
Dr. Bledar Prifti
Clearwater, Florida/
Në Shqipëri, fjala “oligark” është bërë sinonim i një klase që pasurohet jo nga puna e ndershme dhe rreziku sipërmarrës, por nga lidhjet e ngushta me pushtetin. Tenderat, koncesionet dhe pronat shtetërore shndërrohen shpesh në pasuri personale, ndërsa mijëra qytetarë mbeten të varur nga rrogat minimale, korrupsioni endemik ose nevoja e dëshpëruar për të emigruar. Shumëkush e quan këtë sistem kapitalist, por kjo është një gënjeshtër e madhe. Përdorimi i pushtetit shtetëror për pasurim personal nuk është kapitalizëm. Ai është thjesht plaçkitje e organizuar.
Gjithësesi, ky kapitalizëm i rremë nuk është shpikje shqiptare, por një plagë e thellë që prek pothuajse çdo vend në zhvillim apo ish-komunist. Në të vërtetë, Shqipëria nuk kaloi kurrë nga komunizmi në kapitalizëm të vërtetë. Sistemi nuk ka ndryshuar shumë në thelb. Pushteti, që dikur ishte qëllim në vetvete për të ruajtur kontrollin absolut, është kthyer thjesht në instrument për pasurim personal të grupeve të caktuara. Kapitalizmi i vërtetë bazohet në të drejtën e pronës private, shfrytëzimin e saj të lirë, konkurrencën e ndershme dhe maksimizimin e përfitimit në një treg të hapur e të rregulluar nga ligji. Ne, në vend të kësaj, kemi ndërtuar një “kapitalizëm klientelist” (crony capitalism), ku suksesi varet nga lidhjet politike, jo nga aftësia për të krijuar vlerë.
Shqipëria ka shumë oligarkë dhe pak biznesmenë të vërtetë. Kjo e bën pothuajse të pamundur dallimin mes tyre.
Por imagjinoni sikur të gjithë oligarkët të ishin si Gjergj Luca. Ai nuk lindi nga ndonjë elitë politike. Në vitin 1992 filloi nga e para, me një varkë të vogël peshkimi, punë të rëndë fizike dhe rrezik të përditshëm. Prej asaj varke lindi “Rozafa”, kompania që u bë lider në peshkim dhe përpunim të produkteve të detit. Sot ai punëson mijëra njërëz në nevojë, paguan rroga dinjitoze, mbështet familje të tëra, dhe eksporton miliona dollarë në vit. Ai nuk mori gjë falas nga shteti si shumë të tjerë, por transformoi bunkere e depo armësh komuniste në fabrika moderne. Ky është kapitalizmi autentik, kapitalizëm i bazuar në pronë private, punë e palodhur dhe vlerë që shpërndahet te punonjësit, furnitorët dhe shteti nëpërmjet taksave.
Në të kundërt, oligarkët e tjerë kapin shtetin me tendera të dyshimtë, monopole të mbrojtura politikisht dhe koncesione favorizuese, duke krijuar pak ose aspak vende pune reale. Pasuria e tyre vjen kryesisht nga pushteti, jo nga tregu i lirë. Kur qytetarët shohin këtë realitet, nuk fajësojnë dështimin e sistemit, por vetë sistemin: “Kështu është kapitalizmi.” Dhe pikërisht këtu fillon tragjedia.
Ky dështim i vendosjes së një kapitalizmi autentik është arsyeja kryesore e rritjes së sentimentit filokomunist. Pas 1991-shit ne nuk ndërtuam rregulla të qarta, pronësi të shenjtë, gjyqësor të pavarur dhe konkurrencë të lirë. Në vend të tyre lindën klientelizmi dhe korrupsioni sistemik. Të varfërit dhe klasa e mesme shohin se suksesi nuk vjen nga puna apo inovacioni, por nga afërsia me pushtetin. Kjo krijon një padrejtësi të thellë e të padurueshme.
Njerëzit fillojnë të idealizojnë komunizmin: “Të paktën atëherë ishim të barabartë dhe kishte punë të garantuar.” Por kjo nostalgji është iluzore dhe toksike. Komunizmi dështoi sepse mohoi pronën private, lirinë ekonomike dhe motivimin individual. Mbi të gjitha, ai krijoi kulturën e urrejtjes ndaj suksesit, një helm vdekjeprurës ku fatkeqësia e njërit i faturohej suksesit të tjetrit. Kjo urrejtje justifikoi varfërinë e përgjithshme, ktheu njerëzit në skllervër që fajësojnë të tjerët në vend që të reflektojnë mbi veten dhe të ndryshojnë ambientin. Ajo mbetet e gjallë edhe sot, duke ushqyer nostalgjinë komuniste.
Kur kapitalizmi që përjetojmë është i rremë, si një garë e pandershme për kapjen e shtetit, besimi te tregu i lirë dhe te iniciativa private shembet plotësisht. Njerëzit thonë me hidhërim: “Të paktën në komunizëm padrejtësia nuk ishte kaq e hapur dhe e paturpshme.”
Zgjedhja për ne është e qartë dhe urgjente. Ne nuk kemi nevoj për një propagandë të thjeshtë antikomuniste, por për ndërtimin e një kapitalizmi autentik ku ligji është i njëjtë për të gjithë, pronësia mbrohet me forcë, korrupsioni ndëshkohet rëndë dhe ku modeli Luca bëhet rregull, jo përjashtim. Vetëm kështu do të mësojmë të vlerësojmë suksesin në vend që ta urrejmë.
Sikur oligarkët tanë të ishin si Luca dhe sikur ne shqiptarët të çliroheshim njëherë e përgjithmonë nga urrejtja komuniste ndaj suksesit, Shqipëria do të kishte shumë më pak nostalgji për të kaluarën dhe shumë më shumë shpresë për të ardhmen. Sepse njerëzit nuk urrejnë pasurinë e krijuar me punë dhe vlerë. Ata urrejnë vetëm atë që vjen nga pushteti dhe padrejtësia. Në të kundërt, nëse vazhdojmë kështu, ardhja e “revolucionarëve” të rinj është vetëm çështje kohe. Ata do të sjellin mbretërinë e tyre të urrejtjes, e cila do të shkatërrojë jo vetëm ekonominë, por edhe vetë të ardhmen e kombit.