• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

At Ilia (Katre) Nuk e Ndante Ortodoksinë nga Meshimi Shqip, Tani kjo i Takon Pasuesve të Tij

November 3, 2022 by s p

Rafaela Prifti/

Mitropoliti Ilia (Katre) (1937-2022) kreu i Dioqezës Shqiptare Ortodokse të Amerikës i kishte të pandara përkushtimin ndaj besimit kristian nga edukimi teologjik dhe meshimin në gjuhën shqipe, detyrë e cila tani u takon pasuesve të tij.

Kur At Ilia ndërroi jetë në 6 tetor 2022 në moshën 85 vjeçare, shërbimet fetare të riteve ortodokse nisën nga data 10 në kishën shqiptare të Shën Trinisë në Boston vazhduan te mesha e funeralit, e cila u transmetua nëpërmjet platformës elektronike nga kisha ortodokse greke Shën Joan Pagëzori në Las Vegas dhe përfunduan në datën 15 me një ceremoni private të përcjelljes për në banesën e fundit nga kisha greke e Shën Gjergjit në Sault Ste. Marie në varrin e familjes Katre në vendlindjen e tij në Miçigan. Udhëtimi i fundit nëpër këto vende përfaqëson një hartë të pjesshme të shërbesës dhe jetës së tij në Amerikë sepse Hirësia e tij meshonte gjithashtu në Kanada dhe në Shqipëri. Hierarkia më e lartë klerike ia bëri nderet e duhura dhe e quajti ndarjen e tij nga kjo botë “humbje të rëndë për Ortodoksinë në Amerikë.” Dielli online botoi njoftimin mortor shoqëruar me një biografi shumë të përmbledhur dhe më pas një kronikë të zgjeruar. Për ta plotësuar portretin e Atit Ilia por edhe për të menduar për orientimin e mëtejshëm për kishën, ky shkrim përqendrohet në disa momente të karrierës së tij.

Mitropoliti Ilia i Shën Trinisë së Bostonit të poshtëm (South Boston) ishte i vetëdijshëm për efektin që ka gjuha në mbrujtjen e vlerave shpirtërore dhe kombëtare. Në biografinë e tij komponenti edukativ është i pranishëm në rolin e tij si këshilltar shpirtëror i trupit studentor në Universitetin Northeastern (NEU), si drejtues e prezantues i një programi radiofonik në shqip si edhe kontribues në gazetën shqipe Drite e Vertet. Kaq shumë i jepte rëndësi gjuhës dhe aq mirë e kishte përvetësuar shqipen, ndonëse ishte lindur dhe arsimuar në Amerikë, sa i bënte besimtarët të mendonin se atë e kishte “gjuhën e parë”. Rev. At Andrew (Rubis) i Kishës së Shën Joan Gojartit në Filadelfi tregon me humor sesi e mbante të qeshurën kur shqiptarët i thoshin: “Sa mirë e ka mësuar anglishten At Ilia!”

Në një moment reflektimi mendova se është me vend që shkrimi kushtuar Hirësisë së ndjerë të jetë në shqip në vend të anglishtes. Më shumë se nderim ndaj tij është njohje e një komponenti identifikues me misionin e At Ilias, të cilën e ka shprehur me rrjedhshmëri në ceremoninë përkujtimore të 100 vjetorit të meshës në gjuhën shqipe të Imzot Nolit në Boston. (Xhirimet dhe videoklipi nga gazetari Ardian Murraj) https://youtube.com/…/UgkxdKsxsdhAJo4mx-MEgHD3yNIA-cUm9Hbg

At Ilia nuk kishte qenë në ndonjë meshë të Nolit dhe ishte takuar me të vetëm një herë, por e quante meshimin në shqip “një akt të një rëndësie të pazëvendësueshme” “aq sa ta festojmë pas 100 vjetëve,” vërente ai. Tek përkthimet e Nolit të librave teologjike origjinale nga greqishtja, ai vlerësonte jo vetëm bukurinë e veçantë të tyre në gjuhën shqipe, por edhe edukimin me ortodoksizëm të brezave të tjerë. Si fëmi ai dhe vëllai binjak, të lindur në një familje emigrante shqiptare, ishin frymëzuar nga prifti i kishës ortodokse greke Shën Gjergji në Sault Ste. Marie, në Miçigan, ku mësuan shqip dhe greqisht. Të dy u bënë priftërinj, me tituj Mitropoliti Makarios i Torontos dhe Mitropoliti Ilia i Filomelionit dhe meshuan në të dy gjuhët.

Ilia Katre ndiqte studimet në Seminarin teologjik Kryqi i Shenjtë në Brukline, Masaçusets në kohën kur Noli, pak i shtyrë në vite, meshonte në Boston. At Ilia shprehte adhurim për figurën dhe veprën e Fan Nolit, sepse “i dha jetë dhe gjallëroi si besimin ndaj fesë ashtu edhe ndjenjat kombëtare patriotike”. Vlerësimi mund të tingëlloj paksa paradoksal duke u nisur nga ndarja kishtare ku Noli mori “përsipër organizimin e kishës shqiptare nën kishën ruse,” për ta shkëputur nga Patrikana greke, ndërsa At Ilia, u hirotonis prift nga Peshkop Marku në Kishën e Trinisë së Shenjtë (Bostoni i poshtëm) në vitin 1962 dhe kur u bë vejan në vitin 2002, u dorëzua peshkop në Dioqezën Ortodokse Shqiptare të Amerikës nën Patrikanën Ekumenike dhe u ngrit në rangun e Kryepeshkopit me titullin Mitropolit në 2019. Megjithatë qysh në vështrim të parë shfaqen disa ngjashmëri që gjenden të renditura tek paraqitja e shkurtër historike që jep vetë Fan Noli në librin Fiftieth Anniversary of the Albanian Orthodox Church in America 1908-1958 (Pesëdhjetë vjetori i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë 1908-1958) ku përshkruan kushtet në të cilat u dorëzua prift nga Mitropoliti Platon në Nju Jork dhe nisi misionin shqiptar në Boston si degë e Kishës ruse në Amerikë. “Programi i tij (Nolit) ishte, së pari, të meshonte në gjuhën që kuptohej nga besimtarët, pra të përdorej shqipja në vend të greqishtes në kishat ku kishte besimtarë shqiptarë, së dyti të kishte priftërinj dhe peshkop shqiptarë në vend të atyre grekë të cilët ishin agjentë politikë të një shteti të huaj, së treti të themelohej Kisha Autoqefale në Shqipëri.” (përkthimi i autores, faqe 5) Noli e quante shkëputjen ose “emancipimin nga Patriku i Konstantinopolit absolutisht të domosdoshëm për shkak se (Patriku) ishte drejtues politik dhe fetar i grekërve nën sundimin turk.” (përkthimi i autores, ibid) Për sa i takon dy pikave të para, Mitropoliti Ilia nën juridiksionin e Patrikanës Ekumenike ishte i vetëdijshëm si për rëndësinë e meshimit në gjuhën shqipe ashtu edhe për përgatitjen e priftërinjve shqiptarë. Mesha e tij e fundit më 17 shtator 2022 ishte dita kur plotësoi një nga dëshirat e tij të shumëpritura, dorëzimin prift të At Andrew (Andrea) (Rubis) në Kishën e Shën Joan Gojartit në Filadelfi. “Ai thoshte “Përpara se të vdes dua të dorëzoj Andrean prift!” dhe ashtu u bë,” tregon At Andrew me një ndjenjë lehtësimi për dëshirën e plotësuar të Hirësisë. Dorëzuar dhjak qysh në gusht 2008, prifti Andrea tregon sesi gjatë meshës, Mitropoliti Katre i ulur në ndenjëse, dukej sikur flinte, por në përfundim të shërbesës, e merrte mënjanë At Andrew dhe i kërkonte shpjegime duke e pyetur “Përse e bëre këtë kështu?”. Kujdesi dhe vëmendja edhe ndaj hollësive në dukje të parëndësishme ishin pjesë e metodës së punës së tij. “Ai kishte zotësinë ta ndiqte mbarëvajtjen e shërbesës me detaje edhe atëherë kur ti mund të mendoje se nuk e kishte mendjen aty. Unë habitesha kur shikoja se nuk i kishte shpëtuar asgjë nga mesha,” pohon At Andrew gjatë bisedës sonë. Pa hyrë në krahasime, ai këtu shpjegon shkurt dallimin e kishës kanunore si një trup këshilltar, në të cilën një peshkop nuk mund të jetë më vete. Është referencë që lidhet me natyrën e ligjit kanunor, strukturën e organizmit dhe juridiksionin e kishës – një pikë e fortë diverguese për klerikët dhe dioqezën sot. “Edhe pse unë dhe ai kishim qëndrime të ndryshme,” thotë shumë i nderuari At Artur Liolini, Kancelar Nderi i Katedrales së Shën Gjergjit në Boston, “At Ila ishte mësues i mirë për pasuesit e tij. Ai kishte kulturë të gjerë në liturgjinë ortodokse ashtu si edhe në trashëgiminë shqiptare.”

Mitropoliti Ilia argumentonte se vlerësimi i figurave duhet të bëhet në kontekstin kohor e historik të kohës, në mënyrë të paanshme dhe me kritere objektive: “Qëndrimet e njeriut mund të shikohen vetëm në raport me rrethanat e kohës kur jetoi dhe jo jashtë atij konteksti.” Ndërsa i shikonte cilësitë e Nolit të trupëzuara në veprën e tij jetëgjatë, parësore midis tyre ishte zotësia e tij si prijës. “Noli ishte njeri i shumëanshëm, me kulturë të jashtëzakonshme dhe i hapur për mundësi të mëtejshme, që e dallon atë si drejtues. Veprimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në Amerikë, por edhe jashtë, nuk u përqendrua vetëm në një sferë por në disa, si në atë politike, gjuhësore, fetare.” Kontributi i secilit do t’i mbetet kohës dhe brezave që vijnë por sidoqoftë mund të pranojmë se vlerësimi për Fan Nolin është në mënyrë të panshmangshme i ndërlidhur me misionin e kishës atëherë dhe çfarë mesazhi përcjell për orientimin e kishës sot. Mitropoliti Ilia e konsideronte veten pasues të Nolit kur pohonte: “Ne jemi trashëgimtarë të punës dhe veprës së tij, sidomos ne klerikët shqiptar e peshkopë që meshojmë në gjuhën shqipe. Çdo njeri në kohën e tij jep ndihmën e vet për ecurinë e kombit dhe të shtetit gjë për të cilën historia do ta gjykojë më vonë.”

Aurorja falenderon për kontaktet Michael Gregory Comptroller i Dioqezës Shqiptare, Kisha Ortodokse në Amerikë (Albanian Archdiocese – Orthodox Church in America)

Filed Under: Emigracion Tagged With: Rafaela Prifti

Shqiptarët në New York u takuan me “heroin” e lirisë së Kosovës Gjeneralin Amerikan me katër yje, Wesley Clark

October 31, 2022 by s p

Alketa Ktona Veshi

30 Tetor 2022 New York/

Shoqata Shqiptaro – Amerikane “Skënderbej’Inc. sot mori pjesë në takimin e komunitetit Shqiptar me “heroin” e lirisë së Kosoves Gjeneralin Amerikan me katër yje, Wesley Clark, I cili ishte Komandant Suprem I Forcave të NATO-s që udhëhoqën bombardimet e ushtrisë Serbe në Kosovë për 78 ditë.

Takimi u zhvillua ne Staten Island shoqëruar me emocione të forta. Sejcili pjesëmarës u përlot nga madhështia e figurës, thjeshtësia njerëzore e fjalët prekëse që dilnin prej thellësisë së zemrës. Fëmijë që I shprehnin mirënjohjen Gjeneralit për mbështetjen dhe çlirimin e Kosovës, mbushnin me lot sytë e heroit që mundi bishën Serbe. Prezantuesja e aktivitetit citoi: “Gjenerali Clark ish Komandanti Suprem I Aleances për Europen, ju jeni ushtaraku më I dekoruar në rang kombetar por dekorimi më I lartë që ju u dedikohet është “hero” I kombit shqiptar. Heroit të lirisë që shpetoi kombin tonë nga zgjedha e eger Serbe nuk ju thanë sytë nga lotët përgjatë gjithë takimit. Kombi ynë shquhet për virtytin e mirënjohjes, dhe atë e tregoi sot e më së miri komuniteti në atë sallë. Me gjithë madhështinë e merituar Gjenerali vlerësoi ndihmën e UÇK-së dhe njëherësh dy luftëtarët e lirisë së Kosovës të pranishëm në sallë të cilët janë dhe anëtarë të shoqatës “Skënderbej”Inc. Blerim dhe Qerim Gjocaj u angazhuan familiarisht në luftimet e UÇK-së ku Qerimi humbi njërën dorë. Gjenerali ndau me të pranishmit kujtime të dhimbshme nga lufta e Kosoves dhe Genocidit më të egër të kohës, atij Serb.

Gjenerali vlerësoi ushtarakun e mbrojtjes së paqes dhe lirisë zotin MAX ROSE I cili ka shërbyer në luftën e Afganistanit. Ai kandidoi në vitin 2018 për Kongresin Amerikan dhe kur askush nuk mendonte se ishte e mundour ai suprizoi me fitoren e tij. Max ka dhenë prova se punon zellshën pavarësisht çmimit për zhvillimin e New York-ut dhe Amerikës. Ai ka marë medaljen nga Sekretari I Mbrojtjes për shërbim të shquar publik I cili është çmimi I dytë më I lartë dhënë nga Sekretari I Mbrojtjes për punonjësit federalë jo në karierë.

Gjenerali Clark kërkoi mbështetjen nga komuniteti shqiptar, për ti mundesuar sërisht vendin në Kongresin Amerikan zotit MAX ROSE, “Ne duhet ti japim mundesinë sërisht njerëzve që punojnë”, citoi Ai. MAX ROSE ka qënë pranë dhe ka kontribuar për komunitetin shqiptar përgjatë gjithë karierës së tij politike. Mes shkëmbi përqafimesh, mirënjohje e falenderimi u ndamë me heroin e luftës së Kosovës Gjeneralin Clark.

Filed Under: Emigracion

Varfëria dëshmi e pabarazisë sociale

October 29, 2022 by s p

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare te Luftës  kundër   Varfërisë (17 tetor) nga ana e mediave në Mal të Zi  janë prezantuar të dhëna statistikore që dëshmojnë  në mënyrë transparente gjendjën  sociale  se varfëria është bërë dukuri kronike  të një  e katërta  e qytetarëve, që kërkon zgjidhje nga institucionet qeveritare në nivel lokal dhe ate shtetëror.

Nail Draga

Ndonëse sipas kushtetutës Malin i Zi është shtet social, varfëria është e theksuar, duke dëshmuar se një kemi të bëjmë me krizë  ekonimike ku me të rrezikuar janë qytetarët me të ardhura të ulta. Të gjithë jemi dëshmitarë se trajtimi i temave të tilla siç duket është bërë preokupim i mediave  në Mal të Zi, duke prezantuar të dhëna të cilat dëshmojnë pabarazisnë sociale, dukuri e cila është bërë kronike në vend por pa përgjigje nga institucionet qeveritare për të gjetur zgjidhje optimale për këtë kategori  të qytetarëve.

Çdo i katërti qytetar në zonën e varfërisë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Luftës kundër Varfësrisë, 17 tetorit sipas të dhënave në Mal të Zi në këtë vit 77 qytetarë e kanë pritur me shumë së një milion euro në llogaritë e tyre në banka, ndërsa rreth 140.000 qytetarë varfëria iu rri mbi kokë, nga del se çdo i katërti qytetar është i varfër.

E dhëna se qytetarët më të varfër ne vend nga ana e shtetit  marrin ndihmë prej   një korrikut  të këtij viti   76.56 eurove për indvid si dhe 145.55  euro për familje  me pesë apo më shumë anëtarë. Ndërsa ndihmë materiale në qershor të këtij viti e kanë  shfrytëzuar  6.648 familje me  22.481  anëtarë, që janë në gjendje të nevojës sociale.ndërsa popullsia e pa punë është e kërcënuar nga varfëria, ndërsa institucionet qeveritare nuk bëjnë asgjë për që kjo gjendje të zbutet, dëshmon gjendjen e vështirë sociale të qytetarëve në këtë vend.

Shteti social vetëm në letër

Ndërsa në sajë te të dhënave të mëhershme nga Drejtoria e statistikës (Monstat), është dëshmuar që në Mal të Zi rreth 28.000 qytetarë nuk kanë për ushqim e pije, ndërsa çdo i katërti do të thot 146.000 të qytetarëve janë të kërcnuar  nga varfëria sociale apo 23.6% të tyre, ndërsa në rrezik nga varfëria e përhershme është 15.6% e popullsisë, apo 96.000 individë.
Nga ana tjetër të dhënat janë alarmuese sepse  çdo i treti fëmi është në varfëri, ndërsa një e katërta e qytetarëve gjenden në zonën e varfërisë, ndërsa shumica më e madhe e tyre jetojnë me preokupimet e të jetuarit në kohë të krizës së rritjes së çmimeve të ushqimit elementar  pa llogaritur të dhënat tjera që për kohën janë luks i veçantë.

Nga situata e tillë sociale del qartë se Mali i Zi  nuk shtet i  drejtësisë e barazisë sociale por shtet  i monopoleve politike , ku dominon korupcioni  që është shkak i varfërisësë qytetarëve.

Raportët e përgjithshme shoqëroe  dëshmojnë  se në Mal të Zi  është vend tipik i monopoleve politike, manipulimeve dhe korupcionit, dukuri e cila në mënyrë serike prodhon varfëri të qytetarët.

Kuzhinat popullore si zgjidhje 

Ekzistimi i kuzhinave popullore në Mal të Zi nuk janë risi por dukuri të njohura, të cilat mundohën të zbusin varfërinë e pranishme të qytetarëve të cilët janë të rrezikuar në aspektin social. Kështu në qytetin e Tivarit funksionon kuzhina populllore e cila gjatë ditës ndanë 250 racione qytetarëve në nevojë, numër i cili vjen duke u rritur vazhdimisht.Në lidhje me këtë çështje udhëheqësit e kësaj kuzhine  kanë kërkuar ndihmë për ushqime nga donatorë të ndryshëm dhe kanë pasur sukses, ndërsa nga subjektët shtetërore nuk kanë asnjë ndihmë, jo vetëm në nivel lokal por edhe shtetëror.

Mungon  kartoni social

Eshtë për çdo kritikë qendrimi mohues nga institucionet qeveritare siç Ministria e punës dhe çështjeve sociale  të cilët këtë çështje nuk e kanë trajtuar me seriozitet, për të zbutur kategorinë e qytetarëve të rrezikuar në aspektin social. Madje askush nuk e trajton  implemntimin e kartonit social ku çdo shërbim komunal do të identifikonte qytetarët në nevojë, që iu nevojitet ndihma sociale. 

Por, si më parë edhe tash  ndihma sociale është politizuar, sepse në prag të fushatave zgjedhore, ndihma sociale iu është ndarë familjeve të ndryshme e cila si bazë ka pasur përkatësinë politike, e cila ka siguruar numër të konsideruar votash për subjektet politike, si në nivel lokal dhe ate shtetëror. Raste të tilla ka kudo, ku as  Ulqini nuk paraqet përjashtim, dukuri e cila nuk është e panjohur për qytetarët.

Nxënësit kanë nevojë jo vetëm për libra

Nga viti i kaluar shkollor për të parën here nxënësit në shkollën fillore marrin falas tekstet shkollore që ishte një veprim i qelluar i qeverisë, por duhet theksuar nxënësëve iu mungojnë mjetet mësimore, shujta shkollore, bileta e udhtimit, që do të ishte në favor të politikës sociale. Nga ana tjetër mbulimi i shpenzimeve për çërdhet e fëmijeve si dhe financimi   dhe  ndarja e bursave për nxënës dhe student me gjendje të pavolitshme sociale, do të ishte një impuls për të zbutur problemet e varfërisë. Nga ana tjetër si zgjidhje nuk duhet përjashtuar edhe ndarjën e bonave social për mijëra familje për të siguruar ushqimet elementare.

Dallime në aspektin regjional

Situata aktuale ekonomike dëshmon qartë se dallimet në mes të pasurëve dhe të varfërve vjen duke u thelluar. Në këtë aspekt ekzitojnë dallime të  mëdha edhe  në aspektin regjional, ku veriu I Malit të Zi është në pozitë të pavolitshme. Në sajë të anketimt të qytetarëve, disa nuk hezitojnë të theksojnë se më shumë se gjysma e qytetarëve të Bijellopolës janë të varfër, sepse kanë vështirësi ta përballojnë muajin, sepse jetojnë nga pensionet minimale dhe ndihma sociale, nga del se kemi situate alarmante, andaj kërkojnë ndihmë nga organet lokale e shtetërore. Dhe nga një situate e tillë për qytetarët  ku papunësia është dukuri e pranishme vite me radhë, ku për të rinjët shpëtimi I vetëm është emigrimi në botën e jashtme.

Shumica e punëtorëve janë raste sociale

Duke marrë parasysh se në periudhën e tranzicionit në Mal të Zi, në emër të privatizimit  janë shkatërruar objektët ekonomike, si ata industriale e ajo e ndërmarrjve e repartëve të ndryshme ku është bërë një plaçkitje e përgjithshme.Një veprim i tillë me mbeshtetjen e qeverisë  ka ndikuar që të pa punë të mbesin më mjiëra të punësuar, qe ka ndikuar në varfërinë e përgjithshme të qytetarëve. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe kur shumica e punëtorëve janë bërë raste sociale, nga del se në kategorinë e të varfërve është çdo i katërti qytetar në Mal të Zi.

Mungon strategjia e pushtet kundër varfërisë

Ndonëse  në fushatën zgjedhore të zgedhjeve të 30 gushtit 2020 si risi për fituesit e zgjedhjeve ishte miratimi i ligjit kundër pasurisë së paligjshme, përveç fjalëve diçka konkrete deri më tash nuk është realizuar. Sepse nëse një ligj i tillë po të miratohej, nuk ka dilemë se një numër i të pasurve do iu konfeskohej pasuria e cila do të ishte dhuratë për qytetarët e varfër, duke ndihmuar pozitën e tyre sociale.  Por, në këtë aspekt është emërgjente që të punohet strategjia e qeverisë kundër varfërisë, çështje e cila ka munguar deri më tash.

Po ashtu theksojmë se në vendet demokratike tatimohen të pasurit dhe ato mjete  dedikohen për rastët sociale.  Një veprim i tillë do të ishte në favor të kujdesit qeveritar për këtë kategori të qytetarëve  sikurse veprohet në vendet me qeveri dhe pushtet të konsoliduar, duke zbutur nevojat dhe dallimet sociale të qytetarëve. 

(Tetor  2022)

Filed Under: Emigracion

LIBRI   “ARBËRESHËT“  I REXHEP RIFATIT PROMOVOHET NË BERN

October 28, 2022 by s p

Hazir MEHMETI/

Organizuar nga Lidhja e Krijuesve dhe Shkrimtarëve në Mërgatë. Libri “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim” , me parathënie nga Dr. Prof. Antonio Bellusci. Redaktore dhe përkthyese  në italisht Dr. Ornla Radovicka. 

Bern, 15 tetor 2022.  Veprimtaria hulumtuese mbi arbëreshët e  gazetarit dhe veprimtarit të njohur Rexhep Rifati u pasurua në veprën e tij “Arbëreshët- fotosintezë e shpirtit tim”. Kjo vepër u promovua në një atmosferë emocionuese e respekti ndaj gjakut të shprishur arbëresh shekujve dhe autorit të librit në 80 vjetorin e lindjes së tij. Prej 80-të pranverave të tij Rexhep Rifati  ndau me shpirtin arbëresh 50 prej tyre, duke filluar që nga mosha e tij studentore, atëherë kur jeta e tij merrte orientimin e saj në shërbim të kombit.
    Promovimit i dhanë shije personazhet e ardhur enkas nga Kalabria me grupin e tyre artistik “Gjaku i Arbrit”, drejtuar nga profesor Michele Greco përcjell me foto-kollazh nga vendbanimet arbëreshe. 
    Të pranishëm ishin Ambasadori i Republikë së Shqipërisë në Zvicër Z. Ilir Gjoni,  Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër,  Z Sami Ukelli.  Përfaqësuesit konsullor dhe diplomatik, mes  Shukrije Ramadani, bashkëshortja e Heroit Agim Ramadani.  Ishin të pranishëm veprimtarë e krijues nga Zvicra, Austria, Gjermania, Franca, Italia. Ambasadori Ilir Gjoni në emër të tre ambasadorëve shqiptarë në Zvicër, përshëndeti aktivitetin dhe uroi autorin. Ai me respekt për veprimtarinë e Rexhep Rifatit, shtoi:  ”Bacës Rexhë i uroi një jetë gjatë e të lumtur dhe njëkohësisht i shprehi mirënjohje për kontributin e tij. Mbi gjysmë shekulli Baca Rexhë ka kontribuar me modesti, por me profesionalizëm. Vepra që flasin vetë, vepra të punës së tij patriotike, njëra nga të cilat është edhe vepra e tij që po promovojmë sot.” Ambasadorët i ndanë mirënjohje Rexhep Rifatit për veprimtarinë e tij me rëndësi kombëtare.  Dr. Ornela Radovicka, redaktore e librit, përcolli përshëndetje për të pranishmit nga At.Antonio Belushi. Ajo foli mbi strukturën dhe mesazhin e librit mes tjerash shtoi se Libri i autorit Rexhep Rifati “Arbëreshët…” është produkt i udhëtimeve të tij tek ngulimet arbëreshe në territorin e Italisë. Struktura e librit shtrihet në një linjë horizontale në dy binarë; imazhe dhe rrëfime të cilat shoqërohen me të dhënat historike e studimore, plotësohen dhe gërshetohen me njëra tjetrën. … Osman Osmani, drejtues i platformës Prointegra.che foli mbi veprimtarinë e platformës si mbështetëse e shumë projekteve, edhe e librit të autorit Rexhep Rifati. Musa Jupolli, kryetar i Lidhjes së Krijuesve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë në Mërgatë: “Edhe unë sot jam arbëresh dhe shpesh bisedoj me Jeronim De Radën. Kur gazetari është fotograf dhe kur fotografi është gazetar, quhet Rexhep Rifati. Fotografia histori arti, histori jete. Në udhëtimet e Rexhep Rifatit jeta merr kuptim. Rexhep Rifati me aparatin e tij na i solli arbëreshët me ngjyrat e dritës ku çdo fotografi flet me shpirtin e personazheve, me dashurinë për artin, arkitekturën, kulturën dhe historinë e tyre.” Mentor Thaqi, poet, lexoi vargje nga poezitë e tij  “Unë jetoj në gjuhë, e ti ku?  dhe “Ec djalosh”. Kryesia e Lidhjes…  shpalli anëtarë nderit të saj At. Antonio Belushin dhe simbolikisht i dhuroi atij një plis Kosove. 
      Autori i librit, Rexhep Rifati në fjalën e tij falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan në projektin e tij, familjen e tij. Në veçanti falënderoi grupin artistik të ardhur veçantë rasti “Gjaku i Arbrit”.  “Në ditëlindjen time të 80 -të, duke iu falënderuar familjes, miqve, kolegëve e dashamirëve, sot nxora ekzemplarin e parë (mostër) të librit më të ri: “ARBËRESHËT fotosintezë e shpirtit tim» (shqip dhe italisht), kushtuar motrave dhe vëllezërve arbëreshë, pas vizitës që i bëra të gjitha 52 vendbanimeve, gjegjësisht bashkive arbëreshe, që më dhanë aq shumë forcë, kurajë e dashuri, sa sot ta ndiej vetën shumë më të ri! Zaten, ky ishte edhe projekti im jetësor, filluar gjysmë shekulli më parë kur në Kalabri isha për herë të parë si absolvent i Albanologjikut të Prishtinës. Ndaj, edhe me këtë rast, falënderoj të gjithë ata që më shoqëruan në këto udhëtime, duke falënderuar në veçanti misionarin, intelektualin dhe atdhetarin arbëresh, Prof Dr. Antonio Belluscin (Belushin), për fjalën e tij shumë përmbajtjesore e inkurajuese,  redaktoren dhe përkthyesen, profesoresha Ornela Radovicka si edhe Skender Hajdarin redaktorin teknik, të të tria librave të mija monografike, të cilin në një masë e ndjej edhe si bashkautor.  Të gjithë ata që më uruan në këtë përvjetor jubilar, me dëshirën që të gëzojnë shëndetin, lumturinë e prosperitetin dhe lumturinë e përhershme në familje.  Drejtimi i programi i bë nga Nazmi Jakurti.

       Publiku që mbushte sallën përcolli me duartrokitje të gjata këngët arbëreshe të kënduara nga grupi “Gjaku i Arbrit”, ku dallohej këngëtari Michele Greco me zërin e tij karakteristik. Gjithmonë këngët arbëreshe janë të bukura, emocionuese. Ato burojnë nga zemra dhe shpirti i djegur nga malli për tokën mëmë, për Shqipërinë. “Kur jemi të bashkuar, Skënderbeu zbret nga qielli”. A ka simbolikë e porosi më të fuqishme për çdo shqiptarë?   

      Të gjitha të ardhurat nga shitja e librit, sikurse edhe atyre më parë i dhurohen fondit të bursave studentore në Kosovë, themelues i të cilit është pikërisht Rexhep Rifati. Ja ky është Bacë Rexhep Rifati Ynë që shndritë forcë e energji për gjithë ne. 

    Faleminderit Baca Rexhë! 
    Shëndet e suksese të reja!  

Filed Under: Emigracion Tagged With: Hazir Mehmeti, Rexhep Rifati

DOM PREK NDREVASHAJ VISAR I CMUAR I LETERSISE MODERNE SHQIPTARE

October 26, 2022 by s p

ZEF PERGEGA PhD/

Fjala me simpoziumin shkencor me rastin e 50 vjetorit te themelimit te kishen “Zoja Pajtore me 8-9 tetor 2022.

Historia e krishterimit nder shpiptaret e Amerikes eshte e hereshme. Ajo daton me shume se tre shekuj e gjysem. Madje mendohet se ne anijen e Kolombit ka patur marinare te zot nga trojet tona etnike. Krishterimin e sollen ne Amerike marinaret e Dhimiter Rencit nga Mali i Shengjinit, kapiten i flotes detare ushtarake ne ushtrine e Gjergj Kastriotit, Heorit tone kombetar, i cili mori ne bodin e anijes edhe pjestare te familjes se Katriotit, duke mberritur ne brigjet e Italise se Jugut ne vitin 1468. Ne fundin e shekullit 16-te nje pjese e kesaj familje u vendos ne Kaliforni, ku themeluan shoqaten “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” qe ekziston edhe sot, duke u mbajtur gjalle nga arbereshet. Gjjithashtu ato celen edhe nje klub. Nje pjese tjeter u vendos ne Montreal te Kanadase, ku ata trasheguan deri ne ditet e sotme mbiemrat “Beg” dhe “Skenderbeg” Studiusi me origjine nga Libani Mubarak, gazetar ne nje gazete ne gjuhen frenge ne Kanada, ka sjelle ne botimin e tij edhe foto, ku tregon se keta shqiptare themeluan ferma, ngriten kisha, ushtruan fene e tyre, u bene avokate, poete, celen edhe librari e shtypshkrojne, ku botonin kryesisht literature fetare e artistike.

Ne varrezat “Resurektion Cemetery” ne 17 mile ne Clinton Township” shume afer ku jetoj kam pare nje epitaf ku shkruhej: “Mark Bulger” 1783-1866. Pllaka e epitafit eshte pothuase identike me pllakat e varrezave ne Vuksanlekaj ne Tuz te Malesise se Madhe. Wiliam Bulger ka qene kongresmen amerikan dhe babai i tij nje ganster i madh. Fshati Bezane e Bulgerit quhet edhe sot fshtati qe ndal Lezhen me Mirditen. Sipas gazetes “Shekulli, korrik 2004, ne kete fshat u be nje beteje nga se banoret tij nuk pranonuan ti pergjigjeshin Portes se Larte te shkonin nizame, mbeshtetur ne marreveshjen me Kapidanin e Mirdites. Pushtuesit i moren peng disa te rinje dhe nga porti i Shengjinit i nisen per ne Stamboll, por fortunat e deti i perplasen ne brigjet e Spanjes nga ku ata emigruan ne Amerike. Sot me mbiemrin “Bulgeri” ne Amerike e Kanada gjenden 400 vete, madje edhe ne Newfoundland te Kanadase ku ka sherbyer Abati i Mirdites Prend Doci. Kjo histori e emigrimit dhe e ndjekjes se tyre nga barinjte e Zotit, u pasua me vale te dryshme, duke vazhduar perhapjen e Lajmit te Mire dhe ungjillizimit ne kontinentin e ri me Abatin e Mirdites Prend Doci qe mberiti me vendim te Vatikanit ne Newfoundlad te Kanadase nga viti 1887-1883. Vjen me pas prifti Kole Kristofer nga Korca ne vitin 1883, Peshkop Noli 1900, i cili celi 16 kisha ortodokse, njeren prej te cilave ne Detroit, Mons. Dr. Zef Oroshi, kapelani i pare katolik i shqiptarareve te Amerike,s themelues i kishes “Zoja e Keshillit te Mire” ne New-York me 1966 dhe Dom. Prenk Ndrevashaj, themelues i kishes “Zoja Pajtore” ne Detroit ne vitin 1977, e shume te tjere me pas. Te gjithe keta meshtar botuan revista e libra ne gjuhen shqipe, perkthyen librin e shenjte, poezi dhe pjese liturgjike.

E kujtoj si sot 3 shtatorin e vitit 2000, kur u njoha me Dom Ndue Gjergjin, me te cilin pasi shkembyem disa mendime, si te thaush ky meshtar qe ne shkrime e kemi quajtur me te drejte, Kardinali i shqiptareve te Amerikes, me mori per dore dhe duke celur nje dere me tha: “Kja asht dhoma e Dom Prekes. Ky eshte krevati, biblioteka. Une do ta kujtoj e nderoj kete meshtar prej te cilit kam mesuar shume. Tani ai pleqeron ne Arizona!” Mbi komedinen e Dom Prekes ishin disa libra nje bllok me shenime, ku ishte nje poezi per Kosoven dhe nje qiri qe rrinte ndezur dite e nate. Shkendia e shpirtit te kujteses se Dom Ndue Gjergjit, nuk harronte ta ndizte e te bente drite si shpirti lart i Dom Prekes.

Nisur nga ajo poezi u interesova se nese kishte ndokund ndonje reviste te botuar nga Dom Preka “Rreze Shelbuese” Vasel Ujkaj me ndihmoj me 10 prej tyre dhe keshtu nisa kerkimet per te arritur ne vitin 2013 te botoja librin kushtuar veprimtarise letrare te Dom Prenkes, “Kristale Dukagjini” i cili u promovua ne kishen e tij. E telefonova Dom Preken disa here, i bera nje skede me 18 pytje per jeten dhe veprimtarine e tij ne formen e nje bashkebisedimi, por edhe pse ne fillim e pranoi me kenaqesi me vone me tha se nuk mund ta realizonim. Une vazhdova punen time dhe gjate telefonatave i beja pytje gati si naive e nga ana tjeter shpejtoja i shkruaja pergjigjet ne bllok. Ne vitin 2003 botova librin “Vigan ne Krisht e vatan” kushtuar Mons. Zefit dhe “Kembana e Mergimtarit” publicistike nga historia e shqiptareve ne Detroit. U takova me Dom Preken ne shtatorin e vitit 2008 ne kishen “Zoja Pajtore” dhe duke u pershendetuar ia dhurova me autograf te dy keto libra. U ngrit ne kembe dhe me kerkoi ndjese se nuk e kishim realizuar intervisten. Me bekoi per kete pune dhe me tha se sapo te bente nje vizite ne vendlindje do te rrinim bashke per dy jave dhe do te me jepte te gjitha informacionet qe kerkoja. E mbajti dheu e vet i Dukagjinit me gjithe driten e kontributit te tij.

Keshtu ne vazhdim i kerkova nje mendim Imam Vehbi Ismailit themelues i Qendres Isalmike ne Detroit ne vitet 50-te dhe ai ma dergoi me shkrim, ku mund te lexojme: “Me Dom Preken me ka lidhur një dashuri e sinqertë dhe aspak formale. Pak pas vitëve 1980 vjen në Detroit prifti italian Jak Gardin, që kishte bërë 10 vjet burg në Shqipëri, 1945-1955. Në kishën e Shën Palit u organizue një mbremje. Tek rrija mes tyre pashë së Dom Preka mbante një orë me shqiponjën dykrenare. Nuk e fsheha dëshiren për ta patur edhe unë një orë të tillë. I thashë Dom Prekës se kur të vinte ta merrte me vete At Jak Gardin. E mbajti fjalën dhe kur erdhi më solli edhe orën me shqiponjë, që e mbaj në dorë dhe e ruaj si kujtim të shtrenjtë edhe sot” Ne dy letrat qe mi ka derguar Imam Vehbiu, nje nga miqt e Fishtes dhe Dom Prekes, i cili ka perkthyer ne arabisht novelat e Koliqit dhe i ka perfshire ne Biblioteken e Aleksandrise, shpaloset dimesioni i shpirtit human te Dom Prekes. “Dy ditë pas vdekjës së diktatorit Hoxha, mora pjese ne sesionin shkencor nderkombetar, organizuar në San-Françisko, kushtuar përsekutimit të klerit në Shqipëri. Aktivitetin e organizonte Prof Gjon Sinishta, themelus i institutit “Danjel Dajani” dhe i “Buletinit Katolik” me 15 volume. Mernin pjese perfaqesues nga te gjitha vendet e Lindjes komuniste. “Kur do te merrja fjalen, tregon Imami, me thane se kisha vetem 15-20 minuta ne dispozicion. Une doja te flisja gjate kundra komunizmit dhe masakrave te tmerrshme qe ka bere diktatori Hoxha mbi popullin shqiptar e sidomos mbi klerin katolik. Te them te drejten u revoltova dhe e ngrita zerin ne kundershtim. Dom. Preka e pa situaten doli ne podium e tha: “Minutat e mia do te ia jap Imam Vehbiut!”

“Ai kishte me qene letrari me i fuqishëm i brezit te tij!- ka thënë Ernest Koliqi.

“Ne tere qenjen dhe shpirtin e Dom Prekes eshte i mbrujtur talenti i tij letrar sa i ben prozen dhe poezine e tij moderne dhe nje vlere me aftesi te larte shpreses duke treguar se gjuha shqipe edhe e denje te krahasohet me gjuhet e tjera europiane e boterore” – ka shkruar miku i tij Martin Camaj …e Erika bashkeshortja e shkrimtarit thote se ne ate dimer te ftohte, kur Dom Preka erdhi per te pare ne Gjermani ishte veshur shume holle dhe une i dhurova kapoten e Martinit. Ata te dy bashkepunuan per futjen e gjuhes shqipe ne Universitetet amerikane!

Kardinal Mikel Koliqi: “…vellau em Dom Preka me talentin e tij letrar dhe dashnine e madhe qe ka per kulturen kombetare eshte plotesisht i afte me e nxjerr ne drite vepren e Ernest Koliqit!”

Ai qëndoi gjithë jetën i lidhur fort pas lisit të moçëm të traditës dhe kulturës së lashtë kombëtare, duke i dhënë jetë nga talenti dhe shpirti i tij poetik e krijues. Dom Preka ishte dhe mbetet në kujtimet tona si drita e parimorit, gjykatësi i drejtë, mësuesi i dashurisë së vlerave njerëzore,shenja e parë, ku njom buzet, fjala dhe paqja, atdhetar e flakadan me një nostalgji deri në dhimbje për vendlidjen Shqipërinë dhe Kosovën, të cilave u kushtoi vargje dhe krijimtari letrare. Dom Preka krijimtarinë letrare e filloi herët. Ishin kontaket dhe diskutimet e tij të para me shokun e klasës ne seminarin e jezuiteve Martin Camajn dhe eliten intelektuale dhe fetare të qytetit të Shkodrës. 10 vjet në Itali, Dom Preka hyri e doli në dyert e revistës “Shejzat” siç futëshin fatosat e lirisë, të fesë dhe të fjalës shqipe. Koliqin e kishte një mik të ngushtë ndaj vdejken e tij e përkushkoj në një elegji të gjatë me 105 vargje. Lajmi për ndarjen nga jeta të Ernest Koliqit e pikëlloi thellë meshtarin Ndrevashaj. Tërë qenien i’a mbuloi zia dhe dimer e kalur dimrit ndjeu shpirti i tij i ndjeshëm. Aq fort e deshi mësuesin dhe poetin e madh Koliqin sa Dom Preka i drejtohet me këto vargje:

…ku me e marr tash të mjerat

Zemrat që të deshen

Me hi në vorr me ty…!

Ndrevashaj e krahason Koliqin me një prijës drite dhe se vdekja e tij ka pushue edhe pishtarin. Dom Preka e therrët Koliqin të ndalet, duke e cilësuar si mbretin e kangjellave, që nëpër lami të hovit krijues dhe për gjuhën e të parëve në trojet tona i dha vrull atdhedashurie.

Ndalu e prijna, nëpër shtigje drite

Ta lyp këtë nder Shqipëria..!

Dom Preka botoi tek “Shejzat” krijimtari letrare. Ja si shprehet Karl Gurakuqi, gjuhëtari i shkëlqyer shqiptar. “Kur kam lëxuar për herë të parë novelen “Mbishaenat” të këtij shkrimtari të ri, kam marrë në shënim fjalet e rralla dhe mënyrën e të shprehurit, që janë krejt shqip. Eshtë gjuha e pastër e maleve tona, është fjala për talentin dhe penen e meshtarit tonë Dom P. Ndrevashaj, që vazhdon me novelen e tij “Bruti i Helmuar” Ai si bir malesh e ka thith në rrethin familjar, më shokë e miq… Tek Shejzat Ndrevashaj botoi edhe ciklin portik “Kah ja mbanjë kojrilat!” Novela tjeter e Dom Prekes eshte “Logu i Harushes”

Eshtë me dobi të sjellim një mesazh nga poezia “Kur çerdhja e Shqipeve” Në këtë poemë Don Preka me nota trishtuese përcjellë sulmin që i beri komunizmi faltorëve të shënjta të besimit në Shqipëri. Çerdhja e shqipës u mbush me gjak dhe zogjtë e saj i pllakosi në mjerim mizori, sa edhe dielli e vobektësoi dritën. Ata që nuk besojne tek Zoti qëllojnë mbi faltoret, duke përmbysur tempujt e perëndisë, shkatërrojnë biblioteka e literaturë fetare, kombëtare dhe letrare, duke shqimbë çdo gjë që shëndriti nga udha e besimit dhe zani i poetit dëshmon fort, si një tingëllime e këmbanës, herët ditën e diel.

…Në Kodër të Shënjtë mbeti këmbana

Shqipet tona atëherë fluturuan

Male e dete ata kaluane

Fe e flamur këtu na prune…!

Siç del në këtë refren të këngës së shpirtit të tij, që e ka provuar nën lëkurë të dhimbjës, shqipja e ndoqi pas udhën e mërgimtarit dhe me te ngriti çerdhen në strehen e tij. Tri simbolet më të shënjta që ka shqiptari, shqipja i’a solli me vete, atdheun, flamurin dhe besimin. Poeti Ndrevashja i porositi besimtarët e grigjës së vet, të gjithë mërgimtarët, për dashuri ndaj simboleve, mbasi tiranët i mbyllën dyert e lutjeve të shpirtit. Gjatë qëndrimit të përkohshem në Lubjanë me 1956 Dom Preka shkruan poezine “Lamtumirë Kosovë” dhe e boton me pseudonimin “Fuska” Kjo poemë përmban 18 strofa, ku paraqitet sinfonia e dramës kosovare me akte tmerri nën sundimin sllav.

Çerdhe e shkretueme, djepa të përmbysun

Që shkëputni turr e, turr tue hik si reja

Martinaj pse mi ngulni ato sy të ngrysun

Me leni të shof Nikshiqin tej ke deja

Pas lufte kobplotë

E përflije të vatanit

Kosovë Dukagjin

Skifterat e etshëm

Hedhje në atë fushë të mejdanit

Të pasojave plaçkatare të përjetshme!

Tymi i tmerit serb mbi vatër të kosovarit ngjitet lart e bëhet me retë e zeza të mbysë jetën në lagje e katunde, ku digjën e shuhen nën thembër të huaj, gjuhë, zakon, traditë, e çdo gjë që ka themel shqiptari dhe poeti dukagjinas lëshon piskamen, se a ka njeri me i dal zot kësaj barbarie?!

“Atje s’paska Kastriot as Zot, E na po digjemi rob nën shkie!”.

Dom Preka, gjatë mësimdhënjës në Zadrimë, shkuan një poezi për Mirditën dhe qëndresen e saj me pushkë kundar pushtuesit, e cila e ruan fene si tokën, si vetmja krahinë e pastër katolike për 2 mijë vjet.

E lumja Mirditë, që pushkën kurrë s’e uli

Për maje malesh fluturon tek na

Në luftë me tmerr kudo armikun e përkuli

Atë ditë e sot trimërinë vetit ia la…!

Dom Preka, nuk është poet lokalist, por ai e gjën frymëzimin në çdo epope dhe në çdo shkrepje hovi atdhetar, që është për të mbarë e orëmira e kombit. Nga Michigani ai me 1976 shkruan poezine “Malësia jonë”

Sa herë kobi, sa herë rrufeja

Mbi kryet tënd ka bumbullue

Fuqinë gjete tek feja

Që të ka rrit dhe të ka gjallnue…

Meshtari Ndrevashaj asnjëherë në pretkun e tij nuk e ndau nga fjala Shqipërinë e tij të dashur nën regjimin e egër komunist. Brenga e tij ka pjalm poezie që dhemb thellë në ndërgjegjën tonë, në shpirtin e atyre që u salvuan. Në Shqipëri Krishtlindjet nuk kanë vend, qirinjt janë shuar, pema e madhe e dhjetorit nuk ka me vezullimin e zërave të vegjël dhe urata shkelet me çizme ushtarake e, ai merr penën e shkruan poezinë “Krishtlindje pa vend” Kjo poezi ka tetë strofa me një stil të veçantë në portretin e njeriut që sundon kohën. E ai i drejtohet Zonjës së Shkodrës, mbrojtese e mërgimtarëve.

Thuaje një fjalë O Njome, O Lume

Se ti vetë e njeh mërgimin

Sh’ka t’i them Shqipnisë fatlume

Ku Herodi se don shelbimin…

Dom Preka gjatë dhënjës mësim në një fshat buzë lumit Mat shkruan novelen “Bluti i Helmuem” Edhe kur qetësohet rrjedha e vërshueshme e tij, jeta e fshatit, mbërthyer në drama e tragjedi janë të lidhura me natën e kobshme të zakonit e nuk ndjen qetësi. Në këtë fshat nata bie e dëndur edhe kur qielli asht e kulluet. Përbri Kelmendasit të vdekur burrë për shtëpi. Në njërën anë gratë e në anën tjetër trimat. Burrnimi kishte hesht e gratë ndalue vajtimin. Qënka e vertetë, hagrepi në blut të rrushit në kupë të parë që i ka dhënë Bardhoku, paska mbyt Ndre Kelmendin. Ishin vra e shkrumbue, por kurrnjani nuk ishte quajt mikpres. Kuvëndi i pleqve po ziente. Vaji i trishtimit kishte përshkue krejt Maveshin. Një plak 100 vjeç shkonte nëpër grumbuj të shqetësuem tue bërtitë në kupë të qiellit: “Ma bini përpara Bardhokun…! E Bardhoku i mjerë turrej prapa plakut tu ju përgjegj! “…Që ku jam or PërGegë, që bre ku më ke!

Dokët e vjetra i morën në gji. Do të ecin gjatë e më shumë mundim derisa të ndeshin në burrni të Kelmendit…

Me 12 Korrik 2022 u dekoruar me titullin “Kalores i urdherit te Skenderbeut” Dom Preke Ndrevashaj ishte poet, publicist, botues, prozator, novelist dhe tregimtar i holle saterik. Nje nder vepart e tij si perkthyes e botues eshte edhe botimi ne aglisht te librit poetik te Martin Camajt “Palimpsest”perkthyes.

Postulati i tij ishte: “Duaje atdheun, ruaje flamurin dhe dashurinë e Zotit!

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • …
  • 183
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT