazisë apo mungesës së dinjitetit. Nuk ka britmë më të fortë se ajo e një qytetari që ndien se nuk po dëgjohet. Nuk ka heshtje më të rrezikshme se ajo që lind nga frika. Dhe nuk ka humbje më të madhe për një qeveri sesa dita kur pushon së dëgjuari popullin që e solli në pushtet.

Historia nuk mban mend gjatë ata që ndërtuan mure mes vetes dhe qytetarëve. Historia kujton ata që patën guximin të dëgjonin edhe zërat që nuk u pëlqenin.

Asnjë karrige nuk është më e fortë se ndërgjegjja e një kombi. Asnjë zyrë nuk është më e madhe se shpresa e një të riu. Asnjë vulë shtetërore nuk vlen më shumë se loti i një prindi që lufton çdo ditë për të mbajtur familjen. Sepse shteti nuk janë godinat. Nuk janë zyrat. Nuk janë titujt. Shteti janë njerëzit. Janë punëtorët që ngrihen para agimit. Janë mësuesit që edukojnë brezat.

Janë mjekët që shpëtojnë jetë.

Janë fermerët që ushqejnë vendin.

Janë të rinjtë që ëndërrojnë një të ardhme në Shqipëri dhe jo larg saj.

Janë pensionistët që meritojnë respekt pas një jete të tërë pune.

Ata janë Shqipëria.

Dhe askush nuk ka të drejtë ta trajtojë Shqipërinë si armike vetëm sepse kërkon të dëgjohet.

Pushteti nuk është kurorë. Nuk është pronë. Nuk është privilegj.

Pushteti është një amanet që populli ta beson për një kohë. Ai nuk të përket përgjithmonë. Ai mbahet vetëm për aq kohë sa respekton ata që ta kanë dhënë.

Në çastin kur pushteti fillon të besojë se është më i madh se qytetari, ai ka nisur tashmë rënien e tij morale. Sepse çdo pushtet që largohet nga populli, përfundon i vetmuar përballë historisë.

Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë zhurmë, por për më shumë dëgjim. Nuk ka nevojë për më shumë arrogancë, por për më shumë përulësi. Nuk ka nevojë për udhëheqës që kërkojnë duartrokitje, por për drejtues që fitojnë besimin me punë, drejtësi dhe përgjegjësi.

Le ta kujtojmë gjithmonë:

Pushteti kalon.

Karriget ndryshojnë.

Emrat zëvendësohen.

Por populli mbetet.

Dhe për sa kohë ekziston demokracia, do të mbetet një e vërtetë që nuk ndryshon kurrë:

Pushteti i vërtetë nuk është ai që buron nga frika.

Pushteti i vërtetë është zëri i popullit.

Filed Under: Ekonomi

Armiku më i madh i shqiptarëve…

June 30, 2026 by s p

Dr. Bledar Prifti/

Në gjirin e shqiptarëve po përhapet si zjarr një valë e rrezikshme dhe e verbër urrejtjeje ndaj shtetit të Izraelit dhe popullit hebre. Kjo urrejtje ushqet me një teori konspirative të neveritshme dhe absurde, sipas së cilës lobet hebreje gjoja kanë orkestruar shpopullimin e Shqipërisë për ta mbushur vendin me kolonë hebre ose palestinezë, si pjesë e një plani të madh për ekspansion Izraelit në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Çfarë e bën këtë situatë edhe më ironike, më të turpshme, dhe më absurde është fakti se edhe vetë diaspora shqiptare është një promotor i zëshëm dhe i zellshëm i këtij konspiracioni të sëmurë. Ata duan të na bindin se arsyeja pse qindra mijë shqiptarë braktisën Shqipërinë nuk ishte dëshira e tyre e ligjshme për një jetë më të mirë, por një komplot i madh i huaj për ta mbajtur vendin të varfër dhe për ta zbrazur.

Mirëpo, nëse e kanë “kuptuar” këtë “komplot”, pse nuk kthehen dot në atdhe? Kush i mban me forcë në SHBA, në Gjermani, në Itali apo në Britani? Asnjeri. Ata vetë zgjedhin të mos kthehen, sepse e dinë thellë në shpirt se problemi nuk është “komploti i hebrenjve”, por Shqipëria që ata lanë pas, një vend i kapur nga hajdutëria, korrupsioni, dhe mungesa e drejtësisë.

Siç e kam thënë edhe më parë, është në natyrën e kombeve me kulturë politike të sëmurë dhe të prapambetur të fajësojnë gjithmonë të tjerët për fatin e tyre. Në vend që të shohin problemin tek vetja, të reflektojnë dhe të përpiqen ta ndryshojnë, ata e kërkojnë fajtorin jashtë kufijve. Si rrjedhojë, këto kombe kurrë nuk arrijnë të piqen politikisht dhe ekonomikisht.

E keqja më e madhe nuk vjen nga jashtë. Kjo e keqe është brenda nesh. Shqiptarët janë të aftë të tregojnë me vepra se janë armiku më i madh i vetes së tyre. Ja disa fenomene kriminale dhe të turpshme që e dëshmojnë këtë me dhimbje.

1. Korrupsioni sistematik sidomos në ndarjen dhe grabitjen e tokave: Tokat ndahen me favore, me ryshfet dhe me vendime gjyqësore të blera. Pronarë të ligjshëm zhvishen nga toka e tyre nga njerëz të fuqishëm që bashkëpunojnë me zyrtarë të korruptuar.

2. Vrasja e vëllait nga vëllau për një pëllëmbë toke: Ka raste ku vëllezërit kanë vrarë njëri-tjetrin vetëm për një copë tokë të vogël, dhe ky është kulmi i lakmisë dhe i degradimit njerëzor.

3. Korrupsioni në sistemin shëndetësor: Mjekë dhe zyrtarë që marrin ryshfet për një operacion, për një shtrim spitalor ose për një trajtim të duhur. Njerëz vdesin ose mbeten invalidë sepse nuk kanë para për të “blerë” shëndetin e tyre.

4. Qindra grupe mafioze kriminale shqiptare që për dekada kanë prostituar dhe trafikuar mijëra vajza dhe nëna shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Këto grupe kanë ndërtuar një industri të tërë krimi duke shfrytëzuar trupin e grave shqiptare. E megjithatë, shoqëria nuk i ndëshkon rëndë. Përkundrazi, shumë prej tyre promovohen si “biznesmenë të suksesshëm” (madje disa syresh bëhen edhe politikanë.), kanë influencë, para, dhe respekt në rrethe të caktuara, ndërsa viktimat e tyre harrohen ose stigmatizohen.

Por mbi të gjitha, një nga tradhtitë më të rënda ndaj kombit vjen nga klasa intelektuale shqiptare. Në vend që të mbrojë interesin publik, ajo vendos kurdoherë interesin personal. Intelektuali shqiptar shitet tek pushteti sikur të ishte në pazarin e gjësë së gjallë. Ai nuk mendon për të mirën e përgjithshme, por për favore, pozita, dhe para. Ai e promovon veten në kurriz të të tjerëve dhe nuk vendos kurrë veten në shërbim të shoqërisë.

Intelektuali shqiptar nuk ka lidhje reale as me intelektin e vërtetë, as me interesin kombëtar. Çdo gjë që bën është në funksion të promovimit të vetes dhe të interesave të ngushta personale. Ai është ose pa ide, ose me ide të mbrapshta që vetëm e thellojnë krizën. Në vend që të ndriçojë rrugën, ai e errëson atë edhe më shumë për të ruajtur privilegjet e veta.

Këto nuk janë “komplote të huaja”. Këto janë vepra të shqiptarëve kundër shqiptarëve. Kur një popull nuk është në gjendje të luftojë korrupsionin brenda vetes, të ndëshkojë kriminelët e vërtetë, dhe të krijojë një elitë intelektuale që i shërben kombit e jo xhepit të vet, atëherë fajin nuk mund ta hedhë tek askush tjetër.

Fajin e ka vetë.

Derisa të kuptojmë se armiku më i madh i Shqipërisë nuk është jashtë kufijve, por brenda nesh, brenda mentalitetit, brenda kulturës politike të sëmurë, brenda lakmisë së pakufishme dhe brenda tradhtisë së elitës sonë, ne do të vazhdojmë të mbetemi robër të vetes sonë. Koha është për vetë-refleksion, jo për komplote imagjinare.

Filed Under: Ekonomi

250-VJETORI I PAVARËSISË SË SHBA-VE NË PULLËN E RE POSTARE TË KOSOVËS

June 26, 2026 by s p

Hysen S. Dizdari/

Posta e Kosovës ka emetuar një emision të veçantë me pulla postare kushtuar 250-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1776–2026). Më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental miratoi Deklaratën e Pavarësisë, me të cilën trembëdhjetë kolonitë amerikane shpallën shkëputjen nga Britania e Madhe dhe krijimin e një shteti të lirë e të pavarur. Kjo datë shënon lindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe festohet çdo vit si festa kombëtare e vendit. Deklarata e Pavarësisë, e hartuar kryesisht nga Thomas Jefferson, konsiderohet një nga dokumentet më të rëndësishme politike në historinë moderne. Parimet e saj mbi lirinë, barazinë dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje ushtruan ndikim të madh në zhvillimet demokratike në mbarë botën dhe mbeten aktuale edhe sot.

Dita e Pavarësisë së SHBA-ve kujtohet me nderim dhe respekt të veçantë edhe nga shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo lidhet me rolin historik që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur në mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare në periudha vendimtare të historisë sonë. Gjatë më shumë se një shekulli, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë karakterizuar nga miqësia, mbështetja politike dhe bashkëpunimi në momente të rëndësishme për kombin shqiptar. Për këtë arsye, SHBA-ja gëzon një respekt të veçantë në opinionin publik shqiptar.

Një vend të veçantë në kujtesën historike shqiptare zë Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Thomas Woodrow Wilson. Në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, ai kundërshtoi planet për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet shteteve fqinje, duke mbrojtur të drejtën e popullit shqiptar për të pasur shtetin e vet. Qëndrimi i Presidentit Wilson u mbështet në parimin e vetëvendosjes së kombeve, një nga shtyllat kryesore të vizionit të tij për rendin ndërkombëtar pas Luftës së Parë Botërore. Për shqiptarët, ai mbetet një nga personalitetet më të respektuara të historisë amerikane. Pikërisht për këtë arsye, Faik Konica është shprehur: “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument madhështor në zemrat e tyre.” Mirënjohje të veçantë gëzon edhe Presidenti i 42-të i SHBA-ve, Bill Clinton.

Nën udhëheqjen e tij, Shtetet e Bashkuara mbështetën ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit serb në vitin 1999, duke ndihmuar në çlirimin e Kosovës dhe duke i dhënë fund dhunës dhe spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare. Ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr politikisht nga SHBA-ja, shënoi një kthesë historike për Kosovën dhe krijoi kushtet për lirinë e saj, proces që më pas do të kulmonte me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Duke shpjeguar para popullit amerikan ndërhyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë më 24 mars 1999, Presidenti Bill Clinton theksoi: “Amerika ka një përgjegjësi të qëndrojë me aleatët tanë kur ata përpiqen të shpëtojnë jetën e pafajshme dhe të ruajnë paqen, lirinë dhe stabilitetin në Evropë. Kjo është ajo që po bëjmë në Kosovë. Nëse ne kemi mësuar ndonjë gjë nga shekulli që po përfundon, është se nëse Amerika do të jetë e begatë dhe e sigurt, ne kemi nevojë për një Evropë që është e begatë, e sigurt, e pandarë dhe e lirë. Ne kemi nevojë për një Evropë që po bashkohet, jo që po ndahet. Një Evropë që ndan vlerat tona dhe ndan barrën e udhëheqjes. Ky është themeli mbi të cilin varet siguria e fëmijëve tanë.”

Për të përkujtuar këtë jubile të rëndësishëm, Posta e Kosovës ka emetuar një pullë postare dhe Zarfin e Ditës së Parë (FDC). Pulla postare ka vlerën nominale 2,10 euro. Në sfond paraqitet Deklarata e Pavarësisë së SHBA-ve dhe flamuri amerikan, të vendosur mbi numrin simbolik 250, i cili përfaqëson vitet e pavarësisë së shtetit amerikan. Në pjesën e sipërme majtas ndodhet flamuri i Republikës së Kosovës, ndërsa në pjesën e poshtme është vendosur mbishkrimi: “250-vjetori i SHBA-ve”.

Simbolet e përdorura në këtë emision filatelik janë zgjedhur për të paraqitur jo vetëm rëndësinë historike të 4 Korrikut për popullin amerikan, por edhe lidhjet e forta të miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëpërmjet këtij emisioni filatelik, Posta e Kosovës i bashkohet kremtimeve ndërkombëtare të 250-vjetorit të pavarësisë amerikane dhe njëkohësisht përcjell një mesazh të qartë respekti, miqësie dhe mirënjohjeje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit të saj. Ky emision me pulla postare dëshmon se populli shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri nuk harron mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja i ka dhënë kombit shqiptar në mbrojtje të lirisë, të drejtave kombëtare dhe pavarësisë.

MIRËNJOHJE PRESIDENTIT TË 28-TË TË SHBA-VE, WOODROW WILSON!

MIRËNJOHJE PRESIDENTIT TË 42-TË TË SHBA-VE, BILL CLINTON!

MIRËNJOHJE POPULLIT AMERIKAN!

GËZUAR 4 KORRIKUN,

E PAVARËSISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS!

Filed Under: Ekonomi

10 arsyet për të dalur në protestën për rikthimin e shtetit e të funksioneve të republikës

June 24, 2026 by s p

Prof. Dr. Lush SUSAJ*/

Që të gjithë e kemi pare dhe njohur duzinën e të përkdhelurve të partisë marksiste leniniste, të cilët edhe pas vitit 1990 arritën që të realizojnë metamorfozën e njohur të krimbit, sipas të cilës larva krisalidohet e shndërrohet në një flutur të bukur, e cila pjell vezët dhe ripërtërin ciklin e damtuesit. Në këtë mënyrë, edhe komunistët më të degjeneruar lëshuan ca deklerata fallco, thyen edhe disa dritare barakash e pozuan duke thirrur me të madhe “poshtë komunizmi”, edhe pse në gjenezë dhe në embrion ishin komunistët më të verbër, madje edhe më të ligj se sa lideri i tyre shpirtërorë, Miladin Popoviçi dhe Josif Tito i Serbisë.

Koha e dëshmoj në dritën e diellit teorinë e njohur si “Trashegimia e Genit Kriminal”, ku ajo që lind nga maca gjuan mi, sikurse bushtrat që lindin nga mitra e përgjakur e partisë komuniste janë forca më regresive e antishqiptare, e që koha provoj se kan shkaktuar vetëm shkatërrim të shtetit dhe të kombit shqiptarë.

Sipas analizës time me rezulton që kemi të bëjmë me 36 vite vazhdimësi vetëdiskreditimi me të njëjtat fytyra, me të njëjtën filozofi e mëndësi, me të njëjtat metoda hajnie, fiktiviteti dhe korrupsioni turpërues e shkatërrues për shtetin dhe shoqërinë.

Shkaku për këtë shkrim më lindi nga fjalori i ulët dhe qëndrimi përgojues e përçmues i disa pseudointelektualëve llapaqena, të cilët prej më shumë se 35 vitesh vetëm sa i kan lëpirë të pasmet e kryetarëve, të drejtorave dhe të ministrave e shefave të lartë e të mesëm të partisë.

Një duzinë të përdorurish që në të gjithë jetën e tyre kan levizur e përseri po levizin si mizat e gomarit, që shkojnë nga njëri gomar tek tjetri, e që mund ti gjesh e takosh kudo ku ka gomerë.

Është kjo kategori e ulët që kurrë nuk u bën specialistë, as intelektualë e as qytetarë të përgjegjëshëm, por që zgjodhën të qëndrojnë pas shefave të hajnisë, e të përdorën sa për të kopsitur dosjet fiktive, nga ku boron vjedhja dhe varfëria që ka pllakosur familjet e Shqipërisë.

Ky takëm katovicianë dhe sorosjano komunistë, tashmë duhet të shqetësohet nga reagimi qytetarë, pasi nga ky reagim do të marri fund dominanca e klaneve hajdutërore mbi financat, pronat, projektet, pasuritë, mediat, universitetet, shkollat, e çdo të mirë tjetër publike e kombëtare.

Është koha që kjo kategori e ulët barkalecash të përmbahën e të mos gjuajnë me gurë reagimin e madh popullorë, që sipas meje është shumë i vonuar, i shumëdëshiruar dhe ekstremishtë i provokuar nga varfëria, shpopullimi dhe degradmi i thellë i kohezionit dhe sjelljes shtetërore e politike.

Për juve që guxoni të përgojoni ata që po luftojnë për çlirimin dhe prosperitetin e Shqipërisë nga apatia, ligësia, korrupsioni, injoranca dhe shkatërrimi i institucioneve, po ju kujtoj vetëm disa të vërteta të njohura të kësaj proteste qytetare, që është mirë që ti kuptoni sa më parë.

Së pari, si kurrë më parë, protesta ka një objektiv popullorë e mbarë kombëtarë që përmblidhet në dorëheqjen e menjëhershme e të panegociueshme të kryeministrit Edi Rama, si shkaktari më i madh i kësaj situate, por edhe si pengesa kryesore në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.

Së dyti, të gjithë ata që po protestojnë e po reagojnë, janë e duhet të respektohen si shpetimtarë e qytetarë të mirë të Shqipërisë, sepse ata janë engjejt e shpresës dhe ringjalljes kombëtare e politike. Prandaj mos guxoni me përgojue as me cenue gratë e vajzat që kan dalë në protestë me fëmijët e tyre në krahë e në bark. Sepse si kurrë më parë kan zbritur në shesh fëmijet, engjëjt dhe rojat e lirisë. Mos guxoni me përgojue as studentët dhe nxënësit që e duan jetën, shtetin dhe kombin e tyre, e që nuk e kan harruar kurrë rrugaçërinë, amoralitetin dhe tradhëtin e sorosjano komunistave të viteve 2018-2019, kur llumi Marksist-Leninist e shantazhoj dhe e mbyti protestën studentore. Nuk mund të zihet gryka e vullkanit të zgjimit të një kombi që është ngritur kundër fiktivitetit dhe tradhëtisë kombëtare. Mos guxoni me përgojue elitën e mirfilltë që ka folë hapur, e që tani ka dalë hapur edhe në krah të protestës. Ju që keni 35 vite që vidhni financat, projektet, pronat, etj, bëhuni gati që të ktheni mallin dhe paratë e vjedhura. Ju pseudointelektualë e lëpirësa të neveritshëm, dijeni që me servilizmin, hajninë dhe përdorjën tuaj të gjatë, keni krijuar në terren një shkretëtirë të varfër e të frikshme për ta jetuar. Ndërsa në dosjet tuaja fiktive dhe në propagandën sofiste, akoma po flisni për arritjet imagjinare, si dikur kur këndohej kënga e njohur: Buzë Adriatikut rreze lëshon Shqipëria / Fanar i pashuar në ballë prinë partia.

Së treti, këtë protestë të vonuar e të shumëpritur të bashkimit kombëtarë, duhet ta suportojmë e ta shohim si momentin e një bashkimi dhe shërimi nga përçarja monstruoze e komunizmit 85 vjeçarë (1941-2026). Sepse këtë herë, si kurrë më parë kan zbritur në sheshet e lirisë fëmijët dhe rinia që duan të jetojnë në një shoqëri pa ndasi krahinore, fetare e politike. Në këtë protestë, si kurrë më parë kanë zbritur nënat e Shqipërisë, e ku janë bashkuar me të majtë e të djathtë nën thirrjen “Poshtë Komunizmi”, një thirrje që duhet të kthehet në levizje kombëtare për larine dhe prosperitetin e botës shqiptare.

Së katërti, me këtë protestë duhet të kuptojmë se tashmë ka lindur e po rritet një qytetari e përgjegjëshme dhe reaguese, e jo sikurse e duan dhe e kultivuan patitë e dala nga mitra e përgjakur e ish Partisë së Punës (ish partia komuniste), që kan dashur dhe e kan njeriun e ri socialistë, me sjelljet prej sehirxhiu, servili, frikacaku e hajduti.

Së pesti, kjo protestë duket që po sheron edhe plagët 100 vjeçare të një sistemi feudal, të miksuar e helmuar nga sjellja anadollake e komuniste, një sjellje politike pa asgjë Europiane e as progresiste. Tani është koha për të kuptuar dhe pare nga afër mënyrën se si po shëmbët para syve tanë “Katovica” shqiptare dhe monstrat e 35 viteve të mashtrimit neokomunistë, që si askund tjetër i kushtuan shqiptarëve një brez të sakrifikuar dhe mbi gjysmën e popullsisë të dëbuar përmes mizerjes politike, mjedisore e shoqërore që ka krijuar korrupsioni dhe përçarja kombëtare komuniste e neokomuniste.

Së gjashti, Realiteti që po lindë nuk duhet të shikohet me syzet boshevike e as me syzet sorosjano komuniste, kjo që të mund ta shikoni protestën si ditën e badhë të Shqipërisë, nga ku po lindë shkolla politike kombëtare që na ka munguar.

Së shtati, është koha që secili të kontribojë me sa ka mundësi që kjo energji e shumëpritur të koncentrohet në interesa dhe projekte të larta politike e shoqërore, e jo në interesa hajnie për pronat dhe investimet, nga ku nuk ka mbetur asgjë, sepse të gjitha janë vjedhur. Që do të thotë që duhet forcë dhe fokus në qëllimin më të madh kombëtarë, në reagimin e bashkuar për të zgjidhur sa më parë kontratën e qeverisjes, e bashkë me të edhe shfronësimin e bandës së krimit, korrupsionit, përçarjes dhe injorancës. Në këtë proces shfronësimi duhet respekt, kurajo dhe besim tek të gjithë ata që protestojnë e po reagojnë, e që nuk e meritojnë kurrë që të përgojohen e as të cenohën nga të përdorurit e partisë moniste, e as nga gojëshqyerit dhe të korruptuarit që kan zgjedhur të qëndrojnë non stop me pijanecët, kafexhijtë, qoftexhijtë, etj, duke vjedhur hallexhijtë të cilëve prej 33 vitesh, po ua vjedhin dhe deformojnë edhe votën.

Së teti, nuk duhet të harrojmë që vetëm bashkimi na e mundëson që mashtruesit dhe horrat e pronave e të korrupsionit ti dergojmë në bankën e të akuzuarve për të marrë drejtësinë që meritojnë, e mbi të gjitha për të faktuar fondet dhe pronat e vjedhura, të cilat duhet ma ja kthyer shtetit dhe popullit. Duhet të kuptojmë që hajdutët e këtyre 34 viteve (1992-2026), duhen shfronësuar dhe sekuestruar, e kjo mund të realizohet vetëm nga shqiptarët e pastër e me zemër të bardhë për Shqipërinë. Hajnat nuk mund të riciklohën kurrë si më pare, sepse hajnat nuk bëjnë kurrë shtet, republikë e as demokraci.

Së nëndëti, unë mëndoj që tani është shansi dhe momenti historikë i shqiptarëve, një moment që nukë duhet humbur, pasi vetëm nga bashkimi i një populli mbi parime të pastra e të larta kombëtare, shoqërore e politike, mund të krijohet e para parti politike e interesave kombëtare.

Ka ardhur koha që të krijohet një forcë politike pa përzierjën e misionarëve të huaj dhe financave të qëndrave antishqiptare që dikur krijuan nga jashtë partinë komuniste (1941), dhe metamorfozat e njohura të saj të viteve 1948 si PP, apo të vitit 1991 si PS, apo të vitit 2013 si Rilindje. Është koha që të përbuzim produktin politik e shoqërorë që na urdhërohet nga lartë, sikurse nga lartë u lëshuan edhe copat e krijuara nga shkërmoqja apo shumimi i ish partisë së punës, që në këto 35 vite dha një produkt që ka prodhuar të keqën më të madhe të botës shqiptare, e ku Shqipërinë e kan bërë fiks sikurse e duan armiqtë e kombit tonë.

Krijimi i një force të re politike, mirëfilli antikomuniste, është në përgjigje të momentit historikë dhe të etjes së madhe për bashkim dhe prosperitet kombëtarë, një zgjidhje që po vjen në një kohë kur Shqipërisë nuk i mungojnë mendjet e as duartë e pastra e të ndritura të plazmës autoktone e kombëtare. Shqipërisë nuk i mungojnë as profesionistët e as të kulturuarit e niveleve shumë të larta. Shqipërisë nuk i mungojnë as trimat për të bërë zap me forcën e ligjit të gjithë hadutët dhe langojtë e komunizmit, që vodhën dhe shkatërruan shtetin e mijëra heronjve e dëshmorëve, thjeshtë për të kënaqur pushtetin, babëzinë, grykësinë dhe injorancën e tyre.

Së dhjetëti, si prindër e si shqiptarë, le të mëndojmë e të gjykojmë qoftë edhe njëherë të vetme për nderin dhe dinjitetin e brezit tonë, si brezi që me veprimet e mosveprimet e veta mbolli dhe kultivoj tek fëmijet dhe populli nënshtrimin, apatinë, heshtjen mizore, ligësinë, përçarjen, duke shkaktuar gjithë këtë situate të errët, të varfër e të shëmtuar. Për këtë arsye, unë mëndoj që është koha që të mbështesim protestën kundër qeverisjes hajdute e arrogante, e jo të flasin e të veprojnë kundër protestuesve. Është momenti për të qëndruar në mbështetje të ëndërrave të patriotizmit dhe rinisë shqiptare. Dijeni që ata që janë ngritur e që protestojnë, troç fare po pastrojnë ndyrësinë e një brezi të dhunuar, frikësuar dhe mashtruar nga propaganda komuniste dhe neokomuniste. Po pastrojnë ndyrësinë e një brezi që ka heshtur duke shitur votën, shpirtin, interesin kombëtarë, shkollën, universitetet, tokën, bregdetin, e kështu me radhë, e duke i lënë fëmijët e një kombi pa atëdhe e pa shtet. Protestuesit po pastrojnë ndyrësinë e një brezi që në çdo katër vite ka shkuar si cjapi tek kasapi, në rresht për të votuar për partinë moniste, hasmin e rinisë dhe të fëmive të Shqipërisë. Ky brez ose duhet të bashkohet me protestën, ose duhet të heshti e të uli kokën përgjithmonë.

Për këtë arsye, unë apeloj e bëj thirrje që të përbuzet propaganda e atyre injorantëve dhe hajdutëve që përgojojnë dhe përpiqën të ndalojnë reagimin për Shqipërinë. Ky batak anadollako-komunistë duhet ta kuptojë se tashmë është ngritur populli dhe elita me duar e me fytyra të pastra, ata që nuk shantazhohen me dosje e as kurthe alla komuniste. Mbi të gjitha, ka levizur dhe është përmëndur diaspora që e ka kuptuar se si është dëbuar e vjedhur, madje sotë po vidhet përseri përmes kursit të këmbimit valutorë, ku secili e këmbën euron apo paundin me një vlerë 35% më të ulët se sa kembehej në vitin 2013, apo 13 vite më pare kur rierdhi në pushtet monizmi. Që do të thotë që hajnat e qeverisë së Tiranës, kan ngritur një system kastën për ta vjedhur përseri diasporën që investon dhe sjell të ardhura në Shqipëri. Mbi të gjitha, tashmë duket sheshit fakti që edhe tek diaspora ka mbirë fara e shëndoshë e përgjegjësisë kombëtare, e kjo na jep shpresë që atëdheu, pushteti dhe pasuria e vjedhur do të rikthehen tek të zotët e vëndit, tek shqiptarët që janë pronarët e vërtetë të Shqipërisë.

Mjerë ata që synojnë mallin dhe tokën e huaj, sepse ata janë të mbaruar. Sepse shqiptarin nuk mund ta mashtrosh pa fundësisht, e duhet ta kuptoni që kur mashtrimi dhe hajnia të kuptohet, horrave të krimit dhe korrupsionit do të ju rrëshqasë kolltuku dhe toka nën këmbë. Dhe ky është ky ai momenti historikë që ka mbërritur në vatrën e çdo shqiptari, e ku çdo shqiptarë duhet ti kontribojë zgjidhjes së re politike afatgjatë. Për këtë arsye, unë apeloj ndërgjegjën dhe forcën e pashtershme, e të papërlyer të kombit, që të bashkohemi për të hapur rrugën e prosperitetit, fokusit dhe vështrimit drejtë intersave më të larta morale, politike e shtetërore. Nderi është me protestuesit, ndërsa turpi është me përgojuesit dhe sehirxhijtë ndaj protestës që ka bashkuar kombin. Është koha për të shprehur respekt e mirënjohje për të gjithë protestuesit e Shqipërsë, e sidomos për gratë, fëmijët, nxenësit, studentët dhe emigrantët që janë bërë shpresa e një rilindje dhe rizgjimi kombëtarë. Është koha për të shprehur mirnjohjen më të thellë edhe për mbështetjen e madhe ndërkombëtare. Koha që të themi mirënjohje për BE dhe SHBA, që përseri po e shpetojnë shtetin dhe kombin shqiptarë nga tragjedia e korrupsionit, shpopullimit, konfiktualitetit dhe varfërisë së shkaktuar nga sjellja e ulët sorosiano komuniste.

*(Publikuar nga Gazeta “Telegraf”, dt 24 qershor 2026, faqe 6-7).

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 250
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • LIRISË T’I JAPIM SHTET
  • AANO Student Summit Brings Together Nearly 350 Albanian-American Students and Professionals at Fordham University
  • “Jeta e të tjerëve”
  • “PENA PËR ATDHEUN”, NJERIU DHE KUJTESA HISTORIKE
  • Orenjë, dëshmi të reja për një vendbanim të fortifikuar prehistorik
  • KUR MJEKËT IKIN, KUSH PAGUAN ÇMIMIN?
  • Shqipëria 1990–2026: Nga piramida e një popullsie të re te plakja dhe tkurrja demografike e vendit
  • Drejtësia gjeopolitike dhe dështimi i elitave tona
  • Quincy kuqezi/ Kënga, çiftelia, vallja dhe shija shqiptare bashkojnë diasporën në Massachusetts
  • Një Aktivitet Ndërgjegjësimi Për Autizmin Në City Island, Bronx
  • LOZANA NGRITI ZËRIN
  • Your child’s future is more important than anyone else’s opinion…
  • Artistja shqiptaro-kanadeze Blerina Kraja hapë ekspozitë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Toronto më 16 tetor 2026
  • Niko Stillo, studiuesi që sfidon, pyet dhe kërkon përgjigje
  • SHTETI SHQIPTAR PËR ÇAMERINË 1925-1928

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT