• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

April 20, 2026 by s p

Prof.dr.Nusret PLLANA/

Sot na ka tubuar gjaku i djemëve dhe vajzave tona më të mira të Gollakut e fshatrave me rrethinë, gjaku i fëmijëve tanë engjëj, i nënave dhe baballarëve tanë, të cilët Serbia gjenocidiale i vrau vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë. Mëngjesin e 17, 18 e 19 prillit 1999, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, sulmuan shumë fshatra të Gollakut, të Komunës së Prishtinës, ku vranë e masakruan në mënyrën më barbare 160 civilë shqiptarë duarthatë, burra, gra, pleq e fëmijë. Kjo ngjarje tragjike ka hyrë në histori me emrin Masakra e Makofcit me rrethinë.

Në Kosovë Lufta e UÇK-së kundër forcave ushtarake dhe policore pushtuese serbe kishte mbi dy vjet që zhvillohej. Gjatë kësaj periudhe në Kosovë kishin ndodhur edhe masakra të tjera, secila më e rëndë se tjetra, siç e kujtuam dje edhe masakrën e Poklekut të Drenicës heroike, nga 54 civilë të ekzekutuar, 24 prej tyre ishin fëmijë.

Por shumë tragjike dhe tepër e tmerrshme, ishte edhe ajo që ndodhi në Makofc, kur edhe me sharrë druri ekzekutoheshin njerëzit e kësaj ane, ishte diçka e paimagjinueshme për logjikën e njeriut normal. Andaj, këtë barbari e mizori fashizoide nuk do ta duronte as truri i njeriut, po të ndodhte edhe në kohë të mesjetës, e lëre më në zemër të Evropës, të ashtuquajtur ‘demokratike’, në fund të shekullit XX-të, e cila për fat të keq, me gjithë këtë gjenocid të ushtruar nga barbaria dhe mizoria serbe mbi shqiptarët, për gati dy shekuj me radhë, ajo(Evropa pra) shqiptarët edhe sot e kësaj dite i konsideron qytetarë të rendit të dytë, e pa fije turpi mundohet, me çdo kusht ta barazoj viktimën me kriminelin, i akuzon çlirimtarët dhe i mban me vite në Hagë, për krimet e supozuara, ndërkaq Serbinë pushtuese e gjenocidiale e trajton edhe më tutje si të përkëdhelurën e vet dhe të përkdhelurën e Ballkanit.

Skenat barbare nga masakra e Makofcit kishin tronditur opinionin ndërkombëtar, por edhe ngjarjet me kufomat e kësaj masakre dhe të masakrave të shumta gjithandej Kosovës, ishin akte shumë çnjerëzore, që e vërtetonte për të satën herë brenda dy shekujve, urrejtjen patologjike të çmendurisë serbe ndaj racës pellazgo-iliro-dardane, përkatësisht shqiptare.

Të nderuar udhëheqës të Republikës së përgjakur të Kosovës dardane,

Të nderuar qytetarë të Gollakut me rrethinë,

Të nderuar të pranishëm të këtij këtij tubimi përkujtimor,

Nuk e mban mend asnjë periudhë e historisë njerëzore lojen me të vdekurit, varrosjen dhe zhvarrosjen e tyre, sa herë ju tekej, siç e kanë bërë regjimet barbare serbe mbi shqiptarët në vazhdimësi, e sidomos në fund luftën e viteve 1998/1999, vetëm e vetëm që të zhduknin gjurmët e këtij gjenocidi të paparë në Evropë, pas luftës së dytë botërore. Këtë lojë të çmendurisë së tyre me kufomat shqiptare, vazhdojnë ta bëjnë qe 27 vite rresht, dhe për fat të keq, në mungesë të presionit të mirëfillt ndërkombëtar, por edhe vendor, edhe më tutje na i mbajnë gjithandej Serbisë gjenocidiale trupat e më shumë se 1600 shqiptarëve civilë, që i vranë e masakruan barbarisht, vetëm e vetëm pse ishin racë e kundërt me ekzekutorin.

Dihet se pas masakrës, një luftë tjetër e ashpër u zhvillua për marrjen e kufomave, për varrimin e tyre dhe për analizat e komisionit ndërkombëtar, të cilat për pushtetin e satrapit të Ballkanit Millosheviq kishin pak rëndësi, siq nuk kanë rëndësi fare as për kriminelin Aleksandër Vuçiq, Daçiq, Vullin e shumë e shumë kriminela të tjerë të Serbisë fashiste, që janë fotokopje e Kryekriminelit Millosheviq.

Krimi shtetëror serb në Makofc ndikoi drejtpërdrejtë në ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar dhe të qarqeve e të qendrave botërore vendimmarrëse për atë çfarë po ndodhte në të vërtetë në Kosovë.

Prandaj, mos harresa e kujtesës historike është jo vetëm obligim moral, edukativ e kulturor për ne të gjallët e vdekur, por edhe obligim historik, që t’i kujtojmë më të dashurit tanë, jo vetëm gjatë përvjetorëve të rënjes së tyre, por me vepra e punë të mira për atdheun tonë të larë me gjakun e djemëve dhe vajzave tona, të nënave dhe baballarëve tanë që u therrorizuan me shekuj për lirinë e Kosovës dhe Bashkimin e trojeve shqiptare.

Të dashur nëna e baballarë, të dashur dashur vëllezër e motra, ata që e harrojnë historinë e tyre të përgjakshme, historia e ka dëshmuar shumë herë që ajo është e pamëshirmshme dhe përsëritet, sepse ne shqiptarëve që në gjen e kemi harresën e kujjtesës historike, gjenocidi serb na u ka përsërit 5 herë vetëm brenda një shekulli e gjysmë, që don të thot me trurin tonë nuk është diçka në rregull, prandaj meritojmë të na bëhen analiza të thella laboratorike e ta shërojmë më në fund këtë deformitet gjenetik, që të mos numërojmë edhe më tutje viktima, sepse armiku ynë barbarë serb e njeh vetëm një gjuhë, atë të forcës.

I shihni duke na dalë në skenë për çdo ditë kopilat e UDB-së, duke u munduar me rishkru historinë tonë përgjakshme, e fatkeqësisht edhe me financat e shtetit tonë, për t’ia bërë argatin dreqit, që me çdo kusht të barazohet viktima me kriminelin, që për qëllim të fundit e kanë ta shpëtojnë Serbinë fashiste nga dënimi për gjenocid mbi shqiptarët dhe askush nuk i akuzon dhe askush nuk i dënon për tradhti kombëtare, të cilët shkojnë deri në atë shkallë të çmendurisë njerëzore, sa që edhe të burgosurit civilë shqiptarë e duarthatë, të vrarë, të përgjakur e të sakatosur të burgut të Dubravës i etiketojnë pa fije turpi që, na paskan qenë të armatosur!!!.

Prandaj, të lumtë Kryetar Rama, që nuk heshte, por menjherë reagove në mënyrë institucionale dhe urdhërove që atë ekspozitë të turpit ta hedhësh në bërllog pa asnjë hezitim, kështu që edhe sot meritoni një duartrokitje nga ky tubim madhështor në kujtim të 27 vjetorit të 160 civilëve shqiptarë të Kosovës dardane.

Të dashur të rinjë e të reja, në veçanti juve që keni lindur pas vitit 1999, pas gjenocidit të fundit në Kosovë, mos harroni se kjo liri që po e gëzojmë sot po keqpërdoret me të madhe nga një liri e shfrenuar e rinisë sonë të degjeneruar anë e kënd trojeve tona arbërore, thuajse na ka pikur nga qielli, apo na ka ardhur nga fejsbuku, tik toku dhe spektakli më i degjeneruar e shqiptarisë i quajtur Big Brother…!!

Jo,jo, mos harroni se, kjo liri e ka emrin gjak, gjak i derdhur lum nga djemtë dhe vajzat tona më të mira, nga nënat dhe baballarët tanë, që janë me miljona sish, madje edhe nga gjaku i fëmijëve tanë engjëj, e që janë më shumë se 1432, vetëm në luftën e fundit në Kosovë, për të cilët, sot e 27 vite më parë, asnjë Qeveri e Republikës së Kosovës, nuk qe në gjendje me ua ngrit në shenjë respekti e kujtimi të përjetshëm qoftë edhe nje Obelisk të vetëm, një Kompleks memorial apo një muze gjenocidi për ta, që të vijnë miq e armiq të përkulen përballë emrave të tyre, e të hedhin lule të freskëta duke bërë homazhe çdo vit për ta. Këta jemi ne…!!

Pra, sa herë atdheu i një populli të robëruar përgjaket, janë të rënët ata që bëjnë shenjat e ringjalljes së tij.

Andaj, sot jemi tubuar këtu të përkulemi para tyre, të betohemi para gjeneratave të reja dhe brezave që do të vijnë, se këto flijime me përmasë antologjike të djemëve dhe vajzave tona më të mira, të nënave dhe baballarëve tanë, nuk do t’i harrojmë kurrë, sepse gjaku i tyre është vet liria e Kosovës.

Sido që të merret, flijimi dhe sakrifica e të rënëve për lirinë e atdheut, janë pjesë e kujtesës sonë historike, të brezave që do të vijnë, sepse çdo gjë mund të harrohet, por gjaku i derdhur për liri nuk harrohet kurrë. Andaj, nuk harrohet as gjaku i këtyre 160 qytetarëve të Makofcit e fshatrave të tjera të Gollakut me rrethinë, të rënë këtu, sot e 27 vite më parë, nuk harrohet as vrasja e djaloshit të dëshirit, apo të hasretit siq thot populli, gjaku i dëshmorit Latif Krasniqi, vëllait të vetëm të 7 motrave, njëra prej të cilave, e mbijetuara e kësaj masakre, Bukurije Krasniqi, enkas ka ardhë sot nga Gjermania, për t’i nderuar të rënët për liri, të kësaj masakre gjenocidiale, por nuk harrohet as gjaku i atyre nënave, i plakut të moshuar, por as gjaku i asaj foshnje, që është bërë pjesë e lirisë sonë.

Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, të rënët për lirinë e Kosovës kanë përmasë historike dhe kombëtare.

Të kësaj përmase janë edhe të rënët e Masakrës së Makofcit e të fshatrave të Gollakut me rrethinë.

LAVDI E PËRJETSHME!

Filed Under: Emigracion

Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton

April 16, 2026 by s p

Harry Bajraktari/

Dje, në pritjen e organizuar në nder të Kongresmenit Eliot Engel, pata kënaqësinë të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, të cilët erdhën për ngushëllime.

🇺🇸🇦🇱🇽🇰Folëm për miqësinë e shtrenjtë shqiptaro-amerikane dhe kujtuam fundin e viteve 90, kur së bashku me Kongresmenin Engel dhe shumë miq tanë në Washington angazhoheshim ditë e natë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Presidenti Clinton më tregoi se si, në atë periudhë, Kongresmeni Engel po ushtronte trysni të vazhdueshme ndaj administratës së tij për çështjen e Kosovës dhe theksoi se ishim me fat që, së bashku, arritëm të bënim ndryshimin për popullin e Kosovës. Presidentin Clinton e falënderova në emër të kombit tonë që na qëndroi pranë, duke i dhënë fund regjimit serb të Millosheviqit dhe duke çliruar Kosovën.

Pa miqtë tanë në Washington, Kosova nuk do të ishte këtu ku është sot: një shtet i lirë dhe i pavarur.

Në këtë pritje ngushëllimesh u takova edhe me familjarë dhe miq të nderuar të Kongresmenit Engel, si Kryetari i Yonkers-it Mike Spano, biznesmeni shqiptaro-amerikan Lewis Gjelaj, John dhe Maria Calvelli, Bill Weitz, gazetari dhe botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, si dhe shumë të tjerë.

Me punën e tij të jashtëzakonshme, Kongresmeni Engel ka hyrë në zemrat e shumë njerëzve në mbarë botën. Ne, shqiptarët, ishim me fat që e kishim një mik si ai—një zë të fortë dhe të palëkundur në momentet më vendimtare të historisë sonë.

Zoti e bekoftë Kongresmenin Engel, familjen Engel, popullin amerikan dhe popullin shqiptar.

___

Yesterday, at the reception held in honor of Congressman Eliot Engel, I had the pleasure of meeting President Bill Clinton and his wife, former Secretary of State Hillary Clinton, who had come to offer their condolences.

🇺🇸🇦🇱🇽🇰 We spoke about the enduring Albanian-American friendship and reflected on the late 1990s, when together with Congressman Engel and many of our friends in Washington, we worked day and night for the freedom and independence of Kosova. President Clinton shared how, during that period, Congressman Engel applied consistent pressure on his administration regarding the issue of Kosova, and emphasized that we were fortunate that, together, we were able to make a difference for the people of Kosova. I thanked President Clinton on behalf of our nation for standing by us and helping bring an end to the Serbian regime of Milosevic, leading to the liberation of Kosova.

Without our friends in Washington, Kosova would not be where it is today: a free and independent country.

At this gathering, I also had the opportunity to meet with family members and respected friends of Congressman Engel, including Yonkers Mayor Mike Spano, Albanian-American businessman Lewis Gjelaj, John and Maria Calvelli, Bill Weitz, journalist and owner of the newspaper “Illyria,” Vehbi Bajrami, as well as many others.

Through his extraordinary work, Congressman Engel has touched the hearts of people around the world. We Albanians were fortunate to have a friend like him—a strong and unwavering voice during the most decisive moments of our history.

May God bless Congressman Engel, the Engel family, the American people, and the Albanian people 🙏

Filed Under: Emigracion

Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…

April 15, 2026 by s p

Vjosa Osmani/

Si çdo 14 prill, zëri i të mbijetuarave bëhet zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare dhe thirrje për drejtësi para botës.

Nderojmë mijëra gra dhe burra që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ata mbajnë në vete dhimbje të thellë, por mbi të gjitha mbajnë forcën që e ka bërë të mundur që e vërteta të dalë në dritë.

Zëri i tyre sot dëgjohet në institucionet tona, në çdo cep të Republikës dhe në skenën ndërkombëtare. Ky zë është ngritur përmes fjalëve të tyre, përmes guximit të tyre dhe përmes përkushtimit tonë të përbashkët për drejtësi.

Përgjatë mandatit si Presidente, e paraprakisht si Kryetare e Kuvendit e deputete, kam qenë pranë tyre në çdo hap. Nga përkrahja konkrete për iniciativat e tyre, tek përfshirja e drejtpërdrejtë e të mbijetuarave në institucionet tona kur emërova ato si të deleguara të posaqme të Presidentes, kjo kauzë ka marrë vendin që meriton në agjendën shtetërore e ndërkombëtare.

Së bashku kemi shkuar në Parlamentin Evropian, në Kombet e Bashkuara dhe në forume të tjera ndërkombëtare, që bota ta dëgjojë të vërtetën nga vetë ato që e kanë përjetuar. Përballë përpjekjeve të Serbisë për ta shtrembëruar historinë, e vërteta e Kosovës qëndroi e fortë dhe e qartë.

Gjatë luftës në Kosovë, dhuna seksuale u përdor si instrument lufte nga Serbia. Ky fakt është i dokumentuar nga dëshmi të panumërta dhe nga vetë zërat e të mbijetuarave që vazhdojnë të flasin me guxim. Kjo e vërtetë kërkon drejtësi dhe përgjegjësi ndërkombëtare.

Sot, ne qëndrojmë me të mbijetuarat tona.

Me dinjitetin e tyre.

Me të vërtetën.

Me vendosmërinë tonë që kjo histori të dëgjohet në çdo platformë ndërkombëtare.

Kosova flet me zërin e tyre.

Dhe drejtësia mund të vonojë, por një ditë do ta dëgjojë këtë zë.

Filed Under: Emigracion

Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026

April 13, 2026 by s p

Imer Lladrovci/

Posta nga Haga

Me këtë titull, në numrin e fundit të gazetës “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” (FAS), një faqe e plotë e zë artikulli i gazetarit Michael Martens, që i kushtohet ish-presidentit të Kosovës në Burgun e Hagës, zotit Hashim Thaçi. Në faqe është vendosur edhe një fotografi e madhe e Hashim Thaçit dhe Joschka Fischer-it nga një takim i tyre zyrtar në Bonn, në vitin 1999, pas Konferencës së Rambujesë (Rambouillet).

Michael Martens, në fund të dhjetorit 2025, merr një letër nga Gjykata Speciale në Hagë me një përgjigje pozitive për një kërkesë të FAS-it për një intervistë me Hashim Thaçin. Në fakt, një intervistë me ish-presidentin e Kosovës në burg kishte qenë një ide e vjetër, por njohës të gjendjes e kishin paralajmëruar Martensin se një intervistë me të mund të merrej nga dëshmitarët si një porosi se Thaçi kishte një rrjet të mirë në shtypin e madh perëndimor dhe kështu do të ushtronte një ndikim negativ mbi ta dhe dëshmitë e tyre.

Tani që gazeta e boton këtë artikull dhe intervistën e plotë në origjinal në uebfaqen e gazetës FAZ, në vitin 2026, ky rrezik nuk ekziston më. Kështu, Gjykata merr një vendim pozitiv për kërkesën e gazetës gjermane për intervistë dhe e njofton, përmes postës elektronike, gazetarin e interesuar për vendimin pozitiv, duke e njoftuar që t’i dërgojë pyetjet me shkrim. Gazetari gjerman do të kishte dashur një intervistë ndryshe, me nënpyetje kritike, kështu që për lexuesin boton këtë shkrim dhe jo intervistën, e cila i nënshtrohet një censure gjyqësore që e sakatos intervistën si një formë autentike e mendimit të të burgosurit. Martens nënshkruan edhe një marrëveshje shtesë se nuk guxon të shtojë asgjë tjetër në përgjigjet me shkrim të intervistës.

Martens shkruan se qysh nga qershori i vitit 2023 ka ekzistuar interesi për një intervistë me Thaçin e burgosur, dikur president i Kosovës, udhëheqës politik i UÇK-së dhe shef i delegacionit kosovar në Rambuje. Martens shkruan se arrestimi dhe dërgimi në Burgun e Hagës i Thaçit do të mund ta penalizonte edhe vetë Qeverinë Federale të Gjermanisë, e bashkë me të edhe Perëndimin (NATO-n), për sulmet ajrore ndaj Jugosllavisë/Serbisë dhe Malit të Zi, sepse dikush mund të thotë se Gjermania, përkatësisht NATO-ja, paska bashkëpunuar me një kriminel lufte. Martens kështu i bën të njohura edhe motivet e tij për këtë intervistë dhe e nxit lexuesin të reflektojë.

Artikulli fillon me këtë fjali: “Kjo histori bën fjalë për një kriminel lufte – apo për një gabim grandioz juridik.“ Autori i shkrimit vazhdon duke thënë se cila nga këto dy histori do të kthehet në realitet, sot ende nuk mund të thuhet, por shumë shpejt edhe për këtë histori epilogu do të dihet.

Derisa në Shqipëri institucionet shtetërore janë shprehur kundër dënimit të Thaçit dhe të tjerëve në aktakuzë, në Kosovë një pjesë e spektrit partiak ka heshtur, duke kërkuar kështu tërthorazi dënimin e Thaçit, edhe pse rrjedhojat politike për shtetin e Kosovës s’do të mbeten në taborret partiake; ato do të jenë të rënda pikërisht për shtetin e Kosovës, nëse do të kemi një dënim të Thaçit.

Derisa, në një anë, ndodhemi para të panjohurave të mëdha, në anën tjetër dihet me saktësi se më 24 qershor të vitit 2020, Prokurori Special Jack Smith paralajmëroi ngritjen e një aktakuze ndaj presidentit Hashim Thaçi, i cili pikërisht atë ditë po udhëtonte drejt Washington-it, ku do ta takonte presidentin Donald Trump. Ishte parashikuar edhe një takim me Aleksandar Vuçiqin, me të cilin do të nënshkruhej një marrëveshje pajtimi mes Serbisë dhe Kosovës, një projekt ky i përgatitur nga ish-ambasadori i SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell.

Gjithë këtë skenar e zhbëri Prokuroria Speciale në Hagë, sepse Thaçi e ndërpreu udhëtimin në Washington dhe u kthye në Prishtinë, ku jep dorëheqje menjëherë nga funksioni i tij dhe i vetëdorëzohet Tribunalit.

Michael Martensit i intereson shumë përgjigjja e Thaçit në pyetjet rreth bashkëpunimit të mekanizmave të NATO-s me UÇK-në. Përgjigjen e tij, Martensi e konsideron përgjigje të një burrështetasi. Thaçi thotë se “NATO-ja intervenoi në mbrojtjen e vlerave të saj qendrore të lirisë, drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së jetës. NATO-ja na doli në ndihmë, sepse e kuptoi se kush ishim, çfarë vlera mbronim dhe ç’hiqnim nga Millosheviqi. Ata e panë nevojën tonë të madhe.“

Thaçi shpreh keqardhjen se Madeleine Albright dhe Richard Holbrooke, që e njihnin kontekstin e çështjes sonë, nuk janë gjallë. „Ata do të kishin qenë dëshmitarë të jashtëzakonshëm në këtë gjyq. Ata i kuptonin si kontekstin, ashtu edhe veprimet dhe qëllimet e kosovarëve, si dhe vendosmërinë e Millosheviqit për spastrim etnik dhe gjenocid.“

Dëbimi i rreth një milionë shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri dhe Maqedoni flet qartësisht për këtë vendosmëri të Millosheviqit dhe aleatëve të tij. Thaçi ia bën të qartë Martensit se konteksti historik ishte i atillë në Kosovë sa, pa intervenimin e NATO-s, shqiptarët e Kosovës nuk do të ekzistonin më, sepse Millosheviqi me bashkëmendimtarët e tij ishin të vendosur në ndërmarrjen e tyre ushtarake gjenocidale. Së këndejmi, Thaçi e konsideron padrejtësi të madhe të vihen para gjyqit ata që atëherë ndodheshin të vetmuar në tokë përballë ushtrisë serbe të superarmatosur dhe të vendosur për të kryer një gjenocid të madh.

Michael Martens tërheq vëmendjen nga mundësia e keqkuptimit të kontekstit të atëhershëm historik. Kosova në atë kohë ishte objekt i dhunës ushtarake serbe dhe krimet eventuale të UÇK-së ishin punktuale, reagim ndaj sulmit dhe aspak sistematike si ato serbe. Thaçi thotë se propaganda e Millosheviqit po merret në mënyrë jokritike si dëshmi për penalizimin e shqiptarëve.

Duke e krahasuar situatën e atëhershme me situatën e tanishme, ai thotë se i bie sikur sot Putini të mbledhë dëshmi kundër Zelenskyt dhe ky i fundit të dënohet pse e mbron Ukrainën nga sulmi rus. Nuk e kishte sulmuar Kosova Serbinë, por Serbia Kosovën. Ky fakt themelor nuk duhet të mjegullohet. „Shqiptarët e Kosovës luftonin thjesht për të drejtën e ekzistencës në këtë botë; bëhet fjalë për mbijetesën e tyre si individë dhe si popull.“

Martens në vazhdim shkruan se as avokatët e Thaçit s’e mohojnë mundësinë e krimeve të ndryshme nga ushtarët e UÇK-së. Por UÇK-ja s’ishte një ushtri e tillë, me hierarki dhe zinxhir komandues të paqortueshëm që do të mund ta inkriminonte udhëheqësin e saj. Thaçi në një përgjigje të tij e përmend edhe komandantin e NATO-s, Wesley Clark, i cili në dëshminë e tij para gjyqit e mbrojti Thaçin, duke e konsideruar si një viktimë të „kampanjës dezinformative ruse“.

Dëshmitarët amerikanë bënë gjithçka për ta çliruar Thaçin nga përgjegjësia. Clark tha se UÇK-ja s’ishte një ushtri e mirëfilltë, por një trupë decentralizuar e armatosur e luftëtarëve jo të rregullt që lindi si reaksion ndaj shtypjes serbe.

Nëse tribunali i merr parasysh këto argumente, atëherë duhet t’i lirojë të akuzuarit nga akuzat e ngritura kundër tyre, por Martens shkruan gjithashtu se ka pasur edhe krime që janë kryer nga shqiptarët e armatosur ndaj serbëve, romëve dhe shqiptarëve.

Me këto fjalë mbyllet ky shkrim i gjatë: „Nëse Thaçi nuk duhet bërë përgjegjës për këto, atëherë kush tjetër duhet të bartë përgjegjësi? Edhe këtë pyetje e kemi shtruar, por Thaçi s’ka dhënë kurrfarë përgjigjeje. A do ta bëjnë të tjerët? Apo këto krime do të mbeten pa ndëshkim?“

Në fund, edhe një pyetje e autorit të këtyre radhëve: a quhet drejtësi dënimi i dikujt që s’ka kurrfarë lidhjeje me disa krime, apo thjesht juridikisht i ngarkohet dikujt barra e krimit dhe zgjidhet problemi?

Filed Under: Emigracion

GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”

April 6, 2026 by s p


George Post Wheeler (6 gusht 1869 – 23 dhjetor 1956)
George Post Wheeler (6 gusht 1869 – 23 dhjetor 1956)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Prill 2026

“The American Foreign Service Journal ” ka botuar, në gusht të 1934, në faqet n°406 dhe 449, rrëfimin asokohe të George Post Wheeler, ambasadorit amerikan në Shqipëri për vendin e shqiponjave, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Shqipëria dhe “Burrat e Shqiponjës”

Sipër : I nderuari Post Wheeler, ministër amerikan në Shqipëri / Poshtë : Legata Amerikane dhe kopshtet në Tiranë, Shqipëri — Burimi : The American Foreign Service Journal, gusht 1934, f.406 dhe 449.
Sipër : I nderuari Post Wheeler, ministër amerikan në Shqipëri / Poshtë : Legata Amerikane dhe kopshtet në Tiranë, Shqipëri — Burimi : The American Foreign Service Journal, gusht 1934, f.406 dhe 449.

Porta hyrëse e Shqipërisë është Gjiri i Durrësit, aty ku kryqtarët zbritën për të nisur marshimin e tyre të tmerrshëm drejt Bosforit dhe Varrit të Shenjtë. Muret e tullave dhjetë këmbë të trasha që ata ndërtuan, të mbivendosura mbi bastione romake shumë më të vjetra, qëndrojnë ende sot, ndërsa në shekullin njëzet shihen nga lart nga pallati bregdetar i Mbretit Zog I, i pastër e i hijshëm, i ngritur mbi një kodër të pjerrët dhe të gjelbëruar, me pamje nga Adriatiku, lart mbi zhurmën e automobilëve në qytetin poshtë. Në Durrës nuk ka tramvaje që kërcasin, dhe siç dihet, Shqipëria ka dallimin unik të të qenit i vetmi vend në Evropë — ndoshta në botë — që nuk ka asnjë milje hekurudhe. Por nëse ngre kokën, mund të dallosh në horizont një pikë të lëvizshme — aeroplanin nga Vlora. Ai u nis nga Roma tre orë më parë dhe do të ulet në fushën e fluturimit në Tiranë, kryeqytetin, njëzet milje më tej, në hije të hangarit të madh të lyer me ngjyra kamuflazhi, pas dhjetë minutash.

Por, siç thotë një proverb i Lindjes : “Nëse do ta njohësh Lindjen, mos hyr në pazar nga porta kryesore.” Nëse do ta njohësh Shqipërinë, duhet ta njohësh nga ana e maleve, jo nga bregu i detit. Shiriti i ngushtë i fushës që përqafon Adriatikun — pjesa që turisti i rastit e sheh nga anija — është vetëm një skaj i jashtëm i Shqipërisë së vërtetë. Ai është përgjakur dhe pushtuar nga dhjetëra popuj të huaj që prej vitit 450 p.e.s. e deri te Woodrow Wilsoni dhe Këshilli i Ambasadorëve. Ndërkohë, shqiptari i maleve ka vështruar nga strehimi i tij i lartë, përkrah shqiponjës, bij i së cilës e quan veten. Shtëpia e tij është prej guri ose tullash të pjekura në diell, çatia me kashtë, dhe dyshemeja prej balte. Gratë e tij bluajnë misrin me dorë dhe tjerrin ndërsa ecin nëpër shtigje të pjerrëta. Gomari është mjeti i tij i vetëm i transportit ; nderi fisnor është pasuria më e çmuar, dhe mbrojtësi i tij është pushka.

Sepse këtu shihet diçka që nuk ekziston askund tjetër në Evropë — një komb që jeton njëkohësisht në të kaluarën dhe në të tashmen. Në veriun e thellë, në vendin e “burrave të shqiponjës”, historia ka qëndruar në vend për shekuj me radhë. Ata njiheshin si popull i ashpër dhe kokëfortë që treqind vjet para Krishtit, kur vala kelte përfshiu Ballkanin. Edhe romakët e shekullit pasues i gjetën si grabitës të pandreqshëm, njësoj siç i gjeti Anglia e Kanutit vikingët. Shqipëria ishte “provinca” më e trazuar e Romës — sundimi i saj ishte më shumë në letër sesa në realitet. Ajo kurrë nuk i pushtoi malet, megjithëse disa prej perandorëve të saj, përfshirë Konstantinin e Madh, ishin me gjak shqiptar. Në Gali, që Juli Cezari e gjeti të ndarë në tres partes, fise të vogla ishin tashmë shkrirë në njësi më të mëdha që udhëhiqeshin nga krerë të bashkuar — duke hedhur themelet e Francës dhe Belgjikës së sotme. Por kjo nuk ndodhi në gadishullin Ballkanik, e aq më pak në Shqipëri.

Këtu natyra është e egër, e përçarë dhe e ngushtë ; luginat janë të ndara nga male të thepisura dhe shtigjet janë të pakalueshme. Kështu shqiptarët nuk mund të bashkoheshin lehtë për të krijuar një ligj të përbashkët kombëtar. Familjet u rritën në fise, krerët u bënë pleq, dhe ligji i përgjithshëm ishte vetëm një marrëveshje zakonore ndërfisnore. Rrallëherë shfaqej ndonjë udhëheqës që përpiqej të sillte bashkim dhe kod ligjor të përbashkët. I tillë ishte Lekë Dukagjini — cili Lekë saktësisht, është ende çështje debati — që, rreth pesë shekuj më parë, i la popullit të maleve një trashëgimi aq të fuqishme, sa emri i tij u bë sinonim me Kanunin e maleve, ligjin zakonor të gjakut dhe nderit, ku gjakmarrja sundon si fill i kuq që lidh jetën shoqërore.

Ky është, për fat të keq, pengesa më e madhe për formimin e një kombi të bashkuar, të luftuar dikur nga Kisha dhe sot nga Shteti. Ndërsa në pjesën tjetër të Evropës fiset u kristalizuan në kombe të qëndrueshme, jeta në malësitë shqiptare mbeti pothuajse e pandryshuar. Për shtatë shekuj vala sllave përmbyti vendin, por shqiptarët, malësorë e fusharakë, refuzuan me këmbëngulje të shkrijnë veten. Ata ruajtën gjuhën dhe racën e tyre. Vetëm kur fuqia serbe u shemb para përparimit të turqve, dhe kur Skënderbeu vdiq, princat shqiptarë pranuan ta ndalnin luftën e pabarabartë — por kurrë nuk u nënshtruan. Në gjithë shekujt e luftës midis turqve dhe sllavëve, dhe më vonë në ndërlikimet e Fuqive të Mëdha, shqiptarët mbetën një komb në shpirt, që priste me durim ditën e çlirimit. Amerikanët mund të krenohen me faktin se në një moment vendimtar të Konferencës së Paqes, ishte pikërisht këmbëngulja e Shteteve të Bashkuara që ndihmoi më së shumti pavarësinë shqiptare. Pas njohjes së saj, përparimi në kryeqytet u hodh përpara me hapa gjigantë — nga kali e gomari, drejt epokës së motorëve, aeroplanëve dhe dritës elektrike.

Në Tiranë, një grusht njerëzish — ata që qeverisin, sidomos njeriu që prej presidenti i republikës u bë mbret — kanë sjellë organizimin dhe mendimin modern që po e shndërron Shqipërinë nga një mozaik fisnor në një shtet kombëtar. Ata kanë udhëtuar, janë arsimuar jashtë, kanë parë botën. Sot, ata po brumosin një komb, anëtar me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve. Por populli i fshatrave ka ende shumë për të mësuar — jo vetëm higjienën dhe bujqësinë moderne, por edhe parimet bazë të vetëqeverisjes që në vende të tjera mësohen që fëmijë. Ata duhet të mësojnë të mendojnë kombëtarisht, jo vetëm fisërisht. Dhe malësorët e veriut duhet ende të mësojnë shkrim e këndim, të kuptojnë se një gjykatë vendore vlen më shumë se një gjakmarrje, dhe se qeveria në Tiranë është e tyre, jo e ndonjë fuqie të huaj. Kështu ndodh që vetëm në Shqipëri, nga të gjitha vendet e Evropës, mund të shohësh procesin e ndërtimit të një kombi në të gjitha fazat e tij njëherësh.

Në malet veriore, fiset jetojnë si para dy mijë vjetësh ; në Tiranë, qyteti i ri me pallate, bulevarde, makina, ushtarë me uniforma moderne dhe turbanë të gjelbër të hoxhallarëve, me tregje plot gra me vello të zeza e pantallona të gjera (çitjane), me parlament e pallat mbretëror, mund të shohësh etapën e fundit të zhvillimit kombëtar. Në mes, në qytetet dhe fshatrat e kodrave, mund të shohësh çdo hap të këtij udhëtimi. Kjo përzierje e të vjetrës me të renë — jo vetëm në veshje e zakone, por në vetë natyrën e karakterit njerëzor — është ajo që e bën Shqipërinë aq magjepsëse. Dhe ndërsa mendon mbi këto ndryshime njerëzore, përreth jush ngrihen Alpet shqiptare të përjetshme, që reflektojnë diellin perëndues me gjak të kuq në majat e tyre të papërkulura — simbol i qëndrueshmërisë dhe krenarisë që ky vend ka lindur.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 209
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION
  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT