
Më 23 prill 2026, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, shkrimtari Ag Apolloni ishte i ftuar në një takim të posaçëm në Universitetin Harvard.
Në Harvard Art Museums (Menschel Hall), u zhvillua aktiviteti “Meet with the writer”, kushtuar romanit të tij “Red Riding-Hood: A Fairy-tale for Grown-ups” (“Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”).
Takimi mblodhi studiues, profesorë dhe studentë, duke shënuar një moment domethënës për prezantimin e letërsisë shqipe në një nga qendrat më prestigjioze akademike në botë.
Një moment i veçantë i këtij takimi ishte prania e studiueses së njohur të përrallave, Prof. Maria Tatar, e cila kishte lexuar romanin dhe ndau vlerësime për të. Interesant është fakti se Apolloni i është referuar studimeve të saj gjatë procesit krijues të veprës, duke e bërë këtë takim edhe një përmbushje të një dialogu të nisur më herët në planin intelektual. Vetë romani, që rikthen dhe riinterpreton motivin e “Kësulëkuqes” në një kontekst bashkëkohor dhe kulturor të ri, ngjalli interes të veçantë në diskutim.
Takimi u hap me një prezantim nga Prof. Ekaterina Pirozhenko (Department of Germanic Languages and Literatures), e cila foli për autorin dhe për tre romanet e tij të përkthyer në anglisht.
Në vijim, diskutimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi me Prof. Maria Tatar dhe autorit, ndërsa në fund të pranishmit kontribuan me pyetje dhe komente, duke e kthyer aktivitetin në një hapësirë të gjallë dialogu letrar.
Pjesëmarrja e Ag Apollonit në këtë aktivitet, si dhe interesimi i studiuesve ndërkombëtarë për veprën e tij, dëshmojnë për një prani gjithnjë e më të konsoliduar të letërsisë shqipe në arenën ndërkombëtare.
Forum 26 – Ag Apolloni- Përmes Fjalëve