Dom Gjergj Meta/
Në atë mendjen time më është krijuar bindja se me Marksin veçanërisht, njeriu në perëndim (pasi aty është ngjizur e zhvilluar filozofia dhe shkencat) ka humbur aftësinë për të menduar si veprimtari e painteres e tij.
Mendimi, me Marksin dhe pas tij, o ka një vlerë pragmatike ose nuk ka asnjë vlerë. Duhet thënë se qysh me Hegelin (me idealizmin gjerman përgjithësisht) zëvendësimi i filozofisë me shkencën (wissenschaft) solli me vete idenë se çdo mendim filozofik duhet të ketë edhe një pasojë praktike. E kështu lindën filozofitë politike fjala vjen, por jo vetëm.
Ajo çka dua të them është se kjo mënyrë e të trajtuarit e mendimit filozofik, si domosdoshmërisht edhe praktik, ka sjellë në reduktimin e çdo mendimi në një vizion të shoqërisë, në një filozofi morale. Në lashtësi Platoni dështoi në pretendimin e tij për të qenë edhe udhëheqës politik. Këtu ka të drejtë Hegeli kur thotë që filozofët nuk duhet të jenë politikanë, sepse (shtoj unë) mendimi filozofik i kulluar nuk mund të reduktohet në një teori morale, sikundër është kthyer në epokën post-marksiste.
Por kështu ne humbëm kënaqësinë e të marrurit me filozofi, shkencë dhe art si nevojë e thellë e shpirit njerëzor që të vetimin interes ka pikërisht të studjuarit, të menduarit, të krijuarit e asgjë tjetër. Për shumkënd e në shumë anë anglishtja është kthyer në gjuhë burimore. Prandaj ne nuk studjojmë më gjuhët klasike, as merremi me hermeneutikë të teksteve të vjetra, as nuk e kemi më ngushëllimin tek filozofia (Boecio) e jemi tharë në mendim.
Ja pse modelet populiste në politikë, bisnesmenët në ekonomi, dhe sharlatanët nacionalistë, janë sot modelet më të ndjekura dhe më të kërkuara. Kur nuk ka mendim ka dukje, popullaritet (popullarizëm?), famë, romantizma nacionalistë etj. Këtë unë e quaj krizë të thellë antropologjike dhe kulturore. Bota realisht është në krizë të thellë të njeriut dhe të kulturës humaniste. E kjo është një krizë e rrezikshme.
E këtu jam edhe një herë i një mendjeje me Hegelin që thotë se filozofët janë si huta e Minervës: dalin e fluturojnë në muzg. Në këtë muzg kemi nevojë për mendim serioz, të thellë, të përvujtë e kompetent. Ndryshe do të mbytemi në dallgët e një krize që modelet e mësipërme kanë krijuar, sepse kështu mbijetojnë ato, por mbysin të tjerët.
See Insights and Ads
Like
Comment
Share