• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUSH NA I VRET IDHULLIN

July 12, 2023 by s p

Prof.dr. Ylli Pango/

Idhullin vetë njerëzit e krijuan. Natyrisht ai kishte diçka që e dallonte. Diçka ndryshe nga të tjerët. Një apo disa nga këto: Zërin, bukurinë, aftësinë për të komanduar, rolet që luante, aftësinë për të skalitur, shkëlqimin e hiçit në big brother, gjinjtë e vithet model a në përmasa të kodifikuara,, rrëfimin e bukur… Kot ose plot. Në këtë postim, kjo e fundit nuk ka rëndësi…

…Mandej njerëzit e hypën idhullin në piedestal. E brohoritën. E ngarkuan me të mira e dhurata. Ja bënë portretin më të madh se pallatin ku e vunë të banonte. Ja shtruan rrugën me lule, qylyma, tryeza. E lanë në flori. I blatuan gjithë të mirat e dheut me shumicë.

Idhullit njerëzit i afroheshin duke u dridhur. Donin ta preknin pak, ta shihnin nga pranë. Disa të tjerë, me ndjeshmëri të lartë, nuk guxonin as ti afroheshin. E ndjenin si mrekulli, hyjni. Si diell që të djeg. Si

lule mos prek

…Harronin a nuk donin të besonin më, që pat qenë njeri, që e bënë vetë hyjni…

…Po si mund të sillej “idhulli” pas gjithë këryre? Si ndryshe, veçse si donin ata. Si e mendonin ata. Siç edhe vetë mendja e vet tashmë ja pohonte…Siç po ndjehej e siç duhet të ishte Gjigand. Hyjni. Mrekulli mbi dhe. Gati perëndi.

…U rëndua shumë. Çvendoste gjithë atë peshë. Merrte tërë atë lëndë me vete, kudo që vente. Merrte pompë, lëndë, gaz raketor që të shtyn nga pas, ajër hapsinor gjithësie.

Pesha specifike e idhullit e arriti e e kaloi atë të zhivës, 2 herë, 3…100 herë…

…Po si mund të mbahej mbi supe njeriu, gjithë ajo barrë perëndie…Erdhi një kohë e idhulli filloi të ndjente që nuk po mund të çvendosej dot. Veç peshës së vet të rënduar, mbante mbi gjoks, kurriz, krahë, këmbë, shirita, dekorata, tituj, grada, letra. Gjithë ç’patën shpikur njerëzit për ta ngritur në majën e levës së Arkimedit. Atë: tjetrin ndryshe…për t’u ndjerë më larg t tjerëve. Madje larg edhe vetes, vetes së parë, veteve,…vetes bebe, vetes fēmijë. Sa më pranë vetes, pranë perëndive…

…Dikur, natyrshem, jo-perëndishëm, idhullit ju morën këmbët e ra. U shëmb. U plandos përmbi tokë me frushullimë, leckash, letrash, shiritash me ngjyra, me të madhe trokëllimë metali dekoratash. Ndrroi jetë aty në çast. Iku. Na la pa idhull Iku para kohe. U vra? A e vranë.

…Mos u deh…keqas? u mbyt në drogë? …Ndofta…kokainë? Ka të ngjarë heroinë? etj.?

Mundet…Një a ca lloj droge duhet të kenë qenë. Nuk ka se si ndryshe.

Po ishte një me to e njera përmbi to … Ishte droga mbi droga. Ishte drogë-lavdia. Drogë- Idhujtaria…Ajo e mbyti…

SI VIJON?

…Ka ndodhur. Po ndodh. Edhe do të ndodhë…Edhe sa kohë? Nuk di. Por sigurisht jo gjithmonë…

…Ka ndodhur me Dikensin, Whitney Huston, Elvis Presley, Marylin Monroe etj etj. Jo jo nuk i mbyti droga…alkooli. I mbyti narkotiku i lavdisë… Pesha e rëndë e idhujtarisë. Imazhi i rëndë i adhurimit, vetadhurimit, i brenda vete- miniperëndisë

…Nuk është se fryhen njerëzit-idhuj të mëdhenj si zota. Ata e dinë, herët a vonë e kuptojnë, kur vetë ithtarët zenë e i sulmojnë…Kuptojnë se s’janë veçse materje organike destinuar për tretje. Asgjësim.

…Janë Njerëzit. Ithtarët. Ata që i venë në fron. Shumica që edhe ata, të etur janë të jenë idhuj. Ai ështē modeli. Është një glob i tërë që veç me idhujt merret. Tentojnë të vegjlit…fryjnë veten si fillim…e kur s’ja arrijnë kërkojnë ta derdhin te të tjerë, dëshirën e parealizuar. Pompojnë e fryjnë të tjerë…I duan. Bëhen me ta. Tifozë të tyre. Identifikohen me lavdinë e tyre. Duan identifikim me vizionin e ëndërruar të vetes, me lavdinë, me mishërimin e saj te të tjerë. Andaj bëhen spektatorë, tifozë. E nuk bëjnë më dot pa spektakël, garë, grintë, stimul, motivim. (Për të jetuar, qoftë edhe ndryshuar, emocionuar,mbledhur një dorë mbresa siç thosh i ndjeri… miku im)

…Pastaj hakmerren. I braktisin. I neveridin. Nuk ka më të tmerrshëm se spektatori, se masa gllabëruese mijra sysh e gojrash e Spektatorit…

Spektatorit i duhen subjekte për egon e vet të pashfryrë. Bash për këtë spektatorët ulëritës, nxitës, stërvitës, fryjnë të tjerët, individët,” qëndrorët”, idhujt. I fryjnë. I mbifryjnë. Pastaj i vrasin. Jo me duart e tyre. Me duart e vetes së

atyre. Idhujve. Me veten e tyre vet-vrasëse.. Sepse të gjorët idhuj-viktima, drobiten tërë jetën për atë famë. Sukses. Garë. Triumf. Emocione…

Në sa e sa fusha( sa diabolike) njerëzit kanë shpikur sa e sa lodra lavdie: politikë, sport, art, para, biznes, shkencë. Dhe bashkë ne to stimuj stimuj, stimuj. Dhe mbi ta idhuj, idhuj, idhuj…Që e paguajnë shtrenjtë atë kohë jete të gjysmuar ashtu droguar mbi piedestal të lavdisë…Kujtoni zhgënjimin e sa e sa idhujve në fundjetët e tyre të nxira, disa në gjysëm-jetët…e pambaruara,…edhe më herët…pendesat që nuk ishin e nuk jetuan thjesht si të tjerë…Nuk deshën, dashuruan më shumë familjen, të dashurit…aime as nuk u dashuruan syresh thjesht, si njerëz…si shumë të tjerë…

…Ky është motorri i vërtitjes së rrotës së historisë së njerëzisë këto mijra vitet e fundit. Më kot fryhet kapitalizmi se e shpiku ai…dhe na qenka konkurenca, paraja, individualizmi, fitimi…: Shtysa.

Këto nuk janë veçse të vogla gracka, ku ëndrra e lavdisë përtej tokësore, kapet si rabecka…në daçi shekspiriançe, si laraska…

…Kaq për këto mijra vjet…

…Të shohim ç’do na shpikin pasardhësit, vite, shekuj, a mijëvjeçarë më vonë…

Filed Under: ESSE

Rruga jonë

July 12, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Pas rindërtimit nga antropologët, mund të themi se specia jonë, homo sapiens, është shfaqur papritur në Afrikë, ndoshta në Etiopi, rreth 200,000 vjet më parë. Megjithëse janë gjetur mbetje hominidësh të ngjashëm me homo sapiens, të cilët kanë jetuar në periudha shumë më të hershme, shfaqja e specieve tona duket të jetë një ngjarje e papritur dhe për momentin nuk mund të shpjegohet plotësisht.

Ne të gjithë vijmë nga ajo që është quajtur “Eva mitokondriale”, një ekzemplar i vetëm femëror i homo sapiens, e cila, nga të gjithë ekzemplarët që kanë jetuar në kohën e saj, ka qenë ajo që i ka përcjellë pjesës tjetër të racës njerëzore trashëgiminë e saj gjenetike “të ndryshme”, e cila, në rrjedhën e kohës, na ka bërë këta që jemi.

Sipas disa studiuesve, në një periudhë pas 150.000 vjetësh, në specien tonë ndodhi një lloj mutacioni gjenetik dhe në trurin tonë u shfaqën zona gjuhësore. Njeriu më pas filloi të kishte një gjuhë të folur. Gjuha e shkruar, nga ana tjetër, sipas teorive aktuale, duket se është shfaqur vetëm 5.500 vjet më parë, dhe për rrjedhojë rreth 195.000 vjet pas shfaqjes së homo sapiens. Ky është një element që i lë antropologët jashtëzakonisht të hutuar. Pse na u desh kaq shumë kohë për të mësuar të shkruajmë? Një përgjigje e pjesshme për këtë gjëegjëzë të pazgjidhshme deri tani mund të vijë nga zbulimi se, me kalimin e kohës, ne kemi rrezikuar zhdukjen disa herë si specie.

Çfarë nënkuptojmë me këtë?

Nëse qytetet tona do të bombardoheshin me armë bërthamore sot, të mbijetuarit do të humbnin shpejt shumë nga njohuritë e tyre. Askush prej nesh, vetë, nuk do të ishte në gjendje të ndërtonte gjëra që mendojmë se janë relativisht të thjeshta, si një llambë, një frigorifer ose një hekur. Ata pak të mbijetuar nuk do të ishin në gjendje të ruanin atë pak teknologji që do të mbijetonte. Brenda pak brezave ne do të humbnim plotësisht njohuritë për të ndërtuar gjëra të tilla dhe njohuritë për qëllimin dhe përdorimin e tyre. Mungesa e njerëzve për të komunikuar së shpejti do të na bënte të humbnim shumë nga aftësitë tona të komunikimit oral. Dhe nëse prindërit në një brez të vetëm harronin t’i mësonin fëmijët e tyre të lexojnë dhe të shkruajnë, në një brez të vetëm ne do të humbnim aftësinë tonë për të përdorur një gjuhë të shkruar. Në disa dekada do të përjetonim një regres shumë të shpejtë, derisa të arrinim disa stile jetese tipike parahistorike. Në fakt, Albert Einstein thoshte: “Nuk e di si do të bëhet Lufta e Tretë Botërore, por e di se si do të bëhet Lufta e IV Botërore: me shkopinj dhe gurë”. Me këtë frazë shkencëtari i famshëm nënvizoi se një bombardim bërthamor i gjithë Tokës jo vetëm që do të shkatërronte jetë njerëzish, por do të fshinte përgjithmonë kulturën dhe qytetërimin tonë.

I njëjti skenar ka ndodhur me siguri sa herë që ka pasur një “ngërç gjenetik” në speciet njerëzore. Ky kolaps i popullsisë mund të shihet, me teknikat moderne të inxhinierisë gjenetike, duke ekzaminuar ADN-në tonë. Në kushte normale, ADN-ja e njeriut “përzihet vazhdimisht”, pasi meshkujt dhe femrat i përkasin grupet e ndryshme gjenetike bashkohen. Kur ky variacion zvogëlohet apo edhe bëhet zero, është e qartë se nuk ka njerëz të tjerë për t’u përzier. Shpjegimi më i thjeshtë për këtë “ngërç gjenetik” është që një pjesë e madhe e popullsisë të ketë pushuar së ekzistuari. Prandaj, një “grykë e ngushtë gjenetike” mund të tregojë një reduktim të popullsisë në një zonë të caktuar gjeografike. “Grykat e ngushta gjenetike” lokale nuk janë një gjë e rrallë në historinë njerëzore. Një “grykë e ngushtë gjenetike” ndodhi kur njerëzit u larguan për herë të parë nga Afrika. Një tjetër ndodhi kur ky grup u nda në Lindjen e Mesme, me disa drejt Evropës dhe të tjerë në Azi. Një tjetër “ngërç gjenetik” ndodhi kur homo sapiens u zhvendos në Australi. “Gryka e fundit e njohur gjenetike” duket se ka ndodhur 11,800 vjet më parë, duke arritur kulmin rreth 7,000 vjet më parë. Dhe, mesa duket prirjet janë që një “ngërç gjenetik” do të ndodhë përsëri.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Format klasike të pedagogjisë

July 10, 2023 by s p

Viliem Kurtulaj

Universiteti Qiriazi/

Leksioni dhe seminari janë dy nga format më të spikatura dhe më të njohura të mësimdhënies. Në thelb, leksioni mund të cilësohet si pedagogji jo-ndërvepruese, ndërsa seminari si pedagogji ndërvepruese. Në pamje të parë, leksioni është jo i ndërsjellë, asimetrik dhe i pabarabartë për sa i përket komunikimit dhe marrëdhënieve të pushtetit. Seminari, nga ana tjetër, tenton të jetë më i barabartë, më simetrik dhe i ndërsjellë. Në seminar, mësimdhënësi ushtron më pak pushtet mbi nxënësit/studentët sepse kjo formë e mësimdhënies bën të mundur që pushteti të qarkullojë dhe të ushtrohet te të gjithë në mënyrë më të barabartë. Nga ana tjetër, në leksion, folësi i vetëm është mësuesi/pedagogu, ndaj pushteti përmes diskursit/ligjërimit ushtrohet vetëm në një drejtim, nga mësuesi te nxënësit. Në fakt, po të bazohemi tek idetë e filozofit francez Michel Foucault, vëmë re se marrëdhëniet reale të pushtetit në klasë ose auditor funksionojnë ndryshe. Sipas Foucault, leksioni është më i sinqertë dhe më pak “dinak” se seminari për sa i përket marrëdhënieve të pushtetit sepse nuk përpiqet të fshehë apo kamuflojë pushtetin që ka mësimdhënësi, dhe pushtetin që ushtrohet në klasë/auditor. Për të qenë të qartë, në të dyja format e mësimdhënies ka në mënyrë të pashmangshme marrëdhënie dhe ushtrim pushteti. Dallimi në marrëdhëniet e pushtetit fshihet pas pretendimeve të secilës nga dy metodat e mësimdhënies.

Studiuesi Roger Deacon argumenton se leksioni, i cili është një tentativë rreth pretendimeve të veta për të vërtetën, dhe që ekspozohet ndaj kritikave, mund të neutralizojë marrëdhëniet e pushtetit duke i bërë ato më të dukshme; ndërsa liria dhe reciprociteti i supozuar i seminarit mund të maskojë marrëdhëniet e pushtetit deri në atë masë që nxënësit/studentët të absorbojnë në mënyrë jokritike atë që është vetëm opinioni i informuar i mësuesit/lektorit.

Kur nxënësi apo studenti merr pjesë në leksion, ai është i vetëdijshëm për pushtetin e mësuesit/pedagogut. Duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë, nxënësi/studenti përgatitet – ndonjëherë edhe pa vetëdije – të përballet me pushtetin e ushtruar nga mësuesi/pedagogu. Rrjedhimisht, duke qenë i vetëdijshëm dhe i përgatitur, ai është më pak i ekspozuar ndaj këtij ushtrimi pushteti mbi të. Nga ana tjetër, nxënësit/studentët marrin pjesë në seminar me mendimin se aty do të jenë pjesë e një procesi komunikimi ku të gjithë janë të barabartë dhe të lirë të flasin, dhe për rrjedhojë nuk ushtrohet pushtet mbi ta.

Në parim, seminari u jep të gjithëve mundësinë të flasin dhe të shprehen. Nga ana praktike, ai e bën mësimdhënësin më të barabartë me studentët. Në këtë mënyrë, seminari pretendon se aty ushtrohet më pak pushtet, pasi figura e pushtetit, pra mësuesi/pedagogu, bëhet pjesë e diskutimit me studentët. Kështu, studentët, duke parë formën e seminarit ku pedagogu nuk flet gjatë gjithë kohës, por bisedon me ta, instinktivisht bëhen më pak të vetëdijshëm për pushtetin që ushtrohet në seminar, dhe për këtë arsye janë të papërgatitur për të. Duke mos qenë të përgatitur për pushtetin që mund të ushtrohet mbi ta, nxënësit/studentët janë më të ekspozuar dhe më të prekshëm ndaj një pushteti të “fshehur” që mund të vijë nga mësuesi/pedagogu, por edhe nga vetë nxënësit/studentët e tjerë. Në seminar, nxënësit/studentët janë të lirë të flasin, por, edhe në këtë aspekt, mbi ta ushtrohet pushtet. Nxënësi/studenti ndjen trysninë e pushtetit që ushtrohet mbi të sa herë që ai duhet të flasë; kur kërkohet të jetë aktiv në klasë; ose në situata të tjera të mundshme që mund të lindin gjatë procesit mësimor ndërvepruese në seminar.

Përveç faktit që të qenit të pavetëdijshëm dhe të papërgatitur për ushtrimin e pushtetit i bën nxënësit më të prekshëm ndaj marrëdhënieve të pushtetit, ka, të paktën, edhe dy arsye të tjera pse në seminar trysnia dhe ushtrimi i pushtetit nuk zhduken apo dobësohen, edhe pse supozohet se të gjithë janë të barabartë dhe secili ka të drejtë të flasë ose të shprehet.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me vetë natyrën e pushtetit. Ai nuk ushtrohet vetëm nga mësuesi/pedagogu. Në marrëdhënie, pushteti mund të vijë nga kudo dhe çdokush mund të jetë subjekt i ushtrimit të pushtetit. Kështu, në seminar, pushteti mund të ushtrohet nga mësuesi/pedagogu dhe nga secili nxënës/student. Çdo student që flet në seminar ushtron pushtet mbi studentët e tjerë, madje edhe mbi vetë pedagogun. Për më tepër, për shkak se studentët, në seminar, duhet të flasin dhe të jenë aktivë, ata ndjejnë një trysni për ta bërë këtë edhe kur mund të mos kenë asgjë për të thënë. Është pushteti i mësuesit/pedagogut dhe i nxënësve/studentëve të tjerë në klasë që ushtrohet mbi nxënësin/studentin sa herë që ai merr vendimin për të folur ose jo. Nxënësi/studenti është nën pushtetin e reagimeve jo vetëm të mësuesit, por edhe të nxënësve/studentëve të tjerë. Pra, në seminar, nuk ka ulje të nivelit të pushtetit të ushtruar në klasë, por diversifikim dhe, mbase, rritje të tij. Ndoshta ka një ulje të dominimit të mësuesit/pedagogut, por dominimi është një koncept i ndryshëm nga pushteti.

Në seminar, pushteti i mësuesit/pedagogut mbi nxënësit/studentët nuk humbet, por vetëm kamuflohet. Marrëdhënia e mësuesit/pedagogut me nxënësit/studentët në seminar mund të bëhet më e ngushtë dhe më miqësore sesa marrëdhënia e mësuesit/pedagogut me nxënësit/studentët në leksion. Në fakt, kjo mund të jetë e vërtetë. Megjithatë, sado miqësore apo informale, gjatë procesit mësimor në institucionet e arsimit, marrëdhënia mbetet hierarkike dhe zyrtare. Kjo do të thotë se statuset e pjesëmarrësve në klasë/auditor nuk ndryshojnë. Nuk ndryshon as statusi apo natyra e marrëdhënies së tyre. Marrëdhënia mund të ndryshojë formën, por statusi i pjesëmarrësve në këtë marrëdhënie mbetet i njëjtë. Rrjedhimisht, nuk ndryshon as thelbi dhe as funksioni i marrëdhënies. Edhe në seminar, mësuesi/pedagogu është ai që ka statusin e personit që mëson të tjerët, paçka forma e mësimdhënies mund të jetë e ndryshme. Për më tepër, për sa kohë që statusi i pjesëmarrësve në seminar nuk ndryshon, mësuesi/pedagogu mbetet autoriteti që vlerëson nxënësit/studentët. Pra, mësuesi/pedagogu, duke përdorur notat, ka ende fuqinë për të “ndëshkuar” nxënësit/studentët që nuk performojnë mirë ose për të “shpërblyer” ata që performojnë mirë. Nxënësit/studentët janë vazhdimisht nën trysninë e vlerësimit, ndaj, për pasojë, janë deri diku nën pushtetin e atij/asaj që i vlerëson për atë që ata thonë ose nuk thonë. Pra, do të ishte naive të pretendohej se pushteti i mësuesit/pedagogut në seminar zhduket apo minimizohet.

Argumentet e parashtruara më sipër, në lidhje me ushtrimin e pushtetit brenda klasës apo auditorit në institucionet arsimore, tregojnë se ndryshimi i teknikës së mësimdhënies nga leksioni në seminar nuk e zvogëlon detyrimisht ushtrimin e pushtetit. Seminari, si formë pedagogjike, mund të jetë më i përshtatshëm për t’u përdorur për trajnime rreth metodave; mësime dhe trajnime profesionale e teknike, sesa për të nxitur apo zhvilluar mendimin e lirë dhe kritik. Nga ana tjetër, leksioni, i cili i jep nxënësit/studentit më shumë hapësirë dhe liri për të menduar – pa ushtruar trysni rreth nevojës për të folur shpesh dhe shpejt siç ndodh në seminar – mund të jetë më i përshtatshëm dhe më i vlefshëm për t’iu mësuar nxënësve/studentëve lëndë teorike që kërkojnë një mendim më të thellë për t’u kuptuar dhe përvetësuar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Viliem Kurtulaj

ÇMENDURIA E NJË LIGJI ANTIKUSHTETUES

July 8, 2023 by s p

Dr. Erion Dasho/

“(Mjeku i ri) … pranon kalimin zyrtarisht të diplomës përkatëse të arsimit të lartë nga institucioni publik i arsimit të lartë, ku ka përfunduar studimet, në institucionin shëndetësor ku punësohet, deri në shlyerjen e detyrimeve për punësim sipas afatit 5 (pesë)-vjeçar, me të drejtën që pas përmbushjes së detyrimit të punësimit të tërheqë diplomën universitare.”

Uroj që ky paragraf i projektligjit të skllavërisë së mjekëve të rinj (i cituar dje nga media afër Boratit) të mos jetë i vërtetë.

Nëse është, disa nga pasojat e mundshme janë si vijon:

1. Ligjërohet pengmarrja dhe skllavëria e mjekëve të rinj. Diploma e tyre mbahet peng nga institucioni shëndetësor ku do të punësohet.

2. Duke qënë se institucioni shëndetësor ku do të punësohet mjeku i ri, do të jetë “aty ku ka nevojë atdheu”, kuptohet se ai/ajo mund të dërgohet në një fshat të thellë sipas modelit të baballarëve të këtyre që na qeverisin sot. Do të rinisin miqtë (lexo “paratë”) që djali apo vajza e X-it të mbahet në kryeqytet, kurse djali apo vajza e Y-it të internohet në fshatin N. Kuptohet se patronazhistët dhe aktivistët do të mbahen me hatër nga nëna parti.

3. A do të lejohen mjekët e rinj të specializohen gjatë 5-vjeçarit të internimit? Nëse po, a do të rihapen zyrat famëkeqe të kuadrit që mbanin peng dokumentet ku mjekët dhe mjeket, apo prindërit e tyre të nisin sërish nga miqësitë (lexo edhe njëherë “paret”) për të mundësuar çlirimin e parakohshëm të skllevërve modernë të rilindjes?!

4. Nëse mjekët e rinj nuk do të lejohen të specializohen gjatë 5-vjeçarit të skllavërisë, cili do të mbajë përgjegjësi për rrënimin përfundimtar të sistemit shëndetësor dhe asaj që ka mbetur nga cilësia e shërbimit?! Po marr vetëm një shembull. Kirurgjitë në përgjithësi dhe sidomos kirurgjitë që kërkojnë motorikë fine si kardiokirurgjia, neurokirurgjia, etj., kërkojnë shprehi që fitohen më lehtë në moshë të re. Nëse një mjek nis të specializohet me vonesë, ai/ajo mund të mos i fitojë dot kurrë shprehitë që i nevojiten për të ushtruar profesionin.

5. Ç’do të ndodhë nëse një mjeku të ri në skllavëri i ofrohet mundësia për specializim jashtë vendit?! A do të lirohet ai/ajo para kohe, apo do të dënohet me vazhdim të skllavërisë? Apo do të ndahen mjekët në të nënës dhe të njerkës?! A do të jenë patronazhistët, aktivistët dhe fëmijët e baballarëve me pare më të barabartë se të tjerët?!

Këto janë vetëm disa pyetje që vijnë nga një paragraf i vetëm i këtij ligji çmendurak. Uroj që deputetet të gjejnë integritet për ta rrëzuar këtë ligj antikushtetues dhe skllavërues që aq shumë shkel të drejtat dhe liritë themelore të mjekëve të rinj.

Koha për reflektim!

May be an image of 1 person and newsroom

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: ESSE

Kryesisë dhe të gjithe antarsisë së Organizatës

July 7, 2023 by s p

hope.peace.org@gmail.com

Shumë e nderuemja Zonja Mimoza Dajçi

Krytare e Organizatës                                                    Ridgefield, CT. USA

New York City, N.Y.                                                                  3 korrik 2023

Të nderuemet Zonja të Kryesisë dhe Anëtarsisë së Organizats Shqiptare-Amerikane  Hope.Peace.org@gmail.com

    Kam marrë këto dit kopjen e  certifikatës së vlerësimit qytetar të Nans sime (pastë dritë) HAVA BUSHATI REPISHTI, që me interesimin tuej fisnik e atdhetar u lëshue nga Senatorja e Shtetit të Neë Yorkut the Honorable Nathalia  Fernandez.

Jam gëzue shumë dhe   kam pasë ndjenjen e lehtësimit të dhimbjes së madhe që vuejtjet e jetës kanë mbulue jetën e Nanës sime deshmore e vuejtjeve të tri diktaturave-fashiste, naziste dhe sidomos komuniste. 

    E përbuzun, e përndjekun dhe e denueme me vuejtë nji vorfëni pa skaj, kjo Nanë me tre djem të rritun, nji fenomen i pakonceptueshëm në Botën e Lirë, kjo Nanë e mjerueme nuk u dekurajue asnjiherë. Shprehja e saj “edhe na si e gjithë bota’  referohej vorfënisë tragjike që kaloi ai popull per 45 vjet me rradhë, dhe rrjedhimet e së cilës ndiehen edhe sot e kësaj dite.

    Gjesti I juej fisnik e atdhetar ka dhe randësin e vet të veçantë sepse kujton viktimët e verteta të vuejtjes e mjerimit, gruen shqiptare që e mbyllun në botën e shurdhër të patriarkalizmit banal dhe idiot, vuen në heshtje, nji heshtje që flet ma shumë se volumet e shkrueme  e që neglizhojnë me vue në dukje thellësinë e vuejtjes së grues shqiptare. Me këte gjest ju keni ngritë nivelin e grues shqip-tare nji shkallë ma nalt, dhe të denjë për respekt ashtu si veprojnë të gjith vendet e qytenueme të Botës së Lirë.

    I përjetëshëm qoftë kujtimi i viktims Hava Bushati Repishti, dhe i përjetëshëm do të jetë edhe respekti i im për organizaten tuej dhe të gjithë ju per vumjen në dukje ate qe politika e propaganda bajate mohojnë shpesh herë.

    T nderueme Zonja, ju lutem pranoni falënderimet e mia ma të thella dhe urimet e mia ma të mira. Zoti ju ndhmoftë!

                                                                          Sami  Repishti, Ph.D.

                                                                          Univ. “La Sorbonne” Paris, France

                                                                          Graduate Center, C.U.N.Y.

                                                                           Ish I burgosun politik- 1946-56

                                                                           në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi                           

Filed Under: ESSE Tagged With: Sami repishti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • 115
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT