
Prof. Dr. Pal Nikolli/
Më se një shekull më parë, përpara se kufijtë politikë të Ballkanit të vizatoheshin nga traktatet e Luftërave Ballkanike, bota perëndimore e shihte dhe e dokumentonte ndryshe gjeografinë etnike të rajonit tonë. Një dëshmi e jashtëzakonshme e këtij perceptimi vjen nga një numër i rrallë gazete e botuar në San Francisco më 17 prill 1897. Përmes një skice të imët dhe një teksti konciz por me peshë të rëndë gjeopolitike, ky dokument na kthen pas në kohë, në agun e Luftës Greko – Turke të vitit 1897, duke na prezantuar një të vërtetë historike të shkruar qartë: “Janina, Kryeqyteti i Shqipërisë” (Janina, the Capital of Albania).
I. Peizazhi dhe gjeografia vizuale: Kalaja mbi liqen
Ilustrimi, i realizuar me teknikën klasike të vizatimit me penë dhe mbyllje të hijeve (tipike për gazetarinë e kohës para dominimit të fotografisë), ofron një pamje pothuajse romantike, por njëkohësisht ushtarake dhe strategjike të qytetit.
Në sfond lartësohen vargmalet e thurura të Pindit, të cilat rrethojnë fushëgropën e Janinës si një mburojë natyrore.
Në qendër të kompozimit ngrihet Kalaja e Janinës (Kastro), e pozicionuar mbi gadishullin karakteristik. Muret mbrojtëse të gurtë, kullat vrojtuese dhe strukturat e brendshme të kalasë, ku dikur sundonte Ali Pashë Tepelena, dëshmojnë për rëndësinë fortifikuese të këtij qyteti. Në plan të parë, rruga që të çon drejt portës së kalasë dominohet nga figura njerëzore: kalorës me armë të gjata dhe udhëtarë në këmbë të veshur me kostume tradicionale që të kujtojnë fustanellën shqiptare dhe veshjet karakteristike të Epirit të asaj kohe.
II. Analiza e tekstit dhe ekoja politike e kohës
Nëse skica tërheq syrin me bukurinë e saj dokumentare, teksti shoqërues mbart vlerën e vërtetë historiografike. Gazeta e përshkruan Janinën si “një nga qytetet më piktoreske në Turqinë Evropiane”, duke pasqyruar realitetin administrativ të kohës kur Shqipëria dhe rajoni i Epirit ndodheshin ende nën sovranitetin e Perandorisë Osmane (Vilajeti i Janinës).
Megjithatë, përcaktimi i menjëhershëm i saj si “Kryeqyteti i Shqipërisë” zbulon se në vetëdijen gjeografike dhe kulturore të opinionit publik amerikan, Janina konsiderohej si qendra kryesore urbane, kulturore dhe administrative e trevave shqiptare.
Teksti po ashtu lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet ushtarake të momentit:
”Raportohet se trupa të parregullta greke kanë patrulluar shumë afër mureve të qytetit dhe vetëm pak ditë më parë komunikimi telegrafik mes Janinës dhe Elasonës, selisë qendrore turke, u ndërpre.”
Kjo fjali kap saktësisht tensionin e javës së parë të Luftës Greko-Turke të vitit 1897. Ndërprerja e telegrafit dhe afrimi i trupave greke (andartëve) te muret e qytetit tregojnë se Janina ishte bërë objektivi kryesor strategjik i luftimeve në frontin e Epirit, një betejë ku mbrojtja e qytetit dhe e rrethinave të tij u bë vendimtare edhe për fatin e popullsisë shqiptare lokale.
III. Vlera dokumentare: Një dritare mbi të shkuarën
Ky dokument i vitit 1897 nuk është thjesht një artikull i vjetër gazete; ai është një hartografim mental i kohës. Ai dëshmon se përpara se lëvizjet e mëdha gjeopolitike të shekullit të 20-të të sanksiononin kufijtë e sotëm shtetërorë, bota e njihte Janinën si pjesë të pandashme të arteries kombëtare dhe gjeografike shqiptare. Për çdo studiues të historisë, kartografisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Ballkan, kjo faqe gazete mbetet një provë e gjallë e identitetit historik të rajonit.