
Prof.dr. Ylli Pango/
Idhullin vetë njerëzit e krijuan. Natyrisht ai kishte diçka që e dallonte. Diçka ndryshe nga të tjerët. Një apo disa nga këto: Zërin, bukurinë, aftësinë për të komanduar, rolet që luante, aftësinë për të skalitur, shkëlqimin e hiçit në big brother, gjinjtë e vithet model a në përmasa të kodifikuara,, rrëfimin e bukur… Kot ose plot. Në këtë postim, kjo e fundit nuk ka rëndësi…
…Mandej njerëzit e hypën idhullin në piedestal. E brohoritën. E ngarkuan me të mira e dhurata. Ja bënë portretin më të madh se pallatin ku e vunë të banonte. Ja shtruan rrugën me lule, qylyma, tryeza. E lanë në flori. I blatuan gjithë të mirat e dheut me shumicë.
Idhullit njerëzit i afroheshin duke u dridhur. Donin ta preknin pak, ta shihnin nga pranë. Disa të tjerë, me ndjeshmëri të lartë, nuk guxonin as ti afroheshin. E ndjenin si mrekulli, hyjni. Si diell që të djeg. Si
lule mos prek
…Harronin a nuk donin të besonin më, që pat qenë njeri, që e bënë vetë hyjni…
…Po si mund të sillej “idhulli” pas gjithë këryre? Si ndryshe, veçse si donin ata. Si e mendonin ata. Siç edhe vetë mendja e vet tashmë ja pohonte…Siç po ndjehej e siç duhet të ishte Gjigand. Hyjni. Mrekulli mbi dhe. Gati perëndi.
…U rëndua shumë. Çvendoste gjithë atë peshë. Merrte tërë atë lëndë me vete, kudo që vente. Merrte pompë, lëndë, gaz raketor që të shtyn nga pas, ajër hapsinor gjithësie.
Pesha specifike e idhullit e arriti e e kaloi atë të zhivës, 2 herë, 3…100 herë…
…Po si mund të mbahej mbi supe njeriu, gjithë ajo barrë perëndie…Erdhi një kohë e idhulli filloi të ndjente që nuk po mund të çvendosej dot. Veç peshës së vet të rënduar, mbante mbi gjoks, kurriz, krahë, këmbë, shirita, dekorata, tituj, grada, letra. Gjithë ç’patën shpikur njerëzit për ta ngritur në majën e levës së Arkimedit. Atë: tjetrin ndryshe…për t’u ndjerë më larg t tjerëve. Madje larg edhe vetes, vetes së parë, veteve,…vetes bebe, vetes fēmijë. Sa më pranë vetes, pranë perëndive…
…Dikur, natyrshem, jo-perëndishëm, idhullit ju morën këmbët e ra. U shëmb. U plandos përmbi tokë me frushullimë, leckash, letrash, shiritash me ngjyra, me të madhe trokëllimë metali dekoratash. Ndrroi jetë aty në çast. Iku. Na la pa idhull Iku para kohe. U vra? A e vranë.
…Mos u deh…keqas? u mbyt në drogë? …Ndofta…kokainë? Ka të ngjarë heroinë? etj.?
Mundet…Një a ca lloj droge duhet të kenë qenë. Nuk ka se si ndryshe.
Po ishte një me to e njera përmbi to … Ishte droga mbi droga. Ishte drogë-lavdia. Drogë- Idhujtaria…Ajo e mbyti…
SI VIJON?
…Ka ndodhur. Po ndodh. Edhe do të ndodhë…Edhe sa kohë? Nuk di. Por sigurisht jo gjithmonë…
…Ka ndodhur me Dikensin, Whitney Huston, Elvis Presley, Marylin Monroe etj etj. Jo jo nuk i mbyti droga…alkooli. I mbyti narkotiku i lavdisë… Pesha e rëndë e idhujtarisë. Imazhi i rëndë i adhurimit, vetadhurimit, i brenda vete- miniperëndisë
…Nuk është se fryhen njerëzit-idhuj të mëdhenj si zota. Ata e dinë, herët a vonë e kuptojnë, kur vetë ithtarët zenë e i sulmojnë…Kuptojnë se s’janë veçse materje organike destinuar për tretje. Asgjësim.
…Janë Njerëzit. Ithtarët. Ata që i venë në fron. Shumica që edhe ata, të etur janë të jenë idhuj. Ai ështē modeli. Është një glob i tërë që veç me idhujt merret. Tentojnë të vegjlit…fryjnë veten si fillim…e kur s’ja arrijnë kërkojnë ta derdhin te të tjerë, dëshirën e parealizuar. Pompojnë e fryjnë të tjerë…I duan. Bëhen me ta. Tifozë të tyre. Identifikohen me lavdinë e tyre. Duan identifikim me vizionin e ëndërruar të vetes, me lavdinë, me mishërimin e saj te të tjerë. Andaj bëhen spektatorë, tifozë. E nuk bëjnë më dot pa spektakël, garë, grintë, stimul, motivim. (Për të jetuar, qoftë edhe ndryshuar, emocionuar,mbledhur një dorë mbresa siç thosh i ndjeri… miku im)
…Pastaj hakmerren. I braktisin. I neveridin. Nuk ka më të tmerrshëm se spektatori, se masa gllabëruese mijra sysh e gojrash e Spektatorit…
Spektatorit i duhen subjekte për egon e vet të pashfryrë. Bash për këtë spektatorët ulëritës, nxitës, stërvitës, fryjnë të tjerët, individët,” qëndrorët”, idhujt. I fryjnë. I mbifryjnë. Pastaj i vrasin. Jo me duart e tyre. Me duart e vetes së
atyre. Idhujve. Me veten e tyre vet-vrasëse.. Sepse të gjorët idhuj-viktima, drobiten tërë jetën për atë famë. Sukses. Garë. Triumf. Emocione…
Në sa e sa fusha( sa diabolike) njerëzit kanë shpikur sa e sa lodra lavdie: politikë, sport, art, para, biznes, shkencë. Dhe bashkë ne to stimuj stimuj, stimuj. Dhe mbi ta idhuj, idhuj, idhuj…Që e paguajnë shtrenjtë atë kohë jete të gjysmuar ashtu droguar mbi piedestal të lavdisë…Kujtoni zhgënjimin e sa e sa idhujve në fundjetët e tyre të nxira, disa në gjysëm-jetët…e pambaruara,…edhe më herët…pendesat që nuk ishin e nuk jetuan thjesht si të tjerë…Nuk deshën, dashuruan më shumë familjen, të dashurit…aime as nuk u dashuruan syresh thjesht, si njerëz…si shumë të tjerë…
…Ky është motorri i vërtitjes së rrotës së historisë së njerëzisë këto mijra vitet e fundit. Më kot fryhet kapitalizmi se e shpiku ai…dhe na qenka konkurenca, paraja, individualizmi, fitimi…: Shtysa.
Këto nuk janë veçse të vogla gracka, ku ëndrra e lavdisë përtej tokësore, kapet si rabecka…në daçi shekspiriançe, si laraska…
…Kaq për këto mijra vjet…
…Të shohim ç’do na shpikin pasardhësit, vite, shekuj, a mijëvjeçarë më vonë…