
Nga Rafael Floqi/
Në fillim të vitit 1919, ndërsa Konferenca e Paqes në Paris po vendoste hartën e re politike të Evropës pas Luftës së Parë Botërore, Shqipëria gjendej përballë rrezikut më të madh që kishte njohur që nga shpallja e pavarësisë. Marrëveshjet e fshehta të kohës së luftës, veçanërisht Pakti i Londrës i vitit 1915, parashikonin copëtimin e territorit shqiptar ndërmjet Italisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Përballë kësaj diplomacie të vjetër evropiane që bazohej mbi pazaret territoriale, Presidenti amerikan Woodrow Wilson solli në Paris një filozofi të re politike: të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe refuzimin e traktateve të fshehta. Pikërisht për këtë arsye, çështja shqiptare u bë pjesë e debateve më të rëndësishme të delegacionit amerikan.
Procesverbalet e mbledhjeve të përditshme të Komisionerëve Fuqiplotë amerikanë hedhin dritë mbi mënyrën se si administrata e Presidentit Wilson analizonte fatin e Shqipërisë.
Më 19 shkurt 1919, në një mbledhje ku merrnin pjesë Sekretari i Shtetit Robert Lansing, Henry White, Gjenerali Tasker Bliss dhe këshilltarët amerikanë, u dëgjua dëshmia e Gjeneral Brigade George Phillips, ish-komandant i forcave ndërkombëtare në Shqipëri. Ai nuk paraqiti vetëm një raport ushtarak, por një analizë të plotë politike dhe historike mbi vendin që Shqipëria duhej të zinte në rendin e ri evropian. Në dëshminë e tij gjendet një nga vlerësimet më pozitive që një zyrtar britanik ka bërë ndonjëherë për shqiptarët. Phillips deklaroi se shqiptarët ishin “një popull më i pastër se çdo popull tjetër në Evropë”, me moral të lartë, origjinë të lashtë ilire dhe trimëri të jashtëzakonshme.
Edhe më domethënës ishte propozimi i tij politik. Sipas Phillips-it, Konferenca e Paqes duhej të vendoste fillimisht kufijtë e Shqipërisë dhe vetëm më pas të diskutonte çështjen e protektoratit ose të organizimit të brendshëm të shtetit. Ai kërkoi që në Shqipëri të përfshiheshin Ulqini, Hoti, Gruda, Gucia, Plava, Peja, Gjakova, Prizreni dhe mbi të gjitha Dibra, duke argumentuar se këto përbënin pjesë të pandashme të hapësirës shqiptare. Ky ishte një vizion që mbështetej mbi kriterin etnik dhe jo mbi pazaret diplomatike të Fuqive të Mëdha.
Diskutimet zbulojnë gjithashtu rivalitetin e madh ndërmjet Italisë, Francës dhe Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene për ndikimin në Shqipëri.
Në fund të dëshmisë së tij, Phillips formuloi një përfundim me rëndësi strategjike. Një Shqipëri autonome, e pavarur dhe me kufij të qartë, do të shërbente si një mur mbrojtës midis ekspansionit jugosllav dhe Lindjes, duke garantuar ekuilibrin e gjithë rajonit të Adriatikut. Kjo analizë përputhej me filozofinë e Presidentit Wilson, i cili kundërshtonte copëtimin e kombeve të vogla dhe refuzonte diplomacinë e traktateve sekrete.
Procesverbalet e Komisionerëve Amerikanë dëshmojnë se fati i Shqipërisë nuk u diskutua si një çështje periferike, por si pjesë e ekuilibrit strategjik të Adriatikut dhe Ballkanit. Pikërisht në këto mbledhje u hodhën themelet e qëndrimit amerikan që, pak muaj më vonë, do ta çonte Presidentin Woodrow Wilson të kundërshtonte me vendosmëri zbatimin e Paktit të Londrës dhe të pengonte copëtimin e Shqipërisë. Kështu, në sallat e Konferencës së Paqes, Çështja Adriatike dhe çështja shqiptare u shndërruan në dy anë të së njëjtës betejë diplomatike: mbrojtjen e parimit të vetëvendosjes kundër politikës tradicionale të ndarjes së territoreve.
Dokumenti i mëposhtëm është një procesverbal zyrtar i mbledhjeve të Komisionerëve Fuqiplotë amerikanë në Konferencën e Paqes në Paris, datë 19 shkurt 1919. Më poshtë është përkthimi besnik në shqip. marrë nga Papers Relating to the Foreign Relations of the United States, The Paris Peace Conference, 1919, Volume XI Paris Peace Conf. 184.00101/16 Procesverbali i Mbledhjes Ditore të Komisionerëve Fuqiplotë https://history.state.gov/historical…/frus1919Parisv11/d15
E mërkurë, 19 shkurt 1919
Të pranishëm:
Z. Lansing
Z. White
Gjeneral Bliss
Z. McNeir
Z. Herter
Z. McNeir u largua nga mbledhja dhe më pas u thirr Gjeneral Brigade Phillips (nga Britania).
Gjeneral Phillips deklaroi se, gjatë një bisede me Gjeneral Bliss një natë më parë, kishte shpjeguar disa çështje lidhur me situatën në Shqipëri, të cilat dëshironte t’ua paraqiste edhe Komisionerëve. Gjeneral Wilson kishte rënë dakord që i gjithë informacioni që ai zotëronte t’u vihej në dispozicion Komisionerëve amerikanë.
Gjeneral Phillips shpjegoi se, gjatë shtatë viteve të përvojës së tij në Shqipëri, kishte pasur mundësinë të studionte nga afër çështjen e të ashtuquajturës masakër ndaj shqiptarëve nga malazezët dhe serbët. Për këtë temë ishte botuar një literaturë e gjerë, por Gjeneral Phillips u shpreh i habitur kur zbuloi se dokumentet dhe pretendimet shqiptare të dërguara Ambasadës Amerikane në Romë nuk kishin mbërritur kurrë në ambasadë.
Ai vijoi se situata në Shqipëri ishte jashtëzakonisht e rëndë. Vendi nuk kishte nevojë të menjëhershme për ushqime, por shumë shpejt do të kërkonte një sistem të organizuar furnizimi. Në malet e Malit të Zi popullsia po vuante nga uria, por ndihmat ushqimore ishin tepër të vështira për t’u shpërndarë për shkak të korrupsionit të madh dhe vështirësive në transport.
Sipas tij, si malazezët ashtu edhe serbët po bënin gjithçka për të mbajtur nën kontroll lumin Buna, një lumë krejtësisht shqiptar, dhe për të penguar transportimin e ndihmave ushqimore përgjatë tij. Gjeneral Phillips mendonte se ishte me rëndësi jetike që çdo anije që lundronte nga Shkodra nëpër Bunë të paguante një taksë të vogël sipas sistemit britanik të tarifimit, në mënyrë që lundrimi të vihej nën kontroll.
Gjenerali kujtoi se, kur kishte qenë komandant i forcave ndërkombëtare në Shqipëri në vitin 1914, u kishte premtuar shqiptarëve autonomi. Pikërisht për këtë arsye ai kishte mësuar me keqardhje të thellë për Paktin e Londrës të vitit 1915, me të cilin Shqipëria ishte copëtuar ndërmjet Serbisë dhe Greqisë.
Ai shprehu bindjen e tij se shqiptarët, të cilët i përshkroi si një popull më i pastër se çdo popull tjetër në Evropë, me ndjenjë të lartë morali, prejardhje të pastër dhe guxim të jashtëzakonshëm, duhej të fitonin autonominë. Megjithatë, derisa të ishin në gjendje të krijonin një qeveri të qëndrueshme, Shqipëria duhej të vendosej nën protektoratin e një fuqie të madhe.
Gjeneral Phillips mendonte se Italia ishte fuqia më e përshtatshme për këtë rol, megjithëse ishte i vetëdijshëm se shqiptarët ishin armiqësorë ndaj italianëve, pasi besonin se Italia nuk ishte në gjendje të qeveriste as vetveten dhe as të përballonte me sukses jugosllavët.
Ai deklaroi me forcë se, sipas mendimit të tij, më shumë se gjysma e çështjes shqiptare do të zgjidhej menjëherë nëse Konferenca e Paqes do të vendoste pa vonesë kufijtë e Shqipërisë, duke lënë për një fazë të mëvonshme diskutimin mbi fuqinë mbrojtëse dhe formën e qeverisjes.
Më pas Gjeneral Phillips paraqiti një përmbledhje të shkurtër të historisë shqiptare. Ai shpjegoi se shqiptarët përbëheshin nga pesë fise të mëdha, historia e të cilëve shtrihej mbi 2.500 vjet. Ata ishin me origjinë ilire, flisnin vetëm gjuhën shqipe dhe jetonin sipas ligjeve të fiseve.
Ai shtoi se, në periudha të ndryshme, dy prej këtyre fiseve i ishin dhuruar Malit të Zi nga Fuqitë e Mëdha si shpërblim për shërbime të ndryshme politike, dhe se këto vendime kishin mbjellë urrejtje të thellë dhe trazira të vazhdueshme ndër shqiptarë.
Gjeneral Phillips deklaroi se nuk arrinte të kuptonte politikën që Franca po ndiqte në Shqipëri. Sipas tij, koloneli francez që komandonte në vend u thoshte hapur shqiptarëve se Franca ishte në prag lufte me Italinë, ndërkohë që edhe italianët u përhapnin shqiptarëve të njëjtin informacion.
Njëkohësisht, Franca u premtonte shqiptarëve se të gjitha tokat e tyre do t’u riktheheshin, një deklaratë që binte ndesh me interesat e aleates së saj, Serbisë. Sipas Phillips-it, Franca synonte të bëhej fuqia mbrojtëse e Shqipërisë jo për përfitime të drejtpërdrejta, por për të dobësuar prestigjin italian në Ballkan.
Ai shtoi se, nëse delegatët shqiptarë që përfaqësonin me të vërtetë Shqipërinë do të lejoheshin të merrnin pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, një pjesë e madhe e përçarjeve të brendshme do të merrte fund. Përçarja, sipas tij, kishte qenë gjithmonë dobësia më e madhe e shqiptarëve.
Edhe në Shtetet e Bashkuara, ku jetonin rreth 200.000 shqiptarë, ishin krijuar katër grupe të ndryshme, të gjitha në kundërshtim me njëra-tjetrën.
Megjithatë, populli shqiptar dukej se preferonte një protektorat britanik ose, edhe më mirë, amerikan. Sipas tij, megjithatë, Italia mbetej zgjedhja më logjike si nga pikëpamja historike ashtu edhe gjeografike. Ai shtoi se italianët nuk do të depërtonin në brendësi të Shqipërisë, pasi si kolonizatorë ata zakonisht nuk largoheshin nga bregdeti.
Gjenerali vuri në dukje se, nëse Esat Pashë Toptani do të mbahej larg Shqipërisë, ekzistonte një shpresë reale për bashkimin kombëtar.
Ai këmbënguli se Shqipëria kishte të drejtë të dinte menjëherë se cilët do të ishin kufijtë e saj përfundimtarë. Sipas tij, ai vetë ishte në gjendje t’i qetësonte shqiptarët ose, përkundrazi, t’i nxiste në luftë kundër malazezëve dhe serbëve, vetëm duke u bërë të ditur qëndrimin e Konferencës së Paqes ndaj kërkesave të tyre territoriale.
Ai propozoi që në shtetin shqiptar të përfshiheshin këto territore në veri:
Ulqini (qyteti)
Hoti
Gruda
Gucia
Plava
Peja
Gjakova
Prizreni
Ai theksoi se rajoni më i rëndësishëm ishte Dibra.
Duke kaluar në çështjet e tjera të Ballkanit, Gjeneral Phillips shpjegoi se Elefterios Venizelos kishte përfshirë në programin e tij politik, i cili kishte çuar në mërgimin e Mbretit Konstandin nga Greqia, premtimin për rikthimin e Kostandinopojës nën sovranitetin grek.
Ai shtoi se as Mali i Zi dhe as Serbia nuk do të ishin kurrë të kënaqura derisa të merrnin Shkodrën, ashtu si edhe shqiptarët nuk do të pushonin së kërkuari flamurin dhe autonominë që ai u kishte premtuar në vitin 1914. Ai kujtoi se Shkodra kishte përballuar gjithsej gjashtëmbëdhjetë rrethime gjatë historisë së saj.
Gjeneral Phillips e përfundoi deklaratën e tij duke theksuar se krijimi i një Shqipërie autonome do të përbënte një fortesë të madhe strategjike midis jugosllavëve dhe Lindjes.
Ky është një dokument me vlerë të jashtëzakonshme historike, sepse dëshmon se në Konferencën e Paqes së Parisit një gjeneral britanik argumentonte zyrtarisht në favor të ruajtjes së integritetit territorial të Shqipërisë, dënonte Paktin e Londrës, mbronte kufij më të gjerë etnikë për shtetin shqiptar dhe e konsideronte Shqipërinë një element kyç të ekuilibrit strategjik në Ballkan.
Dokumente që lidhen me Marrëdhëniet e Jashtme të Shteteve të Bashkuara
Konferenca e Paqes në Paris, 1919, Vëllimi XI
Paris Peace Conf. 184.00101/73
Procesverbali i Mbledhjeve të Përditshme të Komisionerëve Fuqiplotë
E shtunë, 24 maj 1919
Të pranishëm:
Z. Lansing
Z. White
Gjeneral Bliss
Z. Herter
1.. Me kërkesën e Komisionerëve, koloneli Sherman Miles mori pjesë në mbledhje për të diskutuar disa aspekte të situatës në Mal të Zi dhe Shqipëri.
Koloneli Miles, i cili sapo ishte kthyer nga Mali i Zi, paraqiti një përmbledhje të shkurtër mbi gjendjen që kishte vërejtur atje, si edhe një pasqyrë të ngjarjeve që kishin çuar në situatën e krijuar.
Kur u pyet se çfarë zgjidhjeje propozonte për çështjen malazeze, koloneli Miles deklaroi se, sipas bindjes së tij, e vetmja zgjidhje e mundshme ishte bashkimi i Malit të Zi me Jugosllavinë, me kusht që Malit të Zi t’i garantohej një shkallë autonomie në përpjesëtim me popullsinë e tij, e ngjashme me atë që u ishte njohur kroatëve dhe sllovenëve.
Koloneli Miles ishte gjithashtu i mendimit se kufijtë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi duhej të rishikoheshin mbi baza të qarta kombëtare, pa marrë parasysh interesat e veçanta të fuqive të jashtme dhe pa u ndikuar nga veprimet e fundit të serbëve, të cilat kishin shkaktuar largimin e shqiptarëve nga disa krahina jugore të Malit të Zi.
Raportet e kolonelit Miles mbi Malin e Zi dhe Shqipërinë
Lidhur me Shqipërinë, koloneli Miles përshkroi shkurtimisht organizimin e saj fisnor dhe vështirësitë e mëdha që kishte vendi për të ruajtur rendin brenda kufijve të vet, nëse nuk do të gëzonte mbrojtjen ose ndihmën e një fuqie të madhe.
Ai shprehu bindjen se Shqipëria duhej të ishte një shtet i pavarur, por se, në fazën e atëhershme, duhej të vendosej nën mandatin e Anglisë ose të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dhe kjo tregon sesi Çështja Adriatike ndryshoi diplomacinë botërore dhe shpëtoi Shqipërinë. Sepse Çështja Adriatike nuk ishte një debat rajonal, por një provë për rendin e ri ndërkombëtar të Wilsonit. Dhe se Shqipëria nuk ishte thjesht një spektatore e këtij transformimi, por një nga rastet ku u vu në provë për herë të parë konflikti midis diplomacisë sekrete të Traktatit të Londrës dhe parimit wilsonian të vetëvendosjes. Ne fillim presidenti e ndau diskutimin e Shqipwrisw nga pretendimet italiane. Kjo duket nga procesverbali i njw takimi nw mes fuqive . Shënime nga një mbledhje e mbajtur në rezidencën e z. Lloyd George, Rue Nitot 23, Paris, të mërkurën, më 28 maj, në orën 11:00 paradite
Paris, 28 maj 1919, ora 11:00
Të pranishëm
Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Kolonel Edward M. House
Perandoria Britanike
I Nderuari David Lloyd George, Kryeministër
Italia
Vittorio Emanuele Orlando
Sir Maurice Hankey, Sekretar
Konti Aldrovandi, Sekretar
Profesori P. J. Mantoux, Përkthyes
1. Pretendimet italiane
Mbledhja kishte përpara propozimet për zgjidhjen e pretendimeve italiane, të cilat ishin diskutuar më parë ndërmjet Kolonel House dhe André Tardieu (Shtojca I).
Z. Lloyd George kërkoi ndjesë për vonesën e tij në mbërritjen në mbledhje dhe shpjegoi se kishte qenë në një konferencë me Presidentin Woodrow Wilson, me synimin për të arritur një marrëveshje.
Z. Orlando e pranoi këtë shpjegim.
Z. Lloyd George deklaroi se Presidenti Wilson do të ishte i kënaqur nëse z. Orlando do ta ndante plotësisht faqen e parë nga faqja e dytë të propozimit. Presidenti ishte plotësisht i gatshëm të diskutonte çështjen e Shqipërisë, por theksoi se kjo përbënte një kërkesë të re dhe, për këtë arsye, ai nuk mund ta pranonte menjëherë.
Presidenti Wilson ishte dakord se Shqipëria kishte nevojë për një mandat ndërkombëtar, por dëshironte që kjo çështje të shqyrtohej në kuadrin e përgjithshëm të sistemit të mandateve që po diskutohej në Konferencën e Paqes.
Sipas tij, nuk kishte asnjë shtet tjetër që mund ta merrte në mënyrë të përshtatshme mandatin për Shqipërinë. Greqia dhe Serbia ishin tepër të përfshira në politikën shqiptare për të qenë administruese të paanshme. Po kështu, as Franca, as Britania e Madhe dhe as Shtetet e Bashkuara nuk kishin interes ta merrnin një përgjegjësi të tillë.
Në vlerësimin personal të Lloyd George, Italia do të kishte pretendimin më të fortë për të marrë mandatin mbi Shqipërinë.”
Kulmi i përplasjes diplomatike erdhi në fillim të vitit 1920. Më 10 shkurt, Presidenti Wilson u dërgoi një notë zyrtare kryeministrave të Britanisë së Madhe dhe Francës, David Lloyd George dhe Alexandre Millerand, ku refuzonte çdo ndryshim të memorandumit anglo-franko-amerikan të 9 dhjetorit 1919. Pak ditë më vonë, Londra dhe Parisi paraqitën memorandume të reja, më 17 dhe 26 shkurt, në të cilat argumentonin se, për arsye të “interesave jetike”, Shqipëria duhej të ndahej midis fqinjëve të saj.
Presidenti Wilson e hodhi poshtë kategorikisht këtë propozim. Më 6 mars 1920 ai deklaroi qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin asnjë plan që cenonte pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Ky ishte jo vetëm një qëndrim në mbrojtje të një kombi të vogël, por edhe një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj diplomacisë tradicionale evropiane, e cila prej shekujsh kishte ndarë territoret e popujve të vegjël sipas interesave të fuqive të mëdha.
Historiania Margaret MacMillan, në veprën e saj “Paris 1919”, rrëfen një episod domethënës nga diskutimet e Konferencës. Sipas saj, kryeministri britanik David Lloyd George kishte shprehur skepticizëm duke thënë se nuk e dinte çfarë do të bënin shqiptarët po të mbeteshin të pavarur, përveçse “t’i prisnin fytin njëri-tjetrit”, duke i krahasuar me malësorët skocezë të shekullit XV. Wilson iu përgjigj menjëherë: “Mos i përflisni malet e Skocisë; familja ime e ka prejardhjen prej andej.” Me këtë përgjigje të shkurtër, por të prerë, ai jo vetëm mbrojti dinjitetin e shqiptarëve, por mbylli edhe një debat që rrezikonte të përdorej si justifikim për mohimin e pavarësisë së Shqipërisë.
Qëndrimi amerikan u përforcua edhe nga zhvillimet brenda vetë Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës, i mbledhur në janar 1920, dhe Lufta e Vlorës dëshmuan se shqiptarët ishin të vendosur të krijonin institucionet e tyre kombëtare dhe të refuzonin çdo mandat apo protektorat të huaj. Kur Presidenti Wilson u njoh me vendimet e Kongresit, ai i dha mbështetje edhe më të vendosur kauzës shqiptare përmes notave diplomatike drejtuar aleatëve. Pikërisht bashkimi i rezistencës politike brenda vendit me mbështetjen e Presidentit Wilson në arenën ndërkombëtare bëri të mundur që planet për copëtimin e Shqipërisë të dështonin përfundimisht.
Për këtë arsye, emri i Woodrow Wilsonit zë një vend të veçantë në kujtesën historike shqiptare. Ai nuk ishte thjesht një president amerikan që shprehu simpati për Shqipërinë, por udhëheqësi i vetëm i një fuqie të madhe që, në momentin më kritik të ekzistencës së shtetit shqiptar, vendosi autoritetin moral dhe politik të Shteteve të Bashkuara në mbrojtje të pavarësisë dhe integritetit territorial të saj.