

Merita Mccormack/
Duke nderuar Viktimat Shqiptare të Komunizmit iu përula kujtimit të tyre duke iu lutur Zotit për lirinë e të gjithë atyre që vuajnë nga shtypja, represioni dhe pushtimi i së keqes….
Faleminderit Victims of Communism Memorial Foundation!
23 Prill 2026
Mëngjesi i sotëm më gjeti duke udhëtuar për në zemër të qytetit Uashington DC. Mezi gjeta një vend për të parkuar makinën dhe mbërrita tek lapidari ngritur posaçërisht për viktimat e Komunizmit dy dekada më parë .
Takova miqtë që njihja dhe pasi vendosa kurorën që e kisha thurur vetë, për martirët shqiptarë tek vendi i caktuar, mendova të bëja një vizitë tek pjesa tjetër e lulishtes ku vendosen të gjith kurorat , me radhë, në pritje për tu sjellë një nga një para monumentit të quajtur “ Pishtari i Lirisë”
I bëra një video gjithë kurorave të sjella nga ambasadat e vendeve që e kanë pësuar nga komunizmi. Mes tyre vura re ambasadat nga Kroacia, Bullgaria, Rumania , vendet balltike , bile edhe Ambasada e BE-së e një grup grek.
Pastaj me radhë grupet sipas organizatave .
Prej shqiptarisë ishim vetëm dy persona të pranishëm, artisti strugan Haxhi Dauti, dhe unë.
Secili nga ne kish sjellë nga një kurorë në emër të organizatave që përfaqësojmë, për të nderuar gjithë shqiptarët e vuajtur nga thundra e grushti i hekurt komunist.
Folësit Amerikanë, ambasadorë, kongresmenë, klerikë e akademikë , njëri pas tjetrit sollën ndërmend , nderuan kujtimin e 100 milionë njerëzve të zhdukur nga komunizmi në gjithë botën dhe bënë thirrje për të qenë vigjilentë e për të mos e lejuar komunizmin si ideologji të zerë rrënjë në SHBA; ata i mëshuan domosdoshmërisë për të edukuar brezin e ri me të vërtetën e Zotit dhe me historitë e kombeve të robëruara ( si historia jonë)
Nga ne shqiptarët Haxhi Dauti, Familja Dakoli, Çezar Ndreu dhe komuniteti që unë përfaqësoja ishin ndër sponsorizuesit e këtij aktiviteti dhe ata u falendruam nga organizatorët.
I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë shqiptarëve tanë që humbën jetën për mbrojtjen e të drejtës e për rezistencën ndaj së keqes.
Lavdi Martirëve Shqiptarë që mbrojtën të drejtën e të vërtetën e Zotit nga e keqja djallëzore.