
Agim Baçi/
Te rrëfimet e Dino Buxatit veshi qëndron afër zemrës së njeriut. Buxati i drejtohet lexuesit si një i njohur i vjetër i tij, por nuk ja lehtëson aspak udhët që i duhet të bëjë gjithkush prej nesh për të njohur jetën dhe veten. Por për të ka rëndësi të veçantë sidomos udha që do të na duhet të bëjmë për ruajtjen e dinjitetit tonë. Bëhet fjalë për atë përpjekje që ndodh brenda nesh për të mos pranuar dorëzimin e përditshëm ndaj së pushtetshmes, për atë përpjekje që duhet të kemi për të ruajtur sytë dhe zemrën përballë dëshirës së pushtetit që ne të shohim vetëm atë që na sugjerohet. Ashtu siç ndodh në tregimin “Malet e ndaluara”, ku gjithçka nis në lokalin e një fshati, ku mali nuk përmendet më nga askush prej banorëve të zonës dhe gjithçka për malet vetëm nënkuptohet, pasi pushtetit ka vendosur që malet të mos quhen të tilla e të mos flitet më për to.
Në fillim të duket një fantazmagori, ashtu siç i duket dhe udhëtarit në atë fshat i cili nuk di se si të marrë heshtjen e banorëve të zonës, mungesën e përgjigjes së tyre, për atë që ka parë udhës drejt lokalit por që nuk mund ta shquajë më nga dritaret e lokalit.
“Me ligj është e ndaluar të merresh me malet, as të ngjitesh në to, as të flasësh për to, e mundësisht, as mos t’i hedhësh sytë fare. “Mundësisht” kështu thotë ligjvënësi, duke nënkuptuar, se ky është një pretendim i tepërt. Ata janë gjithnjë mbi qytet, në anën veriore, ditë e natë shkëlqejnë. Kur vjen një i huaj dhe na pyet: “Më falni, ai është mali Mezola, ajo është kreshta e Lorres?”. Ne me sytë përtokë, i përgjigjemi me një buzëqeshje të njerëzishme: “Na falni, zotëri, po nuk e dimë, nuk jemi njerëz praktikë” dhe hedhim sytë përreth mos ndodhet aty rrotull ndonjë spiun.
Tani kemi vendosur mos t’i shikojmë. Me pak vullnet të mirë, mund të mësohesh mos tua prishësh qejfin qeveritarëve tanë.
Tani ato, (malet) për ne sikur nuk ekzistojnë dhe janë të përjashtuar nga ngjarjet e përditshme të jetës. Megjithatë nganjëherë pa dashje, u hedhim ndonjë shikim kalimthi, por shpejti i ulim sytë, për t’u treguar të matur dhe mundohemi t’i harrojmë. Kush e di a janë të kthjellta, apo të mbuluara me re, të veshura me borë, apo të djegura nga dielli! Nuk duam të dimë, sepse kemi nderim të madh për ligjet, të cilat ne nuk i kuptojmë, po që patjetër janë hartuar për të mirën tonë dhe të fëmijëve tanë”, thuhet në fillim të rrëfimit të Buxatit.
Realiteti dhe shkallimi ynë duket sikur janë në të njëjtën karrige në atë lokal, dhe pamja e fytyrës sonë varet vetëm nga ajo që do guxojmë të shohim. Por, a mund të besosh se dikush mund të kundërshtojë apo të debatojë për vendimet qe merren ndaj tij apo ndaj një komuniteti të tërë, kur nuk ai apo ata nuk kanë guxim të pohojnë se përpara tij apo përpara tyre ndodhet një mal? Buxati i vë personazhet të zhytur në autoironinë e tyre për justifikimet e pafund që u duhet të gjejnë për të mos parë atë që shihet nga dritarja që ose e kanë mbyllur, ose e kanë prishur vetë, ose dëshirojnë ta mendojnë se nuk hapet.
Dhe në fakt, “malet e të vërtetave” shpesh janë afër nesh, ngjitur me përditshmërinë tonë, ngjitur me kolegët apo fqinjët tanë. Çdo pushtet ka tentuar që këto “male” të mos i konsiderojë, apo t’i quajë më së shumti mirazhe. Por asnjë pushtet nuk mund t’ia arrijë t’i zhdukë “këto male” pa pasur aleat heshtjen përballë pranisë së këtyre maleve, heshtjen tonë ndaj asaj që shohim dhe nuk mundet ta themi me zë të lartë. Kushdo që do të zhytet në botën e pafundme të justifikimeve për atë që nuk mundi ta thotë me zë të lartë, do kërkojë më pas ta shohë në ëndërr, por pa mundur të ketë zë dhe sy. Dhe, Buxati e mbyll rrëfimin duke na kujtuar se, për të parë të vërtetën përpara teje duhet të jesh i denjë për të!
“Pas saj janë malet, të ngarkuara me natë, me fytyrat e tyre të errëta e të fuqishme, ata qëndrojnë sipër nesh. Kurse ne nuk jemi të denjë për ta”!(Malet e ndaluara).
Foto: www.britannica.com