• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rrëfenja shqiptare në Mynih

May 19, 2020 by dgreca

Aulona Ramaj rrëfen për gazetën Dielli, New York, përpjekjet e shqiptarëve në betejën ndaj Covid-19 në sistemin shëndetësor gjerman, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja./

Në një kohë kur mbarë globin e ka kapluar një panik dhe frikë për të ardhmen, në betejën ndaj kërcënimit global Covid-19, punonjësit e shëndetësisë janë shëndërruar në pikën nevralgjike të sistemit dhe përpjekjeve mbarë botërore në luftën ndaj pandemisë globale Covid-19. Punonjësit shqiptarë të shëndetësisë në çdo shtet të përfshirë në përpjekjet që bëhen çdo ditë për të mundur pandeminë vdekjeprurese, janë një histori e lartë humanizmi, profesionalizmi, suksesi dhe frymëzimi. Aulona Ramaj punon prej në shumë se 1 viti në Landin e Bajernit në qytetin e Mynihut në Departamentin e Radiologjisë si asistent radiologe në skanër-rezonancë magnetike dhe grafi pranë spitalit D.L.D.K.I.D.

Puna e Aulonës në frontin e së keqes është një dëshmi e qindra mijërave infemjerëve e punonjësve të shëndetësisë në mbarë botën që sakrifikojnë dhe jetën e tyre sot me qëllim që bota të ketë në shumë siguri nesër. Nëse ka një histori suksese shqiptare në dekadën e fundit është suksesi i mjekëve dhe punonjësve të shëndetësisë në shtetin gjerman. Aulona është një prej tyre. Ajo që të bën krenar për punën e këtyre mjekëve është jo vetëm profesionalizmi e sakrifica por humanizmi ndaj bashkëatdhetarëve të tyre shpesh edhe të bllokuar në shtete kur shpërtheu pandemia globale. Mjekët shqiptar jo vetëm shërbejnë si mjekë por edhe si përkthyes e psikologë për bashkatdhetarët e tyre. “Një ngushëllim, disa fjalë zemre dhe shprese janë një çlirim për njerëzit që presin përgjigjen e grafisë për të parë dëmin dhe gjëndjen pas prekjes nga virusi global. Ankthi i pritjes është i madh. Fuqia e panikut të çdo njeri është e paimagjinueshme” rrëfen Aulona. Nuk do doja kurrë të isha prezente dhe të shihja reagimet e pacientëve kur marrin përgjigjen Pozitive ndaj covid-19. Shënja dorëzimi, lodhje, shtangie, trishtimi, ankthi, paniku dhe dobësie- rrëfen Aulona. Por çastet kur pacientët tanë mundin virusin vdekjeprurës, shpërthimi në lot gëzimi, çlirimi prej së keqes, liria prej robërisë na jep një ndjesi fantastike që nuk harrohet lehtë nga memoria jonë. Çastet e triumfit të pacientëve tanë, janë janë frymëzim dhe forcë për të ecur përpara në frontin e fitores ndaj së ligës- rrëfen Aulona Ramaj nga Mynihu. 

Nuk ka mision më të veçantë sesa të luftosh për jetën në sallat ku vdekja kërcënon përditë. Përpjekjet e jashtëzakonshme të ekipeve të shëndetësisë në mbarë botën për të mundur me çdo kusht virusin vdekjeprurës, i ka shëndërruar punonjësit e shëndetësisë në botën mbarë, në heronj. Ata janë idhujt dhe heronjtë tanë njëkohësisht. Mënyra sesi e përballojnë te keqen dhe kërcënimin e vdekjes është një frymëzim dhe krenari për ne.  

Aulona skanon çdo ditë një tjetër pacient, një tjetër histori suksesi të njerëzve që mposhti virusin vdekjeprurës në trupin e tyre. Një çlirim shpirti, një çast ekzistencial që përfshin ciklin jeta-vdekje në një cast skanimi. Një moment që skalitet thellë në imazhin tënd për nga fuqia, shpresa dhe çlirimi i njeriut prej të keqes së përbotshme. Lufta dhe përpjekjet e ekipeve të shëndetësisë në betejën globale Covid-19 përbën një sakrificë sublime në frontin e së keqes ku jeta kërcënohet përditë prej vdekjes. 

Sipas Aulona Ramajt që punon në Departamentin e Radiologjisë si asistent radiologe në skanër-rezonancë magnetike dhe grafi pranë spitalit D.L.D.K.I.D, deri më 15 maj mbeten në fuqi kufizimet e hyrjeve në Gjermani. Në zonën e Bayern ka me qindra shqiptarë të Shqipërisë dhe shqiptarë të Kosovës që jetojnë atje. Normalisht që edhe ato janë prekur nga ky realitet . Deri më tani nuk rezulton asnjë shqiptar viktimë e covid -19, por raste të dyshuara dhe të infektuara janë tashmë prezente. Aulona shpjegon se kjo situatë ka shtuar shumë panik e frikë. Bashkatdhetarët tanë sipas Aulonës telefonojnë dhe këshillohen te ekipet shqiptare të shëndetësisë në çdo moment. Është koha kur fjala e mjekut shëron më shumë se çdo gjë tjetër psikoemocionalisht. Sipas Aulona Ramajt, përveç dëmeve njerëzore, ekonomike e sociale, një dëm specifik që po u shkaktohet njerëzve është shëndeti mendor. Ndaj, komunikimi dhe ngrohtësia shpirtërore është terapia më e mirë jo vetëm për të luftuar të keqen por edhe për të ndrequr psikoemocionalisht pasojat e lëna nga virusi. 

Kapacitetet e spitaleve për të sëmurët me Corona në Gjermani janë rritur edhe më tej. Shenjat e para për ngadalësimin e përhapjes së Covid-19 japin shpresë për dobësim të virusit Corona. Masat shtrënguese do vazhdojnë të jenë në fuqi, por në një kohë më të vonë qeveria dhe Landet do ta ridiskutojnë gjendjen. Masat paraprake të Gjermanisë rezultuan një sukses i gjërë dhe mjaft i arrirë: siç ishin shtimi i shtreterve në stacionet e kujdesit intensiv, numri i testimeve të popullatës për virusin u rrit. Shtimi i kapaciteteve është dëshmi e fuqisë së jashtëzakonshme mobilizuese dhe suksesi në shtetin gjerman. 

Pavarsisht faktit që jemi në përfundim të kësaj krize aktuale pandemike, virusi vazhdon të mbetet prezent akoma në jetët tona deri në momentin e gjetjes së vaksines. Deri atëherë distanca publike dhe masat e vendosura nga autoritetet jane ato që na bëjnë të ndihemi më të sigurtë dhe me plot shpresë për të ardhmen- rrëfen Aulona. Autoritetet gjermane sipas Aulona Ramajt patën sukses në kontrollin e shpërthimit fillestar të virusit në Bavari në janar dhe situata po fillon të normalizihet gradualisht. Por pikat kryesore të kujdesit që janë parashtruar dhe ulëritur nga çdo vend i botës dhe nga çdo Land gjerman duhet të vazhdohen të ndiqen me po të njëjtën përpikmëri, dhe mos të mendojmë se çdo gjë u shua, pasi koha 0 varet nga ne të gjithë. Nga kujdesi ynë për veten, kujdesi ynë për të tjerët dhe nga kujdesi ynë i përbashkët. Kur të jemi të bindur që jemi të gatshëm ti realizojmë me përpikmëri këto, mund të lulzojmë edhe njëherë të lirë në këtë botë, pasi jemi pjesë e këtij rruzulli, ku e mira dhe e keqja jetojnë së bashku në jetën e secilit prej nesh.

Aulona Ramaj tregon historinë e nënë Feridesë dhe nënë Hazires nga Kosova që jetojnë në Mynih. “ Nuk është e mundur ta koncepotojmë njeriun me shikimin e parë të tij, por unë e pashë shqiptarin dhe ankthin që e kishte kapluar që në momentin e parë të impaktit me të. Pacientes shqiptare e Kosovës e cila kishte qenë sëmurë me grip në shkurt por javës së kaluar kishte akoma pak kollë residuale. Frikë, lodhje dhe ankth pashë në sytë e tyre. Ato ishin të lodhura, më shtrëngonin dorën, kishin nevojë për forcën time, fuqinë e fjalës dhe ngushëllimit e të të qënit bashkë me to në një moment të vështirë. Dhe për një moment e mendova që frika sjell trazira psiqike të shkaktuara nga parashikime të së keqes. I mora menjanë dhe u përpoqa të kuptoja frikën dhe ankthin që kishte kaluar në një interval kohe jo të gjatë. Dhe aty në bisedë kuptova përpëlitjet e shqiptareve gjatë kësaj periudhe. Disa lëngojnë sallave të reanimacioneve, disa presin të bllokuar në qytete të ndryshme dhe presin riatdhesim, disa janë në këkrim të një pune, disa me frikën e humbjes së vendit të punës dhe ka shumë të tjerë që janë mirëintegruar në sistemin gjerman të jetës dhe përbjnë një histori suksesi. Në Landin e Bajernit janë shënuar 46.295 raste të prekurish me covid-19, raste të reja në një ditë janë 1256, të shëruar janë 31.839, ndërsa kanë humbur jetën 2329 persona. Punonjësit shqiptarë të shëndetësisë sot kudo në botë përbëjnë një krenari kombëtare me humanizmin e profesionalizmin e tyre. Aulona është një shembull i vogël në këtë sukses të madh shqiptar jo vetëm në Gjermani por kudo në botë. Ata kanë ndërtuar një model suksesi dhe frymëzimi të ndërtuar falë sakrificave e përpjekjeve të pafundme që bëjnë krenar çdo shqiptar.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Rrefenja e Shqiptare

Veprimtaria e Ded Gjo Lulit në interes të Çështjes Kombëtare gjatë vitit 1911

May 16, 2020 by dgreca

Shkruan: Studiuesi, Dr. Paulin Marku/

Historiografia jonë Kombëtare ka shumë figura të rëndësishme që luftuan dhe sakrifikuan në shërbim të çështjes shqiptare. Një nder figurat më të rëndësishme që ka rol të jashtëzakonshëm në mbrojtje të interesave dhe territoreve shqiptare është Ded Gjo Luli. Veprimtaria e tij është e gjerë, para dhe pas Shpalljes së Pavarësisë, i cili për disa dekada nuk e lëshoi pushkën nga dora në mbrojtje të identitetit kombëtar. Ne do të ndalemi në vitin 1911 të qëndresës së Malësorëve të Veriut, me protagonist Ded Gjo Lulin. Ai luftoi dhe pati përballje të vështira si luftëtar e udhëheqës i kryengritjes, kundër forcave të shumta ushtarake, të pajisura me armatime të bollshme e cilësore për kohën. Edhe pse Deda kishte shumë faktor kundër, si, mungesa në armatime, mospërkrahje nga diplomacitë e huaja për rebelimet luftarake të shqiptarëve, si dhe frika e një sulmi të mundshëm nga fqinjët ballkanik në dëm të tokave shqiptare, ai nuk e ndaloi revoltën ndaj autoriteteve osmane. Ded Gjo Luli kishte fituar mbështetje të madhe në Veri të Shqipërisë, falë veçorive të tij, si njeri i matur dhe i paanshëm në kuvende, trim dhe i pakompromentuar.  

Gjatë hulumtimit nëpër dokumente e në literaturë të periudhës, rezulton se Ded Gjo Lulit iu ofruan vlera monetare, përfitime ekonomike dhe poste drejtuese. Ai ishte besnik dhe nuk bënte pazare në dëm të çështjes Kombëtare, ketë e karakterizon më së mirë shprehja e tij: “jam i bindur se s’do të bëj asnjë tradhti ndaj atdheut tim, hami dreq lirat turke se Shqipnin as se shes e as se fali kurrkujt”.

Një ndër rastet e sjella në vëmendje mund të citohet, kur Bedri pasha i ofronte bashkëpunim nëpërmjet një pagese të kosiderueshme, “merri këto të holla or Dedë se ke vërtet nevojë për to”, por përgjigjja e tij ishte e prerë “ti paç faqen e bardhë që ma qan hallin por Ded Gjo Luli nuk e shet lirinë e Shqipërisë jo për 2500 lira, por as për 500 mijë lira”. Pra, ky ishte një përshkrimi i shkurtër i një burri që s’shitej e s’blihej, në një kohë mjaft të vështirë politike e ekonomike.

Në këtë artikull do të ndalemi në vitin 1911, në veprimtarinë e malësorëve me në krye plakun guximtarë Ded Gjo Luli që kishte rreth 70 vite mbi supe, i cili organizoi shpërthimin e kryengritjes në Malësi të Mbishkodrës. Ata patën gjithashtu mbështetjen e disa intelektualëve shqiptarë si, Ismail Qemal Vlora, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Nikoll Ivanaj, Risto Siliqi, Arqipeshkvi i Shkodrës, Jak Serreqi, abat Prend Doçi… , në organizimin dhe vazhdimësinë e kryengritjes. 

Po ashtu, atyre iu erdhën në përkrahje, si në pjesëmarrje dhe në ndihma të ndryshme edhe  shqiptarët që jetonin në Mal të Zi. Referuar të dhënave të librit të Gjergj Nikprelaj atje gjendeshin rreth 7000 frymë të gatshëm për të luftuar përkrah bashkëkombësve.

Në dokumentet diplomatike italiane evidentohet se gjendja në viset shqiptare paraqitet e renduar, si në aspektin ekonomik ashtu dhe socialo-kulturor. Kjo pasi pakënaqësitë e shqiptarëve ndaj qeverisë xhonturke ishin gjithnjë e në rritje. Po ashtu në dokumente evidentohet se shqiptarët po organizoheshin për rebelime kundër autoriteteve dhe konflikti është i pashmangshëm.

Porta e Lartë i ndiqte me kujdes të gjitha lëvizjet e krerëve shqiptarë dhe ishte e vetëdijshme për situatën e krijuar në sanxhakun e Shkodrës. Ajo shihte si zgjidhje të situatës ngritjen e një ekspedite ndëshkimore dhe ta dërgonte sa më parë. Më 17 prill 1911 në Stamboll ishte marrë vendim për shtypjen e çdo lëvizje anti-osmane dhe në krye të forcave ushtarake emërohet gjenerali Shefqet Turgut Pasha, i shoqëruar me 20 mijë forca ushtarake. Sapo zbarkuan në Veri të Shqipërisë, përpjekjet e para ishin  për parandalimin e shtrirjes së lëvizjes në krahinat e tjera, kryesisht ndërprerja e bashkëpunimit të malësorëve me Kosovë dhe me Mirditën, si dhe përforcimi i kufirit me Malin e Zi që të parandalohej çdo ndihmë nga jashtë. Ndonëse përleshjet kishin filluar në pranverë, më 24 mars 1911 në zonat të ndryshme si, Grudë, Kelmend, Kastrat etj… , për të përshkallëzuar në viset të tjera shqiptare, Shefqet Turgut Pasha u përpoq ta shtyp atë sapo arriti në Malësi. Por malësorët, me në krye Dedë Gjo Luli, vijonin sulmet e tyre pa u ndalur dhe sulmuan pikat ushtarak për të marrë armë e municione dhe për t’i dëbuar nga zonat e tyre deri në fortifikatën kufitare të Rapshës. Me të drejtë Ismail Qemali do të shprehej, “Dedë Gjo Luli është pushkë e ngrehur për Shqipërinë”.

Përballjet luftarake gjatë kësaj periudhe rezultojnë të ashpra dhe me humbje të mëdha nga të dyja palët. Shqiptarë arritën të marrin qytetësen e Tuzit me një sukses të jashtëzakonshëm që finalizohet me 6 prill 1911, kur ata ngritën flamurin Kombëtarë të Gjergj Kastriotit në majën të Bratilës së Deçiqit. Për nder të Dedës, trimat e Hotit e të Grudës i kishin ngjitur këngën, “Kush ka dal kaçak i parë, Ded Gjo Luli me Hot mbar”.  

Tentativat e qeverisë për të ftuar malësorët në bisedime nuk munguan por me kushte e klauzola të reduktuara në dëmin e organizatorëve të lëvizjes. Kështu, më 9 maj 1911 qeveria nxori një qarkoreje me afat pesë ditorë vetëm për malësorët pjesëmarrës në kryengritje, i bënte thirrje të gjithë Malësisë të heqin dorë nga kryengritja dhe të dorëzojnë armët (ndërkohë nga kjo amnisti përjashtonte organizatoret e drejtuesit e kryengritjes).  

Por Ded Gjo Luli, së bashku me krerë të tjerë dhe me miratimin e malësorëve kryengritës nuk iu bindën kërkesës së amnistisë dhe as pranuan proklamatën më të gjerë prej 12 pikash, të hartuar nga Porta e Lartë, më 11 maj 1911. Po atë ditë, më 11 maj u shpall rrethimi i Shkodrës me motiv që Perandoria duhet të sigurojë rendin e qetësinë publike dhe të ndëshkojë rebelët e pabindur ndaj Stambollit. 

Krerët si, Ded Gjo’ Luli, Sokol Baci, Frano Pali, Mehmet Shpendi, Mirash Luca, Tom Nika, etj…, kundërshtuan kërkesat e Portës së Lartë dhe deklaronin se nuk heqin dorë nga kryengritja pa plotësuar kërkesat e tyre. Ata shkuan në Mal të Zi dhe u takuan me konsullin anglez në Cetinë, për t’i shprehur ankesat që kishin ndaj ekspeditës ndëshkimore për ndërhyrjet e dhunshme të Shefqet Turgut Pasha. Ata kundërshtonin dhunën ushtarake, ku sipas tyre po ushtrohej presion ndaj shqiptarëve në mënyrë të pajustifikueshme, e cila bëhej vetëm për të futur në zgjedhë shqiptarët, me shkatërrim e djegie banesash, prishje të kishave, djegie pyjesh dhe kullotash e çdo gjë që ata kishin deri në eliminimin fizik të tyre. Shqiptarët i kërkonin konsullit britanik që ai të shpërndante ankesat e tyre në diplomacitë e tjera, në mënyrë që ata të njihen me problemet që po përjetojnë shqiptarët.

Gjatë muajve maj-qershor trupat ushtarake shtoheshin në Veri të Shqipërisë çdo ditë e më me tepër, me synimin që kryengritja të shtypet sa më parë dhe ajo mos të shtrihet në krahinat tjera shqiptare. Edhe pse forcat ushtarake ishin në progres avancimi, krerët shqiptarë, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Ded Gjo Luli, Sokol Baci, etj, vazhdonin të organizonin malësorët në kryengritje duke mos hequr dorë nga kryengritja pa u përmbushur kërkesat e tyre.

Ndërkohë që lufta vijonte, krerë të Hotit, Grudës, Kastratit, Shkrelit, Kelmendit, Shoshit e Shalës u mblodhën me 12 qershor 1911 në Greçe të Malësisë së Madhe për të biseduar rreth qëndrimit që do të mbanin në vazhdimësi. Në kuvend përveç krerëve të Malësisë së Mbishkodrës u ftuan përfaqësues të krahinave të tjera shqiptare, ku morën pjesë figura të shquara si Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Risto Siliqi (shkodranë), Sali Hoxha (Hidri) nga (elbasani), Nikolla Lako nga (Korça) etj. Nga kuvendi i 23 qershorit 1911 në Greçe të Malësisë së Madhe u dakortësuan për një plan gjithëpërfshirës dhe me pikëpamje kombëtare. Ata miratuan dokumentin e rëndësishëm “Memorandumi i Greçes”, ose siç njihet edhe ndryshe “Libri i Kuq”. Memorandumi ishte gjithëpërfshirës dhe përbëhej prej 12 pikave, me program politik të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe përfaqësonte kërkesat e interesat e të gjithë shqiptarëve. Objektivi parësor ishte të arrinin të fitojnë autonominë kombëtare. Delegacioni shqiptarë i përfaqësuar nga: Luigj Gurakuqi, Ded Gjo Luli, Sokol Baci, Dodë Preçi, Preng Gjeto, etj… .nga një kopje të Memorandumit përfaqësuesve diplomatik të Fuqive të Mëdha të akredituar në Cetinë, ambasadorit të Stambollit në Mal të Zi, Sadredin beu dhe mbretit Nikolla të Malit të Zi. 

Ky program u bë flamur i një kryengritje dhe i detyroi autoritetet civile dhe ushtarake osmane të hapnin bisedimet me kryengritësit malësorë dhe të bënin disa lëshime, të cilat i hapnin rrugën sendërtimit të autonomisë së Shqipërisë.

Me ndërmjetësimin edhe të Malit të Zi, qeveria xhonturke arriti të bëj disa lëshime si: amnisti për kryengritësit, lejoi armëmbajtjen, uli taksat, detyrimi ushtarak do të kryhej në Vilajetin e Shkodrës, lejoi hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, gjithashtu u zotuan se do të angazhoheshin në rindërtimin e shtëpive që ishin prishur gjatë kryengritjes. Pjesë e marrëveshjes së nënshkruar, ishte edhe kthimi i shqiptarëve në zonat e tyre.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes më 2 gusht 1911 në Podgoricë dhe zyrtarizimit me 4 gusht 1911, përfaqësuesi diplomatik osman Sadedin Beu i dorëzoi si garanci zbatimi, nga një kopje të marrëveshjes diplomacive të Fuqive të Mëdha dhe qeverisë malazeze. 

Mbreti Nikolla, u bëri thirrje malësorëve të pranojnë dhe të respektojnë marrëveshjen dhe të lënë territorin malazez brenda afateve kohore të nënshkruar në marrëveshje. 

Kështu, nisur nga data 5 gusht 1911 shqiptarët duhet të riktheheshin në shtëpitë e tyre, ku një pjesa e madhe gjendej në Mal të Zi dhe nëpër malësitë përreth. Ndërsa, Ded Gjo Luli nuk u pajtua me marrëveshjen e gushtit, e për më tepër as me ofertat joshëse. Ai pohonte publikisht se “Ded Gjo Luli nuk kthehet në atdhe pa u arritur autonomia e Shqipërisë”. 

Ded Gjo Luli nuk kishte luftuar për lavdi, as për pasuri por për interesa Kombëtare. Heronjtë jetojnë përjetësisht, sepse e atillë është vepra e tyre.

Le të jetë ky shkrim, një zë i thjeshtë dhe i pastër, si një detyrë morale e njerëzore për atë Burrë të Madh të Malësisë së Madhe “Nderi i Kombit” i pakomromentuar, e me ndjenja të thella atdhedashurie në mbrojtje të trojeve shqiptare.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ded Gjo Juli, Dr. Paulin Marku, Kryengritja 1911

GJENDET PROCES- VERBALI ORIGJINAL I PUSHKATIMIT TË DON SHTJEFËN KURTIT

May 14, 2020 by dgreca

Përmes një mesaszhi dërguar kryeredaktorit të Gazetës Dielli, z. Nikolin Kurti, nipi i martirit të Kishës, i lumi Don Shtjefën Kurti, informon se pas shumë kërkimesh nëpër arkiva, ka gjetë proces-verbalin origjinal të I Lumi Don Shtjefën Kurti. Ja letra-mesazh:

I dashur miku im, Dalip Greca,

Fillimisht Ju uroj gjithë të mirat dhe shëndet në këto kohë të vështira të COVID-19.

Ju njoftoj se pas shumë kërkimesh nëpër arkiva gjeta proces-verbalin original të pushkatimit të I LUMI DON SHTJEFËN KURTI, që po ua bashkëngjis si foto.

.. Duke kujtuar ato momente të tmerrshme, kur natën, me duar e këmbë lidhur, vritet me plumb pas koke një plak 74 vjecar…Përfytëroj gjendjen e tij mendore dhe shpirtërore para vdekjes, të cilën e pranoi pa kërkuar mëshirë, as falje!

Natyrisht nuk kishte bërë asnjë gabim, asnjë faj, që të kërkonte falje, thjesht kishte pagëzuar një fëmijë, ndërsa besimi në Krisht nuk iu lëkund as para skuadrës së pushkatimit.

Në proces-verbal shkruhen dhe fjalët e fundit të Tij para se t’i merrnin jetën- Tre fjalët e fundit: Rroftë Kisha Katolike!- i japin lavdi të përjetshme atij, dhe na bën të ndjehemi krenarë ne familjarët e Tij ,dhe nderojnë Kishën Katolike Shqiptare.

Procesverbali është hartuar nga hetusi i Ministrisë së Brendshme Vangjel Kote, i cili ka pasë pranë edhe zv/Prokurorin e rrethit të Krujës Piro Suli, zëvendës kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Krujës Ramiz Lalmi si dhe mjekun Asim Ylli.

Hetusi shkruan: në mbështetje të urdhërit të Ministrit të Brendshëm Nr. 3265/1 datë 25/9/1971, tërhoqa nga Reparti nr. 313, të dënuarin me vdekje Shtjefën Jak Kurti dhe e çuam në vendin e caktuar për ekzekutm.

  Atje zv/prokurori i rrethit të Krujës shoku Piro Suli i komunikoi të dënuarit me fjalë se Presidiumi i Kuvendit Popullor ia ka refuzuar faljen e jetës dhe se do të ekzekutohet vendimi i Gjyaktës, pra duhej të thoshte fjalën e fundit.

Pas fjalës së fundit u krye ekzekutimi me pushkatim dhe pasi u vërtetua nga mjeku se kishte vdekur, u veprua sipas autorizimit përkatës.

Procesverbali u hartua në katër kopje dhe u firmos nga të pranishmit: Hetusi Vangjel Kote, zv/Prokurori Piro Suli,zv/Kryetari i degës së Punëve të Brendshme –Krujë Ramiz Lalmi dhe Dr. Asim Ylli.

Prokurori që ishte ngarkuar me procesin gjyqsor të Don Shtjefën Kurtit, dhe kërkoi dënimin e tij me vdekje, si dhe gjykatësi Jani Vasili që dha dënimin me vdekje, të penduar u kërkuan ndjesë familjarëve të Don Shtjefnit me shkrim, pasi iu këkrua nga nipi Nikolin Kurti.

Me kërkesë e Nikolin Kurtit, nipit të Don Shtjefën Kurtit, ish-prokurori Hajredin Fuga dhe gjykatësi Jani Vasili kanë lënë një ndjesë të shkruar me dorën e tyre, me kërkesën e vetme që ato të publikoheshin pas vdekjes së tyre. “Prokurori Hajredin Fuga më kërkoi të mos e botoja letrën e tij sa të ishte gjallë: ‘Jam i moshuar, i lodhur e i sëmurë dhe nuk jam në gjendje të suportoj debatin që mund të bëhet në media për këtë gjë’. Po ashtu edhe gjyqtari Jani Vasili. Pas vdekjes së tyre, Nikolini i bëri publike letrat e shkruara prej të penduarëve, me shkrim dore. 

***

KUSH ISHTE DON SHTJEFËN KURTI?

Sjellim për lexuesin e Diellit një shkrim të shkruar nga Don Lush Gjergji,publikuar në të përmujshmen fetare, kulturore të Kishës Katolike – ”Drita”.

Don Shtjefën Kurti – dëshmor i fesë dhe lirisë 

Nga Don Lush GJERGJI

Lajmi i pushkatimit të Don Shtjefën Kurtit ishte alarmi i parë në Evropë dhe në botë për gjendjen e mjerueshme të popullit shqiptar, të klerit katolik, të çdo njeriu në Shqipërinë komuniste enveriste. Ja si shkruante Ettore Petta: “Gazeta zyrtare e sundimit komunist shqiptar “Zëri i Popullit” vërtetoi lajmin mbi pushkatimin e priftit katolik Shtjefën Kurti, që qysh më parë e shpalli shtypi ndërkombëtar… Gazeta e Tiranës në një komentim mbi këtë ngjarje tejet të vështirë pohon se ky prift qe dënuar me të drejtë si “spiun, bandit dhe avanturist”. Shtjefën Kurti do të ishte anëtar i “një bande revizioniste” e financuar nga Vatikani, që së bashku me amerikanët dhe anglezët do të kishte projektuar rrënimin e regjimit komunist. Zëri i Popullit ka shtuar lidhur me këtë që “agjentet e Kishës katolike kanë përgatitur në Shqipëri “magazine armësh” dhe kanë organizuar “qendra për spiuniume”. Po ashtu sipas Zërit të Popullit Don Shtjefën Kurti ‘ka merituar këtë denim” (“Corriere della sera”, 6 prill 1973).

Agjencia katolike austriake “Kathpress” shkruan se Don Shtjefën Kurti u dënua me vdekje sepse e pagëzoi një fëmijë në fushën e përqendrimit në Lushnje. Artikulli përfundon me këtë pohim: “Shqipëria është shpallur qysh në vitin 1967 shteti i parë ateist në botë”.

Kush ishte Don Shtjefën Kurti?

Ishte së pari dëshmor i fesë dhe lirisë, viktimë e ateizmit shtetëror, i cili u mundua ta vriste Zotin, por e vrau vetveten, popullin e pafajshëm, me përndjekje, mundime, gjykime, varfëri, ideologji, që do të mbesin në analet e turpit, padrejtësisë, urrejtjes, egërsisë, verbërimit dhe shkatërrimit, si edhe vetë komunizmi dhe ateizmi.

Don Shtjefën Kurti u lind në Ferizaj më 24 dhjetor 1897, në një familje të mirë dhe të njohur, e cila pati tetë fëmijë, nga prindërit Jak dhe Katarina lind. Tuna – Kurti. Qysh në fëmijëri pati një edukim të shëndoshë njerëzor, kombëtar dhe fetar. Shkollën fillore e kreu në gjuhën shqipe pranë famullisë katolike të “Engjëllit Rojës” në Ferizaj. Gjimnazin klasik në Shkodër, ndërsa studimet filozofiko-teologjike i filloi në Austri, por pas Luftës së Parë  Botërore, i vazhdoi dhe përfundoi në kolegjin dhe universitetin e famshëm “Propaganda Fide” në Romë. U shugurua meshtar në Romë dhe Meshën e Parë e kremtoi më 13 maj 1921. Së shpejti erdhi në vendlindje. Për një kohë punoi në zyre të ipeshkvisë në disa detyra të rëndësishme. Më vonë  vite me radhë ishte famullitar në Novosellë të Gjakovës (vendlindja e nënës së Nënës Tereze, Drane lind. Bernaj-Bojaxhiu). Përpos veprimtarisë së zellshme bariore, meshtarake, edukative, arsimore, ai së bashku me dy vëllezër meshtarë, Don Luigj Gashi (famullitar në Smaq) dhe Don Gjon Bisaku (famullitar në Bec), punoi ditë e natë, trimërisht dhe urtisht për ta mbrojtur popullin  shqiptar nga sulmet e gjithanshme diktatoriale serbe.

Kjo veprimtari iu ra në sy të gjithëve, popullit, por edhe sundimtarit, i cili në çdo mënyrë dhe mundësi ua kufizonte dhe pengonte çdo veprimtari kombëtare dhe fetare. Për ta ndriçuar deri diku kohën dhe rrethanat e veprimtarisë së tyre mjafton të përmendim vrasjen mizore të Atë Luigj Palaj (1913), Atë Shtjefën Gjeçovit (1929) dhe të tjerëve. Edhe këta tre klerikë ishin në shënjestër. Një herë haptazi një xhandar i ka thënë Don Shtjefën Kurtit kështu: edhe Ju do të përfundoni si Frati i Zymit!

 Kjo gjë jo vetëm se nuk i ka frikësuar, por u ka dhënë edhe më tepër vrull, zemër për ta mbrojtur popullin, e jo vetveten, si trima të vërtetë. Vite me radhë ata kanë mbledhur nëpër shumë vise dhe troje shqiptare shënime mbi maltretimet, keqpërdorimet, pësimet, dhuna ndaj popullit shqiptar. Këto materiale i kanë radhitur  në mënyrë sistematike në MEMORANDUM të njohur drejtuar Shoqatës apo Lidhjes së Kombeve, me seli në Gjenevë (1930) mbi këto tema të rëndësishme:mbrojtja e jetës, lirisë, të drejtës në pronë, përdorimit të gjuhës, shkollimit, fesë, kuptohet për të gjithë shqiptarët pa kurrfarë dallimi.

 Ky është dokumenti i parë, për fat të keq gjertani edhe i vetmi, mbi pozitën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi.  Pas Luftës së Dytë Botërore, fati i Don Shtjefën Kurtit, si dhe i tërë popullit shqiptar, ishte mjaft i mjerë. Së shpejti qe burgosur dhe dënuar. Faji më i madh dhe i vetmi ishte ky: prift katolik shqiptar, atdhetar, dashamir i Zotit dhe i popullit. Mirëpo, si gjithmonë, edhe në këtë rast, Don Shtjefën Kurti nuk lëshoi pe:më mirë vdekja, martirizimi, se tradhtimi! Një herë jam përbetuar dhe gjithmonë jam i gatshëm këtë besë shenjte ta vulosi me gjakun tim! (Lexo: Drita, Ferizaj, nr. 3-4/1983, f. 8-9).

Burrëria, trimëria dhe besnikërisë e tij u pengonte edhe në burg, prandaj përgatiten kurthin: pagëzimin e një foshnje. Për ato  fjalë të shenjta fetare, të lashta dhe të shenjta edhe kulturore dhe kombëtare, si të parat të shkruara në gjuhën shqipe, prapë nga një prift shqiptar, qe dënuar me vdekje.  Populli thotë: trimëria dëshmohet në vështirësi. Don Shtjefën Kurti s’ kërkoi amnisti, falje, por me krenari e pranoi:e kam krye detyrën time meshtarake! Jam krenar dhe fatlum që po vdes martir!

Jeta dhe shërbimi i tij fetare dhe kombëtar u zbatua në Kosovë dhe në Shqipëri. Gjaku i tij i begatoi analet edhe me një emër të shenjtë dhe martir. Shembulli i tij për shumë njerëz ishte dëshmi e gjallë e dashurisë, besnikërisë dhe pavdekësisë.

Kleri katolik shqiptar në çdo kohë është mishëruar me popull. Këtë më së miri e dëshmon dhe vërteton historia jonë: gjatë sundimit otoman, gjatë diktaturës në Jugosllavinë e vjetër tek ne, si dhe gjatë sundimit komunist dhe ateist, si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë.

Në këtë varg historik Don Shtjefën Kurti ishte një dhanti e Zotit për popullin. Jetoi, veproi dhe vdiq për ideale të shenjta, të larta, për të cilat lypset jetuar dhe vepruar edhe ne, të gjithë vëllazërisht, së bashku. Martirët, dëshmorët, trimat lindin rrallë e nuk vdesin kurrë.

Papa Françesku e shpalli të lum në Shkodër, më 5 nëntor 2016, së bashku me Martirët Shqiptarë në krye me Imzot Vinçenc Prenushin

Filed Under: Emigracion Tagged With: Don Shtjefen Kurti, Leter Editorit, Nikolin Kurti

KUJTESA- SAMI DANGËLLIA, I BURGOSURI I PËRJETSHËM

May 10, 2020 by dgreca

-Samia Dangellia u shua në kampin e Shën Vasisë, Sarandë, me 23 Prill 1987… I pabesueshëm është fakti që shokët e tij të burgut të Burrelit, i kthyen shpinën atij që ishte simbol i qëndresës antikomuniste. Një pjesë e tyre u futën nën ”sqetullat ” e persekutorit për interesat e tyre të ulta duke bërë karrierë e pasuri deri në majat e larta të politikës…

-Një shoqëri që nuk nderon heronjtë dhe legjendat e veta por i le të shuhen e shlyhen nga kujtesa kolektive e historike, është e dënuar të zhytet edhe më thellë në errësirë.

NGA PËLLUMB LAMAJ/

         Sami Dangëllia lindi në fshatin Menkulas të Devollit në vitin 1920 e pas ushtrisë kur italia fashiste pushtoi Shqipërinë,ju përgjigj thirrjes së Mid’hat Frashërit dhe patriotëve të tjerë duke u rradhitur në rradhët e Ballit Kombëtar të krahinës.Ndërkohë që fatet e luftës ishin vendosur që më parë nga anglezët që e shikonin Shqipërinë si degëzim të Jugosllavisë duke ndihmuar të vinte në pushtet banda bolshevike e Hoxhës,Balli Kombëtar për t’ju shmangur vëllavrasjes më të madhe në histori që përgatitej nga Titua dhe emisarët serb pranë organizatës terroriste PKSH,shpërbëhet. Dhe pikërisht është ky momenti ku nis dhe gjenocidi sllavokomunist mbi kundërshtarët politik dhe gjithë shtresën fisnike e patriote shqiptare.Në 8 tetor 1943 fillon dhe odiseja e Sami Dangëllisë që do të kryqezohej përjetësisht nga demonët e kuq me të vetmin faj se donte Shqipërinë Etnike sikundër të parët e tij.Në fillim e burgosin në burgun e Korçës dhe pastaj në atë të Burrelit.Dënohet e ridënohet tre herë për të mos prekur kurrë lirinë.Për herë të fundit ridënohet në Revoltën e Spaçit Maj 1973 si një nga organizatorët e saj dhe dërgohet sërish në burgun famkeq të Burrelit.

         U shua në kampin e Shën Vasisë, Sarandë, me 23 Prill 1987, dhe trupi i tij brenda një kutie me dërrasa do të varosej në një vend të fshehtë nga gardianët e burgut siç ndodhte gjithmonë me ”armiqtë e popullit”.

        I burgosuri i përjetshem,Mandela shqiptar sikundër do të quhej më vonë edhe pse ishte kryqëzuar dyfishin e kohës së Mandelës afrikan, pët te cilin bota e qytetëruar aq shumë foli e propagandoi, edhe pse nga përmasat ia kalonte çdo personazhi e që mbarti me vete historinë më të errët dhe më tragjike e vrastare. Pas viteve nëntëdhjetë, kur u mendua se komunizmi dështoi me turp, për ironi të fatit jo vetëm u harrua e nuk mori vendin e takuar në histori,por në mënyrë tinzare dhe antinjerëzore, u mbajt larg teksteve shkollore,mediave të shitura dhe vet historisë.I pabesueshëm është dhe fakti që shokët e tij të burgut të Burrelit i kthyen shpinën atij që ishte simbol i qëndresës antikomuniste. Një pjesë e tyre u futën nën ”sqetullat ” e persekutorit për interesat e tyre të ulta duke bërë karrierë e pasuri deri në majat e larta të politikës.

         Në këtë mënyrë ata jo vetëm nuk i bënë atë mbyllje dinjitoze të historisë përkundrazi hapën trastat për dekorata, teneqera e kocka.Kush e shkatërron historinë,me dashje apo pa dashje ,bën krimin më të madh të të gjitha krimeve.Bota e qytetëruar nganjëherë i shpik heronjtë dhe legjendat ,ne i kemi dhe i përbaltim. Një shoqëri që nuk nderon heronjtë dhe legjendat e veta,por i le të shuhen nga kujtesa kolektive e historike,është e dënuar të zhytet edhe më thellë në errësirë.

Filed Under: Emigracion Tagged With: I Burgosuri I perjetshem, Pellumb Lamaj, Sami Dangellia

FËMIJA 5 VJEÇAR, QË NDËRROI JETË TË ENJTEN NË NY, HAP NJË KAPITULL TË RI NË BETEJËN ME KORONAVIRUSIN

May 8, 2020 by dgreca

-Shqetësim pasi një djal 5-vjeçar nga NYC dhe një 4 vjecar nga New Jersey vdiqën prej komplikimeve që lidhen me COVID-19.

-Deri tani janë 73 pacientë pediatrikë në të gjithë shtetin e NY, të cilët shfaqin simptoma të ngjashme me sëmundjen…

  • Bota kaloi shifrën e 4 milion të infektuar nga COVID-19

Nga Dalip Greca 

Guvernatori i New Yorkut Andrew Cuomo paralajmëron me shqetësim hapjen e një kapitulli të ri, krejtësisht të ndryshëm, nga çfarë kemi parë nga beteja e deritanishme në përballjen me Koronavirusin, pasi një djalë 5-vjeçar nga NYC vdiq prej komplikimeve që lidhen me COVID-19.

         Për muaj të tërë, prindërit ishin të qetë dhe po bekonin faktin që Coronavirusi nuk i prekte fëmijët. Por siç duket e vërteta nuk qenka tamam ashtu. Ndoshta ndryshimi i formave të virusit nuk po i kursen fëmijët.Edhe të dhënat zyrtare që u servirën (me vonesë) nga kinezët tregonin se fëmijët nuk prekeshin njësoj si të rriturit ose kur prekeshin nuk shfaqnin simptoma të rënda.

Guvernatori i New York-ut Andrew Cuomo ka paralajmëruar për shenja shqetësuese, të cilat deri tani janë dyshuese, ndoshta jo të vërtetuara plotësisht. 

– Një djalë 5-vjeçar në New York City vdiq të enjten nga komplikimet që lidhen me koronavirusin, tha Cuomo në një konferencë për shtyp të Premten pasdite, me 8 maj 2020. Ai komentoi se departamenti i shëndetit të shtetit po heton “disa raste të tjera që paraqesin rrethana të ngjashme”.

-Ky do të ishte vërtet një lajm i dhimbshëm dhe do të hapte një kapitull tjetër. Ne menduam se fëmijët mund të ishin thjeshtë ndërmejtës trasmetimi  tek të moshuarit, por nuk menduam se fëmijët do të vuanin prej koronavirusit, ka komentuar guvernatori të Premten.

  Besohet se djalit 5-vjeçar, që ndërroi jetë të enjten, vdekja mund t’i ketë ardhë nga komplikime të shkaktuar nga COVID-19. Guvernatori nuk e përmendi emrin fëmijës. Ndërkohë, Departamenti i Shëndetit po studion provat për të arritur në konkluzione nëse koronavirusi mund të shkaktojë sëmundje të rëndë te fëmijët?

Deri tani janë 73 pacientë pediatrikë në të gjithë shtetin, të cilët shfaqin simptoma të ngjashme me sëmundjen Kawasaki dhe sindromën toksike të shokut, tha Cuomo. 

New York City kishte paralajmëruar të hënën se 15 pacientë midis 2 dhe 15 vjeç ishin shtruar në spitale gjatë tre javëve të fundit me sindromën që lidhej me Covid. Shumica e tyre testuan pozitive për koronavirusin ose kishin teste pozitive antitrupash.

Disa nga fëmijët kishin ethe të vazhdueshme, sindromën e shokut toksik dhe karakteristika të ngjashme me sëmundjen Kawasaki, tha njëri prej këshilltarëve shtetëror për shëndetin.

Sëmundja Kawasaki shkakton inflamacion në muret e arterieve dhe mund të kufizojë rrjedhën e gjakut në zemër. Zakonisht kjo sëmundje është e shërueshme dhe shumica e fëmijëve arrijnë ta kalojnë pa probleme serioze, por mund të jetë edhe vdekjeprurëse. Kryesisht prek fëmijët nën 5 vjeç.

Specialistët e shëndetit thanë se: Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë ,që zgjat mbi pesë ditë, shoqërohet me skuqje, gjëndra të fryra në qafë, buzë të thata të plasaritura, ënjtje të duarve dhe këmbëve dhe skuqje në të dy sytë. Simptomat të ngjashme me Kawasaki janë shfaqur tek fëmijët edhe në shtete të tjerë. Kështu guvernatori i New Jersey-t, Phil Murphy njoftoi se një fëmijë 4 vjeç humbi jetën nga komlikacione të tilla. Në Seattle janë konstatuar raste të tilla, siç janë raportuar edhe nga Spitali i fëmijëve në Stanford në Kaliforni.

Po ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar, specialistët e pediatrisë paralajmëruan kohët e fundit se disa fëmijë po sëmureshin nga sindroma e rrallë që mund të lidhej me koronavirusin. Ekspertët e atjeshëm thanë se dhimbja e barkut, simptomat gastrointestinale dhe inflamacioni kardiak, janë të zakonshme në raste të tilla. 

Raste të ngjashme janë raportuar në Itali dhe Spanjë.Duket se një kapitull i ri, po hapet në betejën kundër virusit të mistershëm.

                    *** 

       BOTA, KALON 4 MILION TË INFEKTUAR

Bota vazhdon të jetë e pafuqishme përballë virusit të mistershëm, në pritje të vaksinës, duke shënuar shifrën rekord të të infektuarëve me 4 milion, 9 mijë e 999(gjatë 24 orëshit të fundit u raportuan 95 mijë e 999 të infektuar të rinj), ndërsa numri i viktimave arriti 275 mijë e 934(gjatë së premtes u raportuan 5 mijë e 508 viktima). Shifrat më të larta ditore vazhdon t’i kenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar. Spanja, Italia, Franca, duket se po mbajnë nën kontroll situatën pas kalimit të kulmit të kurbës së Pandemisë. Të tre këto shtete europiane regjsitruan më pak se 250 viktima ditore, ndërsa Gjermania është menaxhusja më e mirë e shteteve europiane me vetëm 7 mijë e 510 viktima nga 170 mijë e 588 të infektuar nga COVID-19.

Britania e Madhe raportoi të premten 626 viktima(duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurëve në 31 mijë e 241 të vdekur), shifër kjo që e lë pas Italinë me 30 mijë e 201 viktima. Kohët e fundit edhe Rusia po e rrit numrin e të infektuarëve me më shumë se 10 mijë të infektuar në ditë, ndërsa ka në kontroll jetët njerëzore- nga 187 mijë e 859 të infektuar, ka vetëm 1 mijë e 723 viktima.

SHBA, 1 MIJË E 649 TË VDEKUR NË 24 ORË

Gjatë 24 orëshit të fundit u raportuan 1 mijë e 649 të vdekur, duke regjistruar në total 78 mijë e 577 të vdekur, ndërkohë që me 28 mijë e 231 të infektuarit e rinjë të raportuar të Premten, numri i përgjithshëm i të infektuarëve shkoi në 1 milionë 320 mijë e 854.

Përveç uljes së numrit të të shtruarëve nëpër spitale, ka dhe dy sinajle pozitive: Është rritur numri i shëruarëve me rreth 222 mijë, ndërsa vijojnë testimet, që deri tash kapin shifrën e 8 milion 573 mijë e 610.

New Yorku me përjashtim të ditës së mërkurë, kur u shënuan 752 viktima, ditët e tjera kanë qenë më optimiste; të enjten 409 të vdekur, ndërsa të premten 220. Shifër që guvernatori Cuomo e komentoi gjatë konferencës për shtyp të Premten pasdite në Poughkeepsie, si dhimbje për jetët e humbura.

Numri i shtrimeve të reja në spitale prej COVID-19 ka qenë i sheshtë gjatë ditëve të kaluara. Ai tha se shpresojmë që të shohim një rënie në ditët e ardhshme.

Ndërsa kurba e shtrimeve në spital dhe të pacienëtve të intubuar, është në rënie, komentoi Cuomo.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Bill de Blasio prezantoi të Premten rregullat e reja të hyrjes në disa parqe të New York City, me qëllim shmangien e turmave.

Udhëzimet e reja u referohen përkatësisht Hudson River Park në Manhattan dhe Domino Park, Williamsburg-Brooklyn, ku ka pasur mbigrumbullime në ditë të ngrohta.

Qyteti do të kufizojë kapacitetet në Piers 45, 46,

 do të rrisë praninë e policisë dhe do të monitorojë nga afër Parkun Domino, sipas kryetarit të bashkisë. Ai tha se do të kufizohet numri i e njerzëve që hyjnë dhe do të kërkohet distancim dhe mbajtja e detyruar e maskave.

Nëdrkohv ka pasë kundërshtime e protesta nga ndërhyrjet e policies,e cila ka arrestuar kundravajtësit. NYPD ka publikuar statistika që tregojnë se 68 përqind të arrestimeve dhe thirrjeve për distancim social kanë përfshirë qytetarët me ngjyrë, 24 përqind hispanikët dhe 7 përqind të bardhët.

                                                ***

…. New Jersey ka shënuar një ulje të ndjeshme kohët e fundit, si për numrin e të infektaurëve ashtu edhe për numrin e viktimave. Guvernatori Phil Murphy njoftoi të premten 1,985 të infektuar të rinj prej COVID-19, duke e çuar numrin në të gjithë shtetin në 136,976. New Jersey kishte gjithashtu 130 vdekje të reja, duke rritur numrin e vdekjeve të shtetit në 8,964. Guvernatori tha që niveli i përhapjes së koronavirusit po ngadalësohet në të gjithë shtetin, dhe që nga e enjtja në mbrëmje, në spitalet e New Jersey ishin 4,605 ​​pacientë COVID-19, ç’ka shënon një ulje prej 1.000 pacientësh nga e Premtja e kaluar.

Për më tepër, numri i pacientëve të raportuar në kujdes kritik ose intensiv dhe përdorimi i ventilatorëve, vazhdojnë të ulen ndjeshëm.

Statistikat e viktimave për shtetet e tjera, që u raportuan gjatë së Premtes: Massachusetts 150 të vdekur(numri i përgjithshëm 4 mijë e 702), Illinois 130 të vdekur( numri i përgjithshëm 3 mijë e 241),California 87 viktima ditore, Pannsylvania 125, Michigani 57, (Shifra e përgjithshme e viktimave 4 mijë e 393), Florida 69, Texasi 39, Connecticut 77, Georgia 51, Louisiana 19, Maryland 57, Indiana 33, Ohio 32, Virginia 43, Arizona 67, Minnesota 26,Missouri 31 etj. 

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, Femija 5 vjeçari, vdiq ne NY

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 104
  • 105
  • 106
  • 107
  • 108
  • …
  • 183
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT