Interesime nga Kanada për investime në Kosovë
-Ambasadori kanadez Daniel Maksymiuk uroi për zhvillimet e fundit në Kosovë si për anëtarësimin në FIFA dhe UEFA, rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe hyrjen në fuqi të MSA-së/
PRISHTINË, 26 Maj 2016/ Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka pritur sot ambasadorin kanadez Daniel Maksymiuk. Ministri Selimi ka falënderuar ambasadorin Maksymiuk për përkrahjen e vazhdueshme që Kanadaja po i ofron shtetit të Kosovës. Me këtë rast ministri Selimi ka falënderuar posaçërisht përkrahjen e Qeverisë kanadeze në procesin e rritjes së ndërveprimit të Kosovës me NATO si dhe ndihmën e Ambasadës Kanadeze në Zagreb – Kroaci, për organizimin e konferencës ndërkombëtare, ndërfetare e cila do të mbahet së shpejti në Prishtinë. Në këtë konferencë do të marrin pjesë edhe mysafirë të lartë nga Kanadaja.
Në takim u diskutua edhe për investimet kanadeze në Kosovë për të cilat ambasadori Maksymiuk theksoi se kompani nga shteti i tij janë të interesuara për mundësitë e investimeve në Kosovë në sektorin minerar me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe shtimit të vendeve të reja të punës.
Në këtë aspekt, ministri Selimi dhe ambasadori Maksymiuk kanë diskutuar edhe për mundësitë e nënshkrimit të marrëveshjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë për promovimi ne investimin, mbrojtjen e tyre dhe eliminimin e taksimit te dyfishtë.
Ambasadori Maksymiuk, falënderoi ministrin Selimi për takimin si dhe e uroi për zhvillimet e fundit në Kosovë si për anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA, rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe hyrjen në fuqi të MSA-së. Ambasadori kanadez potencoi nevojën e vazhdimit të dialogut në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë si mjet për normalizimi ne situatës në tërë Ballkanin./b.j/
Lirohen rreth 130 asete nga shfrytëzuesit joligjorë në Kosovë
-Agjencia Kosovare e Privatizimit, Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës të vendosura për lirimin e të gjitha pronave shoqërore nga shfrytëzuesit joligjorë/
PRISHTINË, 26 Maj 2016-B.Jashari/Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Policia e Kosovës njoftuan sot se që nga marrja e vendimit nga Agjencia për lirimin e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore nga poseduesit dhe shfrytëzuesit e paligjshëm ka arritur të bëjë lirimin e rreth 130 aseteve nga shfrytëzuesit joligjorë.
“Gjithë rezultati i arritur është mundësuar me mbështetje të plotë të Policisë së Kosovës, e cila me kërkesë të AKP-së po asiston në aksione në terren sipas nenit 26 të ligjit të AKP-së si dhe vendimeve të Prokurorive kompetente”, deklarohet në komunikatën e përbashkët.
Theksohet se, vendimi për lirimin e aseteve nga shfrytëzuesit e paligjshëm është marrë nga Agjencia, në përputhje me Ligjin e AKP-së, i cili ligj i jep autorizim Agjencisë që të administroj me të gjitha asetet në pronësi shoqërore në territorin e Republikës së Kosovës.
“AKP, Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës shprehin vendosmërinë për të vazhduar me lirimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës pa dallim dhe siguron se të gjitha asetet e ndërmarrjeve shoqërore të cilat janë nën juridiksionin e AKP-së do të lirohen nga posedimet/përdorimet e jashtëligjshme apo uzurpimet, në përputhje me vendimin bazuar në mandatin ligjor të dhënë me Ligjin e AKP-së të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thekson komunikata.
Referuar kërkesës së AKP-së, adresuar Policisë së Kosovës për dhënie të asistencës policore në lirimin e disa objekteve në Veri të Mitrovicës e cila ka qenë e paraparë për realizim sot, e njëjta paraprakisht është shtyrë për realizim dhe kjo është bërë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë në mes të AKP-se dhe Policisë së Kosovës.
“Andaj, referuar bashkërendimeve ndërinstitucionale të planifikuara me kohë dhe të bëra pas adresimit të shkresës së dt.18 maj 2016, njoftojmë opinionin e gjerë se nuk ka pasur planifikim të realizimit të ndonjë operacioni sot dhe nuk bëhet fjalë për dështim të shtetit apo institucioneve gjegjëse, siç potencohet në disa shkrime të portaleve të ndryshme”, thuhet në në komunikatë.
Njoftohet se ditëve të ardhshme do të ndërmerren veprime me mbështetjen e plotë të Policisë së Kosovës për lirimin e të gjitha pronave shoqërore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Kosova do thellojë reformat ekonomike dhe sociale me BE-në
Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina – Sheshi Skënderbej/
-Kosova është pajtuar që të themelojë një mekanizëm të pavarur për rishikim të politikës fiskale/
Bruksel/Prishtinë, 25 maj 2016/ Në një dialog ndër-ministror me BE-në, i mbajtur sot në Bruksel, Ballkani Perëndimor dhe Turqia janë zotuar se do të thellojnë reformat ekonomike dhe sociale për të fuqizuar stabilitetin makroekonomik dhe për të rritur konkurrencën dhe zhvillimin.
Në konkluzionet e aprovuara në këtë takim, u aprovuan rekomandimet për politika të secilit prej shtatë partnerëve në zgjerim, me një fokusim të veçantë në reformat strukturore.
“Një objektivë thelbësore e strategjisë së BE-së për zgjerim është rritja e zhvillimit ekonomik dhe social në të gjitha vendet tona partnere. Sot kemi fokusuar diskutimin tonë në mënyrën e zbatimit të reformave ekonomike, për të cilat jemi pajtuar me BE-në. Jam i kënaqur që të gjitha vendet në zhvillim kanë treguar angazhim të madh në këtë detyrë, përfshirë një fokusim më të madh në reformat strukturore dhe sociale”, tha Johannes Hahn, Komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, i cituar në njoftimin e dërguar sot nga Zyra e BE në Kosovë.
“Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e vendeve në zgjerim drejt konsolidimit të mëtejshëm fiskal, veçanërisht duke pasur parasysh shqetësimet rreth niveleve të larta dhe ende në rritje të borxhit tek një numër i vendeve tona partnere. Në të gjitha vendet, besueshmëria fiskale dhe qëndrueshmëria fiskale do të përfitonin shumë nga një planifikim buxheti më transparent, nga korniza fiskale afatmesme më të fuqishme dhe paraqitje ose aplikimi konsistent i rregullave fiskale të përcaktuara mirë, të cilat mund të shpijnë tek pritjet”, tha Valdis Dombrovskis, Zëvendës President i Komisionit për Euro dhe Dialog Social.
“Në mes tjerash, Kosova është pajtuar që të themelojë një mekanizëm të pavarur për rishikim të politikës fiskale, për të siguruar se investimet publike mbahen mirë dhe zbatohen, dhe për të adresuar shkaqet themelore për normat e larta të interesit në kredi bankare. Autoritetet janë zotuar që do të zbatojnë planin e veprimit për ekonominë joformale dhe të rrisin sigurinë e energjisë, në veçanti përmes mbështetjes së masave për efikasitet të energjisë në sektorin e banimit. Kosova është pajtuar që të përgatisë një plan veprimi për të adresuar papunësinë e të rinjve, për të përmirësuar trajnimin e mësimdhënësve dhe pjesëmarrjen e femrave në tregun e punës si dhe për të fuqizuar Agjencinë e Punësimit”, tha Samuel Zhbogar, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së.
Udhëzuesi i aprovuar i politikave të përbashkëta bazohet në Programe të Reformës Ekonomike, të cilat autoritet i përgatisin për çdo vit dhe ua dorëzojnë BE-së në fund të muajit janar. Këto programe zhvillohen për tre vjet. Ato përbëjnë një kornizë të politikës makroekonomike dhe asaj fiskale si dhe reformat strukturore prioritare për rritjen e zhvillimit dhe të konkurrencës. Këto reforma strukturore shtrihen prej liberalizimit të tregjeve të energjisë, transportit dhe telekomit, duke adresuar normat shumë të lara të papunësisë, rritjen e cilësisë së sistemit arsimor, përmirësimin e mjedisit afarist dhe tërheqjen e investimeve midis tjerash.
Kjo detyrë nënkupton që të ndihmohen partnerët në zgjerim të BE-së për të rritur zhvillimin e tyre ekonomik dhe social, dhe për t’i mbështetur ata në plotësimin gradual të kritereve ekonomike për pranim, thekson njoftimi./b.j/
Sot nisin punimet për gazsjellësin TAP
Sot mbasdite, në Selanik zhvillohet ceremonia e përurimit të fillimit të punimeve për gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), tubacionit që do të transportojë gaz natyror nga rajoni i Kaspikut në drejtim të Europës. Kalimi i tij nëpërmjet Greqisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke përshkuar më pas detin Adriatik, me destinacion përfundimtar lidhjen me rrjetin italian të gazit natyror, shndërron Shqipërinë dhe Greqinë në dy nyje të rëndësishme energjetike në rajon.
Në ceremoninë e përurimit që do të hapet nga vet kryeministri grek, Alexis Tsipras, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në nivel të lartë edhe Shqipëria, me zv.kryeministrin Niko Peleshi dhe ministrin e Energjetikës, Damian Gjiknuri; Italia, si dhe shumë vende të korridorit të ri jugor, si Azerbajxhani, Gjeorgjia, Turqia dhe Bullgaria. Gazsjellësi do të sjellë fillimisht hapjen e mbi 8.000 vendeve të punës në Greqi dhe mbi 2.000 në Shqipëri, ndërsa më pas, mijëra vende të tjera pune do të krijohen nga kontratat e reja me kompani vendase dhe të huaja, si dhe nga stimulimi i aktivitetit ekonomik. Gjithashtu përfitim do të kenë edhe qytetarët e të dy vendeve nga përdorimi i gazit natyror.
Vlen të përmendet se, 10 ditë më pas në Athinë mbërrin edhe Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili sipas informacioneve ende të pakonfirmuara, do të sjellë propozime të reja për transportin e gazit natyror të “Gazprom”-it në BE, nëpërmjet shfrytëzimit të tubacionit në fjalë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 206
- 207
- 208
- 209
- 210
- …
- 225
- Next Page »