• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pronë e kujt ishte Pazari i Korçës ?

December 9, 2016 by dgreca


1-pazari-i-korces
Nga Vepror Hasani/Pazari i Korçës ishte pronë e Iljaz bej Mirahorit (themelues i qytetit) dhe i myslimanëve të Korçës. Askush tjetër nuk mund të bëhej dot pronar dyqanesh, hanesh, kafenesh, restorantesh, furra pjekjesh, sheshesh tregtimi, punishte zejtarish, magazinash etj. Pse ndodhi kështu? Gjithçka sqarohet në vijim, por fillimisht do të bëjmë një shpjegim të shkurtër çfarë përfaqëson Vakëfi.

I-Në vitin 1504-1505, Mirahori shpalli vakëf qytetin e Korçës ku jetonin myslimanët dhe fshatin Peskëpi ku jetonin ortodoksët. Të dy vendbanimet ishin prona personale të tij që nga viti 1496. Edhe Pazarin e shpalli Vakëf. Dekreti u firmos nga sulltan Bajaziti II. Vakëfet krijoheshin për qëllime bamirësie të përcaktuara. Të ardhurat shpenzoheshin për të vobektët, foshnjat, të sëmurët, jetimët, gratë e veja, pleqtë e vetmuar, për dhuratat e fëmijëve, për pajat e vajzave jetime, për librat dhe veshjet e nxënësve me rezultate të larta, për konvikte, për dijetarët, për kërkimet shkencore, për njerëzit që nuk lanin dot borxhet, për lirimin e robërve, për strehimin e të varfërve, për ndriçimin e rrugëve, për kurimin e kafshëve dhe shpendëve të sëmura ose të plagosura, për ruajtjen e ambientit, për sigurimin e ujit të pijshëm, për ndërtimin e rrugëve, urave, puseve, haneve, hamameve, karvansarajeve, mysafirhaneve etj. Gjithashtu vakëfet ishin qendra të mëdha punësimi. Njerëzorja ishte shndërruar në ndjenjën më fisnike të kohës. Francezi Comte de Bonneval shprehej i habitur: “Në vendin e osmanëve është e mundur të shohësh edhe turq të çmendur sa për të dhënë para për të paguar punëtorë që të ujisin pemë joprodhuese vetëm që të mos thahen (të mos vuajnë!) nga vapa!” ( O. N. Topbash, “Vakëfi, dhurimi dhe shërbimi”, f., 26)

II-Edhe qëllimi i Mirahorit ky ishte: t’u qëndronte njerëzve pranë. Me të ardhurat e Vakëfit u çelën shkolla, biblioteka, spitale, farmaci, qendra sociale (imareti), kuvendi i qytetarëve të Korçës, (i quajtur ndryshe “qoshku”), u sistemua lumi, u ndërtuan çezma, rrugë, sheshe, ura, kalldrëme, mulli pa pagesë, bezisteni, postë-telegrafa, kulla e sahatit, rrobalarësja, prodhimi i sapunit, furra gëlqereje etj. Nëpërmjet vakëfit njerëzit duhej të mësonin se në këtë jetë vlerë ka vetëm mirësia, bamirësia, falja, mëshira, të gjendurit pranë tjetrit kur ai ka nevojë, ndihmë me ç’të mundesh, moslënia vetëm e tij dhe pa shpresë për jetën. Këtë gjë e kishte vërejtur edhe De la Motraye te populli turk: “Tek turqit, edhe sikur dikujt t’i digjet shtëpia e t’i bëhet hi me gjithçka, nuk dëgjohen klithma grash e të qara fëmijësh siç ndodh me popujt e tjerë. Te njerëzit që e kanë humbur në këtë mënyrë tërë kamjen, shihet një nënshtrim dhe dorëzim i plotë tek Zoti. Ndërkaq, populli mirëbërës mbledh ndihma të mjafueshme, disa herë edhe mbi nevojat, për t’ia rindërtuar dhe shtruar shtëpinë familjes së dëmtuar.”( O. N. Topbash, “Vakëfi, dhurimi dhe shërbimi”, f., 32).

Për këtë arsye Mirahori e shpalli Pazarin vakëf dhe që nga ai çast ai ishte pronë vetëm e Allahut, që do të thotë pronë e njerëzve në nevojë. “Vakëf” ka kuptimin i palëvizshëm, përjetësisht vakëf; i patjetërsueshëm. Ndaj, vetëm pasi ishin ndihmuar të varfërit dhe ishin bërë punët publike të parashikuara, pjesa e mbetur e të ardhurave, shkonte për ngritje dyqanesh, zejtari, hane etj. Pazari zgjerohej nga viti në vit. Ky ishte rregulli nr.1 i Vakëfit.

III- Ligjet për funksionimin e Vakëfeve ishin të rrepta e të shkruara qartë. Ja disa prej tyre:

  1. Vakëfi konsiderohet si pronë vetëm e Allahut dhe nuk shitet, nuk dhurohet, nuk tjetërsohet, nuk trashëgohet dhe as nuk lejohet që në një mënyrë apo në një tjetër të humbasë rolin e tij si vakëf.
  2. Vakëfi ngelet përherë i tillë edhe nëse pronari i tij i parë ndryshon mendim.
  3. Vakëfi të mos jetë i përkohshëm por i përhershëm.
  4. Nëse vakëfi shitet, kjo shitje është e pavlefshme.
  5. Të respektohet destinacioni për të cilin ai është lënë vakëf nga pronari i tij i parë, si për shembull për të varfërit apo jetimët etj.

Pra, prej Vakëfit nuk mund të shitej asgjë; as truall, as ndërtesa, pasi kjo gjë me kalimin e kohës  tjetërsonte destinacionin dhe qëllimin e tij. Edhe në rast se shitja ndodhte, ajo ishte e pavlefshme. Pra, në Pazarin e Korçës askush nuk mund të bëhej dot pronar dyqanesh, kafenesh, hanesh, magazinash trojesh etj, përveç vakëflënësit Iljaz bej Mirahori, pasardhësve të tij-Mytevelinjve dhe myslimanëve të Korçës.

III-Tashmë, pas kësaj hyrjeje të shkurtër, dikush mund të thotë: Nga sa kuptuam më sipër, Vakëfi e kishte tejet të ndaluar të shiste pjesë të pasurisë së vet, atëherë pse myslimanëve u lejohej të blinin troje, bujtina, magazina etj, apo blerjet e tyre nuk e ndryshonin destinacionin e Vakëfit, kurse blerjet e ortodoksëve e tjetërsonin qëllimin bamirës të tij! Përgjigjja: si fshati Peskëpi ku jetonin ortodoksët ashtu edhe qyteti i Korçës ku jetonin myslimanët, u shpallën vakëfe, por Vakëfi nuk cënonte pronën private. Mitropolia kishte pronat e saj dhe shumë prej tyre i shiti për ndërtimin e kishës- Katedrale dhe kishën e Shën Gjergjit, që do të thotë se pronat e saj ruajtën atë pronar që kishin patur edhe pse fshati Peskëpi u shpall vakëf. Edhe banorët ortodoksë nuk i humbën pronat e tyre; ata shitën një pjesë të tyre (ara dhe kopështe) kur ato u bënë shumë të kërkuara nga banorët e fshatrave larg dhe afër Korçës, kurse myslimanët i kishin pronat edhe te pazari i Korçës (sepse jetonin në qytetin e Korçës) dhe me to mund të ngrinin dyqane, hane, kafene, punishte etj.

IV-Pyetja e dytë: Po hanin e Elbasanit kush e ngriti? Po të Manastirit, të Trebickës, të Vithkuqit, të Panaritit? Po hanin e Baba Aliut? A nuk ishin këto investime nga vetë pronarët e tyre? Mos vallë manastirjotët, elbasanllinjtë, panaritasit etj kishin patur prona në qytetin e Korçës?! Përgjigjja: Në Vakëf mund të investojë gjithkush që dëshiron, por në asnjë rast nuk mund të bëhet pronar i investimit të tij. Ajo që ndërtohet, i dhurohet Vakëfit; bëhet për bamirësi. Të ardhurat shkojnë për të varfërit dhe për vepra publike. Hanet e përmendura më sipër, nuk ka asnjë dyshim që kanë qenë kontribut i njerëzve nga zonat e përmendura: Manastir, Elbasan, Panarit, Vithkuq etj, por bamirësit e kërkojnë shpërblimin vetëm te Zoti: “Personi, i cili e kthen pasurinë e tij në vakëf, këtë e bën për të arritur shpërblimin e Allahut edhe pas vdekjes së tij.” Në rastë të tilla, hanet kishin statusin e mysafirhaneve ku udhëtarët, haxhinjtë, studentët, banorët e zonave përkatëse e njerëzit në nevojë pushonin falas. Hani i Baba Aliut u vinte në ndihmë besimtarve që vinin në malin e shenjtë të Tomorit ose shkonin drejt Mekës apo në vende të tjera të shenjta.

V-Pyetja e tretë: Po dyqanet a mund të jepeshin me qira? Përgjigjja: Dhënia me qira ishte e lejueshme. Vetë vakëfi ishte investim; shfrytëzimi i pasurive të tij nëpërmjet qirave siguronte të ardhura. Qiraja për ndërtesat jepej për një vit, për tokat bujqësore deri në tre vjet. Marrëveshja përsëritej çdo vit. Kontratat shumëvjeçare ishin të palejueshme, pasi ato  çonin në dëmtimin ose asgjësimin e plotë të vakëfit. “Përjashtohen rastet kur këtë e kërkon interesi i ndërtimit të vakëfit, dhe kjo duke marrë paradhënie qiranë e viteve të ardhshme. Në një rast të tillë kontrata e qirasë duhet të ripërsëritet vit për vit”. Qiraja jepej me vlerën e tregut, asnjëherë poshtë saj. Edhe për tokën-vakëf kishte rregulla të përcaktuara deri në detaje. Ajo mund të jepej me qira për një kohë të gjatë, të lihej në dorë të qiramarësit për çfarëdo që do të ndërtonte sipër saj, madje edhe me të drejtën të qëndronte në të dhe të ishte pronë e tij, por vetëm përsa kohë që paguante qiranë dhe kur plotësoheshin këto kushte:

“1. Kur vakëfi ishte  prishur dhe nuk përfitohet më prej tij.

  1. Kur administratorët e vakëfit nuk kanë mundësi financiare të investojnë në të.
  2. Kur nuk gjendet kush mund t’i japë administratorëve të vakëfit një borxh të mjaftueshëm për rindërtimin e tij.
  3. Kur nuk është e mundur që ky vakëf të zëvendësohet me një tjetër nga i cili do të merren të ardhura”.

Pra, të ishe pronar në pasurinë e Vakëfit, ishte e pamundur dhe e palejueshme; nëse ndodhte, akti i pronësisë ishte i pavlefshëm. Pronarë të Pazarit të Korçës ishin Mirahorët, pasardhësit e tyre – Mytevelinjtë, dhe myslimanët e Korçës.

*Shënim: Përsa i përket funksionimit të vakëfeve i jemi referuar artikullit: “Gjykimi fetar për disa çështje që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe investimin e vakëfeve.”

 

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: e mirahorit, Pazari i Korces, prone

Banka Botërore në 16 vjet, 400 milionë dollarë amerikanë për Kosovën

December 6, 2016 by dgreca

Banka Botërore në 16 vjet, 400 milionë dollarë amerikanë për Kosovën/

unnamed-6 PRISHTINË, 6 Dhjetor 2016/ Banka Botërore që nga viti 2000, ka ofruar apo menaxhuar rreth 400 milionë dollarë amerikanë për Kosovën, nëpërmjet mëse 40 operacioneve, përfshirë përkrahjen në shëndetësi, arsim, reformën e tokës, bujqësi, sektorin e ujit, sektorin e energjisë, politikat sociale, sektorin financiar dhe të tjerë.Kështu tha sot në Prishtinë drejtoresha e BB-së për Evropën Juglindore, Ellen Goldstein, në takim me Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti  dhe Industri të Kuvendit të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari Muhamet Mustafa. “Grupi i Bankës Botërore ka qenë një partner i qëndrueshëm i Kosovës në 16 vitet e kaluara, duke e  përkrahur rritjen ekonomike dhe rimëkëmbjen e pas-konfliktit, përfshirë edhe gjatë pavarësimit tuaj si shtet”, u shpreh drejtoresha Golddstein dhe siguroi për përkrahje edhe në të ardhmen. Ndërohë, gjatë ditës, Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore diskutuan për  Kornizën e Partneritetit të Vendit për vitet 2017-2021./b.j/

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: 400 milione, Banka Boterore

Kosova pas njohjes përfiton nga Programi i Bashkëpunimit të Singaporit

December 6, 2016 by dgreca

enver-hoxhaj-vivian-balakrishnan-Kosova nga fuqia ekonomike zhvillimore e Singaporit do të fillojë të përfitojë menjëherë në shumë fusha, veçmas nga Programi i Bashkëpunimit i Singaporit (SCP)/PRISHTINË, 6 Dhjetor 2016/ Njohja e Republikës së Kosovës nga Singapori tashmë ka dhënë rezultatin e parë.  MPJ në njoftimin e dërguar thekson se, prej tash Republika e Kosovës nga fuqia ekonomike zhvillimore e Singaporit do të fillojë të përfitojë menjëherë në shumë fusha, veçmas nga Programi i Bashkëpunimit i Singaporit (SCP). Ky program është themeluar në vitin 1992 për të shërbyer si platformë primare, përmes të cilit Singapori ofron asistencë teknike për vendet e tjera. Singapori do të ndajë përvojën dhe ekspertizën e tij, në mënyrë të veçantë, në zhvillimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin ekonomik me Kosovën, duke ofruar specializime për nëpunësit publikë të Kosovës. Për  fillimin e zbatimit të këtij programi në Kosovë, që nga janari i vitit të ardhshëm,  janë dakorduar ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj dhe homologu i tij nga Singapori, Vivian Balakrishnan.

Nga ky program, Kosova çdo vit do të dërgojë nëpunësit civilë të saj për të marrë njohuri nga përvoja e Singaporit në zhvillimin ekonomik.Deri më sot, SCP ka trajnuar mbi 100.000 zyrtarë qeveritarë nga 170 vende. Çdo vit, Singapori realizon rreth 300 kurse specializimi për rreth 7.000 zyrtarë qeveritarë nga e gjithë bota. Specializimet ofrohen në një gamë  të fushave të tilla si, qeverisja publike dhe administrata, tregtia dhe zhvillimi ekonomik, mjedisi dhe planifikimit urban, aviacioni civil, transporti publik, arsimi, shëndetësia, si dhe teknologjia e informacionit dhe e komunikimit (TIK).Singapori javën që shkoi u bë vendi i 113 që e njohu Republikën e Kosovës dhe me të cilin u vendosën marrëdhëniet diplomatike. Ministri Hoxhaj së shpejti pritet të realizojë një vizitë zyrtare në Singapor./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: kosova, perfiton, Programi i Bashkëpunimit të Singaporit

Kontestohen shifrat për uljen e papunësisë në Kosovë

November 30, 2016 by dgreca

1-prishtineShifrat rreth shkallës së papunësisë në Kosovë, të publikuara nga Agjencia e Statistikave, nuk janë shumë të besueshme për ekspertët, por edhe qytetarët. Disa qytetarë të anketuar, nuk besojnë se ka ulje të shkallës së papunësisë, ashtu siç rezulton në anketën e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.Sipas rezultateve të anketës së Fuqisë Punëtore të ASK-së, për tre mujorin e dytë të këtij viti, thuhet se shkalla e papunësisë ka rënë në 26.2 për qind nga 32.9 për qind sa ka qenë vitin e kaluar.Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15 deri në 24 vjeç.

Kurse sa u përket të punësuarve, rreth 29 për qind e personave të punësuar kanë kontrata të përhershme në punën e tyre, kurse 71 për qind, kanë kontrata të përkohshme. Egzona Krasniqi, studente në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, thotë se nuk beson që në realitet është ulur shkalla e papunësisë. Një ulje e tillë, sipas saj, mund të ndodh në letra për shkak të interesave të caktuara të partive politike

“Duhet të rinumërohet apo të gjendet numri i saktë i të punësuarve dhe të dihet saktë se sa të papunë qëndrojnë në mënyrë vullnetare në shtëpi”. “Ajo normë, ajo përgjigje, nuk është duke u matur në Kosovë dhe si rezultat i kësaj nuk ka ulje drastike të papunësisë, ashtu siç është shprehur edhe ministri i punës Arban Abrashi”, thotë Krasniqi.

Ngjashëm mendon edhe Flora, qytetare nga Prishtina. Ajo madje përmend mbylljen e shumë bizneseve, nga të cilat qytetarët kanë mbetur pa punë.

“Deri më tani nuk kam vërejtur se ka rritje të numrit të të punësuarve. Shumë biznese janë mbyllur për shkak të tatimeve dhe gjërave tjera që nuk janë në rregull. E kur mbyllen bizneset niveli i papunësisë rritet”, ka thënë kjo qytetare.

Ndërkohë, udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thonë se kohëve të fundit ka pasur disa lëvizje pozitive në këtë drejtim. Por, sipas tyre, nuk është e besueshme që niveli i papunësisë ka rënë në 26 për qind.

Haxhi Arifaj, kryetar i kësaj sindikate, konsideron se në terren shkalla e papunësisë mund të jetë mbi 40 për qind.

“Nganjëherë, ne duhet të kemi prirje tu besojmë mekanizmave shtetëror, por megjithatë në terren tregohet më ndryshe, për një papunësi që mund të arrijë deri në 40 për qind”.

“Por, brenga më e madhe për ne është se nuk mund të kemi statistika të sakta në asnjë mekanizëm shtetëror, për shkak se njerëzit nuk lajmërohen në zyrat e punësimit, për shkak se nuk besojnë se mund të sigurojnë një vend pune”, ka thënë Arifi.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, shprehen të rezervuar sa u përket rezultateve të ASK-së.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, (STRAS) Ibrahim Rexhepi, nuk beson se këto anketa prezantojnë gjendjen reale në të cilën është Kosova.

“Sa për ilustrim, unë po përmendi vetëm një fakt, që në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës në fund të shtatorit kanë qenë më pak kontribues aktivë se sa në fund të dhjetorit të vitit të kaluar”. 

“Norma prej 26.2 për qind, është një normë që më shumë kisha thënë e ka dozë të fabrikimit se sa është një perceptim i situatës reale”, ka thënë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Publikimi i këtyre rezultateve ka hapur debat edhe në mes partive në pushtet dhe atyre opozitare.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shkruar në profilin e tij në rrjetin social Facebook se trendi i shkallës së uljes së papunësisë është rezultat i rritjes ekonomike, që sipas tij, për këtë vit konsiderohet më e larta në Evropë.

Kurse zyrtarë nga partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë deklaruar se nuk besojnë në rritjen ekonomike që po prezantohet dhe as në shifrat për uljen e papunësisë. (Nadie Ahmeti REL) 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Papunesia ne Kosove, shifrat kontensohen

PROJEKTLIGJI PËR BUXHETIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS PËR VITIN 2017

November 23, 2016 by dgreca

KOSOVE- LAJMI I FUNDIT: KOMISIONI PARLAMENTAR PËRKRAHU NË PARIM PROJEKTLIGJIN PËR BUXHETIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS PËR VITIN 2017/

1 Qeveria e Kosoves ok-Komisioni përkrahu edhe kërkesën e Ministrisë së Diasporës,  për mbështetje financiare lidhur me manifestimin për: “Ditët e javës së kulturës në diasporë”/

Buxheti i Republikës së Kosovës, i paraparë për vitin 2017, do të jetë 2 miliardë e një milion euro, tha ministri i Ministrisë së Financave Avdulla Hoti, gjatë prezantimit të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të  Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar.

Ky Projektbuxhet, tha në vijim ministri Hoti, bazohet plotësisht në dokumentet strategjike që i ka të aprovuara Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, përfshirë këtu edhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, Programin e Qeverisë dhe Programin  për Reforma Ekonomike.

Ai më pas sqaroi se lidhur  Projektligjin për Buxhetin, paraprakisht janë konsultuar të gjitha organizatat buxhetore, përfshirë edhe komunat, ndërkaq, anëtarët e Komisionit i siguroi se ndarja e mjeteve është bërë në mënyrë shumë të balancuar. Duke folur për investimet e parapara, ministri Hoti, sqaroi në detaje investimet në secilin sektor të paraparë. Me këtë projektbuxhet, vijoi ministri, synojmë të arrijmë dy objektiva: të krijojmë hapësirë më të madhe për investime kapitale, si  dhe  t’i mbajmë nën kontrollë shpenzimet rrjedhëse.

Pasi që njoftoi se projektbuxheti  i propozuar është i harmonizuar në tërësi me qëndrimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ministri u shpreh i bindur se, buxheti i paraparë për vitin që vjen, do ndikojë në një rritje ekonomike më të lartë se 4%.

Pas kësaj, anëtarët e komisionit zhvilluan debat lidhur me Projekt-buxhetin e propozuar, ndërkaq, përfaqësuesit e opozitës, pasi shprehën vërejtjet dhe  mospajtimin e tyre lidhur me këtë projektligj, u deklaruan kundër edhe gjatë procesit të votimit.

Ky projektligj, ndonëse (me shumicë votash) u përkrah në parim nga anëtarët e komisionit, kundër votoi edhe deputeti, Shukri Buja (PDK), përfaqësues i koalicionit qeverisës në Komision.

Në këtë mbledhje, Komisioni përkrahu edhe kërkesën e Ministrisë së Diasporës,  për mbështetje financiare lidhur me manifestimin për: “Ditët e javës së kulturës në diasporë”.

Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi dhe  përkrahu edhe këto projektligje: Projektligji për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Legjislacion,   Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër   Korrupsionit, Raportin me rekomandime për Projektligjin për Ndihmën Shtetërore dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-115 dhe Ligjin nr. 04/L-16

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: PËR BUXHETIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR VITIN 2017, Projektligjin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 208
  • 209
  • 210
  • 211
  • 212
  • …
  • 241
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Jared Kushner had better drop out of his Albania project—for his own good
  • Janina e vitit 1897, kryeqyteti i Shqipërisë në perceptimin e shtypit ndërkombëtar
  • REKOMANDIME STRATEGJIKE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS – FORCIMI I INSTITUCIONEVE, DIPLOMACISË DHE KULTURËS SHTETËRORE TË MIRËNJOHJES
  • ANTHONY ATHANAS, SHQIPTARI QË NDEROI AMERIKËN DHE NUK HARROI KURRË SHQIPËRINË
  • “Malet e ndaluara” të Dino Buxatit…
  • “Shënpoeti” Petrit Ruka
  • Familja, miqtë dhe komuniteti shqiptar në New York e Connecticut përcollën në banesën e përjetshme me nderim e respekt Manika Koci Malotën
  • ROBERT LULGJURAJ – NJË KANDIDATURË QË ZGJOI, BASHKOI DHE KRENAROI KOMUNITETIN SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Presidenti Wilson, Konferenca e Paqes, Çështja Adriatike dhe fati i Shqipërisë
  • Arbëreshët e Italisë, një histori italiane që kërkon të njihet
  • Republika në udhëkryq, kur ndryshimi i sistemit bëhet detyrim kombëtar
  • Pullat e taksës shqiptare dhe kontributi i Mirgen Shamllit në studimin e tyre
  • Kapitalizmi shqiptar dhe urrejtja komuniste…
  • At Leonard de Martino, Ati françeskan që mëkoi me dije dhe dritë, At Gjergj Fishtën, shpirtin dhe penën e shërbesës së shqiptarisë
  • ANSAMBLI I HASIT “PJETËR BOGDANI”– AMBASADOR I FOLKLORIT HASJAN DHE I KULTURËS KOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT