• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË ANALIZË MODESTE RRETH VRASJES SË KREUT TË GRUPIT WAGNER JEVGENI PRIGOZHIN

August 28, 2023 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Një nga ngjarjet për të cilën gjatë 48 orëve të fundit kanë folur të gjithë mediat kryesore të botës, është padyshim rrëzimi i avionit personal në të cilin udhëtonin drejtuesit kryesorë të grupit mercenar rus ‘Wagner’. Së bashku me Jevgeni Prigozhinin në aksident u vranë edhe drejtuesit e tjerë kryesorë Dmitri Utkin, Sergey Propustin, Valery Chekalov, Evgeniy Makaryan, Aleksander Totmin dhe Nikolay Matuseev.

Me këtë rast do të përpiqem të bëj një analizë modeste, por pa spekuluar dhe pretenduar se do të analizoj 100 për qind atë që ka ndodhur gjatë pasdites së datës 23 gusht 2023, pasi e vërteta e këtij atentati mund të kërkojë shumë kohë ose edhe mund të mos dalë në publik asnjëherë për shkak të nivelit të sofistikuar të ekzekutimit dhe personave të përfshirë në të.

Fillimisht mendoj se duhet të analizojmë llojin/metodën e sulmit që u përdor për të rrëzuar avionin e Prigozhinit.

Menjëherë lind pyetja se përse menyra e zgjedhur për ekzekutimin e Prigozhinit ishte kaq demostrative dhe spektakolare?

Përse lidershipi rus për hakmarrje nuk përdori metodat e vrasjes si në rastin e ish zv/kryeministrit rus Boris Nemtsov në vitin 2015, gazetares politike Anna Politkovskaya, vrasjes së biznesmenit rus në Britaninë e Madhe Boris Berezensky në vitin 2013, vrasjes në tentativë nëpërmjet helmimit te ish agjentit të GRU-së Sergei Skriptal në Britaninë e Madhe, ish oficerit të FSB-së Aleksander Livinenko në vitin 2006, drejtuesit të opozitës Aleksei Navalny në vitin 2020 dhe shumë personave të tjerë të cilët kanë kundërshtuar lidershipin korruptiv dhe autokrat të presidentit Putin?

Në gjykimin tij modest përgjigja është e thjeshtë. Këtë metodë vrasje personalisht e konsideroj si një veprim dhe vendim politik për të treguar përpara të gjithë botës forcën, në mënyrë që të dekurajojë të gjithë ata kundërshtarë të presidentit Putin të cilët mendojnë që në të ardhmen mund të tentojnë përsëri të sfidojnë autoritetin e tij.

Por kush ishte Yevgeni Prigozhin? Ai njihej nga të gjithë oligarkët në Kremlin si njeriu më i afërt i cili realizonte ‘punët e pista’ të Putinit kryesisht jashtë vendit në bashkëpunim me shërbimet sekrete, shërbimet e sigurisë, ambasadat ruse por gjithmonë në mënyrë të sofistikuar, fshehtas dhe pa përdorur uniformat dhe kredencialet diplomatike ruse.

Gjatë kësaj periudhe (1992-2022) Prigozhini nuk përbënte kërcënim për presidentit Putin. Por konflikti filloi të shfaqej dhe të eskalonte fillimisht me gjeneralin Valery Gerasimov dhe më pas u intensifikua më tej pas dështimit për t’i mbushur mendjen Putinit për të shkarkuar Ministrin e Mbrojtjes Sergey Shoigu dhe për ta zëvendësuar atë me mikun e tij të ngushtë gjeneral Sergei Sorovikinin. Me kalimin e kohës, deklaratat e përditshme kundër lidershipit ushtarak filluan të dalin jashtë kontrollit dhe sharjet e Prigozhinit filluan të konceptoheshin edhe si deklarata drejtëpërdrejtë kundër Putinit.

Kjo situatë doli jashtë kontrollit në mbrëmjen e datës 23 dhe 24 qershor kur një konvojë e përbërë nga 5000 luftëtarë të Wagnerit nën drejtimin e Prigozhinit morën fillimisht kontrollin e Komandës Ushtarake Jugore në Rostov mbi Don, rrëzuan një avion rus komandim-kontrolli së bashku me 6 helikopterë ushtarakë duke shkaktuar vdekjen e 30 pilotëve ushtarakë rusë, për të cilën asnjëherë nuk kam besuar se Putini do ta falte.

Të gjitha këto veprime shkaktuan frikë dhe pasiguri përfshirë edhe vetë Putinin, pasi prej 23 vitesh në pushtet askush nuk kishte guxuar të sfidonte dhe diskretitonte përpara gjithë botës autoritetin e tij. Pikërisht me këto veprime Prigozhini kishte shkeluar atë për të cilën Putini publikisht ka deklaruar se nuk ia falte askujt ‘Tradhtinë’.

Ky grusht shteti shfaqi përpara botës një kriste të madhe të qeverisjes dhe legjitimitetit të Putinit në Federatën Ruse. Mbështetja e madhe popullore e shfaqur për Prigozhinin nga populli në rrugët e Rostov mbi Don-it pas dështimit të këtij grushti shteti në tentativë, i ka dalë në ëndërr çdo natë Putinit deri ditën e pardjeshme.

Por të gjithë pyesnin se përse Putini veproi pas dy muajve dhe jo më pare?

Putini është një mjeshtër i gjeopolitikës, ai me ndërmjetësimin e Lukashenkos i dha mundësi Prigozhinit të jetonte në azil në Bjellorusi me kushtin që të mos shkelte në Rusi. Por Prigozhini duke menduar se kishte imunitetin e së kaluarës u shfaq në disa raste në Shën Petërsburg përfshirë edhe sfidën që i bëri së fundi Putinit duke takuar drejtuesit e vendeve Afrikane gjatë Samitit Rusi-Afrikë në Shën Petërsburg duke postuar edhe në media këto takime.

Por lind pyetje se përse Putini nuk e vrau Prigozhinin më parë?

Putini si një ish agjent i vjetër zbatoi atë që ka mësuar në shkollën e sigurimit të KGB-së se: “Një nga ‘teknologjitë’ e hakmarrjes është që ta afrosh kundërshtarin edhe në afër përpara se ta vrasësh”.

Menjëherë pas tentativës Putini ishte i dobësuar, por fillimisht urdhëroi shkatërrimin financiar dhe diskretitimin publik të Wagnerit nëpërmjet konfiskimit të zyrave, mjeteve financiare në shtëpinë e tij, etj.

Në gjykimin tim, në rast se Prigozhini do të kishte mbyllur gojën dhe nuk do të kishte mbajtur një profil aq të lartë edhe mund të kishte jetuar. Në rast se do të ndalonte aktivitetin dhe do të urdhëronte që njerëzit e tij t’i bashkoheshin ushtrisë ruse edhe mund të ishte helmuar, por ambiciet e tij ‘Wagneriane’ kontribuan në një përfundim ‘Wagnerian’ për jetën e tij.

Por cilat janë konseguencat e vrasjes së Prigozhinit në të ardhmen e afërt?

Së pari, kjo nuk është një përplasje personalitetesh por një manifestim i problemeve të thella që janë akumuluar në Kremlin dhe në mesin e elitës së Rusisë për mënyrën se si të ekzekutojnë këtë konflikt të armatosur. Putini është në presion të madh prej disa kohësh. Një pjesë e elitës ruse kërkon ngrirjen e konfliktit deri në zgjedhjet e vitit tjetër në SHBA, një pjesë tjetër kërkon shkarkimin e ministrit të mbrojtjes Shoigu dhe të Shefit të Shtabit të Përgjthshëm Valery Gerasimov, ndërkohë një pjesë tjetër kërkon eskalimin e konfliktit dhe përdorimin më masiv të forcave ajrore, raketore dhe tokësore dhe për rrjedhojë përfundimin e konfliktit.

Së dyti, vrasja e Progozhinit sipas analistëve mendohet se do ta stabilizojë edhe më tej pushtetin e Putinit. Personalisht mendoj të kundërtën, pasi sa më shumë të zgjasë ky konflikt aq më pak i stabilizuar do të jetë Kremlini zyrtar dhe vetë Putini.

Së treti, vrasja e Prigozhinit mund të konsiderohet si një fazë e luftës e cila gjithmonë e më shumë po transferohet nga frontet lindore dhe jugore të Ukrainës në territorin e Federatës Ruse.

Së katërti, vrasja e Prigozhinit është padyshim një fitore e përkohshme e ministrit Sergei Shoigu dhe e gjeneralit Valeri Gerasimovit për arsye se kundështari i tyre më i egër që i ka diskretituar në publik dhe përpara ushtrisë ruse tashmë është ekzekutuar.

Së pesti, lind pyetja se a do ta shkrijë presidenti Putin ‘Grupin Wagner’ ndërkohë që ai poseidon kapacitete të mëdha luftarake, në fushën e luftës kibernetike, kapacitete të cilat ekzistojnë për shkak të mbështetjes që ky grup merrte drejtëpërdrejtë nga GRU-ja dhe MM? Në gjykimin tim presidenti Putin nuk do ta shkrijë ‘Grupin Wagner’, për arsye ky grup ka zbatuar dhe ekzekutuar me sukses misione të ndryshme luftarake, të luftës informative, stërvitjes së ushtrive të ndryshme në Afrikë, shërbimeve të mbrojtjes, të ruajtjes së bazave ose ndërtesave qeveritare, etj duke rritur influencën ruse sidomos në rajonin e Sahelit (Mali, Burkina Faso, RQA, Sudan) në Siri, Libi, Ukrainë por edhe më gjerë. Pra thënë ndryshe, ‘Grupi Wagner’ ka qënë një zgjatim ose instrument force i politikës së jashtme të Federatës Ruse, por vetëkuptohet në mënyrë të fshehtë dhe i padeklaruar me qëllim rritjen e projektimit të fuqisë ose influencës politike me njësi të armatosura.

Së gjashti, qeverisja e Putinit do të vazhdojë të dështojë që të zgjidhë problemet e saj në rrugë demokratike, por fatkeqësisht do të vazhdojë të përdorë mjetet jodemokratike përfshirë edhe vrasjet për t’i mbyllur gojën kujto që do të guxojë të kërkojë llogari ose të sfidojë vendimmarrjen e tij të gabuar për pushtimin e paprecedentë dhe të paligjshëm të Ukrainës dhe për rrjedhojë vrasjen e dhjetëra mijëra ushtarëve dhe civilëve nga të dy kampet.

Së fundi, strategjia e Federatës Ruse nëpërmjet përdorimit të kompanive private ushtarake si ‘Grupi Wagner’ është implementuar me qëllim që të ulë fuqinë dhe autoritetin e SHBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe dhe të rrisë influencën e Moskës në kontinentin Afrikan dhe më gjerë, duke përdorur forca me profil të ulët, të afta të sigurojnë për drejtuesit e korruptuar në këtë rajon siguri fizike, stërvitje ushtarake, këshillim dhe asistencë ushtarake. Nga viti 2015 deri në vitin 2022, përdorimi i ‘Grupit Wagner’ jashtë Federatës Ruse është rritur 7 fish sa i përket numrit të vendeve ku operon, pasi në vitin 2015 kjo kompani operonte në katër vende në vitin 2022 ajo operon në 27 vende. Kompanitë private ushtarake ruse, kanë qënë aktive në vendet e Afrikës si: Republika Qëndrore e Afrikës, Mali, Burkina Faso, Sudan por edhe në Irak, Libi, Siri, Venezuelë, Ukrainë, etj.

Dr. Dritan Demiraj është autor i librave: “Gjeopolitika e Federatës Ruse, Politika e Jashtme dhe Rendi i Ri Botëror”, “Strategjia ushtarake e Federatës Ruse, Forcat e Armatosura dhe Fuqia Luftarake” dhe “Shërbimet Sekrete në Federatën Ruse, Struktura, Misionet, Taktikat, Metodat dhe Kapacitetet e tyre”, libra të cilat botohen për herë të parë në rajon dhe më gjerë.

Më poshtë një intervistë dhënë dje për këtë temë në TV ‘News 24’. Shikim të këndshëm për të gjithë ata që kanë interes rreth kësaj teme.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dritan demiraj

Mullixhiu, i biri dhe gomari

August 26, 2023 by s p

Fabul nga Ezopi – E shqiperuar

Naum Prifti

Një ditë të nxehtë mullixhiu dhe i biri e morën gomarin ta shpinin në
pazar për ta shitur. S’kishin bërë shumë rrugë kur rastisin tek
një grup me vajza që po llafoseshin dhe qeshnin:

– Shiko këta,- tha njëra prej vajzave duke i treguar me gisht – “sa pa mend duken kur shkojnë rrugës në këmbë në vend që të shkojnë kaluar.”


Kësisoj mullixhiu hypi djalin mbi gomar dhe vetë vazhdoi udhën në krah
të tyre.

Nuk kaloi shumë kur arritën te një grup fshatarësh që kishin
hyrë në diskutim serioz mes tyre. Njëri nga burrat, kur i pa të kalonin pari, doli para të
tjerëve dhe thërriti:

-Shihni, kjo provon atë që thashë më parë. Nuk ka më respekt për moshën e vjetër. E shihni sesi djali dembel është ulur vetë mbi gomar ndërsa babai ecën në këmbë.

-Zbrit more djalë dhe lëre babanë plak t’i çlodh pak këmbët.

Me të dëgjuar këto fjalë qortuese, mullixhiu i tha të birit të zbriste dhe hypi vetë mbi gomar.

Kështu bënë një copë rrugë, djali në këmbë dhe mullixhiu kaluar, derisa arritën pranë një grupi me gra dhe fëmijë.

-Pse ti plak njeri, – i bërtiti një grua, -je ulur mbi gomar dhe ky vocërrak mezi hedh hapat pas gomarit.”

Mullixhiu u mendua pak për ato që tha gruaja. E mori djalin dhe të dy u ulën mbi gomar. Ndërsa po i afroheshin qytetit, një fshatar u tërheq vërejte:

-Sa keq! Ky  me siguri nuk është gomari juaj, – i qortoi fshatari.

Mullixhiu e siguroi se ishte i tij.

– Nuk mund ta besoja se është kafsha juaj kështu si e keni ngarkuar,- ia ktheu tjetri. Asnjë nga ju nuk duket i ligësht. Në fakt ju të dy jeni aq të fortë sa më mirë ta mbartni ju gomarin se sa gomari t’u mbartë ju. 

Atëherë mullixhiu dhe djali zbritën nga gomari. Ia lidhën këmbët me një copë litar dhe e vunë në një trung, të cilin e hodhën mbi shpatulla si vig. Të tre tani iu afruan urës për në qytet. Banorët aty pari që nuk kishin parë diçka të tillë nisën të qeshnin me të madhe. Shamata e trembi gomarin aq sa nga frika filloi të hidhte shqelma. Litari që kishte të lidhur tek këmbët u këput dhe gomari ra nga ura në lumë.

Mullixhiu dhe djali u kthyen mbrapsht duarthatë sepse “Ai që dëshiron t’i kënaqë të gjithë, nuk arrin të kënaqë asnjë!”…

Filed Under: ESSE Tagged With: Naum Prifti

EPOKA POST-MARKSISTE SI KRIZË E KULTURËS HUMANISTE

August 26, 2023 by s p

Dom Gjergj Meta/

Në atë mendjen time më është krijuar bindja se me Marksin veçanërisht, njeriu në perëndim (pasi aty është ngjizur e zhvilluar filozofia dhe shkencat) ka humbur aftësinë për të menduar si veprimtari e painteres e tij.

Mendimi, me Marksin dhe pas tij, o ka një vlerë pragmatike ose nuk ka asnjë vlerë. Duhet thënë se qysh me Hegelin (me idealizmin gjerman përgjithësisht) zëvendësimi i filozofisë me shkencën (wissenschaft) solli me vete idenë se çdo mendim filozofik duhet të ketë edhe një pasojë praktike. E kështu lindën filozofitë politike fjala vjen, por jo vetëm.

Ajo çka dua të them është se kjo mënyrë e të trajtuarit e mendimit filozofik, si domosdoshmërisht edhe praktik, ka sjellë në reduktimin e çdo mendimi në një vizion të shoqërisë, në një filozofi morale. Në lashtësi Platoni dështoi në pretendimin e tij për të qenë edhe udhëheqës politik. Këtu ka të drejtë Hegeli kur thotë që filozofët nuk duhet të jenë politikanë, sepse (shtoj unë) mendimi filozofik i kulluar nuk mund të reduktohet në një teori morale, sikundër është kthyer në epokën post-marksiste.

Por kështu ne humbëm kënaqësinë e të marrurit me filozofi, shkencë dhe art si nevojë e thellë e shpirit njerëzor që të vetimin interes ka pikërisht të studjuarit, të menduarit, të krijuarit e asgjë tjetër. Për shumkënd e në shumë anë anglishtja është kthyer në gjuhë burimore. Prandaj ne nuk studjojmë më gjuhët klasike, as merremi me hermeneutikë të teksteve të vjetra, as nuk e kemi më ngushëllimin tek filozofia (Boecio) e jemi tharë në mendim.

Ja pse modelet populiste në politikë, bisnesmenët në ekonomi, dhe sharlatanët nacionalistë, janë sot modelet më të ndjekura dhe më të kërkuara. Kur nuk ka mendim ka dukje, popullaritet (popullarizëm?), famë, romantizma nacionalistë etj. Këtë unë e quaj krizë të thellë antropologjike dhe kulturore. Bota realisht është në krizë të thellë të njeriut dhe të kulturës humaniste. E kjo është një krizë e rrezikshme.

E këtu jam edhe një herë i një mendjeje me Hegelin që thotë se filozofët janë si huta e Minervës: dalin e fluturojnë në muzg. Në këtë muzg kemi nevojë për mendim serioz, të thellë, të përvujtë e kompetent. Ndryshe do të mbytemi në dallgët e një krize që modelet e mësipërme kanë krijuar, sepse kështu mbijetojnë ato, por mbysin të tjerët.

May be a doodle

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: ESSE

Qeveri më të mirë

August 25, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Qeveria më e mirë është ajo që qeveris më pak, sa herë është cituar, edhe nga ata që sot janë në krye. Kushdo, edhe unë, duam ta shohim qeverinë të veprojë më shpejt dhe më sistematikisht. Për një vend, pa opozitë, gjithashtu besoj se qeveria më e mirë është ajo që nuk qeveris fare. Por kjo është për kohë e vend tjetër.

Qeveria është e papërshtatshme; ose shumica e qeveritarëve janë. Opozita kundër një qeverie të përhershme, ështe e suksesshme; kur dështon, faji êshtë e saj, jo i qeverisë. Vetë qeveria, e cila është mënyra që njerëzit kanë zgjedhur për të ekzekutuar vullnetin e tyre, është po aq e prirur të keqpërdoret dhe të shtrembërohet përpara se njerëzit të mund të veprojnë përmes saj.

Dëshmoni përçarjen, punë relativisht e pak individëve që përdorin qeverinë e përhershme si mjetin e tyre. Kjo qeveri – çfarë është veçse një traditë që përpiqet të transmetohet e paprekur tek pasardhësit. Është një lloj arme druri për njerëzit për të kënaqur idenë e qeverisjes që kanë. Qeveritë e tregojnë se sa me sukses mund t’i imponohen njerëzve, madje edhe t’i imponohen vetes (ministra që ikin për të shmangur dhënien e llogarisë për fondet). Kjo qeveri nuk synon Perëndimin a BE-në. Nuk edukon a edukohet. Kujdeset vetëm për një pasqyrë dhe veten. Karakteri i natyrshëm i popullit ka bërë gjithçka që është arritur; dhe do të kishte bërë më shumë, nëse qeveria nuk do ta kishte penguar. Sepse qeveria është një mjet i përshtatshëm, me të cilin njerëzit do të arrinin të mos iknin. Kur është më e leverdishme, të qeverisurit janë më së shumti në anën e qeverisë. Të kërkosh menjëherë asnjë qeveri, nuk shkon, por njëherësh një qeveri më të mirë, po. Çdo njeri le të bëjë të ditur se çfarë lloj qeverie do të meritonte respektin e tij dhe ky do të ishte një hap drejt arritjes. Demokracia, ndonjëherë, nuk pret çdo 4 vjet, kur sistemi është i krimbur.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Arti postkomunist si identitet i ri estetik

August 23, 2023 by s p

Stefan Çapaliku/

Ndërgjegjësimi mbi kulturën kombëtare bashkëkohore, mbi atë që na bashkon dhe mbi atë që na ndan me të tjerët është detyrë parësore në procesin e integrimit kultural. Dallimi midis konceptit “të barabartë me të tjerët” dhe “të ndryshëm nga të tjerët”, është në thelb dallimi midis së drejtës natyrore dhe së drejtës historike.

Koncepti i atdheut si një strukturë e mbyllyr, si një shpellë që i mbron njerëzit nga bota, në vend të një hapësire që krijon kontakte me të, ka sjellë edhe izolimin e artistit shqiptar nga të tjerët.

Hapja e sistemit politik pas viteve ’90 dhe neveria natyrale ndaj izolimit 50-vjeçar dhe ndaj komunizmit nacionalist, e bën mjaft më të vështirë hetimin mbi çfarë po ndodh në artin bashkëkohor shqiptar dhe në kulturën shqiptare përgjithësisht, shpesh të quajtur ngutshëm “Tranzitiv”, “Postkomunist”, etj. Mbas sa e sa tentativave të ndodhura kohë pas kohe për të analizuar gjendjen estetike dhe kulturore, ajo që ka mbetur ka qenë më tepër një mbresë kaotike, eklektike.

Po ç’ndodh pas pesëmbëdhjetë vjet komunikimi dhe lirie? A mund të themi se ky “tranzicion” dhe ky status “postdiktatorial” do vazhdojë në pafundësi? Kaotizmi, eklektizmi, manierat dhe plagjiaturat krijuan një tjetër status estetik te audienca, veçanërisht në momentin e ballafaqimit me lukunitë e kitch-it. I gjithë ekosistemi kulturor u prish. Programi mbi ekologjinë kulturore nuk ekziston. Ekuilibri midis “si duhet” dhe “si shkon” u çatrafilua. Kjo do të thotë se vazhdojmë të jetojmë në një mjedis të ndotur kulturalisht.

Në këtë kontekst të ri historik vështrimi i artit si sistem dhe nënsistem kulturor bëhet më i rëndësishëm se kurrë ndonjëherë më parë. Nga njëra anë arti është një sistem më vete, elementet e të cilit, si: burimet njerëzore, krijimtaria, prodhimi kulturor, industria kulturore, distribucioni, audienca, turizmi kulturor, trashëgimia etj.etj. luajnë role të ndryshme në sistem. Të studiuarit e kulturës si sistem do thotë para së gjithash, të kuptosh se:

1. Jo çdo element i sistemit ka të njejtën vlerë në sistem.

2. Jo çdo element i sistemit ka mundësi ta shndërrojë të gjithë sistemin.

3. Asnjë element i sistemit nuk ka identitet jashtë sistemit.

4. Elemente identike luajnë role të ndryshme ndër sisteme të ndryshme.

Të vështruarit e artit si nënsistem presupozon njohjen e të gjitha lidhjeve që arti, si element i një sistemi më të madh ka me elementet e tjerë të po këtij sistemi.

Duke qenë se tashmë është pranuar se arti mund të jetë element me esencë të fortë, pra element që ka mundësi të shndërrojë të gjithë sistemin, atëherë jemi përpara alternativës së shndërrimit të artit në një nga drejtimet kryesore të jetës së vendit. Për realizimin e një misioni të tillë, përveç vullnetit politik vendas, duhet të kihet parasysh se politika bashkëkohore europiane në kulturë mbështetet në katër kolona themelore:

1. Zhvillim i identitetit kulturor.

2. Nxitje e larmisë multikulturore.

3. Nxitje e krijimtarisë.

4. Nxitje e pjesmarrjes së të gjithëve në jetën kulturore.

(Fragment nga libri ne doreshkrim “Arti dhe qyteti”)

Filed Under: ESSE Tagged With: STEFAN ÇAPALIKU

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 104
  • 105
  • 106
  • 107
  • 108
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT