• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kushtetuta Amerikane, dokumenti që ndryshoi botën

May 25, 2025 by s p

𝐷𝑟. 𝐵𝑙𝑒𝑑𝑎𝑟 𝐾𝑢𝑟𝑡𝑖

(𝐴𝑙𝑢𝑚𝑛𝑖 𝑖 𝐷𝑒𝑝𝑎𝑟𝑡𝑎𝑚𝑒𝑛𝑡𝑖𝑡 𝐴𝑚𝑒𝑟𝑖𝑘𝑎𝑛 𝑡𝑒̈ 𝑆ℎ𝑡𝑒𝑡𝑖𝑡)/

Në këtë ditë, më 25 maj 1787, u mblodh Konventa Kushtetuese në Filadelfia, SHBA, ku 55 delegatë nisën hartimin e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara e cila u firmos më 17 shtator 1787, duke i ofruar shtetasve amerikanë e mbarë botës dokumentin më jetëgjatë deri më sot, njëkohësisht tekstin më të shkurtër që ekziston nga të gjitha kushtetutat e vendeve të tjera, të cilat, duke marrë shembull nga SHBA hartuan edhe ato kushtetutat e tyre.

SHBA është shembulli i demokracisë në veprim për mbarë globin. Por, eksporti më i rëndësishëm i Amerikës në botë ka qenë Kushtetuta e saj. Ajo u hartua si kushtetuta e parë në një dokument të vetëm. Është dokumenti me jetëgjatësinë më të madhe. Dhe gjatë dy shekujve të fundit çdo komb e ka pranuar nevojën dhe vlerën e të pasurit një kushtetutë. Dhe në rastet kur vendet kanë hartuar një të tyren, referenca ka qenë pikërisht Kushtetuta Amerikane. Madje ka pasur shumë përpjekje për të importuar Kushtetutën dhe sistemin e qeverisjes së SHBA-së dhe për t’i zbatuar ato në pjesë të tjera të botës, por ato kanë qenë të pasuksesshme. Kjo ka ardhur për faktin se Kushtetuta dhe sistemi i qeverisjes amerikane janë pasqyrim i mentalitetit, vlerave dhe identitetit amerikan.

Shumë vende, veçanërisht ato në Amerikën Latine, u përpoqën të imitonin qeverinë dhe Kushtetutën e SHBA, por dështuan. Bolivia e provoi, dhe si rezultat pësoi gjashtëdhjetë revolta, dhjetë kushtetuta të rishkruara dhe gjashtë presidentë të vrarë midis viteve 1826 dhe 1898. Simon Bolivar (1783-1830), i njohur si George Washington i Amerikës së Jugut, vdiq një idealist i zhgënjyer nga dështimi për të zbatuar kushtetutën e vendit të tij, të modeluar sipas asaj amerikane. Arsyeja e dështimit nuk ishte gjë tjetër veçse fakti se Kushtetuta Amerikane u hartua për popullin dhe shoqërinë amerikane, e cila qëndron e bazuar mbi disa parime të caktuara, unike amerikane.

Kushtetuta e SHBA-së ka një sërë amendamentesh specifike për të drejtat e njeriut të njohura si Bill of Rights. Hartuesit dhe ratifikuesit e Kushtetutës së SHBA-së i mësuan botës se nuk mund të ketë kushtetutë pa një seksion të veçantë që rendit të drejtat individuale.

Gjithashtu, në hartimin e Kushtetutës amerikane, u krijua një emër dhe ofiq i ri që nuk kish ekzistuar më parë: Presidenti. Për herë të parë në histori u krijua figura dhe detyra e Presidentit. Një shembull një u mor më pas nga shtete të tjera.

Kushtetuta i dha ofiqit të Presidentit kompetencën të ishte “Komandanti i Përgjithshëm i Forcava të Armatosura dhe Marinës, të bënte falje, amnisti, të nënshkruante marrëveshje me kombe të tjera (nën këshillimin e Senatit), si edhe të caktonte ambasadorë, konsuj, gjyqtarë të Gjykatës Supreme.” Presidenti ishte drejtues lufte por nuk mund të shpallte luftë dhe as të paguante për luftën pasi këto pushtete i kishte legjislativi. Kushtetuta i jepte legjislativit, pushtetit me shumë individë më shumë kompetenca, ndërsa ekzekutivit, pushtetit që drejtohej nga një njeri i vetëm shumë pak prej tyre.

Në këtë kushtetutë Presidenti i SHBA ka më pak pushtet se pushtetet e tjera. Në fakt, themeluesit e kushtetutës nuk lejuan që një njeri i vetëm, apo edhe një grup njerëzish të mernin në dorë fatet e një kombi. Kjo do ndryshonte më vonë në shekullin e njëzetë me zgjedhjen e drejtëpërdrejtë të senatorëve dhe me pushtetet që do i kalonin presidentit, sidomos shpallja e luftës pa miratimin e Kongresit, të cilat do e bënin një individ të vetëm njeriun me pushtetin më të madh në SHBA dhe si rrjedhojë edhe në botë.

Kushtetuta amerikane ka një ndarje pushtetesh e cila funksionon në mënyrë të përkryer. E jo vetëm kaq, por qeverisja amerikane ka një dinamikë dhe një formulë rotacioni të paprecedentë.

Përpjekjet e etërve amerikanë për të mos lejuar asnjë individ të bëhej mbret apo Zot duken qartë në ekuacionin e rotacioneve të kongresmenëve, senatorëve, kolegjit elektoral, dhe mandatit të gjykatësve të Gjykatës Supreme.

Themeluesit e Kushtetutës caktuan që pushteti legjislativ, Kongresi, të përbëhej nga dy dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Në Dhomën e Përfaqësuesve çdo shtet do dërgonte një numër përfaqësuesish sipas numrit të popullatës së çdo shteti. Ndërsa në Senat, dy përfaqësues nga çdo shtet pavarësisht numrit të popullatës. Kjo u bë për të ruajtur balancën midis demokracisë popullore dhe drejtimit të elitave.

Për më tepër kushtetuta vendosi se zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të bëhen çdo dy vjet, për President çdo katër vjet, për Senat çdo gjashtë vjet, ndërsa mandati i gjykatësve të Gjykatës Supreme të jetë i përjetshëm në mënyrë që gjykatësit të mos ndikoheshin nga rotacionet politike. Në këtë mënyrë kushtetuta siguron qarkullimin e elitave dhe rotacionin e pushtetit.

Por, sikur të mos mjaftonte kjo ndarje, edhe mënyra e zgjedhjes së senatorëve apo e presidentit kalonte përmes një procesi rotacioni edhe më filtrues. Neni 1, Pika 3, e Kushtetutës së SHBA thotë: “Senati do ndahet në tre Kategori. Karriget e Senatorëve të Kategorisë së Parë do jenë të lira në përfundim të vitit të dytë, dhe Kategoria e dytë do përfundojë në vitin e katërt, ndërsa Kategoria e tretë në vitin e gjashtë.” Ndërsa Presidenti, me mandat katër vjeçar, nuk do zgjidhej drejtëpërdrejtë nga populli por nga një grup përfaqësuesish, që njihet si Kolegji Elektoral, nga çdo shtet.

Etërit amerikanë krijuan një Republikë të bazuar mbi parimet më të shëndosha të vlerave historike, qeverisjeje dhe njerëzore.

Sistemi politik dhe qeverisës në SHBA është i balancuar dhe unik. Ndarja horizontale e pushtetit në Shtetet e Bashkuara është tërësisht e ndryshme nga vendet e tjera, sado demokratike qofshin ato. Asnjë shtet tjetër nuk është kaq i obsesuar me ndarjen e pushteteve si në Amerikë.

Në sisteme presidenciale dhe parlamentare të ngjashme përsa i përket ndarjes horizonatale të pushtetit është presidenti, parlamenti apo kryeministri ai që kanë pushtet mbi të tjerat. Edhe një institucion kolegjal si parlamenti mund të shndërrohet në absolutizëm pasi si kryeministri ashtu edhe ministrat e qeverisë dalin nga parlamenti për aq kohë sa ka një shumicë të thjeshtë. Një qeveri parlamentare nuk has aq shumë vështirësi sa presidentët amerikanë për të shndërruar në ligje propozimet e tyre. Qeveria paraqet direkt legjislaturën e vet në parlament. Zakonisht kontrollon kalendarin dhe axhendën legjislative.

Situata është tërësisht ndryshe në sistemin amerikan. Axhenda legjislative nuk kontrollohet nga presidenti. Shumica e ligjeve që miratohen janë më shumë produkt i negociatave midis dy dhomave të Kongresit sesa Kongresit dhe Presidentit. Ky sistem balancash e ka bërë SHBA vendin më të zhvilluar dhe udhëheqës në botë.

E pluribus unum (Nga shumë, një). Kjo është motoja e Vulës së Madhe të Shteteve të Bashkuara. 50 shtete në një.

Një vend me mbi 56 mijë qeveri. Me mijëra njësi qeverisje të ndara në 36 mijë qytete e qyteza, dhe 35 mijë distrikte të veçanta!

Vendi me diversitetin më të madh njerëzor por të gjithë të bashkuar në një qeveri, një komb dhe një flamur! “Nga shumë, një” është një markë unike amerikane e cila u arrit falë atij dokumenti që nisi të hartohej në Filadelfia më 25 maj 1787, Kushtetutës, për të cilën Presidenti dhe zyrtarët e lartë të SHBA betohen në marrjen e detyrës se do ta respektojnë, ruajnë e mbrojnë me të gjithë forcën dhe aftësinë e tyre.

Filed Under: Emigracion

JAVË E SUKSESEVE TË LIGËS QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE NË WASHINGTON

May 22, 2025 by s p

Nën udhëheqjen e veprimtarëve legjendarë për çështje kombëtare në Washington, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane mori pjesë në ngjarjen vjetore të FMC-Former Members of Congress ( Ish anëtarë të Kongresit) në Washington “Statesmanship Awards”, ku ish anëtarët takohen me anëtarët aktualë, ndajnë përvojat dhe u japin këshilla senatorëve dhe kongresmenëve të rinj.

Me këtë rast u nderuan senatorët Cory Booker (demokrat) dhe Todd Young (republikan), si dhe kongresmenët Young Kim (Republikan) dhe Ed Case (demokrat).

Ishte kënaqësi të dëgjojmë për qeverisjen dhe bashkëpunimin ndërpartiak nga liderët e të dyja partive politike.

Rëndësi të posaçme kishin takimet e veçanta me senatorë dhe kongresmenë amerikanë gjatë mbrëmjes dhe ditëve tjera në zyrat e tyre në Washington, si senatori Cory Booker dhe Todd Young, si dhe kongresmenët Mike Lawler dhe George Latimer.

Çështja e zhvillimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës, bashkëpunimi më i thellë me Kongresin dhe shtetin Amerikan si dhe konfrontimi i agresionit serb ishte ndër temat kryesore në të gjitha takimet.

Puna e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikanr në Washington vazhdon me profesionalizëm dhe përkushtim.

Na nderoi pjesëmarrja dhe mbështetja e bashkatdhetarëve tanë nga Kanadaja dhe Gjermania.

Agim Aliçkaj

Drejtor Ekzekutiv i LQSHA

ACHIEVEMENTS OF THE ALBANIAN-AMERICAN CIVIC LEAGUE IN WASHINGTON DURING THIS WEEK

Under the leadership of legendary national activists Joe DioGuardi and Shirley Cloyes DioGuardi, the League participated in the annual FMC-Former Members of Congress event in Washington “Statesmanship awards”, where former members meet with current members, share experiences, and provide advice to new senators and congressmen.

On this occasion, Senators Cory Booker (Democrat) and Todd Young (Republican), as well as Congressmen Young Kim (Republican) and Ed Case (Democrat), were honored.

It was a pleasure to hear about statesmanship and partisanship from the leaders of both political parties.

Of particular importance were the special meetings with American senators and congressmen during the evening and other days in their offices in Washington, like Senator Cory Booker and Todd Young, as well as Congressmen Mike Lawler and George Latimer.

The issue of developing and strengthening the state of Kosova, deeper cooperation with the American Congress and state, as well as confronting Serbian aggression, were among the main topics in all the meetings.

The work of the Albanian-American Civic League in Washington continues with professionalism and dedication.

We were honored by the participation and support of our compatriots from Canada and Germany.

Agim Aliçkaj

Executive Director of AACL

Filed Under: Emigracion

NGA JUNIKU I DJESHËM TEK STRATEGJITË E BASHKËPUNIMIT NË SHEKULLIN XXI

May 21, 2025 by s p

Kuvendi i Junikut mbetet jo vetëm një pikë referimi historike, por një model për bashkimin e vizioneve në funksion të një projekti të madh kombëtar. Shekulli XXI kërkon një rilindje të re të mendimit dhe veprimit strategjik shqiptar. Është koha për të ndërtuar një epokë të re të bashkimit, përparimit dhe vetëdijes kombëtare – në frymën e Junikut, por me mjetet dhe sfidat e së sotmes.

Nga Prof.dr Skender Asani

Në historinë e kombeve, momentet kur ndërgjegjja kolektive ngrihet mbi ndasitë e përditshme dhe projekton një të ardhme të përbashkët, mbeten gurë kilometrikë të rrugëtimit kombëtar. Një nga këto momente për shqiptarët ishte padyshim Kuvendi i Junikut, i mbajtur më 21–25 maj 1912, që përfaqësonte një akt të thellë vetëdijeje politike dhe kombëtare në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Në atë moment kritik të historisë, kur harta e rajonit po ridizajnohej dhe popujt përreth artikulonin projektet e tyre shtetformuese, shqiptarët përmes Kuvendit të Junikut shfaqën me qartësi synimet e tyre politike: mëvetësinë, vetëvendosjen dhe ruajtjen e integritetit të hapësirës shqiptare. Të udhëhequr nga figura si Hasan Prishtina, delegatët e atij kuvendi ndërtuan një arkitekturë politike me vizion afatgjatë, për të shmangur fragmentimin dhe për të garantuar përfshirjen e të gjitha trojeve shqiptare në projektin e përbashkët kombëtar.

Sot, pas më shumë se një shekulli, ndodhemi para një faze tjetër të rëndësishme historike: përmbylljes së disa proceseve të mëdha politike dhe përcaktimit euroatlantik të hapësirës shqiptare. Në një botë ku konstelacionet gjeopolitike po ndryshojnë me shpejtësi, shqiptarët, për t’u përballur me sfidat e reja, kanë nevojë për të njëjtin mobilizim që karakterizoi Junikun e vitit 1912.

Zgjidhja përfundimtare për çështjen e Kosovës kërkon një qasje të mençur dhe gjithëpërfshirëse. Kjo nënkupton ndërtimin e një lidhjeje institucionale të fuqishme me Shqipërinë, si një formë funksionale e afrimit të mëtejshëm kombëtar, por edhe pranimin e kërkesave të miqve perëndimorë për të përmbyllur njohjen e plotë të shtetësisë së saj. Këto janë hapa strategjikë në drejtim të konsolidimit të pozitës së Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe të rumbullakimit të pavarësisë së saj.

Njëkohësisht, është e domosdoshme që me urtësi politike të rumbullaksohet edhe procesi i shtetformësisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet rritjes së barazisë institucionale, afirmimit të përfaqësimit të drejtë dhe ndërtimit të partneritetit real me faktorin shtetëror. Ky proces duhet të udhëhiqet nga një mendësi moderne politike dhe nga një narrativ i ri që tejkalon provincializmat dhe ndarjet artificiale.

Në këtë kuadër, nuk mund të lihet pa u theksuar pozita strategjike që ka Shqipëria në rajon. Duke ecur me hapa të fuqishëm drejt integrimit evropian, ajo po shndërrohet në një faktor politik dhe ekonomik të rëndësishëm, si dhe në një shtyllë kyçe të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ky zhvillim e rrit rolin e Shqipërisë si urë lidhëse dhe si mbështetje e fuqishme për çështjet shqiptare në të gjitha hapësirat.

Një dimension i rëndësishëm i këtij mobilizimi është edhe mërgata shqiptare në botë. Kontributi i saj ndër shekuj ka qenë thelbësor për mbijetesën dhe afirmimin e shqiptarëve në Ballkan. Sot, në rrethana të reja, ajo duhet të jetë më e organizuar dhe më e angazhuar për vendlindjen – përmes investimeve ekonomike, mbështetjes së zhvillimit institucional dhe lobimit aktiv në mbrojtje të interesave kombëtare në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes. Mërgata mund të shërbejë si një urë e fuqishme mes atdheut dhe botës perëndimore, duke ndihmuar në avancimin e qëllimeve të përbashkëta.

Kuvendi i Junikut nuk ishte një akt i izoluar. Ai ishte produkt i ndërgjegjësimit kombëtar dhe i ndjeshmërisë historike që kuptoi nevojën për unitet. Edhe sot, përballë sfidave të globalizimit, të fragmentimit të brendshëm politik dhe të përplasjes së interesave gjeopolitike, modeli i Junikut mbetet një udhërrëfyes për bashkërendimin e vizioneve dhe për ndërtimin e një platforme të përbashkët kombëtare.

Kuvendi i Junikut mbetet jo vetëm një pikë referimi historike, por një model për bashkimin e vizioneve në funksion të një projekti të madh kombëtar. Shekulli XXI kërkon një rilindje të re të mendimit dhe veprimit strategjik shqiptar, ku bashkëpunimi institucional ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, afirmimi i barazisë në Maqedoninë e Veriut, integrimi i përshpejtuar i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe roli i fuqizuar i mërgatës shqiptare përbëjnë shtyllat e qëndrueshme të së ardhmes sonë. Vetëm përmes një mobilizimi të tillë gjithëkombëtar, me një mendësi të qartë euroatlantike dhe me një diplomaci të mençur, shqiptarët mund të sigurojnë vendin që u takon në hartën e re të rendit botëror dhe të kontribuojnë në paqen dhe zhvillimin afatgjatë të rajonit. Kjo është koha për të ndërtuar një epokë të re të bashkimit, përparimit dhe vetëdijes kombëtare – në frymën e Junikut, por me mjetet dhe sfidat e së sotmes.

Filed Under: Emigracion

Më 13 maj 1944 u krijua “Lidhja Shkodrane”

May 13, 2025 by s p

Instituti “Lumo Skendo”/

Në Shkodër më 13 maj 1944 u krijua nga 150 përfaqësues së qarkut të Shkodrës e më gjerë, “Lidhja Shkodrane”, një marrëveshje midis Ballit Kombëtar, nënshkruar prej Mid’hat Frashërit dhe Lec Kurtit, legalitetit të përfaqësuar nga Ndoc Çobaj e Shefqet Muka, dhe Indipendentët, nga Gjon Marka Gjoni e Sulçe beg Bushati, me program qëndresën ndaj mësymjes të ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe luftën kundër bashkëpunimit komunist shqiptaro-jugosllav, që po rezikonte ekzistencën e kombit shqiptar. U formua edhe Komiteti Ekzekutiv i Lidhjes, me pjesëmarrës nga të tre grupimet kryesore.

Filed Under: Emigracion

Fati ndonjëherë shkruan histori që as skenaristi më i mirë nuk mund t’i imagjinonte

April 25, 2025 by s p

Saimir Kadiu/

Fati ndonjëherë shkruan histori që as skenaristi më i mirë nuk mund t’i imagjinonte. Kjo është një nga ato. Thomas Jefferson dhe John Adams, dy nga Etërit Themelues më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vdiqën të dy pikërisht në të njëjtën ditë: 4 korrik 1826.

Nuk ishte vetëm një ditë. Ishte pikërisht pesëdhjetëvjetori i Shpalljes së Pavarësisë që ata vetë kishin ndihmuar në kete ngjarje.

Jefferson ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Virxhinia, Adams në Massachusetts, pa dijeni për njëri-tjetrin.

Por historia nuk mbaron këtu…

Rastësia bëhet pothuajse e mbinatyrshme kur zbulojmë se pesë vjet më vonë, më 4 korrik 1831, James Monroe, presidenti i pestë i Shteteve të Bashkuara, gjithashtu u largua nga jeta tokësore në të njëjtën ditë simbolike të kombit të cilit i kishte shërbyer.

Tre Etër Themelues, tre Presidentë, një datë vdekjeje. Kur historia shfaq këto sinkronizime të jashtëzakonshme, është e vështirë të mos ndalosh asnjë çast për të reflektuar mbi ndërthurjen misterioze të jetës, vdekjes dhe simboleve kombëtare.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 183
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT