• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sot vendosa një kurorë lulesh…

April 25, 2026 by s p

Merita Mccormack/

Duke nderuar Viktimat Shqiptare të Komunizmit iu përula kujtimit të tyre duke iu lutur Zotit për lirinë e të gjithë atyre që vuajnë nga shtypja, represioni dhe pushtimi i së keqes….

Faleminderit Victims of Communism Memorial Foundation!

23 Prill 2026

Mëngjesi i sotëm më gjeti duke udhëtuar për në zemër të qytetit Uashington DC. Mezi gjeta një vend për të parkuar makinën dhe mbërrita tek lapidari ngritur posaçërisht për viktimat e Komunizmit dy dekada më parë .

Takova miqtë që njihja dhe pasi vendosa kurorën që e kisha thurur vetë, për martirët shqiptarë tek vendi i caktuar, mendova të bëja një vizitë tek pjesa tjetër e lulishtes ku vendosen të gjith kurorat , me radhë, në pritje për tu sjellë një nga një para monumentit të quajtur “ Pishtari i Lirisë”

I bëra një video gjithë kurorave të sjella nga ambasadat e vendeve që e kanë pësuar nga komunizmi. Mes tyre vura re ambasadat nga Kroacia, Bullgaria, Rumania , vendet balltike , bile edhe Ambasada e BE-së e një grup grek.

Pastaj me radhë grupet sipas organizatave .

Prej shqiptarisë ishim vetëm dy persona të pranishëm, artisti strugan Haxhi Dauti, dhe unë.

Secili nga ne kish sjellë nga një kurorë në emër të organizatave që përfaqësojmë, për të nderuar gjithë shqiptarët e vuajtur nga thundra e grushti i hekurt komunist.

Folësit Amerikanë, ambasadorë, kongresmenë, klerikë e akademikë , njëri pas tjetrit sollën ndërmend , nderuan kujtimin e 100 milionë njerëzve të zhdukur nga komunizmi në gjithë botën dhe bënë thirrje për të qenë vigjilentë e për të mos e lejuar komunizmin si ideologji të zerë rrënjë në SHBA; ata i mëshuan domosdoshmërisë për të edukuar brezin e ri me të vërtetën e Zotit dhe me historitë e kombeve të robëruara ( si historia jonë)

Nga ne shqiptarët Haxhi Dauti, Familja Dakoli, Çezar Ndreu dhe komuniteti që unë përfaqësoja ishin ndër sponsorizuesit e këtij aktiviteti dhe ata u falendruam nga organizatorët.

I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë shqiptarëve tanë që humbën jetën për mbrojtjen e të drejtës e për rezistencën ndaj së keqes.

Lavdi Martirëve Shqiptarë që mbrojtën të drejtën e të vërtetën e Zotit nga e keqja djallëzore.

Filed Under: Emigracion

Radio «Jehona e Shqipes» në 40-vjetorin e saj

April 25, 2026 by s p

Dyzet vjet. Katër dekada që, çdo të diel në orën 15:00, një zë i njohur ngrihet në valët belge për të thënë, në shqip, se ne ekzistojmë, se mbetemi të lidhur me rrënjët tona dhe se qëndrojmë në këmbë pavarësisht të gjitha përpjekjeve, të Shtetit shqiptar, për të mohuar ekzistencën tonë. Katër dekada që « Jehona e Shqipes », kjo radio e lindur nga ideja fillestare e “Këshillit të Përbashkët të Nacionalistëve Shqiptarë në Belgjikë” (që përfshinte kryesisht Legalistët, Bllokistët dhe të pavarurit e mbledhur rreth Muharrem Bajraktarit) dhe e materializuar më vonë nga një grusht idealistësh në një studio modeste të Radio Panik në Bruksel, është bërë shumë më tepër se një program i thjeshtë: ajo është një institucion i diasporës shqiptare në Bruksel.

Në shkurt të vitit 1986, kur Sakip Skepi, i shoqëruar nga miq antikomunistë, lançoi emisionin e parë, ne ishim ende në zemër të natës komuniste. Për ne, shqiptarët e emigracionit politik – ata që, si familja e vetë Sakip Skepit, kishin ikur nga diktatura e Enver Hoxhës – ky emision ishte menjëherë një tronditje emocionesh dhe shprese. Më në fund, një radio në gjuhën amtare na fliste nga një tokë e lirë! Ajo ishte filli i padukshëm që lidhte Brukselin me Shqipërinë, me familjet tona që kishin mbetur pas perdes së hekurt. Ishte dëshmia se zëri i antikomunistëve shqiptarë në Bruksel nuk ishte shuar. Na rikthente, çdo të diel, një frymëmarrje dhe ëndrrën e çmendur të një kthimi të mundshëm.

Pastaj erdhën ndryshimet e viteve 1990–1991. Muri i Berlinit ra, diktatura më në fund u rrëzua, Shqipëria u hap. Për emigrantët politikë të viteve 1950 dhe 1960, që kishin ikur fëmijë apo adoleshentë, si dhe për pasardhësit e tyre të lindur në Belgjikë, kthimi në vendin e prindërve dhe gjyshërve ishte një përvojë tronditëse. Të gjithë u kthyem për të vizituar, për të përqafuar të afërmit dhe për të zbuluar (ose rizbuluar) një Shqipëri që koha e kishte transformuar thellësisht. Dhe pikërisht aty kuptuam, me një farë hidhërimi, se koha kishte bërë punën e saj. Ne kishim evoluar në një shoqëri perëndimore, demokratike dhe të hapur, ndërsa ata kishin jetuar në izolim, frikë dhe sidomos në një regjim indoktrinimi total. Një kthim përfundimtar në Shqipëri nuk ishte më i mundur për shumicën prej nesh. Ne ishim bërë të ndryshëm.

Duke kontribuar në ruajtjen e identitetit shqiptar të emigracionit politik të viteve 1950 dhe 1960, « Jehona e Shqipes » ka zbuluar gjithashtu një realitet të dhimbshëm për pasardhësit tanë të lindur në Belgjikë: deri më sot, autoritetet shqiptare nuk e njohin të drejtën e këtyre pasardhësve për të rifituar shtetësinë shqiptare, të cilën madje as diktatura e Enver Hoxhës nuk ua kishte hequr prindërve të tyre dhe të cilën ata vetë nuk e kishin mohuar kurrë. Kjo radio ka nxjerrë kështu në pah një plagë ende të hapur, duke vazhduar njëkohësisht të ruajë lidhjen shpirtërore dhe kulturore që na lejon të mbetemi shqiptarë pa mohuar jetën që kemi ndërtuar këtu.

Por radioja nuk ka shërbyer vetëm në një farë mënyre për ruajtjen e identitetit tonë. Ajo ka ofruar mbi të gjitha një platformë të çmuar ku shqiptarët e Belgjikës, pavarësisht bindjeve të tyre, kanë mundur të shprehen lirshëm, të informohen dhe të debatojnë. Kur shpërtheu lufta e Kosovës në vitet 1998–1999, « Jehona e Shqipes » u bë tribuna bashkuese e të gjithë diasporës shqiptare në Belgjikë dhe më gjerë. Çdo të diel, ajo mblidhte familjet tona rreth radios, përcillte informacionet, përforconte zërat tanë dhe mobilizonte solidaritetin. Ajo i lejoi një komuniteti ndonjëherë të përçarë të bashkohej rreth një kauze të përbashkët dhe të ishte i vëmendshëm ndaj fatit të bashkëkombësve tanë në Kosovë.

Dyzet vjet më vonë, jetëgjatësia e « Jehona e Shqipes » imponon respekt. Ajo ka kaluar të gjitha sfidat që kanë njohur mediat tradicionale: ardhjen e kanaleve satelitore shqiptare, shpërthimin e internetit, revolucionin e rrjeteve sociale. Shumë gazeta dhe radio janë zhdukur. Jo ajo. Sepse ajo nuk ka qenë kurrë vetëm një ndërmarrje mediatike. Ka qenë gjithmonë një mision, i udhëhequr nga vendosmëria e Sakip Skepit dhe nga përkushtimi i sinqertë i të gjithë atyre që kanë kontribuar në të. Ajo ka ditur të mbetet e pavarur, jopartiake, thellësisht kombëtare dhe njerëzore.

Sot, «Jehona e Shqipes» vazhdon të jetë, për komunitetin shqiptar në Belgjikë, ai takim i domosdoshëm i së dielës: një moment kur dëgjohet gjuha jonë, kur qeshim së bashku, kur debatojmë, kur kujtojmë dhe kur shohim drejt së ardhmes. Ajo është dëshmia e gjallë se një radio e vogël e lindur nga ëndrra e të rinjve të mërguar politikë mund të bëhet një institucion i qëndrueshëm, i respektuar jo vetëm nga publiku, por edhe nga autoritetet belge dhe nga institucionet shqiptare dhe kosovare. Në emër të të gjithë atyre që, si unë, janë rritur me këtë «Jehonë» në vesh dhe në zemër, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për këto dyzet vite besnikërie ndaj gjuhës sonë, kulturës sonë dhe dinjitetit tonë. Le të vazhdojë kjo zë të jehojë edhe për shumë kohë, i qartë dhe i fortë, në valët e Brukselit dhe përtej.

Ramadan Gjanaj

Politolog

Bruksel, prill 2026

Filed Under: Emigracion

AG APOLLONI NË HARVARD – TAKIM LETRAR PËR ROMANIN “KËSULËKUQJA, PËRRALLË PËR TË RRITUR”

April 24, 2026 by s p

Më 23 prill 2026, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, shkrimtari Ag Apolloni ishte i ftuar në një takim të posaçëm në Universitetin Harvard.

Në Harvard Art Museums (Menschel Hall), u zhvillua aktiviteti “Meet with the writer”, kushtuar romanit të tij “Red Riding-Hood: A Fairy-tale for Grown-ups” (“Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”).

Takimi mblodhi studiues, profesorë dhe studentë, duke shënuar një moment domethënës për prezantimin e letërsisë shqipe në një nga qendrat më prestigjioze akademike në botë.

Një moment i veçantë i këtij takimi ishte prania e studiueses së njohur të përrallave, Prof. Maria Tatar, e cila kishte lexuar romanin dhe ndau vlerësime për të. Interesant është fakti se Apolloni i është referuar studimeve të saj gjatë procesit krijues të veprës, duke e bërë këtë takim edhe një përmbushje të një dialogu të nisur më herët në planin intelektual. Vetë romani, që rikthen dhe riinterpreton motivin e “Kësulëkuqes” në një kontekst bashkëkohor dhe kulturor të ri, ngjalli interes të veçantë në diskutim.

Takimi u hap me një prezantim nga Prof. Ekaterina Pirozhenko (Department of Germanic Languages and Literatures), e cila foli për autorin dhe për tre romanet e tij të përkthyer në anglisht.

Në vijim, diskutimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi me Prof. Maria Tatar dhe autorit, ndërsa në fund të pranishmit kontribuan me pyetje dhe komente, duke e kthyer aktivitetin në një hapësirë të gjallë dialogu letrar.

Pjesëmarrja e Ag Apollonit në këtë aktivitet, si dhe interesimi i studiuesve ndërkombëtarë për veprën e tij, dëshmojnë për një prani gjithnjë e më të konsoliduar të letërsisë shqipe në arenën ndërkombëtare.

Forum 26 – Ag Apolloni- Përmes Fjalëve

Filed Under: Emigracion

1958 / DR. WALTER LEHMANN, ISH-MJEKU PRIVAT I MBRETIT ZOG, NË CARMEL, USA : “LUFTA NDAJ KANCERIT FITOHET NËPËRMJET…”

April 22, 2026 by s p


Stafi i spitalit Mbreti Zog I në 1935 ; ulur : Prof. Wilhelm Schlesinger (majtas), Dr. Sabri Tefiku (në mes) dhe Prof. Walter Lehmann (djathtas) ; në këmbë : Stafi i spitalit duke përfshirë 2 gra — Dr. Quastler, pediatre (djathtas) dhe Dr. Schlesinger, biologe (majtas).


Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Prill 2026

“The Carmel Pine Cone” ka botuar, të enjten e 9 janarit 1958, në faqen n°3 dhe 6, një shkrim për Dr. Walter Lehmann, ish-mjekun e Mbretit Zog, rreth sugjerimit të tij asokohe për fitoren e luftës kundër kancerit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Dr. Walter Lehmann

Nga Rosalind Sharpe

Foto nga John Livingstone

Burimi : The Carmel Pine Cone, e enjte, 9 janar 1958, faqe n°3 dhe 6
Burimi : The Carmel Pine Cone, e enjte, 9 janar 1958, faqe n°3 dhe 6

Me qetësinë, thjeshtësinë dhe gjallërinë intelektuale që e karakterizon, Dr. Walter Lehmann është një nga burrat më intriguesë të qytetit. Një kirurg i shquar në Gjermani, të cilën e la në vitin 1935 për shkak të kundërshtimit ndaj regjimit të Hitlerit, ai më vonë u bë kirurg kryesor në dy nga spitalet më të mëdha të Shqipërisë dhe, në vitin 1937, mjek privat i Mbretit Zog dhe i familjes mbretërore.

Në vitin 1939, vetëm dy ditë para pushtimit italian, Dr. Lehmann, zonja e tij dhe dy djemtë e tyre, Klaus dhe Hans, u larguan nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara, duke marrë anijen e fundit që largohej. Ditën pasardhëse, nuk mund të largohej më askush nga vendi.

Familja Lehmann ndjeu se vendimi ishte udhëhequr nga intuita ; nuk kishte asnjë shenjë të dukshme që paralajmëronte pushtimin. Ata u tronditën kur mbërritën në Romë disa ditë më vonë dhe dëgjuan se Shqipëria ishte pushtuar.

Edhe pse Dr. Lehmann kishte menduar të vinte në Amerikë, ai nuk kishte planifikuar të vinte në 1939. Megjithatë, një forcë e pazakontë e shtyu të largohej në kohën e duhur dhe ta këmbejë paranë shqiptare me dollarë amerikanë vetëm një ditë para se të ishte tepër vonë. Ai e përshkruan veten si njeri jo-intuitiv, pa përvoja të çuditshme apo mistike, dhe pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në kirurgjinë më kërkuese dhe precize që njeh njeriu modern.

Në Amerikë, Dr. Lehmann nuk mundi të ushtronte menjëherë mjekësinë. Megjithëse kaloi provimet mjekësore të Nju Jorkut dhe mori licencën, nuk iu dha mundësia të përdorte spitalet aty. Ai u vendos në Carmel, një zgjedhje që nuk e ka penduar kurrë. Siç thotë zonja Lehmann, “Tërheqja i dha Dr. Lehmann mundësinë të studiojë dhe të mendojë për gjëra për të cilat më parë nuk kishte kohë”.

Interesi kryesor i tij ka qenë kërkimi mbi kancerin. Ai beson se shumica e mjekëve janë tepër ortodoksë dhe ngurrojnë të provojnë metoda të reja. Metoda Hoxsey, edhe pse e kundërshtuar nga Shoqata Mjekësore Amerikane, ka dhënë rezultate në raste ku kirurgjia tradicionale ka dështuar. Sipas Dr. Lehmann, kjo metodë përfshin përdorimin e pilulave bimore dhe një dietë të veçantë. Ai nuk pretendon se është “zgjidhja e vetme”, por thekson se në disa raste funksionon dhe është vlerësuar nga dhjetë mjekë në Klinikën Hoxsey në prill të vitit 1954.

Dr. Lehmann e sheh kancerin si një sëmundje të organizmit në tërësi, jo vetëm si një rritje lokale, dhe kjo sipas tij shpjegon pse metodat tradicionale, rrezet X dhe kirurgjia, shpesh dështojnë. Ai shton se shumica e pacientëve që kërkojnë Dr. Hoxsey janë në faza të avancuara, prandaj ka shumë dështime, por në disa raste duket se ka kurime të vërteta. Ai beson se Shoqata Mjekësore Amerikane gabon duke dënuar një metodë që nuk e ka hetuar plotësisht.

“Personat që mbështesin metoda joortodokse janë të persekutuar nga mjekësia tradicionale,” thotë Dr. Lehmann. “Mendoj se në dhjetë apo njëzet vjet nuk do të ketë më operacione për kancer ; ose më saktë, do të ketë më pak kirurgji.”

Dr. Lehmann thekson rëndësinë e dietës dhe thotë se në shumë raste artriti dhe kanceri janë përmirësuar me ndryshime ushqimore. “Le të ndryshojmë plotësisht dietën e njerëzve,” thotë ai. “Trupi është i mbushur me toksina, le t’i largojmë.”

Ai ka botuar jo më pak se 61 monografi dhe artikuj mbi tema shumë teknike si trajtimi i tetanosit te kafshët, operacionet e nervave periferikë dhe funksionimi i fibrave nervore të shtyllës kurrizore.

Dr. Lehmann është marrë gjithashtu me zhvillime të reja në fushën e para-psikologjisë, e njohur ndryshe si kërkim fizik. Ai është i impresionuar nga studimi që Dr. Rhine në Universitetin Duke ka bërë mbi fenomene të tilla si telepatia mendore, shikimi i mprehtë dhe aftësia e mendjes njerëzore për të kontrolluar objektet e jashtme, siç ilustrohet në eksperimentin me zare. Dr. Lehmann ka zhvilluar një korrespondencë të gjerë me Dr. Rhine në vitet e fundit.

Zonja Lehmann gjithashtu kishte studiuar për mjekësi, por la profesionin për t’u martuar me Dr. Lehmann. Familja ka dy djem, Klaus dhe Hans. Klaus punon në Hollywood në një studio televizive, ndërsa Hans në San Francisko për Emporium-in, i interesuar për menaxhimin e biznesit.

Familja Lehmann thotë se nuk do ta shkëmbejë Carmel-in me asnjë vend tjetër në botë. Ata kanë jetuar në Kanë, në Rivierën Franceze, dhe kohët e fundit vizituan përsëri Evropën, duke takuar edhe Mbretin Zog, që jeton në ekzil në Kanë që nga pushtimi rus (në fakt, italian) i Shqipërisë.

Filed Under: Emigracion

KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR

April 21, 2026 by s p

PROF. ASSOC. DR. TEKI KURTI

UNIVERSITETI I TIRANËS/

Në fondet  arkivore të Arkivit Qendror  të shtetit shqiptar ndodhen mijëra dokumente që hedhin  dritë dhe dëshmojnë që Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (KMKK) gjatë  viteve 1918-1920 ishte një ndër  organizatat politike më të rëndësishme në Shqipëri për detyrat  që shtronte  në programin e saj.

Në mijëra  faqe  arkivore,  dëshmi,  spikat emri i drejtuesit  atdhetar  e mendjendritur, Hoxha Kadriut po edhe i Hasan Prishtinës, Sali Nivicës, Bajram Currit, Hysni  Currit, Bedri Pejanit, Aqif Pashë Elbasanit, Elez Isufit etj. etj.

Po në arkiv, krahas mijëra dokumenteve në gjuhën shqipe, frënge e turke  gjendet edhe  fondi  i zëdhënëses së ideve, programeve  dhe thirrjeve që  Komiteti  shtronte para opinionit  publik, organi  më përparimtar i atyre  viteve, gazeta  “Populli” që u botua  në Shkodër nën drejtimin e Sali Nivicës.

Ky fond arkivor është i mbushur me  dokumenta, me protesta, memorandume, promemorje, statistika që lidhen me  përpjekjet  diplomatike të  Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në fond gjenden thirrje pa fund drejtuar “popullit  shqiptar të Kosovës” për organizim në çdo aspekt, për të dokumentuar  me fakte politikën  shoviniste  antishqiptare të gjenocidit e shfarosjes në masë si dhe të shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve prej qarqeve të Beogradit.

Në fokus  del qartë  qëndrimi i prerë  për njohjen e Shqipërisë pa protektorate të huaja  si dhe  bashkimi me të  i të  gjitha  qyteteve  e krahinave  që në  shumicë ishin popullsi  shqiptare por që ishin aneksuar e pushtuar  nga Serbia e Mali i Zi që më 1912. Mbi këtë aspiratë kryesore  jam munduar dhe unë të paraqes  punimin tim të mbështetur  vetëm në fondet  arkivore të  shtetit  shqiptar.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u themelua  në Shqipëri, më 1 maj  1918. Ky Komitet u krijua ende pa përfunduar  Lufta e Parë Botërore, në kushtet  kur shteti  i pakonsoliduar  shqiptar ishte  pushtuar nga ushtritë  e Fuqive të Mëdha dhe ato të  monarkive  shoviniste fqinje, të cilat  likuiduan në fakt  shtetin e pavarur  shqiptar. në këto çaste  tepër kritike për kombin shqiptar, krahas forcave  të tjera atdhetare, doli hapur  me një program  ambicioz që synonte  parasëgjithash bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, Komiteti MKK.

Kjo pikë e platformës politike është fiksuar në pikën e parë  të programit themeltar të  Komitetit MKK, ku  thuhet “Me u përpjekë para pushteteve të mëdha  të Antantës, me kërkue  bashkimin  e krahinavet të Kosovës  (Shkup, Kumanovë, Preshevë, Tetovë, Gostivar, Kaçanik, Frejzoviq, Gilan, Prishtinë, Vulcitrin, Mitrovicë, Jeni Pazar, Rozhajë, Pejë, Plavë, Gusi, Xhakovë, Prizren) në Shqipëri të Lirë e veturdhënuese”.

Për arritjen  e këtij synimi madhor, në radhët e Komitetit bënin pjesë përfaqësues  të inteligjencies me integritet atdhetar e demokratik, si Kadri Prishtina (i njohur me emrin Hoxha Kadriu), Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Sali Nivica, Bajram Curri etj.

Komiteti  për të arritur synimet e tij mbarëkombëtare e shtriu  organizimin  e tij nga Shkodra në Durrës, Tiranë, Dibër, Prizren, Ferizaj, Prishtinë, Shkup, Pejë, Vuçitern, Gjilan, Rahovec etj.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, që të fuqizonte  veprimtarinë  e tij atdhetare në shërbim  të  çështjes kombëtare, me anë të  një  thirrje që mban datën 22 dhjetor 1918, i drejtohet gjithë popullit  shqiptar të Kosovës, ku e ve  theksin se “po afron  dita që  ka me  caktue  fatin  e vendlindjes s’onë, të dashtunës e të  mjerës Kosovë”.

Komiteti vazhdon  thirrja “ka me iu  lut  çdo kosovari me mbledh ndihma  në të holla dhe me i dërgu në emër të dr. Hoxha Kadri Prishtinës, si kryetar i Komitetit me qendër në Shkodër”, njëkohësisht thirrja  kërkonte statistika të popullsisë  si dhe autorizim nga çdo  krahinë që  Komitetit “Mbrojtja  Kombëtare e Kosovës” t’i  besohej  çdo  veprim që i përmbahej bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. 

Për jetësimin e veprimtarisë së tij Komitetit  i kanë  ardhur  në ndihmë  veç të tjerash  edhe me ndihma  financiare  nga mjaft  patriotë  nga Shqipëria, kështu me anë të  shkresës së mban datën  9 nëntor 1919, ku kryetari i Komitetit Hoxha Kadriu falenderon nxehtësisht atdhetarin elbasanas Aqif Pashën për mbështetjen  e vazhdueshme patriotike si dhe  për mbështetjen  financiare  të tij. 

Për  bashkimin e trojeve  shqiptare me shtetin shqiptar, Komiteti MKK krahas veprimtarisë  diplomatike filloi dhe  organizimin e  Lëvizjes Nacionalçlirimtare (kaçake) e cila do të çlironte  Kosovën  dhe viset e tjera  shqiptare  nga  zgjedha jugosllave. Për këtë ky Komitet hartoi më 1919, Programin e Përgjithshëm të Kryengritjes së Kosovës.

Ky program parashtronte parimet e luftës  së shqiptarëve të Kosovës për liri,  mbështetur në parimet  themelore  të së drejtës  ndërkombëtare. Hartuesit e programoit ishin treguar  të kujdesshëm që në  luftë, luftëtarët e lirisë, barbarisë serbe të  mos i përgjigjeshin me  barbari, kështu luftëtarëve shqiptarë u ndalohej  që “përveç luftës  ndaj atyre  shkjeve që ishin me armë kundra  çështjes  shqiptare, të mos digjej e rrënohej asnjë shtëpi apo kishë dhe të mos dhunoheshin trupat e armikut të vramun”.

Lëvizja Nacionalçlirimtare, e njohur  me emrin “lëvizja kaçake” u zhvillua  gjatë  viteve 1918-1928 dhe si qëllim kryesor pati luftën  për çlirim  kombëtar të shqiptarëve të Kosovës nga robëria  jugosllave.

Kështu  çetat e para të armatosura udhëhiqeshin nga Azem Galica, Sadik Rama, mehmet Konjuhi, Keri i Sadri Bardhit, Vëllezërit Bajçinovci, në Strugë nga Abdullah Bojku, në Kërçovë nga Vëllezërit Kalosh e Lazan Dani – Zajazi, në Manastir nga Xheladin Limani etj.

Kryengritja kaçake filloi në  tetor 1918 dhe mori përmasa  në pranverën e vitit 1919. Mund  të përmendim  si përpjekjet  më të rëndësishme  luftarake, betejat e zhvilluara  nën udhëheqjen e Azem  e Shote Galicës në Drenicë e në Podgor nën udhëheqjen e Sadik Ramë Gjurgjevikut, më 24 prill 1919, më pas në tërë Kosovën duke u shtrirë  deri në Dibër.

Kryengritja e Përgjithshme  filloi  në prill-maj të vitit  1919, ku u përfshinë rreth 10.000 vetë dhe vijoi deri  në qershor  të vitit 1919. Qëndresa e armatosur  vijoi edhe në  pranverën e vitit 1920, verën dhe vjeshtën  e vitit 1921,  gjatë vitit  1922-1926. Në  vitet 1927-1928, veprimet qenë më të rralla  dhe me çeta  shumë më të vogla. Kështu në nëntor  të vitit 1928 në Grykën e Carralevës u vra  Shaqir  Hazir Pirraku bashkë me  7 luftëtarë që ishte  dhe një ndër  çetat më të forta.

Kjo përbën  dhe fundin  e lëvizjes kaçake në Kosovë  që u udhëhoq  nga  Komiteti MKK.

Për realizimin e bashkimit  kombëtar të trojeve shqiptare Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” realizoi  një program  shumë të  detajuar në të  gjitha  mundësitë  dhe rrethanat  që lejonte  koha. Kështu  veprimtaria e këtij Komiteti krahas përpjekjeve  të vazhdueshme  për organizimin  e lëvizjes kaçake intensifikoi punën  në ndërkombëtarizimin e çështjes  shqiptare ku nuk  munguan përpjekjet  për sensibilizimin e qarqeve politike por  dhe të opinionit publik evropian e amerikan.

Sidomos në prag të Konferencës së Paqes, Komiteti i dërgoi asaj memorandume të njëpasnjëshme, ku kërkohej që  brenda të drejtës ndërkombëtare të respektohej pavarësia e shtetit  shqiptar dhe  të viheshin  në vend padrejtësitë që i ishin bërë në Konferencën  e Londrës, duke e konsideruar të domosdoshme demaskimin e gjenocidit serb në Kosovë, Komiteti iu drejtua  Konferencës së Paqes në Paris për të dënuar  e ndaluar  masakrat serbe në Kosovë.

Në një letër të datës 26 janar 1919 drejtuar Presidentit të  Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uillson, ndër të tjera Komiteti, i  shkruan “Barbaria sllave, që po përfiton  nga situata  e sotme, kanë marrë një veprimtari për ta  shfarosur  racën  shqiptare në Kosovë. Prandaj po ju sillemi juve, si ligjvuesi i të drejtave  të kombeve dhe mbrojtësi i njerëzimit, i lirisë, që për t’i dhënë fund krimeve të serbëve, ju lutemi  me lot  ndër sy  e me entusiazmë të madhe që derisa të vendoset  paqa, Kosova të merret   në një sundim  internacional”.

Komiteti ka ndjekur me shqetësim  dhe kërkesat që qeveria jugosllave i bënte  Konferencës së Paqes për  “aneksimin e krahinavet të Shkodrës deri në ujë të Matit”. Komiteti po ashtu me shqetësim ndjek gjithë  ngjarjet dhe situatën në të gjitha trojet  shqiptare si në  veri  ashtu  dhe në jug.

Kështu, për  lajmin e dorëzimit të Korçës, ushtrisë greke nga ana e fuqisë  okupuese franceze, Komiteti i drejtohet menjëherë  delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Paris. 

Ballafaqimi i Komitetit me këtë realitet të ri e të hidhur, pra mundësinë  e copëtimit të  mëtejshëm të Shqipërisë së vitit 1913, nxori në vend të parë angazhimin se “Pa Shqipni  nuk ka Kosovë”. Kështu, zgjidhja e çështjes kombëtare shikohej si perspektivë jo e afërt por  si doçka  që do të ndodhte  kur të vinte  në harmoni  gjendja e përgjithshme globale.

Duke vlerësuar punën dhe kontributin e veçantë që kishte dhënë kjo  organizatë patriotike  në çështjen  mbarëshqiptare deri në organizimin  e Kongresit të Lushnjës si dhe  kontributin e udhëheqësit  të kësaj organizate, intelektualit e atdhetarit  të vendosur Hoxha Kadri Prishtinës, Kongresi vendosi që në  kabinetin e  qeverisë prej 6 anëtarësh, postin  e ministrit të Drejtësisë ta mbante  Kryetari i Komitetit MKK, Hoxha Kadri Prishtina, duke dhënë  një kontribut  të vyer  në fushën e vënies  së bazave  të shtetit ligjor në Shqipëri. 

Në historiografinë  shqiptare po ndriçohet  kontributi  i këtij  personaliteti të madh të  trojeve shqiptare, sidomos në rolin  për krijimin dhe drejtimin  e organizatës  patriotike  Komiteti  MKK në drejtimin e Lëvizjes  Nacionalçlirimtare (kaçake) në Kosovë në vitet 1918-1925, për njohjen dhe sensibilizimin e kancelarive evropiane e amerikane ndaj çështjes  shqiptare, për  kontributin e drejtpërdrejtë, të dhënë  në ndërtimin  e shtetit shqiptar të sapokrijuar, për drejtimin dhe veprimtarinë  e Komitetit MKK me synime të qarta mbarëshqiptare, i cili  edhe pse  nuk u  realizua  asokohe, nbajti gjallë vetëdijen  mbarëkombëtare  të  shqiptarëve, në të gjitha trojet  shqiptare dhe për të  gjetur  rrugën e realizimit të bashkimit të  trojeve shqiptare në kontekstin  e zhvillimeve të sotme, rajonale e globale, ku partneri i  shumëkërkuar i Hoxha Kadri Prishtinës, SHBA, sot është miku real i çështjes  shqiptare.

Koha po  punon për shqiptarët e në  këtë kohë ndrit dhe emri i patriotit të madh të shqiptarisë, Hoxha  Kadri Prishtina.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 209
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION
  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT