
Prof. Besim Muhadri/
Ansambli i Hasit “Pjetër Bogdani” nga Kruma, është një nga vlerat më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore të kësaj treve dhe një nga përfaqësuesit më dinjitozë të folklorit shqiptar. I lindur nga dashuria e madhe e njerëzve të Hasit për këngën, vallen dhe traditën popullore, ai është shndërruar ndër vite në një institucion të mirëfilltë kulturor, ku janë ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi vlerat më autentike të kësaj krahine.
Që nga paraqitjet e para në skenat folklorike, Ansambli i Hasit ka tërhequr vëmendjen me origjinalitetin e repertorit, me kostumet tradicionale, me forcën e interpretimit dhe me ruajtjen besnike të elementeve burimore të kulturës hasjane. Kënga me çifteli e sharki, vallja burrërore e elegante, melodia e lahutës e fyellit dhe ritmet e veglave popullore janë bërë shenja dalluese të këtij ansambli. Në rrugëtimin e tij artistik, Ansambli i Hasit ka qenë pjesëmarrës në veprimtari dhe festivale të rëndësishme folklorike, duke përfaqësuar jo vetëm Hasin, por edhe vlerat e kulturës shqiptare. Paraqitjet e tij në skena të ndryshme kanë dëshmuar se folklori i kësaj treve ka një pasuri të jashtëzakonshme artistike dhe një identitet të fuqishëm.
Vlerat e këtij ansambli janë vënë në pah edhe nga personalitete të njohura të etnologjisë dhe folkloristikës shqiptare. Studiues dhe njohës të traditës kanë vlerësuar autenticitetin, nivelin artistik dhe ruajtjen e elementeve të rralla të folklorit hasjan.
Historia e Ansamblit të Hasit është mbi të gjitha historia e njerëzve të tij. Është historia e rapsodëve, këngëtarëve, valltarëve dhe instrumentistëve që ia kushtuan talentin dhe jetën ruajtjes së traditës.
Në mesin e rapsodëve më të shquar zënë vend të veçantë Hysen Dida dhe Rrustem Çela, njëkohësisht dy mjeshtër të njohur të këngës por edhe të sharkisë dhe çiftelisë, të cilët me interpretimet e tyre i dhanë zë dhe famë këngës hasjane. Krahas tyre, në historinë e ansamblit mbeten emra të paharruar Musa Dauti, Dan Ngjeçi, Halil Shurbi, Sali Mazrreki, Hamit Kastrati, Përparim Brati, Ramazan Laçi, Muharrem Dibra, Nebi Dauti, Isuf Dajçi, Gani Cahani, Tafil Asllani, Egzon Dida, Gëzim Morina, Avni Metalia, Rifat Mula, Ymerli Koka, Blerina Dibra, Ganimete Dibra, Futi te libri edhe Beqë Lleshi, Ylli Shuti, Dinë Morina, Afërdita Pepkola, Farije Tuta, Ilirjeta Krasniqi etj., të cilët me zërin dhe interpretimin e tyre kanë pasuruar thesarin artistik të ansamblit.
Një vend të veçantë në këtë histori u takon edhe instrumentistëve virtuozë. Rifat Brati me lahutën e tij, Ali Zymeri me kontributin në orkestër, Zog Smajl Sheta me bishnicë, Ymerli Lusha dhe Fatmir Peka me def, Avni Sheta dhe Muharrem Dibra me fyell, si dhe Osman Ballmi e Dullë Mazrreki me interpretimin karakteristik me gjethe, janë pjesë e mozaikut të madh artistik të Ansamblit të Hasit. Nuk duhet anashkaluar kontributet e këngëtarëve të rinj Lauris Brati e Albin Koka, por as të Selami Kastratit, Imer Dautit, Shkëlzen Malajt e Kujtim Sokolit.
Vallja hasjane, një nga shprehjet më të fuqishme të identitetit të kësaj treve, është ruajtur dhe promovuar nga valltarë të shquar si Rexh Selimi, Qazim Çela, Jemin Geca, Dylber Geca, njëri nga themeluesit e SHKA “Çeta e Profetëve”, si dhe ruajtës dhe kultivues i traditave etnografike të Hasit, pastaj Selim Ballmi, Skënder Seli dhe Luan Sadria etj. Përmes tyre, bukuria, forca dhe eleganca e valles së Hasit kanë marrë duartrokitjet e publikut në shumë skena. Një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe grupet e vajzave, të cilat me kostumet tradicionale, këngët dhe vallet e tyre kanë sjellë në skenë hijeshinë dhe brishtësinë e folklorit hasjan, duke i dhënë ansamblit një dimension të plotë artistik.
Krahas artistëve, meritë të veçantë kanë edhe krijuesit dhe studiuesit që kanë dokumentuar dhe ruajtur kujtesën e këtij institucioni. Profesor Sejdi Dida dhe Adem Derri janë ndër ata që me shkrimet dhe angazhimin e tyre kanë ndihmuar në ruajtjen e historisë së Ansamblit të Hasit dhe të vlerave të folklorit të kësaj treve. Një figurë themelore në këtë rrugëtim është Hasan Peka – personaliteti që me vizionin dhe përkushtimin e tij i dha një shtysë të fuqishme zhvillimit të kulturës hasjane. Ai la pas një trashëgimi të çmuar përmes punës me ansamblin dhe Muzeun Etnografik të Hasit, duke u bërë një emër i përjetshëm në historinë kulturore të krahinës.
Sot, Ansambli i Hasit “Pjetër Bogdani” vazhdon të mbetet një simbol i identitetit dhe krenarisë së kësaj treve. Ai është një urë që lidh të kaluarën me të tashmen, një shkollë ku tradita mësohet dhe përcillet, si dhe një dëshmi se kultura popullore është një nga pasuritë më të mëdha të një kombi.
Artistët e Ansamblit të Hasit janë ambasadorët e shpirtit hasjan. Ata kanë ruajtur këngën, vallen dhe melodinë e kësaj toke, duke e bërë Hasin të dëgjohet larg dhe duke e vendosur folklorin e tij ndër vlerat më të çmuara të kulturës shqiptare.
P.S: Për krijimin e këtij shkrimi, u bë “sebep” një poezi kushtuar Ansamblit, që këto ditë më dërgoi veteranja e arsimit dhe e kulturës hasjane, njëherësh ndër promotorët e aktiviteteve dhe sukseseve të Ansamblit “Pjetër Bogdani”, Shkurte Shtari- Mula, të cilës i jam shumë mirënjohës.